VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

AT GJERGJ FISHTA, ARKITEKTI I MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE MIDIS SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA – Nga Frank Shkreli

By | October 23, 2019

Komentet

Lajçak adopton qëndrimin e Rusisë për Kosovën – Prishtina të refuzojë kurthin e rezolutës 1244 si bazë bisedimesh – Nga SHABAN MURATI

Nuk mund te klasifikohet ndryshe veçse si një skandal diplomatik vizita dhe bisedimet, që i dërguari i posaçëm i BE për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, zhvilloi në datën 13 korrik me ambasadorin e Rusisë në BE, Vladimir Çizhov, në selinë e ambasadës ruse. Është skandal, sepse nuk ka asnjë logjikë dhe arsye që i dërguari i posaçëm i BE për bisedimet Serbi-Kosovë të shkojë për konsultime në zyrën e ambasadorit rus dy ditë përpara takimit në Bruksel midis presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Abdullah Hoti, në Bruksel me ndërmjetësimin e BE.

Me të drejtë menjëherë lind pyetja se përse nuk shkoi i dërguari i posaçëm i BE për konsultime dhe bisedime te ambasadori amerikan në BE? SHBA janë të angazhuar direkt në zgjidhjen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Ndërmjetësimin e SHBA në dialogun Serbi-Kosovë e kanë pranuar zyrtarisht edhe Prishtina, edhe Beogradi, kur udhëheqësit e tyre pranuan ftesën të shkojnë në samitin e Shtëpisë së Bardhë të caktuar për datën 27 qershor 2020.

I dërguari i posaçëm i BE, Lajçak, shkoi tek ambasadori rus, sepse në mënyrë të qëllimshme ai dëshironte të adoptonte qendrimin e politikës ruse në lidhje me dialogun Serbi-Kosovë. Në komunikatën e misionit të Rusisë në BE për bisedimet Lajçak-Çizhov, publikuar në 14 korrik, thuhet tekstualisht: “ Palët theksuan se rezoluta 1244 e KS të OKB është baza juridike për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe mbetet aktuale në masë të plote”. Zyra e Lajçakut nuk ka përgënjeshtruar gjë komunikatën e ambasadës ruse në BE për këtë takim. Është hera e parë që një përfaqësues i lartë zyrtar i BE shpall zyrtarisht dhe publikisht se bashkohet me qendrimin e Rusisë që baza e zgjidhjes së konfliktit Serbi-Kosovë është rezoluta 1244 e KS të OKB.

Është hera e parë që një përfaqësues i lartë zyrtar i BE flet per “problem të Kosovës” në një kohë që nuk ekziston “problem i Kosovës”, por ekziston çeshtja e normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve, Serbisë dhe Kosovës, dhe për këtë Asamblea e Përgjithëshme e OKB në 2010 i dha Bashkimit Europian mandatin e ndërmjetësuesit për dialogun Serbi-Kosovë. Lajçakun e mbajnë si një ekspert të rajonit, por është e pafalshme që ai të mos e dijë se rezoluta 1244 nuk i takon Serbisë, sepse ajo rezolutë nuk e përmend në asnjë rresht Serbinë.

Nëse Rusia dhe Serbia spekullojnë me rezolutën, sepse ajo përmend diku një lloj sovraniteti të RFJ-së, Lajçak duhet ta dijë se RFJ është shtet që nuk ekziston. Nga ana tjetër Lajçak duhet ta dijë se në vitin 1999 kur është miratuar rezoluta 1244 Serbia nuk ka qenë anëtare e OKB dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 15 dhjetorit të vitit 2004 Serbisë nuk i takon asnjë e drejtë dhe pretendim mbi dokumentet e OKB. Është vërtet e habitshme se si i dërguari i posaçëm i BE i bashkëngjitet qendrimit dhe strategjisë së Rusisë në çeshtjen e dialogut Serbi-Kosovë.

Qendrimi rus i Lajçakut bëhet edhe më skandaloz, duke ditur që nuk ka asnjë dokument zyrtar të ndonjë samiti apo ministeriali të BE që të deklarojë se baza juridike e zgjidhjes së dialogut është rezoluta 1244. Nuk është e qartë përse i dërguari Lajçak doli tani me këtë ide të re, apo me saktë ide ruse, dy ditë para bisedimeve Serbi-Kosovë në Bruksel. Është shkelje e mandatit dhe e statusit të ndërmjetësuesit nga ana e të dërguarit të posaçëm të BE për dialogun Serbi-Kosovë, i cili shpall dy ditë para takimit të Brukselit të 16 korrikut unisonin e tij me diplomacinë ruse dhe serbe.

Si i laururuar në Institutin MGIMO të Ministrisë së Jashtme Ruse, Lajçak mund të ketë dobësitë e veta personale për diplomacinë ruse, por në mandatin si i dërguar i posaçëm i BE nuk ka të drejtë që t’i ngjisë ndërmjetësimit diplomatik të BE-së qendrimin dhe interesat e Rusisë. Me këto sjellje diplomatike ai paragjykon bisedimet e ardhshme në Bruksel midis presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës, sepse merr hapur anën e një pale, Serbisë dhe Rusisë. Prishtina ndodhet përpara një kurthi të ri diplomatik ruso-serb dhe të disa qarqeve europiane filorusoserbe.

Kryeministri dhe qeveria e Kosovës nuk duhet kurrsesi të pranojnë direkt apo indirekt ndonjë platformë apo sugjerim nga Lajçakët për të vendosur të ashtuquajturën rezolutë 1244 si bazë e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Ndaj qendrimi rus i adoptuar nga i dërguari i posaçëm i BE duhet të hidhet poshtë me vendosmëri nga qeveria e Prishtinës para se të shkohet në Bruksel.

NË VEND TË POLEMIKËS ME z. AURON TARE – Nga Thanas L. Gjika

Botimi i shkrimit të z. Auron Tare në “Peizazhe të fjalës”, New York dhe mendimet e tij shprehur në TV në Tiranë lidhur me “gjynahet agjenturore” të krijuesve brilantë shqiptarë Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, më shtynë ta rishikoj e plotësoj esenë “Dy kulturat e shoqërisë shqiptare nuk mund të bashkëjetojnë përgjithmonë”. E rishikova dhe e plotësova këtë shkrim duke theksuar se gjatë viteve të diktaturës, e në vijim pas kapitullimit të diktaturës komuniste, për gjallimin e kulturës demokratike shqiptare dhanë ndihmesën kryesore jo njerëzit që krijonin brenda vendit, por pikërisht shkrimtarët dhe artistët që krijuan nëpër burgjet e Shqipërisë dhe ata që mundën të arratiseshin jashtë atdheut. Kjo ndodhi dhe vijon të ndodhë sepse brenda vendit në vitet 1945-1991 nuk kishte kushte reale për krijim veprash plotësisht realiste e demokratike dhe se edhe pas vitit 1992 në Shqipëri klani Hoxha luftoi me anën e klasës politike dhe të medias që të krijohej një frymë mbytëse për kulturën e vërtetë demokratike, një nënvlerësim për kulturën e burgut dhe kulturën që u krijua në arrati. Studiuesi Auron Tare jeton e punon brenda Shqipërisë ku studiuesit dhe krijuesit e kanë vështirë t’i shpëtojnë përpunimit ideologjik prokomunist dhe vijojnë të mendojnë keq ndaj të dënuarve të ndërgjegjes dhe të arratisurve dhe në vend që të merren me studimin serioz të vlerave të veprave të tyre, përpiqen të kapen pas gjëra anësore të qena e të paqena në biografitë e tyre.

* * *

Gjatë viteve të diktaturës nuk u fol kurrë dhe nuk dihej se shumë prej të dënuarve të ndërgjegjes kishin krijuar në fshehtësi vepra letrare e artistike edhe në kushtet e rënda të burgjeve dhe të kampeve të internimit. Për këtë krijimtari partia shtet nuk nuk pranoi se ekzistonte një kulturë e tillë demokratike krejt e pastër, kultura e burgut, që përfaqësohej prej krijimeve të të dënuarve të ndërgjegjes. Për nderin e kulturës demokratike shqiptare të atyre viteve të vështira, u shquan disa nga shkrimtarët e piktorët e burgosur, ose të internuar në kampe pune si piktori e rapsodi Lek Pervizi, poetët Frederik Reshpja, Pano Taçi, Trifon Xhagjika, Visar Zhiti, Pano Tasi, piktori Maks Velo, prozatorët Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Lazër e Jozef Radi, Gulielm Deda (përkthyes), Mid’hat Aranitasi (përkthyes), Pashko Gjeçi (përkthyes), Eugjen Merlika, etj. Këta krijuan ose përkthyen me rrezik koke vepra realiste me përmbajtje kundër shtypjes brenda mureve të burgjeve ferr e të kampeve të internimit. Krijimtaria e këtyre njerëzve përbën aspektin heroik të kulturës sonë demokratike që u zhvillua në vitet e vështira të diktaturës.

Këtyre veprave të shëndosha duhet t’u shtojmë edhe veprat e shkrimtarëve, poetëve dhe studiuesve që krijuan në diasporë pas arratisjes së tyre nga Shqipëria diktatoriale. Të tillë janë shkodranët e shquar Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Lec Shllaku dhe Sami Repishti, vlonjati Isuf Luzaj, gjirokastriti Xhevat Kallajxhi, çami Bilal Xhaferri, korçarët Dhimitr Berati, Stavro Skendi e Vasil Germenji, krutanët Musatafa Merlika e Idriz Lamaj, beratasi Namik Resuli, dibrani Isa Elez Ndreu, lumjani Essad Bilali, lushnjari Zoi Shyti, etj.
Ndërrimi i regjimit dhe botimi i veprave letrare dhe artistike realiste të krijuara në burgje, në kampe internimi dhe në arrati treguan se letërsia e realizmit socialist ishte një mish i huaj në procesin historiko letrar e artistik shqiptar. Pikërisht veprat letrare dhe artistike që u krijuan në burgje bashkë me veprat realiste që përmendëm më lart përbënë kulturën demokratike shqiptare në vitet e sundimit të diktaturës komuniste. Kjo krijimtari përbën hallkën lidhëse midis letërsisë dhe artit shqiptar demokratik të Rilindjes e të kohës së pavarësisë me letërsinë dhe artin shqiptar demokratik të ditëve tona e të së ardhmes.

Veprat letrare artistike që u krijuan gjatë kohës së diktaturës sipas normave të realizmit socialist, mbas ndërrimit të regjimit diktatorial ndjehen të vjetëruara dhe askush nuk krijon më sipas atyre modeleve. Sot, të dënuarit e ndërgjegjes dhe shumë njerëz të mirëformuar si Agron Tufa, Çelo Hoxha, Kastriot Dervishi etj kërkojnë që veprat artistike letrare ku është shtrembëruar e vërteta historik të mos pranohen si vepra të vlefshme arti, sidomos filmat socrealistë të mos trasmetohen në gjithë stacionet televizivë, por vetëm në një stacion dhe të shoqëruar me komente prej specialistëve.
Në Shqipëri pas ndërrimit të regjimit diktatorial duhej të arrihej krijimi i një kulture të vetme demokratike, por fatkeqësisht vijuan të gjallojnë ende dy kultura. Njëra demokratike dhe tjetra kultura servile e pushtetit, kultura jo demokratike. Kjo ndodhi sepse para ndërrimit të regjimit, udhëheqja e PKSh-së hartoi variantin shqiptar të planit Katovica që sajoi Mikail Gorbaçovi për sabotimin e procesit të ecurisë demokratike përmes pluralizmit partiak. Pas nërrimit të regjimit u futën me urdhër të klanit Hoxha në partitë e reja politike shqiptare ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe shërbëtorë të tjerë të regjimit diktatorial, për të degjeneruar proceset demokratike.
Zbarimi i planit Katovica në Shqipëri solli si pasojë krijimin e një klase politike me njerëz të korruptuar që shkelin lirinë e fjalës dhe kanë krijuar një shtyp e media që i shërben kryesisht interesave të saj. Tek ne pushtetin politik dhe pasuritë e vendit vijuan t’i gëzojnë edhe pas ndërrimit të regjimit besnikët e klanit Hoxha. Kjo situatë ka lejuar që në publicistikë, letërsi, arte dhe shkencat shoqërore propagandohet politika e kastës sunduese të shpërndarë në partitë e mëdha politike si Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Lidhja Socialiste për Integrim, etj.

