VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

GJUMI I ARUSHËS DHE GJYKATA SPECIALE (Institucionet e Kosovës kërkojnë Gjykatë Ndërkombëtare për krimet serbe në Kosovë) – Nga BINAK MAXHARRAJ

By | May 6, 2019

Komentet

Zonja Flora Brovina e ke dhi punën me ka krejt?! – Nga Skënder MULLIQI

Shumë do të deshironte i madhi i letrave shqipe Faik Konica të demantohet në konstatimin e tij se: ”Shqiptarët janë armiq të vetvetës”. Edhe pas 20 vitësh nuk po ka birë nane që e nxjerrë këtë vend nga errësia . Kosova është bërë si Han, që pak kush e ka paramenduar si të tillë.Shumë të keqija zunë vend për gjithë këto vite, në vend të të mirave. Secila ditë e cila po kalon po është më e zezë së tjetra.Lexues të nderuar dhe ju qytetarë të Kosovës :a keni vesh më ndegju, a keni sy me pa, dhe a keni krenari që po lejoni të luhet më fatin e juaj ? !
Po të kthehemi të ndodhia e fundit ndër më të turpshmet sigurisht të pas luftës. Ky Parlament I cirkusantëve ku shumica nuk e kan vendin aty ,në mbledhjën e fundit na bën sërish prrallë më tupan. Ansamblistja e PDK-së, Flora Brovina për të cilën grua shumica e qytetarëve kan pasur respect, e ka dhi punën më ka krejt ,duke publikuar një foto të dyshimt për dhunimin e një shqiptareje nga disa ushtarë serb.Se çfare ishte motivi I gjithë kësaj maskarade një Zot e din, por një publikim I tillë nuk justifikohet në asnjë menyrë. Po flitet në opinion së dikush qendron mbrapa një publikimi të kësaj fotografie të turpit, po që nuk arsyetohet një gjë e tillë nga një grua tashmë në moshë . Ajo nuk është e re që të mashtrohet dhe manipulohet për interesa të kujdo qofshin ato.Sigurisht së një publikim I tillë hyn edhe në vazhdën e prodhimit të aferave të ndryshme , për ta zhvendosur vemendjën e opinionit të gjërë public nga gjendja e mjerë ekonomike dhe politike, në të cilën është katandisur vendi . Kjo ka mundwsi tw lidhet edhe më faktin qw të shtyhet puna e Gjykatës Speciale , të cilën e prum vet të dera .Kaluan 20 vite dhe kjo klasë politike nuk kishte kohë që të padiste Serbinë më bazë për gjenocid pranë TPI-së, siq e bën kur ishte koha Bosnja dhe Kroacia. Madje edhe Serbia gjenocidiale vuri kunder padi në Gjykatën e Hagës kunder Kroacisë. Tek tash gjoja u ka ra ndërmend ta nxjerrin një rezolutë në Kuvend për themelimim e një Gjykate Ndërkombëtare kunder Serbisë , që është gadi e pa realizueshme. Duket ashiqare së kjo punë po behët më shumë për poena politik. Edhe diqka krejt në fund. Dikush me dashje apo pa dashje na la kopilin te dera, pas prazentimit të suksesshem , në Amerikë ,të Vasfije Krasniqit pwr dhunimet e grave shqiptare gjatw luftës , e cila pas lajmit për publikim të fotografisë nga zonja Brovina ka shkruar në Twittër:” që mos e përdorni dhëmbjën tonë për fitime Tuaja”. ”Ma plasët zemrën” ka shkruar ajo, siq u plasën edhe zemrat e shumë grave të dhunuara nga çetnikët serb. Duket së kjo gjë shumë do ti kushton Kosovës dhe shqiptarëve …Dhashtë Zoti qe jo…

Refuzohet kërkesa e Marko Gjuriqit për të hyrë në Kosovë

Kërkesa e shefit të Zyres së Kosovës në Serbi, Marko Gjuriq, për hyrje në Kosovë të dielën, në ditën e zgjedhjeve për kryetarët e komunave veriore, është refuzuar nga autoritetet e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Jetlir Zyberaj.

“Kërkesa e tij është refuzuar për shkak që nuk është në përputhje me marrëveshjen e Bruskelit, ku kërkesat duhet të adresohen vetëm gjatë ditëve të punës dhe jo në fundjavë”, tha Zyberaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se MPJ është në koordinim me autoritetet e sigurisë në Kosovë për të parandaluar çdo shkelje të mundshme apo tentim-hyrje ilegale në Kosovë.

