Kryetari i Federatës se Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kombëtarja e Kosovës po punon fort që të kualifikimin në “Euro 2020”. Kurse sa i takon ndeshjen ndërmjet Republikës Çeke dhe Kosovës ai beson se ekipi i Kosovës do të kthehemi nga Çekia me rezultat të mirë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ademi, po e fillojmë këtë bisedë me një parashikim tuajin për ndeshjen ndërmjet Republikës Çeke dhe Kosovës. Cilat janë parashikimet tuaj për këtë ndeshje?
Agim Ademi: Tani në futboll është vështirë të japësh një rezultat apo të parashikosh diçka, sepse vetë futbolli është i paparashikueshëm, dhe për ne që kemi luajtur futboll ndoshta është joprofesionale të japim ndonjë rezultat. Nuk është se jam entuziast, por po mundohem të jem realist për faktin që jemi në situatë dhe fazë çfarë jemi, fillimisht jemi në fazë të mirë dhe jemi në trendin e mirë të rezultateve dhe të formës së futbollistëve gjë që po e tregojnë edhe nëpër ekipet e veta shumica e futbollistëve ose futbollistët kyç që i kemi në ekipin kombëtar dhe normalisht që kemi ardhur në pozitën e pikëve që kemi dhe kjo ndeshje është e rëndësishme për të dyja palët, si për çekët, ashtu edhe për ne.
Mund të them që e di që mund të favorizohen çekët për faktin se dimë që janë një ekip nacional edhe i njohur edhe shumë më i organizuar më herët në UEFA dhe FIFA sesa ne, më shumë kompeticione ka marrë pjesë në gara, por fakti është se ne po luajmë shumë mirë dhe sidomos në lojërat që i luajmë jashtë stadiumit të Prishtinës, deri tash kemi pasur shumë më shumë rezultate dhe po e luajmë lojë shumë të mirë. Shpresoj që këtë trend ta vazhdojmë dhe ne. Normalisht, që shkojmë për fitore dhe unë u besoj këtyre djemve, i besoj punës, sepse nuk po e them që me lutje, se jo gjithherë kryhen punët me lutje dhe dëshirë, por edhe me punë. Ia kemi bërë punën, ia kemi bërë të gjitha parapërgatitjet edhe organizimin po ashtu edhe ekipi dhe forma e tyre, dhe besoj se do të kthehemi me rezultat të mirë nga Çekia.
*Video nga arkivi: Ëndrra Euro 2020
Radio Evropa e Lirë: Federata e Futbollit të Çekisë ka thënë se ka ngritur kapacitetet e sigurisë për ndeshjen Çeki – Kosovë. Si i keni parë ju punët rreth organizimit të kësaj ndeshje?
Agim Ademi: Unë më shumë e shoh që vërtet e kanë ngritur nivelin e sigurisë në nivelin më të lartë dhe unë pak e shoh këtë nga ata ndoshta si presion psikik jo vetëm për ne, por për të gjithë. Kjo për faktin që edhe për ta është një lloj presioni, sepse nuk besoj se mund të ndodhë ndonjë gjë, thjesht ne jemi të liruar prej atij kompleksi, ne shkojmë për të luajtur futboll dhe çfarëdo që ndodh rreth futbollit, nuk na vjen mirë, por nuk është se neve na luhat aq shumë apo ndikon në ne. Ne një qëllim e kemi, të shkojmë të luajmë atje futboll dhe të prezantohemi siç është më së miri dhe normalisht të kemi një rezultat të mirë, por ata e kanë frikën sepse ta organizosh një ndeshje të aspektit ndërkombëtar, është goxha e vështirë dhe nëse ka paralajmërime të tilla se mund të ketë ndonjë diçka që është pengesë për një ndeshje, mund të vijë deri te ndërprerja e ndeshjes që sanksionohet. Ose nëse nuk vjen deri te ndërprerja mund të sanksionohet shumë keq Republika Çeke dhe Federate e Çekisë.
Prandaj, nuk besoj se është vetëm për shqiptarët që e bëjnë atë, sepse shpesh po i dëgjoj që po e bëjnë për ne. Nuk është ndoshta që e bëjnë për neve, por është ndeshje e rëndësisë së veçantë, ngritja e nivelit të sigurisë është në më të lartin dhe normalisht që këto parapërgatitje do të bëhen. Pak jam i zhgënjyer te ta për punën e biletave. Nuk na kanë dhënë shumë mundësi për bileta përveç atyre që na takojnë me ligj.
