VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

GJATË GJITHË UDHËTIMIT – Poezi nga NAZIM HIKMET – Poezi nga FASLLI HALITI

By | August 26, 2018
blank

Komentet

blank

SHBA mbështesin pezullimin e patentave të vaksinave kundër koronavirusit

Marrë nga Reuters

Presidenti Joe Biden të mërkurën shprehu mbështetjen e tij për pezullimin e patentës për vaksinat kundër COVID-19, duke reaguar ndaj presionit në rritje nga ligjvënës demokratë dhe më shumë se 100 vende të tjera, por duke zemëruar kompanitë farmaceutike.

Presidenti Biden shprehu mbështetjen e tij për një pezullim të përkohshëm – një përmbysje e dukshme e qëndrimit të mëparshëm amerikan- pas një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, pasuar menjëherë nga një deklaratë zyrtare nga negociatorja e tij kryesore e tregtisë, Katherine Tai.

“Kemi të bëjmë me një krizë globale shëndetësore dhe rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë COVID-19 kërkojnë masa të jashtëzakonshme”, tha zonja Tai në një deklaratë, disa orë pasi tha në një aktivitet të organizuar nga gazeta Financial Times: “Koha është thelbësore”.

Aksionet e një numër kompanish farmaceutike që prodhojnë vaksina kundër COVID-19 ranë pas njoftimit. Dy nga prodhuesit më të mëdhenj të vaksinave janë kompanitë amerikane, Moderna Inc dhe Pfizer Inc.

Masa e zotit Biden u pasua me vlerësime pozitive nga kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili e quajti atë një “MOMENT MONUMENTAL NË LUFTËN KUNDËR COVID-19” në Twitter.

Por grupi më i madh lobist i industrisë farmaceutike paralajmëroi se hapi i pashmenbullt i zotit Biden do të minonte përgjigjen e kompanive ndaj pandemisë dhe do të kompromentonte sigurinë e vaksinave.

Presidenti Biden, i cili mbështeti pezullimin e patentave gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020, e ka bërë betejën me koronavirusin një përparësi kryesore të administratës së tij. Përshpejtimi i vaksinimeve në Shtetet e Bashkuara ka çuar në një rënie të numrit të infektimeve dhe vdekjeve.

Presidenti demokrat, i cili bëri fushatë me premtimin për t’u ri-angazhuar me botën pas katër vjet marrëdhëniesh të tensionuara mes ish-Presidentit Donald Trump dhe aleatëve të Shteteve të Bashkuara, ka qenë nën presion në rritje për të ndarë vaksinat dhe teknologjinë e prodhimit të tyre me botën.

Vendimi i presidentit pason krizën që po kalon prej ditësh India, e cila përfaqëson 46% të rasteve të reja me COVID-19 të regjistruara në të gjithë botën javën e kaluar. Ka gjithashtu shenja se vatra të infektimit akut po përhapen në Nepal, Sri Lanka dhe vende të tjera fqinje.

Negociatat Kërkojnë Kohë

Deklarata e së mërkurës hapi rrugën për negociatat që mund të zgjasin për muaj me radhë për të hartuar një plan specifik të pezullimit të patentave. Vendimet e OBT-së kërkojnë një konsensus të të gjithë 164 vendeve anëtare.

Zonja Tai tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në negociata të bazuara në rregulloret e OBT-së për të realizuar pezullimin e mbrojtjeve ligjore që ofron e drejta e autorit. Ajo paralajmëroi që këto diskutime do të merrnin kohë.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera bllokuan më parë negociatat në OBT rreth një propozimi për pezullimin e patentave të propozuar nga India dhe Afrika e Jugut që synonte të ndihmonte vendet në zhvillim të prodhonin vaksina kundër COVID-19 duke përdorur pronën intelektuale të kompanive farmaceutike.

Zonja Tai tha: “Administrata beson fuqimisht në mbrojtjen e pronësisë intelektuale por, me qëllim që t’i japim fund kësaj pandemie, mbështes pezullimin e patentave për vaksinat kundër COVID-19”.

Një person me dijeni mbi konsultimet amerikane për këtë çështje tha se vendimi i së mërkurës i jep mundësi Uashingtonit të veprojë në përgjigje të kërkesave të elementëve të majtë dhe presionit të vendeve në zhvillim, ndërsa përdor negociatat e OBT-së për të ngushtuar përmasat e masës së pezullimit. Meqenëse negociatat do të marrin kohë, vendimi i ofron administratës kohë për të rritur rezervat me vaksina përmes metodave ekzistuese.

Dr. Amesh Adalja, studiues në Qendrën për Sigurinë Shëndetësore në Universitetin Johns Hopkins thotë se pezullimi i patentës faktikisht është “shpronësim i kompanive farmaceutike pasi po u merret një shpikje që e realizuan përmes kërkimeve shkencore e investimeve, gjë që në fakt bëri të mundur zhvillimin e vaksinës”.

Por ata që mbështesin pezullimin e patentave thonë se kompanitë farmaceutike pësojnë humbje të vogla sepse kjo është një masë e përkohshme dhe se kompanitë do të vazhdojnë të shesin shpikjen e tyre në vitet në vazhdim kur të prodhohen dozat pasuese kundër COVID-19.

blank

KËPUCËT DHE GAZETA L’UNITA – Tregim i vërtetë nga Agim Xh. Dëshnica

Vjeshtë e tretë.  Në Grykën e Tujanit, e ngarkuar me re, shkrepnin vetëtimat e gjëmonte. Era shfrynte, këpuste  gjethet e verdha, i hidhte përtokë, pastaj i ngrinte lart, i shtillte rreth e qark e së fundi  i shtynte tej me vrull.  Pas  rrufeve nisi shiu i  hollë, befas  shpërtheu rrebeshi mbi pullaze e drurë, rrugëve, trotuareve e mureve,  me pankartat e ushtarit  të sertë, me pushkë, bajonetë, me një sy e një vesh, me parullën: „Vigjilencë!“ Fortafolësit si gryka ullukësh gri,  të kapur në shtylla  e nën strehët e ndërtesave zyrtare, kullonin ujë çurk dhe dridheshin si në ethe nga zërat e recituesve  të Radio Tiranës, që shqyhenin  me poema, deri në mbrëmje vonë maskën e revizionizmit modern, ndërsa borgjezisë i kanoseshim me britmën sus! Zërat e disa fortafolësve  në qendër jehonin, në sheshe  e bulevarde. Nga përplasja e tyre në disa zona nuk merrej vesh se ç‘thuhej. Qytetarët në kafe, nën strehë dyqanesh, apo  të lagur kokë e këmbë në ecje e sipër dhe shumë të tjerë në shtëpi, dëgjonin të habitur, se duhej të punonin me nerva të tendosur! Nerva? Punë me nerva? Të punonin si të xhindosur? Të qetë ndiheshin vetëm shurdhët dhe ata, që s’kishin radio në shtëpi. Ndërkaq në sheshin Skënderbej, nga kapela ushtarake, supet  e krahët e shtatores  në bronx të Stalinit, binin rrëke ujrash të turbulluar.

Agroni tek rrinte në dritare e vështronte jashtë  pyeste veten, se a mund të shkohej nëpër ato rrugë si lumenj, për të blerë një palë këpucë të reja? Ato që mbante në këmbë, pa u vjetëruar mirë, fusnin ujë sa, kur binte shi pandehte se ecte zbathur, pa le në pellgjet gracka! As ngjitjet, as qepjet, as gozhdët nuk bënë derman. Ndaj, kur rrebeshi pushoi, u nis për te dyqani më i madh i kryeqytetit, me emrin Magazina Popullore, shkurt MAPO, në rrugën e Dibrës, ku shiteshin këpucë të Fabrikës së Këpucëve.

MAPO, për nga madhësia, ia kalonte dyqanit tjetër shtetëror, të cilin, sipas forcës së zakonit, sidomos  gratë, vijonin ta quanin “Xingoni” si në vitet, kur  pronarët italianë botonin në gazeta e revista reklamën: “Zzingone veste tutta la Roma!”. Nëse, ndokush atje blinte kostum e pallto e një palë këpucë, i dhuronin një kravatë, një çadër apo bastun. Pastaj me pakon e lidhur me fjongo e përcillnin gjer në prag të portës me “tante grazie e arivederla!” Në MAPO  pamja qe ndryshe. Në disa ditë të çdo jave, ajo mbetej me kopsa, kordele e basme kombinati me  lajle  e lule që  s’i prekte kush me dorë .  E kështu shitëset e kalonin kohën  e lirë me  histori familjesh  me thirrje nga banaku në banak. Por kur papritur dilnin mallra importi, pa asnjë reklamë. lajmi merrte dhenë. Aty për aty dyqani i madh mbushej përplotë me burra e gra. E ç’të shihje pastaj? Ca majtas e ca djathtas suleshin drejt banakëve, duke u shtyrë me duar, bryle e supe. Një ditë për pardesy, që ua kishin ngjitur emrin “fësh-fëshe”, të holla,  saqë, kur frynte veriu ua hiqte nga supet. ’’Fësh-fëshet” ”  shiteshin    herë të blerta, herë të kaltra.  Dhe pastaj  shetitoret  u ngjanin herë livadheve,  herë  lumenjve. Në Mapo dilnin edhe këpucë çeke grash, ose radio hungareze “Orion”, që kapnin vetëm Tiranën, për habi dhe…Budapestin! Gojët e liga pëshpërisnin, se ua kishin rregulluar frekuencat vetëm për këto dy radio-stacione. Por, disa teknikë të shkathët kundrejt një pagese, thuajse falas, shtonin llampen F-2. Dhe në radion e vogël ngjyrë gështenjë, në trajtë kubi, dëgjoheshin qartë lajmet nga  radiot  e huaja në disa gjuhë, si: “Burasi Ankara!”- “Vi parla Roma!”-“Ju flet Zëri i Amerikës!”-“Bum, bum! Ju flet Londra!…”

MAPO qe edhe një vend i këndshëm edhe për takime e biseda në këmbë, si te Qafa e Pazarit në Gjirokastër. Shërbente për bukuri, edhe si strehë  e ngrohtë për t’u mbrojtur nga moti me shi, vetëtimat, breshëri e thëllimi. Nëpër sallë endeshin, edhe kureshtarë, pa një dysh në xhep. Të gjitha këto u hapnin punë punonjësve të dyqanit të madh, pasi mbyllnin portat për pastrimin e dyshemesë nga letrat, paketat e bishtat e cigareve, llumi i baltës e për largimin e ujrave.

