VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

HOVE ÇASTESH ME ÇAMËT NË KLOGJER – Poezi nga RRUSTEM GECI

By | September 10, 2016

Komentet

Takimet e mia (virtuale) me shkrimtarin Pajtim Statovci, rrëfim intim nga Bajram Sefaj

Do e gjej djaloshin Pajtim, në Helsinki, ku është e ku s’është!

(E kam lexuar romanin e tij të parë “Macja ime Jugosllavia”, përkthyer nga finlandishtja në frëngjisht (Mon chat Yugoslavia) nga ana e Claire Saint-Germain, botuar më 2016, nga ana e Shtëpisë botuese, jo gjithaq të njohur, “DENOËL& D’AILLEURS, nga Parisi).

——————

                Menjëherë, pasi u shfaq në tregun francez romani i tij i parë me titull “Mon chat Yugoslavia”, i autorit shqiptar, Pajtim Statovci, si kronist, edhe si dashamirë i letërsisë që jam, reagimi im ishte i shpjet, i menjëhershëm. E si mos të ishte i tillë, kur në Prishtinë kam miq e kolegë (që i dua shumë), me mbiemrin Statovci, duke llogaritur se Pajtimi, është bir  ndonjërit nga kjo familje e nderuar. Shpjet e për ngutë , ia “rreh telin” agjencisë Amazon. Porosis librin pa pyetur fare për çmim. Cout que cout, thonë francezet që, në shqip i bie: le të kushtojë sa të kushtojë, ose, edhe më mirë, le të del ku të del!

Ndërkohë që. agjencia e vyer me informon se, romanin do të ma sjell brenda një afati të shkurtër, prej etëm dy-tri ditësh, ishte kjo kohë e mjaftueshme që të shprish e hallakasë, të gjej sa më shumë shënime e të dhëna për këtë shkrimtar me origjinë nga Kosova që, romanin  e tij e parë “Kissani Jugoslavia”, në gjuhën finlandeze, Pajtimi e kishte shkruar, në moshë shumë të re, pa i mbushur mirë 24 vjet jete, e tjera e tjera.

Tashmë romanin “Mon chat Yugoslavia” e kisha në dorë dhe, si eturi në shkretëtirë, me etje e garbi, i m qepëm leximit të tij. (Është rasti i volitshëm të zbuloi një fshehtësi time intime: sa herë që lexoj roman të ndonjë autori shqiptar, të përkthyer nga shqipja në frëngjisht, kuptoj më mirë e me kollaj se kur lexoj në origjinal, ndonjë autor francez. Ndoshta edhe me të tjerët është kështu. Mua të ndihmojnë ambientet e ngjarjeve, emrat e personazhe, që i ndjej, thuaj se i njoh nga afër). Në rastin me romanin “Mon chat Ygoslavia”, ani pse nuk ishte shkruar në shqip, por ishte përkthyer frëngjisht nga gjuha finlandeze, (traduit du finois!), pothuaj se ngjante e njëjta gjë. Me tamam sikur ky roman, të ishte përthyer nga gjuha shqipe.

Pse?

Sepse ngjarjet që shtjelloheshin në këtë vepër letrare, vinin nga ambienti im i dashur, që e njoh aq mirë e që, aq shpesh, me shfaqe në ëndërr, sidomos pasi dergj ditët e fundit të jetës, në kurbet të zi. Vinin nga Prishtina. Vinin nga Kosova, tokë e djegur. Emrat e personazheve ishin puro shqiptare. Kur njëri nga personazhet kryesore, në mos kryesori, madje emrin e ka Bajram, jemi pra, emnak të një barku e të një gjaku. Shtojini këtu edhe shumë fjalë, madje edhe fjali të tëra, kryesisht të shënuara me korrektësi e pa gabime të rënda gjuhësore e gramatikore!

E kam lexuar, para më shumë se një motmoti, prandaj nuk e marr sikletin dhe ngarkesën, morale as profesionale, të përfol, përmbajtjen e kësaj vepre madhore letrare, që u prit aq mirë, si nga kritika letrare dhe,  që, ndërkohë u përkthye dhe u botua në disa gjuhë të madha të botës. Shtoj se, për shijen time, mundësia që e kam gabim kryekreje, por mua nuk me pëlqenin fare (nuk i kapërceja), i lexoja pa dëshirë e kënaqësi, ashtu sikurse me ka ndodhur kur, atëbotë, kam lexuar romanin “Metamorfoza” të autorit botërisht të njohur, Franc Kafka. Vitin e kaluar paska botuar romanin me titull “Bolla”, çka më se miri dëshmon se ke shkrimtar ka afinitet të veçantë, (ndoshta dashuri e simpati, ndaj maceve gjarpinjve, këtë nuk e di!). Sa jam me këtë libër në dorë, të them se, pos kapitujve të cilësuar, nuk u pajtova as me titullin e romanit, pse Macja tij qëllon bash Jugosllavia (e urrejtur për jetë mot nga ana e shqiptarët e Kosovës, posaçërisht. A nuk u gjend ndonjë titull tjetër. Nuk u pajtova fare kur Pajtimi, ndër mijëra mundësi të tjera, zgjedh për moto të romanit tij të parë, një citat, bajagi të gjatë,  nga romani i “Na drini ćuprija”, aq më parë, kur këtë roman, në frëngjisht në frëngjisht e ka përthyer nga serbokroatishtja. Pascale Delpech, (ish bashkëshortja e shkrimtarit të çmuar, me prejardhje hungareze, Danilo Kiš) që, pas luftë së fundit të përgjakshme, për disa vjet ushtroi një funksion të rëndësishëm ndërkombëtar në Kosovë. Në çarqet intelektuale shqiptare, mirë të informuara, të Kosovës, nuk njihet si mike e mirë e kombit tonë. Pak e besueshme është se këtë (mëkat) e ka bërë vetë përkthyesja pa marrëveshjen dhe bekimin e autorit. (Këtë do t’ia thamë në sy Pajtimit, veç, mos e takofsha kurrë. E, do të marr ymër me kredi, qoftë edhe me kamatë të lartë(!), e nuk shkoj në atë dynja pa e takuar këtë djalosh të talentuar shqiptar, shkrimtar finlandez me origjinë shqiptare!

