VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Francë, sulm me thikë në Nisë, vriten tre veta

By | October 29, 2020

Komentet

Nga viti 2022, Gjermania ndalon përdorimin e qeseve plastike

Berlin

Që nga janari i vitit 2022, Gjermania ka vendosur të ndalojë qeset plastike njëpërdorimëshe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një ligji të miratuar në Bundestag, ndalimi përfshin qeset plastike me trashësi prej 15 deri në 50 mikrometra dhe qeset e holla plastike që gjenden në seksionet e frutave dhe perimeve.

Ministrja e Mjedisit, Svenja Schulze, deklaroi se në vend të qeseve plastike, shportat e pazarit dhe torbat e pëlhurës që mund të lahen janë alternativa të mira.

Fondi Botëror i Kafshëve të Egra (WWF) mbron pikëpamjen se ndalimi i qeseve plastike ka një kuptim simbolik. WWF kërkon që qeset plastike të përdorura gjatë bërjes pazar në Gjermani të zvogëlohen në të gjitha fushat, pasi përbëjnë një për qind të të gjithë përdorimit të plastikës në vend.

Pasi qeset plastike u bënë të pagueshme në vitin 2015 në Gjermani, përdorimi i qeseve u ul me 64 për qind.

Një person në vend përdor mesatarisht 24 qese plastike në vit. Plastika mund të tretet për 400 vjet në ujë dhe 800 vjet në tokë.

Hagë: Mandati i Gjykatës së Posaçme për Kosovën – deri në njoftimin e Këshillit të BE-së

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, tha të enjten se mandati i Gjykatës së Posaçme të Kosovës do të zgjasë deri në një njoftim të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Vendimi i saj pasoi kërkesën e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të bërë më 24 gusht që parlamenti i Kosovës të amendamentojë nenin 162 të Kushtetutës në bazë të të cilit është themeluar Gjykata e Posaçme, në gusht të vitit 2015, e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Në propozimin e presidentit Thaçi dërguar kryesisë së parlamentit kërkohej ndryshimi i pikës 13 të këtij neni të Kushtetutës në të cilin thuhet se mandati i gjykatës “do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare”. Ai kërkoi që të përcaktohet se mandati “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Në komentet e ish presidentit Thaçi dërguar Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, thuhej se “sipas formulimeve të paragrafëve 13 dhe 14 të Nenit 162 të Kushtetutës, në opinionin kosovar është shpërfaqur mendimi dhe përhapur bindja që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë në një periudhë më së shumti pesëvjeçare (5) nga koha e aprovimit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ka ngjallur jo rrallëherë reagime të shumta tek akterë të ndryshëm”, thuhej në sqarimet e zyrës së ish presidentit Thaçi.

Kërkesa e zotit Thaçi ishte kundërshtuar nga Prokuroria e Posaçme e cila e cilësoi atë jo kushtetuese.

Propozimi i tij u dërgua në Gjykatën e Posaçme nga kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani dhe më pas Dhoma e Posaçme e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e cila pasi shqyrtoi komentet e palëve, të enjten tha se “në pajtim me nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, pikat 13 dhe 14, mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre”.

Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua para pesë vjetësh, në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj pasoi pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 nga prokurorët e Dhomave të Specializuara ndërsa pese veta, në mesin e të cilëve edhe ish presidenti Thaçi ndodhen në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Akuzat kanë nxitur shumë reagime në Kosovë ku organizatat e dala nga lufta pohojnë se Gjykata është një etnike dhe nuk trajton mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

zëri i amerikës

Sarkozy përballë akuzave për korrupsion

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u paraqit në gjyq të enjten për t’u përballur me akuza për korrupsion. Ai akuzohet se është përpjekur për të korruptuar një gjykatës me qëllim që të merrte informacion në lidhje me një hetim rreth fushatës së tij presidenciale të vitit 2007. Ish-kreu i shtetit këmbëngul se është i pafajshëm.

Është e pazakontë të shohësh një ish-president duke hyrë në sallën e gjyqit me avokatët e tij për t’u gjykuar. Kjo skenë po ndodh në Paris, ku Nicolas Sarkozy përballet me akuza për rryshfet dhe përdorim të influencës.

