VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Hëna e borës”, në mbrëmje sytë nga qielli

By | February 19, 2019

Komentet

Sri Lanka teston me sukses reshjet artificiale të shiut

Sri Lanka ka kryer me sukses një test për shirat artificiale në një rajon malor ku kujtivohet çaji. Vendi e ndërmorri këtë masë në përpjekje për të shmangur shkurtimet e mundshme të energjisë gjatë sezonit të thatë, njoftuan burime zyrtare.

Por si u realizua ky test?

Një aeroplan i Forcave Ajrore spërkati kimikate në re rreth 8.000 metra lartësi duke nxitur shiun artificial i cili mbushi rezervuarët në tokë në mënyrë që sigurojnë ujë për të gjeneruar energji hidroelektrike, tha Ushantha Warnakumara, një zëdhënës në ministrinë e energjisë.

Ministria vendosi të krijonte shira artificiale sepse sezoni i thatë ka ulur nivelet e ujit në rezervuarët që përdoren për të gjeneruar energji hidroelektrike.

Tailanda ka dërguar një ekip të veçantë për të nisur projektin, pasi më parë ka siguruar njohuritë teknike, për të krijuar shira artificiale.

“Shirat artificiale të së premtes ishin një projekt pilot dhe ishte shumë i suksesshëm,” tha Warnakumara.

Ai shtoi se ministria do të vazhdojë të krijojë shirat artificiale gjatë dy javëve të ardhshme në malin e ishullit, ku gjenerohet shumica e energjisë hidroelektrike të vendit.

Shri Lanka varet kryesisht nga shirat për të gjeneruar energji. Gjatë stinëve të thata, vendi përballet me ndërprerje të energjisë.

Shumica e hidrocentraleve më të mëdhenj janë ndërtuar në mal, ku rriten lloje të çajit me famë botërore, transmeton AP.

OKB miraton rezolutë kundër okupimit izraelit në Lartësitë e Golanit

Gjenevë

Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi një rezolutë e cila kundërshton pushtimin izraelit mbi Lartësitë e Golanit dhe i bën thirrje Izraelit të respektojë të gjitha rezolutat e OKB-së, përfshirë edhe atë me numër 497, raporton Anadolu Agency (AA).

Rezoluta, e parashtruar nga Pakistani, u miratua në ditën e fundit të seancës së 40-të të këshillit në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.

Në votimin e kryer pas fjalimeve, rezoluta u miratua me 5 vota të përmbajtura, 16 kundër dhe 26 pro nga gjithsej 47 anëtarë.

Australia, Austria, Brazili, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Danimarka, hungaria, Islanda, Japonia, Sllovakia, Spanja, Togo, Ukraina dhe Birtania votuan kundër rezolutës.

Rezoluta në mënyrë të veçantë specifikon nevojën që Izraeli të respektojë Rezolutën 497 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 1981, e cila e cilëson si të paligjshëm okupimin izraelit mbi territoret palestineze dhe Lartësirat e Golanit.

“Vendimi i Izraelit për të zbatuar ligjet, gjyqësorin dhe administratën e tij në Golanin e pushtuar është i pavlefshëm dhe nuk ka validitet ndërkombëtar”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta po ashtu nënvizon që Izraeli duhet të lejojë që sirianët në Lartësirat e Golanit të vizitojnë familjet në atdheun e tyre, të sigurohet qasja e organizatave ndërkombëtare në rajon dhe të lirohen të gjithë të burgosurit sirianë, përfshirë edhe ata që vuajnë tashmë 30 vite në burgjet izraelite.

Më herët gjatë ditës, këshilli miratoi edhe një rezolutë tjetër, e cila fuqizon praninë e OKB-së në territoret e pushtuara palestineze dhe dënon Izraelin.

Rezoluta u parashtrua nga Bahreini, Bolivia, Kuba, Senegali, Venezuela, Zimbambve dhe Palestina dhe u miratua me 15 vota të përmbajtura, tetë kundër dhe 23 pro.

Udhëheqësit botërorë kritikojnë njoftimin e Presidentit Trump për Lartësitë Golan

Udhëheqësit botërorë po kritikojnë njoftimin e Presidentit të SHBA, Donald Trump se Shtetet e Bashkuara do të njohin sovranitetin izraelit mbi lartësitë e Golanit.

