VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gjykata Administrative pranon padinë për heqjen e emrit të Mehmet Shehut nga rruga e Ballshit

By | May 23, 2019
1 Comments
  • author avatar
    Zana 4 weeks ago Reply

    E po nuk flasin kot njerezit

Komentet

Aksionet e Shqipërisë në rënie të lirë – Nga Veton Surroi

Po të ishte Shqipëria ndërmarrje ekonomike me aksione në bursë ndërkombëtare, menaxhmenti i saj do të duhej të mbante mbledhje urgjente e të përhershme alarmi me vetëm një pikë të rendit të ditës: si të ndalet rënia e vlerës së aksioneve?

Në fillim të këtij viti përllogaritja e “bursës” do të ishte që të mbahej stabiliteti i çmimit, e madje edhe mundësia e hipjes së tij pas marrjes së datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Tash, në gjysmëvit, Shqipëria shihet me sy dramatikisht ndryshe prej para gjashtë muajsh.

“Menaxhmenti” i vendit, nëse mund të quhet ashtu, ku do të duhej të hynin kryeministri, presidenti dhe opozita, janë në luftë për ta përjashtuar njëri-tjetrin prej funksioneve. Përderisa të vazhdojë kjo luftë, aksionet e vendit do të vazhdojnë të bien me theqafje. Javën e kaluar isha në Berlin dhe nga qarqet e diplomatëve dhe vrojtuesve të Shqipërisë mora vetëm një rrudhje krahësh kur u shtrua Shqipëria. Me dëshpërim të madh dëgjova edhe “Nuk dimë ç’të bëjmë më”.

2.

Ngritja e vlerës së aksioneve të Shqipërisë qe një proces i gjatë e me zigzage, por me një ngritje konstante ç’prej vitit 1997 e këtej. Pra, për njëzet vjet vendi ka pasur evolucion e me dy raste dhe ngritje jashtevolutive. Të parën me anëtarësimin në NATO së bashku me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim –Asociimit të bërë gjatë qeverisjes Berisha, dhe të dytën me energjinë e krijuar kryesisht nga kryeministri Rama për trajtim të veçantë nga Gjermania, që kulmoi me Procesin e Berlinit. Shqipëria kishte mbërritur atë nivel të respektit dhe të afërsisë, madje personale, me liderët evropianë, që nuk e kishte pasur ndonjëherë.

Pse atëherë kjo rënie? Në formulimin më të shkurtër: sepse Shqipëria u largua nga loja në fushë të madhe e me gola të mëdhenj dhe u kthye në lojën me fushë të vogël e gola të vegjël. Brenda gjashtë muajsh kryeministri i vendit bëri së paku tri gabime që nuk përkasin me lojën në fushë të madhe, aty ku e kishte çuar vendin me të drejtë gjatë mandatit të tij të parë. Së pari, vazhdoi të ishte pjesë kryesore e një aventure antievropiane, me idenë e Vuçiqit, të adoptuar nga Thaçi, për këmbim territoresh e popullatash.

Përgjatë tridhjetë vjetëve lëvizjet demokratike shqiptare u kishin rezistuar tundimeve që të marrin përgjegjësinë (pra, fajësinë) për ndryshimin e kufijve dhe shënuan suksesin e çlirimit të Kosovës nga NATO-ja dhe pavarësimit të saj nën ombrellën e Perëndimit. Kryeministri i Shqipërisë nuk kishte pse ta identifikonte vendin me një ide humbëse, që në instancë të fundit ka sponsorin në Moskë, me aksione në bursën politike evropiane që kaherë shënojnë vetëm rënie.

Së dyti, shpërfilli opozitën e cila, në çfarëdo interpretimi – si provokim nga gjendja e pashpresë apo si intencë reformuese – ngriti shkallën e konfliktit me pushtetin, me rastin e zgjedhjeve vendore. Tallja me letra të bonsensit letrar mund të krijojë avantazh stilistik, por nuk bënë gjë për të ngritur mundësinë që të arrihet një nivel konsensusi me opozitën që do të garantonte legjitimitetin e zgjedhjeve. Dhe së treti, i vendosi veten e vendin në një pozitë që pothuajse simulon paranojën, gjendjen ku e tërë bota është kundër këtij pushteti.

Në intervistat e debateve të mbrëmjes u bë edhe njëri prej panelistëve. Si i tillë i quante kazan mu ato medie ose edhe ato medie me pronarët e të cilave kishte krijuar afërsi personale që vrojtuesit e jashtëm mund ta quanin edhe varësi. Në origjinalitetin e analizave të “Bar Westit”, të viteve nëntëdhjetë, edhe Zëri i Amerikës do të bëhej kazan. E në mungesë të origjinalitetit gazetarin e “Bildit”, i cili botoi përgjimet tashmë të famshme, e kërcënoi me padi në Gjermani; një veprim që e kishte bërë më herët Hashim Thaçi me senatorin zviceran Dick Marty. Kryeministri do ta fitojë betejën me “Bildin”, po aq sa e fitoi Thaçi me Dick Martyn.

