Poeti Sadik Bejko reagoi për librin “Blloku” të profesor Isuf Kalos, ish-mjeku personal i Enver Hoxhës, në të cilin ai tregon jetën në ishBllokun e udhëheqjes komuniste, marrëdhëniet mes banorëve në të, por dhe portretizime të mjaft drejtuesve kryesorë të asaj kohe.
Poeti Bejko e cilëson ishmjekun personal të Enver Hoxhës nëpunës besnik ndaj shefit të tij. “Lexova një fragment, që qarkullon në rrjetet sociale nga libri ‘Blloku’ i doktor Isuf Kalos dhe po jap përshtypjen time: Ky fragment më ngjan me shkrimin e një nëpunësi besnik ndaj shefit/shefes së vet… edhe kur atë e kanë liruar nga shërbimi.
Të mbetesh besnik është një virtyt i rrallë në këto kohë. Për më tepër kur ishshefin tënd, të rënë nga fiku me turp, më e pakta e përçmojnë.
Kjo shkon dhe me përtej të qenurit besnik. Ky është shërbim devotshmërie”, shkruan Bejko në reagimin e tij. Por ai ka dhe një mesazh për botuesin e këtij libri, Henri Çili, i cili është autor i parathënies së këtij libri.
“Shqipëria prapë na del sui generis. Askush në botën e sotme nuk boton libra/shkrime rehabilitues për të vejat e diktatorëve komunistë. Kjo është dhe ‘energji pozitive’ e Shqipërisë, sipas botuesit, reklamuesit Henri Cili. Janë të mjerë popujt që vuajnë sindromin e viktimës: adhurojnë dhunuesit e vet”, përfundon reagimin e tij shkrimtari dhe poeti i njohur Sadik Bejko.
Në fakt, autori i librit, Isuf Kalo, duke e pritur debatin dhe polemikat që do të shkaktonte libri i tij, ka vendosur në parathënien e tij një thënie të shkrimtarit Bashkim Shehu, ish-djalit të Kryeministrit Mehmet Shehu. “Nëse lexuesi mendjen e ka tek autori, jo te libri, gabohet që lexon”, shkruan Bashkim Shehu.
“Ky libër nuk është për Enver Hoxhën. Është për Bllokun, është për një territor, mendësi, e mënyrë e konceptimit të rolit të tyre dhe marrëdhënieve me publikut. Figura e Enver Hoxhës del qoftë si pacient, qytetar apo si udhëheqës”, u shpreh Isuf Kalo ditën e promovimit të librit.
Henri Çili: Pse “UET PRESS” e botoi librin “Blloku” të Isuf Kalos
Në një status në “Facebook”, Sadik Bejko, një personazh gjithsesi prezent në jetën letrare për të cilin kam pasur një konsideratë miqësore dhe korrekte, edhe sepse e kam ndeshur në rrethin miqësor të Ismail Kadaresë, më përmend duke më keqvendosur edhe mua si botues i librit të Isuf Kalos, “Blloku”.
Është në të drejtën e z. Bejko ta shohë përmbajtjen e një libri në një shoqëri të lirë, sipas mënyrës së tij, por dy gjëra duhen saktësuar ndërsa moralizon libra, autorë, botues, diktaturën dhe totalitarizmin shqiptar. Së pari, është paragjykim të shkruash për një libër, qoftë edhe një impresion, pa e lexuar të tërin dhe të gjykosh librin, autorin me kaq pak, është aprofesionale.
Së dyti, ky qëndrim moral për diktatorin, diktaturën, të venë e diktatorit, bllokun që përfaqësojnë totalitarizmin shqiptar bëhen duke rënë mbi një totalitarizëm tjetër, praktikisht mbi pretendimin për të mos botuar këso librash me këso përmbajtjeje. Ndaj, si botues i “UET PRESS” gjej rastin të shpjegoj pse e botova me shumë kënaqësi, duke e shoqëruar me një parathënie librin “Blloku” të profesor Isuf Kalos.
Arsyeja e parë, koncepti demokratik i botuesit nuk presupozon, madje përjashton çdo formë të censurimit, mosbotimit apo mbajtjes qëndrim përmes mosbotimit të librave me një përmbajtje të caktuar, këndvështrim të caktuar, pikëpamje e mendim të caktuar, edhe mbi temat më të ndjeshme të një shoqërie, siç ka qenë e do të mbetet tema e diktaturës komuniste shqiptare.
