VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Fitorja e Shqipërisë ndaj Francës, jehonë në mediat ndërkombëtare

By | June 14, 2015

Komentet

Trajneri rus i Partizanit, NIKOLAI MIKHAILOVICH LYUKSHINOV: Dashuria e ENVER HOXHËS për futbollin NGA Dash Frasheri

Nikolai Mikhailovich Lyukshinov (15 tetor 1915-18 mars 2010, vdiq 94 vjeç), mund të tingëllojë si një emër i panjohur në ambientet e sotme futbollistike, por në vitin 1957, “profesori” rus, atëherë 39 vjeç, mbërriti në Shqipëri për të dhënë përvojën e tij te Partizani e përfaqësuesja shqiptare, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në dy tituj kampion të Partizanit të drejtuar nga trajneri Rexhep Spahiu, ato të sezoneve 1957 e 1958, por dhe një serie rezultatesh pozitive me përfaqësuesen e drejtuar atëherë nga Loro Boriçi.
Në fakt, Lyukshinov nuk është sovjetiku i vetëm i famshëm që ka ardhur në Shqipëri. Dy specialistë të tjerë të sporteve, Grigori Nikofovov dhe Boris Aphutin, kishin qenë në Shqipëri në fillim të vitit 1949, madje ata kishin zhvilluar kurse si me trajnerë të futbollit, ashtu dhe me ata të atletikës.
Nikolai Mikhailovich Lyukshinov ish-trajneri i famshëm i Zenitit e Dinamos së Moskës e përmënd shpesh në kujtimet e tij gjatë intervistave për mediat ruse dy vitet tij të qëndrimit në Shqipëri (1957-1958), madje kujton edhe pritjet që i ka bërë atij udhëheqësi komunist Enver Hoxha. Bashkë me të në vendin tonë mbërriti edhe sovjetiku (rusi) tjetër Aphutin Boris.
TAKIMET ME ENVER HOXHËN
Marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik të asaj kohe ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, madje tepër të nevojshme për një vend të vogël e të varfër ekonomikisht si vendi ynë. Specialistët sovjetikë, qofshin këta ushtarakë, inxhinierë apo çfarëdo tjetër profesioni ishin të mirëpritur, madje të vlerësuar e të trajtuar me kujdes të posaçëm.
Një nga ish-lojtarët e famshëm të Partizanit të atyre viteve, madje për disa sezone edhe kapiteni i skuadrës, prof.dr Miço Papadhopulli, e ruan ende në kujtesë “profesorin” rus, Nikolaj Lyukshnikov, një ish-anëtar të Komitetit Teknik të UEFA-s të ngarkuar edhe me zhvillimin e futbollit në vende.
“E mbaj mend si tani, ka qenë me të vërtetë një njeri i përsosur. Një rus simpatik, human, korrekt e model korrektesë në punë. Në ish-Bashkimin Sovjetik ishte docent i shkencave sportive, pedagog e lektor në Institutin “Lesgafta” të Leningradit – thotë “Daja”, i cili ka pasur një karrierë shumë të gjatë prej 18-vjetësh si futbollist.
“Unë nënshkrova një kontratë për vetëm një vit, por në fakt punova atje (në Shqipëri) për gati dy vjet e gjysmë. Fitova turneun më prestigjioz (kampionatin) me Partizanin dhe ata m’u lutën të vazhdoja. Qëndrimi ndaj meje ishte më të vërtetë mjaft i mirë, dhe shumë shpesh kisha takuar edhe personalisht presidentin (sekretarin e KQ të PPSH-së), Enver Hoxhën. Më fliste shpesh për futbollin dhe e donte atë. E kishte pasion”, – citohet Lyukshinov nga uebsajti rus smena.ru.
“Takimet e tij me Enver Hoxhën? Nuk e di. Kuptohet, unë personalisht nuk i kam parë të takohen, por me Petrit Dumen, po, pasi ky vinte çdo javë në stërvitjet e Partizanit. Me Beqir Ballukun, gjithashtu po”, – thotë Miço Papadhopulli, i cili me Partizanin e lavdishëm të asaj kohe, fitoi medaljen e argjentë në turneun ndërkombëtar të ekipeve ushtarake të vendeve lindore në Laipcig të Gjermanisë (1958) dhe në Hanoi të Vietnamit (1963).
Enver Hoxha ishte i apasionuar pas futbollit dhe në ndeshje të rëndësishme ishte dhe vetë i pranishëm në tribunën kryesore të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.
PARTIZANI
“Kur erdhi në Shqipëri në vitin 1957, duhet të ishte rreth të 40-ve, pasi erdhi për të jetuar së bashku me gruan (“të bukur”, -thotë Miço) dhe djalin e tij. Jetonte diku afër teatrit të sotëm të Kukullave, atëherë njihej si klubi i sovjetikëve. Kishte ardhur në Shqipëri për të punuar, pasi ishte zgjedhur edhe nga UEFA si një prej kuadrove ruse, si anëtar i Komisionit teknik të UEFA-s”, – tha ish-mbrojtësi i Partizanit, fitues i dy medaljeve të argjendta në turneun ndërkombëtar të Lajpcigut në Gjermani dhe Hanoit në Vietnam.
“Në fakt, përpara Lyukshinovit kishte mbërritur rusi tjetër, Boris Aphutin, por ky me tëpër dha disa leksione me trajnerë, e nuk punoi në terren me ndonjë skuadër të veçantë. Ishte një trajner i madh, por ndenji shumë pak në Shqipëri. Më shumë ishte një vizitor”, – thotë ish-presidenti karizmatik i Federatës Shqiptare të Futbollit, Papadhopulli.
Por, pse zgjodhi rusi Lyukshinov, Partizanin dhe jo Dinamon, ekipin tjetër të madh të kryeqytetit të asaj kohe. Mjeshtri i Sportit, Miço Papadhopulli, tregon: “Nikolaj takoi shefin e klubit të Partizanit, Besim Fagu, dhe i kërkoi të punonte me Partizanin, pasi në atë kohë ekipi kombëtar mblidhej vëtëm një herë në muaj.
Në fakt, Rexhep Spahiu, ishte trajneri, por Lyukshnikov i mësoi atij planifikimin javor të stërvitjes, mezociklin dhe ciklin trejavor. Xhepi mësoi shumë prej tij. Ai për mua mbetet trajneri më i madh që ka pas Shqipëria. Kishte kulturë të madhe, dinte italisht e frëngjisht. Kishte mbaruar gjimnazin e Tiranës gjithë dhjeta.
Në fakt, sipas CV-së së tij, Lukshnikov përmend faktin se kishte qenë edhe njëherë tjetër më parë në Shqipëri, në vitin 1948, por për një vizitë me karakter njohës, pasi atëherë ai drejtonte Zenitin e Leningradit, siç quhej atëherë St.Petersburgu i sotëm.
Vetë Lyukshnikov e konsideron edhe sot e kësaj dite si shumë interesante mundësinë që iu krijua për të punuar e drejtuar në Shqipëri, ku do të bashkëdrejtonte Partizanin së bashku edhe me Rexhep Spahiun në fitimin e dy titujve kampion, 1957 e 1958 (Xhepi fitoi edhe në vitin 1959), por dhe me ekipin Kombëtar. Kampionati i vitit 1958 konsiderohet edhe si ndër më të bukurit e futbollit shqiptar. Thjesht për statistikë:
Partizani e Dinamo e mbyllën kampionatin e vitit 1957 me nga 23 pikë secila, por në ndeshjen “ekstra”, Partizani fitoi 3-1.
Por a pati ndikimin e tij rusi Nikolaj Lyukshinov në këta tituj të Partizanit. Papadhopulli, një ish-lojtar kampion i këtyre sezoneve thotë me bindje: “Sigurisht, që po. Skuadra u poq, u maturua, luante një futboll shumë cilësor. Xhepi, siç e thërrisnin të gjithë, mësoi shumë prej tij, metodikës së punës së Lukshinovit”. Në fakt, duke parë statistikat historike, Rexhep Spahiu, një trajner shumë popullor në Shqipëri fitoi 5 tituj kampionë si trajner i parë dhe dy të tjerë si ndihmës.
KOMBËTARJA
Përpara se Kombëtarja të binte në duart e Loro Boriçit në vitin 1957, përfaqësuesja jonë, me çfarëdo lloj emri që ajo paraqitej, Kombëtarja e Shqipërisë, përfaqësuesja e Tiranës apo e Rinisë, pas serbit Ljubisha Broçiç, ky i fundit arriti të fitojë edhe Kampionatin Ballkanik të vitit 1946, kishte pasur në drejtim me radhë Adem Karapicin, Sllave Llambin, Ludovik Jakovën, Myslim Alllën, por për ka kohë edhe hungarezin e famshëm Miklosh Vadash.
Loro Boriçi, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares, dhe një nga të tre futbollistët shqiptarë të paraluftës që kishin luajtur në Itali, me Lacion, dy të tjerët janë Riza Lushta te Napoli e Naim Kryeziu te Roma, kishte marrë në dorëzim ekipin përfaqësues. Pikërisht, në atë kohë, viti 1957, ishte në Shqipëri, Nikolaj Lyukshinov.
