VOAL

VOAL

Finlandezja Sanna Marin pritet të bëhet kryeministrja më e re në botë

December 9, 2019

Komentet

Ministrja gjermane e arsimit: Nxënësit duhet të përgatiten për luftë

Studentët në Gjermani duhet të jenë më të përgatitur për të përballuar të gjitha llojet e krizave dhe katastrofave të mundshme, tha ministrja gjermane e Arsimit Bettina Stark-Watzinger.

Një anëtare e Demokratëve të Lirë (FDP) të fokusuar te biznesi, ajo theksoi rëndësinë e mbrojtjes civile në komentet për Grupin Mediatik Funke të gazetave lokale dhe rajonale të shtunën.

Stark-Watzinger tha se shkollat duhet të trajtojnë mbrojtjen civile dhe theksoi se qëllimi duhet të jetë “të forcojmë elasticitetin tonë”.

“Shoqëria në tërësi duhet të jetë e përgatitur mirë për krizat – duke filluar nga një pandemi, në fatkeqësi natyrore, në luftë,” tha ajo.

Stark-Watzinger foli për stërvitjet e mbrojtjes civile të bëra në shkolla në vende të tjera, si në Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se Gjermania gjithashtu mund të mësojë të bëjë të njëjtën gjë.

Ministrja bëri thirrje gjithashtu për zhvillimin e një marrëdhënieje “të qetë” midis nxënësve të shkollave dhe forcave të armatosura. Ajo sugjeroi që oficerët ushtarakë të vizitojnë shkollat për të shpjeguar se çfarë “Bundeswehr” bën për sigurinë tonë”.

(Balkanweb)

Deputeti i Bundestagut pas komenteve të Escobarit: Këshilli i Evropës vendos vetë për kriteret e anëtarësimit

VOA

Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, tha të premten se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të vendosë në mënyrë të pavarur mbi kriteret e anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm.

Ai i bëri këto komente pas deklaratës së të dërguarit amerikan Gabriel Escobar i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se pas përmbushjes së kërkesës nga Kosova për zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit mesjetar të Deçanit, janë edhe dy kushte të tjera për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Zoti Escobar tha se zbatimi ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë dhe “do të ketë efekt. Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri ka të bëjë me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni (i komunave me shumicë serbe)”.

Por deputeti gjerman, Knut Abrahams shkroi në platformën X se “vlerësojmë shqetësimet e Escobarit, por mund ta sigurojmë atë se Asambleja Parlamentare do të vendosë në mënyrë të pavarur për kriteret e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe do të vlerësojë përmbushjen e tyre. SHBA-ja s’do t’i përmbushte këto kritere për shkak të dënimit me vdekje”, shkroi ai.

Qeveria e Kosovës vendosi zbatimin e vendimit me të cilin manastirit mesjetar, i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, meqë lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi “të çuditshëm” dhe “të padrejtë” vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por theksoi se “nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike por edhe një hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE për Kosovën e pavarur”.

Macron: Evropa duhet të jetë gati për luftë nëse dëshiron paqe

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e quajti Rusinë e Vladimir Putin kundërshtare që nuk do të ndalet në Ukrainë nëse mposht trupat e Kievit në konfliktin dyvjeçar, duke u bërë thirrje evropianëve që të mos jenë “të dobët”, por të bëhen gati që të përgjigjen.

Ai tha se nëse Evropa duhet të bëhet gati për luftë nëse dëshiron paqe.

Muajin e kaluar, Macron shkaktoi kundërthënie kur deklaroi se nuk e përjashton mundësinë e dislokimit të trupave tokësore në Ukrainë në të ardhmen, përderisa shumë udhëheqës u distancuan nga ky qëndrim ndërkaq disa të tjerë, veçmas në Evropën Lindore, e mbështetën këtë ide.

“Nëse Rusia e fiton këtë luftë, besueshmëria e Evropës do të reduktohej në zero”, tha Macron gjatë një interviste televizive në Francë, pasi udhëheqësit opozitarë francezë e kritikuan atë për deklaratën e dislokimit të ushtarëve në Ukrainë.