Jean-Claude Beaujour, avokat i shoqatës Francë-Amerikë, komentoi për Zërin e Amerikës.

“Është shumë e pazakontë që një ish-kryetar shteti në Francë të ndiqet penalisht për korrupsion,” tha Beaujour. “Ish-presidenti Sarkozy dyshohet se është përpjekur për të korruptuar një gjykatës të rangut të lartë në këmbim të informacionit mbi një çështje gjyqësore që lidhet me vetë Nicolas Sarkozy-në”.

Prokurorët thonë se Sarkozy i premtoi një punë të paguar mirë në Monako një gjykatësi, në këmbim të informacionit të brendshëm mbi një hetim rreth pretendimeve se ai pranoi pagesa të paligjshme nga trashëgimia e trashëgimtares së firmës L’Oreal, Liliane Bettencourt gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2007.

Sarkozy vazhdimisht i ka mohuar akuzat.

Gjyqtarët po e mbështesin çështjen e tyre në provat e regjistruara nga përgjimet e bisedave telefonike midis zotit Sarkozy dhe avokatit të tij. Të dy ata janë objekt i një hetimi tjetër për financimin e dyshuar nga Libia të fushatës së zotit Sarkozy në vitin 2007.

Ish-presidenti francez e ka kundërshtuar ligjshmërinë e përgjimit. Ai e mbrojti veten në fillim të këtij muaji në një intervistë për kanalin francez BFMTV.

Sarkozy tha se i vjen keq që e gjithë jeta e tij private ka qenë përgjuar. Sipas tij, është skandaloze që privilegji avokat-klient nuk u respektua pasi bisedat telefonike mbrohen sipas dispozitave të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. “Unë nuk jam mashtrues dhe kjo që po kaloj është skandal,” këmbënguli Sarkozy.

Gjyqi pritet të zgjasë tre javë. Nëse shpallet fajtor, ish-presidenti mund të përballet me deri në 10 vjet burgim dhe një gjobë 1.2 milion dollarë.

BE-ja pret vaksinimin e parë kundër COVID-19 para fundvitit

Bruksel

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, njoftoi se vaksinimi mund të fillojë para fundit të vitit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shohim dritë në fund të tunelit. Qytetari i parë i BE-së mund të vaksinohet para fundit të dhjetorit”, tha von der Leyen në llogarinë e saj në median sociale.

Duke theksuar që vendet anëtare të BE-së duhet t’i përfundojnë përgatitjet për shpërndarjen e vaksinave, von der Leyen deklaroi se vaksina është “biletë” për të dalë nga pandemia.

Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian tha se “Nëse gjithçka shkon mirë, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) mund të lëshojë autorizim të kushtëzuar të tregut për vaksinat e BionTech dhe Moderna në gjysmën e dytë të dhjetorit”.

Presidentja e EMA-së Emer Cooke gjithashtu njoftoi se mund të japin mendim pozitiv mbi vaksinat kundër COVID-19 përpara Krishtlindjeve.

Ndryshe, BE-ja ka rënë dakord të marrë 400 milionë doza vaksine me AstraZeneca, 300 milionë me Sanofi-GSK, 400 milionë me Johnson and Johnson, 300 milionë me Pfizer dhe BioNTech, 405 milionë me CureVac dhe 160 milionë me Moderna.

Shtyhet gjyqi i ish-presidentit francez Sarkozy

Ish presidenti francez Nicolas Sarkozy u paraqit të hënën për pak minuta në gjykatë për t’u përballur me akuzat për korrupsion, por gjyqtarët i pezulluan seancat deri më 26 nëntor për të vlerësuar shëndetin e njërit prej të pandehurve të tjerë.

Prokurorët e akuzojnë ish-presidentin se i kishte ofruar një punë të paguar mirë në Monako gjyqtarit Gilbert Azibert në këmbim të informacioneve konfidenciale rreth një hetimi për aludimet se zoti Sarkozy kishte pranuar pagesa të paligjshme nga Liliane Bettencourt trashëgimtare e firmës L’Oreal për fushatën e tij presidenciale të vitit 2007.

