VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gjermania – Auf Wiedersehen Angela! Koalicioni trepalësh nënshkruan paktin qeverisës

By | November 25, 2021

Komentet

Shefi i Marinës i shkarkuar: Si një akullthyes i mbërthyer

Foto marrë nga DW

 

Gazetari Till Fähnders në një koment për largimin e zvadmiralit të marinës gjermane për Frankfurter Allgemeine Zeitung online, të cilin po e sjellim për lexuesin e voal.ch.

Gjykimi i gabuar për të cilin foli më vonë Kay-Achim Schönbach ishte ndoshta i natyrshëm në paraqitjen e tij në një institut kërkimi në kryeqytetin indian të Nju Delhit. Në fillim të ngjarjes, e cila më pas do të kishte pasoja kaq të rënda diplomatike, inspektori i Marinës Gjermane e filloi fjalën e tij duke thënë se “pjesërisht po bënte deklarata zyrtare”, por pjesërisht po paraqiste “mendimin privat dhe qëndrimin e tij personal”. . Komandanti i Përgjithshëm me përvojë i Marinës mund të ketë anashkaluar faktin se nëse ai do të shfaqej me uniformë do të jepte titullin e tij të plotë përpara Institutit për Studime dhe Analiza të Mbrojtjes Manohar Parrikar (MP-IDSA) dhe çdo deklaratë do t’i konsiderohej zyrtare.

Rasti ishte vizita e fregatës gjermane “Bayern” në qytetin lindor të Indisë, Mumbai, e para e një luftanijeje gjermane në pothuajse 20 vjet. “Mendimi personal” me të cilin Schönbach më pas shkaktoi një stuhi politike erdhi vetëm pas fjalimit të tij dyzet minutësh, në të cilin ai kishte folur për strategjinë e Gjermanisë në Indo-Paqësorin, siç ishte planifikuar. I rrethuar nga burra të tjerë me uniformë, Schönbach u ul përballë mikpritësve indianë në një tryezë konferencash. Pikërisht gjatë seancës së pyetjeve dhe përgjigjeve në një atmosferë të relaksuar, zv/admirali u rrëmbye me deklaratat për konfliktin në Ukrainë dhe presidentin rus Putin, të cilat përfundimisht u përhapën edhe në mediat sociale përmes një videoje të shkurtër në Twitter.

Në atë ai e përshkroi, ndër të tjera tha se, aneksimi rus i Krimesë ukrainase është si një fakt të pakthyeshëm (“Krimeja është zhdukur, nuk do të kthehet më”) dhe kërkoi “respekt” për presidentin rus Putin. Nuk kaloi shumë kohë dhe komentet e tij u përhapën gjerësisht. Ministria e Jashtme e Ukrainës thirri ambasadorin gjerman dhe e shpjegoi këtë me “papranueshmërinë e deklaratave”. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Berlin tha se përmbajtja dhe zgjedhja e fjalëve në asnjë mënyrë nuk korrespondojnë me qëndrimin e Ministrisë Federale të Mbrojtjes. Vetë Zëvendës Admirali kërkoi falje në Twitter për deklaratat e tij “të pamatura” të politikës së sigurisë.” Dhe më pas dha dorëheqjen./Përktheu Elida Buçpapaj

Ukraina: Planet amerikane për të evakuuar familjet e diplomatëve nga Kievi, të nxituara

Marrë nga Reuters

Ukraina tha se planet e Shteteve të Bashkuara për të evakuuar familjet e diplomatëve nga Kievi janë të nxituara dhe tregojnë një kujdes të tepruar. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të dielën se po urdhëronte anëtarët e familjeve të diplomatëve të largoheshin nga Ukraina, ndërsa presidenti Joe Biden po shqyrton opsionet për rritjen e pranisë ushtarake amerikane në Evropën Lindore për të kundërshtuar një grumbullim të trupave ruse.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha sot (24 janar) se hapi i Shteteve të Bashkuara për të larguar familjet e diplomatëve të tyre nga Kievi është “i parakohshëm dhe manifestim i një kujdesi të tepruar”.

“Ne respektojmë të drejtat e shteteve të huaja për të ofruar siguri për misionet e tyre diplomatike; megjithatë, e konsiderojmë këtë veprim të Shteteve të Bashkuara si të parakohshëm dhe një manifestim të kujdesit të tepruar. Në fakt, nuk ka pasur ndryshime thelbësore në situatën e sigurisë kohët e fundit”, tha Oleg Nikolenko, zëdhënës i ministrisë së Jashtme ukrainase.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të dielën se po urdhëronte anëtarët e familjeve të diplomatëve të largoheshin nga Ukraina, ndërsa presidenti Joe Biden shqyrton opsionet për rritjen e pranisë ushtarake të Amerikës në Evropën Lindore për të kundërshtuar një grumbullim të trupave ruse.

Urdhri, i cili gjithashtu lejon diplomatët amerikanë të vendosur në ambasadën e Kievit, të largohen vullnetarisht, ishte një nga shenjat më të qarta deri tani se zyrtarët amerikanë po përgatiten për një lëvizje agresive ruse në rajon.

“Veprimet ushtarake nga Rusia mund të vijnë në çdo kohë”, tha ambasada amerikane në një deklaratë. Zyrtarët “nuk do të jenë në gjendje të evakuojnë qytetarët amerikanë në një rast të tillë, kështu që qytetarët amerikanë të pranishëm aktualisht në Ukrainë duhet të planifikojnë sipas rrethanave,” thuhet në deklaratë.

Ambasada britanike në Ukrainë tha të hënën se një pjesë e personelit po tërhiqej nga Kievi si përgjigje ndaj “një kërcënimi në rritje nga Rusia”.

“Ambasada Britanike mbetet e hapur dhe do të vazhdojë të kryejë funksione thelbësore”, tha ambasada përmes Twitter-it.

Tensionet në Ukrainë janë rritur për muaj me radhë pasi Kremlini grumbulloi rreth 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, një rritje dramatike që Perëndimi thotë se është përgatitje për një luftë për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në aleancën e NATO-s.

Banorët e Kievit janë të shqetësuar për situatën e sigurisë.

