VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Haradinaj: Vuçiq, reflekto!

By | May 24, 2019

Komentet

BILD: Përgjimet tregojnë se qeveria manipuloi votat

Shqipëria, një nga vendet më të bukura, por edhe një nga vendet më të prapambetura në Europë. Për turistët, një mister i egër dhe i lirë në brigjet e Adriatikut. Por vendi është përballë mundësisë që të shkrihet në kaos total: ai konsiderohet si një republikë e drogës, si Kolumbia e Europës. Dhe: Shqipëria rrezikon që të bëhet një kërcënim për Ballkanin e paqëndrueshëm.

Një nga arsyet: vendi është kthyer në një republikë të mafias, klanet kriminale dominojnë politikën dhe jetën publike. Korrupsioni është normalitet, edhe blerja e votave në zgjedhje. Prej disa muajsh ka demonstrata masive. Opozita e akuzon qeverinë socialiste të kryeministrit Edi Rama për manipulim të zgjedhjeve parlamentare në vitin 2017, me ndihmën e mafias janë blerë vota, është bërë presion ndaj mbështetësve të opozitës ose janë mbajtur larg zgjedhjeve.

“Bild” ka në dorë regjistrime të shumta telefonike – të bëra nga hetuesit shqiptarë- që tregojnë për herë të parë se ka pasur një plan sistematik nga partia qeverisëse socialiste e kryeministrit Edi Rama për të manipuluar zgjedhjet në vitin 2017! Objektivi: Mashtrim elektoral, blerja e votave, shantazh ndaj votuesve të opozitës.

“Bild” tani publikon disa nga regjistrimet, disa prej të cilave vijnë nga e ashtuquajtura dosja ‘184’ e vitit 2016. Ato janë të gjitha shembuj të manipulimit, kërcënimit dhe blerjes së votuesve nga lart poshtë. Ato tregojnë se si ka bashkëpunuar politika, biznesmenët dhe kriminelët.

Në përgjime dëgjohet se si ministria e Brendshme po harton një plan për të fituar zgjedhjet për socialistët. Se si më pas – nivel pas niveli – me para, presion dhe kriminelë, sigurohet që rezultati të jetë i saktë. Po ashtu mund të dëgjoni sesi drejtuesit e lartë kërcënojnë drejtorët dhe mësuesit e shkollave.
Këto regjistrime dëshmojnë gjithashtu: kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, e dinte këtë komplot elektoral, ishte pjesë e tij. Zyrtarët e lartë qeveritarë e planifikuan manipulimin zgjedhor dhe e ekzekutuan atë së bashku me udhëheqësit lokalë nga partia, administrata zgjedhore dhe mafia.

Telefonatat e përgjuara nga policia anti-mafia tregojnë përfshirjen dhe dijeninë e politikanëve me ndikim. Përveç kryeministrit Rama, ministri i atëhershëm i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, aktualisht i akuzuar si anëtar i mafias së drogës, janë edhe të tjerë anëtarë të mëposhtëm të Partisë Socialiste:
-Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.
-Kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore në Kuvend, Ulsi Manja.
-Kryetari i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, Xhemal Qefalia.
-Sekretari i Përgjithshëm dhe kreu i Partisë Socialiste, Taulant Balla.
-Deputeti Pjerin Ndreu.

Megjithëse hetuesit shqiptarë e dinin për këto përgjime për vite me radhë, megjithëse gjithçka dëgjohet në përgjime ka ndodhur në të vërtetë dhe dënohet nga ligji shqiptar, ende sot nuk ka asnjë hetim ndaj politikanëve, zyrtarëve apo mafiozëve që dëgjohen në përgjime.

Përkundrazi: Hetuesit që ranë në gjurmët e lidhjeve të qeverisë socialiste me mafian e drogës, u dërguan në burg pa akuzë ose nën arrest shtëpie dhe ikën jashtë vendit. Rezultati tani në Shqipëri: Opozita nuk po paraqet kandidatë për zgjedhjet lokale të planifikuar në verë si shenjë proteste. Presidenti i vendit, Ilir Meta ka pezulluar plotësisht zgjedhore- qeveria kërkon t’i zhvillojë ato gjithsesi. Vendit i kanoset një luftë zgjedhore e vërtetë.

Qeveria pretendon se BILD është blerë nga opozita, duke shpërndarë gënjeshtra. Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme e konfirmoi vërtetësinë e përgjimeve, disa prej të cilave kanë mbetur të pandryshuara që prej vitit 2016.

