VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

FISHKËLLIMË E DHIMBJE – Tregim nga TAHIR BEZHANI

By | July 12, 2019

Komentet

në një burg frike – Cikël poetik nga PRENG MACA

  një apel  për ndihmë

 

 

 

 

ka ditë gjendem i mbërthyer

në një burg frike

ngre sytë nga qielli duke udhëtuar me mendje

nëpër gjithë Atdheun tim pushtuar prej pranverës.

kudo çelin pemët, lulet e tyre shumë ngjyrëshe

dhe trëndafilat kanë filluar të shohin ëndrra ,në sythe

në magjinë e kësaj magjistarje ngjyrash dhe gjelbërimesh

kësaj piltorje të pa imitueshme

që lëshohet me penelin e saj pyjeve

(që akoma prej babëzisë tonë kanë mbetur gjallë)

jeshilimi i gjetheve është lajmi i bukur i jetës

shpresa se ka kuptim shprehja, se ne do të jetojmë akoma

përpos  lajmin  e dhemshur të ikjeve …

 

pyje, pyje, pyje, pyje

drurë të drejtë e të lartë rritur me urdhër të Zotit

pisha, bredha, lisa, panja,frashër, bunga,qarra, rreper, mështekna, blirë erëmirë, plepa…mos na mbani inat për sulmin shfarosës

mos pranoni ta ushqeni më këtë vdekje

i thoni asaj stop, i thoni :

nuk ka më për ty arkivole!

 

bëjeni ju të mundur këtë stop

sepse ne ka gjasë, u lodhëm!

 

 

 

ditë ndryshe

 

 

lëviz nëpër dhoma

i vetëm mes mureve të ftohta

më merret fryma

sa shpejt u zvogëlua bota!

 

pastaj dal në ballkon,

dëgjoj cicërima gjoksbardhash, bishtëgërshërash

diku në qosh të në muri

ngrenë folenë dallandyshet.

 

krejt Bota duket se nis të marrë frymë,

si  një lajm e përjetoj  ardhejen e këtyre dallëndysheve

krejt ditën tani e përjetoj ndryshe

dhe të mërzitur e lë në një qosh…mërzitjen.

 

         Shënjestër

 

një vrasës i fshehur në shenjë çdo ditë na merr

na zgjedh çdo dite një e nga një.

 

kur e morëm lajmin, se është mes nesh

e kërkojmë, por ai fshihet

i padukshmi , në pritën e tmerrshme

na qëllon paprerë një e nga një

drejt e në zemër.

 

ne kemi mbetur mbështjellë mes frikës dhe dhimbjeve

të gjithë trembemi,

se mos ky i pamjohur,  i fshehur

na e shkruan, në listen e tmerrshme, emrin.

                  ?

 

 

ndjehem aq ngushtë nëpër shtëpi

sikur kam veshur një kostum tepër të ngushtë

kam frikën se po lëviza ai do të shkyhet

nga jashtë bota ma bën me sy.

 

më step ajo që nuk e shoh

i druhem domosdo.

ku të fshihem nuk kam askund

nga kjo e keqe e pafund.

 

si vezë më sillet në kokë globi

nga lart shpresoj të më vë re Zoti!

 

Ai di gjithçka ne aq pak dime

dëgjoj Botën që mezi merr frymë!

 

 

 

koha ndarë në tre

 

 

ishte koha kur nuk të njihja

si në bosh jetoja

nuk kisha frikë nga asgjë

as nga vdekja.

 

kur të njoha ty

Bota ishte plot ngjyra

lutja Zotin të jetoja gjatë

as sesi nuk doja të vdisja.

 

tani nuk jemi më bashkë,

qielli është i zymtë

dielli shfaqet herë pas here, si një plagë

dhe shfaqja e koronavirusit

nuk përbën ndonjë lajm.

MUSTAFA MERLIKA – KRUJA: “KUJTIME VOGJLIJE E RINIJE” – KAH FATI I IM – Konkursi për në Mylkije

Në foto: Mustafa Merlika Kruja dhe shoku i tij turk i Mylkijes, Hatemiu

Verën e 1907-s e kalova në Stamboll për t’u gatue për konkurs. Studjova pa reshtun, me të tânë vullnetin t’em. S’e mbaj mênd datën e konkursit. Besoj të ketë qênë në ditt e para të tetorit. Ditë solemne. Ajka e djelmnís mâ të mësueme e mâ të squet dalë prej gjithë gjymnazvet të Perëndorís ishte mbledhun në baçët të Shkollës Civile Mbretnore. Ishin vetëm ata qi kishin nji besim të ngulët në zotsít të vet. Të tânë pritshin me nji farë gulçimi në zêmër grishjen në sallën e madhe të përgatitun nergut. 173 studenta, prej të cilvet do t’u pranojshin vetëm 40. Ky ishte numri i caktuem për gjithë vjetë, veç ndonji bir Beu a Pashe të privilegjuem qi hŷnte pa konkurs me dekret: mbretnuer.

Konkursi ngjatte katër dit rrjesht për katër lândë të veçanta: letërsí shqênca, mathematikë e frëngjisht. Krejt vetëm me shkrim. Për secilën lândë komisjoni i konkursit caktonte orët. Karta e shkrimit ishte e vulosun me vulën zyrtare të Drejtorís e, në mbarim të punimit, do t’i u dorzonte prej të zotit drej për drejt Drejtorit pa emën e pa kurrnji shênj mbi tê. Drejtori, i vetmuem në zyrët të vet, regjistronte emnin e dorzuesit të punimit, i vênte emnit nji numër e po këtê e shënonte edhe mbi kartën e dorzueme. Asnji prej misave të komisjonit të konkursit nuk mund t’a dinte se cilit emën i përgjigjej numri i kartës së punimit qi shqyrtonte. Shqyrtimi bâhej individualisht prej çdo misi të komisjonit dhe secili i dorzonte Drejtorit gjykimin e vet të shprehun në cifra 0-10, numra të plotë ase të thyem. Ky mbandej, në bazë të këtyne gjykimeve bânte llogarít e veta, qi ngjatshin shumë dit, dhe nxirte e lajmonte me anë të shtypit emnat fitues.

Thema caktohej prej komisjonit aty për aty para se t’u thirrshin studentat në sallën e konkursit. Fillohej me letërsí. Kështu e kish emnin, por me të vërtete ishte aftija administrative e stili zyrtar qi kërkohej. Atë vjetë thema në këtë lândë qe nji relacjon për t’i u dërgue Ministrit të Mbrêndshëm prej nji Valiu mbi gjêndjen e vilajetit të vet për gjithë ç’i përket jetës së vêndit: sigurimi botuer punët botore, arsimi, bulqsija, et.; dhe me proponimet e Valiut për zgjidhjen e secilës nga këto problema. Secili student pjesmarrës në konkurs do të zgjidhte nji vilajet qi mund të njihte mâ mirë. E vërteta e gjêndjes së përshkrueme s’kishte aqë randsí sa proponimet e bâme për të mirën e vêndit si pasoja t’asaj gjêndjeje Nji pikë ishte tepër delikate në këtë themë, qi vênte në provë të fortë ndërgjegjen e shumë kandidatve, ndoshta të shumicës. Djelmnija e asaj kohe e urrente despotizmën hamidjane, e urrente Sultan Hamidin; shumë prej sish ishin pjestarë komitetesh revolucjonare. Mb’anë tjetër nji shkresë zyrtare si thema jonë, po të kishte për t’a hartue vërtet Sekretarija e nji Vilajeti e për t’a nënshkrue Valiu, do të fillonte, simbas zakonit t’asaj kohe, domosdo me lavdet e Madhnís së kuqe e despotike e do të mbaronte po me këto. Me zêmër ndoshta s’kishte asnji n’atë sallë qi t’i a bante dora me shkrue lavde për Abdyl – Hamidin II, por nuk dij sa ishin në mest t’onë ata qi mbërrijshin deri në rrezikimin e karrjerës së vet për me i u shmângun këtyne lajkave për nji njeri t’urryem e të përbuzshëm. Sido qoftë, un i u shmânga, hartova nji relacjon krejt të thatë e të lamë prej çdo formule stereotipike në lavd të Sulltanit të kuq.

Thema e shqêncavet pat qênë: Efektet e ngrohtsís mbi bimët, gjallnorët e mineralet, ajo e mathematikës disa problema algjebrike dhe ajo e frëngjishtes nji diktat.

Kontrolli për mos me lânë qi t’i ndihmojshim shoqi – shoqit në konkurs ishte mjaft i fortë. Por mâ të forta, mâ të bindshme se çdo kontroll lânduer, se të gjithë sŷt e komisarvet të konkursit qi na silleshin rrotull, qenë fjalët e shqiptueme qyshë në fillim prej Kryetarit të Komisjonit, të cilat tingllojshin afrisht në këtë mënyrë:

” Zotní, nis ai: keni ardhun këtu për me dhânë provat e aftís s’uej me hŷmun nesër në rradhët e drejtuesave të Mbretnís. Keni ardhun, sigurisht, me nji lakmí të lavdrueshme qi të bâheni të zott me i shërbye Madhnís së Tij e Shtetit në vênde të nalta administrative, politike e diplomatike, mbrênda ase jashta Perëndorís. Këto banka mbi të cilat ju po shpërvileni me dhânë provat e squetís s’uej e të kulturës s’uej të fitueme deri tash janë zilija e gjithë të rijvet të këtij Vêndi qi kanë krye nji gjymnaz. Sikur mos t’ishte kufizue numri me ligjë vetëm në dyzet, jam i sigurtë se shumica e madhe e tyne do të kishin rrjedhun këtu. Qëllimi i Madhnís së Tij me këtë kufizim qyshë prej themelimit të këtij instituti të naltë, s’ka qênë e s’âsht, as qi mundet të jetë me i mbyllun rrugën sendërtimit të nji deshiri të flakët të djelmnís së Vet, por për me i sigurue mbretnís së Tij elementin e nevojshëm njerzuer në të gjitha degat e kulturës, në të gjitha specjalitetet, për mos me lânë qi lângu ushqimtar i jetës mêndore të këtij dheu të rridhte vetëm kah nji degë e tjerat të thajshin për tê. E si pasojë e natyrshme e këtij kufizimi për studentat e ksaj shkolle ka lindun mbehija e këtij konkursi, qi pështetet në dý arsye të forta. E para âsht arsyeja e drejtësís. Jeni këtu, lakmues të këtyne bankave, 173 djelmosha, prej të cilve vetëm dyzet do të merren. E drejta pra e lyp qi këto vênde t’u përkasin atyne qi kanë me provue me këtë konkurs se janë ma t’aftë nga shokët.

Posë ksaj arsyeje njerzore, âsht edhe nji arsye shum’e fortë kombtare për këtë konkurs. Ju thash, e ju vetë e dijni qyshse keni msŷmun këtê derë, se kjo shkollë e naltë âsht themelue për t’i përgatitun Shtetit drejtuesat e vet mâ kryesorë. E këta pra duhen zgjedhun me shumë kujdes, e lyp interesa e naltë e Shtetit. Trût e njerëzve s’i ka gatue Zoti të tânë në nji formë as të tânë me nji prjerrje. Kush s’âsht i aftë për nji punë âsht për nji tjetër, e Vêndi ka nevojë për të gjithë. Prandej kush nuk mundet me hŷmë në karrjerën administrative e diplomatike, shkon e përgatitet për nji tjetër karrjerë a profesjon në tjera institute të Mbretnís, e, sa për interesën e tij vetjake, edhe atje mund t’i qeshi fati shumë mâ mirë se këtu. Pra, të dashun zotní të mij, tue ju urue fitim të plotë të gjithve pa dallim, të dyzetve qi do të kenë fatin të mbesin këtu dhe tjervet qi fati ka për t’i thirrun e për t’u primun në tjetër udhë jetet, ju lutem edhe me më besue se ka disa parime morale në këtë botë qi, simbas rasës, mund të jenë pozitive ase negative; disa vepra qi, të zhvillueme në disa rrethana, janë morale e në do tjera, për kundrazi, po ato vepra bâhen të pamoralshme e të dâmshme si për Shoqnín ashtu edhe për vetë individin qi e kryen. Po ju përmênd vetëm nji shêmbull qi na përket sod drejt për drejt juve edhe neve të ngarkuemve me drejtue e kontrollue këtë konkurs. Ậsht parimi i solidarís njerzore, miqsore a vllaznore, parimi i ndihmës qi mâ i forti duhet t’i apë pa kursim mâ të dobtit, i pasuni të papasunit, i dijshmi të padijshmit a mâ pak të dijshmit. Un besoj se të gjithë ju keni hŷmun në këtë sallë, i jeni përveshun këtij konkursi tue u pështetun secili vetëm e vetëm në kapitalin e tij personal pa shpresue në kurrfarë ndihme të shoqit. Këtê e lyp edhe sedri i juej, kryenaltija e juej. Por edhe sikur të ketë ndonji medis jush qi s’e ka mjaft të zhvillueme këtë ndiesí të lavdrueshme, as atê të dâmit qi kishte me i bâmë Kombit tue i dhânë me veten e vet nji drejtues t’ardhshëm të pazotin e tue u bâmë shkaktar qi ai të humbasë nji tjetër mâ të vjeftshëm; as atê të moralitetit qi e detyron mos me dâmtue shoqin e Shoqnín për interesë vetiake, edhe në qoftë, po thom, se ka ndonji të këtilë në mest t’uej, duhet të mendojë tjetri mos me u bâmë mjet i ksaj vepre të ligë e të dâmshme për Shtetin, për nji shoq të dytë e për veten e tij tue i dhânë atij qi ka pranë nji ndihmë të pavênd, të dënueshme. Po ju siguroj se na të gjithë sa jemi ngarkue me drejtue e kontrollue këtë konkurs nuk do të flêjmë, do të përpiqemi t’a bâjmë detyrën e kontrollit jo me dy sŷ por me nga katër. E ai qi do të kapet në faj ka për t’u qitun aty për aty jashta konkursit. Le të mendojë secili prej jush se numri i atyne qi do të pranohen âsht i caktuem në dyzet, të cilët do të jenë me radhë ata qi kanë me dalë nji milimetër përmbi shoqin në bazë të notave të peshueme prej antarve të komisjonit me peshë arit, dhe prandej tue ngjitun dikê me ndihmën e vet nji milimetër mâ nalt do t’i ketë grabitun të drejtën nji tjetri qi në shkallzim ka me dalë i dyzetenjijti. Mâ në fund, mendoni të gjithë, o djelmt e mij, se konkurset kanë me qênë katër në lândë të ndryshme e asnji prej jush nuk mund të jetë i sigurtë se do t’i punojë dija e fati  në të gjitha aqë sa lypset. E pra ai shoqi i dâmtuem, ai i dyzetenjijti, mund të jeni bash ju vetë, e kështu do të keni tradhtue vetveten për nji bujarí krejt pa vênd.”

