VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gjinushi kryetar i Akademisë së Shkencave, si u shkel ligji. Dalin votat, 17 të paligjshme (EMRAT)

By | May 25, 2019

Komentet

Google fiton të drejtën për moscensurim të kërkimeve në gjithë botën

Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se Google nuk ka përse të fshijë përmbajtje të caktuara në gjitha botën.

Kjo do të thotë se kompania duhet të heqë rezultatet e kërkimit vetëm në Evropë, dhe jo gjetkë, nëse merr kërkesë të caktuar.

Vendimi buron nga një mosmarrëveshje midis kompanisë Google dhe një rregullatori francez të privatësisë.

Në vitin 2015, CNIL urdhëroi firmën që të hiqte globalisht rezultatet e kërkimeve në faqet që përmbajnë informacione të dëmshme ose të rreme për një person.

Vitin pasues, Google nxori një opsion të bllokimit, që i parandalon përdoruesit në Evropë të shohin rezultatet e fshira të kërkimit.

Por, kompania i rezistoi censurimit të rezultateve të kërkimit në pjesë të tjera të botës.

Për rrjedhojë, ajo është përballur me një gjobë prej 100,000 eurosh, që CNIL është përpjekur t’ia vendosë.

Gjykata Evropa e Drejtësisë konstatoi të martën se, sipas ligjit të Bashkimit Evropian, nuk ka asnjë detyrim për Google që të fshijë rezultatet në gjithë motorin e kërkimeve.

Google ka argumentuar se detyrimi mund të abuzohej nga qeveritë autoritare që bëjnë përpjekje të mbulojnë abuzimet e të drejtave të njeriut. rel

Mësuesi iraken e shndërron kallashnikovin në instrument muzikor

Mësuesi iraken Maxhid Kazim ka arritur që pushkën e tij personale kallashnikov ta shndërrojë në instrument muzikor dhe me këtë dëshiron të japë mesazhe për paqe për të gjithë botën nga vendi i tij i lodhur nga dhuna.

Kazim, mësues i muzikës në një shkollë fillore në kryeqytetin irakian Bagdad ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të treguar se mund të japë mesazhe paqeje dhe jo lufte nga vendi i tij, i cili është rrënuar nga lufta dhe terrori për vite me radhë.

Mësuesi irakian i muzikës me disa shtesa ka shndërruar në instrument muzikor me tela pushkën e tij kallashnikov, e cila qëndronte në një qoshe të shtëpisë së tij për një kohë të gjatë.

“Armën e shndërrova nga një vegël vdekjeje në një vegël paqeje”

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Kazim tha se muzikën e ka filluar si hobi që në moshë të re dhe se interesi ndaj saj u rrit në vitet në vijim ndërsa tani si mësues muzike inkurajon fëmijët drejt muzikës.

BAGDAD (AA) – Mësuesi irakian Maxhid Kazim ka arritur që pushkën e tij personale kallashnikov ta shndërrojë në instrument muzikor dhe me këtë dëshiron të japë mesazhe për paqe për të gjithë botën nga vendi i tij i lodhur nga dhuna. ( Haydar Karaalp – Anadolu Agency )

“Përjetuam një luftë të ashpër civile sektare në Irak. Kjo luftë e dogji tërë vendin. Në këtë luftë u vranë në mënyrë të planifikuar pilotët, avokatët, profesorët e universitetit dhe madje edhe agjentët e pasurive të paluajtshme. Kjo në atë periudhë (2006-2009) u shndërrua në një mënyrë të përditshme, u bë si modë. Dëshiroja ta zëvendësoja zërin e plumbit në pushkën e përdorur në vendin tonë me tingullin e muzikës”, tha Kazim duke bërë të ditur se nga mërzia e thellë për ngjarjet e dhunshme dhe humbjet e jetëve në vend vendosi ta shndërrojë armën në instrument muzikor.

Mësuesi irakian gjithashtu shpjegoi procesin e shndërrimit të pushkës në një instrument muzikor.

“Si popull nuk mund të bënim asgjë për atë që po ndodhte, ne ishim të dëshpëruar. Një ditë bleva një kuti municioni ushtarak dhe e vendosa në mes të një pushke kallashnikov. Me ndihmën e një marangozi dhe me një përpjekje të madhe personale, shtova tela në pushkën time. Kështu në këtë mënyrë unë e shndërrova armën nga një vegël vdekjeje në një instrument të paqes”, tha ai.

Reagimi nga shoku i tij: “A je i çmendur?”

Kazim tha se një shok i tij që shet instrumente muzikore në periudhën kur kishte vendosur ta shndërronte armën në instrument muzikor i ka thënë: “Përse e bën këtë mund. A je i çmendur?. Do të jap unë çfarë instrumenti muzikor që dëshiron”.

Ai më tej thekson se shokut i ka bërë të ditur se është këmbëngulës në projektin e tij dhe se me këtë dëshiron të japë mesazhe për paqe. Kazim tha gjithashtu se me këtë instrument intonon himnin kombëtar të Irakut dhe disa pjesë muzikore për nxënësit në shkollë.

“T’u japim fund dhimbjeve”

Duke u ankuar se Qeveria e Irakut nuk ka politikë inkurajuese dhe mbështetëse për projekte të tilla, Kazim tha se “Qeveria jonë nuk e kupton dhe nuk dëshiron ta kuptojë muzikën që është ndërmjetëse e paqes”.