BILD publikon përgjime të reja mbi zgjedhjet në Dibër

Armand Mero

Gazeta gjermane BILD botoi sot disa përgjime të tjera të realizuar nga Prokuroria shqiptare, lidhur me zgjedhjet vendore në Dibër. Janë të paktën 16 përgjime në të cilat janë përfshirë dhe drejtuesë të institucioneve lokale.

Në disa prej përgjimeve përmenden shifra parashë që duhet të jepen në këmbim të votave, ndërsa drejtuesë të institucioneve lokale, si ai i drejtorisë arsimore, kërkojnë haptazi deklarimin e votës, nga vartësit e tyre, në favor të Partisë Socialiste. Në një pjesë të mirë të përgjimeve rezulton një përfaqësues lokal socialist Arben Keshi, i cili më pas është emëruar si drejtor në një prej institucioneve në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Kryeministri Rama i cili dëgjohet në një bisedë me Keshin për situatën e zgjedhjeve dhe rezultatin e pritshëm, reagoi duke u shprehur se sipas tij: “Përgjimet e pahetuara të shërbëtorit të Saliut tregojnë përsëri se u bënë për shantazh, jo për drejtësi!”.

Ai nxiti prokurorinë “të vijojë intensivisht hetimet për të nxjerrë deri në fund ku mbarojnë llafet dhe ku dalin prova fajësie para ligjit,nëse ka të tilla”, shkruan kryeministri në Twitter.

AUDIO/ ”Është realizuar objektivi?”, publikohet përgjimi i parë i “BILD”, Edi Rama flet me drejtorin e Ministrisë së Brendshme për zgjedhjet

Gazeta gjermane “Bild”, ka publikuar sot 16 audio-përgjime të reja, ku ndër to dëgjohet kreu i qeverisë, Edi Rama, duke komunikuar me një person të quajtur Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme më 2017.

“Shqipëria, një nga më të bukurat, por edhe një nga vendet më të prapambetura në Europë. Për turistët një tip i egër dhe i lirë i brendshëm në bregdetin e Adriatikut.
Por vendi është gati për të zhyten në kaos total: Ajo konsiderohet tani një vend droge, si Kolumbia në Evropë. Dhe Shqipëria e gatshme të bëhet një rrezik për Ballkanin.
Një nga arsyet: Vendi ka degjeneruar, klanet kriminale dominojnë jetën politike dhe publike. Korrupsioni është normal, edhe blerja e votave në zgjedhje.

Për disa muaj me radhë ka demonstrata masive. Opozita akuzon qeverinë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, se ka manipuluar zgjedhjet parlamentare në vitin 2017 duke përdorur Mafian, ka blerë votat dhe mbështetësit e opozitës kanë bërë presion apo edhe penguar nga votimi”, shkruan Bild.

“ BILD tani publikon regjistrime të gjera telefonike – të bëra nga hetuesit shqiptarë – për të treguar për herë të parë se ka pasur një plan sistematik të partisë socialiste në pushtet të kryeministrit Edi Rama për të manipuluar zgjedhjet në vitin 2017! Objektivi: mashtrimi elektoral, blerja e votave, shantazhi i votuesve të opozitës.”

Pergjimi nr.1

Arben Keshi: Po shefi.

Edi Rama: Hë mo si duket.

Arben Keshi: Mirë te pritshmërie jemi.

Edi Rama: E ke realizuar objektivin thua?

Arben Keshi: Them që po. Tani me pjesën e atyre komisionerëve, e kemi realizuar.

Edi Rama: Ashtu ëëë?

Arben Keshi: Po them që po.

Edi Rama: Po ata maskarenjtë kishin bërë presione me thanë?

Arben Keshi: Po deshën të me kapnin mua, por ajo ndodhi pas dy minutash që unë u futa te stafi, se po me pritshin te hoteli ku flija.

Edi Rama: Ç
farë do të bëshin ty ata?

Arben Keshi: Ishin nja 50 veta. Ishte kjo pjesa e presionit, me goditje me kështu. Ai është legen, ai Flamur Noka është…

Edi Rama: Po ku ta del dot ty Flamur Noka more.

Arben Keshi: Dhe ky djali sa doli, sa më la mua, dhe ata kujtuan se jam dhe unë në makinë. Ishin 50 veta, jo se bënë ndonjë gjë, e goditën, por problemi është se ikën dhe si kapën dot.

Edi Rama: Më mirë, mo u hap, çi do sherret. Nigjo, ti mendon që e kemi realizuar objektivin ëë?