“Një zoti e di çfarë do të ndodh. Ndoshta ish presidenti Janukoviçi kthehet. Gjithçka mund të ndodhë. Shpresoj të jetojmë normalisht dhe të qetë. Dhe Ukraina do të jetë e pavarur dhe gjithçka të shkojë mire. Shpresojmë”, thotë Boris, punëtor ndërtimi.

“Është e pamundur të parashikohet çdo gjë. Sepse askush nuk e di, edhe vetë Putini nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas. Por fakti që ne marrim ndihmë ndërkombëtare, përfshi ndihmë ushtarake – mendoj se kjo është gjëja e mirë dhe më e nevojshme”, thotë Inna, banore e Kievit.

Kremlini ka mohuar në mënyrë të përsëritur se po planifikon të pushtojë Ukrainën, por ushtria ruse tashmë ka aneksuar një pjesë të territorit ukrainas, kur pushtoi Krimenë dhe mbështet forcat separatiste, që morën kontrollin e pjesëve të mëdha të Ukrainës lindore tetë vjet më parë. VOA

NATO dërgon forca shtesë në lindje, ndërsa Irlanda refuzon stërvitjet e Rusisë pranë brigjeve të saj

VOA

NATO-ja tha të hënën se po vendos forca shtesë dhe po dërgon më shumë anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore, ndërsa Irlanda paralajmëroi se lojërat e reja luftarake ruse në brigjet e saj nuk janë të mirëpritura, duke pasur parasysh tensionet rreth asaj nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ka ndërmend të sulmojë Ukrainën.

Organizata ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, tha se po forcon praninë e saj “parandaluese” në zonën e Detit Baltik. Danimarka po dërgon një fregatë dhe po vendos avionë luftarakë F-16 në Lituani; Spanja do të dërgojë gjithashtu anije luftarake dhe mund të dërgojë avionë luftarakë në Bullgari; dhe Franca është gati të dërgojë trupa në Bullgari po ashtu.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca do të “marr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”. Ai tha se “gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”.

Njoftimi u bë një kohë kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po përpiqen të tregojnë vendosmërinë në mbështetje të Ukrainës dhe po diskutojnë shqetësimet rreth dallimeve mbi mënyrën më të mirë për t’u përballur me çdo agresion rus.

“Ne po tregojmë unitet të pashembullt për situatën në Ukrainë, me një bashkërendim të fortë me Shtetet e Bashkuara”, u tha gazetarëve në Bruksel, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili kryeson takimin e ministrave të Jashtëm.

I pyetur nëse BE-ja do të ndiqte veprimin e Shteteve të Bashkuara dhe do të urdhëronte familjet e diplomatëve evropianë në Ukrainë të largoheshin, zoti Borrell tha se “nuk do ta bëjmë të njëjtën gjë”. Ai tha se dëshiron të dëgjojë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më shumë për atë vendim.

Britania e Madhe njoftoi gjithashtu të hënën se po tërheq disa diplomatë dhe vartës nga ambasada e saj në Kiev. Ministria e Jashtme tha se vendimi është “përgjigje të kërcënimit në rritje nga Rusia”.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara ishte “një hap i parakohshëm” dhe një shenjë e “kujdesit të tepruar”. Ai tha se Rusia po mbjell panik mes ukrainasve dhe të huajve, për të destabilizuar Ukrainën.

Gjermania po i ndjek zhvillimet, por ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, theksoi se “nuk duhet të kontribuojmë në trazimin e mëtejshëm të situatës; ne duhet të vazhdojmë të mbështesim shumë qartë qeverinë ukrainase dhe mbi të gjitha, të ruajmë qëndrueshmërinë e vendit”.

Në prag të fillimit të takimit, ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney, tha se do të informonte homologët e tij se Rusia planifikon të zhvillojë manovra ushtarake rreth 240 kilometra nga bregu jugperëndimor i Irlandës, në ujërat ndërkombëtare, por brenda zonës ekskluzive ekonomike të Irlandës.

“Kjo nuk është koha për të rritur veprimtarinë ushtarake dhe tensionin në kontekstin e asaj që po ndodh me dhe në Ukrainë”, tha ministri Coveney. “Fakti që ata po zgjedhin ta bëjnë atë në kufijtë perëndimorë të BE-së, në brigjet e Irlandës, është diçka që, sipas mendimit tonë, nuk është thjesht e mirëpritur dhe është padëshiruar tani, veçanërisht në javët e ardhshme”.

Diplomatët thanë para takimit të së hënën në të cilin sekretari Blinken do të marrë pjesë virtualisht, se ministrat do të ritheksojnë dënimin evropian të grumbullimit ushtarak rus pranë Ukrainës, që përfshijnë rreth 100,000 trupa, tanke, artileri dhe pajisje të rënda.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press

Scholz: Aktiviteti ushtarak i Rusisë në kufirin ukrainas përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë evropiane

Berlin

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se aktiviteti ushtarak i Rusisë në kufirin lindor të Ukrainës përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë evropiane, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ndodhemi në një situatë shumë serioze”, tha Scholz për gazetën Süddeutsche Zeitung lidhur me tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Stacionimi i njëqind mijë ushtarëve dhe një numri të madh të pajisjeve ushtarake në kufirin ukrainas nga Rusia nuk mund të injorohet. Nuk ka asnjë shpjegim logjik për këtë. Kjo është kërcënim për paqen dhe sigurinë e Evropës”, shtoi kancelari i Gjermanisë.

Ai tha se mosvënia në dyshim e kufijve është pjesë e “politikës së butë” dhe marrëveshjeve të arritura pas vitit 1990.

“Kjo nënkupton se ju nuk mund t’i ndryshoni kufijtë vetëm pse në disa libra të vjetër ato janë të vizatuar ndryshe. Ajo që duhet zbatuar janë rregullat dhe ligjet, e jo forca ushtarake”, ka deklaruar Scholz.

Scholz po ashtu theksoi se aneksimi i Krimesë ishte një shkelje serioze e Aktit Final të Helsinkit nga Rusia.