Pasi ka vënë theksin se dëshiron që në vendin e tij të mbizotërojë paqja dhe jo lufta, ai tha:

“Le t’u japim fund vuajtjeve dhe luftërave për hir të fëmijëve jetimë dhe nënave të trishtuara që humbën burrat e tyre. Të lëmë mënjanë dhunën dhe t’i kthjemë në instrumente paqeje pushkët kallashnikov, të cilat janë armët më themelore në luftëra”.

Kosova ende s’është gati ta marrë nën kontroll hapësirën e lartë ajrore

Luljeta Krasniqi – Veseli

Ngritja e kapaciteteve teknike dhe tejkalimi i pengesave nga plani politik, shtrohen si nevoja të domosdoshme që Kosova të fitojë të drejtën për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore mbi territorin e saj. Përveç përgatitjes së kuadrove dhe blerjes së pajisjeve që nevojiten për të kontrolluar këtë hapësirë ajrore, Kosova duhet të sigurojë edhe ulësen apo anëtarësimin e saj në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës nën nivelin e fluturimit 205- deri në 6205 metra menaxhohet nga Agjencia i Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, ndërsa hapësira e lartë ajrore mbi nivelin e fluturimit 205 – deri në 6205 metra, është rihapur për fluturimet civile më 3 prill të vitit 2014 dhe është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi.

HungaroControl-i, fillimisht kishte marrëveshje pesëvjeçare për kontroll të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës dhe meqë Kosova ndërkohë nuk kishte arritur t’i plotësonte kriteret, në marrëveshje me NATO-n, i është zgjatur marrëveshja për një afat të pacaktuar.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se në korrik të këtij viti, ekspertët teknikë civilë dhe ushtarakë janë takuar në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel, brenda kornizës së Takimeve për Normalizim e Aviacionit të Ballkanit (BANM), ku kanë shprehur pikëpamjet për normalizimin e aviacionit në rajonin e Ballkanit.

“Korniza e Takimeve për Normalizimin e Aviacionit të Ballkanit e udhëhequr nga NATO, është krijuar për të shprehur pikëpamjet rreth marrëveshjeve për normalizimin e hapësirës ajrore në rajonin e Ballkanit nga të gjitha palët ndërkombëtare dhe rajonale. Në këtë forum, ekspertët adresojnë çështjet teknike që duhen për të rihapur hapësirën ajrore të Kosovës për fluturimet komerciale”, tha zyrtari i NATO-s.

Nga Aleanca Veriatlantike nuk kanë dhënë detaje tjera se kur Kosova mund të menaxhojë vetë me hapësirën e lartë ajrore.

Që nga viti 2014, kur HunagroControl-i pati marrë nën menaxhim hapësirën e lartë ajrore të Kosovës, autoritetet vendore patën theksuar se pas periudhës pesëvjeçare do ta marrin nën menaxhim këtë hapësirë, por kjo nuk ka ndodhur.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, Eset Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova aktualisht nuk ka ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore, por që sipas tij, planet janë që kjo të ndodhë në të ardhmen.

“Marrëveshja mes NATO-s dhe HungaroControl për menaxhimin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës është vazhduar pa afat, por ajo mund të ndërpritet në çdo kohë, kur të krijohen kushtet politike apo kur të realizohen përgatitjet apo gatishmëria për marrjen e këtyre përgjegjësive nga autoritetet vendore që nuk ka të bëjë vetëm me përgatitjet teknike apo kadrovike, por edhe me disa kushte të natyrës politike”, tha Berisha.

Berisha thotë se janë duke u përgatitur në aspektin teknik dhe të burimeve njerëzore që të marrim përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës.

“Në vitin e kaluar ka pasur rekrutim të kontrollorëve të rinj të trafikut ajrorë. Ata tani janë duke i ndjekur trajnimet bazë, por nevojitet kohë deri në licencimin e tyre nga autoriteti i Aviacionit Civil për të ofruar shërbimet e kontrollorit të trafikut ajror. Përveç pjesës kadrovike nevojitet edhe blerja e pajisjeve të nevojshme, siç është blerja e radarit dhe një programi për menaxhimin e fluturimeve, i cili është në plan të prokurimit nga Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror”, tha Berisha.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini, tha për Radion Evropa e Lirë se qysh në nënshkrimin e kontratës në vitin 2014, midis NATO-s dhe HungaroControl-it, ishte paraparë një nen që nëse dy palët nënshkruese të kësaj marrëveshjeje nuk kanë ndonjë paqartësi, me automatizëm marrëveshja zgjatet për afat të pacaktuar.

“Afatet e pacaktuara kanë dy elemente. Elementi i parë është anëtarësimi i Kosovës në Organizata Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, që periudha për të stopuar dhe për të marrë menaxhimin nga autoritete vendore do të jetë shumë më e lehtë për NATO dhe autoritetet hungareze. Sa kemi bërë ne përgatitje dhe sa jemi të gatshëm, të gjitha përgatitjet teknike njerëzore mund të bëhen, por pa ndihmën e NATO-s dhe HungaroControl-it si autoritet që menaxhon hapësirën e lartë ajrore, nuk mund të bëhet pa qenë faza e tranzicionit bashkërisht me ta. A është duke u përgatitur ajo periudhë, njëherë përnjëherë nuk është duke u përgatitur, pasi që Kosova nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare e Aviacionit Civil”, thotë Nuredini.

Kosova për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, shton Nuredini, duhet të aplikojë për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, proces ky i cili sipas tij, i takon Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme për të shikuar procesin e anëtarësimit të Kosovë në këtë organizatë, mirëpo nga kjo ministri nuk është dhënë ndonjë përgjigje.