Shefi i Zyrës së Kosovës në Serbi, Marko Gjuriq, kishte thënë për mediat në Serbi se do të jetë prezent në ditën e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës, përkundër refuzimeve të njëpasnjëshme nga autoritetet e Kosovës për vizitë.

Gjuriq ishte arrestuar në mars të vitit të kaluar nga Policia e Kosovës pasi nuk ka përfillur ndalesën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës dhe është futur në Mitrovicë.

Hahn: Marrëveshja Kosovë-Serbi do të jetë kompromis, s’do të duartrokitet nga asnjëra palë

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, ka folur rreth Samitit të organizuar në Berlin, duke përgënjeshtruar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për pretendimet se për takimin në Gjermani nuk kishte koordinim gjermano-amerikan, shkruan Gazeta Express.

Këto deklarime Hahn i ka bërë në një intervistë për Deutche Welle, duke thënë se sa i përket negociatave Kosovë-Serbi ka një dakordim ndërkombëtar.

“Ekziston një dakordim i qartë ndërkombëtar se si duhen bërë këto negociata. Natyrisht është mirë nëse kemi mbështetje edhe nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe kur bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar. SHBA-ja është e rëndësishme si mbështetëse, por struktura aktuale e negociatave, nën drejtimin e Përfaqësueses së Lartë, aktualisht Federica Mogherinit, është e mjaftueshme”, ka thënë Hahn.

Teksa ka folur për marrëveshjen finale, Hahn ka thënë se ajo që do të duhet të nënshkruajnë Kosova dhe Serbia, nuk do të duartrokitet, dhe se për të bërë një gjë të tillë do të duhet guxim nga dy palët.

Përveç guximit, Hahn thotë se të dy palët duhet të bëjnë kompromis të lëshojnë pe.

“Besueshmëria. Nëse çelim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – kjo nuk do të thotë se ato hyjnë nesër në BE, ky është një proces disavjeçar që kërkon edhe shumë përpjekje,- atëherë kjo është joshja më e mirë për serbët dhe kosovarët që të ulen në tryezën e negociatave. Sepse ajo që do të duhet të arrijnë ata nuk do të pritet me duartrokitje të mëdha në asnjë vend. Kërkon guxim dhe kurajë nga aktorët veprues që të ulen në një tryezë dhe të hartojnë një kompromis, i cili do të kërkojë lëshime nga të dyja palët për të arritur në një rezultat përfundimtar”, ka potencuar ai.

Hahn ka thënë se është herët që të flitet për një zgjidhje të mundshme, megjithatë tregon se një vend të rëndësishëm në marrëveshje finale do ta ketë çështja e pakicave serbe, duke lënë të kuptohet se Asociacioni i Komunave Serbe do të jetë i rëndësishëm.

“Unë vetëm kam thënë se kjo nuk duhet tabuizuar menjëherë. E sqarova menjëherë se zgjidhja që do të vijë në fund të ditës nuk duhet të jetë në kosto të të tretëve. Tani është ende herët të flitet për zgjidhjet që vijnë në pyetje. Sepse marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve do të jetë shumëpërfshirëse. Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Pra, marrëveshja do të përfshijë shumë pjesë të një rebusi, të cilat shpresojmë që së bashku të japin një panoramë shumë të bukur”, ka thënë ndër të tjera Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johanes Hahn.

Pretendimet e Thaçit për mos koordinim të Gjermanisë dhe SHBA-së për Samitin e Berlinit, i kanë demantuar edhe nga zyra e kancelares Angela Merkel, në një përgjigje dhënë Gazetës Express.

Ata kanë thënë që përveç që ishin koordinuar për Samitin e Berlinit, kanë potencuar që janë në kontakt konstant me SHBA-në, për çështjet që kanë të bëjnë më Ballkanin Perëndimor, konkretisht dialogun Kosovë-Serbi./DW/GazetaExpress/

Vasfije Krasniqi-Goodman: Kot mundohen me mohime dhe me foto, një ditë drejtësia do të triumfojë

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka reaguar pas deklaratës së Flora Brovinës se fotografia e publikuar nga ajo nuk është vërtetuar mirë.

Krasniqi-Goodman tha se do të vazhdojë që të vërtetën e Kosovës ta përhap gjithandej.

