VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Iku në PARAJSË POETI – In memoriam, ZOI PALI DASHI – Poezi nga PËRPARIM HYSI

By | December 20, 2018

Komentet

Më 14 gusht 1983 u nda nga jeta Musine Kokalari, veprimtare politike dhe shkrimtare e shquar disidente shqiptare

Ditëlindja: 10 shkurt, 1917
Vendlindja: Adanë, Perandoria Osmane
Ditëvdekja: 14 gusht, 1983
Vendvdekja: Rrëshen, Republika Popullore e Shqipërisë
Kombësia: Shqiptare
Edukimi: Universiteti i Romës, Fakulteti i Letërsisë dhe Filozofisë
Zhanri: memuaristikë
Vepra të shquara: Siç më thotë nënua plakë, Nënua në Romë

Musine Kokalari (Adanë, 10 shkurt 1917 – Rrëshen, 14 gusht 1983) ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit XX. Së bashku me Selfixhe Ciun dhe Jolanda Kodrën ka qenë ndër shkrimtaret e para në Shqipëri.

Biografia

Lindi në Adana në Turqinë Jugore, në gjirin e një familjeje gjirokastrite. Më 1920 u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, ku nisi shkollën fillore në Gjirokastër. Familja e saj u vendos në Tiranë nëntë vite pasi u rikthyen në atdhe. Vëllai i saj, Vejsimi, kishte një librari në kryeqytet në mesin e viteve ’30.[1]

Më 1937 mbaroi Institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin.[1]

Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të të tjerë, themeloi më Partinë Socialdemokrate.[2] Më 12 nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari.

Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pasë qenë themeluese e partisë Social-Demokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë” u arrestua më 17 janar 1946 dhe më 2 korrik të po atij viti u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.

Pak përpara arrestit i dërgoi një letër Aleatëve, të cilët ende ishin në Tiranë. Në letrën e saj kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes. Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim:

“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund ti persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”

Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare[1] dhe 11 vjet[3] në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983.[4]

Më 1991 familjarët e saj e zhvarrosën, tani e ka varrin në Shish-Tufinë.[4]

Vepra

Vepra e saj e parë, “Siç më thotë nënua plakë” botuar në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, më korrik të vitit 1940, ishte në fakt një hartim i bërë në klasat e larta të Institutit Femnor. Pasi u botua u përcoll nga një kritikë prej Lasgush Poradecit më 30 të atij muaji.[5]

Mirënjohje

Musine Kokalari ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur që u regjistruan në vitin 1960 nga Komiteti i Treshit (pararendës i Klubit PEN).

Në 1993, Kokalari u shpall pas vdekjes “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha dhe një shkollë në Tiranë tani mban emrin e saj.[6]

Tituj të veprave

Seç më thotë nëna plakë, Tiranë, Bota e re, 1940.
Rreth vatrës – 1944
Sa u tund jeta – 1945
Vepra vëllimi i parë – 2009

Njohje
Referencat

^ a b c Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997.
^ Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. f. 26. 978-9928-168-12-2.
^ Musine Kokalari (1972), Tmerrësisht e vështirë jeta e punëtorit në socializëm, Shqiptarja.com, 6 shkurt 2018.
^ a b Ndue Dedaj (2015), Musine Kokalari, gruaja e parë e letrave shqipe, mapo.al, 7 shkurt 2015.
^ Musine Kokalari në letrat me Lasgushin: I çmoj kritikët e mi…, Shqiptarja.com, 7 shkurt 2017.
^ “1960: Musine Kokalari”. International Pen. Arkivuar nga origjinali më 28 mars 2010.

Më 14 gusht 1946 lindi shkrimtarja e shquar shqiptare Zhuliana Jorganxhi

Zhuliana Jorganxhi lindi në Korçë më 14 gusht 1946, është shkrimtare shqiptare.

Biografia

Zhuliana Jorganxhi lindi në qytetin e Korçës në vitin 1946, në një familje me tradita muzikore. Është një nga katër fëmijët e këngëtarit veteran “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, që për 65 vjet këndoi pa rreshtur si solist dhe në grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare “LIRA”.

Mësimet e para dhe ato të mesme i mbaroi në qytetin e lindjes më 1964. Më vonë ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës ,në fakultetin Histori-Filologji dhe krahas tij ndoqi pranë Fakultetit të Shkencave Juridike, kursin dyvjeçar të gazetarisë, duke u diplomuar njëkohësisht si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollën e mesme dhe si gazetare.

Me njëherë mbas mbarimit të studimeve ka punuar për gjashtë vjet si gazetare në revistën “Shqiptarja e Re” dhe nga viti 1975 si redaktore letrare dhe poete e këngës në redaksinë e krijimtarisë dhe inçizimeve muzikore pranë Radiotelevizionit shqiptar. Aktivitetin e saj letrar e ka filluar në moshë të njomë dhe që prej moshës 17 vjeçare, poezitë e saj shohin dritën e botimit në gazeta dhe revista si “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “nëntori” dhe “Les lettres albanaise” etj.

Ka botuar libra me poezi si “Net provimesh”(1969), “Rritje”(1971) ,”Lule në pemën e lirisë” (1982) dhe vëllimin me tregime për fëmijë “Fëmijët e teto Nastës”(1975). Ka marrë pjesë në konkurse letrare kombëtare dhe ka fituar dy herë çmimin e dytë dhe të tretë për poemat e saj.

Por aktivitetin e saj më të madh, krahas poezisë dhe tregimit, e ka zhvilluar mbas vitit 1974 në gjininë e tekstit poetik të këngës.

Është autore e qindra teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në Rtvsh dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e Rtvsh si ai “Kur vjen pranvera”, “Këngët e stinës”, dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Është fituese e gjashtë çmimeve të para dhe shumë të tjera.

Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Hollandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni. Në vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në Rtvsh më 2001, ju dha “Çmimi i Karrierës”.

Ndër tekstet poetike të këngës mund të përmendim: “Jon”, “Se kënduam Let it bi”, “Jeto dhe jetën time”,”Bashkëmoshatarët”, “Në duart e nënës”, “Jemi emri i vet jetës”, “Kthehu për vete, për mua!” , “Ne, bijtë e lirisë” ( me këtë të fundit, në dhjetor të ‘ 90-tës, hapeshin dhe mbylleshin manifestimet e studentëve në sheshin, sot të quajtur “Demokracia”). Sot Zhuliana Jorganxhi jeton jashtë Atdheut në qytetin e Triestes të Italisë, por asnjë çast nuk ka ndërprerë lidhjet e saj artistike me vëndin e saj. Ajo ka marrë pjesë me tekstet e saj poetike në Festivalin e këngës triestine , si dhe bashkëpunon me kompozitorët dhe këngëtarët e vendit të saj nëpër festivale dhe për albumet e tyre muzikore. Wikipedia

Më 14 gusht 1994 u nda nga jeta shkrimtari nobelist Elias Canetti

VOAL – Elias Canetti ka lindur më 25 korrik 1905 në Ruscuk, Bullgari, nga një familje sefardike që fliste spanjishten e shekullit të pesëmbëdhjetë. Pas vdekjes së babait të tij, ai dhe dy vëllezërit e tij e ndoqën nënën e tij në qytete të ndryshme në Evropë: Zyrih, Frankfurt, Vienë.

Në vitin 1938, pas Anschluss, ai emigroi në Londër, qëndroi atje deri në 1971, kur vendosi të kthehej për të jetuar në Zyrih, “parajsën e humbur” të adoleshencës së tij, ku vdiq më 14 gusht 1994.

Gjatë rinisë, marrëdhëniet dhe udhëtimet ndihmojnë në formësimin e të menduarit të tij, theksojnë shpirtin e tij, e hapin atë në botë, si dhe e bëjnë atë të vetëdijshëm për rolin e njohurive si motori i lirisë.

Në vitin 1931, dy vjet përpara ardhjes së Adolf Hitlerit në pushtet, ai hyri në skenën letrare me “Autodafè” mahnitëse, romanin e tij të parë dhe të vetëm, përshkuar nga fryma melankolike dhe aftësia për të eksploruar tërësisht thellësitë e vetmisë, çka është tema qendrore e librit. Protagonisti është një intelektual që digjet metaforikisht nga djegia e njëqind mijë vëllimeve të tij, një armiqësi e pashmangshme e botës së ideve ndaj realitetit, ndëshkimi për njeriun që zgjedh të jetë “i gjithi kokë dhe aspak trup”: intelektualisht pikërisht.

Por fokusi i romanit është gjithashtu një parashikim i qartë, i preokupuar dhe vizionar alegorik i totalitarizmit, një paralajmërim i vetë-shkatërrimit të arsyes perëndimore.

Në nivelin ekspresiv, në vend të kësaj, nuk ka ilustrim më të mirë të asaj “gjuhe të shpëtuar” të përfaqësuar nga gjermanishtja, një gjuhë që ia kishte mësuar nëna e tij nga dashuria ndaj Vjenës perandorake dhe që për të përfaqësonte qendrën e kulturës evropiane dhe që Canetti do të përpiqet ta ringjallë në dritën e “shpërfytyrimit” të njëjtë që ai tha se ishte operuar me kalimin e kohës.

Vepër e madhe është edhe “Masa dhe pushteti” (1960), një ese mbi psikologjinë e kontrollit social, në këtë aspekt shumë e ngjashme, madje edhe në tridhjetë e pesë vjet ndryshimesh, për disa tema të “Autodafe”.

Vlen të përmendet edhe autobiografia e jashtëzakonshme, një nga dokumentet më intensive të shekullit të njëzetë, i cili u nda në disa vëllime (“Gjuha e shpëtuar”, “Fytyra e zjarrit” dhe “Shfaqja e syve”) krijuar midis viteve 1977 dhe 1985, e bëjnë atë përfundimisht si një nga zërat më të lartë të letërsisë të të gjitha kohërave.

Juria e Stokholmit e kupton atë dhe në vitin 1981 ata i caktojnë atij çmimin më të merituar, çmimin Nobel për letërsinë.