Rusi vendosi kontakte të menjëhershme me Loro Boriçin, ky i fundit e mirëpriti dhe mësoi jo pak nga Lukshinovi. “Thuajse rrinin bashkë gjithë kohën, – thotë Miço, një ish-lojtar i Loros, – madje hanin shpesh bashkë. “Lyukshinov vazhdoi të vendosë bazat e përgatitjes sportive nëpërmjet planifikimit stërvitor. Jo vetëm bëj këtë dhe atë, siç bëhej rëndom në atë kohë, pa ndonjë plan-cikël javor apo trejavor në ngarkesa, apo ushtrime. Në fakt, ai erdhi me dy qëllime, ndoshta edhe të parashikuara në kontratën e tij me shtetin shqiptar: së pari, të stëviste një skuadër kombëtare, dhe së dyti, për të përgatitur trajnerët shqiptarë me metodat më bashkëkohore të asaj kohe. Në fakt, nëse me Partizanin drejtoi së bashku me Rexhep Spahiun, i cili ishte edhe trajneri zyrtar i skuadrës, te Kombëtarja ishte konsulent i Loro Boriçit të madh. Rinin gjithmonë bashkë me Loron.
“Gjatë vitit 1957 ekipi Kombëtar grumbullohej shpesh dhe bënte ndeshje testuese me ekipe të ndryshme të vendit. Atëherë shumica e lojtarëve të përfaqësueses ishin nga Partizani e Dinamo, dy ekipet më të mira të asaj kohe, por dhe tek-tuk ndonjë lojtar nga Tirana apo Vllaznia. Bënin ndeshje me Tiranën apo selekesione lojtarësh nga skuadra të ndryshme. Ajo kohë ishte.
“Si një trajner i madh, Lyukshinov synonte harmonizimin e ekipit. I vuri rëndësi anës taktike, pasi pa shumë dobësi në këtë drejtim. Në vitin 1957 luanim me variantin hungarez në formë ‘WM’, apo 3-2-2-3. Kështu në fakt, luhej në gjithë botën, pasi në vitin 1958 u bë i njohur sistemi brazilian 4-2-4, me të cilin Brazili fitoi kampionatin botëror në Suedi. Në vitin 1945-1946 luanim me sistemin piramidal, që bazohej para së gjithash me 5 sulmues.
Lukshinov futi anën metodike të stërvitjes së teorike të gërshetuar me atë praktike. Futi për herë të parë ngarkesat e larta stërvitore. Pa që nuk lojtarët nuk e përballonin. Futi mjekësinë sportive. Futi testimet. Mbi këtë bazë bëri seleksionim. Pëlqente lojtarë të fuqishëm. Shkolla ruse, ashtu si ajo angleze, bazohet shumë mbi kondicionin fizik të lojtarëve.
Festivali i Rinisë në Moskë në vitin 1957, në të cilin merrnin 50-60 skuadra nga vende të ndryshme të botës, ishte një nga aktivitet e bujshme të asaj kohe në Bllokun Lindor. Një veprimtari që vlerësohej shumë nga regjimi komunist shqiptar.
“Lyukshinov bëri një seleksionim të mirë. E njihte mirë futbollin shqiptar, pasi ndiqte kampionatin tonë. Seleksionoi gati 60-70 futbollistë për të nxjerrë 22-shen më të mirë të Shqipërisë. Kishte shumë lojtarë nga Partizani e Dinamo. Qëndruam më shumë se një muaj në Moskë. Ishte e jashtëzakonshëm ajo periudhë. Gjatë ditës zhvilloheshin aktivitete të ndryshme sportive. Gjithë Moska ziente, natë-ditë, këngë, vallëzime”, – kujton Papadhopulli.
“Ne rinim në Romasov, në universitetin e Moskës. Qyteza e Moskës kishte mbi 50 pallate 20 katësh, ambiente sportive, palestra. Gjithçka. Bollëk i madh. Sovjetikët donin të krijonin imazhin e një vendi të lumtur. Dhe për ne që vinim nga Shqipëria na dukej më shumë se kaq. Ndeshjet kishin karakter thellësisht miqësor, pavarësisht se skema e eliminimit e lufta sportive ishte e madhe”, – thotë “Daja”, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar si trajner ekipet e Partizanit, Lokomotivës së Durrësit dhe Stundentin.
Në vitin 1957, Shqipëria zhvilloi një turne të gjatë prej nëntë ndeshjesh në Kinë, me një bilanc prej 2 fitoresh, 2 barazimesh e 5 humbjesh. Vetëm një prej tyre, është në fakt e regjistruar si ndeshje e Kombëtares, një humbje 3-2, më 15 shtator të vitit 1957, ku si trajner zyrtar është Loro Boriçi.
DEMOKRAT I MADH
“Në botë ekizstojnë tre tipa trajnerësh. Despotikët, ata që nuk tolerojnë aspak dhe nuk krijojnë asnjë komunikim me lojtarët që stërvisin, së dyti, demokratët, që nga e tyre pranojnë debatet dhe e nxisin atë, dhe së treti, liberalët, që krijojnë marrëdhënie jo fort të qëndrueshëm”, – thotë Miço Papadhopulli, që nga a tij ka botuar edhe një libër “Bazat e stërvitjes në futboll”. “Lukshinov ishte një trajner demokrat, human, i durueshëm, i thjeshtë dhe komunikues. Dinte të krijonte raporte të mira me lojtarët, por dhe me tifozët”.
POST-SHQIPËRIA
Pas kthimit nga Shqipëria, Nikolak Lyukshinov punoi në Institutin “Lesgafta”, ku iu përkushtua botimeve pedagogjike e shkencorë në lidhje me sportin. Shkruajti disa libra, por më të famshmit janë “Futbolli” dhe “Arti i trajnimit në futbollin e klasit të lartë”. Dy libra të ribotuar disa herë dhe me tirazh të madh jo vetëm në ish-Bashkimin Sovjetik, por të përkthyera edhe në shumë vende të botës. “Lukshinov ishte një shembull i rrallë i lidhjes midis teorisë e praktikës. Atij i pëlqente futbolli sulmues. Gjatë dy viteve që udhëhoqi ekipin e Shqipërisë, edhe sot e kësaj dite kujtohet për punën e mirë”, – citohet Genadi Orlov, një drejtues i lartë i departamentit të futbollit në Institutin “Lesgafta” nga uebsajti rus, nevskoevremya.spb.ru, në një shkrim të vitit 2005 me rastin e 90-vjetorit të Nikolaj Lukshnikovit.
***
SERBI BROÇIÇ, KAMPIONI “SHQIPTAR” I BALLLANITt
Shqipëria gjatë gjithë historisë së futbollistike me Kombëtaren e madhe ka fituar vetëm dy trofe ndërkombëtarë, Kampionatin Ballkanik të vitit 1946, të organizuar në Tiranë, dhe turneun “Rothmans” të zhvilluar në Maltë në vitin 2000, kur trajner ishte Medin Zhega. Pikërisht në trofeun e parë të Shqipërisë, dha kontributin e tij serbi Ljubisha Broshiç, një nga teknikët më të mirë të Ballkanit e më gjërë, i cili gjatë karrierës së tij të gjatë, drejtoi disa nga klubet më të mëdha në botë, si Juventusi e Barcelona. “Në vitin 1946, kur u organizua Ballkaniada në Shqipëri erdhi Ljubisha Broçiç. Një trajner i apasionuar, shumë i zoti. Nga më të mëdhenjtë e Jugosllavisë. Më vonë ai ka drejtuar Juventusin, Barcelonën. Broçiç gjithmonë e ka thënë se në Shqipëri kishte gjetur një kontingjent të shkëlqyer lojtarësh. Portier Xhakomino Pozelli, Sllave Llambi, Loro Boriçi, Qamil Teliti, Bule Vathi, Pal Mirashi, Besim Fagu, Zihni Gjinali. Humbëm fatkeqësisht 3-2 me Jugosllavinë, por mundëm Bullgarinë (2-0) e Rumaninë (1-0). Pasi fitoi Kampionatin Ballkanik, me mbarimin e kontratës në krye të skuadrës erdhi Adem Karapici. Në vitin 1947-1948 u formua kampionati i Europës Qëndrore. Midis të ndeshjeve të tjera, fituam 1-0 në Rumani (2 maj 1948), dhe barazuam 0-0 me Jugosllavinë në Beograd (27 qershor1948). Isha student në Beograd. Vjen ekipi Kombëtar. Minella Kapo ishte përgjegjës i ekipit, i cili vlerësohet si babai i mjekësisë sportive në Shqipëri, pasi ishte themelues i Qëndrës së Mjekësisë Sportive. Në këtë takim luajti edhe Zihni Gjinali e Besim Fagu. Shqipëria bëri një ndeshje të jashtëzakonshme në stadiumin ‘Havala’ të Beogradit, në prani të 35 mijë shikuesve. Nuk merrej vesh se kush ishin jugosllavët dhe kush ne. Loro bëri një ndeshje të madhe. Mezi e markonin dy-tre lojtarë. Broçiç erdhi në hotel dha përgëzoi për lojën”, tregon Miço. “Broçiç tregoi dhe për Ballkaniadën, ku Shqipëria doli kampione. Nuk e fitova unë tha Broçiç, e fituat ju. Kishit një ekip të shkëlqyer. Lojtarët më të mirë të Europës”, – kujton Papadhopulli, i cili ka studiuar në Beograd.
***
HUNGAREZI MIKLOSH VADASH
Miklosh Vadash, i përmendur shpesh si një nga trajnerët e Kombëtares shqiptar (drejtoi në vitin 1953), çoi përfaqësuesen shqiptare me emrin “Përfaqësuesja e Rinisë së Tiranës” në Rumani (në një Festival të Rinisë e Studentëve në Bukuresht), Rusi e Poloni. Me Kombëtaren e “vërtetë” – siç shkruan Ismet Bellova – Vadashi luajti kundër Dinamos së Moskës (humbi 0-4, 22 gusht 1953), Zenitin e St.Petërsburgut (0-3, 26 gusht 1953) e Spartakun e Moskës (0-3, 30 gusht 1953). Gjithsesi, Miklosh Vadash ka fituar 2-0 kundër Polonisë, pikurisht, më 29 nëntor të vitit 1953, kur bashkëdrejtoi skuadrën me Myslim Allën.
Trajnerët e huaj të Shqipërisë
Ljubisha Broçiç (serb)
Miklosh Vadash (hungarez)
Nikolaj Lushnikov (rus)
Xhuzepe Dosena (italian)
Hans Peter Brigel (gjerman)
Oto Bariç (kroat)
Ari Han (holandez)
Josip Kuzhe (kroat)
Xhani De Biazi (Italian)
Kristian Panuçi (Italian)
Eduardo Reja (Italian)
Botuar në gazetën “Albania”, më 12 tetor 2009