“Kot mundohen me mohime, me foto apo me forma tjera sepse një ditë drejtësia do të triumfojë”, ka shkruar Krasniqi-Goodman në rrjetin social Facebook.

Ja postimi i plotë i saj:

Mevlyde Saraçi: Unë nuk merrem me filma pornografikë, do ta padis Flora Brovinën

Ish-deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi para mediave ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka parë fotografinë të cilën dje e ka bërë publike deputetja e PDK-së, Flora Brovina. Saraçi ka thënë se të hënën do të paraqitet në polici për të dhënë deklaratë, derisa, do të padisë deputeten e PDK-së, raporton Gazeta Express

“Kam qenë anëtare e komisionit për çështje sociale dhe persona të pagjetur, kam punuar në këtë komision për plot tre vite sa kam qenë deputete dhe puna jonë ka qenë publike. Në asnjë rast në asnjë vend unë nuk kam përdorë zarfe aq më pak gjatë gjithë jetës time nuk jam marrë me filma pornografikë dhe unë ndihem shumë e turpëruar për përmendjen e emrit tim ndoshta ka qenë nxitim i zonjës Brovina”, shtoi ajo.

Ajo kundërshton deklaratën e deputetes së PDK-së, që u deklarua se Saraçi e kishte njoftuar për fotografinë.

“Në asnjë moment nuk e pranoj nuk e pranoj përcjellën e pafajësisë si fajsi që unë të hënën të paraqitem në polici për një fotografi që nuk e njoh dhe nuk e kam parë kurrë, nëse do ta kisha këtë foto unë do ta dërgoja menjëherë në prokurori”, shton ajo.

Tutje, ish-deputetja tha se nuk e ka parë kurrë fotografinë dhe se ju kërkon të gjitha viktimave të luftës falje për atë se çka ka ndodhur. Duke folur për Brovinën ajo shtoi se ka dhënë dy intervista kontradiktore.

Saraçi tha se do ta padisë për shpifje deputeten e PDK-së, derisa të hënën do të deklarojë për rastin në polici.

“Unë jam e detyruar siç ka vepruar ajo përmes organeve të drejtësisë që t’I tregoj opinionit që emri im është keqpërdorur nuk e di pse emri im është potencuar pa të drejtë, në këtë moment jam detyruar që të ndërmarrë hapat, e para punës do të deklarojë në polici.

Do ta padis për shpifje, ka bërë një gabim të madh nuk ka pasur nevojë të potencojë emra”, përfundoi ish-deputetja.

Ajo tha se ka marrë ftesë nga policia rrugës derisa po paraqitej para mediave, e të hënën tha se do të paraqitet në polici,/GazetaExpress

Fotografia që tronditi Kosovën

Bekim Bislimi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, ka thënë se fotografia me pamje të rënda grafike, ku pasqyrohet akti i dhunimit seksual të një gruaje nga persona me uniforma, të cilën e ka prezantuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, si dëshmi e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mund të jetë dokument i falsifikuar.

Pas intervistës që ajo ka dhënë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, lidhur me prezantimin e kësaj fotografie, u është drejtuar mediave, duke thënë se fotografia i ishte dorëzuar asaj në vitin 2003, në kohën kur ajo ishte kryetare e Komisionit për personat e pagjetur, nga një aktivist i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes ish-nënkryetares së Komisionit, Mevlyde Saraçi.

Sipas saj, personi që ia kishte dorëzuar fotografinë në zarf, i kishte thënë se mund ta përdorte si dokument dhe se gruaja në këtë fotografi që pretendohej se dhunohej nga pjesëtarët e forcave serbe, ishte e gjallë.

“Nuk kam besuar që ky dokument mund të jetë diçka që nuk është e saktë. Saktësinë e tij do ta vërtetojnë organet e shtetit. Unë qëndroj në dispozicionin e tyre në çdo moment, jo vetëm për këtë rast, por për të gjitha rastet”, ka thënë Brovina.

Ajo u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve, të cilëve kjo fotografi u ka shkaktuar tronditje.

