VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gjermania vë në përdorim trenin e parë në botë me hidrogjen

By | September 18, 2018

Komentet

Kërkesat për pavarësi të Kishës Ortodokse barten në vendet e Ballkanit

Kiev, Ukrainë

Njohja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Ukrainës nga ana e Patriakanës Ekumenike të Stambollit, me në krye Patriarkun Ekumenik Bartholomew, dhe kundërshtimi i Kishës Ortodokse ruse, se një ndarje e tillë mund të çojë në shkatërrimin e botës ortodokse, ka vënë në fokus dy raste të ngjashme në Ballkan: kërkesat për pavarësi të Kishës Ortodokse të Maqedonisë dhe Kishës Ortodokse të Malit të Zi.

Të dyja këto kisha janë nën Kishën Autoqefale të Serbisë.

Peshkopi i Dibrës dhe Kërçovës, Timotej, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë ka thënë gjatë shtatorit se kjo situatë hap rrugën për autoqefalinë e Kishës Ortodokse maqedonase.

“Kjo nënkupton që Kisha Ortodokse e Maqedonisë të jetë e njohur nga pjesa më e madhe e kishave ortodokse si një kishë e barabartë, e cila mund të kryejë shërbesa dhe të komunikojë në mënyrë të barabartë. A pajtohet apo jo Kisha Ortodokse Serbe me këtë, neve kjo nuk duhet të na shqetësojë pasi këtë nuk e zgjidhim ne, por Patriakana e përgjithshme”, ka thënë peshkopi Timotej.

Nënkryetari i Këshillit Metropolit të Kishës Ortodokse të Malit të Zi ka thënë për agjencinë MIA se “akti historik i Patriakanës së Stambollit nuk mund të mbetet pa u nderuar”.

“Ekziston tendenca që çështjet e Kishës që po e ngarkojnë botën ortodokse, përfshirë edhe çështjen e Kishës Ortodokse maqedonase dhe malazeze, përfundimisht të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme”, ka thënë nënkryetari i Këshillit Metropolit të Kishës Ortodokse të Malit të Zi.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Serbisë e kundërshton vendimin për njohjen e Kishës Ortodokse të Ukrainës nga ana e Patriakanës Ekumenike të Stambollit.

Patriarku Ekumenik Bartholomew e ka dhënë pëlqimin për pavarësinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe ky lajm është mirëpritur në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se për këtë vendim kanë “ëndërruar gjatë”, ndërkaq Moska ka thënë se bëhet fjalë për një “katastrofë”.

Merkel zotohet se do ta rifitojë besimin e gjermanëve

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën se humbja e madhe e aleatëve të saj konservatorë në rajonin e Bavarisë tregon se votuesit e kanë humbur besimin në qeveri dhe premtoi se do të luftojë për ta rifituar atë.

“Mësimi im nga kjo është se unë, si kancelare, duhet të siguroj rikthimin e besimit. Do të punoj për këtë me gjithë energjinë që kam”, tha Merkel në një ngjarje të përfaqësuesve të industrisë gjermane.

Komentet vijnë pasi partia simotër e Merkelit pësoi të dielën humbje të madhe në zgjedhjet shtetërore të Bavarisë, duke shkaktuar pasiguri në koalicionin qeverisës.

Me gati të gjitha votat e numëruara, Unioni i Krishterë Social humbi shumicën absolute në Parlamentin e Bavarisë, të cilën e ka që nga viti 1957.

Të Gjelbrit u ngritën në vendin e dytë, ndërsa partia anti-migrante Alternativa për Gjermaninë do të futet për herë të parë në Parlamentin bavarez.

Sipas analistëve, shoqëria gjermane ka nisur të ndahet thellësisht që nga viti 2015, kur Merkel ka hapur dyert e Gjermanisë për mbi një milion migrantë, kryesisht myslimanë nga Lindja e Mesme.

Aleati i Merkelit në Bavari përballet me “humbje të thellë”

Kryetari i Partisë Kristian-Sociale, Horst Seehofer dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Partia simotër e kancelares gjermane, Angela Merkel, Unioni Krisitan-Social (CSU) është përballur me humbje të madhe në zgjedhjet shtetërore të Bavarisë, bazuar në rezultatet e parakohshme.

Partia e qendrës së djathtë pritet të humbë shumicën absolute në parlamentin shtetëror.