Agroni hyri e shkoi në banakun e këpucëve. Teksa pyeste shitësen për numrat, mbante në duar pas shpine, një gazetë, për ambalazh, sepse këpucët shiteshin pa kuti. Ndjeu se dikush e preku lehtë në sup.  U kthye të shihte  ndoshta ndonjë mik a shok, por u befasua, kur  përpërballë pa  vetullziun  e  njohur  të trotuareve të rrugës së Durrësit  e të Dibrës.

Pa e përshëndetur  ai e pyeti:

-Nga e ke gjetur  ti këtë gazetë?

Djaloshi i hodhi një sy gazetës. U trondit e u habit, kur lexoi titullin, “L‘Unita- La Gazzeta di Partito Comunista Italiano”. Ç’t’i thoshte i zënë ngushtë, kur i ra ndër mend se ishim prishur keqas me partitë komuniste të drejtuara nga Hrushovi apo Moska. Mblodhi buzët e ngriti supet i shqetësuar.

-As vetë  s’e di!  E kam marrë për të mbështjellë ndonjë send….Do ta ketë gjetur nëna, mbase në ndonjë autobus. -U shqetësua dhe më, kur përmendi nënën, që punonte në PTT.

Vetullziu për një imtë e pa në sy  e tha:

-Kot  të pyeta- dhe u largua.

Por, Agroni e vuri re tek u mbështet në një banak, pak më tej, me njerin sy drejt tij. Si mumd t‘i fshihej  atij  vëzhgim dinak? E kapi edhe një si e qeshur e hidhur, kur mendoi se po i kanosej një rrezik i papritur, meqë ata lart na qenkan grindur me partitë, dikur motra. Po ai ç’hynte në këtë mes? Kush qe fajtor? Tani nga blerës  e ndiente veten si një i arratisur i çuditshëm, që kërkon shtegun për të dalë, jo matanè kufirit, por …jashtë mureve të dyqanit shtetëror. Ah! Sa zili u kishte atyre që hynin e dilnin nga u vinte më për mbarë. Këpucët i harroi. Gazetën e flamosur e bëri shuk dhe e rrasi në xhep. Ecte e ndalonte para banakëve e pyeste kot më kot shitëset për fustanet, basmet,  çorapet e grave, kopsat dhe kordelet. Shihte vetrinat e MAPO-s me dy porta, ku për një pardesy apo këpucë çeke, nga burrat e gratë thyeshin xhama e pasqyra. Veçse ato pasqyra të bekuara tani po e ndihmonin të pikaste ndjekësin që s‘i ndahej. Tek sillej i mërzitur veshi i kapi, edhe një këngë dashurie burrash e kënduar nga një artiste: “Te desha, të desha, si i marrë…“ Në pasqyra, herë këtu, herë atje, vinte re, se vetullziu i ishte qepuar e s’i ndahej,  si zagar i heshtur. Por atij i bëhej se ai lehte egër: “të kapa, të kapa agjent i poshtër, s’ke nga ia mban!“  Pra, ai po përpiqej të zbulonte folezën e tij,  portën e numrin  e shtëpinë! Ç’drejtim do të merrte „agjenti?“ Ndërkohë djaloshi e hetonte ndjeksin nga ç’krah lëvizte përmes blerësve. Për një hop  Agroni u shtir sikur po shkonte drejt portës së majtë. Në atë çast pa, se „vetullziu“ mori djathtas, mesa kuptohej, për ta pritur jashtë e të shihte se nga do t’ia mbante, tatëpjetë rrugës së Dibrësit për në Bulevard, a përpjetë për nga Spitali?  Atëherë Agroni mori  djathtas dhe e ndoqi zagarin gjer afër portës. Atje ndaloi e pa me kujdes. Kaleci në mëdyshje, priste në trotuar. Meqë s‘po e shihte „agjentin“ ndërmjet njerëzve, që hynin e dilnin, mendoi se i shpëtoi nga duart. Pasi hodhi syte poshtë e lartë, nxitoi tatëpjetë. Djaloshi lëvizi ngadalë e doli jashtë dyqanit.Vuri re se vetullziu kishte humbur  në turmën mizë lisi  në Bulevard, Gjithsesi po e brente dyshimi nga çdo e papritur. U hodh me ndrojtje në trotuarin  përballë MAPO-s, kaloi para dyqanit Flora e u fut tutje labirintit me dyqane të zdrukthëtarëve,  kovaçëve e saldatorëve. U soll rrotull kolonave të kinemasë, dikur “Rex”, më pas “Nacional”, së fundi “17 Nëntori”. Ndaloi në sportelin e biletave e hodhi sytë poshtë e lartë. Për dreq një zë i njohur i thirri në emër. Bëri sikur nuk dëgjoi gjë. Shpejtoi hapat dhe doli te Fusha e Druve, prapa Maternitetit. U kthye nga e majta, preu Bulevardin e hyri  në rrugën Fortuzi me vila doktorësh e profesorësh e me shelgje në dy krahët. Atje eci më qetë  dhe ndaloi te çezma e hekurt, ku nga e djathta zgjatej rruga e Burgut të Vjetër. Matanë rrugës së Durrësit dukej në muzg Ambasada Sovjetike, që përgjohej ditë e natë nga shërbimi sekret. Uli kokën, sikur do të pinte ujë në çesmë. ndërkohë hodhi vështrimin drejt rrugës, që la pas. Ishte e shkretë…

Në shtëpi përballë çezmës e buzë rrugës së Burgut të Vjetër, i fshehur prapa perdeve vështroi më kot. Qeshi me vetullziun e zemëruar diku në Bulevard… Por befas  nga fqinji burg, dëgjoi  dbritmën e rreptë të  rojës: „Ndal!“ Në krahun tjetër të shtëpisë, në hije civilët e sigurimit me shpatulla në mur, vëzhgonin ambasadën.

Iu kujtuan filmat me spiunazh, ndjekës, të ndjekur, pranga, hetues, tortura, prokurore e gjykatës pushkatime e burg. Pra, i kishte të gjithë aty tok! Veçse tani për disa muaj duhej të bënte kujdes: të nisej e të kthej nga puna  vetëm në muzg, ndërsa tek miqtë e vet të shkonte  e të vinte më rrallë  në mot me shi dhe erë, kur fortafolësit  njoftonin me zhurmë e bujë, se ishim çliruar nga terrori i pushtuesve të huaj….

Shfreu i lehtësuar, por me një farë dridhme, se për pak do të binte në duart e sigurimit komunist për shkak të një gazete komuniste,  për deq, edhe revizioniste…

blank

NE DUAM PAQE ME RREZE – Cikël poetik nga MUSTAFA V. SPAHIU

 

 

 

              NE DUAM PAQE ME RREZE

 

 

Para portave t’ylbereve,

Dëgjova kalimthi n’trumzë

Ç’thanë disa fëmijë me fantazi:

– Ne duan paqe,

Ne duan rehati – liri!

Në ne përflaket djalëria,

Bulëzon dashuria, brohoria,

Jeta lulëzon, diellnon –

T’ecim nga portat e rinisë;

Ta vizitojmë laboratorin e bletëve…

 

Njerëz zemërshpirtkulluar,

Njerëz zemërbardhë të mrekulluar,

Largonie perden e errësirës,

Flakni maskat e tmerrit!

Buzëqeshni si lilat me rruaza vese,

Grishni pëllumbat e bardhë,

Zgjeronie vallen miqësore –

Shtrinie shikimin në malbreze –

Oleandrore ditësh dantelore,

Sytë le t’iu shkrepin dashuri agimore.

 

– Ne s’jemi fëmijëri e luftës

(buzët tona duan pranverë)!

Edhe pse në Ne –

Ende plagët tuaja na sëmbojnë!

 

Ne duam vetëm siguri,

Ne duan vetëm rehati – liri! –

Mbi qepallat tona qiell kaltërosh,

Diell të ngrohtë t’ardhmërisë

Dhe pringrimin e barit galdosh!

 

Nuk duam, jo nuk duam!

Me luftë ta na frikësoni

(thotë një vocrrak shtatselvi),

Nuk duam ëndërrat tona

Të na zhdaravitën, –

Ne duam lojë e freski të përrenjve,

(të zbresim në pallatet e thneglave)!

Si gjithë fëmijët e botës – vetëm sytë

tanë le të puthen si vjollcat, si yjet e parë!

Ne duam vetëm rehati – liri! –

Mësim dhe dituri!

 

Fëmijët!