Ato i kemi paguar dhe i kemi marrë, ato të tifozëve që janë, mirëpo i kanë ndaluar shumë njerëz që kanë shtetësi evropiane që deri sot nuk ka ndodhur kushdo që është me shtetësi evropiane të Unionit Evropian kanë pasur mundësi të blejnë bileta.
Ata e kanë ndërruar edhe stadiumin, në Pelzen na kanë çuar – është një stadium pak më i vogël, është pjesa thjesht ku nuk është se vetëm për ne e kanë bërë, se është si stadiumi alternativ që i bën ndeshjet, por unë mendoj se kur ka interesim kaq të madh, meqë futbolli luhet për publik, është dashur t’i jepet mundësi gjithë publikut, gjithë njerëzve në stadiumin e tyre më të madh që e kanë në Pragë.
Radio Evropa e Lirë: Prisni kualifikimin e Kosovës në “Euro 2020”?
Agim Ademi: Gjithsesi, kemi punuar për këtë, po punojmë me gjithë Komitetin Ekzekutivi dhe të gjitha hallkat e zinxhirit të federatës. Po ashtu, synimi tashmë dihet, sepse në një garë synon kualifikimin ose nivelin më të lartë. Unë e shoh Kosovën në Evropian sivjet, në këtë kompeticion dhe besoj se në ketë kompeticion në Kampionatin Evropian, edhe pse e kemi mundësinë tjetër në Ligën e Kombeve, por unë e shoh Kosovën, gjithsesi në njërën apo tjetrën, të kualifikuar.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ademi, cilat janë aktualisht kapacitetet e Kosovës në garat ndërkombëtare?
Agim Ademi: Nuk është vetëm niveli i A-së, por Kosova ka arritur dhe është duke arritur rezultate, është duke u ngritur në nivelin organizativ të saj dhe kemi edhe dokumente të UEFA-s, rreth organizimit dhe zhvillimit, ku jemi të vlerësuar në vendin e katërt në Evropë, e që nuk do të thotë pak për këtë kohë. Kur them kështu, jemi të organizuar shumë mirë, me shumë kapacitet, kemi dhe shumë njerëz, kemi futbollistë jashtë dhe brenda, të gjitha niveleve, të të gjitha kategorive, e sidomos kategoritë e reja – shoh se është një e ardhme jashtëzakonisht e mirë.
*Video nga arkivi: Infrastruktura sportive e klubeve kosovare
Në kuadër të kësaj, ne po bëjmë strategjinë e futbollit që t’ju mundësojmë këtyre talentëve që të zhvillohen sa më shumë edhe në Kosovë, por sigurisht që jashtë janë duke u zhvilluar, sepse janë nëpër vende të mira dhe shoh një të ardhme shumë të mirë të Kosovës dhe sidomos në aspektin e futbollit. Realisht mund të them që do t’i tejkalojë pritshmëritë e shumë ekspertëve, natyrisht edhe tonat.
Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te kjo çështje, të talentet e shumtë që janë duke luajtur në shtete të ndryshme, çfarë ju ofroni ju atyre që të përfshihen në Kombëtaren e Kosovës?
Agim Ademi: Në fakt, nëse më lejohet pak të zgjerohem në këtë temë, unë do të thosha se kjo është një ndjenjë e tyre dhe këtë meritë ua lë prindërve të tyre, sepse ju e dini represionin që ka qenë të kosovarët dhe prindërit e tyre kanë ikur të gjithë po thuajse që e kanë lëshuar Kosovën, kanë ikur nga një represion jashtëzakonisht i tmerrshëm dhe me sakrificën më të madhe të mundshme, kanë ikur në Evropë dhe kur kanë arritur në Evropë, atje, në vend se ta sistemojnë veten, dhe para se ta sistemojnë veten, ka ndodhur që pjesa tjetër e familjes është dëbuar nga puna, siç dihet, dhe atyre përveç obligimit të sistemimit të vetes, iu ka shtuar edhe një obligim shtesë në solidaritetin që ne e kemi, për t’i mbajtur familjet tona këtu . Dhe, duke pasur parasysh këtë sakrificë që e kanë bërë, tash kanë arritur t’i rrisin fëmijët e tyre me ndjenjën patriotike që nuk kanë mundur t’ia japin atdheut ata dhe normalisht fëmijët e tyre po na bëjnë krenarë. Kjo është kënaqësia më e madhe. Ky është afrimi më i madh që mund t’ia bëjmë ne, thjeshtë që ta prezantojnë atdheun e baballarëve të tyre dhe aty ku i kanë rrënjët. Kjo është më e madhja.