Të shtoj edhe vetëm edhe një fjali, para se ta mbyll këtë histori: në qoftë se është e vërtetë se, më tepër se shkrimtarin vetë (personalisht), më e rëndësishme dje e vlershme,  është të njihesh me verën e tij, atëherë, kam shpresë se jam, nëse jo i pari, ndër të parët shqiptarë, që kam lexuar, “Macen…” e Kujtimit dhe me artin e tij letrar, kam pasur takim , shumë më përpara se atij, t’i bëhej një prezantim korrekt në të përditshmen prestigjioze të Prishtinës Koha Ditore, (e ditës së enjte të 23 majit të vitit 2019), kur në faqen 19, sillte një vështrim të gjatë të “The Guardiern”, mbi romanin “Crossing” nga Pajtim Statovci, duke e quajtur këtë vepër të re letrare të tij, “një odise shqiptare”. Poshtë fotografisë së Pajtimit shënohet ky veçim: ”Crossing” përfshin Bujarin dhe Agimin, të cilët rritën në fundin në fundin e diktaturës 40-vjeçare të Enver Hoxhës, kur Shqipëria paskomuniste rrëshqet drejt kolapsit shoqëror, ku fëmijët shiten në skllavëri, trafikim o0rganësh e prostitucion. Ëndrra e tyre është Evropa”. Pastaj pasuan edhe shumë e shumë shkrime, të shkrimtarit – “të lindur në Kosovë që po bën emër në Finlandë!”. Ndaj, shkrimtarisë së këtij të riu dhe afirmimit të tij, në përmasa më të gjëra, në arën planetare letrare, e vëmendshme, u tregua e përjavshmja (e re) letrare “Ex libris” nga Tirana, e cila, në dy numrat e saj të fundit, njërin pas tjetrit, solli informacione të bollshme lidhur më këtë shkrimtar dhe personalitetin e tij. Në numrin e saj të fundit (11 janar, ky vit) kur pashë titullin “Njëzet pyetje për Pajtim Statovcin”, zemra me zbriti në thembra! Thashë: e pat puna ime! Vdiqa ,me zhig, si reporter dhe gazetar gjurmues që jam, pa e realizuar bisedën e parë (ekskluzive), për lexuesit e masmediave shqiptare, me këtë krijues të ri shqiptar. Gjithnjë dike e konsideruar vetën si përgjegjës (a të privilegjuar). Zemra përsëri mu kthye në vend. Pyetjet për Pajtimin nuk ishin të ndonjë gazetar shqiptar, po të një të huaji, ashtu si e huaj ishte gazeta që i botonte. Ishin të përkthye shqip. U gëzova për këtë, e thashë: Po. Finlanda, ja ku është, një konop samari, djalli e marrtë! Kryeqyteti i saj, Helsinki e ka emrin Pajtim, të këtij shkrimtarit me origjinë shqiptare, tash i moshës tridhjetëvjeçare!

Sa t’i lidh mbathcat e këpucëve, (a të opingave gogishte!), do të marr rrugë për në Helsinkin e Pajtim Statovcit!

U krye!

Nga njëzet pyetjet këtij autori të ri shqiptar, ndava këtë, për hir të vërtetës se, në përgjigjen e tij, përmende sinqeritetin, të cilin unë, personalisht e kam për zemër dhe e kultivoj, dajma e pa kursim, aq sa kam takat. Për të tjerat s’i jap as pesë parë në tupan!

Pyetja: Cili nga librat e botuar në dymbëdhjetë muajt e fundit është i preferuari yt?

Përgjigjja e Pajtimit: -Qershia nga Nico Walker. E lexova me një frymë, pa u ngritur nga karrigia. Ç’libër i jashtëzakonshëm. Më goditi me sinqeritetin dhe gjuhën vërtet të bukur.

 

 

 

 

 

Botimi francez i romanit “Macja ime Jugosllavia” – 2016

Pajtim Statovci

 

 “Dhuntitë e Statovcit në letërsi janë të

jashtëzakonshme”.

The New York Times Book Review Pajtim Statovci (lindur në vitin 1990) është një romancier kosovar i rritur në Finlandë. Ai u shpërngul nga Kosova drejt Finlandës me familjen e tij kur ishte vetëm dy vjeç. Jeton në Helsinki dhe mban diplomë masteri për letërsi krahasuese nga Universiteti i Helsinkit. Si fitues i Çmimit Shkrimtari i Vitit në Helsinki për vitin 2018, momentalisht ai është edhe kandidat për doktoraturë në Universitetin e Helsinkit. Romani i tij i parë “Macja ime Jugosllavia”, botuar në vitin 2014, mori vlerësim të gjerë, si nga kritikët, ashtu dhe nga lexuesit. Ky roman i dha atij çmimin prestigjioz të letërsisë, Helsingin Sanomat. Juria vlerësoi aftësinë e shkrimtarit, i cili në atë kohë ishte ende 24 vjeç, për të kombinuar jorealen me realen, dhe për t’u dhënë simboleve të vjetra një kuptim dhe fuqi të re. “Macja ime Jugosllavia” u botua në anglisht në vitin 2017 nga shtëpia botuese amerikane Pantheon Books dhe shtëpia botuese angleze Pushkin Press. Romani ishte në listën e gjatë për Çmimin Ndërkombëtar Letrar të Dublinit. Romani i dytë i Statovcit, “Crossing”, botuar në vitin 2016, u vlerësua gjithashtu për prozën e qëndisur bukur dhe për trajtimin origjinal të motiveve. Në vitin 2016, Statovci fitoi Çmimin Toisinkoinen të Letërsisë. Botuar në anglisht në vitin 2019 nga shtëpia botuese amerikane Pantheon Books dhe ajo angleze Pushkin Press, “Crossing” është një libër finalist për National Book Award. Ndërsa romani i tretë i tij, “Bolla”, u botua në gusht të vitit 2019 dhe mori vlerësime të shumta nga mediat kryesore në Finlandë. Romani do të botohet në anglisht në vitin 2021 nga shtëpia botuese amerikane Pantheon Books, dhe nga ajo angleze Faber & Faber.

(Shkëputur  nga e përjavshmja Ex Libris, e shtunë, 11 janar 2020, faqe 2).

Cikël me etyde nga VIRON KONA

 

Yllësitë

 

Kur njerëzit bëhen të ditur,

dituritë e tyre bëhen dritë,

përshkojnë qiellin e errët,

kështu formohen yllësitë.

 

 

Mos u brengos miku im!

 

Rrugën s`ta ka zënë askush,

ka vend plot,për ty,për mua,

ec, mos nguro, tregoje veten,

mos u tërhiq, kështu të dua!

 

 

 

 

 

Diçka

 

Vlerësime,çmime gjithmonë do t`ndahen,

jeta kërkon variacion e shumëllojshmëri,

ndonëse vlerat humbin n`vozën e Danaut, 1)

disa grimca të florinjta i ruan kjo gjithësi.

 

 

S`paskemi jetuar kot

 

S`mundemi në këtë botë t`i bëjmë të gjitha,

sepse fuqitë dhe jeta na kanë vënë një kufi,

por nëse arrijmë të bëjmë më të mirën tonë,

kemi shtuar nga një grimcë:dhe unë,dhe ti.

 

 

Harrojmë veten tonë

Kur bëjmë bilancin e jetës,

dhe “thesin”  shohim bosh,

s`lëmë askënd pa fajësuar,

veçse harrojmë veten tonë.

 

 

Nëna

 

Për luftërat kam lexuar e dëgjuar nga shumë njerëz,

në përfytyrim më ngatërrohen histori e kundërshti,

veç gjithçka ma kthjellon zëri i merakosur  i nënës:

nderoni o bir, vajzat e djemtë që japin jetën për liri.

 

 

Engjëjt

Nëse ekzistojnë engjëjt,

me siguri ata janë fëmijët.

Nëse nuk ekzistojnë engjëjt,

engjëj kemi fëmijët.

Nëse duhet t`i krijojmë engjëjt,

ata përsëri do të jenë fëmijët.