Arben Keshi: Unë them që po. Mund të lëvizë pak ose me shumë. Por nga ata që na kanë thënë komisionerët, jemi me pritshmëri të mëdha.

Edi Rama: Komisionerët i ke pas top apo jo?

Arben Keshi: Po, po. Ne rregull i kam pas.

Edi Rama: Mirë vllai!

Arben Keshi: Ishallah! Mirë faleminderit.

Edi Rama: Hajd ciao, ciao!

E PLOTE

AUDION NDIQENI KETU

Shkodër, përkujtohen vrasjet në kufi (video)

Në Shkodër u përkujtua sot demonstrata e 16 qershorit e vitit 1990, e cila mori shkas nga vrasja në kufi e 17 vjeçarit Pëllumb Pëllumbi. Kjo datë përkujton edhe të gjithë të rinjtë e të rejat, që u vranë në kufi gjatë vitit 1990, megjithëse regjimi komunist i kohës kishte shfuqizuar ligjin që e cilësonte arratisjen si tradhti ndaj atdheut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo përgatiti kronikën.

Haradinaj: Nuk na duhet liria e izoluar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të dielën porositi bashkësinë ndërkombëtare se Kosovës nuk i duhet liria e izoluar, duke iu referuar procesit të integrimit në Bashkimin Evropian si dhe integrimit në Aleancën Veri-Atlantike.

“Ne kemi luftuar për lirinë që ta gëzojmë të gjithë. Ne jemi të lirë, por të izoluar. Ne duhet t’ju bashkohemi popujve të lirë. Eshtë Evropa që duam të anëtarësohemi, NATO, ku prin Amerika, pra ne dëshirojmë të bëhemi bashkë me popujt e lirë. Neve nuk na duhet liria e izoluar”, tha Haradinaj në fjalimin e tij gjatë zbulimit të shtatores së Heroit të Kombit Gjeneral Major Shkëlzen Haradinaj dhe Obeliskut të 183 dëshmorëve nga Komuna e Pejës.

​Haradinaj shtoi se kur bëhet fjalë për raportet me Serbinë, Kosova synon njohje reciproke, por asesi nuk e vë në dyshim statusin, që sipas tij, u përcaktua që nga viti 1999.

“Jemi të interesuar të jetojmë në fqinjësi të mirë edhe me Serbinë, por jo duke biseduar për status, sepse është mbyllur në vitin 1999. Ne duhet ta zgjidhim me ta vetë çështjen e njohjes. Mos të pret më askush që kërkon paqe dhe stabilitet në Ballkan në kurriz të lirisë së Kosovës”, tha ai.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia po përgatiten për takimin e radhës më 1 korrik, në Paris, i cili pritet të mbahet me ndërmjetësimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Anglela Merkel.

Takimi i 1 korrikut në Paris, është vazhdimësi e procesit të Berlinit të iniciuar nga kancelarja Merkel dhe është cilësuar si shans për të shpëtuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Bild – Paralajmërimi i gazetarit gjerman: Nesër publikohen përgjime të reja…

Pas përgjimeve të bëra publike nga gazeta gjermane “Bild”, pak javë më parë, gazetari Peter Tiede, ka paralajmëruar se ditën e nesërme do të bëhen publike të tjera.

Gazeta gjermane ditën e nesërme do të bëjë publike të tjera përgjime, që përfshijnë kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakos dhe zyrtarë të tjerë, lidhur me shit-blerjen e votave.

 

Më herët përgjimet e bëra publike nga e përditshmja gjermania kanë tronditur opinion publik, ndërkohë që PS ka kërkuar që të hetojë Prokuroria dhe të mos bëhen publike të tilla materiale, pasi zbulojnë sekretin hetimor.

Scott kujton se askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott, kujtoi se ende askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi dhe të dhjetëra kosovarëve të tjerë, që janë gjetur në një varrezë masive në Petrovo Sello të Serbisë.

“Në këtë ditë, në vitin 2001, një varr masiv me trupat e 75 kosovarëve është gjetur në Petrovo Sello. Në mesin e të vdekurve kanë qenë tre shtetas amerikanë – vëllezërit Bytyçi”, shkroi Scott në Twitter.

On this day in 2001, a mass grave with the bodies of 75 Kosovars was uncovered in Petrovo Selo. Among the dead were three American citizens, the Bytyci brothers. To this day, no one has been punished for this extrajudicial murder. #JusticeforAllVictims
— Ambassador Kyle Scott (@usambserbia) June 14, 2019

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi.