Kështu mbaroi ligjirata e Kryetarit të Komisjonit. Mbresa e saj në shpirtin e konkursistavet dukej e madhe. Në konkursin e letërsís e n’atê të shqêncavet ndihma dukej e panevojshme dhe ishte e pamundshme. Secili, në këto dý thema, besonte se diç ka ndrequn si mirë. Zhvillimi i tyne lypte kohë, koha ishte e kufizueme dhe prandej gjithkush kishte hallin e vet. Në diktatin frëngjisht çdo mundim për me i vjeftun kuj ishte asgjâsue prej komisjonit, mbasi nuk ishte dhânë lejë për t’a zbardhun, dhe kur ishte tue u bâmë secili do t’a përqëndronte të tânë kujdesin te shqiptuesi – ky ishte Tewfik Danishi – për mos me i rrëshqitun ndonji fjalë e mos me keqkuptue ndonji tjetër. Por në mathematikë, ata qi ishin t’aftë mjaft në këtë lândë, kishin kohë me u ndihmue tjervet sa të dojshin po të kishin vullnet e mundsí me i shpetue kontrollit. Koha ishte caktue mjaft e gjatë. Ndihma mund t’epej vetëm tue shkrue kopje mâ shumë se nji e tue i a dhânë të teprën shoqit tinëz. Komisjoni të kërkonte për kontroll vetëm nji kopje bashkë me të zbardhmen. Gjithkush fjalët e Kryetarit i kishte në vesh, interesën e vet, të gjallë para sŷsh. Me gjithë këtê ndonji altruist pa vênd s’mungoi. Un qesh nji. Shoqi qi përfitoi prej meje paska qênë i dyti, siç më diftoi mbandej vetë. Për tjetër nuk dij. Un mbasi i lash këtij shoqi nji kopje të plotë të të gjitha problemavet të zhvillueme qi përbâjshin themën, munda të dal i pari nga salla. Ky kopjen t’eme u a paska kalue edhe tjerve dorë në dorë. Me gjithë këtê, siç rrëfyen mbrapa, paskan pasun urtín me gabue deshtas secili nga nji problemë të ndryshme nga pes’a gjashtë – s’e mbaj mënd mirë – qi ishin.

Tashmâ të katër konkurset e Shkollës Civile Mbretnore për vjetën 1907 kishin marrë fund. Kandidatët, tue pritun shpalljen e përfundimit me anën e shtypit, në fillim dukeshin të gjithë të kënaqun e të gzuem, se besojshin qi kishin punue mjaft mirë sa për të hŷmun në rradhën e dyzetvet. Por ditt tue kalue e… enthuziazma e shumë kuj vinte tue u shue, temperatura tue ramë, frika tue u shtue, zêmra tue rrahun mâ fort. Kandidatët u piqshin e u mblidhshin grupe -grupe nëpër kafet, nëpër shetitoret e ndërmjet sish s’u bisedonte mâ tjetër veçse rreth konkursit, secili i tregonte shoqit zhvilllimin qi i kishte dhânë nji theme apo nji tjetre, komente e kritika, kapje e shamatime me fjalë e parashikime. Drejtorija na kishte lajmue afrisht se kur mund të shpallej përfundimi.

Un banojshim atëherë në nji odë të lagjes Sirqexhi bashkë me dy shokë kandidatë: me Z. Bahri Omarin dhe nji tjetër mik shumë të dashun, nji shoq qysh prej së parës vjetë qi kishem shkue në gjymnazt të Janinës, nji bir Tyrku prej Anadolli qi prej dyzetedý vjeç e këndej veç tue e trashun ka ardhun me mue atë miqsí rinore e bujare. E quejnë Hatemí, jurist i dalluem, mis i Diktimit tyrk, nji nga shtyllat e gjyqsís e nderë e Vêndit të vet. Kishim porositun gazetashitësin e lagjes s’onë qi ditën e shpalljes së pritun aqë pa durim të na sillte me vrap gazetën tue i premtue nji shpërblim të mirë. Fletoret e mëngjesit dilshin shumë heret. Ato të mbrâmes po shkojshim e i pritshim vetë nëpër portat e shtypshkronjavet. E qe se nji mëngjesi pa lemun dielli zgjohem prej klithmave të gazetashitësit t’onë gjatë rrugës ku banojshem bashkë me dy shokët:  “Havadis!…Havadis!” Dhe me nji herë mbas klithmës së fundit para shtëpís nji traklimë e fortë në portë, e “Havadis!” edhe nji herë me nji zâ mâ t’ulët. Aha! e ka. S’i a bâj dý fjalë e kërcej prej shtrati mbë kâmbë. U lëshoj sŷt dy shokvet. Janë tue flêjtun. Bukurí, s’ka mâ mirë. Nga rrëfimet qi më kishin bâmë se si i kishin zhvillue themat e tyne, për Bahriun ishem krejt i sigurtë qi s’kishte fitue, për Hatemiun kishem nji farë shprese, por fare pak. Çel derën e odës kadalë, marr t’ulem për shkallësh në këmishë të natës dhe shoh zonjën e shtëpís, qi kishte pasë zdrypun para meje, tue u ngjitun me fletore në dorë.

– Gazetashitësi po pret përposhtë ke porta, më thotë Grekja tue m’a dhânë gazetën në dorë.

  • Të lutem shumë, i përgjigjem, ec e jepi nji çerek mexhidijeje e thueji
    se në paçim lajm të mirë do t’a kujtoj prap. Dhe të mos bërtasë mâ këtu afër.

Zonja e shtëpís e dinte se ç’pritshim na të tre. Dhe:

–   Inshalla keni fitue, më thotë, me nji fytyrë krejt të rrëgjyeshme sikur t’ia ndiente zëmra lajmin e mirë për mue.

–  Urdhno, i them, t’a shikojmë n’odë të pritjes, mos t’i zgjojmë nji herë shokët. Po ec nji herë poshtë te gazetashitësi.

Pa qênë nevoja me shkue n’odë, me nji sŷ qi i hodha ashtu mbë kâmbë e në dorë listës s’emnavet fituesa botuem në faqen e parë të Sabah-ut, këndova emnin t’em: Mustafa – Asim, i ardhun nga Nymunei – Terakkija. S’kishte asnji dyshim. Nga Nymunei – Terakkija s’kishte tjetër Mustafa – Asim. Ishte i njimbëdhetëti emën në listë. Nji si rrëqethje e lehtë e e papërcaktueshme m’u duk se m’a përshkoi të tânë shtatin. Mbeta si i ngritë mbë kâmbë. Dukej sikur shumë forca me drejtime të ndryshme qi ishin tue veprue atë ças mbi shpirtin t’em kishin asgjâsue shoshoqen tue më lânë shtang në vênt. E zonja e shtëpís më gjet ashtu e aqë pak gzim i tregoi fytyra e ime sa me e trêmbun se s’kishem fitue.

–    Eh, më pyet si tutshëm, ç’kemi?

–    Un kam fitue, i u përgjegja, por dy shokët s’po m’i zên sŷni. Eja t’i këndojmë mâ me kujdes n’odë.

Dhe vojtëm e u ulëm bashkë mbi nji divan t’odës së pritjes. Zuna t’i këndoj emnat nji nga nji me zâ. Në të njizeteshtatëtin numër renduer hasa në nji Bahri  e aty për aty më rrahu zêmra nga gzimi. Por u zhgënjeva shpejt: ishte, po, nji Bahri dhe mû bashkqytetar i shoqit t’em, por jo ky vetë. Ishte i ndjyemi Bahri Karagjozi. As Hatemiu s’ishte. I a lash fletoren zonjës së shtëpís dhe u ktheva n’odët t’eme prap lehtas e kadalë. Dy shokët i gjeta gjithnji në gjumë. U futa në shtrat dhe prita ashtu deri qi u zgjuen edhe Bahriu e Hatemiu.

–   S’doli gjâ as sod, thotë Bahriu porsa çeli sŷt.

–   Pse po mërzite? I a pret Hatemiu. Nji ditë kanë për të dalë dhe na do do të shohim se prej nesh vetëm Mustafai ka fitue.

–    Ti ndiell gjithmonë të keq, i përgjigjet Bahriu, un për fitimin t’em jam i sigurtë, po deshe e vêmë me kusht.

–   Mue më thotë zêmra se që të tre do të kërkojmë dyer mâ të voliçme për né, ndërhŷj edhe un. Athue se e vlen barra qirán qi t’a lodhim aqë shumë kokën për këtë punë? Sa për vete jam mâ i kënaqun të hyj n’Ingjinerí, me gjithë qi humba kot dý vjet.

–    Ksaj i thonë ngushullim të vorfnish, tallet Hatemiu; për ashtu edhe un e kam gati Hukúk-un (Jurisprudencën). Po ti, Bahri?

–   Ah, un ju lash shëndenë për Gjirokastër; për mua ja Mylkije ja s’ka tjetër.

Mbas këtyne pak fjalve shtrat në shtrat, u ngrêjtëm të tre, u lamë e u veshëm, hângrëm sillën dhe dy shokët e mij duelën si për ditë përjashta për me mbytun kohë e me qitun mërzití. Un s’dojshim me i shoqnue, se e dijshem qi të dalmen do të vejshin në kafet me këndue gazetat. Më vinte nji gjâ tepër e vështirë me u gjindun bashkë me ta, un fitues, n’atë ças të parë kur ata do të shihshin shtegun zânë në të parën hapë të jetës së tyne. Shtieva shkak do letra qi kishem per të shkrue e mbeta në shtëpí.

Miqsija e rinís âsht e thjeshtë, e pastër, pa zhigla, pa interesë, pa ambicje. Mue më vinte marre me dalë fitues para dy shokve të mujtun në nji ndërmarrje të njillojshme. Por edhe ata, porsa kishin lexue fletoren dhe pamun fitimin t’em, qoftë edhe pa të vetin, erdhën të dy në shtëpí e më përqafuen. Ishin mjaft të vramë për vete, sidomos Bahriu, por nuk dukej në fytyrat e në fjalët e tyne as mâ i vogli shênj smire.

–   Do t’a lagim, Mustafa, më thotë Hatemiu, ah për Zotin s’na ke shpëtim!

–   S’kam pare, i a kthej un tue u qeshun, më ka zânë ngusht, s’i a pata bâmë beftin.

–   Pare kam un, m’a pret Bahriu, ju të dy zatí teneqe jeni gjithmonë!

Ah, riní e bekueme! Me nji tubë të vogël shokësh nuk mbaj mênd kurrë të kemi shkëmbye pare hua në Stamboll. I kishim qeset të përbashkta, kur s’kishte njani kishte tjetri e asnji herë s’jitshim pa gjâ. Athuese na ushqente të gjithë nji babë! Edhe orjentalizma i ka do shije të saja. Nji farë jete á la Bohême, ke rafsha mos u vrafsha, në mos paça vetë ka miku, në mos pastë dhe miku ka Zoti! Këto nuk hŷjnë në llogarít e nji perëndimori, as në jetën modeme qi ka frymzue ai.

Të dy shokët e mij qëndruen në vullnetin qi kishin shfaqun kur po bisedojshim të tre, si tue u përrallun, shtrimë në shtrat pa e dijtun ende ata fatin qi u kishte caktue konkursi i Shkollës Civile Mbretnore: Hatemiu hýni në Hukúk, Bahriut s’i u mbush mêndja me marrë asnji rrugë tjetër. Por duruesi fituesi i thonë nji fjale. Kishte vêndosun ” ja Mylkije ja s’ka tjetër”, dhe mâ në funt hŷni në Mylkije. Në korrik të vjetës tjetër Revolucjoni i Tyrqve të Rij mbaroi me shpalljen e regjimit konstitucjonal, e, si çdo revolucjon, edhe ai suell me vete disa vepra jo të peshueme mirë. Ndër këto qe edhe hjekja e konkursit të Shkollës Civile. Çdo student qi kishte krye nji gjymnaz në rregull mund të shkruhej lirisht edhe n’atë shkollë si në të gjitha institutet tjera të nalta. Kështu më 1908 edhe Bahri Omari i a mbërrîni t’a çojë në vênt deshirin me studjue edhe ai në Mylkije. Ka për t’u pamë mâ vonë në se e ka kshillue êngjëlli i së djathtës apo i së mângjëtës. Përsa më përket mue s’më ka faj as njâni as tjetri!

BALADË – Poezi nga GABRIELA MISTRAL – Përktheu ELIDA BUÇPAPAJ

 

Ai kaloi këndej me një tjetër,

Unë e pashë tek kalonte këndej.

Era frynte gjithnjë ëmbël

Dhe shtegu ish krejt i qetë.

Dhe këta sytë e mi, mos pafshin më,

E panë atë kur po kalonte këndej!

 

Ai kaloi duke bërë dashuri me një tjetër

Mbi një lëndinë me lule.

Kulumria po lulëzonte

Dhe një këngë i fërfëlloi flatrat.

Ai kaloi duke bërë dashuri me një tjetër

Mbi një lëndinë me lule!

 

Ai e puthi tjetrën

Në bregun e detit.

Hëna lule portokalli

I prekte lehtë valët.

Dhe gjaku i zemrës sime nuk e nxiu

Hapësirën e pamasë të detit!

 

Ai do të shkojë me atë tjetrën

Tejetej përjetësisë.

Qiejt e ëmbël do e ndrisin.

(Zoti do që ata të heshtin.)

Dhe ai do të shkojë me atë tjetrën

Tejetej përjetësisë!

UNË NUK JAM VETËM – Poezi nga GABRIELA MISTRAL – Përktheu ELIDA BUÇPAPAJ

 

Nata po, ajo është e shkretuar

Prej maleve gjer në det.
Por unë, që iu përkund ju,
Unë nuk jam vetëm!

Qielli po, ai është i shkretuar
Sepse hëna kridhet në det.
Por unë, që ju mbaj në duar ju,
Unë nuk jam vetëm!

Bota po, ajo është e shkretuar.
Ju e vini re, është mish i trishtë krejt.
Por unë, që ju përqafoj ju,
Unë nuk jam vetëm!

TA SHOH SËRISH ATË – Poezi nga GABRIELA MISTRAL – Përktheu ELIDA BUÇPAPAJ

 

Dhe nuk do të rikthehet ai më kurrë në jetë? Nuk do rikthehet

Në netët e mbushura me yje drithërues, apo në dritën e dlirë

Të mëngjeseve virgjine, apo në pasditet e flijuara?

 

Kurrë nuk do rikthehet në skajin e ndonjë shtegu me gardh

Që rrethon fushën, apo pranë ndonjë

Shatërvani të bardhë fërgëllues nën hënë?

 

Kurrë nuk do rikthehet pranë kaçurelave të ngatërruara të pyllit

Ku, duke e thirrur atë, nata shpalohej mbi mua?

As në shpellat që ma përsëritnin jehonën e thirrjes sime?

 

Oh, jo! Për ta parë atë sërish, do rendja kudo që ai gjendet-

Në shtigjet e ngushta të qiellit apo në shtjellat marramendëse,

Pranë hënave të qeta apo në një tmerr të zi!

 

Dhe do të ishim bashkë çdo stinë pranverore

Dhe çdo dimër, e nyjëtuar në një nyjë të ankthshme

Rrotull qafës së tij të lënyrur në gjak!

LULET E AJRIT – Poezi nga GABRIELA MISTRAL – Përktheu ELIDA BUÇPAPAJ

 

Unë e takova atë jorastësisht,

kur po rrinte në mes të lëndinës,

duke kqyrur këdo që kalonte,

të gjithë ata që e kqyrnin.

 

Ajo më tha mua: “Ngjitu majë malit-

Sepse unë nuk largohem kurrë nga lëndina.

Më sill nga mali lule të bardha

Si bora, të buta dhe të njoma.

 

Unë u ngjita majë malit

Dhe i kërkova lulet e lëbardhura

Në mes shkëmbinjve, kur lulet

Ishin gjysmëzgjuar, gjysmëfjetur.

 

Kur zbrita poshtë me lulet

Unë e gjeta atë në mes të lëndinës.

Si një e çmendur, unë e mbulova

Me një dallgë zambakësh.

 

Ajo kurrë nuk e përfilli bardhësinë e tyre.

Por më tha mua: “Tani më sill

Lule të kuqe, vetëm të kuqe.

Unë nga lëndina nuk largohem dot.”

 

Unë u kacavara thepave me drerët

Dhe kërkova lulet e marrëzisë,

Ato që rriten të kuqe dhe duket

Se jetojnë e vdesin prej kuqërrimit.

Legjenda për një “Vorioepir grek” – Nga SULEJMAN MATO*

Falë dëshimive të historianëve të lashtësisë: Tit Livit, Strabonit, Plinit, Apianit, Herodotit, Skilaksit, Bizantinit etj., kufijtë e Greqisë zgjaten në Veri, gjer në Ambraqi. Me ndarjen e kufijve të territorit shqiptar, nacionalistët grekë dolën me “megaliidenë” që kufijtë e saj shtriheshin gjer te lumi Vjosë, duke dashur kështu ta paraqesin këtë territor si të banuar qysh në lashtësi nga fiset greke. Edhe memorandumi grek i mbajtur në Konferencën e Parisit, (1918), i cili ngrinte problemin e territoreve të mbetura greke jashtë Greqisë, vinte si kusht kriterin fetar( çdo i krishter ortodoks duhet të ishte doemos grek).

Le t’i hedhim sytë qysh në lashtësi. Mbretëria e Epirit i ka rrënjët te një popullsi që nuk e ka folur kurrë gjuhën greke.

-Në vitin 292 para Krishtit, në këtë territor u krijua Lidhja Epirote, me kryeqytet Finiqin.

-Në vitin 272 para Krishtit, u vra mbreti i Epirit, Pirroja, në qyetin Argos të Peloponezit.

-Në vitin 232 Teuta ilire sulmoi dhe e pushtoi nga deti Finiqin, kryeqendrën e Epirit.

-Emri i ilirëve përmendet për herë të fundit në vitin 904. Pas këtij viti i gjithë territori i Jugut u përfshi nën sundimin bullgar të mbretit Simeon.

-Në vitin 1199 perandori i Bizantit, Aleksi III, i njohu Venedikut privilegje në Himarë dhe në Kurvelesh.

Në vitin1204, me rënien e Kostandinopojës, Perandoria Bizantine u nda në katër pjesë, njëra prej të cilave u quajt Despotati i Epirit.

Në vitet 1355-1417 kemi Despotatin e Vlorës, me qendër në Kaninë.

Në mesjetë kombësia shqiptare u nda në dy despotate: në atë të Epirit të ri, që shtrihej nga Shkodra gjer në Vjosë, dhe në atë të Epirit të vjetër, që niste nga lumi Vjosa dhe mbaronte në Artë.

Legjenda për një “Vorioepir grek” e ka zanafillën 160 më parë, kur dëshira e tyre ka qenë të quanin Vorioepir grek, kufijtë e Despotatit të vjetër i gjithë territori i Epirit ku flitej shqip qysh në lashtësi, ndonëse u pushtua shpesh dhe u bë pre e plaçkitjeve, e djegieve dhe e shkatërrimeve të ushtrive të huaja, asnjëherë nuk u prek në thelbin e vet. Popullsia shqiptare ruajti të paprekur gjuhën, zakonet, traditat, kulturën dhe mënyrën e jetesës, duke vazhduar të jetojë në fqinjësi të mirë me popullsinë greke. *

Aperir -os, sipas Spiro Kondës, quhet një vend sipër detit dhe është toponim paragrek. Një mendim dyshues rreth kësaj toponimie ka dhe studiuesi grek G.Agnostopulli. Edhe toponimin “apeirais” ai e quan fjalë paragreke. Epir ka lidhje me fjalën e vjetër shqipe, “epër”, e përdorur gjerësisht në Veri edhe në kohët tona.

 

Dritarja rrjedh nga dritarja – Cikël poetik nga RAYMOND CARVER – Përktheu FASLLI HALITI

             RAYMOND CARVER

1938 – 1988

 

Raymond Clevie Carver Jr. (25 maj 1938 – 2 gusht 1988) ishte një shkrimtar dhe poet amerikan dhe autor tregimesh të shkurtra. Ai konsiderohet të jetë ndër më të mëdhenjtë e Amerikës …

Lëvizja letrare: Minimalizmi, realizmi i ndyrë

Periudha: 1958-1988

Zhanër: Tregim i shkurtër, poezi

Bashkëshorti: Maryann Burk; (m. 1957; div. 1982); T .

Jemi në episodin e tretë të poezive të Raymond Carver, dhe sot është koleksioni “Oltremare” i vitit 1986, përsëri me përkthimin nga Riccardo Duranti dhe Francesco Durante. Që nga prezantimi nga Tess Gallagher: Shumë nga poemat më të fundit kanë karakteristikën e një ditari në të cilin natyra dhe jeta vëzhgohen moment për moment. Ndihemi të shpëtuar dhe të shoqëruar nga fryma që banon në to. Pikëpamja e Ray-së, të cilën ai shpesh e rrëfen tek personi i tretë, e vendos atë krahas lexuesit, për t’i shkruar ngjarjet me ndjenja të përziera ndërsa ato shpalosen. Carver është një poet me fleksibilitet të madh ekzistencial dhe aftësia e tij për të mbajtur në ekuilibër të kundërtat, ndërsa zgjidh degëzimet, pa u mbështetur kurrë në njërën nga të dy palët, është ekuivalent me inkurajimin për ne.
Ndonjëherë, pa ndjerë ndonjë siklet, Ray përdori të njëjtat ngjarje ose të njëjtat momente të vetëdijes si në poezi ashtu edhe në tregime. Vargjet shpesh sqarojnë një substrat emocional ose biografik të lënë në hije në tregime. “Shfrytëzojeni sa më shumë”, tha ai. “Mos lini asgjë mënjanë për më vonë.”
Kjo është një përzgjedhje e të preferuarave të mia, por unë do të bëja gabim bukurinë e koleksionit nëse nuk ju nxisja t’i lexoni të gjitha.