Janë një orë që s’ndalet kurrë,

Kurdiset nga ëndrrat e tyre…

 

 

Në Anamoravë, qershor 1993

 

               N  Ë  N  A    I  M  E 

– Përjetësisht i përulem hijes së saj –

 

 

Nëna ime –

s’kishte fustan mëndafshi t’Lahores,

flokët i kishte shpeshtake –

grunaja të Anamoravës,

erdhi nuse e re, u frutnua dhe u diellnua…

 

Nëna ime –

s’kishte unazë me xhevahir Hindustani,

I kishte gishtat e shpejtë – sovajkë! –

çdo ditë ia shtonte gjallërinë

shtëpisë pastërtinë – bujarinë,

prokopinë e katandinë –

s’e këpuste perin e pajtueshmërisë…

 

Nëna ime –

s’ishte zyshe, as profesoreshë

(me veshje kombëtare vesh),

I dinte të gjitha ninullat e rritës,

këngët e punës, këngët kreshnike,

ritet e motmotit, grishjen e shiut –

këngët e bletës, baladat e lashta,

epikën e trëndafilave – këngën e dasmës,

të çeizit – temenarat e nuseve me duvak;

përrallat popullore, misrat n’hamullore

(nafakëlindur me një çun dëshiri)

kithin e dashurisë në bebëza

dhe tërë emrat e luleve –

në pllajash e bregore…

 

Nëna ime –

kishte një kopsht – sofër hëne, – i

mbëltonte lulet më të kumakëta

(me aromë mahnitëse)

për zemrat e njerëzimit…

– Aty s’mbyllej porta guacë magjike –

pas kopshtit të nënës ishte një kopsht

blerak – si Kopshtet e Semiramidës,

me një qiell blu – Ujëvare të Mirushës,

aty – gërshetoheshin ëndërrat – mërli…

 

Nëna ime –

s’kishte makinë qepëse, as lavatriçe,

duart i kishte të zellshme – bletëbardha,

rrezet e diellit i bëheshin gjilpëra –

ylbereve ua huazonte arnat e larme

m’i qepte të grisurat në këmishë,

xhaketës e pantallonave..

 

Sa i lumtur isha me nënën time,

Sa i varfër jam për arnat e NËNËS!

 

Ndoshta e magjepsi amshueshmëria…

 

 

Dhèvendlindje, 1980,

Shkup, 1993.

 

 

                SI VINË ËNDRRAT

– Ëndrrat shpërndahen si rreze

ndër lule…

– poeti –

 

 

Oh, ëndrrat e fëmijëve – bukurezash,

kush mund t’ia qëllojë – ngjyrë korale,

– Deti s’ka mbarim… – kush e di? –

Pse i këpusin frenjtë e luspave t’peshqve,

Ëndrrat si burime, si pasqyrëza të lëvizshme dhe në sa meridiane e cepash

çerdhohen?

 

Gjakojnë të hyjnë në çdo nënkresë

si rrezet e dashurisë lehtë lëshohen

– kutia hapet – dalin ëndrrat!,

me ngulmë futen në çdo portë, dritare

me oxhakpastruesin zbresin së tokthi,

bile edhe nëpër katinare guaskash, i

bartin kurrillat mbi krahë –

vijnë si albatros triumfi, ëndrrat

në qeshje – hedhur buzëdetit,

dallgëzohen bregliqenit…

Fshihen në sheshlogun e dhomës

flutura të padukshme

me radarët e tyre të përsosur

i kërkojnë fëmijët, gjyshelocet

(ku janë, e ku s’janë)

që t’u blerohen mbi qepalla,

duan t’i ndalin lodrat e tyre

për një çast, s’ka dorë që t’i zërë;

ua falin shiun e artë të gjumit

të sjellur nga kopshti magjik,

ato e ruajnë çelësin kaherë të kërkuar

për ta çelë botën fëmijërore –

është mbuluar me vellon më të bardhë,

ëndrrat në çdo oborr mbjellin shpresë

për çdo natë mjafton një ëndërr e azurtë

që vjen e lehtë si ninulla e nënës –

kënga e motrës, plisi i tatëloshit, duke

shfaqur dëshira – qiell i dëlirë –

s’i kanë parandier asnjëherë më parë,

e shfaqin lojën e fantazisë së fluturave

asnjëherë të sosur…

Si vijnë ëndrrat askush s’i di,

janë interesante kur vijnë –

burojnë nga romanet e kujtimeve,

përjetimeve, udhëtimeve, rrëfimeve

që s’kanë fund…

Banojnë në një gjol rrethuar me buzeqeshje

e fshehin shpirtin e pranverës së tyre…

Ziliqarët kot i lëshojnë skifterët,

për gjumin e niposhit tim, të fëmijëve,

çupërlinave sykaltëroshe,

kur të kumbon qetësia – trimëria,

aty zhdaraviten në të pesë anët,

duart e tyre të padukshme i lypin –

duart e vocrrakëve, për ta shtruar

vallen e re të ëndrrave – ato zgjohen

që menatë për t’i parë – yjet –

si buzëqeshin fëmijët në gjumë,

si shndërrohen në trëndafila,

si shilarzen në krrelat e fëmijëve,

ëndrrat e paralajmërojnë një at

me krah të kaltër me botën fëmijërore

mbi shalë telatini – bukurie e sihariqesh,

– Si vijnë ëndrrat – pahitëse…

Kush ua ndriçon rrugën?

Vargjet pëshpërisin me ylbere…

 

 

Shkup, 28 maj 1986

blank

TREGIM PËR QENIN TIM TË VOGËL – Poezi nga VEHBI SKËNDERI

Kisha në fshatin tim një qen të vogël shok
Dhe duheshim dhe zemëroheshim kot:
Vrapnim nëpër fshat gjithmonë tok.

E shtriheshim të kënaqur, në luadh,
Kërcenim mur më mur e gardh më gardh!
Ai tre vjet më i vogël, unë tre vjet më i madh!

Dhe misërniken ndanim që të dy,
Nuk merrja një kafshatë më tepër nga ai:
Unë e matja me dorë, ai e maste me sy.

Por, kur nuk kishte bukë hiç shtëpia,
Na zinte frymën porsi korb mërzia
Dhe gati sa nuk qanim nga uria…

Po teksa vrenim qiellin të mërzitur
Na dukej hëna bukë e panisur
(Hënën në sofër shpesh e kishim zbritur!)

Dhe e ndanim që të dy, me drejtësi, për darkë,
E hanim dhe e rihanim prapë e prapë…
Deri sa flinim, kokë më kokë, bashkë.

 

blank

ÇIBUKU – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 MAJ 1927 – 2011)

Qit tym çibuku, skuq si magmë,
Pikllimin thith ai cic’në gojë
Dhe në këtë mërzi e fagmë
Që nuk ka brengë t’ia kalojë.

Nga prushi i kuq, edhe nga tymi
Këtu sajohesh, aty vrik prishesh,
Më del përballë, nis merr frymë
Si engjëlli që del prej shishes:

“Ja tek të ardha,” ti më thua
Mes grisë së fjollave të shpërndara
Diku si re, diku si grua,
Si mrekulli më del përpara!

E nga ky mjegull nikotini,
Që nxjerr kaq bujarisht çibuku,
Ndonse e ndjej se je soj xhindi,
Nuk kam fuqi të të them: zhduku!

E zgjedh më mirë një ngurosje
Që vjen nga sytë e tu dhe gishtat,
Nga qindra vdekje e varrosje:
Ku ç’kursen dheu, ta hanë krimbat.

Tiranë, 15 mars 1995

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

Historia e Akifit, poetit me origjinë shqiptare që shkroi himnin e Turqisë

Mehmet Akif Ersoy, poet me origjinë shqiptare, i cili në Turqi njihet si “Poeti i Atdheut” dhe “Poeti Kombëtar”, lindi më 20 dhjetor të vitit 1873 si fëmija i Emine Şerif Hanım, vajza e një familjeje e cila kishte ardhur në Anadoll nga Buhara, dhe Mehmet Tahir Efendiut, i lindur në Kosovë dhe njëri nga mësimdhënësit në medresenë e Xhamisë Fatih.

Babai i tij atë e kishte emëruar “Ragif” që shprehte datëlindjen e tij sipas llogaritjes “ebxhed” (çdo shkronjë është e barabartë me një numër të caktuar), mirëpo për shkak të vështirësisë së artikulimit, shokët dhe e ëma e quanin “Akif”, emër të cilin ai e përvetësoi me kalimin e kohës.

Shkollimin e parë Ersoy e filloi në Mektebin e Lagjes Emir Buhari në Fatih, ndërsa dy vite më vonë kaloi në drejtimin e shkollës fillore dhe në vitin 1882 filloi mësimin në Shkollën Qendrore Ruzhdie Fatih (Shkollë e mesme për xhuniorë në periudhën osmane). Mësimet e para në arabishte i mori nga babai i tij, kurse në të njëjtën kohë i vijoi mësimet e gjuhës perse në Xhaminë Fatih. Ersoy ishte gjithnjë i pari në gjuhët turke, arabe, perse dhe frënge gjatë arsimit të tij në Ruzhdie.

Interesimin për poezi Ersoy filloi ta shprehë gjatë viteve në Ruzhdie dhe iu qas librave të poezisë. Vepra e parë poetike të cilën e lexoi ishte “Lejla dhe Mexhnuni” nga Fuzuli.

Pas mbarimit të Ruzhdies, Mehmet Akif Ersoy në vitin 1885 u regjistrua në Liceun e Shërbimeve Civile (Mülkiye İdadisi), një nga shkollat e njohura të asaj kohe. Ersoy e humbi babain në vitin 1888, ndërsa familja e tij ra në varfëri me djegien e shtëpisë në zjarrin e madh në Fatih një vit më vonë.