Për vrasjen e tyre kanë qenë të akuzuar dy policë serbë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, por ata janë liruar nga Gjykata e Lartë në Beograd për shkak të, siç është thënë, mungesës së provave.

Uashingtoni ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për ta.

Madeleine Albright: Letër vetes sime t’re

*Madeleine Albright këtë letër ja ka adresu vetes në moshë më të shtyme, 44 vjeçe, kur i asht shu martesa!



E dashtun Madeleine

Ki me e tejkalu këtë mjegull e pasiguri – edhe ata në mënyrën ma të mirë të mundshme. Nuk ki me u ba cinike, stoike apo e vrazhdë prej kësaj humbje që je tu e ndje. Gjatë dhjetë vjetëve në vazhdim ki me e rindërtu e rikriju veten, ki me pas sukses – dhe përmbushje të jashtëzakonshme.

E vërteta asht që ti e ki guximin me e gjet qëllimin tand edhe integritetin me e përmbush atë qëllim simbas standardeve tua. Prindërit të kanë mësu me e dhanë ma të mirën e me i arritë krejt ato që mundesh, me talentet që i ki. Ti ki me i vendos ato talente në shërbim të vetes, ki me e gjet zanin tand edhe ki me e përdor atë za për t’i shërby vendit në mënyra që kanë me të mahnit.

Kur të pyesin studentet se qysh ja ke dal me kanë e martume, me pas fëmijë edhe me punu në të njajtën kohë ki me u ndje si hipokrite sepse ti mendon që ke dështu aty.

Asht vështirë me u ndje e kualifikume si model. Por ti je.

Kanë me kalu shumë vjet derisa te kupton që je model i mirë. Por përfundimisht, ti ki me inspiru ma shumë gra sesa që kishe mujt ndonjiherë me paramendu. – Mbas njizet e tri vjetëve, kur gratë kanë me të tregu që kanë zgjedh të bajnë karrierë në marrëdhanie ndërkombëtare, ti ke me u ndje mirë kur ki me ju thanë se nuk ka formulë, ngase çdonjani duhet me e ndjek udhën e vet.

Me shumë besim,
Madeleine Albright

…………………………………………….

©përkthim, Vlora Konushevci

Marrë prej librit:
What I Know Now
LETTERS TO MY YOUNGER SELF
By ELLYN SPRAGINS

Intervista – “Dy rrugët për të dalë nga kriza”, Moikom Zeqo: Shkarkimi i Metës, akt i rëndë për vendin

ANILA DEDAJ/ “2008-ta po e mban peng të ardhmen politike të Shqipërisë”, përsërit vazhdimisht mendimtari Moikom Zeqo.

 

Sepse për të, e drejta “prej monarku” e kryetarit për të caktuar listën e deputetëve është një nga atentatet më të mëdha që i është bërë Kushtetutës atë vit. E shikon si hap primar për të zgjidhur ngërçin politik, krijimin e një establishmenti të ri, pasi 140 ligjvënësit aktualë të Shqipërisë i konsideron në nivelet më të mjerueshme dhe gati anonimë.

Situata aktuale tregon, sipas profesor Zeqos, se partitë i pret një vdekje e bardhë. Një rrudhje dhe rrezik zhdukjeje që do të prekë jo vetëm partitë e vogla që Partia Demokratike ka në koalicion, por edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, si dhe vetë Partinë Socialiste.

Mendimtari analizon për “Panoramën” aktualitetin politik, duke u ndalur ndër të tjera te shtyrja e datës së zgjedhjeve, Kryeministri “mandator”, protestat “jo në emër të popullit” dhe ndikimi që situata ka te negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Si kanë ndikuar në situatën aktuale ndryshimet kushtetuese që ndodhën në 2008-n?

Ndryshimet e kobshme të vitit 2008 bënë që lista e deputetëve të përcaktohet nga kryetarët e partive. Pra, këta të fundit kanë të drejtën prej monarku që të caktojnë listën e deputetëve. Mirëpo, kjo është një nga atentatet më të mëdha që i është bërë Kushtetutës. Kushtetuta, e cila njeh procesin e zgjedhjeve që lidhen me votimin, thotë që votat janë të lira dhe të fshehta. Të lira janë kur unë votoj lirisht për kandidatin që më bind, pra, do të thotë që duhet të ketë alternativa, duhet të jenë listat. Mandej, të fshehta. Po si mund të jenë votat të fshehta, kur ka një listë publike, që e dorëzon kryetari i partisë në procesin e votimeve?!