Ali Aliu, ish-drejtor i departamentit të Aviacionit në Ministrinë e Infrastrukturës, njëherësh piloti i parë kosovar që ka drejtuar aeroplanët reaktivë dhe supersonikë në ish-Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrja e menaxhimit të hapësirës së lartë ajrore nga autoritetet e vendit, është neglizhuar.

“Ka nevojë për investime të shumta. Janë ligjërata e seminare për ngritjen e kuadrove. Sigurisht që nuk janë në nivel sa duhet, pasi që po të ishin nuk ka asnjë arsye të mos merret kontrolli i hapësirës së lartë ajrore, pasi që ajo ka leverdi për vendin dhe duhet shumë shpjet të merret. Shumë fluturime ka në territorin tonë . Mendoj se ka pasur neglizhencë në këtë çështje pasi që janë duke ju dhënë rëndësi të madhe gjërave që nuk kanë rëndësi për shtetin dhe jo atyre që kanë rëndësi, është në pyetje përfitimi shumë i madh për shtetin (marrja në menaxhim e hapësirës ajrore)”, thotë Aliu.

Një aspekt tjetër i marrjes së kontrollit mbi aviacionin civil apo kontrollin e hapësirës së lartë ajrore është ai financiar.

Nëse Kosova do të kishte kontroll mbi hapësirën e lartë ajrore, thotë drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredini, do të përfitonte miliona euro si dhe do të gjeneronte vende të reja të punës.

“Varësisht prej fluturakeve që zgjedhin si territorin e Kosovës për të kaluar, por në baza të shifrave që i kemi për vitet paraprake nga HungaroControl-i, janë përafërsisht në vit 4.5 deri në 6.5 milionë euro të hyra që gjenerohen. Pra, Kosova me marrjen e hapësirës së lartë ajrore nën menaxhim do të fitonte, po ashtu do të ulet edhe nivelin e papunësisë, në një punësim deri në 50 persona që kërkohen për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore”, thotë Nuredini.

Ndryshe, NATO vazhdon të jetë në një proces të normalizimit të hapësirës ajrore të Kosovës.

Normalizimi i plotë i hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, ndër të tjera përfshinë edhe hapjen e korridoreve ajrore në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Autoritetit të Aviacionit edhe pse zyrtarët e NATO-s ishin të përkushtuar të gjejnë zgjidhjen më të mirë teknike dhe ligjore për të rritur numrin e korridoreve ajrore në hapësirën e ulët ajrore të Kosovës, ka pasur hezitim të palës serbe që të bëjë çfarëdo marrëveshje me palën kosovare.

Polemikat për hetime ose jo të përfshirjes së zotit Biden në Ukrainë

Presidenti amerikan Donald Trump pranoi se kishte folur për çështjet e korrupsionit me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, por nuk tha nëse se kishin biseduar për hetimin e kandidatit demokrat për president Joe Biden.

Një njoftim i gazetës Wall Street Journal thotë se presidenti Trump e nxiti zotin Zelenskiy tetë herë të hetonte zotin Biden dhe djalin e tij Hunter, nëse një kompani ukrainase gazi u përpoq të fitonte favore duke punësuar Hunter Bidenin kur Joe Biden shërbente si nënpresident në administratën e Barack Obamës.

Njoftimet thonë se presidenti Trump ishte përpjekur ta bindëte presidentin Zelenskiy të bashkëpunonte me avokatin e tij, Rudolph Giuliani, për të hetuar djalin e zotit Biden dhe vetë ish-nënpresidentin.

Presidenti Trump foli para gazetarëve të dielën.

“Nuk dua të flas shumë. E dimë që nënpresidenti Biden bëri një gabim të madh, ashtu siç tha ai. Nuk po kërkoj ta ndjek atë ligjërisht për asgjë, nuk po kërkoj ta dëmtoj atë përmes djalit të tij. Joe ka shumë probleme, ka mjaft probleme edhe pa të. Por ajo çfarë tha është shumë e keqe.  Ai tha ‘nuk do të jap miliarda dollarë për Ukrainën po qe se nuk heqin prokurorin’ dhe ata e hoqën prokurorin brenda një ore”, tha presidenti.

Hunter Biden ka thënë se nuk ka qënë objekt i asnjë hetimi dhe nuk ka asnjë provë për ndonjë shkelje.

Joe Biden dukshëm i inatosur, u tha gazetarëve të shtunën “vërtet nuk ka fund” gatishmëria e Presidentit Trump për të abuzuar me pushtetin.

“Unë di këtë. Di që Trumpi e meriton të hetohet. Ai po shkel çdo normë bazë të një presidenti. Duhet ta pyesni; përse merr në telefon një udhëheqës të huaj dhe përpiqet ta frikësojë? Ai po abuzon me pushtetin dhe me çdo element të presiencës duke u përpjekur të bëjë diçka për të më dëmtuar mua. Të gjithë e kanë shqyrtuar këtë rast dhe të gjithë kanë thënë se s’ka asnjë shkelje”.

Polemika filloi javën e kaluar kur dolën njoftime se një kallëzues i paidentifikuar në komunitetin e inteligjencës kombëtare u alarmua për një seri veprimesh brenda administratës Trump. Ato përfshijnë atë që tani dihet se është thirrja telefonike e zotit Trump me Presidentin Zelenskiy.

Informatori kontaktoi inspektorin e përgjithshëm të inteligjencës, i cili e quajti ankesën “serioze” dhe “urgjente”. za

Thaçi e ha një darkë në Nju Jork me Daçiqin, zyrtarët ballkanikë dhe Mogherinin

Presidenti Hashim Thaçi është takuar sot me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, dhe përfaqësuesit e tjerë të Ballkanit Perëndimor në New York.

