VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Flamujt amerikanë ulen në gjysmë-shtizë

By | July 3, 2018

Komentet

Pelosi: Nuk ka marrëveshje SHBA-Britani nëse preket pakti irlandez

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Marrëveshja tregtare në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe nuk do të përfshihet për diskutim në Kongres, nëse Brexiti minon të ashtuquajturën Marrëveshja e të Premtes së Mirë, ka thënë udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Pelosi ka thënë se largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk mund të lejohet që të rrezikojë marrëveshjen për paqe me Irlandën.

Komentet e saj kanë ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë se Britania e Madhe do të jetë “e para në listë” për marrëveshje tregtare me SHBA-në.

Bolton i ka bërë këto deklarata pasi ka biseduar me kryeministrin britanik, Boris Johnson në Londër.

Rivendosja e kontrolleve kufitare në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, nëse Britania largohet nga BE-ja pa marrëveshje më 31 tetor të këtij viti, konsiderohet rrezik për një marrëveshje të arritur më 1998, e cila i ka dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në Irlandën Veriore.

“Pavarësisht rrethanave, Brexiti nuk duhet të lejohet që të rrezikojë Marrëveshjen e të Premtes së Mirë”, ka thënë Pelosi përmes një deklarate.

Bolton në anën tjetër, ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump mbështet një Brexit pa marrëveshje.

Bolton: SHBA-ja do ta mbështeste vendimin e Britanisë për Brexit pa marrëveshje

Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Barr: Janë gjetur “parregullsi” në burgun e Epsteinit

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka thënë se Departamenti i Drejtësisë ka gjetur “parregullsi serioze” në burgun federal ku biznesmeni, Jeffrey Epstein, ka kryer vetëvrasje gjatë fundjavës.

Barr ka thënë të hënën se ai është zemëruar kur ka kuptuar se punëtorët e Qendrës Korrektuese në Nju Jork, “kanë dështuar që ta mbrojnë të burgosurin”, transmeton agjencia e lajmeve, The Associated Press.

Epstein ka vdekur të shtunën, pasi zyrtarët e burgut kanë thënë se ai ka kryer vetëvrasje.


Jeffrey Epstein.

Ai ka qenë në pritje të gjykimit pas akuzave për trafikime seksuale.

Barr nuk ka ofruar të dhëna specifike, mirëpo ka thënë se hetimet e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe inspektorëve të Departamentit të Drejtësisë janë duke vazhduar.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Nju Orlliens.

Barr po ashtu ka paralajmëruar se ky rast nuk është as afër përfundimit dhe se kushdo që ka bërë komplot me Epstein “nuk duhet të pushojë i qetë”.

SHBA: Dhuna me armë, mbizotëruese në politikë pas vrasjeve masive

Çështja e dhunës me armë ka mbizotëruar në debatet politike të Shteteve të Bashkuara, pas vrasjeve masive fundjavën e kaluar në Teksas dhe Ohajo. Ndërsa anëtarët e Kongresit janë me pushimet e gushtit, kandidatët demokratë për president po bëjnë thirrje për veprim dhe Presidenti republikan Donald Trump po premton kontroll më rigoroz të blerësve të armëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sulivan njofton:

Më shumë se 30 vetë humbën jetën në dy vrasje masive. Funerali i një viktime u mbajt të shtunën në Ohio.

Në Ajova të premten, kandidatët demokratë për president u përqëndruan tek dikush që nuk ishte i pranishëm: Presidenti Donald Trump.

“Bëhet fjalë për dikë që e mori postin dhe që ka përdorur merin dhe zërin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për të na përçarë”, tha senatorja Kamala Harris.

Zoti Trump i ka dënuar sulmet, por demokratët thonë se retorika e tij për eimigrantët e paligjshëm frymëzon urrejtje. Presidenti u tha gazetarëve të premten se ai do që kontrollet për blerësit e armëve të bëhen më të rrepta.

“Ne nuk duam njerëz që kanë sëmundje mendore, njerëz të sëmurë, të kenë armë”, tha ai.

Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i rrethuar nga protestuesit në shtetin e tij të Kentucky, tha në një emision radioje të premten që komentet e demokratëve nuk janë të dobishme.

“Pas secilës prej këtyre ngjarjeve, prirja ka qenë për t’u përfshirë në debate politike, në vend që të punohet për të zgjidhur diçka. Presidenti më telefonoi sot në mëngjes për këtë temë. Ai dëshiron të shohë rezultate.”

Shoqata Kombëtare e Armëve, që ka ndikim të madh politik thotë se kontrolli më i rreptë nuk do t’i ndalojë kriminelët.

Kandidati demokart për president Cory Booker i tha një publiku në Ajova të premten se vendi duhet të merret me çështjen e terrorizmit të brendshëm nga supremacistët e bardhë. Ai e bëri këtë argument përsëri të dielën.