Partia e të Gjelbërve pritet të listohet në vendin e dytë, derisa partia me qasje kundër-migrantëve, Alternativa për Gjermaninë (AfD) pritet të jetë pjesë e parlamentit shtetëror për herë të parë.

Anëtarët e partisë CSU kanë udhëhequr në Bavari pothuajse vetëm nga viti 1957.

Mirëpo është thënë se kjo parti ka humbur mbështetjen për shkak të opinioneve të ndara në çështjen e emigrimit.

Lideri i kësaj partie, Horst Seehofer ka thënë se kjo “nuk është ditë e mirë”, mirëpo ajo është vetëm “njëra anë e monedhës” pasi votat i japin “mandat të qartë” kësaj partie për të formuar qeverinë e re.

Në rezultatet preliminare është parë se CSU-ja ka fituar rreth 37 për qind të votave, 10 për qind më parë se katër vjet më parë.

Partia e të Gjerbërve ka fituar 18 për qind të votave, derisa Alternativa për Gjermaninë është listuar e katërta me rreth 10 për qind të votave, përkatësisht pas kandidatëve të pavaruar.

Partnerët e koalicionit kombëtar të Merkelit, Social-Demokratët e qendrës së majtë (SPD), janë renditur në vendin e pestë me më pak se 10 për qind të votave të fituara.

Pas publikimit të rezultatave, ka pasur spekulime se SPD-ja mund të largohet nga Qeveria Gjermane, duke tentuar të shpëtojë si parti.

Një vepër kushtuar Florian Vlashit, premierë botërore në koncertin e violinistit në Madrid

TIRANË, 11 tetor/ATSH/- Violinisti i mirënjohur Florian Vlashi do të jetë të dielën protagonist, së bashku me violonçelisten Ruslana Prokopenko, në koncertin që organizohet në Madrid në kuadër të ciklit “Muzikë për Mijëvjeçarin e Tretë”.

Vepra violinistike “Ju duk se panë të flinte në të një shenjë”, të cilën kompozitori Hugo Gomez-Chao Porta ia ka kushtuar violinistit shqiptar, do të jetë premierë botërore në koncertin e 14 tetorit në kryeqytetin spanjoll.

Kompozitori Porta shkruan mbi pjesën se “ashtu si në një lëvizje me kamera të ngadaltë, apo një kokë që kthehet ngadalë për të parë në anën tjetër; kështu edhe kjo vepër e vogël përbën një lëvizje të vetme, të qetë dhe të vazhdueshme ndërmjet dy telave të violinës me tinguj që largohen pak nga njëri-tjetri dhe, në këtë rrugë distancimi, gjejnë pikat e tyre të takimit, gjejnë ndalesat e tyre. Si të ishte një dritë që ndizej pak nga pak në errësirë dhe vetëm në fund arrin të shndrisë”.

Florian Vlashi ka në repertorin e tij qindra pjesë të interpretuara si solist dhe dirigjent në Spanjë, ku jeton dhe punon në Orkestrën Sinfonike të Galicisë që nga viti 1992; po ashtu edhe në Durrës, në vendlindje, ku ka organizuar që nga viti 2003 tetë edicione të Bienales “Netët e Muzikës Klasike”.

Kompozitorë shqiptarë dhe të huaj si Edmond Buharaja, C. López García, J. Vara, X. De Paz, P. Pereiro, D. Malumbres, J. Durán, F. Buide del Real, Akil Koci, W. Rosinskij dhe Hugo Gomez-Chao Porta i kanë kushtuar veprat e tyre violinistit 55-vjeçar Florian Vlashi. /G.Kabashi/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij

Suedi, refugjatja 107 vjeçare ballafaqohet me rrezikun e deportimit

STOCKHOLM – Refugjatja 107 vjeçare afgane, Bibikhal Uzbek, e cila njihet si refugjatja më e vjetër në botë, ballafaqohet me rrezikun e deportimit nga Suedia.

Sipas radios shtetërore suedeze SR, refugjates Uzbek, e cila jeton në qytetin Gotland së bashku me nipërit/mbesat e saj, pas 3 javësh do t’i përfundojë afati i lejeqëndrimit të përkohshëm dhe ajo mund të deportohet nga Zyra për Emigrantë. Vitin e kaluar ishte vendosur për deportimin e saj, por pas presionit nga opinioni publik Gjykata Administrative e Emigracionit ndaloi përkohësisht deportimin e refugjates së moshuar.

