VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Fjala e Presidentit Meta në sesionin e 75-të të OKB: Me ndërmjetesimin e BE-së, Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen për njohje reciproke

By | September 24, 2020

Komentet

Kurti për senatorin Dole: Ai është heroi ynë, po lutemi për të

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shkruar disa fjal= për senatorin amerikan, Bob Dole, i cili nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Dole u diagnostifikua me kancer të mushkërive në fazën e IV, raporton Gazeta Express.

Kurti përmes një cicërrime në Twitter tha se Dole është një hero që e ngriti Kosovën në kohë të vështira, ndërsa bëri të ditur se po luten për shëndetin e tij.

“.@SenatorDolee ka kaluar jetën e tij në shërbim duke punuar për drejtësi dhe barazi. Ai nuk është vetëm shoku ynë, por një hero që u ngrit për Kosovën në kohë të vështira. Ne e dimë që ai nuk po ndihet mirë tani, por ai është një luftëtar dhe ne duam ta bëjmë të njohur se ne jemi duke menduar dhe lutur për të”, ka shkruar Kurti.

“Vëlla Ibrahim”, Letra që Adem Demaçi ia dërgonte Ibrahim Rugovës më 1992

Shkrimtari Shaip Beqiri ka publikuar një mesazh që Adem Demaçi i kishte dërguar Ibrahim Rugovës në vitin 1992, raporton Gazeta Express.

Demaçi e kishte nisur mesazhin me fjalët ‘Vëlla Ibrahim’ para gati 29 vitesh.
“Vëlla Ibrahim. Shpresoj se besimin që ta dha populli do ta kuptosh drejt dhe se besimit do t’i përgjigjesh me besim. Dëshiroj fort që të mos lejosh që interesat partiake, grupore e individuale ta dëmtojnë interesin e përgjithshëm; dëshiroj që kurrsesi të mos lejosh që burokratët e dallkaukët e ndryshëm të bëhen mur në mes teje e popullit. Vështirësitë janë të mëdha, por edhe fuqia e popullit është e madhe. T’u priftë e mbara e Zoti të bekoftë”, kishte shkruar Demaçi në mesazhin për Ibrahim Rugovën në 1992.

Rasti “Monstra” – Përplasje mes policisë dhe protestuesve në Shkup

Isak Ramadani

Një protestë që u mbajt në Shkup me pjesëmarrjen e disa qindra shqiptarëve, u përshkallëzua në dhunë midis grupeve të protestuesve dhe policisë. Protestuesit synonin të shkonin para qeverisë për të shprehur indinjatën pas dënimeve me burgim të përjetshëm të tre të akuzuarve lidhur me vrasjen e pesëfishtë në vitin 2012 në rrethinat e Shkupit. Pasi policia ua mbylli rrugën, ata hodhën gurë dhe objekte të forta kundër forcave speciale policore. Autoritetet thanë se tre policë u lënduan.

Protestuesit u nisën nga lagja Çair e Shkupit me qëllim që të ndaleshin para selisë së qeverisë rreth tre kilometra më larg në qendër të kryeqytetit, por policia i bllokoi ata në gjysmë të rrugës në lagjen Bit Pazar. Disa qindra protestues dolën në rrugë të thirrur nga familjarë të të dënuarve me burgim të përjetshëm lidhur me rastin e koduar gjyqësor “Monstra” që kishte të bëjë me vrasjen e pesëfishtë para rreth nëntë vjetësh në rrethinat e Shkupit.

Edhe protesuesit edhe policia speciale, që ishte në numër të madh dhe e shoqëruar nga autoblinda, për një kohë qëndruan të qetë. Organizatorët disa herë u bënë thirrje zyrtarëve policorë që të hapnin rrugën për të kaluar në drejtim të qeverisë, por policia nuk lëshoi pé.

“Ju lus në mënyrë paqësore të na e lironi rrugën sepse protesta është e qetë dhe paqësore! Nuk po kërkojmë mëshirë, lirojeni rrugën t’i drejtohemi qeverisë ashtu siç kemi planifikuar! Sot ne, nesër juve mund t’ju ndodhë kjo. Me këtë sistem dhe këto institucione gjithkush mund të paditet dhe me një “dëshmitar të rrezikuar” mund të përfundojë në burg të përjetshëm”, tha Bedri Hajdari, familjar i disa prej të dënuarve dhe organizator i protestës.