“Situata në Ukrainën lindore mbetet e rrezikshme dhe gjithashtu shkelen këto parime. Për Willy Brandt-in dhe Helmut Schmidt-in (ish-kancelarë gjermanë), integriteti territorial dhe e drejta e shteteve për vetëvendosje janë të pandashme”, tha ai.

Olaf Scholz tha se anëtarësimi i vendeve të tjera nga Evropa Lindore në NATO nuk është në agjendë.

Duke iu referuar një deklarate të tij të mëparshme mbi atë se çfarë do të ndodhte nëse Rusia sulmon Ukrainën, kancelari gjerman përsëriti se nëse do të ketë sulm ushtarak kundër Ukrainës, kjo do t’i kushtonte rëndë Rusisë.

I pyetur nëse gazsjellësi “Nord Stream 2”, i cili do të transportojë gazin rus në Gjermani, është brenda fushës së sanksioneve të mundshme kundër Rusisë, Scholz tha:

“Ne do të jemi të mençur në një situatë si kjo, që shpresojmë të mos ndodhë. Çdo gjë që bëjmë i shërben qëllimit për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Ne kemi aktivizuar të gjitha kanalet diplomatike për këtë. Do të ishte e mençur të zgjedhim masat që do të kenë ndikimin më të madh tek ata që shkelin parimet e dakorduara. Njëkohësisht, ne duhet t’i kemi parasysh edhe pasojat që kjo do të shkaktonte ndaj nesh. Askush nuk duhet të ketë iluzionin se kjo është një masë që nuk ka pasoja për ne”.

Kush është politikani që Rusia dëshiron që ta udhëheqë Ukrainën?

Një pano me fotografinë e Yehen Murayevit e vendosur në Kiev. Britania tha se Rusia dëshiron që Murayev të udhëheqë Qeverinë ukrainase, pretendime këto që janë hedhur poshtë nga vetë Murayevi dhe Moska.

 

RFE/RL

Reuters

Britania e ka akuzuar Kremlinin se po dëshiron që ta instalojë një lider pro-rus në Ukrainë dhe ka thënë se zyrtarët e inteligjencës ruse kanë qenë në kontakt me ish-politikanët ukrainas, si pjesë e një plani për ofensivë ushtarake.

Zyra e Jashtme britanike tha se Rusia po konsideron që politikani ukrainas Yevhen Murayev ta udhëheqë Qeverinë e re, pretendime këto që janë hedhur poshtë nga Rusia. Murayev po ashtu ka hedhur poshtë këto deklarata të Britanisë gjatë një prononcimi për gazetën Observer.

Kush është Yevhen Murayev?

I lindur më 1976 në qytetin lindor të Kharkivit në afërsi të kufirit me Rusinë, Murayev është pjesë e një grupi të politikanëve që kundërshtojnë udhëheqjen perëndimore të shtetit, që erdhi në pushtet pas protestave masive të vitit 2014.

Ai e nisi karrierën e tij politike në Kharkiv si aleat i ish-presidentit ukrainas Viktor Yanukovych, që u largua për në Rusi pas protestave të vitit 2014.

Ish-presidenti ukrainas Viktor Yanukovych dhe presidenti rus Vladimir Putin më 2013. Yanukovych u largua për në Rusi më 2014 pas protestave masive anti-qeveritare në Ukrainë.

Ish-presidenti ukrainas Viktor Yanukovych dhe presidenti rus Vladimir Putin më 2013. Yanukovych u largua për në Rusi më 2014 pas protestave masive anti-qeveritare në Ukrainë.

Në periudhën 2014-2019 ai ishte deputet në Parlamentin ukrainas. Fillimisht ishte deputet i fraksionit të Bllokut Opozitar, një parti e formuar nga fraksione të Partisë së Rajoneve të Yanukovychit, që mbështetet nga Moska. Por, në qershor të vitit 2016, ai u distancua nga Blloku Opozitar dhe themeloi partinë e tij të quajtur Për Jetën, me ideologji të ngjashme.

Më 2018, ai themeloi një parti tjetër të quajtur Nashi. Murayev ishte regjistruar si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2019, por u tërhoq nga gara para se të mbaheshin zgjedhjet.

Cilat janë pikëpamjet politike të Murayevit?

Murayev ka promovuar pikëpamje që përputhen ngushtë me narrativët rusë për Ukrainën. Ai konsideron se protestat e vitit 2014 ishin një grusht-shtet i mbështetur nga Perëndimi.

Vitin e kaluar, ai iu referua luftës në rajonin lindor ukrainas të Donbasit si konflikt i brendshëm ndërmjet Qeverisë dhe rebelëve. Kjo është një pikëpamje diametralisht e kundërt nga ajo që ka Ukraina dhe Perëndimi, të cilët e shohin konfliktin në lindje të shtetit si luftë ndërmjet forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Më 2021, ai deklaroi po ashtu se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kontrollohet nga Perëndimi, dhe sugjeroi, njësojë sikurse Rusia, se Ukraina mund të tentojë që të rimarrë me forcë territorin në lindje që kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Kievi mohon se ka plane të tilla.

“Zelenskiy është peng dhe po shantazhohet nga [shërbimi sekret i Mbretërisë së Bashkuar] M16, [Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës] CIA, nga kushdo. Nesër ata do ta detyrojnë atë që të nisë një ofensivë kundër Donbasit, që do të çojë në një luftë të shkallës së gjerë”, ka thënë ai.

Tërheqja e Rusisë në një përshkallëzim “do të nënkuptojë se mijëra ukrainas do të vdesin në njërën dhe tjetrën anë të vijës së demarkacionit”, ka thënë Murayev.

Sa ndikim ka Murayevi?

Murayev është më pak i njohur sesa Viktor Medvedchuk, një biznesmen dhe ligjvënës pro-Moskës, i cili thotë se presidenti rus Vladimir Putin është kumbar i vajzës së tij. Vitin e kaluar, Medvedchuk u vendos në arrest shtëpiak nën akuza për tradhti.

Murayev megjithatë ka ndikim përmes kanalit të tij televiziv të quajtur Nash, që nisi transmetimin në nëntor të vitit 2018. Pronari zyrtar i këtij kanali është babai i tij, Volodymyr Murayev.