Meqë para së gjithash dëshironte të ketë një profesion dhe të mësonte në shkollë me konvikt, ai braktisi liceun dhe filloi në “Mektebin e Bujqësisë dhe Veterinarisë”, që ishte shkollë e lartë civile e veterinarisë e cila sapo ishte hapur ato vite. Gjatë viteve të shkollës, Ersoy tregoi interesim të madh për sportin, duke marrë pjesë në gara të ndryshme sportive si mundja dhe noti, si dhe ecje të gjatë, vrapim dhe hedhje të gjyles.

Në vitin 1893, Ersoy e mbaroi drejtimin e veterinarisë me sukses të shkëlqyeshëm, ndërkaq, interesimi i tij për poezinë u rrit në dy vitet e fundit të shkollës. Poezitë e tij u botuan në gazeta dhe revista të ndryshme. Vepra e shtypur e Ersoy-it ishte një ode e botuar në vitin 1893 në revistën “Hazine-i Fünun”.

Poeti në vitin 1898 u martua me Ismet Hanım, vajza e Mehmet Emin Bey i cili punonte në sportel në “Tophane-i Amire” (Shkritorja e artilerisë). Ai kishte tri vajza dhe tre djem. Njëri nga djemtë e tij ndërroi jetë ende pa mbushur një vit e gjysmë jete.

Ersoy, i cili vazhdoi aktivitetin e tij në letërsi duke ushtruar detyrën e mësimdhënësit dhe duke shkruar poezi, hyri më thellë në botën e botimeve pas shpalljes së “Meshrutijetit të Dytë” (Epokës së Kushtetutës së Dytë). Pas kësaj kohe, Ersoy u bë kryeshkrimtari i revistës “Sırat-ı Müstakim” e cila u nxor në botim nga shokët e tij për herë të parë më 27 gusht të vitit 1908.

Mehmet Akif Ersoy në vitin 1920 u zgjodh në Kuvendin e Parë të Madh Popullor, ndërsa në vitin 1921 u vendos në Dergjahun e Taxheddinit në Ankara (Taceddin Dergahı).

Në fillim, Ersoy nuk mori pjesë në garën për himnin kombëtar për të cilin u vendos shpërblim prej 500 lirash, por u bind më pas me kërkesë të ministrit të arsimit Hamdullah Suphi Bey dhe motivimin e shokut të tij Hasan Basri Bey. Himni kombëtar të cilin ia dedikoi ushtrisë, më 17 shkurt u botua në Sırat-ı Müstakim dhe Hakimiyet-i Milliye.

Pasi u lexua në kuvend nga Hamdullah Suphi Bey, më 12 mars të vitit 1921 u pranua si himn kombëtar. Ersoy mori shpërblimin prej 500 lirash dhe i dhuroi si donacion në institucion bamirësie.

Pas Luftës Çlirimtare dhe triumfit, Mehmet Akif Ersoy jetoi për një kohë në Egjipt dhe punoi si ligjërues i gjuhës turke, ndërsa më 17 qershor të vitit 1936 u kthye për shërim në Stamboll.

Poezitë e tij poeti i përmblodhi në veprën “Safahat”. Ndërroi jetë më 27 dhjetor të vitit 1936 në apartamentin Mısır në Beyoğlu të Stambollit.

 

Marrë nga Anadolu Agency

blank

Vehbi Skënderi dhe bija e tij e poezisë… Nga Visar Zhiti

  Kohët e fundit është botuar në Tiranë vepra “Kartela të Realizmit të Dënuar” me autor Visar Zhitin, nga botuesi “Uegen”, nën kujdesin e shkrimtarit dhe studiuesit Xhevair Lleshi.

       Kjo sprovë e gjerë letrare, rezultat i një pune shumë vjeçare, na sjell “letërsinë tjetër”, kur zyrtarisht  ushtrohej Realizmi Socialist, me shkrimtarë të paguar nga shteti diktatorial, i cili i konsideronte dhe i trajtonte ata si oficerë të vetin, ndërkohë shkrimtarët kundërshtarë, ata që nuk e donin socrealizmin apo nuk e ushtruan, etj, u komplotuan me heshtje e margjinim, por një pjesë dhe u internuan, u burgosën apo u pushkatuan. U dënuan dhe veprat e tyre, madje dhe lexuesi.

       Këtë gjëmë sjell dhe libri “Kartela të Realizmit të Dënuar”, letërsinë tjetë, që sipas Visar Zhitit solli ato që mungonin, të vërtetat dhe moralin e letërsisë. Vepra ka patur jehonë në media brenda dhe jashtë vendit, në diasporë dhe vazhdon të kërkohet nga lexuesi.

Lexuesit po i sjellim disa faqe nga libri “Kartela të Realizmit të Dënuar” i Visar Zhitit kushtuar Vehbi Skënderit, Elida dhe Skënder Buçpapajt. Ndodh jo shpesh që Zoti i bën bashkë në një familje poetët. Kujtojmë se Vehbi Skënderi është babai i Elidës  dhe vjehrri i Skënder Buçpapajt.

 

NJË KARTELË NGA MESI:

Vehbi Skënderi

dhe bija e tij e poezisë…

 

 …s’po dukej më në faqet e gazetave, as në vitrinat e librarive emri i poetit Vehbi Skenderi. E kanë ndaluar… Ku i kishin çuar, në ç’internim?

Ishte poeti që më jepte kurajo, kur trokisja redaksive për botim e më prapsin.

 

…bir i një familjeje të një kleriku të njohur nga Korça, nga fshati Strelcë, ku dhe lindi në maj të vitin 1927 dhe aty kreu dhe shkollën fillore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore e rrëmbeu me forcë ushtria greke dhe e dërgoi në front, të punonte për rrugët.

Ikën në Tiranë dhe studion në “Medresenë e Lartë” nga vitet 1941-1943, por i ndërpret dhe del malit partizan, të luftojë me armë në dorë pushtuesin. Plagoset dy herë. Dhe shkruante. Boton  së pari në gazetën “Bashkimi” historinë tronditëse të një çami.

Mbas luftës i kthehet gazetarisë, punon në revistën “Miqësia” e më pas në “Hosteni” dhe kalon në “Ylli” dhe me propozim të poetit Lasgush Poradeci, në vitin 1950 pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në vitin 1953 nxjerr librin  “Këngët e para”. Më pas “Vjersha”.

Përfundon studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1961, diplomohet për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe boton librat “Fletë nga ditari im” (1964), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), vjersha, poema, antologji, etj. Ndërkaq është bërë redaktor i poezisë në shtëpinë e vetme botuese “Naim Frashëri”, kur ka filluar përplasjet ideore me regjimin, madje dhe hapur, kur me një grup intelektualësh të njohur si profesor Selman Riza, kolonel Dilaver Radëshi, historiani Zija Shkodra, etj. përgatisin një “Brigadë shtypi”, por partia do e cilësonte si veprimtari armiqësore, nacionaliste, ngrinin çështjen e Kosovës, duke e parë atë si pjesë të robëruar të atdheut dhe kështu nisin kundër tyre senanca gjyqesh absurde dhe të ankthshme. Dënohet grupi dhe me burgje.

Poeti Vehbi Skënderi shpallet “i ndaluar”, hiqet nga Partia dhe e dëbojnë nga Tirana, e dërgojnë larg të punojë si punëtor krahu në digat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Kalojnë 5 vjet dhe “puna korrektuese” vazhdon, në kantiere të tjera.

Viti 1973 do të jetë fatal për letrat shqipe. Pleniumi IV i Partisë dënoi liberalizmin në art, “ndikimet e huaja revizioniste dhe borgjeze”, atë pakëz pranverë shqiptarë, që u tha shpejt. U dënuan autorë dhe vepra dhe u ridënuan të dënuar. Vehbi Skënderin e internojnë, e dërgojnë familjarisht në një fshat pas Malit të Dajtit. Do të donte të vriste veten, por kishte gruan dhe vajzën e tij të vetme, që po ndjehet jetime me babanë gjallë, se kishin filluar ta shihnin shtrembër e me dyshime dhe atë, si me “biografi të keqe”.

Pas 10 vjetësh përndjekje Vehbi Skënderi mundi të kthehet në Tiranë, i plakur befas duke punuar në Kombinatin Poligrafik fillimisht si hamall..

Vajza, Elida Skënderi, do të ishte një nxënëse e shkëlqyer, e donte poezinë dhe po shkruante si i ati. Por ajo s’mund të botonte si ata të rinj e të reja “me biografi të keqe”, që madje ndodhte të shaheshin dhe rrugëve nga militantët e gjimnazeve, të edukuar me frymën e re të luftës së klasave.

Mbaron shkollën e mesme dhe bën gati librin e saj të parë me poezi “Vij”. Jo libri që s’mund të botohej, por nuk e lejuan as të vazhdojë universitetin, por e derguan të punojë punëtore në fabrikën e pllakave dhe në Varrezën e Sharrës. Megjithatë shkruante prapë dhe mësonte gjuhë të huaja në kujdesin e babait dhe të gjuhëtarit, përkthyesit të shkëlqyer, mistikut Petro Zheji.

Mbas vdekjes së dikatorit Enver Hoxha në vitin 1985, Elidës i jepet e drejta të japë provime në shkollën e lartë, pa u shkëpur nga puna, në fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, pasi kishte dhënë me shkrim një dëshmi se “kishte talent” kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli.

