VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Fluturimi i parë i avionit më të madh në botë

By | April 14, 2019

Komentet

Shtëpia e Bardhë nuk publikon të dhënat për taksat e Trumpit

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar që të përmbushë afatin e fundit, ashtu që t’i dorëzojë Kongresit amerikan, të dhënat për kthimin e taksave të presidentit amerikan, Donald Trump.

Kryesuesi i Komitetit për Mjete i Dhomës së Përfaqësuesve, Richard Neal ka thënë së dështimi për të përmbushur afatin e fundit, në këtë rast 23 prillin, mund të konsiderohet si refuzim i kërkesës.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se nuk dëshiron që të publikohen të dhënat e tij dhe ka kërkuar që të mos publikohen shifrat për kthim taksash, derisa ai është nën proces të auditimit.

Demokratët në anën tjetër kanë kërkuar që kjo përgjigjje të shoqërohet me masë ligjore.

“Presidenti ka qenë shumë i qartë: Sapo të përfundojë procesi i auditimit, ai do të konsiderojë këtë çështje”, ka thënë zëvendës-sekretari i Shtëpisë së Bardhë për Media, Hogan Gidley për Fox News.

“Ai nuk ka gatishmëri për ta bërë këtë gjë tani”.

Neal i kishte dhënë fillimisht Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave afat deri më 10 prill për të raportuar për kthimin e taksave të presidentit nga viti 2013 deri më 2018.

Afati më pas është shtyrë deri më 23 prill, pasi administrata e Trumpit ka dështuar që të zbatojë këtë kërkesë.

Shumica e presidentëve amerikanë kanë kryer shërbimet e taksave nga viti 1970, pavarësisht pse një gjë e tillë nuk kërkohet me ligj.

Një nga ndihmësit kryesorë të presidentit Trump ka thënë gjatë këtij muaji se demokratët “nuk do të shohin kurrë” kthimin e taksave të presidentit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin i ka thënë kryesuesit Neal se departamenti do të marrë një vendim final më 6 maj lidhur me këtë çështje.

Demokratët kanë paralajmëruar se mund të marrin ndonjë masë ligjore, përfshirë thirrje të detyrueshme për intervisitim dhe sigurim të të dhënave financiare, nëse presidenti ende mban qëndrim të njëjtë, hap i cili do të niste betejë mes dy palëve në gjykata.

Presidenti Trump takon shefin e Twitterit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, priti në Shtëpinë e Bardhë, shefin e rrjetit social Twitter, Jack Dorsey.

Përmes një komunikate, Twitter tha se Trump dhe Dorsey diskutuan për “mbrojtjen e gjuhës së shëndoshë në komunikimin publik” para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në SHBA.

Më herët presidenti Trump kishte akuzuar Twitterin se është “shumë diskriminues” ndaj tij.

Por presidenti e quajti bisedën me shefin e Twitterit si një “takim të mrekullueshëm”.

“Shumë tema u diskutuan lidhur me rrjetin e tyre, dhe mediat sociale në përgjithësi”, shkroi Trump.

Great meeting this afternoon at the @WhiteHouse with @Jack from @Twitter. Lots of subjects discussed regarding their platform, and the world of social media in general. Look forward to keeping an open dialogue! pic.twitter.com/QnZi579eFb
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) April 23, 2019

Kushner: Hetimet për përfshirjen ruse në zgjedhje dëmtuan demokracinë në SHBA

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner tha se hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA më shumë “kanë ndikuar në demokracinë amerikane” sesa vetë veprimet e Rusisë.

Njëri ndër zërat më me ndikim në Shtëpinë e Bardhë minimizoi përfshirjen ruse në zgjedhje duke e përshkruar atë si “blerje të disa reklamave në Facebook” si dhe përpjekje për të “mbjellur mospajtime”.

