VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

HISTORIA E GJËRAVE TË VOGLA… – Tregim nga TAHIR BEZHANI*

By | February 12, 2020
blank
4 Comments
  • author avatar
    Anonymous 1 year ago Reply

    Falenderoj perzemersisht botuesin e ketij tregimi

  • author avatar
    Tahir bezhani 1 year ago Reply

    Perzemersisht e falenderoj botuesin e ketij tregimi,zoteri Skender M.Buçpapaj,i cili,me komentin shtese,ia dha kuptiminn e vleren adekuate historike ngjarjes se pershkruar ne “Historija e gjerave te vogla”.

    Mua,si autore,komenti ne fjale nga zoti Buçpapaj,me bene ndere,me hape rruge per prozen, zberthen kuptimin e deri ne thellesi te tregimit. Si krijues i permasave ne rrafshin jkombetare e nderkombetare,Skender Buçpapaj,me botimet e mirefillta te gazeta elektronike,nxite,krijion mentalitet evropian te pendat e reja ne hapsirat shqiptare. Dhe kjo,e perfaqe madheshtine e tij njerzore e krijuese. Nuk kam mundesi te them gfjitha ato qe meriton Skender M.Buçpapaj,por mbi te gjitha, e falernderoj per komentin e dhene,nje studim serioz i gjthe tregimit tim’Histoprija e gjeravew te vogla”.

    Faleminderi i nderuar dhe i vlersuar Skender Mehmet Buçpapaj!

    Tahir Bezhani- Gjakove

Komentet

blank

KOSOVËS – Poezi nga ARSHI PIPA (28 korrik 1920 – 20 korrik 1997)

Vllazën shqiptarë, Kosova s’asht e jona.
Kush me e përmendë guzon ai ban trathti!
O kob qi s’do t’harrohet kurr tevona!
Kosova e ngratë dergjet e vdes n’robni.

Prej bastardhësh trathtue qi i zhgulën zemrën
e n’pre ua hodhën klyshve qi Moskova
Për gjak ndërsen, me parzëm shkelë nën themrën
mizore sllave po jep shpirt Kosova.

Deri kur, vllezën, do ta ndiejmë na veten
fajtorë pse vendin ku Shqipnija leu
guxojmë ta duem, tue pasun frigë fatshkreten
Kosovën tonë ta quejmë gjymtyrë atdheu?

O tokë e bukur ku fjala burrneshë
ilire ushton qysh me mjegull gojdhane!
gjoks i Shqipnis, ku e ndryme si luaneshë
ndër hekura gjëmon zemra Dardane.

A mundet ajo, vall, me u-zhgulun dejsh
pa ba kufomë llogoren e krahnorin?
Lumnin tande, Kosovë, at’herë ta rrfejsh
kur gjak i lirë t’vadisë hullin e plorit.

Sot tjetërkush ta gzon frytin e punës,
mbi tokën tande, kosovar, je skllav!
Qi t’la mbi vetulla kamxhiku sllav!

Qoftë e mallkueme fara qi aty hidhet
me djersë e njomun pleqsh, me lotë kërthijsh!
Bukën e turpit e t’poshtnimit t’idhet,
o vend martyr, der kur ta kapërdijsh?

Qenka pra faj me lypë të drejtën tande?
Dorën për lmoshë duhet me i shtri kusarit?
O gjuhë, ti bamu rrfe e tmerrin trande!
Do t’vijë, do vijë nji ditë ora e shqiptarit!

Mbas nesh tjerë kanë me ardhë. S’fiket Shqipnija
pse disa qinda nesh rrzohen nën plumbin.
Se për çdo dhjetë prej nesh qi amshon lirija
dhjetë mijë do t’lindin e dhjetë mijë do t’humbin!

Do t’humbin shqim ata qi sot na shtypen!
Kulshedra e re me lakminat e vjetra
at’here do t’shembet kur ta shofim shqypen
prej majesh tu’e sulmue me sqep e kthetra.

Andej na priret shpirti i fortë me hove
t’dalldisuna ngadhnjimi, ushton jehona:
O vllezën, nalt ju ballin! prej Kosove
Der n’Çamëri Shqipnija asht e jona.

 

blank

Gara e Drerit Nungma Nga Naum Prifti

Kopertina nga Bujar Zajmi

 

Dreri Nungma e kishte pritur me padurim garën sportive të lojrave verore dhe në ditën e caktuar sapo ju afrua sheshit prej nga do të fillonte gara, e ndjente çdo rrahje të zemrës në kraharor.
Sikur të dilte i pari! Sa mirë do të qe për të dhe për gjithë drerët, që e kishin zgjedhur si vraponjësin më të mirë të tundrës.