Por Macron tha se nuk pajtohet aspak me udhëheqësit opozitarë.

“Sot, të zgjedhësh të abstenosh apo të votosh kundër mbështetjes së Ukrainës nuk është të zgjedhësh paqen, por të zgjedhësh humbjen. Ka dallim”, tha ai.

Partia kryesore opozitare e Macronit e Marine Le Pen nga ekstremi i djathtë, më herët gjatë javës abstenoi gjatë votimit për një marrëveshje të sigurisë që Franca nënshkroi me Ukrainën, ndërkaq një parti e majtë votoi kundër.

“Nëse lufta zgjerohet në Evropë, Rusia do të fajësohet. Por, nëse ne vendosim të jemi të dobët, nëse vendosim sot që nuk do të përgjigjemi, nënkupton se veçse kemi zgjedhur humbjen. Unë nuk e dua këtë”, tha ai.

Ai tha se është e rëndësishme për Evropën që të mos vendosë vija të kuqe, që sipas tij do të dërgonte sinjal dobësie në Kremlin dhe do të inkurajonte Rusinë që të vazhdojë me pushtimin e Ukrainës. Ai refuzoi të japë detaje se si do të dukej një dislokim në Ukrainë.

“Nuk e dua këtë. Dua që Rusia të ndalojë luftën dhe të tërhiqet nga pozicionet e saj dhe të lejojë që të ketë paqe”, tha ai. “Nuk do t’i japë detaje dikujt që nuk më jep asgjë. Kjo është për presidentin Putin. Kam arsye që nuk jam preciz”, tha ai.

Macron tha se Franca kurrë nuk do të niste një ofensivë kundër Rusisë dhe se Parisi nuk është në luftë me Moskën, pavarësisht faktit që Rusia ka nisur sulme agresive ndaj interesave franceze në dhe jashtë Francës.

“Regjimi i Kremlinit është kundërshtar ”, tha Macron duke refuzuar që ta quajë armike Rusinë. Ai po ashtu tha se Putini po bën kërcënime për sulme me armë bërthamore, të cilat sipas tij, nuk janë deklarata të duhuara.

Macron tha se Ukraina gjendet në një situatë “të vështirë” në terren dhe se ka nevojë për mbështetje të fuqishme nga aleatët.

“Paqja nuk do të thotë kapitullimi i Ukrainës. Nëse do paqe nuk nënkupton mposhtje. Paqja nuk nënkupton që të heqim dorë nga Ukraina”, tha ai.

Udhëheqësi francez po ashtu tha se shpreson që do të vijë një ditë që paqja të negociohet me një president rus “kushdo qoftë ai”.

Ai po ashtu njoftoi se nuk ka anuluar vizitën e planifikuar në Ukrainë për shkaqe sigurie. “Kështu tha Rusia. Nuk duhet t’ju besoni atyre”, tha ai.REL

Më shumë se dy vite luftë, zyrtari ukrainas: Rreth 535 fëmijë janë vrarë nga sulmet ruse

Zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas ka bërë me dije se 535 fëmijë janë vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë.

Ndërkohë 1255 kanë pësuar lëndime të shkallëve të ndryshme

“Rreth 1790 fëmijë janë prekur në Ukrainë si rezultat i agresionit të armatosur në shkallë të plotë të Rusisë. Që nga mëngjesi i 14 marsit 2024, gjithsej 535 fëmijë janë vrarë dhe 1255 kanë pësuar lëndime të shkallëve të ndryshme”, tha zyra e prokurorit.

Sulmet ruse në Ukrainë nisën në 24 shkurt 2022, dhe edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite që nga nisja e luftës, fundi i saj duket ende larg.bw

Ukraina përgënjeshtron Kremlinin: Putin nuk arriti të pushtojë asnjë fshat prej dy javësh

Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka përgënjeshtruar deklaratat e Rusisë se ka arritur të marrë kontrollin e disa fshatrave gjatë javëve të fundit.