Një avokat i zotit Azibert kërkoi që gjyqi të pezullohej, sepse klienti i tij ishte në rrezik të lartë për t’u infektuar me COVID, për shkak të sëmundjes së zemrës.

Gjyqtarët urdhëruan një vlerësim të pavarur mjekësor deri të enjten, përpara se të vendosin nëse do ta vazhdojnë apo pezullojnë gjyqin.

Zoti Sarkozy, i cili ishte president nga viti 2007 deri në 2012 por ka ndikim mes konservatorëve, ka mohuar çdo shkelje në hetimet kundër tij dhe është përpjekur fuqimisht për pushimin e çështjeve gjyqësore.

Duke filluar nga viti 2013, hetuesit kanë përgjuar bisedat midis ish presidentit dhe avokatit të tij Thierry Herzog, për të hetuar aludimet.

Gjatë përgjimeve, ata mësuan se zoti Sarkozy dhe avokati i tij komunikonin duke përdorur celularë të regjistruar nën emra të rremë.

Sipas prokurorëve, nga përgjimet doli se zoti Sarkozy dhe avokati Herzog kishin diskutuar në shumë raste për të kontaktuar gjyqtarin Azibert, që shërbente në gjykatën e lartë të apelit dhe që ishte i mirinformuar për hetimin.

Herzog dhe Azibert janë që të dy në gjyq me ish presidentin Sarkozy, të akuzuar për korrupsion. Ata akuzohen gjithashtu për “shkelje të sekretit profesional”. Të tre përballen me deri në 10 vjet burg dhe gjoba të rënda nëse dënohen.

Zoti Sarkozy dhe partia e tij e qendrës së djathtë Les Republicains kanë thënë prej vitesh se hetimet kundër tij janë të motivuara politikisht.

Zbulohet në Spanjë nekropoli i famshëm islam i shekullit VIII, historiania: Është e rrallë të gërmosh dhe të gjesh 400 varre

Në qytetin spanjoll të Taustes, pranë Saragozës, u zbuluar një nekropol islam që daton që prej shekullit VIII me 400 varre dhe mbetjet e mbi 4 500 trupave në një hapësirë prej rreth pesë hektarë, theksoi për CNN Eva Gimenez, një arkeologe që po gërmon aktualisht në zonë me kompaninë “Paleoym”.

Në vitin 711 forcat arabe filluan pushtimin e Gadishullit Iberik, ku ata qëndruan për shtatë shekujt e ardhshëm deri në vitin 1492, datë kur zona u mor totalisht nga mbretëritë e krishtera.

“Pushtimi mysliman i Taustes u konsiderua si i rastësishëm dhe madje joekzistues nga disa burime, por shoqata kulturore e rajonit ka dyshuar prej kohësh se zona strehonte një koloni të madhe islame për shkak të të dhënave arkitektonike dhe mbetjeve njerëzore gjetur në qytet”, theksoi për CNN Miriam Pina Pardos, drejtoreshë e Observatorit Antropologjik të Nekropolit Islamik të Taustes me shoqatën kulturore “El Patiaz”.

“Është e rrallë të gërmosh dhe të gjesh 400 varre. Është e pabesueshme”, theksoi Pardos. Të gjithë skeletet ishin varrosur sipas zakoneve islame, të pozicionuar në të djathtë dhe të kthyer nga juglindja, drejt Mekës.

Gjyqi i Nurembergut i shërbeu së drejtës – Më 20 nëntor 1945 filloi Gjyqi i Nurembergut mbi krimet e Nazizmit

Voal.ch – Më 20 Nëntor 1945 filluan gjyqet e Nurembergut kundër oficerëve nazistë. Me nota tepër të qarta, gjatë punimeve të këtyre gjyqeve në Bavari, u dëgjuan tmerret e shkaktuara nga oficerë si Herman Gering, Rudolf Hes apo Albert Spir ndaj miliona hebrenjve, homoseksualëve dhe të burgosurve politikë e fetarë në kampet e vdekjes.