Deklaratat e Kushnerit bëhen disa ditë pas publikimit të versionit të redaktuar të raportit të këshilltarit special Robert Mueller mbi përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikanë në vitin 2016.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner tha se ekipi i fushatës së presidentit Trump “nuk ishte në dijeni për veprimet e Rusisë”.

Trumpi ngre padi për të bllokuar informacione mbi të dhënat e tij financiare

Presidenti amerikan Donald Trump, ngriti të hënën një padi me qëllimin për të bllokuar përpjekjet e një komisioni ligjvënësish të cilët kanë kërkuar zyrtarisht informacion mbi të dhënat personale dhe të biznesit të tij, prej firmës së kontabilitetit që ka trajtuar prej vitesh çështjet financiare të zotit Trump.

Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati Elijah Cummings, po kërkon informacion financiar për tetë vjet nga kompania “Mazars USA”. Por në padinë e presidentit dhe korporatës së tij, “Organizata Trump”, thuhet se autorizimi zyrtar i komisionit “është i pavlefshëm dhe i pazbatueshëm për shkak se nuk ka qëllime ligjore legjislative”.

Në padi thuhet gjithashtu se, “në vend që të punonin me presidentin për të miratuar ligje të mbështetura nga të dyja palët, prej të cilave do të përfitonin amerikanët, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesvepo përpiqen me ngulm të gjejnë diçka që ta përdorin për të dëmtuar politikisht presidentin”.

SHBA rrit presionin mbi Iranin, ia godet eksportet e naftës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vendosi të mos i zgjasë masat lehtësuese që iu mundësojnë importuesve të blejnë naftë nga Irani, pa u përballur me sanksionet e SHBA-së.

Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë thuhet se “Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndërmarrin veprime në kohë, për të siguruar plotësimin e nevojave globale kur nafta iraniane të hiqet nga tregu”.

“Ky vendim synon t’i çojë eksportet e Iranit në zero, duke e privuar regjimin nga burimi kryesor i të ardhurave”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi nënkupton që masat lehtësuese për pesë vende, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Turqinë, nuk do të vazhdojnë pasi të skadojnë më 2 maj.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Iranin si sponsorizues të terrorizmit global.

“Do të vazhdojmë të aplikojmë presion maksimal ndaj regjimit iranian, derisa udhëheqësit e tij të ndryshojnë sjelljen shkatërruese, të respektojnë të drejtat e popullit iranian dhe të kthehen në tryezën e negociatave”, tha përmes një deklarate sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Eksportet e naftës janë burimi kryesor i të ardhurave për Teheranin, i cili është goditur rëndë nga rivendosja e sanksioneve të SHBA-së, prejse kjo e fundit është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore, vitin e kaluar.

SHBA, meteorologët konfirmuan katër tornado në Virxhinia

Shërbimi nacional meteorologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) bëri të ditur se Reston, Fredericks Hall, Barham dhe Forksville janë goditur nga tornado.

Autoritetet theksojnë se janë dëmtuar pemë, shtëpi dhe disa objekte të vogla.

Sistemi i fuqishëm i stuhive të premten depërtoi në jug dhe kërcënoi të sjellë tornadon në pjesë të mëdha të Karolinës dhe të Virxhinias jugore. Në Florida u regjistrua një rast vdekje i një vajze tetë vjeçare. aa

Pyetje të reja për rolin e Presidentit pas publikimit të raportit Mueller

Jim Malone

Pas një hetimi prej 22 muajsh, publiku dhe kongresi amerikan arritën të shohin të enjten raportin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Raporti nuk gjeti prova për konspiracion mes fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Rusisë, por zoti Mueller dhe ekipi i tij nuk mundi të përcaktonte nëse presidenti ishte përpjekur të pengonte drejtësinë.

Demokratët e opozitës po marrin shkas nga çështja e pengimit të drejtësisë në raport, për të këmbëngulur për hetime të mëtejshme në Kongres.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump ishte entuziast pas publikimit të raportit:

“Është një ditë e mirë. U arrit përfundimi: jo bashkëpunim i qëllimshëm, jo pengim drejtësie. Asnjëherë nuk kishte dhe nuk do të ketë”.