3.

Ashtu si kishte vendi ngritje joevolutive me NATO-n, MSA-në dhe Procesin e Berlinit, rënia e tanishme mund të jetë njëjtë tejpërpjesëtimore. Insistimi që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor tashmë tejkalon çështjen e legjitimitetit (të cilin nuk do ta kenë nëse mbahen) dhe u afrohet vijave të kuqe të sigurisë kombëtare.

Nëse mospjesëmarrja e opozitës e cungon legjitimitetin demokratik të zgjedhjeve, insistimi që të mbahen, me gjithë vullnetin e opozitës (dhe çdekretimit të datës nga ana e presidentit) përbën thirrje për zgjedhje me instrumente të dhunës së shtetit. Policia e shtetit, kështu, shndërrohet në palë dhe zhytja e policisë në anime politike është diçka që shqiptarët e njohin e nuk quhet demokraci. Dhe insistimi i opozitës që zgjedhjet të mbahen atëherë kur kryeministri jep dorëheqje ka forcën e ultimatumit që shpie vetëm në një rrugë: te dhuna.

Vetëbesimi – dhe ndoshta dehja – me zaptimin e dhunshëm të një Këshilli zgjedhor (në Tropojë) nuk duhet të shërbejë si inspirim për akte të mëtejme të ngjashme. Çdo akt i ngjashëm i radhës do të ftojë përgjigjen e dhunshme të pushtetit. Dhe çdo dhunë do të prodhojë më shumë sosh. Shqipëria ka gjasa që në verën e vitit 2019 të jetë vendi i vetëm evropian që nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira me legjitimitet demokratik. Shqipëria ka gjasa që në verën e vitit 2019 të jetë vendi i vetëm evropian ku zgjedhjet prodhojnë viktima njerëzore.

4.

Përgjimet e zbuluara nga “Bild” tregojnë qartazi për keqpërdorimin e pushtetit në një proces zgjedhor, nga shfrytëzimi i policisë së shtetit për të penguar opozitën, përdorimi i administratës publike për kërcënime ndaj arsimtarëve që të japin votën për pushtetin e deri te blerja e votës me para të gatshme, madje me çmimore të njohur (prej 3-5 mijë lekë) që tregon se trajtohet si normale bursa e votës. Dhe përgjimet tregojnë se legjitimiteti demokratik i zgjedhjeve është me pikëpyetje.

Por kjo nuk është e re: kur ishin socialistët në opozitë vënë në pikëpyetje (me dyshime të bazuara) legjitimitetin e zgjedhjeve të fituara nga demokratët. Dhe, këto përgjime nuk duhet të shërbejnë për shkarkim qeverie. Juridikisht, përgjimet duhet të iniciojnë një procedurë gjyqësore që do përcaktojë përgjegjësinë penale të aktorëve të përfshirë. Vetëm atëherë do të krijohen kushtet edhe për përgjegjësitë politike.

E kjo gjë do të kërkojë kohën e vet dhe institucionet që nuk varen nga diktati politik. Ndërkohë, rënia e lirë e Shqipërisë do të kërkojë masa politike. Masa urgjente është që të mblidhet menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje. Të pajtohet që zgjedhjet do të mbahen kur të merren vesh. Të pajtohen që zgjedhjet duhet të kenë besueshmërinë e ndërsjellë. Dhe se kjo është vetëm njëra prej pikave të një marrëveshjeje që duhet t’i rilegjitimojë demokracinë dhe shtetin./koha.net

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet, përplasje në Kamëz dhe Burrel

Momente të forta tensioni sot në shumë qytete të Shqipërisë ku opozita ka kontrollin e bashkive. Mbështetës të saj janë grumbulluar pranë mjedisve ku janë vendosur Komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve (KZAZ), duke kërkuar ndërprejen e procesit. Situata ka kaluar në përballje me policinë në Kamëz dhe në Burrel, ku është tentuar hyrje në mjediset e KZAZ-ve. Mësohet se policia ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë mbështetësit e opozitës, të cilët megjithatë kanë mundur që më vonë të hyjnë brenda Pallatit të Sportit duke nxjerrë prej andej dhe shkatërruar materialet zgjedhore, të cilave ju vu flaka.

Drejtuesit e djathtë të Bashkive prej ditësh po këmbëngulin në lirimin e mjediseve të cilat janë vënë në dispozicion të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) për procesin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Sipas të djathtëve, dekreti i Presidentit Ilir Meta për anullimin e 30 Qershorit duhet respektuar, e për pasojë nuk mund të ketë asnjë proces zgjedhor. Ndërkohë që KQZ e ka konsideruar të pavlefshëm vendimin e kreut të Shtetit dhe ka vijuar me përgatitjet e zgjedhjeve.