Nuremberg ishte qyteti ku Adolf Hitler organizoi së pari tubimet e partisë naziste me pishtarë dhe shpalli ligjet raciste të vitit 1935 që hapën rrugën për Holokaustin.

Gjyqet e Nurembergut u përpoqën të vënë në vend drejtësinë për tmerret e përjetuara dhe për miliona jetë të fikura nëpër krematoriumet dhe burgjet e vuajtjeve.

Pamjet e xhiruara në kampet e vdekjes tronditën botën. Regjistrime lajmesh, që u publikuan në atë kohë, nxorrën në dritë se ç’kishte ndodhur në kampet e përqëndrimit.

“Kampi më i tmerrshëm ishte Bukenvali, ku vetëm 20 mijë nga 80 mijë të burgosurit e dërguar u gjetën gjallë. Pjesa më e madhe e atyre që ende jetonin kur kampin e morën nën kontroll amerikanët, ishin në gjendje të pa shpresë”.

Gjermanët këmbëngulnin se nuk kishin pasur dijeni dhe se ishin po aq të tronditur sa kushdo tjetër kur mësuan për tmerret e nazizmit. Por jo të gjithë janë të bindur për pafajësinë e tyre. George Bria ishte gazetar për agjencinë e lajmeve Associated Press:

“Kampi Dakau ishte jo larg Mynihut, por të gjithë thonë se nuk dinin gjë! Jo larg tyre ishin furrat e djegies. Askush nuk e beson se ata nuk kishin dijeni”.

Tronditja publike nga pamjet dhe rrëfimet e të mbijetuarve çoi në thirrje masive për drejtësi dhe shpagim. Zgjidhja që u gjet ishte organizimi i gjyqeve për krime lufte në Nuremberg:

“Në qytetin e shkatërruar të Nurembergut, të rrënuar nga tonelatat e bombave të trupave aleate, gjykata qëndron si një monument ogurzi i shpresave të fundit të nazistëve për të dominuar botën”.

Vendet aleate: Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Rusia dërguan prokurorë. Sistemi ligjor në bazë të të cilit do të zhvilloheshin gjyqet, ishte një ndërthurje e sistemeve të këtyre vendeve.

Babai i senatorit amerikan Kris Dod, Thomas Dod ishte një ndër prokurorët amerikanë në gjykime. Ai ishte një jurist i ri në vitin 1945 kur shkoi në Gjermani për të marrë në pyetje figura famëkeqe si Herman Goring, Albert Spir apo Rudolf Hes.

Në vitin 2007, Senatori Dod publikoi një libër bazuar në letrat që i kishte dërguar familjes babai i tij, gjatë kohës kur vazhdonte gjyqi:

“30 mijë vetë ende ishin të varrosur nën rrënojat e Nurembergut, kur filluan gjykimet. 30 mijë vetë – veç ta imagjinosh erën e rëndë. 8 milion trupa ishin djegur, 6 milionë prej tyre hebrenj, të tjerët si rezultat i orientimit seksual, besimit fetar apo bindjeve politike”.

21 oficerë të lartë gjermanë, përfshirë Joakim von Ribentrop dhe Albert Spir, të dy bashkëpunëtorë të afërt të Hitlerit, u gjykuan dhe u shpallën fajtorë për krime lufte në gjyqet e Nurembergut.

Thomas Dod, në kujtimet e tij e analizon procesin si triumfi i sundimit të ligjit, ku vendet e qytetëruara realizuan një proces të drejtë për autorët e masakrave që kishin vepruar pa asnjë përfillje për ligjin.

Gjyqet e Nurembergut krijuan një praktikë të re të nxjerrjes para drejtësisë të udhëheqësve qeveritarë dhe mbajtjen e tyre përgjegjës në mënyrë individuale për krime të kryera kundër masave të pafajshme.

Këto gjyqe krijuan edhe konceptin e krimeve kundër paqes, e aktit penal të agresionit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

plot njerëz që e dënuan procesin si një farsë politike, por gazetari George Bria i agjencisë Associated Press, thotë se duke pasur parasysh rrethanat dhe momentin e procesit, gjykimet mund të konsiderohen të drejta.

