Përshtati në shqip: Blertina Koka

Pagjumësia vendos njerëzit në rrezik nga sëmundjet e zemrës, paralajmëron një studim i ri. Shkencëtarët kanë zbuluar se fjetja për më pak se 6 orë në natë rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme tek njerëzit që vuajnë nga sindroma metabolike – e lidhur me diabetin, tensionin e lartë të gjakut dhe obezitetin.

Sipas një studimi të publikuar tek Revista e Shoqatës Amerikane të zemrës, njerëzit që kanë një sërë faktorësh të përbashkët rreziku për sëmundjet e zemrës dhe diabetin janë dyfish më të rrezikuar të vdesin nga sëmundjet e zemrës ose goditja në tru se njerëzit pa të njëjtët faktorë rreziku, nëse nuk arrijnë të flenë më shumë se 6 orë në natë. Për ata që flenë më shumë, rreziku është shumë më i vogël. Studimi është i pari i këtij lloji që ka matur kohëzgjatjen e gjumit brenda ambienteve të laboratorit, në vend që t’u besojë raporteve të pacientëve. Ai është gjithashtu i pari që ka analizuar ndikimin e kohëzgjatjes së gjumit tek pacientët e rrezikuar nga sëmundjet e zemrës. Shkencëtarët përzgjodhën rastësisht 1344 të rritur me një moshë mesatare rreth 49 vjeç, që ranë dakord të flenë një natë në laborator.

Bazuar tek rezultatet e analizave, 39.2% e pjesëmarrësve kishin të paktën 3 nga faktorët e rrezikut, që njihen ndryshe si sindroma metabolike.

Gjatë studimit u morën në konsideratë faktor të tillë si indeksi i masës trupore më i lartë se 30 (përcaktimi standard i të qenët obezë), si dhe nivelet e kolesterolit, tensionit të gjakut, sheqerit në gjak në gjendje esëll dhe triglicerideve.

Përgjatë një periudhe mesatarisht 16.6 vite, 22% e pjesëmarrësve në studim ndërruan jetë. Krahasuar me njerëzit që nuk kishin të njëjtët faktorë të rrezikut, ata me sindromën metabolike që fjetën më shumë se 6 orë në laborator ishin 1.49 herë më të rrezikuar që të vdisnin nga goditja në tru gjatë periudhës së studimit. Ndërsa ata që fjetën më pak se 6 orë ishin 2.1 herë më të rrezikuar që të vdisnin nga sëmundjet e zemrës ose goditja në tru.

Burimi: Daily Mail / Shendeti.com.al