VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Intervista – Bashkurti: Njohja nga Serbia nuk e anëtarëson Kosovën me automatizëm në OKB

By | January 27, 2019

Komentet

Ftesat e Ramës për dialog, eksperti gjerman: Pse kompromisi është ende i pamundur

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka nisur kreut te opozitës një ftesë të hapur për bisedime. Ndërmjetësuesi i njohur Schwarz-Schilling shpjegon për Deutsche Wellen se përse kompromisi ende është i pamundur.

 

 Intervista e plotë:Deutsche Welle: Në Shqipëri kemi aktualisht një ngërç politik. BE-ja, pra, komisioneri Johannes Hahn, kërkojnë kompromis ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Ju jeni një ndërmjetësues i njohur në Ballkan e në botë. A shihni një mundësi për arritjen e këtij kompromisi? 

Christian-Schwarz-Schilling: Ndërmjetësimi në këtë nivel mund të arrihet vetëm kur të dyja palët e duan. Kur njëra palë cakton si parakusht të bisedimeve kapitullimin ose dorëheqjen e palës tjetër, atëherë metoda nuk do të funksionojë dhe nuk duhet synuar. Unë jam shumë i çuditur me deklaratat që dëgjoj nga partia e opozitës, si për shembull, deklaratat e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili, në vend që të thërrasë për ballafaqimin e opinioneve të ndryshme në parlament, lëshon parulla revolucionare duke shkatërruar kështu institucionin e parlamentit.

Por politikanët e opozitës e kanë braktisur tashmë parlamentin… 

Po, dhe kanë bërë gabim. Mua më kujtohet viti 2010, kur kam ndërmjetësuar mes Sali Berishës si kryeministër dhe Edi Ramës, asokohe kryetar i opozitës. Situata ishte e kundërta e kësaj që kemi sot: Edi Rama atëherë kishte paralajmëruar se do t’i dorëzonte mandatet, por ai u tregua shumë më i arsyeshëm dhe pranoi të kthehej në Kuvend. Opozita e sotme duhet të marrë shembull nga  Edi Rama si ish-kreu i opozitës.

E megjithatë, komisioneri Hahn ka thënë se qeveria duhet të kërkojë dialogun me opozitën. Meqenëse ju e njihni dhe e çmoni personalisht Edi Ramën, çfarë këshille do t’i jepnit në këtë situatë? 

Ai duhet të nxjerrë në plan të parë institucionin parlamentar dhe të thotë se Kuvendi duhet të formulojë një opinion për vendin. Nuk mund ta ndryshosh me dhunë maxhorancën parlamentare. Mund të shqyrtohen argumentet që sjell pakica kundër qeverisë, të cilat maxhoranca duhet t’i trajtojë me seriozitet dhe t’i përfshijë në punën e qeverisë. Por nuk është e mundur, që pakica ta shpallë veten si maxhorancë dhe të prishë kësisoj institucionin e parlamentit. Kjo nuk ecën. Maxhoranca mund të ndryshohet vetëm në zgjedhje. Dhe opozita duhet të pajtohet me këtë rezultat.

Duhet të pajtohet edhe pse ka pasur blerje votash në disa qarqe, siç pretendon opozita? 

Unë nuk besoj se kjo ka ndodhur. Dihet që në përgjithësi përdoren gjithmonë ca metoda ballkanike, por nuk kam dëgjuar që Edi Rama ta ketë bërë këtë në mënyrë aq masive sa të ketë pasur efekt në rezultatin e zgjedhjeve.

Po dosjet e përgjimeve të prokurorisë, ku dëgjohen persona të lidhur me krimin e organizuar duke blerë vota në emër të kandidatëve të Partisë Socialiste? 

Këto janë akuza që duhen dëshmuar. Nëse ka qenë kështu, atëherë opozita duhet të paraqesë dëshmitë dhe të bëjë një kërkesë për verifikim.

Pra, ju mendoni se vetëm përgjimet nga dosjet nuk mjaftojnë? 

Jo. Ato nuk mjaftojnë.

Por në Shqipëri ka kohë që ekziston një pakënaqësi e përgjithshme, e cila vihet re jo vetëm te opozita. A pajtoheni?  

Unë kam përvojë me disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Jam shumë i lidhur me Bosnjë-Hercegovinën. Më duhet të them, se ato gjëra që ndodhin aty, as që mund të krahasohen fare me Shqipërinë. Kam parasysh partitë djathtiste kroate, HDZ, si në Kroaci, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë që bëhen bashkë, jo për ta ndërtuar, por për ta shkatëruar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Përkundrazi, me projektet e ndryshme që kam në Shqipëri, kam krijuar përshtypjen se atje po bëhen përpjekje shumë serioze për reformat. Kjo duket më së miri në procesin e Vetting-ut në gjyqësor. Është një proces shumë i vështirë, por qeveria dhe Ministrja e Drejtësisë po e menaxhojnë shumë mirë.

Keni biseduar ju edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha?

Po, e kam takuar dy herë. Përshtypja ime është se ai është një njeri mendjemprehtë, por që synon vetëm të çojë përpara karrierën e tij dhe mendon se tani është momenti i përshtatshëm. Nuk kam përshtypjen se po digjet për vendin dhe për reformat. Kam përshtypjen se opozita po kërkon të nxisë zhvillime revolucionare për të arritur rrëzimin e qeverisë. Ne këtë nuk mund ta mbështesim, Ne duhet të mbrojmë me forcë institucionet. Aty ku prezantohen fakte, duhet hetuar më tej, por jo të bëhen polemika dhe demagogji për të shkatërruar institucionet. Kjo është shumë e rrezikshme. Për këtë shkak unë jam i mendimit se arritjet pozitive të qeverisë në Shqipëri duhen vlerësuar dhe nuk duhen përçmuar në këtë mënyrë.

Sipas të gjitha gjasave, parlamenti gjerman, Bundestag-u, do të votojë në shtator mbi çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Çfarë duhet të ndodhë gjer atëherë, në mënyrë që kolegët tuaj të CDU/CSU-së t’i japin Shqipërisë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave? 

Deri atëherë do të duhet të dalë në pah e vërteta, konkretisht, se kush kërkon reforma, e kush përmbysje./DW

Frontex në Shqipëri – Flet ish-drejtori i Kufirit: Rrezikojmë të kthehemi në vendgrumbullim azilantësh

ARISTIR LUMEZI/ Ish-drejtori i Kufirit, specialist për çështjet e sigurisë, Pëllumb Nako, tregon pikat e dobëta të marrëveshjes që shteti shqiptar ka nënshkruar me Frontex-in dhe që pritet të inaugurohet sot në Tiranë.

 

Në një intervistë për “Panorama”, Nako shprehet se mungesa e një marrëveshjeje me Greqinë për ripranimin e emigrantëve që vijnë nga vendi fqinj, rrezikon t’i grumbullojë ata në territorin tonë dhe të fillojnë procedurat e azilit me shpresë për të kaluar më vonë në vendet e BE-së.

Autoritetet e vendit tonë kanë njoftuar se ditën e sotme, më 21 maj, do të inaugurohet fillimi i operacionit të përbashkët ndërmjet Policisë Kufitare Shqiptare dhe FRONTEX-it, çdo të thotë kjo për vendin tonë?

Mendoj se do të ishte e dobishme që si fillim publiku i gjerë të informohej se FRONTEX (Frontières Extérieures- Kufijtë e Jashtëm) është një nga agjencitë e sigurisë së Bashkimit Europian, me detyrë ruajtjen e kufijve të jashtëm të vendeve të hapësirës Shengen si dhe menaxhimin e flukseve migratore jo të rregullta që synojnë vendet e hapësirës. Agjencia është e specializuar në analizën e informacionit dhe të rrisqeve migratore të parregullta në mbështetje të rojave kufitare të vendeve, ku shtrihen kufijtë e jashtëm evropianë si dhe koordinimin e tyre në mënyrë të përqendruar në menaxhim krizash migratore në tokë dhe në det.

Bashkëpunimi i Frontex-it me Policinë shqiptare është i hershëm. Fillimisht, ai u materializua në marrëveshjen teknike ndërmjet dy institucioneve që në vitin 2009. Kurse marrëveshja e re, e cila po vihet në punë këto ditë, ka një dimension të ri. Dimension i cili është pasojë direkte e ndryshimit të njërit prej komponentëve të strategjisë së Bashkimit Europian për sigurinë. Ajo ka filluar të rindërtohet pas flukseve migratore masive me prejardhje nga Afrika e Veriut dhe Azia, jo shumë vite më parë. Flukse këto që tronditën vetë ekzistencën e Bashkimit Europian.

Nëpërmjet një marrëveshjeje të tillë, Komisioni Europian po krijon kushtet ligjore për futjen e forcave policore europiane, nën siglën e Frontex-it, brenda territorit të vendeve fqinjë. Si në rastin konkret, vendi ynë. Madje, jo vetëm me atribute ndihme e asistence, por edhe me detyra ekzekutive. Sipas termave të marrëveshjes, për herë të parë, forcave policore europiane u duhet të ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë territorit të Bashkimit Europian, duke vepruar mbi territorin e një vendi sovran, jo anëtar i BE-së. Për këtë arsye, ndryshe nga marrëveshja e parë, kjo e dyta, kaloi si në Parlamentin e vendit tonë edhe në atë europian.

Çka shpjegon edhe praninë e Komisionerit Avramopulos, si në fillimin e tratativave për të, edhe në ceremoninë e implementimit. Që të jetë akoma më e kuptueshme për publikun e gjerë, Frontex-i do të veprojë në Shqipëri njëlloj si Guardia di Finanzia italiane në ujërat tona territoriale nga viti 1997 deri më sot. Atë që bëri Italia, vite më parë, sot po e bëjnë të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Pra, të garantojë bllokimin në vend të flukseve migratore që burojnë nga vendi ynë ose tranzitojnë nëpërmjet territorit të tij.

Vetë marrëveshja dhe vënia e saj në punë u cilësuan nga autoritetet tona si sukses dhe si një arritje për vendin tonë. Vendi ynë është i pari që realizon një marrëveshje të tillë me Bashkimin Europian. Si i komentoni ju këto fakte?

Kam përshtypjen së mbarë opinioni ynë publik e ka ende të freskët panoramën e disa viteve më parë kur vendet e Bashkimit Europian demonstruan debate të ashpra brenda tyre lidhur me trajtimin e flukseve migratore që po vërshonin nga zona të nxehta, sidomos nga Siria. Pati vende që madje vendosën në kufijtë e tyre nacionalë tela e gjemba për të penguar fluksin.

Në një kontekst, kur vetë vendet europiane kanë reflektuar thuajse ashpër kaq shumë kundërshti, për shkak të kompleksitetit të gjerë që paraqesin flukset masive migratore, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë nga autoritetet tona, do të duhej të ishte parë fillimisht nën optikën e interesit të vendit tonë, pastaj atë europian. Ku është interesi më i madh i Shqipërisë në raste fluksesh migratore që tranzitojnë nga territori i saj?

Patrullimi i përbashkët, krimi ndërkufitar, përzgjedhja për azil që përbëjnë objektivin e Frontex-it apo krahas tyre një marrëveshje për kthimin e emigrantëve që nuk plotësojnë kushtet për azil andej nga vijnë ose në vendin e origjinës dhe pa shumë kosto financiare? Sepse prania e policëve të Frontex-it në kufijtë e Shqipërisë nuk e zgjidh këtë problem madhor që paraqet imigracioni, i cili vjen nga Greqia dhe tranziton në territorin e vendit tonë. Nëse do t’i referoheshim suksesit të reklamuar, ai duket pak i vështirë për t’u konkretizuar se ku konsiston.

Ajo që po bën sot Komisioni Europian në kufijtë tanë tokësorë, e ka bërë dikur dhe vazhdon të bëjë Italia në det. Ndërkohë, disa aspekte të tjera janë jo fort në favor të termit sukses. Nëse dikur bashkëpunimi me Frontex-in garantohej nëpërmjet shkëmbimit të informacionit në distancë nga Tirana në Varshavë (ku ndodhet selia e agjencisë), me këtë marrëveshjeje agjencia sposton personel fizikisht në vendin tonë. Me detyrat ekzekutive që gëzon Frontex-i vërtet ndihmon e bashkëpunon, por mbi të gjitha kontrollon nga afër situatën.

Krijon bindjen duke i prekur vetë gjërat në terren. Pra, nuk do të bazohet më në raportimet e Policisë shqiptare si deri më sot. Ndaj dhe më shumë se bashkëpunim, kemi të bëjmë me një marrëdhënie “beso e kontrollo”, madje nga afër. Ky nuk është partneritet. Fakti që jemi të parët që vrapuam për ta vënë në jetë këtë marrëveshje, nuk është shenjë fitoreje. Sepse marrëveshja u është propozuar tashmë edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por asnjëri prej tyre nuk ka nxituar ta nënshkruajë, ta miratojë me kaq shpejtësi e për më tepër, ta vërë në punë me kaq pompozitet.

Më konkretisht, cili është problemi më madhor që cituat pak më sipër lidhur me migracionin, i cili tranziton në vendin tonë dhe ka prejardhjen nga Greqia?

Po në terma të përgjithshme, objektivi i Frontex-it këtu është pasja e një tabloje të plotë, reale lidhur me migracionin e parregullt që buron e tranziton nëpër vendin tonë. Dhe kjo gjë lidhet fort me kapjen, intervistimin dhe përzgjedhjen e emigrantëve në procesin e azilit, si dhe luftën kundër kontrabandimit të tyre. Po se ku do të venë dhe si do të jetë fati i tyre më pas, marrëveshja nuk parashikon asgjë. Pikërisht kjo është thembra e Akilit me aq shumë interes për ne.

Vendi ynë nuk është destinacion për këto flukse. Nëse kapen në kufi me Greqinë nga ku vijnë, emigrantët nuk do të pranohen mbrapsht nga shteti grek nëpërmjet një procedure të përshpejtuar, pa prova dhe pa formalitete. Këtë e di edhe Frontex-i, edhe autoritetet tona. Sepse Greqia nuk ka protokoll ripranimi me Shqipërinë për emigrantët e parregullt. Dhe ky është ngërç i madh. Frontex-i nuk e zgjidh dot. Për këtë aspekt, shteti grek merr parasysh vetëm marrëveshjen e bashkëpunimit policor të vitit 2000 me vendin tonë. Sipas saj, ky shtet i ripranon klandestinët vetëm nëpërmjet një procedure formale ripranimi, që zgjat deri në 6 muaj.

Dhe kjo jo e sigurt, nëse nuk ka prova të dokumentuara që emigrantët vijnë nga ky vend. Ndërkohë, ka shumë syresh që i grisin qëllimisht provat e qenies në Greqi. Ky fakt rrit tej mase kostot dhe rreziqet për palën tonë. Rreziqe të lidhura me ata imigrantë që nuk janë objekt azili dhe që Greqia nuk i ripranon. Ku do të venë? Po ashtu, vendi ynë nuk ka as marrëveshje e as shërbime konsullore në vendet prej nga vijnë emigrantët. Për rrjedhim, vështirësitë do të jenë edhe më të mëdha nëse autoriteteve tona do t’u duhet që emigrantët t’i rikthejë direkt në vendin e origjinës.

Vendosja e trupave europiane në kufi me Greqinë nuk zgjidh gjithashtu edhe problemin tjetër. Atë që emigrantët përdorin masivisht si mënyrë veprimi: kërkesa për azil. Pavarësisht se autoritetet tona nuk bëjnë zhurmë, por janë me qindra ata që kërkojnë azil e më pas largohen ilegalisht drejt veriut të vendit për të synuar destinacionin final, Europën Perëndimore.

Cila do të ishte zgjidhja, duke parashikuar problematikat që mund të lindin nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje?

Delegacioni Europian në Tiranë si dhe Komisioni duhet të ndërmjetësojnë me shtetin grek për nënshkrimin e protokollit të ripranimit me Shqipërinë. Po ashtu, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë duhet të financojë organizma të specializuara si IOM për mundësimin e rikthimit në vendin e origjinës të të gjithë emigrantëve që kërkojnë të kthehen vullnetarisht në vendin e tyre. Madje, të stimulojnë këtë gjë nëpërmjet financimit të nxitjes për kthim vullnetar të atyre që nuk plotësojnë kushtet për azil. Këto probleme duheshin negociuar para nënshkrimit të marrëveshjes. Ndërkohë, lidhur me azilin, kush plotëson kushtet, të jetë i mirëpritur në Shqipëri. Edhe dimensioni humanitar nuk duhet harruar. Sidomos për vendin tonë, që i ka njohur kaq shumë këto fenomene të dhimbshme.

Intervista për BBC, Lulzim Basha flet për protestat dhe shtyrjen e negociatave: Dhuna shenjë e zemërimit të popullit, por fatmirësisht nuk shkaktoi viktima

Kreu i selisë blu, Lulzim Basha, gjatë vizitës zyrtare në Londër ka dhënë një intervistë për “BBC World”, ndërsa ka folur lidhur me situatën aktuale në Shqipëri, vendimet e qeverisë dhe opozitës.

Basha është shprehur se e dënon dhunën por ka shtuar se dhuna në protetsat e zhvilluar së fundmi në vend, është shprehje e zemërimit të popullit.

 

“Absolutisht. PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje”, ka thënë kreu i PD.

Ai ka renditur disa akuza kundrejt kryeministrit Edi Rama, ndërsa thekson se Shqipëria nuk mund të shkojë në BE me këtë situatë ku ndodhet vendit.

“Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe”, është shprehur Basha.

Intervista e kreut të PD, Lulzim Basha për BBC

BBC WORLD: Gjatë 3 muajve të fundit në Shqipëri janë zhvilluar protesta antiqeveritare, me protestues që bëjnë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ka patur edhe dhunë fundjavën e shkuar, ku mijëra protestues, që mbështesin PD në opozitë, dolën në rrugët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Zyrat e kryeministrit u goditën me bomba benzine, duke nxitur thirrjet për qetësi të disa vendeve të BE-së dhe SHBA. Në krye të këtyre protestave është lideri i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha, i cili ka shërbyer si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Brendshëm në qeveritë e mëparshme të drejtuara nga PD. Unë e nisa bisedën me të duke e pyetur, nëse e dënon dhunën e ndodhur.

LULZIM BASHA: Absolutisht. PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje. Këto protesta janë pasojë e një krize që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit: krizë kushtetuese, krizë politike dhe pasojat e saj ekonomike e sociale.

BBC WORLD: Çfarë duhet tē ndodhē me ata që janë përgjegjës për dhunën?

LULZIM BASHA: Siç e thashë, falë Zotit, asnjë polic i vetëm nuk u lëndua. Por numri 3 i PD-së u dhunua brutalisht dhe dhunshëm nga policia. Media ishte në gjendje ta filmonte këtë episod dhe ta transmetonte live. Në vend që këta policë të përballen me përgjegjësitë e tyre, sipas ligjit, ata janë marrë personalisht nën mbrojtje nga kryeminstri.

BBC WORLD: Qeveria i mohon akuzat tuaja, por nē njē kēndvēshtrim mē tē gjerē, ju keni qenë vetë në qeveri dhe tani jeni në opozitë. Ju e dini se akuzat për korrupsion bēhen sa nga njēra palē dhe nga pala tjetēr. Akuzat nga opozita, kushdo qoftë ajo, mohohen nga qeveria kushdo qoftë ajo. Kjo është pjesë e politikës në vendin tuaj, apo jo?

LULZIM BASHA: Ky nuk është rasti tani.

BBC WORLD: Pse është ndryshe tani?

LULZIM BASHA: Dy raste të hetimit nga prokurorēt antimafia kanë zbuluar mijëra orë përgjime, që tregojnë se kryeministri dhe zyrtarë të lartë të qeverisë bashkëpunojnë me bosët e krimit të organizuar për vjedhjen e zgjedhjeve të vtiit 2017. Disa nga këto përgjime janë publikuar nga Zëri i Amerikës dhe dy ditë më parë nga gazeta më e madhe gjermane Bild. Nuk ka absolutisht asnjë veprim në lidhje me këto akuza. Asnjë politikan nuk është thirrur për t’u marrë në pyetje dhe politikanët e përfshirë jo vetëm nuk janë ndëshkuar, por janë promovuar dhe janë mbrojtur nga kryeministri.