Thaçi së bashku me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, atij të Serbisë, Ivica Dacic dhe përfaqësues të tjerë të Ballkanit Perëndimor po marrin pjesë në një darkë pune të organizuar nga Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë.

Në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, në këtë darkë pune së bashku me Thaçin po marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm i Këshillit të Ministrave të BH-së me mandat teknik, Igor Cërnadak, e kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nga Brukseli është njoftuar se BE-ja vazhdon të jetë lider në bashkëpunimin global dhe se në bashkëpunim me partnerët do të vazhdojë të mbështesë paqen dhe demokracinë dhe të promovojë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.

“Shqipëria e ekspozuar ndaj rreziqeve sizmike”, flet eksperti gjerman

Profesor Frederik Tilmann, drejtues i sektorit të sizmologjisë në Qendrën gjermane të Studimeve Gjeologjike (GFZ) në Potsdam mbi arsyet e tërmeteve në rajonin e Evropës Juglindore.

 

DW: Një seri tërmetesh, më i forti me një magnitudë prej 5,6, tronditën Shqipërinë në fundjavë. Prej disa dekadash nuk kishte rënë një tërmet kaq i fortë. Edhe në qershor pati një tërmet të shkallës 5,2 në Korçë. A po bëhet Shqipëria një zonë sizmike e rrezikuar?

Tilmann: Bregdeti i Shqipërisë ka hyrë gjithmonë në ato rajone të Evropës, që kanë qenë të ekspozuara ndaj rreziqeve të rënda sizmike. Tërmetet në këtë rajon kanë të bëjnë me lëvizje të Afrikës drejt veriut. Pllaka kontinentale afrikane lëviz me disa milimetra në vit drejt Evropës. Këto përplasje kontinentale krijojnë tensione, sidomos pjesë të mikropllakës së Adriatikut shtyhen e hyjnë nën Ballkan. Tërmeti në afërsi të Tiranës ka të bëjë me këto tensione.

DW: Nëse shikon hartën me tërmetet të regjistruara në Evropë në 14 ditët e fundit, vëren se lëkundje ka patur vetëm në Itali dhe në Evropën Juglindore, natyrisht jo në dimensionin e tërmetit të fundjavës në Shqipëri, por është një numër i konsiderueshëm lëkundjesh të vogla. Cilat janë arsyet gjeologjike e tektonike shkaktojnë këto lëkundje dhe tërmete?

Tilmann: Italia dhe Evropa Juglindore janë rajonet më të rrezikuara sizmike të Evropës dhe si rezultat atje shfaqet një aktivitet i lartë tërmetesh të vogla dhe të parrezikshme. Tërmetet shfaqen kudo ku krijohen tensione në tokën e ngurtë, kryesisht por jo vetëm në koren e tokës, dhe aty ku temperaturat janë mjaft të ulëta. Këto tensione çlirohen përmes deformimeve të papritura me plasaritje të tokës (pra tërmet). Ndërsa në temperatura të larta shkëmbinjtë deformohen plastikisht në një proces pak a shumë të vazhdueshëm, pa krijuar një lëshim të papritur të energjisë.

Lajmi nga DW

DW: Shpesh dëgjojmë që transformimi i klimës favorizon katastrofat natyrore. Në ç‘raport qëndron ndryshimi i klimës me shpeshtimin e tërmeteve?

Tilmann: Pjesa më e madhe e energjisë sizmike çlirohet nga tërmetet tektonikë, do të thotë nga tensionet që grumbullohen nga lëvizjet afatgjata të kontinenteve, lëvizje që e marrin impulsin nga procese të brendshme në brendësi të tokës. Ndryshimi i klimës praktikisht nuk ka ndikim në këto procese të brendshme. Megjithatë ne e dimë, se me lëvizjet ngritëse vertikale pas shkrirjes së gjerë të akullnajave në fund të epokës së fundit të akullit, janë shkaktuar tërmete shumë të fuqishme me magnituda më të mëdha se M7, për shembull në vendet skandinave. Por ky është një proces shumë i ngadalshëm dhe edhe në këtë situatë aktiviteti i lëkundjeve në mbarë botën do të dominohet nga lëkundje tektonike, si p.sh ajo në Shqipëri.

DW: Qendra gjermane e Kërkimeve Gjeologjike, në të cilën ju drejtoni sektorin e sizmologjisë, kryen matje sizmike në mbarë botën përmes sistemit të monitorimit të tërmeteve. Në ç‘masë mund të përdoren këto matje për të vlerësuar rrezikun nga termeti duke e bërë atë të parashikueshëm?

Tilmann: Parashikimi afatshkurtër i tërmetit nuk është i mundur në gjendjen aktuale. Sidoqoftë me vëzhgimin e vazhdueshëm të aktivitetit të tërmeteve mund ta vlerësosh më mirë rrezikimin e rajoneve të caktuara në një periudhë afatgjatë. Përveç kësaj për shkak të përcaktimit të shpejtë të parametrave të lëkundjeve mund të jepet ndihma me efikasitet dhe në disa raste është e mundur edhe paralajmërimi disa sekonda përpara. Por sisteme të tilla ka në pak vende, si në Mexiko-City dhe në Japoni.

Frederik Tilmann

DW: Në rastin e Shqipërisë çfarë mund të këshillohet si prevencion? Në ndërtimet e shtëpive jo gjithmonë është menduar për rrezikun e tërmeteve. Çfarë duhet marrë parasysh në ndërtimin e banesave, me qëllim që ato të jenë të sigurta e rezistente ndaj tërmeteve.