Nipi i 107 vjeçares afgane, Muhammed Uzbek në një deklaratë për radion SR kritikoi qëndrimin e Zyres për Emigrantë ku tha: “Përse nuk i japin lejeqëndrim një gruaje të vjetër e cila vuan nga sëmundja e demencës”.

Ai thotë se gjyshja e tij nuk mund të flasë e as nuk mund të ecë. “Nuk kupton shumë nga ajo që flitet, sytë e saj nuk shohin, e veshët nuk i dëgjojnë. Të paktën duhet t’i zgjasin edhe dy vite lejeqëndrimin”, thotë Uzbek.

Njihet si refugjatja më e vjetër në botë

Uzbek për shkak të përleshjeve në shtetin e saj, dy vite më parë ishte detyruar të ikte dhe së bashku me familjen e saj nëpërmjet rrugëve ilegale arriti në Kroaci. Policia kroate në atë kohë kishte ekzaminuar dokumentet e gruas së moshuar dhe njoftoi se ajo është e moshës 105 vjeçare. Gruaja afgane nga Kroacia shkoi në Suedi, ku edhe bëri kërkesën për azil. aa

Bombë selisë së Lega Nord, Salvini: Ishin anarkistët

Një bombë ka shpërthyer në selinë e partisë Lega Nord në Ala të Trentinos jugore në Itali.

Shpërthimi ka ndodhur  gjatë natës, teksa selia pritej të vizitohej sot nga kreu i partisë dhe njëherazi ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, për fushatën zgjedhore.

Ai ka reaguar menjëherë për sulmin, duke u shprehur se ata që vunë bombën janë anarkistët dhe duke falënderuar policinë për identifikimin e dy autorëve.

“Ishin anarkistë. Unë jam krenar për policinë dhe për militantët tonë të jashtëzakonshëm që kanë pastruar çdo gjë tanimë. Disa individë duan që të reagojnë me dhunë, por kjo nuk do të ndalojë buzëqeshjen tonë. Pasditen e sotme unë do të jem në Trentino Alto Adige për të përqafuar të gjithë të pranishmit. Mirënjohje për policinë…”, tha Salvini.

Ky është rasti i tretë në tre muaj, pas selisë në Villorba (Treviso) dhe Cremona që sulmohen selitë e partisë Lega Nord.

Ish-kancelari gjerman martohet për herë të pestë

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder do të martohet për herë të pestë në moshën 74 vjeçare. Partnerja e tij është një 49 vjeçare nga Koreja e Jugut.

Të ftuar në ceremoni janë dhe presidenti rus Vladimir Putin si dhe ministri i jashtëm turk Cavusoglu.

Një ceremoni martese me 150 të ftuar në hotelin prestigjioz Adlon në Berlin, pranë portës së Brandeburg: në këtë mënyrë do të festojë mbrëmjen e së shtunës martesën e tij të pestë ish-kancelari gjerman socialdemokrat Gerhard Schröder.

74 vjeçari do të lidhet në martesë me koreanojugoren Kim So-Yeon, 49 vjeçe.

Në listën e të ftuarve janë emra si Presidenti i Republikës federale dhe kolegu i Partisë Frank-Walter Steinmeier, ish ministri i jashtëm Sigmar Gabriel, dhe këngëtari i grupit legjendar Skorpion, Klaus Meine.

Por të ftuar janë gjithashtu dhe ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu dhe presidenti rus Vladimir Putin, një mik i vjetër i tij, por që nuk do të jetë i pranishëm sipas mediave gjermane.

Schröder dhe partnerja e tij janë celebruar katër muaj më parë në Korenë e Jugut.

Në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë mund të diskutohet anulimi i Brexitit

Një kundërshtar i Brexitit në Londër.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka caktuar një seancë më 27 nëntor për të vendosur nëse Parlamenti Britanik mund të ndryshojë njëanshëm mendje për largim nga Bashkimi Evropian, i ka thënë një burim agjencisë së lajmeve, Reuters.

Ligjvënësit skocezë që kanë kundërshtuar Brexitin, kanë nisur një peticion në Gjykatën Skoceze vitin e kaluar për të vërtetuar se Britania ka mundësi që njëanshëm të vendosë për të qëndruar në bllokun më të madh tregtar në botë.