Historiani gjerman Hans Kristian Taeubrich thotë se gjyqet ishin shumë të rëndësishme për opinionin gjerman, pasi i ndihmuan gjermanët të ballafaqohen me krimet e kryera në emër të tyre:

“Gjyqet e Nurembergut janë të rëndësishme për 3 arsye:

së pari ato sollën para drejtësisë figura të larta të regjimit nazist, të cilat ishin përgjegjëse për krime të paimagjinueshme lufte. Vetëm disfata e plotë dhe gjykimi ndërkombëtar arriti t’u japë atyre ndëshkimin e duhur.

Së dyti, si rezultat i gjyqeve, bota dëgjoi për herët të parë çfarë kishte ndodhur gjatë 12 vjetëve të regjimit nazist.

Gjyqet ndihmuan gjithashtu Gjermaninë të ballafaqohet me aktet që ishin kryer. Ky proces ballafaqimi ende vazhdon”.

Gjyqet e Nurembergut u zhvilluan nga data 20 nëntor 1945 deri më 1 tetor 1946. Prokuror i kësaj gjykate ishte amerikani Robert Jackson.

Raphael Lemkin, një avokat i lindur në Poloni, i cili shërbeu si këshilltar i Jackson, ka meritën e krijimit të termit “gjenocid” në 1944 për të përshkruar shfarosjen e planifikuar që nazistët u bënë hebrejve.

Fjala është një bashkim i “genos”, fjala greke për “fis” ose “racë” dhe “-cide”, latinisht për “vrasje”.

Lemkin, i cili humbi gati 50 të afërm në Holokaust, e përcaktoi gjenocidin si “një plan të koordinuar të veprimeve të ndryshme që synojnë shkatërrimin e bazave thelbësore të jetës së grupeve kombëtare, me qëllim asgjësimin e vetë grupeve”. Gjyqet e Nurembergut shënuan proceset e para për gjenocidin.

Raphael Lemkin

Proceset gjyqësore të Nurembergut, në të cilat dolën para gjyqit udhëheqësit nazistë ushtruan ndikim të madh në të drejtën ndërkombëtare. Ato bazohen në Kartën e Londrës, e cila u nënshkrua nga aleatët në 8 gusht 1945.

Si bazë për proceset gjyqësore të Nurembergut shërbeu një marrëveshje vizionare e së drejtës ndërkombëtare (Karta e Londrës), e cila përcaktoi rregulloren e procesit për gjykatat ushtarake ndërkombëtare dhe amerikane, të ngritura posaçërisht për proceset e Nurembergut. Karta e Londrës u nënshkrua në 8 gusht 1945.

Më 20 nëntor 1945, në Nuremberg, një qytet që pak muaj më parë qe shpallur si “90 përqind i vdekur”, 22 burra hynë në Pallatin e Drejtësisë. Ata i kishin nxjerrë para gjyqit për krime, të cilat nuk qenë kryer kurrë më parë. Burrat ishin pjesë e asaj e klike drejtuese që kishte mbetur nga udhëheqja naziste dhe i patën kaluar muajt e mëparshëm të burgosur në një kështjellë në Luksemburg. Ata nuk e dinin se çfarë i priste.

Kreu i kopesë midis tyre ishte Hermann Göring, ish- Presidenti i Rajshtagut, kryekomandant i Flotës Luftarake Ajrore gjermane dhe pasardhës i mundshëm në post i Adolf Hitlerit. Në korrik 1945, në një konferencë shtypi, kur e pyetën, nëse e dinte që ndodhej në listën e kriminelëve të luftës, Göringu u përgjigj:”Jo. Kjo pyetje më habit, sepse nuk e marr dot me mend se pse mund të ndodhesha në një listë të tillë.”

Göringu nuk kishte idenë për procesin e jashtëzakonshëm e të komplikuar gjyqësor, pjesë e të cilit do të bëhej. Për procesin gjyqësor do të ishte e nevojshme që të hartoheshin nga e para bazat, pikat e aktakuzës dhe dënimet. Ndërtimi i tyre i ngjante pak ndërtimit të një rrjeti të energjisë, ujit dhe ujërave të zeza në Gjermani, punë të cilën aleatët duhet ta nisnin nga zero. Diçka të ngjashme me këto procese gjyqësore nuk kishte pasur kurrë.