Nungma i shikoi vraponjësit e tjerë, afër startit dhe e merrte me mend shqetësimin në ato minuta para se të fillonte gara. Të gjithë lëviznin pa pushim sa andej këtej duke e shkrifur trupin.

Ndërmjet tyre kishte vraponjës shumë të dëgjuar, siç qenë: Leopardi, Tigri. Kanguri, dhe Antilopa. Këta mbaheshin si më të mirët. Pas tyre vinin Zebra. Linksi, Xhirafa me këmbët e gjata, Luani dhe Kali. Në garat sportive ngjasin të papritura dhe s’ishte çudi të dilte fitimtar ndonjë prej atyre që numëroheshin si të dorës së dytë.

Për fitonjësin, që do të dilte i pari. kishin vënë një çmim shumë të mirë: dy javë shëtitje në det me motoskaf dhe një radio dore. Nungmës i pëtqente të kishte një radio dore. por më shumë se çdo gjë ëndërronte të shëtiste me motoskaf. Deti i dukej si një mrekulli e natyrës, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë duke kënduar një melodi të vjetër e të fshehtë, që përveç tij s’dinte t’i këndonte askush. Kujt i këndonte deti vallë, brigjeve të lagura të tokës apo peshqëve, delfinëve, sepieve dhe mijra qënieve të tjera të vogla e të mëdha që përkujdeseshin në gji të tij? Nungmës i thoshte mendja se deti u këndonte krijesave të gjalla dhe ato. duke e dëgjuar këtë këngë, përkundeshin si në djep. Veç për t’u siguruar ai donte të shëtiste me motoskaf që të mësonte më shumë për misteret e tij. Pastaj sa bukur qe natën, kur mbi det binte drita e bardhë e hënës. Atëherë formohej një xhade vezullonjëse dhe krejt e bardhë sikur të ishte prej qumështi, ndërsa valët e vogla bëjnë klik-klak dhe peshqit kërcejnë mbi sipërfaqe, sikur duan të shikojnë qiellin me yje dhe atë fushën e bardhë të dritës. Ca yje duken sikur bien mbi det. ndërsa të tjerët vezullojnë duke këmbyer ngjyrën e tyre. Tani duken blu, pastaj të gjelbër, te bardhë e të kuq. Dhe prapa motoskafin e ndjek një trikëndësh shkumëbardhë.

Ja këto mendonte Nungma por që t’i shijonte të gjitha ato bukuri, duhej të delte i pari dhe me ata konkurentë nuk qe aspak e lehtë. Sidomos ja kish frikën jaguarit Xhinxhun. Ky qe stërvitur gjithë verës dhe Nungma ua kish zilinë sa s’thuhet këmbve të tij të forta e muskoloze pa një pikë dhjami.

Një shumicë me spektatorë qenë mbledhur për të shikuar garën por edhe për t’u dhënë zemër përfaqësuesve të tyre. Të tjerë hiqnin baste. Nungmës i zuri veshi nja dy herë edhe emrin e tij. Kish kafshë që shpresonin se ai do të delte i pari dhe atij sërish iu shfaq para syve deti me valë dhe medalja e artë.

Banda e lepujve i ra hymnit të fiskulturistëve. Pjesëmarrësit e garës parakaluan para gjindjes secili me flamurin e skuadrës së vet

Erdhën çastet e nisjes. Vraponjësit u përkulën dhe të tendosur prisnin të dëgjonin sinjalin e nisjes. Askush nuk donte të humbte edhe një fraksion të sekondës megjithëse gara qe shumë e gjatë.

Kafshët do të vraponin plot dyzet e dy kilometra e njëqind e nëntëdhjetë e pesë metra.

U dëgjua shkrehja e kobures sportive dhe kafshët u nisën thuajse grumbull.

Disa kafshë, pa shumë përvojë, si Ujku e Çakalli. e morën me vrap qysh në fillim dhe dolën në krye por pa shkuar tri-katër kilometra u doli gjuha një pëllëmbë, u lodhën sa s’merrnin dot frymë dhe u shtrinë buzë hendeqeve. Kafshët e tjera po vraponin me hap të përmbajtur e me të njëjtin ritëm. Pas dhjetë kitometrash grupi i madh u nda në dysh: në krye Leopardi, Tigri, jaguari Xhinxhun, Zebra, Kali dhe Antilopa.

Në të dytin qenë Kanguri, Linksi. dreri Nungma dhe Luani. Në gjysmën e rrugës ngjanë disa ndryshime. Tigri, Zebra dhe Kali mbetën prapa dhe i arriti grupi i dytë. kurse nga grupi i dytë u shkëput Kanguri dhe Linksi. Dreri Nungma vazhdonte të ecte me të njëjtin hap, as nuk vraponte shumë as nuk mbetej prapa.