Ish-krijues të veprave letrare e artistike të realizmit socialist, duke mos dashur të kërkojnë falje për veprat që krijuan gjatë regjimit diktatorial, vijojnë t’i mbrojnë ato vepra, si vepra me vlera edukative, duke mos kuptuar se ky justifikim është një krim i ri, sepse ndihmon në ruajtjen e nostalgjisë ndaj diktaturës dhe enverizmit. Sot në krijimtarinë e tyre letrare dhe artistike këta krijues janë larguar nga kriteret e socrealizmit dhe përpiqen të krijojnë vepra të reja në përputhje me normat e realizmit botëror. Përpiqen t’u ngjajnë shkrimtarëve përparimtarë botërorë, duke i cituar e përmendur. Merren me trajtim temash filozofike, erotike, sociologjike, por gjithnjë duke mos i trajtuar, ose duke i trajtuar sipërfaqshëm plagëve që shkaktoi regjimi komunist. Për t’u dukur modernë trajtojnë tema dashurie e filozofike, por nuk dënojnë krimet e kohës së komunizmit dhe përpiqen të minimizojnë vlerat e letërsisë së shëndoshë demokratike që u krijua në burgjet shqiptare, në diasporë dhe brenda Shqipërisë diktatoriale prej krijuesve të guximshëm që krijuan e vijojnë të krijojnë edhe sot bashkë me krijues të rinj që i dënojnë krimet e komunizmit. Krijuesit e sotëm të kulturës jo demokratike që vijnë nga koha e diktaturës, ose bijtë e kuadrove të përkëdhelur të diktaturës, nga njëra anë përpiqen të nënvlerësojnë krijuesit e kulturës demokratike që krijuan në ato vite të vështira duke sjellë të dhëna biografike që ua njollosin karakterin e moralin këtyre krijuesve, kurse nga ana tjetër përpiqen të dëshmojnë se ata vetë kanë qenë përndjekur (ata ose prindërit e tyre) nga diktatura sepse u ishte kritikuar a hequr ndonjë poezi a tregim nga një vëllim poetik, ose përmbledhje me tregime.
Në rrugë edhe më të gabuar kanë ecur dhe ecin historianët që shkruan Historinë e Shqipërisë të shekullit të XX. Këta e ripunuan “Historinë e popullit shqiptar” të viteve 1912-1939 dhe të 1939-1991 dhe e botuan në vëllimet III dhe IV, botim i Akademisë së Shkencave, si dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” edhe ky botim akademik i vitit 2008-2009. Në këto vepra për hartimin e të cilave morën rrogën dhjetra kuadro akademikë më shumë se dhjetë vjet, shumë dukuri, ngjarje dhe figura historike i interpretuan dhe i vlerësuan si më parë. Në këto vepra krimet e komunizmit nuk janë dënuar, madje nuk përmenden. Kjo tregon se klani Hoxha ka ende fuqi për të komanduar kuadrin shkencor të Akademisë së Shkencave të RSh-së, si dhe shumë krijues të artit e letrarsisë së sotme.
E thënë ndryshe, edhe sot në jetën shqiptare gjallon dykulturësia. Nga njëra anë gjallon kultura jo demokratike, e cila justifikon klasën politike dhe nuk i dënon krimet e komunizmit. Nga ana tjetët gjallon kultura demokratike që krijohet prej ish-të përndjekurve të ndërgjegjes dhe krijuesve të vjetër e të rinj, që kanë kurojo qytetare dhe i dënojnë krimet e komunizmit. Këta trajtojnë në veprat e tyre letrare, publicistike, artistike dhe shkencore probleme thelbësore të jetës shoqërore përmes realizmit si metodë krijuese, kurse në veprat shkencore zbatojnë me objektivitet parimet e historizmit shkencor. Për fat të keq kjo kulturë sot lëvrohet shumë pak brenda vendit për shkak se aty autorët e vërtetë demokratë nuk gëzojnë liri të plotë. Këta mund të botojnë libra në shtëpi botuese dhe shtypshkronja, por librat e tyre nuk popullarizohen dhe nuk vlerësohen si e meritojnë. Media aty është kryesisht në shërbim të klasës politike që i shërbën klanit Hoxha, prandaj kultura e vërtetë demokratike lëvrohet kryesisht në diasporë prej shkrimtarësh e gazetarësh të talentuar si Vehbi Bajrami, Dalip Greca, Ruben Avxhiu, Lek Pervizi, Jozef Radi Radi, Beqir Sina, Elida dhe Skender Buçpapaj, Fatmir Topçiu, Frank Shkreli, Astrit Lulushi, Roland Gjoza, Visar Zhiti, Anton Cefa, Ramiz Gjini, Andon Dede, Fritz Radovali, Ilir Lëvonja, Eshref Ymeri, Pëllumb Lamaj, etj të cilët botojnë kryesisht në gaztat “Dielli” e Illyria” ( Nju Jork) dhe në website “Kuq e Zi” (Bruksel), “Radiandradi.com” (Itali), “VOAL.Ch” (Zvicër), “Fjala e Lirë” (Londër), “Zemra Shqiptare” e Mark Markut, “Albemigrant” e Ajet Nuros dhe Paul Tedeskinit, etj. Kurse Adem Belliu, Këze Kozeta Zylo, etj kanë hapur stacione televizive në ShBA, etj.  Disa të tjerë publikojnë shkrimet e veta në face-book personal dhe në libra me shpenzimet e veta, si politologët Shinasi Rama e Grid Rroi, pelazgologu Mathieu Aref, eruditi Klodi Stralla, shkrimtarë e poetë si Rudolf Marku, Ylli Demneri, Kristaq Turtulli, Petro Dhimitri, Petraq Risto, Gëzim Basha, Luan Rama, Arben Kallamata, Vangjush Ziko, Perparim Kapllani, Klajd Kapinova, etj.
Kësaj kulture demokratike i përket e ardhmja, kurse kulturës servile proqeveritare do t’i vijë fundi shumë shpejt mbas krijimit të shtetit ligjor, kur Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Në këtë bashkësi popujsh nuk do të jetë më i nevojshëm dhe as do të pranohet lëvrimi i kulturës servile ndaj pushtetit. Pushteti do të jetë pushtet demokratik i vërtetë dhe si i tillë do të stimulojë jo servilizmin dhe propagandën proqeveritare në media, art, letërsi, shkenca shoqërore e tekste shkollore, por lulëzimin e kulturës demokratike si kulturë e vetme në shërbim të mbarë shoqërisë shqiptare dhe europiane.

E parë në plan tipologjik (përsëritja e tipareve të një dukurie) dykulrutësia shqiptare mund të themi se paraqitet nga njëra anë si rrjedhë e një lumi me ujra të kulluar që rrjedhin drejt detit dhe nga ana tjetër si një tërësi moçalesh me ujra të ndenjur që nuk rrjedhin e qëndrojnë në vend ku qelben. Kultura demokratike shqiptare, që u ka shërbyer interesave të popullit / kombit, përbën ujin e kulluar të lumit që shkon drejt detit. Kjo kulturë ka vijimësi gjatë shekujve XVI-XXI. Ajo është përpjekur të zhvillohet në harmoni me përparimin shoqëror me aspiratat e popullit dhe të interesit mbarëkombëtar shqiptar. Kjo pasuri vlerash kulturore ka për t’u derdhur në thesarin e kulturës së përbashkët europiane.

Kurse kultura jo demokratike, kultura proqeveritare që u ka shërbyer klasave / kastave në fuqi, që ka kërkuar të ruajë statukuonë e të sundojë si hegjemoni kulturore e nomenklaturave politike, përbën ujrat moçalore, që nuk kanë pasur e nuk kanë rrjedhje e vijimësi nga një kohë në tjetrën. Kjo lloj kulture është tharë e zhdukur gjithnjë. Kështu u tha e u zhduk kultura që mbështeti pushtetin perandorak turk, kultura që mbështeti shovinizmin fqinj, monarkinë Zogiste, fashizmin dhe diktaturën komuniste. Kështu do të thahet si ujrat e moçalit edhe kultura e sotme jo demokratike që i shëben kastës në fuqi për ruajtjen e statukuosë. Kjo kulturë nuk ka të ardhme, nuk mund të bashkohet në thesarin e përbashkët të kulturës europiane.

Ecuria e sotme e kulturës demokratike shqiptare në diasporë dhe brenda Shqipërisë e në mbarë Ballkanin Perëndoimor tregon se populli ynë është popull krijues i shëndetshëm dhe pas formimit të shtetit kombëtar do të shpërthejnë edhe më fuqishëm energjitë e tij krijuese.

Kështu as Brukseli i Borrellit nuk i normalizon marrëdhëniet Kosovë-Serbi – Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Siç e pohon Josep Borrell, takimet në Paris dhe video-konferencat me kryeministrin e Kosovës Hoti dhe presidentin e Serbisë Vuçiç, po shënojnë vënien e dialogut midis dy shteteve fqinje që ata përfaqësojnë në binarët ku ai ndodhej para “njëzet muajve”.

Janë “njëzet muaj” famëzinj gjatë të cilëve dialogu midis dy fqinjve ballkanas u zhvillua nga formati pa transparencën e duhur në formatin e fshehtë, krejtësisht hermetik, vetëm midis Hashim Thaçit e Aleksandër Vuçiçit. Kalimin në këtë format, ashtu si të gjithat rrjedhat e deriatëhershme të dialogut, i imponoi Beogradi, falë papërgjegjshmërisë me të cilën ndërmjetësuan apo “lehtësuan” procesin nga viti 2011 deri para “njëzet muajsh” përfaqësueset e larta të BE-së, Ashton dhe Mogherini.

Pas “njëzet muajsh”, kur dialogu pritet të rifillojë në binarët e mëparshëm, domethënë të kohës së Ashtonit dhe Mogherinit, Përfaqësuesi i ri i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri ka kërkuar “guxim politik nga të dyja palët… në frymën e kompromisit”. As pas 10 vjetësh nga fillimi i dialogut, as pas “njëzet muajsh” të zhvillimit të tij në formatin e fshehtë, pra, Brukseli nuk e ka kuptuar se kërkimi i kompromisit nga të dyja palët e çon procesin në të njëjtët binarë ku Mogherini e kishte lënë në duart e Thaçit dhe të Vuçiçit.

Brukselit i Borrellit, si më parë ai i Ashtonit dhe Mogherinit, e shpërfill faktin se Kosova e ka bërë kompromisin kur ka pranuar që ajo të mos bashkohet me Shqipërinë, kur ka miratuar “planin Ahtisaari” të hartuar me ekspertët më të mirë të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës. Mbi këtë bazë, Kosova është shpallur shtet i pavarur e sovran demokratik perëndimor, mbi këtë bazë, është njohur nga pothuaj e gjithë bota perëndimore dhe shumë vende të tjera të botës. Mbi këto baza, ka vendosur dhe zhvillon marrëdhënie diplomatike me dhjetëra vende. Mbi këto baza, Kosova ka hyrë në proceset integruese euro-atlantike. Në këto 11 vite të pavarësisë, Republika e Kosovës, me durim dhe konstruktivitet, në një proces sado të lodhshëm, zhgënjyes, pa fryte, është përkushtuar që të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë fqinje. Dhe asnjëherë nuk ka dhënë shenja se ka ndërruar mendje dhe se tashmë kërkon të bashkohet me Shqipërinë.

Nga ana e saj, Serbia fqinje, në këto 10 vite të dialogut, të kulmuara në “njëzet muajt famëzinj”, ka bërë gjithçka për të arritur që procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, ta kanalizojë në proces të shndërrimit të Kosovës në një çështje të pazgjidhur. E ka bërë haptas, sfidueshëm, me agresivitet, me arrogancë të padurueshme dhe të papranueshme.

Deklaratës së Borrelit pas video-konferencës Hoti-Vuçiç, ky i fundit i është përgjigjur se kërkesat e Kosovës janë maksimale, prandaj Beogradi do t’i përmbahet një procesi të “hapave të vegjël” të normalizimit të marrëdhënieve. Me këta “hapa të vegjël” që Beogradi ia ka imponuar dialogut këto dhjetë vite, siç më është dashur edhe mua shpesh ta theksoj, as pas qindra vjetësh të tjerë nuk pritet të normalizohen marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, mes serbëve dhe shqiptarëve.

Në emër të palës së përfaqëson, kryeministri Hoti, duke dhënë pajtimin për takimin e 6 korrikut në Bruksel me Vuçiçin, përsëriti qëndrimin e Kosovës se “dialogu nuk ka alternativë” dhe se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen “çështjet me Serbinë”. Pra, dialogu është krijuar për të zgjidhur “çështjet me Serbinë”, e cila, njëzet e një vjet pasi është larguar me forcën ushtarake të NATO-s dhe të UÇK-së nga Kosova, edhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe 10 vjet pas fillimit të dialogut, vazhdon të mos e njohë realitetin fqinj, Kosovën e pavarur dhe sovrane, me kushtetutën e saj, me unitaritetin e saj, me integritetin e saj tokësor të pacënueshëm.  “Jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve e cila vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve”, sqaron Hoti. Dhe shton: “Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, adresimin e çështjes të së pagjeturve, dëmet e luftës, kthimin e dokumenteve kadastrale, rregullimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve, lidhjet infrastrukturore.”

Pra, “çështjet me Serbinë” zgjidhen pasi Serbia fqinje të njohë Kosovën. Serbia ta njohë Kosovën siç e kanë njohur vendet e tjera fqinje, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, ta njohë siç e kanë njohur vendet rajonale, Kroacia, Sllovendia, Bullgaria dhe Turqia, ta njohë siç e kanë njohur njëzet e sa vende të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, siç e kanë njohur tri vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, siç e kanë njohur rreth 100 e sa vende anëtare të Kombeve të Bashkuara. Serbia ta njohë Kosovën me atë popull që ka, me atë kushtetutë që ka, me atë sipërfaqe tokësore që ka, me ata kufij shtetërorë që ka, me atë organizim të brendshëm administrativ që ka. Ashtu siç e kanë njohur të gjitha vendet e tjera.