 

 

……………………

 

1)Voza e Danaut: Sipas mitologjisë Danau ishte mbreti i Egjiptit. Meqenëse 50 vajzat e tij vranë burrat e tyre, u dënuan të qëndronin në Hadë duke mbushur parreshtur një vozë me fund të shpuar që s`mbushej kurrë.

 

2). 50 Vajzat e Danaut. Vajza të mbretit të Egjiptit, Danaut. Me urdhër të babai ato vranë 50 burrat e tyre. Për këtë u dënuan të rinin në Hadë, duke mbushur me ujë gjithë kohën një vozë me fund të shpuar, që s`mbushej kurrë.

Monolog – Poezi nga Neki Lulaj

 

Pse gjithë kjo plandër mbi supe

Vetvetën pse po e mashtroni

Zbërthja kopsat korës se këmishës

Shiqone rrëmetin për rreth vetës

Të pa gjeturit me ngulm kërkoni

Rendë,rendë po gaboni..

Toka ime plotë eshtra plumba e ka gjoksin

Deshmorët e qetë pse s`po i leni

Luftëtaret bonjakët i harroni

Ku janë të pagjeturit

Ç`është e tepërt ,tepër është

Përse vallë gjithë kjo shtirakti

Pse gjithë ky trap ? Ky ngërq? Ky zgrip?

Kjo po me tmeron

E toka jonë ka pellge gjaku

E gjoksin plot plagë

Hiqni zdërhallet nga karrikat

Uluni e bashkë punoni….

MODESTIA E KRIJUESIT DHE PESHA E VARGUT POETIK TE POETI RRAHIM SADIKU – Vështrim libri nga TAHIR BEZHANI

 

Rrahim M. Sadiku: “Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”,poezi. Botoi “Lena Grafika Prishtinë,2017

“Sa herë ta prekësh fijen e flokut

gjaku me lot e vaj ka me t’u ngjisë.

Me ty avullohen djersët e s’u del flaka…”

 

Modestia si vlerë njerëzore dhe kulturë intelektuale, është pjesë përbërëse  e  poetit të mirënjohur, romansierit nga Vendenis i Besianës,z. Rrahim M. Sadiku.  Nëse modestia  ka si komponentë lidhës urtësinë, bamirësinë, fisnikërinë, respektin ndaj të tjerëve,këto i gjejmë në autoritetin e njeriut  në të gjitha aspektet. Pa tjetër se këto vlera embrionale tek njerëzit me ego të lartë, reflektohen edhe në punën e tyre,në këtë rast te krijuesi në fjalë.

Libri me poezi,”Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”,botuar në vitin 2017 përbën atë pëlcitje poetike të rebeluar, që nuk i ngjason modestisë së autorit në pamje të parë. Preukupimi i autorit Sadiku,me tema të larmishme,si rrjedhojë e jetës personale,por edhe të perjetimeve si popull, me kundërmim të sintezës politike etj,janë verbi  poetik i këtij krijuesi .Në poezitë e tij gjejmë thellësinë dhe gjerësinë e mendimit tematik ,kur ato ia shtron frymëzimi dhe burimi nga shpirti i zjarrmuar. Gjithmonë  shpirt i rebeluar ,i cili pëlcet befas në varg,”diçka tepër misterioze në vete mban,gjithmonë e ndezur,gjithmonë zjarr”

Është kjo një pëlcitje me tingull të  veçantë poetik,një paralajmërim i thellësive poetike,një pasuri nga minera krijuese e  Rrahim  M.Sadikut,që do e lakmonim të gjithë.Në librin poetik,”Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”,siç u fol më lart,siç kanë shkruar edhe të tjerët në libër,trajton tema të ndryshme,duke filluar me atë të  ndërgjegjës kombëtare,si rezistencë,si luftë,si reagim krijues, me porosi të ndezuar për t’u flijuar për atdheun,si porosi që mos të mashtrohemi çdoherë.

Pikërisht për këtë, autori zbraz katarzmën e tij:

”Askush s’po frikësohet përballë stuhive,e mali ynë lehtë mund të vuajë….”

Vjen si kushtrim edhe një mendim i frymëzuar sipas ngjarjeve, kur shkruan:

”Nuk ka dritë dielli derisa ujku është në prag,vetëm në ëndrra, për ne ka ardhur pranvera…”

Porosi për njerëzit megallomanë, në dehje e qejfe personale, kur rrahin gjokset “se puna u krye Bac!..”ndërsa ende i ke këmbët në baltë, ose hirit të zjarrishtave të djeshme…

Një krahasim mjaft simptomatik  vjen nga poezia “Çmimin Nobël t’a dhuron vetë populli yt”,kur  shkruan vargum emblematik:” Çmimin Nobë ta jep populli,ai është sa mijëra e miliona vjet”. Për mesazhin e kësaj poezie emblematike,secili lexues nxjerr konkludimin e tij personal, por mendoj se është një thënje e mrekulluar për karaktere të ndryshme, brenda  shoqërisë sonë. Pra,këtu shkoqim një mendim-mesazh të fortë që përmban poezia e z. Rrahim M. Sadiku. A ka çmim më të lartë se vlerësimi që të vjen nga populli që i takon?…

Sa ndjeshëm buron vargu tek poezia,”Pse pakëz kemi çka të lexojmë”,kur shprehet:

”Miliona faqe të bardha ka libri,e pakëz kemi çka të lexojmë,verbërimi i tepërt është shpirt mize,fjalët e vargjet që shënojmë mungojnë”.

Pa dyshim,një poet me intelekt të lartë krijuesi,apelon te gjeneratat se dija vjen nga libri-leximi,i cili sjellë ardhmërinë e lumtur. Dhe,në fund të kësaj poezie,jep mesazhin brilant,si antitezë e mendimit paraprak, se çfarë ndodh me padijen:

”Dashuri është jetën me çdo gjë me gëzue,me befasue,punue e me lexue,këto tri trajta  gjithë diell,çdo të mirë secilit i  kanë sjellë, e jo verbuar me urrejtje e djallëzi kudo,farë e rrënjët e helmit kudo me mbjellë.”

Sigurisht se këto vargje dhe porosia që vjen prej tyre ,janë pjesë antologjike e të menduarit njerëzor. A e gjejmë vetveten secili në kuptimin e këtyre vargjeve?!…

Në raste të caktuara, gjatë  leximit, lexuesi gjendet  shpesh para rebelimit pëlcitës të krijuesit ,i cili në brendinë e tij,ndjen dhimbjen e ngecjes së përparimit të popullit të tij.Në dukje të parë gjason një reagim fishtian i një gjendje të brendshme. E si ta thotë ndryshe, pos në vargje kaq të fuqishme:

“ Jemi të vetmit në botë që edhe pa pirë dehemi….” ose :” dhimbja ime përherë flakë gjaku,pse çdo gjë popullin po e verbon?….” dhe ” kurrë s’po bëhemi si  popujt e tjerë,që rrënjë e farë me i ditë vlerë….”

