VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Fotografi austriak: Shqipëria e ‘90, në luftë për mbijetesë

By | February 10, 2019

Komentet

Paris-Midi (1924) – Reagimi i qeverisë shqiptare mbi situatën e shqiptarëve të Çamërisë në Greqi

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Prill 2019

 

“Paris-Midi” ka botuar, të shtunën e 26 korrikut 1924, në ballinë, një shkrim në lidhje me reagimin e qeverisë shqiptare në mbrojtje të shqiptarëve të Çamërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Situata e shqiptarëve në Greqi

 

Tiranë, 26 Korrik.

 

Qeveria Shqiptare i ka telegrafuar Lidhjes së Kombeve një apel të ri për t’u ankuar se shqiptarët e Çamërisë janë të detyruar të emigrojnë nga Greqia.

 

Apeli thotë se shqiptarët janë të vendosur të strehohen në Shqipëri, në vend që të emigrojnë në Turqi. Kjo popullatë synon të vendoset në kufirin shqiptar në krahinën e Gjirokastrës.

 

Qeveria shqiptare deklaron se ka respektuar angazhimin e bërë ndaj Lidhjes së Kombeve lidhur me pakicat greke, por e ka për detyrim moral të ndihmojë popullatën shqiptare të Çamërisë dhe se duhet që të merret parasysh se do të ndodhin incidente të rënda pasi shqiptarët (çamët) do të strehohen në vendet e banuara nga banorë që flasin greqisht.

 

Qeveria shqiptare thotë së Greqia do të mbajë përgjegjësinë e këtyre incidenteve.

KOSOVA NË KONGRES TË VLONËS – Nga MUSTAFA KRUJA*

 

Ja këtù shkurtas, nji nga provat e këtij pretendimi qi, ndofta, do të cilësohet me fjalën guximtar prej atyne… historianve në havá me asnji fakt në dorë:

Më 13.X.1912, pas mesdite, në Shkup, në shpí të Salih Gjukës nga Peja u mbajt nji mbledhí nën kryesí të Nexhip Dragës prej pjestarve të komitetit “Shpëtimi” e të “Shoqnia e zezë” ku mora pjesë me këta shokë : Mit’hat Frashëri, Salih Gjuka, Kemal Kumbaraxhiu, Rexhep Mitrovica e Beqir Shilka*.

Më kët mbledhí, Nexhip Draga, me nji thellësí e kjartësí gjykimi qi mund të ketë vetëm nji kokë nga shkalla e parë, mbasi e shoshiti mirë situatën e krijuem prej luftës, mbasi na mbûshi mêndjen se lufta do të bjeret domosdo nga Turkia, proponoi të vendoset:          1. Qi t’i kommunikohet shteteve të mëdha kjo deklaratë:

“Populli i Shqipnís po i kap armët jo për t’a mbrojtë existencën e Turkís në Balkan, por, për t’i dalë zot tokave të veta. Pra, sidoqi të jetë fati i luftës, populli i Shqipnís ngul kâmbë për nji Shqipní të lirë e me nji formë sundimi të vêtme”;

  1. Qi të shënohen tre apo katër shokë për t’u nisë menjëherë për malcí të Shkodrës me këta dy misione: a) me i shkëput malcorët nga ushtria malazeze; b) me organizue, kudo qi të munden nji kongres për t’a caktue fatin e Atdheut.

Deklarata, me nji vulë “Shoqnia e zezë, Dega e Shkupit” për firmë e me dorë të nxânsave të lyceut të Shkupit iu dorzue konsullatave të shteteve të mëdhà e nji delegatë prej Mit’hat Frashërit, Salih Gjukës, Rexhep Mitrovicës e mejet u nis për në Malcí të Shkodrës.

Kjo deklaratë, me të arritun në Pejë, hoqi dorë nga pika e parë e misionit të vet e u shtrëngue të veprojë vetëm për realizimin e pikës së dytë, pse, Prishtina, Shkupi ishin rá, Peja po rrzohej e Turkia ishte duke u shkatrrue e duke hikë nga Kosova me shpejtí rrufêjet. Nuk ishte mâ koha për t’u marrë me fatin e Shkodrës.

Më 22.X.1912, p.d. me iniciativën energjike të Bajram Currit, u mbajt nji mbledhí e hapët në Pejë e pas mesdite nji tjetër në Cernabreg të Gjakovës ku u vulos nji letër përfaqësimi plotfuqijet për këtê delegatë e ku caktohej kjartas misioni i saj: “me ndalue coptimin e Shqipnis duke përdorë çdo mjet”.

Më 23.X.1912 ky akt u firmue nga paria e Plavës e e Gucís në Gjakovë.

Më 31.X.1912 delegata e Kosovës arriti n’ Orosh të Mirditës ku konferoi dhe u muer vesh fare mirë me emzot Primo Doçin, Abatin e Mirditës, me Zef Ndocin e me nji pjesë të parís së këtij vêndi.

Aty më 6.XI.1912 kjo delegatë ra më Valias ku u poq me Abdi Toptanin, u muer vesh fare lehtas me tê dhe këndoi nji letër të Syreja Vlorës. Kjo letër, pasi shpiegonte situatën e Turkís e atë t’Europës, fliste për nevojën e shpëtimit të Shqipnís nga coptimi dhe mbaronte: “me mâ të parin mjet do të nisem për në Durrës ku do të mirremi vesh goja-gojas.”

Në bazë të kësaj letre e me proponimin e Abdi Toptanit delegata e Kosovës, pasí u pa me nji rreth të ngushtë të Tiranës vajti në Durrës bashkë me Abdi Toptanin, Refik Toptanin e Murad Toptanin. Këtu u shtuen dhe dy shokë të vlershëm : Dom Kaçorri, ipeshkvi i Kurbinit e Mustafa Kruja. Por, desh fati apo prapaniksia e popullit të Durrsit t’ asaj kohe qi fjalët e mija e të Murad Toptanit në bashkí të këtij qyteti të bâjnë reaksion e të fitojë thema e despot Jakovit: “Nuk dahemi prej Babës (!)”. Kështu, durrsakët e 1912-ës jo vetëm nuk iu veshën lëvizjes, por, shkuen e kërkuen nga prefekti i Turkis qi të largohet delegata e Kosovës mbrenda më 24 sahat. Syreja Vlora nuk erdhi dhe delegata bashkë me Toptanët u kthye për së dyti në Tiranë : kongresi në Durrës dështoi duke shkaktue dame pa hesap për Shqipnín e ardhme.

Në Tiranë delegata e Kosovës gjeti dy telegrama e nji letër:

  1. BUKURESHT

“Aveniri i atdheut asht i sigurtë, mbani qetësín

Ismail KEMAL.

  1. VLONË

“Po marrim vesh se delegata e Kosovës ka arrit më Tiranë. I lutemi të niset mejherë për në Vlonë.”

                                                                                              Eqrem VLORA.

 

Shkurtimi i letrës

“Pasi u ndava prej jush në Gjakovë arrita në Malcí të Dibrës; u mora vesh me krênt e kësaj malcije dhe me parìn e Dibrës së Madhe në bazë t’ instruksioneve qi pata prej jush. Ju lutem lajmoni se kù do të mblidhet kongresi i projektuem qi të niset delegata e Dibrës.”

Zerqan

                                                                                              “Emrullah Ohri.”

 

E, të nesërmen, nji telegram të tretë:

SHKODËR

“Delegatës së Kosovës.”

Durrës.

 

“Ju lutem qi të vêni në Jugë ku do të mundeni t’a kryeni mâ mirë misionin t’uej.”

                                                                                              “Esad Toptani.”

 

Nji bisedë e shkurtë në shpí t’ Abdi Toptanit vendosi tri punë:

  1. Kongresi do të mblidhet në Vlonë;
  2. Mit’hat Frashëri e Salih Gjuka do të shkojnë n’ Elbasan ku pasi të zgjidhet delegata e këtij vêndi do të vijojnë bashkë me tê rrugën për në Vlonë;
  3. Rexhep Mitrovica me mue do të nisej drejt për në Vlonë.

Lëvizja ishte gjeneralizue, vêndi i kongresit ishte caktue definitivisht.

Po atë ditë, afër darkës, nji telegram tjetër:

Wien

“Po nisem për në Durrës.”

                                                                                               “Ismail Kemal.”

 

Më 25.XI.1912, kah darka u bashkuen në Fier, në shpí t’ Ymer Pashë Vrionit shumica e madhe e delegatëve qi realizuen Kongresin e Vlorës dhe proklamuen, nën bombardimin e flotës greke, të rrethuem nga toka e nga deti Shqipnín indipendente e me kufit e saj ethnikë.

 

“LIRIJA KOMBËTARE” 25 Shtator 1930

KU PO SHKONI ME ATO DEVE?! – Nga Fritz RADOVANI

 

  • ME PA“RILINDJEN”E SULLTAN EVERIT !

Asht hapë fjala e ka marrë dheun se edhe Everi ka fillue me dalë naten e me shetitë si disa shpirten të dikurshem që, nuk gjenin rahati në vorrezat me shumë njerzë…

Nuk ka aspak faj! E si mundet me ndej ky me ata që i ka çue me doren e vet aty?

Vetem kujtoni dishka: Tue fillue tek dera e vorrezave të Tiranës e deri afer vorrit tij, a mundeni me marrë me mend se sa mija vetë aty kanë njerzit e vet të humbun pa vorre?

Nuk po zamë me gojë aspak ata të mjerë që i ka sjellë aty një pustullë “hiqeni XY”…

Po, a u mjaftonte Everi me kaq? – Jo, o zotni! “Everi kerkonte me dijtë edhe vullnetin e Tij të fundit, para togës së pushkatimit” dhe, mandej, binte e flente i knaqun si shtaza.

Thonë se u çonte naten padijtë se ku po shkon, dhe kur ndigjonte se dikush po e ndjekte mbas shpine, edhe pse nuk ishte askush po, ashtu i dukej atij.., gjoja se kisha nevojë, u afronte tek frigoriferi dhe urinonte aty mbrenda… I shkreti, a me vra shokët, apo me u ruejtë se mos po kuptonin tjerët se ka falisë… E vendin s’e lëshonte persëgjalli…

Po a kujtoni se kur u varros nder Varrezat e Deshmorëve ishte rahat dhe i qetë aty?!

Jo, bre, po a mund të qendronte bisha e eger në mes të rrezikzezve që pat vra vetë…

Cili prej atyne Deshmorëve asht vra pa urdhnin apo lejen e sulltanit Arbërit?!.. – Asnjë!

Nuk duhen harrue edhe rastet kur Everit i kanë ngarkue shumë “të bame të pakenuna”!

Thohej se ka futë në burg djalin e axhës së vet, Prof. Muhamet Hoxhën.., që mbasi doli nga burgu u pat emnue në Shkoder. E njoha… Një Burrë vertetë i nderuem.

Ju pat qepë “kunatit” Bahri Omari… E nuk do t’i shpetonte aty afer as Qazim Mulleti…

A e ka pyet kush veten, po çka e lidhte Everin e Bylykbashit Gjinokastres me Bahriun apo Muhamet Hoxhën, që Everi nuk kishte fare lidhje gjaku me Ata… Pra, “faji” i bije Atyne, që tue njoh mirë monstren e vet, nuk i rrinin larg si t’ ishte dreqi i mallkuem, po edhe e afronin e kujdeseshin per te, tue fillue nga ma të njohunit drejtues shteti. U pat kujdesë per Everin edhe Ahmet Zogu e ndonjëtjeter mbas tij… Dritshkurtë apo…?!