BBC WORLD: Ta shohim në një panoramë më të gjerë. Këtë qershor Shqipëria pret një përgjigje nga BE, nëse do të nisin negociatat për anëtarësim. Sa dēm mund t’i shkaktojē procesit e gjithē kjo?

LULZIM BASHA: Protestat janë pasojë e krizës së thellë politike në vend. Kēshtu qē, pavarësisht, raporteve të sheqerosura…

BBC WORLD: Çfarë do të thotë të sheqerosura ?

LULZIM BASHA: Shumë larg realitetit.

BBC WORLD: Për çfarë arsye?

LULZIM BASHA: Shqipëria duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të hapë negociatat e anëtarësimit. Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë, për vlerat europiane, por Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet.

BBC WORLD: Pra, çfarë duhet të thotë dhe tē bējē BE në takimin e qershorit sipas jush?

LULZIM BASHA: Mendoj se në kētë pikë gjërat janë shumë të qarta. Bashkimi Europian është ekstremisht i shqetësuar se realiteti në terren është shumë larg nga përshkrimet e burokratëve në Bruksel. Kjo duhet të jetë edhe një këmbanë alarmi për vetē institucionet e Bashkimit Europian, që t’i japin fund gjuhës së drunjtë se “shumë është bërë, por nevojitet dhe shumë për të bërë” dhe të përqëndrohen nē problemet e vērteta, me tē cilat pērballen vendi.

BBC WORLD: Por kjo muhd të çonte në një shtyrje të asaj çfarë planifikon BE. A nuk do të sillte shtyrja një dëm të madh për vendin?

LULZIM BASHA: Për fat të keq, shtyrja, pak a shumë është vendosur. Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe.

Intervista – Agim Aliçkaj: Serbia duhet të trajtohet si çdo agresor që e ka humbur luftën

Me Senatorin Bob Dole

Çfarë i tha Agim Aliçkaj ish-Sekretarit të Shtetit Henry Kissinger, gjatë përplasjes në Kongresin Amerikan për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë? Roli i diasporës dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të kongresistit DioGuardi. Historia e shpëtimit të hebrejve në Kosovë, nga familja e babait, Arif Aliçkaj dhe shqiptarë të tjerë. Çfarë duhet të bëjnë udhëheqësit e Kosovës sot, për kufirin, taksën ndaj mallrave serbe, negociatat me Serbinë, marrëdhëniet BE-në dhe SHBA-në?

Intervistoi Ruben Avxhiu, “Illyria”

Zoti Aliçkaj, ky që po jetojmë është një vit i nderimeve të shumë 20-vjetoreve. 20-vjetori i dhimbshëm i Reçakut, 20-vjetori i vendimit të vështirë të marrëveshjes në Rambuje, 20-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, 20-vjetori i çlirimit etj. Janë të gjitha, me të mirat dhe të këqiat edhe një kurorëzim i punës së shqiptarëve në Washington.Ju vetë keni qenë shumë aktiv me Ligën Qytetare si dhe personalisht. Çfarë kujtoni më shumë nga ato vite?

Deshiroj të të falenderoj ty Ruben, dhe gazetën “Illyria” për mundësinë që t’i shpreh mendimet e mia për ngjarjet dhe situatën. Çdonjeri prej nesh ka shumë për të thënë. Njeherit, ju përgëzoj për punën e madhe me dekada në të mirë të çështjes sonë kombëtare.

Është 20 vjetori i ngjarjeve shumë të dhimbshme por edhe te lavdishme dhe historike për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Masakra e forcave terroriste serbe mbi popullsine civile shqiptare në Recak e kaloi kufirin e durimit të SHBA-ve dhe vendeve demokratike perëndimore të Evropës. Fjala popullore thotë: “kriminelin e zen gjaku i viktimës së pafajshme”. Ky akt barbar dhe mospranimi i marrëveshjes së Rambujesë, ishin faktorë shumë të rëndësishëm, në mes të shumë faktorëve tjerë, që ndikuan në vendimin e NATO-s për ta bombarduar Serbinë. Duhet cmuar lart sinqeriteti, drejtësia, burrëria dhe trimeria e ambasadorit amerikan William Walker në paraqitjen reale te masakrës së Recakut.

Marrevëshja e Rambujesë ishte e vështirë dhe shumë e pavolitshme për Kosovën. Me të mund të arrihej sigurimi i të drejtave të njeriut dhe një nivel i kufizuar autonomie por kurrësesi pavarësia. Pala Kosovare nuk kishte rrugë tjetër përveç nënshkrimit. Duhet t’i falenderohemi arrogancës, budallëllëkut dhe kalkulimeve të gabuara të diktatorit komunist Millosheviq dhe bandës së tij kriminale për mospranimin e saj. Serbët shumë e perdorin thënjen “Sve ili nishta” ne shqip “Gjithshka ose asgjë” . Ata u munduan të marrin çdo gjë por fituan asgjë, fituan faqen e zezë dhe bombat e NATO-s.

Nga ato ditë të vështira, më kujtohen aktivitetet e panumërta masovike dhe energjia e pashterrshme e veprimit te komunitetit shqiptaro-amerikan, demonstratat madhështore të subjekteve të bashkuara nën udhëheqjen profesionale dhe shume të sukseseshme të ish-kongresistit Joseph DioGuardi, seancat dëgjimore në Kongresin amerikan ku i mundesohej një populli të vogel e të shtypur për t’i paraqitur padrejtësitë, keqetrajtimin, dhe shkeljen e të drejtave të tij kombëtare, politike dhe njerëzore. Me kujtohet edhe madhështia, mençuria dhe vlerat e larta politike dhe njerëzore të shumë përfaqësuesve të Kongresit amerikan, senatorët Dole, McCain, Biden, D’Amato , Schumer, Pressler, Pell, Lieberman, Helms dhe kongresistet Lantos, Gilman, Engel, Hyde, Boehner, Ed Royce, Rohrabacher, Ros-Lehtinen, Traficant e të tjerë, shumë prej të cilëve çështjen tonë e morën me zemër.

A ju kujtohet se ku ndodheshit në momentin kur filloi ndërhyrja e NATO-s në Kosovë? Si e përjetuat atë moment?

Para televizionit, me familje, në shtëpinë time në Yonkers. Lajmet tregonin se po afrohej momenti i bombardimeve, por gjithmonë ekzistonte mundësia që të ndaleshin, nëse krimineli Millosheviq i telefononte ambasadorit Holbrook se e pranonte marrëveshjen e Rambujesë. Fatbardhësisht, kjo nuk ndodhi dhe kryeministri rus Primakov, që vinte në SHBA për të kërkuar ndaljen e bombardimeve, u kthye mbrapsh në gjysëm të rrugës, i refuzuar nga nënkryetari amerikan Al Gore.

Kur filloi bombardimi, të gjithë u ngritëm në këmbë dhe filluam ta përqafojmë njëri-tjetrin. Babai im Arif Alickaj filloi të qante dhe ne bashkë me të. Ai ishte me karakter shumë të fortë, ishte hera e parë në jetë që unë e pashë të derdhte lotë. Përjetimi vështirë mund të përshkruhet, gëzim, krenari, triumf, shpresë, besim në fitore, por edhe shqetesim. E dija se, që nga ky moment, çlirimi i Kosovës nga thundra shekullore serbe ishte i sigurt. Por, ekzistonte ende një ndjenjë frike dhe shqetësimi se çfarë do të ndodhte në ditët në vijim, sa do t’i kushtonte popullit tonë liria . Dhe, për 78 ditë bombardimi populli shqiptar i Kosovës kaloi nëpër një periudhë të tmerrshme. Shpërngulje masovike me dhunë, vrasje të popullsisë së pafajshme civile, përfshirë gra dhe fëmijë, dhunime, masakra, tortura çnjerezore dhe zhdukje pa gjurmë. Këto krime makabre të kriminelëve serbë, nuk bën të harrohen kurrë.

Sa i rëndësishëm ishte – sipas jush – roli që luajtën shqiptarët e Amerikës në fatin e Kosovës? A do të kishte ndodhur ndërhyrja e NATO-s pa lobimin modern të më shumë se një dekade në Washington?

Shqiptarët e Amerikës luajtën një rol të pazëvendësueshëm në fitoren e Republikës së Kosovës. Është gjë e ditur se fati i Kosovës dhe i mbarë kombit shqiptar vendoset në shtetin më të madh dhe më demokratik të botës, në SHBA. Prandaj, pa lobim profesional dhe efektiv në SHBA vështirë se do të arrihej bombardimi i Serbisë, çlirimi dhe shpallja e pavarësisë. Por, duhet kuptuar se parakusht për këtë ishte rezistenca gjithëpopullore në trojet tona.

Rezistenca e popullit shqiptar ka filluar në momentin kur këto troje u okupuan nga serbo-sllavët, para më shumë se 100 viteve. Në dekadat e fundit, me shtimin e represionit serb me qëllim të shkatërrimit përfundimtar të popullit shqiptar të Kosovës dhe trojeve tjera, rezistenca filloi të bëhet me masovike dhe më e organizuar, së pari me protesta paqësore të udhëhequra nga LDK dhe forcat tjera demokratike e më vonë me luftë të organizuar të prirë nga UÇK. Pra aty, mu në Kosovë, ishte faktori i parë dhe burimi i fitores sone. Faktori i dytë është lobizmi në Amerikë, pa të cilin Kosova nuk do të bëhej shtet. Pastaj radhiten edhe shume faktorë të tjerë që e ndihmuan këtë arritje të madhe, une besoj se vet Zoti i madh i bëri bashkë të gjitha për ta shpëtuar kombin tonë nga shkatërrimi.

Si ndodhi që u angazhuat me Ligën Qytetare të Joseph DioGuardit? Si u bashkuat me të? Cilat ishin meritat historike të saj?

Pas marrjes se autonomisë dhe okupimit klasik të Kosovës në korrik të vitit 1990, mbeta pa punë si gati të gjithë shqiptarët e Kosovës. Ne gusht të atij viti u nisa për në Amerike me shpresë se ky do të ishte një qendrim i imi i përkohshëm. DioGuardi dhe Liga, me angazhimin e tyre në Washington për Kosovën, ishin bërë të njohur në komunitetin shqiptar, në Amerikë. Unë vura kontakt me DioGuardin nëpërmjet miqve të mi të nderuar vëllezërve Osmani nga Morina e Gjakovës, kontribues të mëdhenj të Ligës dhe të veprimeve lobiste në Washington, për një kohë të gjatë.

DioGuardi planifikonte një vizitë në Evrope, në fund të gushtit të vitit 1990. Unë e bëra organizimin e qendrimit të delegacionit të Ligës te vëllezërit e mi Naimi, Esati dhe Samiu, në Oslo, Norvegji. U mblodhën mjete të rëndësishme financiare dhe u krijua dega e Ligës, në Oslo, nën udhëheqjen e Naimit. Ai për disa vite, derisa unë u forcova materialisht, kontriboi për anëtarsimin tim në Ligë dhe vetë ishte anëtar i Bordit, deri në pavarësimin e Kosovës.

Unë për një kohë e kam kryer detyrën e Sekretarit të Ligës dhe vazhdoj të jem anëtar i Bordit Ekzekutiv edhe sot. Cdo shqiptar e ka detyrë të japë kontriubutin e vet kombëtar në vendin ku gjendet dhe me mundësitë që ka. Shqiptarët në mërgim gjithëmonë janë interesuar e kanë përkrahur dhe kanë lobuar për kombin e vet, prej momentit që kanë zbritur në dhe të huaj. Por, ishte hera e parë që lobizmi u shëndrrua në një veprim të organizuar, modern, masovik dhe shumë efektiv. Mjafton të përmendi vetëm dy deklarata. Presidenti Rugova pat thënë se “Liga ka bërë punë në Washington sa një shtet”, ndërsa krimineli Millosheviq, në Hagë, me dëshpërim deklaroi se “Liga e udhëhequr nga Joseph DioGuardi, i hapi kanalet zyrtare për separatistët kosovarë në Kongresin Amerikan dhe ndikoi në krijimin e disponimit anti-serb dhe shkatërrimin e Jugosllavisë”.

Puna e lobit të parë shqiptaro-amerikan- LQSHA është e dokumentuar dhe duhen libra të tërë për ta përshkruar, gjë që do të bëhet në të ardhmen e afërt. Aktivitete të panumërta për tri dekada në mbrojtje të të drejtave të njeriut të popullit shqiptar të Kosovës dhe trojeve tjera të okupuara nga sllavo-grekët si dhe afirmimit të çështjes gjithëkombëtare: protesta të ndryshme, demonstrata dhe tubime masovike; seanca dëgjimore në Kongres, takime me senatorë, kongresistë, përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve tjera amerikane; takime me gazetarë, deklarata publike, artikuj, intervista dhe debate në shtyp, radio dhe televizion (FOX News, CNN, ABC, PBS, CSPAN, NY Times, NY Post, Washington Times e shumë tjera); organizim të vizitave të gati të gjithë liderëve dhe personaliteteve të njohura nga të gjitha trojet tona në SHBA (Rugova, Berisha, Demaci, Arbnori, Buxhovi, Qosja, Ramajli, Bukoshi, Xhaferi, Sulejmani, Haradinaj, Sopi, Gjergji, Rexhepi, Gjini, Stavileci, Mustafa dhe shumë të tjerë), si dhe të delegacioneve të Ligës , shumë herë bashkë me senatorë, kongresistë dhe përfaqësues të rëndësishëm të jetës amerikane, kudo në trojet tona sipas nevojës për përkrahje.

Duhet veçuar takimi i Presidentit Rugova me Presidentin Clinton, i organizuar nga Gilman dhe DioGuardi. Ky takim, edhepse i shkurtër, ia dridhi themelet Sërbisë. Dëshiroj të nënvizoi edhe faktin se Liga ishte e para, që me deklaratë publike i dha përkrahje të parezervë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në SHBA. Pra, meritat historike të Ligës, themeluesit te saj, Joseph J. DioGuardit, këshilltares për çështjë ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi, Bordit ekzekutiv dhe të anëtarësisë së gjërë janë të jashtëzakonshme. Aftësia komunikuese dhe depërtuese e Joe’s e përforcuar me aftësitë për analizë, organizim dhe parashtrim të cështjeve të Shirley’t jan të pashembullta.

Do të veçoja dy momente të paharrueshme nga paraqitjet e Joe’s dhe Shirley’t. Në konfrontim me kongresisten serbo-amerikane Helen Delic-Bentley, në dëshminë e mbajtur në prill të vitit 1990, Joe ia mbylli gojën asaj duke i thënë disa herë: “Unë nuk jam lobist i paguar, unë jam shqiptar etnik”. Ndërsa, në dëshminë tjetër të mbajtur në mars të vitit 1998, Shirley e kundërshtoi hapur ambasadorin Gelbard , i cili më parë kishte deklaruar gabimisht se UÇK ishte organizatë terroriste duke i thënë: “ Jo, zoti ambasador, e keni gabim, nuk mund të jenë terroristë ata që i mbrojnë shtëpitë dhe familjet e veta, nëse UÇK është terroriste atëherë edhe unë bashkë me 400 mijë shqiptaro-amerikanë jemi terroristë”. Shto këtu kualitetin e Bordit Ekzekutiv dhe të shumë përkrahësve të Ligës nga gati të gjitha trojet tona, nga gati të gjitha besimet fetare dhe nga shumë lami të jetës.

Është për t’u habitur përpjekja e disa liderëve politikë nga vendet tona dhe përkrahësve të tyre atje dhe në diasporë, disa prej tyre edhe shokë të mi, për ta nënçmuar dhe njollosur personalitetin e Joe DioGuardit dhe punën e tij kolosale në të mirë të çështjes shqiptare. Marrja me të tjerët që në mënyrë të vet i shërbejnë kombit, jo vetëm që është humbje e panevojshme kohe, por është edhe gabim trashanik që i dëmton rëndë interesat tona kombëtare.

DioGuardi, së bashku me kolegun e tij të shquar, nga Kongresi Amerikan, Tom Lantos, ishin të parët që u interesuan për fatin e hebrejve në Shqipëri dhe promovuan aktin e madh të shpëtimit të tyre nga shqiptarët. Familja juaj ka dhënë një kontribut të veçantë në këtë drejtim, duke ndihmuar në mbrojtjen, shpëtimin e hebrejve. A mund të na tregoni se si ndodhi kjo?

Vizita historike e DioGuardit dhe të madhit Tom Lantos, në Kosovë dhe Shqipëri në Maj të vitit 1990, përvec avancimit të çështjes së Kosovës, solli edhe një fitore tjetër të madhe për kombin shqiptar. Ata u takuan me udhëheqësin komunist të Shqipërisë Ramiz Alia për ta bindur atë që ta mundësojë demokratizimin e Shqipërisë në mënyrë paqësore. Gjatë bisedimeve, kur ai e kuptoi se Tom Latos ishte hebre, për ta impresionuar, ai solli dosjen plotë me dokumentacion origjinal që dëshmonte për shpëtimin e të gjithë hebrejve që ndodheshin apo erdhen nga vendet e tjera në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ky akt madhor, nën kujdesin e DioGuardit , u autentifikua nga Yad Vashem në Izrael, u shëndrrue në libër nga Harvey Sarner, mori famë dhe ndihmon edhe sot në afirmimin e vlerave tona kombëtare.

Babai i im, Arif Aliçkaj, i cili, gjatë vitit 1943, kryente detyrën e Sekretarit të komunës se Deçanit, ndihmoi në shpëtimin e familjeve hebreje që iknin nga gjermanët për të shpëtuar jetën. Miku i tij Arsllan Rezniqi (i nderuar zyrtarisht nga Yad Vashem) i cili merrej me tregti dhe kishte shitore në Deçan, i sjellte hebrejtë nga vendet tjera për t’i kaluar në Shqipëri. Babai im siguronte për ta dokumente udhëtimi falso me emra boshnjakë muslimanë, për t’i shpëtuar, në rast kontrolli, nga gjermanët. Ata e organizonin strehimin e tyre të përkohshëm te familjet shqiptare në fshatrat rreth kufirit dhe pikë bashkimi e kishin Sharrën e Roshkodolit. Shumë shqiptarë tjerë nga të gjitha teritoret tona, emrat e të cilëve ndoshta nuk do të dihen kurrë, morën pjesë në shpëtimin e hebrejve. Ishte ky një veprim human dhe madhështor i mbarë kombit shqiptarë, bazuar në besën shqiptare dhe traditen pozitive shekullore për ta mbrojtur mysafirin në rrezik, pa dallim feje, race apo kombi.

Ju keni një histori interesante me Henry Kissinger, në seancën dëgjimore, në Kongres, ku ai ishte ndër dëshmitarët që folën para Kongresit Amerikan. A mund të na e tregoni edhe një herë për lexuesit tanë, çfarë ndodhi mes jush dhe ish-Sekretarit të njohur Amerikan të Shtetit?

Në dëgjimin që u mbajt në Komitetin për Marëdhënje Ndërkombëtare të Kongresit Amerikan, në mars të vitit 1999, përvec senatorit Dole, ambasadores Kirkpatrick dhe Dr. Kissinger foli edhe përfaqësuesja e Ligës, zonja Shirley Cloyes DioGuardi. Ajo e parashtroi me shumë sukses cështjen e Kosovës dhe nevojën për bombardime të NATO-s për ta ndaluar terrorizmin Serb. Vetëm Dr. Kissinger ishte kundër intervenimit.

Në pushim, në mes të dy seancave, u afrova te ai dhe duke ia dhënë librin për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri “Rescue in Albania”, i thashë: “Dr. Kissinger, më lejoni që t’ju jap një libër, që tregon për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri, gjatë Holokaustit, tregon për shpirtin e madh të popullit shqiptar. Ky popull sot, është duke përjetuar situatë të ngjajshme dhe ka nevojë për ndihmën tuaj”.