Krijuesin Rrahim M.Sadiku,e kam takuar dy herë, në dy orë letrare në Klinë. Për këtë që thashë, kam paragjykime individuale se si ka mundësi, kaq rrallë të takohemi mes veti brenda një ambienti “shuplakë dore” në këto hapësira?…

Si mos të komunikojmë për vlerat e artit që na bashkon edhe me botën?! A  është njerëzore që të nxjerrim në pah,publikojmë vlerat e njëri tjetrit,pa marë parasysh nga i cili vend jemi?!

Dhe,cila është pengesa që nuk i bëjmë këto gjëra të mira nën ombrellën krijuese mbarëshqiptare?! Sa do kisha mungesë sikur të mos e kisha takuar zotëri Rrahim M. Sadikun, apo lexuar librin e tij,kaq të pasur me vlera poetike.Nuk është e thënë që shkrimet reciproke  të jenë të mbushura me “lavdata” ose “kritika”,por  të jemi të pa mendje të madhe,  të mësojmë nga njëri tjetri. Kjo do ishte esenca e krijuesve koherentë.

Në librin me poezi “Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”, të autorit Rrahim M. Sadiku,siç është cekur në fillim, ka për trajtim një tematikë të gjërë të problemeve shoqërore , njerëzore e ndërnjerëzore,  një dedikim me edukatë të theksuar duke përcjellë tek lexuesi një humanizëm të krijuesit të mirëfilltë dhe mjaft të angazhuar në kohën e tij. Gjatë leximit të poezive të këtij vëllimi,si rrallë herë ndodh,nga autori nuk vërejta poezi me tematikë dashurie, ato janë si një gërshet i jetës njerëzore. Nuk do ia ulnin vlerën librit  sikur të  ishin pjesë e tij.

Nga libri mund të lexohen edhe shume e shumë poezi të pacekura në këtë vështrim(si pamundësi),por poezitë si “Molla e Ukshin Hotit”,”Në prag të dyzetave si vezë nëpër fleta”,”Dy krenare me rreze dielli”,disa poezi përkushtuese,pëmbajnë tharmin  poetik të këtij libri-autori.Është kënaqësi ta kesh dhe ta lexosh librin e z. Rrahim M.Sadiku,”Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”.

 

Gjakovë,23,janar,2020

PLAGË ZEMRE – Poezi nga Neki Lulaj

Kallinjtë e grunoreve thërrmohen e ndrijnë

Nën prushin e diellit që ngroh  si nëna para fëmijës

Plangun e dashur  puth buzëmalluar përsëri

Gurët e Kullës prek me tamthat e mallit të thinjur.

 

Jam endacaku i shtigjeve më të larta të botës

Askund  s’e gjeta ngrohtësinë si në vatrën e vendlindjes

Gurgullimin e qetë të lumbardhit mes fushës së pasosur

As mulliri, as plakun plisbardhë me hire mençurie

 

Bebëzat e syve po me përpëliten si krahë  shqiponje

Dhembjen e   fsheh në shpellën e në mjegullën në shpirt

Me kovë të ndryshkur mbush ujin në oborre

E heq etjen e viteve  nëpër kallamishten që nxjerr filizë.

 

Kujtimet e mia zgjohen  në plagët që më merr zemra.

Le te mbyllën thellë në kutinë me ëndrra Pandore

Sa dua të kënaqëm me  këngë majekrahu petalendezura

E të më kthehet fëmijërija e ikur shtigjeve  kohore

 

Sa të gjata i kishte bota rrugët pa kulm, pa prag

Sa gjatë e këndova këngën e Kurbetit në kohëra

Nëpër vagonat e ngurtë metropoleve ndeza mall.

Në botë më të bukur se atdheun- vendlindjen time s’e takova.

 

 

-Nga Gjermania, Janar 2020-

GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU PARZMORE ÇELIKU NË GJOKS TË EVROPËS – Poezi nga SHEFQETE GOSALCI

Gjergj, ti ke le si ni burim drite
Si uj i bekuem mbi një shkëmb të çam
Mbëltove paqe me shpatë e ullinjë nëpër Evropën e përdalë

Kur t’morën Gjergj, zemrën e le në prehër t’lokes
T’ma ruash nanë kur ti kthehna tokës
Asker n’Anadoll u bane ma i miri ushtar, djalë shqiptar

Gjergji i nanës që s’ta pa rritën
Princat e Arbërit të patën Betim
Edhe Marica që ta mbajti besën
Arbërisë Gjegj ju ba flijim
Edhe Nora e Kelmendit q’i shkoj Pashës me thikë n’shokë
Ta nxurr hakun e krejt çikave që bajlozat t’i çnderuen agimeve t’nxime

Tuj na mungue për pesë shekuj Gjergj, Ilirikun na e ban Ballkan
e ram ner turq, ner shkije, ner grek e bugar
E se di bre Gjergj a mbetëm shqiptarë?

Se t’kan dal do djem të ligj, hileqarë, lakmitarë, qyqarë e tregtarë që mexhat t’i kan ba pikë e pesë e tokat t’i kan qit n’pazar

Që nuk kan as marre as m’shirë
Tenderin e fitoj Gjergj, kush pagoj ma lirë
As te vorri Gjergj s’po muj me t’ardh se s’kom çka t’thom
Erdha n’qiell o v’lla me fol me Ty
mos um ngofsh mos m’le me u kthy, nalum t’rri me Ty
Se ata zemrat naj kan thy
Se kerkush Gjergj ma s’po ngon
Kerkush kerkanin ma s’pe don, e ma e keqja
Kush kujna Gjergj ma s’po i beson

Ilirikun Ballkan ta kan ba, e bijt t’i kan përça
Me que dorë vllau mi v’lla
Ata që me sy t’shqiptarëve skulptura kan ba e me krye t’tyne Çanakala
Specialist errësirash që me dritë o Gjergj i pate vra

Erdha n’qiell o Gjergj me t’u rrëfy me ti than krejt çka kam n’zemër t’uj t’pa n’sy
-Veç do rrugë Gjergj i kena shtrue e kah t’dojna mujna me shkue, veç jo atje ku Ti ke d’shirue
N’Evropën që parzmore n’gjoks ju pate ba e e pate pshtue

Ah bre Gjergj folma ni fjalë
Me vetëtima jepe ni urdhër
Andrrat zhgandrra me na u ba
Bijtë me t’u bashkue e Shqipnisë Zot me i dal
Se edhe vet jeta Gjergj t’ka pas lakmi me jetu e me vdek si Ti

Edhe diçka Gjergj
Amanetin t’a kam krye
Me dur t’mia qëndis flamurin ta kam e n’dur t’djemve jav kam dhan
E ata s’po din ku e kan lan

Aq shumë shekuj Gjergj na ke mungue
Plot flamuj mbi Arbëri kan value
Veç i Yti Gjergj ka mungue.

KULLOTA – Poezi nga ROBERT FROST – Përktheu KUJTIM MORINA

Po dal të pastroj burimin e kullotës.
Do ndalem sa të mbledh pak gjethet
(dhe pres sa të shoh ujin të kthjellet)
Nuk do të rri gjatë, -hajde edhe ti.