Ministria e jashtme e Sirisë tha të premten se njoftimi i Presidentit Trump është “i papërgjegjshëm” dhe nuk ndryshon “faktin se Golani ishte dhe do të mbetet arab dhe sirian”. Një burim i ministrisë së jashtme i tha agjencisë zyrtare të lajmeve të Sirisë SANA se njoftimi “pasqyron qartë mospërfilljen e Shteteve të Bashkuara për legjitimitetin ndërkombëtar dhe shkeljen flagrante të ligjit amerikan”.

Lartësitë Golan u pushtuan nga Izraeli në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967 dhe kontrollohen nga Izraeli që nga ajo kohë.

Presidenti turk, Tayyip Erdogan tha se njoftimi i zotit Trump e ka sjellë rajonin “në prag të një krize të re dhe tensioneve të reja”. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu u tha anëtarëve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Stamboll se “sulmet sistematike të Izraelit ndaj Xhamisë Al-Aqsa prej vitesh” janë prova që Izraeli nuk ka respekt për besimet dhe vendet e shenjta ose tolerancën për të jetuar së bashku. “Çavusoglu shtoi se “Komentet e papranueshme të Presidentit Donald Trump mbi Lartësitë Golan ushqejnë këtë mentalitet të deformuar”.

Shefi i Lidhjes Arabe, Ahmed Aboul Gheit, gjithashtu kritikoi njoftimin, duke thënë, “Asnjë vend, pavarësisht se sa e rëndësishme është, mund të marrë një vendim të tillë”.

Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, një grup prej gjashtë monarkish arabe, tha se deklarata e Presidentit Trump “nuk do të ndryshojë realitetin që … Lartësitë arabe të Golanit janë tokë siriane të pushtuara nga Izraeli me forcë ushtarake” dhe minon “shanset për arritjen e një paqeje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.”

Ministria e jashtme e Egjiptit e dënoi deklaratën e Presidentit Trump, duke përmendur rezolutën 497 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kundërshton aneksimin e territorit nga Izraeli. Ministria theksoi se udhëheqësit globalë “duhet të respektojnë rezolutat me legjitimitet ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara në lidhje me papranueshmërinë e marrjes së një territori me forcë”.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha se “Vendimet personale të z. Trump … do të sjellinë krizë në rajon.”

Bashkimi Evropian theksoi se nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi zonën e kontestuar. “Pozicioni i BE nuk ka ndryshuar,” tha një zëdhënëse e BE-së për agjencinë Reuters.

Rusia shprehu shpresë se thirrja e zotit Trump për njohjen e sovranitetit të Izraelit nuk do të miratohet. “Tani për tani, kjo është vetëm një thirrje,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov.

Presidenti Trump e bëri njoftimin të enjten nëpërmjet Twitterit, duke thënë se Lartësitë Golan “janë me rëndësi kritike strategjike dhe të sigurisë për shtetin e Izraelit dhe stabilitetin rajonal!”

Komentet erdhën ndërkohë që Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo ishte në Jeruzalem, duke u bërë zyrtari më i lartë amerikan që viziton Murin Perëndimor, një pjesë e qytetit mbi të cilën kanë pretendime si izraelitët, ashtu edhe palestinezët në Jeruzalem.

Vizita u pa si një sinjal se Shtetet e Bashkuara po shprehin njohje të heshtur për pretendimin e Izraelit, ndërkohë që u pasua menjëherë nga njoftimi për Lartësitë Golan.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar Iranin se përpiqet të ndërmarrë sulme kundër Izraelit nga Lartësitë Golan, duke thënë “Mendoj se për këtë arsye dhe për shumë të tjera, ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të njohë kontrollin izraelit mbi Golan dhe faktin se Lartësitë Golan do të mbeten gjithmonë pjesë e Shtetit të Izraelit”.

Udhëheqësi izraelit përshëndeti vendimin e Presidentit Trump pak pas njoftimit.

“Presidenti Trump sapo ka bërë një akt historik,” tha Kryeministri Netanyahu, pasi i telefonoi udhëheqësit amerikan. “Mesazhi që Presidenti Trump i ka përcjellë botës është se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Izraelit. Ne jemi shumë mirënjohës për këtë mbështetje”.

Javën e kaluar, në raportin për të drejtat e njeriut, Departamenti i Shtetit nuk kishte përdorur shprehjen Lartësitë “e pushtuara” Golan, por duke e quajtur territorin thjesht “i kontrolluar nga Izraeli”. Sekretari i Shtetit Pompeo tha në komentet për shtyp se ndryshimi në frazologji nuk ishte i rastësishëm dhe se pasqyronte realitetin në terren – faktin që Izraeli e kontrollon këtë territor.

