VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Financieri amerikan akuzohet për trafikim vajzash për qëllime seksuale

By | July 9, 2019

Komentet

Ish-nënpresidenti Joe Biden vazhdon fushatën me vrull

Ish-nënpresidenti Joe Biden ka bërë thirrje për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, pas akuzave se presidenti ka kërkuar të nxjerrë informata që do të dëmtonin zotin Biden dhe të birin. Politikani veteran është pretendenti kryesor në radhët e kandidatëve demokratë për zgjedhjet presidenciale. Por tani ai e gjen veten në mes të një beteje mes demokratëve në Kongres dhe Presidentit Trump që mund të çojë në procesin për shkarkimin e presidentit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gyson, kjo betejë politike nuk e ka ngadalësuar fushatën e zotit Biden:

Zoti Biden tingëlllon sfidues në komente:

“Presidenti ka hapur sherr me personin e gabuar,” tha ish-nënpresidenti.

Zoti Biden është hedhur në fushatë me një vrull të ri, për të ruajtur epërsinë mes rivalëve demokratë në fushëbeteja elektorale si Nju Hampshër, një ndër shtetet e para që zhvillon zgjedhje partiake.

“Donald Trumpi do të bënte çdo gjë për t’u rizgjedhur, madje do të shkelte edhe format më bazë të demokracisë sonë”.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve hapën zyrtarisht një proces hetimor mbi shqetësimet e ngritura nga një informator i brendshëm se Presidenti Trump pezulloi ndihmat për Ukrainën si presion që Kievi të nxirrte informata që do të dëmtonin zotin Biden dhe të birin.

Zoti Biden i ka hedhur poshtë akuzat.

“Nuk ka asnjë të vërtetë në akuzat dhe sulmet e tij kundër meje apo djalit. Asnjë. Zero”.

Ai thotë se është kandidati më i fortë për të mundur presidentin.

“E kam thënë: po konkurroj për të ringjallur shpirtin e Amerikës, pasi në këto zgjedhje është në rrezik. Prandaj kanë rëndësi këto zgjedhje. Prandaj nuk do ta lemë Donald Trumpin të diktojë se kush do të jetë kandidati demokrat në zgjedhje”.

Duket se ky argument ka bindur edhe disa votues të lëkundur demokratë:

“Për herë të parë sot u emocionova. Mendoj se me Nënpresidentin Biden nuk ka lojra. Nuk ka premtime të ekzagjeruara. Dëgjova thjesht një analizë të ndershme të situatës aktuale dhe synimit që kemi. Dëgjova shpresë. Më dha shpresë,” thotë një votuese.

Por përkrahësit e presidentit thonë se duhen parë me vëmendje edhe shkëmbimet e zotit Biden me udhëheqës të huaj.

“Duhet të ketë turp me gjithë këto lojra që ka bërë gjatë viteve dhe tani po akuzon presidentin për gjëra që janë në fakt pjesë e përgjegjësive të presidentit. Kjo është absurde,” thotë një aktivist për fushatën e Presidentit Trump.

Shumë përkrahës e pranojnë shpjegimin e presidentit se po luftonte korrupsionin në Ukrainë:

“Ai më bën të besoj se politika mund të bëhet me energji, duke angazhuar njerëzit, duke folur me një spektër të gjerë njerëzish. Nuk jam ende plotësisht i sigurtë por e shoh të mundur që të votoj për të,” thotë një votues.

Votuesit në Nju Hempshër kanë ende katër muaj për të vendosur se kë do zgjedhin ndër kandidatët demokratë. Shumë gjëra mund të ndryshojnë në katër muaj, por hetimet që po zhvillohen në Kongres e bëjnë pothuajse të garantuar se emri i zotit Biden do të vazhdojë të jetë në qendër të debatit politik.

Mulvaney rithekson – fondet për Ukrainën nuk ishin të lidhura me hetimet politike

Shefi në detyrë i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney mbrojti pretendimin e tij se Presidenti Donald Trump nuk pezulloi gati 400 milion dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, me qëllim që Kievi të ndërmerrte hetime për rivalët demokratë dhe zgjedhjet e vitit 2016.