Ai e shikoi titullin me shumë interes, e bashkoi me dokumentet që kishte dhe më premtoi se do ta lexonte. Unë besoj se ky libër ndikoi që ai në paraqitjet e tij të mëvonshme të dalë me qëndrim të ndryshuar. Ky është shembull i një veprimi të thjeshtë, shumë të lehtë, i cili kur bëhet me zemër dhe qëllim të mirë, mund të rezultojë në një vlerë të madhe.

20 vjet pas çlirimit, si e shihni Kosovën sot, për nga aq informacion që keni? Çfarë po ecën nuk po ecën aty?

Për ne mërgimtarët gjëja më e rëndësishme është liria, mundësia për ta vizituar vendlindjen pa frikë dhe pa pengesa. Thuhet se është lehtë ta kritikojsh nga larg tjetrin që është duke punuar. Mirëpo, kritikat parimore me qëllim të mirë janë të nevojshme dhe duhet të jenë të mirëpritura. Ka arritje në planin e brendshëm, ndërtimi i rrugëve dhe infrastrukturës së vendit, aeroportit dhe të arritura në energjetikë, tregëti dhe ekonomi të vogël. Por, është dëshpruese që, edhe pas 20 vjet lirie, nuk arrijtëm ta bëjmë Kosovën shtet të mirëfillëtë, sovran dhe të pavarur.

Shpresuam se pas çlirimit, pas më shumë se 100 vjet robërie, vullneti do të jetë aq i fortë saqë Kosova do të bëhej “Zvicër e vogël”.

Nuk mund të arsyetohet niveli i korrupsionit, interesave personale dhe klanore të klasës politike të Kosovës. Ata merren më shumë me njëri tjetrin se sa me armikun . Nuk kanë qëndrim unik për çështjet vitale të politkës së jashtëme, gjë shumë e dëmëshme për interesat strategjike kombëtare.

Serbia është duke punuar me të madhe dhe pa u ndalur për ta penguar, destabilizuar dhe shkatërruar Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Populli shqiptar i Kosovës është bërë indiferent, opozita është e përçarë dhe e dobët, ndërsa diaspora me ndihmat e veta po e mundëson vazhdimin e kësaj amullie të përgjthshme.

Në një shtet ku funksionon demokracia, si në SHBA dhe vendet tjera demokratike, populli me votën e vet bën ndryshime të nevojshme. Nëse nuk ka ndryshime në udhëheqjen politike, nuk ka as progres të vendit. Klasa politike “rehatohet në kolltuqe”, e bind veten se është duke punuar mirë dhe se është “e pazëvendësueshme”. Nuk e sheh realitetin derisa nuk ndodhë ndonjë gjë e madhe.

Ju jeni shprehur me forcë në një shkrim në Illyria, kushtuar pavarësisë, kundër një marrëveshje me Serbinë për shkëmbim territori. Po duket se SHBA e ka inkurajuar këtë zgjidhje, madje po kërkohet me ngulm edhe heqja e taksës së qeverisë Haradinaj për mallrat serbe. Kush është këshilla juaj për udhëheqjen e Kosovës në këtë situatë?

Me forcë të mëndjes, me ndërgjegje të pastër, me gjithë zemër dhe pa kurrëfarë dileme, jam kundër cfarëdo marrëveshje me Serbinë për shkëmbim territori si dhe kundër heqjes së taksës për mallrat serbe. Argumentet dhe këshillat janë të shumta:

– Kosova, me kufijtë ekzistues ishte njësi federale e ish-Jugosllavisë, ka funksionuar si e tillë për një kohë të gjatë, u pranua me marrëveshjen e Kumanovës dhe me planin e Ahtisarit. Çfarëdo ndryshimi i kufijve do të shënonte zhdukjen e Kosovës si shtet dhe humbjen më të madhe të kombit shqiptarë gjatë gjithë historisë së tij.

– Për sa jam i informuar, gjatë gjithë historisë dhe sidomos në 20 vitet e fundit, Kosova nuk fitoi asgjë qenësore nga bisedimet me Serbinë. Gjithmonë kemi humbur dhe na mashtruan keq komunistët serbë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Plani i Ahtisarit përbën në vete maksimumin e lëshimeve të mundshme të popullit shqiptar të Kosovës per të fituar pavarësinë e mangët. Me bisedime të mëtutjeshme, kjo pavarësi u cungua edhe më shumë, pa kurrëfarë nevoje. Pakica serbe në Kosovë nuk është e shtypur dhe e persekutuar. Përkundrazi, ajo ka të drejta, por edhe privilegje më shumë se çdo pakicë tjeter kombëtare në botë. Çështja e të drejtave të serbëve të Kosovës, në çdo rast dhe në çdo takim duhet të ndërlidhet me të drejtat e shqiptarëve që jetojmë në tokat e veta në Kosovën Lindore. Nuk ka kurrëfarë baze që serbët në Kosovë të kenë më shumë të drejta se shqiptarët në Serbi. Për më shumë, kërkesat e minoritetit serb për ndarje nuk kanë kurrëfarë baze humane dhe as ligjore, ndërsa kërkesat e Sërbisë janë ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Nga kjo rrjedh qartë se pala kosovare nuk ka nevojë dhe nuk duhet të pranojë të bisedojë me Serbinë për çështje të brendëshme te Kosovës. Për çfarëdo problemi të brëndshëm mundet dhe duhet të bisdohet vetëm me përfaqëusesit e minoritetit serb të Kosovës, natyrisht me ndërmjetësim të SHBA-ve dhe shteteve demokratike të Evropes, kurrsesi të Rusisë dhe shteteve tjera armike.

– Me viktima të shumta, vuajtje dhe sakrifica të mëdha e të pafund, me rezistencë paqësore dhe të armatosur, me angazhim gjithëkombëtarë në të gjitha trojet tona dhe në diasporë, sidomos në Washington, populli shqiptarë i Kosovës e fitoi lirinë, ndërsa mbarë kombi shqiptarë e fitoi luftën përfundimtare kundër agresorit serb. Kjo u bë e mundur me ndihmën e SHBA-ve dhe të shumë vendeve tjera anëtare të NATO-s. Nuk ishte asgjë e re në historinë e fitoreve të lirisë së popujve të vegjël të botës. Të pakta janë ato kombe që e kanë fituar lirinë vetëm me forcat e veta. Edhe mbretëria e Napolit u desh të ndihmohet nga ushtria shqiptare e Skënderbeut në luftë me francezët. Falë ndihmës së Amerikës, kombi shqiptarë shpëtoi disa herë nga shkatërrimi i plotë. Ne e duam dhe duhet ta respektojmë këtë shtet të madh, të drejtë dhe vërtetë demokratik. Por duhet ta kemi të qartë se ne nuk jemi borxh deri në atë masë sa të heqim dorë nga liria, sovraniteti dhe interesat jetike gjithëkombëtare. Në të vërtetë, as Amerika nuk e kërkon dhe nuk e pret këtë gjë nga ne. Me bombardimet e NATO-s të vitit 1999, Kosova dhe mbarë kombi shqiptarë kanë hyrë në interesat strategjike të Amerikës. Me forcimin e elementit shqiptarë Rusisë dhe Sërbisë iu ndalet turri dhe përpjekja për dominim në juglindje të Evropës.

– Këtu duhet të kemi shumë kujdes, Amerika ka shumë probleme më të mëdha në botë se sa çështjen e Kosovës dhe të kombit shqiptarë. Nuk ka kohë të merret me neve në pafundësi. Ne duhet të punojmë shumë dhe ta ndërtojmë vet shtetin tonë.

Edhe përkundër qëndrimeve të paqarta të disa zyrtarëve të përkoshëm amerikanë, nëse ne jemi të organizuar dhe paraqesim argumente të forta, përkrahja e Amerikës nuk do të mungojë.

– Ne jemi pjesë e Evropës dhe është e qartë se problemi midis shqiptarëve dhe serbëve duhet të zgjidhet brenda Evropës. Disa shtete të Evropës morën pjesë në bombardimin e Sërbisë dhe e përkrahën fitoren e Kosovës. Me këtë veprim Evropa e përmirësoi gabimin që e kishte bërë më shumë se 100 vjet më parë, kur e zyrtarizoi copëtimin e tokave shqiptare. Ne duhet të bashkëpunojmë me Evropën por nuk ka arsye për të bërë lëshime në interesat strategjike kombëtare për t’ia bërë qejfin. Të mësuar nga historia e hidhur, nuk mund të kemi besim të plotë në drejtësinë e Evropës. Asgjë nuk mund të bëhet dhe nuk bën të pranohet pa pjesëmarrjen e plotë të Amerikës.

– Serbia ishte dhe vazhdon të jetë e sëmura e Ballkanit. Ende jeton në të kaluarën, me aspirata për dominim dhe plaçkitje të territoreve të fqinjëve, e ngulfatur nga shovinizëmi dhe urrejtja e thellë ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë të ish Jugosllavisë. Ajo ishte agresore, shkaktare e katër luftave të tmerrshme në Ballkan dhe ushtroi gjenocid sistematik dhe të organizuar kundër popullit boshnjak dhe shqiptar. Udhëheqësit e tashëm serb, kinse të zgjedhur në mënyrë demokratike, janë po ata të kohës së kriminelit Millosheviq. Ata nuk kanë ndryshuar fare në qëndrimet dhe synimet e tyre, vetëm kan ndryshuar metodat e veprimit. Sjelljet destruktive dhe përzierja e Serbisë në punët e brendhsme dhe të jashtëme me qëllim të shkatërrimit të Republikës së Kosovës, janë të qarta dhe të hapta. Populli thotë: “Ujku qimen e ndërron por hujin nuk e harron”. Po të kishin nryshuar sado pak, minimumi do të ishte të kërkonin falje për krimet e tyre monstruoze. Diagnoza për Serbinë është e qartë. Duhet përshtatur terapia për shërim. Kjo nuk arrihet me ledhatime, lëshime të mëtutjeshëme dhe bisedime të kota. Edhe nëse jua falim Prishtinën ata do ta kërkojnë Tiranën. Pra, problemi nuk është në Kosovë, ai është në Serbi dhe vetëm aty mund të zgjidhet.

– Këtë duhet bërë të qartë Evropës dhe Amerikës. Serbia, në vitin 1999 e humbi luftën. Si agresore dhe humbëse e luftës, ajo nuk duhet lejuar, që pa u ndëshkuar, të bëhet partnere e barabartë në bisedime. Nuk duhet lejuar që agresori të barazohet me viktimën. Serbët janë gënjeshtarë dhe manipulues të perfeksionuar. E luajnë me shumë sukses rolin e “viktimës”. Është gjë e njohur se në të kaluarën, ata kanë qenë në gjëndje t’i vrasin edhe fëmijët e tyre me qëllim të fajësimit dhe ndëshkimit të shqiptarëve. Kosova duhet t’i luftojë këto tendenca serbe me çdo kusht, në cdo rast dhe në të gjitha mënyrat, duke i paraqitur faktet e vërteta për krimet serbe.

– Sanksionet ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë shumë të qëlluara dhe paraqesin hapin e parë pozitiv në zgjidhjen e drejtë të problemit të Kosovës me Serbinë. Ato nuk duhet të hiqen dhe as të suspendohen. Përkundrazi, ato duhet të forcohen dhe të shtohen. Duhet insistuar që edhe Shqipëria, të gjithë shqiptarët dhe shtetet mike të Kosovës të bëjnë të njëjten gjë. Duhet konsideruar edhe mënyra tjera të presionit. Nëse dëshiron ta zgjidhë problemin e Sërbisë në mënyrë të përhershëme, bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë të njëjtën gjë. Serbia e njeh vetëm gjuhën e forcës dhe të presionit të mirëfilltë ndërkombëtarë.

– Kosova duhet t’ua bëjë të ditur SHBA-ve dhe Evropës se nuk ka për çfarë të bisedohet më Serbinë , përderisa ajo, si humbëse e luftës, nuk i pranon fajet e të kaluarës dhe nuk kërkon falje, përderisa nuk ua kthen familjeve shqiptare fëmijët e tyre të zhdukur, përderisa nuk i paguan reparacionet e luftës dhe përderisa nuk është e gatëshme për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës në kufijtë ekzistues.

Çfarë kuptimi kanë bisedimet me Sërbinë, kur ajo në mënyrë arrogante dhe të hapur thotë se është e gatëshme të bisedojë me shqiptarët, por nuk do ta njeh kurrë pavarësinë e Kosovës?!

Ata që mendojnë se do të fitojnë dicka nga bisedimet për shkëmbim teritoresh me Sërbinë do të befasohen dhe zhgënjehen rëndë në vetveten. Edhe nëse firmosë ndonjë marrëveshje, Serbia e gjen mënyrën për të mos e realizuar kurrë. Me bisedime, Serbët do ta fitojnë veriun e Kosovës ndërsa shqiptarët sic thotë populli “do ta fitojnë faqën e zezë dhe marrën e tepër”. Teritori i shkelur nga ushtari serb mund të merret në kontroll vetëm me luftë, kurrë me bisedime. Kurrën e kurrës.

Nuk dëshiroj të pretendoj se këto janë gjëra të lehta. Por e drejta, e vërteta dhe të gjitha faktet janë në anën tonë. Duhet punë e madhe, pa u ndalur dhe me përkushëtim, angazhim dhe veprim unik i të gjitha forcave politike të Kosovës e më gjërë, mobilizim i përgjithëshëm i popullit shqiptarë në vendlindje dhe diasporë për ta arritur qëllimin.

Thuhet se puna e shqiptarëve në Washington ka rënë shumë që prej pavarësimit të Kosovës, po problemet nuk kanë mbaruar. Çfarë na mësojnë vitet e 90-ta për epokën tonë? Çfarë duhet të bëjë komuniteti shqiptar i ditëve tona?

Është e vërtetë se, pas fitimit të luftës dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, veprimi lobist i shqipëtarëve në Washington ka rënë në mënyrë të dukëshme, edhepse problemet nuk kanë mbaruar dhe çështja shqiptarë nuk është zgjidhë ende në mënyrë të drejtë. Nga ana tjetër, është shtuar shumë aktitviteti i lobit serb kundër interesave shqiptare, ata mësuan nga ne si duhet të veprohet. Është e pakuptueshme, e çuditëshme dhe e frikëshme indiferenca e popullit shqiptarë në trojet tona e cila e ka kapluar edhe diasporën. Mungojnë shumë donacionet dhe përkrahja financiare, pa të cilat veprimi lobist është i pamundur. Ky trend negativ duhet ndërprerë dhe ndyshuar urgjentisht. Ne e kemi të gatëshme formulën për mënyren e veprimit të viteve të 90-ta. Ata që e çmojnë dhe respektojnë punën e lobit të parë të regjistruar dhe tashti të vetëm në Washington, pra Ligën Qytetare Shqiptaro-Ameikane të udhëhequr nga Joseph J. DioHuardi dhe Shirley Cloyes-Dioguardi duhet të angazhohen në këtë Ligë. Joe, Shirley dhe Bordi Ekzekutiv i Ligës kanë dije, forcë dhe aftësi veprimi me mjete financiare minimale, ndoshta me 20% të mjeteve që do të duheshin për angazhim të ndonjë firme tjetër lobiste. Ata individë dhe subjekte , të cilët nuk e gjejnë veten në Ligë, kanë mundësi që të veprojnë vetë, në mënyrë të drejtpërdrejtë duke e përkrahur ndonjë senator, kongresist apo zyrtarë të lartë amerikan. Le të bëjë secili punën e vet në të mirë të kombit, por mos të merremi dhe mos ta pengojmë njëri tjetrin. Puna e mirë nuk mbetet pa u shpërblyer.

Ju vetë, keni realizuar ëndrrën amerikane, jeni një udhëheqës i nderuar në komunitet dhe një biznesmen i suksesshëm. Amerika është bërë një atdhe i dytë për shqiptarët. Po shqiptarët kanë ardhur këtu nga fatkeqësitë kombëtare, sot kur shumë të rinj në Kosovë, Shqipëri e trojet shqiptare duan të emigrojnë, cila duhet të jetë përgjigjia? Duhet të qendrojnë e të ndryshojnë atdheun, apo të përfitojnë nga mosha e re dhe mundësitë e të vendosen diku tjetër ashtu si dikur shumë prej nesh këtu në SHBA?

Amerika është vend i bekuar, vend i premtuar dhe vend i krijimit të mundësive të pakufishme. Me qindra-mijëra shqiptarë si unë, janë duke e përjetuar dhe realizuar ëndërrën amerikane. Këtu të mundësohet ta kultivojsh pa frikë dhe pa rezervë identitetin tënd nacional, por me kalimin e kohës, gjeneratat e reja fillojnë të asimilohen. Edhepse është larg, këtu e ndien veten si në vendin tënd. Mos të harrojmë, nuk është punë e lehtë për ta braktisur vendlindjen. Unë për vete, me dekada kam besuar se do të jem këtu përkohësisht. E mbaj mend, në një tubim në Kongresin Amerikan, para shpaljes së pavarësisë së Kosovës, kur më erdhi rendi të prezantohem shpërthyen të qeshurat nga të pranishmit kurë unë pa dashje thashë: Jam Agim Alickaj nga Deçani i Kosovës, me qëndrim të përkohshëm në SHBA për më shumë se17 vite.

Puna ime për tri dekada në të mirë të cështjes kombëtare, u bë e mundur duke iu falënderuar familjes time të shtrënjtë, gruas Sadetes, djalit Betimit dhe vajzave Dafinës, Dianës dhe Anitës.

Emigrimi i shqiptarëve në Evropë e sidomos në Amerikë, edhepse i dhimbëshëm, ka qenë i nevojshëm dhe shumë I dobishëm për ekzistencën tonë kombëtare. Pa ndihmën e mërgatës shqiptare, Kosova do të detyrohej të dorëzohej te Serbia qyshë në vitet e 80-ta. Pa i përseritur veprimet tjera në të mirë të cështjes kombëtare, shtrohet pyetja: Çfarë do të mund të bënin shqiptarët po të mos kishin mundësi t’i mbajnë fëmijët me bukë?

Frigohem se tashti, jemi duke kaluar në një shpërngulje ekstreme, të pakontrolluar dhe shumë të rrezikëshme për kombin shqiptarë. Paperspektiva në Kosovë dhe në trojet tjera, po i detyron të rinjtë shqiptarë të kërkojnë shpëtim në mërgim. Kjo ka të bëjë në mënyrë direkte me funksionimin e dobët të shteteve tona. Shpresoj se pjesa më e madhe e rinisë shqiptare do të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme për të qëndruar në atëdhe dhe për tu angazhuar në mënyrë demokratike në arritjen e ndryshimeve të nevojshëme. Nuk di sa ështe reale, por ne duhet të jemi optimist se një gjë e tillë do të ndodhë. Përveç udhëheqjes politike të vendeve tona, këtu kanë faj edhe shtetet demokratike perëndimore, të cilat po e ledhatojnë Sërbinë, po e mbajnë një “status quo” duke i lënë shqiptarët në “ghetto” dhe pozitë të pashpresë. Nukë e kanë të qartë se, nëse vazhdohet kështu, mund të ndodhë një shpërthim i madh i cili, jo vetëm që do ta destabilizojë Ballkanin por edhe mbarë Evropën. Shqetëson shumë edhe zbehja apo humbja e traditës dhe vlerave pozitive kombëtare si ndershmëria, sinqeriteti, besa, burrëria, morali i lartë, respekti për gratë dhe fëmijët, si dhe përkushtimi ndaj familjes. Pa familje të forta, nuk mund të keshë as shtet të fortë.

Në përfundim, dëshiroj ta them shkurt e trup atë që e dijmë të gjithë ne. Liria është më e shtrenjtë se jeta. Për të u sakrifikuan dhe dhanë jetën mijëra dëshmorë dhe heronj shqiptarë. Nuk bën të shkelet mbi gjakun e tyre. E fituam luftën, është gabim i pafalshëm dhe mëkat I rëndë ta humbim paqën. Le ta dijë e gjithë bota. Nuk mund të bëhet kompromis me lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

(Fotografitë janë nga arkivi i veprimtarit të njohur shqiptaro-amerikan, Magjistër, Agim Alickaj)

Me Senatorin Bob Dole.

Me Senatorin John McCain dhe kryebashkiakun Michael Bloomberg

Me Ambasadorin William Walker

Me Senatorin D’Amato.