Nëse do të vazhdojë të plotësojë tekat e Beogradit për ta vërtitur si të dojë ai procesin e dialogut, atëherë as Brukseli i Borrellit, ashtu si Brukseli i Ashtonit dhe Brukseli i Mogherinit nuk do të arrijnë asgjë thelbësore. Akti më përgjegjshëm do të jetë heqja dorë përfundimisht nga dialogu. Dhe të gjitha pasojat të bien mbi Serbinë.

 

 

Antishqiptari dhe diasporofobi Ardian Vehbiu – Nga Elida Buçpapaj

Ky shkrim është botuar tek voal-online.ch në janarin e vitit 2012 dhe është i përfshirë në librin me publicistikë të autores “Tirania e Tranzicionit”, Onufri 2013. Në botimin e sotshëm titulli  është i ndryshuar, por gjithashtu botohet edhe titulli i mëparshëm dhe teksti pa bërë asnjë ndryshim.

 

Reagim ndaj opinionit të Ardian Vehbiut botuar tek Shekulli dhe ribotuar tek MAPO

NDAL ÇDOLLOJ DIASPOROFOBIE QË KUTËRBON ANTISHQIPTARIZËM!

26, Janar 2012

 

Duke ndjekur shtypin e Tiranës, dëgjova sot të shqiptohej dy herë emri i Ardian Vehbiut, një prej gjashtë a shtatë opinionistëve të Shqipërisë moderne të shekullit XXI. Nuk tingëllon absurde? Që gjashtë a shtatë persona, shpesh me integritet të diskutuar, sot e njëzet vjet, monopolizojnë opinionbërjen në Tiranë. Ky lloj monopolizimi, shpesh trushpëlarës, që nuk toleron konkurencën e lirë të ideve, në fakt ka uzurpuar shëndetin mendor të opinionit publik, si reminishence e periudhës staliniste, kur se kush do të bëhej gazetar vendoste vetë diktatori.

E lashë tek Ardian Vehbiu, që ia dëgjova emrin dy herë në dy gazeta, tek Shekulli dhe tek Mapo, diçka që ngjet rëndom në Shqipëri, kur njëri prej gjashtë a shtatë opinionistëve e boton opinionin e tij të shplarë dhe që shpesh ngjan me direktivë partie në të paktën dy ose tre gazeta të Tiranës dhe të Prishtinës, sikur të ishin direktivat e vetë Enver Hoxhës, të cilat i imponoheshin me dhunë psikës së popullit shqiptar. Tani ky imponim nuk është me dhunë të drejtë për drejtë por të tërthortë, sepse do apo nuk do që t’ia lexosh shkrimin, do të jesh i detyruar t’ia dëgjosh titullin po të bësh zapping në cilindo televizion të Tiranës kur lexohen titujt e gazetave çdo mëngjez.

I kthehemi Ardian Vehbiut, emrin e të cilit e dëgjova sot dy herë. Por çudia e kësaj here ishte se herën e dytë tek gazeta MAPO, emri i tij përmendej për një opinion të tij botuar një ose dy javë përpara tek Shekulli. Që do të thotë se pasi Ardian Vehbiut këtë opinion ia kishin botuar tek Shekulli dy javë më parë, MAPO ia merr dhe ia riboton sikur ky opinion i Ardian Vehbiut të ishte një brilant i opinionbërësve, dhe si e tillë meritonte të botohej e ribotohej, e biles të shndërrohej në një libërth xhepi për nga vlerat. Të trushpëlarjes, do të thosha, me trishtim. Që në fakt është i mbushur plot helm dhe cinizëm. Të them të drejtën Ardian Vehbiu ka një background akademik që nuk do t‘i shkonte assesi për shtat shkrime të tilla, por kjo është puna e tij.

Fjala është për „ Atdhetarizëm me korrespondencë”, ku Vehbiu fut në objektiv diasporën shqiptare të cilën e fshikullon që në titull me një stilemë tallëse gati vulgare. Në kohën e diktaturës kur donin të talleshin me dikë i kujtonin se e kishte mbaruar shkollën me korrespondencë, dmth shkel e shko. Dhe në Shqipëri, ata që mbaronin shkollën në këtë mënyrë nuk përbënin asnjë vlerë, pra ishin njerëz që nuk meritonin asgjë, asnjë post, asnjë vlerësim. Korrespondenca, në fakt, ishte një nga metodat depersonalizuese të diktaturës kur ose ua mohonte të drejtën e shkollës të rinjve për arsye politike ose ua jepte me gramaturë, duke shkelur hapur një të drejtë elementare të njeriut siç është e drejta e arsimimit.

Në Perëndim diasporat shihen si urë lidhjeje ndërmjet shteteve, ku shteti amë tregon kujdes të posaçëm për diasporën e vet. Kështu, përshembull, në Zvicër, diaspora zvicerane, sa 10 % e popullsisë, njihet me termin „Zvicra e Pestë”, dmth shteti zviceran e fut këtë diasporë si realitet në kontekstin shtetëror, pas Zvicrës gjermane, Zvicrës franceze, Zvicrës italiane, dhe Zvicrës romançe. Pra shiheni se çfarë rëndësie domethënëse i jep diasporës.

Ndërsa Ardian Vehbiu bën të kundërtën – nga një realitet disamilionësh që është kërkon ta shndërrojë në të paqenë, duke i mohuar diasporës shqiptare të drejtën për të marrë pjesë, kontribuar dhe për të shprehur qëndrimet e saj për atë çka ndodh në Shqipëri. Po t’i jepej mundësia, me këtë mendësi që e konsumon në këtë opinion, duket sikur Ardian Vehbiu do ta çonte në litar diasporën shqiptare. Shikoni si shkruan: „pas vitit 1990, për Shqipërinë dhe vitit 1999 për Kosovën, këto dy kryerrugë të mendimit politik në diasporë e humbën arsyen për të ekzistuar dhe vazhduan kryesisht për shkak të inercisë, ose të nevojës së organizatave dhe satelitëve të tyre për të mbijetuar me hierarkitë ekzistuese”.

Me rrëzimin e diktaturës në Shqipëri në fillim të viteve `90 dhe çlirimin e Kosovës më 1999, Ardian Vehbiu në mënyrë absurde e sheh misionin e diasporës të përfunduar dhe shkon deri aty sa nuk gjen arsye për ekzistencën e mendimit politik tek ky komunitet disamilionësh duke e etiketuar brutalisht si „profitere”, si „diçka pa vlerë”, apo si „diçka që nuk meriton të jetojë”, sepse sipas Ardian Vehbiut kjo diasporë e ka „humbur arsyen e ekzistencës”! O my God!

Një tërbim patologjik kundër diasporës e ka patur diktatura komuniste shqiptare e cila për gati gjysmë shekulli e luftoi me të gjitha mjetet diasporën shqiptare, duke i bashkërenditur veprimet e saj edhe me shërbimet e fshehta të shteteve ballkanike nga vinte kjo diasporë. Mjafton të kujtojmë librin „Mërgata e qyqeve” për të kuptuar dramën që kanë përjetuar njerëzit e saj si dhe cinizmin e sjelljen kriminale të shtetit komunist të asaj kohe.

Edhe sot e kësaj dite diplomacia shqiptare nuk ka një sjellje të re ndaj diasporës për shkak se në themel vazhdon të ketë një trashëgimi nga koha e diktaturës që ka mbetur e papastruar. Ambasadat sot ose bëhen sikur s’janë, ose pasqyrojnë skajshmërisht qëndrimet politike të krahut nga vijnë, duke shkaktuar dëm të madh për diasporën.Por diaspora shqiptare, në fakt, është arsye e ekzistencës së shtetit shqiptar, Shqipërisë. Mjafton të kujtojmë se diapora shqiptare ka dhënë ndihmesë të madhe për pavarësinë e shtetit shqiptar, që tani i mbush 100 vjeç, apo mjafton të kujtojmë rolin e presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Paqes në Paris, kur kundërshtoi Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe i shpëtoi jetën shtetit amë, pikërisht në sajë të diasporës shqiptaro-amerikane.

Vetëm ky fakt do të mjaftonte që diaspora shqiptare të shihej si një det vlerash si nga Ardian Vehbiu me shokë ashtu dhe nga historiografia shqiptare.

Edhe në kontekstin e aktualitetit. Shqipëria iu ka mbijetuar krizave në saj të remitancave, pra parave të diasporës dhe rrezikon të bjerë në krizë pikërisht se këto remitanca tash janë në bjerrje.

Si pjesë përbërëse e diasporës shqiptare në Perëndim është edhe një pjesë e elitës e cila është larguar më 1997, sepse ka qenë e kërcënuar me jetë nga bandat që ricikluan pushtetin e ish-komunistëve, duke djegur shtetin, reminishenca të të cilave ne i pamë edhe më 21 janarin e vitit 2011, ku u bënë përpjekje për ta sjellë me dhunë „pranverën arabe” në Tiranë, në një vend anëtar të NATO-s, ndërsa sot opinionistë nga kryeqyteti i Shqipërisë e shohin si „kërcënim diasporën shqiptare” në Perëndim, kur në fakt kërcënim për interesat kombëtare përbëjnë qëndrime të tilla të cilat shprehin një antishqiptarizëm të paprecedent.

Është mendësi e verbër të mos i shohësh si realitet ekzistent 3 milionë shtetas shqiptarë, pjesë e diasporës shqiptare që këto dy dekada janë detyruar të largohen nga atdheu, sepse qeveritë në Shqipëri ishin të papërgjegjëshme për të krijuar një vend normal për shtetasit e tyre, ndërsa tani sugjerohet që t’u hiqet e drejta e fjalës apo t’u mohohet e drejta për të qenë patriotë, atdhetarë apo për të qenë të organizuar, ashtu si veprojnë të gjitha diasporat e botës kudo ku ato gjallojnë, ku të gjitha këto organizime bëhen me shpenzimet e vet diasporës, dhe kur në fakt do të duhej që të bëhej me shpenzimet e shteteve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e me rradhë.

Kur merret me historinë e diasporës shqiptare, Ardian Vehbiu bën një historik në dukje romantik, por në thelb antishkencor, sepse retushon çfarë t’i teket. Gjatë gjysmë shekulli të periudhës të diktaturës nuk e përmend askund shkakun themelor për emigrim të shqiptarëve, që ky regjim nuk u linte të zgjidhnin dhe shqiptarëve u duhej ose të iknin ose të ishin preja e rradhës e regjimit despotik të Enver Hoxhës, i cili i vriste, i pushkatonte dhe i shpinte në litar e pastaj persekutonte të gjitha familjet e të deklasuarve përmes luftës të klasave e diktaturës të proletariatit. Pra Ardian Vehbiu është i butë, i ëmbël me monstruozitetet e një regjimi despotik dhe shumë i vrazhdë me diasporën shqiptare, të cilës nuk dëshiron as që t’ia shohë fytyrën dhe as t’ia dëgjojë zërin e gojës, sepse të drejtën e fjalës Ardian Vehbiu e kërkon ta mbajë pronë vetëm për vete dhe për ca kolegë të tij, që kësisoj të kenë kushte absolute që të vjellin helm sa të duan, duke abuzuar me liritë që të ofron tregu i lirë në një shoqëri demokratike, sepse e kërkon lirinë për veten dhe t’ua heqë këtë liri të tjerëve. Siç dihet në Shqipëri gazetat nuk janë të varura nga shitblerja, por nga oligarkët e postdiktaturës, të cilët i mbajnë në treg gazetat e tyre për të diktatuar politikat e tyre.

„Në thelb, antikomunizmi tradicional i një pjese të aktivistëve të sotëm në diasporë mbahet gjallë artificialisht, sepse vetëm ashtu mund të riprodhohen disa nga strukturat e vjetra organizative dhe sociale të diasporës; dhe pavarësisht se ai kërkon me këmbëngulje dhe çdo kusht të provojë se pushteti i sotëm politik në Tiranë kontrollohet prej komunistëve të djeshëm, që pastaj ta denoncojë e ta fshikullojë këtë dukuri dhe të rithemelojë vetveten nëpërmjet protestash dhe distancimesh që mbeten, në më të shumtën, të themeluara në imagjinatë.”

E shikoni sa i hidhur është Ardian Vehbiu kundër diasporës shqiptare, të cilën e akuzon se qëndrimin e saj antikomunist e ka vetëm për arsye mbijetese, jo se në Shqipëri ekzistojnë arsye të vërteta që organizmat e kësaj diaspore të denoncojnë klasën politike në Shqipëri se kontrollohet nga strukturat e djeshme. Këtu e ka hallin Ardian Vehbiu! Po diaspora shqiptare ka shumë të drejtë për pretendimet e saj dhe këtë e vërteton katërcipërisht Bundestagu gjerman i cili vetëm disa ditë më parë rikonfirmoi gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes së dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe policisë sekrete të regjimit komunist, sepse dihet botërisht se një pjesë e mirë e klasës politike përfshirë atë të një pjese të opinionistëve të Tiranës janë me dosje. Pra diaspora nuk e ka gabim, as Bundestagu gjerman!