Izraeli e aneksoi këtë territor në vitin 1981. Por komuniteti ndërkombëtar nuk e ka njohur aneksimin dhe i konsideron Lartësitë Golan një territor të pushtuar.

Rusia: Ndryshimi i statusit të Golanit, shkelje “direkte” e vendimeve të OKB-së

Moskë

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka kritikuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për njohjen e Lartësirave të Golanit të pushtuara nga izraeli si pjesë e shtetit hebre, duke thënë se përpjekjet për ndryshimin e statusit të këtij rajoni përbëjnë shkelje “direkte” ndaj rezolutave të OKB-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për radion ruse Kommersant FM, Zakharova tha se Rusia shfaq një qëndrim parimor në lidhje me përkatësinë siriane të Lartësirave të Golanit.

Ky qëndrim i Rusisë, tha ajo, konfirmohet edhe me rezolutën 497 të vitit 1981.

“Qëndrimet tona nuk ka ndryshuar në lidhje me jolegjitimitetin e vendimit të Izraelit për të përhapur sovranitetin mbi Lartësirat e Golanit. Përpjekjet për të ndryshuar statusin e Lartësirave të Golanit, duke shpërfillur Këshillin e Sigurimit të OKB-së paraqesin shkelje direkte të vendimeve të OKB-së”, theksoi Zakharova.

Ndryshe, reagimi i Rusisë erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump, dje në Twitter shkroi se “pas 52 viteve, për SHBA-në ka ardhur koha e plotë për të njohur plotësisht sovranitetin e Izraelit mbi Lartësirat e Golanit”.

Izraeli e mban të pushtuar rajonin që nga viti 1967.

Britanisë i jepet edhe një shans për Brexit me marrëveshje

Kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May, i mbetet tani të bindë ligjvënësit e vendit që të mbështesin planin e saj për largim nga Bashkimi Evropian – apo Brexit – pasi BE-ja propozoi shtyrje të Brexit-it përtej 29 marsit, datës së paraparë aktualisht.

Të enjten vonë, pas tetë orësh bisedime, udhëheqësit e BE-së ofruan shtyrje të Brexit-it deri më 22 maj, nëse ligjvënësit britanikë e miratojnë planin e Mayt javën e ardhshme.

Nëse nuk e miratojnë, shtyrja do të jetë më e shkurtër – deri më 12 prill – dhe, në atë rast, Britania do të duhet të dalë me vendime të reja ose të largohet pa marrëveshje.

May tha se ligjvënësit kanë një “zgjedhje të qartë”.

Plani i saj, i dakorduar me BE-në, ka dështuar dy herë në Parlament, kryesisht për shkak të një pike që përshkruan qasjen ndaj kufirit të Irlandës, pas Brexit-it.

Britania ka vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian me një referendum në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa një plan të dakorduar me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.

Një peticion online që bën thirrje për anulimin e Brexit-it mblodhi, mbi dy milionë nënshkrime që nga 21 marsi.

Seanca në Parlamentin e Zelandës së Re hapet me leximin e Kuranit

Kurani është lexuar gjatë seancës së Parlamentit të Zelandës së Re, që ishte e para që prej sulmit terrorist në dy xhami që u mori jetën 50 personave.

Një imam mysliman udhëhoqi lutjet në Parlament, në atë që u vlerësua si gjest i solidaritetit me viktimat e sulmit.

Ajetet që u lexuan ishin nga kapitulli “al-Baqarah”, të cilat theksojnë durimin, lutjet dhe drejtësinë në ditën e gjykimit.

Ndërsa, kryeministrja Jacinda Ardern e nisi fjalimin e saj me urimin arab “As-Salaam-Alaikum”, që në shqip do të thotë “paqja qoftë mbi ju”.

Kjo ishte hera e parë që Kurani është lexuar në Parlamentin e Zelandës së Re.

Ky akt është mirëpritur nga Turqia, pasi Ibrahim Kalin, shef i këshilltarëve të presidentit Erdogan, përgëzoi Parlamentin.

“Unë e përgëzoj Parlamentin për këtë akt të ngrohtë dhe të këndshëm. Janë këto akte mirësjelljeje që do ta mposhtin terrorizmin dhe fashizmin”, deklaroi Kalin.