Sipas tyre, ende nuk ka asgjë dyshim ligjor se Britania mund të ndalojë procesin e Brexitit, me leje të 27 anëtarëve tjerë të Bashkimit Evropian, andaj duhet të kërkojë zbatimin e të drejtës ligjore, pavarësisht a i pëlqen bllokut evropian ky vendim apo jo.

Ky lajm ka ardhur në kohën kur Britania duket të jetë në prag të arritjes së marrëveshjes me Brukselin në procesin e largimit nga BE-ja, kanë thënë burime diplomatike të premten.

Për shkak se asnjë shtet nuk është larguar nga BE-ja më parë, kuptimi i plotë i Artikullit 50 në Traktatin e Lisbonës, që përfshin largimin nga BE-ja nuk është testuar ende.

“Ne kemi seancën tonë më 27 nëntor në orën 9:00”, ka thënë disa zyrtarë, duke folur në kushte anonimiteti.

Mirëpo pjesëtarë të Gjykatës Evropiane, e cila vepron sipas ligjeve të BE-së, nuk kanë qenë në gjendje t’i komentojnë këto deklarata.

Gjermania do t’i vazhdojë ndihmat për jugun e Shqipërisë

Deutsche Welle (www.dw.com)

Gjermania kontribuon për përmirësimin e kushteve të jetesës në Shqipëri. Së fundmi ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz bëri të ditur, se Gjermania do të japë një shumë rekord ndihme për Shqipërinë në nëntor.

Në festimet me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman në Tiranë të mërkurën (03.10.) ambasadorja gjermane, Susanne Susanne Schütz dha një lajm të mirë. Në fjalën e saj përshëndetëse, Schütz tha se “në nëntor të këtij viti Qeveria Federale, në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, do t’i japë një shumë rekord Shqipërisë  për të realizuar projekte të mëtejshme”.

Ndihma gjermane e prekshme në Shqipëri

Rezultatet e bashkëpunimit ekonomik për zhvillimin Gjermani-Shqipëri janë të prekshme. Sivjet në 30 vjetorin e këtij bashkëpunimi, njerëzit e zakonshëm shohin në jetën e tyre të përditshme sesi mbështetja gjermane ka modernizuar bujqësinë, sesi në rubinetat e shtëpive vjen ujë i pastër, sesi energjia elektrike nuk ndërpritet më dhe mjediset, ku ata jetojnë po përmirësohen. Në kushte më të mira jetese njerëzit e thjeshtë shohin të përligjur edhe pro-europianizmin e  tyre. „Një gjë është e qartë: E gjithë mbështetja gjermane kontribuon në përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës së njerëzve në Shqipëri, për t’u dhënë atyre një perspektivë në atdheun e tyre dhe për ta bërë Shqipërinë të gatshme për integrimin në BE”, tha mbrëmë Ambasadorja Schütz.

Albanien Energieversorgung Südalbanien (DW/A. Ruci)

Modernizimi i elektricitetit – prioritet i ndihmës gjermane në Shqipëri

Jugu i Shqipërisë – pasqyrë e përmirësimit të kushteve të jetesës nga mbështetja gjermane

Një udhëtim në Rajonin Bregdetar Jugor me potenciale të mëdha turistike, është një pasqyrë për të parë sesi bashkëpunimi ekonomik për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë ka përmirësuar jetën e përditshme. Sektorët ku ndryshimi është i prekshëm janë jetikë: energjia elektrike, furnizimi me ujë të pijshëm, mjedis i pastër, mbështetje e sipërmarrjes në zonat rurale, edukim i fëmijëve në kopshte për të mbrojtur mjedisin dhe marrë pjesë në ekonominë ricikluese.

Nënstacioni elektrik në Himarë i ka dhënë fund ndërprerjeve të energjisë elektrike, humbjeve në rrjet. Kjo ka përmirësuar të përditshmen e banorëve dhe ka mundësuar zhvillimin ekonomik të zonës, veçanërisht zhvillimin e turizmit. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha për DW se ” Më shumë se 400 mijë banorë dhe mijëra turistë që vizitojnë rajonin bregdetar buzë detit Jon, janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga ndërtimi i nënstacionit elektrik në Himarë.”