Më pas grupe të rinjsh, që dukej se nuk po i respektonin thirrjet e organizatorëve për të qëndruar të qetë, filluan të hedhin gurë, objekte të forta, ngjyrë dhe sende të tjera kundër policisë. Forcat policore të shoqëruara nga autoblindat prapa tyre më pas filluan të shtyjnë turmën, duke përdorur herë pas here edhe shashka. Pas përleshjes që zgjati rreth një ore e gjysmë, protestuesit u shpërndanë. Protesta u mbështet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në opozitë.

Autoritetet policore thanë më pas se tre policë ishin lënduar si dhe një kameraman i agjencisë shtetërore të lajmeve të ishte sulmuar.

Rasti ‘Monstra’, i cilësuar si terrorizëm qe rikthyer nga Gjykata e Lartë për rigjykim në vitin 2017 pasi të akzuarit qenë dënuar me burgim të përjetshëm. Gjykatësi dhe prokurori u ndërruan, ndërsa dënimet me burgim të përjetshëm përsëri iu dhanë tre të akzuarve, njërit 15 vjet, një tjetri 9 vjet heqje lirie, teksa një i akuzuar u lirua në mungesë provash kundër tij.

Megjithatë, prokuroria nuk ofroi dëshmi të reja gjatë procesit të rigjykimit; Armët me të cilat ishin ekzekutuar katër djem të moshës nga 18 deri 21 vjeç dhe një peshkatar 45 vjeç – nuk u gjetën dhe motivi i vrasjes nuk u bë i ditur.

Nga ana tjetër, familjarët e të dënuarve dhe partitë shqiptare të opozitës vlerësojnë se njerëz të gabuar u dërguan në burg dhe se porositësit dhe organizatorët e vërtetë të vrasjes po shëtisin të lirë. Kërkesat e tyre për një gjykim me ekspertë të huaj si prokurorë u shpërfillën nga organet e gjyqësorit.

Philip Kosnett: Kurti dhe Osmani kanë vizion e energji, kjo është shumë emocionuese për Kosovën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett është shprehur i mahnitur nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë. Ai tha se këto zgjedhje ishin të lira, të drejta dhe profesionale. Kosnett në një intervistë tha se në Kosovë eksziston një dëshirë e madhe për t’iu dhënë rastin Kurtit e Osmanit për ta formuar qeverinë e re.

“Mendoj se me siguri flas për shumë njerëz kur them se shpresoj që Kosova të hyjë në një valë ku nuk do të ketë kaq shumë zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, isha shumë i lumtur, shumë i mahnitur me rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë. Duket që ishin të lira, të drejta, sigurisht që u mbajtën në mënyrë të sigurtë dhe profesionale. Sigurisht janë disa hetime duke u zhvilluar dhe gjithmonë ka mësime që nxirren”, tha Kosnett Kosnett tha se i njeh mjaft mirë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin dhe se është takuar shumë herë me ta, para dhe pas zgjedhjeve.

“I njoh Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin mjaft mirë tashmë dhe mendoj se është e qartë që në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për t’iu dhënë rastin për ta formuar qeverinë dhe për ta udhëhequr vendin dhe mendoj se ata kanë vizion e energji dhe kjo është kohë shumë emocionuese për Kosovën. Jam takuar me ta shumë herë, përfshirë edhe pas zgjedhjeve”, shtoi ai.

Teuta Hadri: Vrasësit e Enver Hadrit, më në fund, dënohen me burgim të përjetshëm