Oleksandr Syrskyi tha se pavarësisht se situata në front mbetet e vështirë, Rusia ka pësuar dëme të mëdha dhe nuk ka arritur të pushtojë asnjë fshat për një periudhë dy javore.

“Në front situata mbetet e vështirë. Rusia po kryen operacione sulmuese në disa zona, duke përfshirë rrethinat e qytetit Robotyne në Zaporizhzhia. Megjithatë Moska ka pësuar humbje të mëdha si pasojë e mbrojtjes sonë. Gjatë dy javëve të luftimeve të ashpra, armiku pësoi humbje jashtëzakonisht të mëdha. Megjithatë, të gjitha vendbanimet që ai u përpoq të merrte mbetën nën kontrollin tonë”, tha ai.

(BalkanWeb)

‘Ushtarët e NATO-s tashmë të pranishëm në Ukrainë’, thotë Ministri i Jashtëm polak

Ministri i Jashtëm polak ka rrezikuar të shkaktojë polemika duke thënë se “personeli ushtarak i NATO-s është tashmë i pranishëm në Ukrainë”.

Radoslaw Sikorski, gjatë një konference për media shkaktoi polemikë ndërkombëtare me deklaratat e tij për praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë, por duke mos e theksuar se për cilin vend po flet.

“Unë do të doja të falënderoja ambasadorët e atyre vendeve që e kanë marrë atë rrezik. Këto vende e dinë se cilët janë, por unë nuk mund t’i zbuloj. Ndryshe nga politikanët e tjerë, unë nuk do t’i listoj ato vende”, tha Sikorski.

Kjo deklaratë vjen pasi zyrtarët ushtarak gjerman u dëgjuan të thonë se personeli i shërbimit të Mbretërisë së Bashkuar gjendet në tokat ukrainase, shkruan skynews.

Mbretëria e Bashkuar më parë tha se ka dërguar njësi të vogla në vend për të ndihmuar me trajnime mjekësore, por nuk parashikonte dislokime në shkallë të gjerë.

Ndryshe, Rusia ka paralajmëruar për pashmangshmërinë e një konflikti të drejtpërdrejt midis saj dhe NATO-s nëse trupat e vendeve perëndimore do të dërgoheshin në Ukrainë.sn

Kryediplomati polak: Prania e NATO-s në Ukrainë nuk është e paimagjinueshme

Ministri i Jashtëm i Polonisë tha se prania e forcave të NATO-s në Ukrainë “nuk është e paimagjinueshme”, duke shtuar se vlerëson presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që nuk e ka përjashtuar këtë ide.

Radek Sikorski i bëri këto deklarata gjatë një diskutimi të mbajtur të premten me rastin e 25-vjetorit të anëtarësimit të Polonisë në NATO dhe Ministria e Jashtme i publikoi në X – që më herët njihej si Twitter – më vonë këto deklarata në gjuhën angleze.

Muajin e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se mundësia që trupat perëndimore të dërgohen në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet. Kjo deklaratë nxiti reagime të udhëheqësve të tjerë.

Zyrtarët francezë më vonë tentuan të sqaronin deklaratën e Macronit dhe të minimizonin kritikat, por duke insistuar se ka nevojë të dërgohet një mesazh i qartë te Rusia se nuk mund të fitojë në luftën kundër Ukrainës.

Kremlini ka paralajmëruar se nëse NATO-ja do të dërgojë trupat luftuese, një konflikt i drejtpërdrejtë mes aleancës dhe Rusisë do të ishte i pashmangshëm. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se një lëvizje e tillë do të rrezikonte që të shpërthente një konflikt botëror bërthamor.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ishte në mesin e udhëheqësve evropianë që përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë pas deklaratave të bëra nga Macroni. Ai tha se “Polonia nuk ka plane që të dërgojë trupat e saj në territorin e Ukrainës”.