Ardian Vehbiu është gati që të bëjë një kundërrevolucion, një revolucion antiinformatik, antiIT, është i gatshëm t’i mbyllë televizonet satelitore, është i gatshëm ta etiketojë si heretik Steve Jobs-in, Marc Zuckerbergun, është i gatshëm të hedhë blozë mbi të gjithë ata shqiptarë në Perëndim që krahas angazhimeve të përditshmërisë i kushtohen çështjes shqiptare, të cilët i akuzon se kanë „jetë të dyfishtë”. Jetë të dyfishtë dhe të trefishtë ka Ardian Vehbiu me shokë që kanë urrejtje patologjike kundër diasporës, por jo shqiptarët e diasporës, të cilët bëjnë një jetë të ndershme dhe të përgjegjëshme. Dhe meritojnë respekt. Sepse ndërsa punojnë e lodhen, duke e fituar bukën dhe mirëqënien e tyre me djersën e ballit, nuk e harrojnë kurrë vendin e tyre.

Kur flet për diasporën shqiptare të viteve 1945-1990, Ardian Vehbiu nuk thotë asnjë fjalë se si sigurimi i Shqipërisë i ka ndjekur dhe përndjekur kundërshtarët e regjimit në çdo shtet në Perëndim, por e paraqet këtë periudhë të historisë me ngjyra gati rozë.

Në fakt, Ardian Vehbiu nuk shqetësohet për diasporën e 1945-1990 sepse në atë kohë diktatura komuniste kishte gjithçka nën kontroll përmes izolimit. Për Ardian Vehbiun përbën shqetësim diaspora shqiptare e krijuar pas 1990, e cila është diaspora më e fuqishme, më vitale, më intelektuale, më europiane, duke llogaritur faktin se vetëm gjatë këtyre 20 viteve janë larguar nga vendi rreth 3 milionë shqiptarë, pra gjysma e kombit sot jeton në Perëndim, pothuaj e integruar dhe një pjesë e madhe e natyralizuar. Këta i ka problem Ardian Vehbiu, kur do të duhej të kishte problemet e vërteta që ka sot Shqipëria dhe shqiptarët. Sipas Ardian Vehbiut, na qenka i tepërt angazhimi i diasporës shqiptare në punët e brendshme të Shqipërisë dhe me këtë ton ai gati e shpall armike të popullit diasporën shqiptare.

Çdo politikan apo intelektual në Shqipëri, i çfarëdongjyre politike, sot do të duhej ta përjetonte si dramë të shoqërisë shqiptare largimin e trurit, fenomenin e njohur si « brain drain », të emigrimit të kapitalit njerëzor, të këtyre 3 milionë shqiptarëve ku shumica janë me aftësi dhe njohuri konkuruese, që kanë përballuar konkurencën dhe janë integruar në Perëndim, të cilët me këto aftësi dhe kompetenca mund të jepnin një kontribut shumë të domosdoshëm edhe në politikë, edhe në jetën akademike, edhe kudo në atdheun e tyre. Këtyre 3 milionë shqiptarëve, të cilëve klasa politike ka 20 vjet që nuk ua ka krijuar asnjë kusht minimal për jetesë, tani Ardian Vehbiu u ndalon edhe të hapin gojën e të organizohen!

Por kulmi i diasporofobisë, arrin atje kur Ardian Vehbiu e paraqet diasporën shqiptare « të papërgjegjëshme, të dyshimtë si dhe rrezik për stabilitetin e vendeve në Ballkan », kur në fakt kjo diasporë ka furnizuar lobet më të fuqishme proshqiptare, në metropolet më të fuqishme, me ndikim për të mirën, demokratizimin dhe faktorizimin e kombit shqiptar në përgjithësi. Siç është lobi shqiptaro-amerikan apo edhe diaspora shqiptare në SHBA dhe Europë e cila me sakrificat e saj jep ndihmesën e domosdoshme, aq më tepër kur në Shqipëri edhe sot e kësaj dite klasa politike dhe puthadorët e saj opinionistë nuk interesohen assesi për interesat kombëtare apo për fatin e individit në shoqërinë shqiptare, porse në qendër të shqetësimeve të tyre kanë vetëm interesat kuazi kriminale të një klike që tani ka vënë në objektiv diasporën shqiptare, e cila ka patur, ka dhe do të ketë një rol jetik në shëndetin e shtetit amë, në Shqipëri, si dhe në Kosovë, Maqedoni e atje ku jetojnë shqiptarët.

©

DIASPORË, HESHTJA NUK TË KA HIJE Nga Frank Shkreli, *Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë Ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar- Shqiptaro-Amerikano (NAAC)

Ka një javë që Auron Tare ka botuar të ashtuquajturin “punim” famëkeq në portalin “Peisazhe të fjalës”, me qëndër në New York, në të cilin akuzohet Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, dy nga personalitetet më të njohura të diasporës së vjetër anti-komuniste, si bashkpuntorë të agjencive sekrete ndërkombëtare. Është një shkrim plot aludime, insinuata, të pa vërteta, hedhje dyshimesh të pavërtetuara, e që përmban më shumë pyetje provokative djallëzore se sa fakte, të cilave nuk u jep përgjigje as autori as botuesi– një fletërrufe e vërtetë e kohës së Enver Hoxhës kundër këtyre dy shkrimtarëve shqiptare, të cilët — megjithë ndonjë gabimi njerëzor që mund të kenë bërë — veç nam e nder i kanë lenë vetes dhe Kombit shqiptar. Jo vetëm në diasporën e atëherëshme por edhe në qarqet ndërkombëtare gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre, një periudhë ajo që ata akuzohen nga Tare të kenë vepruar si poli-agjentë të UDB-së, CIA-s amerikane, agjencive të fshehta gjermane e italiane, madje edhe deri në Moskë ka shkuar Tare që me absurditetin e tij përpiqet të “implikojë” Koliqin për bashkpunim madje edhe me rusët.

Me thënë të drejtën fillimisht e konsiderova shkrimin e Tares se ndoshta ishte një përpjekje për të parë emrin e vet në shtyp dhe mundësisht për të bërë lajm në ditët e nxehta të verës, zakonisht, pa lajme me rëndësi, me përjashtim të koronavirusit, me të cilin jemi lodhur të gjithë kudo. Duke zie në vetveten, m’u kujtua gjithashtu poezia e Martin Camajt, duke menduar për, “Një ditë e ka Korbi”, se korbit ndoshta i duket vetja Pëllumb, madje edhe për një ditë, ose siç thotë një shprehje amerikane, gjithkush ka të drejtë për 15-ditë fame, edhe gati hoqa dorë. Legjenda popullore thotë gjithashtu se korbi, i cili mendohet se nuk është i anëve tona, ka ardhur nga diku dhe simbolizon ndjellakeqin, perfaqësues i një ambienti të egër — korbi përballë ambientit të butë që përfaqëson pëllumbi –korbi i zi përball bardhësisë. Në anët tona korbi konsiderohet aq i zi jo për nga ngjyra, por për fatin e keq që sjell, sa kur donte të namte dikush, të thonte, “Ik he korb i zi…” Prandaj vendosa që të shikoj rishtas se ç’donte të thonte Aron Tare, pasi e pashë tejet të angazhuar edhe në debate në televizion duke ngulur këmbë edhe më egërsisht në shpifjet e tija të zeza ndaj Koliqit dhe Camajt. Por me kalimin e ditëve, shoh se autori nuk bëri asnjë korrktesë as pendesë, ndërkohë që po ftohej në programe televizive në Shqipëri, për të amplifikuar edhe më tej akuzat e tija fals megjithse pati edhe reagime kundër tij trillimeve të tija.

Megjithëse kam reaguar me dy shkrime të tjera modeste për këtë temë, ndoshta edhe me pak emocion, që për ata që më njohin nuk është në natyrën. Prandaj kësaj rradhe po i drejtohem komunitetit shqiptaro-amerikan me zhgënjimin tim për mungesën e reagimit ndaj këtyre pretendimeve. Të nderuar bashkombas, ndryshe nga ç’pretendon Tare, e vërteta e këtyre burrave dhe e veprimtarisë së tyre, gjatë kohës që jetuan, siç është shprehur edhe Martin Camaj për Koliqin, por I prështate edhe atij vet se megjithëse, “Pjesën ma të madhe, Koliqi e kaloi në dhén e huej, në një anë, ai gjithnji ishte në kontakt me botën shqiptare e sidomos arbëreshe dhe në tjetrën si profesor universiteti e shkrimtar, në dialog të përhershëm me rrethe intelektuale të ndryshme të botës perëndimore. Vetë persona e Koliqit ndër këto rrethe, si njeri shoqënie dhe kuvendatar brilant, qiste poshtë me të parën, çdo paragjykim të gabuem e dizinformues mbi Shqipëninë”.

Kjo është edhe detyra jonë sot, që sipas shembullit të Koliqit dhe Camajt, të mbrojmë Shqipërinë dhe historinë e vërtetë të saj dhe të burrave që benë atë histori. Ta mbrojmë Koliqin dhe mikun dhe bashkpuntorin e tij të ngusht Martin Camajn, jo nga sulmues të huaj, jo, jo. Duhet ta mbrojmë nga vet shqiptarët e llojit Tare e shumë të tjerë si ai, siç ndodhte në kohën e Enverit, por ndryshimi është se sot kjo ndodhë këtu në zemër të Amerikës nga një portal shqiptar. Fatkeqësisht, kjo është Shqipëria dhe shqiptarët e 30-vjetëve post-komunizëm!

Prandaj, si shqiptarë të diasporës së vjetër dhe të re, të gjithë së bashku, pa dallime dhe pa paragjykime, të lirë dhe të ndërgjegjëshëm, ashtu siç jemi mësuar në botën e lirë dhe demokratike perëndimore, të mbrojmë këta burra të Kombit tonë, ashtu si Koliqi dhe Camaj mbrojtën sa jetuan Shqipërinë, Kosovën dhe interesat e Kombit shqiptar nga gënjeshtrat, shpifjet dhe nga paragjykimet e gabuara, qëllim-këqia dhe dezinformuese kundër shqiptarëve, ashtu siç e kanë zakon armiqtë tanë për rreth kufijve të trojeve shqiptare, së bashku me miqtë e tyre më larg, që i mbështesin ata në planet e tyre anti-shqiptare. Nuk besoj se Moska ose Beogradi do kishin mundur të shkruanin një artikull më të mire kundër dy prej shkrimtarëve më të mëdhej të kombit.

Unë, si një shqiptaro-amerikan, u bëjë thirrje personave të njohur, organizatave dhe enteve të ndryshme, të mëdha e të vogëla, të këtij komuniteti shqiptaro-amerikan por edhe të diasporës shqiptare në Evropë, që deri tani nuk kanë reaguar në lidhje me këto zhvillime – të prononcohen ndaj këtij sulmi dashakeqës kundër Koliqit dhe Camajt.

Këtu nuk kemi të bëjmë me ushtrimin e fjalës së lirë nga Tare dhe botuesi — sepse ushtrimi i fjalës së lirë ishte një nga arsyet që ne jemi arratisur në këtë vend,të dëbuar nga trojet tona, të arratisur dhe të përdhunuar nga regjimi komunist, ashtu siç ishin detyruar të barktisnin Atdheun edhe Ernest Koliqi edhe Martin Camaj. Ne gëzojmë lirinë e fjalës por njëkohësisht dimë edhe “kufizimet e arsyeshme” sipas kushtetutës, siç janë shpifjet. Të gjithë ne kemi bërë shumë sakrifica personale dhe familjare në mbrojtje të lirisë së fjalës, ndryshe nga auron taret e botës shqiptare sot. Me botimin e këtyre shpifjeve kundër Koliqit dhe Camajt, të cilat u provuan tani se as nuk janë të “rralla” as “origjinale”, siç pretendojnë autori dhe botuesi, pasi siç kam thenë edhe në një shkrim para disa ditësh, vetë Koliqi dhe Camaj nuk i kanë mohuar veprimet e tyre gjatë asaj periudhe, përfshirë edhe këto që “dokumenton” Tare. Nuk kemi, pra të bëjmë aspak me ushtrimin e fjalës së lirë, sepse po të ishte ashtu, atëherë edhe shpifjet e Enver Hoxhës, Pol Potit, Hitlerit e Stalinit ndaj kundërshtarëve të tyre, do duhej të faqoseshin në faqet e para të gazetave si deklarata bona fide. Por, kemi të bejmë me një përpjekje dashakeqëse për të njollusur këto dy personalitete – duke i dënuar për së dyti, sikur regjimi enverist nuk e kishte përfunduar punën e tij kundër tyre.