Duke marrë çmimin, në fjalimin e tij falënderues ai tregon si “territorin” e tij Evropën e katër shkrimtarëve gjermanë që kanë jetuar në Austri të së kaluarës: Karl Kraus, Franz Kafka, Robert Musil dhe Hermann Broch, ndaj të cilëve ndihet borxhli, si dhe gjithë traditës së Vienës. Ai gjithashtu do të pranojë haptazi se pasioni për lexim, shija për tragjeditë greke dhe autorët e mëdhenj të letërsisë evropiane kishin një ndikim vendimtar në punën e tij./Elida Buçpapaj

Qetësi shtrigore-shtriganësh Poezi nga Elida Buçpapaj

qetësi e gjatë
e gjërë
rrethore
katrore
hipotenuzë
pitagorike
konike
honike

qetësi
gojëqepur
e belbur
e qelbur
ujëndenjur
moçalore
pa ngjyrē
lëtyrë

qetësi
shtrigore
shtriganësh
katranësh
të belbët
të qelbët
moçalues
kutërbues
të djerrët
të tharë
pa farë

Orwell dhe ne – Esé nga Marco Alloni – Përktheu Skënder Buçpapaj

Një nga klishetë më kokëforta që shoqërojnë kohërat tona është ajo sipas së cilës “Orwell e kishte parashikuar në mënyrë të përkryer”. Çfarë është ajo, nuk ia vlen të hetosh. Herë pas here është vëzhgimi policor i shteteve diktatoriale ose fallco-demokratike, mbyllja e gojës që i imponohet sistematikisht shtypit të pabindur, nënshtrimi i proletariatit ndaj modeleve të errëta dhe jodemokratike të Partisë, fundi i socializmit si një projekt humanitar etj.

Sigurisht që nuk ka asgjë si romani 1984 për t’i nxitur lexuesit (madje edhe secilin që nuk e ka lexuar librin në fjalë) të flasë për “letërsinë profetike”, “vështrimin profetik”, “aftësinë parashikuese” dhe “intuitivizmin gjenial”.

Por 1984 është shumë më tepër një libër autentik sesa është një libër profetik. Meqenëse nuk pret një parashikim të shkëlqyeshëm të së ardhmes, në fund të fundit është një aftësi brilante për të vëzhguar në të tashmen – në çdo moment të çdo epoke – cila është prirja themelore e pushtetit: të mposhtësh, të sundosh, të burgosësh, të nënshtrosh.

Kushdo që dëshiron të shpëtojë nga një lexim historik i kryeveprës së Orwell-it, pra, menjëherë e kupton se është një sistem i tërë mendimi, ne pothuajse do të donim të thonim një antropologji, e cila kurrë nuk ka pushuar së qeni identike me vetveten: sipas së cilës njerëzimi është i ndarë, në mënyrë të pashpjegueshme dhe hierarkike, në sovranë dhe viktima dhe në fitues dhe humbës. Dhe se një ndarje e tillë – midis tjetërsuesve dhe atyre të tjetërsuar – është larg nga përfshirja në vetëm Socing (ose në “Newspeak” vetëm Socializëm Anglez) ose ndonjë formë tjetër e ardhshme e socializmit ose statizmit patologjik: përcaktim duke investuar ndonjë formë të pushtetit në çdo gjerësi dhe në çdo kohë historike.

Fuqia parashikuese e Orwell-it është, le ta përsërisim, një fuqi e kulluar dhe e thjeshtë e shikimit: e cila në fushën narrative përkon me fuqinë e një vështrimi autentik.

Atëherë, cili është origjinaliteti në letërsi? Padyshim jo aftësia e thjeshtë, përfundimisht shumë e përhapur, për të hamendur koordinatat e së ardhmes, por ajo e të shkuarit në rrënjë të çdo tundimi për të lexuar ekzistuesen sipas të njëjtave kategori të ekzistueses. Një aftësi që është aq më e vërtetë – dhe sa më shumë i referohet origjinalitetit – aq më thellë arrin të fokusojë tëhuajtjen (atë që Brecht, në mënyrë ndoshta shumë didaktike, e quante Verfremdung).

Personazhet e vitit 1984, duke filluar nga protagonisti Winston, nuk janë atëherë specie të thjeshta të një karikature profetike të kohës sonë: ato janë anasjella dhe para së gjithash ajo që ne të gjithë jemi tashmë, ne kemi qenë qëkur, kemi qenë gjithmonë, nëse vetëm duam ta njohim atë përtej tjetërsimit tonë: përbindësha pa vetëdije. Dhe jo vetëm atje ku dikush dëshiron të lexojë përbidshmërinë e lindur, instiktive të dikujt në pushtet, por ku dikush e di se i përbindshëm është vetë viktimizmi dhe vetë begenisja ndaj pushtetit.

Këtë, pra, Orwell ndoshta dëshironte ta vinte në pah. Jo shktja e mundshme autoritare e çdo regjimi që pretendon se bazohet në pastërtinë e Partisë dhe pakundërshtueshmërinë e saj. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë qysh para ardhjes së romanit 1984, aq sa ishin edhe “e djathta” dhe “e majta” tradicionale ato që e tërhoqën nga xhaketa Orwellin për ta bërë atë një aleat ose antagonist herë pas here. Jo, ajo që në thellësi të veprës së tij madhore dëshiron të stigmatizojë është se në marrëdhëniet e tyre me pushtetin (sinenkdokisht me Partinë) “proleti” dhe “Big Brother” janë dy anët e së njëjtës monedhë, atë të nënshtrimit ndaj vetë pushtetit: qoftë ajo nënshtrim ndaj sugjerimeve të tij për komandim ose nënshtrim ndaj verbit të tij nën petkun e të dominuarve.

Me pak fjalë, përbindëshi është antropologjik, nuk është historik. Përbindëshi është paaftësia jonë mijëvjecare, e pathyeshme, e padepërtueshme për të organizuar jetën tonë – qoftë individuale, qoftë kolektive, private apo politike – më shumë sesa në logjikën e pushtetit. Dhe kjo, duke folur antropologjikisht, është shenja më e gabuar e njerëzimit tonë ose më e vërteta e çnjerëzimit tonë.

TE VARRI I TIM VËLLAI – Poezi nga JORGO BLLACI

 

E di që më ke pritur, vëlla,
E mbase dhe ke thënë me vete:
“Po ky njeri pse s’bëhet gjallë? Ç’ka,
Që thuajse një jetë
Nuk vjen këtu së paku për t’u çmallur?”.

I shtrenjti im!
Në këtë kënd të qetë
Ku s’fishket lulja e moshës,
Gjashtëmbëdhjetë vjeç ke mbetur ti,
Po mua nuk m’u nda stuhi’ e kohës,
Më la pa fletë që filiz të ri.
Aq sa përpara kohe krejt jam thinjur.
Ndaj në s’kam ardhur deri sot, besomë,
S’kam dashur që me lotin tim të hidhur
Të ta helmoja shpirtin tënd të njomë.
Se ty të mori plumbi armik, po mua
M’i nxinë ditët mizorisht ata
Që më të shtrenjtat, ëndërrat e tua,
Ti amanet ua le, o im vëlla!

Po sot s’kam ardhur të të qaj,
As të t’ankohem për kalvarin tim.
Një tjetër brengë kam që s’di me kë ta ndaj
Në këtë mot zhgënjimesh pa mbarim!
Se s’më kish vajtur nëpër mendje kurrë
T’arrinte marrëzia gjer këtu,
Sa me kurora lulesh e flamurë
Të rivarrosen vrasësit e tu
Edhe të mijëra djem e vajza që si ti
Atdheun duke vënë përjetësisht mbi veten,
N’altarin e lirisë bënë fli
Atë ç’ka patën më të shtrenjtën, jetën!

Oh, kur mendoj se ajo turmë e çmendur
Mund të të shkelë edhe ty mbi varr,
Vëlla, më ngjethet mishtë e s’më mban vendi,
Ndaj erdha të të marr.
Dhe meqë te kjo tokë që e pandehëm mëmë,
Që ti i fale gjakun, unë shpirtin tim,
Të afërmit e varfër s’arritën të na lënë
Asnjë pëllëmbë truall trashëgim,
Do të të gjej një kënd mes këngëve të mia,
Të prehesh në qetësi,
Larg britmave t’atyre që u ka hyrë babëzia
Ta lënë këtë vend pa histori!

Jeta dhe vepra e poetit dhe përkthyesit të shquar Jorgo Bllaci

Jorgo Bllaci, (lindur më 10 tetor 1938 në fshatin Karjan afër Gjirokastrës, vdiq më 28 shtator 2001 në Moskë) – poeti shqiptar, përkthyes i poezisë ruse dhe një i burgosur i ndërgjegjes. Për përkthimet e tij nga letërsia ruse, Bllaci është dekoruar më 1993 nga ish-presidenti Boris Jelcin me dekoratën e lartë të «Urdhërit të Miqësisë».

Biografia

Kreu fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, më pas punoi si mësues. Në vitet ’50 u dënua me dhjetë vjet burg, për shkak të bindjeve politike. Pas daljes nga burgu, më 1964-1967 Bllaci u detyrua të punojë si punëtor ndërtimi.

Më 1990 u kthye përsëri në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Pas vdekjes u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.[2]

Pas vdekjes, më 2004 ai u nderua me titullin Mjeshtër i Madh.

Veprat

  • Ligjërimet e Pyllit, lirika, Tiranë: Naim Frashëri, 1964.
  • Epika e Trëndafilave, poezi, Tiranë: Naim Frashëri, 1990.
  • Zërat e natës, poezi, Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1993.
  • Kuja e violinës, poezi të zgjedhura, Tiranë, 2007.

Përkthime

  • Sergej A. Esenin, Vjersha dhe poema të zgjedhura, Tiranë: Monroe, 1994. ribot. Bllaci, 1996.
  • Ivan S. Turgenev, Ujrat pranverore: Rudini, Tiranë: Naim Frashëri, 1996.
  • A. S. Pushkin, Vjersha dhe poema, Tiranë: Naim Frashëri, 1997.
  • Hajnrih Hajne, U hodha – dhe u zgjova shpejt; Lermonov, Goethe, Kitsi, etj.

Referimet

  1. ^ Brenner-Wilczek, Sabrine, red. (2017). “Heine-Jahrbuch”. Springer-Verlag. ISBN 9783476045140.
  2. ^ Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist I (A-Ç). Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2012. f. 189. ISBN 978-9928-168-01-6.

Jeta dhe vepra e poetit të shquar shqiptar Fahredin Gunga

Fahredin Gunga poet shqiptar, lindi në Mitrovicë më 1936. Ai ishte njëri nga poetët më të shquar të poezisë bashkëkohore shqiptare nga Kosova, të brezit që u shfaq nga fundi i viteve të ’50-të dhe brenda viteve  ’60-të. U nda nga jeta më 1 prill 1997.

Entusiazmi karakteristik i poezisë së Kosovës të viteve gjashtëdhjetë mund të shihet në veprat e hershme të Fahredin Gunga. Krijimtaria e tij ka treguar që ai është një poet i kërkimit, megjithëse nganjëherë ka ide mjegulluese, simbolikë abstrakte dhe metafora të habitshme të cilat shpesh marrin një kthesë të papritur surrealiste.