Sipas një sondazhi të Qendrës Razumkov, rezultatet e të cilit u publikuan në dhjetor të vitit 2021, Murayev doli i shtati me 6.3 për qind mbështetje në mesin e kandidatëve të mundshëm për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të parapara që të mbahen më 2024. Një tjetër sondazh i kryer nga grupi Rating, e vendosi atë në vendin e pestë.

Më 2017, si pjesë e deklarimit të detyrueshëm të pasurisë, ai deklaroi se ka para të gatshme 2 milionë dollarë, 1 milion euro dhe 13 milionë hryvnia (460,971 mijë dollarë).

Çfarë tha Murayev dhe të tjerët lidhur me akuzat e Britanisë?

Murayev hodhi poshtë pretendimet e Britanisë, duke i thënë gazetës Observer se akuza “nuk është shumë e logjikshme”. Ai premtoi se do të jepte më shumë komente në një postim në Facebook, postim që e shoqëroi me një fotografi montazh të tij me imazhin e James Bond.

Në një postim të mëvonshëm, ai bëri thirrje për dhënien fund të ndarjes së politikanëve në Ukrainë në pro-perëndimorë dhe pro-rusë dhe tha se shteti ka nevojë për udhëheqës të rinj.

Rusia po ashtu i hodhi poshtë akuzat e Britanisë duke i cilësuar si “dezinformata”. Ndërkaq, Qeveria ukrainase nuk ka komentuar ende.

Volodymyr Fesenko, një analist politik ukrainas, tha se i duket e çuditshme që Murayev të jetë kandidati potencial i Moskës për të udhëhequr Qeverinë ukrainase.

“Murayevi, me gjithë pro-rusizmin e tij, nuk është një figurë që është shumë e afërt me Kremlinin, veçanërisht nëse krahasohet me Viktor Medvedchuk”, shkroi Fesenko.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

SPD ka një problem me Rusinë – Nga Mathieu von Rohr

Një koment nga Mathieu von Rohr, kreu i departamentit të jashtëm të Der SPIEGEL

Presidenti rus Putin dëshiron të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në Evropë – dhe po kërcënon me luftë. Qeveria federale nuk gjen një përgjigje të qartë për këtë. Kjo është kryesisht për shkak të partisë së kancelarit Olaf Scholz.

Rreziku i një lufte agresioni në Evropë është real, por qeveria gjermane duket se ende nuk e ka kuptuar këtë. Ose si të shpjegohet ndryshe se ajo duket çuditërisht e paralizuar kur ka të bëjë me Rusinë?

Gjermania, si vendi më i rëndësishëm i BE-së, tani do të luante një rol kyç: Rusia po kërcënon me luftë kundër Ukrainës. Kancelari Olaf Scholz flet paqartë për “pasojat” në këtë rast, por nuk i përmend ato. Arsyeja është e qartë: koalicioni semaforik nuk është aspak dakord se cilat sanksione janë të mundshme. Kjo është një katastrofë në këtë situatë të rëndë.

Sjellja e Moskës është luftarake: imazhet dhe videot satelitore tregojnë se trupat ruse janë të vendosura pranë kufirit me Ukrainën, njësitë janë zhvendosur në perëndim në pjesë të largëta të vendit. Më shumë se 100,000 trupa janë të vendosur atje, tanke, artileri të rëndë. Rusia jo vetëm që kërkon nga amerikanët dhe evropianët që Ukraina të mos bëhet kurrë anëtare e NATO-s, por edhe një rishikim të të gjithë rendit të sigurisë evropiane të 25 viteve të fundit, sepse gjoja ndihet e rrethuar nga NATO.

Rusia kërkon tërheqjen e të gjitha trupave të NATO-s nga vendet anëtare në Evropën Lindore dhe një garanci që shtetet fqinje skandinave si Finlanda dhe Suedia të mos t’i bashkohen kurrë aleancës. Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u zhvilluan në Gjenevë javën e kaluar, por më pas zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov fillimisht nuk donte të vazhdonte sepse amerikanët dhe NATO-ja nuk donin të plotësonin listën e kërkesave maksimale të Moskës.

Pavarësisht kësaj krize alarmante politike globale, qeveria gjermane është çuditërisht e kujdesshme. Kancelari Scholz shquhet për heshtjen dhe formalitetin e tij. Qeveria thekson se do të reagojë së bashku me BE-në dhe NATO-n nëse Rusia sulmon. Por qeveria as nuk mund të premtojë se do të ndalojë gazsjellësin Nord Stream 2 të Detit Baltik në këtë rast. Ky tubacion ka qenë tashmë shumë i diskutueshëm politikisht, pasi synohet të transportojë gazin nga Rusia direkt në Gjermani, duke anashkaluar Poloninë dhe Ukrainën. Qeveria gjermane me sa duket ende mendon se është e mundur që gazi të rrjedhë përmes tyre – edhe nëse Rusia sulmon Ukrainën. Pra, çfarë ia vlen gjithë biseda për pasojat?

Në politikën gjermane, lloj-lloj njerëzish nuk flasin për atë që duan të bëjnë në rast të një sulmi rus, por për atë që nuk duan të bëjnë në asnjë rrethanë. Kjo vlen jo vetëm për politikanët nga kampi qeveritar, por edhe për liderin e zgjedhur të CDU-së Friedrich Merz: Në fundjavë ai përjashtoi që Rusia mund të hidhej jashtë sistemit global të pagesave Swift – një nga sanksionet më të dhimbshme që u diskutua më herët: që bankat dhe kompanitë ruse do të përjashtoheshin efektivisht nga transaksionet e pagesave ndërkombëtare. Kjo ndërton besim dhe jo presion në Rusi: që do të thotë ju mund të mbështeteni në mosveprimin e Berlinit.

Moska mund të ndihet vetëm e inkurajuar në veprimet e saj, aq e dobët dhe e ndarë sa duket Gjermania tani. Banalizues të shquar të qasjes luftarake mund të gjenden edhe brenda koalicionit qeverisës.