“Dhe problemi është se në Shtëpinë e Bardhë nuk kemi dikë që të ngrihet dhe të thotë se do të përballemi me këtë, të caktojmë burime, të shpenzojmë energjinë, kemi dikë që po e amplifikon, që po kontribuon tek kjo lloj përçarjeje”.

Ambasadorja e re amerikane në Tiranë merr këshillat e fundit nga Mike Pompeo

Pak kohë më parë u përcaktua se zëvendësuese e ambasadorit Donald Lu në Tiranë do të jetë Yuri Kim, e emëruar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ambasadorja e emëruar, që pritet të kalojë edhe kongresin, ka zhvilluar ditët e fundit një takim me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo.

Ka qenë vetë Pompeo ai që ka shpërndarë foto nga takimi me ambasadorët e rinj amerikanë që pritet të fillojnë punë në vende të ndryshme të botës.

Pasi i mbaroi mandati Donald Lu u emërua ambasador në Kirgistan, ndërsa deri në mbërritjen e kryediplomatit të ri amerikan “çelësat” e ambasadës në Tiranë po i mban e ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones.

SHBA: Miliarderi Jeffrey Epstein i akuzuar për trafik seksual, kryen vetëvrasje

Financieri Jeffrey Epstein kreu vetëvrasje në qeli ku priste gjyqin për akuza për trafik seksual në Nju Jork, i tha të shtunën agjencisë së lajmeve Associated Press një ish-zyrtar i rendit.

Ai u gjet i vdekur në qeli të shtunën në mëngjes, sipas zyrtarëve që ishin të informuar për çështjen por nuk deshën të identifikohen se nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për çështjen. Mjeku ligjor i Manhatanit e konfirmoi vdekjen e Epsteinit.

Arrestimi i tij solli si rezultat hetime për mënyrën sesi autoritetet e kishin trajtuar fillimisht rastin e tij, kur akuza të ngjashme ishin ngritur kundër tij në Florida para më shumë se një dekade. Sekretari i Punës, Alexander Acosta dha dorëheqjen muajin e kaluar pas kritikave të ashpra për rolin e tij në mbikqyrjen e çështjes, kur ishte Prokuror i Përgjithshëm në Majami.

Miliarderi 66 vjeçar kishte deklaruar pafajësinë në një gjykatë të Nju Jorkut ndaj akuzve se kishte drejtuar një rrjet të gjerë vajzash të mitura për marrëdhënie seksuale. Sipas akt-padisë, zoti Epstein i kishte joshur vajzat të shkonin në vilat e tij në Manhatan dhe Florida në periudhën 2002-2005 dhe i kishte paguar qindra dollarë për seks. za

Kritikohet Presidenti Trump për thëniet se sulmet në masë u shkaktuan nga probleme mendore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara e vuri theksin te sëmundjet mendore si shkaktari kryesor i dhunës me armë. Këto komente ai i bëri pas dy sulmeve në masë gjatë fundjavës ku u vranë më shumë se 31 persona. Kritikët thonë se retorika e presidentit nuk përputhet me veprimet e tij. Megjithëse Presidenti Trump ka kërkuar trajtim dhe izolim për personat me probleme mendore, administrata e tij ka hequr dorë nga rregullorja që u ndalon të sëmurëve mendorë blerjen e armëve. Po kjo administratë është përpjekur të shfuqizojë ligjin e kujdesit shëndetësor, me të cilin qytetarët me të ardhura më të vogla kanë qasje në shërbimet shëndetësore mendore.

Më shumë se 31 persona u vranë në dy sulmet në masë, javën që shkoi në El Paso të Teksasit dhe Dejton të Ohajos, të kryera nga persona me armë automatike.

Menjëherë pas sulmeve, Presidenti Trump premtoi veprime për të ndaluar masakrat.

Por ai minimizoi nevojën e kontrollit të armëve duke i dhënë fokus sëmundjeve mendore.

“Sëmundjet mendore dhe urrejtja tërheqin këmbëzën, jo armët”, tha Presidenti Trump.

Presidenti ka kërkuar reformë të ligjit për shëndetin mendor, në mënyrë që të identifikohen dhe trajtohen më lehtë personat me prirje për dhunë por në rast nevoje edhe të izolohen.

Por, përkrahësit e kontrollit të armëve dhe profesionistët e shëndetit thonë se fokusimi në sëmundjet mendore nuk e lufton këtë dukuri.

Në vend të kësaj, ekspertët thonë se treguesi i rrezikut është sjellja e kaluar kriminale.

“Ne e dime se urrejtja po i nxit këto krime dhe urrjejta nuk është sëmundje mendore”, tha Joshua Horwitz nga koalicioni për ndaljen e dhunës me armë.

Kritikët shtojnë se retorika e presidentit nuk përputhet me veprimet e tij. Administrata e tij është tërhequr nga rregulloret e kaluara për pronësinë e armëve nga të sëmurë mendorë dhe ka provuar të shfuqizojë ligjin e miratuar në mandatin e Presidentit Obama që u ofronte sigurim shëndetësor privat dhe qasje në programet qeveritare për trajtimin e shëndetit mendor personave me të ardhura të vogla.