Radio Evropa e Lirë: Ndërsa, po flasim për talentë të Kosovës në klube të ndryshme evropiane, çfarë po bëhet në Kosovë për ngritjen e kapaciteteve të futbollit në harmoni me standardet e UEFA dhe FIFA?
Agim Ademi: Në fakt ne e kemi bërë një strategji të cilën po e realizojmë dhe jemi duke ecur me standardet e UEFA –s. Kur them kështu, fillimisht kemi marrë masa, kemi bërë edukimin e trajnerëve, referëve, edukime të pafundme organizative. Po ashtu edukime në organet e klubeve, sekretarët, menaxherët e klubeve. Kemi hyrë në sistemin digjitalizimit. Dhe çka është më e rëndësishme, shumë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, por edhe ata që punojnë në vendin tonë, po investojnë jashtëzakonisht shumë në futboll.
Natyrisht duke pasur parasysh zhvillimin dhe edukimin e trajnerëve, kanë ardhur shumë trajnerë të licencuar, po ashtu edhe nëpër shkolla nuk lejohet që të ketë trajnerë të palicencuar, që nga baza e parë që merret në futbollin bazik. Në futbollin bazik që e quajmë ne, jemi të lidhur shumë ngushtë me UEFA-n. Po, bëjmë të pamundurën, tashmë kanë arritur rezultatet e para të dukshme, ku një ekip nga këto organizime U15, në një turnir të UEFA-s që është mbajtur në Shqipëri, ku kanë marrë pjesë tetë shtete të Ballkanit dhe Evropës, ky grup 15 vjeç ka zënë vendin e parë. Dhe dukshëm më të mirë janë treguar në lojën e futbollit, jo vetëm në rezultate.
Kështu gjithçka po bëhet që sa më shpejtë dhe sa më mirë të organizohemi bashkë me klubet që të ngritët niveli dhe cilësia e futbollit. Kështu që talent ka dhe falë qytetarëve që po investojnë në futboll, ngritja ekonomike sigurisht që ndikon edhe në rritjen e cilësisë, sepse futbollistit i mundësohet të ketë një pagë më të mirë dhe të ketë punë primare futbollin, që deri më tani nuk ka ndodhur në Kosovë, sepse futbollisti është dashur të ketë edhe një punë tjetër. Dhe nëse lojtari punon edhe një punë tjetër dhe shkon në stërvitje dhe lojë nuk mund të pritet qind për qindëshi. Ndërsa tash futbollistët e japin qind për qindëshin falë investimeve që bëhen dhe ne jemi një hap përpara për organizimin dhe tërheqjen e klubeve në organizime sa më të mira dhe sa më afër vendeve të Evropës.
Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të ndalemi tek infrastruktura. Çfarë mund të bëhet me investimet aktuale që terrenet e futbollit në Kosovë të jenë të standardeve të UEFA-s?
Agim Ademi: Ne UEFA na ka ndihmuar dhe na ndihmon gjithmonësepse kemi qenë mbrapa dhe jemi ende mbrapa në infrastrukturë, por kemi hasur në mirëkuptim edhe në komunat dhe me ministrinë. Ju e dini se i kemi përfunduar gjatë fusha stërvitore përveç dy stadiumeve që është dashur t’i kemi, gjithsesi për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare për faktin që ju e dini në mungesë të një stadium kemi zhvilluar ndeshje në Shkodër.
Tani është stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë kategoria katër dhe është stadiumi në Mitrovicë “Adem Jashari” i cili është kategoria e dytë. Tash po behët kategoria katër dhe ju e dini që është shpallur tenderi dhe është bërë projekti për stadiumin nacional për ndeshje nacionale.