Kur Everi sillej në Pazarin e Vjeter të Tiranës, tregonin që gjithnjë bisedat e tregimet e tij silleshin rreth “Piramidave të Egjiptit”, ku vështirë se e ka kuptue ndonjë tregtar…

Asht kenë vertetë një fat që nuk vdiq pa shkrue librin “Shënime për Lindjen e Mesme”, mbasi aty Everi shperthej e nxori gjithshka që po mos t’ ishte e shkrueme nuk besohej.

Everi aty tregon edhe rrugen që duhet të ndjekun rrezikziu Populli Shqiptar! Sigurisht, qeveritarët e soten atë “rrelike” që ua ka varë në qafë atyne Everi, ata të pakten pesë ose disaherë ma shumë e puthin perditë, tue ra permbys para librit të tij të perkthyem…

Më tregonte një Mik: Kur Everi ishte i ri tek kafe Flora… Persëriste gjithnjë një thanje:

“Mos vdeksha per pa hierë në një nga Piramidat e Egjiptit !”… Shumë ka pa ai Popull !

Ka mjaft nga ata që nuk dishrojnë me vdekë “pa hyrë në Piramiden e Everit !” Thonë se, aty bahen edhe mbledhjet e “Rilindjes”, ku nuk mungon as Everi, as Ramizi, as Rama!

            Melbourne, 26 Prill 2019.

Paris-Midi (1919) – Plebishiti i delegacionit shqiptar që SH.B.A të administrojnë Çamërinë e jugut, territoret shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi e Serbia, si dhe Epirin e Veriut që pretendohet nga Greqia

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Prill 2019

 

“Paris-Midi” ka botuar, të dielën e 7 marsit 1919, në ballinë, një shkrim në lidhje me propozimin e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris që SH.B.A-të të ndërhyjnë në administrimin e çështjes shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqiptarët bëjnë thirrje për plebishit

 

Delegacioni shqiptar, pasi u dëgjua nga komisioni i ngakruar për çështjen greke, i dërgoi një shkresë shtesë Kryetarit të Këshillit të Dhjetëve.

 

Në rast se kërkesat e parashtruara në memorandumin e paraqitur në konferencë nuk pranohen, ai (delegacioni) kërkon që Asambleja e Lartë t’i japë një mandat Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin dhe administrojnë për një vit territoret e pretenduara nga shqiptarët, domethënë, Çamërinë e jugut, si dhe territoret shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi dhe Serbia.

 

Nëse Konferenca do të pranojë këtë propozim, shqiptarët do të pajtoheshin, sipas të njëjtave kushte, që i njëjti mandat t’u jepej trupave amerikane për okupimin e Epirit të Veriut, i cili i përket shtetit shqiptar, por që pretendohet nga Greqia.

 

Në këtë gjendje, njerëzit, pa ndonjë kufizim, mund të shprehen, të lirë, dhe të manifestojnë vullnetin e tyre në lidhje me aspiratat e tyre kombëtare. — (Havas.)

Le Journal (1925) – Intervista ekskluzive e romancierit francez me Ahmet Zogun, presidentin më të ri të republikës më të re në botë

Henri Béraud, romancier e gazetar francez

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Prill 2019

 

“Le Journal” ka botuar, të hënën e 6 prillit 1925, në ballinë, intervistën ekskluzive të romancierit dhe gazetarit francez Henri Beraud me Ahmet Zogun, zhvilluar asokohe në Tiranë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

 Një intervistë me presidentin më të ri të Republikës më të re : Ahmet Zogu, kreu i Shqipërisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

[Nga i dërguari ynë special]

 

Kam kaluar disa orë në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë me z. Ahmet Zogu, presidentin më të ri të republikës më të re në botë. Ai është tridhjetë vjeç, një burrë i bukur, me fytyrën e një adoleshenti energjik dhe meditues. Në fytyrën dhe pamjen e tij ka diçka elegante, pak femërore, ndërsa nga shtati dhe ecja i ngjan një atleti.

 

Popullariteti i tij në Shqipëri është i madh, autoriteti i tij absolut.

 

Republika juaj, tha presidenti Ahmet Zogu, është paraardhësja e madhe. Shqipëria, ku asnjë e mirë nuk është aq e çmuar sa liria, e kthen vëmendjen e saj me besnikëri ndaj shtetit të Revolucionit. Ne e duam dhe e admirojmë Francën sepse nga ajo kemi marrë shembujt më të mëdhenj dhe mësimet më cilësore. Për më tepër, traditat e Francës, gjithmonë të përkushtuara për pavarësinë e popujve të shtypur, do t’i bashkëngjiten asaj kombet e reja ende delikate nga luftërat që i bëjnë ato të lira. Shqipëria demokratike dhe kalorësiake i kërkon, nëpërmjet zërit të presidentit të saj, një shkrimtari francez, t’i tregojë vendit të tij se miqësia jonë është e thellë, besnike dhe e sinqertë.

 

Aktualisht kemi dy kolegje franko-shqiptare. Ne po mendojmë të hapim nëntë — një në çdo prefekturë; — Pra, ne do të përgatisim të rinjtë tanë për kulturën franceze. Kjo vlen edhe për shkollat tona fillore, ku ne zhvillojmë mësimet në frëngjisht dhe shqip.

 

Jam i lumtur që kompania e parë metalurgjike e themeluar në tokën shqiptare dhe që punësoi shqiptarë, iu besua një kompanie franceze, e udhëhequr nga inxhinieri francez Fauché. Ky është vetëm fillimi.

 

Por, nga ana tjetër, ne dëshirojmë që Franca të jetë e interesuar për ne. Shqipëria meriton më shumë, pa dyshim, ashtu si shumë vende të largëta. Dhe pastaj, ne ndoshta jemi i vetmi shtet në univers që nuk kemi asnjë borxh, asnjë napoleon, asnjë kurorë, asnjë qindarkë ! Kështu, sa i përket bashkëpunimit financiar të Francës dhe Shqipërisë, unë i bëj thirrje traditave bujare të Francës, mbrojtëse e republikave të reja — dhe kështu, dhe unë mund të zëvendësoj gjuhën e ndjenjave me atë të interesave (bashkëpunimit). 

 

***

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Këto fjalë të presidentit Ahmet Zogu u adresohen veçanërisht atyre që i kuptojnë, nëse ata lexojnë me kujdes gazetat angleze dhe italiane. Gjithashtu, miqtë dhe aleatët tanë nuk hezitojnë të ndërhyjnë në shfrytëzimin e tokës dhe nëntokës shqiptare. Një arsye më shumë, për të dëgjuar te ne, me vëmendje, këto deklarata të kreut të ri të shtetit, të cilat unë mendoj se janë vendimtare.

 

Ne folëm pastaj për Parisin dhe letërsinë franceze. Z. Ahmet Zogu më nderoi duke më rrëfyer preferencat e tij. Ato m’u dukën të shkëlqyera. Ata dukeshin të shkëlqyera për mua. Miqtë e mi, dramaturgë dhe romancierë, do të kuptojnë skrupullin që më pengon të riprodhoj këtu lavdatat e presidencës. Mjafton, edhe një herë, të kujtojmë se ndikimi i vërtetë i mendimit francez jashtë vendit ushtrohet vetëm nga shkrimtarët, prestigji i të cilëve është i pakundërshtueshëm në vendin tonë.

 

Përveç kësaj, pas një momenti endërrimi, Z. Ahmet Zogu filloi të fliste përsëri. Unë ende e shoh atë, qëndrimin stoik dhe të qetë të tij. Në fytyrën rinore dhe serioze të tij, duket se një hije ka kaluar. E folura e tij është më e përzemërt, me një nuancë keqardhjeje. Ai më shtrin dorën dhe thotë :

 

— Ejani sërish në Shqipëri. Ju e njihni miqësinë tonë. Ajo nuk mund të manifestohet nëpërmjet pasurisë. Ne jemi një popull i vogël…

 

— Ah! – i them – ju e dini, zoti president, se për gjërat e zemrës, ne francezët preferojmë cilësinë sesa sasinë.

 

Dhe dola prej aty shumë shpejt. Jashtë, ndërsa dita po agonte, dëgjova një këngë të pikëllueshme…këngën e “Roufaïs”.

 

Nata po binte në Tiranë.

 

Henri Béraud

Tufa i përgjigjet Vukajt, nxjerr dokumentin e persekutimeve nga babai i tij

Agron Tufa, kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve e Pasojave të Komunizmit, iu përgjigj dje akuzave të bëra nga Shaqir Vukaj në emër të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut.

Faksimile e dokumentit për malësorët e Kelmendit

Tufa, përmes një postimi në “Facebook”, sqaron se gjatë kohës që ka studiuar në Moskë, si student ekselent, ka shkruar në shtypin moskovit në 1999 për Luftën e Kosovës, ndërsa akuzon Vukajn, i cili në atë kohë ishte ambasador i Shqipërisë në Rusi, se nuk bëri asnjë përpjekje për të mbështetur këtë kauzë të shqiptarëve. Përmes një dokumenti, Tufa shkruan se babai i Vukajt, Bejto Fasllia, ka kryer krime dhe mizori ndaj malësorëve të Kelmendit dhe Koplikut, që ngritën krye ndaj regjimit komunist.

AGRON TUFA

BREKUSHET E SHAQIR VUKAJ-FASLISË

I fundit që i shpërtheu brekushet e veta te gazeta e frontit komunist ishte Shaqir Vuka-Faslija, ish-deputet e ambasador, përfaqësues tipik i zulluve. Nga zbrazja e brekusheve të Shaqir Faslisë mori tahëm (kutërbim) të rëndë tejpërtej transheja e kuqe, dhe ashtu siç e kanë quajtur veten vetë në kohën e Luftës (civile) “morrat e kuq”, komunistë, d.m.th. brezat baballarë e bij, u sulën të nuhasin si në ekstazë të pëgërat dhe vjelltinën e Shaqirit. Kjo ishte droga, adrenalina e domosdoshme, pa të cilën nuk rrojnë gjallë pasardhësit e këtij mutacioni anti(kombëtar).

 

E reja që na sjell Shaqo Faslija është taze: Spiunët rusë më të rrezikshëm sot në botë janë:

1. Agron Tufa

2. Donald Trump Vetëm nuk po i vë dot karar, se cili sosh prej nesh është më i rrezikshëm. Gajret bre, Shaqo, bre, Selman pa bisht…! Shaqo don të dijë se cili është pseudonimi i shkrimeve të mia në shtypin rus, moskovit. Po nuk e thotë për çfarë shkrimesh, çfarë tematike.

Le ta sqarojmë ndonjë, që avit turinjtë ta mësojë të vërtetën në brekushet e Shaqos: shkrimet e mia janë të vitit 1999, bash në kohën e Luftës së Kosovës (mars 1999). Pseudonimi im ka qenë Elez Isufi, derisa një historiane ia qëlloi, se ky emër ka qenë personazh historik që u dha derman serbëve në luginën e Drinit të Zi, në Dibër, vendlindjen time. Ndërsa shkrimi im më i gjatë, i botuar në mars 1999, para datës 24 mars, bombardimit të Beogradit, me titull “Falsifikimi i historisë, shkas për spastrime etnike”, është me emrin tim real dhe është përkthyer dhe botuar edhe në shqip te “Rilindja Demokratike”, maj 1999.