Tom Lantos, i vetmi i mbijetuar i Holokaustit që u zgjodh në Kongresin Amerikan, mbështetës i madh i Kosovës.

Me kongresistin e shquar Ben Gilman.

Me kryetarin e Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Henry Hyde.

Ne mbeshtje të UÇK-së

Me Senatorin (më vonë zv-Presidentin) Joe Biden.

Intervistsa e plotë – Kryemadhi: Situata në Shqipëri, përgjegjësi e të gjitha palëve politike

Menada Zaimi

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi, opozita mori masën ekstreme për të djegur mandatet, për shkak të siç shprehet ajo, keq-qeverisjes së vendit si dhe vjedhjes së votave. Në dhjetë vitet e fundit, me përjashtim të këtyre dy viteve, partia juaj, ka qënë në pushtet për 8 vite, me Partinë Demokratike 4 vjet dhe më pas me Partinë Socialiste për 4 të tjera. Në zgjedhjet e kaluara, për të cilat ju thoni se u vodh vota, PD-ja dhe LSI-ja kanë qënë bashkëorganizatore të tyre, pra përse duhet t’u besojnë ju qytetarët shqiptarë se përparësia juaj janë interesat e tyre dhe jo interesi për pushtet?

Monika Kryemadhi: Në fakt kjo është një pyetje që e kemi tejkaluar në Shqipëri. Në institucionet ndërkombëtare dhe të tjera egziston ideja se LSI-ja ka qenë 4 vjet në qeverisje me Partinë Demokratike dhe 4 vjet me Partinë Socialiste. LSI-ja ka qenë gjithmonë një parti politike që ka krijuar stabilitet dhe u ka krijuar shqiptarëve garancinë e funksionimit të institucioneve. Duke patur parasysh 4 vjeçarin e PD-së, do t’ju kujtoj liberalizimin e vizave, në 2010 fituam të drejtën të lëvizin në vendet e BE-së si qytetarë të lirë dhe i dhamë fund një herë e përgjithmonë jo vetëm radhëve të gjata dhe sfilitëse të shqiptarëve nëpër dyert e ambasadave, por dhe trafikut të vizave, viktima të së cilit ishin shqiptarët. Më pas erdhëm në procese të tjera që kishin të bënim me integrimin evropian. Në 2013-n ishte koalicioni natyral i Partisë Socialiste me LSI-në, ku LSI-ja, një parti e qendrës së majtë erdhi në koalicion me një parti të majtë. Por vijmë në vitin 2017. Prej dhjetorit të 2016 zoti Rama i ka kërkuar LSI-së koalicion dhe ne nuk e kemi pranuar sepse disa herë prej LSI-së është denoncuar kanabizimi i vendit dhe përdorimi i grupeve kriminale. Zgjedhjet e 2017-s, kanë qenë kulmi. Nuk themi që janë vjedhur, themi që janë përdorur paratë e krimit të organizuar për të blerë votat, për të intimiduar dhe për të shkatërruar të gjithë procesin zgjedhor. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, është që falë Zërit të Amerikës, ne sot kemi një dosje 339, një nga më të rrezikshmet që ka dy vjet e gjysmë që nuk po hetohet dhe që s’ka asnjë person për ta hetuar.

Zëri i Amerikës: Por kjo nuk mund ta rrëzojë të gjithë procesin e 2017-s dhe mandatin e mazhorancës apo jo?

Monika Kryemadhi: Vijmë tek djegia e mandateve, që është një proces shumë ekstrem, që detyroi opozitën, duke e vendosur në cep. Ju në Amerikë i thoni bejzboll kushtetues. Çfarë do të thotë kjo? Njerëz populist si Edi Rama vijnë në pushtet nëpërmjet votës së lirë, kapin mazhorancën në parlament, më pas kërkojnë të kapin institucione të tjera, për të ardhur për të kapur sistemin e drejtësisë, i cili nuk mund të merret me votë, sepse sistemi i drejtësisë është diçka jashtë politikës, duhet të jetë i pavarur dhe vjen e ashtuqujtuara reformë. Shqiptarët dhe LSI-ja kanë patur një rol të jashtëzakonshëm për reformën në drejtësi që u votua për herë të parë me 140 vota. Në emrin e të ashtuquajturës reformë, sot Edi Rama ka kapur dhe po tenton të kapë në maksimum reformën në drejtësi. Çfarë do të thotë reformë në drejtësi? Mungesë e Gjykatës Kushtetuese për dy vjet. I ka hequr të drejtën opozitës për t’u ankimuar. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese i ka hequr të drejtën opozitës për të ngritur zërin e saj, kemi ligjin për teatrin, për pronat, për pasuritë që Edi Rama kërkon t’ua grabisë shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të thotë nuk janë vjedhur votat por janë përdorur paratë e krimit në zgjedhje?

Vjedhja vjen kur unë marr votën tënde dhe e kaloj në emrin tim, ndërsa më e rrezikshmja dhe më e tmerrshme është kur unë kërcënoj me paratë që vijnë përmes krimit të organizuar…

Zëri i Amerikës: Pse nuk e nxorrët këtë gjë në 2017?

Monika Kryemadhi: Sepse ne nuk e dinim, dhe këtë radhë falë zbulimit të Zërit të Amerikës ne e kemi këtë informacion. Këto janë përgjime që i ka bërë prokuroria e shtetit, duke pasur parasysh që grupi Avdylaj mbahej gjithë kohës nën përgjim për shkak të trafikut.

Zëri i Amerikës: Por ende nuk kemi një vlerësim përfundimtar mbi këtë çështje apo jo? Ajo është ende nën hetim…

Monika Kryemadhi: Para disa ditësh zonja Marku ka dhënë një intervistë në një televizion kombëtar kur tha që prokurorët duhet të heqin dorë nga vazhdimi i kësaj dosje, pra prokurorët të largohen nga hetimi i dosjes 339 dhe ajo ka mbetur pezull. Po kështu edhe dosja e Unazës së Re, një nga rastet më skandaloze se si mund të faksifikohet firma e sekretarit të Shtetit të Delauerit për të grabitur 20 milionë euro për një rrugë e cila egziston. Unë nuk kam parë në asnjë vend të botës që një kilometër rrugë të kushtojë 20 milionë euro dhe për një rrugë të bërë, nuk po flasim për rrugë apo tunele në terrene të vështira.

Zëri i Amerikës: Problemet me të cilat Shqipëria ndeshet sot nuk u krijuan sot, të gjitha palët politike kanë dorë tek ato….

Monika Kryemadhi: Të gjitha palët politike janë shkaktare të kësaj situate, duke përfshirë dhe veten time, pavarësisht se nuk kam patur asgjë në dorë.

Zëri i Amerikës: Pikërisht, si i përgjigjeni kritikave, të kritikëve tuaj mbi përgjegjësinë që keni ju?

Monika Kryemadhi: Për hir të interesave politike e partiake, të gjithë ne politikanët kemi mbyllur sytë disa herë edhe gojën për shkak të disa benefiteve politike.

Unë mendoj që sot në rradhë të parë, të gjitha partitë politike duhet të heqin dorë nga pushteti i tyre. Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar, për një pakt kombëtar që t’u garantojë shqiptarëve hapjen e negociatave, sepse ky është një nga problemet më kryesore që kemi sot. Ne flasim sot për korrupsion, por nuk flasim për një rrezikshmëri shumë të madhe që po i vjen Shqipërisë. Ajo që është ngelja e Shqipërisë jashtë gjithë projektit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Nëse Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat me Maqedoninë, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe nëse Shqipëria do të ngelet në grupin e fundit me Bosnje-Hercegovinën dhe me Kosovën, mos harrojmë do të thotë që t’i varësh mëlçitë në qafë ujkut. Që do të thotë që Shqipërinë ta lësh nën influencën ruse. Dhe të mos harrojmë që Shqipëria është një nga shtetet në Ballkan e cila kurrë nuk e ka pranuar influencën ruse. Pse? Dy herë ka dështuar Rusia të hyjë në Shqipëri. Në vitet ’70 dhe tani. Pse? Sepse vetë populli shqiptar, qoftë Kosova, qoftë Shqipëria janë popujt më pro-amerikanë, jo vetëm në rajon por edhe në Evropë dhe ne nuk duhet ta lëmë në asnjë mënyrë që për shkak të konflikteve tona politike, për ambicieve tona politike…

Zëri i Amerikës: Epo sa e ndihmon situata sot, procesin e integrimit, sa e ndihmojnë bombat me molotov, sa e ndihmojnë kapsollat e hedhura ndaj institucioneve nga ana e opozitës?

Monika Kryemadhi: Nga kjo studio e Zërit të Amerikës, sigurisht që dënoj çdo lloj dhune dhe çdo lloj agresioni, të kujtdo individi qoftë ndaj policisë, por edhe të policisë ndaj protestuesve. Qëllimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk është të pushtojë godinat, nuk janë problem godinat, nuk janë problem policët e Shqipërisë, nuk janë problem as punonjësit e administratës. Sot është problem fenomeni i cili ka kapur shtetin. Qëllimi i LSI-së është të pushtojë zemrat e shqiptarëve, të rikthejë shqiptarët në Shqipëri dhe ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Një nga problemet kryesore që kemi ne sot, është që ne duhet të mbyllim njëherë e përgjithmonë tranzicionin. Jemi i vetmi vend që vazhdojmë tranzicionin. Kemi filluar procesin e integrimit evropian përpara Kroacisë. Kroacia sot është antare e Bashkimit Evropian me të drejta të plota ndërsa ne po zvarritemi e po zvarritemi, duke shkuar në një rrugë pa fund dhe pa drejtimin e duhur.

Zëri i Amerikës: Si ka mundësi zonja Kryemadhi që opozita nuk po mbështetet nga ndërkombëtarët në këtë qasje që ka?

Monika Kryemadhi: Nuk mendoj se është kjo. Sigurisht që djegia e mandateve ka qënë një veprim ekstrem. Jo. Protesta duhet të vazhdojnë dhe jo vetëm duhet të vazhdojnë, por dhe do të vazhdojnë. Sigurisht që kjo është pastaj me këndvështrime të ndryshme. Mendoj se aktet e dhunës nuk është se e favorizojnë opozitën. Aktet e dhunës i japin rolin e viktimës Edi Ramës. Aktet e dhunës vetëm sa shqetësojnë po themi… krijojnë imazhin e një dhune po themi të paprecedentë sepse këtu në këtë rast viktima nuk është Edi Rama. Në këtë rast viktima janë shqiptarët të cilët janë më të varfër, të cilët janë më të plakur. Pse? Sepse fëmijët e tyre po ikin dhe nuk po kthehen. Duhet të keni parë fotografinë e tmerrshme në dyert e ambasadës gjermane sesi me qindra të rinj rrinë në rradhë për të marrë vizë pune për të ikur dhe për të mos u kthyer më. Dhe kjo është një nga problemet më të mëdha që ka sot Shqipëria, largimi i të rinjve, i brezit më aktiv. Por gjëja tjetër që duhet të them është, nëse opozita nuk do të dilte në rrugë, nëse opozita nuk do të digjte mandatet, populli nuk do ta besonte politikën. Pse nuk do ta besonte? Sepse në 30 vjet tranzicion, ne i kemi zhgënjyer shqiptarët. Dhe për këtë ne sot duhet ta paguajmë, duhet ta paguajmë të gjithë duke filluar nga unë e para e duke përfunduar deri tek politikani më i thjeshtë. Pse e them këtë? E them sepse duhet të marrin përgjegjësi sepse kemi shumë kusure për të larë përpara shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi, e përmendëm edhe gjatë këtij emisioni. Në Kosovë dhe në vendin tuaj, ambasada amerikane po përdor mosdhënien e vizave si një masë ndërshkimore për zyrtarë të korruptuar. Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar se ka rreth 170 politikanë shqiptarë të cilëve iu janë rrefuzuar vizat. Është prekur Lëvizja Socialiste për Integrim nga kjo gjë?

Monika Kryemadhi: Nuk di të kem ndonjë informacion. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ambasadën amerikane për çdo politikan të korruptuar apo për çdo pjestarë të LSI-së që është pjesë e kësaj liste, për ta larguar dhe mendoj që është një nga gjërat më të mira. Ne prandaj kërkuam edhe vetingun në politikë, ku ne si LSI kemi ngritur komisionin e vetingut brenda partisë. Mendoj që politika shqiptare duhet të pastrohet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e errët e çdo kandidati, sepse unë mund të mos kem përgjegjësi, por jam peng i disa interesave të tjera që janë backgroundi im. Pra po themi për familjarë të lidhur, apo biznese të lidhura me krimin e organizuar të cilët mbajnë peng qofshin këta deputetë apo drejtorë.

Zëri i Amerikës: Në kuadër të kësaj pyetje, sipas burimeve tona, nënkryetarit të partisë tuaj, zotit Petrit Vasili i është refuzuar viza. Mund ta konfirmoni ju këtë gjë?

Monika Kryemadhi: Jo, nuk besoj se i është refuzuar viza zotit Vasili. Po t’i ishte refuzuar viza zotit Vasili… ai ka qenë vjet në Amerikë, por besoj që, në qoftë se ka njeri më pa probleme është zoti Vasili. Megjithatë unë nuk e vë dorën në zjarr as për fëmijët e mi, as për bashkëshortin tim, por ajo që dua të them është që në çdo rast, çdo ndarje e informacionit me ambasadën amerikane dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim ne do të jemi të gatshëm. Por mos harrojmë vetëm një gjë – zoti Vasili ka qënë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të zotin Lu përsa i përket reformës në drejtësi dhe ka qënë një nga njerëzit i cili ka nxitur dhe përfundimisht ka realizuar përfundimin e komisionit ad-hoc të reformës në drejtësi në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi faleminderit për këtë intervistë!

Monika Kryemadhi: Faleminderit edhe ju!

Intervista – Williams: SHBA duhet të luajë rol për zhbllokimin e negociatave Kosovë-Serbi

Një profesor i së drejtës në Universitetin Amerikan dhe njohës i hershëm i çështjes së Kosovës thotë se bllokimi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë tregon mungesën e efikasitetit të Bashkimit Evropian, duke shtuar se si BE-ja ashtu edhe Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen për të arritur një zhbllokim, Profesor Paul Williams e sheh edhe çështjen e tarifës, si një rezultat të dështimit në procesin e ndërmjetësimit të komunitetit ndërkombëtar. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, ish-këshilltari në negociatat e Rambujesë, thotë se “hendeku i përgjegjësisë” për drejtësinë në Kosovë duhet mbyllur dhe të dyja vendet duhet të shohin përpara.

Zëri i Amerikës: Prof. Williams, ju jeni marrë me çështjen e Kosovës që nga koha e bisedimeve të Rambujesë. Pas kaq vitesh, si do ta përshkruanit situatën e sotme, kur pas shumë raunde bisedimesh, nuk ka pasur sukses në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje?

Prof. PaulWilliams: Fakti që nuk kanë pasur sukses, është një trashëgimi e disa prej kufizimeve në negociatat e Rambujesë. Gjatë Rambujesë ishte e qartë që populli i Kosovës, nuk kishte të ardhme në Serbi dhe Kosova duhej të bëhej e pavarur. Por marrëveshja e Rambujesë në vetvete ishte aq e komplikuar, sa do ta kishte kufizuar shndërrimin e shpejtë të Kosovës në një shtet të pavarur. Ndërhyrja e NATO-s, rezoluta 1244 dhe ndihma e UNMIK-ut e ndreqën këtë. Por megjithëse pengesat u kapërcyen, në negociatat e tanishme, shihen pasojat e atyre komplikimeve. E vetmja rrugë që të ketë një paqe të qëndrueshme në Ballkan është që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë çështja e Kosovës. Dhe kjo bëhet nëse Bashkimi Evropian ushtron presion ndaj Beogradit që të bëjë atë që duhet. Bashkimi Evropian nuk është shumë efikas në ushtrimin e trysnisë për të arritur objektivat e veta të politikës së jashtme dhe mendoj se kjo është pengesa që kemi në këto negociata.

Zëri i Amerikës: A është çështje efikasiteti apo mungesë vullneti?

Prof. PaulWilliams: Mendoj të dyja. Mendoj që Bashkimi Evropian, gjatë 20 viteve të fundit, e ka keqperceptuar aftësinë e vet për të ndikuar tek sjelljet e vendeve të tjera, duke paraqitur BE-në si një magnet tërheqës. Po t’u kërkosh evropianëve të hapin çantët e veglave diplomatike, shikon vetëm një vegël: çekiçin. Është nxitja për anëtarësim, apo procesi për të shkuar drejt anëtarësimit. Po të pyesësh Shtetet e Bashkuara, Britaninë, ato kanë një numër instrumentash. Amerikanët dhe disa nga vendet evropiane janë shumë të zotë në përdorimin e tyre. BE-ja përdor vetëm Stabilizim-Asociimin si instrument dhe nuk ai nuk mund t’i përshtatet çdo rasti.

Zëri i Amerikës: Që nga vera e vitit të kaluar tema më e nxehtë në lidhje me këto biseda ka qenë korrigjimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve, ndryshimi i territorit, megjithëse tani po flitet më pak për të. Cili është mendimi juaj?

Prof. PaulWilliams: Nëse një qeveri diskuton një shkëmbim territori ose ndryshim kufijsh, kjo do të ishte legjitime vetëm nëse shumica dërrmuese e popullsisë e mbështet atë. Mendimi im është se duhet të jesh jashtë mase i kujdesshëm për një ndryshim apo këmbim territori, sepse ka aq shumë copëza në hartë në gjithë Ballkanin, Evropën Lindore dhe Qendrore dhe madje edhe në Evropën Perëndimore, ku mund të ketë një mundësi apo një hapësirë për këmbim territori. Në momentin që kjo konsiderohet normale, e pranueshme, atëherë nuk dihet se çfarë reaksioni zinxhir mund të shkaktojë në vende të tjera. Konkretisht mund të flasim për Kosovën, popullsinë shqiptare në vendet fqinjë, apo popullsitë e tjera serbe, boshnjake, kroate në vendet fqinjë me to dhe përfundon me shumë ndryshime. Dhe nuk ka një mekanizëm ekzistent që mund të moderojë ose menaxhojë ripërcaktimin e kufijve në Evropë. I takon popullit të Kosovës të vendosë, por është diçka që do duhej të bëhej me shumë kujdes.

Zëri i Amerikës: Procesi i negociatave është drejtuar nga Bashkimi Evropian. Cili mendoni se duhet të jetë roli i Shteteve të Bashkuara?

Prof. PaulWilliams: Në të gjitha rastet kur ka pasur përparim të konsiderueshëm përsa i takon Kosovës, kjo ka qenë falë Shteteve të Bashkuara. BE-ja i menaxhon negociatat përsa kohë nuk ka bllokim. Por kur janë të bllokuara, Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë rolin e tyre, sepse amerikanët kanë aftësinë për të identifikuar zgjidhje, si edhe kanë fuqinë ekonomike dhe politike t’i shtyjnë të dyja palët të arrijnë një marrëveshje dhe çka është më e rëndësishme, amerikanët janë në gjendje të sigurojnë një mburojë politike për njërën ose të dyja palët, kur ato nënshkruajnë një marrëveshje. Dhe kur amerikanët japin garanci për diçka në këmbim të një marrëveshjeje, ata e mbajnë fjalën.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit ka pasur një debat lidhur me tarifën 100 për qind vendosur për mallrat serbe. Ky veprim është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, por tarifa vazhdon të jetë në fuqi. Çfarë mendoni për këto lloj masash që janë të njëanshme dhe që disa mund t’i quajnë të skajshme dhe penguese për procesin?

Prof. PaulWilliams: Kur komuniteti ndërkombëtar dhe ndërmjetësit, në këtë rast Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që nuk janë të përfshira drejtpërdrejt, nuk arrijnë të krijojnë një proces efektiv, apo të bindin apo nxisin me efektivitet palët që të angazhohen në proces me mirëbesim apo të arrijnë një marrëveshje, atëherë palët fillojnë të eksperimentojnë me mënyrat e tyre për të pasur ndikim në proces. Prandaj kjo tarifë 100 për qind, qoftë ide e mirë apo e keqe, është pasojë e dështimit të procesit të drejtuar nga Bashkimi Evropian dhe pasojë e qëndrimit mënjanë të Shteteve të Bashkuara.