Hendikepi më i madh për politikën e jashtme të Gjermanisë për momentin është partia kancelariste SPD. Kjo krizë tregon se pjesë të mëdha të partisë janë kapur nga një nostalgji për t’u marrë me Moskën, që në fakt është më e njohur nga Partia e Majtë. Atje, glorifikimi i regjimeve autoritare është rend i ditës: SHBA është e keqe, Rusia nuk është aq e keqe.

Është i frikshme se sa shumë mohim i realitetit në raport me Rusinë mund të dëgjohet nga partia e kancelarit për momentin. Në fundjavë, anëtari i SPD-së i Bundestagut Ralf Stegner e shprehu si duhet këtë mentalitet në Twitter: ai u ankua për një “ton shqetësues” në komentet gjermane për Rusinë dhe pranoi “tronditje verbale”. Ai u komentua për “tonin e Luftës së Ftohtë” dhe se “promovoi në mënyrë të njëanshme riarmatimin dhe sanksionet spirale ku nevojiteshin urgjentisht diplomacia dhe zbutja”.

Është groteske: për Stegnerin, kërkesat për një pengesë të besueshme kundër Rusisë dhe mbështetje për Ukrainën janë “trokëllitje shpatash”. Ai e injoron plotësisht trokëllitjen e vërtetë të shpatave të Moskës. Për kujtesë, Rusia po qëndron në kufirin e Ukrainës me një ushtri të tërë dhe po kërcënon në mënyrë të njëanshme me luftë.

Sigurisht, tweet-et e Stegner përfshinin edhe shprehjen “Ostpolitik”: Për shumë në SPD, është një lloj fjale magjike për gjithçka që ka të bëjë me Rusinë. Por politika e Willy Brandt-it për “ndryshim nëpërmjet afrimit” në vitet 1970 u zhvillua në situatën krejtësisht të ndryshme historike të Luftës së Ftohtë. Në atë kohë bëhej fjalë për një politikë zbutje – detentifikimi midis dy blloqeve të ngurtë, jo për një kundërshtar që donte të arrinte një ndryshim në kufijtë dhe sferat e ndikimit me kërcënimin konkret të luftës. Rastësisht, jo për dikë që kryen hapur sulme vrasjeje dhe helmimi kundër kundërshtarëve politikë në Evropën Perëndimore. Kur dikush në SPD bën thirrje për “Ostpolitik” sot, ata në radhë të parë po ngrohin shpirtin e partisë dhe duan të tregojnë një kuptim të paqartë për Rusinë.

Ralf Stegner nuk është një figurë veçanërisht e rëndësishme në SPD. Por ai është simptomë e kësaj partie. Dhe nuk është i vetmi politikan i SPD-së që tregon një lidhje problematike me realitetin në këtë krizë. Kreu i fraksionit Rolf Mützenich jep intervista njëra pas tjetrës në të cilat ai tregon shumë mirëkuptim për ndjenjat ruse të një kërcënuese dhe shumë pak mirëkuptim për ndjenjat e një kërcënimi të ndjerë nga fqinjët tanë të Evropës Lindore. Në dhjetor ai bëri thirrje për t’i dhënë fund “kërcënimeve reciproke” në krizën e Ukrainës. Por kur apo me çfarë e kërcënoi Ukraina Rusinë?

Natyrisht, edhe këndvështrimi rus duhet pranuar – por jo veçanërisht kur Rusia mban një pistoletë në tempullin e një vendi fqinj.

Madje, sekretari i përgjithshëm i SPD-së, Kevin Kühnert, deklaroi se “nuk duhet të flitet për konflikte të mundshme ndërkombëtare”, të cilat në bazë të fakteve mund të cilësohen vetëm si bojkot i realitetit. Kühnert pohoi se kështu do të varroseshin projektet “që gjithmonë kanë qenë një gjemb në këmbë”. Ai nënkuptonte Nord Stream 2, gazsjellësin që partneri i koalicionit të gjelbër e ka refuzuar prej vitesh. Nuk duhet të ngatërrohen debatet për Nord Stream 2 dhe politikën ruse ndaj Ukrainës, tha Kühnert.

Mund të thuash po aq mirë se nuk duhet të ngatërroni nevojat e industrisë gjermane të eksportit me një luftë agresioni në Ukrainë. Por meqenëse evropianët kanë arsye të mira për të mos shkuar në luftë vetë, sanksionet ekonomike janë mjeti më i fuqishëm në dispozicion të tyre.

Është e vështirë të kuptohet pse kaq shumë në SPD duan ta përjashtojnë këtë projekt të gazsjellësit nga sanksionet e mundshme, me të cilat Gjermania është izoluar prej vitesh brenda aleancës perëndimore.

A ka të bëjë kjo me faktin se historia e origjinës së gazsjellësit është e lidhur ngushtë me SPD-në, mbi të gjitha me ish-kancelarin Gerhard Schröder? Ai kishte rënë dakord për gazsjellësin e parë Nord Stream me Vladimir Putin pak para se të votohej jashtë detyrës, në mënyrë që të bëhej menjëherë kryetar i bordit mbikëqyrës në kompaninë operative – ai tani është gjithashtu kryetar i bordit mbikëqyrës të kompanisë ruse të naftës Rosneft. Është pjesë e problemit që Shröder trajtohet si një ish-kancelar dhe burrë shteti i moshuar nga shumë në partinë e tij dhe në Gjermani. Ai është 100 për qind një lobist i paguar nga Rusia.

Manuela Schwesig, kryeministre e landit të Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore, është një shembull i mirë për të treguar se sa problematike është marrëdhënia midis pjesëve të SPD-së dhe Rusisë. Ajo insistoi në ngritjen e një të ashtuquajturi fondacioni mjedisor me paratë ruse për të përfunduar Nord Stream 2 në mënyrë që të anashkalonte sanksionet amerikane dhe madje të përfundonte tubacionin me anijen e saj. Përndryshe, partitë populiste të krahut të djathtë në Evropë shpesh financohen me paratë ruse – dhe tani financimi po hyn në themelin e një qeverie shtetërore të udhëhequr nga SPD.