Proceset e Nurembergut dhe Karta e Londrës qenë me rëndësi të madhe vizionare, thotë Lauri Mäksoo, profesore e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tartu-së në Estoni. “Nuk ekziston gjë më e rëndësishme në këtë fushë”, i tha Mäksoo DW. “Ndikimi për mënyrën si përkufizohen krimet ndërkombëtare ishte gjigand – këtu praktikisht u shpik për herë të parë koncepti “krime kundër njerëzimit”./VOA/DW/history.com

Gazsjellësi Trans Adriatik fillon funksionimin komercial

Stamboll

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) i gjatë 878 kilometra filloi operacionet tregtare për të transportuar çdo vit 10 miliardë metra kub gaz nga Azerbajxhani në Evropën Perëndimore, transmeton Anadolu Agency (AA).

TAP transporton gaz natyror nga fusha Shah Deniz në pjesën azerbajxhanase të Detit Kaspik për në pjesën perëndimore të Evropës. Gazsjellësi përfaqëson pjesën evropiane të Korridorit Jugor të Gazit dhe lidhet me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, për të arritur në bregdetin e Italisë jugore.

Në kumtesën e kompanisë thuhet se operacionet tregtare kanë filluar tani, katër vjet e gjysmë pas përurimit të punimeve në Selanik të Greqisë.

Projekti, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm në sigurinë e energjisë dhe diversifikimin energjetik të Evropës, siguroi financim prej 3,9 miliardë dollarësh nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Aksionarët përfshijnë BP, SOCAR dhe Snam me nga 20 për qind të aksioneve, së bashku me Fluxys (19 për qind), Enagas (16) dhe Axpo (5). Të gjitha kompanitë ranë dakord për një rezolutë mbi zhvillimin dhe ndërtimin e projektit në fund të vitit 2013.

“Sot, një vizion afatgjatë është bërë realitet. Si një operator i ri i sistemit të transmetimit, i zhvilluar dhe i ndërtuar në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të industrisë, TAP mundëson diversifikim të dyfishtë duke përfshirë një rrugë të re, të besueshme dhe të qëndrueshme të energjisë dhe burimeve të gazit që arrijnë miliona përdorues evropianë, për dekada që vijnë”, citohet të ketë thënë Luca Schieppati, drejtori menaxhues i TAP-it.

Murad Heydarov, kryetar i bordit të drejtorëve të TAP-it, tha: “Korridori Jugor i Gazit është bartësi pionier i gazit natyror nga Azerbajxhani në Evropë dhe një nga sistemet më moderne dhe të besueshme aktualisht në dispozicion për transportimin e energjisë. Si një komponent kryesor i Korridorit Jugor të Gazit prej 3.500 kilometrash, TAP kombinon tiparet strategjike dhe konkurruese të tregut”.

Ai shtoi se tubacioni siguron që Evropa të mund të marrë furnizime nga një burim tjetër ndërsa mbështet objektivat kryesore të BE-së për arritjen e një tregu të integruar të energjisë dhe një përbërje të qëndrueshme, të sigurt dhe të larmishme të energjisë, duke kontribuar në rrjedhat e vazhdueshme drejt një tranzicioni të energjisë së pastër.

Rreth 55 mijë pjesë të tubacionit me peshë totale prej 520 mijë tonë u përdorën për projektin, për përfundimin e të cilit u deshën mbi 50 milionë orë pune.

“Sistemi TAP operon në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht të cilësisë, shëndetit, sigurisë dhe mjedisit dhe është projektuar me potencialin për të dyfishuar kapacitetin e tij përçues në 20 miliardë metra kub në vit”, thuhet në deklaratë.

Makina fluturuese holandeze merr patentën rrugore në Evropë

Pas fillimit të provave për fluturim dhe ngarje në vitin 2012, firma holandeze Pal-V tani thotë se makina e saj fluturuese “Liberty” ka marrë miratimin në Bashkimin Evropian për përdorim në rrugë.