 Electrical Substation Himara (DW/A. Ruci)

Nënstacioni elektrik Himarë

Ky nënstacion së bashku me nënstacionin elektrik në Orikum të Vlorës, janë pjesë e projektit të reabilitimit të linjës unazore 110 kV në Jug-Perëndim dhe në Jug-Lindje të Shqipërisë, një nga projektet më të mëdha në historinë e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Uji është jetë. Me këtë këndvështrim Qeveria gjermane, përmes Bankës KfW ( Banka Gjermane për Rikonstruksion) po investon në Himarë 40 milionë Euro për të përmirësuar në mënyrë rrënjësore shërbimin e ujit dhe mbrojtjen e mjedisit. Përfituesit janë banorët e Himarës dhe ekonomia lokale, që forcohet nga krijimi i kushteve bazë për një turizëm të qëndrueshëm në të gjitha stinët e vitit. Teknologjia e përdorur është ajo moderne gjermane që automatizon procesin në shërbimin e ujit.

Albanien Kindergarten Unterricht zum Thema Müllentsorgung (DW/A. Ruci)

Fëmijët mësojnë në kopshtin në qendër të Himarës se si të kujdesen për mjedisin

Respekt për mjedisin- ekonomia ricikluese

Fëmijë 4-5 vjeҫarë, në kopshtin në qendër të Himarës krijojnë nga një bidon uji plastik një vazo lulesh, në formën e një derrkuci.  Ata nxiten për të qënë krijues, patur sens artistik dhe prodhuar objekte utilitare nga mbetjet prej konsumit të përditshëm në familje. Në sajë të projektit të përbashkët të qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare, të financuar me 3 milionë Euro nga pala gjermane, për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta dhe ekonominë ricikluese, në respekt të mjedisit, në Himarë është modernizuar sistemi i menaxhimit të këtyre mbetjeve. Mbetjet mblidhen në mënyrë të diferencuar në kontenierë përkatës. Riciklimi i tyre është rritur. Kosto e transportit është ulur.

Një proces që ka hapur vende të reja pune. Në supermarketet kryesore në Himarë janë shpërndarë në sajë të projektit ҫanta pambuku dhe konsumi i qeseve plastike është reduktuar në 50%. Ndryshimi ndihet në ajër. Por ka ende shumë për të bërë që rinia të mbetet në Himarë dhe ta kthejë atë në një nga destinacionet turistike më të frekuentuara në rajon. Rinia pret që prona të shkojë tek i zoti, që investitorë seriozë dhe të fuqishëm të kenë garanci ligjore që të investojnë në Himarë.

Merkel viziton vendin përkujtimor të hebrejve në Jerusalem

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është përulur me nderime para gjashtë milionë hebrenjve në Izrael, të vrarë nga nazistët dhe ka thënë se Gjermania mban përgjegjësi për të luftuar antisemitizmin dhe të mos harrojë kurrë Holokaustin, transmeton Reuters.

Ajo ka nisur takimet në mes të delegacionit të Qeverisë Gjermane dhe asaj Izraelite me një vizitë në vendin përkujtimor të Holokaustit në Izrael, Yad Vashem.

“Pothuajse 80 vjet më parë, në natën e 9 nëntorit, hebrenjtë në Gjermani janë përballur me urrejtje dhe dhunë të paimgjinueshme. Kjo është përcjellur me krime të pashembullta kundër civilëve në formë të Shoahs”, ka thënë ajo duhet përdorur shprehjen hebreje për Holokaustin.

“Gjermania ka përgjegjësi për të kujtuar këto krime dhe për të luftuar antisemitizmin, ksenofobinë, urrejtjen dhe dhunën”, është shprehur ajo.

Merkel ka arritur në Izrael të mërkurën për një vizitë 24 orëshe, në kuadër të takimeve vjetore në mes të ministrave gjermanë dhe atyre izraelitë.

Partia e konservatore e kancelares Merkel është nën presion nga nacionalistët dhe e djathta ekstreme në Gjermani, të cilët janë zemëruar pas vendimit të saj për të pranuar më shumë se 1 milionë azilkërkues më 2015 në Gjermani.

Steve Bannon, kandidati amerikan për trazimin e Evropës

BRUKSEL – Steve Bannon, ish këshilltari i presidentit të SHBA-ve Donald Trump, me gjasë do të jetë një kandidat për të trazuar kontinentin evropian me lëvizjen “The Movement” me të cilën ka planifikuar të bashkojë partitë ekstreme të krahut të djathtë në Bashkimin Evropian (BE).