Tilmann: Nuk i njoh saktësisht detajet e situatës në Shqipëri, cilat norma ndërtimi ekzistojnë dhe në ç‘masë respektohen ato në praktikë, prandaj mund të bëj pohime të përgjithshme. Së pari duhet themi se sipas raportimeve të mediave, ky tërmet me sa duket jo i rëndë, nuk ka shkaktuar viktima apo lëndime serioze. Në përgjithësi nuk është e mundur që të shmangen krejtësisht pasojat e një tërmeti. Prandaj primare është shmangja e kolapsit të plotë, për të mbrojtur njerëzit, që ndodhen brenda shtëpive. Disa lloje ndërtimesh, për shembull muratura të papërforcuara, me çati të vendosura lirshëm, janë të prirura të shemben nga lëkundjet e forta dhe duhen shmangur në zonat e rrezikuara nga tërmetet. Në përgjithësi ekziston mundësia që edhe materiali ekzistues historik i ndërtesave të bëhet më rezistent ndaj tërmeteve duke i vendosur struktura lidhëse dhe përforcuese shtesë.

Por të riparosh është më e shtrenjtë se të ndërtosh nga fillimi në bazë të normave të mbrojtjes nga tërmeti. Për t‘i përdorur në mënyrë sa më efektive fondet në dispozicion, është e rëndësishme të vlerësohet sa më saktë shkalla e rrezikut, Për këtë duhet rikonstruktuar sa më saktë historiku i tërmeteve dhe që shumë të dhëna për rënien e dridhjeve të kombinohen me distancën nga vatra e tërmetit. Shkëmbimi i të dhënave mes partnerëve evropianë ka përparësi kryesore. Shumë nga të dhënat sizmologjike të mbledhura në Evropë janë tashmë të hapura, apo shkëmbehen në bazë të marrëveshjeve bilaterale. DW

Radio Evropa e Lirë: Shqipëria mobilizohet pas tërmeteve, bëhet thirrje për qetësi

Një shtëpi në fshatin Zhurje pas tërmetit, 22 shtator
Gresa Kraja

Rrugët e Tiranës të dielën në mbrëmje u mbushën nga qytetarët e shqetësuar pas goditjeve të një pas njëshme që goditën bregdetin e Shqipërisë gjatë dy diteve të fundit.

Shumë prej tyre vendosën të kalojnë natën jashtë shtëpive nga frika se goditjet e forta mund të përsëriten.

Kjo dalje masive e qytetarëve rreth mesnatës erdhi si pasojë e një lajmi të rremë i cili qarkulloi nëpër rrjete sociale, ku paralajmërohej një tërmet i fuqishëm.

Fshati Zhurje - Dëmet që shkaktoi tërmeti 5.8 shkallë

Fshati Zhurje – Dëmet që shkaktoi tërmeti 5.8 shkallë

Panika e krijuar shtyu autoritetet e rendit të shoqërojnë dy autorët e këtij lajmi nga dy portale të ndryshme.

“Policia e Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijoi frikë e panikë tek qytetarët”.

“Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajmeve që krijojnë frikë e panikë tek qytetarët”, bëri të ditur Policia e Shtetit përmes një njoftimi për media.

Për këtë ngjarje reagoi edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë Aleksandër Lleshaj i cili tha se ata që nxisin panikë do të përballen me ligjin.

“Ata që në vend të solidaritetit njerëzor zgjodhën të nxisin tinëzisht dhe djallëzisht panikun, duke kontribuar kështu për të favorizuar gjithë llojet e krimit, do të përballen me ligjin. Policia ka kryer ndërkohë veprimet e para”, shkroi Lleshaj në Twitter.

Në anën tjetër, pas tërmetit të fuqishëm të pasdites të së shtunës, janë regjistruar mbi 350 lëkundje e goditje të tjera, të një intensiteti më të ulët, mes të cilave dhe dy goditje të tjera të forta.

Sipas bilancit të fundit të bërë të ditur nga Ministria e Mbrojtjes, mbi 900 banesa dhe pallate kanë pësuar dëme.

Qindra njerëz kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet e Tiranës dhe Durrësit, por askush nuk është në rrezik për jetë.

Ministria e Arsimit ka vendosur që dita e hënë të jetë pushim nga shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, pas vlerësimit se këto janë zonat më te prekura dhe se disa nga shkollat në këto qytete kanë pësuar plasaritje të mureve.

Edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, të hënën në mengjes, përmes një postimi në Facebook u kërkoi qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe t’i rikthehen përditshmërisë së tyre.

Në anën tjetër, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka zhvilluar një mbledhje pasditen e së dielës, ku është miratuar një fond emergjence për banorët e prekur nga tërmeti i një dite më parë, i cili dëmtoi me qindra ndërtesa edhe në kryeqytet.

Fondi i miratuar është 1 milionë dollarë, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj bëri të ditur se 80 përqind e këtij fondi do të shkojë për të prekurit në kryeqytet, ndërsa 20 përqind e tij do të jepet si solidaritet për Bashkinë e Durrësit ku ishte edhe epiqendra e tërmetit të fuqishëm me magnitudë 5.8.

Qendra Sizmologjike Europiane Mesdhetare me anë të një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter” iu drejtua qytetarëve të Shqipërisë, duke sqaruar se askush nuk mund të parashikojë tërmetet dhe bëri thirrje për qetësi.

Në Durrës kryesisht, por edhe në Tiranë, shumë banorë e kaluan natën jashtë gjatë gjithë fundjavës për shkak të frikës nga lëkundjet e forta të tokës.

Stadiumet e qyteteve u hapën për ta, me shtretër dhe çadra të vendosura për t’i strehuar.

Lëkundja e parë e fortë e tërmetit u regjistrua të shtunën në orën 16:05 me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Rihter dhe intensitet 7.5 ballë.

Tërmeti i së shtunës pasdite ishte më i madhi i rregjistruar në 20-30 vitet e fundit.

Ai u pasua nga të paktën 350 lëkundje me një intensitet më të ulët.

Zëri i Amerikës: Tiranë, lajm fals për tërmet, shoqërohen dy gazetarë

Në Shqipëri policia njoftoi mbrëmjen e së dielës se “publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët”. Policia bëri të ditur se ka ngritur “një grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijoi frikë e panik tek qytetarët”.

Lajmi për një tërmet të fuqishëm u përhap me shpejtësi, pas orës 22.00 të mbrëmjes, ndërsa pak më parë ishte rregjistruar një tjetër goditje me magnitudë 4.4 gradë të shkallës Richetr dhe epiqendër pranë Durrësit 20 kilometra në veriperëndim të Tiranës. Lajmi i botuar në “Syri.net kishte që në titull thirrjen drejtuar njerëzve që të dilnin nga shtëpitë. Disa nga sheshet kryesore te Tiranës u mbushën me njerëz. Shumë të jerë dolën nga banesat duke qëndruar në rrugë. Brenda pak minutash u bllokua dhe trafiku, ndërsa një pjesë e mirë e qytetarëve zgodhën të largohen nga kryeqyteti me makina.

Ministria e MBrojtjes reagoi duke folur për njoftime të rreme. “I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, të mos bien pre e njoftimeve të tilla keqdashëse dhe përhapëse paniku pasi nuk ka asnjë parashikim të tillë shkencor nga asnjë institucion shkencor. Gjithcka po tentohet të bëhet për të përhapur panik mes qytetareve është kriminale. Të gjithë ata që kanë përhapur këtë lajm do të mbajnë përgjegjësi penale”, deklaroi në një reagim të sajin Ministria e Mbrojtjes. Më vonë, pak pas orës 23.30 ministrja e MBrojtjes Olta Xhaçka doli në një konferencë për shtyp së bashku me një nga ekspertët vendas të sismiologjisë. Duke I mëshuar më forcë faktit se bëhet fjalë për një njoftim të rremë “për të krijuar panik dhe pasiguri”, ajo paralajmëroi se “kushdo që e ka përhapur këtë lajm të rremë ka kryer një akt të rëndë kriminal të dnueshëm nga Kodi Penal. Ne nuk do të lëmë gurë derisa të zbulojmë autorin e këtij lajmi, i cili do të paguajë me burg”. Më pas, përmes një postimi në Twitter i njejti paralajmërim u bë dhe nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj: “Ata që në vend të solidaritetit njerëzor zgjodhën të nxisin tinëzisht dhe djallëzisht panikun, duke kontribuar kështu për të favorizuar gjithë llojet e krimit, do të përballen me ligjin. Policia ka kryer ndërkohë veprimet e para”, shkruajti zoti Lleshaj duke ju referuar shoqërimit të dy gazetarëve. Ndërsa në Facebook, kryeministri Edi Rama u shpreh se “çdo lajm apo fjalë e përhapur për të mbjellë panic, për ardhjen e tërmetit, është pjelle e një ligësie të pashembullt njerëzore, që duhet përbuzur nga llogjike dhe dënuar nga ligji”.

Që pas tërmetit të fuqishëm të pasdites të së shtunës, janë rregjistruar mbi 350 pasgoditje të tjera, të një intensiteti më të ulët, mes të cilave dhe dy goditje të tjera të forta, e para pak pas mesnatës të së shtunës dhe e dyta mbrëmë. Sipas bilancit të fundit të bërë të ditur nga autoritetet, në total është mbi 900 numri i banesave dhe pallateve që kanë pësuar dëme. “Në pjesën dërrmuese të këtyre rasteve bëhet fjalë për dëmtime të lehta, kryesisht plasaritje të suvasë apo mureve. Gjithsesi, ato godina qe ndërkaq jane te evidentuara me dëmtime me serioze do të verifikohen me prioritet nga ekspertët, të cilët do të japin edhe akt verifikimin teknik që përcakton nëse ato jane te banueshme apo jo”, deklaroi në mbrëmje ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Paniku dhe frika që kanë shkaktuar lëkundjet e tërmetit, detyroi ministrinë e Arsimit që të vendosë që dita e hënë të jetë pushim për shkollat 9 vjeçare dhe të mesme në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, “ndërkohë që sapo është marrë vendimi që në këto tre qarqe do të jetë pushim edhe për kopshtet dhe çerdhet. Sa ju takon prindërve që punojnë në administratën shtetërore, të gjithë ata që kanë fëmijë në kopshte, çerdhe apo shkolla 9 vjeçare, nesër mund të qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre”, shpjegoi ministrja Xhaçka.

Zëri i Amerikës: Tjetër goditje e fortë tërmeti në Shqipëri

Shqipëria u godit në mesnatë nga një tjetër tërmet i fortë, ndonëse me intensitet pak më të ulët se ai i pasdites të së shtunës. Sipas të dhënave, epiqendra ka qenë 2 kilometra në juglindje të Durrësit, me magnitudë 4.9 gradë të shkallës Richter dhe lëkundjet u ndjenë të fuqishme edhe në Tiranë, ku në ato moment po zhvillohej mbledhja e qeverisë e fikusuar pikërisht te tërmeti i pasdites. Ndërsa ajo transmetohej direkt, u ndje një kërcitje dhe lëkundje e kameras. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili kishte fjalën në ato momente, e ndërpreu për pak çaste duke ngritur kokën lart. Ai vijoi të fliste, ndërkohë që dridhjet dalloheshin në transmetim, aq sa një moment ministri tha se “po përpiqem dhe unë të mos më lëkundet zëri”.

 

Gjatë mbledhjes së qeverisë u bën të ditura dhe të dhënat e përditësuara lidhur me pasojat e tërmetit. Ministrja Xhaçka tha së janë mbi 500 banesa dhe mbi 30 pallate, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, të cilat janë dëmtuar. Në pjesën dërrmuese, bëhet fjalë për plasaritje dhe krisje të mureve apo dëmtime në tavane. Numri i personave që ka kërkuar ndihmën mjekësore, po në Tiranë dhe Durrës, dy qytetet që kanë qenë më parën epiqendrës, “ka arritur ne 105 persona, nga të cilët, deri në mesnatë vetëm 12 ishin ende në spital nën vëzhgimin e mjekëve”, informoi nga ana e saj ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

“Dëmet materiale janë shumë më modeste se sa mendohej dhe më e rëndësishme është se nuk ka patur asnjë jetë të humbur dhe asnjë dëmtim serioz. Me fat që dëmet kanë qenë kaq të kufizuara”, deklaroi ministrja Xhaçka. Nga ana e tij kryeministri vlerësoi reagimin e strukturave shtetërore, duke njoftuar se qeveria është e gatshme të vërë në disposizion fondet e nevojshme për të përballuar pasojat. I kthyer në Shqipëri në mbrëmje pasi ndërpreu udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara ku do të merrte pjesë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Rama tha se kishte marrë telefonata solidariteti dhe mbështetje nga kryeministri italian Giuseppe Conte, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari austriak dhe udhëheqës të tjerë nga vende të ndryshme.

Paniku dhe frika ka mbajtur të mbërthyer deri orët e vona të natës banorët në kryeqytet, të cilët kanë vijuar të qëndrojnë jashtë. Në Tiranë po dhe në Durrës janë ngritur dhe disa qendra pritjeje. Lëkundja e parë e fortë e tërmetit u rregjistrua në orën 16.05 minuta, me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Richter dhe intensitet 7.5 ballë. Tërmeti i së shtunës pasdite ishte “më i madhi i rregjistruar në 30 vitet e fundit”, sipas sismiologëve. Ai u pasua nga të paktën 130 pasgoditje me një intensitet më të ulët. Kryesisht në Tiranë e Durrës, qytetarët përjetuan frikë dhe ankth për orë të tëra. Ata kanë dalë me shpejtësi na banesat e tyre për të qëndruar në rrugë e sheshe. Në fakt një pjesë e mirë e të plagosurve, janë lënduar pikërisht në ikje e sipër me nxitim, për të dalë nga banesat e tyre. Në një rast, një person ka pësuar frakturë të këmbës pasi është hedhur nga kati i dytë i banesës, ndërsa një tjetër, është përplasur nga një makinë ndërsa tentonte të kalonte rrugën me shpejtësi.

(Video) Filarmonia e Kosovës hap sezonin me soliste pianisten e shquar Lule Elezi nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur gjerman Boian Videnoff

Filarmonia e Kosovës hap sezonin me soliste pianisten e shquar Lule Elezi nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur gjerman Boian Videnoff

Më 27.09.2019 (E premte) ora 20:00

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit – Salla e Kuqe (Prishtinë)

Starton Koncerti i hapjes së sezonit

Programi i hapjes së sezonit 2019 / 2020 i Filharmonisë së Kosovës sjellë në Prishtinë koncertin në drejtimin e dirigjentit Boian Videnoff (Gjermani).

I njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës, ai kthehet përpara publikut të kryeqytetit për bashkëpunimin e radhës me një mbrëmjes koncertale me vepra romantike.

Solistja e mbrëmjes, pianistja e mirënjohur kosovare Lule Elezi do të luajë koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Eduard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore. Pjesa e dytë e koncertit është rezervuar për Simfoninë e 9-të në e-mol të kompozitorit çek Antonín Dvořák, ndryshe e njohur si Simfonia “Nga bota e re”. Kjo e fundit qe kompozuar në vitin 1893 derisa Dvořák ishte drejtor i Konservatorit Kombëtar Amerikan të Muzikës në Nju Jork dhe është një nga simfonitë më të popullarizuara të të gjitha kohëve. Astronauti Neil Armstrong mori një incizim të kësaj simfonie përgjatë misionit Apollo 11, ndryshe i njohur si zbarkimi i parë i njeriut në hënë në vitin 1969. Në 50 vjetorin e zbarkimit historik në hënë, ju mirëpresim në një mbrëmje si kjo për të provuar madhështinë e muzikës orkestrale.