Robert Dingemanse, themelues i kompanisë, thotë se është dashur shumë punë për të përshtatur mjetin fluturues që paloset, për të marrë miratimin e përdorimit në rrugë. Mjeti është çertifikuar për frenat, zhurmën dhe ndotjen.

“Nuk ka patur asnjëherë rregullore të përbashkëta mbi funksionimin ajror dhe rrugor për një mjet. Kemi arritur të ndërtojmë një mjet që u përshtatet të gjitha rregulloreve, që janë rreth 5 mijë këkesa që duhen përmbushur.”

Kompania Pal-V ka patur një qasje më tradicionale në ndërtimin e makinës fluturuese dy vendëshe dhe me tre rrota për ngarje në rrugë. Drejtuesit duhet të kenë liçensën e pilotit për ta fluturuar atë.

Kompania thotë se mjeti mund të arrijë shpejtësi deri 160 kilometra në orë në rrugë. “Liberty” mund të përshkojë distanca ajrore prej 500 kilometrash me një shpejtësi deri 180 kilometra në orë me një serbarator.

Nëse je duke e ngarë makinën dhe paraqitet nevoja për të fluturuar, do të duhen vetëm dhjetë minuta që ta përshtatësh mjetin, thotë kompania.

Zoti Robert Dingemanse thotë se 90mjetet e para, që do të jenë me porosi, do të kushtojnë rreth 500 mijë euro, dhe do të jenë gati në vitin 2022. Më pas, variantet standarde do të kushtojnë rreth 400 mijë euro.

Këngëtari Bruce Dickinson i grupit “Iron Maiden” është një prej klientëve të parë të kompanisë. Firma nuk ka bërë të ditur se sa porosi janë marrë deri tani, ndërsa thotë se ka mjaftueshëm që fabrika e vogël holandeze të vazhdojnë punën për rreth 30 muaj. Pandemia, thotë zoti Robert Dingemanse, nuk ka ndikuar negativisht tek firma e tij.

“Është rritur interesi dhe kërkesa për makinën fluturuese si rezultat i pandemisë sepse mjeti të ofron distancim dhe aftësitë për të shkuar kudo nga toka apo ajri pa rrezikuar infektimin.”

Analistët vlerësojnë qasjen e kompanisë Pal-V në prodhimin e makinës fluturuese. David Gleave ëshë hulumtues për sigurinë e aviacionit.

“Çfarë qasje do të kenë kompanitë e tjera? Kemi parë shumë kompani që kanë bërë bujë dhe pastaj janë zhdukur, kryesisht në fushën e dronëve. Ndryshe me këtë mjet që është shumë praktik për të fluturuar dhe ngarë në rrugë.”

Firma Pal-V po shpreson që të marrë lejen e fluturimit me Agjencinë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA), një proces i filluar në vitin 2015. Ata shpresojnë që kjo të arrihet në kohë për të filluar dërgesat e para në vitin 2022.

zëri i amerikës

Austria kthen izolimin e plotë

Austria ka vendosur masën e izolimit mbarëkombëtar në përpjekje për të vënë nën kontroll pandeminë e COVID-19.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, u ka kërkuar austriakëve, që të mos takojnë askënd jashtë shtëpisë së tyre, në një përpjekje për të frenuar një rritje të shpejtë të rasteve me koronavirusin e ri.Ai tha që shkollat do të mbyllen dhe studentët do të mësojnë nga shtëpia duke filluar nga dita e martë, kur masat e reja do të hyjnë në fuqi. Të premten, Austria raportoi një numër rekord prej 9,586 të infektuar me koronavirusin e ri.

Kjo shifër ishte nëntë herë më e lartë se në kulmin e valës fillestare më parë këtë vit. Vendi ka regjistruar më shumë se 191,000 raste, që nga fillimi i pandemisë dhe 1,661 vdekje të lidhura me COVID-19. Deri më 6 dhjetor, sa është paraparë të zgjasin masat e reja, të gjitha dyqanet jo-thelbësore do të duhet të qëndrojnë të mbyllura. Të gjithë qytetarëve u është thënë, që nëse ua lejojnë kushtet, të punojnë nga shtëpitë.