Si mund të ketë votime të lira dhe të fshehta në një kohë kur kryetari ka krijuar listat. Mirëpo listat tregojnë se krijohet një klientelizëm politik. Dhe në vend që të krijohet një numër personalitetesh të vërtetë të politikës, pra, të vendimmarrjes, në listë përfshihen njerëz “të klonuar”. Dhe ne kemi një Parlament “të klonuar”. Ne jemi një republikë parlamentare me Kushtetutë parlamentare, çka do të thotë se në Parlament ne kemi përfaqësuesit e disa partive të elektorateve të ndryshme dhe nuk ekziston linja vertikale e ekzekutivit.

Kryetari i Parlamentit është një “spiker”, nuk është një kryetar për të komanduar. Natyrisht, aty është vendi ku votohen, ose jo, ligje, merren vendime etj.. Mirëpo, duke mos respektuar karakterin e mirëfilltë shumëpartiak të Parlamentit, ne në fakt jemi kthyer në një republikë kryeministrore. Pra, Kryeministri, i cili ka shumicën në Parlament, ka pushtetin e legjislativit, të ekzekutivit dhe mund të vendosë mbi gjithçka, sepse i ka numrat.

Dhe kjo alkimi e numrave erdhi pikërisht nga ndryshimet e kobshme të vitit 2008. Pra, në qoftë se nuk bëhet reforma për t’i modifikuar ato ndryshime, vështirë se do të kemi ndonjë të ardhme të madhe politike të Shqipërisë. Kjo sepse 2008-ta po e mban peng të ardhmen politike të Shqipërisë.

Shumica e ish-deputetëve të opozitës hoqën dorë nga mandatet, si mendoni se ndikon një veprim i tillë tek elektorati që i ka zgjedhur? A duhet që ata ta bënin opozitën brenda Parlamentit, apo jashtë tij?

Heqja dorë nga titulli juridik i deputetit të opozitës është një akt i paprecedent në Europë e në botë. Për t’u bërë deputet, për ta marrë këtë titull, është bërë një votim dhe mijëra njerëz kanë votuar. Kushtetuta parashikon që deputeti i një partie të caktuar, në momentin që merr këtë funksion ka lirshmërinë të quhet deputet i popullit, edhe nëse e shikon të përshtatshme të ndryshojë edhe parti. Sepse përfaqëson elektoratin e duhet të jetë më tepër besnik ndaj tij sesa ndaj partisë. Theksoj, se që të heqësh dorë nga titulli duhet të kesh një arsye të fortë, të jesh i sëmurë, në raste vdekjeje etj.. Mund të bëhet edhe një dorëheqje individuale, por dorëheqja kolektive do të thotë se nuk ke respektuar vullnetin e elektoratit që të ka votuar. Nuk është se e mblodhën këtë elektorat dhe morën pëlqimin e tij për të hequr titullin e deputetit, prandaj dorëheqja kolektive është antikushtetuese. Titujt juridikë të këtyre deputetëve krijojnë atë që quhet subjekt kushtetues i opozitës. Opozita nuk është një grumbull njerëzish që kundërshtojnë qeverisjen, opozita është një subjekt alternativ. Pra, në një moment është në opozitë, por në një moment tjetër duhet të jetë në pushtet, ndaj është një subjekt shumë i rëndësishëm.

Përse, sipas jush, palët politike nuk tentojnë rrugën e bashkëpunimit. Për interesa të kujt thellohet konflikti?

Në të vërtetë, duhet të ishte që maxhoranca dhe opozita të ishin komplementare. Pra, kritikat të ishin shumë të ashpra, por gjithsesi palët do të duhej ishin bashkëpunuese për hir të interesit të lartë kombëtar ose shtetëror, sepse tek e fundit janë të gjithë shqiptarë. Sipas meje, është shumë e gabuar retorika politike e skualifikimit të opozitës. Retorika që përdor Kryeministri: “Ne dhe Ata”. Ne të mirët dhe Ata të këqijtë! Kjo nuk është reale dhe as njerëzore. Pse? Sepse kushtetushmërisht titulli i një Kryeministri nga ana juridike do të thotë që duhet të qeverisë edhe ata që nuk e kanë votuar, dhe normalisht ne duhet të kishim një strukturë tjetër. Duhet që kryetarët e partive të mos ishin gjithmonë kryeministrat. Partitë mund të zgjedhin kryeministra dhe pa qenë kryetar partie, sepse nuk mundet dot, që edhe si kryetar partie, edhe si kryeministër të identifikohesh në luftën politike për të bërë këtë paradigmë: “Ne dhe Ata”. Nuk thuhet Ne dhe Ata, sepse janë të gjithë shqiptarë, pavarësisht kush ka të drejtë në debatin politik.