ELISABETA KARABOLLI, “PISTOLETA” SHQIPTARE QË THEU DY HERË REKORDIN BOTËROR – Nga Dash Frasheri


Kur Elisabeta Karabolli (Nishica) u shpall kampione e Europës në Frankfurt mbi Main (28 shtator 1979) në pistoletë standard 30×30, qitësja shqiptare, atëherë 21 vjeç, la pas dy rivale tepër të forta sovjetike, përfaqësueset e një prej gjigantëve të këtij sporti në botë.

Medalja e artë e Elisabetës nuk erdhi rastësisht: në vitin 1977 ajo fitoi Medaljen e Bronztë në Romë; në 1978 fitoi Medaljen e Argjendtë në Finlandë dhe një vit më pas në Gjermani fitoi Medaljen e Artë, duke u bërë kampioni a parë shqiptare që fiton një Kampionat Europian në ushtrimin me pistoletë me ajër.

36 vjet më pas, Elisabeta Karabolli mori edhe një medalje tjetër, pikërisht më 15 dhjetor 2014. Ajo u nderua nga televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”.

Elisabeta Karabolli, e martuar me Ilir Nishicën, banon prej shumë vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk mundi dot për arsye objektive të ishte e pranishme në ceremoninë “Gala” të organizuar në Hotel “Tirana International”. Medaljen dhe bonusin financiar në vend të Karabollit e mori Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Qitjes, Koço Mikerezi.

Gjithsesi, edhe pse ajo jeton në SHBA, madje ka garuar me këtë ekip, në historikun e qitjes sportive shqiptare Elisabeta Karabolli është kampionia e parë shqiptare në Europë. Ajo është e vetmja që ka marrë medalje në aktivitetet Ballkanike, Europiane dhe Lojërat Mesdhetare. Elisabeta Karabolli u lind në Tiranë, më 13 shkurt 1958.

Është e martuar me Ilir Nishicën, edhe ky një qitës dhe ka dy fëmijë. Aktualisht, jeton në qytetin Akuorth të shtetit të Xhorxhias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur ishte ende 14 vjeç dhe mori një pistoletë në dorë, ajo ndoshta nuk do të guxonte se shtatë vjet më pas do të shpallej Kampione e Europës, do të bëhej ““Mjeshtre e Merituar e Sportit” dhe “Mjeshtër Ndërkombëtar”.

VAJZA E NJË USHTARAKU

Vajzë e një ushtaraku model si Tare Karabolli, me origjinë nga Kallarati i Vlorës, Elisabeta do të krijonte raportin e parë me pistoletën, madje një “dashuri me shikim të parë”. Testet e para në poligonin e qitjes ishin mbresëlënëse, dhe Elisabeta regjistrohet në klubin sportiv “Partizani, një ekip me traditë të madhe.

Serioze në stërvitje, këmbëngulëse në garë, me një vijëshënimi perfekt e me një goditje të bukur, Elisabeta shpallet Kampione e Shqipërisë në garën e qitjes me pistoletë standard 30+30 kur ishte vetëm 17 vjeç, një shenjë e pastër e gjenialitetit të saj. Rezultatet i japin mundësinë të jetë anëtare e ekipit përfaqësues shqiptar.

Në vitin 1977, në Kampionatin e 15-të Europian të qitjes që u zhvillua në Romë në garën me pistoletë 30+30, Elisabeta, atëherë vetëm 19 vjeç renditet në vendin e tretë me 584 pikë, përkrah 48 qitëseve më të mira, përfaqësuese të 24 vendeve të kontinentit. Elisabeta var në qafë me medaljen e bronzit, por vështrimi i saj sheh nga vendi me numër 1 i podiumit.

Një vit më pas, në Kampionatin e 16-të Europian të zhvilluar në Hameelina të Finlandës ajo realizon 586 pikë, vetëm 2 pikë larg nga vendi i parë. Në seritë e qitjes me shpejtësi, shqiptarja Karabolli befason me goditjet e saj. Medalja e argjendtë dhe nënkampione e Evropës.

BASTI PËR KARABOLLIN

Në Tiranë dikush ka venë edhe ndonjë bast me kohën: “Në ç’vit do të bëhet Elisabeta kampione Europës”. Dhe një vit më pas, në 1979, në historikun e qitjes sportive shqiptare kemi kampionen e parë shqiptare në Europë. Në kampionatin e zhvilluar në Frankfurt mbi Main (Gjermani), në vitin 1979, qitësja 21 vjeçare, me rezultatin e lartë prej 587 pikësh, fiton vendin e parë dhe medaljen e artë. Kampionia nga Shqipëria ngre lart flamurin dhe tingujt e himnit kombëtar dëgjohen në Europë.

Në këtë kampionat ekipi përfaqësues shqiptar i përbërë nga Elisabeta Karabolli, Margarita Cingu e Diana Mata realizon 1733 pikë (rekord i ri kombëtar me 21 pikë më shumë) dhe shpallen ekipi nënkampion i Europës, duke merituar medaljet e argjendta. “Mjeshtërja e Merituar e Sportit” në vitin 1980, në kampionatin shqiptar me rezultatin 593 pikë vendos një rekord të ri kombëtar, duke kaluar dhe atë botëror të kohës.

Sipas bashkëshortit të saj, qitësi Ilir Nishica, Elisabeta e ka thyer dy herë rekordin botëror gjatë garave të zhvilluar në Shqipëri. Në vitin 1980, në Kampionatin Europian, ekipi përfaqësues shqiptar i përbërë nga Elisabeta Karabolli, Margarita Cingu e Diana Mata renditet i katërti, duke lënë pas ekipet e 19 shteteve. Krenaria e sportit shqiptar Elisabeta Karabolli, si qitëse e Klubit Sportiv “Partizani” kështu ka ecur me krenari në majat e sportit të qitjes.

Në Lojërat e 12-ta Mesdhetare të vitit 1993 të organizuara në Langwdok-Rusijon në Francë nga 16-27 qershor e të hapura nga ish-presidenti i Francës, Fransua Miteran, Elisabeta fitoi medaljen e argjendtë në pistoletë me zjarr dhe atë më ajër, madje ato ishin dy medaljet e vetme të fituara nga ekipi shqiptar. Rezultatet e larta të arritura nga “Mjeshtërja e Merituar e Sportit” Elisabeta Karabolli në rrugën e gjatë sportive të saj janë krenaria e qitjes sportive shqiptare.

QITËSJA FINANCIARE

E diplomuar në Universitetin e Tiranës për Financë, ajo që nga viti 1997 konkurron me sukses në kampionatin amerikan të qitjes. “Kur mbërritëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na e dhanë menjëherë shtetësinë amerikane, – tregon për gazetën Ilir Nishica, – Komiteti Olimpik Amerikan dhe nënpresidenti i Federatës Botërore të Qitjes, Geri Anderson, fitues i medaljeve të arta në Lojërat Olimpike të Tokios (1964) dhe Meksikos (1968) në 300m pushkë në tri pozicione, na kanë ndihmuar jashtëzakonisht. Anderson ishte një përkrahës i madh i familjes sonë.

Vinte në apartamentin tonë dhe gjithmonë habitej, se ku e gjente Shqipëria e vogël gjithë atë forcë për të madh për të nxjerrë kampionë në Europë. Na e dhanë shtetësinë amerikane me motivacionin “Aftësi të jashtëzakonshme në sportin e qitjes”. Në këtë kampionat, i cili është nga më të fortët në botë, Mjeshtrja nga Shqipëria prej vitesh renditet mes tre më të mirave të tij.

Në vitin 2007 ajo fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa në vitin 2008, në pjesëmarrjen e përhershme të saj në këtë kampionat, shqiptarja Elisabeta Karabolli doli Kampione e Amerikës në ushtrimet e qitjes me pistoletë, duke lënë pas katër herë pjesëmarrësen në Lojërat Olimpike dhe fituesen e medaljes së artë në Lojërat Panemariken, Elizabet Kalahan.

Qitja e femrave ka nxjerrë katër kampione Europe e dhjetëra Ballkani, por të gjithë kujtojnë faktin se Elisabeta Karabolli është kampionia e parë e Europës, pikërisht në pistoletë 30+30 me 587 pikë. Medalje ari dhe kampione e Europës (Gjermani, 1979). Një vit më pas, Ermira Dingu në ushtrimin pushkë 1×60 me 594 pikë merr medaljen e artë dhe shpallet kampione e Europës (Spanjë, 1980). Emanuela Kola në ushtrimin pistoletë 30+30 për të reja merr medaljen e artë. Kampione e Europës (Rumani, 1983). 24 vjet më pas, është Lindita Kodra që në pistoletë sportive me 583 pikë mori medaljen e artë dhe u shpall Kampione e Europës (Granada/Spanjë, 2007).

Medalje Bronzi P 30+30
Europiani 1977
Romë, Itali

Medalje Argjendi P 30+30
Europiani 1978
Hameenlinna, Finlandë

Medalje e Artë P 30+30
Europiani 1979
Frankfurt mbi Main, Gjerman

FATOS MUÇO, “MJESHTRI NDËRKOMBËTAR” QË E SHNDËRROI SHAHUN SHQIPTAR NË NJË LEGJENDË – Nga Dash Frasheri

(Foto nga ceremonia e dhenies së çmimit “Medalja e Meritës”: Gazetari Ervin Petraq Baku- Prof. Perparim Kabodhe Fatos Muço)
Kur ishte ende një fëmijë që pëlqente me shumë akulloret, Fatos Muço, pa për herë të parë dy burra që luanin shah në sheshin në afërsi të shtëpisë së tij në Durrës dhe nisi të qeshte kur dëgjonte emrat e gurëve “mbreti, mbretëresha, oficeri, kali, ushtari”. I dukej sikur si një lojë përrallash.
Atëherë, ai ishte vetëm 6 vjeç dhe i pëlqente si çdo fëmijë futbolli, basketbolli, por dhe pingpongu. Bëhet fjalë për vitin 1955. Tre vjet më pas, ai nisi shahun në mjediset e shkollës “10 Korriku” kur ishte në klasin e tretë, duke vazhduar më pas në rrethin e shahut të Shtëpisë së Pionierëve në Durrës.
Instruktori i tij i parë është Fatmir Turkeshi, por lëvdatat e para të mëdha i mori nga i mirënjohuri Zef Ashta gjatë një takimi midis Pallatit i Pionierëve të Durrësit dhe atij të Tiranës. Në vitin 1974, shpallet kampion për herë të parë, për të filluar epokën “Muço”, 11 vjet kampion rresht: 1974, 1976, 1977, 1978, 1979, 1980, 1981, 1982, 1984, 1987 dhe 1989.
“Mjeshtri Ndërkombëtar” i shahut u nderua nga televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”. Ikonës së shahut shqiptar ia dorëzoi medaljen presidenti i “Rotary Club Albania”, ing. Arben Shtylla.
FILLIMET TE LOKOMOTIVA
Fatos Muço u lind në Durrës, më 17 prill 1949, pikërisht në vitin kur kampion kombëtar në shah doli gjirokastrit Skëndër Çarçani (tri herë kampion i vendit). Për herë të parë mori pjesë në garat e kampionatit kombëtar të të rriturve në vitin 1966 në Vlorë, kur ishte 17 vjeç. “Atë kampionat arrita në gjysmëfinale. Për herë të parë kam marrë pjesë në finalet e kampionatit kombëtar në vitin 1968”, – thotë Muço për “Sport Plus”. Doli i 11-ti nga 16 finalistë.
Në vitet 1968-1970, Fatosi bëhet pjesë e klubit të Dinamos së kryeqytetit, periudhë që ndikoi jashtëzakonisht shumë në formimin e tij si shahist: stërvitje sistematike me Mina Peçin dhe kontakte me elitën e kohës së shahut shqiptar. Frytet e punës së tij u dukën në kampionatin e vitit 1970: nënkampion i Shqipërisë, duke mos humbur asnjë prej ndeshjeve me midis 16 finalisteve, por me më tepër barazime sesa Ylvi Pustina i 17 Nëntorit, i cili doli kampioni i vendit. Suksesi e bën anëtar të ekipit kombëtar, ndërsa specialistët e vlerësonin Fatosin si një shahist me të ardhme të madhe.
OLIMPIADA E SHKUPIT
Në vitin 1972, Fatos Muço ishte pjesë ekipit kombëtar që mori pjesë në Olimpiadën Botërore të Shahut në Shkup të (ish) Jugosllavisë. Vetë Muço regjistroi rezultate të jashtëzakonshme në 15 ndeshjet e zhvilluara: 9 fitore, 5 barazime dhe vetëm 1 humbje! Muço mori normën e parë të Mjeshtrit Ndërkombëtar dhe arriti në kufijtë e koeficientit ELO 2445, ndërkohë që yjet e botës ishin në kufijve 2600.
Në vitin 1972 ai mori titullin “Mjeshtër Sporti” në vitin 1980 ai u bë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, ndërsa në vitin 1982 ai bëhet i pari “Mjeshtër Ndërkombëtar” i shahut në Shqipëri. “Në fakt, i kisha të gjitha mundësitë të bëhesha më pas ‘Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar, por Shqipëria nuk mori pjesë për tetë vjet me radhë në Olimpiadën Botërore, për shkak se ekipi ynë u dënua pasi pranoi të luante me Izraelin në Olimpiadën e Shkupit”, – tha Muço për gazetën.
11 HERË KAMPION
Në vitin 1973 kampion doli Florian Vila i Studentit, por një vit më pas, në 1974, Fatosi shpallet për herë kampion i Shqipërisë. Sukses që e përsëriti edhe 10 herë të tjera, shtatë vjet rresht: 1976, 1977, 1978, 1979, 1980, 1981, 1982, 1984, 1987 dhe 1989, por duhet theksuar se ai nuk mori pjesë në vitin 1973. Titullin e fundit kampion e fitoi në vitin 1989, si një dhuratë për 40 vjetorin e tij, dhe prej ati viti nuk mori më pjesë në kampionat.
Ai ishte shahisti absolut në Shqipëri, gjithmonë kampion në vitet kur luajti. Pas tetë vitesh mungesë, Shqipëria u prezantua në Olimpiadën e Maltës (1980) me tre shahistë që kishin koeficient ELO: Fatos Muço 2440, Vangjel Adhami 2335 dhe Ylvi Pustina 2300, ndërsa tre të tjerë kanë zero (Aldo Zadrima, Vangjel Adhami dhe Ilir Karkanaqe). Shqipëria renditej e fundit përsa u përket pikëve ELO, në raport me kundërshtarët. Por, kombëtarja jonë ishte surpriza e Olimpiadës: në fund të saj, ajo u rendit e 19-ta në Botë!
Fatosi luan në tavolinën e parë kundër shahisteve më të mirë të vendeve kundërshtarë dhe përballë tij ishin 2 Mjeshtër të Mëdhenj, 5 Mjeshtër Ndërkombëtarë dhe 4 Mjeshtër Kombëtarë. Rezultati është mahnitës edhe sot: 3 fitore, 7 barazime dhe vetëm 1 humbje në 11 ndeshje. Spikasin dy ndeshjet kundër Mjeshtërve të Mëdhenj.
MIDIS 40 MË TË MIRËVE
Në Olimpiadat e viteve 1980 (Valeta, Maltë), 1982 (), 1984 (), 1988 () dhe 1990 (Novi Sad, Jugosllavi), ndonëse luajti në tavolinën e parë me shahistët më të mirë të vendeve me të cilat u përball Shqipëria, Fatosi zhvilloi ndeshje të një niveli të lartë, duke humbur shumë rrallë ndonjë takim me “Mjeshtër të Mëdhenj Ndërkombëtarë”.
Në Olimpiadën e fundit ku ai mori pjesë, atë të Novi Sadit (1990), Muço plotësoi normën e Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar, duke mos humbur asnjë ndeshje, ndonëse në tetë prej tyre pati përballë Mjeshtër të Mëdhenj, Mjeshtër Ndërkombëtarë apo kampionë të vendeve të tyre. Në Olimpiadën e Novi Sadit, shahisti durrsak në bazë të rezultateve dhe fitoreve të arritura (merren për bazë titujt dhe koeficienti i kundërshtarëve me të cilët ai ka luajtur), nga rreth 700 shahistë pjesëmarrës, Federata Botërore e shpalli në 40 më të mirët e Olimpiadës, ku Fatosi u pozicionua në vendin e 32-të.
TURNETË NDËRKOMBËTARË INDIVIDUALË
Për herë të parë mori pjesë në një turne ndërkombëtar individual në Selanik të Greqisë në vitin 1991, i shoqëruar nga trajneri i tij, Esat Duraku, ku në 12 ndeshje humbi vetëm një me Mjeshtrin Ndërkombëtar rumun Pavlov dhe një ndeshje aforfe, pasi nuk luajti kundër shahistit amerikan MI John Fedorowicz (për arsye politike). Muço arriti tri fitore: Knezeviç, Mjeshtër i Madh (Jugosllavi); Bousios dhe Kokikonos (të dy Mjeshtër Kombëtar të Greqisë).
Ai barazoi kundër 3 Mjeshtërve të Mëdhenj: Lengyel (Hungari), Spiridinov (Bullgari) dhe Vesterinen (Finlandë) dhe 3 Mjeshtërve Ndërkombëtarë. Në vitin 1985 merr pjesë në eliminatoret e Kampionatit Botëror Individual (nga 11 zona në Botë kualifikohen vetëm dy) në zonën e Shqipërisë, krahas Greqisë, Turqisë, etj. Marrin pjesë 5 Mjeshtrit e Mëdhenj të Jugosllavisë, që në atë kohë ishte një nga ekipet më të mira në Botë.
Nga 16 pjesëmarrës kualifikohen vetëm 2. Fatosi zuri vendin e tretë. Muço ka marrë pjesë në turneun ndërkombëtar të Akropolis (Greqi) në vitin 1989. Nga 32 pjesëmarrës, më shumë Mjeshtër të Mëdhenj fiton turneun duke mos humbur asnjë ndeshje.
SUKSESE PA FUND
Fatosi shkëlqeu edhe në garat e zhvilluar në Spartakiadat Kombëtare. Ai ka fituar të viteve 1969 (me Dinamon), si dhe 1984 dhe 1989 (të dyja me Lokomotivën e Durrësit). Është shpallur gjashtë herë kampion kombëtar me ekipin e Lokomotivës (Teutës së sotme): 1975, 1980, 1981, 1982, 1985 dhe 1986. Ai është pjesëmarrës me rezultatet të larta, gjithmonë në tavolinë të parë, në Kampionatet Ballkanike: 1979, 1980, 1982 dhe 1984. Emri i Muços nuk mund të mungonte kurrsesi në anketat tradicionale të fundvitit të organizuar nga gazeta “Sporti Popullor”, duke e fituar atë nëntë herë, ku katër herë ka qenë sportisti më i mirë.
TRAJNER I ERALD DERVISHIT
Pasi mbylli kutinë e shahut, me të cilën u bë shahisti më i famshëm i Shqipërisë, ai është trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në shah. Në Durrës, krahas stërvitjes individuale në vitet e shkëlqimit të tij, ka punuar si trajner me dy shahistët që ka nxjerrë nga brezi i ri: Erald Dervishi dhe Altin Çela. Eraldi është Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar, i shpallur Kampion i Europës për 14-vjeçarët. Fatosi është nderuar me urdhra dhe dekorata të ndryshme, si dhe ka marrë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”, dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2000.
PAK HISTORI SHAHU
Sporti i shahut në Shqipëri edhe pse zyrtarisht daton në vitin 1933, pa dyshim që është luajtur më parë. Në një botim të saj, Federata Shqiptare e Shahut, thekson faktin se gjurmët e shahut të çojnë në vitin 1910 dhe tek një emër: Abdulla Tirana nga Elbasani, ky i fundit e kishte mësuar shahun në Iranin e sotëm, në Persi. Abdullai është edhe më i spikaturi i kohës së tij, teksa në vitin 1913, te kafeneja “Shkumbini”, pranë portës së kalasë së Elbasanit u luajt publikisht edhe loja e parë.
Në janar të vitit 1933 “Federata Sportive”, që varej nga Enti Kombëtar “Djelmënia Shqiptare” organizoi të parin “kampionat të Shqipërisë”, ku morën pjesë tetë shahistë: Xhafer Çaushi (kampioni i parë kombëtar), Muhamet Vokshi, Muhamet Hoxha, Eqerem Stërmasi, Petro Martini, Ahmet Gashi, por dhe dy të huaj, një gjerman e një austriak. Kampionati u zhvillua nga data 6 deri më 15 mars 1933.
Kryetari i Federatës, Anton Mazreku, i dhuroi edhe trofeun e kampionit Xhafer Çaushit, një tavolinë artistike të zbukuruar me katrorët e shahut si dhe një takëm artistikë të gurëve të shahut, të punuara nga mjeshtri i drurit Angjelin Kurti, edhe ky një dashamirës shahu.
Federata e Shahut u themelua, më 14 maj të vitit 1933. Petro Martini ishte kryetari i parë i federatës, e deri në vitin 1939, këtë post e mbajtën edhe Mehmet Vokshi e Tom Truja. Aktiviteti i shahut pas ndërprerjes për shkak të Luftës së Dytë Botërore, rifilloi në vitin 1946. Kampioni i parë i paslfutës është Gaspër Shoshi i 17 Nandorit të Tiranës, apo Tiranës së sotme.