“Sigurisht, shërbimet e shëndetit mendor kanë rëndësi. Njëkohësisht njerëzit që thonë se shkaku është shëndeti mendor dhe jo prania e armëve në rrugë, janë po ata njerëz që provuan të ndërpresin sigurimin shëndetësor falas Medicaid dhe po ata provuan të shfuqizojnë ligjin e kujdesit të përballueshëm”, tha senatori demokrat nga shteti Ohajo, Sherrod Brown.

Përkrahësit e kontrollit të armëve thonë se përqendrimi te sëmundjet mendore shmang faktorë të tillë si qasja e lehtë e amerikanëve në armë zjarri duke përfshirë edhe ato të kalibrit të rëndë.

“Nëse do të bësh diçka për të ndalur dhunën, duhet të bësh diçka për armët”, tha Joshua Horwitz nga koalicioni për ndaljen e dhunës me armë.

Presidenti Trump ka mbështetur shtrëngimin e procedures së blerjes së armëve, duke kontrolluar të kaluarën e blerësve, por kundërshtimet e grupeve që mbështesin të drejtën e posedimit të armëve si dhe mungesa e konsesusit në Kongres, zbehin mundësitë e miratimit të një ligji të tillë.

Nëse nuk bëhet diçka e madhe në rang federal, shtetet mund të marrin masa veç e veç.

Shtatëmbëdhjetë shtete kanë urdhëruar mbrojtje nga i ashtuquajturi “rrezik ekstrem” që lejon autoritetet t’u marrin armët qytetarëve që mendohet se paraqesin rrezik për veten ose të tjerët. za

SHBA, ndryshime të tjera në udhëheqjen e zbulimit kombëtar

Në udhëheqjen e agjencisë kryesore të zbulimit amerikan këto ditë ka patur disa lëvizje. Por Presidenti Donald Trump ende nuk ka njoftuar publikisht se cilin do të emërojë drejtor të përhershëm të zbulimit kombëtar.

Presidenti Donald Trump tha në një koment në Twitter se kishte pranuar të enjten vonë dorëheqjen e Zëvendës Drejtoreshës Kryesore të Zbulimit Kombëtar, Sue Gordon, e cila para pak kohe njoftoi se përgatitej të merrte postin e drejtoreshës në detyrë të kësaj agjencie.

“Sue Gordon është tani atje. Ajo më pëlqen shumë. Gjithmonë më ka pëlqyer Sue Gordon. Por ne do të bëjmë një zgjedhje tjetër. Ajo sigurisht do të merret parasysh për t’u bërë drejtoreshë në detyrë. Me siguri do të flasim për këtë ose sot ose javën tjetër,” tha Presidenti Trump në një koment të mëparshëm me gazetarët.

Nga letra e dorëheqjes së zonjës Gordon drejtuar Presidentit thuhet se dilte qartë që ajo nuk po largohej me dëshirën e saj.

Ajo i tha Presidentit Trump se letra ishte një akt respekti dhe patriotizmi, jo preferencë, dhe se ai duhet të caktonte aty ekipin që dëshironte.

Largimi i zonjës Gordon vjen më pak se dy javë pasi drejtori i zbulimit kombëtar, Dan Coats, njoftoi se do të largohej më 15 gusht.

Në Twitter, Presidenti Trump tha se, admirali në pension, Joseph Maguire, ish-drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërterrorizmit, do të bëhej drejtor në detyrë i zbulimit kombëtar më 15 gusht, ditën kur hyjnë në fuqi dorëheqjet e zotit Coats dhe zonjës Gordon.

Presidenti Trump ende nuk ka njoftuar publikisht se cilin do të emërojë drejtor të përhershëm të zbulimit kombëtar. za

Shqipëri: Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, mes kritikash dhe debatesh

Mimoza Picari

Në Shqipëri, proçesi i rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, si pjesë e reformës në drejtësi ka marrë shumë vëmendje në opinionin publik për shkak se ai po shoqërohet me largime në masë të përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë. Kjo ka sjellë kolaps të dy gjykatave asaj kushtetuese dhe të lartë, dhe për pasojë debati politik dhe ai në rradhët e drejtësisë po zhvillohet me tone të larta. Kritikët e Vettingut shohin tek ai një proces agresiv, në disa raste me standarte të dyfishta dhe të ndikuar politikisht nga shumica qeverisëse. Shefja e operacionit ndërkombëtar të ONM, Genoveva Ruiz Calavera, në një intervistë të posaçme me shkrim për Zërin e Amerikës, i hodhi poshtë këto pretendime duke i cilësuar ato si sinjale se Vetting po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Ajo mohoi që ky proçes të jetë nën ndikime politike, dhe nënvizoi nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë.

Rivleresimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, si pjesë e reformës në drejtësi, ka larguar nga detyra 74 prokurorë dhe gjyqtarë ndërsa 39 kanë dhënë dorëheqje. Në total 113 prokurorë dhe gjyqtarë i mungojnë sistemit dhe për rrjedhojë dy gjykatat ajo kushtetuese dhe e lartë s’mund të marrin vendime për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Vetting-u monitorohet nga Operacioni ndërkombëtar i monitorimit. Gati tre vite nga miratimi, ai ka marrë mjaft vëmendje jo vetëm si produkti i parë i reformës në drejtësi por edhe si test për ecurinë e saj. Shefja e ONM, Genoveva Ruiz Calavera në përgjigjet me shkrim i tha Zërit të Amerikës, se ky proçes synon kthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

“Procesi i rivlerësimit (i njohur si vetingu) u fillua me objektivin kushtetues të rikthimit të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, duke pastruar radhët e sistemit të drejtësisë nga zyrtarët e korruptuar. Seancat dëgjimore janë publike dhe institucionet e mbajnë publikun të informuar për arsyetimin e vendimeve të vetingut. Numri i madh i magjistratëve që japin dorëheqjen ose janë duke u larguar nga puna konfirmon se ky është një proces serioz për rinovimin e gjyqësorit”- pohon shefja e ONM, Genoveva Ruiz Calavera.

“Ne jemi mësuar jemi mesuar që opinioni publik është bombarduar me reformën të barazuar me proçesin e Vetting. Në fakt Vetting në vetvete nuk është reforma Vetting është një nga aspektet që do të nxjerë jashtë sistemit ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë abuzuar me funksionin e tyre”- shprehet Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Komiteti shqiptar Helsinkit që ka monitoruar që prej fillimit procesin vëren se në përgjithësi ai ka qenë pozitiv, përsa i takon aspektit të së drejtës për një proçes të rregullt ligjor.

“ Ne kemi parë që shumë qytetarë kanë qenë aktivë dhe paraqitur denoncimet e tyre.Madje ka patur gjyqtarë dhe prokurorë, që janë rivlerësuar dhe për të cilët ka patur një numër të konsiderueshëm ankesash”- thotë Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Që prej fillimit të proçesit të Vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët janë bërë afro 4 mijë e 200 denoncime nga qytetarët. Ato merren në shqyrtim nga organet e Vetting dhe nëse ka prova dhe fakte bindëse për prokurorët dhe gjyqtarët e denoncuar këto ndikojnë në marrjen e vendimeve për ta, gjatë rivlerësimit, i cili bazohet në kriterin e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe kriterin profesional.

“Mënyra se si po zhvillohet proçesi i verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, më duket më agresiv se ai që duhet të jetë në fakt”-thotë Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

“Kritikat tona kryesore kanë qenë në drejtim të konsolidimit të jurisprudencës të organeve të Vettingut dhe në mënyrë të veçantë, në pjesën e zbatimit të proporcionalitetit. Vetting-u nuk mud të jetë radikal dhe nuk mund të penalizojë këdo, por vetëm ata me probleme serioze”- argumenton Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“Ne nuk kemi qenë kundër reformës. Ne e shpëtuam reformën. Ata që vlerësojnë reformën vetëm nga vetting-u që ka dy anë të padiskutueshme. Ka anën që nxjerr nga sistemi njerëz. Dhe anën që bën gjahun e shtrigave për llogari të qeverisë në mënyrë të padiskutueshme. Por ka një gjë themelore. Ky Vetting që bëhet thyen parimet universale, thyen parimet e mishëruara në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut”- shprehet Sali Berisha- ish-kryeministër.

“Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm”- pohon Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

“Nuk e lamë ne vendin pa gjykatë kushtetuese. Dhe në mënyrë absolute kjo ka qenë e qëllimshme. Se nëqoftëse vendi sot është pa Gjykatë Kushtetuese, ishte kjo që na ndau ne nga reforma pasi votuam ndryshimet kushtetuese. Ne ishim për një Vetting që shkonte nga poshtë lart dhe nuk krijonte vakum në sistem”- pohon Sali Berisha- ish-kryeministër.

“Duhet një rivlerësim i situatës. Dihej që në fillim që sistemi vuante, por nëse këtë mekanizëm në do ta përdorim kaq ashpër ne kemi rrezik të humbasim sistemin ose ta vëmë atë në rrezik në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave kushtetuese që ka”- thotë Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Shefja e ONM është e bindur se proçesi i Vetting ka dhënë një measzh të fortë për të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin.

“ Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, Vetting-ut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethenëse. Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim ato si një konfirmim që Vetting-u po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Shpresojmë që ndryshimi në gjyqësor të forcojë profesionalizmin, aftësinë dhe guximin e magjistratëve të sapoemëruar për të luftuar korrupsionin.Disa ditë më parë, me rastin e përurimit të Pallatit të ri të Drejtësisë në Tiranë, unë ndoqa një ceremoni diplomimi të Shkollës së Magjistraturës. Unë isha shumë krenare që pashë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që merrnin detyrën dhe të betoheshin për t’i shërbyer Kushtetutës”- pohon Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

“Këta që vijnë sado me dëshirë të futen në sistem, këta janë të rinj e para, e dyta që të zhvillohesh në karierë gjyqësore dhë të prokurorisë ka disa kritere ligjore dhe kushtetuese. Është si të rrisësh një njeri, ashtu rritet dhe sistemi”- pohon Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Në shkarkimin e mbi 70 gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra kriteri kryesor ka qenë ai i pasurisë. Ai rrëzoi dhe prokuroren e parë që ju nënshtrua vetting Besa Nikhasanin e cila i është drejtuar Gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg, që e ka marrë në shqyrtim çështjen e saj.

“Mosjustifikim i pasurisë në thanë. S’ke çertifikatë pronësie për shtëpinë në Lezhë. Banesën në Lezhë e kisha deklaruar që në 2003-in, me adresë dhe me të dhëna se ka qenë e pahipotekuar. Sot 60% e pronave në Shqipëri janë me probleme” – shprehet Besa Nikëhasani, prokurore e shkarkuar nga Vetting.

“Shoqëria shqiptare ka qenë dhe vazhdon të mbetet një shoqëri informale. Deri para pak vitesh ne edhe pagën e kemi marrë me bordero. Pra kesh dhe jo përmës bankës. T’u kërkosh sot prokurorëeve dhe gjyqtarëve të përgjigjen në detaje për transaksione të caktuara, për justifikim të pasurisë sikur shoqëria ka funksionuar në mënyrë perfekte me formalitet, do të thotë se që në fillim i kë vënë në pozitë të vështirë”- pohon Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

“Dhe ajo për të cilën ne kemi tërhequr vëmendjen ndaj organeve të Vetting dhe kemi parashtruar edhe raportet dhe analizat tona ka qënë fakti se në disa raste parimi i proporcionalitetit, ka shkuar në funksion të konfirmimit në detyrë, dhe në disa raste të tjera ky parim i ka djegur këta prokuorë dhe gjyqtarë dhe i ka shkarkuar nga detyra”- argumenton Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“ Ka standarte të dhjetëfishta jo të dyfishta. Problemi është se këta nuk mbajnë përgjegjësi”- shprehet Besa Nikëhasani, prokurore e shkarkuar nga Vetting.

“Ne jemi Kolegji i posaçëm i apelimit. Ne kemi zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin. Nuk na e ndryshojnë idenë e gjykimit as opinonet dhe as mendimet e askujt”- u shpreh Natasha Mulaj, kryetare e Kolegjit të posaçëm të apelimit.

Në Gjykatën e strazburgut mjaft prokuorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga Vetting kanë depozituar padi ndaj shtetit shqiptar. Kjo gjykatë ka gjetur në shkelje të konventës së të drejtave të njeriut edhe shtete të mëdha si Franca Anglia por në rastin e shqipërisë rreziku lidhet me besimin ndaj Vetting.

“Mund të krijojë problem Gjykata e Strasburgut përsa i takon besueshmërisë në këtë proçes dhe legjitimitetit të tij”- thotë Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“ Sot Gjyata e Strasburgut ka shtruar pyetje asgjësuese për reformën. Sepse dënohen në një proçes të pandershëm. Këta i kanë lejuar vetes që të jenë vetë hetues edhe vetë gjykatës. Kjo formë nuk ekziston. Kjo do të çojë në kolaps, sapo Strasburgu të japë vendimet e para për proçedurat staliniste”- thotë Sali Berisha- ish-kryeministër.

“Nëse dikush fiton një çështje në Strasburg nuk është sakrilegj madje është mirë, sepse i bën mirë dhe vetë proçesit. E rëndësishme është që struktura e reformës të mos cënohet”- pohon Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Rivlerësimi i afro 700 prokurorëve dhe gjyqtarëve pritet të përfundojë në vitin 2026. Angazhimi i operacionit ndërkombëtar të monitorimit do të jetë deri në fund të këtij proçesi me rekomandime dhe opinione duke përfshirë edhe mendime kundërshtuese nëse është e nevojshme.

“Për më tepër, ne kemi dhënë kohët e fundit 42 milion € nga fondet e BE-së në një program të ri drejtësie që do të ndihmojë në konsolidimin e reformës. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të raportojmë në detaje për situatën e Shqipërisë në raportet e Komisionit. Siç e shihni, angazhimi i BE-së në Shqipëri është i shumëanshëm dhe shumëdimensional sepse ne duam të shohim rezultate konkrete dhe të matshme për realizimin e shtetit të së drejtës. Kjo është jetike për të mbrojtur qytetarët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të siguruar që brezat e rinj të qëndrojnë në këtë vend të bukur ku kanë lindur pa pasur nevojë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit”- shprehet Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

“Ne duhet që këtë moment të mos e humbasim për Shqipërinë, sepse është një moment shumë i veçantë. Nëse ne në fund të këtij proçesi arrijmë të kemi një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe profesional, ne kemi disiplinuar të gjithë shoqërinë shqiptare”- shprehet Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT .

Huntsman: Marrëdhëniet me Rusinë më të vështirat në vite

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi, Jon Huntsman, ka dhënë dorëheqje pas dy vitesh në pozitën më të lartë të diplomacisë amerikane në Moskë. Ai e ka quajtur kohën që shërbeu si ambasador një nga periudhat më të vështira në historinë e marrëdhënieve dypalëshe.

Në seancën e thirrur në Senat për emërimin e tij para dy vitesh, kandidati i atëhershëm i emëruar si ambasador në Rusi, Jon Huntsman, ishte i ndërgjegjshëm për vështirësitë.

“Nuk kam iluzione se të shërbesh si ambasador i SHBA-së në Rusi është e lehtë dhe e thjeshtë. Marrëdhëniet tona janë sfida më e rëndësishme dhe e komplikuar në politikën e jashtme”, u shpreh në atë kohë thënë ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman.

Pikërisht këto vështirësi bën që ai të largohet dy vite pasi udhëhoqi misionin diplomatik në Rusi. Zoti Huntsman shërbeu në Moskë në kohën kur agjencitë inteligjente amerikane thanë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe një komision i veçantë hetoi lidhjet midis Moskës dhe fushatës së kandidatit të atëhershëm, tani presidentit Donald Trump.

“Në shumë mënyra, marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përcaktuar nga hetimet e akuzave ndaj Rusisë dhe konsensusi nga të dy partitë në Kongres se duhet të kufizojmë angazhimin dhe marrëdhëniet tona me Moskën për shkak të aktiviteteve të tyre kundër nesh”, tha Mark Simakovsky nga Këshilli i Atlantikut.

Në letrën e tij të dorëheqjes, zoti Huntsman ofron disa këshilla për pasuesit e tij ku thotë se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse kur veprimet e saj kërcënojnë SHBA-në ose aleatët e tyre.

Para Rusisë ai kishte shërbyer si ambassador në Kinë e Singapor.

Ka zëra se ai mund të futet në garë për guvernator në shtetin Utah, një post këtë që e kishte dikur.

Largimi i tij vjen në kohën e përdorimit të dhunës nga Kremlini kundër protestuesve, të udhëhequra nga mbështetësit e kandidatëve të partive opozitare të përjashtuara nga gara për këshillin bashkiak të Moskës.

Policia ruse ka arrestuar më shumë se 1 mijë persona. Pamjet e forcave të rendit duke rrahur qytetarë të shtrirë në tokë, kanë marrë vëmendje globale.

Në letrën e dorëheqjes së tij, zoti Huntsman i bën thirrje Rusisë të respektojë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. za

Presidenti Trump përballë protestave në El Paso dhe Dejton

Richard Green

Presidenti amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja Melania u pritën nga dhjetëra protestues gjatë vizitave që bënë dje në Dejton të Ohajos dhe El Paso të Teksasit, ku fundjavën e kaluar ndodhën dy vrasje masive me armë zjarri. Demonstruesit në të dy qytetet shprehën zemërimin e tyre për rregulloret e pamjaftueshme për armët si dhe ndaj komenteve të Presidentit për emigrantët dhe njerëzit me ngjyra që janë denoncuar si raciste.

Pak para se të nisej nga Shtëpia e Bardhë për në Ohajo dhe Teksas, Presidenti Trump u mbrojt edhe një herë ndaj kritikave në rritje se komentet e tij përqafojnë dhe inkurajojnë supremacizmin e bardhë. Ai shkoi aq larg sa që la të kuptohet se i dyshuari për vrasjet masive në Ohajo mbështeste kundërshtarët e tij liberalë.

“Pra, kritikët e mi janë njerëz politikë, ata po përpiqen të fitojnë pikë. Në shumë raste ata janë duke kandiduar për president dhe janë shumë poshtë në sondazhe. Nëse shihni ngjarjen në Dejton, ky ishte personi që mbështeste Bernie Sandersin, lëvizjen Antifa, senatoren Elizabeth Warren, me sa kuptoj. Nuk kishte asnjë lidhje me Presidentin Trump. Pra, këta janë njerëz që kërkojnë përfitime politike. Dhe sa më shumë që të jetë e mundur unë jam përpjekur të qëndroj jashtë kësaj”.

Përshëndetja e ngrohtë që zotit Trump iu rezervua nga personalitetet vendase kur mbërriti në Dejton ishte në kontrast me protestuesit e zemëruar që ishin rreshtuar në rrugët jashtë spitalit ku ai dhe zonja e parë vizituan disa nga 27 personat e plagosur nga ngjarja e së dielës, ku u vranë 9 vetë.

Senatori Demokrat i Ohajos Sherrod Brown thotë se ai i kërkoi presidentit të nxisë aleatët e tij republikanë të Senatit të ndërmarrin veprime të shpejta lidhur me legjislacionin e ri për kontrollin e armëve të miratuar tashmë në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët.