Ndërsa, në aspektin e ndeshjeve lokale të ligës sonë, ne kemi bërë gjatë stadiume të cilat janë të parapara me 12 ekipet të Super Ligës që ta kenë edhe nga një stadium stërvitor të nivelit sintetik, për faktin se këtu kemi temperatura dhe stinë të ndryshme dhe është shumë e nevojshme. Gjashtë i kemi të përfunduara të nivelit më të mirë të mundshëm teknologjia e fundit e barti. Janë duke u punuar shumë mirë dhe pastaj kemi edhe gjashtë të tjera në proceduar të cilat janë në fillim e sipër.
Unë tash jam në komisioni hetrik pranë UEFA-s, atje jam zgjedhur dhe ky hetrik i ndan të gjitha mjetet e UEFA-s për infrastrukturë. Unë e kam bërë një projekt për mandatin tim katërvjeçar që të behën 100 fusha sintetike në Kosovë. Ato 100 fusha veç do të fillojnë dhe sigurisht që do të kemi edhe mirëkuptimin e komunave. Cila komunë e bën bazën, pra e gjenë tokën edhe e bën bazën për atë klub, ne do ta sigurojmë barin.
Sigurisht në këtë projekt do të futet edhe ministria e Sportit, pra do punojmë në të gjitha komunat, aty ku ka nevojë. Unë garantoj këtu se shumë shpejt gjatë këtij mandati nuk do të mungojë më baza e parë materiale siç është stadiumi, topi apo një fanellë që fëmijët që të mos mund të zhvillojë talentin e tij, pikërisht për këto gjëra elementare.
Radio Evropa e Lirë: Para pak kohësh kishte një përpjekje të Federatës së Serbisë që të organizonte një ndeshje zyrtare futbolli në Kosovë. Por, kjo u pengua. A është sqaruar çështja e organizimit të ndeshjeve në Kosovë edhe me organet e UEFA-s?
Agim Ademi: Kjo është e sqaruar në organet e UEFA-s, që në një territor apo në një shtet, të drejtën e organizimit të garave e ka vetëm Federata e Futbollit, e cila është e licencuar në UEFA dhe FIFA. Në Kosovë jemi ne Federatë e Futbollit të Kosovës dhe unë këtu i falënderoj organet tona të policisë, të cilat i kanë ndaluar, sepse tentimi ka qenë (të futen lojtarët)… do të thotë këtë më shumë e shoh si vendim politik sesa si vendim sportiv dhe natyrisht që është penguar dhe do të pengohen edhe më tej. Të gjitha klubet që janë të nacionaliteteve të tjera mund të marrin pjesë në ligat tona. Garat organizohen këtu dhe këtë e di edhe Serbia dhe Federata Serbe se nuk lejohet dhe nuk do të lejohet sigurisht as me rregullat e UEFA-s e as me ligjin e shtetit tonë, që një shtet tjetër të organizojë gara.
Biletat për Kampionatin Evropian në futboll, EURO 2020, për tifozët e përfaqësuesve të kualifikuara, janë në shitje nga e mërkura, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tifozët mund të aplikojnë për bileta që nga ora 13:00 sipas kohës të Evropës Qendrore të mërkurën në ueb-faqen e EURO 2020 “euro2020.com/tickets”.
Tifozët mund të aplikojnë për bileta deri më 18 dhjetor.
Në hapje të turneut, Turqia do të përballet me Italinë në Romë më 12 qershor, dhe do të udhëtojë për në Azerbajxhan për t’u përballur me Uellsin në 17 qershor dhe Zvicrën në 21 qershor në Baku.
Xherdan Shaqiri ka shënuar gol në rikthimin e tij titullar për herë të parë këtë sezon për Liverpoolin, në fitoren e të kuqve 4:2 kundër Evertonit në derbin e Merseyside.
Liverpooli e vazhdoi ecurinë e përkryer pa humbje në Premierligë, duke e regjistruar fitoren e 14-të nga 15 ndeshje deri tani, falë dy golave nga Divock Origi, një nga Sadio Mane, një nga Xherdan Shaqiri dhe një nga Georgino Wijnaldum, të mërkurën në Anfield, raporton Gazeta Express.
Anësorit shqiptar nga Gjilani, Shaqirit iu dha një mundësi e rrallë nga Jurgen Klopp këtë sezon dhe ai u përkujdes për ta shfrytëzuar atë në maksimum, duke shënuar një herë gjatë 90 minutave të plotë.