Por raporti paraqet një tablo të ndryshme për çështjen e pengimit të drejtësisë, duke përmendur disa raste kur presidenti u përpoq të ndikonte tek hetimi.

Në një rast, zoti Trump urdhëroi juristin e Shtëpisë së Bardhë Don McGahn që të realizonte shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller, thotë Chad Day i agjencisë Associated Press:

“McGahn e kundërshtoi këtë përpjekje, por tregon se si presidenti, dhe raporti e citon atë, e konsideronte hetimin si një fund të mundshëm të presidencës së tij dhe diçka që do të kërcënonte pushtetin e tij”.

Raporti përshkruan kontakte të shumta mes bashkëpunëtorëve të fushatës së zotit Trump dhe rusëve në vitin 2016, por arrin në përfundimin se kishte mungesë provash për konspiracion criminal mes fushatës dhe Rusisë.

Por zoti Mueller nuk bën vetë një gjykim nëse presidenti u përpoq të pengonte drejtësinë. Raporti nuk arriti në përfundimin se zoti Trump kreu ndonjë krim, por as nuk e shfajëson atë.

Përfundimisht ishte Prokurori i Përgjithshëm, William Barr që vendosi që të dhënat për pengim të drejtësisë nuk justifikonte masa të mëtejshme ligjore.

“Përveç çështjes nëse këto veprime ishin penguese, prova e motiveve jokorruptive është shumë më e fortë sesa çdo akuzë se presidenti kishte synime korruptive për të penguar hetimin”, thotë zoti Barr.

Demokratët ishin të shqetësuar nga detajet e pengimit të mundshëm të drejtësisë dhe menjëherë u zotuan se do të hetonin më tej, siç tha kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerold Nadler.

“Prokurori i Posaëçm e bën të qartë se ai nuk e ka shfajësuar presidentin dhe përgjegjësia bie tani mbi Kongresin që ta vërë presidentin para përgjegjësisë për veprimet e tij. Kongresi duhet të marrë një raport të plotë, të paredaktuar së bashku me të dhënat e zbuluara nga prokurori i posaçëm, Mueller”.

Pyetjet e mbetura për pengimin e drejtësisë mund të vazhdojnë të hedhin një hije dyshimi mbi Shtëpinë e Bardhë, thotë analisti ligjor David Abraham:

“Nuk jam i sigurt që përfundimet përbëjnë një fitore për presidentin. Por ato pretendime bien ndesh si në faktet që kanë të bëjnë me efektivitetin e ndërhyrjeve ruse, ashtu edhe me përmasat e përpjekjeve të pengimit nga Shtëpia e Bardhë, që nga presidenti edhe më poshtë”.

Përplasjet e vazhdueshme për raportin Mueller, lënë të kuptohet se debati ligjor dhe politik mbi veprimet zotit Trump, mund të zvarritet për një kohë të pacaktuar, thotë analisti politik, Bill Sweeney.

“Nëse kjo vazhdon për javë dhe muaj me radhë, do të jetë një çështje tjetër përçarëse në një vend që është i përçarë”.

Prokurori i Përgjithshëm Barr ka marrë thirrje për të dëshmuar në Kongres muajin e ardhshëm dhe demokratët duan gjithashtu që edhe vetë Prokurori i Posaçëm Mueller të dalë në seancë në të ardhmen e afërt.

SHBA, demokratët kërkojnë raportin Mueller të paredaktuar

Në SHBA, demokratët e Kongresit kërkuan të njihen me të gjitha provat e hetimit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Kryetari i komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Jerrold Nadler i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të dorëzojë raportin e plotë të zotit Mueller, duke thënë se ai nuk mund të pranojë një variant të redaktuar që u publikua të enjten i cili lë “shumicën e Kongresit pa informacionin e duhur lidhur me çështjen”.

Komisioni ka nevojë dhe gëzon të drejtën e variantit të plotë të raportit si dhe të dëshmive bazë në përputhje me praktikat e kaluara. Redaktimet duket të jenë të mëdha. Deri tani nuk kemi parë asnjë nga dëshmitë që Prokurori i Posaçëm ka pasur për të ngritur këtë çështje“, tha zoti Nadler në një deklaratë.

Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka karakterizuar hetimin e zotit Mueller si një “gjueti shtrigash”. Në një postim në Twitter të premten ai e kritikoi sërish raportin, duke shkruar se “raporti i çmendur i Mueller-it” është përgatitur nga “18 demokratë të inatosur dhe që urrejnë atë dhe se sipas tij, në raport thuhen “budallallëqe” rreth tij.

Në raport jepen hollësi mbi përpjekjet e zotit Trump për të penguar hetimin e zotit Mueller mbi Rusinë, duke u dhënë mjaft demokratëve “municion politik” kundër presidentit republikan.

Raporti prej 448 faqesh bën një pasqyrë të qartë se si Presidenti Trump ishte përpjekur të pengonte hetimin, por nuk dilte në përfundimin se zoti Trump ka kryer krimin e pengimit të drejtësisë, megjithëse nuk e shfajsonte atë nga kjo gjë.

Raporti për Rusinë: Demokratët vazhdojnë presionin me Trumpin

Demokratët në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë presionin mbi presidentin Donald Trump, edhe pas publikimit të raportit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Ata duan që Robert Mueller, këshilltari i posaçëm që ka hartuar raportin, të dëshmojë publikisht përpara Kongresit për punën që ka bërë.

Mueller konfirmoi gjetjet e inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që i ka fituar Trump dhe dokumentoi përpjekjet e presidentit për të minuar hetimin e tij. Por Mueller nuk tha se Trump ka bashkëpunuar me zyrtarët rusë.

Gjetjet e tij u detajuan në një raport 448 faqesh, pjesërisht të redaktuar, që u publikua të enjten.

Ky raport po ashtu nxori në pah fushat ku Trump dhe bashkëpunëtorët e tij mund të përballen ende me probleme ligjore.

Raporti u mirëprit nga Trumpi, i cili rikujtoi deklaratat e tij se ai dhe bashkëpunëtorët e tij as nuk kanë bashkëpunuar me zyrtarët rusë, as nuk kanë bërë përpjekje të pengonin hetimet.

Duke folur në një ngjarje për veteranët, Trump tha se po kalon një “ditë të mirë”, duke shtuar se nuk ka pasur “asnjë bashkëpunim” me Rusinë dhe as pengim të drejtësisë.

Publikimi i raportit mbyll një kapitull të hetimeve që hodhi hije mbi presidencën e Trumpit, madje edhe përpara se të merrte detyrën.

Megjithatë, udhëheqësit demokratë të Kongresit, Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, përmes një deklarate të përbashkët, thanë se raporti paraqet “një imazh shqetësues të një presidenti me një varg mashtrimesh, gënjeshtrash dhe sjelljesh të pahijshme”.

Ata po ashtu thanë se “Kongresi duhet të vlerësojë sjelljen e padrejtë, korruptive dhe imorale të presidentit, në përpjekje për të penguar hetimet”.

Demokrati numër dy i Dhomës së Përfaqësuesve, Steny Hoyer, tha se nxjerrja e presidentit në votëbesim nuk ia vlen, pasi zgjedhjet e reja presidenciale do të mbahen në nëntor të vitit të ardhshëm.

“Bazuar në atë që kemi parë deri më tash, votëbesimi nuk ia vlen. Zgjedhjet do të mbahen pas 18 muajsh dhe populli amerikan do të gjykojë”, tha Hoyer për CNN-in.

Përfaqësuesi demokrat, Jerrold Nadler, kryetar i Komitetit për Drejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve, kërkoi që Kongresi të ketë raportin e plotë, të paredaktuar të Muellerit.

“Këshilltari i posaçëm e bën të qartë se nuk e ka shfajësuar presidentin dhe tani përgjegjësia është te Kongresi, për ta bërë presidentin përgjegjës për veprimet e tij. Kongresi duhet ta ketë raportin e plotë, të paredaktuar, së bashku me provat e mbledhura nga këshilltari i posaçëm, Mueller”, tha Nadler.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.

Përpara publikimit të raportit, prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, mbajti një konferencë për media në Uashington, ku dha detaje mbi raportin.

Barr tha se hetimet nuk kanë gjetur prova se Trump ose anëtarët e fushatës së tij kanë bashkëpunuar me përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhje.

Barr, i cili ka publikuar një përmbledhje prej katër faqesh të raportit në fund të muajit të kaluar, po ashtu tha se raporti i Muellerit nuk paraqet asnjë dëshmi se Trump ka bërë përpjekje të pengojë drejtësinë.

Përgatiti: Valona Tela

Raporti: Trumpi u përpoq të largonte Prokurorin e Posaçëm

Raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi hetimin e tij ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 që u publikua të enjten tregon se Presidenti Donald Trump kërkoi të detyronte largimin e zotit Mueller.

Në versionin e redaktuar të raportit prej më shumë se 400 faqesh të publikuar nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr thuhet se në qershor të vitit 2017, presidenti Trump i komunikoi Këshilltarit Ligjor të Shtëpisë së Bardhë Don McGahn, të kërkonte shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm Mueller për shkak të konfliktit të interesit.

Në raport thuhet se “McGahn nuk e zbatoi udhëzimin, duke vendosur që të jepte dorëheqjen sesa të shkaktonte atë që ai e konsideronte si një masakër e natës së shtunë”. ‘Masakra e natës së shtunë’ i referohet shkarkimit të zyrtarëve kryesorë të zbatimit të ligjit nga presidenti Richard Nixon në tetor të vitit 1973 gjatë periudhës së Watergate-it.

Pak para se raporti të bëhej publik, kryeprokurori Barr u tha gazetarëve se Presidenti Trump nuk ka bashkëpunuar fshehurazi me Moskën dhe tha se më vonë, pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump nuk kishte “asnjë qëllim të korruptuar” për të penguar hetimin.

Presidenti Trump, i cili prej kohësh i është referuar hetimit Mueller si një “Gjueti Shtrigash”, tha të enjten: “Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë me një president tjetër, ky mashtrim nuk duhet të ndodhë. Kjo kurrë nuk duhet të ndodhë me një president tjetër.”

Në fund të muajit të kaluar, në një përmbledhje të gjetjeve të zotit Mueller, kryeprokurori Barr tha se prokurori i posaçëm kishte arritur në përfundimin se zoti Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë, por nuk kishte marrë asnjë vendim nëse ai kishte penguar drejtësinë.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Drejtësinë i kontrolluar nga demokratët publikoi një letër të enjten duke kërkuar që prokurori Mueller të dëshmojë para komisionit “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Reagojnë demokratët

Udhëheqësi demokrat i Senatit amerikan, Chuck Schumer dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi thanë se përfundimet e nxjerra nga prokurori i përgjithshëm Uilliam Barr për raportin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller bien në kundërshtim me gjetjet e vetë raportit.

Ligjvënësit Schumer dhe Pelosi bënë një deklaratë të enjten duke thënë se “Ka një kontrast të thellë midis asaj që tha prokurori i përgjithshëm Barr për çështjen e pengimit të drejtësisë dhe asaj që thotë prokurori i posaçëm Mueller për të njëjtën çështje.”

“Ndërsa ne vazhdojmë ta shqyrtojmë raportin,” thanë ata, “një gjë është e qartë: prokurori i përgjithshëm Barr dha përfundimin se presidenti nuk e pengoi drejtësinë, ndërsa raporti Mueller duket se e kundërshton një verdikt të tillë.”

Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve Jerry Nadler njoftoi se po kërkon që zoti Mueller të dëshmojë përpara komisionit sa më shpejt të jetë e mundur, dhe jo më vonë se data 23 maj.

“Është e qartë se Kongresi dhe populli amerikan duhet të dëgjojnë nga prokurori i posaçëm Robert Mueller personalisht për të kuptuar më mirë rezultatet e tij,” tha ai në Twitter.

Kërkesa e ligjvënësit Nadler vjen pas disa javë thirrjesh nga demokratët që raporti Mueller të publikohej i plotë, i paredaktuar.

Konferenca e Shtypit e Kryeprokurorit Barr

Prokurori i Përgjithshëm ofroi hollësi të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, para se ta bënte publik raportin, duke theksuar se nuk ka gjetur ndonjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Moskës.

Zoti Barr, i emëruar si kreu i Departamentit të Drejtësisë nga presidenti Trump, dha një konferencë për shtyp përpara publikimit të raportit të shumëpritur, një ngjarje me rëndësi kjo për presidencën Trump.

“Prokurori i Posaçëm ka hetuar një numër lidhjesh apo kontaktesh mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe individëve të lidhur me qeverinë ruse gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Pas shqyrtimit të këtyre kontakteve, Prokurori i Posaçëm nuk gjeti asnjë komplot që shkel ligjin amerikan që përfshin personat e lidhur me Rusinë dhe ndonjë personi të lidhur me fushatën presidenciale. Ky është përfundimi kryesor. Pas rreth dy vjet hetimesh, me mijëra thirrjesh për dëshmi, me qindra fletë-arrestesh dhe intervista dëshmitarësh, Prokurori i Posaçëm konfirmoi se qeveria ruse sponsorizoi përpjekjet për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por nuk gjeti se fushata Trump apo amerikanë të tjerë bashkëpunuan me këto përpjekje. Pasi nuk gjeti asnjë bashkëpunim të fshehtë me Rusinë, raporti i Prokurorit të Posaçëm vazhdon të shqyrtojë nëse veprimet e caktuara të presidentit mund të përbëjnë pengim të hetimit. Siç e kam thënë në letrën time të 24 marsit, Prokurori i Posaçëm nuk dha një gjykim prokurorial tradicional lidhur me këtë pikë. Në vend të kësaj, raporti paraqet 10 episode që përfshijnë presidentin dhe diskuton teoritë e mundshme ligjore për lidhjen e këtyre aktiviteteve me elementet e një vepre të pengesës. Pas shqyrtimit të kujdesshëm të fakteve dhe teorive ligjore të parashtruara në raport dhe në konsultim me Zyrën e Këshilltarit Ligjor dhe avokatët e tjerë të departamentit, zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe unë arritëm në përfundimin se provat e paraqitura nga Prokurori i Posaçëm nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se presidenti ka kryer një pengim të drejtësisë. Megjithëse zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe unë nuk pajtohemi me disa prej teorive ligjore të Prokurorit të Përgjithshëm dhe se disa nga episodet e shqyrtuara nuk përbën pengesë ligjore, ne nuk u mbështetëm vetëm aty për të marrë vendimin tonë.”

Ai tha se avokatëve personalë të Presidentit Trump “iu dha mundësia të lexonin një version përfundimtar të raportit të redaktuar përpara se ai të bëhej publik”, një deklaratë që me siguri do të zemërojë demokratët e Kongresit.

Publikimi i raportit, me pjesë që pritet të paraqiten të mbuluara me bojë të zezë për të mbrojtur disa informacione të ndjeshme, pritet të shkaktojë një betejë të re politike në Kongres si dhe në fushatën presidenciale për zgjedhjet e 2020-s, ndërkohë që zoti Trump kërkon të rizgjidhet në një atmosferë ndarjesh të thella politike në vend.

Në një sërë postimesh në Twitter përpara publikimit të raportit, Presidenti Trump e kritikoi ashpër hetimin e Prokurorit të Posaçëm Mueller, duke e quajtur “Mashtrimi më i madh politik i të gjitha kohërave!”

Prokurori i posaçëm Mueller ia paraqiti raportin zotit Barr më 22 mars. Dy ditë më vonë, zoti Barr u tha ligjvënësve se hetimi nuk vërteton se ekipi i fushatës Trump në vitin 2016 u angazhua në një konspiracion kriminal me Rusinë dhe se raporti e nxjerr të larë Presidentin Trump përsa i përket akuzave për pengim të drejtësisë.

FILE - William Barr testifies before a Senate Judiciary Committee hearing on his nomination to be attorney general of the United States on Capitol Hill in Washington, Jan. 15, 2019.

FILE – William Barr testifies before a Senate Judiciary Committee hearing on his nomination to be attorney general of the United States on Capitol Hill in Washington, Jan. 15, 2019.

Raporti i redaktuar

Kongresi dhe populli amerikan do të shohin për herë të parë në hollësi faktet që zoti Mueller shqyrtoi pasi ai dhe ekipi i tij i hetuesve federalë punuan për të përcaktuar nëse fushata e zotit Trump ose bashkëpunëtorët e tij bashkëpunuan fshehurazi me Rusinë në përpjekjet e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që e sollën presidentin Trump në pushtet.

Agjencitë amerikane të zbulimit në fillim të vitit 2017 vlerësuan se Rusia, nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin, zhvilloi një fushatë për të minuar zgjedhjet dhe kishte një preferencë të qartë që zoti Trump të fitonte.

Njerëz që e kanë parë raportin prej 400-faqësh të zotit Mueller, të cilët folën me gazetat The Washington Post dhe The New York Times, thanë se dokumenti hyn në hollësi për akuzat e ndryshme nëse zoti Trump pengoi hetimin federal në lidhje me aktivitetet e Rusisë gjatë zgjedhjeve.

Kryeprokurori Barr publikoi para disa javësh një letër të shkurtër me përmbledhjen e tij të gjetjeve të zotit Mueller, ku theksohet se fushata Trump nuk bashkëpunoi me Rusinë dhe se sipas mendimit të zotit Barr informacionet nga zoti Mueller nuk treguan mjaftueshëm mbështetje për akuzat se presidenti pengoi drejtësinë.

FILE - The letter from Attorney General William Barr to Congress on the conclusions reached by special counsel Robert Mueller in the Russia probe, March 24, 2019.

FILE – The letter from Attorney General William Barr to Congress on the conclusions reached by special counsel Robert Mueller in the Russia probe, March 24, 2019.

Shumë njerëz do ta analizojnë raportin për të parë se si qëndrojnë konkluzionet e tij kur krahasohen me informacionin më të plotë që do të jetë në dispozicion të publikut.

FILE - Deputy Attorney General Rod Rosenstein speaks during a news conference at the Department of Justice.

FILE – Deputy Attorney General Rod Rosenstein speaks during a news conference at the Department of Justice.

Kryeprokurori Barr shoqërohej në konferencën e tij të shtypit nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili për pjesën më të madhe të hetimit të zotit Mueller ishte personi që mbikqyrte hetimin në Departamentin e Drejtësisë. Askush nga ekipi i zotit Mueller nuk mori pjesë në konferencë.

Presidenti Trump tha të mërkurën se po shikonte mundësinë për të mbajtur një konferencë shtypi të enjten. Duke folur në për stacionin radiofonik WMAL, zoti Trump tha: “Do të shihni se shumë gjëra shumë të forta do të dalin nesër. Prokurori i Përgjithshëm Barr do të japë një konferencë për shtyp. Ndoshta unë do të bëj të njëjtën gjë pas kësaj; do ta shohim.”