Profil …. Kush eshte Armando Broja …ose e ardhmja e shkelqyer e Kombetares se Shqiperise… Nga Adriatik Riza Dosti

Ne fakt ka qene fat i madh per futbollin shqiptar qe fale deshires e insistimit te prinderve te tij shqiptare nga Malesia e Madhe dhe prej vitesh emigrante ne Angli … por edhe me kenaqesine e tij personale djaloshi shtatlarte e femija i lindur per futboll sic e quante ne nje shkrim te tijin shtypi britanik para 4 muajsh …i lindur ne Slough Berkshire te Anglise ne 10 shtator te 2001 i tha PO faneles kombetare Kuq e Zi…te Shqiperise…
Qysh 6 vjec …ne ekipin e femijeve te Burnham Juniors …e nga mosha 6-8 vjec prane akademise se moshave te Totenham Hotspurit te famshem…
Per te kaluar mesa duket perfundimisht ne pronesi te Celsit te Londres ku u stervit e u rrit njekohesisht qe nga 2009 – 2020…
Me 26 shkurt 2020 firmos kontraten e pare profesioniste ne futboll ne te famshmen Premier League te Anglise per 2 vjet…
Luan nje ndeshje te vetme per Celsin ne P-L kur me 8 mars 2020 debuton ne fitoren e bluve te Londres 4-0 kunder Evertonit ku ne te 86 minute zevendeson francezin e shquar Oliver Zhiru…
Per ti dhene me shume mundesi, minuta e hapsire qe te rritet edhe me ne karieren e tij e te fitoje edhe me shume siguri, pervoje e eksperience Celsi e huazon tek Viteshe e Hollandes me 21 gusht te 2020…
Me 19 shtator te ketij viti sulmuesi shtatlarte Armando Broja do te shenoje golin e pare ne Eredivisse [ Superliga e Hollandes]…ne fitoren e ekipit te tij 2-0 kunder Spartes se Roterdamit…
E djela e 18 tetorit 2020 ishte mesa duket nje nga ditet brilante te talentit te ri e ne shperthim Broja teksa i shenon 2 gola Den Hage ne fitoren 2-0 te Viteshes qe tashme eshte ne 3-4 ekipet e kreut ne kampionatin hollandez …ndaj dhe i gjithe shtypi hollandez i kesaj fundjave ishte i mbushur e i dominuar prej emrit te tij…ku vecmas De Telegraff shkruante me superlativa per sulmuesin shqiptar lindur ne Angli …rritur tek Celsi e qe perfaqeson Kombetaren e Albanias…
Ne ekipet kombetare te Shqiperise….
Armando Brojen do ta grumbulloje per here te pare Shqiperia e U-19 ne trajningun e 21-28 majit 2019 ku pas 5 ditesh …ne 3 qershor Shqiperia do te mundte ne nje ndeshje miqesore Kosoven 3-1 e ku ai shenon nje nga golat e ndeshjes e njeheresh golin e tij te pare kuq e zi…
Po kete vit…madje vetem 6 dite pasi ai ka luajtur ne miqesoren e U-19 ndaj Kosoves… me 9 qershor ai do te luaje edhe per U-21 te Shqiperise…ku thirret per miqesoren e Elbasanit kunder Uellsit …e ku pasi futet ne loje si zevendesues ne te 46 minute do te shenoje te dy golat ne fitoren e kuq e zinjve 2-1 kunder uellsianeve …
Ne Kombetaren A….trajneri italian Reja i beson fanellen kuq e zi per here te pare si zevendesues ne ndeshjen e 7 shtatorit 2020 ne Tirane kunder Lithuanise [0-1] … te vlefshme per UEFA Nations League …
Me pas Broja do te luaje si titullar ne formacionin e pare te kuq e zinjve ne ndeshjet e po ketij kompeticioni edhe me 11 tetor te ketij viti ne Almaty kunder Kazakistanit dhe me 14 tetor po te ketij viti ne Vilnius kunder Lithuanise …te dyja keto ndeshje te mbyllura pa gola 0-0…ku vete Broja u shfaq disa here prane golit por pa mundur te shenoje dot…
Skeda personale e deri tanishme…
Tek Celsi ne Premier League ka luajtur vetem 1 ndeshje si zevendesues…
Tek Viteshe ne Eredivisse -Liga e pare e Hollandes ka luajtur deri tani 5 ndeshje e ka shenuar 3 gola…
Tek kombetarja U-19 e Shqiperise ka luajtur 4 ndeshje e ka shenuar 2 gola …
Tek kombetarja U-21 e Shqiperise ka luajtur 4 ndeshje e ka shenuar 3 gola …
Tek Kombertarja A e Shqiperise ka luajtur deri tani 3 ndeshje dhe ende s’ka shenuar asnje gol…e mesa duket golat e tij per Shqiperine A i ka lene ne ndeshjet e nentorit…ku kuq e zinjte presin ne nje miqesore Gjibraltarin e me pas ne Tirane do te luajne kunder Kazakistanit e Bjellorusise…per UEFA N-L…
Numrat e preferuar ne fanelle…11 tek Celsi e tek Viteshe dhe numrat 16 e 19 ne kombetaret e Shqiperise…
Shtatlartesia 1.91…mosha 19 vjec e 39 dite…
..Pozicioni…sulmues. …
Zoteron cilesi e veti te shkelqyera individuale ne te gjitha drejtimet c’ka sipas specialisteve te futbollit i garantojne atij nje kariere te ardheshme futbollistike brilante …
Ka nevoje per me shume grinte, puls e nerv pasi duket se tipi i tij eshte me anglez se vete anglezet ..
E megjitheate …
Faleminderit qe zgjodhe Shqiperine …Armando Broja…God Bless You…
…Pac fat e te prifte e mbara…
A.R.DOSTI

Nesër faza e grupeve e Ligës së Kampionëve të UEFA-s

Nesër do të fillojë raundi i parë i fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve të UEFA-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndeshjet e raundit të parë të garës më prestigjioze futbollistike të klubeve në Evropë do të luhen në dy ditët e ardhshme.

Raundi i parë dallohet me disa ndeshje derbi, por përballjet PSG – Manchester United dhe Bayern Munich – Atletico Madrid do të tërheqin vëmendjen më të madhe.

Ndeshjet e së martës (20.10.2020):

18:55 Dinamo Kyiv – Juventus

18:55 Zenit – Club Brugge

21:00 Barcelona – Ferencvaros

21:00 RB Leipzig – Istanbul Basaksehir

21:00 Lazio – Borussia Dortmund

21:00 Rennes – Krasnodar

21:00 PSG – Manchester United

21:00 Chelsea – Sevilla

E mërkurë (21.10.2020):

18:55 Salzburg – Lokomotiv Moscow

18:55 Real Madrid – Shakhtar

21:00 Manchester City – Porto

21:00 Ajax – Liverpool

21:00 Midtjylland – Atalanta

21:00 Inter – Borussia Moenchengladbach

21:00 Bayern Munich – Atletico Madrid

21:00 Olympiacos – Olympique Marseille

Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare trajneri i atletikës Vildan Tufi

Trajneri i mirenjohur i Vllaznisë Vildan Tufi nuk ka arritur te fitoje betejën me sëmundjen qe e kishte pushtuar këto muajt e fundit.

Ai ndërroi jetë ditën e sotme në moshën 74-vjeçare në spitalin e Shkodrës.

Familja Tufi ka njoftuar ndarjen nga jeta te tij.

Vildan Tufi ka lindur në Shkodër më 14 prill 1945 dhe jetën e tij ia ka përkushtuar atletikës.

Nga duart e tij kanë dalë shumë kampionë dhe rekordmenë por tre prej tyre në veçanti spikasin, ngaqë janë nderuar edhe me titullin e lartë.

Profesor Tufi ka stërvitur Vera Bregun, një sportiste e cila ka vendosur rekorde që ende nuk janë thyer në garën e kërcimit së gjati me 6.53 metra dhe në trehapësh me 13.51 metra. Pjesmarrëse në Lojërat Olimpike në Lojërat Olimpike në vitin 1996 në Atlanta të SHBA-së. Po ashtu, dy herë kampione Ballkani dhe fituese e shumë e shumë medaljeve në gara ndërkombëtare.

Pas saj ka stërvitur edhe Arbana Xhani, 20 vite kampione absolute në garat e shpejtësisë, 100 dhe 200 metra si dhe stafetë. Edhe ajo fituese e disa medaljeve në arenën ndërkombëtare.

Presidenti Meta i ka akorduar në muajin qershor titullin “Mjeshter i Madh”.

Turneu Wimbledon do të mbahet sezonin e ardhshëm

Wimbledon, turneu i vetëm Grand Slam në tenis i anuluar këtë sezon për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), do të mbahet sezonin e ardhshëm, ndërsa organizatorët kanë përcaktur udhërrëfyesin për zhvillimin e kësaj gare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratën nga ky organizim sportiv thuhet se sezonin e ardhshëm turneu është planifikuar të mbahet në të gjitha rrethanat dhe se vendimi do të merret për një nga gjithsej tre opsione të vendosura në tryezë.

Siç thuhet, nëse nuk mbaron pandemia, shkalla e përhapjes në muajt e verës të vitit të ardhshëm do të ndikojë në vendimin në lidhje me të ardhmen e turneut.

Sezonin e ardhshëm organizatorët do të vazhdojnë me një nga opsionet, hapjen e tribunave, kufizimin e numrit të spektatorëve ose zhvillimin e ndeshjeve pa spektatorë.

Teksa Wimbledon u anulua për shkak të pandemisë, turneu tjetër i anuluar Grand Slam, French Open, u zhvillua disa muaj më pas nga kalendari normal.

Haxhi Krasniqi: Fitorja e së shtunës, ëndrra më e madhe e jetës sime

Prishtinë

Kampioni aktual i Botës në boksin profesional në kategorinë gjysmë të rëndë (WBA), Haxhi (Robin: nofka) Krasniqi ka thënë se fitorja e tij ndaj Dominic Boesel të shtunën më 10 tetor në Gjermani ka qenë ëndrra më e madhe e jetës për të, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media sot në Prishtinë, Krasniqi ka falënderuar të gjithë shqiptarët për mbështetjen ndaj tij, në një rrugë të gjatë në karrierë, ku pas 15 vjetësh kurorëzohet me çmimin e të parit të botës në boks për kategori të caktuar.

“Mendimi i parë (pas rrëzimit në tokë të kundërshtarit), ka qenë: Zoti na shpërbleu 15 vite punë. Nuk mund ta shpreh tash me fjalë, se sa e mundimshme, sa e rrezikshme dhe sa i madh ka qenë gëzimi. Ka qenë njëfarë britme sa edhe Zoti lartë më ka dëgjuar, aq gëzim sa kam përjetuar. Dhe mund të them që asnjë çmim në Botë nuk do të më gëzonte aq shumë sesa kjo fitore. Ndoshta do të bëj edhe shumë ndeshje tjera por besoj se këtë adrenalinë, gëzim dhe ndjenjë nuk do të mund më kurrë ta përjetoj”, tha Krasniqi.