Për fat të mirë, ka përjashtime të dukshme në parti. Njëri prej tyre është Michael Roth, kryetari i komitetit të punëve të jashtme në Bundestag, i cili foli në SPIEGEL në favor të përdorimit të Nord Stream 2 si një mjet presioni dhe kërkoi “mbrojtje” kundër Rusisë. Ai gjithashtu nuk mund të bëjë pa termin “Ostpolitik”, por ai e përkufizon atë në një mënyrë të këndshme ndryshe nga shumica në partinë e tij: Sipas Roth, një “Ostpolitikë e re evropiane” duhet të marrë gjithashtu parasysh “interesat e sigurisë së partnerit të qendrës të Europës Lindore . Partnerët tanë të Evropës Lindore duhet marrë para sysh se hyjnë konsideratat e shumë Rusisë” – Është e vështirë të kuptosh: të pëlqen të flasësh për Rusinë “fqinje”, sikur të mos ekzistonin as Polonia, Ukraina apo shtetet baltike.

Gjatë fushatës zgjedhore, kancelari Olaf Scholz pretendoi se kushdo që e kërkon udhëheqjen prej tij do ta marrë. Pastaj, duke pasur parasysh konfuzionin dhe zërat qetësues në partinë e tij, ai duhet t’i drejtohet urgjentisht Moskës me fjalë të qarta. Scholz nuk është një nga miqtë e hapur të Rusisë në partinë e tij, por edhe ai vazhdon të përsërisë të pavërtetën se gazsjellësi Nord Stream 2 është një “projekt thjesht i sektorit privat”. Fakti që ai mohon seriozisht dimensionin politik të projektit është në fakt nën nivelin e Scholz-it.

Vetë Putini e bëri të qartë në vjeshtë se gazsjellësi është një mjet për të ushtruar presion: ai kërcënoi të furnizonte më shumë gaz në Evropën Perëndimore vetëm nëse hapej Nord Stream 2. Vendet fqinje në Evropën Lindore e kanë parë gjithmonë tubin si një projekt gjeopolitik, ashtu si edhe SHBA-të, edhe pse qeveria Biden ka bërë shumë për të shmangur sanksionet e mëtejshme të kongresit kundër Gjermanisë. Përleshja gjermane për këto ditë është pra një goditje tjetër për aleatët: Përfaqësuesit e qeverisë amerikane po bëjnë përpjekje të mëdha për të theksuar publikisht unitetin e tyre me Gjermaninë. Por fakti që qeveria federale ende nuk dëshiron të thotë nëse Nord Stream 2 mund të bëhet pjesë e një pakete sanksionesh mahnit shumë në Uashington, të cilët në fakt janë të prirur mirë ndaj Gjermanisë.

E vetmja që e ka pozicionuar veten më qartë në qeverinë federale është Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock. Të Gjelbrit i kanë kundërshtuar qartë përpjekjet hegjemoniste ruse në të kaluarën, dhe këtë qendrim e mban pjesa e mëdhe e FDP-së. Dy partnerët më të vegjël të koalicionit kanë një qëndrim më realist ndaj Rusisë sesa SPD; kjo jep arsye për të shpresuar se qeveria mund të miratojë përfundimisht masa të forta.

Fakti që ministrja e Jashtme bëri një ndalesë në Ukrainë para takimit të saj me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov ishte një gjest i rëndësishëm. Megjithatë, që nga fillimi i krizës së re ruse, Kancelaria Federale ka pretenduar udhëheqjen në politikën e jashtme dhe ajo fjalë për fjalë po ngadalëson Baerbock-un.

Tani do t’i takonte kancelarit Scholz të kundërshtonte rrymat nostalgjike në partinë e tij për Rusinë dhe të angazhohej qartë për masat e mundshme ndëshkuese. Sigurisht, këto do të duhet të përfshijnë gjithashtu Nord Stream 2. Për sa kohë që Gjermania heziton t’i tregojë qartë Moskës pasojat e mundshme, Evropa do të mbetet e dobët. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e Evropës, sistemin e saj të sigurisë dhe ndikimin e ardhshëm të Rusisë në kontinent, mund të jeni pak më aktiv.

Nuk ka të bëjë më vetëm me Ukrainën, të cilën Rusia e sheh si pjesë të territorit të saj historik. Për Vladimir Putin, nuk ka të bëjë vetëm me shmangien e rrezikut, por edhe me rivendosjen e fuqisë dhe ndikimit në Evropë – me të vetmin mjet që ai ka: ushtrinë. Është e vërtetë se prodhimi ekonomik i vendit të tij është vetëm dy herë më i madh se ai i Zvicrës – me shtatëmbëdhjetë herë më shumë banorë.

Por ushtria ruse ka treguar në vitet e fundit nga Gjeorgjia në Siri dhe Krime se është e aftë të bëjë luftë në mënyrë efektive. Nuk mund të përjashtohet që Ukraina do të pasohet nga vende të tjera konflikti: përfaqësuesit rusë tashmë po bëjnë kërcënime indirekte kundër shteteve të tjera – Mikhail Ulyanov, përfaqësues i përhershëm i Rusisë në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, pohoi se anëtarësimi i shteteve baltike në NATO po destabilizon afërsinë e menjëhershme . Së fundmi, shteti jo anëtar i NATO-s, Suedia, dërgoi trupa shtesë në ishullin Gotland të Detit Baltik, sepse Rusia kishte rritur aktivitetet e saj në rajon.

Qeveria federale duhet t’i përgjigjet këtij kërcënimi. Ajo duhet gjithashtu të rishqyrtojë rezistencën e saj ndaj dërgesave të armëve në Ukrainë – është e pakuptueshme që Gjermania të refuzojë këtë mbështetje për këtë vend partner në nevojë të madhe. Natyrisht, në funksion të kërcënimit të ri rus, Gjermania dhe Evropa duhet të vendosin masa ushtarake parandaluese.

Mbi të gjitha, SPD duhet t’i nënshtrohet tani një kontrolli të realitetit: në pjesë të së majtës, fjala “luftëtar” është ende një fjalor popullor për të diskredituar këdo që bën thirrje për një strategji ekonomike, ushtarake dhe politike përballë synimeve destabilizuese dhe luftarake të Rusisë. Asgjë që Rusia bën në këto qarqe nuk është gjysma e keqe se ajo që bëjnë SHBA-ja apo Evropa për t’i mbajtur ata të sigurt.