Në një sezon të vështirë, fillimisht duke u lënë në stol nga trajneri gjerman, e më vonë për shkak të lëndimit të gjatë dymujor, Shaqiri e gëzon startin e parë në një ndeshje të Liverpoolit këtë sezon.
28-vjeçari që deri sonte i kishte luajtur vetëm 25 minuta lojë në katër paraqitje për të kuqtë, vuante nga pulpa e këmbës.
Liverpooli tani grumbullon 43 nga 45 pikë të mundshme pas 14 javëve në Premierligë, duke e ruajtur epërsinë prej tetë pikëve ndaj ndjekësit të parë në krye, Leicester City.
Evertoni, ndërkohë, pësoi për herë të dytë radhazi në ligë dhe tani ngel në pozitën e 18-të, me vetëm 14 pikë, dhe i duhet të luftojë për mbijetesë.
Tërmeti që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit, ka lënë pasoja të rënda. Kjo ka bërë që shumë njerëz dhe vende të solidarizohen, duke dhënë kontributin e tyre sado të vogël për Shqipërinë.
Një ndër ta është dhe Xhani De Biazi, ish-trajneri i Kombëtares, që nuk e ka harruar ende vendin tonë.
Pas tërmetit ai dha një mesazh për popullin tonë, por duket se italiani nuk do të ndalet me kaq dhe do të bëjë një organizim në Itali, për mbledhje fondesh, të cilat do të nisen drejt Shqipërisë, për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti.
Ishte vet trajneri, që përmes një postimi në rrjetet sociale, i bën thirrje njerëzve të ndihmojnë sipas mundësive.
Në Shtetet e Bashkuara ndodhet ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana. Ai erdhi në ShBA ditën kur Shqipëria u godit nga tërmeti që shkaktoi shumë vdekje. Tragjedia i ndryshoi misionin në Amerikë. Në vizitën që kishte planifkikuar të festonte për 107 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ai po grumbullon fonde për të ndihmuar të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore. Në Detroit, gazetari i Zërit të Amerikës, Burim Goxhuli bisedoi me futbollistin, i cili ndër të tjera porositi shqiptarët që të jenë po të bashkuar kurdo dhe kudo që ndodhen.
Ish futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana, e kishte planifikuar ndryshe vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara.
Por pas tërmetit në Shqipëri, qëllimi i vizitës së tij ndryshoi.
“Sigurisht ka pasur anulime të mbrëmjeve, por shoqatat kryesore kanë vazhduar të mbledhin njerëzit me të njëjtin simbol dhe flamur, jo më në formë gëzimi për të festuar, por në formë mbështjeje. Dhe besoj ka qenë mënyra e duhur”, tha Lorik Cana për Zërin e Amerikës.
Të pranishmit në mbrëmjet shqiptare, iu përgjigjen thirrjeve të tij për të ndihmuar financiarisht të prekurit e tërmetit.
“Kemi mbledhur më duket diku rreth 50-60 mijë dollarë, vetëm në mbrëmjen e parë. Dhe ne i kemi inkurajuar njerëzit që të vazhdojnë dhe të japin donacione në këto ditë dhe në javët në vijim aq sa munden”, tha ai.
Futbollisti Cana u bën thirrje të gjithë grumbulluesve të donacioneve, që të kenë shumë kujdes në menaxhimin e tyre.
“Duhet t’ua çojmë amanetin deri në fund sepse në fund të fundit është një detyrë morale, është një detyrë shpirtërore dhe nuk luhet me momente të tilla”.
Ai nuk beson se do të abuzohet me mjetet e grumbulluara, por preferon që të sigurohet se ato do të përfundojnë në duar të nevojtarëve.
“Ne me fondacionin dhe me shoqatat këtu në Amerikë do evidentojmë shtëpi, ose do të evidentojmë shkollë ose kopsht që do të ketë nevojë për rindërtim dhe do t’a bëjmë drejtëpërdrejtë me fondacionin tim”.
Ylli i kombëtares shqiptare në futboll thotë se populli shqiptar duhet të nxjerrë mësime nga kjo tragjedi.