Në meçin e së shtunës, Krasniqi edhe pse luan për shtetin gjerman tha se është munduar ta vërë në pah edhe prejardhjen e tij, me flamur kombëtar shqiptar dhe duke hyrë në ring me muzikë shqiptare.

Krasniqi, pikërisht vështirësitë dhe mundin e gjithë karrierës së tij prej 15 vjetësh, tha se i ka shprehur në boksin vendimtar të së shtunës, që e rrëzoi në tokë Dominic Boesel-in duke ia rrëmbyer atij çmimin e të parit të botës.

Duke folur rreth karrierës së tij në sportin të cilin tha se familja e tij gjithmonë kërkon që të largohet, Krasniqi tha se ka qenë e vështirë periudha kur ai si fëmijë është inkuadruar në shoqëri dhe në sport në Gjermani.

“Gjithmonë e kam cekur vendin tim me krenari të madhe se prej nga vij. I kam përcaktuar dy vendet. Normalisht që atje duhet të punosh 10 herë më shumë për ta mundur një gjerman, kështu që e kam pasur shumë të vështirë të depërtoj, sidomos kur bëhet fjalë kundër një gjermani. Ka qenë punë shumë e madhe, normalisht që edhe zhgënjimet kanë qenë pjesë e suksesit, më kanë bërë vetëm më të fortë”, tha Krasniqi.

Të shtunën në qytetin Magdeburg të Gjermanisë ku u zhvillua ndeshja, ka pasur rreth 2.500 shikues, për shkak të rregullave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), e gjysma nga ta sipas, Krasniqit, kanë qenë shqiptarë, zëri i të cilëve ka mbizotëruar dhe i ka dhënë atij energji shtesë.

Krasniqi pas konferencës për media, ka thënë se bashkë me titujt e fituar, do ta vizitojë sot gjatë ditës Prekazin, tek varrezat e familjes së heroit të luftës Adem Jashari, ngase siç tha ai “Kur shkoj atje e ndjej veten shumë të vogël dhe në borxh për veprimtarinë e tyre”.

Meçi i fituar më 10 tetor ishte i vlefshëm për titull të përkohshëm të botës në versionin WBA, në kategorinë gjysmë të rëndë dhe në versionin IBO.

Për 33 vjeçarin nga Juniku, ishte hera e tretë që boksoi për titull bote në një nga katër versionet e mëdha të boksit profesionist (WBC, WBA, WBO e IBF). Dy herët e kaluara ai kishte pësuar humbje. Ai ka bilanc prej 51 fitore e gjashtë humbje në boksin profesionist.

Cristiano Ronaldo rezulton pozitiv për koronavirus

Futbollisti Cristiano Ronaldo ka rezultuar pozitiv për koronavirus, njoftoi të martën Federata e Futbollit e Portugalisë.

Ronaldo “është asimptomatik” dhe “nuk do të luajë kundër Suedisë” në ndeshjen e së mërkurës në kuadër të Ligës së Kombeve, tha federata në faqen e saj të internetit, raporton AFP.

Sulmuesi 35-vjeçar i Juventusit, i cili është votuar pesë herë lojtari më i mirë në botë, luajti për Portugalinë kundër Francës të dielën.

Ronaldo ka shënuar 101 gola për Portugalinë dhe mungesa e tij do të jetë problem për lojën kundër Suedisë pasi Portugalia synon të mbajë vendin e parë në grup.

Ronaldo, i cili gjithashtu ka luajtur në Manchester United dhe Real Madrid, është futbollisti i profilit më të lartë që rezulton pozitiv për COVID-19.

Sulmuesi i Brazilit, Neymar da Silva Santos Júnior, shoku i tij i skuadrës në Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe dhe sulmuesi i AC Milan, Zlatan Ibrahimoviq gjithashtu kanë dalë pozitiv në javët e fundit.

Lakers fitojnë titullin e 17 në finalen e NBA-së

VOAL – Los Angeles Lakers të dielën vonë kanë mposhtur Miami Heat me rezultatin 106-93 për të fituar finalen e tyre të parë në NBA në 10 vjet dhe titullin e tyre të 17 në histori, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një sezon të ndikuar nga pandemia e COVID-19 dhe të pezulluar që nga marsi, kampionët e Konferencës Perëndimore fituan serinë e finales prej 4-2 me ndeshje kundër kampionëve të Konferencës Lindore Heat në Orlando, Florida, ku “play-off”-i luhej që nga gushti pa tifozë për të mbrojtur lojtarët, trajnerët dhe stafin e ekipit.

Në ndeshjen e gjashtë, superylli i Lakers-ave, LeBron James shënoi 28 pikë, 14 kërcime dhe 10 asiste ndërsa qendra Anthony Davis shënoi 19 pikë, 15 kërcime dhe 3 asiste.

Ky është titulli i katërt i NBA-së për James, i cili të dielën zhvilloi ndeshjen e tij të 260-të në “play-off” që është një rekord. Ai po ashtu për herë të katërt mori Çmimin e Lojtarit më të Vlefshëm të NBA Final (MVP).

“Erdha këtu të vendos këtë ekip aty ku e ka vendin”, tha superylli duke iu referuar Lakers-ave.

Mposht Gjokoviçin, Nadali fiton Roland Garrosin për të 13-tën herë

VOAL – “Le roi” në Paris është edhe një herë ai, Rafael Nadal. Në aktin e fundit të pritur të Roland Garros, Spanjolli rrëmbeu në mënyrë jozyrtare Novak Djokovic në tre grupe, 6-0 6-2 7-5. Me një fitore të pabesueshme të 100-të në 102 ndeshje të luajtura në tokën parisiene, sallaksi i Manacor ka siguruar turneun për herë të 13-të, duke iu afruar Roger Federerit në 20 Grand Slams në renditjen e të gjitha kohërave.

Në formatin e tij të paparë të vjeshtës, finalet e Grand Slam të sezonit të kaluar kishin filluar nën kujdesin më të mirë për sa i përket shfaqjes, me dy finalistët që përgjigjeshin goditje për goditje në lojët e para. Sidoqoftë, ndërprerja e hapjes së Iberikut ishte një parathënie e udhëtimit të tij përçarës për të triumfuar, me serbin që kursente shërbimin e tij vetëm në fillim të setit të dytë. Sidoqoftë, edhe në fraksionin e dytë nuk kishte ndeshje dhe Novaku u shfaq jo shumë i vendosur.

Në setin e tretë dhe vendimtar, 33-vjeçari nga Beogradi më në fund u shfaq më proaktiv, duke minuar Majorkanin i cili humbi shërbimin e tij për herë të parë në lojën e gjashtë. Djokovic vetëm mashtroi veten se mund të rikthehej në garë, para se të anulonte gjithçka me një gabim të dyfishtë vdekjeprurës në lojën e njëmbëdhjetë, e cila hapi dyert e suksesit për Nadal. rsi-eb

“Urime për Kampionin e ri Botëror”, Ambasada e Kosovës në Gjermani me postim për fitoren e Krasniqit

Ambasada e Kosovës në Gjermani i ka kushtuar një postim fitores së Robin Krasniqit.

“Urime për Kampionin e ri Botëror”, shkruan ambasada krahas fotografisë së Krasniqit, transmeton Gazeta Express.

Robin Krasniqi e fitoi mbrëmë titullin e kampionit të Botës në kategorinë gjysmë të mesme WBA, derisa mposhti me nokdaun Dominic Bosel në raundin e tretë. /Gazeta Express/


Send this to a friend