Biografia

Shkollen fillore dhe gjimnazin e kreu në vendlindje, kurse fakultetin filozofik, grupin e albanologjise, në Beograd. Karieren e filloj si pedagon në gjimnazin e Mitrovicës. Më pas punoi si redaktor në gazetën Rilindja dhe në shtëpinë botuese të Prishtinës, si kryeredaktor i televizionit të Prishtinës.

Fahredin Gunga është autori i nëntë koleksioneve me poezi nga viti 1961 deri në 1996. Vjershën e parë e botoi në vitin 1954, në revisten Jeta e Re. Më pas firma e potetit ndeshët gjithnjë e më shpesh, në faqet e shtypit të Prishtinës dhe Shkupit. Në vitin 1961 doli në dritë përmbledhja e parë poetike e Fahredin Gungës.

VEPRAT POETIKE

  • Pëshpëritjete mengjesit
  • Mallkimet e fjetuna
  • Kepi i shpresës së mirë
  • Psallmet e ngurta
  • Nokturnë për Orkiden
  • Mallkimet e zgjuan
  • Shtrezet e fatësimit

Produksionet

  • 1982 Qesh e ngjesh (Filmi TV) (producent)
  • 1981 Tre vetë kapërcejn malin (Filmi TV) (producent)
  • 1980 E gjithë jeta për një ditë (Filmi TV) (producent mbikëqyrës)
  • 1980 Fidani (TV i shkurtër) (producent)
  • 1980 Gjatë javës në TV (Seritë TV) (producent mbikëqyrës)
  • 1979 Era e Lisi (Mini-Series TV) (producent mbikëqyrëse)
  • 1979 Tito në Kosovë (Dokumentar i shkurtër TV) (producent)
  • 1978 Bujku (Dokumentar i Shkurtër TV) (producent mbikëqyrës)
  • 1978 Epoka para gjyqit (Filmi TV) (producent mbikëqyrës)
  • 1978 Rropullari (Filmi TV) (producent)
  • 1977 E kafshoja terrin (Filmi TV) (producent)
  • 1976 Gëzuar vitin e ri (Filmi TV) (producent)
  • 1976 Mekanizimi në bujqësin Kosovare (Dokumentar i Filmit TV) (producent)
  • 1976 Operacioni i kanaleve të rajonit (Dokumentar i shkurtër TV) (producent)
  • 1976 Piktori Muslim Mulliqi (Dokumentar i shkurtër TV) (producent)
  • 1975 Ditari i Lec pazhecit (Mini-Series TV) (producent)
  • 1975 Pehlivanët (Dokumentar i Shkurtër TV) (producent)
  • 1975 Tito në Kosovë (Dokumentar i shkurtër i TV) (producent)
  • 1974 Festat e majit (Short TV) (prodhues)
  • 1974 Por (Filmi TV) (producent ekzekutiv)

POEZIA, SI VEPËR ARTI, PA SHPJEGIM (përsiatje mbi artin e mistershëm të Natasha Lakos) Nga Raimonda Belli Gjençaj

 

Karantina ishte një kohë, pa kohë, që askush nuk e deshi as në përfytyrimet e veta më të shfrenuara. Ishte si një linçim i jetës së secilit prej nesh; i të drejtave tona, për të gëzuar stinën, kur natyra dhe njeriu presin të rilindin. Por, as hakun nuk duhet t’ia hamë atij burgu të pangjashëm me asnjë tjetër, sepse u gjendëm befas të lidhur me vargonjtë e kulturës, mes librave, që zumë t’ua shkundim pluhurin ditë pas dite. Dhe duket si absurde ta thuash, por karantina na kujtoi se ishte edhe një botë tjetër, përtej asaj poterexhies shurdhuese. Ishte ajo magjia e librave, mes të cilëve kishim kaluar një pjesë të madhe të jetës, dhe të cilët, jo se i kishim harruar. Një dashuri me librat nuk të lëshon dhe nuk e lëshon kurrë, kur e ke provuar. Ne kuptuam se kohën e kishim pasur me kët. Ndaj dilnim rrallë në takime me librin. Ndoshta edhe për një motiv tjetër. Të vyer sa më s’ka. Siç është platforma e FB, që na dha mundësinë, brenda robërisë sonë fizike, të mos e ndjejmë larg njeri-tjetrin. Në atë robëri të paqtë, si në një shtjelle absurdi, shpirti fluturoi në liri të plotë, në botën e letrave. E kapa çastin dhe i dhashë vetes mundësinë të rizbulonte kënaqësinë e leximit. Si një beduin i mbetur në mes së shkretëtirës karantiniane, lexova, pa fund. Sidomos poezi. Në këto pak muaj kam lexuar aq shumë vargje, sa s’kisha lexuar kurrë në jetën time. Përtej poezive të dashurisë, që janë prioritet i trillit njerëzor, rikujtova se sa mjeshtërisht një varg mund të të sundojë në ndërgjegje. Një varg është në gjendje të derdhë brenda shpirtit të njeriut, edhe një oqean me dhimbje. Siç ka mjeshtërinë të të bëjë të shohësh anën tjetër të medaljes… Dhe ndodhin pastaj ato rastësitë e papritura, që të ngjizin dëshirën për t’u shprehur. Janë ato ngasjet e forta, që ulin në gjunjë edhe frikën, që të pushton kur merr penën dhe ul kokën mbi letrën e bardhë. Kjo dilemë buisi brenda meje, edhe një mengjes korriku, kur poetja Natasha Lako, që Robert Elsie, e thërret pa ngurim « grande dame » të vargjeve, na zgjoi, si të kishte qëmtuar një natë më parë në shpirtrat tanë, të trazuar, me një përgjigje te mrekullueshme :
Përgjigje për sot

U mërzita së qeni e mërzitur,
Rashë në fotografi.
Të qeshurat e mija janë të bindura,
Të urdhëruara prej reve.

Dhe papritur, më shume se 100 shpirtra të tjerë njerëzorë, brenda pak minutave, ranë mbi fotografi, u qeshi shpirti i urdhëruar prej reve dhe e flakën tej mërzinë. Ishte një zgjim i jashtëzakonshëm mëngjesi i 22 korrikut ; na i bëri të bukur ditën. Eh, kur i shkroi vargjet, mbase Natasha Lako, nuk e dinte se ç’ndjesi do na ngjallte. Mirëpo ja, në pak radhë, të hedhura pak pas mesnate, na kujtoi se jeta është një visar, që duhet jetuar edhe kur të duket e brengosur. Mjaftojnë për këtë ca kujtime të fiksuara në kohë, dhe ujëvarat e ngazëllimit që buron nga qielli. Duket sureale, por sidomos në këtë kohë pandemie, tingëllon aq e vërtetë. Nuk është vendi këtu dhe as e kam ndërmend të bëj krahasime, por ka një qasje mahnitëse midis pjatave te Allendes dhe fotografive te Lakos. Keto ditë, duke i hedhur një vështrim botës, shkrimtrja e madhe kiliane, gjen kotësinë e asaj që na rrethon. Dhe pyet: « Përse kaq shumë ? Më mjaftojnë dy pjata.”… Mesazh i thjeshtë, por i madhërishëm për të vërtetën që mbart: jetën nuk e bën të bukur kamja; grykësia nuk përkthehet ne lumturi. Jam e bindur se secili prej nesh, mund të dëshmojë për këtë. Sepse secili prej nesh e ka provuar në çaste të ndryshme të jetës. Por kur ta dëshmon një poete e përmasave të Natasha Lakos, çdo përjetim njerëzor merr ngjyrime të tjera. Sepse poetja Natasha Lako ka aftësinë si askush tjetër, që vështrimin ta kthejë në inversin e vet. Të paktën, deri më sot, vetëm ajo e ka dëshmuar këtë. Sepse ajo, është në gjendje të kundërpërfytyrojë. Shëmbëllen me pamundësinë ky perceptim, por ja që është. Jo thjesht si titull vëllimi poetik. Është shumë e më shumë. Është një gjendje poetike, që s’e shpjegon dot me fjalë, edhe sikur të qëmtosh në tërë dijet e botës. Ndaj dhe kur s’ia del dot me titullin, e le veten të të rrëmbejë përmbajtja e librit, faqe pas faqeje. E ndjen se vargjet të grishin, të provokojnë dhe të bëjnë të besosh se, nuk është aq e vështirë, të kridhesh në kundërpërfytyrim, duke besuar se dashuria, mund të shfaqet edhe si vargosje nëpër pemë e rrëshirës së pyllit.

Është thënë për shkrimtarët e mëdhenj, se mbajnë brenda vetes një shpirt fëmije. Dhe kjo vlen mbi të gjithë, për poetët e mëdhenj. Se ndryshe nuk do të arrinin të donin, të njohurën dhe te panjohurën; nuk do të arrinin të ndjenin, siç ata dinë të ndjejnë dhe nuk do të arrinin të shprehnin, ashtu siç vetëm ata dinë. Nuk po them siç ata mendojnë. Se poezia, ka tjetër strehë në trupin e poetit. Ndryshe nuk do të ishte poezi. Mendimi, sigurisht është i ngjizur në varg, por në një mënyrë të magjishme, që godet, në fillim irisin e syrit, pastaj shpirtin. Aty të drithëron. Në fund, ndjesia gjen strehë në mendjen e lexuesit. Por duhet pak kohë për këtë. Pas këtij çasti, gati mistik, lexuesi ndihet si dikush që ka pirë një gotë vere të ardhur nga kohë të largëta, kur poetët u shëmbëllenin Perëndive të Olimpit. Dhe meqë nuk të vjen gjithmonë rasti i artë, të kuvendosh me perënditë, lexuesi e gjerb me ngadalë frymëzimin e poetes, sepse nuk do të humbasë asnjë grimë nga thelbi i poezisë së Natasha Lakos. Të paktën kjo ndodhi me mua kur lexova “Kundërpërfytyrimin.” Gëlojnë 188 poezi brenda këtij vëllimi. Por që përkthehen në mijëra shpërthime ndjenjash poetike të një shpirti, që ka vuajtur, por dhe është gëzuar në shtjellat e furishme të vargjeve, që kanë buruar prej penës së saj.

“Kur avitet bota”, është poezia që hap vëllimin. Pa e lexuar as nuk të shkon mendja te dashuria. Mirëpo poetja të fton ta shohësh “mëkatin e mollës së ndaluar”, tjetërsoj. Dhe pasi vështrimi ka kapur vargun e fundit, tundimi për t’iu rikthyer është aq i natyrshëm sa ajri që thith. Dhe e kupton pse-në. Ndryshe ç’kuptim do të kishte kundërpërfytyrimi?

Kur avitet bota, trupi hap gjinjtë,
Kërmilli më përshëndet me samar lulëkuqesh,

Me germat më të vjetra e më të pakuptueshme,
Shkruajnë thneglat, një letër që më do.