“Si kryetarja e bashkisë ashtu edhe unë i bëmë thirrje Presidentit që t’i kërkojë udhëheqësit të Senatit Mitch McConnell ta mbledhë Senatin përsëri në seancë këtë javë, për t’i thënë se ai dëshiron që të debatohet projektligji i miratuar tashmë nga Dhoma për kontrollin e të shkuarës së personave që blejnë armë. I kërkova Presidentit të më premtojë mua dhe popullit amerikan se ai do ta nënshkruajë atë projektligj pasi të jetë shprehur në mbështetje të tij bashkë me senatorin McConnell.”

Në El Paso, ku 22 njerëz u vranë në një supermerkat vetëm disa orë para vrasjeve në Dejton, Presidenti Trump vlerësoi personelin e urgjencës që u erdhi në ndihmë viktimave dhe kapi personin që shtiu.

“Puna që keni bërë si polici, si zbatues të ligjit, si reagues të parë, është e jashtëzakonshme. Dhe të gjithë po e thonë këtë. Unë desha të vij dhe t’ju falënderoj sepse jeni njerëz shumë të veçantë”.

Zemërimi ishte i madh edhe në El Paso, qytet në kufi me Meksikën. Personi i dyshuar për vrasjet Patrick Crusius, njoftohet se postoi një mesazh supremacist në internet pak orë para se të qëllonte, duke shprehur urrejtje të madhe ndaj hispanikëve.

Shumë banorë të El Pasos fajësuan retorikën e presidentit dhe politikat e tij kundër emigrantëve pa dokumente nga Meksika dhe vende të tjera të Amerikës Qendrore.

“Këto politika të mbushura me urrejtje zbatohen pikërisht këtu në komunitetin tonë çdo ditë. Ky sulm, dhe secili para tij, ka qenë një sulm ndaj të drejtës sonë për të ekzistuar. Sot, në një ditë kur komuniteti ynë është ende i tronditur, ende në zi dhe ende duke marrë veten nga ky sulm terrorist dhe supremacist, sepse kjo është e vërteta. Në një ditë kur komunitetet latino në të gjithë vendin kanë frikë se nesër mund të jetë radha e tyre. Sot ne duhet ta mbajmë Presidentin përgjegjës për modelin e racizmit që karakterizon administratën e tij.”

“Ne kemi një president që demonizon komunitete si ky,” tha Beto O’Rourke, kandidat demokrat për president, i cili më parë përfaqësonte El Pason në Kongres.

Presidenti e sulmoi zotin O’Rourke në Twitter para se të arrinte në El Paso, duke e ironizuar për rezultatin e ulët në anketa dhe duke e akuzuar për falsifikim të origjinës familjare për ta paraqitur veten si hispanik.

Trumpi e do një marrëveshje Kosovë –Serbi deri në qershor?

Presidenti i Serbisë i ka komentuar zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me relacionet Kosovë –Serbi dhe procesin e dialogut mes palëve. Ai ka thënë se supozon që vendet perëndimore do ta kërkojnë përshpejtimin e gjetjes së një zgjidhjeje për Kosovën, por ka theksuar se enda nuk ka dëgjuar ndonjë propozim prej tyre, duke theksuar se krejt çfarë po bëjnë ata është rritja e presionit ndaj tij.

Vuçiq ka theksuar përsëri se ideja e tij për këmbim territoresh është hedhur poshtë nga të gjithë duke theksuar se kjo është një dëshmi se një zgjidhje e tillë ka qenë shumë e mirë.

“ Unë nuk e kam parë ndonjë propozim prej tyre, përveç presionit ndaj meje ku thonë se ‘ti mund ta përballosh do të fitosh në zgjedhje edhe nëse pranon pavarësinë e Kosovës e ne do të ndihmojmë me BE’në dhe me paratë për Serbinë” ka shtuar Vuçiq.

Duke i komentuat deklaratat e profesorit të Universitetit Johns Hopkins Edward Joseph i cili ka thënë se celësi për Kosovën është në duart e Vuçiq, shefi i shtetit serb ka thënë se ish-diplomati amerikan nuk është në anën e Serbisë, por ka theksuar se ai është një njeri serioz dhe i informuar dhe se deklaratat e tij “janë një ngarkesë më tepër për të (presidentin serbe).

I pyetur rreth disa raportimeve të mediave se Trump ka kërkuar që zgjidhja për Kosovën të gjendet deri në muajin qershor dhe se edhe Macron ka kërkuar një përshpejtim, Vuçiq ka thënë se nuk bëhet fjalë për afate, por për përmbajtje.

“Edhe gazetarët me pyesin, por edhe shumë njerëz gabimisht mendojnë se teknika dhe forma janë më të rëndësishme se përmbajtja. Nuk është. Problemi është të përmbajtja në atë se çfarë ofron dhe cfarë flet. Pra këtu është problemi për atë se për çfarë do të merremi vesh” ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se Serbia dhe serbët nuk mund ta njohin pavarësinë e Kosovës pa fituar diçka.