Elida kryen universitetin brenda tre vjetëve. Babai i saj, poeti i ndaluar Vehbi Skënderi, merr disa poezi, jo të vetat, por të së bijës tani dhe shkon në gazetën “Drita”, kërkon që të botohen. Aty ishte redaktor poeti, tashmë i njohur, Skënder Buçpapaj. Vinte nga bjeshkët e Tropojës, i gjatë dhe i heshtur si ato, se ç’kishte dhe ai në biografi, thoshin, por në “vitet e liberalizmit” e lejuan të studiojë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku dhe e njoha, unë sapo e mbarova dhe më dërguan mësues fshatrave të Kukësit e ai sapo e filloi.  Prapë me një letër nga Kryetari Dritëro Agolli, Skënder Buçpapaj çohet të kryejë studimet në kryeqytet, në Tiranë, kur kishte botuar ndërkaq librin e parë me poezi, “Zogu i bjeshkës”, 1973, i pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika.

Poeti Skenderi Buçpapaj do të botonte ciklin e parë me poezi të Elidës, madje dhe përkthime të saj, poezi nga Carl Sundberg etj. dhe do të bëhej bashkëshorti i saj.

Duhej të binte komunizmi, që poetja Elida Buçpapaj të botonte librin e parë me poezi në vitin 1994, ndërkohë do të jetë dhe reporterja e parë si gazetare e “Zërit të Amerikës”.

Pasi emërohet drejtor i Radio-televizionit shqiptar, Skënder Buçpapaj dërgohet si diplomat në Zvicër dhe aty mbeten familjarisht përgjithmonë.

Poeti Vehbi Skënderi rinohet me poezinë e tij, nxjerr përmbledhjet “Hënë e vjedhur” në vitin 2000 dhe “Zvicra, Shqipëria ime” në 2004 “Mirëmëngjes, Shqipëri” në 2009.

Në qershor të 2011 mbyll sytë përgjithmon:në Zvicrën e bukur.

E bija e tij, poetja Elida, do të vazhdonte me poezinë, nxjerr 6 libra, 2 me publicistikë, ndërsa poeti Skënder Buçpapaj do të nxirrte vëllimin poetik “Frikë nga atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen”, së fundmi librin me poezi “Imgur”

Ata prej vitesh drejtojnë në Zvicër revistën kulturore elektronike “Voal.ch”…

blank

 

KARTELA NGA REALIZMI I DËNUAR – Nga VISAR ZHITI

 

blank

KARTELA NGA REALIZMI I DËNUAR – Nga VISAR ZHITI

 

       Kohët e fundit është botuar në Tiranë vepra “Kartela të Realizmit të Dënuar” me autor Visar Zhitin, nga botuesi “Uegen”, nën kujdesin e shkrimtarit dhe studiuesit Xhevair Lleshi.

       Kjo sprovë e gjerë letrare, rezultat i një pune shumë vjeçare, na sjell “letërsinë tjetër”, kur zyrtarisht  ushtrohej Realizmi Socialist, me shkrimtarë të paguar nga shteti diktatorial, i cili i konsideronte dhe i trajtonte ata si oficerë të vetin, ndërkohë shkrimtarët kundërshtarë, ata që nuk e donin socrealizmin apo nuk e ushtruan, etj, u komplotuan me heshtje e margjinim, por një pjesë dhe u internuan, u burgosën apo u pushkatuan. U dënuan dhe veprat e tyre, madje dhe lexuesi.

       Këtë gjëmë sjell dhe libri “Kartela të Realizmit të Dënuar”, letërsinë tjetë, që sipas Visar Zhitit solli ato që mungonin, të vërtetat dhe moralin e letërsisë. Vepra ka patur jehonë në media brenda dhe jashtë vendit, në diasporë dhe vazhdon të kërkohet nga lexuesi.

       Krahas fillimit të këtij libri po sjellim dhe disa fletë ‘të rastësishme”, që na zbulojnë vokacionin e veprës. 

 

 

       Pllaka të kujtesës

       dhe thasë…

 

Duke u endur rrugëve të qyteteve të tjera, mund të jesh i huaj,  pelegrin a vizitor, ndoshta në kërkim të ndonjë muzeu a librarie tjetër, teatri a po shëtit i shkujdesur, ndodh të shohësh ca pllaka të vogla mermeri mureve, përanash portave, po dhe mbi rrugën, ku ti po ecën, në të cilat shkruhen se aty ka banuar një njeri i shquar, shkrimtar, shkencëtar, udhëheqës apo pikërisht aty është shkruar një vepër e madhe, që ka bërë epokë. Ndodh të gjesh dhe vargje nën këmbë, ti po shkel mbi poezinë si mbi ngazëllime. Dhe kujtohesh se ke lexuar për këtë emër të gdhëndur aty, ke libra të tij, ndalesh për pak çaste. Mes njerëzve i lutesh atij që ndodhet më pranë që të të shkrepë aparatin tënd fotografik ose me celularin tend bën një selfie.

Dhe futesh në atë shtëpi, të kap një emocion i bukur, i përthellët, dëshiron të biesh në mendime. Ku je kështu, në ndonjë panteon?

 

Mua më kap një si dhembje, më nëpërmendet padashur panteoni i nëndheshëm i atdheut tim, sipër muret e qyteteve me pllaka të rralla të atilla, ku përkujtoheshin më shumë atentate dhe aksione guerilsash, vrasje historike a histori të vrarë. Dhe emrat e rrugëve pothuajse kështu

Po filluan të bëhen muzeumet e kujtesës në posdiktaturë, së fundmi, ja BunkArti 1, BunkArti 2, “Shtëpia me gjethe”, shtëpia e… Po këto tregojnë diktaturën, forcën e saj, sofistikimet, po muzeumet e qëndresës, burgjet, kampet, qoftë dhe një shtëpi e thjeshtë ku jetonin ashtu ngushtë e dëgjonin fshehurazi stacionet e huaja në radio, lexonin libra të ndaluar, etj, etj.

Po studio shkrimtarësh, ku janë shkruar veprat, të cilat studiohen nëpër shkolla? Vërtet ku janë vendet e letërsisë shqipe? Vetëm në kryeqytet? Vetëm letërsi zyrtare, po nga ajo e ndaluara, që triumfoi mbi diktaturën? Po katet e tjerë të kujtesës dhe rradhët e nëndheshëm të ferrit? Natyrisht që s’janë skrivanitë e poltronat ato që vendosin, por vlerat e fletëve të shkruara, dhe nga ato të burgjeve dhe internimeve. Po ku janë?.

Arkivave? Vetëm ato që konfiskoi shteti? Ç’përkujdes tregohet për librin dhe për ata që do ta lexojnë? Kur Bibliotekën Kombëtare së fundmi një herë e dogji zjarri dhe një vit më pas u përmbyt nga ujrat? Të paktën të kishin ndodhur njëherësh, që uji të shuante zjarrin, por ndonjë media shkruante se s’pati ndonjë dëm të madh, u dëmtuan vetëm librat e pas viteve ’90, pra ata të pas shëmbjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste, thënë troç që letërsia e Realizmit Socialist është e padëmtuar, kurse të tjerat, në rrënojat e panteonit të tyre te nëndheshëm.

Aty t’i lëmë thasët? Cilët thasë? Të burgut…

Pikërisht në thasë të vjetër, të arnuar, me njolla dheu e gjaku, ku të dënuarit dikur… ou, na çove  larg, në rendin skllavopronar, jo, jo, është pothuajse tani, janë gjallë shumë nga ata ish të burgosur, që në ato thasë, ku mbanin veshje të tyre, që mund t’u kishin mbetur edhe prej të vrarëve, mes gjërave që haheshin, që i ruanin për ndonjë ditë urie edhe më të keqe, futnin copa letre, fletore e blloqe të shkruara, të tyret, të ndonjë bashkëvuajtësi, ia ruanin, e kishin amanet, ndonjëherë pa e ditur se të kujt ishin ato shkrime, që mezi lexoheshin, qenë ronitur, edhe minjtë kishin brejtur ç’kishin mundur, censura e tyre parake a e mëpastajme, e brendshme, njëlloj ishte, aq më mirë, se policia, po t’i kapte, s’do të kuptonin dhe aq censorët e shtetit.

Po të burgosurit dinin si t’i fshihnin shkrimet…

Ishte e pabesueshme, ndoshta dhe nga vetë ata që i kishin mbushur ato fletë në fshehtësi, se në thasët e burgut kishin të rrasur letërsi të ardhme, nga ajo e  përvuajtura, e ndershmja, e shpëtuar nga kontrollet shfarosëse, nga djegiet, nga realizmi socialist.

Dhe s’ka gjë që në arkivat a bibliotekat tona, nëpër muzeume ende s’ka një thes të tillë dhe as fletë me njolla dheu e gjaku përsipër së shkruarës. Gjithsesi ata thasë janë si shakujt mitikë të Eolit, plot tufane për letërsinë shqiptare.

 

       *   *   *

 

Në këtë sprovë a avitje do të doja të trajtohej dhuna dhe dënimi i ushtruar mbi letrat dhe njerëzit e përzgjedhur të letrave, mekanizmi i hatashëm i së cilës ka kërkuar mposhtjen dhe rrënimin tragjik të tyre. Është ndërmarrje e madhe dhe do të më pëlqente rrekja për të treguar për atë që s’iu bind dhunës dhe e sfidoi dënimin siç mundi, për atë pak letërsi, por jo të paktë, që u krijua fshehurazi në ferr, nën dhé, nga të dënuarit. Pikërisht atë që më bëhet s’e di më mirë.

Ndërkaq, duke parë dhe ndier mënjanësinë, mungesat dhe zellin e kundërt, nëpërkëmbjen, harresat deri dhe mohimin e saj, unë, si dëshmitar, do të mjaftohesha të tregoja që ka një letërsi, e cila na ka ardhur nga burgjet, është, dhe ka rëndësi edhe përtej letërsisë.

Po patjetër dhe për letërsinë. U arrit në kohën e pandemisë ideologjike të totalitarizmit.