Po çfarë bënte zulluja ynë ambasador, Shaqa, në ato ditë dramatike, kur çdo emision lajmesh hapej me Borisllav Millosheviçin? Mu n’ato momente kur ra bomba e parë në Beograd, jo vetëm që Shaqir Bjeto Faslija nuk u pa (siç nuk kishte dalë kurrë) në asnjë emision, në asnjë gazetë, por mbylli me tutius edhe dyert e ambasadës sonë dhe për një muaj u zhduk. Ka pas frikë trimi, se mos turmat e përndezura nacionaliste që sulmonin me vezë e sende ambasadën amerikane, befas do ndryshonin drejtim dhe mësynin në ambasadën shqiptare… e nëse kjo do të ndodhte vërtet, kush do ta shpëtonte Shaqon me gjithë brekushe!? Shkurt, ia mbathi. Vuri drynin.

Unë nuk i kam fshehur kurrë studimet e mia në Institutin e Letërsisë “A.M. Gorki”, i diplomuar shkëlqyeshëm qysh në vitin e tretë (d.m.th, dy vjet para mbarimit) me krijimtarinë dhe përkthimin e poetit disident e nobelist rus, Josif Brodskijt. Nuk kam fshehur që kam bërë studime pasuniversitare në Institutin e Kulturave Europiane (IEK), i gjeni në çdo CV time zyrtare. As faktin se kam dhënë mësim në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (MGIMO), ku kam dhënë për rreth 5 vite Gjuhë shqipe, Praktikë gjuhe, Folklor shqiptar e Letërsi shqipe, bash në ato vite kur në atë Institut studionte një grup i shkëlqyer studentësh shqiptarë.

Më zgjodhën mua dhe jo Shaqirin për atë punë, se unë kisha një fakultet filologjik të kryer në Tiranë, ndërsa Shaqja recitonte dhe atëherë citatet e shokut të tij Enver. Nëse Shaqo Faslia me brekushe kërkon të dijë se kush më ka paguar, atëherë le të shkojë në MGIMO dhe të konsultojë veprimet financiare çdo fundmuaj. Sigurisht, me ato para libra blija, shkoja në teatër, opera, aventura etj., gjëra të cilat Shaqo Faslia as mundej, as u merrte erë, se s’kishte i gjori haber.

Ndërsa unë, po kursehem me Shaqir Vukën. Thjesht po i kujtoj se nuk mund të lindte ndryshe një njeri si ai, i rritur nën hijen e të atit kriminel. Krimet, mizoritë në shtypjen e kryengritësve malësorë të Kelmendit dhe Koplikut, që janë aktet më të para e më madhështore të kundërshtimit më armë të diktaturës më famëkeqe të shekullit, këto krime i ka kryer i ati, Bejto Faslia, me shokë.

Vrasjet, pushkatimet, torturat e priftërinjve katolikë – këtyre martirëve të lirisë – kanë për autor duart e të atit, andaj i biri nuk mund të mendojë ndryshe nga vazhda e gjakut që la pas i ati. Shaqir Vukaj Faslia është trashëgimtar i asaj linje kainiane që vranë vëllezërit e tyre, dhe këta vrasës duan të na i paraqesin si heronj. Vrasësi mbetet vrasës, shëmtueshëm, i përlyer me gjak, duke përgatitur listat e arrestimeve dhe biografive për banja të reja gjaku shqiptar.

LETRA QE BEJTO FASLLIA DERGONTE PER MALESORET KRYENGRITES

Ushtrija N.Ç. Shqipatare V.F.L.P

Komanda e Qytetit Koplik me 15/3/1945 Nr. 13. III.

Res Komandës së Qarkut Përgj. Urdh. Nr. 63/12 Res datë 1/3/1945.

– Këtu poshtë ju parashkruajmë raportin me shënimet e kërkueme mbi t’arratisunit politikë të këtij rajoni (tue lanë jashtë edhe 16 t’arratisun të Kelmendit, për të cilët kemi kërkue nga Kom Vendit atjeshme për me na skjarue dhe do ju raportohen po sa të kemi marrë informatat e duhuna).

– 1. – Nik Gjeloshi Kastrat. – Ka kenë Togër i Milicisë Fashiste. Në kohët e fundit ka kenë bashkue me grupin Indipendent dhe ka kenë nji ndër kryetarët në Malsi. Dallaverexhi i përsosun, ka mbajt lidhje të ngushta me reaksionin, ka kenë nji ndër Kryetarët për organizimin e sulmit të Lleshit. Arsyeja e arratisjes së tij asht: marrja pjesë në sulmin e Lleshit.

– 2. – Nikollë Preka – fashist i dorës së parë, mik i ngushtë i Kol Bibës, Toger Milicije, spiun, provokator i luftës së Reçit, ka ba pjesë tash së fundi me Legalitetin bashkë me Llesh Marashin, Nikollë Prekën e Nik Gjeloshin kanë organizue sulmin e Koplikut. Arratisë qysh me shlirimin e Qarkut të Shkodrës. Arsyeja e arratisjes: spijun.

– 3. Dom Nikollë Gazulli, – prift, fashist i dorës së parë, spiun. Ka kenë gjithmonë kundra lëvizjes. Ka ba ç’mos me na sabotue, me predikime qi ka mbajtë në kishë me spionazhe sa ka mujt atij. Ky bashkë me Llesh Marashin, Nikollë Prekën e Nik Gjeloshin kanë organizue sulmin e Koplikut. Arratisë qysh me shlirimin e qarkut të Shkodrës. Arsyeja: spijun.

– 4. – Pjetër Gjok Doda. – Bajraktar i Shkrelit. Njeriu usullesh, ka sabotue mjaft lëvizjen në Shkrel. Asht bashkue me Llesh Marashin kuer ky ishte Komandant Qarku në Shkodër. Asht arratisë bashkë me Lleshin. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkëpuntor’ i Lleshit.

– 5. – Mirash Gjoka. – Ka kenë mik i ngushtë i Shaqir Omarit, ka ba pjesë në Milici, ka kenë spiun, asht arratisë bashkë me priftin Dom Nikollë Gazullin. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkëpuntuer i Dom Nikollë Gazullit.

6. – Llesh Marashi. – Organizator’ i reaksionit në Malsi të Madhe arratisë qysh në shlirimin e qarkut të Shkodrës. Arsyeja e arratisjes: bashkëpuntuer i Ballit, Legalitetit, Grupit Indipendent dhe Gestapos.

7. – Rrok Konti – i nipi i Lleshit. Asht arratisë bashkë me axhën, pse nip i tijë.

8. – Ndue Gjeloshi – edhe ky nip i Lleshit. Asht arratisë bashkë me axhën pse nip i tij.

9. – Vat Gjeloshi – nip i Lleshit. Asht arratisë bashkë me axhën pse nip i tij.

10. – Prek Leka – dallaverexhi i dorës së parë, bashkëpuntor e mik i ngushtë i Llesh Marashit. Asht arratisë me shlirimin e qarkut të Shkodrës. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkepuntuer i Lleshit.

11. – Pashko Leka. – Edhe ky si i sipërmi, mik e bashkëpuntuer i Llesh Marashit. Asht arratisë me shlirimin e qarkut të Shkodrës. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkpunëtuer i Llesh Marashit.

12. Luket Marashi. – Dallaverexhi. Tip bajraktari, mik i ngushtë e bashkepuntuer i Llesh Marashit. Ka hapë parrulla e ka ba agjit. e prop. Ka tradhtue partizanët kuer kanë shkue me rrethue Llesh Marashin. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: marrja pjesë në sulmin e Koplikut.

13. – Prel Frani. – Dallaverexhi, ka pasë lidhje të ngushtë me reaksionin e sidomos me Llesh Marashin, ka ba agjit e prop, ka hapë parrulla, ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut e te Ura e Rrjollit. –

14. – Palok Luketa. – Ka shkue gjithnjë mbas babës së vet, Luket Marashit, ka marrë pjesë në luftën e Grishajvet, në Bajzë, Koplik e Ura e Rrjollit. – Asht arratisë bashkë me babën e vet.

– 15. – Ded Luketa. – Ka shkue gjithnjë mbas babës së vet.

– 16. – Fran Luca: Dallaverexhi, ka pasë lidhje të ngushta me Llesh Marashin, ka ba agji e prop , ka marrë pjesë në sulmin e Bajzës e të Koplikut. Asht arratisë së bashku me Llesh Marashin. – T’arratisun ordiner nuk kemi në rajonin t’onë. –

Komisar’ i Qytetit, Komandanti i Qytetit (Çun Jonuzi) (Bejto Faslija)

Vukaj: Tufa, spiun i rusëve

Nënkryetari i Organizatës Kombëtare të Veteranëve, Shaqir Vukaj, akuzoi Agron Tufën se “ka studiuar në një institut në Moskë (se ai i spiunonte te rusët, madje edhe shkruante në shtypin rus me emrin e ndonjë rusi, duke i akuzuar rendë… apo se me se është marrë në Moskë mbasi ka mbaruar studimet, ku ka punuar, kujt i ka mësuar gjuhën shqipe, kush e ka paguar, ku janë e me se merren ata që ai u ka mësuar shqipen”. Duke iu referuar një letre të kryesisë së kësaj organizate, të botuar në gazetën “Dita”, kërkohet nga kuvendi që të mos miratohet rezoluta e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Sipas organizatës, ky institut po deformon historinë e LANC-it, duke njollosur heronjtë dhe duke bërë heronj kolaboracionistët me pushtuesit.

Historia e Gjonit, ja kush ishte trafikanti i parë shqiptar në SHBA

Dy pleqtë, ai si skërfyell dhe ajo, e shkurtër dhe e shëndoshë, mbërritën në Sherburg me tren, sigurisht me bileta të klasit të tretë. U vendosën në hotelin “Dy kontinentet”. Kishin më shumë bagazhe, sesa dhjetë udhëtarë të marrë së bashku. Bagazhe të varfra, trasta, valixhe të vjetra me lëkurë cjapi, pa harruar edhe një copë të madhe proshutë derri, që e varën menjëherë diku në dhomë.


Të gjitha përpjekjet për të kuptuar gjuhën e tyre rezultuan boshe. Madje, edhe pasaportat e tyre të lerosura lexoheshin me mjaft vështirësi. Më në fund, u arrit të zbulohej se ata ishin shqiptarë. Jarko, një jugosllav i punësuar si zhytës, bisedoi gjatë me ta. Por, a mori vesh ndonjë fjalë që dilte nga goja e tyre? E gjitha që mund të thoshte ai dhe kuptohej lehtësisht se ia mbyste kot, ishte fakti se ata prisnin dikë. Djalin e tyre? Do të mbërrinte nga Nju Jorku me tragetin “Ile-de-France”.

Për momentin, ata ishin të vetmuar dhe nuk kishin ndonjë njeri që të përkujdesej për ta. Dhe kështu, për tri javë rresht, sapo zbardhte drita, ata shkonin në port për të pritur një traget, herë gjerman, herë italian. Më pas ktheheshin në hotel duke njoftuar, sigurisht me shenja të dëshpëruara mohuese, se personi që prisnin, edhe atë radhë nuk mbërriti. Pjesën tjetër të ditës, gruaja e kalonte e zhytur në kolltukun e hollit të hotelit, ndërsa burri digjte një duhan me aromë të çuditshme në llullën e tij të gjatë e të skalitur.