“Unë jam shumë i bindur që do i ndihmojmë njerëzit, do t’i rindërtojmë dhe do të ringrihemi. Në momente të vështira e kemi dëshmuar këtë. Kemi ruajtur identitetin dhe gjuhën tonë. Problemi tek ne shqiptarët qëndron tek momenti kur gjendja qetësohet, rikthehet një llojë normaliteti. Gjithë fokusi për të ndërtuar shoqërinë tonë mbarë-kombëtare, humbet, sepse atëherë ne fillojmë të mendojmë vetëm si individ, vetëm si grupacione dhe vetëm si parti politike”, tha Cana për Zërin e Amerikës.
Mesazhi i tij në këtë intervistë për Zërin e Amerikës është që fryma bashkëpunuese të shoqërojë shqiptarët, kurdo dhe kudo që ndodhen.
“Dashuria për vendin, dashuria për të ndërtuar një shoqëri, dashuria për të investuar tek gjeneratat që do të vijnë, nuk është diçka e cila fiket dhe ndizet. Është sikur besimi ndaj Zotit. Besimit ndaj Zotit nuk mund t’i kthehemi vetëm kur gjendja është e vështirë, kur jemi të sëmurë, kur kemi fëmijë të sëmurë, kur ndodh një tragjedi, kur humbim një person. Besimi ndaj Zotit është për çdo ditë. Duhet të falenderojmë zotin çdo ditë, duhet të besojmë Zotin çdo ditë, atdhedashuria është njësoj. Ne nuk mund të ndezim pjesën e atdhedashurisë vetëm në momentin e tragjedisë, sepse në shumë raste ajo që na çon deri në këto ngjarje është pikërisht sepse gjatë rrugës nuk i bëjmë gjërat e duhura”, tha ai gjatë vizitës së tij në Michigan.
Ashtu sikur Lorik Cana, edhe personalitete tjera të njohura të sportit e kulturës kontribuan për grumbullimin e fondeve për të prekurit e tërmetit.
Kosovare Asllani ishte e nominuar për Topin e Artë në konkurrencën e femrave. Ajo nuk e harroi shqiponjën dykrenore as në gala mbrëmjen e mbajtur mbrëmë në Paris, duke treguar se është shqiptare, përkundër faktit se e përfaqëson Suedinë
Kosovare Asllani nuk e ka fshehur asnjëherë prejardhjen e saj, shkruan Gazeta Express.
Edhe pse është lindur dhe rritur në Suedi, vend të cilin e përfaqëson edhe në futboll, futbollistja kosovare sa herë që i jepet rasti e konfirmon prejardhjen e saj shqiptare.
Një gjë të tillë, ajo e bëri edhe në gala mbrëmjen e Parisit, ku ishte prezente mbrëmë në ndarjen e çmimit Topi i Artë.
Ajo u rendit në pozitën e 16-të pas një viti fantastik, ku e fitoi medaljen e bronztë me Suedinë në Kampionat Botëror dhe më pas u transferua në Real Madrid.
Por Kosovarja ishte protagoniste me veprimin e saj: ajo e formoi shqiponjën dykrenore, simbol i shqiptarëve, duke e konfirmuar dashurinë për vendin e prindërve të saj.
“Gjithmonë me mu”, ka shkruar Asllani në rrjetet sociale, duke menduar për shqiponjën, të cilën e përcjellë me një figurë zemër.
Leo Mesi është fituesi i “Topit të Artë” 2019! Ashtu sikundër pritej, ylli i Barcelonës i ka lënë pas shpine të gjithë për herën e gjashtë, duke u bërë dhe lojtari më i vlerësuar me trofeun me të çmuar për individë.
Pas shpinës së tij qëndron Ronaldo me 5 trofe, por portugezi kishte braktisur ceremoninë, pasi ishte prezent në atë që jep Shoqata e Futbollistëve në Itali, duke i dhënë trofeun si lojtari më i mirë në Serinë A.
I dyti u rendit Virxhin Van Dajk, i treti Kristiano Ronaldo dhe i katërti Sadio Mane!
Presidenti i klubit basketbollistik Mornar nga Tivari i Malit të Zi, Djordje Paviçeviç, thuhet se ka dhuruar një shifër të majme për viktimat e tërmetit në Shqipëri.
Lëkundjet e tokës në Durrës dhe rrethinë kanë shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. Deri më tani raportohet se janë 47 persona të vdekur dhe mbi 650 të lënduar.