Kryeministrja e Zelandës së Re bën thirrje për luftë globale kundër racizmit

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka bërë thirrje për luftë globale kundër ideologjisë raciste të ekstremit të djathtë, pas sulmit të përgjakshëm terrorist që ka ndodhur në dy xhami në Kristçërç.

Ajo ka thënë për BBC-në se kundërshton idenë që rritja e emigrimit është duke nxitur racizmin.

Ajo ka mbrojtur vendimet e Zelandës së Re për të pranuar refugjatë duke thënë se “ne jemi një vend mikëpritës”.

Kur është pyetur për rritjen e krahut të së djathtës ekstreme, ajo ka thënë:

“Ai ka qenë një qytetar australian, mirëpo kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi një ideologji në Zelandën e Re që do të përbënte fyerje për shumicën e banorëve në këtë vend”.

Prandaj, ka thënë ajo, ekziton një përgjegjësi “për të çrrënjosur këtë ide kudo ku ekziston dhe të sigurohemi që të mos krijojmë kurrë një ambient të tillë”.

Si pasojë e sulmeve me armë zjarri të premten, 50 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Të mërkurën është kryer ceremonia e parë e varrimit të viktimave, përkatësisht e një babai dhe djalit të tij.

Policia ka njoftuar të mërkurën se ka identifikuar gjashtë viktima të sulmit në xhaminë Al-Noor dhe ka shpresuar që të lirojë 50 trupat deri të fund të ditës.

Megjithatë, disa familjarë janë shprehur të zemëruar, për siç kanë thënë ata, vonesë të procesit.

Përndryshe, australiani, Brenton Tarrant, 28 vjeçar është akuzuar për vrasje, në një proces gjyqësor që është mbajtur një ditë pas sulmit në Kristçërç.

Platforma raciste e sulmuesit të xhamive në Zelandën e Re

Kryeministrja Jacinda Ardern duke folur në parlament

Kryeministrja e Zelandës së Re tha sot se shërbimet e zbulimit dhe ato të sigurisë po shqyrtojnë informata të mëtejshme pas sulmit vdekjeprurës me armë ndaj dy xhamive. Ajo gjithashtu premtoi të bëjë gjithçka të mundur për të mos i ofruar sulmuesit një platformë për shpalosjen e pikëpamjeve të tij raciste.

Kryeministrja Jacinda Ardern foli sot përpara ligjvënësve, pasi supremacisti i bardhë që akuzohet se qëlloi me armë ndaj 50 personave në dy xhami në qytetin Christchurch, nuk pranoi avokat dhe vendosi të përfaqësojë veten në gjyq.

“Ai është terrorist, është kriminel, është ekstremist. Por, sa herë të flas, unë nuk do ta përmend emrin e tij. Ju bëj thirrje që sa herë të flisni të përmendni emrat e atyre që u shuan dhe jo emrin e atij që u mori jetën. Ai mund të ketë dëshiruar të bëhet i famshëm, por ne këtu në Zelandën e Re nuk do t’ia ofrojmë këtë”, deklaroi në parlament Kryeministrja Ardern.

Dëshira e sulmuesit për famë u bë e qartë nga fakti se përpara masakrës të së premtes, ai la një manifest prej 74 faqesh. Gjithashtu, ai transmetoi drejtpërsëdrejti në mediat sociale pamje të sulmit të tij ndaj xhamisë Al Noor.

Kryeministrja Ardern shprehu irritimin e saj që videoja qëndroi e disponueshme në internet për katër ditë me radhë pas sulmit. Kompania Facebook megjithatë njoftoi se kishte hequr mbi 1 milionë versione të videos në 24 orët që pasuan sulmin.

Kryeministrja e Zelandës së Re tha se kishte komunikuar me drejtuesen e operacioneve të kompanisë Facebook, Sheryl Sandberg, por nuk dha hollësi të mëtejshme.

Kryeministrja e Zelandës së Re: Sulmuesi është “pa emër”

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, u zotua se nuk do ta thotë kurrë emrin e sulmuesit të xhamive në qytetin Kristçërç.

“Ai kërkoi shumë gjëra me aktin e tij të terrorizmit dhe njëra prej tyre ishte fama. Kjo është arsyeja përse nuk do të më dëgjoni kurrë duke përmendur emrin e tij”, tha Ardern në një fjalim emocionues para Parlamentit të Zelandës së Re.