Po dal t’i jap ujë viçit të vogël
që po qëndron me nënën e vet, sa i ri!
Ai dridhet kur ajo me gjuhë e lëpin.
Nuk do të rri gjatë, -hajde edhe ti.

O MIKU IM, ATË NATË ÇDO FJALË RRIDHTE LOT…! – Nga Sejdi BERISHA

(Në vend përkujtimi për gazetarin, publicistin dhe atdhetarin, Nazmi LUKAJN)

Gjithçka ishte akt i kryer dhe jeta e tij i ngjante shkrimit të papërfunduar, sepse rrugëtimi ishte në të sosur apo edhe kishte mbaruar. Andaj, kur diçka gjithnjë më shtynte dhe më detyronte të shkruaj këtë shkrim, përherë në mendje më sillej një si mallkim apo edhe gjykim: lindja është fajtore për vdekjen! Dhe, tash pas tre muajsh pa Nazmi Lukajn, kur dua të them diçka të madhe dhe të lumtur për te, secili mendim m’i këputë këmbët, sepse, takimet dhe bisedat me këtë njeri, përherë ishin me peshë por edhe me dhembje, sa që shpeshherë ato kalonin në fushën e mendimit të çuditshëm.
…Fati i kombit gjithnjë e mbërthente në atë fuqinë, por edhe në atë dhembjen e cila sikur për çdo sekondë e çdo minutë diçka i merrte nga trupi, nga zemra e shpirti. …Andaj, shëtitje e Nazmiut ma këpuste shpirtin, sepse ajo i ngjante shmalljes me vendlindjen dhe rrugëtimit në pakthim…!

1.
Kur bisedonim për jetën, fjalët e Nazmiut ishin më ndryshe se ato të rëndomtat, ishin plotë elan e dashuri për lumturinë, pa marrë parasysh sfidat dhe përplasjet. Kështu që, kjo forcë, Nazmiun e bënte të dashur por ndonjëherë edhe enigmatik. Enigmatik, sepse, dot nuk arrinte t’i mbërthente dhe t’i thoshte të gjitha përnjëherë, dhe kështu ngelej i etur për mendimin e drejtë dhe peshën e tij.
Thonë, se së pari njeriu gjithnjë mendon për fatin dhe për mirëqenien e familjes, të fëmijëve, bashkëshortes dhe të prindërve, por tek ai sikur ishte krejt ndryshe. Fati i kombit gjithnjë e mbërthente në atë fuqinë, por edhe në atë dhembjen e cila, sikur për çdo sekondë e çdo minutë diçka i merrte nga trupi, nga zemra e shpirti.
Pse ishte i tillë Nazmiu?! Këtë, pakkush mund ta ketë ditur, apo nuk e kanë ditur fare!. Ishte një shpirt i parehatshëm, i cili çdo gjë ia bënte “haram” duke menduar për njeriun, për historinë dhe fatin e tij. Andaj, ky shndërrohej në atë ëndrrën që ndrydh, që të përkëdhelë, të tmerron por edhe të lë në dritaren e pritjes. I tillë ishte Nazmiu kur bisedonim për atdheun dhe për rrugëtimin e kombit, të cilat gjëra, në shenjë revolte, shpesh i truanim dhe i mallkonim. Pra, kështu tani më duket se po e shoh profesorin, gazetarin dhe publicistin, duke udhëtuar në trenin e madhështisë dhe të shpresës, por me kokë në dritare dhe me shikimin e derdhur në fatin e tokës dhe të njeriut që gjithnjë i konsideronte si gjëra të shenjta. Nazmiun, që ne nuk e dinim se ishte në ikje,… në ikjen tinëzare dhe plotë padrejtësi, sepse, ai kishte synim dhe ëndërr për të bërë edhe shumëçka, për të lënë vepra shumë më me peshë e më me vlerë…!
Njeriu, qysh në vegjëli sikur e ndanë fatin dhe përcaktohet për diçka. Profesori Nazmi, edhe pse me moshë i ri, ia arriti të merr ditarin dhe gjeneratat e reja t’i sjellë në rrethin e diturisë, t’u ofrojë vlera diturie duke e begatuar çdo gjë me atdhedashuri. Ishte tejet e madhe kjo punë e profesorit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, për mësimdhënësin e lëndës së themeleve të të arriturave madhore në të gjitha fushat. Duke pasur parasysh këtë rëndësi me vlerë, atë e shohim duke nxituar si njeriun e uritur për të siguruar sa më shumë kafshatë buke. Me përkushtimin e tij për t’ia ngritur namin gjuhës së nënës, atë shpesh e kemi hasur ndoshta edhe të dalë nga vetvetja mbase edhe të ngujuar në peshën e fjalës dhe të mendimit. Aq shumë thellohej në brendinë e këtij tuneli të jetës, sa që nganjëherë ndoshta edhe i ngatërroheshin betimet: a për t’i sjellë sa më shumë dituri rinisë, apo për t’i sjellë krenari jetës dhe njeriut. Të themi se të gjitha i përziente Nazmiu, vetëm e vetëm që lumturia dhe dituria, por edhe drita e liria të bëheshin pjesë e njeriut, e shpirtit të tij. Dhe, unë jam i vetëdijshëm, dhe dua të them, se jetën e tij e kam përcjellë cep më cep, pikë për pikë. Andaj, kishte një rrugëtim interesant, të vështirë, të lumtur e të dhembshëm, por shumë njerëzor, të cilat virtyte, jo rrallë por shpesh, ia kanë nënçmuar dhe ndonjëherë edhe ka qenë i përbuzur. Gjërat e tilla, nganjëherë e demoralizonin gazetarin dhe publicistin e ardhshëm, por, aty për aty e kalitnin dhe e trimëronin edhe më shumë që të vazhdojë rrjedhën e lumit të jetës së tij.
I tillë ishte Nazmiu, i cili nuk druante as nga jeta as nga vdekja…!

2.
Duke shkruar njëherë Tolstoji, kush e di se pse, me indinjatë kishte thënë: “vetëdija e lartë e rëndon njeriun”! Dhe, nëse i referohemi këtij mendimi, gazetarin dhe publicistin, Nazmi Lukajn, një gjë e tillë kishte kohë që e kishte rënduar dhe gllabëruar. Për këtë arsye, ai, me shkrimet e veta “zbrazej” një mjete të informimit. Në gazetën “Bota Sot”, përpëlitej me tema të nxehta, të cilat e lënin pa fije gjumi. Bile, mund të ketë ndodhur që shumë herë kotja e kishte tradhtuar, kurse cigarja ia kishte djegur gishtat e dorës, ndoshta për t’ia nxjerrë edhe mendimin e fundit për shkrimin e papërfunduar. Por, nuk mjaftonte vetëm kjo! Shkrimi dhe fryma e tij gjendet pothuaj tek shumica e gazetave që botohen në Prishtinë dhe në Tiranë. Dëshira e tij për informimin e njeriut dhe të kombit, ishte si dëshira e luftëtarit: me çdo çmim për ta sjellë e përjetuar dritën dhe lirinë.
Ai, ishte plotësisht i vetëdijshëm se për shumë gjëra haste edhe në kritika. Kjo, gjithnjë, ngase shpirti i tij ishte shumë përpara dhe guximshëm hapëronte, kurse lapsin e kishte “pa qime në gjuhë”. Për këtë, sa herë që e kam takuar mikun tim, Nazmiun, me kërshëri më fliste për jetën dhe trysnin e saj, për etjen që kishte për t’i parë njerëzit vetëm të lumtur. Këtë, shumë ma dëshironte edhe mua, gjithnjë dhe përherë, sepse, e pëlqente penën dhe mendimin tim. Andaj, ecjen ai e shihte dhe e konsideronte si diçka të domosdoshme dhe si detyrim njerëzor. Për këtë arsye, nuk shkoi gjatë dhe e organizoi botimin e gazetës “Pavarësia”, e cila për një kohë u botua në Prishtinë. Emri i kësaj gazete kishte kuptim shumëdimensional, dhe, atë e “grahi” mirë e me sukses. Aty, u dha mundësi shumë penave dhe gazetarëve që të dëshmohen, ta gjejnë veten dhe në këtë mënyrë edhe të afirmohen. Kështu ndodhi gjithnjë, të cilën gjë e forconte edhe me disa miq e kolegë të tjerë, disa prej të cilëve nuk iu ndanë as deri në frymën e fundit dhe përtej saj!
Nuk ndalej tani, ky krijues në shumë fusha. Të tillë, më vonë e hasim edhe te gazeta “Nacional”, e cila botohet në Tiranë. Edhe këtu, ai bëri çmos që ta afirmojë kauzën kombëtare, vlerat shpirtërore dhe kulturore, por edhe ta afirmojë krijimtarinë e shumë krijuesve nga Kosova, e veçmas nga Peja, prej nga vjen edhe ai vet.
Forca shpirtërore e Nazmiut ishte e madhe dhe e veçantë. Kurrë nuk me hiqen nga mendja momentet kur atë e shihja me gazetën “Nacional”, të cilën vetë e shpërndante në Pejë e kudo tjetër. Ishte kjo shprehje e një shpirti të madh i një njeriut të sinqertë dhe entuziast. Në Restorantin “Tiffany” në Pejë, përherë m’i lente ekzemplarët e “Nacional-it”, që më gëzonin dhe ndjehesha shumë i respektuar. Herën e fundit, këtë gazetë e kam marrë po në këtë restorant, të cilën ma kishte paluar në mënyrë pedante dhe me shkrimin: “Nazmiu, në shenjë respekti”! Besoni, atë ditë diçka më theri në zemër dhe tërë trupin ma përlau dhembja për këtë njeri, të cilin nuk do ta shihja më kurrë!
Edhe pse ishte i vetëdijshëm për sëmundjen, ai gjithmonë na nderonte me gazetën në fjalë. Edhe këtu qëndron madhështia e Nazmiut…!

3.
Edhe diçka. Më kujtohet edhe fjetja e tij në redaksinë e gazetës “Bota Sot”, vetëm e vetëm që t’i qëndronte besnik shkrimit dhe profesionit prej gazetarit. Kjo sakrificë, nuk mund të krahasohej dhe as të matej me asgjë, përveç se me virtytin e lartë prej njeriut të çiltër. Për këtë, shpesh e kam kritikuar, ashtu siç i kam drejtuar nganjëherë fjalë qortimi edhe për kujdesin më të madh ndaj familjes, ndaj fëmijëve që i kishte dhe i ka si lulet.
Kur bisedonim për familjen, ai ma rrëzonte mendimin tim, sepse, me përkushtim dhe me krenarinë më të madhe më fliste për fëmijët.
-I kam të shkëlqyeshëm edhe në jetë edhe në mësime…
Po. Ashtu ishte. Krenohesha edhe unë me ata fëmijë të cilët edhe unë i kurajoja duke i përqafuar dhe duke u folur fjalë miradije për mësimet që i merrnin në shkollë.
Po, pra. Vajza e madhe, Ariana, sot është studente e dhjetësheve në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Dhe shih, për madhështinë e saj, Nazmiu, prej atje, në spitalin e Tiranës, edhe pse luftonte me sëmundjen, me gëzim të madh më rrëfente:
-Sot, Ariana kishte marrë dhjetëshe…!
Tash, them, e si mos të mburren fëmijët Ariana, Arianiti, Arianita dhe Afërdita për babanë e tyre. Ata e ruajnë kujtimin dhe premtimin për te, se do të bëhen shembull i njeriut të kësaj toke, për çfarë, Nazmiu gjithnjë ishte i etur. Se çfarë përkushtimi kishte ai në jetë, është përrallë e gjatë, e cila lumturon, hidhëron dhe përmallon.
Nëse nuk gabohem, mu atë ditë kur Ariana do të ngelej pa babanë, ajo kishte marrë edhe një dhjetëshe në fakultet. Prej atëherë, gëzimi i përzier me hidhërimin ngelën shokë të dhunshëm, që dot nuk ndahen as nuk harrohen…!

4.
Kur më kujtohet biseda me Nazmiun për sëmundjen e tij, për të cilën nuk kisha ditur ndonjëherë se ai luftonte dhe kacafytej me te, në ndërdije gjithmonë me flenë ajo pesha e dhembjes së tij, e cila, po të matej me ndonjë masë, do të peshonte shumë dhe do të depërtonte në thellësitë e pamatura të tokës memece. Ishim ulur në restorantin të cilin ai më shumë e preferonte, në “Tiffany”. Pasi e pyeta për familjen dhe për shkrimet për gazetën “Nacional”, ai u ndal si i stepur. Heshti duke shikuar përreth, pastaj me zë të ulët m’u drejtua:
-Sejdo,…ti je i pari që po të tregoj…
-Çfarë, ashtu?!
-Jam i sëmur,…
-Si?! Çfarë të mirën ke…
Kur më tregoi për sëmundjen, nuk doja t’u besoja veshëve të mi.
-Po, po. Ndoshta nuk do të shkojë gjatë…!
Ia ndërpreva fjalët dhe tërë kohën e vërshova me bisedën e shpresës dhe të besimit. Mirëpo, tash fytyra e tij m’u shndërrua si në një hartë të tronditjes, që shpreh relieve të çrregulluara. Nuk dëshiroja në atë moment të besoj asgjë.
Tani e tutje e njihja një Nazmi tjetër, i cili qëndronte stoik, por më shumë e dëshironte vetminë dhe shëtitjen në natyrë. U dashurua edhe më shumë me bukuritë e natyrës, me bukuritë e tokës! U dashurua me bukuritë përrallore të Pejës, me madhështinë e Grykës Piktoreske të Rugovës, të cilën e donte në mënyrën e vet, dhe sikur gjithmonë e kishte ëndërr që këtë pjesë të Kosovës ta përjetojë si qendër turistike kombëtare.
Mirëpo, kjo shëtitje e Nazmiut ma këpuste shpirtin, sepse, ajo i ngjante shmalljes me vendlindjen dhe rrugëtimit në të sosur…!