Vrasësit e Enver Hadrit, më në fund, denohen me burgim të përjetëshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë familja Hadri.
Ndonëse Prokurorja e Mbretit kërkoi për fajtorët nga 30 vjet burg për çdonjërin, juria e përbërë nga përfaqësuesit e drejtpërdrejtë të popullit në sistemin e drejtësisë vendosën që kriminelët serbë të dënohen me burg të përjetshëm.
Kjo është një fitore e madhe e drejtësisë mbi krimin politik, thuhet në njoftimin e familjes Hadri.
Më 25 shkurt 1990, rreth orës 16:30, Hadri ishte në veturë kur u ndez drita e kuqe në semafor. Një makinë kalon pranë, nga ku vijnë të shtënat me armë drejtë tij. Hadri ishte 49 vjeç dhe vdiq në vend nga plumbi në kokë.
Hetimet e autoriteteve belge që kanë zgjatur me vite, kanë ardhur në përfundimin se krimi ishte bërë nga shërbimet sekrete jugosllave, në bashkëpunimin me nëntokën e Beogradit.
Në momentin kur u vra, Hadrit në xhep iu gjet lista prej 32 shqiptarëve që ishin vrarë rishtas nga Policia serbe në manifestimet paqësore në përpjekje për të mbrojtur autonominë e Kosovës!
Njoftimi i plotë i familjes Hadri (i pa redaktuar) lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës:
Vrasesit e Enver Hadrit denohen me burg te perjetshem
Dje me, 22 nentor 2016, Kryetarja e Trupit Gjykues ia kishte shtruar Jurise se perbere prej 12 qytetaresh te perzgjedhur me short, 3 pyetje dhe 3 nenpyetje :
1. Pyetja e pare kryesore : … I akuzuari Veselin Vukotiq a eshte fajtor per vrasjen e Enver Hadrit, i lindur me 2 prill 1941 ?
2. A e ka kryer i akuzuari këtë vrasje me paramendim ?
3. I akuzuari Bozhidar Spasiq a eshte fajtor per vrasjen Enver Hadrit, i lindur me 2 prill 1941 ?
4. A e ka kryer i akuzuari këtë vrasje me paramendim ?
5. I akuzuari Andrija Drashkoviq a eshte fajtor per vrasjen me paramendim te Enver Hadrit, i lindur me 2 prill 1941 ?
6. A e ka kryer i akuzuari këtë vrasje me paramendim ?
Pas nje shqyrtimi prej me shume se dhjete oresh Juria ne te gjitha pyetje e Kryetares kishte nje pergjigje te vetme : PO !
Ne kete menyre Gjykata e Madhe Penale e Brukselit, i shpalli fajtor per vrasjen e Enver Hadrit, Bozhidar Spasiq-in, ish-shef i UDB-se per operacione speciale dhe vrasesit Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq.
Nderkaq sot, me 23 nentor 2016, ani se Prokurorja e Mbretit kerkoi per fajtoret nga 30 vjet burg per çdonjerin, megjithate Juria, e perbere nga perfaqesuesit e drejtperdrejte te popullit ne sistemin e drejtesise, vendosen ndryshe : ata vendosen qe kriminelet serbe te denohen me burg te perjetshem.
Kjo eshte nje fitore e madhe e drejtesise mbi krimin politik.
Me kete vendim Gjykata Penale e Brukselit, kryeqytetit te Evropes, krahas organizatorit dhe vrasesve te Enver Hadrit, praktikisht e denoj edhe shtetin serb. Sepse organet serbe qe nje çerek shekulli, nuk lane gur pa levizur, qe vrasja e Enver Hadrit te mos zbardhet dhe dorasit te mos ndeshkohen.
Shpresojme se edhe vrasjet e ngjashme politike te kryera kunder shqiptareve apo kujtdo qofte tjeter do te zbardhen deri ne imtesi dhe organizatoret dhe vrasesit te marrin denimin e merituar.
Per familjen Hadri
Teuta Hadri
Bruxelles, 23 nentor 2016, 18h45

Lë mprapa Konjufcën në Prishtinë, Vjosa Osmani pritet të ketë marrë mbi 250 mijë vota më 14 shkurt

Në 228 qendra të votimit në Prishtinë, numri dy  në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani, ka marrë mbi 44 mijë vota. Osmani ka lënë pas vetës edhe Glauk Konjufcën e VV’së, me një diferencë prej më shumë se 13 mijë vota. Raportimet jozyrtare thonë se deri tash ajo ka 250 mijë vota, e nëse kjo qëndron, e bën Osmanin politikanen më të votuar.

Gazeta Express ka numëruar votat e 228 qendrave të votimit në Prishtinë, që kanë marrë numri dy dhe tre i Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca.