Pyetja nga shumë njerëz të interesuar për këtë çeshtje është pse botohet ky artikull tani dhe pse janë shënjestruar, pikërisht, këto dy personalitete të diasporës së vjetër anti-komuniste dhe nëse dikush tjetër fshihet pas një nisme të tillë — përtej autorit dhe botuesit? Sipas disa burimeve të besueshme, edhe persona të tjerë, në Shqipëri dhe jashtë, po interesohen për dosjet e këtyre dyve por edhe të kundërshtarëve të tjerë të regjimit të Enver Hoxhës. Artikulli i Tares, mund të jetë vetëm hapi i parë në këtë fushatë, sepse, sipas burimeve, po përgatiten materiale, artikuj e madje edhe libra për botim edhe nga “autorë” të tjerë kundër personaliteteve anti-komuniste shqiptare. Pa dashur të bëj akuza pa bazë, presim e shohim nëse këto burime kanë të drejtë ose jo, pasi koha do ta tregojë, por fillimi duket premtues se duket që kemi të bëjmë me një fushatë të mirë koordinuar, për realizimin e objektivave të caktuara kundër një klase të tërë shqiptarësh, për të deligjitimizuar kundërshtarët e ish-regjimit komunist, simbolikisht, ata më të njohurit.

Unë e kuptoj heshtjen zyrtare në Tiranë në lidhje me këtë çështje — pasi me heshtjen e tyre — entet e ndryshme qeveritare e shtetërore vërtetojnë deri diku dyshimet se ato, për qëllimet e veta të momentit, mund të jenë bashkpunuese në ketë fushatë — tërthorazi ose drejtë për drejtë – në mbështetje të këtyre akuzave absurde shpifëse, pasi për arsyet e tyre u intereson baltosja e këtyre dy burrave.

Pasi Tare thotë se është e drejta e tij të ngrej pyetje dhe të hamendësojë, e ndjejë se më jep edhe mua të drejtë të hamendësoj edhe unë se ai dhe botuesi mund të jenë një mashë që hedh gacën në zjarr për interesa të caktuara aktualisht, pasi vet autori pranoi në një program televiz se dokumentet në fjalë, për Koliqin dhe Camjan, i kishte në arkivin e vet për 7-8 vjet tani. Se pse se duhej t’i përdorte tani dokumentet që kishte me vete nuk e shpjegon, megjithëse nuk i kishte të kompletuar, pasi vet pranoi se mungojnë dosjet e Beogradit, për të cilat, Tare është i bindur se ato do të provojnë më në fund se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së. A mund të merrni me mend një historian të vërtetë të bazohet në dokumentet serbe për të provuar akuzat absurd të tija diçka kundër kundër një shqiptari të njohur siç është Martin Camaj? Këta ende nuk e dinë se kush janë serbët.

Përveç diasporës edhe entet qeveritare të Republikës së Shqipërisë, si Ministria e Kulturës, Ministria e Diasporës, Akademia e Shkencave, e të tjera, duhej të ishin të parat që të reagonin ndaj këytre akuzave. “Reagimi” i Akademisë së Shkencave para dy ditësh në Tiranë tregoi mos interesim, ose frikë për tu marrë me këtë çeshtje. Bëri një reagim qesharak të pa denjë për një ent të tillë të lartë shkencor të një vendi anëtar i Nato-s, që pretendon se do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Për ata që e kanë lexuar (mos)reagimin, Akademia Shqiptare nuk pati guxim të përmendte as emrin e Ernest Koliqit, për të cilin po bëhet gjithë kjo xhurmë, ndërsa në deklalartë përmendet Martin Camajn me emër, por duke cituar Ismail Kadarenë për Camajn.

Por, në mungesë të reagimeve zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë na takon ne këtu në diasporë — që të reagojmë dhe të protestojmë ndaj përpjekjeve fatzeza dhe anti-kombëtare, për të baltosur dhe njollosur reputacionin e personave të dalluar të diasporës dhe të Kombit shqiptar, si Koliqi e Camaj.

Nuk dua të përmend emra individësh dhe as organizatash në diapsorë, por ju e dini se kush jeni dhe cila duhet të jetë detyra jonë kombëtare nëraste të tilla, si shqiptarë dhe si pjesëtarë të kësaj diaspore për të cilën Ernest Koliqi dhe Martin Camaj kanë bërë aq shumë. Po të ishte botuar dikur një artikull i tillë dashakeq, le të themi nga beogradi ose Athina, kundër cilido shqiptar qoftë, komuniteti do të dilte në protestë me pllakarda para ambasadave të tyre. Nuk po bëj thirrje për protesta, por bëj thirrje që të flisni, të shkruani dhe të angazhoheni në media dhe në rrjetët sociale, në mbrotje të së drejtës dhe të vërtetës dhe kundër shpifjes ndaj dy buurave të njohur të diasporës historike anti-komuniste shqiptare. Mos heshtni vëllezër e mora shqiptarë. Diasporë, HESHTJA nuk të ka hije, jo!

“Jeta jonë mbaron, në ditën që ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi”, ka thënë Martin Luther Kingu, mbështetësi i njohur i të drejtave civile në Amerikë. “Në fund të fundit”, ashtu siç është shprehur ai edhe me një rast tjetër: ”Ne do të kujtojmë, jo fjalët e armiqëve tanë, por do mbajmë mend heshtjen e miqëve tanë.” Sot, më shumë se kurrë, përballë një fushate të re, jo më pak e tmershme se ajo e Enver Hoxhës dikur kundër tyre për t’i zhdukur, jo vetëm fizikisht, por edhe për ti shlyer nga historia kombëtare, duke i akuzuar si kolaboracionistë, si spiunë dhe poliagjentë. Ernest Koliqi dhe Martin Camaj tani kanë nevojë për miq që mbrojnë nderin dhe reputacionin e tyre në diasporë. Kanë nevojë për mbështetës që nuk heshtin përballë së keqës. Mos pështyni në dritë, do të porosiste Martin Camaj.

Frank Shkreli
*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar- Shqiptaro-Amerikano (NAAC)

IMPONOHET DOMOSDOSHMERIA E THEMELIMIT TË INSTITUTIT PËR TË VERTETEN E LUFTËS NË KOSOVË…! – Nga RESHAT NURBOJA

LETËR E HAPUR PARLAMENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Gjykata Speciale “Ndërkombëtare” perkitazi me pretendimet për krimet eventuale të UÇK-së vetëm ka filluar të veproi andaj shteti e shoqëria e Kosovës dhe gjithë shqiptarët anëkend botës nuk guxojnë të mbesin vetëm shikues apo vajtues gjatë kësaj tendence jo vetëm të Serbisë e Rusisë për njollosjen, baltosjen jo vetëm të Luftës Çlirimtare të Popullit Shqiptarë të Kosovës por edhe të identitetit e të trashegimisë kombëtare mijëra vjeçare …

Urgjentisht, jo sot po “dje” shteti i Kosovës është dashur e duhet themeluar Institutin për të Verteten e Luftës në Kosovë dhe ish Jugosllavi i cili do t’i mobilizoi, organizoi dhe drejtoi të gjithë shqiptarët e të tjerët, pa perjashtim, të madh e të vogël, miqtë e perkrahësit e tyre që permes rrjeteve sociale, ambasadave, klubeve, nxënësve, studenëve, artistëve e lobimeve të nduarduarshme sa më parë opinionit nderkombëtar te ia perkujtojmë e atyre gjeneratave të reja që nuk e dijnë të i tregohet e verteta e Luftës në Kosovës për çlirim, liri e pavarësi e poashtu bashkë me te, të ia perkujtojmë krimet e Serbisë ndaj popullit Kroat e sidomos ndaj atyre Boshnjak dhe Shqiptarë e mos të lejohet që ajo e vertetë të tjetersohet, modifikohet, zberthehet sipas skenareve serbe, ruse e të të tjera antishqiptare e si e tillë të i pasqyrohet e t’i plasohet opinionit botëror… Si po shihet ky është misioni, detyra i paracaktuar të prokurorëve të kesaj Gjykate e cila dihet pse dhe nga kush është inicuar, kërkuar dhe impunuar të themelohet…!

Që tani dihet se në fund të gjykimit, vendimi i Gjykatës do të rezulton se UÇK nuk ka berë krime lufte por luftë mbrojtëse dhe çlirimtare por nese pritet ajo kohë e nuk plasohet e verteta e luftës së popullit shqiptarë në Kosovë nga njera anë dhe krimet e luftës dhe gjenocidi i shtetit të Sebisë ndaj popullit të pambrojtur shqiptarë dhe ate kryesisht pleq, gra dhe fëmijë që nga sot e deri në perfundimin e punës dhe ekzistimit të këtyre Dhomave të Specializuara, opinionit botëror do t’i plasohet një e vertetë e shtrembëruar e luftës së UÇK-së me qellim e strategji tani më të paracaktuar që t’i minimizohen krimet e luftës dhe gjenocidin e shtetit dhe popullit serb në Kosovë e Bosnje dhe njëkohësisht të krijohet një opinion edhe pse shumë më i vogël se edhe UÇK nuk është se nuk ka berë krime lufte me çka botëkuptimet e njerëzimit, gjegjësisht të opinionit ndërkombëtar ndaj popullit shqiptarë do të jetë shqetësuese e problematike edhe pse si botëkuptim i padrejtë dhe i pavertetë, por do të mbisundoj për një kohë të gjatë po që se shteti dhe shoqëria e Kosovës dhe gjithë shqiptarët anëkend botës, heshtim, presim e vetëm “lutemi” e nuk organizohemi e veprojmë si shtete e si kombë…!

BOLL ANKIME E “VAJTIME” NUK ËSHTË KOHA E TYRE – KERKOHET, IMPONOHET ËSHTË DOMOSDOSHMERI ORGANIZIMI DHE VEPRIMI GJITHSHQIPTARË PËRMES NJË “INSTITUTI TË PAVARUR E PROFESIONAL PËR TË VERTETEN E LUFTËS SË UÇK-së “ të përkrahur e mbeshtetur në çdo formë të duhur nga të gjithë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, besimi e partie….!

Kuptohet, se ky Institut, nuk e ka mision primar mbrojtjen e personaliteve të akuzuar por ka mision mbrojtjen e luftës së drejtë dhe të paster të popullit të Kosovës për çlirim, liri e pavarësi permës pasqyrimit të krimeve të luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit që shteti dhe populli serb i ka bërë në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë, e Kroaci…!

Fati tragjik mbi fatet tragjike – nën lupën e një shoqërie indiferente dhe pa katharsis Nga Elida Buçpapaj

Kur një i ri 23 vjeçar i arratiset vendit të vet prej tmerrit që e pret aty, kur ikën nga sytë këmbët nga vendi që ia njeh qiellin, burimet, ku rrugët nëpër pyll ia përshkon edhe me sy mbyllur natën pa hënë,

megjithëse me gjithë shpirt do të deshte të plaket e të bëhet 1000 vjeç në atë vend,

por vendos të ikë

sepse i duhet të zgjedhë ose Atdheun ku e pret vdekja,

ose jetën

atëhere ky 23 vjeçar zgjedh jetën.

“Cilido ëndërron një shteg, kurse jeta të përplas andej ku s’ta pret mendja.”, thotë Petro Marko tek Qyteti i fundit. Jetën Petro Markos ia shpëtoi Ernest Koliqi, ndërsa diktatura totalitariste ia vrau.

A do të kishte qenë shpëtim për Petro Markon arratisja nga Atdheu pas burgosjes?

Do të kishte qenë, Petro Marko do të çmendej nga malli për Dhërmiun e Bregun por do të fitonte lirinë, një liri me çmim të shtrenjtë por duke shkruar kryevepra që nuk i shkroi dot nën diktaturë.

Arratisja nga Atdheu është akti më tragjik për njeriun.

Ernest Heminguej jetoi në Kubë për 30 vjet. I dukej sikur Kuba ishte pjesë e Atdheut të tij. Gjatë martesës me gazetaren e luftës Martha Gellhorn bleu në periferi të Havanës një shtëpi që sot është muze Finca Vigía. Aty Hemingway jetoi rreth 20 vite të jetës, duke i ikur të ftohtit dimëror të Idahos për të shkruar. Në këtë shtëpi ai ka shkruar Plaku dhe Deti. Aty kishte kujtimet, dorëshkrimet, jetën e vet personale. Me ardhjen në pushtet të diktatorit Fidel Kastro, Ernest Hemingway më 1960 ishte i detyruar ta linte Finca Vigía dhe Kubën e të kthehej në Idaho, ku më 1961 kreu vetëvrasje. Nuk i përballoi dot kufizimin e lirive nga diktatura kastriste, kur ai Kubën e donte si vendin e tij.

Jeta e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt në mërgim ka qenë me plot tallaze, stërmundimi i tyre për të patur profil elitar europian, duke iu dedikuar me mish e shpirt kulturës, gjuhës shqipe dhe Albanalogjisë u bë në kushte shumë të pamundura, të dënuar dhe të mohuar si armiq të popullit nga diktatura komuniste, të ndaluar të lexohej vepra e tyre dhe të ndaluar të preknin tokën shqiptare.