Të shtënat e së premtes së kaluar në dy xhami lanë të vrarë 50 vetë dhe plagosën dhjetëra të tjerë.

Australiani Brenton Tarrant, 28 vjeç, i vetëpërshkruar si supremacist i bardhë, u akuzua për vrasje.

Kryeministrja Ardern iu drejtua një seance të posaçme të Parlamentit të martën, duke nisur fjalimin e saj me përshëndetjen arabe “Al-Salaam Alaikum”, që në shqip do të thotë “Paqja qoftë mbi ju”.

“Pesëmbëdhjetë marsi do të jetë gjithmonë një ditë e gdhendur në kujtesën tonë kolektive. Në pasditen e qetë të një të premteje, një burrë sulmoi një vend paqësor të lutjeve, duke marrë 50 jetë. Ajo pasdite është bërë dita jonë më e errët”, u shpreh Ardern.

Ajo tha se do të flasë për emrat e atyre që kanë humbur jetën, por jo edhe të njeriut që i vrau ata. “Ai është terrorist. Ai është kriminel. Ai është ekstremist. Por, kur unë të flas, ai do të jetë pa emër”, tha Ardern.

Ajo i siguroi ligjvënësit se sulmuesi “do të përballet me forcën e plotë të ligjit”. Ajo i inkurajoi qytetarët e Zelandës së Re që të bashkëndjejnë me myslimanët këtë të premte, kur të shënohet një javë nga sulmi.

Ardern më herët ka njoftuar se ligjet e armëve në Zelandën e Re do të reformohen dhe se detajet do të paraqiten brenda disa ditësh.

Kryeministrja po ashtu u bëri thirrje përfaqësuesve të mediave sociale që të bëjnë më shumë për të luftuar terrorin, pasi sulmuesi në Kristçërç e transmetoi drejtpërdrejt aktin e tij në Facebook.

“Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të pranojmë që këto platforma ekzistojnë dhe ajo që thuhet në to nuk është përgjegjësi e vendit ku publikohet”, tha Ardern.

Të martën, Facebook tha se videoja e sulmuesit të armatosur është shikuar më pak se 200 herë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë dhe rreth 4,000 herë përpara se është hequr nga Facebook-u.

Kompania e medias sociale po ashtu tha se ka fshirë mbi 1.5 milion kopje të videos në 24 orët e para pas incidentit.

Në mesin e 50 personave të vrarë në dy xhami, gjatë faljes së Xhumasë, ishin emigrantë myslimanë, refugjatë dhe banorë nga Pakistani, Afganistani, Bangladeshi, India, Turqia, Kuvajti dhe Somalia.

Përgatiti: Valona Tela

Rusi, hyjnë në fuqi ligjet për bllokimin e portaleve që kritikojnë qeverinë

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi legjislacionin që u mundëson autoriteteve të bllokojnë faqe të caktuara interneti dhe të japin dënime për “lajme të rreme” apo për materiale që ato i konsiderojnë si fyerje ndaj shtetit ose publikut.

Të dyja ligjet, që kritikët i shohin si pjesë të një përpjekjeje të Kremlinit për të rritur kontrollin mbi internetin dhe për të mbytur disidencën, u nënshkruan nga presidenti më 18 mars.

Legjislacioni i ri i lejon autoritetet të bllokojnë faqe të caktuara interneti ose llogari interneti që publikojnë ato që ata i konsiderojnë si “lajme të rreme” dhe penalizojnë ata që vendosin materiale, të cilat shihen si fyese ndaj zyrtarëve të shtetit, simboleve shtetërore ose shoqërisë ruse.

Dhoma e sipërme e parlamentit, Këshilli i Federatës, i miratoi projektligjet më 13 mars pasi dhoma e ulët, Duma e Shtetit, dha miratimin përfundimtar. Legjislacionin ishte propozuar më 7 mars.

Më 11 mars, Këshilli presidencial i Rusisë për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut i kërkoi Dhomës së Sipërme t’ia dërgonte projektligjet përsëri Dumës për t’i ripunuar.

Këshilli presidencial, i cili shpesh injorohet nga Presidenti Putin, citoi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe tha se liria e shprehjes nuk mund të kufizohet thjesht për shkak të dyshimeve nëse ajo që shprehet është ose jo e vërtetë.

Ligji i ri autorizon prokurorin e përgjithshëm dhe zëvendësit e tij për të përcaktuar se çfarë përbën lajm të rremë, por pa një vendim gjyqësor, pas të cilit mediat shtetërore dhe mbikqyrësi i komunikimit Roskomnadzor të bllokonin faqet apo llogaritë në internet.