Mulvaney u tha gazetarëve javën e kaluar se nuk kishte një kërkesë detyruese nga Trump, por disa orë më vonë e tërhoqi deklaratën dhe vazhdoi të avancojë versionin e tij të rishikuar të diskutimeve të politikave të Shtëpisë së Bardhë në një intervistë në emisionin “Fox News Sunday”.

“Kishte dy arsye që ne e pezulluam ndihmën,” tha zoti Mulvaney. “E para ishte korrupsioni i shfrenuar në Ukrainë. Është kaq keq në Ukrainë sa që në vitin 2014 Kongresi miratoi një ligj … duke na kërkuar që të sigurohemi që lufta kundër korrupsionit po lëvizte në drejtimin e duhur. Pra, korrupsioni është një çështje e madhe Të gjithë e dinë atë. ”

Ai shtoi se, “Presidenti ishte gjithashtu i shqetësuar nëse vendet e tjera, konkretisht ato evropiane, do të ndihmonin me ndihmën e huaj për Ukrainën”.

Mulvaney përmendi gjithashtu gjatë konferencës së tij për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të enjten e kaluar se presidenti Trump dëshironte të dinte nëse Ukraina kishte në pronësi një serveri kompjuterik të përdorur për hakerimin në Komitetin Kombëtar Demokrat në vitin 2016 që tregoi se mbështeti ish-sekretaren e shtetit të SHBA Hillary Clinton në fushatën e saj të pasuksesshme kundër zotit Trump për Shtëpinë e Bardhë. Vendndodhja e kompjuterit është pjesë e një teorie se Ukraina ishte përzierë në zgjedhjet e vitit 2016, dhe jo Rusia, siç arriti në përfundim komuniteti i inteligjencës amerikane.

Por zoti Mulvaney tha të dielën se përmendja e shqetësimeve të presidentit Trump për kompjuterin “nuk ishte e lidhur me ndihmën”, megjithëse javën e kaluar kishte thënë: “Kjo është arsyeja pse ne i mbajtëm fondet”.

“Ne e bëjmë këtë praktikë gjatë gjithë kohës me politikën e jashtme,” ka thënë Mulvaney në Shtëpinë e Bardhë.

Të dielën, ai tha, “Unë kurrë nuk thashë se kishte një ‘quid pro quo’ sepse nuk ka”.

Trump, ndërsa fillimisht bllokoi ndihmën për Ukrainën, përfundimisht lejoi lëvrimin e fondeve për Kievin.

“Ndihma u dha,” tha Mulvaney të dielën. “Sapo u siguruam se ata po bënin më të mirën për të luftuar korrupsionin…” dhe ndihma e vendeve të tjera për Ukrainën ishte rritur, “paratë u dhanë”. Gjatë konferencës për shtyp javën e kaluar, Mulvaney shtoi një kusht të tretë, nëse Ukraina po ndihmonte një hetim të Departamentit amerikanë të Drejtësisë për origjinën e hetimeve të zgjedhjeve të vitit 2016 që përfundimisht implikuan ndërhyrjen e Rusisë për të ndihmuar Trump të fitonte.

Biseda e Presidentit Trump me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy janë në qendër të hetimit të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve për të shkarkuar presidentin Trump. zëri i amerikës

Trupat amerikane tërhiqen nga baza më e madhe në veri të Sirisë

Mark Esper

Trupat amerikane u tërhoqën nga baza e tyre më e madhe në veri të Sirisë të dielën. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha se të gjitha forcat amerikane që u larguan nga Siria do të vendosen në Irakun perëndimor dhe do të vazhdojnë të kryejnë operacione anti-terroriste kundër Shtetit Islamik në rajon.

Sekretari Esper tha se më shumë se 700 trupa amerikane do të zhvendoseshin në Irak dhe nuk do të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara së shpejti, siç ka sugjeruar Presidenti Donald Trump.