“Këtë dokument e ruaj në mesin e shumë dokumenteve tjera që i kam qysh nga viti 2003. Tani, pas kaq kohësh, të quhet dokument i falsifikuar… më vjen shumë keq. Ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj pranë kësaj për gjithë fajësinë time, që ndoshta nuk e kam verifikuar në momentin e fundit edhe një herë”, ka thënë Brovina, e cila ka shprehur gatishmërinë që të japë dorëheqje nga posti i deputetes, në rast se kjo kërkohet si një masë e nevojshme.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me fotografinë, të cilën deputetja Brovina ua ka prezantuar mediave, për të cilën ajo kishte theksuar se është dëshmi e dhunës seksuale ndaj një gruaje 35-vjeçare nga ana e ushtarëve serbë gjatë luftës në Kosovë.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, ka theksuar se publikimi i fotografisë nga deputetja Brovina ka shkaktuar shqetësim të madh në opinion. Por, ajo ka hedhur poshtë pohimet e mëhershme të deputetes Brovina se Prokuroria ka qenë në dijeni lidhur me fotografinë që ajo ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka thënë se Brovina i ka thënë Prokurorisë së në posedim të fotografisë ka ardhur në vitin 2003, përmes disa aktivistëve nga Gjakova, emrat e të cilëve nuk i mban mend.

“Në pyetjen time se a e ka raportuar rastin në Prokurori ose në Polici, meqë kemi të bëjmë vepër penale, ka deklaruar që jo dhe se nuk e ka pasur të njohur që ka për obligim që ta deklarojë rastin në prokurori. Po ashtu, ka shprehur një shqetësim, me daljen e informatave, se kjo foto mund të jetë nga lufta e Irakut dhe se ajo nuk ka një njohuri të tillë”, ka thënë Hajdari.

Sipas saj, intervistimi i deputetes Brovina, në cilësinë e dëshmitares,nga ana e Prokurorisë Speciale, është vetëm një hap hetimor.

“Neve na mbeten edhe disa veprime hetimore për të dalë me një rezultat përfundimtar. Për gjithçka që do të ndërmarrim dhe për gjithçka që rezulton nga hetimi, ne do t’ju informojmë. Një përgjigje mund t’ju japim në momentin kur i përfundoj hetimet dhe kur bëhet analiza e tërësishme e rastit”, ka theksuar Hajdari.

Brovina e ka prezantuar fotografinë para mediave, që po përcillnin seancën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën është miratuar Rezoluta që mban përgjegjës Serbinë për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës të ish-regjimit serb në Kosovë”.

Për më shumë, tashmë duket që fotografia e prezantuar është marrë nga një faqe interneti me përmbajtje pornografike. Mediat në Kosovë i kanë publikuar pamjet e tilla, duke u thirrur në atë faqe të internetit, për të rritur.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Vesli, njëherësh edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, së cilës i takon edhe deputetja Flora Brovina, ka theksuar se kjo e fundit ka bërë një gabim të madh.

“Zonja Flora Brovina, ditën e djeshme (e enjte) e ka bërë një gabim të madh. Por, unë besoj që e ka bërë pa dashje. E them këtë, sepse e njoh Florën, veprimtarinë e saj, humanizmin e saj, ashtu siç e njeh e gjithë Kosova. Gjithsesi ajo është dashur të konsultohet më herët për atë veprim që e ka ndërmarrë para se të vinte në seancë”.

“Por, ne duhet, të gjithë, bashkërisht, që të nxjerrim mësim nga ky gabim. Ky gabim, pikërisht, na dëshmon nevojën që trajtimi i së kaluarës të bëhet në mënyrë profesionale dhe jo të ngutur dhe emocionale, si dhe nevojën për institucione të specializuara dhe me ekspertë të mirëfilltë”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i pyetur nga mediat lidhur me fotografinë e prezantuar nga deputetja Brovina, ka thënë se “Serbia ka kryer gjenocid, ka vrarë mbi 13.500 shqiptarë, ka kryer më shumë se 400 masakra kundër civilëve shqiptarë, gra, fëmijë e pleq”.

Siç ka thënë ai, Serbia ka dhunuar 20 mijë gra shqiptare, ka dëbuar rreth 1 milion qytetarë nga Kosova dhe ka vrarë më shumë se 1 mijë fëmijë shqiptarë.

“Gjenocidi nuk ka brirë. Ky është gjenocidi i shtetit të Serbisë. Vetë Kosova është fotografia e gjenocidit të Serbisë në vitet 1998 dhe ’99”, ëshët shprehur Thaçi.