Është kriminale prirja për të rehabilituar diktaturën duke rigjykuar viktimat e saj apo kur midis viktimave bëhen dallime, për të zbuluar patriotin tek njëri dhe tradhtarin tek tjetri, siç ishte rasti i poetit Havzi Nela, i krahasuar me shkrimtarin Martin Camaj, duke dënuar të dytin që paska pranuar të bëhet spiun i UDB-së, ndërsa tjetri jo! Kjo do të thotë të errësosh errësirën.

Të krahasosh Martin Camajn me Havzi Nelën, për të ulur njëri e ngritur tjetrin, dmth nga pozita të cinizmit absolut të krahasosh dy fate tragjike shkrimtarësh, dy tragjedi njerëzore të shfaqura në shtjella të ndryshme, jo si tragjedi skenike, zhanër i teatrit i lindur në antikitetin grek me personazhë për Eskilin, Sofokliun apo për prozën ekzistencialiste të Albert Camus, por tragjedi reale. Si një realityshow makabër që ekzekutohet përpara syve të një shoqërie skllave!

Dy ishin mënyrat :

të vdisje si Havzi Nela i vrarë nga diktatura dhe i poshtruar e i pështyrë nga shoqëria e mjerë shqiptare

ose t’i ikje këtij tmerri me qëllimin për ta shembur këtë ngrehinë kriminale nga jashtë ose me qëllimin e thjeshtë për të jetuar!

“Fati i njeriut” i Mikhail Sholokhov është një zinxhir tragjedie vdekjesh që ndeshet me etjen e çmendur të njeriut për ta jetuar jetën!

Nuk është krim ta duash jetën, për ta kthyer çdo objekt të botës, në gërmë, tingull shqip e frymë shqip deri në frymën e fundit, të shkruash shqip, të ëndërrosh shqip në një vend të huaj sikur vepruan kollosët e kulturës që ia dedikuan shqipes jetën!

A nuk është aq heroik ky akt sa heroika e Bethovenit!

Si trinom Ernest Koliqi, Havzi Nela dhe Martin Camaj, renditje sipas kohës kur dhanë frymën e fundit, nuk mund t’i ndajë askush.

Janë 3 milionë shqiptare në eksodin e trazicionit prej 1991 deri sot.

3 milionë jetë, fate njerëzish të traumatizuara nga mosnjohja e asaj që i pret dhe nga njohja e tmerrshme në Atdheun e tyre, kur vendi yt nuk të siguron as kushtet minimale të jetesës për fëmijët, as siguri, as dinjitet, ku të drejtën e joie de vivre e gëzon vetëm pushteti uzurpator me nepotizmin, klientët, dashnoret, ku injoranca dhe mosvrasja e ndërgjegjes justifikojnë çdo makabritet.

Mbijetesa e emigrantëve është si një rrugëtim nëpër rrathët e ferrit, pa pasur asnjë faj, çdo histori emigranti është një dramë që shpesh ka perfunduar tragjikisht në fund të detit apo të mbytur nga asfikësia nëper maune, apo si shkelës ligji.

Të bëhesh prokuror i të dënuarve nga diktatura është sikur të rinkarnosh prokurorët e diktaturës për të rindezur tek opinioni tërbimin kolektiv për t’i rishpallur fajtorë ata që diktatura i vrau në mënyrat e saj më mizore, me fis e farë!

A del kush që të bëhet avokat i viktimave të diktaturës?

Kujt i pëlqen roli i prokurorit, le të dënojë ata që e detyruan Camajn dhe Koliqin t’iu digjej shpirti per Atdhe e për të afermit e tyre të burgosur e internuar, ndërsa Havzi Nelën e varën në litar!

Tim eti, poetit Vehbi Skënderi i kërkuan të bëhej spiun i Sigurimit të Shtetit. Nuk pranoi. Ky verdikt i tij më la mua pa shkollë, dmth pa të ardhme. Di shkrimtarë që janë bërë spiunë të Sigurimit dhe fëmijët e tyre kanë vijuar jetën normale. Nuk e di me çfarë çmimi!

Por nëse tim atë do ta kushtëzonin duke i venë në rrezik jetën dhe dinjitetin tim, ai ose do të vriste veten sikur edhe tentoi kur i dhanë urdhërin se do të interneheshim të tre në një fshat të humbur matanë malit të Dajtit, ose do të pranonte ta firmoste ate dokument, por një gjë eshte e sigurt se im atë nuk do të merrte askënd në qafe.

Nën tortura fizike, nën tortura psikologjike, nën torturën kur shoqëria të neverit si “armik i partisë” apo “bijë e armikut të partisë” njeriu thyhet si qelqi sepse atij i kanë shkelur me kēmbë çdo të drejtë njerëzore dhe dinjitetin!

Kur jeta të krijon dilema torturash – të zgjedhësh midis dy torturave, ose njërën ose tjetrën torturë, do të zgjedhësh njërën torturë. Se nuk ke alternativë tjetër.

Deri kur do të vijë momenti të kujtohesh se ekziston jeta pa torturë, në liri dhe etja për jetën dhe lirinë të dikton të këpusësh zinxhirët, prangat dhe t’i denoncosh shkaktarët e kësaj torture që vetëm jetë nuk është !

Mallkojeni, dënojeni, denoncojeni sistemin totalitar dhe këtë tranzicion makabër. Nuk ishin armiqtë e shqiptarëve as Martin Camaj, as Ernest Koliqi, as Havzi Nela dhe as ata mijra e mijra të burgosur, pushkatuar e të dënuar nëpër internime, por sistemi totalitarist që i vrau! Totalitarizmi na vrau, na i shplau trutë, na detyroi të shkruanim vepra të socrealizmit, na përçau! Ai është armiku i shqiptarëve!

Për absurd ndodh që dashuria për Atdheun të bën ta braktisësh Atdheun, sepse vetëm kështu kjo dashuri mund të jetojë e gjallë!

Në fakt, nuk je ti që e braktis Atdheun, por Atdheu të braktis kur e detyrojnë të ketë pamjen e shtetit totalitarist, i pashpirt dhe mizor ndaj bijtëve të vet!

Fatalitetin e jetës të njeriut në një sistem totalitarist, qoftë diktaturë e majtë, e djathtë apo diktaturë e kapjes të shtetit nga korrupsioni, e ka dhënë më mënyrën më të skalitur Albert Camues tek I Huaji!

Ka vetëm një mënyrë për t’i shpëtuar këtij fataliteti, ose t’i ikësh, t’i arratisesh ose të rebelohesh kundër tij ose të rebelohesh në mënyrat që mund.

Të bësh pazare me Vuçiçin, është njëlloj si të bëje me Millosheviçin – Nga HYSEN ARAPI

25 vjet nga masakra e Srebrenices!
E shpallur “Zone e sigurte “, nga OKB, Srebrenica u be varri i 8000 burrave e djemve muslimane boshnjake, te ekzekutuar nga forcat e gjeneralit famekeq serb Ratko Mlladiç, me pjesemarrjen dhe te forcave te ministrise se brendeshme serbe e qindra mercenareve greke e rusë, nen hunden e paqeruajtesve hollandeze e franceze!!”Mekati “i tyre i vetem ishte se ata i perkisnin nje etnie dhe religjioni tjeter. Perveç masakres te realizuar nga shteti genocidal serb , i cili ende nuk ka kerkuar falje per krimet e tij monstruoze ne Bosnje e Kosove, Srebrenica eshte deshmi e turpit historik te Europes , e cila ne kundershtim me vlerat qe promovon, lejoi apo u tregua e pa afte per te mbrojtur keto vlera duke mbyllur syte perpara masakres me te madhe te kryer ne kontinent, pas luftes se dyte boterore.
Ne kete kuader shqiptaret qe kane vuajtur perreth nje shekull nga genocidi serb, duhet te jene me te vendosur se kurre, per te kundershtuar cdo veprim apo marreveshje me Serbine ,qe prek interesat tona kombetare, duke demaskuar e derguar para drejtesise tregtaret e trojeve shqiptare, kudo ku ata ndodhen, ne Tirane Prishtine e gjetke !
Te besh pazare me Vuçiçin eshte njelloj si te beje me Millosheviçin bandes se te cilit ai i perkiste.

Auron Tare i ridënon viktimat e regjimit totalitar Hoxhist Nga Elida Buçpapaj

Auron Tare ka një profil sportisti. Janë familje sportistësh, që shkojnë me trashëgimi, sikur mjekët, avokatët. Talenti i familjes Tare është sporti. Njëri nga dy vëllezërit e tij është Igli Tare. I jati, Isa Tare rekordmen në “Hedhjen e Diskut”, që mbaroi studimet në Institutin Vojo Kushi, ka dhënë edukatën fizike në Shkollën e Bashkuar dhe Akademinë Ushtarake, pikërisht në shkollat ku mori edukatë Auron Tare. Auron Tare  ishte  basketbollist me Partizanin, jo hedhës disku si i jati, por shumë larg talentit të Agim Fagut, Zaçes, Mushit etj.

Është i datëlindjes 1968. Viti 1991-1992 e gjeti Auron Taren në moshën 23 vjeçare, në të njëjtën moshë kur Martin Camajt më 1948 do t’i duhej të arratisej nga Shqipëria për t’i shpëtuar represionit të egër të sistemit totalitarist komunist, që kishte nisur një fushatë terrori sidomos në Veri të Shqipërisë, ku ishte i përqëndruar kleri katolik. Nuk e di se çfarë ka bërë në moshën 23 vjeçare Auron Tare. Portreti i tij gjatë këtyre 30 viteve i ngjan një lloj dandy, në kërkim të zbulimit të vetvetes. Nga infot që marr në rrjetin social, të cilat ai i ka publikuar vetë, del se nuk është as historian, as studiues i letërsisë, nuk është as arkeolog apo arkeolog i nënujit si i madhi Moikom Zeqo. Në wikipedinë në shqip del si drejtues i një shoqate në kërkimet dhe ekspeditat arkeologjike nënujore. Po sipas wikipedisë në shqip, prej 1994 – 2005 del të ketë qenë përfaqësues i Fondacionit  Kulturor Butrinti i themeluar nga Lord Jacob Rothschild dhe Lord Sainsbery of Candover. Ndërsa në wikipedinë në anglisht, ndryshe nga ajo në shqip, shfaqet si historian, gazetar dhe “menaxher i trashëgimisë kulturore”. Nuk e kuptoj fare këtë emërtesë që nuk gjendet tek biografia e tij në shqip. Kohët e fundit kam lexuar një shkrim të Profesor Moikom Zeqos që vinte alarmin se qyteti antik i Butrintin, një thesar i trashëgimisë kombëtare dhe botërore, kishte rënë në duar të një shoqate të huaj. Pronat e trashëgimisë kombëtare bien në duart e shoqatave të huaja!!! “Kur pashë rrënojat e Trojës”, shkruan Moikom Zeqo, “e kuptova se çfarë thesari është Butrinti”.

E bëra këtë parantezë, për të treguar se nga formimi, profili i Auron Tares lidhet kryesisht me sportin. Basketbollist mediokër. Ndërsa fotoja që ka vendosur në rrjetin social, të kujton ato të oficerëve anglo-amerikanë mbi kuaj gjatë luftës të dytë Botërore, të cilët kur u vendos diktatura, regjimi brutal i Enver Hoxhës i dëboi nga Shqipëria, ndërsa ata shqiptarë që kishin punuar nëpër zyrat e misioneve britanike apo amerikane i burgosi dhe shumicën e tyre e pushkatoi dhe vrau.

Në CV e Auron Tares do të shtoja se ai ka qenë deputet i PS,  zyrtar i lartë i emëruar nga PS deri vjet si Drejtori i Agjencisë së Bregdeteve, ndërsa i vëllai i tretë, Agroni ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll 2014-2019, pastaj Drejtor i Portit të Durrësit dhe aktualisht zvMinistër i Jashtëm i Republikës. Siç shihet,  familja Tare, ka fituar besimin e plotë të Edi Ramës, përfshi Igli Taren, drejtor sportiv i Lazios që po ashtu është një PR i vërtetë i kryeministrit shqiptar në Itali.

Pra, nga e gjithë kjo sa thamë, unë nuk e di se ku mbaron zyrtari i lartë publik me angazhime politike dhe ku fillon njeriu me kërshëri investiguese si Auron Tare.

Angazhimi i tij politik e komprometojnë kërshërinë e Auron Tares, që nuk është as shkencore, as profesioniste, por e një njeriu që duke shfrytëzuar politikën ka krijuar lidhje me të huaj. S’ka asgjë të keqe. Por këto lidhje, do të duhej ta bënin Auron Taren më tolerant ndaj kryefigurave të kulturës shqiptare në emigracion gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Auron Tares i ka ecur vaj, nuk ka vuajtur në komunizëm, përkundrazi. Por mosvuajtjet e tij gjatë sistemit totalitar nuk mund të eleminojnë vuajtjet e qindramijë shqiptarëve. Mosvuajtjet e tij po ashtu nuk e lejojnë që Auron Tare të bëhet portavoce i stilit të prokurorëve të diktaturës, për t’i gjykuar e dënuar rishtas me të njëjtat akuza që i kishte dënuar Martin Camajn dhe Ernest Koliqin regjimi genocidal i Enver Hoxhës.