Sikorski nuk foli për ndonjë plan për të dërguar trupat polake në Ukrainë, por kishte një qëndrim ndryshe nga kryeministri i tij.

“Prania e forcave të NATO-s në Ukrainë nuk është e paimagjinueshme”, tha ai, sipas Ministrisë së Jashtme të Polonisë. Ai tha se e vlerëson nismën e Macronit “sepse ka të bëjë me çështjen që Putini të frikësohet e jo ne të frikësohemi nga Putini”.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe kryeministri Tusk, do të udhëtojnë për në Uashington për një takim në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme. Udhëheqësit e Polonisë po shpresojnë që të bindin SHBA-në që të bëjë më shumë për të ndihmuar Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022.

Polonia është anëtare e NATO-s në krahun lindor të aleancës dhe gjendet në kufi me Ukrainën. Në të kaluarën, ky shtet ka qenë nën kontrollin rus dhe është rritur frika se nëse Rusia fiton në Ukrainë, shënjestra të radhës mund të jenë shtetet në rajonin që Moska e sheh si sferën e saj të interesit./REL

Ukraina do të marrë 6 miliardë euro nga BE-ja në dy muajt e ardhshëm

Ukraina do t’i pranojë 6 miliardë euro nga Bashkimi Evropian në dy muajt e ardhshëm, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, të premten.

Qeveria ukrainase pret t’i marrë 4.5 miliardë euro në mars, ndërsa 1.5 miliard euro të tjera në prill, sipas Shmyhalit.

BE-ja u pajtua në shkurt për një paketë të ndihmës financiare për Ukrainën në vlerë prej 50 miliardë eurosh për një periudhë katërvjeçare.

“Këtë vit, ne synojmë t’i marrin 16 miliardë euro nga Bashkimi Evropian. Ukraina do t’i ketë burimet për të luftuar dhe për të fituar. Ky është synimi ynë kryesor dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për këtë”, theksoi ai.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka hyrë në vitin e tretë dhe Kievi varet tejet shumë nga mbështetja ekonomike dhe ushtarake e aleatëve të vet perëndimorë.

Ndihma ekonomike në vlerë miliarda euro në dy vjetët e para i ndihmoi Qeverisë ta ruajë qëndrueshmërinë makroekonomike, ta luftojë inflacionin dhe t’i kryejë me kohë pagesat e pensioneve dhe rrogat në sektorin publik.

Ukraina e përdor shumicën e buxhetit të brendshëm nga të hyrat për ta financuar mbrojtjen.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se Ukraina i mori 73.6 miliardë euro nga shtetet e jashtme në vitet 2022 dhe 2023.

Por, në dy muajt e parë të këtij viti, Kievi i mori vetëm 1.2 miliard dollarë, pasi paketat e mëdha financiare u zvarritën apo u bllokuan.

Ministri i Financave i Ukrainës, Serhiy Marchenko, ka thënë se vendi i tij ka nevojë për 3 miliardë dollarë në muaj për ta kapërcyer vitin 2024.REL

Lituania: Rusia mund të luftojë në Ukrainë të paktën edhe dy vjet

Tanke të shkatërruara ruse në rajonin ukrainas të Donjeckut më 13 shkurt 2024.

 

Çmimet e larta të naftës, shmangia e sanksioneve dhe investimet shtetërore i mundësojnë Rusisë që të ketë burime të mjaftueshme që të luftojë në Ukrainë me intensitetin aktual edhe të paktën dy vjet, u tha në një raport të agjencive të inteligjencës të Lituanisë.

Rusia reformoi dhe forcoi ushtrinë e saj të shkatërruar nga lufta në Ukrainë më 2023 dhe është në rrugën e duhur që të zgjerojë aftësitë ushtarake përgjatë kufirit të saj me NATO-n, përfshirë edhe Finlandën – që iu bashkua aleancës ushtarake perëndimore vitin e kaluar – thanë agjencitë e inteligjencës në vlerësimin e tyre vjetor lidhur me kërcënimet që përballet shteti baltik.