Programi
E. Grieg । Koncert për piano në a – mol, Op. 16
A. Dvořák । Simfonia “Nga bota e re” në e – mol, Op. 95

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës
Lule Elezi – piano (Kosovë)
Dirigjent: Boian Videnoff (Gjermani)

 

Kosovo Philharmonic
September 2019 – June 2020

27.09.2019 (Friday) । 20:00
Palace of Youth and Sports – Red Hall (Prishtina)

Season Opening Concert

Season Opening Evening of the Kosovo Philharmonic Orchestra brings to Pristina a concert led by conductor Boian Videnoff (Germany). Known as the artistic and general director of the Mannheimer Philharmoniker and his work with few of the most renowned soloists of our time, he returns for his next collaboration with Kosovo Philharmonic Orchestra in a concert with a romantic program. The evening’s soloist, the well-known Kosovar pianist Lule Elezi will play the only piano concerto written by Norwegian composer Edvard Grieg, known as one of the most popular piano concertos ever written. The second part of the concert is reserved for Dvořák’ s Symphony No. 9 in E – minor also known as the New World Symphony. It was composed in 1893 while Dvorak was the director of the National Conservatory of Music in America in New York and is one of the most popular symphonies of all time. Astronaut Neil Armstrong took a tape recording of the New World Symphony along during the Apollo 11 mission, the first Moon landing, in 1969. On the 50th anniversary of the Historic Moon Landing, do join us to experience the wonder of orchestral music.

Program
E. Grieg । Piano concerto in A – minor, Op. 16
A. Dvořák। New World Symphony in E – minor, Op. 95

Kosovo Philharmonic Orchestra
Lule Elezi – piano (Kosovo)
Conducted by Boian Videnoff (Germany)

Mediat e huaja pasqyrojnë tërmetin në Shqipëri: Më i forti në 30 vite

Tërmeti i fortë që goditi vendit ditën e sotme është ndjerë edhe në shtetet fqinjë, Itali dhe Greqi, ndërsa kanë qenë të shumta mediat e huaja që e kanë pasqyruar.

Mediat raportojnë se lëkundjet e tërmetit në vendin tonë kanë qenë të frikshme dhe qytetarët janë tmerruar.

 

“Mbi 40 njerëz u plagosën në tërmetin e fortë që goditi Shqipërinë në orët e para të pasdites. Burime mjekësore në Tiranë theksojnë se mes pacientëve, shumica prej tyre fëmijë të vegjël dhe të rinj, është edhe një person në gjendje kritike. Tërmeti sot, sipas autoriteteve, do të ishte më i forti i 20-30 viteve të fundit në zonë”, shkruan TGcom.

“Një tërmet me forcë 5.6 ballë tronditi këtë të shtunën qytetin portual shqiptar të Durrësi.

Ministria e Mbrojtjes tha se ishte tërmeti më i fuqishëm në Shqipëri në 30 vitet e fundit. Banorët në Tiranë u larguan nga ndërtesat dhe dolën në rrugë dhe në parqe për siguri”, shkruan Reuters.

“Një tërmet me forcë  5.6 ka goditur 30 kilometra në perëndim të kryeqytetit shqiptar të Tiranës.

Sondazhi Gjeografik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha që tërmeti ishte me epiqendër në Detin Adriatik në një thellësi prej 10 km.

Banorët e zonës thanë që tërmeti u ndje fuqishëm në Tiranë dhe njerëzit dolën për në rrugë.

Nuk ka raportime për viktima, por një ndërtesë apartamentesh në qytetin bregdetar të Durrësit u raportua të ishte dëmtuar keq. Fotografitë e shpërndara në Twitter treguan shkatërrim në ndërtesën e universitetit të Tiranës”, shkruan Euronews.

“Shtëpitë u rrënuan, banorët e tmerruar dolën në rrugë dhe rreth 50 njerëz u lënduan, ndërsa Shqipëria u trondit nga tërmeti i saj më i fortë në 30 vjet.

Makinat u shtypën nga tullat e rëna në kryeqytetin e Tiranës – ku dy dridhje u ndjen në një suksesion të shpejtë – dhe ndërtesat u dëmtuan keq në qytetin bregdetar të Durrësit, afër epiqendrës.

Dridhja me forcë 5.6 – gjithashtu e ndjerë në Itali dhe Greqi – tronditi shtëpitë, rrëzoi sendet nga raftet, preu energjinë dhe shërbimin telefonik dhe dëmtoi një stadium futbolli gjatë një ndeshje.

“Ishte një mrekulli që ndërtesa ime i rezistoi. Këto ndërtesa nuk janë bërë për të mbijetuar nga ky lloj tërmeti”, ka thënë një banorë në Durrës”, shkruan Mirror.c

Zëri i Amerikës: Një tërmet i fortë godet Shqipërinë

Në Shqipëri një tërmet i fortë goditi sot pasdite vendin pak pas orës 16.00 të pasdites. Tërmeti me epiqendër në Detin Adriatik vetëm pak kilometra nga qyteti i Durrës ishte i një magnitude 5.8 të shkallës Richter dhe intensitet prej 7.5 ballësh.

Lëkundjet u ndjenë në disa qytete të vendit, ku qytetarët kanë dalë menjëherë nga banesat në frikësuar duke qëndruar për një kohë të gjatë në rrugë. Goditja e parë e tërmetit u pasua dhe nga disa të tjera me intensitetit më të ulët

Mbi 40 persona rezultojnë të lënduar, dhe kanë marrë ndihmën e parë në spitalin ushtarak të Tiranës. Dëme të përmasave të ndryshme janë rregjistruar në disa zona. Strukturat e emergjencave civile, policisë dhe zjarrfikëseve kanë kaluar menjeherë në gatishmëri.

Kryeministri Edi Rama I cili ndodhet në Frankfurt, në pritje për të udhëtuar drejt Nju Jorkut ku do merrte pjesë në asamblenë e Kombeve të Bashkuara, njoftoi anullimin e udhëtimit dhe kthimin në atdhe.