Meqë çifti i pleqve nuk kishte paguar ende asnjë nga faturat e fjetjes dhe të ushqimit, pronarët e hotelit i kërkuan ndihmë policisë. Komisarit iu desh t’i shfletonte pasaportat kushedi sesa herë, por në fund nuk kuptoi asgjë. Dhe meqë në Sherburg nuk ka konsullatë të Shqipërisë, të gjithëve u vajti mendja t’i kërkonin ndihmë kapitenit Rej, një marinari tashmë në pension, por që e hiqte veten se merrte vesh nga të gjitha gjuhët e Ballkanit.

Kur erdhi ky, plaku hapi një portofol të lashtë me kënde prej bakri dhe nxori një copë letër. Ishte një çek dhjetë mijë dollarësh, shoqëruar edhe me një letër të djalit të tyre, Gjon Fulki. U kishte shkruar prindërve të tij që nga Nju Jorku, ku jetonte dhe ku kishte bërë para të madhe. Çekun ua kishte dërguar prindërve të tij, për t’u mundësuar udhëtimin dhe qëndrimin në Sherburg. Aty, ai do të vinte për t’i takuar dhe për t’i marrë në Amerikë, ku u kishte blerë një shtëpi në mal, që ata të kalonin pensionin si zotërinj. Por në bankë, drejtori i tha troç shqiptarit plak, se nuk mund ta pranonte çekun e Nju Jorkut. Djali i tij kishte harruar të kryente një formalitet të vogël. Mungonte një hollësi. Jarko i shoqëroi dy pleqtë në hotel.

Për të mos rrezikuar humbjen e gjithçkaje, pronarët pranuan që t’i mbanin edhe një natë tjetër. Fundja, nesër do të mbërrinte trageti “Paris”. Dhe nëse djali i tyre nuk do të ishte edhe aty, çiftit plak do t’u jepnin duart.

Të nesërmen, të dy pleqtë vrapuan për në mol. Në bordin e “Paris-it”, personeli i shërbimit ndodhej në lëvizje të pandërprerë dhe disa zotërinj vendosnin vula, që u jepnin udhëtarëve të drejtën për të zbritur në tokë. Papritmas u dëgjuan britma gëzimi nga të dy palët. Hamalli i hotelit “Dy kontinentet” fërkoi sytë nga habia. Të dy pleqtë, fare pranë urëzës së tragetit, kërcenin pupthi në një delir të vërtetë.

Makthi mori fund! Gjoni mbërriti! Një Gjon me pamje të jashtëzakonshme: fytyrëzbehtë, qimezi dhe i veshur “shik”. Ua la në dorë pasaportën dy burrave që shkëmbyen aty për aty shikimet dhe i kërkuan që të priste një çast. Më pas, e ftuan që të shkonte në barin e tragetit, ku e prisnin dy burra të tjerë, të cilët i bënë të ditur se ishte i arrestuar.

Tek zbriste nga trageti, Gjoni ishte me pranga në duar. Të shoqëruar nga dy burrat e drejtuan te një veturë. U dëgjua zhurma e derës që mbyllej dhe vetura u nis. Të dy pleqtë u kthyen në hotel, ku pak më vonë mbërriti numri i ri i “Farit të Sherburit”. Në faqe të parë, fotografia e Gjonit dhe një titull i madh anonçues: “Një gjah i bollshëm”.

Në artikull saktësohej se policia kishte mundur të arrestonte një ndër trafikantët kryesorë të heroinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pronarja e “Dy kontinenteve” urdhëroi hamallin që t’i nxirrte në rrugë bagazhet e dy pleqve. Por burrit të saj filloi t’i punojë mendja. “Një trafikant heroine… Këta tipa kanë mbrojtje dhe mbështetje lart… Edhe çeku dhjetë mijë dollarë ishte sigurisht i saktë… Xhanëm shpenzimet e këtyre dy pleqve nuk janë dhe aq të mëdha…”. Një buzëqeshje u përvijua në buzët e tij.

Ndërkohë dy pleqtë ndodheshin tashmë në trotuar dhe nuk po e kuptonin se ç’lajm tjetër të hidhur po vinte t’u kumtonte pronari. Ky i fundit u kërkoi ndjesë dhe i luti që të riktheheshin në hotel. “Ishte thjesht një keqkuptim”. E shoqëroi çiftin e pleqve në sallën e ngrënies, e cila po bëhej gati të mbyllej. Që nga aty i briti gruas së tij:

-Zhermenë! Shtro tryezën për Zotin dhe Zonjën Fulki!…/ABC NEWS

‘Paris-Midi’ – Kur Fan Noli i ankohej botës për kryeministrin grek Venizelos

“Paris-Midi” ka botuar, të dielën e 30 marsit 1919, në ballinë, një shkrim në lidhje me telegramin e presidentit të Federatës shqiptare “Vatra”, Fan Nolit, drejtuar, 100 vite më parë, lidërve më të fuqishëm botërorë, si arsye e pohimeve absurde të kryeministrit grek Venizelos, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :



Shqipëria dhe Greqia

Delegacioni shqiptar sapo ka marrë telegramin e mëposhtëm nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Vatrës :

Ju lutem t’i komunikoni Presidentit Wilson, Baronit Sonnino, Kryeministrave LIoyd George dhe Clemenceau, rezolutën e mëposhtme, e miratuar njëzëri, më 16 mars, nga Këshilli i Shenjtë i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës dhe nënshkruar nga Kryepeshkopi rus Aleksandër, nga klerikët shqiptarë dhe 124 delegatë, ortodoksë nga Shqipëria e Jugut, që aktualisht banojnë në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë :

Të nënshkruarit priftërinj dhe laikë, përfaqësues të 52 komuniteteve dhe kishave të shenjta ortodokse shqiptare (këtu emrat e këtyre komuniteteve) dhe përfaqësuesit e Kishës rumune, të gjithë me origjinë nga Shqipëria e Jugut, u mblodhën nën presidencën e hirësisë së tij, kryepeshkopit rus të Amerikës së Veriut, Aleksandër, për të zgjedhur një peshkop ortodoks shqiptar, protestojnë me indinjatë kundër pohimeve absurde të Z. Venizelos, sipas të cilave ortodoksët shqiptarë të Shqipërisë së Jugut dëshirojnë bashkimin e tyre me Greqinë.

Ne, të krishterët ortodoksë shqiptarë, shërbëtorë besnikë të Kishës së Krishtit, i bëjmë thirrje Shkëlqesisë tuaj, në Konferencën e Paqes, me qëllim që të fitojmë restaurimin e pavarësisë shqiptare dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve ortodoksë, myslimanë dhe katolikë, nën flamurin e ushtarit të famshëm të Krishtit Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe formimin e një qeverie kombëtare me kufijtë etnikë të Shqipërisë duke përfshirë Çamërinë, Kosovën, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga delegatët e qeverisë së përkohshme shqiptare .

Nënshkruar nga 120 delegatë laikë, emrat e të cilëve pasojnë sipas alfabetit.

Tmerri në birucat e izolimit – Si u dënua 24-vjeçarja, mikesha e Musine Kokalarit

“Bëmë grevë urie kur e transferuan Musine Kokalarin në burgun e Burrelit.. 11 ditë nuk hëngrëm as pimë… por ata na çuan në birucat e izolimit…”

Nurie Koculi është një ndër vajzat e para shqiptare që njohu agresionin komunist nëpër qelitë e errëta të diktaturës komuniste. Ishte vetëm 24 vjeç kur u dënua me burg si “armike e popullit”. Ishte mikeshë me Musine Kokalarin dhe kjo do të ishte edhe një ndër akuzat për të cilat do të dënohej me pesë vite burg. E kishte njohur Musinenë në vitin 1943 tek libraria. Nuria mbante korespondencë edhe me Isuf Luzajn, një ndër emrat e shquar shqiptare në fushën e filozofisë, gjithashtu i shpallur si “armik i popullit”. Nurija do të dënohej edhe si lexuese dhe shpërndarëse e gazetës “Zeri i Lirisë”. Kur e arrestuan në vitin 1946, Nuria gjeti në qeli të tjera vazja e gra intelektuale të shquara si Musine Kokalari, Merita Sokoli Tezha, Erifili Bezhani, Rita Koçi, Diti Biçaku, Frida Sadedini e të tjera.
Nurie Koculi ka ndërruar jetë prej disa vitesh, por kujtimet e saj vijnë në kujto.al falë kontributit të së bijës, Almira Myzyri.

Më poshtë botohet e plotë dëshmia e sjellë në kujto.al nga Almira, siç i ka rrëfyer e ëma Nurie Koculi. Në pak rreshta vijnë disa momente pikante të jetës së vështirë të së ëmës bashkë me dosjen e diktaturës ku shënohen arsyet e dënimit të Nurie Koculit.

Almira Myzyri: Ç’më rrëfeu nëna ime për qelitë e diktaturës

“Na nxorën nga shtëpia tek Shallvaret dhe morëm një dhomë në Tiranë të Re. Mbas ca ditësh e arrestuan vëllanë tim Kujtimin e mbetëm ne të dyja vetëm, unë dhe mamaja.
Në dhjetor të ’46-ës më arrestuan dhe mua. Mbeti mëma vetëm. Atë e lajmëruan të ikë nga Tirana. Ku të vente ajo e shkreta? Vajti në fshat, por shtëpinë e kishin bërë zyra. Mëmën e futen bashkë me bagëtitë në një stallë, i dhanë 20 rrënjë ullinj nga ata që ju ishin sekuestruar. Kur mundej vinte të na shihte në burg. Kujtimi ishte në Kampet e Korçës në Maliq e unë në Tiranë, në burgun e vjetër.
Burgu i vjetër
Ishin 4 dhoma: në dy prej tyre rrinin ordineret, në dy të tjerat rrinim ne gratë e arrestuara për politikë. Të gjitha bashkë në atë vënd të ngushtë, ku secila kishte vetëm 30 cm hapësirë.
Çdo muaj vinte një kontroll për ne, na shqepnin dyshekët, na merrnin librat, letrat, lapsat, e ç’tu mbushej mendja. Na izolonin: na mbyllnin derën dhe vetëm në mëngjes e në mbrëmje shkonim në banjë e mbushnim ujë në një çezëm në oborr për tu larë e për të pirë. Dy herë në ditë na binin një kazan me supë, ujë me dy kokrra oriz ose makarona dhe një copë bukë, herë misri, herë gruri. Ne nuk hapnim gojën se spiunët na raportonin se flasnim për politikë.


Në grevë urie për Musine Kokalarin
Kur morën Musinenë për në Burrel unë, Qefsere Bega dhe Merita Sokoli bëmë grevën e urisë. 11 ditë as bukë, as ujë. Na mbyllën në dhomën e vogël. Të 11 ditët na çuan në birucat e burgut. Mua me ra të fikët, pastaj na kthyen në burg si më parë. Qefseres i vinte familja. Mua me vinin motrat e Osman Kazazit. Me sillnin ndonjë triko dhe ndonjë lek.
Abaja (Refija) ishte në Kocul, por kur vinte sillte ushqime. Me erdhën një herë dhe Drita Koculi e Shyqyrit me të shoqin Sybiun. Sa ishin martuar. Veledini vinte, por i thashë mos hajde, nuk është mirë për ty të vish në burg. Motrat e Osmanit vinin në çdo takim. Mëma ku të shkonte më parë. Dolëm të gjallë, por çdo të bënim pa punë.
Kujtimin e futën prapë në burg e dënuan 10 vjet sepse nuk kishte denoncuar. Avokati në gjyq tha për këtë akuzë në Rusi maksimumi dënojnë 3 vjet. Prokurori tha: është i biri i Qazim Koculit dhe ka qenë edhe një herë tjetër ne burg”.