Bannon, i cili është një nga ish drejtuesit e internet faqes së lajmeve të ekstremit të djathtë Breitbart, e cila ringjalli sërish trendin e “nacionalizmit” në sferën ekonomike gjatë periudhës së detyrës së tij shtatë mujore në kohën e Trumpit në SHBA, synon të bashkojë partitë e djathta ekstreme në BE përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian (PE) në majin e ardhshëm.

Pritet që Bannon përpara zgjedhjeve të PE-së më 23-26 maj 2019 të zhvillojë një sërë vizitash intensive nga muaji nëntor për të kërkuar mbështetje ndaj lëvizjes “The Movement”.

Përpiqet të tërheqë anëtarë me premtimin e fondeve dhe ndihmës për hulumtime

Lëvizjen e tij Bannon e ka ndërmarrë bashkë me Mischael Modrikamen liderin e Partisë Popullore të ekstremit të djathtë në Belgjikë. Modrikamen i cili lëvizjen e ka regjistruar në muajin janar, krahas punëve administrative ai shoqëron Bannon në udhëtimet e tij në Evropë.

Lëvizja për partitë e ekstremit të djathtë që anëtarësohen në të, në qendrën që do të formohet në Bruksel krahas anketimeve dhe zhvillimit të hulumtimeve pa pagesë premton të japë edhe rekomandime në çështjen e zhvillimit të fushatave politike.

Pavarësisht se ende nuk nuk është deklaruar qartë burimi, në të njëjtën kohë për grupet që do të anëtarësohen në lëvizje parashikohet të transferohen fonde nga donatorët “Evropianë dhe Amerikanë”. Modrikamen, pretendon se aktualisht janë mbledhur “shuma serioze” nga donatorët.

Qëllimi është bashkimi i të djathtës ekstreme

Me projektin e tij të ri Bannon ka në objektiv fillestar PE-në. Duke deklaruar se synon të formojë një “super grup” të përbërë nga të djathtët ekstremë kundër partive tradicionale brenda PE-së, Bannon në këtë mënyrë kërkon të marrë një të tretat e Parlamentit i cili ka 751 vende.

Duke mbrojtur idenë e tij se tashmë partitë populiste në Evropë “janë zgjuar”, Bannon ka tërhequr vëmendjen me deklaratën e tij se “Zgjedhjet e ardhshme në maj kanë një rëndësi kyçe”.

Lëvizja u jep përparësi koncepteve të tilla me të cilët të djathtët ekstremë zhvillojnë politikë nëpërmjet si sovraniteti kombëtar, kufijtë e fortë, migrimi i kufizuar dhe lufta kundër radikalizmit.

Kundërshtari i ri i Soros-it

Në anën tjetër kur shikohen deklaratat dhe politikat që ndjek Bannon shihet se objektivi i tij kalon përtej zgjedhjeve të Parlamentit.

Duke theksuar se ai synon të krijojë “infrastrukturën e një lëvizjeje populiste globale”, Bannon duket se e ka identifikuar veten si një rival ndaj biznesmenit amerikan me origjinë hungareze George Soros, që mbështet liberalizimin në shkallë globale.

Bannon e ka përshkruar si një “person shumë inteligjent, por i djallëzuar” Soros-in i cili ka shpenzuar rreth 32 miliardë dollarë që nga viti 1984 për të mbështetur ‘demokracitë liberale‘ në Evropë nëpërmjet Institutit të Shoqërisë së Hapur. Ai beson se do të jetë një kundërshtar i fortë duke mbështetur me lëvizjen e tij një rrymë e cila është plotësisht në të kundërt në Evropë.

Bisedimet që nga Le Pen e deri tek Salvini

Bannon, i cili herë pas here ka zhvilluar biseda sekrete me zyrtarët e partisë ekstreme të së djathtës në Evropë për të mbledhur mbështetje, ai ka gjithashtu një listë të gjerë të vizitave.

Në një fjalim ku Bannon ka ndarë të njëjtën skenë në kongresin e partisë me Marine Le Pen lideren e të djathës ekstreme në Francë, ka thënë: “Lërini t’u thonë racistë, armiq të të huajve. Mos u kushtoni vëmendje, këto përshkrime i mbani si medalje nderi”.