Tension të forta u rregjistruan dje dhe në Tropojë, ku mbështetësit e opozitës hynë brenda KZAZ-ës në qendër të qytetit. Ndërsa në Shkodër përplasjet me policinë përfunduan mbrëmjen e së martës me thyerjen e xhamave në një shkollë të qytetit dhe vënien zjarr në mjediset ku ndodheshin materialet zgjedhore të një prej KZAZ-ve të Shkodrës. Policia njoftoi sot se të paktën 13 persona janë arrestuar për ngjarjet e dhunshme dje në Tropojë dhe Shkodër.

Zëri i Amerikës: Shkodër, opozita përplaset me policinë, digjet KZAZ-ja në shkollë

Mbështetës të opozitës, së bashku me punonjës të Bashkisë së Shkodrës dhe ish deputetë të PD-së, u mblodhën të martën mbrëma në oborrin e Shkollës se Mesme “Shejnaze Juka” të Shkodrës dhe, pas disa minuta konfrontimi me forcat e policisë, i vunë flakën njërës prej klasave të katit të parë të shkollës, ku ishte vendosur Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve nga vendi i ngjarjes.

E gjithë baza materiale e sjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përgatitjen e ditës së votimit u dogj.

Ish deputeti i PD, Bardh Spahija, i cili ishte mes protestuesve, tha se “Ishte vetëm fillimi i revoltës popullore, ndaj atyre që po u imponojnë shqiptarëve votime pa zgjedhje. Ishte një reagim i shpejtë i qytetarëve shkodranë. Kjo nuk është dhunë. Dhunë ishte tentativa e policisë së shtetit për të uzurpuar institucionet dhe duke iu imponuar qytetarëve të Shkodrës”.

Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila drejton edhe shoqatën e kryetarëve të bashkive të djathta, tha në mbrëmje se “Janë djegur vetëm kartonat e vendvotimeve. Materialet zgjedhore janë në mënyrë të paligjshme në mjediset e shkollës që administrohen nga Bashkia e Shkodrës. Bashkia ka kërkuar zyrtarisht prej tre ditësh që godinat ku janë vendosur KZAZ-të dhe janë në pronësi të saj, të lirohen”.

Ish deputetja e Shkodrës Jozefina Topalli u distancua nga kjo ngjarje.

“Djegia e shkollës nuk është historia e Shkodrës. E kundërta është historia e këtij qyteti. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në tri dekada. Një demokrat nuk djeg as mandate as shkolla. Një demokrat i vërtetë nuk hedh as molotov, as ka frikë nga zgjedhjet. Demokratët nuk kanë pasur frikë në ‘97 kur gjysma e territorit kontrollohej nga bandat. Nuk largohet Rama duke refuzuar parimet e vlerat e demokracisë. Partia Demokratike lindi si ëndërr e lirisë dhe e të drejtës me votu”, shkruan mes të tjerash zonja Topalli në facebook.

Ministri i Brendshëm Sander Lleshaj tha se kjo është një “përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD-së për të djegur një shkollë në Shkodër”. Ministri ftoi qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky “turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës”.

“Asnjë drejtues bashkie, – shtoi ai, – nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve”.

Incidenti në KZAZ e Bashkisë së Shkodrës u parapri nga një tjetër ngjarje në Bashkinë e Tropojës, ku një grup mbështetësish të opozitës bashkë me zyrtarë vendorë dhe deputetetin e zonës u futën me forcë në mjediset ku është vendosur Komisioni Zonal i Admistrimit të Zgjedhjeve Vendore të 30 qershorit, siç tregojnë videot e filmuara në vendin e ngjarjes.

Megjithë ndërhyrjen e forcave vendore të policisë, mbështetësit e opozitës, me thirrje kundër Kryeministrit Rama, hodhën në rrugë bazën materiale të votimit, të dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Incidentet në Tropojë dhe në Shkodër pasojnë kërkesën e kryetarëve të disa bashkive të djathta për lirimin e mjediseve të KZAZ-ve dhe qendrave të votimit. Përmes kësaj kërkese, bashkitë e djathta dhe mbështetesit e opozitës po synojnë pengimin e përgatitjeve për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ndërkohe që të majtët vazhdojnë të vendosur fushatën elektorale.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një deklarate për mediat u shpreh pas incidentit të Tropojës se kërkesa e disa kryetarëve të bashkive për lirimin e menjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur Vendet e Numërimit të Votave dhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në mjediset në administrim dhe pronësi nga këto bashki, është në tejkalim të kompetencave dhe detyrave të njohura nga Ligji “Për vetëqeverisjen vendore”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se po vazhdon punën për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe paralajmëroi se çdo cenim i këtij procesi përbën vepër penale të ndëshkueshme.

Agjenti i BIA-s bëhet këshilltar i presidentit Thaçi

Valon Rashiti

Para dhjetë vjetësh, Branislav Nikoliq si agjent i shërbimit sekret serb punonte kundër UÇK-së, sot Hashim Thaci e ka emëruar këshilltar politik, raporton T7

Në shikim të parë duket një muhabet normal mes dy personave.