PRETENCA
E pandehura Nurije Koculi gjate okupacionit gjerman në lidhje me Partinë Social Demokrate duke marr udhëzime nga krimineli i luftës Isuf Luzaj dhe Musine Kokalari. Gjate asaj kohe ka propaganduar kundër lëvizjes nacional-çlirimtare dhe ka ndihmuar okupatorin. Ka shpërndarë gazetën Zëri i Lirisë – organ i Partinë Social Demokrate, e cila villte vrer kundër rezistencës së popullit shqiptar. Një pjesë e gazetave të asaj kohe ju gjetën të fshehura në shtëpi në një shishe. Kjo vërteton akoma më shumë qenien e saj në Partinë Social Demokrate dhe aktivitetin e saj dhe bindjen e saj ndaj asaj partie.
Mbas çlirimit të Shqipërisë është munduar të mbajë gjallë frymën e Partisë Social Demokrate në rrethet e saj të ngushta në lidhje përsëri me Musine Kokalarin. Ka propaganduar dhe axhituar kundër pushtetit me elemente si Reshat Beqiri, Reshat Aga e të tjerë, ku ka pasur dijeni për grupet klandestine që kishin si objektiv rrëzimin e pushtetit me violencë. Gjatë zhvillimit të gjyqit ka thënë se do të dalë në opozitë dhe interesimi i saj mbi qëndrimin e Gjergj Kokoshit gjatë seancave të ndryshme të Asemblesë dalin qartë lidhjet e ngushta që ka pasur pas çlirimit me Musine Kokalarin dhe me të burgosurin Reshat Beqiri.
Ka organizuar mbledhje të ndryshme me gra me karakter kundra pushtetit popullor duke paraqitur situatën se “shpejt do të ndryshonte nga një ndërhyrje e jashtme”, të cilat parulla i organizonte me Reshat Agën dhe Musine Kokalarin e shokë. Këtë e tregon edhe takimi me Vake Kreshpanin, të cilën edhe se nuk e njihte i ishte drejtuar të pandehurës me rekomandim nga Vlora, ku e pandehura ka dhënë udhëzime për të punuar me gratë reaksionare të Vlorës.
Ka lajmëruar armikun e popullit Napoleon Tasi që të ruhej se survejohej se kishte parë dy civile rrugës. Kjo vërteton se lidhjet që ka e pandehura se ka treguar interesim që të ruhesh e të mos kapesh me dokumente në flagrancë. Domethënë që e pandehura ka pasur dijeni dhe lidhje… që kryente kundër pushtetit.
Ka pasur lidhje me Sanie Dokon ku bashkë me këtë kanë propaganduar me axhitacion kundër pushtetit popullor dhe Reformave Ekonomike dhe ka nxitur gratë e tjera për tu larguar nga fronti dhe për të treguar urrejtje ndaj pushtetit duke i këshilluar të mos shkojnë në konferenca e në punë vullnetare. Ka marre trakte nga Sanie Doko e cila villte vrer kundër pushtetit e Partisë Komuniste dhe gjyqeve të popullit. Në lidhje me të dënuarit ku bashkë me ta edhe i vëllai i dënuar për veprimtari kundër pushtetit, të cilës ju gjetën të fshehura në një shishe 5 kopje të gazetës Zëri i Lirisë të Partise Social Demokrate. Pretendimi i të pandehurës se i mbante si koleksion është krejt absurd, sepse në rast të tillë nuk do t ‘i mbante në shishe po në bibliotekë ose vend të dukshëm. Kjo forcon akoma më shumë bindjen dhe besimin që ka pasur e pandehura ndaj Partisë Social Demokrate. Mbasi fajsia e saj parashikohet prej nenit 3 paragrafi 4 dhe nenit 8 te ligjit 372 te 12.XII. 946. Kërkoj të vendoset dënimi i të pandehurës në bazë të nenit 4 dhe nenit 8 paragrafi i parë 5 vjet provim lirije dhe punë të detyrueshme baraz me periudhën e ndëshkimit.
Tirane 24 IV 947
ND. PROKURORI USHTARAK
KAPITEN FAIK MINAROLLI.

Gjykata
Pasi studioi proces verbalin e ardhur nga sektori i Sigurimit të shtetit Tiranë;
pas dëgjoi apologjinë e të pandehurve; pas dëgjoi pretencën e prokurorit që për arsyet e treguara kërkon të pandehurit të deklarohen fajtor të neneve 4 dhe 8 te ligjit nr 3712 dhe 14 të ligjit nr. 382 kërkoi dënimin e Nurije Koculi me 5 vjet mohim lirie.

Pasi dëgjoi mbrojtimin e asistuesit të mbrojtjes z Aristidh Totozani që kërkoi që përfaqësuesja e tij të ndëshkohet me një dënim kondicionel; pasi dëgjoi fjalën e fundit të së pandehurve që “trupi gjykues të tregohej i mëshirshëm ndaj ndëshkimit të tyre”;
pasi studjoi gjithë aktet e dosjes e procesverbalit e rrjedhimin e gjykimit
OBSERVON
Se e pandehura Nurije Koculi:
Merr pjesë në mbledhje, shpërndan trakte dhe broshura ku villet vrer kundër lëvizjes NC-CL dhe ndihmohet okupatori nëe vendin tonë. E pandehura duke qenë armike e betuar e lëvizjes Nacional Çlirimtare gjatë okupacionit fillon aktivitetin kundër Pushtetit Popullor edhe mbas clirimit te Shqipërisë në bashkëpunim me armiqtë e popullit bashkëpunëtorë gjatë okupacionit Musine Kokalarin, Reshat Beqiri, Reshat Aga , etj duke propaganduar dhe axhituar kundër pushtetit popullor dhe reformave ekonomike.
Merr pjese së bashku me Musine Kokalarin në organizatën social demokrate kundër pushtetit popullor në bashkëpunim me kriminelët e arratisur dhe armiqtë e popullit dhe nga nje ndërhyrje nga jashtë.
Bën një sërë takimesh dhe mbledhjesh kundër pushtetit popullor duke shtuar në këtë mënyrë aktiviteti e saj kundër pushtetit. Duke qenë mike e ngushtë e armikut të dënuar Napoleon Tasit, i cili për aktivitetn e tij kundër pushtetit po survejohesh, e pandehura e këshillon të ruhej nga organet e sigurimit.
Se bashku me Vake Kreshtani, e cila ishte rekomanduar tek e pandehura për të ndërlidhur Grupet e grave kundërshtare të pushtetit të popullor të Vlorës e Tiranës diskutojnë se bashku mbi aktivitetin që kanë treguar këto në Vlorë dhe në Tiranë, udhëzon Vake Kreshtanin për punën që duhet të kryente në Vlorë kundër pushtetit popullor.
Mban korrespondencën me të arrestuarin Reshat Beqiri sa ky ishte në hetuesi me anën e Rustem Gaçit dhe letra të tjera të nxjerra nga burgu, ku i dënuari njofton të pandehurën mbi hetimet dhe pyetjet që i bëhen në këtë mënyrë njofton të për të mbrojtur bashkëpunëtoret që akoma ndodheshin pa arrestuar dhe qëndrimi që duhesh mbajtur karshi organeve të sigurimit.
Mban të fshehur gazetat qe vjedhshin vrer kundër lëvizjes NCLÇ e gjatë okupacionit Zëri i Lirisë dhe si për tu siguruar nga mo gjetja dhe për tu ruajtur, sic tha vetë e pandehura, i futi në një shishe. Ka marrë trakte nga Sanie Doko e cila villte vrer kundër pushtetit e Partisë Komuniste dhe gjyqeve të popullit.

Diskuton me familjet e kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit si Reshat Agën kundër pushtetit popullor duke propaganduar dhe axhituar lajmet e radiove të huaja në favor të reaksionit të jashtëm dhe ndrrimin e situatës në bashkëpunim me kriminelët e arratisur nga një ndërhyrje jashtë vendit tonë.
Para se të zbulohet Grupi i Sami Qeribashit me shokë e pandehura diskuton me armiken e popullit Musine Kokalari mbi grupet e organizuara kundër pushtetit, në të cilat grupe ish si bashkëpunëtor dhe i dënuari armik i popullit Gjergj Kokoshi…

Në emër te popullit shqiptar
Gjykata ushtarake e Garnizonit të Tiranës e formuar nga
ZV KRYETAR KAPITEN NJAZI MEKA
ANETAR Z/TOGER VASIL KAPAJANI
ANTAR APIRANT VEHIP UJANIKU
Duke u ndodhur dhe Prokurori i Garnizonit te Tiranes kapiten Faik Minarolli nën asistencën e Sekretarit reshter Arqile Mihaili

VENDOSI
Fajsimin e të pandehurve dhe ndëshkimin e tyre si vijon:
Nurije Koculi me 5 vjet privim lirije punë të detyrueshme dhe humbjen e të drejtave civile për 2 vjet.
Vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.
Të gjithë të dënuarve ju ngarkohet shpenzimet gjyqësore
Ky vendim u deklarua ne 25.IV.1947
/kujto.al

FOTOT – Si pushonin britanikët në Shqipëri në vitet ’80! Roli i “Regent Holidays UK” dhe frika nga “agjentët e fshehur” mes turistëve

Turizmi para viteve ’90 nuk është konsideruar një degë prioritare për ekonominë. Megjithatë kishte një infrastrukturë të posaçme që ishte ngritur për aktivitetin turistik.

Në atë periudhë, të huajt nuk mund të vinin individualisht në Shqipëri por vetëm përmes organizimit të grupeve nga agjencitë që kishin marrëveshje me ndërmarrjen shtetërore Albturist.

Në vitet ’80, në Shqipëri vinin edhe turistë nga Britania e Madhe, pavarësisht se dy vendet nuk kishin marrëdhënie diplomatike miqësore. Për këtë qëllim, një kompani turistike britanike kishte lidhur një  marrëveshje me Albturist dhe çdo vit sillte në Shqipëri të paktën 10 grupe turistësh.

Në vitin 1982, grupit të turistëve britanikë në Shqipëri iu bashkëngjit edhe Philip Ward, një shkrimtar udhëtimesh që kishte jetuar në vitet ’60 në Libi, për të vijuar më pas eksperiencat e tij në Egjipt, Maltë e Indonezi.

Ai ka botuar një serë librash udhëtimi për Libanin, Iranin, Qipron, Irlandën etj. E në fakt, një vit pas pushimeve në Shqipëri, në vitin 1983 ai do të publikonte në Londër  një libër me 166 faqe që në thelb përbën edhe një nga guidat e para turistike të huaja për Shqipëri që prej Luftës së Dytë Botërore.

Në botimin e tij, Ward tregohet një vëzhgues i hollë i realitetit të atyre viteve në Shqipëri, por që e pasuron me informacione të shumta të karakterit historik e kulturor me qëllim që të jetë një guidë e plotë.

Në parathënien e guidës dhe rrëfimit të tij, Ward vendos theksin në faktin se informacioni i publikuar është i balancuar dhe se nuk ka asnjë qëllim tjetër të fshehur me këtë publikim, përveçse informimin e lexuesve dhe të interesuarve për një vend si Shqipëria që emërtohej nga ata si “Tibeti i Europës” për shkak të refuzimit për t’u hapur ndaj turistëve të huaj.

Koha e kaluar në Shqipëri mund të konsiderohet më shumë si një aventurë sesa si një pushim… Kjo guidë është hartuar nga një britanik që s’ka qëllim as të kritikojë e as të mbështesë. Është shkruar me një mendje të pavarur, nga një që dëshiron të shohë përtej perdes së Adriatikut” shkruhet në parathënien e botimit të 1983.

Përshtypjet personale: Shqipëria dhe frika nga “agjentët e fshehur” mes turistëve

Autori, ndër të tjera, e përcakton Shqipërinë si “një shtet ku askush nuk është i papunë dhe askush nuk është i pasur”. Ai evidenton se aksidentet rrugore janë virtualisht të panjohura sepse ka aq pak automjete dhe për faktin se askush nuk mund të ketë në pronësi private një makinë dhe se janë shumë plazhe të bukura që nuk mund të mbipopullohen sepse ka pamjaftueshmëri hotelesh.

Unë e vizitova Shqipërinë në periudhën maj-qershor 1982 si një anëtar anonim i një turi të zakonshëm dhe nuk m’u dha asnjë privilegj i asnjë lloji dhe të gjitha i pagova vetë pa kërkuar ndere.  Kompania “Regent Holiday UK” ofron të njëjtat lehtësi dhe nëse ke ndonjë interes të veçantë duhet ta kërkosh përpara te agjencia me qëllim që Albturist të organizojë një vizitë në shkollë apo fabrika, studio artisti apo kooperativë bujqësore.

Grupi ynë vizitoi një fabrikë tekstile, një kopësht fëmijësh, një fermë shtetërore në qendër dhe në jug të vendit dhe një librari publike, shfaqje filmi, takim me një gjyqtar dhe një takim me një poet dhe kryeredaktorin e DRITA-s, gazetës kulturore javore” shkruan Ward.

Ndër të tjera, në botimin e tij Ward jep informacione për eksperiencat ku vlerëson pozitivisht organizimin, ambientin që ka Shqipëria, mënyrën e mikpritjes, historinë  e megjithatë nuk lë mënjanë disa rezerva por që lidheshin me politikën e kohës.

Autoritetet shqiptare janë të bindura se çdo grup turistësh fsheh brenda tij një agjent të fshehtë të CIA-s, KGB-së MI5 ose British and Foreign Bible Society.  Kompania “Regent” na kishte paralajmëruar frikën e Shqipërisë. Qytetarët amerikanë nuk lejohet të hyjnë dhe as personat e punësuar si gazetarë.

Asnjë mashkull me flokë të gjatë ose mjekër të plotë nuk do të lejohej në vend. Nëse autoritetet nuk janë të kënaqura, flokët mund të priteshin nga berberi në mbërritje.

Nuk kishte askund një vend ku të këmbeje para dhe ishte e ndaluar që të importoje lekë. Punonjësja e Albturistit, Flora na mirëpriti dhe na kërkoi që t’i bindeshin dy ndalimeve: Jo fotografim ndërtesave ushtarake, porteve apo bunkerëve dhe asnjërit me uniformë ushtarake. Në fakt, unë isha udhëzuar që të mos i bëja foto askujt pa i marrë më parë leje” shkruan ai.

Në këtë mënyrë, nis ajo që Ward e konsideron si aventurë, të cilën e përshkruan gjatë në dhe mënyrë të detajuar në secilën etapë të turit në Shqipëri.

Në fund të botimit të tij, ai jep edhe disa informacione të dobishme për ata që duan të vizitojnë Shqipërinë, duke nisur nga mënyra sesi mund të vijnë në Shqipëri, akomodimi, hotelet më të preferuara, çmimet, kursi i këmbimit por edhe disa sjellje që duhen pasur kujdes.

Kur duhet të vish në Shqipëri?

Ata që duan të eksplorojnë vende të reja për dije, bukuri dhe kënaqësi, mund të preferojnë pranverën (prill-maj) ose vjeshtën (tetor-nëntor) për të vizituar Shqipërinë. Ateistët mund të shijojnë një periudhë jo Krishtlindje këtu, ndërsa ata që janë në kërkim të plazhit me çmimet e paraluftës mund të qendrojnë në Durrës në qershor, korrik e gusht, me kalim edhe në Sarandë e Butrint. Malet janë për t’u vizituar nga prilli në tetor” rekomandohet në guidë.

Linja e munguar ajrore dhe alternativa e “Pakistani Airlines” nga Parisi

Rruga që duhej të ndiqte një britanik për të vizituar në Shqipëri ishte ajo përmes kufirit tokësor nga Jugosllavia për në Shkodër. “Do të ishte kënaqësi të ishte mundur që të fluturohej direkt në Tiranë ose të lundroje nga Korfuzi në Sarandë. Por deri kur autoritetet të lejojnë hyrjen e lirë në vend, përfshirë vizën individuale,hiking e kamping, një leje për të marrë makinë personale dhe për të lejuar krocerat mesdhetare që të ndalen në Durrës, duhet vetëm që t’i përshtatesh rezervimit dhe organizimit të “Regent Holidays”” vijon udhëzimi në guidë.

Sa i përket rrugës ajrore për të mbërritur në Shqipëri, autori jep disa konstatime e rekomandime.

Marrëdhëniet diplomatike mes Francës dhe Shqipërisë janë më miqësore sesa ato mes Britanisë dhe Shqipërisë, ndaj nëse flet frëngjisht mund të preferosh të udhëtosh me linjën direkte Paris-Tiranë që ofrohet nga “Pakistani International Airlines” dhe një fluturim direkt Romë-Tiranë një herë në javë nga Alitalia dhe Romë-Tiranë-Bukuresht nga Tarom. Ka gjithashtu edhe tre fluturime direkte në javë nga Tirana në Beograd” vijon guida.

Kohazgjatja dhe kostoja e paketës së pushimeve në Shqipëri. 18 lekë për një vizitë në fermë!

Kompania britanike që operonte me Shqipërinë në ato vite  ofronte ture duke nisur nga prilli deri në janar. Turi më i shkurtër ishte 10 ditor dhe në vitin 1982 paketa për këtë kohëzgjatje varionte nga 265 deri në 275 paund.

Dy ture verore bazohen në Durrës dhe kushtojnë 280 paund për 13 ditë dhe 305 paund për 17 ditë. Padyshim më të vlefshme janë dy turet e përgjithshme që zgjasin 2 javë në qershor dhe shtator dhe që kushtojnë 350 paund. Një dhomë teke kushton 2.70 paund për natë përgjatë sezonit dhe 23.50 paund për natë mes 28 korrikut dhe 28 shtatorit” shkruhej në guidë.

Itineraret ishin të paracaktuara nga Albturist ndaj dhe guida përmban një listë me turet që ofroheshin dhe çmimet e tyre. Turi në kampin e pionerëve në Durrës kushtonte 6 lekë ndërsa një vizitë në fermat e shtetit kushtonte 18 lekë. (*lista mëposhtë)

Hotelet dhe restorantet që vlerësoheshin si më të mirë e ata më të këqinj

Grupet e turistëve britanikë që vizitonin Shqipërinë përgjithësisht akomodoheshin në Hotel Tirana apo siç njihej ndryshe “15 katëshi”. Autori vlerëson lart kushte që ofronte ky hotel i pozicionuar në qendër të qytetit ndërsa evidenton se çdo dhomë kishte banjo dhe dush.

Si alternativë të dytë në kryeqytet, autori ka vendosur Hotel Dajtin, i ndërtuar nga italianët.

Në Durrës mund të jesh me fat dhe të qendrosh në hotel Adriatiku por gjatë pikut të verës është e zakonshme për grupet që të qëndrojnë te Apollonia, Durrësi ose Butrinti që janë një shkallë më poshtë. Vizitorët zakonisht vlerësojnë Hotel Çajupin në Gjirokastër, Tomorin në Berat dhe Butrinti në Sarandë si të një niveli të mirë dhe Rozafati në Shkodër, Skampa në Elbasan e Apollonia në Fier si më pak të preferueshme por që duhet theksuar se nuk ka zgjidhje tjetër” shkruhet në raport.

Turistët e huaj, në këtë guidë këshilloheshin që të tregonin kujdes me atë që hidhnin në koshin e mbeturinave apo atë që linin pas, për faktin se “pasi ju të lini dhomën e të dilni, një kërkim sistematik  bëhet në dhomën tuaj për t’u siguruar se nuk keni lënë pas asgjë”.

Menuja dhe çmimet e restoranteve

Guida për turistët e huaj përmbante gjithashtu edhe menunë që ofronin restorantet (Hotel Butrinti në Sarandë 1982), peshën në gramë të ushqimeve dhe çmimet e tyre.

Porositë: Mos lër bakshish në lekë, mos merr libra fetare e shpenzo të gjitha lekët

Autori i këshillon ata që duan të vizitojnë Shqipërinë që të mos marrin me vete ndonjë libër fetar, si bible apo kurani, që e kanë për përdorim personal pasi vendi është ateist e kjo mund të sjellë jo vetëm konfiskimin e tyre por edhe deportimin e menjëhershëm. Po ashtu, ai këshillon që të bëhet kujdes me librat e revistat që mund të konsiderohen si ofenduese nga autoritetet shqiptare.

Në listën e gjatë të këshillave, grave e vajzave u këshillohet që të mos marrin minifunde apo fustane “madhështore” pasi mund t’u kërkohet që të ndërrohen, ndërsa burrave e djemve që të mos mbajnë flokë e mjekër të gjatë pasi mund t’u kërkohet të shkojnë te berberi.

Mos provo të importosh apo eksportosh lekë shqiptare. Çdo para e vogël për këmbim që të ka mbetur mund të shpenzosh në pije, cigare, shkrepësa ose dhurata në Shkodër. Sasi të mëdha lekësh duhet të këmbehen në Tiranë ose Durrës në ditën e fundit para nisjes. Disa dyqane hotelesh pranojnë vetëm lekë dhe disa të tjera valutë të huaj. Aktualisht 1 paund është i barabartë me 12.5 lekë. Me lër bakshish në para. Mund të qerasësh me cigare shoferin ose me ndonjë libër apo çorape korrierin” këshillohet gjithashtu në guidë.

Guida, që i kushton një rëndësi të veçantë potencialit turistik që ofronte Shqipëria, plazheve,  monumenteve të kulturës, historisë e pasur etj, u ripublikua edhe dy herë të tjera, në vitin 1985 dhe 1987 në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ Kreshnik KUÇAJ/SCAN

“M’u hodh në gjoks si gjarpër i keq”, zbardhen letrat denoncuese për drejtuesit në komunizëm, kërkonin favore seksuale ndaj vartëseve dhe…

Për të gjithë ata që ngrinin pikëpyetje të kota duke thënë se në burgje, për shkak të frikës o arsyesh të tjera, nuk kryheshin abuzime e përdhunime, dokumentet e Arkivit të Shtetit tregojnë të vërtetën. Jo se nuk ishin besuar ata njerëz që kanë jetuar nëpër burgje si të burgosur dhe disa gjëra i kanë parë me sytë e tyre, por se dokumentet janë gjithnjë më të besueshëm.

Të rrish me orë e ditë të tëra në arkiv, raste si këto të mëposhtmet do të gjesh pa fund. Mund të ketë edhe më të rënda se kaq, por kemi shkëputur një prej tyre. Rasti i Lika Panajotit, dëshmia e saj, tregon më së miri se disa prej bashkëkohësve, vetëm të vërtetën që nuk thonë.

Dëshmi reale, përveç dokumenteve, sot nuk është e mundur të gjenden për shkak të viteve që kanë kaluar, por deri në histori të tjera që mund të dalin prej Arkivit të Shtetit, lexoni këto…

Komitetit Qendror të P.K. Shqiptare

(Organizatës së Inspektimit, Tiranë)

Bashkëngjitur iu dërgojmë një deklaratë të lëshuar nga e burgosura Lika Panajoti, e cila gjendet në burgun e sektorit të Punëve të Brendshme të rrethit tonë. (E burgosura nuk është anëtare partie).

Kjo deklaratë lëshohet kundër shefit të seksionit të Punëve të Brendshme, Miftar Nexhipit, i cili është edhe anëtar i Komitetit të Partisë. Shoku Miftar para të burgosurës është treguar njeri pa karakter. Këtë e vërteton jo vetëm deklarata e lëshuar nga vetë e interesuara, që ka dy muaj që provokohet prej Miftarit, por kjo i ka rënë në sy edhe sekretarit të celulës, ka rënë në sy të Sigurimit, shokut Hilo Priftit, anëtar partie, ka rënë në sy të shefit të Punëve të Brendshme, Nikollaq Vangjelit, dhe të dy policëve që janë korrierë të seksionit.

Këto provokime prej Miftarit kundrejt të burgosurës paskan filluar qysh më 1 maj 1948 dhe akoma vazhdojnë të bëhen ende sot. Këtë e ka parë vetë me sytë e tij sekretari i celulës, zv.shef i Sigurimit, Mane Sinani, dhe gjithë shokët e tjerë që thamë më lart japin prova për këto provokime. Nga ana e Sinanit, ky proces i është dërguar personalisht nënkolonelit Vaskë Koleci, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, për të marrë masat e duhura qysh me datë 13 qershor 1948 dhe akoma përgjigjja s’ka ardhur.

Komiteti i Partisë këtë gjë e mësoi në datë 24 qershor nga një letër që e burgosura ia lëshonte Toto Kalemit, kryetarit të Komitetit Ekzekutiv dhe anëtar i Komitetit të Partisë. Ajo i tregonte për gjërat që kishin ndodhur dhe i kërkonte ndihmë.

Kur Komiteti i Partisë e thirri Mane Spahiun, ku, përveç se kishte kopjen e procesverbalit të cilën po jua dërgojmë, shton duke thënë: nuk ia kam thënë partisë deri sot, për arsye se kam shkruar nga ana e kanalit zyrtar dhe për të mos u bërë alarm ia kam bërë personalisht Vaskë Kolecit.

Kjo çështje shokut Miftar, akoma nuk i është vënë në dukje nga ana e Komitetit të Partisë (ndërkaq ai vazhdon punën e tij). Nuk ia kam vënë në dukje, duke menduar se do të jetë më mirë t’u bëjmë të ditur ju dhe më pas si ta shihni ju të arsyeshme, mbasi çështja e shokut Miftar ka edhe çështje të tjera, gjë që e di edhe shoku Mithi Vjerc, i cili ka biseduar me dy sekretarët e këtij komiteti dhe mbasi mori aprovimin tonë, tha: “Miftarit mos ia thonë në Komitet, mjafton me kaq! Ne mbasi të bisedojmë edhe një herë, do t’ju përgjigjemi. Këto kanë qenë arsyet që ne nuk ju kemi thënë”.

Shtojmë se shoku Miftar para 3 muaj e gjysmë, kur shkonte me anëtaren e partisë Refiti Demën, i ka bërë një provokim. Këta shkuan për punët e partisë në lokalitetin Roskovec. Kur iu vu në dukje, shoku Miftar i tha Komitetit “unë s’e pata me qëllim, por ajo nuk di shaka”. Tani, kohët e fundit, na del që Miftari, kur ishte shoqja Gjena Bele, nëpunëse në sekretarinë e Punëve të Brendshme (sot, e përjashtuar si kandidate) e ka provokuar, por pasi ajo nuk pranoi, e hoqi nga puna (kjo çështja e Gjenës nuk ka qenë shumë e kontrolluar).

Lutemi mbasi ta merrni në studim, na tregoni mënyrën e veprimit, mundësisht sa më shpejt se mos dekonspirohet nga korrierët e seksionit dhe ne dyshojmë se mos shoku Miftar mund të bëjë ndonjë gjë kundrejt të burgosurës për të mbyllur gabimet e tij.

Ne propozojmë se për t’u parë në vende nga ana e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të dërgohet një i deleguar.

Shënim: Lika është dënuar përpara muajit prill. Nga ana e moralit ka qëndrime të mira.

P.K. Partisë së Rrethit Fier

Sekretari politik

Lili Bele

Deklaratë:

E nënshkruara Lika Panajoti, lindur dhe banuese në këtë qytet, kam qenë në punishten e furrës speciale të këtij qyteti dhe më datë 5.4.1948 për abuzime detyre, kam rënë në burgun e policisë së këtushme duke marrë dënimin prej gjyqit me gjashtë muaj.

Gjatë kësaj periudhe që qëndroj në burg, jam provokuar nga shefi i këtij seksioni, shoku toger Miftar Nexhipi, si kam deklaruar më poshtë…

Jam e martuar me Koli Panajotin dhe kam tre fëmijë, ndër të cilët, një vajzë të rritur. Dënimi im është i lehtë dhe mund të lëviz lirisht në mjediset e policisë ku merrem me pastrimin e dhomave, e veçanërisht të zyrës së shefit të Seksionit të Punëve të Brendshme, komunistit Miftar Nexhipi.

Ai përfiton nga rasti dhe më kërkon atë punë, por jo në zyrën e tij. Ai arrin të më puthë disa herë dhe të më shtrëngojë pas trupit. Ndërkohë, im shoq i ka bërë një kërkesë Prokurorisë së Vlorës që të diktojnë çështjen dhe të më lirojnë.

Ajo kërkesë duhej firmosur, gjë që nuk është bërë ende. Me këtë rast, janë shtuar provokimet e shefit, si kusht për lirimin tim. Më thotë se më ka dashur që kur isha jashtë dhe se vazhdon të më dojë, pavarësisht se jam e martuar. Unë i jam përgjigjur se e dua gjithashtu, por se duhet të ruheshim nga policët se mos ndodh ndonjë skandal.

Ai betohet për ideal se e ka seriozisht. Kjo situatë përsëritet përditë, sa herë shkoj për pastrim në zyrën e tij, ngacmimet vazhdojnë me kapje e puthje. Por gjithmonë i kërkoja të më lironte për ta vazhduar këtë punë jashtë. Në atë seksion punonte edhe një kushëri i imi si oficer i Sigurimit.

E bisedova çështjen me të, por mendimi i tij ishte se mos shefi donte të provonte ndershmërinë time dhe nuk kishte qëllime për vete. Megjithatë, ai premtoi se do ta bisedonte edhe me zv.shefin, Mane Sinanin. Ky e thirri në zyrën e tij dhe i kërkoi shpjegime, por pasi e dëgjoi i pati thënë se këto janë fatet e njeriut, por unë të mos mërzitesha, të vazhdoja me disa premtime të vogla deri sa të kuptonin më mirë punën.

Mbas disa ditësh, nga dritarja e hapur e zyrës së shefit, zëvendësi i tij Mane Sinani, na pa të përqafuar. Por edhe pas kësaj skeme dashurie, Mane nuk e bëri problem këtë çështje. Më pasi kërkova të largohesha 2-3 ditë në shtëpi, të më ndihmonte, por më tha se nuk kishte mundësi pasi nuk donin shokët.

E pyeta kush nuk donte, Mania? Nëse ishte ai, mund t’i kërkoja leje vetë… Ai mendonte se ishte gabim t’i thosha, por nëse ai pranonte, më kujtoi të mbaja fjalën. I thashë se bënte gabim që mendonte kështu dhe për të qenë e besueshme, i thashë të vinte në dhomën time të mbaronte qëllimet e tij.

Më tha se kishte frikë nga policët, por po të doja, mund të rrinim në zyrën e tij. Por në zyrë nuk bëhen të tilla gjëra, iu përgjigja. Më përsëriti se më ka dashur që jashtë, por se i ka ardhur zor të më thotë. U tregova e çuditur dhe vijova t’i them se do kishte qenë më mirë të më kishte thënë që jashtë, sepse ashtu unë nuk do të kisha rënë në burg.

Kështu gjërat vazhdonin çdo ditë, por në datën 12.6.1948 u përkeqësuan, pasi shkova për pastrim dhe ai më thotë se nuk do më ndahet pa më puthur, të bëhej ç’të bëhej. I them se do të na shihnin nëpunësit dhe do na merrte dreqi të dyve, por ai si i tërbuar m’u hodh në gjoks si gjarpër i keq, ndërsa unë e shtyja dhe po përpiqesha të dilja përjashta.

Ai i vuri krahët derës dhe unë s’kisha nga të dilja, përveçse nga dritarja. Por ai më afrohet, më zë prej trupi duke më tërhequr pas vetes. Thashë se do bërtisja, por ai vazhdonte se do ta arrinte qëllimin. I thashë edhe një herë se mund ta vazhdonim jashtë, nëse më lejonte të dilja, madje se mund të vazhdonim gjithë jetën.

Për sa deklaroj më sipër, ju siguroj se janë të gjitha të vërteta dhe ato që deklaroj i bën me qëllime të caktuara, se kërkon të përulë elementët e pushtetit dhe jam gati të pranoj çdo pasojë, por se sipas besimit që kam ndaj pushtetit, jam e sigurt se ky provokim që më bëhet nga toger Miftari më jep shembullin e udhëheqësve të Ballit dhe për mua është e tejkaluar.

Për sa më sipër, jam gati të deklaroj ku ta lypë nevoja dhe e kërkoj këtë të padrejtë deri në fund. Të gjitha thëniet e mësipërme, pasi i lexova mirë, i firmos me firmën time origjinale.

Faksimile e letrës së të burgosurës

Komiteti i qytetit

Durrës Komitetit Qendror të P.K. Shqiptare

Këtu poshtë po ju japim një relacion mbi qëndrimin e shokut Skënder Mushi: Shoku Skënder Mushi, në datën 30 në mbrëmje (muaji prill) niset në Tiranë për të parakaluar në “1 Maj” me disa punëtorë me vaporin “Borova”, ku punëtorët kishin kohë që punonin për të nxjerrë sa më të mirë këtë parakalim dhe shoku niset së bashku me punëtorët në orën 2 pas mesnate, ku aty marrin pjesë punëtorë, por ky, përveç këtyre, merr me vete edhe dy elementë të pa organizuar dhe imoralë, si dhe disa vajza imorale.

Një nga këto ishte reaksionare dhe që duhej pushuar nga puna si e tillë, por jo vetëm që nuk e pushon, por shoqërohet gjithmonë me të, kjo kishte rënë shumë në sytë e punëtorëve dhe kanë pëshpëritur gjithandej për shoqërimin e tyre.

Arsyeja e mosmarrjes pjesë në parakalimin e vaporit ka qenë se ky iku në Tiranë me këto vajza, si dhe duke gënjyer punëtorët e tjerë prisni këtu, kështu ata prisnin drejtorin, por kur panë që ai u vonua, donin të parakalonin vetë, vetëm se ishte tepër vonë sepse gjithçka kishte marrë fund e u kthyen të dëshpëruar.

Në kohën kur po ktheheshin për në Durrës, Skënderi ishte mbyllur në një kabinë të vaporit me dy vajza dhe në tjetrën një element i paorganizuar me një tjetër shoqe ishin mbyllur në një tjetër kabinë. Në atë kohë, shoferi hyn brenda dhe i kap në flagrancë.