Natyrisht, kjo ndërmarrje e nisur herët, nuk ka si të mbarojë me këtë punim, por duke përmbledhur dhe zgjeruar ndihmesën time, dua të sensibilizoj e të nxit. Të rikujtoj.

Më nëpërmenden ata shkencëtarë, studiues antropologë e zoologë, që me një copë kocke prehistorike të gjetur, gjymtyrë e kohës së dinozaurtë, ribëjnë përbindëshin dhe kohën e përbindëshave, gjejnë se si kanë ecur e zvarritur duke trandur token, si kanë klithur e janë ushqyer. Me bar? Por edhe me njerëz, Brenda mbetjeve të eshtave të tyre kanë dalluar eshtra njeriu. Dhe kështu mund të kuptohen epokat dhe betejat për jetën.

Dridhem kur kujtoj kocka të thyera njeriu, jo metaforike, të gjetura andej-këndej, në gropat e malit të Dajtit mbi kryeqytet a në fushëtirën e burgut të Ballshit, të burgjeve të tjera, në tokat ku dikur ishin këmetat, në pjerrinat e frikshme të Spaçit, në oborrin e burgut të Burrelit, në udhën ku u bë masakra e Tivarit, në gropat e varrezave masive të fuftës më të fundit në Kosovë, shumë ndryshe nga gropat mesjetare të murtajave.

Po që ka dhe kocka të mbetura të një poeme, të një romani. A mund të ngrihet me to një letërsi?

 

 

 

POR RA NJË EPIDEMI TJETËR

– A nuk vepruan siç duhej? –

 

 

Shqiptarët, që ende kishin nëpër shtëpitë e tyre ushtarët italianë, që me të kapitulluar fashizmi, mbetën rrugëve, të uritur, dhe kërcënoheshin nga zëmërimi nazist, se gjermanët i vrisnin po t’i kapnin, pra gjetën strehë dhe bukë te familjet shqiptare dhe, edhe pse kishin ardhur si pushtues, i përcollën si vëllezër, këta shqiptarë që mbrojtën dhe hebrenjtë gjatë Luftës, nuk i dorëzuan te bisha nazi-fashistët, dhe ashtu siç vinn nga mundnin, i futën nëpër shtëpitë e tyre, u dhanë emra si të tyret, këta shqiptarë, pra, që i zgjasnin dorën e ndihmës tjetrit, duke i besuar si vetes, që dhe armiqtë i kthenin në vëllezër siç porosit dhe Bibla, që edhe pse kishin përqafuar disa fe, duke qenë vendi i parë i krishterë në Ballkan, ortodoksë e katolikë, por me shumicë të konvertuar në myslimanë, në bektashinj, por që mbeteshin njerëzit e vendit më emblematik në botë, të haromisë fetare, këta shqiptarë kështu, tani po urrenin njëri-tjetrin, të ndarë nga një luftë klasash, po vriteshin mes tyre.

Ç’epidemi kishte rënë?

..

Dijetari Hafiz Ali Korça që vitin 1925, në librin “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzit” u kishte thënë shqiptarëve:

 

Bolshevizma s’pajton kurrë
Me dinin e Muhamedit
Çelët do ta kenë luftën
në ditën e Kijametit.

 

Me të mbaruar Lufta e Dytë Botërore, sa të merrnin pushtetin fitimtarët, do ta arrestonin menjëherë, me të parët…       Pushaktime. Edhe nga bektashinjtë.

 

Metropolit i kishës autoqefale ortodokse, Visarion Xhuvani, bashkëpunëtor i Fan Nolit, senator, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës, etj, përkthyes i “Mesharit” dhe i librave të tjerë fetarë, do të arrestohej që në 1947 dhe do të dënohej me 20 vjet burg. Do të dilte nga Burrel në moshën 76 vjeçare për t’u prehur në varrezat e fshatit.

Edhe pasardhësi i tij, Kristodor Kisi, i cili kishte dashur gjatë luftës, nën pushtimin italian, që Kisha Ortodokse shqiptare të bashkohej dhe të njihte Vatikanin ashtu si arbëreshët, u helmua në vitin 1948 dhe vendin e tij e zuri kryepeshkop Paisi, mbështetës i komunistëve, babai i Josif Pashkos, partizan, zv/prokuror dhe ministër i shtetit, gjyshi i Gramoz Pashkos, një nga liderët kryesorë të lëvizjes opozitare, themelues në Partinë Demokratike.

 

Kështjella e katolicizmit shqiptar do të goditej më rëndë dhe më ashpër dhe do të ishte ajo që do të bënte qendresë më të madhe ndaj barbarisë.                                                                 Fitimtarët me ta e nisën, kështu i nxiti djalli. Lufta mbaroi, por jo vrasjet. Dhe të parët që do të pushkatonin, ishin dhe poetë.

Burgjet do të mbusheshin plot.

 

 

NJË KARTELË NGA MESI:

Vehbi Skënderi

dhe bija e tij e poezisë…

 

 …s’po dukej më në faqet e gazetave, as në vitrinat e librarive emri i poetit Vehbi Skenderi. E kanë ndaluar… Ku i kishin çuar, në ç’internim?

Ishte poeti që më jepte kurajo, kur trokisja redaksive për botim e më prapsin.

 

…bir i një familjeje të një kleriku të njohur nga Korça, nga fshati Strelcë, ku dhe lindi në maj të vitin 1927 dhe aty kreu dhe shkollën fillore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore e rrëmbeu me forcë ushtria greke dhe e dërgoi në front, të punonte për rrugët.

Ikën në Tiranë dhe studion në “Medresenë e Lartë” nga vitet 1941-1943, por i ndërpret dhe del malit partizan, të luftojë me armë në dorë pushtuesin. Plagoset dy herë. Dhe shkruante. Boton  së pari në gazetën “Bashkimi” historinë tronditëse të një çami.

Mbas luftës i kthehet gazetarisë, punon në revistën “Miqësia” e më pas në “Hosteni” dhe kalon në “Ylli” dhe me propozim të poetit Lasgush Poradeci, në vitin 1950 pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në vitin 1953 nxjerr librin  “Këngët e para”. Më pas “Vjersha”.

Përfundon studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1961, diplomohet për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe boton librat “Fletë nga ditari im” (1964), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), vjersha, poema, antologji, etj. Ndërkaq është bërë redaktor i poezisë në shtëpinë e vetme botuese “Naim Frashëri”, kur ka filluar përplasjet ideore me regjimin, madje dhe hapur, kur me një grup intelektualësh të njohur si profesor Selman Riza, kolonel Dilaver Radëshi, historiani Zija Shkodra, etj. përgatisin një “Brigadë shtypi”, por partia do e cilësonte si veprimtari armiqësore, nacionaliste, ngrinin çështjen e Kosovës, duke e parë atë si pjesë të robëruar të atdheut dhe kështu nisin kundër tyre senanca gjyqesh absurde dhe të ankthshme. Dënohet grupi dhe me burgje.

Poeti Vehbi Skënderi shpallet “i ndaluar”, hiqet nga Partia dhe e dëbojnë nga Tirana, e dërgojnë larg të punojë si punëtor krahu në digat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Kalojnë 5 vjet dhe “puna korrektuese” vazhdon, në kantiere të tjera.

Viti 1973 do të jetë fatal për letrat shqipe. Pleniumi IV i Partisë dënoi liberalizmin në art, “ndikimet e huaja revizioniste dhe borgjeze”, atë pakëz pranverë shqiptarë, që u tha shpejt. U dënuan autorë dhe vepra dhe u ridënuan të dënuar. Vehbi Skënderin e internojnë, e dërgojnë familjarisht në një fshat pas Malit të Dajtit. Do të donte të vriste veten, por kishte gruan dhe vajzën e tij të vetme, që po ndjehet jetime me babanë gjallë, se kishin filluar ta shihnin shtrembër e me dyshime dhe atë, si me “biografi të keqe”.

Pas 10 vjetësh përndjekje Vehbi Skënderi mundi të kthehet në Tiranë, i plakur befas duke punuar në Kombinatin Poligrafik fillimisht si hamall..

Vajza, Elida Skënderi, do të ishte një nxënëse e shkëlqyer, e donte poezinë dhe po shkruante si i ati. Por ajo s’mund të botonte si ata të rinj e të reja “me biografi të keqe”, që madje ndodhte të shaheshin dhe rrugëve nga militantët e gjimnazeve, të edukuar me frymën e re të luftës së klasave.

Mbaron shkollën e mesme dhe bën gati librin e saj të parë me poezi “Vij”. Jo libri që s’mund të botohej, por nuk e lejuan as të vazhdojë universitetin, por e derguan të punojë punëtore në fabrikën e pllakave dhe në Varrezën e Sharrës. Megjithatë shkruante prapë dhe mësonte gjuhë të huaja në kujdesin e babait dhe të gjuhëtarit, përkthyesit të shkëlqyer, mistikut Petro Zheji.

Mbas vdekjes së dikatorit Enver Hoxha në vitin 1985, Elidës i jepet e drejta të japë provime në shkollën e lartë, pa u shkëpur nga puna, në fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, pasi kishte dhënë me shkrim një dëshmi se “kishte talent” kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli.

Elida kryen universitetin brenda tre vjetëve. Babai i saj, poeti i ndaluar Vehbi Skënderi, merr disa poezi, jo të vetat, por të së bijës tani dhe shkon në gazetën “Drita”, kërkon që të botohen. Aty ishte redaktor poeti, tashmë i njohur, Skënder Buçpapaj. Vinte nga bjeshkët e Tropojës, i gjatë dhe i heshtur si ato, se ç’kishte dhe ai në biografi, thoshin, por në “vitet e liberalizmit” e lejuan të studiojë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku dhe e njoha, unë sapo e mbarova dhe më dërguan mësues fshatrave të Kukësit e ai sapo e filloi.  Prapë me një letër nga Kryetari Dritëro Agolli, Skënder Buçpapaj çohet të kryejë studimet në kryeqytet, në Tiranë, kur kishte botuar ndërkaq librin e parë me poezi, “Zogu i bjeshkës”, 1973, i pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika.