Në një skenar ideal, kur ka një zvarritje të procesit, ndërmjetësit ndërhyjnë me masa nxitëse për të zhbllokuar situatën, prandaj këto tarifa janë një simptomë e problemit që negociatorët kanë ngecur dhe ndërmjetësi, Bashkimi Evropian nuk po merr kontrollin e plotë të përgjegjësive të tij për t’u dhënë shtysë palëve që të ecin përpara.

Zëri i Amerikës: Por si mendoni që kjo do të shkojë më tej? Shtetet e Bashkuara dhe disa nga udhëheqësit evropianë po thonë se tani është koha për të arritur një marrëveshje dhe është vendosur edhe një si të thuash afat deri në fund të vitit. A është kjo realiste?

Prof. PaulWilliams: Ndërmjetësit gjithmonë vendosin afate dhe afati është i paarritshëm deri një natë më parë dhe pastaj ndodhin ca gjëra dhe (marrëveshja) bëhet e arritshme. Unë do të ndjehesha i inkurajuar nga afati i fundit të vitit, sepse jo vetëm që i mban të fokusuara palët, por edhe ndërmjetësit, Bashkimin Evropian. Nëse kanë caktuar një afat, afati është për palët, por edhe për veten e tyre. Dhe kjo u jep mundësi edhe amerikanëve të fokusohen sepse amerikanët do duan të kenë qëndrimin e tyre në marreveshjen përfundimtare të negociuar dhe nëse e dinë që ka një afat prej 6-9 muajsh, ata kanë më shumë gjasa që të angazhojnë burime, që marrëveshja të jetë siç duhet.

Zëri i Amerikës:Disa ditë më parë në një seancë të Kongresit për Kosovën, ju folët për një “hendek përgjegjësie” përsa i takon ndjekjes penale dhe dënimit të shkaktarëve të krimeve në luftën e Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të mos njohjes së fakteve. Atëherë si është arritur në pikën ku është krijuar ky hendek?

Prof. PaulWilliams: Është shumë e qartë se çfarë ndodhi gjatë konfliktit të Kosovës, cilët ishin përgjegjës, cilët ishin viktimat, dhe përmasat e viktimizimit të popullit të Kosovës nga autorët e krimeve të regjimit serb. Por kemi parë se vetëm një numër i vogël shkaktarësh është vënë para përgjegjësisë për këto krime lufte. Ka tre arsye për këtë: E para është thjesht mungesa e vullnetit politik. Komuniteti ndërkombëtar ka mbajtur qëndrimin e akomodimit dhe marrjes me të mirë ndaj regjimit serb, pra është vendosur një dozë drejtësie, por jo një drejtësi rrënjësore. Së dyti, mekanizmat e krijuar pas Gjykatës për ish-Jugosllavinë, seancat e panelit 64 të Misionit të Kombeve të Bashkuara, EULEX-i thjesht nuk i kishin aftësitë, fondet, personelin dhe qualifikimet që t’i bënin siç duhej këto hetime, apo për të ruajtur provat në një format të përshtatshëm për ndjekje penale. Dhe së treti, komuniteti ndërkombëtar u shpërqendrua nga një fokus miopik tek krimet që akuzohet se ka kryer UÇK-ja dhe e largoi vëmendjen nga fakti se mbi 80 për qind e mizorive që ndodhën në Kosovë, u kryen nga autorë të lidhur me regjimin serb në atë kohë.

Zëri i Amerikës: Pse mendoni ju mungonte vullneti politik nga komuniteti ndërkombëtar?

Prof. PaulWilliams:Unë kam punuar me çështjet e Ballkanit për më shumë se 20 vjet dhe po t’u hedhësh një vështrim negociatave të lidhura me Kroacinë, Bosnjen dhe më pas Kosovën, arrin në përfundimin se komuniteti ndërkombëtar është më komod që në raste të ndërlikuara, të gjitha palët të jenë përgjegjëse, sepse në situata kur njëra palë është qartësisht viktima dhe pala tjetër qartësisht shkaktare, është më e vështirë të negociosh një marrëveshje paqeje. Një nga faktet e Marrëveshjeve të Paqes së Dejtonit, ishte se tre nga katër nënshkruesit e tyre, që solli fundin e konfliktit në Bosnje, ishin paditur ose duhej të ishin të paditur për krime lufte. Millosheviçi, Krajisnik u paditën dhe u shpallën fajtorë dhe Carla Del Ponte kishte lënë të kuptohej se Tugjman do të ishte paditur po të mos kishte vdekur. Dhe tani shohim se kjo dëshirë për të akomoduar apo për të marrë me të mirë vazhdon me qëndrimin e Bashkimit Evropian për t’u përpjekur për ta afruar Serbinë me BE-në përmes një Marrëveshjeje të Stabilizimint dhe Asociimit, apo mënyra të tjera. Dhe kjo mund të realizohet vetëm duke e rrethuar me mjegull faktin se regjimi serb ishte përgjegjësi kryesor për mizoritë që ndodhën në Kosovë. Po ashtu kur vazhdon të kesh mekanizma për vendosjen e drejtësisë, megjithëse e rëndësishme për viktimat, kjo është një kujtesë e vazhdueshme se ka autorë krimesh që vazhdojnë të operojnë në Serbi, me gjasë shumë prej të cilëve në infrastrukturën politike, ushtarake dhe policore.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh gjendjen që ju sapo përshkruat, si mund të mbyllet ky hendek dhe të shmanget ajo që ju e keni quajtur vënia e shenjës së barazisë morale mes viktimave dhe shkaktarëve të krimeve?

Prof. PaulWilliams:Ka disa mënyra se si mund të mbyllet ky hendek përgjegjësie. E para është që thjesht të thuhen gjërat me ndershmëri, të pranohet që ka qindra-mijëra viktima shqiptarë të Kosovës që u dëbuan me forcë nga Kosova gjatë konfliktit, që kishte mbi 10 mijë individë që u vranë, dhjetra-mijëra që u torturuan dhe sipas shifrave të fundit, mbi 20 mijë ishin viktima të përdhunimeve të lidhura me konfliktin. Pranimi i këtij fakti, është hapi fillestar për mbylljen e hendekut të përgjegjësisë. Dhe pastaj t’u jepet viktimave një platformë për një proces katharsisi dhe vënia para përgjegjësisë për krimet e tyre e atyre që janë përgjegjës, do të ishte hapi i mëtejshëm, të mendohet se çfarë mekanizmash mund të ekzistojnë dhe të krijohen nëse nuk janë. Dhe e treta është se kemi Gjykatën e Posaçme, krijuar nga parlamenti i Kosovës dhe që ka gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë. Megjithëse ka një mandat juridik të pazakontë, ai mandat mund të interpretohet në mënyrë të tillë që të vlejë për të gjitha krimet që u kryen në territorin e Kosovës dhe ajo mund të bëhet një mekanizëm për t’i përballur individët me përgjegjësinë dhe për të siguruar katharsisin për viktimat.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët në seancë lidhur me Gjykatën, mund të jetë e nevojshme të ri-interpretohet mandati i saj, ose ndoshta edhe të modifikohet. A mendoni se kjo është realiste dhe se Shtetet e Bashkuara do të kishin vullnetin për t’u angazhuar për këtë qëllim?

Prof. PaulWilliams: Gjykata siç e përmenda ka një mandat të pazakontë. Zakonisht kur ngre një gjykatë, juridiksioni territorial dhe personal është i përcaktuar fare qartë. Juridiksioni i Dhomave të Specializuara është për krime të lidhura me një raport që ishte kërkuar nga Këshilli i Evropës. Kështuqë duhet të lexosh raportin për të parë se për çfarë krimesh bëhet fjalë. Dhe megjithëse flitet për krime për cilat akuzohet UÇK-ja, aty bëhet shumë e qartë, që në territorin e Kosovës ishin kryer shumë lloje krimesh. Pra një avokat, ose një prokuror mundet të lexojë raportin, të lexojë statutin në bazë të të cilit është krijuar gjykata dhe të arrijë në përfundimin se ka juridiksion për të ndjekur penalisht cilindo që ka kryer krime në territorin e Kosovës. Por nuk ëshë e qartë nëse Gjykata vetë e sheh në këtë mënyrë mandatin e saj, prandaj mendoj se do të ishte e rëndësishme që të sqarohet, riafirmohet, ose madje edhe të amendohet juridiksioni i saj. Në fund të kundit është një institucion i Kosovës, kështuqë parlamenti i Kosovës mund ta amendojë. Më pyetët nëse është realiste apo nëse është e mundur: duke punuar në zona konfliktesh 25 vitet e fundit, kam arritur në përfundimin se gjëra që ne mendojmë se janë të pamundura, bëhen realitet. Kur isha një jurist i ri në Departamentin e Shtetit në fillim të viteve 1990, flitej për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të ndjekur penalisht përgjegjësit për krime lufte. Dhe përgjigjia ishte: Kemi Tokion dhe Nurenbergun, por ato ishin para shumë dekadash dhe nuk kishte interes deri në momentin kur e krijuam Gjykatën për Jugosllavinë. Dhe pastaj atë të Ruandës, së Sierra Leones, të Kamboxhas dhe pastaj Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Prandaj nuk do ta minimizoja mundësinë e asnjë nisme kur bëhet fjalë për përgjegjësi dhe katharsis për viktimat. Ka një kërkesë kaq të fuqishme nga viktimat për përgjegjësi dhe katharsis, saqë me duket realiste që amerikanët të angazhohen dhe ta mbështesin një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Si mundet komuniteti ndërkombëtar njëkohësisht të jetë në gjendje të vendosë drejtësinë dhe të ndjekë objektivin e negociatave politike, kur sapo thamë se ndoshta as nuk e ka vullnetin për procesin e vendosjes së drejtësisë pasi diplomacia nuk funksionon si drejtësia restorative, për shkak të nevojës që të dyja palët të jenë të investuara në proces?

Prof. PaulWilliams: Ajo që kemi parë gjatë viteve është se instinkti fillestar, direktiva kryesore e diplomatëve është akomodimi që mund të çojë në paqtim ata kanë prirjen të jenë të drojtur dhe të vonuar kur bëhet fjalë për mekanizmat e drejtësisë, por në fund të fundit kjo lloj bërjeje e politikës, dështon. Dështoi në Bosnje, për tre vjet dhe u desh ndërhyrja e OKB-së dhe NATO-s për të detyruar palët të nënshkruajnë Marrëveshjen e Dejtonit. Në Kosovë ishte ndërhyrja humanitare e udhëhequr nga NATO-ja, pasi përpjekjet për të akomoduar Millosheviçin dështuan. Kosova u bë e pavarur pas një kohe të gjatë megjithëse komuniteti ndërkombëtar u përpoq ta shmangte një gjë të tillë, por tani Kosova ka një shkallë statusi ndërkombëtar. Dhe mendoj se edhe në këtë rast do të shohim të njëjtën gjë. Është kjo ndjesia që kemi siguruar atë dozë drejtësie që na duhet, por është e qartë që nuk është arritur drejtësia e nevojshme për të mbyllur hendekun e përgjegjësisë dhe për t’u dhënë viktimave mundësinë që t’u mbyllen plagët, që është e nevojshme për pajtim dhe paqe të qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Me shtytjen më të fundit për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, 10 vjet pas pavarësisë së Kosovës papritur e pakujtuar po vihet në diskutim legjitimiteti i saj, për shkak të diskutimeve nëse është njohur dhe po hidhen dyshime edhe nga shkaku i vetëm i diskutimit të saj në qarqet diplomatike. Si e shihni një gjë të tillë?

Prof. PaulWilliams: Më duket shumë befasuese dhe zhgënjyese. Të them të drejtën nuk ka kuptim të hidhen dyshime për legjitmitetin e Kosovës. Nëse Kosova nuk është vend i pavarur atëherë çfarë është? Qartësisht nuk është pjesë e Serbisë. Nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare, është e qartë se shtetësia është një rrugë me një drejtim. Entitetet bëhen shtete dhe mbeten shtete. Nuk mund të kthesh mprapsht njohjen apo të delegjitimosh. Nuk ndodh. Kosova, me aq shumë njohje e ka kaluar atë fazë. Fakti që Serbia, Rusia nuk e njohin nuk ka rëndësi për statusin e Kosovës si vend.

Zëri i Amerikës: Dhe në fund meqenëse keni kaq vjet që merreni me Kosovën, 15-20 vjet më parë ku parashikonit se do të ishte Kosova sot dhe ku parashikoni se do të jetë ajo – dhe ku do të jenë Kosova dhe Serbia në raport me njëra-tjetrën – pas 15-20 vjetësh?

Prof. PaulWilliams: Unë fillova të angazhohem me Kosovën në vitin 1996. Po të më kishit pyetur në atë kohë se si do të dukej e ardhmja për Kosovën, në krahasim me zona të tjera ku kisha punuar në gjithë botën, do kisha menduar që do të kishte një lloj autonomie, brenda Serbisë, që Serbia do të ishte pothuajse demokratike, diku në mes të Perëndimit dhe rusëve dhe Kosova do të mund të vazhdonte disi e mbrojtur në një farë mase fizikisht, por jo me një autonomi të vërtetë politike apo ekonomike apo vetëvendosje. Por kur shoh që Kosova është e pavarur, është demokratike dhe që në një masë pak a shumë të konsiderueshme, e integruar ekonomikisht me perëndimin. Dhe sigurisht çdo vend përballet me sfida politike dhe ekonomike por nga perpektiva e regjimit pothuajse apartejd që ekzistonte në vitin 1996 në Kosovë tek aftësia bazike që ka çdo qytetar i saj për të qenë i realizuar, i përmbushur dhe i gjithë vendi të ketë aftësinë vendosë vetë për fatin e tij, është diçka që duhet të mbahet parasysh. Nga syri i jashtëm, Kosova është një histori suksesi dhe kjo është falë angazhimit, vendosmërisë dhe fokusit të popullit të Kosovës. Kështu në 20 vitet e ardhshme si për Kosovën, edhe Serbinë dhe rajonin, unë jam shumë optimist. Realiteti është që Kosova po sheh drejt së ardhmes, Serbia ka një sy nga e ardhmja dhe një sy nga e kaluara dhe këtu hyn Rusia që i ka dy sytë nga e kaluara. Por kjo nuk është e qëndrueshme. Bota lëviz përpara dhe me kalimin e kohës edhe Serbia do ta bëjë atë kthesë dhe të ecë përpara. Kështuqë unë vazhdoj të jem optimist.

Nënkryetari i Grupit të CDU/CSU ofron ndërmjetësim për krizën në Shqipëri: S’hapen negociatat me BE pa u burgosur blerësit e votave

Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul flet për gazetën “Shekulli”. Problemet kryesore të cilat vihen në dukej për Shqipërinë janë: korrupsioni, krimi i organizuar, blerja e votave. Ka përgjime, por akoma nuk ka arrestime ndaj personave

Hapja e negociatave për Shqipërinë duket të jetë një proces shumë i vështirë për Shqipërinë. Janë një sërë problematikash për të cilat qeveria shqiptare nuk po u jep zgjidhje. Krimi i organizuar, korrupsioni, blerja e votës dhe mos dënimi i tyre nga drejtësia, përbën një kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të grupimit politik CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, Johann David Wadephul, tregon ato reforma për të cilat duhet të luftojë më shumë qeveria shqiptare. Ndër to renditen, lufta kundër korrupsionit, krimi i organizuar dhe blerja e votës. Por një e dhënë shqetësuese është edhe fenomeni i blerjes së votës. Mungesa e një hetimi për këtë fenomen përbën një kërcënim për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimit Evropian.

Ëadephul cili është mendimi juaj për situatën politike në Shqipëri?

Shqipëria e gjen veten në një krizë të rrezikshme politike. Kjo është e keqe për perspektivën e vendit në Bashkimin Evropian. Prandaj, është detyrë e të gjitha partive pro-evropiane në qeveri dhe opozitë, që të afrohen njëra me tjetrën dhe të jenë të përgatitur për të bërë kompromise reale. Nëse të dyja palët nuk janë të gatshme ta bëjnë këtë, ata vënë në pikëpyetje perspektivën e vendit të tyre për në Bashkimin Evropian. Dhe në të njëjtën kohë ata vetëm do të forcojnë ato forca që duan të nxisin nacionalizmin dhe të ndjekin planet për Shqipërinë e Madhe. Për më tepër, kjo do të nxiste vetëm vendet e treta për të ndërhyrë edhe më shumë në çështjet shqiptare. E gjithë kjo mund të çojë në konflikte të reja, trazira apo edhe shpërthime në Ballkan. Ta themi hapur: planet për një Shqipëri të Madhe do të çojnë në fundin e perspektivës së Shqipërisë në BE! Kjo është arsyeja pse qeveria dhe opozita kanë një përgjegjësi për të kapërcyer krizën menjëherë. Edhe nëse qeveria Rama ka shumicën në parlament, ajo duhet të jetë e përgatitur për të bërë kompromise reale. Ne jemi të përgatitur për të ndihmuar në kapërcimin e krizës, nëse të dyja palët kanë vullnetin për ta bërë këtë.

Cilat janë pengesat kryesore që duhet të kalojë Shqipëria?

Shqipëria ende ka nevojë të bëjë përparim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të pranimit. Mund të shohim se qeveria tashmë ka bërë përpjekje. Zbatimi i ligjeve është veçanërisht i rëndësishëm. Ligjet shqiptare, për shembull, ndalojnë blerjen e votave. Megjithatë, nuk ka ndjekje penale nga zyra e prokurorit publik dhe nuk ka arrestime kundër atyre personave të cilët kanë dëshmuar se kanë blerë votat me anë të regjistrimeve të përgjimit. Nëse nuk ka progres të vërtetë këtu shumë shpejt, grupi im nuk do të jetë në gjendje të pranojë hapjen e negociatave të pranimit. Sepse kjo është një çështje themelore e sundimit të ligjit dhe është ajo që duhet të garantohet.

A u arrit diçka nga takimi i Berlinit?

Po vërtet! Ka pasur një shkëmbim të vlefshëm dhe ç’është më kryesorja kritike, të pikëpamjeve për çështjen e ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimin e territoreve. Rezultati përfundimtar është se do të ketë një konferencë pasuese në 1 korrik në Paris. Atje do të diskutohen pyetje konkrete për vazhdimin e procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimi i këtij procesi nevojitet urgjentisht, ne më në fund kemi nevojë për përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve, përndryshe ekziston rreziku i konflikteve të reja.

Cili është vlerësimi juaj për opsionin e shkëmbimit territorial lidhur kjo me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor?

Shkëmbimi i territoreve është alternativa më e keqe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor! Në deklaratën përmbyllëse në takimin e Berlinit, të gjithë shefat e shteteve dhe qeverive theksuan se marrëveshjet midis Serbisë dhe Kosovës duhet të shërbejnë për stabilitetin rajonal. Ky është një refuzim i të gjitha konsideratave për një shkëmbim territori ose për rregullimin e kufijve etnikë. Besimi ndërmjet serbëve dhe kosovarëve dhe stabiliteti në rajon mund të arrihet vetëm nëpërmjet marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, jo përmes diskutimit të shkëmbimeve territoriale.