“Moska është e aftë të bëjë vlerësimin e mësimeve të nxjerra dhe të përmirësojë efektivitetin e saj luftarak”, thanë agjencitë lituaneze në raportin e publikuar mëngjesin e 7 marsit.

Raporti është përpiluar nga dy agjenci: Departamenti i Sigurimit Shtetëror i Kundërzbulimit dhe Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes të Ushtrisë, që janë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.

Të martën, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka forcuar forcat e saj ushtarake në veri dhe perëndim të Rusisë në përgjigje të një grumbullimi të perceptuar të forcave të NATO-s në kufijtë e Rusisë.

Lituania, shtet fqinj me Rusinë dhe aleaten e saj Bjellorusinë që dikur sundohej nga Moska, është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Agjencitë e inteligjencës shkruan në raport se inteligjenca ruse po drejton përpjekjet për shmangien e sanksioneve që u vendosën ndaj industrisë ruse të mbrojtjes pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022.

Përderisa Rusia haptazi furnizohet me armë dhe municione vetëm nga Irani dhe Koreja e Veriut, Kina është bërë furnizuesja më e madhe e Rusisë për mikroçipe dhe huani është bërë monedha kryesore për transaksionet ndërkombëtare të Rusisë, thanë agjencitë e Lituanisë.

Ato shtuan se që kur Rusia vendosi koka bërthamore në Bjellorusi më 2023 ka ndërtuar në këtë shtet edhe infrastrukturë për përdorimin e këtyre armëve.

Raporti tha se agjencitë e inteligjencës së Rusisë dhe Bjellorusisë kanë rritur përpjekjet e tyre për të rekrutuar lituanezë që kalojnë kufirin dhe Lituania ka arrestuar dhjetëra shtetas të saj më 2023, të cilët i ka akuzuar se u kanë ofruar të dhëna inteligjencës bjelloruse në këmbim të parave.

Sa i përket Kinës, agjencitë thanë se Pekini rriti përpjekjet e tij të spiunimit në Lituani më 2023, pas vendimit të Lituanisë që të lejojë Tajvanin të hapë një ambasadë de facto në tokën lituaneze më 2021.

Në raportin e inteligjencës lituaneze u tha se aktorët kibernetikë “të lidhur me Kinën” u gjetën se rregullisht hetojnë institucionet qeveritare të Lituanisë duke tentuar të gjejnë dobësi në to “me qëllim që të hyjnë në sistemet e tyre dhe të vjedhin të dhëna”.REL

Gjermania: Përgjimi i telefonatës nga Rusia pasojë e një gabimi të personelit

VOAL/Henry Ridgwell

Gjermania tha të martën se gabimi nga një pjesëtar i personelit ushtarak e bëri të mundur audio regjistrimin e një telefonate të zyrtarëve të lartë ushtarakë gjermanë, të cilët po diskutonin për furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimit. Berlini e mohon se ka patur sulm të suksesshëm kibernetik ndaj sistemeve të tij të komunikimit. Aleatët perëndimorë kanë frikë se Rusia mund të ketë siguruar informacione të tjera zbulimi nga audio regjistrimi.

Gjermania u ka rezistuar thirrjeve për furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi, “Taurus”, duke thënë se kjo rrezikon përshkallëzimin e konfliktit.

Por në një audio regjistrim të publikuar javën e kaluar nga media ruse “Rusia Today”, katër oficerë të lartë gjermanë, përfshirë komandantin e forcave ajrore, dëgjohen duke diskutuar për furnizimin e Kievit me raketa.

“Mendoj se audio regjistrimi nxjerrë në pah një lloj mospajtimi në komandën e lartë mbi atë që ata e shikojnë si të mundshme kundrejt asaj që dëshiron udhëheqja politike. Pra, kjo ngre disa pyetje mbi marrëdhënien mes udhëheqjes politike dhe asaj ushtarake lidhur me ndihmën për Ukrainën”, thotë ekspertja e mbrojtjes Marina Miron nga Universiteti i Mbretëror i Londrës.

Në audio regjistrim, oficerët gjermanë diskutojnë mbi aftësinë e raketave “Taurus” për të goditur Urën e Kerçit, e cila lidh Rusinë me Krimenë.

Audio regjistrimi gjithashtu sugjeron se Britania ka dërguar një ekip ushtarak në Ukrainë për t’i stërvitur ushtarët ukrainas në përdorimin e sistemit të raketave me rreze të gjatë veprimit, “Storm Shadow”, që Londra ia ka dhënë Kievit. Qeveria britanike nuk ka bërë komente mbi këtë çështje.

Rusia pretendon se audio regjistrimi nxjerr në pah përfshirjen “kolektive të Perëndimit” në konfliktin në Ukrainë.

Berlini nuk e ka mohuar vërtetësinë e audio regjistrimit. Ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius tha të martën se sistemet qeveritare të komunikimit nuk janë komprometuar.

“Regjistrimi i telefonatës u bë për shkak të gabimit të një individi në rangun e Forcave Ajrore. Nuk janë ndjekur nga të gjithë pjesëmarrësit procedurat e realizimit të thirrjes telefonike”, tha ai.

Aleatët perëndimorë kanë ngritur shumë pyetje mbi informacionet që mund të ketë mbledhur Rusia nga kjo telefonatë.

“Nuk e dimë se çfarë informacione të tjera ka siguruar Rusia. Kjo është një telefonatë, që ata kanë vendosur ta publikojnë. Ndoshta Rusia ka njohuri mbi të gjitha dërgesat e armëve të Perëndimit për Ukrainën. Kështu që kjo është një çështje shumë serioze, veçanërisht sa i përket ndarjes së informacioneve të zbulimit mes Gjermanisë dhe vendeve të tjera partnere. Natyrisht, kjo e ndihmon Rusinë, sepse ajo nuk dëshiron një luftë të hapur me NATO-n, por një destabilizim të brendshëm të aleancës”, thotë ekspertja Marina Miron.

Publikimi i audio regjistrimit përkoi me funeralin e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili vdiq në rrethana të paqarta dy javë më parë në një burg rus në Arktik. Analistët thonë se publikimi i audio regjistrimit kishte për qëllim të largonte vëmendjen globale nga funerali i Navalnit.

Ukraina thotë se ka fundosur një luftanije ruse në Detin e Zi

VOA/Marrë nga Associated Press

Ukraina pretendoi të martën se ka fundosur një tjetër luftanije ruse në Detin e Zi, duke përdorur dronë detarë të teknologjisë së lartë, ndërsa forcat e Kievit vazhdojnë të godasin objektivat thellë prapa vijës së frontit të luftës. Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar fundosjen e luftanijes.

Agjencia e inteligjencës ushtarake ukrainase tha se një njësi e operacioneve speciale shkatërroi luftanijen e madhe të patrullimit “Sergey Kotov” gjatë natës. Luftanija, për të cilën Ukraina tha se ishte aktivizuar në vitin 2021 dhe u godit pranë ngushticës së Kerçit, thuhet se ishte e pajisur me raketa me vetëdrejtim dhe kishte rreth 60 anëtarë të ekuipazhit.

Fundosja e një anijeje kaq moderne do të ishte një humbje e konsiderueshme dhe një goditje e rëndë për Moskën, ndonëse ajo ka dhjetëra anije të tjera në flotën e saj të Detit të Zi.

Anijet patrulluese si “Sergey Kotov” janë pjesë e operacioneve të Rusisë kundër sulmeve me dronë, sipas një artikulli të botuar muajin e kaluar nga Institutit amerikan të Studimit të Politikës së Jashtme. Anijet përdorin radar dhe një helikopter për të zbuluar dhe shkatërruar dronët duke përdorur granatahedhës dhe mitralozë të rëndë, tha Instituti amerikan i Studimit të Politikës së Jashtme.