Më shumë se dyzetekatër mijë qytetarë kanë votuar Vjosa Osmanin në vetëm në kryeqytet. Sipas raportimeve jozyrtare nëpër media, ajo ka marrë mbi 250 mijë vota në tërësi. Nëse kjo qëndron, atëherë Osmani bëhet politikania më e votuar ndonjëherë në Kosovë, me sistemin zgjedhor me lista të hapura. Këto vota nuk përfshijnë akoma votat me kusht dhe votat me postë.

Osmani e cila me iniciativën e saj kishte hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ku mbante numrin 2, ka lënë prapa vetes numrin 3 të kësaj liste, Glauk Konjufcën.

Konjufca ka arritur të sigurojë mbi 30 mijë e 500 vota në Prishtinë, duke bërë që diferenca ndërmjet tij dhe Osmanit të jetë mbi 13 mijë e 500 vota.

Në llogaritë që ka bërë Gazeta Express në këto vendvotime, shihet se Osmani e ka kaluar në secilin vendvotim Konjufcën, përveç një rasti kur ky i fundit kishte 10 vota më shumë se Osmani në një qendër të votimit në kryeqytet.

Ndërkohë, në një qendër të votimit në Prishtinë, ku Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 270 vota, asnjë nuk i është shënuar asnjë prej kandidatëve për deputetë. Nuk dihet nëse të dhënat nuk janë bartur të formularë, apo ka ndonjë gabim.

Ndryshe, Osmani e ardhur nga jashtë në LVV, ndodhi që të jetë më e votuara në partinë e Albin Kurtit dhe teknikisht e para në listë, pasi Kurtit iu pamundësua kandidimi për deputet, për shkak të problemeve me ligjin në tri vitet e fundit.

Kurti në zgjedhjet e vitit 2019 ka marrë 183 mijë e 952 vota, që është rezultati i tij më i miri ndonjëherë.

Ish-kandidatja për kryeministre e LDK’së në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, hyri në listën e VV’së pas disa muajve që u përjashtua nga pozitat e partisë amë dhe pas disa javësh që e krijoi iniciativën e saj.

Raportet e Osmanit me LDK’në u përkeqësuan, pasi partia e saj vendosi ta rrëzojë Qeverinë e Albin Kurtit, pjesë e të cilës ishte edhe vetë LDK’ja.

Osmani vitin e fundit vazhdimisht ka pasur qëndrime të afërta, ndonjëherë edhe të njëjta  me Kurtin dhe LVV’në.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me listën e Vjosa Osmanit, kanë fituar zgjedhjet e 14 shkurtit me mbi 47 për qind të votave të rregullta. Ky rezultat nuk përfshin votat me kushte dhe me postë./GazetaExpress/

Kosovë, rinumërim në 494 vendvotime nga zgjedhjet e 14 shkurtit

Prishtinë

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) pas rekomandimeve që kanë marrë nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) kanë vendosur që 494 vendvotime të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë duhet të rinumërohen, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka shpalosur disa arsye në bazë të të cilave ka parashtruar rekomandimet për rinumërimin në disa vendvotime.

Ndër arsyet që sipas Ahmetajt duhet që këto 494 vendvotime të rinumërohen, janë problemet teknike të ndryshme, të tilla si gabimi në bartjen e votës, pasi janë bartur votat gabimisht në subjektet politike dhe nuk kanë arritur ta kalojnë auditimin; gabimi kur kandidati del se ka më shumë vota se sa subjekti i tij politik, e të ngjashme.

“Pra, janë 494 vendvotime të cilat nevojitet të rinumërohen sipas rekomandimeve të QNR-së, apo në përqindje 20.74 për qind prej totalit të të gjitha vendvotimeve”, tha Ahmetaj.

QNR sa i përket të votave me kusht, votave me postë dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara tha se deri më tani numërimi po shkon me rregull dhe janë numëruar mbi 44 për qind e pakove nga 43.500 pako të supozuara si fletëvotime të dërguara në Kosovë nëpërmjet postës.

Ahmetaj theksoi se deri më tani janë hapur 19.168 pako të supozuara si fletëvotime të cilat i janë nënshtruar procesit të vlerësimit.

“Pas vlerësimit, janë aprovuar 22.326 zarfe me fletëvotime ndërsa janë refuzuar 9.049 zarfe me fletëvotime”, theksoi ai.

Ahmetaj shtoi se arsyet e refuzimit të këtyre fletëvotimeve janë të ndryshme, ku disa prej tyre janë dërguar nga persona që nuk kanë qenë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera janë anuluar për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit si dhe ka pasur edhe pako me votues të paidentifikuar.

Votat me kusht, me postë dhe të personave me aftësi të kufizuara kanë filluar të vlerësohen dhe numërohen tek pas përmbylljes së numërimit të votave të rregullta nga KQZ-ja, dy ditë pas ditës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 14 shkurt të këtij viti, ndërsa nga 1.794.862 qytetarë me të drejtë vote, të drejtën e votës e kanë ushtruar mbi 800 mijë votues apo rreth 47 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

Tri dekada nga rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha, persekutimet dokumentohen në muze

Shqipëria shënon këtë vit 30-vjetorin e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, që shënoi edhe simbolikisht rrëzimin e diktaturës, ndërkohë që në vend janë shtuar në vitet e fundit muzetë dhe institucionet që studiojnë dhe pasqyrojnë të kaluarën komuniste, shkruan Anadolu Agency (AA).

Më 20 shkurt 1991 rrëzohet shtatorja e ish-diktatorit Enver Hoxha

Lëvizja studentore antikomuniste në Shqipëri filloi në dhjetor të vitit 1990 dhe vazhdoi për disa muaj derisa u shndërrua në një lëvizje më të madhe me protesta popullore, duke sjellë edhe rrëzimin e regjimit komunist.

Ish-diktatori Enver Hoxha e udhëhoqi Shqipërinë komuniste nga viti 1944 deri në vitin 1985 dhe pas vdekjes së tij sistemi komunist do të drejtohej nga Ramiz Alia, por vetëm për 6 vite, pasi demonstratat popullore dhe ndryshimet që pësuan regjimet komuniste në Evropë përfshinë edhe Shqipërinë.

Protestat që filluan në dhjetor të vitit 1990 fillimisht nga studentët do të kulmonin me rrëzimin e shtatores së ish-diktatorit Hoxha, më 20 shkurt 1991, moment ky që shënon edhe simbolikisht rënien e regjimit komunist në Shqipëri.

Shtatorja e ish-diktatorit Hoxha ishte përuruar në vitin 1988 në sheshin “Skënderbej” dhe rrëzimi i saj i hapi rrugën proceseve demokratike në vend.

Më 31 mars 1991 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste pasi ishin krijuar edhe disa parti politike pas rreth 50 vitesh diktaturë, ndërkohë që vendi kishte hyrë në fazën e tranzicionit.

Persekutimi komunist dokumentohet në muzeun Bunk’art 2

Teksa kanë kaluar 30 vite nga përmbysja e regjimit komunist, trashëgimia komuniste dhe krimet e komunizmit janë të dokumentuara në muze dhe institucione të tjera në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Një objekt i cili dokumenton sidomos persekutimin komunist është edhe ish-bunkeri antibërthamor i Ministrisë së Brendshme i ndërtuar mes viteve 1981 dhe 1986, që sot si objekt muzeal quhet Bunk’art 2, i vendosur në qendër të Tiranës.

Ky bunker tunel që u emërtua gjatë komunizmit si “Objekti Shtylla” u ndërtua me qëllim për të strehuar zyrtarë të lartë të vendit dhe stafin e Ministrisë së Brendshme në rast të ndonjë sulmi bërthamor, duke u ndarë në dhoma, por edhe apartament për drejtuesit e ministrisë.

Në vitin 2016 ish-bunkeri nëntokësor sekret u shndërrua në muze, ku brenda tij ekspozohen fotografi, dokumente, aparate përgjimi, pajisje dhe objekte të tjera të ndryshme që tregojnë aktivitetin e institucioneve policore dhe sidomos persekutimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Dokumentet dhe pajisjet dëshmojnë për dënimet me vdekje, ndjekjen, përgjimin, burgjet dhe kampet e përqendrimit, por edhe aktivitetin e strukturave të policisë dhe Ministrisë së Brendshme gjatë komunizmit.

Ndërkohë, duke qenë se është shndërruar në një objekt muzeal, pasqyron edhe historikun e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri gjatë historisë së shtetit shqiptar.

Interesi i turistëve të huaj është i lartë për muzeun në fjalë, ku edhe gjatë pandemisë COVID-19 nuk kanë munguar vizitorët, të cilët njihen nga afër me një nga muzetë e rinj të Tiranës, që dëshmon të shkruarën komuniste të Shqipërisë.

Në Shqipëri ka edhe objekte të tjera muzeale që tregojnë të kaluarën komuniste në vend, si pavijoni i persekutimit komunist në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në Tiranë që i kushtohet sistemit të përgjimeve që përdori regjimi komunist, si dhe Bunk’Art 1, që i dedikohet historisë së ushtrisë dhe jetës së përditshme të shqiptarëve gjatë viteve të komunizmit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), gjatë regjimit komunist në Shqipëri rezulton se 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 humbën jetën gjatë internimit, 34.135 shqiptarë janë burgosur si të dënuar për arsye politike, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 janë vrarë, ndërsa rreth 6.000 rezultojnë si të zhdukur.

Quni: Nuk kam votuar për largimin e Vjosës, sepse e kam ditur se LDK-ja përgjysmohet

Anton Quni i LDK’së e ka komentuar largimin e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, nga Lidhja Demokratike në emisionin ‘Pressing’ në T7.

Quni ka thënë se largimi i saj e ka dëmtuar LDK’në në atë masë, sa që iu janë përgjysmuar votat këtij subjekti politik, shkruan Gazeta Express.

“Jo që na ka lanë shejë, por e ka përgjysmu Lidhjen Demokratike të Kosovës. E ka humbur përgjysmë forcën e Lidhjes Demokratike”, ka deklaruar ai.

“Mund të them që ajo ka qenë më e zëshmja brenda takimeve të Kryesisë së LDK’së, ku duhej ta gjenim mënyrën për të mos ardhur deri te transformimi i qeverisë. Ajo nuk ka ndërruar qëndrim”, ka thënë tutje Ministri i Mbrojtjes në detyrë në Pressing.

“Ajo më këmbëngulësinë e saj, ajo thjesht, filloi të identifikohej si personalitet që tani fillon të krijojë favore për Lëvizjen Vetëvendosje. Pastaj filluan zëra brenda Kryesisë ku thuhej se Osmani është kundër interesave të kryesisë së LDK’së, derisa ne u sfiduam si anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm për të votuar për lirim e saj nga përgjegjësitë që i ka bartur në LDK”

“Nuk ishte përjashtim, ajo ishte nënkryetare dhe anëtare e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm në LDK. Nuk më kujtohet saktë formulimi por bëhej fjalë për nënkryetare dhe anëtare e Kryesisë. Edhe këtë hap e kam parë të gabueshëm që do të krijojë pasoja dhe prandaj nuk kam votuar që Osmani të largohet. Kam votuar kundër”.

Ish-Senatori Dole njofton se ka kancer në mushkëri

VOA

Ish senatori republikan Bob Dole, i cili garoi pa sukses për president në 1996, tha të enjten se ishte diagnostikuar me kancer të avancuar të mushkërive dhe do t’i nënshtrohet trajtimit duke filluar javën e ardhshme.

“Kohët e fundit, u diagnostikova me kancer në mushkëri në fazën e katërt …. Edhe pse sigurisht kam disa pengesa përpara, unë e di gjithashtu se u bashkohem miliona amerikanëve që përballen me sfida të konsiderueshme shëndetësore,” tha 97-vjeçari Dole në një postim në Twitter.

I njohur për mendjemprehtësinë dhe aftësitë e tij si ligjvënës, zoti Dole ka patur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan që përfshinte vitet si udhëheqës i shumicës në Senat. Në fillim të viteve 1980 ai kryesoi Komisionin e Financave të Senatit, i cili merret me politikat e taksave, tregtisë dhe shëndetësisë.

