EPITAF
Nuk jam asgjë
E nuk do të jem kurrë asgjë,
Nuk dua të jem një hiç,
Megjithatë kam brenda vetes tërë ëndërrat e botës!
LAPIDARI VOTIV
Ç’mundim i madh,
E sa i vogël njeriu!
Unë Diego Lundërtari kam ngulur
Këtë lapidar në arenën e errët
E kam lundruar drejt detit të amshuar!
Hyjnor është shpirti,
Vepra njerëzore e papërsosur!
Ky lapidar i rrëfen erës dhe qiejve të verbër
Se prej veprës së arritur
E imja është pjesa e përmbushur
Ç’ka mbetet i përket Zotit!
Dhe oqeanit si mundësi pa kufij
Lapidari në heshtje i thotë
Se deti i njohur do të jetë grek ose romak,
Portugez do të jetë deti i pafund!
Kryqi i latuar
Thotë ç’kam në shpirt
Duke përndritur
Brenda meje ethet e lundrimit,
Të gjej në qetësinë e përjetshme të Zotit
Pikërisht partin që më në fund duhet gjetur!
POEZIA
Në mendje më përgjumet poezia
Që shpreh tërë shpirtin tim
Është e vagullt e papërcaktuar si ere
E megjithatë e skalitur kaq saktë!
S’ka strofa, vargje, as fjalë
Madje s’është ashtu siç e ëndërroj
Po vetëm ndjesi e pastër pa përmasa,
Rreth mendimit një brymë lumturie!
Ditë e net në misterin tim e ndjej
E lexoj, më kot përpiqem ta rrokjezoj
Fjala e qartë rri në vehten time
Njëkohësisht pezull në plotësinë e mjegullt.
E di se nuk do të shkruhet kurrë
E di se nuk e kam idenë se ç’është Po ndihem i kënaqur
Që veç e ëndërroj !
Përherë diçka mungon
Një gotë, një fllad, një frazë
Jeta dhemb më shumë kur shijohet
E akoma më shumë kur trillohet
ULIKSI
Ç’është miti?
Asgjëja që është gjithçka!
Është i njëjti Diell që përhapet qiejve –
Mit drite i heshtur –
Trup i gjallë i Zotit,
Por edhe i vdekur dhe lakuriq!
Uliksi që përherë bujti
Njësoj si të mos qe i pranishëm
Edhe pa ekzistencë qe krejt i mjaftueshëm
Erdhi për të mos qenë i ardhur
E na krijoi!
Kështu miti ndërfutet
Në realitet, duke e pllenuar,
Pastaj gjithçka rrjedh
Në uljen e jetës
Pjesa e asgjësë vdes!
ISHUJT ME FAT
Ç’zë vjen mbi zhurmat e dallgëve
E s’është zëri i detit?
Mos është zëri i dikujt që ndal
Në çastin kur duam ta dëgjojmë?
Nëse gjysmë të përgjumur
E ndjejmë pa e ditur se e ndjejmë
Ky zë flet për shpresën
E lëvizim drejt tij si qenia në gjumë.
Janë ishuj të bekuar
Toka pa cak, ku Mbreti i tyre jeton,
Po nëse arrijmë më në fund aty
Zëri humbet e mbetet vetëm deti!
Gjithë natën s’munda të fle dot
Nga horizonti i errët dhe i ftohtë vjen mëngjesi.
Pse ekzistoj në këtë botë?
Për asgjë që nata qetëson,
Për asgjë që ngjall dita e re,
Për asgjë serioze,
Për asgjë të kotë?
Syenjtur nga ethet pa kufij të pritjes
Me frikë shoh agimin e ditës,
Që përsërit të njëjtën ditë të fundit
Të botës dhe të dhimbjes
Ditë e ngjashme si gjithë të tjerat
Në familjen e përjetshme
Të të qenit përherë kështu.
S’ka vlerë simboli i kuptimit të mëngjesit që ngadalë vjen
Ngritur nga e njëjta esencë e natës së shkuar
Për njeriun që shumë herë ka pritur diçka E tashmë asgjë nuk pret!
S’jam asgjë, s’mundem për asgjë, s’ndjek askënd,
Plot iluzione çoj qenien time pas meje
S’di të hamendësoj, s’di nëse duhet të jem,
Duke qenë asgjë, ose ajo gjë që s’do të jem.
E lë pas çdo gjë që është asgjë –
Një erë bosh të Jugut, poshtë të pafundmit qiell,
Që më bie sipër e unë befas rrëqethem
Mes gjelbërimit që s’është unë.
Të kesh të drejtë për të fituar dashuri
E të kalbesh si trungu i vdekur i iluzionit,
Të ëndërrosh, është asgjë, të mos dish është boshllëk,
O zemër e pasigurtë fli në hije!
Mes degësh të larta pemësh plot gjethe
Lëviz e ftohta zhurmë e erës
Në pyll e në tinguj humbas,
Meditoj në vetmi!
Në botë, përmbi atë që ndjej
Era bën jetën e saj, e lëshon dhe e merr prapë
Dhe asgjë s’ka kuptim, madje as shpirti
Me të cilin mendoj krejt i vetëm!
Në kujtoj kush isha i ndryshëm shihem
E kaluara është e tashmja e kujtesës
Ç’kam qenë është dikush që e dua
Por veç nëpër ëndërra.
Malli që ma plagos mendjen
S’është imi as edhe i së kaluarës së parë
Por vetëm i çastit që jetoj
Brenda syve të verbër.
Asgjë, përveç këtij çasti, s’më njeh,
Asgjë s’është kujtimi im i njëjtë.
Të ndjej se cili jam e cili kam qenë
Janë ëndërra të ndryshme !
Në botë, vetëm me vehten, lemë Zotat që të vendosin
S’bëjmë dot kundër tyre
Pranojmë pa kundërshtim ç’na japin.
Gruri përkulet nga era
Po kur era pushon, ngrihet përsëri!
Jo vetëm kush na urren ose na ka zili
Na pengon e na shtyp,
Kush na do
Jo më pak na kufizon!
Zotat më lejofshin, larg nga dashuritë
Të kem lirinë e ftohtë të rri lakuriq
Kush do pak ka gjithçka
Kush nuk ka e nuk dëshiron
Është njeri i ngjashëm me zotat!
Disa, sykthyer tek e shkuara
Shohin atë që s’e shohin dot
Të tjerët tek e ardhmja shohin
Gjithçka që s’mund të shihet.
Pse kërkojmë aq larg Atë që na është afër?
Kjo është dita, është ora, është momenti
Kjo është ajo që jemi e s’është gjë tjetër!
Komentet