Por përmbajtja e kësaj bisede e cila u publikua në vitin 2009 nga Televizioni Publik, tronditi opinionin kosovar.

Personat që shihen në këtë xhirim – thuhej me pompozitet – se janë agjent të shërbimit sekret serb të ardhur me Mision nga Beogradi për t’u ofruarmijera euro njerëzve që janë të gatshëm të dëshmojnë kundër UCK-së.

Ata u arrestuan, u nxoren para kamerave me duar ne pranga dhe nga shefat e politikes u quajt si nje fitore e madhe.

Sot, njëri prej tyre, çuditërisht, është këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Millutin Radanovic, Predrag Zhelkovic shtetas te Serbisë dhe Igor Jucinac pjesëtar i Policisë së Kosovës si pjesëtarë të shërbimit sekret serb në vitin 2009 ishin filmuar duke dhuruar shuma të majme parash në këmbim të deklaratë të rrejshme për transplantim organesh.
KËSHILLTARI I PRESIDENTIT NJERI I BIA-s SERBE

Bile gjatë kësaj bisede përmendet edhe shifra sa kishte marrë një person që kishte dëshmuar rrejshme për transplantim të veshkës.

Këta persona i kishte arrestuar policia me 11 qershor të vitit 2009 në afërsi të Cagllavicës.

Për çka hetuesit kishin ngritur kallëzim penal për krim të organizuar dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejt.

Në këtë kronikë të transmetuar në RTK, shfaqet dhe njëri nga personat e kërkuar, por që ishte në arrati.

Ky është Branisllav Nikoliq i cili bashkë me tre persona tjerë akuzoheshin për krim të organizuar.

Sot, Branisllav Nikoliq, këshillon Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Ngjashmëria mes videos dhe fotografisë e dëshmon këtë.

Madje për arrestimin e Nikoliqit kishin raportuar edhe mediat serbe në atë kohë.

Prezenca e një serbi të dyshuar se ka qenë pjesë e BIA-s, në zyrën e kryetarit të shtetit, shihet si e rrezikshme për vendin. Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, thotë se ka pasur informacione të për këtë rast.

Bazuar në dëshmitë që kishte policia dhe prokuroria ishte ngritur aktakuzë kundër serbëve të arrestuar.

Televizioni T7 ka siguruar aktvendimin e Gjykatës së Qarkut i cili në mungesë të provave e ka hedhur poshtë aktakuzën e prokurorisë.

Në vendimin e kësaj gjykate ku fshihen emrat e të dyshuarve, thuhet se nuk janë gjetur elemente të mjaftueshme.

Se kishte mungesë fakteve ndonëse gjithçka ishte e dukshme dhe kishte edhe dëshmitar, e pohon edhe avokati Shefki Sylaj që mbronte njërin prej të akuzuarve.

Po si përfundoi një agjent i BIA-s në këshilltar të presidentit të Kosovës?
a është verifikuar e kaluara e Nikloqit para se ai të futet në zyrën e presidentit?

Televizioni T7 ka disa ditë që ka kërkuar një përgjigje nga Presidenca por ata nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim.

Nuk është ky rasti i vetëm kur Presidenti Thaci i ka rekrutuar si këshilltar personat që ai ka dyshuar se mund të dalin dëshmitar kundër tij në ndonjë proces gjyqësor.

Këshilltar i Thaçit është Veli Bytyqi, i cili gjatë kohës së luftës ishte arrestuar bashkë me një delegacion të LDK’së, kur ata po i vizitonin vatrat e luftës. Presidenti Thaçi e mbanë afër vetës, në pozita të ndryshme, edhe Gjergj Dedajn, i cili gjithashtu ka qënë i arrestuar në atë kohë. Dedaj sa herë që është ndier i braktisur nga Thaçi ka filluar ta akuzojë atë për rastin e tij dhe të zyrtarëve të LDK’së.

Në këtë frymë thuhet se është edhe një dekoratë që Thaçi ia ka ndarë postmortum Haki Ymerit, ish zyrtar i LDK’së në Skenderaj, i vrarë në rrethana të pasqaruara pas përfundimit të luftës. Vëllai i të ndjerit, Ymeri, e kishte akuzuar direkt Presidentin Thaçi për këtë vrasje. Mirëpo diçka ka ndodhur dhe është arritur një paqe në mes të Thacit dhe vëllait të të ndjerit.

Në këtë vazhdë është parë edhe kërkim falja që Thaçi ia ka bërë Gani Gecit, i cili kërkonte përgjegjësi për një komunikatë që Shtabi i Përgjithshëm i UCK’së e kishte lëshuar kundër Gecit dhe familjes së tij. Thaçi, në RTK, 20 vjet pas, ka thënë që komunikata të këtilla janë lëshuar nga stacionet e trenave në Perëndim dhe se i kërkonte falje familjes Geci për shqetësimin që i ka shkaktuar.