Pas kësaj katastrofe vendet fqinje kanë dhuruar ndihma të mëdha.
Nga Mali i Zi raportohet se ka ardhur një donacion i madh prej biznesmenit, Djordje Pavicevic.
Në faqen e Instagramit “Basketboll pa Kufij”, kanë dalur informacione se njeriu i parë i klubit të basketbollit Mornar ka vendosur të dhurojë dy milionë euro për të ndihmuar Republikën e Shqipërisë.
Paviçeviç njihet si filantrop i madh dhe humanist. Muajin e kaluar ai ka ndërtuar një terren sportiv për fëmijë në qytetin e Tivarit në Mal të Zi.
Gjendja e jashtëzakonshme në Shqipëri, ku raportohen për disa të vdekur dhe qindra të lënduar nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin tonë në orët e para të mëngjesit, ka bërë bashkë futbollistët shqiptarë kudo që ndodhen.
Nga ish kapiteni Lorik Cana dhe deri tek dy futbollistët nga Kosova, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, të gjithë kanë shprehur solidaritetin e tyre me familjet e prekura. Ky është një moment shumë i vështirë për Shqipërinë, një moment ku çdo lutje çdo mendim shkon për familjet e prekura nga kjo tragjedi. (BalkanWeb)
Tragjedia natyrore që ka tronditur Shqipërinë pas tërmeteve të fortë gjatë orëve të para të mëngjesit të së martës ka mobilizuar grupimet e tifozerive brenda dhe jashtë kufijve.
“Tifozat Kuq e Zi” kanë njoftuar ngritjen e një fondi për të ndihmuar familjet e godituta nga tërmeti, teksa janë vendosur në dispozicion të autoriteteve për çdo ndihmë vullnetare.
Janë solidarizuar edhe grupimet e tifozerisë nga Kosova.
“Plisat” dhe grupimi zyrtar i kombëtares kosovare “Dardanët” gjithashtu shprehin dhimbjen dhe ofrojnë ndihmën e tyre. (balkanweb)
Boksieri amerikan Deontay Wilder ka mbrojtur titullin e kampionit në peshë të rëndë në kuadër të Këshillit Botëror të Boksit (WBC) duke nokautuar kubanezin Luis Ortiz, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ndeshjen e zhvilluar në MGM Grand Garden Arena në Las Vegas, 34-vjeçari Wilder nokautoi kundërshtarin e tij në raundin e shtatë.
Wilder mbrojti titullin e kampionit për herë të dhjetë dhe në këtë mënyrë la mbrapa boksierët e famshëm Mike Tyson, Lennox Lewis dhe Joe Frazier, të cilët kanë mbrojtur titullin nga nëntë herë, dhe barazoi rekordin me legjendën e boksit Muhammad Ali.
Rekordin për më së shumti mbrojtje të titullit e mban boksieri amerikan Joe Luis me 25 herë. Pas tij radhiten amerikani Larry Holmes me 20 ndeshje dhe ukrainasi Wladimir Klitschko me 18 ndeshje.
Wilder ngelet i pamposhtur në karrierën e tij. Nga 43 ndeshje, ai ka 42 fitore, prej të cilave 41 me nokaut, dhe një barazim.
Pas shkëputjes së energjisë, tifozët kanë lëshuar thirrje kundër kryeministrit Rama, duke thërritur: Rama ik!
Nuk është hera e parë që tifozët thërrasin kundër kryeministrit Rama gjatë në stadium. Thirrje të tilla ndodhën edhe në ndeshjen mes Shqipërisë e Francës, në stadiumin e ri “Air Albania Stadium”.
Sërish thirrje “Rama ik” në stadiumet shqiptare. Pas rastit në ceremoninë e inaugurimit të stadiumit kombëtar “Air Albania”, thirrjet janë përsëritur edhe në ndeshjen e djeshme në Korçë mes Skënderbeut dhe Tiranës.
Megjithëse të paktë, tifozët dëgjohen teksa bërtasin në kor “Rama ik” për disa çaste në pjesën e dytë të sfidës.
Ndeshja përfundoi 2 me 1 për Skënderbeun, i cili ngjitet në kuotën e 20 pikëve dhe kap Bylisin në vendin e tretë, duke lënë pas shpine Tiranën me 19 pikë.
Komentet