Publikimi i fotografisë nga deputetja Brovina, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, i ka shkaktuar dëm shumë të madh shoqërisë së Kosovës dhe punës së deritashme me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, e cila tash e 20 vjet punon për rehabilitimin e grave që kanë përjetuar dhunë seksuale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që organizata që ajo drejton, asnjëherë më parë nuk e ka parë një fotografi të tillë, e cila, siç ka thënë ajo, e ka tronditur gjithë shoqërinë e Kosovës, e në veçanti të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe familjet e tyre.

“Padyshim që kjo i ka lënduar dhe i ka tërhequr ato në atë gëzhojën e vet familjare, që ato të tërhiqen dhe të kenë frikë që të besojnë për ta ndarë rrëfimin e tyre. Kur kjo për më shumë ndodhë në mes të Kuvendit që është institucioni më i lartë i Kosovës. Por, them që ne duhet të punojmë, duhet të mobilizohemi, si shoqëri, si aktivistë, nga secila perspektivë ku ne punojmë dhe veprojmë, që krejt kjo ngjarje të mos na lërë t’i rrënojmë dhe t’i dëmtojmë, si dhe t’i ritraumatizojmë edhe një herë ata që e kanë përjetuar këtë krim në vitin 1999”, ka deklaruar Rushiti.

Për më shumë, sipas Rushitit, skandali tjetër, i cili mbetet për t’u vërtetuar, mbetet vërtetësia e fotografisë.

Ajo i ka bërë thirrje shoqërisë së Kosovës që të mos lejojë që kjo ngjarje të ndikojë punën për ofrimin e mbështetjes për viktimat e dhunës seksuale, ndonëse sipas saj, pasojat janë të mundshme, për shkak se garantimi i besueshmërisë ka qenë kushti kryesor i për pjesëmarrjen e viktimave të dhunës seksuale në procesin e verifikimit të statusit të tyre , në mënyrë që të realizohej e drejta e tyre për përfitimet e caktuara, sikurse e drejta për pension.

Brovina kërkon falje për fotografinë dhe pranon se mund të jetë e falsifikuar

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, e cila të enjten publikoi një fotografi, të cilën fillimisht e prezantoi si dëshmi të akteve të përdhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, pranoi se kjo fotografi mund të jetë e falsifikuar.

Sipas saj, këtë fotografi, të cilën ajo e publikoi para mediave, e kishte marrë qysh në vitin 2003 nga një zyrtare e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë dhe e ruante si “dëshmi për krimet e kryera nga forcat e Serbisë në Kosovë”.

“Nga viti 2003, këtë dokument e ruaj në mesin e shumë dokumenteve tjera dhe tani, pas kaq kohësh, të quhet ky dokument i falsifikuar, më vjen shumë keq. Edhe një herë ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj edhe për fajësinë time që nuk e kam verifikuar në momentin e fundit edhe një herë”, tha Brovina.

“Kurrë nuk kam menduar se dikush mund të më sjellë dokumente të paverifikuara”, shtoi ajo.

Këto komente, Brovina i bëri pas ofrimit të dëshmisë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Brovina tha se është e gatshme të dëshmojë për të gjitha kërkesat e Prokurorisë.

“Andaj, nuk kam besuar se ky dokument nuk mund te jetë i saktë”, tha Brovina pas raportimeve se fotografia që ajo kishte ofruar si dëshmi, nuk ishte realizuar fare në Kosovë.

Fotografia e publikuar të enjten gjatë punimeve të Kuvendit të Kosovës si dëshmi e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është pamje e cila duket se është marrë nga faqe interneti me përmbajtje pornografike.

Mediat vendore në Kosovë kanë publikuar pamjet e njëjta, duke u thirrur në faqet e internetit për të rritur.

Fotografia kishte pamje të rënda grafike dhe si e tillë nxiti reagime të shumta, përfshirë këtu edhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila përmes një komunikate për media njoftoi se ka ftuar Brovinën të ofrojë dëshmitë që ka dhe se do të hapë hetimet mbi fotografinë e publikuar.

Skandali i Flora Brovinës mbledh krerët e institucioneve të drejtësisë dhe të inteligjencës

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, mbrëmë paralajmëroi se sot gjatë ditës do të ketë një takim me të gjithë krerët e institucioneve të drejtësisë, inteligjencës dhe insitucioneve tjera, pas publikimit të fotografisë nga deputetja Flora Brovina dhe lajmeve se një e tillë është e rreme.