Ai u mposht nga Presidenti Bill Clinton në zgjedhjet presidenciale të vitit 1996, me 49.2% të votës kundrejt 40.7%.

Bob Dole mori plagë të rënda në Itali gjatë Luftës së Dytë Botërore që e bëri të shtrohej në spital për një kohë të gjatë.

Ai njihet për lidhjet e tij me Kosovën. Tre dekada më parë, Senatori Dole së bashku me disa ligjvënës të tjerë vizitoi Prishtinën, në një kohë kur Kosova ishte nën sundimin e Beogradit. Mendohet se vizita e tij luajti rol me rëndësi për zhvillimet e ardhshme në Kosovë.

Vitin e kaluar, në Prishtinë u përurua një bust për nder të senatorit Dole.

Shuhet poeti i njohur Lefter Çipa, mjeshtër i madh i poezisë popullore

Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare poeti i njohu, Lefter Çipa. Mësohet se poeti ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Ai ka lënë pas një krijimtari të gjerë në libra e tekste këngësh.

Lefter Çipa ka botuar 18 libra me poezi dhe është autor i rreth 1250 këngësh. Çipa do të mbetet në mendjen e shqiptarëve si mjeshtri i madh i poezisë popullore.

Ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare. Lefter Çipa është autor i 18 librave të botuar me poezi si : “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj. Konsiderohej “princi i sotëm” i polifonisë shqiptarë.

Lefter Çipa është edhe autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “N sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”, etj.

Lefter Çipa është babai i gazetarit të njohur, njëherësh kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, Aleksandër Çipa.

Kosovë, mbahet manifestimi qendror për shënimin e 13-vjetorit të pavarësisë

Prishtinë

Në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur manifestimi qendror për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në 13-vjetorin e pavarësisë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani u prit nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe më pas parakaloi para Gardës Ceremoniale të FSK-së.

Në fjalën e saj drejtuar trupave të FSK-së dhe qytetarëve të Kosovës me rastin e përvjetorit të pavarësisë së vendit, Osmani tha se rruga të cilën e ndoqi Kosova deri tek pavarësia nuk ka qenë e lehtë por as e shkurtër.

“Duke shikuar mbrapa, 13 vjet pas e shohim rëndësinë e lirisë sonë dhe të mbështetjes nga vendet mike të cilat dhanë kontribut të çmueshëm në lirinë tonë dhe në pavarësinë e vendit tonë. U jemi përjetësisht mirënjohës NATO-s, SHBA-së, BE-së dhe gjithë botës demokratike ngase pavarësia e vendit as që do të mund të imagjinohej pa ndihmën e tyre”, theksoi Osmani, e cila theksoi se beson që në një të ardhme të afërt edhe trupat e FSK-së do jenë në krah të atyre të NATO-s.

Ajo shtoi se synimi i Kosovës është integrimi në bashkësinë e popujve evropian, ndërsa për ta arritur këtë “çdo ditë duhet ta dëshmojmë se jemi shoqëri ku ka vend për të gjithë dhe të gjithë qytetarët tanë janë të barabartë”.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti tha se përvjetorët e pavarësisë së vendit janë momente të veçanta për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi.

“Mbetet shumë punë për të realizuar aspiratën për integrim evropian të Kosovës. I tillë ishte vizioni dhe amaneti i heronjve tanë të cilët na ndriçuan rrugën në luftën çlirimtare, por ambicia e tyre nuk mbaron këtu. Kjo ambicie rritet dhe zhvillohet çdo ditë ashtu siç po konsolidohet dhe avancohet demokracia si vlera më e lartë dhe çmuar e gjithë historisë njerëzore”, theksoi Hoti.

Ai shtoi se edhe në këtë përvjetor, kujtimi dhe mirënjohja për kontributin e pashembullt të dëshmorëve bëhet udhërrëfyes “që na jep forcë për të ngritur flamurin e Kosovës përkrah vendeve më të fuqishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare”.

Shënimi i Ditës së Pavarësisë nisi para godinës së Qeverisë së Kosovës ku u ngrit flamuri shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së ndërsa më pas liderë politikë si dhe krerë të institucioneve të vendit bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 ndërsa deri më tani ajo është njohur nga 117 vende të ndryshme të botës.


Send this to a friend