Për publikimin e “lajmit të rremë”, ligji përcakton gjoba deri në 100,000 rubla (1,525 dollarë) për individët, 200,000 rubla për zyrtarët publikë dhe 500,000 rubla për kompanitë.

Ligji thotë se gazetave apo portaleve të regjistruara zyrtarisht pranë Roskomnadzorit, do t’u jepet një shans për të hequr raportimet që konsiderohen si lajme të rreme, përpara se të bllokohen faqet e tyre të internetit.

Aty thuhet se faqet e internetit që nuk janë të regjistruara pranë Roskomnadzorit do të bllokohen pa paralajmërim.

Ligji gjithashtu parashikon gjoba deri në 100,000 rubla për fyerjen e autoriteteve ruse, agjencive qeveritare, shtetit, publikut, flamurit apo kushtetutës.

Shkelësit përsëritës do të përballen me gjoba më të mëdha dhe mund të burgosen deri në 15 ditë.

Roskomnadzori do t’u japë përdoruesve të internetit 24 orë për të hequr materialin që gjykohet nga prokurori i përgjithshëm ose zëvendësit e tij si fyes për shtetin ose shoqërinë dhe ata që nuk e bëjnë këtë do të bllokohen, thotë ligji.

Në janar, kur Duma e Shtetit miratoi projektligjet në leximet e tyre të para, politikani i opozitës ruse Ilya Yashin u shpreh me këto fjalë: “Këto janë projektligje të çmendura. Si mund t’i ndalosh njerëzit të kritikojnë autoritetet?”

Mbi një milion nënshkrime për përjashtimin e Fraser Anning nga Parlamenti i Australisë

Ankara

Mbi një milion njerëz kanë nënshkruar në peticionin për përjashtimin e senatorit Fraser Anning nga Parlamenti i Australisë, pas deklaratës së tij ne lidhje me sulmin e dyfishtë terrorist në xhamitë në Zelandën e Re, raporton Anadolu Agency (AA).

“Dëboni Fraser Anningun nga Parlamenti”, thuhet në peticionin e nisur nga mjekja neurologe Kate Ahmed në platformën më të madhe në botë “change.org”.

Peticioni u nis pas deklaratës të cilën senatori Anning e bëri në lidhje me sulmet terroriste në Christchurch të Zelandës së Re, duke fajësuar muslimanët dhe politikat e migracionit.

Kujtojmë se terroristi Brenton Harrison Tarrant vrau 50 besimtarë të cilët kishin shkuar në xhami për namazin e xhumasë në xhamitë Al Noor dhe Linwood.

Anning tha se shkaku kryesor i gjakderdhjes në rrugët e Zelandës së Re janë myslimanët që lejohen të emigrojnë në atë vend.

Pas kësaj deklarate anti-migracionit dhe islamofobike, Anning u qëllua në kokë me vezë nga iu riu Will Connolly.

“Pikëpamjet e senatorit Fraser Anninga nuk kanë vend në qeverinë e Australisë, demokracinë tonë dhe multikulturalizmin. Në përputhje me ligjet e Australisë, kërkojmë të dënohet dhe të hiqet nga posti i senatorit, përfshirë mundësinë për një hetim lidhur me përkrahjen për terrorizmin djathtist”, kërkon peticioni.

Kryeministri australian Scott Morrison nga ana e tij dënoi deklaratën e Anningut dhe e quajti të neveritshme.

Papa Françesku i prekur thellë nga sulmi në Zelandën e Re

Vatikan

Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku shprehu pikëllim të thellë për siç tha “dhunën e palogjikshme” në Chrischurch të Zelandës së Re, raporton Anadolu Agency (AA).

Papa u shprehu ngushëllimet e tij familjeve të viktimave në sulmet ndaj dy xhamive gjatë namazit të xhumasë.

Ai shprehu pikëllim të thellë për sulmin në të cilin humbën jetën të paktën 49 persona dhe 20 u plagosën. Papa Françesku tha se solidarizohen me të gjithë qytetarët e Zelandës së Re dhe veçanërisht me komunitetin mysliman.

Policia e Zelandës së Re ka konfirmuar se në dy sulmet e armatosura ndaj xhamive të premten në Christchurch u vranë 49 persona ndërsa më shumë se 20 u plagosën.