“Nesër kam ftuar të gjithë bartësit e institucioneve të drejtësisë, të inteligjencës dhe institucioneve tjera gjegjëse që të kemi një takim për këtë çështje që t’i jepet një drejtim”, ka thënë ai.

Duke folur pas zhvillimeve të djeshme ku origjinaliteti i fotografisë së publikuar nga Flora Brovina u vu në dyshim, Veseli  ka thënë se Kosova nuk duhet ta humbasë fokusin.

“Çdo njeri, çdo rrugë, lagje, fshat dhe qytet e ka historinë e vet në këtë masakër që i ka ndodhur popullit tim dhe do t’i bëjmë të paguajnë – kjo është ajo që duhet të fokusohemi dhe orientohemi”.

“Kjo është një dhembje më shumë që i është shkaktuar sonte Kosovës si pasojë e asaj gjendje të rëndë”.

“Është një mesazh për të gjithë, edhe deputetët edhe qytetarët, nuk guxojmë të çorientohemi, ky është qëllimi i Serbisë”.

“Deputetja Flora Brovina insiston. Kur ke parasysh që është një grua që ka pësuar bukur rëndë, do të thotë ka pësuar me përjetimet të veta, dhe kjo pastaj është një vazhdimësi e këtij traumatizimi. Dëshmia e deputetes Saranda Bogujevci na ka rënduar situatën”.

Kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së ka thënë se gjenocidi serb ka ndodhur në Kosovë dhe për këtë ka shumë fakte dhe dëshmitarë.

“Gjenocidi serb ka ndodhur në Kosovë dhe çdo qytetar i Kosovës është dëshmitar. Ka fakte dhe dëshmitarë të mjaftueshëm, nuk kemi pasë nevojë të kemi fotografi që mund të mos jenë të konfirmuara kur i kemi njerëzit e gjallë”.

“Ma plasët zemrën”, e mbijetuara e dhunës seksuale flet pas publikimit të fotos në Kuvend

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman ka reaguar pas publikimit të fotografisë nje dite me pare nga deputetja Flora Brovina, ne Kuvendin e Kosoves.

 

“Mos e përdorni dhimbjen tonë dhe vuajtjet për përfitimin tuaj. Ma plaset zemrën”, ka shkruar Krasniqi në Twitter.

Një fotografi e publikuar dje nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, tronditi opinionin në Kosovë e më gjerë.

Brovina prezantoi atë që e cilësoi dëshmi fotografike të përdhunimit të një gruaje kosovare në kohë të luftës, nga ushtarët serbë, në sytë e familjes së saj.

Por, fotografia e shfaqur nga Brovina rezultoi të jetë aspak e vërtetë. S’është as nga lufta e Kosovës, e madje as nga ndonjë luftë tjetër.

Në të vërtetë, bëhet fjalë për një film pornografik, skenë të të cilit paraqet fotografia e prezantuar nga Brovina.

Gazeta Express ka raportuar dje se fotografia e publikuar nga Brovina nuk është e vërtetë, dhe se rrjedh nga një ueb-sajt me përmbajtje pornografike.

Hidhen dyshime rreth një fotografie të publikuar nga deputetja Flora Brovina

Pak orë pasi që prokuroria e posaçme e Kosovë tha se ka hapur hetime rreth një fotografie të publikuar nga deputetja Flora Brovina, e cila pretendonte se ishin pamje të një përdhunimi nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, janë hedhur dyshime për vërtetësinë e saj.

Mediet lokale publikuan pamje të njëjta të marra nga disa faqe me përmbajtje pornografike, e të cilat shfaqen edhe në faqe të publikuara në Lindjen e Mesme për propagandë kundër forcave ushtarake amerikane.

Zonja Brovina, i tha Radiotelevizionit Dukagjini se fotografia e publikuar prej saj megjithatë është “autentike” dhe ajo do të bashkëpunojë me prokurorinë për të sqaruar këtë cëshje.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës, tha të enjten gjatë ditës se “me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hap hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera”.

Fotografia të cilën për shkak të pamjeve grafike, Zëri i Amerikës, nuk e publikoi, nxiti reagime në parlament dhe jashtë tij.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, e cila është e mbijetuar e njërës prej masakrave të luftës në Kosovë kërkoi që fotografia të mos publikohet sepse “familjarët janë të shqetësuar, tepër të shqetësuar me pamjet”.

Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, tha se “publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë – pa censurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës. Paraqitja e këtyre imazheve në mënyrë publike më së paku iu ndihmon të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe familjarëve të tyre, andaj për shkak të emocioneve të provokuara dhe për shkak të pamjeve të ndieshme, kërkojmë nga mediat dhe të gjithë ata që e kanë publikuar këtë fotografi, ta largojnë nga shfaqja në publik”.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila është e përfshirë në procesin e ndriçimit të përdhunimeve gjatë luftës, reagoi ashpër duke theksuar se “veprimi i deputetes është jonjerëzor, jo etik e joligjor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë. Mijëra gra ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe, të cilat atëbotë dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës.

Reagon Veton Surroi: Flora Brovina bëri pornografi politike

 KOSOVË

Publicisti Veton Surroi ka reaguar, pas publikimit të një fotoje tronditëse, ku një grua shqiptare e Kosovës dhunohet seksualisht nga tre serbë.

Fotoja u publikua sot nga deputetja e PDK-së Flora Brovina. Surroi shprehet se Brovina ka bërë sot pornografi politike.

Postimi i Surroit:

Publikimi i një akti seksual për përfitim parash quhet pornografi.

Publikimi i një akti seksual për përfitim politik quhet pornografi politike.

Publikimi i një dhunimi quhet perverzion. Në këso rasti, politik.

Kuvendi miratoi një rezolutë që fajëson Serbinë për gjenocid në Kosovë

Me 79 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

“Në vitin 1999 forcat serbe kryen mbi 100 masakra në Kosovë madje në disa vende edhe i dogjën për së gjalli njerëzit, si në Breznik, Mitrovicë, Podujevë, Randobravë, Krushë e vogël dhe të madhe, Gjakovë, Matiqan, Izbicë, Llashticë e Gjilanit, Rrezallë. Gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë ushtruan dhunë seksuale ndaj 20 mijë personave. Gjatë këtyre viteve dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë duke konfiskuar çdo dokument zyrtarë në mënyrë që të zhduket çdo dëshmi”, tha duke paraqitur rezolutën, kryetari i komisionit për hartimin e saj, Bilall Sherifi.

Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës miratojnë një rezolutë të tillë, megjithëse për të është diskutuar që nga përfundimi i luftës.

Parlamenti pritet të themelojë edhe një komision shtetëror që do ketë mision hulumtimin e siç thuhet, gjenocidit gjatë luftës së fundit në Kosovë, që do të shërbente si bazë për themelimin e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, një nismë kjo e kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli.

Po ashtu në këtë seancë do të votohet edhe për ngritjen e një muzeu dhe një qendre përkujtimore për krimet e luftës.

Votimi i rezolutës pasoi një debat të gjatë të në parlamentin e Kosovës. Partitë politike shqiptare dhe ato të minoriteteve jo serbe i dhanë mbështetje nismës për të dënuar krimet e Serbisë në Kosovë.

“Më lejoni që në emër të LDK-së t’i jap përkrahje kësaj projekt rezolute. Duke renditur së pari konventat ndërkombëtare që janë miratuar për parandalimin e krimit dhe gjenocidit, ajo çka na ka bashkuar për të kryer një obligim të cilin institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që 20 vite ta sjellë një rezolutë të tillë”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

“Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare, që flasin për të drejtat e njeriut, kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

“Sot e kemi tekstin e një rezolute që merret me krimin më të tmerrshëm që është bërë në Kosovë. Në tekstin e rezolutës janë marrë parasysh të gjitha dokumentet kryesore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Teksti i referohet të gjitha raporteve ekzistuese ndërkombëtare që kanë të bëjnë me krimet e gjenocidin”, tha deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Ideja për themelimin e një gjykatë ndërkombëtare, ka ngjallur debate mbi vështirësitë dhe kushtet që kërkohen për themelimin e një institucioni të tillë. Ekspertët thonë se themelimi i një gjykate të tillë kërkon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Por, kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha sot gjatë një vizite në qendrën për ruajtjen e eksponateve të rrobave të të vrarëve, se gjykata ndërkombëtare do të ndodh.

“Është papërgjegjësi dhe do të jetë e pafalshme në qoftë se bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrahin iniciativën tonë për gjykatë ndërkombëtare. Do të përgjigjen edhe para Kosovës, por gjithsesi edhe gjykata ndërkombëtare jam shumë i sigurt se do të ndodh edhe drejtësia edhe gjykata për gjenocidin serb”, tha zoti Veseli.

Kosova po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë.