Që Salvador Dali ra viktimë e epshit për sundim të gruas së tij ruse nuk është më çështje koniunkture. Jan Gibson, në një biografi që të çel sytë mbi artistin, del me fakte të reja tronditëse, që zbulojnë në më shumë hollësi si dhe përse ky surrealist kuintesencial – mjeshtri i orëve të shkrira– e la veten të shkatërrohej nga një prej bashkëshorteve më të ndyra, me të cilën e lidhi veten ndonjëherë një artist modern madhor. Mund të dëshmoj për saktësinë e rrëfimit të Gibsonit.
Në fillim të viteve 1970 isha zëvendës/president i M. Knoedler & Co., agjentët e Dalisë. Një nga përgjegjësitë e mia ishte të mbaja artistin në termat e kontratës, në kohën kur syri i tij ishte i turbullt dhe dora shumë e trandur, sa asistentët kishin marrë përsipër punën më të lodhshme. Nuk mund të mos ndieja keqardhje për këtë magjistar të vjetër të sëmurë, me bastunin e tij me brirë rinoceronti, pardesynë me lëkurë leopardi dhe mustaqet e stiluara, për të mos përmendur frymëmarrjen e tij surreale.
Magjistari i asaj që ishte (Ëizard of Oz), siç e quajti dikush njëherë, ishte i gjithi model dhe shumë pak marifet. Gruaja telendare dhe oborrtarët komplotues në krye të bizneseve e kishin mpakur Dalinë thjesht në një logo, një nënshkrim aq pompoz, sa edhe mustaqet e tij. Metodat e biznesit të Galës ishin shumë ruse: më shumë sesa bënte pazar, ajo qortonte dhe tallej. Me një paruke të zezë sterrë që mbahej nga një rreth prej miusheje Minnie, kjo gërnjare e lashtë do të çonte në shtëpi kërkesat lajkatare për para, me goditje bërrylash të lashtë dhe grushte nyejsh laramane.
Pas një darke të frikshme në Maxim, ku më la gjithë vurrata, refuzova të merrem më me të. “Dali, kam nevojë për më shumë para”. Goditje! “Atëherë, Dali ishte më mirë të niste sërish të pikturonte”. “Dali pikturonte çdo ditë. Ti i jepje më shumë para, ai jepte më shumë piktura”. “Gjithë paratë që morëm vitin e kaluar ishin copa letrash të njollosura me bojë nga një oktapod i papërmbajtur. Oh! Gala, ajo ishte veshka ime!”
Për të ngritur një nga shfaqjet bienale të Dalisë, isha i detyruar të përgjërohesha, huazoja dhe improvizoja; të mbuloja gra të zhveshura me bojë dhe t’i mbështillja me copa letrash, t’i gjallëroja gjërat e vjetra pa vlerë me vula daliniane – një koloni milingonash apo një sardele të prishur – duke i shndërruar kështu në artefakte që nuk ishin më pak të pavlera, por shumë më shumë të çmueshme. Për çudi, gjërat u shitën.
Gala lindi më 1894–n, në Kazan, si Helena Diakanoff Devulina. I ati ishte nëpunës civil, e ëma anëtare e inteligjencës moskovite, e cila shkruante tregime për fëmijë. Sipas Dalisë, Gala ishte pjesërisht hebraike; sipas së bijës nuk ishte. Si fëmijë, Gala ishte e brishtë dhe shpesh përfundonte në sanatoriume.
Në një prej këtyre shtrimeve, kjo vajzë maniake pas pastërtisë e në të njëjtën kohë viktimë e fantazive prej “kurve” (fjalë e saj) – ra në dashuri me poetin e ri frëng Pol Elyar, që do të fitonte famë si një prej themeluesve të surrealizmit. Shpërthimi i luftës i ndau, por më 1916-n Gala u kthye nga Moska në Paris për t’iu bashkuar dashnorit poet. Gala dhe Elyari u martuan një vit më vonë.
Shpejt, sipas Gibsonit, “oreksi i saj për seks… ishte aq shkatërrues, sa kaloi në nimfomani”. Ajo nuk lejoi që lindja e së bijës, Sesilës, më 1918–n, t’i bëhej pengesë për stilin. Përtej një përpjekjeje të pasuksesshme në moshë të thyer për ta hequr nga trashëgimia Sesilën, Gala i kushtoi asaj pak ose aspak kujdes. Elyari krenohej për nivelin seksual, por nuk ia doli ta kënaqte Galën, kështu ajo nisi të vërë mënjanë dashnorë. Ata duhet të ishin jashtëzakonisht të rinj, të pashëm dhe epshorë.
Duke qenë se Gala ishte e bekuar me pamje mbresëlënëse sllave, një trup të vogël që të ndjell oreks, një libido prej ngjale elektrike, nuk kishte vështirësi për t’i gjetur. Një nga dashnorët e saj të parë ishte dadaisti karizmatik gjerman Maks Wrnst, i cili sapo qe shpërngulur nga Kolonja në Paris. Me këmbënguljen e Galës, Elyari e la këtë gjeni të ri të zjarrtë të ndante shtratin e tyre.
Dy burra dolën se ishin shumë më mirë se një… Pak nga surrealistët e tjerë mund ta duronin Galën. Sado që i adhuronin veprat e Markezit dë Sad, ata u ndjenë të kërcënuar kur një përbindësh origjinal sadean u shfaq mes tyre. E argëtuar, mund të jepte një buzëqeshje ironike, e zemëruar, hungërinte si një tigër Siberie. Në gusht të vitit 1929, Elyarët dhe një grup miqsh u nisën për në Kadakue, vendlindja e Dalisë. Artisti, i cili kishte ende rrugë për ta bërë emrin e tij të njohur jashtë Spanje, kish dëgjuar për prirjet e çuditshme të Galës, por kur e pa fill me kostum banje, në plazhin e shenjtë të fëmijërisë së tij, mbeti i magjepsur.
Gala ishte dominuesja djallëzore e ëndrrave të tij. Ndërsa ajo ishte në treg për një tjetër bashkëshort të famshëm. Dhe te Dalija 25-vjeçar gjeti burrin e ëndrrave, dikush që ndante pasionin e saj për para, pushtet dhe vëmendje, por gjithashtu dikush pikturat e fundit të të cilit, me referencat e tyre nga Frojdi dhe Sad dhe me lëmimin e tyre të përsosur të ngjashëm me veprat e Vermirit, ishin të destinuar të kishin një sukses skandali. Një problem i vogël; Dalija kish qenë i dashuruar vetëm një herë më parë dhe kish qenë me një burrë: Federiko Garsia Lorkën.
Lorka kish ushtruar ndikim formues në veprat e hershme të Dalisë dhe ishte në rrugën e tij për t’u bërë poeti më i madh i Spanjës. Kur dëgjoi se ish-dashnori ishte përfshirë në një marrëdhënie me një grua, Lorka nuk e besoi… Megjithatë, Gala rezultoi e patrazuar nga prirjet homoseksuale të Dalisë. Familja katalanase, mbytëse, por ekscentrike, e Dalisë, u tmerrua nga lidhja e tij me këtë grua të ndezur nga Parisi mëkatar. Duke hamendësuar gabimisht se Gala ishte e varur nga droga, e cila e kish kthyer Dalinë në një tregtar droge, i ati ia hoqi trashëgiminë dhe motra e tij e devotshme, Ana Maria, u përfshi në një grindje me Galën, që do të zgjaste deri në vdekje.
Pranverën tjetër, Gala dhe Dalija kaluan pesë javë në Torremolinos –një fshat i virgjër peshkatarësh – dhe skandalizoi gratë vendase që ende vishnin të zeza dhe mbuloheshin, duke shëtitur rrugëve me lëkurë të përzhitur nga dielli, ngaqë kish bërë banjë dielli e zhveshur në plazh, duke u përkëdhelur haptas me Dalinë. Ajo do të ishte gjinjzbuluar dhe me funde shumë të shkurtra, sytë e saj si minj të ndezur; kurse ai kockë e lëkurë dhe me pamje jo më pak të çmendur, gjoks të zhveshur nga ku dukej një varëse me copa qelqi të gjelbër. Dalija ishte një i ardhur vonë te surrealizmi. Një brez më i hershëm piktorësh surrealistë – Maks Wrnst, Zhoan Miro, Andre Mason, Iv Twngi –e kishin shtruar rrugën për të, siç kishin bërë edhe poetët surrealistë, mbi të gjithë Andre Breton, një gjeni i çmendur që kish drejtuar lëvizjen. Surrealizmi doli se ish bërë për Dalinë, ashtu siç ai ish bërë për të: “Piktori i ëndrrave për të cilin [surrealistët] aq shumë kishin ëndërruar”, siç ka thënë fotografi Brasai. Imazhet e ndërthurura, të shkundura nga psika disfunksionale e Dalisë, përkonin me atë lloj ikonografie që Bretoni kish parafytyruar për lëvizjen e tij.
Falë Bretonit, e para shfaqje vetjake e artistit në Paris, më nëntor 1929, do të ishte një sensacion. “Un Chien Andalou” dhe “ L’Age d’Or”, dy filmat dërrmues bërë me mikun e tij të fëmijërisë Luis Bufiuel, e konfirmuan atë si ylli i fundit i madh i surrealizmit. Gala gjithashtu ndihmoi për ta bërë Dalinë; në më pak se një dekadë ajo do të luante një rol aktiv në zhbërjen e tij. Pas martesës së tyre më 1934-n, Dalija vendosi të propagandonte legjendën e Galës si muza dhe bashkëpunëtorja e tij. Ajo gjithashtu shërbeu si menaxherja e biznesit dhe publicistja e menjëherë ia doli ta kthente atë në një përbindësh të reklamës dhe megalomanisë, siç ishte ajo vetë. Në mënyrë të pashmangshme ajo doli kundër Andre Bretonit, i cili e urrente atë po aq sa edhe ajo.
Ajo luftoi me Bretonin për posedimin e shpirtit të bashkëshortit dhe pa dyshim që fitoi ajo. Fitorja e saj e dënoi Dalinë në një karrierë portretesh të përsëritura për angari të shoqërisë, pamje dritaresh nga 5th Avenue, promovime të parëndësishme – që ishte instrumentale për ta çuar jo vetëm atë, por edhe lëvizjen surrealiste në një diskreditim artistik dhe intelektuale. Me tmerrin e saj të bardhë rus të komunizmit, Gala gjithashtu ia doli të shkatërrojë ideologjinë liberale, që Dali kish ndarë me gjenitë e tjerë gjatë kohës studentore, Lorka dhe Bufjuel. vijon…
Komentet