Drejtori i përgjigjet shoferit në një mënyrë brutale duke thënë “pse më shikoni, edhe unë kam ndjenja seksuale?!”. E largoi duke i thënë maskara dhe duke i kërkuar të mos fliste me njeri. Shoku Skënder u kishte thënë disa shokëve të tij që sot kemi bërë qejf e të tjera maskarallëqe si këto që i kanë parë punëtorët dhe janë në gjendje t’i faktojnë sepse është bërë bujë e madhe.

Nga ana tjetër, punëtorët kanë filluar ta urrejnë dhe i kanë kërkuar llogari se pse vapori nuk ka parakaluar. Drejtori u ka thënë të kërkojnë sqarim te zv.ministri Niazi Islami. Ne nuk e kemi takuar ende zv.ministrin, pasi ka qenë në lëvizje, por tani po ju vëmë në dijeni dhe nëse vëmë re raste të tjera, do t’ju njoftojmë sërish.

Për Komitetin e P.K. Shqiptare

Qytetit Durrës

Nimet Ymeri

***

Drejtoria e Policisë Popullore

Nr 9/36 Tiranë më 15/5/1948

Komitetit Qendror të P.K. Shqiptare

(Drejtorisë së Organo-Inspektimit, Tiranë)

U vumë në dijeni se kandidati i Partisë, Taip Afiz Vlorës, ka marrë 24 orë leje dhe ka shkuar për punë private në Fier. Kur po kthehej nga Fieri ka qëndruar për darkë te një miku i tij në një katund, i cili ishte i burgosur për faje ordinere. Ku, mbasi u deh me raki, kreu nevojat e tij seksuale me dy gratë që gjeti në shtëpi.

Kjo vepër ra në sy të popullit në mëngjes dhe kur e mori vesh plaka e shtëpisë, e bëri çështjen alarmante aq sa u grumbullua i tërë populli i katundit ndërsa ‘miku’ ka zbritur nga dritarja e shtëpisë. Rrugës e ka takuar një fshatar dhe e ka pyetur se pse vraponte, ndërsa kandidati e ka qëlluar me shpullë dhe ka vazhduar rrugën.

Kur është kthyer në Vlorë, ka dashur të fshehë të vërtetën duke porositur shokët që të thonë se ka ardhur që në mbrëmje. Për këtë vepër, celula bazë vendosi ta përjashtojë si kandidat partie.

P. Seksioni Politik

Sokrat Bufi

***

Partia Komuniste e Shqipërisë

Komiteti Partisë së Rrethit Mirditë

Komitetit Qendror P.K. Shqiptare (

Drejtorisë së kuadrit, Tiranë, 29/4/1948)

Ju njoftojmë se nga data 15 e këtij muaji, anëtari i partisë Selfo Abazi, nëntoger i Mbrojtjes së Popullit, i cili bën pjesë në regjimentin e 7 malor të Mbrojtjes së Popullit Shkodër, duke qenë në shërbim me njësitë operuese në rrethin tonë, ka shkuar në katundin Kaçinar me shërbim, ku në këtë ditë, populli është i grumbulluar në kishë.

Shoku nëntoger hyn brenda në kishë dhe ndërsa prifti predikonte për çështje fetare, thotë në mes të kishës se po nuk i varëm të gjithë priftërinjtë brenda në kishë, nuk mund të shkojmë në socializëm.

Vazhdon duke thënë se të gjitha pikturat që keni vënë këtu në kishë janë shumë të bukura, sidomos ‘zoja e bekueme asht shumë e bukur dhe po ta kesh me fjet asht shumë e mirë”.

Vijon të flasë me fjalë brutale, si dhe thotë se Zoti ka shkuar tek anglo-amerikanët, prandaj s’keni pse bëni lutje e sa e sa të tjera fjalë që as mund të përmenden. Kjo ngjarje bëri mjaft bujë në popull.

Përveç kësaj, i ka thënë priftit se sa gra e vajza ka çnderuar në muajt e tjerë. Për këtë është në dijeni edhe seksioni i Sigurimit, ku u ka thënë prifti se pushteti nuk ka këtë politikë dhe e mbron kishën me statut.

Haki Kraja

***

Lënda: Mbi humbjen e shallit të Elmas Bilbilit

Komitetit Qendror të PKSH

Drejtorisë së Organizim-Inspektimit, Tiranë

Çështja e humbjes së shallit të Elmas Bilbilit ka qenë kështu: Kur ka ardhur për inspektim këtu, ka marrë shoqen Dituri Bizbiqi dhe ka shkuar dy-tre km rrugë deri në vendin e quajtur çiflig.

Atje ka ndenjur për 2-3 orë me radhë, pastaj është kthyer prapë në Çorovodë dhe më mes të rrugës, në kthim, ka harruar shallin. Rrugës ka takuar një fshatar të zonës, Hamit Avdylin dhe i ka kërkuar të shohë për shallin kur të shkojë lart dhe nëse e gjente, t’ia niste në Çorovodë.

Avdyli i pyet ku kanë qenë dhe ai i tregon se ka qenë në Mollas. Fshatari pyet nëse kanë qenë shokët e organizatës së rinisë, por banorët mohojnë.

Atëherë ai merr shallin dhe ia dorëzon shoqes Dituri, e cila kishte qenë me Elmasin duke i bërë me dije se ishte në dijeni të aktit imoral që kishin bërë./ PANORAMA

Pushkatimi i Beut të Saukut – Rrëfimi: Ja emri i zyrtarit të lartë që përmendi

Rrethanat e ekzekutimit të Nazif Tugës mesnatën e 20 korrikut 1989, rrëzë një kodre në gjunjët e Dajtit, i kanë ditur vetëm pesë zyrtarë, të cilëve regjimi u besoi aktin e fundit të tragjedisë monstruoze. Njëri ndër ta, D.M., pas shumë dilemash e mëdyshjesh tunduese vuri dorën në zemër dhe u tregoi familjarëve vendin ku ishin groposur eshtrat e Beut të Saukut. Identifikimi i tij u bë shkak për të depërtuar më tej te të pathënat e asaj nate të tmerrshme. G.R., një tjetër dëshmitar i ngjarjes makabre, duke kapërcyer përbetimin e dikurshëm se për gjëra të tilla do të rrëfehej vetëm në varr, ka treguar diçka më shumë nga detajet e tmerrshme të tragjedisë së 20 korrikut ’89. Po si e kujton ai historinë e atyre momenteve fatale, kur në emër të urdhrit dhe detyrës ka marrë pjesë në ekzekutimin e Nazif Tugës…


Ju keni qenë pjesë e grupit që ekzekutoi Nazif Tugën…

Jo kështu, jo. Ne thjesht zbatuam një vendim gjykate të formës së prerë. Gjykata e dënoi me vdekje, pushkatim. Dikush do ta çonte në fund verdiktin e saj. Për këtë kishte një urdhër të ministrit të Brendshëm, që përcaktonte vendin, datën dhe procedurën përkatëse për ekzekutimin e Nazifit. Në zbatim të urdhrit, më qëlloi dhe mua të isha pjesë e atij grupi. Bile, atë natë jam detyruar të lë në mes një gosti familjare…

Ju jetonit në Tiranë, e njihnit më parë Nazif Tugën?

Nuk më kishte qëlluar të isha ndonjëherë përballë tij, por kisha dëgjuar për të. Nazifi në atë kohë ishte një figurë e njohur në Tiranë, po sidomos në rrethina…

Figurë e njohur për organet e Policisë për sjellje jo të hijshme?

Më parë, Nazif Tuga nuk kishte qenë kurrë kontingjent i organeve tona. Përkundrazi. Ai njihej si tip babaxhani dhe njeri që bënte mirë, sidomos për njerëzit në nevojë. Kishte qëlluar të kishte ndihmuar dhe një njeriun tim, që nuk reshte duke shprehur mirënjohjen për të.

Dhe ndodhi të ishit përballë tij kur u ekzekutua…

Të thashë, jo nga dëshira, por i detyruar nga urdhri, që në të tilla raste nuk vihej kurrë në diskutim.

E kujtoni reagimin e Nazifit kur e morët nga birucat e burgut për ta çuar te vendi i ekzekutimit. Kërkoi ndonjë sqarim të veçantë, se thonë që ka kërkuar të takonte një zyrtar të lartë?

Ato momente, Nazifi dukej si i përhumbur dhe nuk mbaj mend të jetë shprehur për ndonjë gjë të veçantë. Vetëm pak çaste para këtij momenti, zëvendësprokurori i rrethit e kishte njohur me përgjigjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që refuzonte kërkesën e tij për t’i falur jetën. Kjo besoj i kishte shuar çdo shpresë dhe e kishte shkërmoqur shpirtërisht. Nga sa më kujtohet, kur po hipte në makinë, ktheu një herë kokën pas dhe aty për aty përmendi një emër. Një emër zyrtari. Diçka filloi të shqiptojë për të, por zëri i tij humbi në zhurmën e makinës së porsandezur…

Hezitoi për të hipur në makinë? Thonë, se ka kundërshtuar…

Nuk mund ta shpreh që hezitoi apo kundërshtoi për të hipur në makinë. E thashë, ndenji vetëm një çast te dera dhe foli diçka në emër të një zyrtari. Vetëm kaq…

Përmendi emrin e Haxhi Lleshit…

Të thashë që ishte zallamahi nga zhurma e makinës dhe nuk kuptohej gjë çfarë fliste…

Nga qelia e burgut, ku e çuat për ta ekzekutuar?

Atje ku thoshte urdhri i ministrit të Brendshëm. Te vendi i caktuar, aty duhej ta çonim patjetër.

Aty pastaj…

Aty u bë ekzekutimi i vendimit të gjykatës së lartë.

Ju qëlluat mbi të?

E ç’rëndësi ka kjo. Unë isha aty për tjetër gjë. Megjithatë…

E mbani mend çfarë komunikuat me Nazifin para pushkatimit?

Edhe ky komunikim përshkruhej me detaje në urdhrin e ministrit të Brendshëm. Nuk të lejonte njeri të dilje jashtë porosive të detajuara të atij urdhri. Bile-bile, udhëzimi i ministrit parashikonte që çdo gjë e atyre momenteve të regjistrohej me saktësi në një dokument zyrtar.

Çfarë kërkonte për të dokumentuar me imtësi ministri i Brendshëm nga momentet e ekzekutimit?

Nga sa mbaj mend, në urdhër precizohej që para ekzekutimit, i dënuari duhej të njihej me vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe t’i kërkohej të shprehej për herë të fundit.

Ju kujtohen fjalët e fundit, që shprehu Nazif Tuga para pushkatimit?

Nuk më kujtohen me saktësi, por ka një procesverbal zyrtar, ku kam firmosur dhe unë në të cilin janë regjistruar çdo gjë me përpikërinë më të madhe. Tani që janë hapur dosjet, është e lehtë për ta zbardhur dhe këtë aspekt…

Megjithatë, ju diçka keni fiksuar nga ai komunikim jo i zakonshëm?

Patjetër që më ka lënë gjurmë në kujtesë, ndryshe nuk do isha i sinqertë. Po si të them, tani dhe vitet kanë bërë të tyren. Mbaj mend që një çast ngriti kokën lart dhe tha se nuk e kishte menduar kurrë diçka të tillë, megjithatë ju bëni detyrën, tha. Pastaj shqiptoi diçka për partinë dhe Ramiz Alinë dhe si pushoi një çast, përmendi amanetin për fëmijët…/Panorama