Emigrantët mbajnë me bukë 200 mijë familje në Shqipëri

Rreth 1.2 milionë individë shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë, sjellin në Shqipëri 1.3 miliardë euro në vit në formën e remitancave në vitin 2018, nga të cilat 927 milionë euro vijnë në formën e transfertave personale dhe 309 milionë euro nga të ardhurat nga puna.

Në kahun tjetër, flukset dalëse janë 97.5 milionë euro, duke mbetur në Shqipëri 1.23 miliardë euro, një shumë që është gati 8% më e lartë në raport me një vit më parë, sipas shifrave të publikuara nga Banka e Shqipërisë në një material të posaçëm të përgatitur për remitancat.

Remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare. Dërgesat nga jashtë përbëjnë 90% të të ardhurave familjare të marrësve.
Pra në total, nga rreth 770 mijë familje që janë në Shqipëri, rreth 200 mijë prej tyre e sigurojnë mbijetesën përmes të ardhurave që marrin nga të afërmit e tyre që jetojnë e punojnë jashtë.

Remitancat përbëjnë fluksin më të madh hyrës në ekonominë shqiptare, duke lënë pas Investimet e Huaja Direkte dhe eksportet. Ato kanë qenë fluksi financiar më i qëndrueshëm dhe më i sigurt në ekonominë shqiptare, në vite, thotë banka. Ato kontribuojnë pozitivisht në arsimim, shëndetësi, investime, si dhe në uljen e varfërisë. Remitancat nxisin përfshirjen financiare të popullatës, e cila ndikon në rritjen e mirëqenies, reduktimin e pabarazisë në vend dhe fuqizon rritjen ekonomike, thotë Banka në raport.

Numri i emigrantëve është rreth 1.19 milionë individë, kurse në Europë ndodhen 90% e emigrantëve;
Emigrantët e përhershëm përbëjnë 80% të totalit (shifër kjo që është mbi mesataren rajonale);
Remitancat janë 1,237 milionë euro; – nga vendet europiane 1,099 milionë euro, duke përbërë 9% të totalit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Kanalet e dërgesave

57% dërgohen përmes MTO-ve- Operator i transferimit të parave (dukshëm mbi mesataren rajonale, 40%);
39% dërgohen fizikisht (mesatarja rajonale 23%);
një pjesë mjaft e vogël vjen përmes sistemit bankar, 4% (mesatarja e rajonit 7%).
Tipologjia e dërguesve dhe marrësve

52% e dërguesve i përkasin moshave 30-44 vjeç,
71% e dërguesve janë meshkuj dhe 60% I përkasin emigracionit të përhershëm,
dërgesat nga jashtë përbëjnë 90% të të ardhurave familjare të marrësve,
rreth 1/3 e familjeve i përdorin për shpenzime bazë (ushqime dhe barna),
rreth 41% e marrësve i kursejnë një pjesë të dërgesave,
86% e familjeve marrëse i sigurojnë dërgesat nga 1 person i vetëm në emigracion,
32% e këtyre familjeve marrin dërgesa prej mbi 10 vjetësh.
40% e popullsisë mbi 15 vjeç të vendit disponon llogari bankare./monitor

Mediat e huaja: Shqipëria përballet me plagë të korrupsionit

Media e njohur botërore AFP ka shkruar një artikull kushtuar vendin tonë me titullin “Gjykatat, kanabisi, korrupsioni, Shqipëria lufton kundër demonëve të vjetër”.

Në shkrim thuhet se një ish-ministër është në gjykim për trafik droge, udhëheqësi i opozitës akuzohet zyrtarisht për pastrim parash, ndërsa janë qindra gjyqtar që pasi u hetuan janë nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë. Qeveria këmbëngul se korrupsionit dhe krimit në vend i është dhënë goditje e fuqishme dhe se vendi ka hedhur hapa përpara për anëtarësim në BE.

Mirëpo vendimi iu takon anëtarëve të BE dhe ka shumë skepticizëm për Shqipërinë, sidomos kur është fjala për luftën ndaj korrupsionit. Kombi anëtar i NATO-s në skajet e Evropës ka qenë nën presion të fortë nga Brukseli, veçanërisht mbi krimin e organizuar. Shefja e politikës së jashtme të BE Federica Mogherini përshëndeti rezultatet “mbresëlënëse” të Shqipërisë në luftën kundër krimit të drogës, kur ajo rekomandoi hapjen e bisedimeve të pranimit për shtetin ballkanik në maj.

Por Komisioni Evropian gjithashtu ka vënë në dukje se në vend ka shumë ferma kanabisi dhe korrupsioni është i përhapur në shumë fusha, “Përpjekjet duhet të vazhdojnë, në veçanti duke trajtuar pastrimin e parave dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga krimet dhe pasuritë e tjera të pajustifikuara”, shtoi Mogherini. Përpjekjet e shtetit të Ballkanit do të jenë sërish në qendër të vëmendjes të mërkurën, kur do të hapet një gjyq i profilit të lartë për Saimir Tahirin, ish ministër i brendshëm dhe aleat politik i kryeministrit Edi Rama.