Shefi i Pentagonit nuk e përjashtoi mundësinë e sulmeve amerikane kundër terrorizmit nga Iraku në Siri. Por ai tha se planet do të zhvilloheshin me kalimin e kohës dhe përfshijnë diskutime me aleatët në një takim të NATO-s në ditët e ardhshme. Ai tha se nëse forcat amerikane kthehen në Siri ato do të mbrohen nga avionët luftarakë amerikanë.

Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 5000 trupa në Irak sipas një marrëveshjeje midis Bagdadit dhe Uashingtonit. Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në vitin 2011 kur operacionet luftarake përfunduan, por u kthyen përsëri pas tre vjetësh kur Shteti Islamik mori nën kontroll një numër të madh të vendit para se ta humbasë atë më vonë. zëri i amerikës

SHBA: Të zhgënjyer nga vendimi i Këshillit Europian

Shtetet e Bashkuara u shprehën “të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë”. Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Morgan Ortagus, theksohet se “një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik”.

Deklarata nënvizon faktin që “Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër”.

Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit theksohet se “Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar. I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, përfundon deklarata, e cila u postua menjëherë në Facebook nga kryeministri Edi Rama shoqëruar me një falenderim. zëri i amerikës

Ndahet nga jeta ligjvënësi veteran Elijah Cummings

Ligjvënësi nga Marylandi, Elijah E. Cummings, vdiq të enjten herët në spitalin Johns Hopkins në moshën 68 vjeçare.

Karriera e gjatë e ligjvënësit Cummings filloi më veprimtarinë prej shumë dekadash në politikën e Marylandit. Ai u ngrit në radhët e Dhomës së Delegateve në Maryland para se të fitojë vendin e tij në Kongres në një palë zgjedhje të jashtëzakonshme në vitin 1996 për të zëvendësuar ish ligjvënësin Kweisi Mfume.

Ai ishte një nga mbështetësit e hershëm të fushatës së ish presidentit Barack Obama në vitin 2008.

Zoti Cummings u bë kryesues i fuqishëm i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi presidentin Donald Trump dhe ishte një orator i fuqishëm që mbronte të varfrit në Baltimor.

Elijah Cummings u lind më 18 janar të vitit 1951. Në shkollën fillore një nga mësuesit i kishte thënë se ishte shumë i ngadalshëm për të mësuar dhe fliste keq dhe kurrë nuk do ta përmbushte ëndrrën e tij për t’u bërë avokat.

“Isha i dërmuar” tha Cummings për agjencinë e lajmeve Associated Press në vitin 1996, pak para se të fitonte vendin e tij në Kongres. “E gjithë jeta ime ndryshoi. Unë u bëra shumë i vendosur ”.

Elijah Cummings vendosi të dëshmojë se mësuesi e kishte gabim. Ai u bë jo vetëm avokat, por një nga oratorët më të fuqishëm në Dhomën e Delegatëve në Maryland, ku ai mori detyrën në vitin 1983.

Gjatë tërë jetës së tij ai do të fillonte komentet e tij ngadalë, duke zhvilluar temën dhe duke ngritur shkallën emocionale derisa të shndërrohej në një predikues nga foltorja. zëri i amerikës

Arrestimi i katërt për financimin e paligjshëm të fushatave zgjedhore

Një person i katërt është arrestuar në lidhje me çështjet e financimit paligjshëm të fushatave zgjedhore federale që përfshijnë dhe dy bashkëpunëtorë të avokatit personal të Presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani.

Autoritetet federale njoftuan se biznesmeni amerikan David Correia u arrestua të mërkurën në aeroportin Kennedy të Nju Jorkut. Ai kishte mbërritur aty me qëllimin për t’u vetëdorëzuar.

Arrestimi i tij e çon në katër numrin e të pandehurve që janë arrestuar nën akuzat federale se kanë kryer me qindra mijëra dollarë kontribute të paligjshme në fushatat republikane, përfshirë dhe ndaj një komiteti për veprim politik pro-Trump.