Në kilometrin e 28-të lufta sportive u bë më e ashpër. Leopardi, jaguari Xhinxhun, Antilopa dhe Kanguri qenë në krye fare, pastaj vinte dreri Nungma e më në fund Linksi, Tigri, Kali dhe Luani. Xhirafa u hoq mënjanë.

Dreri Nungma e ndjente veten të freskët dhe shpresonte se do ta arrinte grupin e parë Kjo ngjau në kilometrin e 32-të. Përpara tij vraponte Antilopa e përpara Antilopës hidhej Kanguri me hapa të gjata, si të bënte kërcime njëhapsh.

Nungma e arriti dhe e kaloi Antilopën, po që të delte i pari duhej të kalonte edhe Kangurin, edhe Leopardin, edhe jaguarin Xhinxhun.

Kangurin e kaloi pa shumë vështirësi, por me Leopardin e pati vështirë. Ata vrapuan thuaj shpatull më shpatull, dy kilometra. gjersa Nungma i përmblodhi forcat, i dha vrull trupit dhe u hodh përpara.

I mbetej të katonte vetëm jaguarin Xhinxhun që të dilte i pari.

Jaguari dinte të vraponte shumë mirë dhe largësia ndërmjet tyre mbetej vazhdimisht e njëjtë. Nuk qe e mundur ta arrinte, sado që të vraponte.

Kafshët e tjera kishin mbetur shumë prapa dhe fitonjësit po përcaktoheshin.

S’kishin mbetur veç dy kilometrat e fundit dhe jaguari Xhinxhun vazhdonte të mbetej në krye.

Anës rrugës kafshët bërtisnin: forca Jaguari, forca Dreri.

Me sy të veshur nga lodhja Dreri si nëpër mjegull shikonte përpara. Ç’ngjau ashtu? Jaguari Xhinxhun u pengua dhe nga vrulli që kishte marrë shkau në një hendek me ujë.

Tani përpara drerit s’mbetej asnjë pengesë. Pas një minute Nungma arriti te vendi ku kish rënë jaguari dhe e pa si përpëlitej te anët e hendekut me ujë.

Tani fitorja është imja, mendoi ai dhe përpara syve i doli medalja e artë, motoskafi, drita e bardhë e hënës, shushurima e valëve. Ç’mrekulli!

Vrapoi disa metra dhe pastaj qëndroi Ç’po bëj? Po sikur shoku im i garës të jetë lënduar. Unë duhet ta ndihmoj sepse unë jam më afër nga të gjithë të tjerët.

Nungma u kthye me vrap dhe i dha dorën Xhinxhunit. E ngriti në këmbë e shkundi dhe e pyeti:

— U vrave shumë? Si u rrëzove ashtu?

— Nuk e kuptova as vetë, — tha jaguari Xhinxhun. — Duket se u pengova. Tani vraponin në krah të njëri-tjetrit, dhe askush s’donte të delte i pari. Jaguari Xhinxhun e dinte fare mirë se po të mos kish ndaluar Nungma për ta ndihmuar, dreri do të arrinte i pari. Kurse Nungma. i miri Nungma, thoshte: fitorja i takon Jaguarit, ai qe para meje dhe unë s’kisha për të arritur po qe se s’do të ish rrëzuar. S’ka gjë se s’do të vete te deti. S’ka gjë që s’do të mar medaljen e artë. Ashtu s’do ta ndjeja veten të qetë, se do të merrja fitoren e tjetër kujt.

Kur afruan te fundi Nungma i pëshpëriti:

— Xhinxhun, dil përpara. Ty të përket fitorja.

— Jo,—tha Xhinxhuni, — tani fitorja të përket ty. Unë të falenderoj që më ndihmove.

Po, kur s’mbetën veçse pesë hapa për të prekur shiritin, Nungma e pakësoi vrullin dhe e la Xhinxhunin të delte përpara.

Dreri Nungma doli i dyti dhe kanguri i treti.

Kur po ndaheshin medaljet dhe dhuratat. Jaguari, që e ndjente veten të prekur nga mirësia e Nungmës, i fali ftesën për shëtitje me motoskaf dhe i propozoi t’i këmbenin dhuratat në shenjë kujtimi.

Dreri Nungma pranoi.

blank

blank

 

blank

Përleshja me natyrën (Mbi dramën e murtajës së bardhë) – Esé nga REX KASUMAJ

Korrik 2021, Berlin

 

1.
Nataliteti i shqiptarëve ndër vite ishte përherë një makth kujdestar i maltusëve armiqë.

Ëndërronin e, më vonë, projektonin netëve pa gjumë vdekjen arbnore: si vrasje, dëbim biblik dhe, poaq, si mortalitet i thjeshtë natyral.