Poeti Skenderi Buçpapaj do të botonte ciklin e parë me poezi të Elidës, madje dhe përkthime të saj, poezi nga Carl Sundberg etj. dhe do të bëhej bashkëshorti i saj.

 

Duhej të binte komunizmi, që poetja Elida Buçpapaj të botonte librin e parë me poezi në vitin 1994, ndërkohë do të jetë dhe reporterja e parë si gazetare e “Zërit të Amerikës”.

Pasi emërohet drejtor i Radio-televizionit shqiptar, Skënder Buçpapaj dërgohet si diplomat në Zvicër dhe aty mbeten familjarisht përgjithmonë.

Poeti Vehbi Skënderi rinohet me poezinë e tij, nxjerr përmbledhjet “Hënë e vjedhur” në vitin 2000 dhe “Zvicra, Shqipëria ime” në 2004 “Mirëmëngjes, Shqipëri” në 2009.

Në qershor të 2011 mbyll sytë përgjithmon:në Zvicrën e bukur.

E bija e tij, poetja Elida, do të vazhdonte me poezinë, nxjerr 5 libra, 2 me publicistikë, ndërsa poeti Skënder Buçpapaj do të nxirrte vëllimin poetik “Frikë nga atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen”, së fundmi librin me poezi “Imgur”

Ata prej vitesh drejtojnë në Zvicër revistën kulturore elektronike “Voal.ch”…

 

*   *   *

 

Dhe do të ringjalleshin emra…

Ja, vepra e madhe e të ngujuarit At Justin Rrota, shkrimtar dhe gramatolog, punimet e të cilit i merrnin profesorë të njohur të realizmit socialist, bashkëpunëtorë shkencorë, por më shumë me regjimin, dhe i botonin me emrat e tyre. “Randsi ka qi dalin, s’ka randësi emni”, thoshte At’ Justini, – kështu na tregonin, kur ishim studentë në Shkodër. .

Tregime dhe novela dhe përkthime të At Justin Rrotës janë përmbledhur në dy vëllime, “Rreth votrës” dhe “Votra kristiane”. Në “Kujtimet e një të sëmundi” janë 38 vjetët e tij, i paralizuar, si i mbërthyer në një kryq, (ndoshta prandaj dhe nuk ishte e nevojshme ta burgosnin, kostonte mbartja e tij).

Dhëmbja shtohej dhe me dhëmbjet e të tjerëve. E rëndonte apo e lehtësonte kryqin kjo gje?

 

*   *   *

 

Edhe profesor Kolec Topalli, duke kujtuar jetën në internime, shkruan për “internimet” e  gjuhës si një shkencëtar i vërtetë.. Në internim do t’i shkruante poezitë e saj Shane Mudaj,  edhe Vitore Leka Stefa bashkë me të bijën, duke i lidhur dhëmbjet me nostalgjinë e mëpastaj,e të mërgimit.

I ardhur nga katedra e ferrit” do të jetë titulli i romanit të të dënuarit Bajram Z. Berisha, botuar nga i biri i tij, diplomati Mal Berisha, që ndjek atë traditë prekëse “të ferrit prapë”.
Vera Bekteshi, nga “Blloku” komunist do të dërgohej internimeve, por dhe ajo do të sillte romanin e saj, ku ndërthuren  dy jetët paralele.

Në internim do të çonin dhe gazetaren Kozeta Mamaqi, aty do të niste të shkruante dhe poezitë e veta Sokol Olldashi, i biri, që do të njihej në posdiktaturë si ministër i qeverisë demokratike e do të përfundonte me një tragjedi..

 

ALBANALOGU

ROBERT ELSIE

(1950 – 2017)

 

AI QË BËRI NJË HISTORI TË LETËRSISË SHQIPE

 

…ai mësoi gjuhën shqipe dhe e deshi shumë. Deshi letërsinë e saj. Erdhi dhe e pa dhe vendin ku ajo flitej, u mahnit nga peizahet dhe u bë dhe pelegrin.

U bë dhe vete “shqiptar” dhe pjesë e vyer e kulturës shqiptare.

Është i pari që bëri një hisori të letërsisë shqipe, jo vetëm mbarë kombëtare, por futi brenda atë kishte munguar, letërsinë e dënuar  

     

Robert Elsie, mbase albanalogu më i madh, të paktën me kontributet më të mëdha në gjysmën e dytë të shekullit XX, me një korpus të larmishëm veprash, antroplog e poliglot, njohës i Ballkanit, autor në anglisht i enciklopedive, fjalorëve dhe monografive për Shqipërinë, Kosovën dhe Çamërinë, i alfabeteve të shqipes, qëmtues i dy dialekteve dhe të folmeve gjithkund, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Greqi, Mal të Zi, Maqedoni, Kroaci, Bullgari, matanë në Itali e deri në Turqi e Ukrainë, për religjionet dhe mitet shqiptare, hartues antologjish në poezi dhe prozë shqipe, të përkthyera nga ai vetë, mbrojtës i identitetit shqiptar, (i kërcënuar dhe me jetë nga qarqet shovene përreth).

Është marrë dhe me autor të veçantë të letërsisë shqipe, duke i përkthyer në anglisht, por dhe në gjermanisht e frengjisht e botuar në Gjermani, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, etj, duke bërë dhe kritikën e tyre, vargan punësh që kulmojnë me botimin e eposit fishtian “Lahuta e Malcis”.

 

…lindi në Vancouver në Kanada, në 1950 dhe studioi në British Columbia, u laurua për linguistikë dhe i vazhdoi studimet në disa universitete në Europë, “Free University of Berlin”, në “University of paris IV: Paris-Sorbonne”, “Dublin Insstitute for Advanced Studies”, në Bonn, etj

Në 1978 vizioi Shqipërinë me një grup studentësh dhe profesorësh të Bonit dhe ndoqi për disa vite (1982-1987) Seminaret Ndërkombëtare për Kulturën, Letërsisnë dhe Gjuhën Shqipe në Prishtinë.

Ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon dhe në Gjykatën e Hagës, në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve të ish Jugosllavisë, ku ka bërë dhe interpretin në disa çështje të rënda, përfshirë dhe Slobodan Milosheviçin.

Është i njohur rasti kur Robert Elsie, teksa përkthente dëshmitarët e masakrave në Kosovë, befas la mikrofonin dhe ia shkrepi të qarit.

Dhe shqiparët e qanë vdekjen e parakohshme “të birirt të tyre shpirtëror”, që u shua në tetor të 2017 dhe sipas miqve të tij, ai kishte kërkuar të varrosej në Alpet e Shqipërisë.

Dhe ashtu u bë. Para kishës në Theth varri i tij mbushet me lule bjeshkësh në verë dhe me borën dimërore.. .

 

Nga fundi i shekullit të kaluar, po në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dr. Robert Elsie botoi në vitin 1995History of Albanian Literature, që u përkthye në shqip “Historia e Letërsisë Shqiptare” dhe u botua në vitin 1997, kur vendi ishte përfshirë nga kaosi, dukej sikur po kërkohej shpagim për demokracinë e porsa nisur, po binte shteti dhe njerëzit e rebeluar nga humbjet e parave në firmat piramidale, kishin sulmuar depot e armëve të ushtrisë, po çarmatosej Shqipëria dhe po armatoseshin shqiptarët.

Letërsia ndjehej më e tepërt se kurrë, e huaj.

 

Të mahnit puna e gjerë e Dr. Elsie-së, imtësitë, historia e shqiptarëve nga Ilira te Bizanti dhe lindja e letërsisë shqipe, fillimet e shkrimit shqip, shekujt XVI-XVII, “Letërsia myslimane” dhe “Tradita ortodokse” dhe “gjurmët e fundit të shkrimeve katolike”, në shekujt XVIII – XIX, “Letërsia arbëreshe”, “arti bektashian, Rilindja, diaspora, shekulli XX, “Letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës dhe dalja nga izolimi”, “realizmi socilist” dhe shkrimtarë që u burgosën duke mos e zbatuar atë.

 

Robert Elsie është i pari që i nxjerr dhe i bën bashkë dhe shkrimtarët e dënuar, madje “Historia e Letërsisë Shqiptare” e tij është e vetmja histori e pas viteve ’90.

Ai do ta rimerrte ndër duar sërish, më të sintetizuar do ta botonte dhe në shekullin e ri, në vitin 2006. Del  dhe në shqip me titullin “Letërsia shqipe: një histori e shkurtër”.

       Letërsia shqipe është një letërsi europiane, – e fillon parathënien e tij Robert Elsie, – ajo është zhvilluar relativisht e veçuar nga kulturat mbizotëruese europiane… – dhe vazhdon të shpjegojë karakteristikat që ka zbuluar nga kjo letërsi, të cilat e kanë berë “kaq të mahnitëshme”.

       “Në nivel ndërkombëtar, tema e letërisë shqipe ende mbetet përgjithëisht e pa trajtuar. Kjo lënie pas dore vjen kryesisht  nga mungesa e specialistëve ndërkombëtarë me njohuri të shëndosha të gjuhës letrare shqipe dhe jo për shkak të ndonjë mungese të vetë krijimtarisë letrare”   

Tani na vjen radha ne të themi: mahnitëse!