A ekziston rreziku që protestat të çojnë në një konflikt civil?

Kontradiktat politike nuk duhet të ndikojnë që mosbindja civile të shndërrohet në një konflikt civil. Nuk ekziston asnjë premisë që ky ekuacion të jetë i tillë, i dhunshëm. Mosbindja civile, siç e shpjegon edhe mendimtari amerikan Dejvid Thoro, nuk presupozon një konflikt civil, aq më tepër nuk presupozon një konflikt civil deri në përmasat e një revolucioni, për të rrëzuar me dhunë një qeveri të votuar.

Si ndikon e gjitha kjo situatë në hapjen e negociatave?

Padyshim që ndikon për keq, edhe hapja e negociatave ka një konvencionalitet politik. Për shembull, në qoftë se do hapen negociatat ky mund të jetë një proces që mund të vazhdojë shumë gjatë. Mos të harrojmë se dikur Bashkimi Europian ishte dakord për hapjen e negociatave dhe për futjen e Turqisë në këtë partneritet politik. Mirëpo, kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe diçka e tillë nuk ka ndodhur ende. Pra, nuk është hapja e dritës jeshile konfirmimi që do të fillojnë negociatat. Ne nuk e dimë procesin e gjatë të negociatave se deri kur mund të vazhdojë. Por besoj se gjithë këto ngjarje krijojnë probleme të mëdha. Aq më tepër që edhe realiteti europian i BE-së është shumë i shqetësuar.

Së fundmi, Presidenti ka shfuqizuar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit. Si e shikoni ju një vendim të tillë?

Fillimisht, duhet të sqaroj se qëllimisht bëhet një ngatërresë nga propagandat e kundërshtarëve. Presidenti ka shfuqizuar datën e procesit zgjedhor, jo zgjedhjet. Ai nuk ka fuqi që të shfuqizojë procesin e të vendosë nëse do të bëhen apo jo zgjedhjet e pushtetit vendor. Nuk e lejon askush. A mundet që ai që përmes një deklarate të bënte me dije se data do të shtyhet? Diçka e tillë ka ndodhur edhe më parë. E ka bërë edhe Nishani me kërkesën e Ramës. Por a duhej caktuar një datë e dytë? Mendoj se duhet të ishte bërë diçka e tillë. Nuk e di se çdo të ndodhë, por nuk besoj që do të ndodhë, ajo që trumbetohet e propagandohet, se do të mblidhen votat e do të fillojë procedura e shkarkimit të Presidentit të Republikës. Kjo është një ngjarje që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Përpos kësaj, që të ndodhë diçka e tillë duhet të ketë një Gjykatë Kushtetuese. Nuk e besoj se do arrihet deri në atë pikë. Do ishte një akt shumë i rëndë për Shqipërinë një precedent i tillë.

A duhet konsideruar situata aktuale si alarmante?

Unë mendoj se kjo nuk është një situatë apokaliptike. Ne kemi kaluar dy situata apokaliptike në Shqipëri, shumë të rënda. Një ka qenë në 1997-n, ku pati armatosje e të vdekur. Një situatë që dukej pa zgjidhje. Ngjarja e dytë ka qenë ajo e grushtit të shtetit, të vitit ’98. Të dyja këto situata me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve mendoj se u zgjidhën. Kjo situatë nuk përbën një konflikt popullor. Protestat e një partie nuk mund të vërtetojnë ekuacionin që, “ne që po protestojmë jemi gjithë populli”. Nuk është gjithë populli dhe nuk mund të flitet në emër të të gjithë popullit nga një opozitë. Apo nga dy apo tre parti, s’ka rëndësi. Pra, nuk mund të kemi një identifikim të tillë. Është më tepër propagandë, nuk besoj kurrë se mund të ndodhë një konflikt, luftë apo revolucion civil, sepse flitet edhe për këtë.

Në një moment të tillë, a do të ishte një ide e mirë krijimi i një qeverie teknike?

Krijimi i një qeverie teknike, për mendimin tim, është një debat më shumë hipotetik. Nuk ka për të ndodhur!

Ju më herët thatë se kemi të njëjtën klasë të vjetër politike, ose “parapolitike”, a premtojnë ngjarjet e fundit ndryshime në këtë aspekt?

Ajo çka po ndodh, tregon se do të kemi një lëvizje. Unë vë re se edhe Basha flet me terma kundër establishmentit të vjetër. Mendoj se do të ketë një vdekje të bardhë të partive. Shumë nga këto partitë e vogla që ka në koalicion vetë Partia Demokratike nuk do të kenë më të ardhme. Do të ketë rrudhje shumë të madhe dhe rreziku i zhdukjes do të prekë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Edhe vetë Partia Socialiste nuk e ka më qëndrueshmërinë e dikurshme dhe rënia e establishmentit të vjetër do të godasë vetvetiu. Pra, do të ridimensionohet edhe kjo parti e madhe. Ky proces ka ndodhur te fqinjët. Ndodhi në Itali dhe në Greqi. Në Shqipëri ndryshime të tilla ndodhin gjithnjë me vonesë, por në politikë mund të ripërsëriten fenomene që quhen analoge. Unë kam parë se si disa nga partitë simotra të PS-së janë kthyer në parti jo parësore. Për shembull, PASOK0-u në Greqi, nga parti e parë sot është katandisur parti e katërt. Po kështu ka ndodhur edhe në Itali, apo në Francë. Pse? Sepse në demokraci, partitë lindin dhe vdesin, në demokraci nuk ka lider. Lideri do të thotë, një njeri që udhëheq një popull të tërë. Ne nuk kemi më lider, kemi mandator! Pra, ne nuk mund të kemi ide nga ai që drejton një parti, apo ai që është kryeministër mandator. Sepse idetë kryesore, struktura mendore, janë në Kushtetutë. Vetëm Kushtetuta është ajo që udhëheq idetë kryesore.

Si do të duhej të sillej Kryeministri në këtë rast?

Rama duhet ta shikonte me pjekuri situatën, jo në mënyrë arrogante dhe absolutiste. “Ne dhe Ata”, ky ekuacion nuk të çon asgjëkund. Duhet t’i mëshojë kompromisit. Nëse kërkohen vërtet ndryshime të mira, atëherë puna duhet filluar nga 2008- ta. Duhen zhbërë ndryshimet e kobshme të atij viti, duhen reformuar. Nëse kjo ndodh, ka edhe premisa që të vijnë politikanë të rinj. Mos të harrojmë se kanë kaluar 30 vjet. Në qoftë se një politikan para 3 dekadash ka qenë 30 vjeç, sot është 60. Si s’kemi ne politikanë të rinj, apo forca politike të tjera. Ndryshimet e 2008-s përbëjnë një pengesë artificiale të krijuar nga politika e vjetër për të konservuar dhe galvanizuar vetveten.

Nëse flasim për opozitë zyrtare, disa deputetë të PD-së janë ende në Parlament. Sa mund të funksionojë, sipas jush, ky grupim i vogël deputetësh?

Nga pikëpamja juridike, kjo ecën. Por nëse flasim nga pikëpamja morale dhe politike, natyrisht që ky grupim s’mund ta përfaqësojë dot opozitën.

Cila është rrugëdalja, sipas jush?

Zgjidhjet janë dy. E përkohshme do të ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të qetësuar situatën. Përderisa kjo funksionoi në ’97-n e ’98-n kur rrethanat ishin më të rënda. Këtu situata do të zgjidhej shpejt. Ndërsa zgjidhja tjetër ka të bëjë me të ardhmen e politikës, dhe është prishja e establishmentit të vjetër politik dhe dalja e një establishmenti të ri.

Hillary Clinton uron Kosovën nëpërmjet videos: Po ju kujtoj që jeni në mendjen time

Ish-zonja e parë dhe ish-kandidatja për Presidente të Amerikës, Hillary Clinton, nuk ishte e pranishme në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës për shkak se i ka vdekur vëllai ditë më parë, por ajo përmes një videomesazhi tregoi se nuk e harron asnjëherë Kosovën.

Edhe pse nuk ishte e pranishme në ceremoninë e 20-vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, qytetarët e Kosovës i ka uruar përmes një videoje.

Përmes kësaj videoje, Clinton ka kujtuar kampet e refugjatëve që kishte parë në vitin 1999 dhe mikpritjen që gjeti ndër shqiptarët e zhvendosur nga Kosova.

“Nuk do ta harroj asnjëherë vizitën në kampin e refugjatëve në Maqedoni. Atje gjeta mikpritjen dhe këto ngjarje u shënuan me përqafime. Kjo shënon afirmitetin e ndërsjellë që kemi”, theksoi Clinton.

Ajo po ashtu përmes këtij mesazhi, theksoi se Kosova ka përparuar në këto 20 vite.