Unë nuk e di që Auron Tare të ketë shprehur dikund kërshërinë për letërsinë shqipe. S’ka lidhje fare me letërsinë. Po të kish, do ta kuptonte se Ernest Koliqi dhe Martin Camaj i kushtuan jetën e tyre kulturës shqiptare, gjuhës shqipe dhe vepra e tyre është po aq madhore sa monumentet e kulturës. Sot është hapur një debat nëse Bylysi është grek apo ilir, ndërsa Martin Camaj dhe Ernest Koliqi nuk lejojnë të krijohen dyshime të tilla, sepse vepra e tyre është gur themeltar në kulturën kombëtare.

Auron Tare, megjithëse thotë se është adhurues i Shvejkut, është profan nga letërsia. Nuk e di se gjuhë dhe letërsi do të thotë ekzistencë kombëtare, nuk e di se historia e kulturës është pjesë e historisë së kombit.

Unë mendoj se e gjithë kjo histori nuk është produkt kërshërie, pēr të marrë avionin me paratë e tij që të kërshërohet. Aq më tepër kur kërshëria e tij është e mbrapshtë, diabolike. E ka thënë Visar Zhiti, një tjetër monument i tragjizmit të njerëzve të kulturës shqiptare. Përse të hulumtohen viktimat, thotë Visari, dhe nuk hulumtohen xhelatët?

Përse Auron Tare nuk hulumton për ish Oficerët e Sigurimit të Shtetit që kanë marrë shtetësi dhe azil politik në SHBA dhe Perëndim me dokumenta fallco si të persekutuar, sikur ai oficeri Edmond Caja, sot me pasaportë gjermane, që i masakronte në burg të vuajturit e ndërgjegjes?

Kjo temë është e gjatë dhe preston për thellim, por unë do të ndalem të vërtetoj se Auron Tare e nis me një gënjeshtër hulumtimin e tij. Kjo gënjeshtër qëndron në themel dhe e rrëzon ngrehinën e Tares.

Auron Tare tek Provokacja e Mustafa Nanos tha se e nisi këtë hulumtim për qejf, duke marrë e zbritur avione, shko nga njëri Arkiv tek tjetri, shko nëpër Arkiva të botës dhe zbulo fakte që hedhin baltë për korifej të kulturës kombëtare shqiptare. Hulumtimi i tij është cinik, brutal, pa pikë humanizmi, paçka se ky lloj zotërie është pjesëtar i disa dhjetëra shoqatave humaniste!

Tek Provokacja, Auron Tare, me kollare, me lap top dhe pa kalë gënjen kur thotë se “është përpjekur të mos gjykojë njeri”, sepse kur Mustafa Nano i thotë se, nëse Koliqi nuk do të largohej nga Shqipëria, regjimi Hoxhist do ta pushkatonte, Auron Tare kërcen si plesht dhe përgjigjet: “Po Koliqi ishte Ministër fashist”, pra e justifikon aktin makabër nga regjimi totalitarist, duke shtuar pastaj gjepura të tilla se “Franca pushkatoi mijëra fashistë!” Po të isha unë në vend të Nanons, do të pyesja: ” Përse nuk e burgosën apo pushkatuan italianët apo amerikanët Koliqin, por përkundrazi e bënë agjentin e tyre? Për faktin e ditur se Ernest Koliqi nuk kishte kryer krime. Jo vetëm kaq, por gjatë periudhës të pushtimit kolaboracionistët kanë shpëtuar qindra e qindra jetë hebrejsh, i vetmi vend në Europë.

Megjithatë, Primo Shllaku thotë me të drejtë, hapini Arkivat! Të hapen arkivat që të hulumtohet historia por jo të rivriten martirët e kulturës që iu kundërvunë sistemit totalitarist! Të dy, si Koliqi ashtu dhe Camaj u identifikuan në Perëndim me kulturën shqiptare, Koliqi hapi Katedrën e Gjuhes Shqipe në Romë, që u kthye në Institut të Studimeve Shqiptare ndërsa Camaj krijoi qendër të Albanalogjisë në Münich. Plus që vepra e tyre letrare është kontribut në fondin e kulturës kombëtare sepse që të dy nuk iu nënshtruan socrealizmit. Nuk iu bindēn diktatures së regjimit dhe as letērsisē që imponoi ajo. Ernest Koliqi është një nga themeluesit e tregimit modern, ndërsa Rrathë i Camaj  i pari roman psikologjik në gjuhën shqipe.

Po ashtu Mustafa Nano duhej t’i thosh Auron Tares, se ndërsa korifejtë e kulturës ishin spiunë të agjencive të zbulimit Perëndimor, familjet e tyre në Shqipëri masakroheshin nga regjimi enverist. Një vëlla i Martin Camajt u dergj 30 vjet në burgjet komuniste, po ashtu edhe Mikel Koliqi, i pari kardinal shqiptar, vëllai i madh i Ernest Koliqit, kaloi 42 vite të jetës nëpër burgje dhe internimet komuniste.

Auron Tare është tendencioz, sikur Pëllumb Xhufi kur u mor me Kampin e Tepelenës ku humbën jetën 400 fëmijë të pafajshëm, të cilin nuk pranonte kurrsesi ta quante Auschwitz shqiptar, deri kur Lek Pervizi, një tjetër Monument i gjallë, nga ata që rrnojnë për me tregue, solli vizatimet reale që, po t’i shihje, të kujtonin pikërisht kapanonet e kampeve të përqendrimit nazist.

Auron Tare, gënjen, kur thotë se gjithçka e nisi për turizëm qejfi dhe kërshërie, sepse që në hapjen e pseudoinvestigimit shkruan me dorën e tij: ” Tre vite të shkuara, dy Ministrat e Kulturës, ai i Kosovës dhe ajo e Shqipërisë organizuan një Konferencë për shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Nuk e di qëllimin e vërtetë të kësaj Konference, por nga ato që lexova, m’u krijua përshtypja se dy Ministrat promovuan Camajn dhe Koliqin, si dy kalorës të mohuar të letrave shqiptare. Dy kalorës që mbi veten vunë gjithmonë atdheun dhe letërsinë por që fatkeqësisht Atdheu nuk i kuptoi kurrë. E sa për lëmin e letërsisë nuk kam kompetencën e duhur për t’i gjykuar këta dy shqytarë kalorsiakë, shpresoj që me analizën e mëposhtme lexuesit të krijojnë një ide të qartë mbi “Mitet e rreme” që promovohen dhe lartësohen edhe nga Ministritë tona të Kulturës.”

E shihni pra se si për fushë me scripta manent  Auron Tare që shtiret se nuk bën gjykime dhe gjykatësin pa e patur idenë nga letërsia, duke qenë zero në fushën e kulturës letrare “akuzon” Ministrat e Kulturës se kanë promovuar “mite të rrema”. Pra Auron Tare me stilin e ish oficerëve të sigurimit e sjell këtë “investigim” për t’i shembur këto Mite si Teatrin Kombëtar, por nuk mundet sepse ata i kthyeu në Mite vepra letrare dhe veprimtaria jetësore.

Shfaqja cinike e Auron Tares ishte fund e krye një provokim. I një njeriu të veshur me kostum privat, sikur e pohoi vetë, ndërsa de jure është edhe një zyrtar i lartë politik i PS, çka bie ndesh si me integritetin ashtu dhe pavarësinë e shkencëtarit, të cilit për të shpërndarë helmin ndaj korifejve të kulturës në periudhën e diktaturës, si me shkop magjik i hapen dyert e televizioneve.

Kë donte të provokonte Auron Tare, tamam-tamam?

Të vdekurit? Jo?

Është cinik dhe burracak pasi as Martin Camaj edhe Ernest Koliqi nuk i kthejnë dot përgjigje!

Auron Tare provokon të gjallët.

Të gjallëve u bëj një lutje që të mos bien kurrë në rrjetën e një profani si Auron Tare që lexon Shvejkun, por nuk e ka as zgjuarsinë e personazhit të Hashekut dhe as dokumentat për t’i rikthyer në armiq të Shqipërisë ata të cilët i kishte shpallur armiq sistemi totalitar i Enver Hoxhës.

Si e refuzoi Zoti Arbnori postin e Ambasadorit ne vitin 2004 Nga Iris Halili

Si e refuzoi Zoti Arbnori postin e Ambasadorit ne vitin 2004.

Me Zotin Pjeter Arbnori kam kujtime te shumta pasi jam njohur me te qe ne femijerine time te hershme .

Por aresyeja qe po shkruaj per te, ne kete pervjetor, nuk eshte ndarja me ju e kujtimeve te asaj periudhe, por si e njoha ne rrethana krejt te tjera, ne rrethana pune.

Ne vitin 2004 posti i Ambasadorit te Shqiperise ne Rome mbeti bosh pas doreheqjes se Zotit Pellumb Xhufi.

Per te plotesuar kete vend vakant i shpreh mendimin tim Presidentit Moisiu (isha ne postin e Shefes se Kabinetit), qe kandidatura e Zotit Pjeter Arbnori do ishte shume e mire ne ate post. Ai e priti pozitivisht dhe pas pak ditesh me thote qe edhe Kryeministri Nano ishte gati te firmoste kete kandidature.

Por “hesapet i kishim bere pa hanxhine”: nuk i kishim marre mendimin vete Zotit Arbnori. Asnje nga ne nuk e parashikonte qe ai do e refuzonte ate post. Me qetesine e tij te veçante Zoti Arbnori, nuk se na dha me shume detaje, por dukej qe ai nuk donte te merrte nje emerim nga qeveria socialiste.

Fatkeqesisht as Partia Demokratike, pra partia e tij nuk e emeroi ambasador kur erdhi ne pushtet, ndonese ai ishte pa asnje medyshje figura me dinjitoze qe do kishte perfaqesuar Shqiperine ne Rome, Vatikan apo kudo gjetke .

Nje rast tjeter me zotin Pjeter i takon vitit 2002.

Presidenti Moisiu kishte nje vizite zyrtare ne Vatikan, me ftese te posaçme nga vete Hiresia e Tij Papa Vojtila (Xhon II).

Ne delegacion ishte vendosur edhe Zoti Pjeter Arbnori. Une spontanisht i them Presidentit: “Pse nuk vendos Zonjen Jozefina Topalli ne vend te Zotit Pjeter Arbnori , ai e ka takuar disa here Papen , e ka pritur ne

Shqiperi dhe jam e bindur qe atij vete do t’i pelqeje ky zevendesim”. Une dija qe vete Zoti Arbnori e kishte prezantuar Zonjen Topalli ne PD, nisur kjo nga miqesia e tij e vjeter ne qeline e burgut me xhaxhane e saj. Dhe kisha te drejte, pasi kur ja komunikova Zotit Arbnori kete ide jo vetem qe e priti me shume kenaqesi, por me ate miresine e tij qe ja shoqeronte gjithmone buzeqeshja me tha: “Shume mire ju ka shkuar mendja”.

Keto jane dy momente kur une e njoha Zotin Pjeter Arbnori ne rrethana pune dhe desha t’i ndaja me ju miqte e mi.

Ishte nje legjende qe do te donim te jetonte me gjate. Ai i dha shume vendit te tij, por ai i dha nje model karakteri gjithkujt qe pati shansin ta njohe.

Vitet ikin dhe shpesh te hutuar nga “politika e madhe”, harrohen te thuhen apo shkruhen detajet e” vogla” qe ne fakt rrefejne shume per njeriun si i tille.

Pjesa e dytë: Auron Tare: PROVAT PËR MARTIN CAMAJN SI AGJENT I UDB, DO I MARR KUR TË HAPEN DOSJET E BEOGRADIT – Nga Frank Shkreli, Ish-Drejtor i VOA për Euro-Azinë

 

Një ditë më parë kisha bërë një shkrim modest, si një reagim personal ndaj akuzave në të ashtuquajturin “studim”, “Dritëhije në histori”, me autor Auron Tare dhe botuar në portalin “Peisazhe të Fjalës”, pronë e një grupi nga New Yorku. Në atë shkrim dje, unë thashë se nuk kishte asgjë të re sa u përket akuzave të autorit, ku i paraqet Ernest Koliqin dhe Martin Camajn si poliagjentë dhe koloaboracionistë me perëndimorët dhe jo vetëm, për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.  Në reagimin tim dje, nënvizova se megjithëse materiali na u paraqit si i “rrallë” dhe “origjinal” nga botuesi, nuk kishte asgjë të re në dokumentacionin e Tares, pasi këto informacione diheshin dhe nuk janë mohuar kurrë nga asnjëri prej këtyre burrave të Kombit. Po çfarë hulumtimi dhe çfarë provash të “rralla” dhe “origjinale”, na sillte në atë shkrim Tare?