Në fund të vitit 2017, ai u bë i dyshuar në rastin e kontrabandës së kanabisit pasi emri i tij u shfaq në përgjime të një trafikanti droge, kushëri i tij në Itali. Rama e ka mbrojtur Tahirin. Ai tha se mbi Tahirin është hedhur baltë dhe ka sulme politike. Avokati i Tahirit ka akuzuar gjithashtu prokurorët për mungesë të provave dhe tha se procesi është kryekëput politik.  Por opozita ka thënë se Tahiri tregon më së miri kriminalizimin e shtetit të drejtuar nga Edi Rama.

Edi Rama, që ka qenë në pushtet që në vitin 2013 ka mohuar vazhdimisht akuzat për shit-blerje votash. Për muaj të tërë, mbështetës të opozitës kanë protestuar kundër keqqeverisjes së Ramës. Protestuesit opozitarë kanë protestuar fuqishëm në Tiranë, duke hedhur fishekzjarrë e duke u përplasur me policinë.

Por të hënën, kreu i opozitës, Lulzim Basha ishte ftuar vetë nga gjykatat për dyshimin për pastrim parash dhe shpenzime të paligjshme gjatë një fushate politike të vitit 2017. Basha u shpreh se e gjitha është për arsye politike.

Cikël vicioz

Analisti politik Afrim Krasniqi, i cili drejton Institutin e Studimeve Politike në Tiranë thotë ase duket se në Shqipëri ka një cikël të mbyllur, ku secila parti ka kriminelët e vet. Megjithatë, disa reforma po prodhojnë rezultate reale, shtoi ai. Në 2015, Shqipëria miratoi një ligj me anë të së cilit çdo zyrtar qeveritar duhet të deklarojë krimet që ka bërë në jetën e tij.

Në tre vitet e ardhshme, një kryetar bashkie dhe gjashtë deputetë u detyruan të jepnin dorëheqjen për fshehjen e të kaluarës kriminale. Njëzetë deputetë të tjerë janë gjithashtu nën hetim, ndërsa rreth 30 zyrtarë të zgjedhur lokalë dhe rreth 265 shërbyes civil janë detyruar të heqin dorë për shkak të dyshimeve për korrupsion ose arsye të tjera. Krasniqi tha se Shqipëria duhet të shkojë më tej, duke kërkuar që legjislacioni të nxisë transparencën financiare nga partitë politike, për të siguruar që ata nuk marrin “fonde të fshehura ose penale

Vettingu i gjyqtarëve

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri i është nënshtruar një “shartimi” të mëtejshëm, duke larguar gjyqtarët q ka dyshime se janë të korruptuar. Një proces i reformës gjyqësore i mbështetur nga BE dhe SHBA ka shqyrtuar pasurinë e gjyqtarëve, të ardhurat që kanë, korrupsioni i mundshëm, dhe përfshirja në krim të organizuar i tyre gjatë kohës që kanë shërbyer në detyrë.  Nga 800 gjyqtarë, më shumë se 140 kanë hyrë në vetting, dhe rreth 90 janë shkarkuar, ose kanë dhënë dorëheqjen për të shmangur hetimin. Gjykata Kushtetuese është shkrirë tërësisht. Ndërkohë kryeprokurori i Shqipërisë, ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Lalla është nën hetim për pastrimin e parave. Por, shtetet anëtare evropiane do të kenë fjalën e fundit.

Lajmëroi përgjime të reja,gazetari: Qeveria do të arrestojë Bashën

Gazetari gjerman Peter Tiede ka shkruar një status në profilin e tij në “Facebook”, ku shkruan se qeveria e Shqipërisë sa duket do që të arrestojë kreun demokrat Lulzim Basha, në mënyrë që të heqë vëmendjen nga përgjimet.

“Sapo kam dëgjuar se qeveria e Shqipërisë po konsideron të mundshëm arrestimin e kreut të opozitës Lulzim Basha. E gjitha kjo bëhet që qeveria të heqë vëmendjen nga skandali i blerjes së votave në zgjedhjet e vitit 2017. BILD nuk ndalet dhe do të publikojë sërish fakte.

Pyetja është, a kërkon qeveria të arrestojë çdo ditë politikanët e opozitës për të tërhequr vëmendjen nga përgjimet? Sidoqoftë ne nuk e lejojmë veten që të nxitojmë, por bazohemi vetëm në fakte”, deklaron gazetari gjerman Tiede.

Gazetari i BILD Pieter Tiede shkruan në fund se siç ka lajmëruar, sot pasdite do të bëjë të ditura të tjera fakte sesi janë vjedhur zgjedhjet e vitit 2017.

Në fillim të muajit, “Bild” publikoi përgjimet mes Astrit Avdylajt, pjesë e grupit kriminal të Shijakut, me Kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, por edhe zyrtarë të tjerë të administratës në Qarkun e Durrësit.

Si nisën përgjimet për blerjen e votave në Dibër dhe çfarë paralajmëroi Zëri i Amerikës pak muaj më parë

Një artikull i publikuar nga BIRN dhe Zëri i Amerikës më 30 janar të këtij viti mbi rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave në Durrës dhe Dibrës shkaktoi jo pak reagime në Tiranë dhe ishte një nga arsyet kryesore të përshkallëzimit të aksionit politik të opozitës që u pasua më vonë me vendimin e pazakontë të djegies së mandateve.

Sot, gazeta gjermane Bild ka publikuar 16 përgjime mbi blerjen e votave në Dibër, por në këto përgjime nuk përmendet ndonjë nga eksponentët e krimit siç pat paralajmëruar Partia Demokratike.

Pjesa e artikullit të Birn për Dibrën:

“Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur gjithashtu në vitin 2016 pas një kallëzimi të Partisë Demokratike për manipulim zgjedhjesh në Dibër ngre dyshime për përfshirjen e zyrtarëve lokalë dhe personave me precedentë në shit-blerje të votës, premtime për vende pune dhe në disa raste, edhe përmes kanosjes.

Procedimi me nr:184/2016 lidhet me zgjedhjet e kryera më 11 shtator 2016 në Dibër për të zgjedhur pasardhësin e Shukri Xhelilit, i shkarkuar pasi u kap mat në një video-regjistrim ndërsa kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Por zgjedhjet e reja, të cilat nxorën fitues mjekun socialist Muharrem Rama u përbaltën nga akuzat për shit-blerje të votës dhe përfshirje të personazheve me të kaluar të errët në zgjedhje.

Në prag të zgjedhjeve, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal ndaj një morie drejtuesish lokalë të policisë, drejtorisë së Arsimit, OSHEE-së, Tatimeve si dhe denoncoi publikisht Ymer Lalën, një personazh kontrovers me lidhje të forta në zonë. Por dy vjet e gjysmë pas këtij kallëzimi, çështja me nr: 184/2016 kaloi gjithashtu nëpër duart e disa prokurorëve dhe nuk është finalizuar ende.

Ish-prokurori Gentian Trenova, i cili mori i pari në dorë kallëzimin e Partisë Demokratike kujton për BIRN se menjëherë pas kallëzimit u vendosën nën përgjim rreth 20 numra telefoni. “Përgjatë ditëve 8, 9 dhe 10 shtator u përgjuan me dhjetra telefonata, ku ndër të tjera flitej për blerjen e votës,” tha Trenova, i cili shtoi se mes bisedave të përgjuara ndodheshin edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Trenova u largua nga çështja, pasi u transferua nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Apelit të Tiranës. Çështja ndodhet aktualisht mbi tavolinën e punës së prokurorit Klodian Braho.

BIRN mësoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë nën hetim drejtues të policisë në Dibër dhe Bulqizë si dhe zyrtarë të drejtorisë Arsimore apo të Tatimeve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në mënyrë të paligjshme në proces zgjedhor, se kanë premtuar vende pune në këmbim të votës.

Megjithatë, njësoj si në dosjen me nr.339/1, edhe hetimi për manipulimin e votave në Dibër pengohet nga përgjimet voluminoze, pasi rreth 60 CD vazhdojnë të presin radhën për t’u zbardhur”.

Rama i hapi “luftë”, gazetari gjerman i përgjigjet kryeministrit: Në Shqipëri, ja pse ju nuk mund të më padisni

Kryeministri Rama deklaroi se do ta padisë gazetarin gjerman Peter Tiede në gjykatat gjermane. Pas statusit të kryeministrit në Twitter, e menjëhershme ka qenë edhe përgjigjia e gazetarit gjerman, në po të njëjtin rrjet social.


Tiede i shkruan kryeministit se është i kënaqur që ky i fundit e konfirmoi vërtetësinë e përgjimit, ndërsa e pyet se cila gjykatë në Shqipëri është funksionale.

 “Zoti Kryeministër, ju doni të më padisni? Për shkak se fyeva madhërinë tuaj, apo për çfarë? Përgjimet janë reale. Apo dyshoni për materialin e prokurorëve tuaj? Në Shqipëri, ju nuk mund të më padisni: cila gjykatë funksionon? Jam kënaqur që e konfirmuat”, shkruan Peter.

Deputeti i PS presion drejtorit të DAR: Thuaji të deklarojë votën, ndryshe tregoja se ku fluturon

Ish-deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu, aktualisht kandidat për bashkinë e Lezhës, ka rënë në përgjimet e publikuara nga BILD.