“Sot në këtë përkujtim shohim përparimin, paqen dhe një të ardhme të ndritshme. Zgjedhjet të drejta dhe përforcim të drejtësisë”, është shprehur Clinton.

Tutje ish-Zonja e Parë amerikane ka folur edhe për rolin dhe rëndësinë e NATO-s, ku theksoi se përfundimi i luftës në Kosovë ishte detyrë e NATO-s.

“Kam pas dyshime dhe pyetje për rolin dhe rëndësinë e NATO-s. Ajo mbetet esenciale për mbrojtjen e lirisë dhe ky intervenim është një shembull që nuk duhet të shkojmë më tutje për të treguar fuqinë e kësaj ideje. Përfundimi i luftës ishte detyrë e NATO-s”, theksoi Clinton.

Clinton në këtë përvjetor nuk mundi të ishte e pranishme, pasi që ditë më parë ka ndërruar vëllai i saj, por ajo tregoi edhe një herë dashurinë për popullin e Kosovës.

“Unë nuk jam në gjendje të jem në përkujtimin e konfliktit, por ju kujtoj se jeni në mendjen time dhe ju dërgoj përqafime krahas burrit tim. Derisa e merrni kohën për të kujtuar të dashurit tuaj, mbani në mend se shumë miq amerikanë po ju mbajnë dhe po ju mbështesin në zemrat e tyre”, theksoi ish-Zonja e Parë.

Clinton në këtë video falënderoi edhe ish-presidenten Atifete Jahjaga për aktivitetin e saj edhe në të drejtat e grave.

Zbulohet busti i ish sekretares amerikane Madeleine Albright

Në qendër të Prishtinës në një shesh që mban emrin e ish-sekretares amerikane Medeleine Albright, të mërkurën u zbulua edhe busti i saj, në shenjë nderimi për rolin e zonjës Albright për çlirimin e Kosovës, 20 vjet më parë.

Zonja Albright u shpreh e nderuar me bustin e saj. “Faleminderit shumë për këtë nder kaq të madh. Ky vend do të thotë shumë për mua”, tha zonja Albright e cila vetëm disa orë me herët u dekorua me “Urdhrin e Lirisë”.

Busti i zonjë Albright, shtatorja e presidenti Clinton dhe një bulevard me emrin e tij, rruga që mban emrin presidentit George Bush, janë disa nga shenjat që shfaqin mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për rolin e Shteteve të Bashkuara që në Kosovë cilësohet i pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës por edhe të ardhmen e saj.

Para zbulimit të bustit, zonja Albright përkrah ish presidentit amerikan, Bill Clinton, ish komandantit të NATO-s, Wesley Clark të shoqëruar edhe nga udhëheqësit e Kosovës, parakaluan nëpër qendër të Prishtinë në atë që u quajt “ecje për lirinë”.

Ata vunë kurora lulesh tek pllaka përkujtimore kushtuar 213 ushtarëve të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në Kosovë.

Thaçi e Rama e dëgjojnë edhe një herë Haradinajn: Vuçiqi ta njohë Kosovën në këta kufij

Në fjalën e tij para të pranishmëve me rastin e ceremonisë së 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të pajtohet me shtetin serb, shtet ky i cili para dy dekadave kreu gjenocid në Kosovë, shkruan Express.

Haradinaj u shpreh se paqen e bëjnë të guximshmit, andaj Kosova, sipas tij, ka guxim që të pajtohet me Serbinë.

Kryeministri i vendit i ka bërë thirrje Serbisë dhe Vuçiqit që ta njohin Kosovën në kufijtë aktualë dhe të drejtën e saj për të qeverisur.

“Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë me u pajtu me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe Vuçiqit që ta njeh Kosovën në kufijtë aktualë. Në mënyrë që ne të qeverisim, të punojmë më shumë, në luftimin e korrupsionit, forcimin e vendit dhe ligjit në vendin tonë”, ka thënë Haradinaj para të pranishmëve.

“Kosova është e gatshme me u pajtu dhe si e tillë i bën thirrje për pajtim Serbisë”.

Ndërkohë, tutje kryeministri ka falënderuar ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, si dhe ish-sekretaren Albright për ndihmesën që i kanë dhënë Kosovës ndër vite.

“President Clinton, jeni në shtëpinë e juaj. Zoti e bekoftë Kosovën. Ju me avionët tuaj i ndalët trenat e vdekjes dhe spastrimin etnik. Sot një popull ju falënderon gjithë jetën”, ka deklaruar në fund kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.