Mua më zë malli për lloj lloj perëndish,
Si për drerin që vrapon në zemër.

Si t’ia bëjmë me dashurinë e tepërt,
ndërron rrugë e së vërtetës, nga jargavan në jasemin,
në përzgjatimin e luleve.

Një fjalë më tepër, pas përzgjatimit të luleve, nga ana e kujtdo, do të ishte një thjeshtim në prozë, i mrekullisë që më zgjon oferta e botës së Natasha Lakos. Dhe befas e kupton, shpirtit të poetes nuk i avitesh dot. Mund ta shijosh, mund të rikthehesh në magjinë e vargut, por ka një prag, ku duhet të ngulësh këmbët. Sepse, edhe po të mos duash, duhet ta pranosh, zëri i saj vjen nga një dimension tjetër, mbase ende të pazbuluar deri me sot. Por nuk besoj se dhe lexuesi mëton ta prishë magjinë. Ndaj dhe pranon ftesën e poetes, që i bën pak vend në mendimet e saj, që nuk janë gjë tjetër vetëm se përsiatje të shpirtit, që mrekullisht kërkon të zbulojë se përse:

“në këngë nuk kane hyrë ende dritaret,
Që zënë myshk duke të pritur ty….
………….
Dhe që na rrokullis në shtigjet e e fantazinë, duke i vënë pikën me vargjet:
Si mund të arrij deri te goja jote e hapur, që mbledh të gjithë shirat,
Vetëm me lekurën, pa kërkuar gjithë shkretëtiren.

Epo duhet ta pranojmë. Kështu ndodh me dashurinë në kraterin e vullkanit poetik. Se vetëm këtu mund të ndodhë që, myshku i ngjizur nga lagështira, dhe një hapësirë e pa matë shkretëtire, të rrinë aq pranë. Ehde më shumë se aq. Në poezinë e Lakos, ushqejnë njëra – tjetrën. E bëjnë poezinë aq sensuale, aq drithëruese…ndërkohë që lexuesi ndjen ta përpijë një habi e natyrshme. Ndodh vërtet, kjo? Sigurisht. Në një kundërpërfytyrim si ai i Natasha Lakos gjithçka është e mundur. Dhe njësoj si në Botën e të Pamundurës, që befas jetësohet, në hapësirën e vëllimit poetik të Natasha Lakos, ke gjithë lirinë ta shijosh si të duash jetën. Eshtë në një farë mënyre si të të thonë, të mbyllësh sytë në Ekuator dhe t’i hapësh në Polin e Veriut. Dhe atje, për qejfin tënd pastaj mund të përfytyrosh një gjirafë elegante, që i sevdalliset qyrkut të bardhë të një arushe hijerëndë. Ngjan si me një përmbysje e asaj që ke parë e njohur deri më sot. Po ç’rëndësi ka? Nuk e shpjegon dot? Po ku ka shpjegim bukuria? Vetëm fajet e kësaj bote kërkojnë të shpjegohen. Që të mund të shfajësohen. Por jo poezia. Sidomos misteri i vargut të Natasha Lakos. Është i natyrshëm, i pangjashëm. Ndaj s’të mbetet gjë tjetër, vetëm ta pranosh. Si diçka reale. Që thjesht ndodh. Mjaft të dish ta shijosh. Dhe është e kotë të kërkosh një qasje tjetër të poetes edhe kur kërkon të na rrëfejë për dhimbjen. Ajo nuk rreket ta bëjë as më pak të dhimbshme dhe as më pak të ndijshme. Nuk ka ofshama. Nuk ka zë. Është një ëndërr që ka mbetur nën qerpikë.

Nën qerpikë më ka mbetur një ëndërr,
Që qan dhe qan dhe nuk pushon.

I gjithë trupi është mbushur me stërkala të reja, të kripura,
Në merimangën e qiellit shtrihet puthja ime,
Si ëndërrimi, që nuk do të vdesë.

Mbi të pëgërat e qenëve, heshtjes prej ujku,
Dallëndysheve ngjyrë plumbi, çikrikut të një pusi të mbyllur,
I dashuri im kalon përmes.

Kujt i shkonte ndërmend se një ëndërr mund të qante? Po që kripa e lotëve stërpik kurmin e poetes? Po që qielli ia ka marrë puthjen peng? Po që ajo prapë ngulmon të ëndërroje, që të mos e lerë të vdesë dashurinë? Ne një çast te vetem, lexuesi e mbledh veten. Ishte vetëm një ëndërr dhe poetja do të zgjohet. Por sidoqoftë; në gjumë, apo në prag zgjimi, ajo ka aq forcë sa të mos e lerë dashurinë të vdesë. Është pikërisht kjo, që vlen. Edhe si kundërpërfytyrim. Dhe meqë vetë autorja na ka ftuar të hymë në labirintet e trillit të saj poetik, që nuk ka të dytë, për nga shfaqja dhe bukuria, lexuesi mund të ndihet i lire t’iu rikthehet sa herë e ndien të nevojshme. Dikur, dikur, nga labirinti i duhet të dalë, por për t’u rikthyer sa herë që zemra ia kërkon. Ndërkohë që syri ka qëmtuar fjalët, metaforat, këndelljen në befasinë e asaj që përgjon pas portës së faqes, që vjen më pas, ndal frymën te “Pema e seksit”. Një ndjesi e fortë hutimi, të shtyn të trokasësh në shpirtin e poetes. Duke lexuar këtë poezi, ndodhesh pa e menduar, mes një katakombi rrugësh evropiane, ku mendja të shkon te vajzat që dalin në treg, njësoj si lëngjet e frutave, që shkojnë për eksport. Poetja hiqet mënjanë nga kumti i fjalëve dhe gjykimi. Flet vetëm për dhimbjen që e ka kapluar:

……..
….Në ëndërr zgjohesh këmbëlidhur, duarprerë,
Foletë e gojëve të mbetura bosh,
Kanë udhë, jo zogj.

Poetja vuan, pa fund. Ndihet e pafuqishme për ta ndryshuar këtë realitet të zymtë. Dhe gjen të vetmen strehë të besueshme për të. Poezinë. Që ka vlerën e një revolte të tërë. Të heshtur. Por që nxit reflektimin. Sigurisht për një shoqëri që do të lexojë dhe kuptojë. Se poetja, sado lart të ngjisë shpirtin e saj, prapë këmbët i ka mbi tokë. Dhe ashtu si Anteu i lashtësisë, që prej tokës merrte forcën, Natasha Lako, merr frymëzimin. Por mos prisni të gjeni vargun e thjeshtë, ku litari është litar dhe varet diku në një gozhdë hauri; jo. Jo në kundërpërfytyrimin e Natasha Lakos, “litarët e vjetër, varin njerëzit brenda shiut”. Ashtu siç heshtjes së poetes, i përgjigjet një pemë, që i përket baladave të vjetra. Rënia e gjetheve për poeten, është pjesë e baladave të ikura. Befas, ajo nuk ka dert. E gjen të shtrirë në gjirin e natyrës sepse ajo na rrëfen:

Këtë botë e mban gjallë një bar njëmijë vjeçar,
Dhe uria e çdo fytyre,
As vjen as ikën kjo pemë në prag,
Vetëm gjethet e syve.

Pastaj e lë veten të lirë në tundimin që ta vizatojë natyrën ashtu siç e sheh vetëm ajo. Një rrebesh, ka lënë pellgjet e ndritshëm, që poetes i shëmbëllejnë me zemra të bëra copë, copë. Kanë mbetur llambat e yjeve dhe trumcakët që çukasin shkëlqimin e pakapshëm. Pasi të lejon t’i ikësh rrebeshit, që pellgjet i bën zemra, ke ndjesinë që të pret balta. Është titulli i poezisë “Balta”, që të shtyn në këtë ngasje. Nuk janë shumë, vetëm 8 vargje, që baltën ta sjellin jo si një produkt natyror, jo si puthje e dheut me ujin. Balta te Natasha Lako, është një ngjizje e ligësisë dhe e epshit për të përgojuar. Prandaj “Balta” për poeten është:

Biblike, simfonike, akademike, butaforike,
skelektike, satirike, ironike, ciklike, historike, histerike

dhe si e tillë, poetja nuk ka asnjë dyshim se:

Balta kërkon gjurme, jo të gishtërinjve
të të gjithë trupit.

Jo rastësisht, baltës poetja i ka kushtuar aq pak kohë. Sepse nuk ia vlen. Në rrugëtimin drejt vlerave dhe antivlerave të njeriut dhe botës, ajo ka projekte të tjera. E fillon me qiellin e Tiranës, që është një skaj i çatisë së gjithësisë. Poetja përpiqet, por e ka të pamundur t’i afrohet qiellit. Pozicionohet në lartësi të ndryshme por ajo hapësirë herë e kaltër e herë e zjarrtë, është e pakapshme. Disa çaste më vonë, poetja pranon se është “e pamundur t’i afrohesh zjarrit të qiellit në Tiranë”, ndërsa në fund nuk nguron të na lajmërojë me një filozofi poetike se:

Bien vetëm vjershat, qeveritë,
qiellin që e kanë të gjithë,
e pamundur ta rrezojë, që ta arrije, një njeri.