 

Auron Tare

 

Mbrëmë në një intervistë në programin televiziv, “Provokacija” të Mustafa Nano-s, Auron Tarja e pranoi vetë se, në të vërtetë, ai nuk ka dokumente definitive që provojnë se Martin Camaj ishte agjent i UDB-s, por ai arrin në një përfundim të tillë, bazuar në hamendje dhe në mençurinë e tij për këto gjëra. “Ti nuk ke ndonjë dokument të qartë ku thuhet se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së…”, e pyet Nano.  Tare: “Po, kur të hapet ajo e Beogradit, patjetër… do e kemi”. Në të vërtetë, edhe vetë intervista në programin “Provokacija” m’u duk sikur ishte skenuar më parë, me qëllim që të hidhej më shumë baltë edhe në ekranet e televizionit shqiptar ndaj këtyre dy shkrimtarëve të dalluar të Kombit, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.  Tare ç’prej fillimit e rrëmbeu programin dhe “kidnapoi” pyetjet dhe përgjigjet, për të bindur shikuesin, se ai kishte të drejtë për ato që pretendon.  Ata që mund ta kenë parë intervistën duhet të kenë venë re se Tare bënte vetë pyetjet dhe përgjigjej, pastaj pyeste Nanon dhe përgjigjen e jepte vetë Tare.  Por më të bukurat ishin ndërhyrjet e Tares çdo 2-3 minuta me Nano-n, duke e pyetur, “Jemi dakort?”, duke u siguruar për miratimin e Mustafa Nanos për ato që thoshte. Tare as nuk e lejonte Nanon të bënte ndonjë pyetje të arsyeshme, megjithëse Nano u përpoq disa herë që të balanconte pak intervistën e njëanshme ndaj deklaratave absurd të Tares, por Tare nuk i jepte atij rast, as mundësi të fliste.  Një propagandë aq e fëlliqët, sa edhe neveritëse, e padenjë për një program të tillë dhe për shikuesit shqiptarë.  Është e qartë se me këto pretendime, Auron Tare, ka dalë nga shinat e ushtrimit të fjalës së lirë dhe është futur në fushën e shpifjeve të pakontrolluara dhe të përhapjes së urrejtjeve midis shqiptarëve, sikur nuk kemi pasur mjaft urrejtje e shpifje midis nesh për 50-vjet komunizëm dhe 30-vjet të ashtuquajtur post-komunizëm, megjithëse kjo intervistë si dhe shkrimi, nuk kanë të sharë po t’i krahasosh me periudhën e regjimit të Enver.

 

Martin Camaj                      Ernest Koliqi

Shpresoj që pasardhësit e familjeve Koliqi dhe Camaj të jenë në dijeni të këtyre shpifjeve dhe denigrimeve që u bëhen të dashurve të tyre të vdekur në shtyp dhe në televizion dhe rrjedhimisht të marrin masat e nevojshme, duke i treguar Tares dhe portalit “Peisazhet e Fjalës”, derën e gjykatës.  Diçka nuk është në rregull me botën tonë shqiptare sot.  Kohë më parë ishte rasti i dyshimeve të hedhura nga disa qarqe për identitetin e familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pastaj u ngritën pikëpyetjet mbi identitetin e Nënë Terezës, tani shpifjet dhe denigrimi i shkrimtarëve të mëdhej Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.  Pas tyre kush e ka radhën?  Fishta? Konica?  Klerikë të dalluar katolikë, si individë ose si grup? A mund të më thotë dikush se pse po ndodhin këto raste sit ë thuash në koncert njëra pas tjetrës dhe kush mund të fshihet pas tyre?  Pothuaj, pa përjashtim, përdoren individ shiqptarë të medias ose akdemikë për të përhapur dyshime. Pse u turren njerëzve më të dalluar të këtij Kombi me shpifje e mundohen për t’i paraqesin në dritën më të keqe që është e mundur? Cila dorë e huaj ka gisht këtu dhe pse tani në këtë kohë?  Në interes të kujt është që të përhapen shpifje dhe urrejtje midis shqiptarëve dhe pse vetë shqiptarët bëjnë punën e të huajve në këtë mes?  Nuk është e rastit që sot konfliktet politike midis shqiptarëve, anë e mbanë trojeve, janë në kulmin e së keqes. Quo Vadis Albania?  Pse nuk del dikush t’i thotë mjaft kësaj situate?  Ku është qeveria dhe organet shtetërore, ku është Akademia e Shkencave, ku është Ministria e Kulturës, ku janë të mençurit e Kombit? Ku janë shkrimtarët e dalluar dhe historianët e vërtetë të Kombit?

 

Mos vallë ka mbetur historia e Kombit shqiptar dhe e personave që e kanë berë atë histori, të shkruhet dhe të interpretohet gjithnjë nga aparatçikët dhe nostalgjikët e një sistemi të kaluar dikatorial e kriminal, shpifës dhe urrejtës, madje edhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit.  Nuk del njeri që të shtrijë dorën e pajtimit, të mirëkuptimit e vëllazërimit midis shqiptarëve?  Kush i mbron interesat dhe identitetin kombëtar, por edhe njerëzit e dalluar që gjithë jetën e tyre ia kushtuan, pikërisht, ruajtjes së identitetit, kulturës dhe traditave shqiptare, mbrenda dhe jashtë Atdheut.  Ndryshe nga akuzat shpifëse të Auron Tares me shokë ndaj Koliqit dhe Camajt, Kombi shqiptar sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për shembullin që kanë dhënë shqiptare, si Martin Camaj një njeri i letrave, i cili, në veprat e tij “Lëshon nji kushtrim jo luftarak, por paqësuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”.  Martin Camaj i bën thirrje sot Auron Tares, (i cili në të vërtetë nuk e meriton gjithë këtë vëmendje, por pasi ka dalë në ballë të shpifjeve dhe urrejtjeve edhe kundër vetë poetit e meriton këtë vëmendje negative), që “të dalë nga palci i urrejtjes” dhe të mos përhapë shpifje dhe urrejte midis shqiptarëve:

“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!

Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

 

Është kjo një thirrje që del nga zemra dhe nga shpirti paqësor dhe jo hakmarrës i poetit dhe shkrimtarit Martin Camaj, që duhej të rezononte midis shqiptarëve edhe sot, sidomos në këtë periudhë konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh politike, personale dhe partiake, që vazhdojnë të përçajnë dhe të ndajnë shoqërinë shqiptare dhe shqiptarët, në përgjithësi, për të cilën Camaj nuk do të ishte aspak i kënaqur.

 

Është një thirrje kjo, e një shkrimtari e poeti shqiptar, i cili ndonëse, siç dihet, regjimi komunist ia  “kishte mbyllur portën” – ashtu siç shprehet Ismail Kadare për ‘të – Camaj prapë se prapë nuk mbante inat e hidhërim, por bënte thirrje për afrim midis shqiptarëve, madje edhe gjatë një periudhe urrejtjesh dhe shpifjesh si ajo e komunizmit, kur në Shqipëri, vetëm të përmendje emrin e Martin Camajt ose të shkrimtarëve të tjerë si ai, në mërgim, të priste qelia e burgut ose dënime të tjera të rënda.  Megjithëkëtë trajtim të keq, ka shkruar Ismail Kadare, Camaj, “Nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi, të shkruante kundër si-vëllezërve të tij në Shqipëri.  Ishte e vërtetë, se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë (Martin Camajn) t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë.  Përkundrazi, është shprehur Kadare, Martin Camaj, “Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, -ka thënë Ismail Kadare, në vlerësimin e tij për Camajn. “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes.  E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”, -ka shkruar Kadare.  Nafakzezët e realizmit socialist dhe nostalgjikët e komunizmit të llojit të Enver Hoxhës, që shpifen sot ndaj Koliqit dhe Camajt, do të bënin mirë që të merrnin shembull nga “Shkrimtari i Lartësive”, siç e ka cilësuar Camajn, Ismail Kadareja, një person, “që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë.  Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, -ka thënë Kadare.  Katrahura, të cilës i referohet Kadareja, po e ndjekë të shkretin Camaj edhe në atë jetë.

Fatkeqësisht, “katrahura shqiptare”, siç pohon edhe “studimi” i Auron Tares –megjithëse Tare nuk është i vetëm në këtë fushatë aktuale trillimesh — është ndoshta më e theksuar sot se kurdoherë tjetër ç’prej komunizmit.  Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet sot bota shqiptare, thirrja e këtij poeti për “Afrim të Shqiptarëve”, është tepër aktuale dhe ndoshta më e nevojshme se kurrë më parë, pasi – siç ka shkruar edhe miku i tij Ernest Koliqi—kjo thirrje e Camajt del me të vërtetë nga zemra e një, “Pjestari të një djelmënije të vrugosun në shpirt nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetësuese, të nji djelmënije që u randue me vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend”,dhe si i tillë, “Njohu mërgimin, fushat e përqendrimit, punën e përdhunëshme…”, e tjera.  Me gjithë këto përvoja të këqija personale, Martin Camaj nuk shprehu kurrë urrejtje ndaj shqiptarëve, përfshirë regjimin komunist dhe as ndaj atyre të cilët i kishin mohuar të drejtën të jetonte dhe të punonte në Atdheun e tij të lindjes, për të cilin jetoi dhe punoi gjithë jetën në mërgim, gjithmonë i shtyrë nga dashuria dhe besnikëria ndaj vendit të origjinës të parëve të tij.  Megjithë vuajtjet e tija dhe të familjes së tij nga komunizmi, Martin Camaj, prapë se prapë, nuk ruante urrejtje as inat ndaj atij sistemi dhe as ndaj njerëzve që e mbështetën atë regjim, për pothuaj gjysmë shekulli.  Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, ai kishte filluar komunikimin me vendlindjen e tij, përfshirë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Intelektualëve të pavarur shqiptarë, ku edhe u anëtarësua në radhët e kësaj organizate që u krijua në vitin 1991.

Duke komentuar pranimin e tij në atë organizatë, ai është shprehur se vlerësimi që i bëri atij Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë me atë rast, “na afron”, si shqiptarë.  Në një letër dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve të Pavarur Shqiptarë në vitin 1992, Camaj u ishte drejtuar atyre dhe “mbarë popullit shqiptar” vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë, me fjalët, “Të dashunve miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar.  Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”, -ka shënuar Ardian Klosi në një shkrim për të më vonë, duke cituar letrën e Martin Camajt, dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur të Shqipërisë, në vitin 1992.

 

Në këtë frymë vëllazërimi e afrimi me njëri tjetrin, nëpërmjet veprave të tija, Martin Camaj u bën thirrje shqiptarëve, por edhe ty Auron Tare me shokët tu, për afrim, për pajtim e bashkim midis nesh, pa marrë parasysh dallimet politike ose origjina nga vijmë, nga malet e nga fushat.  “Thirrja e Martin Camajt, “Afrohuni Shqiptarë”, sipas Koliqit, rrjedh nga “Fisnikërija e lashtë e malësorve, kalorësija e natyrshme që u pajisë atyre shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e di mirë harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la malet tona.”  Si pinjoll i atyre maleve, ka shkruar Koliqi, Martin Camaj e kishte gjithmonë, “Parasyshë mospërfilljen e pavarëshme që shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e gjallë mbrojtën Kombin nga sulmet e sllavëve”.  Ne malësorët, kudo që jemi, të gjallë e të vdekur, fatkeqsisht, e kemi ndjerë me shekuj harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la Malësinë tonë dhe banorët e saj, por ama, mbi të gjitha, është e papranueshme që si individë ose si grup, të pësojmë sot në Shqipërinë e vetquajtur demokratike, shpifje dhe urrejtje nga bashkvëllëzërit tanë, të një gjuhe e të një gjaku.  Kjo është pafalshme dhe anti-kombëtare.  Megjithëkëtë, si një bashkkombas me origjinë nga ato male të harruara e të shtypura të Shqipërisë, nga e ka origjinën edhe Martin Camaj, bashkohem me ‘të në fisnikërinë e lashtë të malësorëve që ai posedonte, duke u bërë thrirje shqiptarëve për bashkim, para se të jetë tepër vonë: “AVITU NJERI! AFROHUNI SHQIPTARË”!  Ka ardhur koha të dilni nga palci i urrejtjes dhe shpifjeve!”

Kush janë Haxhi Qamilët e vitit 1997? – Nga SHABAN MURATI

Ata zyrtarë të lartë, politikanë dhe ekranistë, që merren sot kaq shumë me Haxhi Qamilin dhe vitin 1914, kur Shqipëria ishte pushtuar nga trupat serbe e greke, pse nuk e përmendin asnjëherë që në vitin 1997, kur nuk kishte trupa pushtuese serbe e greke, në Shqipëri u krijuan kundër njera-tjetrës “Aleanca e mbrojtjes së Jugut” dhe “Aleanca e mbrojtjes së Veriut”?
Sipas të dhënave të vetë zyrtarëve të atij viti kulmor të mbrapshtë në Shqipëri në vitin 1997 janë vrarë nga 3 mijë deri në 6 mijë vetë. Me një marrëveshje të fshehtë të dy qeveritë amnistuan njera-tjetrën, i vunë rrasën e varrit të vërtetës tragjike kombëtare dhe askush nuk dha llogari për mijra viktimat.
Historia dhe populli kërkon të dijë:
Kush janë Haxhi Qamilët e vitit 1997?