5.
Takimi i fundit me Ty Nazmi, ishte i pabesueshëm se prej atij momenti nuk u pamë më. Atë mbrëmje, në shtëpinë tënde çdo gjë më dukej e rëndë. Çatitë peshonin ndryshe. Tjetër barrë bartnin mbi vete. Edhe shikimin që ta drejtoja më dukej ndryshe. Biseduam gjatë, por më dukej se çdo fjalë rridhte lot…!
-Ke për ta fituar edhe këtë betejë,… Njerëzit me këtë sëmundje jetojnë njëqind vjet! –i thash vetëm sa për ta bërë fjalë. Por, ai me gjithë ngarkesën shpirtërore, buzëqeshi siç e kishte zakon dhe ma ktheu:
-M’i lejo vetëm dhjetë vjet,… të tjerat po t’i fali. –mu duk se kjo fjali çdo pjesë të trupit ma lëndoi dhe ma pengoi ecjen e gjakut nëpër damarë. Ishte mbrëmje dhe nuk ndeja shumë. Në të dalë, duke u përshëndetur, ma dhuroi librin e Gjekë Marinajt “Protonizmi: Nga teoria në praktikë (Vizione letrare)”, kurse në brendinë e librit kishte shkruar: “Shkrimtarit të mirënjohur, z. Sejdi Berishës, në shenjë kujtimi e respekti. Nazmi Lukaj”! E, bashkë me libër ma dhuroi edhe një stilolaps me ngjyrë të zezë. Sepse, e dinte ai që i kam në qejf stilolapsat që shkruajnë zi. Dhe, çfarë të them. Libri dhe lapsi me peshuan hiq më pak se dhjetëra tonelata. Ishin zjarr që më përcëllonte. U përshëndetem,… e, kjo përshëndetje mbeti përshëndetja e përgjithmonshme me mikun tim, Nazmi Lukajn!
Kjo ndarje ishte me plot padrejtësi. Tradhtare, ishte kjo ndarje…! Nazmi, tani të takoj vetëm në kujtime, të cilat më lënë pagjumë,… të cilat më trishtojnë.
Nazmi, për fund dua të të them edhe diçka. Pusho i qetë, sepse askush nuk ka besuar se aq shumë të paskan dashtë njerëzit, numri i të cilëve, atë ditë kur të përcollëm për në shtëpinë e fundit, por edhe tri ditë radhazi gjatë ngushëllimeve, i kalonte shifrat e mijëra e mijëra njerëzish të të gjitha moshave. Ato momente dhe ato ditë, emri yt i ngjante gjerdanit të pakëputur duke u shqiptuar me peshën e respektit, të dhembjes dhe krenarisë. Sa i madh ishe dhe mbete, Nazmi. Tani, qëndron si figurë e pavdekësisë dhe e krenarisë në historinë e njeriut dhe të atdheut tënd. Krenari është kjo,… s’është vdekje.
Nazmi, të gjithë njerëzit e përkushtuar janë melankolikë, të dhembshëm dhe si të tillë shpejtë dhe befasisht ikin, mu si zogjtë e trembur, që pas lënë madhështinë si amanet. Kurse, kjo që shkrova për ty është shumë pak,… krejt pak, sepse, je duke shëtitur nëpër damarët e gjakut tim. Andaj, sa ka vlerë shkrimi kur ti s’je më…!

 

PROZË E DHEMBJES DHE E KRENARISË E SHKRUAR NDRYSHE – Nga Sejdi BERISHA

TIRANA, VLORA, SHKODRA, ELBASANI,… FJALË TË NGUJUARA NË ZEMËR

(Fragment nga libri “Konflikti me vetveten”)

 

Sa herë që kam dëshirë të shkruaj apo të them diçka në shkrimin tim, në të njëjtën kohë ndjej një dridhje por edhe kënaqësi, e kur të bashkohen këto, sikur më bëjnë më të lumtur për guximin që kanë njerëzit. Ndoshta, një gjë e tillë edhe të detyron të futesh në brendinë e njeriut dhe të nxjerrësh gjëra që i ngjajnë misterit, apo ta hasesh dritën, e cila rri në terr dhe ashtu me ngjyrë ndryshku dhe erë myku. Dhe, pikërisht për këtë arsye, më kujtohet Gabriel Garcia Marques, i cili thotë: “Çdo gjë që del nga goja ime, më shqetëson mua”! Po, natyrisht se ashtu është, kur ende ka shumë gjëra pa u thënë ashtu si duhet. Por, kjo (s)ka rëndësi…

“Dikur, kur babai im ma përmendte Tiranën, krahinën e Tropojës, kur më fliste për Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti s’më zinte vend

Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,… m’u bën fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik që e ruaja në shtatë palë tokë, në shtatë palë qiell, atëherë kur babai nuk ishte më.

*    *    *

 

Posa dolëm nga restoranti, na afrohet një burrë në moshë të mirë që mbante syza dielli. Na u afrua, hoqi syzet dhe u përshëndet së pari më mua e pastaj edhe më dy miqtë e mi.

Me përzemërsi më pyeti se ku gjendem. Kur i thash se për çdo ditë jam në “vendin tim”, në restorantin “Nositi”, menjëherë më tha:

-Ka kohë që nuk të kam parë! – më flet me përzemërsi dhe m’i kishte ngulitur sytë thua se sikur donte për të më studiuar, apo kishte aq etje për t’u takuar me mua.

Ky njeri, i cili një kohë kishte qenë edhe kryetar gjykate, më pyeti edhe për krijimtarinë time dhe na luti të kthejmë sërish në restorant për nga një kafe. Por, ishte vonë dhe që të tretë iu falënderuam. Në shenjë përshëndetjeje, ma zgjati dorën:

-Sërish po të them, se ka kohë që nuk të kam parë, dhe, të ta them të vërtetën, kur të shoh dhe kur të takoj Ty, disi të identifikoj me Pejën…!

Ngela i nemitur, por vetëm arrita t’i them: Ju faleminderit! Ndërsa, në ndërkohë, njëri prej miqve të mi, posa u larguam pak nga ky njeri, me admirim shtoi:

-E sheh, çfarë do të thotë të bësh e të krijosh vepra… Të shkruash monografi si atë “Zejtarët e Pejës” dhe “Teatri i Pejës”?!

Pas kësaj, të tretë ngelëm pa thënë asnjë fjalë, pa dhënë koment për këtë, por unë vetëm ngrita supet, që ishte shenjë se megjithatë thoshte diçka… Kështu u ndamë me dëshirën për t’u takuar sërish nesër apo një ditë tjetër…

 

*    *    *

 

Një ditë, sërish duke kaluar atypari, por tani duke u kthyer në shtëpi, pranë asaj ordinance grumbuj njerëzish. Bënte vapë, kurse ata në pishë të diellit. Duke shikuar pa cak, dëgjoj një zë duke më thirr me emër. Kthehem dhe shikoj. Nga turma ndahet njëri i cili më përshëndeti me: mirëdita!