Ëadephul: Kosova të shfuqizojë tarifat

Nën ndërmjetësimin e Kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, Serbia dhe Kosova kanë njoftuar se do të kthehen në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. “Konferenca e djeshme e Ballkanit Perëndimor e ka parë Serbinë dhe Kosovën të kthehen në negociata konkrete për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, të cilat janë braktisur plotësisht prej muajsh, si rezultat i diskutimit të panevojshëm për një shkëmbim territorial. Për çështje konkrete si Asociacioni i Komunave të Serbisë, furnizimi me energji i Kosovës, mbrojtja e të mirave kulturore, njohja e diplomave, të drejtat e personave të zhvendosur, por edhe pranimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare – duke përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të Kombet e Bashkuara – do të duhet të negociohen. Prandaj është e rëndësishme që Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive të Ballkanit Perëndimor të theksojnë se një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës duhet të kontribuojë në stabilitetin e rajonit. Me fjalë të tjera, besimi ndërmjet serbëve dhe kosovarëve dhe stabilitetit në rajon mund të arrihet vetëm përmes marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme për të normalizuar marrëdhëniet, por jo përmes diskutimit të shkëmbimit territorial. Prandaj është mirë që do të mbahet një takim pasues në Paris më 1 korrik për të thelluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Grupi parlamentar i CDU/CSU do ti kushtojë vëmendje dhe, nëse është e nevojshme, të kërkojë që Bashkimi Evropian, e cila është përgjegjëse për negociatat, ta shtyjë procesin me tekstet konkrete negociuese dhe jo – si më parë – vetëm të moderuar. Për suksesin e negociatave, është e rëndësishme që Kosova të shfuqizojë tarifat e vendosura ndaj Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Të gjithë pjesëmarrësit ishin në dijeni të vlerave kryesore evropiane gjatë samitit. Tani është e rëndësishme të implementohet demokracia parlamentare, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit jo vetëm në letër në Berlin, por në terren”./Shekulli

Flet autori i librit për Luftën: E vërteta e listës me 265 partizanët përgjegjës për krime

ARISTIR LUMEZI/ Autori i botimit të Institutit për Krimet e Komunizmit, Çelo Hoxha, shprehet se objekti i punës së Institutit nuk e pengon të hulumtojë për krimet e kohës së luftës nga komunizmit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Hoxha sjell disa raste se kur formacionet partizane kanë djegur shtëpi civilësh apo dhe dënime me vdekje, me vendim të PKSH-së, duke marrë kështu dhe atributet e gjykatave.

Ju jeni autor i një libri, i cili ka shkaktuar mjaft debate javët e fundit, veçanërisht me një listë prej 265 emrash, të cilët ju i cilësoni si persona të përfshirë në krime lufte. Si dilni ju në këtë përfundim?

Libri ka 5 vjet që është botuar. Mua më befasoi vendosja e tij në qendër të këtij debati, duke çuar ezaurimin e të gjitha kopjeve që ne kishim shtypur. Libri ka shkuar për ribotim tashmë. Në ribotim, lista e tyre është më e madhe, rreth 15 persona të tjerë pas disa verifikimeve të mëtejshme. Trajtimi që i është bërë kësaj liste është dashakeq, i nxjerrë nga konteksti për t’i hedhur zjarrit benzinë dhe për të përfshirë sa më shumë njerëz në një lloj reaksioni ndaj kësaj teme. Ky është një debat opinionesh dhe jo një debat shkencor. Nuk ka historianë të mirëfilltë që flasin për këtë punë. Edhe Pëllumb Xhufi është historian i periudhës së Mesjetës, Paskal Milo është problematik si historian, sepse ka dy qëndrime historike për të njëjtën çështje. Paskali thoshte se për këtë duhet të merren historianët profesionistë etj., etj. Unë i kam të gjitha kualifikimet e nevojshme profesionale për t’u marrë me këtë çështje, jam “Doktor Shkencash” me studime të kohës së komunizmit, pra, kam profilin e duhur për këtë temë dhe kam një qëndrim unik, të pandryshuar për këtë çështje.

Për të mbetur te lista, mbi ç’bazë ju shkoni në konkluzionin se ata janë përfshirë në krime lufte?

Kanë abuzuar me termin, sepse unë jam treguar i kujdesshëm në libër. Unë nuk jam gjykatë dhe nuk kam dhënë vendime penale.

Edhe profesor Milo këtu këmbëngulte, te mungesa e vendimeve të gjykatave për t’i shpallur ata kriminelë lufte..?

Unë nuk jam gjykatë, por unë si studiues bëj ballafaqimin e fakteve me ligjin. Unë them se kjo është lista e personave përgjegjës për krimet e luftës dhe këta janë, anëtarë të Komitetit Qendror të PKSH, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, anëtarë të Këshillit Nacionalçlirimtar, si dhe zinxhiri hierarkik i drejtimit të ushtrisë, ata që jepnin urdhra dhe zbatonin urdhrat e shtabit dhe të partisë. Në rast të një hetimi hipotetik, këta persona do të merreshin nën hetim për përgjegjësi penale. Përgjegjësia në krim është individuale, por në listë ka persona që kanë marrë pjesë në krim, që kanë dijeni për krimin e kryer. Në listë ka dhe njerëz të persekutuar që kanë bërë burg nga regjimi komunist, si Gjergj Kokoshi. Por ky ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm deri në 1946 dhe ka përgjegjësi për krimet dhe nuk ka një denoncim publik të tij ndaj vrasjeve. Falsifikim të historisë ka bërë Enver Hoxha, i cili i vrau komandantët e luftës, anëtarët e shtabit dhe i fshiu nga historia. Këta që më kritikojnë mua sot, nuk thonë një fjalë se përse Enver Hoxha e retushoi historinë, fshiu nga historia komandantin trim Mehmet Shehu apo Beqir Ballukun?! Ai ka bërë falsifikim, unë i kam përfshirë të gjithë për atë që kanë bërë në atë kohë, pa diskriminim. Në listë ka dhe dëshmorë, por ai raporton për djegien e shtëpive të shqiptarëve apo për vrasjen e një korrieri, siç është Mustafa Matohiti. Historia nuk është bardh e zi. Mustafa Matohiti deri në vitin 1940 ka qenë kryetar komune në Dukat me dekret të Jakomonit, pra, me logjikën e kohës, ka qenë bashkëpunëtor me pushtuesin. Pastaj kaloi me Luftën dhe u vra aty. Kjo është historia e tij, nuk e shkruaj unë. Por libri ka rreth 40 faqe qasje teorike, teorikë e luftës së drejtë, shpjegimin teorik. me të cilin komunistët dënuan krimet e Luftës. Unë jam me arsim të lartë, “Doktor shkencash” në histori, a nuk kam unë kompetenca më shumë se Koçi Xoxe për të vlerësuar se çfarë është krim lufte dhe çfarë nuk është?! Ishin shumë analfabetë që dolën nga Lufta dhe u bënë anëtarë gjykatash dhe dhanë dënime me vdekje, duke cenuar jetë njerëzish. Unë kam bërë një vlerësim për to dhe i kam sqaruar, por nuk merret njeri me to, merren vetëm me listën, me emrat, pse më ke përmendur gjyshin, xhaxhain, babanë etj. Kjo nuk është qasje fisnore, nëse e shohin si qasje fisnore, le të merren me ata që u kanë djegur shtëpitë dhe kanë urdhëruar për ekzekutime, atëherë do futemi në ligjin e Kanunit. Nëse ata dalin sot si trashëgimtarë të emrit të mirë e të lavdishëm të krijuar nga dekorimet komuniste, atëherë duhet t’i dalin trashëgimtarë edhe krimeve që kanë bërë gjatë luftës.

Si i keni klasifikuar ju këto krime lufte?

Ja po ju jap një rast. Në 1946, janë bërë djegie masive shtëpish, thuajse një fshat i tërë. Në fuqi ishte Ligji i Gjykatave Ushtarake të krijuara nga PKSH në 1945 dhe djegia e shtëpive përcaktohej si krim lufte. Te dënimet e Gjykata Ushtarake përcaktohet dënim me burgim, me ekzekutim, me internim, me dëbim etj. Por asnjë dënim i këtyre gjykatave nuk jepej për djegie shtëpie. Atëherë, unë pyes, përse Divizioni i Mbrojtjes së Popullit ka kryer djegie shtëpish në mënyrë masive?! Në libër, unë kam përfshirë dy dokumente të 1946 për dënime të tilla, qartësisht për të bërë ballafaqimin mes asaj që kishte bërë pushtuesi dhe asaj që kishte bërë ushtria jonë ndaj civilëve. Çfarë pune kishte ushtria jonë në veprim në 1946, ndaj cilit armik vepronte, kryesisht në Veri?!

Ju akuzojnë se keni denigruar Luftën, duke vënë në dyshim karakterin e saj antifashist?

Unë nuk kam hedhur baltë mbi luftën, baltë kanë hedhur ata vetë, sepse edhe duke e lavdëruar, e kanë ekzagjeruar. Të gjithë këta që flasin, duke mos qenë profesionistë, si argument kundër botimit tonë duhet të sjellin studimin, mbi të cilin mbështesin lavdinë e Luftës. Libri im është studimor, ka kaluar të gjitha shkallët profesionale të miratimit për botim, pra, është parë dhe vlerësuar nga profesionistë të fushës. Botimet e para ’90 kanë një kapitull për çlirimin e Pogradecit, një luftë heroike e lavdishme. Në botimin e para ’90 thuhet që atë ditë që u bë beteja, ishte mëngjes, binte shi…letrarizma. Por në dokumente që unë disponoj thuhet: “Sulmoni Pogradecin! Bëni plaçkë dhe tërhiquni! Starovën digjeni, se është çerdhe ballistësh!”. Pasi kryhet aksioni, Brigada raporton: “Hymë në Pogradec, vramë kaq e bëmë aq…bëmë kaq plaçkë, në Starovë dogjëm kaq shtëpi..!”. Ky është një krim i pastër i organizuar, jo incidal, është dhënë një urdhër, është zbatuar dhe për të është raportuar me dokument. Çfarë ta quaj unë këtë?! Këtu nuk kemi të bëjmë me incident lufte, ky është një krim i qartë, është veprim i një grupi kriminal të strukturuar, këto janë dokumente të hapura për t’u parë, nuk i kam nxjerrë unë nga fundi i dheut. Kemi dhe një rast tjetër; në 1943 mblidhet KQPKSH dhe dënon me vdekje Zef Ndojën, i cili ishte një komunist, kishte bërë burg si komunist dhe si antifashist. Ai u akuzua nga PKSH si spiun. PKSH ishte një parti politike dhe unë pyes: Cila ishte baza ligjore që kjo parti mori rolin e gjykatave dhe vendosi të dënojë me vdekje një person?! Kush e përcakton qenien e tij spiun?! PKSH bëri edhe prokurorin, edhe avokatin mbrojtës, edhe gjykatësin, edhe ekzekutuesin. Vetëm dy entitete japin dënime me vdekje, gjykatat dhe bandat. Nëse nuk je gjykatë, atëherë ke vepruar si bandë, por askush nuk e pranon këtë. Janë bërë gjyqe ndërkombëtare për krimet e luftës, pse janë ekzekutuar civilë.

Pala tjetër mbrohet me faktin se PKSH nuk ka qenë në pushtet deri në 1948..

Pashë një intervistë të Spartak Brahos, i cili mbronte PKSH-në duke thënë se ajo ishte parti ilegale deri në 1948. Të qenurit ilegale të një force politike, do të thotë se ajo ishte e paligjshme, e paregjistruar. Pas 1946 dhe deri në 1948, PKSH, një organizatë e paligjshme, ka marrë vendime, u ka dhënë urdhra organeve kushtetuese, urdhëron Kuvendin të bëjë këtë dhe atë, i thotë qeverisë të marrë këtë vendim dhe atë vendim, ka urdhëruar për emërime. Të gjitha këto urdhra dhe vendime i merr qeveria dhe Kuvendi Popullor. Të gjitha këto i paska marrë një parti e paligjshme, duke kryer veprime antikushtetuese dhe kriminale dhe për këtë duhet të deklarohet Braho, nëse anon nga ana e jurisprudencës.

Një tjetër akuzë e palës tjetër është se ju po mbani qëndrime në konflikt interesi, për shkak të prejardhjes Suaj nga familje të lidhura me Ballin apo me kolaboracionistët. Keni një përgjigje?

E vërteta është kjo: babai im ka qenë 9 vjeç kur ka mbaruar Lufta, xhaxhai im ka qenë më i madh, ka qenë 3-4 muaj me Ballin Kombëtar e më pas është hedhur me Brigadën e 14. Nga ana e dajove, janë të gjithë të majtë, PS-në votojnë akoma dhe kanë një nostalgji akoma për Luftën. Kjo që unë mbroj nuk ka lidhje me prejardhjen time dhe nuk është qasje familjare. Unë po flas në nivel ligjor dhe kushtetues. Në studimet e mia unë jam marrë me anën ligjore të periudhës së komunizmit. Ekziston ideja se në kohën e komunizmit është bërë shtet. Kolektivizimi ishte i paligjshëm, prona private në atë kohë lejohej me Kushtetutë. Lufta kundër kulakëve ishte antikushtetuese, u thoshin kulakëve që jeni pronarë të mëdhenj, ndërsa ata tokën e kishin marrë me Reformën Agrare që PKSH bëri në 1946. Lufta kundër fesë ishte antikushtetuese, sepse feja lejohej në Kushtetutë deri në 1976, kur doli Kushtetuta e re. Të gjitha reformat e mëdha dhe iniciativat e mëdha ishin të paligjshme, sepse Kushtetuta i mbronte. Juristët që u morën me Kushtetutën e re e thonë vetë në 1976: Kushtetuta jonë është vjetruar, sepse njeh pronën private, njeh besimin fetar, njeh shkollat fetare etj. Ata thonë ligji është vjetruar, por ligji nuk vjetrohet, veprimtaria vlerësohet në raport me ligjin e shkruar.

Një tjetër argument i atyre që ju akuzojnë është dhe fakti se ju me këtë libër keni dalë përtej objektit tuaj, jeni marrë me Luftën dhe jo me periudhën e komunizmit?

Nuk e kuptoj se përse tremben, ne nuk i kemi hyrë njeriu në pronën e tij. Objekti është çështje teknike, jo thelbësore. Ata na thonë mos u merrni me këtë. Unë pyes: Përse të mos merrem?! Ku është problemi këtu?! Nga se kanë frikë?! Nga e vërteta?! Ne na kanë dhënë një ligj dhe ne e zbatojmë. Por edhe nëse nuk e lejonte ligji marrjen me këtë periudhë, ky është një hetim studimor. Por në çdo rast hetimi, e para gjë që bën hetuesi, merret me begraundin e personave të dyshuar për ngjarjen, institucioneve apo grupeve. Një jurist nuk mund të të thotë mos e heto këtë gjë apo këtë periudhë kur ty të dalin materialet gjatë studimit. E treta, ligji e thotë se “periudha e komunizmit është Nëntor 1944 deri në Dhjetor 1990, si dhe periudha para kësaj, që shërbeu për ardhjen në pushtet të komunistëve”. Për periudhën para nëntorit 1944, unë e çoj ku të dua studimin dhe hulumtimin tim. Megjithatë, libri u përdor si sulm publik, sepse thelbi është puna dhe aktiviteti i Institutit, sepse është sulmuar Agron Tufa si drejtues i Institutit se po ta kishin me librin, do më kishin sulmuar mua si autor i librit, por dhe sepse ky botim është votuar në Parlament nga të gjithë deputetët e Kuvendit, përfshi dhe zotin Braho në 2014.

Bushati: Serbia mos pretendojë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, për sa kohë vazhdon agresionin diplomatik ndaj Kosovës

Ish- ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi sot se në Serbi ka zëdhënës të politikave të viktimizimit me në krye Presidentin Vuçiç dhe të tjerëve që shpesh ia lejojnë vetes që të marrin trajtat e komedianëve.

Milori: Do të doja një opinion për vizitën e Presidentit Aleksandër Vuçiç , do të doja një opinion, qëndrimin etij në lidhje me Kosovën, deklarata të ashpëra nga njëra anë, por nga ata tjetër thotë është një realitet…si e shihni vizitën e tij në Tiranë nesër?

Bushati: Nesër dhe pasnesër në Tiranë zhvillohet Samiti i Brdo Brijuni që është një iniciativë e përbashkët e Sllovenisë dhe Koroacisë, më vjen mirë që kjo nismë po mban një takim në Tiranë sepse në një mënyrë a një tjetër e sjell Tiranën në focus të zhvillimeve rajonale dhe në këtë kontekst nuk shoh ndonjë risi të veçantë nga prania e Presidentit të Serbisë nesër.

Ndoshta është konteksti që i jep peshë..?

Por përsa i përket qëndrimit të Vuçiçit mund të them që nuk e kam parë asnjëherë avancimin e Shqipërisë, Kosovës apo popullit shqiptar në përgjithësi në kurriz të një kombi apo një populli tjetër në rastin në fjalë të Serbisë.

Mendoj që kultivimi i marrëdhënive të mira midis Shqipërisë dhe Serbisë duhet që të vazhdojë sepse janë dy vende kyçe për stabilitetin rajonal, por nga ana tjetër Serbia nuk mund të pretendojë marrëdhenie të mira me Shqipërinë për sa kohë vazhdon agresionin diplomatik ndaj Kosovës.

Në Serbi ka një realitet interesant dhe ka një ndarje detyrash ndërmjet disave që janë zëdhënës të politikave të viktimizimit me në krye Presidentin Vuçiç dhe të tjerëve që shpesh ia lejojnë vetes që të marrin trajtat e komedianëve. Gjithashtu në Serbi ka një politikë që unë e kam konsideruar si “politika e lisharësit” pasi Serbia ja lejon vetes që të ulet në disa karrige në të njëtën kohë. Nga njëra anë pretendon dhe kërkon që të jetë anëtare e BE dhe nga ana tjetër thotë që do të duhet që të konsultohet me Presidentin e Rusisë apo me atë të Kinës se çfarë qëndrimi do të mbaje në raport me dialogun me Kosovën.

Kësaj qasje të Serbisë është rasti qe në ti përgjigjemi në mënyrë asimetrike duke vijuar linjëzimin e politikes së jashtme dhe të qëndrimeve me BE dhe duke u konsultuar me aletat kryesor strategjik për çështje të rendësishme. Nuk bie dakort me ata që merren, analizojnë dhe kritikojnë Vuçiçin për qëndrimet e që mban.

Ai është Presidenti i Serbise, është në të drejtën e tij që të flasë dhe të mbrojë interesat e shtetit që përfaqëson dhe në disa raste duhet thënë që presidenti serb ka mbajtur qëndrime kurajoze, siç ishte edhe qëndrimi i fundit ku ai ka pranuar publikisht që plani për ndryshimin e territoreve ishte një plan i propozuar prej tij dhe na çliroi dhe ne të tjerëve besoj, që tanimë të jemi të qetë dhe të mendojmë që ndonjëherë nën petkun e pro-atlanticizmit fshiheshin edhe interesa neojugosllave që na dëmtojnë.

Albert Dumani: Si e binda aktorin Kivanç Tatlitug në 3 të natës për të ardhur në Shqipëri

KLOTILDA HARKA/ I pashëm dhe misterioz ashtu si duhet të jetë mashkulli i vërtetë, Kıvanç Tatlitug është aktori më i paguar turk me shumë çmime e fansa që prej vitesh ka rrëmbyer edhe zemrat e shqiptarëve. E kemi njohur në një spektër të gjerë karakteresh nga filmi në film, por përzgjedhësi i serialeve turke Albert Dumani ka patur fatin të njohë Kivançin e vërtetë në Stamboll, në paskuintat e serialit më të ri që po xhiron.

 

Për 7 orët e xhirimeve që e ndoqi Live, çajin dhe selfien në tre pas mesnate, bisedat që shkëmbyen dhe premtimin që mori me vete se aktori më i paguar i momentit do të vizitojë Shqipërinë, Berti i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus” 

Një selfie me Kivanc Tatlitug tërhoqi vëmendjen në Instragramin tënd. Ç’fshihet pas atij takimi?

Gjatë një vizite pune ne Stamboll teksa do të takohesha me agjensinë distributore turke MADD, agjensia ekskluzive e prodhimeve të kompanisë së famshme kinematografike Ay Yapim, Denize, menaxherja e shitjeve më të cilën kam disa vite që bashkëpunoj, më pyeti nëse do të kisha dëshirë të vizitonim sheshxhirimet e serialit më të ri “Carpisma” me Kivanc Tatlitug.

Unë ndërkohë kisha 2-3 muaj që isha në bisedë për ta blerë këtë serial që para se ai të fillonte prodhimin në tetor 2018, teksa isha në Kanë dhe takova producentin e tij. “A kam dëshirë?- i thashë. Patjetër që po. Kjo është një ëndërr për mua!”. “Ok”, tha ajo. “Do të bëj një kërkesë meqë ti ke blerë të gjithë serialet me Kivanc Tatlitug, dhe ke ardhur enkas nga Shqipëria për të takuar Kivancin e famshëm”.