 

Përktheu: Faslli Haliti

 

 

 

DRURI BALSA

 

 

Babai im është në sobat që skuq vezë

dhe tru. Por kush është i uritur
Këtë mengjes ? Ndiehem i lehtë
si druri i balsës
. Sapo u tha diçka.
Nëna ime e tha. Ç’ështe atje? diçka,
vë bast, se ka të bëjë me paratë. Unë do të bëj pjesën time
nëse nuk ha. Babai i ktheu shpinën në sobave.
“Tashmë  unë jam në tokë. Mos më bëj që të fundosem më thellë. “

Drita rrjedh nga dritarja. Dikush qan.
Gjëja e fundit që mbaj mend është erë e keqe
e vezëve të djegura dhe të trurit.
Në mëngjes
copëtohet në plehra dhe përzihet
me gjëra të tjera.
Më vonë, ai dhe unë
udhëtojmë me makinë për në deponi, dhjetë milje larg.
Asnje fjale. Hedhim doreza dhe kuti
në një grumbull të zi. Cijasin  minjtë.
A
fishkëllejnë duke tërhequr jashtë nga zarfet e kalbura
duke u zvarritur barkazi.
Ne hipim në makinë
për të parë tymin dhe zjarrin. Motori është i ndezur.
E nuhas ngjitësin e modelve në gishtat e mi.
Ai më shikon ndërsa i vë gishtat në hundë.
Pastaj ai shikon përsëri drejt qytetit.
Ai do të donte të thoshte diçka, por nuk mundi.
Është Milliona  e miliona milje larg. Të  dy jemi
shumë larg
nga këtu e megjithatë është dikush që qan. Dhe  atëherë
Unë fillova të kuptoj se si është e mundur
të qendrosh ne nje vend. Por edhe në një tjetër.

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

 

KU KISHIN JETUAR

 

Kudo që të shkonte atë ditë ai ripërshkonte

të kaluarën e tij. Ai kapërcente grumbuj

kujtimesh. Shikonte brenda dritaresh

të cilat nuk i përkisnin më atij.

Punë, mjerim dhe fare pak para.

Në ato kohë ata jetonin me forcën e vullnetit,

tepër të vendosur për të qenë të pathyeshëm.

Asgjë s’do t’i kishte ndalur ata. Të paktën

për një kohë të gjatë.

 

Në dhomën e motelit

atë natë, në dritat e parë të agimit,

ai mënjanoi një perde të dritares. Pa retë

të grumbulluara kundër Hënës. U përkul

te xhami. Kishte një draft të ftohtë

që preku zemrën e tij.

Të doja, mendoi ai.

Të doja shumë.

Para se mos të të doja më.

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

 

 

XHUNGLA

 

“Nuk kam veçse dy duar ”,
thotë stjuardesa  shumë e bukur.
Ajo ecën mes sedileve
me tabaka  e  del kështu

përgjithmonë nga jeta e saj,
mendon ai.
Në të majtë të tij,
shumë më poshtë, shikojnë dritat

në një fshat mbi majën e një kodrine
në zemër të xhunglës

që ai  s’ befasohet kur shumë prej atyre

gjërave të  pamundura
kanë ndodhur
dhe sheh atë të kthehet dhe të ulet

në vendin bosh të rreshtit pranë.
“Ju zbrisni në Rio
apo vazhdoni në Buenos Aires? “

Përsëri ajo tregon
një palë duar tepër të bukura.

Unaza  të argjendta të mëdha

që burgosin gishtat, byzylykun e artë
që qarkon kyçin e dorës.
Jam në ajër diku
mbi avujt e Mato Grossos.

Është shumë vonë.
Ai vazhdon të sodisë duart e saj.
T’i fiksojë gishtat e saj të ndërthurur.
Kanë kaluan muaj, dhe
është ende shumë e vështirë të flasësh për të.

 

Përktheu: Faslli Haliti

Më 6 prill 1327 Petrarka shikon për herë të parë Laurën dhe bie menjëherë në dashuri

Portreti i Laurës, në një vizatim që ruhet në Biblioteca Medicea Laurenziana

VOAL – Sipas asaj që thotë në Secretum, Petrarka u takua për herë të parë me Laurën, në kishën e Santa Kiarës në Avignon, më 6 prill 1327 (ishte ditë e hënë. Pashka ishte më 12 Prill, dhe e Premtja e Mirë më 10 Prill në atë vit).

Laura do të jetë dashuria e jetës së tij dhe do të jetë e pavdekshme në Canzoniere. Figura e Laurës ka ngjallur, nga kritikët letrarë, mendimet më të larmishme: të identifikuara nga disa me një Laura de Noves të martuar me de Sade (vdiq në 1348 për shkak të murtajës, si Laura Petrarchesca).

Të tjerët në vend të kësaj ata priren të shohin në këtë figurë një shenjë pas së cilës të fshihet figura e dafinës poetike (bimë e cila, me anë të lojës etimologjike, shoqërohet me emrin femër), ambicie supreme e Petrarkës letrar./Elida Buçpapaj (Wikipedia)

Anonimo, Laura e il Poeta, Casa di Francesco Petrarca, Arquà Petrarca (Padova). L’affresco fa parte di un ciclo pittorico realizzato nel corso del Cinquecento mentre era proprietario Pietro Paolo Valdezocco.

ISMET ELEZI – 100 VJETORI I LINDJES SË FTERRJOTIT, NJERIUT DHE PERSONALITETIT MBARËKOMBËTAR – Nga SULEJMAN MATO

Eshte per mua nje privilegj dhe kenaqesi e madhe te uroj ne kete ore te fillimit te dites 5 PRILL 2020 Xha Ismetin kete Fterriot qe figura e tij ,vepra etij i ka kaluar me kohe caqet e Laberise por edhe metej , Te Kombit si nje dijetar i madhe ne sherbim te Atdheut .

Per Te flet historia ,flet vete rruga shume vjecare qe fillon me shkollen e fillores ne femijerine e tij ,vazhdim i kesaj rruge ne shkollat e tjera ne Shqiperi , shollen e larte ne Rusine Sovjetike me medaljen e ARTE dhe me punen gjigante ne sherbim te kmbit Shqiptar ne sektorin e Drejtesise .ku dallohet per nje devocion te larte dhe kulture evropiane Per Ismet Elezin. flet vete puna dhe vepra e tij .I ka sherbyer drejtesise jane me qindra kuadro qe kane dale nga katedrat e drejtesise Ku jep leksionet Ismeti ketu ne Shqiperi por edhe me tej ,ne Kosove Per kete flet dhe dekorata e larte edhene nga Presidenti i KOSOVES. Z. Hashim Thaci .

Eshte kenaqesi dhe nder te bisedosh me njerez si Ismeti Duhen dite e nuk dalin ,te flasesh per njerez si AY . UNE SONTE dua t’a UROJ T’a gezoje 100 vjetorin ,te rroje edhe shume vite te tjera prane njerezve te tijte dashur . Xha ISMET . Me shpirt te urojme ,te rroni gjate ,me shendet dhe i lumtur Te duam shume

RA KY MORT E HIÇ S’U PAMË Shënime nga karantina – Nga K. P. Traboini

Kisha në plan të udhëtoja për në Amerikë në fillim të Marsit, por që në shkurt kur mora njoftim se në Bergamo, Itali, vdiqën dy vetë, hoqa dorë se e parandjeva që linjat e avionëve ishin bërë çerdhe shpërndarje virusesh e askush nuk po u thoshte ndal linjave ajrore. E ma merr mendja se as i kanë dezinfektuar para apo pas çdo fluturimi.
Më ka ndodhur jo pak herë që pas çdo udhëtimi për në Amerikë të kem probleme me shëndetin, në formë gripi apo diç tjetër. Nuk besoj në pastërtinë e mjedisit të avionëve të pasagjerëve. Ani pse biznes i madh. Para e madhe në xhepat e kompanive shumëkombëshe që në janar-shkurt, kur Vuhani po përvëlohej nga epidemia, as po e vrisnin mendjen se si të ndalohej përhapja e kësaj sëmundje të rrezikshme për njerëzimin. Të paktën ata të mos bëheshin mbartësit e saj nga një shtet në një tjetër. Nga një kontinent në një tjetër. Erdhi koha që u bë ndalimi por tepër vonë. Tërë bota u vonua. Tërë bota u infektua. Mungese përgjegjësie totale. Të mjerët italian e pësuan sepse nuk e imagjinuan stuhinë e vdekjes që po vinte në ketë vend të begatë njerëzish punëtorë duarartë, të gëzuar e jetëgjatë. Fati u solli të derdhnin më shume lot se askund tjetër ne Europën e lodhur e të përgjumur. Brenda një muaji, falë linjave të avionëve, tërë botës ju vu flaka, ju pllakosi vdekjen, duke krijuar një gjendje që askush nuk e di se si e kur do përfundojë e sa sa vdekje do te ketë akoma. Asnjeri nga ne nuk e di si do bëhet me veten tonë, do të jemi të gjallë apo të vdekur deri në stinën tjetër. Falë ndryshimeve të mirëqenies, nivelit të pastërtisë e përkujdesjes në raport me brezat e mëparshëm, mendonim se ishim jetë gjatë fatlumë, por krejt pa pritur stuhia e zezë që fryu nga Vuhani na kujtoi se mund të bëhemi edhe jetëshkurtër madje duke numëruar ditët. Këto përsiatje, herë me shpresë e herë pa pikë besimi se do na gjejë stina tjetër. Gjithnjë kur bluaja me vete, arrija në mendimin se duhet të jemi më të butë. Me të mirë e më të mirë kuptueshëm. Asnjë egërsi a mllef nuk na shpëton. Politikanët le të bëjnë ende si të marrë. Punë e tyre. Milionerët le të rrinë të fshehur pa nxjerre zë, sikur deri dje mos të ishin të zhurmshëm, me shpenzimet e tyre marramendëse, me mburrjet e tyre për gardëroba milion-dollarësh. Vrima e miut 300 grosh është sot për këto milionerë mburravecë që e kanë harruar krejt çfarë është altruizmi, bujaria e humanizmi.
Mbledhësit e milionave nuk do ishte keq të kishin dhënë gjysmën e pasurive të tyre për të shpëtuar njerëzimin, por siç po shihet nuk po e bëjnë. Nuk mjafton që e shohim që një pjesë e botës është zhytur në mjerim, por këta bëjnë kinse nuk janë këtu, por në një planet tjetër. Po këta nuk kanë as mëshirë, as bujari, as humanizëm. Ku janë listat e milionerëve të revistës FORBES. Deri para epidemisë botoheshin emra të mburrur për pasuri përrallore. Paratë atyre ua ka dhënë populli, duke parë koncertet e tyre, filmat e tyre, duke blerë mallrat e tyre, duke punuar për ata, mirëpo milionerucët tani janë fshehur e numërojnë të vdekurit nëpër lajmet e botës, pa e vrarë mendjen se shpëtimi vjen nga shkenca, e shkenca që të zhvillohet për të mirën e njerëzimit do para, e paratë janë të ndara shumë keq, por jo për faj të tyre sigurisht, por të indiferencës së shtetit që si rregullator lë pa përkujdesje një garë të shfrenuar shoqërore dhe ekonomike ku i pasuri vazhdon të pasurohet pafundësisht e i varfëri të varfërohet tmerrësisht. E pra të dy palët paguajnë taksa. Të dy palët e mbajnë mbi shpatulla shtetin. Veç njëri mbret i pangopur në përfitime e tjetri Sizif kryelartë e fatkeq.
Mirë është që njerëzimi ti thërrasë mendjes e shumë gjëra, siç thotë këto ditë edhe politologu amerikan Henry Kisinger, pas pandemisë bota të nisë ti bëjë ndryshe. E kjo nuk ka të bëjë me ide socialiste, siç mund të thotë ndokush (mos e thëntë Zoti rrafshimin e vlerave), por me funksionin rregullator të shtetit para të cilit të gjithë qytetarët janë të bababartë e meritojnë të njëjtën përkujdesje. Kësisoj shteti të ndjekë parimin se të gjitha gishtat e dorës dhëmbin njësoj. Një reformim i madh duhet veçmas në fushën e shëndetit publik, se jemi në luftë, armatimet e bombat nëpër depo flenë, por na mungojnë instrumentat mjeksore, që janë padyshim arma më efikase e kësaj lufte që duhet me çdo kusht ta fitojmë. Jemi në një botë morti dhe unë kam hequr dorë e i shmangëm çdo vështrimi politik në problematikat që na dalin përpara. Sepse jemi në kohë të mbijetesës. Nuk di askush çfarë është e nesërmja. E di se mjaft pasionantë që përqendrohen zellshëm nën ombrellën e konflikteve partiake politike, mund të mos kenë të njëjtin mendim e të më thonë se po i shërben këtij apo atij protagonisti politik e aspak karizmatik. Por gjithsesi dëshiroj të shprehem, të them se i gjithë përqendrimi duhet të jetë, sipas meje, për të ruajtur ekzistencën si popull, Ky është imediati historik i këtyre ditëve. Nuk ka pikë rëndësie kush është në qeveri e sundon e kush është në opozitë e turfullon. Se aty-aty janë. Një okë e pak, një okë pa pak, siç thotë populli. Rëndësi ka të organizohemi mirë. Të jemi më homogjen e më të ndërgjegjshëm se jemi përballë një katastrofe.
Përpara një zinxhiri vrasës që me vullnet të mirë e fare pak sakrifica mund ta përballojmë. Duhet ta këpusim atë zinxhir fatal, ta këpusë secili nga ne duke u shmangur nga infektimi. Se shumë kush me moskokëçarje mund të bëhet një hallkë e linjës vrastare e t’ia çojë njeriut të vet të dashur. Duhet të gjithë bashkë të punojnë në një qëllim. Nëse dështojmë të gjithë bashkë, a veç e veç, pasojat e përgjegjësit do të jenë të mëdha për ne të gjithë. Nuk i shmanget gjyqit të ndërgjegjes askush. Ne kemi qeshur me formulime të tilla si “një për gjithë e të gjithë për një”, por erdhi koha ta vlerësojmë këtë shprehje se është një praktikë shpëtimtare.
Çfarë e shtyu mjekun Dhimitër Kraja të lerë qetësinë e pensionistit e të kthehet në frontin e luftës për mbrojtjen e jetës së njerëzve, atje ku punoi 48 vjet? Pikërisht kjo ndjesi. U infektua, u rrezikua, por mrekullisht shpëtoi. Por gjithsesi ja vlejti sakrifica se na e konkretizoi humanizmin, e bëri më të pranishëm mes nesh, sepse për humanizmin flasim shumë, por e gjejmë në praktikë fare pak. Dhe të mos harrojmë se pas çdo lufte janë bërë gjyqe të atyre që i çuan popujt në katastrofë. E kurrsesi nuk dua të besoj se, shkaktarët e kësaj gjëme, pandemie, por edhe ata që e nënvleftësuan, nuk do të jenë pa pasoja e pa gjyqin moral publik. Shteti që është rregullatori i jetës së qytetarëve duhet të jetë me kapacitete të plota, me ekonomi të fortë e më i pasur e të mos vidhet, por gjithashtu të shpenzojë me shumë për nevojat e shërbimit publik. Si ka mundësi që ne nuk kemi veç dy-tre spitale shtetrore në Tiranën që i afrohen 1 milion banorëve, gati gjysma e popullsisë së shtetit përqendruar në një qytet. Si ka mundësi të kemi makina ambulance në gjendje të tillë që nuk transportohet as bostanet, specat e domatet e jo më njerëzit, ndërsa qeveritarët porosisin makina të reja milionëshe? Pse nuk vihen makinat e qeverisë në dispozicion të spitaleve e urgjencave në këto ditë pandemia e shtetrrethimi?
O Zot sa pyetje mund të bëhen në këtë vend. Por askush nuk zoritet të jap një përgjigje. Madje as Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni që mesa shihet mbahet kot, para të humbura, sepse nuk kemi asnjë veprim të fortë denoncues për korrupsion, kur këtu paratë villen me galop e me thasë. Pse shteti ti japi koncesione spitaleve private, të cilat punojnë me çmime të kripura mbi aftësitë paguese të qytetarëve, të punësuar qofshin apo pensionistë. Po sa para nxirren nga kromi, nga nafta, nga pasurit tjera minerare. Ku shkojnë këto para. Pse nuk bëhen publike shpenzimet e shtetit. Po të ishin te dhënat publike a do të kishte mundësi të kaparoheshin nga duar e zgjatura të korrupsionit që gjenden ngado. Pse duhet të bëjmë Check Up shëndetësor te një person privat, që qytetarët as nuk e bëjnë fare, por ai (ajo) merr miliona euro. Me ato para mund të ndërtoheshin edhe tre a katër spitale moderne. Ka diçka që nuk shkon në këtë vend. Asnjë parti që vjen në pushtet nuk jep llogari e as mban përgjegjësi për veprimet e veta financiare që e dëmtojnë mirëqenien e popullit e punojnë në favor të klaneve, oligarkëve, quajini si ti doni, por janë brejtës të pasurive kombëtare e shkaku kryesor për varfërimin e popullit. Për frymë të popullsisë, në bazë të pasurive natyrore, jemi populli më i pasur në Ballkan e më gjerë. Por në të vërtetë realisht jemi më të varfërit e Europës. Pse? Kush duhet ti përgjigjet kësaj pyetje. A mund të përgjigjen sadopak ata të kinse Kontrollit të Lartë të Shtetit që ngrohin vezët nëpër zyra shteti.
SPAK-u duhet të mbaj shënim për gjithçka që ndodh në këtë vend dhe kur kjo furtunë e zezë të ketë kaluar, të verë përgjegjësit e zullumeve me shpatulla pas muri. Edhe ai apo ajo që ka marrë miliona me këto Check Up-et fiktive, që dreqit nuk i duhen gjë, ti kthejë një për një paratë e popullit. Ka ardhur koha që gjërat ti shohim ndryshe, të luftojmë si bashkësi që asnjë lek i popullit të mos shpërdorohet, por të ketë efikasitet e të shkojë në shërbim të tij. Ka ardhur gjendja aty ku më nuk mban. Fatkeqësi pas fatkeqësie. Varfëri pas varfërie. Duhet kaluar kjo furtunë e zezë që na gjeti të papërgatitur e të vjedhur njëkohësisht, që të nisim gjithçka me një mendësi të re. Të mos jemi indiferent ndaj fenomeneve të tilla që në Shqipëri të gjithë pushtetarët e të gjitha partive mjerisht e poshtërsisht, kanë guxuar ti bëjnë pa u hyre ferrë në këmbë. Për çfarë parashtrova nuk ka të bëjë me politikën në kuptimin e përkatësisë se krahëve të dallaveraxhinjve që kanë veshur petkun e politikanit, por këndvështrimi i problemeve në interes të popullit e të përparimit kombëtar. Zoti i shpëtoftë njerëzit e pafajshëm nga kjo gjëmë e zezë që ka pllakosur botën, por edhe nga politikanët e papërgjegjshëm që e vjedhin dhe e rrjepin popullin si të ishte një popull i huaj nën pushtimin e barbarëve!
5 prill 2020