Presidenti Trump viziton Ohajon dhe Teksasin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, shkon sot në qytetit Dejton të Ohajos dhe në El Paso në Teksas. Vizitat e presidentit zhvillohen pas masakrave të fundjavës që lanë 31 të vrarë. Këto dy incidente me armë zjarri u pasuan me kritika ndaj retorikës së presidentit, të cilën shumë banorë e komentojnë si nxitëse të këtyre akteve të dhunshme. Disa banorë i kanë kërkuar presidentit të mos vizitojë këto dy komunitete:

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Hogan Gidley tha të martën se vizitat e presidentit Turmp në Dejton të Ohajos dhe El Paso të Teksasit, janë të ngjashme me vizitat që ai ka bërë në komunitete të tjera që janë goditur nga sulmet në masë. Presidenti bashkë me zonjën e parë do të takohen me ekipet e forcave të rendit dhe ndihmës së shpejtë si dhe me familjet e viktimave dhe të mbijetuarit.

“Presidenti do të shkojë në këto komunitete që të përcjellë pikëllimin e tij, të lutet me banorët, të shprehë ngushëllime, si dhe të shprehë mirënjohjen e tij për ata që rrezikuan jetën dhe që arritën ta ndalojnë sulmuesin aq shpejt”, tha dje zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley.

Por vizitat e planifikuara kanë ngjallur ndjenja të përziera tek ata që vënë në pikëpyetje nëse presidenti ka legjitimitetin t’u lehtësojë dhimbjen komuniteteve që janë në zi, pas retorikës së tij që shpesh ndez gjakrat.

Në El Paso, një qytet me shumicë hispanike, banorët mbajnë zi për 22 jetët e humbura. Retorika kundër emigracionit e presidentit, ka bërë që disa banorë të shohin si të papranueshme praninë e zotit Trump.

“Ka mungesë respekti për emigrantët, për të gjithë emigrantët si puna jonë. Sepse ai mendon se ne po e pushtojmë tokën e tij. Por nuk është ashtu. Ne vijmë për një të ardhme më të mirë për familjen, asgjë më shumë”, shprehen Arturo dhe Rosi Ceniceros, banorë të El Pasos.

Të tjerë janë mirënjohës për vizitën e presidentit.

“E di që shumë politikanë në qytetin tonë nuk janë të lumtur për vizitën e tij, unë personalisht i uroj mirëseardhje. E vlerësoj shumë kohën që ai po rezervon që të vijë e të takojë banorët e El Pasos”, tha një banore tjetër e këtij qyteti.

Në Dejton, ku humbën jetën nëntë persona nga sulmi me armë në orët e para të së shtunës, kryetarja e bashkisë, demokratja Nan Whaley shprehet se do ta mirëpresë presidentin. që vjen nga radhët e partisë. Por ajo shton se komentet e tij pas sulmeve ishin të paqarta.

“Nuk e kuptoj se çfarë ka në mendje presidenti. Vetëm mund të shpresoj që si president i Shteteve të Bashkuara, ardhja e tij nënkupton se ai do të kontribuojë për të përmirësuar situatën sepse për këtë kemi nevojë,” tha kryetarja e bashkisë së Dejtonit, demokratja Nan Whaley.

Në fjalimin e së hënës për dy masakrat tronditëse, presidenti Trump foli për arsyet që shkaktuan masakrat, duke përfshirë sëmundjet mendore dhe dhunën e nxitur nga lojrat elektronike. Por ai shmangu rregulloret e buta që lejojnë blerjen lehtësisht të armëve të kalibrit të madh në SHBA.

“Jam e zhgënjyer nga komentet e tij. Janë të mangëta. Ai përmendi problemin e armëve një herë. Nëse analizon qëndrimet e presidentit mbi armët, sinqerisht më bën të mendoj se ai nuk ka bindje të qarta”, tha kryetarja e bashkisë së Dejtonit, Nan Whaley.

Pas Dejtonit, presidenti shkon në El Paso, ku 22 persona u vranë në një qendër tregtare. Njoftohet se personi i dyshuar si autor i sulmit, Patrick Crusius, kishte postuar në internet një mesazh supremacist orë përpara sulmit, në të cilin shprehet urrejtja e tij për hispanikët.

Zoti Trump në fjalimin e së hënës bëri thirrje të ndërpriten retorika të tilla, por ai vetë akuzohet për shrytëzimin e kësaj ideologjie në fjalimet ku zotohet për ndërtimin e murit në kufirin jugor që të pengojë ardhjen e emigrantëve të paligjshëm në SHBA, duke përfshirë këtu edhe fjalimin e tij nga El Paso në muajin shkurt.

Vizita e presidentit vjen në një kohë presioni ndaj republikanëve të Senatit amerikan që të miratojnë një ligj të propozuar nga demokratët që përfshin kontrollin e së kaluarës për blerësit e armëve, duke përfshirë edhe blerjet në internet dhe panaire.