Forcat e Kievit po përpiqen të mbajnë larg ushtrinë ruse të pajisur më mirë në disa pika përgjatë vijës së frontit kryesisht të pandryshuar prej 1,500 kilometrash, por gjithashtu po godet objektiva në distanca të largëta nga fusha e betejës.

Në Detin e Zi, sukseset e Ukrainës kundër luftanijeve ruse kanë mundësuar krijimin e një korridori për eksportin e grurit ukrainas.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës postoi në X një video, që thoshte se ishte nga sulmi ndaj luftanijes “Sergey Kotov” me një anije pa ekuipazh “Magura V5” të mbushur me ekzploziv, të prodhuar nga Ukraina. Shtatë anëtarë të ekuipazhit rusë u vranë dhe gjashtë u plagosën në sulm, ndërsa 52 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan, tha agjencia e inteligjencës ushtarake të Ukrainës.

Pretendimet e Ukrainës nuk mund të verifikoheshin menjëherë në mënyrë të pavarur dhe dezinformimi ka qenë pjesë e luftës, që kur Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë të Rusisë më 22 shkurt 2022 ndaj Ukrainës.

Firma private e sigurisë “Ambrey” tha se sulmi ndodhi në portin e Feodosias, në Krime, që Rusia e aneksoi në 2014. Zyrtarë të firmës “Ambrey” thanë se kishin parë pamjet e marra nga një anëtar i ekuipazhit në një anije tregtare në port, që tregonin luftanijen “Sergej Kotovin” duke qëlluar në drejtim të dronëve.

Anija u godit të paktën dy herë, me goditjen e dytë që rezultoi në një shpërthim të madh, tha firma “Ambrey”.

Muajin e kaluar, Ukraina pretendoi se kishte fundosur dy luftanije ruse, duke përdorur dronë. Më 1 shkurt, ajo pretendoi se kishte fundosur luftanijen ruse “Ivanovets” dhe më 14 shkurt ajo tha se shkatërroi anijen “ Caesar Kunikov”. Zyrtarët rusë nuk i kanë konfirmuar këto pretendime.

Zyrtarët e Kievit thonë se rreth 20% e sulmeve me raketa ruse në Ukrainë janë kryer nga Deti i Zi dhe goditja e anijeve ruse atje është e turpshme për Moskën.

Pothuajse dy vjet më parë, anija kryesore e flotës ruse të Detit të Zi, “Moskva”, e cila ishte e pajisur me raketa me vetëdrejtim, u fundos pasi u dëmtua rëndë në një sulm me raketa.

Frankfurti bëhet qyteti i parë gjerman që zbukuron rrugët për Ramazan

Këtë vit, Frankfurti u bë qyteti i parë në Gjermani që dekoroi rrugët e tij për Ramazan (10 mars – 9 prill), pas një kërkese të të Gjelbërve, Partisë Social Demokratike (SPD) dhe ministrisë së shtetit për diversitetin dhe luftën kundër diskriminimit.

“Duke dekoruar gjatë Ramazanit, qyteti i Frankfurtit dërgon një mesazh të rëndësishëm për jetën myslimane, duke shprehur vlerësimin e tij për njerëzit e besimit mysliman që jetojnë në këtë qytet”, thuhet në peticionin e të Gjelbërve. Kryetarja “e gjelbër” e qytetit, Narkes Eskandari-Greenberg, tha nga ana e saj se “dritat janë simbol i unitetit, kundër rezervave, kundër diskriminimit, kundër racizmit anti-mysliman dhe kundër antisemitizmit”.

100,000-150,000 myslimanë jetojnë në qytet dhe përbëjnë rreth 15% të popullsisë së përgjithshme.

Sipas informacioneve të BILD, model për vendimin ka qenë Londra, e cila është dekoruar për herë të parë për Ramazanin e vitit 2023. Në Frankfurt, dritat e Ramazanit do të vendosen në të gjithë zonën e këmbësorëve të qytetit dhe kostoja e tyre do të variojë nga 50,000 dhe 100 mijë euro.bw


Send this to a friend