ANTOLOGJIA E MUNGESAVE – Poezi nga LULZIM LOGU

 

Më mungon aq shumë ajo kafja jonë e pasdites, prag muzgut që bie

Gjurma jote e mbetur, skajit të filxhanit, ti blije buzëkuq të lirë, të lehtë

Përzier me hirin e kafes, e kam ruajtur në cep të buzëve si antivirus

Nuk mbaj maskë, kurrë s’dita çfarë janë maskat, s’e mbulova fytyrën

E lashë peng të diellit, në lojën e tij erotike me retë, me erën e shfrenuar

Që shpërthen sythet dhe shkrin borën e vonë mbi lulet e qershive

Një qershi e ndarë në dysh tash do shuante mallin tim për buzët tua…

 

Më mungon aq shumë ajo mbrëmja e fillim prillit, e trishtuar

Nga klithma e parë e zogjve të panginjur mbi copra buke tej

Kur drita e hënës bie si polen i praruar lulesh mbi truallin e tyre

Dikush luan me fishkëllimë sonatën  e saj, i panjohur pas xhami

Silueta hijesh që  kapërthuren dhe nginjen mbi pemët e holla

Si duar të afshta mbi barkun e ngrohtë të një shtatzëne që prêt

E lëngështuar në ankthin e së panjohurës pas derës së tejdukshme…

 

Më mungon aq shumë tehu i gurit të bjeshkës poshtë hapave të mi

Që ngasin luginave plot mjegull , ajo tamël zanash mbi qiellin e tyre

Diellin e shplojnë agut të hershëm, kokë e fëmijës në gishta lehone

Hënën ja lëshojnë mbi duar, një topth i artë, të luajë, t’ja ndalin vajin

Të mos tremben dhitë e egra dhe drenushat teksa pijnë vesën e parë

Në krojet e pashtershëm, gjinjtë e afshtë që pikojnë shkrepave të idhët

Ku e ka mbretërinë e vet të përjetshme fëminia ime e largët…

 

Më mungon buzëqeshja e babës, e cila sikur mbarte krejt maturinë e botës

Në fjalë të thjeshta, të renditura si rruaza dashnie në përqafimin e ditës

Aq shumë mirësi në sytë e tij të kaftë, me esencën e drunit të gështenjës

Që pikte kokrra në oborrin e madh të logut dhe të fisit, ashtu shtati i tij

Një lis i rëndë në pellgun e kujtimit, e mbulon me gjethe dhe lule pafund

Dhe më ëmbëlton dhimbjen e çuditshme të izolimit, ftohtësinë e mureve

Në çdo qelizë timen, vret padurimin, ngroh shpresën  për verën që vjen…

 

Më mungon prania ime tek shtretërit e atyre që frymojnë se fundmi

Pa mundur të japin puthjen e fundit, përqafim i munguar pas xhami

Si dorë e këputur, degë e rënë në sfondin e çuditshëm të jetës që ikën

Më merret fryma nga pamundësia, jam loti që rrjedh në faqe nënash

Jam fjalë e pathënë, mirënjohje e munguar  në fjalor të të dashurish

Antitrup i fituar  në betejën e mungesës, violinë që luan himnin e jetës

Tutje në ballkonin e shpresës…

 

Tropojë,04/04/2020