 

 

NJË UDHËZUES LETRAR

 

Porosia ndërkaq u duk se ardhi. E thjeshtë dhe e rëndësishme. E dalë nga brenda nesh Imzot Zef Simonit botoi në Shkodër më 2006 një monografi kritike, Letërsia shqipe e pame ndryshe”, që më ngjan dhe si udhëzuese dhe si metodë..  

Rëndësia e këtij studimi është madhe, një vështrim tjetër jo vetëm për letërsinë tjetër, por për të gjithë letësinë shqipe. Një fillim që do të kërkonte zgjerime dhe përthellime të çështjeve që sintetizohen thjeshtazi aty, ku, sipas autorit, ka rëndësi të posaçme dhe formimi katolik si kulturë.

Ai bën një ekskurs letrar nëpër rrjedhat e kohës, që në fillimet “me Shën Jeronimin e me një letërsi katolike e atdhetare me shkrimtarët e dalluem të Veriut, si: Barleti, Biçikemi e në shekullin XVI Buzuku, Budi, Bardhi dhe i dhe i shquemi Imzot Bogdani me veprën “Çeta e profetënve”. Edhe një letërsi të shqueme arbëreshe.

Sipas autorit, letërisa e Rilindjes e Shekullit XIX shfaq rryma dhe koncepte të gabuara filozofike, panteizmin e Naimit, deizmin dhe iluminizmin e Samiut, të këqijat e ateizmit të Çajupit.dhe vazhdon me portrete shkrimtarësh duke na dhënë kështu një letërsi shqipe si letërsi të individëve. Ndërkaq ai hap kapituj të veçantë në këtë hulli si “Grupi i pastër në letërsinë shqiptare”, “Shkrimtarët e fjalëve të mira”, “Korrenti fetar…”, etj dhe ndalet gjatë dhe kritikueshëm te Migjeni.

Pastaj hap kreun “Realizmi Socialist”, “i shëmtuem” sipas tij, ku “do të kemi deformimin e kulturës dhe të arteve me dhunë e me gënjeshtër” e shkrimtarët e kësaj metode kanë “talent socialist” apo “të randë”, etj, etj, e Kasëm Trebeshin “disidenti i flaktë” e Martin Camaj “i një fuqie europiane”, etj.

 

Pas kreut “Një grup klerikësh mbas diktaturës”, është i pari që hap në një histori të letërsisë shqipe kreun “DISIDENCA”,

 

Mes të tjerash ai trajton dhe “shkrimtarët me të cilët kalova jetën e burgut të Spaçit, si: Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Luan Myftiu, Frederik Reshpja, Visar Zhiti, Maks Velo

Monografia mbyllet me kreun “I përosun i botës dhe i gjithçkafes asht Zoti”

Ajo që unë e konsideroj me rëndësi dhe risi në studimin e letërsisë së tanishme shqipe, është definicioni “Letërsi e Grupit të Spaçit”. Kjo sjell një thyerje dhe një hop në kritikë. Dalim nga letërsia e individëve dhe kalojmë në grupin e indivitëve në letërsi. Letërsia e burgut bëhet imponuese. Edhe pse tërthorazi duket sikur gjendemi ende  përballë një mosaprovimi të rafinuar e jo gjithmonë të tillë, Letërsia e dënuar është vetë shkollë tashmë.

blank

EJA TË TË ÇUÇURIT DIÇKA NË VESH – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 maj 1927 – 13 qershor 2011)

Eja me mua të të them diçka.
Të të çuçurit në vesh. Ndoshta të dua.
Eja, të paktën, ta gdhijmë tok në park
në këtë ledh të butë, si dy bohemë.
Ndoshta dhe ti më do?

Dëgjo! Fundja ç’të keqe ka
sikur të zhytemi në gjol,
sikur të flemë pak në këtë stol, mes blirëve,
sikur ta presim zgjuar, bashkë, agimin
që kavavjerret si fëmijë nëpër pemë.

Eja të shtrihemi pak mbi bar të flemë.

 

blank

POEMË KUSHTUAR BARDHYL AJETIT – KUR VJEN QERSHORI VRITET BARDHYL AJETI – NGA ELIDA BUÇPAPAJ

 

 

Më 3 qershor të vitit 2005, ndërsa kthehej rrugës për në shtëpi, i bënë atentat gazetarit të Bota Sot BARDHYL AJETI. I plagosur rëndë, Bardhyl Ajeti vdiq në Milano të Italisë më 25 qershor 2005. Vrasësit dhe ideatorët e krimit vazhdojnë ta sfidojnë lirinë e shprehjes dhe fjalës në Kosovë. Edhe kjo vrasje politike sikur të tjerat ende nuk është zbardhur. Politikanët premtojnë sa herë që ka zgjedhje, por harrojnë fill, sa fitojnë kolltukun duke mashtruar popullin.

 

Kur vjen qershori
ikin mëritë,
groposen
dyshimet,
varrosen
pezmet

kur vjen qershori
gjumi bëhet zgjim
zgjimi
ngjizje dashurie
që merr me fluturim
fushat e mbjella
dhe bëhet grurë
për bukën e bardhë
që mbush tavolinat
e shtëpive
për të ngopur
barkun e atyre fëmijëve
që Helàs,
nuk i lanë
të lindin kurrë

kur vjen qershori
zemrat puqen
si sqepat
e dallandysheve
që ndërtojnë folenë
në strehën e shtëpisë
ku të pret
nëna
kur ikim dhe kthehemi
sa herë herë që vjen Qershori…

kur Qershori vjen
mendimet e zeza
marrin arratinë
duke i ikur msheftas
rrugës plot
metafora
që të afrojnë
pragun e derës të shtëpisë
ku si Shën Mari
qëndron përjetësisht
Nëna

kur vjen qershori
fëmijët shumohen si
fijet e barit që ndrisin
prej xixëllojve
të syve të njeriut
gjatë një përqafimi dehje
me trupin e jetës
në çastin më të bukur
që nuk guxon ta prekë askush
qoftë ky edhe vetë djalli

kur vjen qershori –
askush nuk beson se vjen vdekja
me shkëmbinj shiu –
sepse në qershor shiu është
lot gëzimit i agut të manushaqtë
që i bën menjëherë nuset nëna
dhe reinkarnon jetën

askush nuk dyshon
se mund të vdesë në qershor
sepse në qershor
dyshimet zhduken
si jehonat e zërit
që përplasen
si krah zogjsh nëpër
foletë e fshehura degëve
të rilindura të pyllit…
tutje larg nëpër shpatullta e malit…

aq më pak Bardhy Ajeti
nuk besonte kurrë
se mund të vdiste në qershor
se mund t’i vinte vdekja
në qershor
me sytë e zgavërta të djallit
në sfurkun e vetmisë
sepse ishte besimtar i lirisë
dhe liria nuk të lë kurrë vetëm,
se liria të shpëton,
futet në zjarr për ty vetëm
të të heqë
prej thonjve të vdekjes…

gjithçka mund të bënte në qershor Bardhyl Ajeti
vetëm gjëra që e lidhnin
pazgjidhshmëerisht me jetën
por të vdiste jo,
vetëm për të vdekur
nuk i shkonte mendja kurrë
Bardhyl Ajetit
aq më tepër kur qershori
për shqiptarët e shumëzon si fëmijët
dëshirën
për ta jetuar jetën

Bardhyl Ajeti mendonte
se nuk ishte koha e tij për të vdekur
kur posa kishte jetuar dehjen e 27 qershorëve
dhe ishte në hyrje
në qershorin e 28  të jetës së tij
që mbeti i vrarë –
pa stinën e verës,
vjeshtën dhe dimrin,
që mbeti i varë
në mes të rrugës,
kur metaforat e shpresës
si gurë kilometrikë
ia largonin vetminë
që e la të vritet në mes të rrugës
që e çonte tek shtëpia
kur e pret nëna
edhe sot e kësaj dite
e mbuluar
nga velloja e pikëllimit
kur dëgjon krakitjen
e cfurkut të djallit
që edhe sot e kësaj dite
në mënyrë të llahtarëshme
hedh vallen
mbi njollat e gjakut të Bardhylit
që nuk i lan dot shiu i fajit…

kur vjen Qershori…
ajme
vritet Bardhyl Ajeti

2006

blank

Oportunizmi – Poezi nga NICCOLO MACHIAVELLI – Shqipëroi ASTRIT LULUSHI

“Kush je ti që dukesh më pak i ëmbël
Ndërsa qiejt zbukurohen me luks
Me pajën tënde?
Pse pra, i shqetësuar?
Pse këto krahë mbi këmbët e tua? ”
“Nuk më njeh? Jam, Oportunizmi
Arsyeja që kurrë nuk rri në një vend
Është se rrota kam nën këmbët e mia;
“Më thuaj, kush është ai që të shoqëron? ”
“Quhet Pendimi, i cili më mbron mua!”

blank

ra terri poezi nga Elida Buçpapaj

ra terri
pa tinguj
me parashutën
e flladit,
se pa askush si
nga lartë poshtë
apo si shatërvan
nga nëndheu
shpërtheu

terri mbiu
si bari
me aromë
shiu
ra si mbulesë
grafiti
për t’ia zbuluar
hiret
hënës
qumështore
e butë
si brumë buke
që memzi pret
ta prekin
ta shtypin
me gishtin
tregues
e gjithë vrull
ta përfshijnë
mes pëllëmbëve
per ta provuar
sa mirë ka ardhur
e memzi pret
zjarrin e furrës
të territ
pa e parë askush
vetëm sytë yjorë
të trishtilëve
deri kur
në dërrasën e zezë
të natës
zbardh me shkumës
agimi

 


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend