VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gazetat në Australi dalin me ballina të zeza

By | October 21, 2019

Komentet

Presidenti i Bolivisë pranon azilin në Meksikë

Evo Morales e pranoi ofertën për azil politik në Meksikë, një ditë pasi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Bolivisë, për shkak të protestave për mashtrime zgjedhore.

Në një postim në Twitter, ai tha se është e dhimbshme të largohet nga Bolivia, porse do të kthehet me më shumë “fuqi dhe energji”.

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, konfirmoi se Morales ka udhëtuar atje me një avion të Qeverisë meksikane.

Në ndërkohë, ushtria boliviane i urdhëroi trupat që të mbështesin policinë, e cila është përleshur me mbështetësit e Morales.

Rreth 20 vetë u plagosën në përleshje.

Morales, më herët, u bëri thirrje mbështetësve të tij që t’iu rezistojnë, siç tha, “fuqive të errëta” që e kanë detyruar të japë dorëheqje.

Nënkryetarja e Senatit tha se do të marrë përsipër udhëheqjen e përkohshme të Bolivisë derisa të mbahen zgjedhjet e reja.

Morales u zgjodh për herë të parë në vitin 2006.

Ai u vlerësua lart për luftimin e varfërisë dhe përmirësimin e ekonomisë së Bolivisë, por shkaktoi polemika kur i sfidoi kufijtë kushtetues, duke kandiduar për një mandat të katërt në zgjedhjet e tetorit.

U tha se këto zgjedhje kanë qenë me shumë parregullsi.

Gjendet i vdekur bashkëthemeluesi i Helmetave të Bardha

James Le Mesurier

Një ish-oficer i ushtrisë britanike, i cili ka bashkëthemeluar grupin e shpëtimit Helmetat e Bardha, ka vdekur në Turqi.

Trupi i James Le Mesurier është gjetur pranë shtëpisë së tij në Stamboll, raporton BBC.

Shkaku i vdekjes nuk dihet, ndërsa autoritetet turke i kanë nisur hetimet.

Sipas disa mediave turke, trupi i viktimës është gjetur me çarje në këmbë.

Helmetat e Bardha – të njohura edhe si Mbrojtja Civile e Sirisë – kanë rreth 3000 anëtarë dhe janë formuar në vitin 2014, tri vjet pas shpërthimit të luftës civile në Siri.

Grupi u ndihmon civilëve që sulmohen në ato zona të Sirisë që kontrollohen nga kundërshtarët e presidentit Bashar al-Assad.

Por Qeveria siriane dhe aleatët e saj, Rusia dhe Irani, i kanë akuzuar Helmetat e Bardha për ndihmë të hapur ndaj organizatave terroriste.

Javën e kaluar, Ministria e Jashtme e Rusisë ka bërë një postim në Twitter, duke thënë se Le Mesurier ka qenë ish-agjent i Shërbimit të Inteligjencës Sekrete të Mbretërisë së Bashkuar, i njohur si MI6.

Shkencëtarët: “Humbja e akullnajave mund të shkaktojë paqëndrueshmëri politike”

Sipas një klimatologu, me burimet ujore që luajnë një rol kyç në ekosistem, humbja e akullnajave nga shkrirja e shpejtë çon drejtë paqëndrueshmërisë politike.

Julienne Stroeve, profesoreshë në Kolegjin Universitar të Londrës në Mbretërinë e Bashkuar, duke folur për Anadolu Agency (AA) thotë se burimet e ujit ndikojnë në furnizimin me ujë të pijshëm, bujqësi, turizëm dhe ekosistemet. “Ju mund të imagjinoni paqëndrueshmërinë politike me humbjen e akullnajave në rajonet kryesore në të gjithë botën”, thekson ajo.

Stroeve, eksperte për ndërveprimet e akullit atmosferë-det dhe akullin e detit Arktik, tha se akullnajat shërbejnë për të ruajtur dhe siguruar ujë për kontinentet në të gjithë botën.

“Koha e niveleve të shkrirjes dhe lumenjve ndikon fuqishëm në bujqësi dhe furnizime me ujë të pijshëm dhe shumë ekosisteme varen nga sezonaliteti i disponueshmërisë së ujit”, tha ajo.

Stroeve tha se njerëzit që jetojnë në rajonet bregdetare si dhe pranë akullnajave në male të larta do të ndjejnë ndryshimet mjedisore.

“65 milionë njerëz që jetojnë në male të larta do të ndikohen drejtpërdrejtë nga humbja në masë e akullnajave dhe 680 milionë njerëz të tjerë që jetojnë rreth zonave bregdetare me shtresa të ulëta”, tha ajo, duke cituar “Raportin Special për Oqeanet dhe Kriosferën të ndryshimeve klimatike” , lëshuar nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, një organ i klimës i OKB-së.

Ajo theksoi se shkrirja e akullnajave e cila kontribuon shumë në ngritjen e niveleve të detit është rezultat i ngrohjes globale të lidhura me gazin serë.

“Të gjitha modelet e klimës tregojnë se akullnajat do të vazhdojnë të tkurren pasi ngrohja, dhe kështu shkrirja, mbizotëron mbi çdo rënie shtesë që do të marrin akullnajat”, tha ajo.

Duke përmendur matjet e akullit të detit që ajo bëri gjatë një udhëtimi në Arktik në vitin 2012, ajo tha se, “Vera e vitit 2012 me sasinë më të vogël të akullit të detit në Oqeanin Arktik. Kushtet e akullit po ndryshojnë me shpejtësi nga akulli i trashë i vjetër, në të hollë, në një akull të ri të fragmentuar”.

Rritja e baticave

“Nëse i gjithë kontinenti Antarktik do të shkrihej, niveli i detit do të ngrihej 67 metra dhe nëse e gjithë Grenlanda do të shkrihej, niveli i detit do të ngrihet 7 metra”, tha Attila Ciner, drejtor në Institutin Euroazia për Shkencat e Tokës në Universitetin Teknik të Stambollit.

“Akullnajat shërbejnë për të regjistruar evolucionin historik, madje edhe parahistorik, të klimës së Tokës duke ngrirë mbi shtresa që ishin prekur nga ndryshimet e kaluara të klimës, duke i kthyer ato në mënyrë efektive në akull. Në këtë mënyrë, ato janë të rëndësishme për të kuptuar klimën në të kaluarën dhe parashikimin se çfarë lloj klimë na pret në të ardhmen”, tha Ciner.

“Bangladeshi, ku 200 milionë njerëz jetojnë në deltën e lumit Ganges, Holanda, New Orleans dhe madje të gjitha qytetet afër detit, përfshirë Stambollin, janë shtëpia e gjysmës së popullsisë së botës”, tha ai, duke paralajmëruar se ngritja e nivelit të detit të shkaktuar nga shkrirja e akullnajave përbën rrezik për këto zona.

Ai shtoi se shkrirja e akullnajave të tokës në vendet si Antarktida dhe Grenlanda përbëjnë një rrezik serioz për ishujt e vegjël vetëm disa metra mbi nivelin e detit.

Shkrirja e akullnajave në Turqi

Duke iu referuar raporteve në korrikun e kaluar se akullnajat 20.000 vjeçare në malin Cilo-Sat, një majë në juglindje të Turqisë, filluan të shkrihen, Ciner tha se ky ishte një karakterizim mashtrues pasi akullnajat po shkrihen për mijëra vjet.

“Duke e përshkruar situatën si ‘shkrirja ka filluar’ është e gabuar, sepse akullnajat janë shkrirë për 20.000 vjet, ku ata arritën nivelin e tyre maksimal. Kishte tre herë më shumë akullnaja 20.000 vjet më parë sesa sot”, tha ai.

Duke nënvizuar se temperaturat kishin qenë tetë deri në 10 gradë më të ulëta 20.000 vjet më parë, ai tha se rritja e temperaturës, dhe kështu shkrirja e akullnajave, u përshpejtua nga fillimi i epokës së Holocenës apo 11.000 vjet më parë kur temperaturat globale filluan të rriten, si dhe nga faktori njeri gjatë 150 viteve të fundit.

Faktorë të rëndësishme të kësaj shkrirje përfshijnë karburantet fosile dhe veçanërisht thëngjilli, tha Ciner, duke shtuar se këto përbëjnë kërcënimin më të rrezikshëm për akullnajat, pavarësisht skepticizmit të shumë politikanëve si presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

“Fatkeqësisht, Turqia është ndër vendet më të ndjeshme ndaj shkrirjes së akullnajave dhe ngrohjes globale”, tha ai, duke iu referuar akullnajës Agri në lindjen e vendit, që ka humbur 29 për qind të vëllimit të saj nga viti 1976 deri në vitin 2011, si dhe akullnajën Erciyes në Turqinë qendrore, që është tkurrur mesatarisht katër metra ndër vite përgjatë shekullit të 20-të.

Ciner theksoi nevojën për uljen e emetimeve të karbonit në të gjithë botën dhe shtimin e kërkimeve shkencore në këtë fushë. Ai shtoi se Turqia ka shfaqur shqetësim në këtë front me përpjekjet e saj kërkimore në Antarktidë.

“Ne nuk duhet të harrojmë se nëse nuk mund ta kuptojmë të tashmen dhe të kaluarën, nuk mund të parashikojmë të ardhmen”, tha ai.

“Hekurudha e Mëndafshit” bëhet realitet

Stamboll

Treni i parë i mallrave, i cili të mërkurën do të udhëtojë pa ndërprerë nga Kina në Çeki përmes Turqisë, e shndërron në realitet ëndrrën e “Hekurudhës së Mëndafshit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Rruga e vërtetë e Mëndafshit ishte një rrugë tregtare e cila ishte aktive mes shekullit të dytë para erës së re dhe shekullit të 18-të nga Kina në Evropë përmes Anadollit dhe Mesdheut.

Në kuadër të iniciativës “Një rrip një rrugë” (One Belt One Road), e cila ka për qëllim që të lidhë Azinë, Afrikën dhe Evropën përmes linjave rrugore dhe detare, një tren mallrash përmes tunelit nëndetar të Stambollit, Marmaray, në mënyrë të pandërprerë do të udhëtojnë në kryeqytetin e Çekisë, Pragë, duke u nisur nga Xian, kryeqytetin e provincës Shaanxi në Kinën qendrore.

Treni, i cili do të udhëtojë në një linjë hekurudhore të gjatë 11.500 kilometra, do të transportojë mallra elektronike me 42 kontejnerë, tha Fatih Erdoğan, kreu i kompanisë logjistike Pasifik Eurasia, kompani e cila e ndërmori seksionin hekurudhor të Turqisë.

“Si rezultat i një bashkëpunimi të rëndësishëm me Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe republikat turke, ne do të realizojmë transportin e parë nëpër korridorin Kinë-Evropë”, theksoi ai në një konferencë për media në Stamboll.

Vëllimi i shkëmbimit tregtar mes Kinës dhe Evropës është rreth 21 trilion dollarë, ndërsa vetëm 3% e këtij shkëmbimi tregtar realizohet përmes transportit hekurudhor, theksoi ai.

Erdoğan gjithashtu tha se transporti i parë që do të realizohet të mërkurën është shumë i rëndësishëm pasi do të shënojë fillimin e tregtisë përmes këtij korridori, duke shtuar se Turqia ka një rëndësi gjeopolitike dhe shumë mundësi në transportin hekurudhor.

Linja hekurudhore do të zvogëlojë kohën e transportit mes Kinës dhe Turqisë nga një muaj në 12 ditë, ndërsa e gjithë rruga nga Xian në Pragë do të zgjasë 18 ditë.

Treni të mërkurën do të mirëpritet në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.

Mbi 11 mijë shkencëtarë paralajmërojnë për “emergjencë klimatike” globale

Washington

Një grup ndërkombëtar i përbërë nga mbi 11 mijë shkencëtarë, përmes një letre të botuar ka paralajmëruar për një “emergjencë klimatike” që mund të çojë në “vuajtje të pallogaritura” nëse nuk merren veprime më serioze për të luftuar ndryshimet klimatike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në letrën e tyre, pesë shkencëtarë dhe mijëra bashkë-nënshkrues theksuan se jo vetëm që ka filluar kriza klimatike, por ajo “po përshpejtohet shumë më shpejtë nga ajo që pritnin shkencëtarët”.

“Është shumë më e rëndë nga ajo që parashikohet, duke kërcënuar ekosistemet natyrore dhe fatin e njerëzimit”, shkruan shkencëtarët William Ripple, Christopher Wolf, Thomas Newsome, Phoebe Barnard dhe William Moomaw në letrën e botuar në revistën shkencore BioScience.

Sipas tyre, në veçanti shqetësuese janë “pikat klimatike të pakthyeshme” dhe “reagimet përforcuese të natyrës” të tilla si ato atmosferike, detare dhe tokësore, të cilat siç theksojnë, mund të çojnë në një “Tokë të nxehtë përtej kontrollit të njerëzve”.

Letra po ashtu thekson gjashtë fusha kyçe shqetësuese, duke filluar nga energjia te ushqimi dhe popullata, duke shtuar se pavarësisht dekadave të bisedimeve klimatike “në përgjithësi si zakonishtkemi zhvilluar biznes dhe kryesisht kemi dështuar në adresimin e kësaj gjendjeje”.

Autorët deklaruan se së fundmi janë “inkurajuar” nga rritja e shqetësimeve lidhur me ndryshimet klimatike, mes zhvillimeve të shumta duke përmendur veprimet qeveritare dhe protestat studentore.

Mirëpo, sipas letrës, perspektivat do të jenë më të mëdha nëse vendimmarrësit dhe mbarë njerëzimi “menjëherë i përgjigjen këtij paralajmërimi dhe deklarimi të emergjencës klimatike”.

Botimi i letrës vjen disa ditë pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, filloi procesin për të larguar Washingtonin nga marrëveshja historike klimatike e Parisit, e cila kërkon të luftohen ndryshimet klimatike me reduktimet e ndërsjellta të emetimeve të klimës.

Trump në vazhdimësi ka kritikuar paktin, si dhe mori veprime për tërheqje në ditën e parë të mundshme në bazë të rregullave komplekse që e rregullojnë zbatimin e paktit.

OKB: 4.1 miliardë njerëz në botë, të lidhur në internet

Ilustrim

Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara thotë se 4.1 miliardë njerëz në botë janë të lidhur në internet.

Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) – agjenci e OKB-së – tha në raportin e publikuar të martën se shifra paraqet 5.3 për qind rritje nga viti 2018.

Përqindja më e lartë e përdoruesve të internetit është në Evropë, me 82.5 për qind, ndërsa më e ulta në Afrikë, me 28.2 për qind, thuhet në raport.

Sipas të njëjtit, 3.6 miliardë njerëz mbeten jashtë internetit dhe shumica e tyre jetojnë në vende më pak të zhvilluara, ku “një mesatare prej 2 nga 10 njerëz është online”.

Raporti thotë se shkalla e grave që përdorin internetin në të gjithë botën është 48 për qind, krahasuar me 58 për qind të burrave.

“Derisa hendeku digjital gjinor është duke u zvogëluar në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura dhe Evropë, ai po rritet në Afrikë, shtetet arabe dhe rajonin e Azi-Paqësorit”, thuhet në raport.

Doreen Bogdan-Martin, drejtore e Byrosë së ITU-së për Zhvillimin e Telekomunikacionit, tha se qeveritë duhet të përqendrohen në hapa “drejt zhvillimit të aftësive digjitale, veçanërisht në botën në zhvillim”.

“Edhe aty ku ekziston lidhja në internet, ne duhet të jemi më kreativë në adresimin e çështjeve kritike, si: përballimi i shërbimeve, kostoja e aparateve, mungesa e aftësive digjitale dhe analfabetizmi, për të aftësuar më shumë njerëz, e veçanërisht gra”, shtoi ajo. rel

I akuzuari për spiunim në Bullgari dekorohet nga Putini

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Nikolai Malinov.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka dekoruar me Urdhërin e Miqësisë, Nikolai Malinov i cili është akuzuar për spiunazh nga autoritetet bullgare.

Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt në Moskë më 4 nëntor, disa ditë pasi një Gjykatë bullgare i lejoi Nikolai Malinovit të dilte nga vendi për një periudhë pesë ditore.

Malinov, një ish-anëtar i parlamentit nga Partia Socialiste Bullgare (BSP), që drejton një organizatë jo-qeveritare pro-ruse, u akuzua në shtator për spiunim dhe pastrim parash për dy organizata ruse.

Prokurorët bullgarë thonë se ai po punonte me ato organizata në një përpjekje për të ndikuar në politikat e jashtme të Sofjes.

Prokurorët thanë se ata kishin gjetur një dokument, në gjuhën ruse, të përgatitur nga Malinov që fliste për “ri-orientimin e nevojshëm gjeopolitik të Bullgarisë”.

“Dokumenti përshkruan hapat që duhen ndërmarrë për të rregulluar plotësisht orientimin gjeopolitik të Bullgarisë larg Perëndimit, drejt Rusisë”, tha Geshev.

Gjykata bullgare e liroi me kusht Malinovin në shtator, por atij iu ndalua të linte Bullgarinë.

Bullgaria, vendi më besnik i Moskës në periudhën sovjetike, tani është anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por ka lidhje të ngushta kulturore dhe historike me Rusinë, e cila mbetet furnizuesi i saj më i madh i energjisë. rel

Johnson refuzon propozimin e Trumpit për aleancë zgjedhore me Farage

Londër

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka refuzuar propozimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për të formuar aleancë zgjedhore me ekstremistin e krahut të djathtë Nigel Farage, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për BBC-në, lidhur me propozimin e Trumpit, Johnson tha se “Gjithmonë jam mirënjohës për propozimet pavarësisht se nga vijnë ato” ndërkohë që ka vënë në dukje vështirësitë për të bërë aleancë.

Johnson ka rikujtuar se pas deklaratave të Trumpit është bërë edhe propozim për aleancë nga lideri i Partisë Brexit, Nigel Farage. “Kjo është e barabartë me votimin për një parti tjetër përveç qeverisë time të Partisë Konservatore, ose më thjesht të sjellësh në pushtet Jeremy Corbyn (liderin e Partisë Laburiste). Dua të jem shumë i qartë në këtë çështje”, tha Johnson.

Kryeministri britanik gjithashtu tha se në bisedimet për marrëveshjen tregtare që do të zhvillohen me SHBA-në pas Brexit-it, nuk do të jetë në tryezë sistemi shëndetësor i Britanisë.

Trump në një deklaratë në një program në radion LCB të prezantuar nga Farage, i propozoi politikanit të ekstremit të djathtë që të punojnë së bashku me Johnson-in. “E di që do të arrini në një pikë për të bërë gjëra të mrekullueshme. Nëse bashkoheni kjo do të jetë një fuqi e pandalshme”, ka thënë Trump.

Farage, dje i bëri propozim për aleancë kryeministrit Johnson me kusht që të heqë dorë nga marrëveshja për Brexit-in dhe i dha afat për të pranuar deri më 14 nëntor kur do të përcaktohen listat e kandidatëve.

Qeveria në Britani vendosi mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme më 12 dhjetor pasi Parlamenti nuk arriti marrëveshje për Brexit-in. Vendimi për zgjedhje të parakohshme më 12 dhjetor u mor edhe me mbështetjen e Partisë Laburiste në opozitën kryesore.

Bashkohen gjigantët e automjeteve Fiat Chrysler dhe PSA

Fiat Chrysler (FCA) dhe pronari i Peugeot, Grupi PSA sot njoftuan se do të bashkohen që do t’i bëjë këta prodhuesin e katërt më të madh në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bashkimi do të ketë 50 për qind aksionarë nga PSA dhe gjysmën tjetër nga FCA, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Kombinimi i propozuar do të krijonte prodhuesin e 4-t më të madh global të Pajisjeve Origjinale (OEM) përsa i përket shitjes së njësive (8.7 milionë automjete) me të ardhura të kombinuara prej afro 170 miliardë eurosh (200 miliardë dollarë) dhe fitimi periodik operativ prej mbi 11 miliardë eurosh (13 miliardë dollarë) duke u bazuar në një bazë të thjeshtë të rezultateve të vitit 2018”, thuhet më tej.

Ky veprim do të krijojë kursime të shpenzimeve dhe përfitime të tjera prej afro 3.7 miliardë euro (4.12 miliardë dollarë) çdo vit. Qendra e kompanisë së bashkuar amë do të jetë në Holandë.

Drejtori ekzekutiv i PSA-së, Carlos Tavares tha se: “Kjo konvergjencë sjell vlera të konsiderueshme për të gjitha palët e interesuara dhe hap një të ardhme të ndritshme për entitetin e kombinuar”.

Drejtori ekzekutiv i FCA-së, Mike Manley gjithashtu theksoi se ata mund të krijojnë një firmë globale “të klasit botëror”.

Majin e kaluar, FCA propozoi një bashkim të ngjashëm me Renault, por kompania franceze e hodhi poshtë atë.

Në vitin 2014, Fiat dhe Chrysler u bashkuan për të formuar FCA-në.

Britania shpall zgjedhjet e përgjithshme më 12 dhjetor

Pamje nga protestat në Londër, kundër procesit të Brexitit

Mbretëria e Bashkuar do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme më 12 dhjetor, pasi deputetët britanikë kanë përkrahur thirrjen e kryeministrit e shtetit, Boris Johnson për të zhvilluar këtë proces.

Deputetët e parlamentit britanik kanë miratuar legjislacionin e Johnsonit për t’iu hapur rrugën zgjedhjeve të para që do të mbahen në muajin dhjetor prej vitit 1923.

Megjithatë, ky projektligj duhet të miratohet edhe nga lordët, që më vonë do ta kthente këtë dokument në ligj deri në fund të javës.

Në rast se ndodh një gjë e tillë, fushata zgjedhore do të zgjasë për pesë javë.

Kryeministri britanik ka thënë se publiku duhet “të zgjedhë” për të ardhmen e Brexitit, apo largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, por edhe të gjithë shtetit.

Johnson ka thënë se shpreson që zgjedhjet do t’i japin atij një tjetër mandat për t’i dhënë fund krizës në Britani rreth Brexitit, çka ka ndikuar në shtyrje të finalizimit të Brexitit deri më 31 janar të vitit të ardhshëm.

Lideri i laburistëve opozitarë, Jeremy Corbyn ka thënë se “këto zgjedhje janë mundësi që ndodh një herë në gjeneratë për të transformuar shtetin tonë”.

Sipas tij, Partia Laburiste do të lansojë fushatën më ambicioze dhe radikale për ndryshim të vërtetë që ka pasur Britania ndonjëherë.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​ rel

Bashkimi Euroazian fton Shqipërinë dhe MV: Më shumë benefite se në BE

Bashkimi Ekonomik Euroazian (EEU) ka ftuar Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore që t’i bashkohen këtij grupimi.

Thirrja është bërë nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, gjatë Forumit Ekonomik Eurasian në Verona, Itali të Premten.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të gjejnë mirëkuptim më shpejt në EEU sesa në BE”, theksoi diplomati rus.

Chizhov tha: Unë jam i sigurt se vendet, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE dhe së fundmi janë “vënë në akull” nga Brukseli “mund të kenë më shumë benefite në EEU.

Ftesa e Rusisë për vendet e Ballkanit për t’u anëtarësuar në EUU vjen vetëm disa ditë pas një vendimi negativ nga Presidenti Francez Emmanuel Macron.

Ndërkohë Bjellorusia është i vetmi vend evropian që po merr pjesë në EEU.

j.l./ dita

CPJ: Gjatë një dekade në botë janë vrarë 318 gazetarë

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha të martën se mosndëshkimi për vrasjen e gazetarëve është edhe më tej, në masë të madhe, normë në më shumë se një duzinë vendesh me shkallë të lartë të krimit, me konflikte ose korrupsion.

Studimi i organizatës me titullin “Si t’ia hedhësh me vrasjen”, u publikua të martën në prag të ditës ndërkombëtare për dhënien fund të mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, që shënohet me 2 nëntor.

Raporti thekson se gjatë dekadës së fundit, 318 gazetarë janë shënjestëruar dhe vrarë për shkak të punës së tyre gjithandej botës. Rreth 243 autorë krimesh ia hodhën pa u dënuar.

“Mosndëshkimi në shkallë të gjerë, dërgon mesazhin tek ata që synojnë të vrasin gazetarët se mund t’ia hedhin”, tha se Elana Beiser, nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. “Kjo dërgon edhe një mesazh frikësues te gazetarët dhe mund t’i çojë ata drejt vetë censurës, për shkak të drojës për jetën e tyre, gjë që do të lerë publikun në errësirë”.

Trembëdhjetë vende përfshijnë më shumë se tre të katërtat e të gjitha vrasjeve të pazgjidhura të gazetarëve në nivel global. Lista kryesohet nga Somalia për të pestin vit me radhë. Vendi, i cili po lufton terroristët e grupit militant al-Shabaab, ka 25 vrasje të pazgjidhura të gazetarëve.

Siria, Iraku, Sudani Jugor dhe Filipinet rrumbullakojnë pesë vendet e para ku këto krime kalojnë të pandëshkuara.

“Në shumicën e rasteve, mungojnë hetimet e mirëfillta”, tha Beiser. “Korrupsioni, institucionet e dobëta dhe mungesa e vullnetit politik janë faktorët që çojnë në mosndëshkim”.

Komiteti përmendi pritën vdekjeprurëse për një grup prej 58 personash që përfshinin 32 gazetarë dhe punonjës të mediave në Ampatuan, Maguindanao në nëntor 2009, si arsye për përfshirjen e Filipineve në indeksin e mosndëshkimit. Masakra e motivuar politikisht çoi në numrin më të madh të vrasjes së gazetarëve në një incident të vetëm në botë.

Nga 197 personat e akuzuar për vrasjet brutale, 97 janë në burg, nëntë janë lënë të lirë dhe 80 veta janë në arrati. Procesi gjyqësor përfundoi në korrik dhe portali Rappler në Filipine citoi sekretarin e Drejtësisë të ketë thënë në muajin gusht se vendimi mund të dalë para 23 nëntorit, kur mbushen dhjetë vjet nga vrasjet.

Meksikoja që është vendi më vdekjeprurës për gazetarët gjatë këtij viti kur janë vrarë pesë gazetarë, ka shënuar rritje të shkallës së mosndëshkimit çdo vit. Ajo mban vendin e shtatë në treguesin e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Raporti ngre shqetësimet se rajonet që dikur konsideroheshin të sigurta për mediet, tash po shohin dhunë ndaj gazetarëve. Raporti përmend vrasjen e gazetares në Maltë në vitin 2017 dhe atë të gazetarit sllovak më 2018. Askush nuk është dënuar për këto raste. zëri i amerikës