Por gjithsesi në kundërpërfytyrimin e saj, poetja ka një përfytyrim të plotë dhe të saktë për atë që po ndodh. Ndaj dhe shkruan se “Kërkohet urgjentisht një univers tjetër”, pasi ka kohë qe imazhet për Natasha Lakon, vijnë si “Peisazh me dyer të mbyllura.” Dhe pasi humbet në një “Qiell Europe”, autorja na shpie para “Tempullit të Dodonës”, që siç thotë ajo vetë “i ngjante një tigani ku përvëlohet kujtesa.” Më tej, me një stil të përkorë, ajo e le lexuesin të bjerë në mendime për të kuptuar se përse “bosh ishte shpjegimi”, për një tempull, të cilit madhështinë fizike ia ka fashitur koha, por jo më pak, indiferenca e njeriut. Pastaj në një kokëshkrepje të ëmbël, Natasha Lako, e le tempullin e Dodonës dhe zbret në perandorinë që kërkonte Konstandinën. Gjithë sa gjen aty, i përket një kohe të shkuar, që as si kundërpërfytyrim s’e mbajmë dot ndër sy. Por autorja ia del me se miri ta përshkruajë, me nota humori dhe ironi elegante. Por nuk na thotë shumë gjëra. Na le të dëfrejmë në paditurinë tonë dhe në gëzimin që autorja vendos t’i thotë lamtumirë dhe të kthehet përsëri mes nesh. Dhe, pas kësaj, lexuesi ndjen nevojë t’i thotë poetes Natasha Lako, që të mos reshtë së hedhuri copëza të shpirtit të saj në letër. Se ndryshe nuk do ta mësonim kurrë se hëna ovale mund të qëndrojë në syrin e njeriut, as që kodra mund të bëhen sytë, as që në këtë botë ekziston një qytet i gjithi femëror, as që pafundësinë e këngëve e përmban vetëm era, as që njeriu mund të jetojë në katër lumturi. Dhe lexuesi, priret t’i kërkojë poetes qe t’i japë fjalën. Është një dialog i pashkruar gjëkundi, por ndihet si dergjet pezull midis tyre. Lexuesi rri dhe shpreson, ndërsa sheh poeten “Duke pritur paqen” në përfytyrimin e tri mjellmave. Pastaj, në të drejtën e tij hyjnore, lexuesi, i kërkon poetes që duhet të mjaftohet vetëm me lamtumirën për ca fije letre, por kurrë nuk duhet të braktisë poezinë e saj te mrekullueshme, që e bën të tillë, shfaqja e saj plot mister. Vargjet e saj të sjellin në mendje ato gjallesa të detit, që rrijnë fshehur në ujëra deri sa dora e njeriut, nuk i zotëron. Pastaj mjaft të hapësh guackën. Perla është aty. Dhe perlat kane mijëra vjet që e mahnisin njerëzimin. Ndaj më duket mrekullisht përcaktuese ajo fjalë, që dikush e kish zgjedhur për një postim, duke iu referuar Natasha Lakos:

Mendje bukur!
Por s’mund ta le penën, pa sjellë këtu dhe një shënim që ndodhet në kopertinën e pasme të vëllimit “Kundërpërfytyrimi.” E ka shkruar Arian Leka.

“Natasha Lako është dalja nga rreshti. Nuk mendon të jetë e para apo e rëndësishmja e poezisë. Çdo lavd mbi poezinë e saj do të tingëllonte si të gjitha gjërat e ëmbla, që nuk na bëjnë aq mirë.”

Unë shpresoj t’i kem qëndruar kësaj këshille, edhe pse nuk ishte qëllimi im, kur u nxita të shkruaj për Natasha Lakon. Por një gjë duhet ta pranojmë apriori. Nuk është e lehtë të zhbirilosh shpirtin e poetes. Jo se ajo s’të lejon, por për shkak të dimensionit poetik që ajo përfaqëson. Dhe për këtë nuk është faji i saj. Unë vetëm shpresoj që duke qëmtuar në disa prej vargjeve, t’ia kem arritur t’ju shpalos një grimë nga arti i saj i magjishëm.

Raimonda Belli Gjençaj

SHTËPIA E RE E HAVZI NELËS – Nga Sadik Bejko

Dje më 10 gusht 2018, në fshatin Kollovoz të Kukësit, në 30-vjetorin e ekzekutimit me varje në litar, u përurua ringritja e shtëpisë së Havzi Nelës. Kishin ardhur vendas, shkrimtarë dhe të tjerë të ftuar nga rrethet, nga Tirana. Me këtë rast, u shtrua një drekë për të pranishmit.

Pllakën përkujtimore të shtëpisë e zbuluan Kryetari Bashkisë së Kukësit dhe studenti Vilson Blloshmi, nipi i poetit Vilson Blloshmi, të pushkatuar më 1977.
Shtëpia u ringrit me shpenzimet e Bashkisë së Kukësit. Reshep Shahu dhe Izet Duraku kishin përgatitur një numur special të revistës “Illëz” dhe të librit me tekste të shkrimtarëve për Havzi Nelën.
Në krahë, midis shumë të tjerëve, kisha mikun tim, Prof. Shefqet Hoxhën. Më 1993 bashkë me Pjetër Arbnorin ata erdhën me helicopter këtu për të varrosur Hazi Nelën, në vendlindjen e tij.
Edhe sot ishte e vështirë të shkoje në Kollovoz.

Kur më dhanë fjalën, falënderova Bashkinë e Kukësit që e bëri Havzi Nelën me çati mbi krye. E bënë prapë me shtëpi, të varurin në litar, poetin, të përndjekurin me 18 vjet burg, malësorin Havzi Nela.
Në mendësinë shqiptare shtëpia është simboli më kryesor i ekzistencës. Edhe sot pyetet, : a ka shtëpi? Thuhet : Shtëpi e mirë, shtëpi e nderit, shtëpi bujare, shtëpi ku pihet kafja… shtëpi pushke… shtëpi, e ëmbla shtëpi… shtëpi o bukë e hi, m’u bëftë varri si ti…
Gratë labe e urojnë shoqa-shoqen me fjalët: Të rruatë binaja. Të të rrojë shtëpia, që nënkupton të të rrojë i zoti i shtëpisë, burri, rreth të cilit mblidheshin fëmijtë, gruaja, toka, gjëja, pasuria e familjes.
Shteti i diktaturës kishte një mëri të madhe me shtëpitë e atyre që i quante armiq. Disa i rrafshonte me themel, disa qëllimshëm i rrënonte, me njerëzit e vet i kthente në gërmadha, u vidhte dhe gurët.
M’u kujtua poezia “Kur në dritare rri me mall” e poetit të pushkatuar Genc Leka, botuar dhe te revista “Illëz”. Kur u arratis i ati i tij, shtëpinë e madhe të fëmijërisë, shtëpinë me dy kate, të armikut Bardho Leka e rrëzuan e rrafsh me tokën. Familja u shpërnda, u internua. Mbas vitesh kur u mblodhën prapë, një i afërm u dha për banesë kasollen e tij. Përballë kishte gurët e shtëpisë së babait. Genci ka shkruar:
Kur në dritare rri me mall
Me lulet e saksisë
Më shfaqen si vegim përballë
gërmaddhat e shtëpisë.

Pastaj më ngjan sikur bën zë
E drojtur fëminia,
Që fle mes gurësh përgjithënjë
me ëndrrat e mia.

Të gjithë e kemi me vete një shtëpi të fëmijërisë. Ajo ka qenë shtëpia e lumturisë sonë. Shtëpia e Parajsës. Me kohë atë e humbasim. Ajo shtëpi mbase është diku. Është këtu është atje…
Havzi Nelës sot ia kthyet shtëpinë e lumturisë së tij.
Ju të Bashkisë Kukës keni bërë një vepër të madhe.

Pak a shumë, shkurt, këto fjalët më lart thashë. Kisha dhe të tjera. I kisha në mendje po nuk i thashë. Ja, e çmova shumë atë gjestin e gruas së Havzi Nelës që u përgjunj dhe puthi pragun e shtëpisë. Doja të thosha dhe që sonte kur të erret, shpirti i Havzi Nelës do të shkojë të futet në shtëpinë e tij të. Mbase do të flejë atje.
Nuk i thashë se do të dukesha patetik. Por kaq herë i mendova.

Bleecker Street*, Verë Poezi nga Derek Walcott – Përktheu Kujtim Morina

 

Verë për prozën dhe limonët, zhveshjen dhe plogështinë,
për përtacinë hyjnore të kthimeve të imagjinuara,
për flautet e rralla, këmbët e zbathura, dhe dhomën e gjumit të gushtit
me çarçafët e bërë lëmsh dhe kripën e së Dielës, ah violina!

Kur i shtrydh gjithë muzgjet e verës, ato janë
një muaj i fizarmonikave dhe spërkatësve të ujit
që e shtrijnë përtokë pluhurin, dhe hijet e vogla që ikin prej meje.

Është hapja dhe mbyllja e muzikës, Italia mia në Bleecker,
Ciao, Antonio, dhe britmat e ujit të fëmijëve
që çjerrin qiellin me ngjyrë trëndafili në një lumë letrash;
është mugëtira në flegra dhe era e ujit poshtë
rrugëve të mbushura me mbeturina ku nuk ka realisht ujë
dhe ishujt e limonët që të mbeten në mendje.

Është Hudson si deti në flakë.
Po të vije,
do të të zhvishja në zhegun e verës,
do të qeshja dhe do të ta thaja trupin tënd të lagësht.

* Bleecker Street është një rrugë në Manhatan, Nju Jork. Është bërë e famshme sepse në të ndodhet lagjia e klubeve të natës Greenwich Village. Rruga e ka marrë emrin nga Antony Bleecker, bankier dhe shkrimtar i shekullit të 19-të.

Përkthyer nga Kujtim Morina

Stradiotët nën flamurin e Francës – Fragment libri nga LUAN RAMA

 

 

 

Shqiptarët në betejën e Thérouanne-s

 

 

Louis XII i çmonte aq shumë shqiptarët, saqë gjithnjë në momentet e vështira ai do të kërkonte ndihmën e tyre. Në kohën kur përballë tij kishte jo vetëm trupat e Maximilianit të Austrisë e anglezët e Henri VIII, por edhe dukën e Bourgogne-s, si dhe princat flamandë, një nga kështjellat strategjike, ajo e Thérouanne-s, jo larg Pas-de-Calais, mbetej e rrethuar dhe në rrezik të pushtohej. Atëherë ai dha urdhër që me çdo kusht “njëmijë kalorës shqiptarë, me nga një gjysëm derri të kripur në kurriz dhe nga një thes baruti, të niseshin drejt qytetit të rrethuar dhe të kërcënuar nga uria. Të mbrojtur dhe nga trupa të tjerë ata duhej të ndihmonin të rrethuarit.».[1]

Pas shpartallimit të ushtrisë së tij në betejën e Novarës në Italinë e veriut, më 6 qershor 1513, mbreti francez Louis XII u kthye drejt Francës që të mbrojë tokat franceze. Mbreti anglez Henry VIII synonte të pushtonte Calais dhe Boulogne-n si dhe qytetin e fortifikuar Thérouanne. Ai kishte zbarkuar me trupat e tij më 30 qershor të këtij viti ku pararoja e tij e komanduar nga Shrewsbury kishte 8000 luftëtarë ndërsa praparoja nën komandën e Charles Sommerset dhe lordit Herbert, me 6000. Vetë Henry zbarkoi me 11.000 luftëtarë, këmbësorë e kalorës. Pikërisht në veri të Francës përparonin dhe forcat imperiale të perandorit Maksimilian i I-rë. Siç shkruajnë kronistët, Henry dhe Maksimiliani u takuan në 13 gusht, në një kohë të tmerrshme stuhie. Ndërkohë mbreti anglez e kishte rrethuar qytezën strategjike të Thérouanne-s e cila mbrohej nga forcat franceze. Louis XII në krye të ushtrisë së tij u nis drejt Arras-it në mënyrë që kalorësia e tij të çante rrethimin e kështjellës së Thérouanne-s dhe tu vinte atyre në ndihmë. Në korrik, një trupë stradiotësh prej 800 luftëtarësh, të komanduara nga kapiteni de Frontailles, u nis të sulmojë anglezët në Thérouanne dhe fsherurazi arriti të hapë furnizojë me ushqime dhe barut të rrethuarit. Duke iu referuar De Frontailles, historiani Brantôme shkruan se “ai ishte gjeneral i 1200 kalorësve të lehtë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë». Në librin e tij Quinziesme Discours, Brantôme[2], duke i bërë elozhe gjeneralit frëng De Frontailles, shton se «Mbreti i dha zotit De Frontailles gradën kolonel-gjeneral të shqiptarëve, të cilët i kishte nën urdhërat e tij dhe se ishin ata që na sollën formën e kavalerisë së lehtë, e cila deri në atë kohë nuk çmohej dhe aq në Francë“.

Për këtë betejë kanë shkruar disa studjues e kronistë. Charles Théodor Beauvais, në studimin e tij të gjatë Victoires, conquëtes, désastres, revers et guerres civiles des Français, lidhur me ngjarjet në Thérouanne, jo larg Lille-s shkruan ndër të tjera: «Perandori Maximilian me një kavaleri gjermane erdhi në Calais të bashkohej me ushtrinë angleze… Mbreti Louis XII ishte i sëmurë ndaj edhe u afrua deri në Amiens, i shtrirë në shtrat, që të vëzhgonte nga afër operacionet luftarake. Henry VIII donte të sulmonte Boulogne-n ose Abbeville-n, por Maximilian-i e këshilloi që të marshonte drejt Thérouanne-s, qytet pothuaj i lidhur me arkidukën Charles d’Autriche, sovran i Vendeve të Ulëta (Pays-Bas) që më pas do të quhej Charles Quint. Aty ishte një garnizon prej 200 ushtarësh dhe 2000 këmbësorësh, por ata s’kishin barut. Louis XII e urdhëroi Segneur de Piennes, guvernator i Picardie-s që të dërgonte atje ca rezerva, por ndërkohë duhej të shmangte që popullsia të dëmtohej nga kjo ndërmarrje. Për këtë, Piennes ngarkoi segneur De Frontailles. Dhe ai, bashkë me shqiptarët e tij, kaloi me galop përmes anglezëve dhe njerëzit e tij (800) i kaluan rezervat në garnizon dhe u tërhoqën pastaj të ndjekur nga armiku. Kjo përpjekje e guximshme ngriti moralin e ushtrisë franceze. Por rezervat ishin të pamjaftueshme. Pra duheshin të tjera. Në Këshillin e Luftës u vendos që De Frontailles, në krye të shqiptarëve të tij, të shkonte sërish me më shumë rezerva. Maximilian-i dhe Henry VIII u njoftuan për këtë ndërmarrje të re nga disa dezertorë. Henry VIII forcoi pikat nga do të kalonin shqiptarët dhe dha urdhër që t’u binin nga pas. Shqiptarët i ndeshën ata gjatë kalimit. Por anglezët ishin të shumtë. Shfaqja e anglezëve e kapi në befasi dukën De Longeville dhe pasuesit e tij që kishin ardhur të shoqëronin shqiptarët me rezervat e caktuara për në Thérouanne, por jo të luftonin. Meqë ishte vapë, kalorësit u kishin zbritur kuajve dhe ishin shtrirë në bar. Por ja kur panë “lansquenets”-ët gjermanë dhe anglezët që po afroheshin. Xhandarët francezë ia mbathën. I famshmi Bayard e frenoi sulmin e tyre të parë dhe u dha mundësi të iknin, por ai vetë u kap rob. Kjo disfatë hyri në histori me emrin «journée des éperons», (“dita e mamuzeve”), sepse francezët përdorën vetëm ushtat, (éperons). Ata pësuan disa të vrarë dhe njëqind robër. Pastaj anglezët pushtuan Térouanne e më pas Tournai, i cili kapitulloi…»

Edhe në librin e Pierre de Terrabasse Historia e Pierre Terrail, zot i Bayart,[3] ka një përshkrim interesant rreth kësaj beteje dhe pjesmarrjes së stradiotëve shqiptarë. Ja çfarë shkruhet mbi jetën dhe veprën e kalorësit të famshëm Bayart. “Një këshill lufte u mbajt në Blangy. Disa mendonin të dërgonin ushqime në Thérouanne përmes 500 luftëtarëve; të tjerë të sulmonin në mes të ditës me të paktën 800 luftëtarë. Kur erdhi radha e kalorësit Bayart, të gjithë mbajtën vesh: “Zotërinj, – tha ai, – e shoh të vështirë që të rrethuarit të ndihmohen pa bërë luftë. Madje mendoj se për çarjen e rrethimit duhet marshuar me gjithë ushtrinë dhe kjo mund të bëhet që sot duke sulmuar armikun. “ Më së fundi u vendos që të dërgohej kapiten De Frontailles me shqiptarët e tij, duke mbajtur secili nga ta në kurriz të kalit një “lard” (mishi i thatë) dhe një thes me barut, duke marshuar drejt mureve të Thérouanne-s dhe duke i hedhur në hendeqet e hapura të saj. Nga pas ata do mbështeteshin nga 1400 ushtarë që do ti ndiqnin në lartësitë e Guinegâte… Kështu, shqiptarët u nisën për të kryer misionin të ndjekur nga një turmë fisnikësh të rinj mbi kuaj. Nisma në fakt u realizua për mrekulli dhe mbrojtësit e qytetit zbritën poshtë hendeqeve dhe i morën. Kronisti anglez Edward Hall duke shkruar në kronikat e tij rreth kësaj beteje pohon se “kavaleria e lehtë franceze ishte e përbërë nga stradiotët shqiptarë të pajisur me “éperons courts“ (mamuzet e shkurtra“). Ata kishin kapuçe leshi në kokë dhe mbanin shtiza dhe heshta në duar…“[4]

Për stradiotët shqiptarë dhe ndërmarrjen e tyre të guximshme shkruan dhe kalorësi i njohur messire Martin de Bellay, historian gjithashtu, i cili në kujtimet e tij “Mémoires“, do të tregonte sesi kalorësit shqiptarë, mbajtën mbi supe mishin e thatë dhe me barutin mbi kuaj iu afruan fshehurazi bedenave mbrojtëse duke anashkaluar artilerinë dhe shigjetarët anglezë. Për ti mbrojtur nga larg qëndronin 1400 luftëtarë nën urdhërat e senjorit De Piennes dhe të La Palisse.

Një përpjekje e dytë e francezëve drejt mureve rrethuese u bë në datën 16 gusht. Në Blagny, dy kompanitë franceze komandoheshin njëra nga Louis de Longueville dhe tjetra nga Charles IV d’Alençon. Trupat franceze bashkë me stradiotët u nisën përgjatë lumit Lys drejt Bomy, jo larg kampit ku ndodhej Henry VIII në Guinegate. Ishin 800 kalorës francezë e stradiotë që do luftonin kundër 2000 anglezëve.

Kronistët shkruajnë se mbreti anglez u njoftua disi me vonesë nga agjentët e tij, pa mundur ti godiste francezët në kthim. Atëherë ai vendosi të dërgojë pas kodrinës dhjetë mijë shigjetarë, pesë-gjashtë mijë lasquenets, dhjetë topa si dhe trupa të tjera që do ti sulmonin ballas. Gjatë kthimit nga muret e kështjellës, kalorësi francez De Piennes u përpoq ti nxitonte fisnikët e rinj, por ata as që e dëgjonin. Shumica e tyre i kishte hequr kaskat ngaqë ishte vapë dhe pinin shishet e verës duke qeshur majë kuajve. Por kavaleria angleze dhe ajo e Burgonjës i priste në pritë shqiptarët. Lufta u zhvillua e ashpër edhe pse në rrumujë, duke përballuar sulmin armik. Këmbësoria angleze e nisi sulmin papritur kundër tyre duke ua prerë rrugën. Duke menduar se kishin të bënin me gjithë ushtrinë angleze, kalorësia franceze ia mbathi, edhe pse duka Longueville u përpoq ti kthente dhe t’i bashkonte rreth tij. “Kthehuni, kthehuni! Mos u hutoni! “, u thërriste ai por ata ikën akoma më shpejtë. Menjëherë të dy fisnikët u rrethuan nga anglezët. Longueville u zu rob ndërsa kalorësi La Palice, edhe pse e kishin kapur, arriti të çlirohej dhe tu ikte nga duart duke u nisur drejt Blangy. Plot dhimbje, kalorësi i famshëm Bayart si dhe François de Sassenage u kthye bashkë me trimat e tij. Gjatë udhës u doli një hendek i madh ku kishte një urë të vogël sa vetëm dy vetë mund të kalonin, por dhe atë u kapën rob dhe e çuan para mbretit Henri VIII dhe perandorit Maximilien… Që atëherë, kjo betejë hyri në histori si „Journée des éperons“ (Dita e mamuzeve), meqë kalorësia franceze ia mbathi.

Me thyerrjen e ushtrisë franceze, Therouanne ra në 22 gusht. Të rrethuarit e kuptuan se duhej të dorëzoheshin para artilerisë angleze, e cila më pas i shkatërroi të gjitha bedenat e fortifikimet e qytezës. Ndërkohë mbretin Henry VIII e lajmëruan se ushtria skoceze aleate e Francës, kishte përfituar të sulmonte tokat angleze, por beteja me anglezët do të sillte shpartallimin e tyre. Më 23 shtator mbreti Henry VIII hyri në mënyrë triumfale në Lille.

 

 

Androniku i Korfuzit dhe stradiotët e mbretit anglez

 

 

Kronisti i shekullit XVI Androniku i Korfuzit, apo Andronic Nucios, siç kishte emrin e familjes (Nicandre de Corcyre, i cili përmendet edhe në disa libra historikë mbi ngjarjet e mëdha të shekullit XVI në Europë), është një nga personazhet e çuditshme të kësaj periudhe. Ai pati rastin të njohë nga afër shumë princër, mbretër e fisnikë të shquar por dhe personalitete të botës shqiptare që ishin shpërndarë tej territoreve të Shqipërisë së pushtuar në atë kohë nga perandoria osmane.[5] Androniku ishte një qytetar i Korfuzit, i lindur atje në atë kohë që ishulli ishte ende nën zotërimin e Republikës së Venedikut. Në vitin 1537, pas rrethimesh e përpjekjesh të mëdha, ushtria osmane mundi ta pushtojë e ta plaçkisë ishullin përballë brigjeve shqiptare. Familja e tij fisnike arriti të largohej nga Korfuzi dhe gjeti strehë në Venedik, ku kishte një komunitet shqiptarësh ortodoksë e katolikë, shumë prej tyre të ardhur dhe nga Peloponezi si dhe grekë e kroatë, apo shumë hebrenj. Pikërisht atje ishin vendosur më parë dhe stradiotët e famshëm si Merkur Bua Shpata, Bokali, Buziki apo dhe Gjergj Skënderbeu i ri. Në Venedik, Androniku nisi të punojë si kopist i dorëshkrimeve të vyera, kodikëve, etj. Ishte në shërbim të një fisniku spanjoll me emër Hurtado de Mandoza. Kopjonte pra dorëshkrimet nga greqishtja e vjetër apo latinishtja. Pikërisht në këtë periudhë në Venecie ndaloi një udhëtar jo i zakonshëm: ambasadori i perandorit Charles Quint, i cili e kishte mundur mbretin francez François I. Ishte flamandi Gerard Veltwick de Ravenstein, i cili po udhëtonte nëpër Europë. Pa hezituar Androniku shkoi ta takojë dhe duke i treguar ambasadorit aftësitë e tij dhe njohjen e disa gjuhëve të huaja përveç greqishtes, e bindi atë ta shoqëronte gjatë udhëtimeve të tij diplomatike, së pari drejt Stambollit pranë Sulejmanit të Madh, por edhe drejt Francës, Anglisë e gjetkë. Ishte viti 1545 dhe që nga ky moment ai do të quhej Nicandre de Corcyre, siç kishte bërë dhe bashkëkohësi i tij Nicolas Chalcondylas që quhej në fakt Laonikos. Kështu Androniku e la punën e kopistit si dhe familjen në Venecie dhe shoqëroi ambasadorin në atë udhëtim europian nëpër Konstantinopojë, Itali, Flandër, Brabant, Calais, Londër, Paris… Një eksperiencë e jashtëzakonshme për një kronist si ai, i cili ngado që shkonte mbante shënime që do t’i mbeteshin historisë. Siç shënon në kujtimet e tij, nga Venecia, dy anije veneciane e shoqëruan ambasadorin dhe njerëzit e tij drejt brigjeve të Ilirisë (Epidor), nga ku pastaj ata morrën rrugën tokësore drejt Maqedonisë, Thrakës, duke mbërritur së fundi në Konstantinopojë, ku i priti sulltani Sulejmani i Madh. Pas bisedimeve ata morën rrugën e kthimit duke kaluar përsëri nga Thraka drejt Epidorit, ku një anije e quajtur “Aquilé“, do t’i merrte për t’i çuar drejt gjirit të Triestes, nga ku pastaj, do të drejtoheshin drejt qyteteve Padova, Ferrare, Mantova, Verona, Trente, Bolzano, nëpër Alpe, drejt Augsburg, Danube, Rhin, Aix-la-Chapelle, Ultrech, Bruxelles, Anvers, Gand, Bruge, Hollandë, Calais, Londër, etj.

Në atë kohë ai e shoqëroi ambasadorin dhe gjatë takimit të tij me mbretin anglez Henry VIII, i cili ishte aleat me perandorin Charles Quint. Pikërisht në Londër do të kishte rastin të njihte trupën e famshme të stradiotëve shqiptarë që mbante afër mbreti anglez. Në atë kohë sapo kishte shpërthyer një kryengritje në Skoci, por mbreti anglez që mbante afër tij stradiotët shqiptarë të Peloponezit, dërgoi trupën e stradiotëve të komanduar nga kapiten Thomas. Ata kishin ardhur nga Nafplio ku ishte kështjella e fortë veneciane, apo Argolidha dhe kështjella e Argos, ku siç dëshmojnë shumë historianë të kësaj kohe, veçanërisht venecianë, Nafplio dhe Argolidha banohej kryesisht nga shqiptarët, të cilët në Perëndim, meqë vinin nga Peloponezi dhe flisnin edhe greqishten, i quanin nganjëherë grekë. Pra trupat e kapitenit Thomas i dhanë fund rrebelimit me shpatat e tyre dhe veçanërisht heshtat e gjata që përdornin stradiotët, të cilët luftonin në këmbë mbi kalë. Më së fundi skocezët u dorëzuan dhe dërguan një delegacion pranë mbretit duke pranuar pushtetin e tij. Pasi u kthyen nga Skocia e nënshtruar, mbreti anglez i nisi ata drejt brigjeve të Francës, në anën tjetër të La Manche ku do të zbarkonte dhe vetë më pas. Përmes gjuhës Androniku u bë mik i tyre dhe i pëlqente aventura. Duke dëgjuar bëmat e tyre, iu lut ambasadorit që ta lironte nga detyra, meqë donte të niste një aventurë të re në jetën e tij: të shkonte me trupën stradiote. Dhe ambasadori e mirëkuptoi duke i dhënë leje, para si dhe duke i falur një kalë nga ana e tij. Kështu, Androniku u gjend në brigjet franceze bashkë me stradiotët. Në shënimet e tij të botuara më pas, ndër të tjera, rreth kësaj ekspedite ushtarake ai ka shkruar:

 

Kapiteni Thomas

 

Pra mbreti Henry VIII dërgoi në Boulogne pikërisht kapitenin Thomas nga Peloponezi bashkë me trupën e tij dhe i besoi mbrojtjen dhe qeverisjen e pjesës së poshtme të qytetit dhe të portit. I tha se të gjithë banorët e qytetit do i bindeshin. Mbreti i kishte dhënë një gradë me shumë prestigj dhe ai ruhej nga shumë bodigardë. Çdo ditë bënte ndeshje të shkëlqyera kundër francezëve, çka i jepnin atij akoma më shumë lavdi. Shpesh dilte dhe bënte inkursione në krye të një grupi të vogël kundër armiqve që ishin në një numur shumë të madh, të cilët i shpartallonte. Armiqtë e kishin shumë frikë. Një ditë Thomas mori vesh nga pararoja e tij se të nesërmen francezët do të transportonin me karro në kështjellën e tyre ushqime, topa, armë dhe mjete luftarake, dhe se një trupë e rëndësishme e formuar prej shumë ushtarësh dhe kalorësish do ta shoqëronin. Kur u njoftua nga njerëzit e tij, menjëherë mblodhi ushtarët e vet dhe u dha urdhër të përgatiteshin me nxitim. Sapo ngjeshën armët, ata u hipën kuajve dhe morën rrugën drejt qytetit Therrouane dhe Ardes. Mendova se duhej t’i ndiqja jo thjeshtë për të parë duart e tyre të lyera me gjak por për të vëzhguar se si i kapnin armiqtë e tyre gjatë sulmeve që bënin për çka gjithë bota fliste shumë. Pra, të hipur mbi kuaj, ne morrëm udhën. Pesëqind e pesëdhjetë burra shoqëronin kapitenin Thomas. Pritëm të agonte dhe ishim në pritë në rrugën nga ku do të kalonin francezët, e cila ishte në një zonë moçalore. Dhe në agim pararoja n’a paralajmëroi se francezët kishin dalë nga qyteti dhe po drejtoheshin tutje nga kështjella. Pararoja po n’a njoftonte, kur ndërkohë pamë ushtarët e pararojës armike me armët e tyre që shkëlqenin çka ishte një pamje e jashtëzakonshme. Kapiteni Thomas i mblodhi të gjithë njerëzit e tij dhe u mbajti një fjalim.

Fjalim i kapitenit Thomas për ushtarët: Ushtarë, ju që luftoni për mua, siç e shikoni sot ne gjendemi në skajin ekstrem të tokës. Ne luftojmë për një mbret dhe për një popull që janë qendra e gjithçkaje. Ne kemi ardhur këtu pa sjellë asgjë nga vendet tona, veç vlerën e kurajos dhe të forcës së sprovës. Ja pse ne ndeshemi burrërisht kundër atyre që na luftojnë. Edhe pse kundërshtarët tanë duken më shumë se ne, ata s’mund të bëjnë asgjë kundër nesh dhe virtyteve tona. Ne nuk i trembemi barbarëve. Le të tregojmë trimëri dhe të tregojmë se ortodoksët që gjenden në vendin më të largët të Europës, arrijnë të bëjnë bëma të mëdha. Kështu ne do të arrijmë të bëjmë të njohur lavdinë tonë tek perëndimorët dhe popujt që jetojnë përtej oqeanit dhe kështu ne do të përfitojmë përkujdesjen e përjetshme të mbretërve. Le të shkojmë ushtarët e mi, le të sulmojmë armikun me kurajo e furi, le ti skuqim brigjet e oqeanit me gjakun e armiqve tanë. Përmes aksioneve tona le tu tregojmë atyre se ç’është vlera e burrit, çka çmohet shumë nga grekët…

Kështu foli Thomas. Të gjithë morën zemër dhe u vunë në dy rradhë, ku njërin ia besoi Eleazarit, ushtarit të tij që mbante flamurin dhe rradhën e dytë e kryesoi vetë. Flamurmbajtësit i dha urdhër t’i shpartallonte armiqtë. Së fundi, mori bodigardët e vet dhe menjëherë duke tundur shtizat u hodh mbi armiqtë. Pasi hodhi kundërshtarin e parë që iu shfaq përpara, duke goditur të dytin ai vazhdoi sulmin e tij. Kur heshta iu thye, ai iu sul armiqve me shpatë duke vazhduar me të njëjtën trimëri. Dhe të tjerët nuk munguan të tregojnë vlerat e tyre si burra trima, të denjë për tu lëvduar. Francezët, edhe pse me kurajo dhe trima, e bënë luftën e tyre pa rregull, të shpërndarë nga sulmi i atyre të ardhur nga Greqia. Eleazari, mbrojtësi i flamurit që i ishte sulur pararojës, kishte krijuar aq hutim në rradhët e armiqve sa ata ia mbathën. Meqë terreni ishte me rërë, kuajt e atyre që iknin rrëshkisnin dhe kalorësit binin në duart e tyre. Francezët që arrinin të shpëtonin u strehuan në qytetet pranë në Ardes dhe Therouanne. Thomas dhe trimat e tij arritën një fitore të mrekullueshme dhe patën shumë trofe si karro me ushqime, shumë topa dhe armë. U kapën dhe 30 kalorës me pazmore dhe bashkë me trofetë u kthyen në Boulogne, ku u pritën me thirrjet e fitores. Të gjithë thërrisnin për kurajon dhe famën e tij dhe të kompanisë së tij. Gjatë atij inkursioni u vranë 30 ortodoksë dhe u plagosën 40 prej tyre, ndërkohë që nga francezët kishte 360 të vdekur dhe 100 të plagosur, apo më shumë. Edhe Thomas u plagos, i goditur në kofshë nga një heshtë. Dy armiq e kishin sulmuar dhe e kishin goditur përballë dhe anash, pa mundur ta hidhnin nga kali. Këto bëma lufte të kapitenit Thomas e bënë atë akoma më të lavdishëm tek mbreti i Anglisë. Ai e konsideronte atë si një nga gjeneralët më të mirë dhe dha urdhër t’i jepnin çdo vit një shumë të madhe parash. Ditët më pas nuk pata ndonjë ngjarje të shënuar, veç inkursioneve dhe sulmeve të vazhdueshme. Herë kapeshin ushtarët e një kampi dhe herë nga kampi tjetër. Pastaj pagoheshin haraçet dhe ata liroheshin. Këto ishin ngjarjet e luftës së mercenarëve të huaj si dhe të mercenarëve që kishin francezët (kronistët francezë tregojnë në shkrimet e tyre se ata që shkonin drejt kështjellës ishin stradiotë shqiptarë nën shërbim të mbretit francez, L. R.). Aksionet e anglezëve dhe të francezëve nuk kishin ndonjë rëndësi të madhe. Megjithatë pati një betejë të ashpër dhe mizore, aq sa të dyja palët i trajtuan robërit në mënyrë shumë brutale dhe i masakruan mizorisht: as haraçi e asgjë tjetër nuk e pakësoi furinë e tyre, apo të tregoheshin më të mëshirshëm. Përkundrazi, kjo betejë i bëri akoma më të egër të dy popujt. Dhe ja çfarë ndodhi: mbreti Henry mendoi se ishte e nevojshme të ngrinte një kështjellë pranë bregut të oqeanit, shtatë milje nga Boulogne dhe njëmbëdhjetë milje nga Calais, në një vend që kishte një liqen shumë të madh. Por sapo paqja u nënshkrua, të dy mbretërit i kthyen ushtritë e tyre. Shumë njerëz u kthyen në shtëpitë që kishin, të tjerë shkuan në qytete e vende të tjera, duke u shpërndarë secili ku mundej. Kapiteni ynë Thomas u kthye në Angli, ndërsa unë dhe disa miq të mi kishim dëshirë të ktheheshim në Itali. Kështu i kërkova leje kapitenit Thomas që të largohesha dhe ai më la plot dëshirë duke më dhënë me bujari para dhe një kalë. Ai tregohej gjithnjë i shkathët në çështjet e luftës, madje më me shumë kurajo dhe inteligjencë se ç’mund  të mendohet. Kështu, nga Boulogne u nisa drejt Calais. Pasi përgatita gjithçka për udhëtimin tim, ditën tjetër u nisa. M’u duk me interes të shkoja në Francë duke kaluar nga Belgjika, meqë ky vend nuk ishte në luftë: pothuaj në gjithë territorin e tij zotëronte paqja…[6]

Kur zbarkoi në Paris, Androniku u habit shumë me parisianët dhe nivelin e qytetërimit, me universitetin e Sorbonne-s si dhe kulturën e një populli. Më pas, ai do t’i drejtohej Venedikut, për të shkuar pranë familjes së tij. Udhëtimi i tij i fundit kishte qenë ai drejt brigjeve të Korfuzit, Patras, Nafplios, ishujt e Egjeut dhe ishujt jonianë. Më pas, në Venecie ai botoi librin e tij me tre pjesë, i cili shumë shpejt humbi në bibliotekat e Venedikut.

 

Stradioti Teodor Maneshi

 

Stradioti Teodor Maneshi (Théodore Manessy) ishte një nga kalorësit e famshëm për të cilin shkruhet në kronikat franceze, veneciane apo italiane në përgjithësi. Gjurmët e tij i gjejmë  që në përleshjet e para kundër osmanëve në ishullin e Zantes kur ushtria osmane e Gedin Ahmad Pashës rrethoi ishullin që mbrohej nga stradiotët shqiptarë nën flamurin e venedikasve meqë guvernatori i ishullit ishte caktuar nga Senati venedikas. Por Maneshët ishin një familje e madhe. Nga arkivat venedikase mësohet se që më 7 qershor të vitit 1487, ishte vendosur nga Senati: “Të shpërblehen dy vëllezërit stradiotë Manesi (Mandi dhe Demetrio), dy bijtë e Marin Manesit, i cili në kohën e luftës së Peloponezit, ishte rrjepur mizorisht nga turqit“.[7] Më pas Teodor Maneshi kaloi në Venecie ku u dallua në betejat e vitit 1508. Në shkurt të atij viti bashkë me kondotierin Bartolomeo d’Alviano niset për në inkursionin e tij drejt Cadore-s përmes Val Zoldana. Bashkë me Konstantin Paleologun (Arianiti), ai ka si detyrë të lufojë nga krahët ushtrinë imperiale gjermanike. Në muajin mars, me harkëtarët e tij mbi kalë (balestrieri) i sulmon përsëri gjermanikët, duke bashkëpunuar me kapitenët Franco dal Borgo dhe Piero Querini. Më 1509 niset drejt Kroacisë të luftojë kundër osmanëve (në Kapodistria dhe më pas në Slloveni ku në Postunia gjendet Teodoro Rali dhe Konstantin Arianiti ku i priu një trupe prej 60 kalorësish stradiotë. Në betejën e zhvilluar vriten 20 kundërshtarë. Në mars të vitit 1510 ai e lë Istrian dhe lufton në Adige. Në maj, Këshilli i të Urtëve (Consiglio des Savi) i Venedikut i cakton si shumë pagën e 64 dukateve që do të paguhet në tetë pagesa rresht. Në vjeshtën e vitit 1516 e gjejmë në rrethimin e Veronës. Paga e trupës së tij shkon në 688 dukate. Më 1520 është në Friuli. Në qershor të po atij viti shkon në Shqipëri, në mbrojtje të Tivarit. Në gusht të vitit 1521, Merkur Bua kërkon që ai të vijë e të bashkohet me të dhe e dërgon tek princi Federico Gonzague. Pas një farë kohe vihet në shërbim të Kishës (Vatikanit). Në maj të vitit 1527 shkon në Lombardi në ndihmë të Gian Giacomo des Medici me 50 stradiotet e tij, 20 këmbësorë dhe 150 harkëtarë, në luftë kundër Ludovico Barbiano da Belgiosio. Në qershor është përgjegjës i kampit ushtarak të Merkur Buas në Cassano d’Adda, kundër imperialëve. Më 1536 është në Piemonte ku vihet në shërbim të Francës kundër gjermanikëve me 100 kalorësit e tij stratiotë të kalorësisë së lehtë. Në pranverë të vitit 1537 ndodhet në Francë duke luftuar nën komandën e princit Claude Annebault. Teodori mori pjesë në betejën e Therouanne-s bashkë me Giorgio Capozemadi dhe Francesco Bernardino de Vilmercante, me detyrën që të thyejë rrethimin e Therouanne nga imperialët gjarmanë dhe anglezët dhe të fussnin ushqime (vettovaglie) në qytetin e rrethuar. Me vete ka dhe 400 shigjetarë. Në qershor, me 200 stratiotët e tij, del nga Hedin për të mbështetur princin Annebault që shkon drejt Guinegatte. Kalorësit e tij sulmojnë duke shkaktuar alarm të madh në trupat imperiale por papritur Annebault jep sinjalin e tërheqjes. Në mjegullën e natës, pararoja franceze lufton me pjesën më të madhe të ushtrisë kundërshtare që u vjen nga krahët, çka krijon një çoroditje të madhe në fushën e betejës ku madje nga që nuk shihet luftojnë dhe kundër njëri-tjetrit. Më së fundi, kavaleria imperiale sulmon francezët dhe e kap rob princin Annebault që ra nga kali si dhe Francesco Bernardino de Vilmercate. Po kështu u kap dhe shqiptari Georges Capozemati. Në qershor të vitit 1538 Maneshi është ende në Francë, në mbrojtje të kështjellës së Suse me 200 kalorësit e tij stratiotë. Trupat e tij i bashkohen atyre të kapitenit Brissac dhe ngjitet në një lartësi nga ku sulmon kundërshtarët. Imperialët marrin arratinë duke lënë pas 300 të vrarë, 60 ushtarë robër si dhe 4 flamurë. Teodor Maneshi vdes në vitin 1545…

[1] Histoire d’Enguinegatte, Valeri Delépine.

[2]Pierre de Bourdeille, i quajtur Brantôme, (1540-1614), ishte një kalorës me famë që mori pjesë në mjaft luftra, por në fund të aventurave të tij ushtarake, ai u tërhoq në kështjellën e tij për të shkruajtur kujtimet.

[3] Histoire de Pierre Terrail, seigneur de Bayart, Pierre Louis E. Alfred Jacquiert de Terrabasse Paris.

[4] Edwrd Hall, Chronicle », 1809, f.543,550.

[5] Para disa vitesh, në Francë janë botuar kronikat e tij nën titullin “Udhëtim në Perëndim“, të përmbledhura në një libër të vetëm dhe të përkthyera nga studjuesi francez Paolo Odorica, me një parathënie të studjuesit të kësaj epoke Yves Hersant, ku ai shkruan: “Nicandre njohu një fat vërtet të çuditshëm. Duket se historia e trajtoi keq atë, duke e kthyer në një kopist të thjeshtë, rol, të cilit ai i shpëtoi për ca kohë, për të takuar pastaj mbretër e perandorë, sulltanë, ambasadorë e prijësa të mëdhenj ushtarakë. Por libri i tij me kujtime ra në pluhurin e bibliotekave, libër nga i cili, ai priste nderime e lavdi, dhe kjo ndodhi sepse ajo u shkrua në një gjuhë të vdekur…” Do kalonin tre shekuj që një studjues anglez J.A. Cramer e zbuloi në një bibliotekë të pluhurosur nga koha e të harruar dhe përktheu sëpari veç një nga tre librat e tij në latinisht, vëllimin e dytë që kishte lidhje me mbretërinë angleze. Dy librat e tjerë u bënë të njohur shumë më vonë.

 

[6] Kur zbarkoi në Paris, Androniku u habit shumë me parisianët dhe nivelin e qytetërimit, me universitetin e Sorbonne-s si dhe kulturën e një populli. Më pas, ai do t’i drejtohej Venedikut, për të shkuar pranë familjes së tij. Udhëtimi i tij i fundit kishte qenë ai drejt brigjeve të Korfuzit, Patras, Nafplios, ishujt e Egjeut dhe ishujt jonianë. Më pas, në Venecie botoi librin e tij me tre pjesë, i cili shumë shpejt humbi në bibliotekat e Venedikut.

 

[7] Dokumenta të shekullit XV për Historinë e Shqipërisë, Vëll.14, Botim i Universitetit Shtetëror të Tiranës, 1967.