Por këto ditë nuk mund të ketë dyshim se kush është luftënxitës dhe udhëheqës i vërtetë i luftës. Qeveria Federale dhe veçanërisht Partia e Kancelarit SPD jo vetëm që duhet ta njohin urgjentisht këtë, por edhe të veprojnë në përputhje me rrethanat./Pëktheu Elida Buçpapaj

Kreu i Marinës Gjermane dorëhiqet pas deklaratave mbi konfliktin Rusi-Ukrainë

Kreu i Marinës Gjermane me deklaratën e tij lidhur me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës ka shkaktuar irritim të madh. Si rrjedhojë zëvendësadmirali Kay-Achim Schönbach u zevëndësua ‘me kërkesën e tij’.

‘I kam kërkuar Ministres së Mbrojtjes, të më lirojë nga detyrat dhe detyrimet si inspektor i Marinës me efekt të menjëhershëm’, deklaroi Kay-Achim Schönbach. ‘Deklarimet e mia të pamenduara lidhur me politikën e sigurisë dhe atë ushtarake rëndojnë mjaft postin tim’, e argumentoi vendimin e tij për dorëheqjen zëvendësadmirali.

‘Për të shmangur dëmin e mëtejshëm për Marinën Gjermane, Bundeswehr-in, e në radhë të parë për Republikën Federale të Gjermanisë, unë e konsideroj të nevojshëm këtë hap.’

Ministrja socialdemokrate e Mbrojtjes Christine e pranoi kërkesën për dorëheqje të 56-vjeçarit, njoftoi zëdhënësi i ministrisë të shtunën në mbrëmje (22.01). Deri në vendimin për zgjedhjen e pasuesit Marina Gjermane do të drejtohet nga zëvendësi i deritanishëm i Schönbach-ut, kontra-admirali Jan Christian Kaack.

‘Krimeja është e humbur’

Schönbach gjatë një raundi bisede Think Tanks në Indi ka thënë, se gadishulli i Krimesë i aneksuar më 2014 nga Rusia është i humbur për Ukrainën. ‘Krimeja ka marrë fund, s’kthehet më, ky është fakt’. Një regjistrim me video i kësaj bisede është përhapur në internet. Schönach hodhi poshtë edhe frikërat, se Kremlini planifikon ndërkohë një ndërhyrje në vendin fqinj. Që Rusia do të përvetësojë territor ukrainas, kjo është ‘absurde’.

Njëkohësisht kreu i marinës ka shprehur mirëkuptim për presidentin rus Vladimir Putin. ‘Ajo çfarë Putin kërkon vërtetë është respekti si i barabartë. Dhe-o Zot-të respektosh dikë nuk kushton aspak, nuk kushton asgjë. Pra nëse më pyesni mua: Është e lehtë t’i japësh atij respektin, që kërkon, dhe me sa duket ai edhe e meriton këtë.’

Ministria e Mbrojtjes në Berlin u distancua prej deklaratave të Schönbach-ut. Ato ‘nuk i përgjigjen kurrsesi as në përmbajtje dhe as në përzgjedhjen e fjalëve pozicionit të Ministrisë së Mbrojtjes’.

Kryetarja e komisionit parlamentar të mbrojtjes në Bundestag Bundestag, liberal-demokratja Marie-Agnes Strack-Zimmermann theksoi: ‘Zëvendësadmirali Schönbach me deklarimet e tij ka vënë në pikëpyetje strukturën europiane të sigurisë dhe të drejtën ndërkombëtare. Dorëheqja e tij është logjike.’

‘Zhgënjim i thellë’

Ministria e Jashtme e Ukrainës për këtë arsye i shprehu shqetësimin ambasadores gjermane në Kiev, Anka Feldhusen. Deklaratat e Schönbach-ut janë „të prapranueshme’. Më parë ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba kishte shprehur zemërimin e tij, që qeveria gjermane nuk do të furnizojë armë në Ukrainë. ‘Ne shprehim zhgënjimin tonë të thellë për pozicionin e qeverisë së Gjermanisë lidhur me mosgarantimin për furnizimin me armë në Ukrainë.’

Rusia javën e kaluar grumbulloi mbi 100.000 ushtarë në kufirin ukrainas. Qeveria në Moskë i përgënjeshtron planet për ndërhyrje. Ajo kërkon nga NATO garanci për sigurinë si dhe anulimin e pranimit të Ukrainës në aleancë. Perëndimi e refuzon këtë kërkesë dhe deklaron, se ndërhyrja e trupave ruse në Ukrainë mund të ketë pasoja të rënda politike dhe ekonomike.

/DW

Friedrich Merz zgjidhet kryetar i CDU-së me 94,62% ​​të votave

VOAL – Friedrich Merz u zgjodh në krye të Unionit Kristian Demokrat të Gjermanisë (CDU) me 94,62% ​​të votave nga delegatët e kongresit të partisë online në Gjermani që po zhvillohet në vazhdim. Ish-juristi financiar ishte zgjedhur tashmë në dhjetor nga baza e CDU-së me 62.1% të preferencave dhe delegatët u thirrën për të konfirmuar zgjedhjen.

CDU ka “shansin e një fillimi të ri”, por duhet të japë një imazh të qartë: nëse grindet, rruga për në qeverinë e ardhshme do të jetë e gjatë”, tha Merz në fjalimin e tij në kongres.

“Ne pësuam një disfatë të rëndë në zgjedhje. Por nuk e kemi humbur besimin tek vetja – tha ai -. Duhet të imagjinojmë se si do të jetë një qeveri e së ardhmes”. “Nuk e mashtrojmë veten, rruga do të jetë e gjatë. Dhe kjo nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga ne”, tha ai. sda-eb

NATO hedh poshtë kërkesën e Rusisë për të tërhequr forcat nga Rumania dhe Bullgaria

NATO-ja hodhi poshtë të premten kërkesat ruse për të tërhequr forcat e saj nga Rumania dhe Bullgaria ndërsa vazhdonin përpjekjet diplomatike për të parandaluar një luftë në Evropë në kushtet kur Rusia ka grumbulluar rreth 100 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës.

“NATO-ja nuk do të heqë dorë nga e drejta për të mbrojtur njëri-tjetrin, përfshirë praninë e trupave në pjesën lindore të aleancës,” tha në një deklaratë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

Moska ka kërkuar garanci ligjërisht të detyrueshme nga NATO-ja se ajo do të ndalojë zgjerimin dhe do të kthehet në kufijtë e vitit 1997.

Më herët të premten, ministria e jashtme ruse tha se garancitë e sigurisë që kërkon Moska nga Perëndimi përfshijnë dispozita që kërkojnë që forcat e NATO-s të largohen nga Rumania dhe Bullgaria.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje se çfarë do të thoshte kjo për Bullgarinë dhe Rumaninë, të cilat u anëtarësuan në NATO-n pas vitit 1997, ministria tha se Rusia donte që të gjitha trupat e huaja, armët dhe pajisjet e tjera ushtarake të tërhiqeshin nga ato vende.

NATO-ja i hodhi poshtë këto kërkesa, duke thënë se një gjë e tillë do të krijonte aleatë të dorës së parë dhe të dytë të NATO-s, gjë që aleanca nuk mund ta pranonte.

“Ne hedhim poshtë çdo ide për sfera ndikimi në Evropë. Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, edhe me forcimin e mbrojtjes sonë kolektive,” tha zëdhënësja e NATO-s.

“NATO-ja është vigjilente dhe vazhdon të vlerësojë nevojën për të përforcuar pjesën lindore të Aleancës sonë.”/VOA/

Berlusconi synon Presidencën

RFE/RL

Italia është gati të zgjedhë presidentin e ri dhe synon nxisë unitetin, pas grindjeve politike.

Silvio Berlusconi mendon se është i përshtatshëm për këtë pozitë.

Manjati i medias, miliarderi dhe tri herë kryeministër i Italisë, që hyri në politikë gati 30 vjet më parë, Berlusconi, po synon t’i shtojë karrierës së tij edhe pozitën më të lartë në këtë shtet.

Berlusconi ishte dënuar për mashtrim me tatime dhe ishte përjashtuar nga Senati. Por, sa i përket shembullit të tij nga ana morale, 85-vjeçari që ishte parë shumë herë në mbrëmje të ndryshme me vajza më të reja, kishte deklaruar se “unë nuk jam shenjtor”.

Kreu aktual i shtetit, Sergio Mattarella, mandati i të cilit skadon më 3 shkurt, ka thënë vazhdimisht se nuk dëshiron të kandidojë përsëri për president.

Po ashtu, Berlusconi arriti që të lirohet nga akuzat për dyshimet se ka paguar për seks një vajzë të mitur.

Ai është duke lobuar qe disa javë te ligjvënësit italianë të qendrës së djathtë, për të siguruar votat e tyre për t’u zgjedhur president më 24 janar, në një mandat katërvjeçar.

Në Itali, deputetët, senatorët dhe përfaqësuesit e 20 rajoneve, zgjedhin presidentin e republikës.

Për të fituar, një kandidati i duhen dy të tretat e votave në tri rundet e para të votimit. Në të katërtin, një shumicë e thjeshtë është e mjaftueshme.

Ish-kryeministri Enrico Letta, i cili kryeson Partinë Demokratike, kritikoi vendimin e qendrës së djathtë për të mbështetur Berlusconin, pasi ai e konsideron “një zgjedhje thellësisht të gabuar”.

“Çdo lider politik (partiak) është përçarës, por kur mendojmë për Silvio Berlusconin, në historinë e këtyre 25 vjetëve, është e vështirë të mendosh për një shef politik më përçarës se ai”, tha Letta.

Berlusconi ka luftuar përgjatë viteve shkaku i problemeve në zemër dhe problemeve të tjera shëndetësore. Ai, po ashtu, është shtruar në spital si pasojë e COVID-19.

Roberta Metsola u zgjodh presidente e re e Parlamentit Evropian

Roberta Metsola është zgjedhur Presidentja e re e Parlamentit Evropian, në vend të David Sassoli-t, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë. Metsola fitoi një shumicë absolute prej 458 votash.

Metsola, një anëtare e grupit të krahut të djathtë EPP nga Malta, ishte midis katër kandidatëve për këtë pozicion, së bashku me Sira Rego të Spanjës (radikalja e majtë), Kosma Zlotowski e Polonisë (ECR, Euroskeptikët) dhe Alice Bah Kuhnke e Suedisë (të Gjelbërit).

Alice ishte pretendentja më e afërt, duke fituar 101 vota, me Sira që fitoi 58.

Secila ia bëri kërkesën kolegëve të tij eurodeputetë në Strasburg të martën për të pasuar Sassoli, i cili vdiq më 11 janar dhe mandati i të cilit përfundoi këtë javë.

Metsola është eurodeputete që nga viti 2013 dhe nënkryetare e Parlamentit që nga viti 2020./dita

Ndahet nga jeta miku i pëllumbave, Monsieur Pigeon

VOAL – Xhuzepe, i pastrehi i njohur me origjinë italiane, i cili endej në qendër të Parisit i rrethuar gjithmonë nga pëllumbat, “miqtë e tij më të mirë”, u gjet i vdekur në furgonin që ishte shtëpia e tij. Ai ishte 76 vjeç.

Një ish-kontabilist që kishte rënë në gjendje të keqe, ai ishte bërë vagabond me kalimin e viteve: mjekër e gjatë, kurriz i përkulur dhe një numër i madh pëllumbash mbi supet, duart dhe kudo që ulej për t’i ushqyer.

Në lagjen Beaubourg ishte bërë një figurë e njohur, e dashur për shumë njerëz. Jeta e tij përqendrohet rreth “Monsieur Pigeon”, një dokumentar me regji të Antonio Prata, i cili u prezantua në Festivalin e 55-të të Filmit në Solothurn. rsi-eb


Send this to a friend