Po ashtu në mesin e atyre personave që Bannon ka formuar kontakte të afërta ndodhen edhe zyrtarë të partisë së ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” dhe partisë La Liga e Matteo Salvini-t i cili është zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Italisë i cili ka njoftuar hapur se do të japë mbështetje për “The Movement”.

Ndërkohë pretendohet se Bannon dhe Modrikamen në muajin shtator me një xhet privat janë takuar fshehurazi edhe me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Banon i cili zhvillon bisedime duke përfituar edhe nga rryma kundër BE-së e cila forcohet në Poloni, në të njëjtën kohë dihet që ai ka edhe një marrëdhënie të afërt edhe me Nigel Farage ish liderin e partisë së djathtë ekstreme Partisë së Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) në Britani të Madhe si dhe me zyrtarë të partisë ekstreme të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Krizat e BE-së përbëjnë një mundësi për Bannon

Në anën tjetër vendimi i Britanisë së Madhe për largimin nga BE-ja, mos gjetja ende e një zgjidhjeje për krizën e emigrantëve dhe pikëpyetjet në rritje në lidhje me bashkimin financiar, krijojnë një atmosferë krize në të gjithë BE-në.

Problemet në kontinent shkaktojnë rritjen e pashmangshme të partive ekstreme të krahut të djathtë, të cilat gjithnjë e më shumë e vënë në dyshim efektivitetin e BE-së në vende të tilla si Hungaria, Polonia, Franca, Suedia, Holanda, Gjermania, Austria dhe Italia.

Megjithëse konceptet e të djathtës ekstreme dhe nacionalizmit në Evropë sjellin me vete kujtime të këqija të viteve 1930, është e nevojshme që të mos injorohet fakti që Bannon ka kaluar në veprim në kohën e duhur në të gjithë BE-në dhe gjithashtu nuk duhet të neglizhohet mundësia e tij për të qenë i suksesshëm.

Është e paqartë se cilat janë motivet dhe forcat në sfondin e Bannon që kërkon të ushqejë lëvizjen nacionaliste në rritje në Evropë dhe zjarrin opozitar në BE. Disa qarqe mendojnë se pas përpjekjeve për të ndarë Unionin qëndron Trump, të cilët nuk injorojnë qëllimin e presidentit të SHBA-ve për të fituar interes komercial nga BE-ja e fragmentuar.

Ndërsa ata që janë në idenë se Trump nuk ka potencial për të bërë një llogari të tillë “të hollësishme” dhe afatgjate, mendojnë se veprimi i Bannon ka për qëllim vetëm një revoltë të re ideologjike kundër demokracisë liberale të Sorosit.

Lëvizja e re Bannon, e cila pavarësisht se ka një bazë të papërcaktuar dhe që është e dukshme që merr mbështetje nga lobet e forta të SHBA-ve, pritet të sjellë shtysë të re në ndarjen e politikës evropiane tashmë të brishtë për shkak të migracionit të parregullt, trazirave ekonomike dhe ndryshimeve të tjera konjukturale. aa

Parlamenti Evropian projekt për luftë kundër islamofobisë

BRUKSEL – Parlamenti Evropian (PE) sot ka nisur një projekt që synon luftimin e islamofobisë.

Në këtë projekt të inicuar, i cili financohet nga Komisioni Evropian (KE), morën pjesë një numër ekspertësh dhe profesorë universitetesh që trajtojnë çështjet e islamofobisë dhe racizmit

Të pranishmit u bënë thirrje vendeve anëtare të BE-së dhe vendimmarrësve politikë që të luajnë një rol më aktiv në luftën kundër islamofobisë dhe të forcojnë procedurat ligjore në lidhje me këtë çështje.

Projekti i titulluar “Lufta kundër islamofobisë” do të zgjasë gjithsej dy vjet.

Projekti do të analizojë narrativat dominante anti-myslimane në tetë shtete anëtare të BE-së, Francë, Gjermani, Belgjikë, Çeki, Hungari, Portugali, Greqi dhe Britani të Madhe.

Projekti, ndër të tjera, do të hetojë edhe atë se në çfarë mënyre myslimanët paraqiten si “kërcënim” dhe si ndërtohen “shtete gjithëpërfshirëse”. aa