Dhe sa prite për takimin me Kivanç?

Të nesërmen e qëndrimit në Stamboll, mora një telefonatë nga Denize ku më tha që në orën 19.00, do të vijë një makinë të më marrë nga hoteli. Unë atë ditë gjithë ditën isha gjithë emocion dhe mezi po prisja darkën. Erdhi makina së bashku me Denizën dhe u nisëm drejt vendit të sheshxhirimit. Gjatë rrugës Denize, menaxherja e shitjeve në MADD, tha që mirë që je ti, sepse edhe unë nuk e kam patur rastin ta takoj LIVE Kivanc Tatlitug!”. Aty e kuptova se sa me fat isha unë! Ajo kishte vetëm koordinata në celular dhe nuk kishte një adresë konkrete. Kur arritëm tek vendi i koordinatave pamë një shesh të rrethuar dhe një godinë që nga jashtë dukej si e braktisur. Pra gjithçka mbahej shumë sekrete për të gjithë.

Vendi ishte në zonën aziatike të Stambollit dhe më vonë mora vesh që godina e madhe kishte qenë më parë një ish-fabrikë celularësh dhe tani ishte modifikuar në një komisariat policie, ku brenda tij po xhirohej seriali i bujshëm “Carpisma”. Jashtë erdhi dikush nga stafi dhe na shoqëroi brenda. Emocionet sa vinin dhe rriteshin. Pas disa korridoreve dhe shkallëve arritëm tek një vend me shumë njerëz; asistentë, kameramanë, teknikë, grimiere dhe mes tyre i ulur në tavolinën ku ishte vendosur regjia lëvizëse, ishte Kivanc Tatlitug. U ngrit, më dha dorën: “Si je? Kënaqësi!”. Fliste anglisht shumë mirë.

Ishte ai personalisht në dijeni të vizitës suaj, apo vetëm stafi i tij?

Ata i kishin thënë që do të vijë nga Shqipëria, Albert Dumani, Drejtori i Programacionit i “TVKLAN”, televizionit më të suksesshëm në Shqipëri. I thashë që, “unë kam zgjedhur dhe transmetuar të gjithë serialet e tua në Shqipëri. Je shumë i famshëm dhe i adhuruar nga shqiptarët. Ashtu?, tha, “M’u bëj të fala të gjithë shqiptarëve! Jam shumë i lumtur”.

Na ftoi të uleshim diku aty afër, sepse ai do të ishte në xhirime dhe se me vonë mund të bisedonim më gjatë dhe të bënim një foto. Foton mund ta bënim pasi të përfundonte xhirimet e asaj dite, sepse kishte një shenjë në fytyrë si pasojë e aksidentit në serial, dhe fotot nuk mund të ishin me “të çarën” që e ka gjatë serialit.

Pra ndoqe nga afër xhirimet. Sa orë qëndrove në prapaskenë dhe çfarë të bëri përshtypje nga mënyra si xhirohej një serial turk?

Kështu kam shijuar shumë plot 7 orë xhirime LIVE, të gjitha prapaskenat. Regjisor, ishte regjisori i Ezelit, Uluc Bayraktar, një tjetër kënaqësi profesionale për mua. Një burrë relativisht i ri në moshë, pasi e dija veteran të moshuar, meqë ai qëndron pas titujve të famshëm si; “Menekshe dhe Halili”, “I Infiltruari”, “Fundi”, “Karadayi”, etj. Aty erdhën edhe aktorët e tjerë të kastit.

Në xhirime ishin të gjithë mjeshtra. Xhironin me dy kamera dhe një skenë xhirohej me 3-4 dubla, kjo vetëm për arsye ndryshim planesh, sepse Kivanci dhe aktorët e tjerë nuk bënin lapsuse në xhirim. Vetëm Kivanci, pasi mbaronte dublin vinte tek regjia dhe shikonte veten. Kishte optimizëm dhe entuziasëm në atë që bënte. Për mua si profesionist dhe “i sëmurë” pas botës e televizionit, të isha aty në ato prapaskena ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Xhirimet e asaj dite përfunduan në orën 03:00 të natës, por unë nuk e ndjeva që kishin kaluar 7 orë që ne ishim aty. Më pas bëmë selfien e shumëpritur dhe pimë nga një gotë çaj.

Si t’u duk nga afër tek komunikonit, i thjeshtë apo mendjemadh si në rolet e tij?

Shumë i thjeshtë. Të gjithë aktorët turq që kam takuar kanë qenë shumë modestë. Kivanci madje kur përfundoi xhirimet në orën 03:00 të mëngjesit, kur erdhi që u ritakuam, më tha: “Më fal që ju lashë të prisnit, por puna i ka këto!”. Ai ishte shumë i dashur dhe gjatë momenteve të pauzave në xhirim duke ardhur afër nesh për ndonjë batutë, “Hë si të duket?” apo duke folur dhe shkëmbyer batuta edhe me kolegët, apo të gjithë teknikët aty.

Është e vërtetë që ai planifikon një udhëtim në Shqipëri, arrite ta bindësh për këtë vizitë?

Unë kam vite që kam folur me agjencinë e menaxhimit të tij për një vizitë të mundshme të tij në Shqipëri, që në kohën kur arrita të bind Songul Oden (Gymyshin) të vinte në Shqipëri. Dëshira dhe kërkesa qëndron. Thjesht duhet parë axhenda e tij, kur mund të jetë i lirë për të udhëtuar jashtë vendit dhe natyrisht ka dhe ai pagesën e tij, e cila nuk është e lirë, sepse është një nga aktorët më të famshem dhe më të paguar në Turqi. Ai tha që, “kam qejf që së shpejti t’ju vizitoj në Shqipëri”.

Serialet me protagonistë Kivanc Tatlitug i ke përzgjedhur ti. Mendon se kanë qenë ata më të ndjekurit në Shqipëri pikërisht për shkak të karizmës së tij?

Patjetër që po. Ai është shkaku që serialet e tij janë shumë të suksesshëm, por nuk është vetëm ai. Kompania më e mirë në Turqi zgjedh atë si aktor protagonist. Bashkë me të bashkohen aktorë të tjerë shumë të talentuar, skenaristët më të mirë, regjisori legjendar, kompozitori më i mirë, e kështu me rradhë. Interpretimi i tij pastaj është “një magji”. Ai çdo rol e ka qarë. Jep maksimunim në çdo rol. Arrin të futet nën lëkurë te çdo personazhi që zgjedh për të interpretuar.

Mimika, toni i zërit, paraqitja e jashtme, interpretimi, karizma, e bëjnë atë unik dhe më të preferuarin jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend ku serialet e tij shfaqen. E kemi parë si të dashuruarin naiv tek “Gymysh”, të keqin dhe harrakatin tek ‘Kuzey guney”, bukuroshin e ëmbël tek “Menekshe dhe Halili”, Don Zhuanin tek “Dashuri e ndaluar”, rol brilant tek “Ezel” ku shtoi 12 kg dhe u përball me rivalin e tij në ekran, Kenan Imirzaloglu, ku prezenca e tij rriti shikueshmërinë e “Ezel” me 30 për qind, shumë i bukur tek “Xhesuri” dhe së fundi ai do të jetë në rolin e një polici tek “Carpisma”.

Sa mund të paguhet Kivanç, dhe trajtohet si një Don Zhuan në mediat turke apo lidhja serioze e ka ndryshuar?

Ai ishte aktori mashkull më i paguar në Turqi me 25-30 mijë Euro për episod, derisa një vit më parë aktori i “Ertugrulit”, Engin Altan Duzyatan, kërkoi një pagese prej 50-55 mijë eurosh për episod. Kjo shifër nuk është konfirmuar nga producentët. Sërish nga burime jo zyrtare, Kivanci paguhet 40-45 mijë Euro për episod duke iu afruar kolegut te Ertugrul. Të tilla shifra qarkullojnë në median turke, por jo zyrtare sepse në të kundërt fillon konkurrenca mes aktoreve dhe producentët vihen në vështirësi.

Për ta mbyllur, zyrtarisht Kivanci është aktori më i paguar në Turqi. Në lidhje me mashkullin më seksi në Turqi, ai ishte i tillë deri para martesës me stilisten Basak Dizer në 2016. Ata u njohën në xhirimet e serialit “Dashuri e ndaluar” dhe pas martesës shumë fanse u hidhëruan, por aktualisht ata janë një nga çiftet më të kërkuar nga media turke për t’u fotografuar, sepse bashkëshortja e tij ka zgjedhur të bëjë një jetë jo shumë publike.

Mund të përmendësh aktorët e tjerë turq që ke takuar deri tani, dhe cilët do të veçoje për thjeshtësinë, zgjuarsinë apo pamjen?

Kam takuar disa dhe të gjithë ishin shumë të thjeshtë, modestë, shumë të bukura, madje më të mira se në ekran, kjo për aktorët femra. Aktoret femra janë yje. Veçoj takimin në Kanë me Kosemin e famshëm apo Gylserenin, Nurgül Yesilçay. Një aktore dhe grua e jashtëzakonshme. Me linja perfekte, shumë e bukur, me ate të qeshurën me zë që të bën për vete.

Pas premierës së serialit të saj më të fundit “Gylperi”, kemi kërcyer, kënduar dhe jemi kënaqur me muzikë “live” në një party VIP, ku ajo hoqi dhe takat dhe kërcente dhe argëtohej së bashkë me të gjithë ne. Kam takuar protagonistët e serialit “Kryeqyteti Abdulhamid”, sulltanin Bulent Inal, shumë i qeshur edhe pse në rol është shumë i egër, sulltanesha Bidar- Ozlem Conker, o Zot sa e bukur ishte! Sulltaneshë Seniha– Selen Ozturk, artiste e lindur, Omeri – Akin Akinoz, aktori i ri me të cilin “ranë në dashuri” të gjitha zonjushat dhe zonjat e ftuara.

Unë e takova atë para 2 vitesh, sot ai po luan në serialin më të ndjekur në Turqi “Hercai”, Ahsen–Ezgi Eyboglu, aktorja me nishan shumë e ëmbël. Kam takuar edhe protagonistët e serialit “Trego ti Deti i zi”, një serial nr.1 në Turqi për 2 vjet dhe fotoja me ta bëri xhiron në median botërore, madje disa në Instagram më morën edhe si pjesë e stafit. Kam takuar Elifin tek “Një pjesë e imja” që e kisha shumë qejf në kohën kur u shfaq seriali.

Serialeve të momentit që ua ke vënë syrin këto kohë për t’i blerë dhe transmetuar në Shqipëri?

“Carpisma” me Kivanc Tatlitug, “Kizim” me aktoren talent yllin fëmijë Beren Gokyildiz, e cila shkëlqeu dhe bëri për vete miliona fansa me rolin e saj tek seriali “Nënë”. Një surprizë tjetër për publikun femëror do të jetë ylli i “Dashuri bardh e zi” Ibrahim Celikkol, i cili vjen së shpejti me serialin e tij më të ri “Muhtesem Ikili” (Dyshja fantastike), së bashku me aktoren që unë e kam shumë qejf Öykü Karayel (Xhemreja tek Kuzey Guney). Kam dhe disa tituj të tjerë në duar dhe sezoni i ri do të jetë me shumë surpriza dhe si gjithmonë ju premtoj që do të sjell në Shqipëri prodhimet më të suksesshëm!

Edhe Nik Xhelilaj është komentuar si shqiptari që ka arritur të depërtojë në kinemane turke. Me vizitat e tua atje ç’mund të thuash për famen dhe arritjet e tij?

Nik Xhelilaj është një krenari për Shqipërinë pasi ka arritur të depërtojë në kinemanë turke, dhe nuk është aspak e lehtë sepse të gjithë e shohim se sa të talentuar janë kolegët e tij turq. Unë e kam ndjekur me shumë interes dhe tifozeri ecurinë e Nikut në Turqi, dhe fatkeqësisht disa nga serialet ku ai ka marrë pjesë nuk kanë qenë shumë të gjatë, kjo jo për faj të Nikut, por prej shikueshmërisë në përgjithësi.

Ecuria e Xhelilaj në serialet turke është në ngjitje, sepse roli tij në “Kryeqyteti Abdulhamid” është shumë i mirë dhe këtë ma pohoi edhe vetë producenti i serialit. E vetmja gjë që e ka penalizuar atë në fillimet e tij ka qenë gjuha turke, por tani ai e ka përvetësuar shumë mirë gjuhën dhe unë jam i sigurtë që Niku do të shfaqet sërish në seriale turke edhe si aktor protagonist. Me shumë dëshirë dhe qejf sapo kam zgjedhur serialin “Qyteti i humbur” me protagonist Nik Xhelilaj, një nga rolet më të plotë dhe më të rëndësishëm të tij në kinemanë turke për t’u shfaqur në “TVKLAN” për publikun shqiptar.

 

Kaq shumë sa takohesh me aktoret turke, sa e mundur është që historia jote e dashurisë të jetë me ndonjë prej tyre dhe me cilën. Apo kjo që po themi mund të ketë ndodhur tashmë dhe ne s’dimë gjë?

E bukur kjo, në fakt ato janë shumë të bukura dhe të mira dhe pse jo… (Qesh)

Nëse do të hiqje një paralele mes aktoreve shqiptare dhe atyre turq, ku ngjasojnë dhe ku dallojnë?

Unë si shqiptar që jam bëj tifo për aktorët shqiptarë dhe i vlerësoj shumë ata, por edhe ata turq janë shumë të talentuar dhe shumë të vërtet në interpretim. Më vjen keq që ne nuk prodhojmë dot seriale aq të suksessshëm sa ato turke, por më bën çudi se si aktorët turq që shumica prej tyre nuk kane mbaruar as shkollë aktrimi, në ekran janë aktorë të vërtetë dhe të përcjellin shumë emocion.

Xhuljo Vrenozi, stuhia shqiptare “the Albanian Storm” me grusht t’artë! Intervistoi Anila Erindi

Pershendetje Xhuljo, është kënaqësi të bëjmë këtë intervistë së bashku! Ku jeton dhe sa vite ke që je larguar nga Shqipëria?
Xhuljo Vrenozi: Unë jetoj në Itali dhe në Angli, dhe kam gati 4 vjet që kam ikur nga Shqipëria.

Mund të më flasësh pak për veten dhe për nisjen e sportit të boksit?Mund të të pyes ç’moshe ke?
Xhuljo Vrenozi: Jam 26 vjeç, i datëlindjes 8 Gusht 1992. E nisa boksin në moshën 10 vjeçare.

Cila ishte shkëndija për tu futur në boks?
Xhuljo Vrenozi: Afër shtëpise kisha një palestër dhe shpeshherë shkoja të kaloja kohën, kështu nisa ta frekuentoja ta praktikoja boksin. Gjithashtu edhe babai im e donte shumë sportin e boksit, më nxiste herë pas here, dhe kjo me jepte një shtytje për të bërë boks.

Cilët ishin tranjeret që kanë punuar me ty?
Xhuljo Vrenozi: Në moshen 10 vjeçare kam pasur dy tranjerë Baftjar Abazi dhe Gjergj Kasaj, kanë punuar me mua për gati 10 vjet pareshtur. Trajnimet në Fier me ekipin Apollonisë zgjaten për 12 vjet. Të dy tranjerët më kanë bërë të punoj dhe të arrij rezultate të larta në boks dhe të bëhem pjesë e kombëtares së Shqipërisë në 2006, nën drejtimin e tranjerit të kombëtares shqiptare mjeshtër Zef Gjoni. Kam luajtur boksin amator për grupmoshat 12-15 vjeç, me këto grupmosha u ndesha në fillimet e mia, më pas u ndesha me grupmoshat 15-18 vjeç. Në këtë kompeticion fitova medalje bronzi per moshen time 17vjeç, grupi quhet Cadet. Kategoria pas moshës 18 vjeç, konsiderohet kategori adult ose kategoria e boksit Elitë, gjithashtu edhe ndeshjet që bëja ishin për grupmoshat e rritura.

Të flasim pak për periudhën e fëmijërisë, më trego pak për familjen tënde në Fier, më thuaj, a vjen nga një familje e madhe?
Xhuljo Vrenozi: Familja ime është nga Fieri, kam një vëlla më të vogël, nënën dhe babain. Nëna është shtëpiake, ndërsa babai merret me biznese të vogla të familjes.

Cilat shkolla ke ndjekur?
Xhuljo Vrenozi: Shkolla 8- vjeçare Naïm Frashëri dhe më pas shkollën e mesme të gjuhëve të huaja, për anglisht frëngjisht edhe italisht.

Cilat gjuhë të huaja flet më mire?
Xhuljo Vrenozi: Italisht dhe anglisht i flas mirë, ndërsa frëngjisht jo shumë mirë.

Më thuaj, si e vure re që kishe prirje për boks? Dikur, të vegjël ndesheshim mes shokëve të lagjes. Ishe i madh, i zhvilluar në trup, në fëmijëri?
Xhuljo Vrenozi: Me trup isha i dobet, paksa imcak do të thoje? Po … por nuk kisha frikë, “ isha i pafrikë”

Pse boksin? Dhe më thuaj se unë nuk e njoh mirë këtë sport, ç’lloj sporti është?
Xhuljo Vrenozi: Boksi është një sport burrëror dhe mjaft intelligjent, sepse në të njëjtën kohë duhettë mendosh 4 lëvizje, pra duhet të jem 4 kohë përpara me mendim dhe me lëvizje nga kundërshtari. Një lëvizje para, një mbrojtje, pra perfekt është 4 kohë për tu mbrojtur!

Ke pasur ndonje “nofkë” kur ishe i vogël, ose ndonje nga ato nofkat tona “qullac“?
Xhuljo Vrenozi: (Xhuljo qesh) Jo atëherë nuk më thërriste njeri me nofkë … edhe pse shquesha ndër më të fortët e lagjes! Por nofkën ma kanë vënë Shqiptarët këto pesë vitet e fundit, më quajne “the Albanian Storm” stuhia shqiptare!

Ke pasur momente kur e ke përdorur grushtin jashtë ringut të boksit? Pra jo për ndeshje apo për praktikë?
Xhuljo Vrenozi: E vërtetë kam pasur ndonjë rast që e kam përdorur grushtin, ka ndodhur ndonjë incident i vogël por ka qënë thjesht në rast vetmbrojtje. Gjithmonë e kam evituar ndeshjen jashtë ringut të boksit!

Ç’hobi tjetër keni perveç boksit?
Xhuljo Vrenozi: Atletikën, thotë ai menjëherë!! Atletikën e dua shumë dhe bëj shumë stërvitje, gati çdo ditë 10-15 km vrap.

Më thuaj Xhuljo, cilët elementë të tjerë janë të rëndësishëm dhe i bashkangjiten ose më saktë rimojnë me boksin?
Xhuljo Vrenozi: Peshëngritja është gjithashtu një sport rimë me boksin. Në peshëngritje stërvitesh me një lloj peshe apo me shumë lloje peshash? Jo, jo peshat variojnë, janë të ndryshme nga 10 në 20kg.
Gjithashtu bëj edhe sparing( një lloj goditje e tensionuar që përdoret për praktikë boksi), ose një lloj tjetër ndeshje kontrolli i elementeve të ushtrimit të boksit.

Cila ka qene ndeshja jote e parë?
Xhuljo Vrenozi: Ndeshja e parë ka qene me ekipin Apollonia të Fierit. Një ndeshje miqësore në palestër të qytetit , ndeshje mes dy ekipeve te qyteteve Fier-Durrës, kjo ndeshje është bërë nga fillimi i vitit 2004, dhe unë e fitova ndeshjen. Ndeshja tjetër zyrtare u bë në qytetin e Lushnjes në vitin 2004 dhe ishte ndeshje për Kampionatin Kombëtar për pionierë, kështu quhej grupi i më të vegjëlve. Në ketë ndeshje fitova vendin e parë, dhe pas 4 ndeshjeve u shpalla Kampion i Republikës.

Cili është idhulli juaj, ose idhujt tuaj në boks?
Xhuljo Vrenozi: Një idhull për mua është Luan Krasniqi, e shoh shpesh, ndjek levizjet e tij. Gjithashtu ndjek Manny Pacquiao, emri i tij i vërtetë Emmanuel Dapidran Pacquiao, lindur 1978 ne Bukidnon, është boksier profesionist dhe personalitet politike në Philippine. Më tërheq shumë Conor McGregor i cili ka një stil të veçante jo vetem si boksier por edhe një stil të veçantë jetese, një stil të bukur dhe mjaft interesant! Ai është kthyer në shembull i imazhit që dua të krijoj në çdo aspekt të jetës time, tek ai shikoj veten time në të ardhmen!

Gjithashtu një pyetje tjetër, në faqen tënde Facebook pashë fotografinë e Muhammad Ali, më thuaj ç’emocion të krijon ai?
Xhuljo Vrenozi: Ne kemi një ndryshim të madh në moshë, por ndjesitë reflekset, dashuria për boxin jane po aq të fuqishme! Tek ai adhuroj gjithashtu tiparet; është motivues, nxites, frymëzues, ka një largpamësi të veçantë! Ai ka thënie jetesore te fuqishme që gjithmonë me kanë inkurajuar dhe mbi te gjitha është një boksier mjaft frymezues!

Nga Muhammad Ali, mua si femër më ka pëlqyer gjithmonë thënia “Float like a butterfly, sting like a bee.” … “Fluturo si një flutur duke ngulur thumbin e bletës “ … kjo i përshtatet edhe shpejtësisë që ti e vërtit grushtin besoj !! Kë ekip do të përfaqësosh në ndeshjen e 4 Majit?
Xhuljo Vrenozi: Më 4 Maj do të përfaqësoj ekipin Shqiptar, do të ndeshem në emër të Federates Shqiptare.

Ke pasur oferta të tjera, të përfaqësosh vende të tjera?
Xhuljo Vrenozi: Kam pasur edhe oferta për të perfaqësuar shtete të tjera por venodosa të përfaqësoj vendin tim, jam krenar të përfaqësoj Shqipërinë.

Cilat vende të ofruan të përfaqesosh?
Xhuljo Vrenozi: Me kanë ofruar Anglia dhe Italia.

 

Duke ditur anën financiare të sporteve, të cilat vlerësohen më shumë në vende të tjera si Italia dhe Anglia, gjithmonë në krahasim me vendin tonë. A nuk do të jepte një emër më të madh dhe një vleresim të lartë të përfaqesoje ato vende?
Xhuljo Vrenozi: Unë preferova të prezantoj vendin tim pasi boksi është për mua një lloj menazhim privat TIM me një ekip që e përfaqësoj vetëm unë dhe menaxhojme buxhet të pavarur.
Federat Shqiptare nuk na siguron të ardhme, dikur ka pasur çmime dhe pagesa mujore,një lloj rroge mujore, nese ti ishe kampion vendi!
Ndryshe nga unë si boksier profesionist, fondet jane të mbledhura nga sponsorët, pra nuk është federata që më hap rrugën për nesër, në njëfarë mënyre rrugën e hap unë vete me rezultat e mia në ndeshje. “ Është një ècje përpara me shpatullat e tua”.

Me thuaj sa vite ke që ushtron boksin profesional, trajnimet ku i ke kryer, mē fol për rrugëtimin tënd ?
Xhuljo Vrenozi: Kam mbi 4 vite që ushtroj boksin professional. Në vitin 2012 mora pjesë në lojrat olimpike të Londrës. Në këto ndeshje përfaqsova Federaten Shqiptare, dhe isha pjese e grupit Elite, ishte ndeshja Albania-Cameroun, dhe për një pike ndryshim e humba në Londer 2012. Atje pas kualifikimeve humba që në turin e parë. Në 2014 mora pjesë në Azerbaijan në Kampionatin Botëror të Boksit, ku përfaqësoja Federatën Shqiptare të Boksit Në këtë event u rendita në vend të pestë, fitova 6 medalje, 2 fitore dhe 1 humbje. Në 2013 në Azerbaijan mora pjesënë Kampionatin AIBA, ky ishte turi botëror. Këtu, Federata e Boksit me president Shi Kon Chu më cilësoi :- Xhuljo Vernozi si një ndër talentet më të mirë tek “Road to Bacu ”. Në këtë event merrnin pjese 400 boksierë nga e mbarë bota. Ndeshja në vazhdim ishte në vitin 2013 tek Memorial Scoop Macedonian “Golden Gong“. Në këtë turnament u shpalla fitues dhe mora medalje ari. Në ketë event ishin pjesëmarrës 40 shtete. Me pas në të njëjtin vit në 2013 u krye “Memorial Vllaznia” me pjesemarrjen e shteteteve evropiane. Në këtë event të organizuar nga Federata Shqiptare e Boksit dhe Federata Europiane e Boksit fitova medalje ari. Në vitin 2014 fitova Kupen e Republikës, ne Kampionatin Kombëtar.

Si e konsideron boksin?

Xhuljo Vrenozi: Boksi është një kategori e veçante.Të stërvitesh mëson, të ndeshesh mëson, secili boksier ka stilin e vet, por dhuntia dhe reflekset fitohen.

Cili është elementi yt i fortë, firma jote?
Xhuljo Vrenozi: Element firmë për mua është shpejtësia, ai është elementi kryesor që më karakterizon.

Do te doja të dëgjoja për aktivitetin tënd nga Italia dhe Anglia?
Xhuljo Vrenozi: Në 2014 fitova Kampionatin Kombëtar të boksit. Në mars 2015 mora pjesë në boksin profesionist në Piacenza Itali me ekipin “Salus et Virtus Boxe” atje u përfaqsova me 10 ndeshje boksi si profesionist. Atje punova më trajnerët Roberto Alberti dhe Jean Luca Batagna, ky bashkëpunimin zgjati për 3 vjet, nga viti 2015-2018 në Itali. Gjatë kësaj kohe kam bërë ndeshje brenda gjithë Italise. Me pas në 2018 shkova në Londër për të marrë pjesë në ndeshje të tjera kualifikuese boksi.

Si ndodhi kalimi yt nga Italia në Londër?
Xhuljo Vrenozi Në vitin 2012 gjate trajnimeve të ndryshme u njoha me ekipin “London Punch Boxr”. Kthimi në këtë klub ndodhi përfundimisht në 2018, pas Italisë unë u bëra pjesë e veprimtarisë sportive të këtij klubi. Aty u njoha me tranjerët Don Charles dhe Josh Burnham!

Pra kur lexoj emrin Xhuljo Vernozi, ose më saktë kur shoh grushtin … shmangem!!
Xhuljo Vrenozi: Nën grushtin e boksit Xhuljo lexoj , i shpallur 13 herë kampion kombetar në Shqiperi, 10 herë i shpallur boksieri me i mirë në vend! Xhuljo 6 medalje ari të fituara në evenimete dhe turne europjane dhe botërore. Gjithmonë nën zhurmën fëshfëritëse të grushtit të boksierit profesionist Xhuljo Vernozi qysh nga viti 2015 nën emër boksier profesionist ke arritur 13 fitore, 2 nga te cilat me nokaund.

Xhuljo, është vërtetë impresionuese kjo karrierë e jotja!! Je një frymëzim i të riut të palodhur dhe këmbëngulës për të arritur majën e Himalayas. Më thuaj si ndjehesh në ketë moment?
Xhuljo Vrenozi: Ndjehem mire fare, vij nga një faze e përgatitur, tejet e kontrolluar dhe menjë përgatitje goditjesh të spikatura ( sparing ready for game mode). Jam gati për tu ndeshur per titull kampion!
Sot me daten 4 Maj ndeshem në Milano dhe në fund të muajit, më 25 Maj ndeshem në Montreal! Këto janë dy ndeshjet e radhës për boksierin profesionist Xhuljo Vernozi.

Xhuljo, të falenderoj për ketë interviste të shumë të këndshme, të mbushur me emocione dhe me pasion për boksin! E di Xhuljo pas kësaj interviste edhe unë kam dëshirë të filloj të bëj boks për sport!
Ne shqiptarët e Canadasë jemi në pritje të të ndjekim në ringun e boksit me 25 Maj këtu në Montréal!
Xhuljo Vrenozi: Të faleminderit për intervistën dhe të uroj me gjithë zemër suksese pafund! Paç fat!
Intervistoi Anila Erindi
Montréal 4 Maj 2019

Intervista – Rrahman Parllaku: Ja kush janë 4 kriminelët e Shqipërisë. Pse nuk e vramë Enverin. Si e njoh Berishën, Metën, Ramën dhe Bashën

Gjeneral Rrahman Parllaku i cili rreth një mua më parë mbushi 100-vjeç, në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One” ka rrëfyer historitë e luftës që ai ka jetuar.

Njohjen me Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, Mehmet Shehin dhe figurat e tjerat të regjimit komunist. Parllaku në rrëfimin e tij ka listuar katërshen e kriminelëve të më të mëdhenj të diktaturës.

Ai ka treguar se kush është lista e katër kriminelëve të Diktaturës. Ndërkohë që në intervistën e tij ai ka treguar dhe njohjet me politikanët shqiptar, nga Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha.

Zoti Parllaku, sëpari  gëzuar 100 vjetorin e  lindjes dhe ju uroj shëndet!

Faleminderit!

Zoti Parllaku si është të jesh 100 vjeç. Ditën që mbushët një shekull a iu drejtuat Zotit me falënderim?

E prisja 100 vjetorin normalisht,. Një aksident ma vështirësoi pak. Edhe moralisht më uli që po shkoja 100 vjec. Edhe një njeri që takon në rrugë e uron u bëfsh 100.Unë u bëra 100.Njeriu thotë në këtë jetë hyra nga një portë dhe dola nga një tjetër. Tani që jam një shekull them se bota është gjithnjë e mirë. Sido që ta kalosh, jeta ime ka qenë me batica dhe zbatica. Ulje dhe ngritje por mund të them që ka qenë jetë e mirë.

Zoti Parllaku, tani që jeni një shekull a mund të thuash që e ke shijuar jetën?

Po. Jetën e kam shijuar.

Çfarë i thatë Zotit ditën që mbushët 100 vjec? A e falenderuat?

Unë nuk mund të gënjej. Nuk e falenderova Zotin sepse unë nuk besoj. Nuk besoj jo se nuk kam besuar asnjëherë. Madje në rininë time familja ime ishte me tradita fetare muslimane. Kryenim dhe ritet. Përpara lëvizjes unë kam falur edhe xhumanë por kam mbajtur edhe Ramazan. Kam ndjekur ritet e rregullta që nga mosha 8 vjeç deri në 20 vjeç. Por gjatë komunizmit ne e mohuam fenë. Dhe si të tillë unë nuk mund të them sot që jam besimtar. Nuk mund të bëj si disa që me teserën e partisë në xhep që dikur e shanë Zotin dhe tani thonë Zoti ju ndihmoftë. Unë nuk e bëj dot këtë.

Në këto 100 vjet a keni rrezikuar jetën?

Po sepse jam plagosur dy herë. Të dy herët  në luftë kur më qëlluan me artileri gjermanët.

Keni marrë pjesë në luftë dhe jeni ndeshur  me pushtuesit. A keni vrarë dikë?

Si mund ta bësh këtë pyetje. Të vrasin dhe të mos vrasësh nuk shkon. Të jesh në luftë dhe të mos vrasësh nuk ka kuptim. Në luftë të vrasin dhe do vrasësh. Rusët thoshin: Vrite gjermanin se të vret. Një rast ishte  ai kur kisha dy robër lufte gjermanë. I vrava sepse nuk kisha ku t’i çoja, nuk kisha ç’të bëja me ta.

Keni lindur në 1919, keni jetuar rininë në mbretërinë e Zogut, keni qenë pjesë e rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore, keni jetuar gjatë  sistemit diktatorial me privilegje por edhe keni bërë 16 vjet burg dhe tani prej 29 vitesh shijoni demokracinë. Cila nga këto periudha ka qenë më e mira për ju?

Natyrisht periudha më e mirë ka qenë ajo e luftës së Dytë Botërore. Ajo më ka dhënë shumë. Natyrisht unë isha i ri. Lashë Kukësin dhe shkova në Vlorë dhe atje jetonim si familje me një aktivitet tregtar, por përfshirja ime në luftë kundër italianëve dhe gjermanëve ishte ngritja ime si njeri.

Është thënë dhe stërthënë historia e masakrës së Tivarit. A mund të na jepni ju variantin tuaj?

Masakra e Tivarit është një sajesë e Uran Butkës. Uran Butka gënjen atje. Uran Butka hodhi një parullë që ka qenë Ramiz Alia. U bë fakt sikur Ramiz Alia ka organizuar Tivarin. Unë dhe Ramizi, kur ndodhi ngjarja e Tivarit kemi qenë në Mitrovicë të Kosovës. U kthyem në 15 mars në Mitrovicë nga Sanxhaku. Tivari ka ndodhur në 12 ose 13 prill, nuk e mbaj mend mirë. Kur unë po vija nga Sanxhaku mezi po sillja të plagosurit. U mobilizuam të shëronim të plagosurit dhe të sëmurët. Ata i vranë serbët, brigade e dhjetë malazeze.

Në monitor do shfaqen fotografitë e 10 figurave të historisë të Shqipërisë. Nga përvoja juaj, nga kontaktet që keni patur do doja të më portretizonit dhe të më tregoni se çfarë vendi zënë ata në histori sipas jush.

Ahmet Zogu?

Ishte biri i pashait dhe nipi i Esad Pashë Toptanit. Ishte i zgjuar dhe ishte i ri kur u përfshi  në politikë. Doli edhe kundër dajës së tij. Iu dha shans në Kongresit të Lushnjës dhe siguroi punimet sepse nuk i lejohej nga italianët. Aty nisi karriera e tij. A ishte Zogu demokrat? Jo. Ishte mbret. Zogu uli veten kur u largua nga Shqipëria. Sikur Ahmet Zogu të mos kishte ikur më 7 prill dhe të kishte qëndruar në mal sikur vetëm 5 ditë, unë sot do të isha ende zogist. Të kishte larguar hungarezen dhe djalin por ama vetë të kishte qëndruar këtu. Bënë mirë që i sollën eshtrat sepse çdokush ka të drejtëtë ketë një varr.

Enver Hoxha?

Vendi  i Enver Hoxhës në histori është në koshat e plehrave. Jo pse më dënoi mua. Unë kam qenë njeri shumë i afërt me Enver Hoxhën. Kam punuar  për 1 vit e gjysme në një tavolinë. Tavolina në mes dhe unë këtej dhe ai nga ana tjetër. Unë isha shef i personelit të ushtrisë. Ai ishte ministër i Mbrojtjes. Mbante ndërkohë postin e kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm. Unë e kam njohur shumë mirë Enver Hoxhën. Kush tha se ishte budalla. Ishte shumë i zgjuar. Një komplotist si ai nuk mund të ishte budalla.

Si ka mundësi që Enver Hoxha ju vrau, ju preu, ju burgosi ju shpallin tradhtarë, ju shkatërroi familjet dhe ju shkatërroi jetën si ka mundësi që përsëri  thoshit të rrojë Enver Hoxha?

Më pyetët më lart përse nuk e vratë Enver Hoxhën meqenëse ju shkatërroi jetën. Shikoja nga burgu radhët për vajgurin dhe qumështin për të marrë 1 litër dhe përsëri thoshin të rrojë Enver Hoxha si mund të bëhej kjo në 1974. Ai manipuloi. Dhe vuri gjithë aparatin në funksion. Të gjithë me dashje dhe pa dashje ishin në funksion të tij. Edhe unë kam qenë beniamin i tij. Unë kam qenë beniamin i Enver Hoxhës dhe kam bërë gabim. 27 vjeç u bëra deputet, isha hero i popullit, zv.ministër i Mbrojtjes dhe detyra të tjera. Domethënë edhe unë e kam ndihmuar Enver Hoxhën në punën e tij.

Ramiz Alia?

Dyshohet që ka qenë në shërbim të Enverit që kur ka qenë përgjegjës i rinisë në Berat. Nuk mund  të flas asgjë. E kam patur komisar. Më ka respektuar.

Po si nuk të mbrojti kur të arrestuan?

Kush të të mbronte, Ramiz Alia? Unë Ramizin nuk e fus te katërshja e kriminelave të Shqipërisë. Ju them se katër kriminelët  më të mëdhenj të Shqipërisë ishin: Enver Hoxha, Hysni  Kapo, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Hysni Kapo ishte pas Enverit. Ai i përgatiste të gjithë raportet Enverit. Ai i mbulonte të gjitha ushtrinë, ministrinë e Brendshme, zbulimin  e jashtëm, kërkoi edhe të brendshmit. Të gjitha informacionet ia çonte Enverit. Sigurimi varej nga Hysniu. Ramiz Alia ka meritën që bëri kalim të butë të pushtetit. Këtë ka meritë. Nuk pati gjakderdhje.

Mehmet Shehu?

Kam dy gjëra. E kam vlerësuar  dhe e vlerësoj  si luftëtar dhe si aftësi. Dikush ka thënë se është kryeministri më i mirë. Unë them jo. Është kryeministri më i zoti. Unë kam qenë banimin i tij. Në tre përpjekje me jugosllavët kam qenë me të. Mehemti nuk pranoi në Shkup që shefi i shtabit të Ushtrisë sonë të varej nga jugosllavët. Kundërshtoi  jugosllavët kur erdhën në Shqipëri për të diplomuar ushtarakët e tyre. Në raportin e artit ushtarak popullor nuk e përmendi Titon në asnjë vend. Të 9 këshilltarët jugosllavë ikën nga mbledhja. Sapo u njoftua Enveri, ai menjëherë urdhëroi Themelkon të mbante një raport që kundërshtonte Mehmetin dhe në të thuhej për rolin e Titos në lëvizjen partizane shqiptare. Në çdo ngjarje të jetës sime ditëlindje, dekorim, vlerësim ai bashkë me Fiqeren më kanë ardhur  në shtëpi. Mehmetin e vrau Enveri. Nuk ka rëndësi kush e  tërhoqi këmbëzën.

Beqir Balluku?

Luftëtar si të gjithë neve. Ka pasur suksese dhe jo sukses. Por ka drejtuar luftën. Ka qenë komandant i njësiteve të Tiranës. E ka mbrojtur  Enverin në luftë dhe e çonte nga një bazë në tjetrën. Edhe pse e dërguan në Rusi nuk e lanë të mbaronte të plotë shkollën, bëri vetëm 1 vit. Drejtoi ushtrinë për 22 vjet. Mësoi shumë nga këshilltarët rusë dhe mori eksperiencën e tyre.

Sali Berisha?

Kam konsideratat  më të larta. Nuk e ka mohuar kurrë luftën. Edhe si karakter. Statusin e veteranit e ka bërë Sali Berisha. Në nëntor 1995 u ftua në Francë dhe Rusi dhe mblodhi veteranet kur u kthye. Në këtë takim tha: Jam ndjerë  shumë krenar që bashkë me flamujt e tjerë ishte edhe flamuri shqiptar si pjesë  e rezistencës së shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Fatos Nano?

Nuk e njoh fare këtë. E di qeshte i biri  i Thanas Nanos se e kam patur në Vlorë. Por të birin nuk e njoh.

Ilir Meta?

Atë që ka bërë Iliri Meta për mua zor se mund të bënte një President tjetër. Ai ka konsideratë për mua dhe unë kam konsiderate për të.

Lulzim Basha?

Ka vazhduar marrëdhëniet me mua pak a shumësi Saliu, por jo tamam si ai. Më ka pritur në mënyrë të veçantë. Tani dhe jetëgjatësia ime I ka detyruar këta të më respektojnë  dhe të më takojnë. Kam marrëdhënie normale. E vlerësoj si tëri. Shpresoj që Partinë Demokratike  ta bëjë masive  sepse nuk ka qenë e tillë.

Edi Rama?

Zyrtarisht nuk jam takuar asnjëherë me Edi Ramën. As ai nuk ka kërkuar të takohet me mua dhe as unë nuk kam kërkuar ta takoj atë. Një herë kur jemi shkëmbyer në një spital. Më pa dhe më thirri ku je komandant. Por nuk e di nëse vajta unë te Edi apo erdhi Edi te unë.