Ministri i Shëndetësisë i Austrisë, Rudolf Anschober, tha se ky është shansi i fundit për të ndaluar kolapsin e shërbimit shëndetësor. Austria kishte vendosur masën e izolimit të saj të parë mbarëkombëtar në mars, gjatë valës së parë të pandemisë./rel

Erdogani uron Bidenin për fitoren në zgjedhje

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan – foto arkivi.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e uroi Joe Bidenin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Erdogan tha se marrëdhëniet dypalëshe janë të natyrës “strategjike” dhe se duhet të forcohen më tej, duke u bazuar në interesat e përbashkëta.

Erdogan përsëriti “vendosmërinë e Ankarasë për të punuar nga afër me administratën amerikane”, gjatë periudhës së ardhshme.

“Bashkëpunimi dhe aleanca e fortë” midis dy vendeve do të vazhdojnë të kontribuojnë në paqen në botë, tha Erdogan.

Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Turqisë janë tensionuar kohëve të fundit për një varg çështjesh, përfshirë krizën në Siri dhe bashkëpunimin ushtarak të Ankarasë me Rusinë.

Mediat amerikane kanë parashikuar fitoren e Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA.

Presidenti i zgjedhur, Biden, ka thënë pas fitores se do të jetë president i të gjithëve, ndërsa ka paralajmëruar se prioritet i administratës së tij do të jetë lufta kundër pandemisë së koronavirusit.

Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhje.

Pa paraqitur asnjë provë, Trump ka thënë se zgjedhjet janë vjedhur. rel

Llukashenko: Bjellorusia do të bëhet fuqi bërthamore

Alyaksandr Llukashenko ka hapur zyrtarisht centralin e parë dhe të vetëm bërthamor në Bjellorusi, duke thënë se ky shtet i Evropës Lindore “do të kthehet në fuqi bërthamore”.

“Stacioni bërthamor Astravets përbën një hap drejt së ardhmes dhe garantimit të sigurisë së energjisë së këtij shteti”, ka thënë Lukashenka në një adresim përmes televizionit shtetëror më 7 nëntor.

Ndërtuar nga kompania ruse, Rosatom dhe e financuar nga Moska me 10 miliardë dollarë hua, ndërtimi i centralit bërthamor afër qytetit Astravets, është kundërshtuar nga Lituania, kryeqyteti i së cilës, Vilnus, është vetëm 50 kilometra larg.

Astravets tërheq ujin për reaktorët e tij ftohës nga Lumi Nevis, që po ashtu furnizon me ujë të pijshëm Lituaninë.

Bjellorusia ka nisur aktivizimin e këtij centrali më herët gjatë javës, duke e shtyrë Lituaninë që të ndalë importet e elektricitetit nga shteti fqinj.

Ndërtimi i këtij centrali është parë ndryshe edhe në mesin e bjellorusëve, të cilët janë përballur me dëme të mëdha si pasojë e katastrofës bërthamore të Çernobilit më 1986.

Një çerek i territorit të këtij shteti ishte kontaminuar në aksidentin më të tmerrshëm civil bërthamor në gjithë botën.

Ky inaugurim vjen teksa Bjellorusia përballet gati çdo ditë me protesta dhe greva, prej zgjedhjeve të 9 gushtit.

Opozita dhe Perëndimi besojnë se ky proces zgjedhor është manipuluar.

Lukashenka, i cili ka qenë në pushtet nga viti 1994 ka kundërshtuar akuzat dhe ka hedhur poshtë thirrjet e opozitës për të dhënë dorëheqje.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe shtete tjera, kanë refuzuar të njohin Lukashenkas si lider legjitim të Bjellorusisë.

Më 6 nëntor, BE-ja e ka shtuar Lukashenkan, djalin e tij, Viktar dhe 13 zyrtarë tjerë në listën e zezë të zyrtarëve bjellorusë, për rolin e tyre në falsifikimin e votave dhe shtypjes së protestave nga ana e qeverisë. rel


Send this to a friend