Liria e botimit është një premisë themelore e kohës së re demokratike dhe askush nuk ka të drejtë të identifikojë apo të pretendojë se identifikon një këndvështrim dhe të ketë monopolin e tij, qoftë ky edhe këndvështrimi mbi një regjim mizor, siç ishte diktatura komuniste apo një diktator të urryer si Enver Hoxha dhe derivatet e familjes apo sistemit.
Ndaj, propozimit për një botues të totalitarizmit të ri totalitar i themi apriori ‘Jo’ si “UET PRESS”. Arsyeja e dytë është fakti që platforma e një shtëpie botuese universitare, aq më tepër është universale.
Ajo parasheh të gjitha këndvështrimet, të gjitha pikëpamjet, të gjitha idetë, të gjitha këndgjykimet, pa privilegjuar askënd, pa përjashtuar askënd, derisa kjo i shërben kujtesës dhe nuk përbën thjesht liri botimi. Arsyeja e tretë është fakti që libri “Blloku” i profesor Kalos kompleton një projekt më shumë se 10-vjeçar të “UET PRESS”-it mbi Kujtesën, në të cilën janë botuar më shumë se 25 tituj.
Kujtime, refleksione, dokumente, ese, studime mbi diktaturën e tranzicionin shqiptar, ku spikasin autorë dhe vepra të shkëlqyera si Vera Bekteshi, Spartak Ngjela, Aleksandër Meksi, Preç Zogaj, Kurt Kola, Eugjen Merlika, dokumentet e Dashnor Kaloçit për Kadarenë etj.. Të gjitha këto vepra përbëjnë një kolanë të jashtëzakonshme, të dobishme për studentët e studiuesit tanë si burime parësore apo dytësore, në ndihmë të funksionit shkencor të Universitetit Europian të Tiranës.
Arsyeja e katërt është funksioni i roleve në një shoqëri, i mirëkuptimit Pse “UET PRESS” e botoi librin “Blloku” të Isuf Kalos HENRI ÇILI për rolin e secilit në jetën e tij, apo rolit social. Si botues, unë jam totalisht i detyruar by definition të botoj këndvështrimin e mjekut të diktatorit shqiptar mbi Bllokun, regjimin komunist, postkomunizmin apo tranzicionin shqiptar. Po të shkruaja vetë si autor një libër për Bllokun, diktaturën, Enverin apo Nexhmijen, kjo do të ishte një gjë e rol krejt tjetër.
Por ne duhet të kemi mirëkuptimin që mjeku i Enver Hoxhës është brenda rolit të tij si mjek dhe ai do të ketë këndvështrimin e mjekut mbi ngjarjet, regjimin, fenomenet. Një këndvështrim tjetër ka i burgosuri politik X, i internuari Y, një këndvështrim tjetër ka një funksionar i diktaturës apo një studiues i huaj. Kjo është minimalja. Arsyeja e pestë është fakti që, duke bashkëpunuar me profesorin e nderuar Kalo për ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Teknike Mjekësore në UET në tri vitet e fundit, kam krijuar një simpati e miqësi personale të veçantë, jo thjesht për këtë profesionist të shkencave mjekësore, por për këtë intelektual, figurë publike, e njeri me energji pozitive.
Dhe po ashtu, duke qenë nga lexuesit e parë, në dorëshkrim të librit mes më shumë se 50 njerëzve që doktor Kalo ua dha dorëshkrimin dhe u mirëpriti vërejtjet, më duket se prof. Kalo ia ka dalë me sukses misionit për të shkruar nga pozicioni e këndvështrimi i tij për një temë kaq delikate, që siç e ndeshim edhe në shënimet e fundlibrit edhe nga të tretë si prof. Fatos Tarifa, Luçiano Boçi apo çifti Ismail e Helena Kadare.
“Libri është shkruar shumë bukur, me shumë kujdes, çka nuk ka qenë e lehtë për një temë delikate”, është citimi i tyre. Personalisht, mendoj se prof. Isufi ia ka dalë e s’mund të paragjykohet, aq më pak pa u lexuar libri. P.S. Keqpërdorimi i termit “energji pozitive”, i përdorur nga unë në parathënien e librit, për personin e Isuf Kalos dhe për asgjë tjetër, të cilin e njohin të gjithë për natyrën e tij dhe kjo e imja nuk është veçse një konfirmim, është një nga spekulimet e statusit të Sadik Bejkos, i cili duket një spekulim i tipit old school, së cilës Bejko siç duket s’mund t’i ikë dot.
Komentet