Jepen çmimet “Pulitzer”, shpërblehen autorët e dy hetimeve ndaj presidentit, po edhe reporterët e burgosur dhe të vrarë

Janë shpallur fituesit e çmimeve “Pulitzer”, një nga çmimet më të rëndësishme të gazetarisë në botë.

Bëhet e ditur se çmimet e dhëna në kategoritë për lajme në gazeta, revista dhe në internet, letërsi dhe kompozime muzikore, këtë vit kanë kryesuar në fushën e gazetarisë gazetat lokale që publikuan në lidhje me tre sulmet e armatosura vitin e kaluar në SHBA.

Gazeta “Sun Sentinel” që botohet në shtetin e Floridas, është fituese e çmimit në kategorinë “shërbim publik” me publikimet për investigimin e gabimeve të bëra para dhe pas sulmit nga drejtuesit e shkollës dhe policia në lidhje me sulmin e armatosur në shkollën “Stoneman Douglas” në Parkland.

Ndërsa gazeta “Pittsburgh Post-Gazette” ka fituar çmimin në kategorinë për “lajmin flash” për gazetarinë në lidhje me sulmin e armatosur më 27 tetor ndaj një sigagoge në Pittsburgh të Pensilvanisë në SHBA ku si pasojë humën jetën 11 persona dhe u plagosën 6 të tjerë.

Po ashtu edhe punonjësit e “Capital Gazette” në qytetin Annapolis në Maryland janë fitues të çmimit “Çmim Special” për shkak se kanë vazhduar me guxim të kryejnë detyrën e tyre të gazetarisë pas sulmit të armatosur më 28 qershor ku një agresor hyri me armë në ambientet e gazetës duke masakruar 5 kolegët e tyre.

Ndërkohë janë nderuar me çmimin “Gazetari investigative” gazeta “Los Angeles Times” për lajmet në lidhje me gjinekologun që ngacmonte nxënëset femra në klinikën e universitetit të Karolinës së Jugut, agjencia e lajmeve Associated Press me çmimin “gazetari ndërkombëtare” për lajmet e saj që kanë trajtuar krimet njerëzore të përjetuara në luftën në Jemen, gazeta “New York Times” me çmimin “gazetari shpjeguese” për lajmet e saj për rregullimet e trashëgimisë të presidentit të SHBA Donald Trump për të shmangur taksën e trashëgimisë dhe “Wall Street Journal” në kategorinë “gazetari kombëtare” për lajmet e saj që kanë zbuluar se Trump ka paguar dy femra “për të heshtur” gjatë periudhës zgjedhore.

Çmimet “Pulitzer” jepen që nga viti 1917 si trashëgimi e gazetarit amerikan me prejardhje hungareze Joseph Pulitzer për të nxitur punimet në fushën e gazetarisë dhe medias. Fituesit e çmimit përcaktohen nga juria e formuar nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin Columbia.

Trumpi do të sfidohet edhe nga republikanët më 2020

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të përballet me sfida brenda Partisë së tij Republikane, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Ish-guvernatori i Masaçusets, Bill Weld, shpalli kandidaturën e tij për president të SHBA-së, duke u bërë republikani i parë që do ta sfidojë Trumpin në vitin 2020.

“Unë vërtet mendoj se nëse edhe gjashtë vjet kemi gjëra të njëjta nga Shtëpia e Bardhë, të tilla si në dy vjetët e fundit, do të ishte tragjedi politike”, tha Weld për CNN-in.

Por udhëheqësit e Partisë Republikane e hodhën menjëherë poshtë fushatën e tij.

“Çdo përpjekje për të sfiduar nominimin e presidentit është e prirë të mos çojë askund”, tha përmes një deklarate Komiteti Kombëtar Republikan.

Sipas sondazhit më të fundit të kompanisë amerikane Gallup, 89% e votuesve republikanë e mbështesin presidentin Trump.

Nga Partia Demokratike, disa zyrtarë kanë shpallur tashmë kandidaturën për president.