Në përgjimet e publikuara me drejtorin e Drejtorisë Arsimore Dibër, Drini Gjeçi, i kërkon këtij të fundit që të marrë drejtorin e shkollës së Reçit dhe të deklarojë votën, ose në të kundërt do të fluturojë nga puna.

 Përgjimi i Pjerin Ndreut me drejtorin e DAR

 Pjerin Ndreu: Mirëmëngjesi

Drini Gjeçi: Mirëmëngjesi

Pjerini: Pjerin Ndreu jam. Si je?

Drini: Po Pjerin, si ja kalove?

Ndreu: A je mirë, si ja çon?

Gjeçi: Mirë jam mirë

Ndreu: Bëja një telefon këtij Reshat Elezit, këtij drejtorit të Reçit. Ti thuaj shkollës të deklarojë votën hapur, se ata sms-të që i çon poshtë e përpjetë nuk janë të këndshme. Deklaro voton hapur atje, se ndryshe ditën e hënë tregoja se ku fluturon.

Gjeçi: Reshat Elezaj?

Ndreu: Po

Gjeçi: Flas unë tani me të.

Ndreu: Tregoji se ku fluturon të hënën. Ta deklarojë hapur se do votojë për PS-në, ose të gjejë një vend ku të fshihet.

Gjeçi: Rri pa merak, se e mbuloj unë këtë punë

 AUDIO

AUDIO/Përgjimi i ri i “BILD”, ministri, drejtorit: Do të sjell ca tipa, janë problematik t’i kesh të shtabi për çdo rast

Damian Gjiknurit, ish-ministri i Energjetikes ka qenë pjesë e përgjimeve të publikuara sot nga BILD, ku flet me drejtorin e Ministrisë së Brendshme, Arben Keshi për zgjedhjet në Dibër.

Gjiknuri i bën të ditur Arben Keshit se do i dërgojë një furgon me disa çuna, të janë problematik, te cilët do qëndrojnë pranë shtabit të PS-së dhe të jenë për çdo rast.

 Përgjimi i Damian Gjiknurit me Arben Keshin

 Damian Gjiknuri: Ça bohet?

Arben Keshi: Hiç.

Damian Gjiknuri: Ndonjë merak ndonjë gjo?

Arben Keshi: Do vijnë tani këta deputetët se kanë ardhur ata të PD-së.

Damian Gjiknuri: Do vijnë ata tani. Se kanë qënë notën aty.

Arben Keshi: Unë s’kam fjet fare.

Damian Gjiknuri: E di, e di. Do vijnë tashi.

Arben Keshi: Vëzhguesit e tyre janë të gjithë nga rrethet dhe askush si njeh.

Damian Gjiknuri: E di ashtu i kanë sjell ata se s’kanë besim tek te vetët.

Nejse do të çoj dhe ça çuna, ti kesh aty, një furgon tjetër.

Ti nis ça që të rrinë aty. Të jenë aty te shtabi jot për çdo rast, mos dalin ata, se janë ca se janë nga ata tipa problematik. Por gjithsesi të jenë aty për çdo rast.

DEGJO AUDION

AUDIO/Publikohet përgjimi nr.2, deputeti i PS flet me drejtorin e Ministrisë së Brendshme: Shefi foli me superlativa, e ke kopsit Maqellarën

Gazeta gjermane BILD ka publikuar përgjimin e dytë, ky drejtori i Ministrisë së Brendshme, Arben Keshi flet me ish-deputetin e PS-së, Artan Gaçi, i cili është dhe bashkëshorti i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Gjatë bisedës, Gaçi vlerëson drejtorin e ministrisë së Brendshme, ndërkohë që i thotë se shefi i madh ka folur me superlativa për punën e tij.

Sipas Gaçit, kryeministri i ka thënë se e ka “kopsitur” zonën e Maqellarës.

Përgjimi nr.2. Artan Gaçi dhe Arben Keshi

Arben Keshi: Mirëmëngjesi.

Artan Gaçi: Mirëmëngjesi, si kalove?

Arben Keshi: Si kalove ti?

Artan Gaçi: Mirë ja ishim në Ndroq me shefin e madh. Edhe me superlativa foli për ty.

Arben Keshi: Faleminderit.

Artan Gaçi: Nga ai, nga ai. Nga unë po e po.

Arben Keshi: Qesh

Artan Gaçi: Ai më tregoi dhe historinë e 2011-ës. E të gjitha. I ke pikët maksimale.

Arben Keshi: Ishallah kthehen në realitet mos të ngela këtu, u bënë tre vjet.

Artan Gaçi: Jo, jo. Vlerësim të jashtëzakonshëm. Të gjithë Maqëllarën e ka nga ty. E ka kopsit e ka bërë… Edhe në 2011 fitoi, por ashtu ndodhën ça kut.

Është merita e Benit thash.

Arben Keshi: Faleminderit.

Artan Gaçi: Desha me ta thënë.. Kur të vish në Tiranë lidhemi.

 AUDIO