E shikova, por nuk e njihja dot. Ishte një plak thatak me një kasketë në kokë, që ma qonte mallin e atyre pleqve nga Kalabria. U ngrit në këmbë dhe duke kaluar këndej rruge ku isha unë, ma shtrëngoi  dorën duke më thënë:

-Ndoshta nuk më njeh, por jemi takuar para një viti e sa, në të pame me rastin e vdekjes së gazetarit N. L. Prej aty, kurrë nuk të harroj dhe shumë të respektoj,… Ishe njeri i madh! –pa përfunduar tërë atë që kishte pas ndërmend, lotët ia përlanë faqet thatake. Edhe njëherë ma shtrëngoi  dorën me të dy duart e veta, duke mos mundur të flas nga dridhja e buzëve. Iku atje ku kishte qenë duke pritur për ta “relaksuar” kurrizin e tij të shtrembëruar nga koha.

Ngela mu sikurse njeriu i varur në ndonjë gozhdë të madhe, që rri kacavjerrë, dhe duke u luhatur si lavjerrës pret se ç’po ndodhë me te. Ashtu, i shtangur vazhdova rrugën për në shtëpi. Vapa e kishte bërë të vetën. I tëri isha bërë qull nga djersët. Më digjnin sytë. Nuk e di, nga djersët apo nga kripa e lotëve të atij plakut që më kishte përshëndetur, dhe me fjalët e tij ma hapi edhe një plagë, dhe ec e gjëje ilaçin për ta shëruar atë! Nuk e di, por për ngushëllim vetvetes, thash: “po, sa njerëz e njerëzi, po sa butësi i nevojitet këtij populli, kësaj toke…!

Të jeni të sigurt, edhe mua,… po sa shumë më shtrëngon kurrizi,… sa më dhembin eshtrat,… si të isha i rrahur, maltretuar dhe i vuajtur prej ditës kur më lindi nëna!

 

*    *    *

 

Nuk kishte shumë kohë që në Tiranë isha në një manifestim, në një dasmë, por kjo dasmë kulturore. Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë u promovuan disa vepra të krijuesve dhe krijueseve nga Shqipëria dhe nga Kosova. Ishte madhështi dhe kënaqësi, që frymonte me aromën e bashkimit krijues e shpirtëror. Për këtë, edhe unë fjalën time përkitazi me disa nga veprat që promovoheshin e fillova kështu: “Dikur, kur babai im ma përmendte Tiranën, krahinën e Tropojës, kur më fliste për Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti s’më zinte vend; athua çfarë ëndrre është kjo që ma tregon prindi im me plis të bardhë, kurse babait tim duke folur i përvidheshin lotët nëpër të qarat e faqeve.

Dikur, kur u rrita, fjala Tiranë, Shkodër, Tropojë, m’u bënë flakë shpirti, ëndërr e parealizuar, etje e pashuar. Edhe atëherë babait i përvidheshin lotët, por edhe lotët e mi ma përcëllonin rininë.

Dikur më vonë, kur u rrita pak më shumë, Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,… m’u bën fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik që e ruaja në shtatë palë tokë, në shtatë palë qiell, atëherë kur babai nuk ishte më.

Kurse tash, po të ishte sot gjallë im at, do t’i thosha: Ja, o prindi im, rrëfimet tuaja, etja për atdheun, por edhe ëndrrat e mia u bën realitet. Tash, Tiranën dhe tërë Shqipërinë e përqafoj si dua vetë…”.

Gjatë fjalës sime, disa herë më ndërpriten me duartrokitje. Ndërsa, pasi mbarova fjalën, redaktorja e një shtëpie botuese në Tiranë, nuk ia mësova emrin, ma kërkoi fjalën time të shkruar:

-A ka mundësi të ma jepni shkrimin Tuaj, së paku atë pjesën e parë, që ishte e padëgjuar kështu ndonjëherë, aq me peshë e me domethënie…

Ia dhashë shkrimin, por ngela duke medituar, athua me të vërtetë kisha thënë diçka të mençur… Athua, sikur të ishte babai im gjallë, çfarë do të më thoshte sot, dhe, a do të më përqafonte për shuarjen e etjes sime, për shkrumbin e tij. Por, më së miri Ju jepni vlerësimin për këtë gjë, e cila edhe sot e kësaj dite ende nuk është puthitur në binarët e jetës. Fjalën e kam për unitetin e mendjes dhe të veprimit,… E dini ju fort mirë…!

FUSHËS ELB TË MBJELLË – Poezi nga ROBERT BURNS – Përktheu SERVET BYTYÇI

 

Oh vjen Xheni trupin lagur

S’thahet asnjehere

Zvarrë tërheq fustanin

Fushës elb të mbjellë.

 

Fushës elb të mbjellë e mjera

fushës elb të mbjellë

Zvarrë tërheq fustanin

fushës elb të mbjellë.

 

Ti do vesh me mua të piqesh

Fushës elb të mbjellë

Ti do vish me mua të puthesh

loti valë do rrjedhë.

 

Përroit përpjetë

Xheni do më vijë

Puthjen tone të fshehtë

Askush t’mos e dijë.

 

Oh vjen Xheni trupin lagur

S’thahet asnjehere

Zvarrë tërheq fustanin

Fushës elb të mbjellë.

BRIGJE TË DUNIT – Poezi nga ROBERT BURNS – Përktheu SERVET BYTYÇI

 

O  bregore të bukura të Dunit

Si paskeni bleruar kaq per bukuri

E ju zogj te vegjel vallë si këndoni?

Kur jam i vetmuar e mbuluar në zi.

 

 

Ma këput shpirtin sot kjo Laureshë

Aty prane lulëzuar ka kjo ferrë

Jo nuk ka ilaç as sot nuk mund te qeshë

Gëzimet fluturuan s’kthehen më asnjëherë.

 

 

Shëtita gjatë brigjeve te Dunit

Nje trëndafile të shoh e ndoshta vashën time

Dashurinë e tij zogu e këndon

E dashurine time e qaj me ligjërime.

 

 

E pranë tek nje therre e lashë prapë trëndafilin

E përkëdhela me dorë lehtas plot kujdes

Lulen time e mori mua më la therrēn

Dashuria ime pa shpirt e pa besë.

OH E DASHURA IME NGJYRË E TRËNDAFILIT – Poezi nga ROBERT BURNS – Përktheu SERVET BYTYÇI

Kjo poezi së bashku me poezine Daffodils te William Wordsworthit konsiderohen me te bukurat ne Anglisht te shkruara ndonjëhere…

 

Oh e dashura ime ngjyrë e trëndafilit

I kuq i kuq si gjaku

Që në lëndina, mes  tërfilit

Qershori e çel tek pragu.

 

 

Si kënga e zogut në Pranvere

Ndër gurra plot freski

E ndër livadhe ku fryn erë

Këndon sa këngë e melodi.

 

 

Të dua shumë ty vajzë e bukur

o dashuria ime, lot e mall

E do te dua deri atëhere

Kur të thahet lumi të bëhet zall.

 

Gjersa deti do të thahet

E dielli shkëmbinjte ti thërrmojë

Dashuria jote ne zemër mbahet

gjersa pluhur i jetës të na mbulojë.

 

Lamtumire pra tani e dashur

O dashuria ime e vetmja

Se prapë nga larg  do vij patjer

dhe po te jene qindra mijë kilometra..