Akoma sot serbët, vetë presidenti i tyre, fjala vjen, gati në çdo temë për shqiptarët bëjnë matematikë demografie. Sa janë, sa po shtohen, në ç’thellësira territoresh do ekspandojnë nesër, e të tjera.

2.
Nuk e dija (ndjehem keq për këtë) dhe nga Morea mësova se Isa Boletini paskësh pasur 14 fëmijë: 9 djem e 5 vajza!

Veprën e tij atdhetare e njohin të gjithë. Shqiptarë e kanceleri Europe, poashtu. Por dhe ky element jetëshkrimor përplotëson figurën komplekse të tij. Familjare dhe politike, aq të heshtur ndër vite…

Teksa mendoja këtë, më erdhi në kujtesë, i ruajtur si xhevahir i rrallë, një shkrim i këtejshëm gjerman që kishte dedikim e përmasë tjetër. Ndërkaq, sado larg, sërish përlidhet fijesh të pakëputshme me shqiptarë.

Shkronjësin e tij (me gjenealogji armene, D.V.,) e gërryente breja për Europën. Për atë Europë ku ne mungojmë. Por dhe nëse mungojmë institucionalisht, frymëjeta e saj troket e, tashmë, ka shkelur pragun e shtëpisë sonë.

Autori shkruan se natyrës nuk i intereson shkollimi elitar, të drejtat, barazia, mirëqenia, dashuria e lirë, komoditeti a kultura libertare. Asaj, të bekuarës, i intereson vetëm riprodhimi njerëzor.

Meqë murtaja e bardhë bën plojë në perëndim, aherë njeriu i kësaj hemisfere tash sa kohë gjendet në konflikt me natyrën. Dhe ajo, e mbifuqishme siç është, godet. Goditja e saj është e rëndë. E pamëshirë. Vdekjeprurëse.

Ndaj, shton ai, ne ngadalë do shuhemi dhe barbarët që po vijnë mizërisht, do fitojnë. Si gjithmonë. Arrijnë të kompensojnë lehtësisht këtë nivel të lartëorganizuar jetese me energjinë furishme sociale. Dhe, ashtu, shpartallojnë ekzistencën tonë sterile.

Derisa edhe ata, një ditë, të qytetërohen e të jetojnë ligjshmërisht ciklin tonë: lulëzimin, konfliktin me natyrën dhe shuarjen…

(Midisshkrim…)

Nuk e di të jetë në harmoni etike me shkrimin ndërmjetëza simbolike dhe, pra, një humor i rrallë popullor.

Sërish vemi në Mitrovicë. Atje diku, pranë Boletinit të Isës.

Një natë, si çdo natë tjetër. Nga kulla hijerëndë vjen burri në dhomën e fjetjes. Por, ndryshe nga herë të tjera, ishte plot deshirim për gruan. I vrullshëm si kurrë më parë.

Më pas i rrëfen së kish dëgjuar në lajmet e mbrëmjes Ali Shukriun, (funksionar i lartë e i hershëm proserb) tek fliste se si shqiptarët po shtohen shumë. E kjo, sipas tij, qenkësh arsyeja kryesore e prapambetjes dhe varfërisë.

Kaluan ca net e burri nuk vinte më ashtu zjarrshëm në dhomë. Gruaja heshti një kohë në pritje po, një natë, kur erdhi, i tha: a mos foli gjë Ali Shukria sonte?!

3.
Tani Ali Shukritë, këta rojtarë të deshpëruar të kolonëve serbë në Kosovë, kanë vdekur. Ishin, së paku, referencë idhnakërie për të qenë, spontanisht, në sinkron me natyrën.

Përse Shqipëria ka gjithherë tre milionë?, pyet trishtëm Kadare. Vitet ikin. Gjithçka lëvizë e ndryshon. Por, prapë, çdo relacion jep po atë numër të ndalur si zemrekë të një ore të prishur.

Megjithatë, ndryshe nga Europa e prosperuar dhe, njëkohësisht, e sfilitur nga civilizimi i vet, shqiptarët nuk gjenden ende në lundrën e saj.

Pa qenë njohës i fushës për të zhbiruar më thellë, marr kurajon të pyes: nëse, prandaj, nuk rrojnë vezullinë ekonomike, kulturore e sociale, aherë përse kjo tendencë e mortit vullnetar? E, rrjedhimisht, e ndeshjes humbëtare me natyrën?

Snobizëm kolektiv, trok pas trillesh të liga të saj, apo çka?

“Europë pas ca ëndjesh tua kurrë s’u ropa”, shkruan poeti Shkreli.

Ndryshe, trualli shqiptar hyn si oborr i përbashkët mes Europës e Azisë, lindjes së afërme të saj. I tillë, ai do të asimilojë dhe mendësi racionale të së parës dhe shpirtësi lirake të së dytës…

Prandaj, prapë e sërish: përse?

Në fakt, mirë që ndjekin prurjet e demokracisë perëndimore. Janë jetike për shtetin dhe liritë e njeriut. Por, gjithaq mirë do ishte refuzimi i tyre në pako: diferencimi në të bardhat dhe të errëtat e saj është udha e admiruar. Veçse, sigurisht, pa tretur margjinash të kohës dhe historisë…

Mirëpo ky luks, me gjasë, është i pamundur. Ndaj, druaj se disfata e përleshjes me natyrën i pret dhe shqiptarët.

Uroj të ndodh mrekullia. Kur bëhet fjalë për qiellin, një besim përvidhet lehtë n’për rétë e vrugëta!

R.

blank

NDRE MJEDA – Geg’ e Toskë, Malsi jallia,/janë nji komb m’u da s’duron,/fund e maje nji â Shqypnija,/ e nji gjuhë t’gjith na bashkon -GJUHA SHQYPE –

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqype m’ shungullon,
përmbi erë që jep zymbyli,
pa da zemrën ma ngushllon.

Ndër komb’tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera,
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
janë të bukura me themel,
por prap kjo, si diell pa hije,
për mue t’ tanave iu del.

Geg’ e Toskë, Malsi jallia,
janë nji komb m’u da s’duron,
fund e maje nji â Shqypnija,
e nji gjuhë t’gjith na bashkon.

Qoft mallkue kush qet ngatrrime,
ndër kta vllazën shoq me shoq!
kush e ndan me fjal’ e shkrime
çka natyra vetë përpoq!

blank

NE HIMARJOTËT JEMI SHQIPTARË – INTERVISTË ME VETVETEN Nga PETRO MARKO

Pra ç’jemi ne? Shqiptare! Po pse e humbem gjuhen? Une do te them ato qe di: Pse nenat plaka, gjyshet dhe gjyshet dine me mire shqipen se greqishten? Pse qajme e kendojme ne shqip ? Pse fjalet e urta i themi ne shqip ? Siç duket qe nga viti 1820 e tehu, greqizimi u be me qellim politik nga vete Greqia, qe fitoi lirine me gjakun e shqiptareve, qofte ne Mesolongji, qofte ne revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptare, po dy krahina autonome qe nuk njihnin as Greqine, as Shqiperine, se ciles i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdohere ne lufte me turkun. Erdhi koha qe Himara u nda : Himara bregdetare mbeti e lire dhe e krishtere, kurse Himara e mbrendshme, Laberia, Kurveleshi, Lumi i Vlores e Dukati u myslimanizuan dhe u ndane. Megjithese u ndane ne dy fe nuk e humben kurre lidhjet e gjakut dhe te fisit. Çdo fshatar kishte te tijte ne nje fshat te myslimanizuar qe ne kohen e Ali Pashe Tepelenes. Kur beheshin operacione ndeshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin pertej maleve, ne Mesaplik e ne Kurvelesh, per t’u mbrojtur, sic benin gjer ne ate kohe, por iknin me varka per ne Korfuz ose per ne Gjirit, nen mbrojtejen e venecianeve. Aty shkonin pleq e plaka dhe femijet. Burrat luftonin. Aty rrinin shume vjet, gjersa mbaronin operacionet ndeshkimore. Thone se banoret e Dhermiut shkonin ne ishullin grek, kurse ata te Himares ne Gjirit. Prandaj dhe, kur flasin greqisht, dhermijasit flasin si korfjanet, kurse himarjotet, si gjiritlinjte.

Pastaj shkollat ishin greke. Mesha kendohej greqisht. tregtine e benin me Korfuzin, Janinen. Pak nga pak u shkeputen lidhjet me Laberine, me Dukatin. Greqia, qe u clirua e para, thoshte se kudo ku jane ortodokse, jane greke ; myslimanet jane turq. Nisi antagonizmi turq e kaurre! Propoganda bente punen e saj. Kjo u thellua ne kohen e Ali pashe Tepelenes, i cili dergoi nje delegacion ne Himare, qe dhe Himara te myslimanizohej. Paria e Himares delegacionin e priti ne Qeparo, se kishte me shume kapedane. Delegatet e Ali pashe Tepelenes u thane mendimin dhe qellimin e vizites. Me plaku i kuvendit himarjot u tha delegateve : – E falenderojme pashane, qe mendon per te miren tone. Po i thoni pashait se ketu poshte, ne fshat, kemi nje fushe qe s’ka uje. Thahet ne vere dhe nuk na jep asgje.

I jemi lutur Krishtit dhe Shen Merise, Shen Kozmait dhe Shen Spiridhoit, po s’na dhane uje. Ne na dhente Muhameti uje, menjehere behemi myslimane. Keshtu i thoni pashait.
Kur vajten e ia thane pashait pergjigjen e bregasve, ai qeshi me zemerim dhe tha :
– Eh kauret e dreqit, do te ma paguajn ! – Pastaj, duke qeshur : -Pizevenget, jane te zgjuar, s’ke c’thua, jane rrufjane te medhenj !
Pak nga pak propoganda greke behej me e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina heroike e Greqise. Shume kapedane, sidomos paria, kishin privilegje. Dhe parate e mireberesve himarjote, qe i kishin lene ne bankat greke per shkollat e Himares, ishin nje shkak shume serioz per propoganden greke. Gjike Bixhili nga Dhermiu kishte fituar shume para ne Rusi, ku e kishte marre Pano Bixhili, perfaqesues i himarjoteve prane Carit, ne Peterburg. Mesuesit dhe shpenzimet per shkollen merreshin nga fondi i Gjike Bixhilit. Gjike Bixhili ndertoi dhe nje shkolle, qe eshte sot e kesaj dite. Ne kur ishim te vegjel, ne shkollen e fshatit shihnim portretin e tij , te varur ne klase. Sic i la Gjike Bixhili parate ne banken greke, ashtu i lane dhe shume mireberes te tjere nga Jugu, si Zhapa me shoke. Ishin miliona, te cilat u bene burim per te ushqyer propoganden greke ne vendin tone, sa u krijua miti i Vorio Epirit dhe sillogu vorioepiriot, qe merrej me clirimin e Vorio Epirit, domethene te Shqiperise se Jugut. Parate u vune ne dispozicion te parise, e cila merrte nje mije dhe shpenzonte nje… Paria merrte para nga banka greke, e cila qe e autorizuar nga qeverite reaksionare nacionaliste te Megali Idhese ( Megali Idheja : qe Greqia te behej e madhe duke perfshire ne kufijte e saj jugun e Shqiperise dhe vendet ballkanike ku jane ortodokse).

Himarjotet qe emigronin ne Greqi, kishin privilegje : perkraheshin si bij te nje “krahine heroike greke” me histori trimerie e burrerie. Fatkeqesia ishte se Shqiperia u clirua e fundit ne ballkan. Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartise, autonomise, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua. Dhe, pasi u clirua Shqiperia, me kufijte te cunguar shume, propoganda greke e ushqeu shume idene e autonomise se Himares : as shqiptare, as greke! Kishte hedhur rrenje te thelle kjo propogande ne shpirtin e himarjoteve, te cilet syte i mbanin nga Greqia. Kreret himarjote, si Spiro Miloja, nje luftetar qe e ndihmoi shume Greqine, ishte ne krye te kesaj propogande, me gjithe farefisin dhe sojin e tij te perndare ne Dhermi, Vuno e gjetke. Spiro Miloja ishte nga Progonati. Ne fshatin tone ai kishte farefis Lluke Zh. e te tjere, qe propogandonin ndarjen e Himares nga Shqiperia. Si baze kryesore te propogandes perdornin dhe kete : Pse laberia u be turke ? E pse te mos behemi edhe ne me Greqine, qe eshte armike e betuar e Turqise, sic jemi dhe ne armiq te betuar te turkut.

Shume fanatike ishin fshataret e mi! Njezet e gjashte kisha kishte. Mbaj mend une se kishte tete prifterinj. Lidhjet ekonomike, privilegjet ne Greqi, interesimi i greqise per himariotet, sillogu vorioepiriot ndikuan shume per ti bere himarjotet t’i kthenin syte nga Greqia dhe te enderronin per nje autonomi. Pastaj, edhe ne kohen e pavaresise himarjotet pane se asnje qeveri e Tiranes nuk u kujdesua asnjehere per ta. Nuk shkonin as xhandare dhe nuk merreshin ne asnje pune. Ata pelqyen te mergonin : heren e pare ne Llavrion, ku kishte miniera ; ne Korint, per te hapur kanalin; ne Vllahi, ne Rusi, pastaj ne Amerike, ne France, ne Meksike, ne Argjentine, ne Australi, Kanada e gjetke. Keshtu ne dinim me mire ku binte Buenos Ajresi sesa Kukesi, qe nuk ia kishim degjuar kurre emrin. Dinim ku binte Australia dhe jo Kosova, qe nuk ja kishim degjuar kurre emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfusi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnje lidhje me atdheun tone.

Disa perçares, vete regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na perçau. U ndame ne fshat ne dy parti: pendekuqet qe deshen Shqiperine dhe shkollat shqipe; dhe pendebardhet, qe deshen Greqine e shkollat greke ne fshat. Kete perçarje e ushqeu shume Musa Juka, duke na armiqesuar vella me vella. Familja jone bente pjese ne partine e pendekuqeve dhe mbanim ne ballkon kurdohere flamurin e Shqiperise.

Kapedanet e Spiro Milos na kishin ardhur disa here ne shtepi, duke ne thene se Andrea Markoja ishte vrare per Greqine, Marko Jani ishte internuar nga italianet per Greqine e te tjera. Deshen qe ne te linim shtepine e te shkonim ne Korfuz, ku do te na mbante me shkolla e me pensione Athina. Qofte im vella, Fotoja, qofte kushuriri im Jani, i sikterisnin duke u thene : “Andrea Markoja u vra per Himaren dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta per Himaren dhe jo per Greqine. Himara sot eshte dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajme dhe flamurin dite e nate ne ballkon. Ne e dime gjakun tone se nga buron”.

blank

MEDALJE E ARTË PËR Dr. ZEF MULAJ – ÇMIMI NDËRKOMBËTAR “DANTE ALIGHIERI”

 

VOAL – Accademia dei Bronzi dhe editori Vincenzo Ursini për nderimin e poetit të madh Dante Alighieri në 700 vjetorin e vdekjes organizuan konkursin ndërkombëtar poetik, ku muarën pjesë 1056 autorë nga të gjitha rajonet e Italisë dhe nga jashtë vendit vlerësoi me çmimin “Dante Alighieri” poetin shqiptar Zef Mulaj.

U zgjodhën poezitë më të mira, duke botuar edhe një antologji me poezitë e autorëve të vlerësuar nga komisioni, në të cilën bën pjesë edhe poeti Zef Mulaj, Antologjia “Mirdita Dante”.

Me poezinë në haiku “É custodito” (Është Ruajtur) një sugjerim i bukur në vetëm tre vargje, poeti na fton të shikojmë përpara, pa u ndalur në vuajtjet e së shkuarës, sepse vetë zemra di të kujdeset për veten dhe ruajtjen. Dhimbja brenda saj është ruajtur , e çmuar , si diçka që ndihmon në kapërcimin e çdo pengese në të ardhmen “.

Ceremonia e ndarjeve të çmimeve do jetë me 9 gusht, ditën e hënë, në Botricello (Catanzaro) Itali.

Zef Mulaj, nga Nikaj Merturi i Tropojës, është autor i 16 librave ( shqip & në italisht , në gjermanisht anglisht ) deri tani. Është doktor në shkencat farmaceutike e i specializuar në toksikologjinë forense ambientale e klinike dhe anëtar zyrtar ne alben e konsulentëve shkencorë në toksikologjinë forense në gjykatën italiane.

blank

blank

blank

blank

blank

TRENDAFILAT – Poezi nga KOLË MIRDITA (HELENAU)

(Mbas Becker)

 

N’fund t’katundit tue kalue.

pash’ nji plakë e i’vashë të ré,

vasha qeshun faqekuqe,

plaka idhtë e ftyrën zbé.

 

Kishe n’dor’ dy trendafila

njeni i njom’ e tjetri i thà,

njeni lshonte er’ të kandshme,

tjetri ishte gjetht’ tue i ra.

 

Trendafilat n’prehen t’grave

s’di se pse m’u dha me i lshue,

e kur solla kryet me kqyrë,

mbeta bindë e mrekullue.

 

Deshti fati e n’prehën t’plakës

Trendafili i njom’ kish’ ra

E n’duer t’vashës faqekuqe,

Ishte trendafil i tha.

 

U ndrroi ftyra t’dyja grave,

T’dyja nisën n’vaj m’u-shkri.

“Ç’u-dridh vasha nga pleqsia!”

“Ç’qajti plaka mbi çupri!”

 

 

 

 

 

 

 

 

blank

ASAJ – Poezi nga KOLË MIRDITA (HELENAU)

Kolë Mirdita lindi në Shkodër më 24 dhjetor 1900. Shkollë fillore dhe të mesme, në degën teknike-tregtare, e kreu në Shkodër.

I vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Gratzit ku u diplomua për drejtësi. Pastaj u emërua nëpunës në qeverinë shqiptare.

Bëri emër me krijimtarinë letrare në vitet 1920-1924. Ai shkroi poezi, prozë dhe dramën “Vdekja e Skënderbeut”.

Më 1932 u sëmur. Më 3 tetor 1936 ndërroi jetë në një sanatorium të Lombardisë.

Më 2011 Alfred Çapaliku shkroi biografinë e tij.

 

ASAJ

 

N’ty mendoj kur trandafili,

fushat zbukuron,

jone t’bukra, kur bilbili,

n’agim mallshëm kndon.

 

N’ty mendoj, kur rrezja e diellit

fusha e male gzon,

e kur shndrisin yjt e qiellit,

hana kur vezllon.

 

Lilin t’pastër Perëndia

shembull pat për ty,

yjt qi n’ qiell ferfllojn’ me mija

pat për t’bukrit sy.

 

 

blank

HARMONI – Poezi nga VEDAT KOKONA

Hëna prapa malit sonte përsëri

po ngrihet dalëngadale e madhështore:

një dritë ledhatare dyke i dhënë çdo vendi.

Natyra e përgjumur në shtrete ergjëndi

po bije dhe ne të dy të unjur në dritore,

dy shpirte, në vetmin e jetës, pran’ e pranë,

rimë e po shëkojmë yjt që an’ e mb’anë

shëndrijnë si gur diamandi pran’ e pranë.

Dy nga dy, ngadalëz, atje në thellësirë,

si ne të dy një natë, atje në fshehtësirë.

Gjithë dy nga dy, në jetë, lindin në errësirë

yjtë dhe shpirtet t’anë. Yjtë. Un’ e ti.

Dhe sonte si çdo natë, dhe sonte përsëri

ne lindëm si ata, ne lindëm pran’ e pranë,

dy frymë në hapësirë, dy zjarre, një dashuri.

Ne lindëm që të shkojmë bashkë me karvanë

të yjve që lundrojnë në detin pa kufi.

(Nga libri “Dritë dhe hije”)

 

blank

O SHPIRTI I EM – Poezi nga DHIMITËR SHUTERIQI

O shpirt i em, ja nata ra!

Nji yll si lot u-kput e ra,

ra si nji bulë argjand

në qiëllin t’and.

 

E ku shkojnë yj’t qi kputen nëpër natë

si pika lot, si bula argjand?

E ku bien yj’t qi turren nëpër natë

në qiëllin t’onë, në qiëllin t’and:

blank

MUZGJE TË FËMIJËRISË – Poezi nga AVNI MULAJ

Ashtu të kuqrremtë në kujtesë më mbetët,

Muzgje të fëmijërisë sime në vendlindje,

Me pluhurin tuaj të imët ngjyrë rozë,

Plot gjurmë dythundrakësh dhe gishtërinjsh!…

 

Me kumbullat e vjetra rreth shtëpive,

Duke gdhendur emrat tanë në lëkurët e tyre,

Miq të çerdheve, besimtarë të përrallave të gjysheve,

Për dhelpra, dragonj, kuçedra e diva!…

 

Muzgje të dashur, piktura plot pluhur të viteve,

I dhembshëm tingëllon ende në kujtesë

Zëri i plakut Niman, kur të birin e thërriste:

“O Haxhi!” matanë lumit, nga një breg…

 

Ku është vallë, ajo me të cilën luaja,

Te kuvlia jonë e fshehtë, atëherë,

Te një mullar sane që dimrit i kishte shpëtuar

Dhe tani për të më pyet çdo pranverë!

 

 

 

blank

BJESHKËT – Poezi nga AVNI MULAJ

E si mund të hesht, e si mund t’i harroj

Bjeshkët e mia, nënat e fëminisë sime!

 

Shtruar në qilima të gjelbër pa fund,

Jam endur nëpër to, gjithnjë duke u rritur,

Gjithnjë një qafë a një pllajë më tutje.

Natyrë e pafundme me udhë të pafundme!

Dhe kam ndjerë se diçka është formuar tek unë

prej fëshfërimës së barit, gjethit e halës së pishës,

prej gurgullimës së ujërave, motit të qetë dhe stuhisë,

prej vetmisë së shpellave e formës së shkëmbinjve,

prej tingullit të lahutës, zërit të rapsodit

dhe heshtjes së gurit, mbi të cilin vështrimi im

dallon duar stërgjyshërish duke i lëvizur e duke i ngritur.

…Dhe kam ndjerë se diçka është formuar tek unë,

atë diçka të madhe që quhet shqiptare

dhe që s’e shemb dot asgjë.

 

 


Send this to a friend