Biznesmeni me origjinë nga Ukraina, bashkëpunëtor me zotin Correia, Andrey Kakushkin, u arrestua javën e kaluar në Kaliforni.

Fillimish u arrestuan dy bashkëpunëtorët e zotit Xhuliani.

Dy biznesmenët me bazë në Florida, të cilët dyshohet se kanë lobuar për largimin e ish-ambasadores amerikane në Ukrainë vitin e kaluar, ishin parashikuar të dëshmonin përpara ligjvënësve që po hetojnë lidhur me shkarkimin e presidentit në kohën e arrestimit të tyre.

Lev Parnas, një qytetar amerikan i lindur në Ukrainë dhe Igor Fruman, një shtetas me origjinë nga Bjellorusia, u arrestuan nga FBI-ja në aeroportin Ndërkombëtar të Dulles-it në shtetin e Virxhinias ndërsa prisnin të largoheshin nga SHBA-ja, sikurse tha një zyrtar i zbatimit të ligjit. Ata dolën përpara një gjykate federale në Alexandria të Virxhinias të enjten e kaluar.

Akuzat ndaj biznesmenëve rrjedhin nga një ankesë e paraqitur vitin e kaluar në Komisionit Federal të Zgjedhjeve nga një organizatë e pavarur sipas të cilës ata kishin krijuan një kompani fantazëm në mënyrë që të transferonin paratë e fushatës tek komiteti politik pro-Trump të quajtur America First Action. Aktakuza prej 22 faqesh duket se konfirmon gjetjet e Qendrës Ligjore mbi Fushatat.

Sipas aktakuzës zoti Parnas dhe zoti Fruman përdorën kompaninë Global Energy Producers (GEP) për t’i kaluar 325 mijë dollarë komitetit politik pro Trump në maj 2018, dhe 15 mijë dollarë një tjetër komiteti politik. Zoti Parnas kishte paguar edhe 50 mijë dollarë për përpjekje për zgjedhjet e zotit Trump në 2016-n.

Zoti Kukushkin dhe zoti Correia përmenden gjithashtu në aktakuzë lidhur me një tjetër skemë të shkeljes së ligjit për financimin e fushatave zgjedhore. zëri i amerikës

Qindra mijëra njerëz në kërkim të thesarit

Rreth 350 mijë kërkues thesaresh nga e gjithë bota po eksplorojnë një zonë të madhe në Malet Rocky, që shtrihet nga pjesa veriore e shtetit “New Mexico” deri në “Montana”. Ata janë në kërkim të një thesari. Thuhet se ajo që një fatlum duhet të bëjë, është të deshifrojë nëntë të dhëna nga një poemë e shkruar nga koleksionuesi i pasur dhe sipërmarrësi Forrest Fenn. Në poemë ai shkruan se e kishte fshehur thesarin vite më parë, ndërsa fjala mori dhenë pas librit të publikuar nga ai me titull “The Thrill of a Chase”. Në libër ai flet për jetën e tij dhe thesarin. Ndërsa shumë besojnë se thesari është i vërtetë, të tjerët besojnë se nuk është më shumë se sa një rreng. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou, vizitoi zonën për të cilën flitet se gjendet thesari dhe bisedoi me shkrimtarin Forrest Fenn mbi efektet që ka sjellë poema enigmatike.

Sacha Johnson ka mbi pesë vite e gjysëm që kërkon për thesarin e fshehur, gjoja të groposur në Malet Rosky nga koleksionisti dhe sipërmarrësi Ferrest Fenn.

“Sipas përllogaritjeve të mia kam mbi 300 herë që kam kërkuar për thesarin.”

Këtu shtrihet kampi i Kanionit të Zi në veri të qytetit të Santa Fe-së në shtetin e Nju Meksikos.

“Kjo është pika e nisjes”, thotë zonja Johnson.

Nëse është e vërtetë, thesari mund të jetë mes kësaj hapësire dhe shtetit të Montanës. Por çfarë e shtynë atë dhe të tjerët si ajo që të përpiqen kaq shumë?

“Jam bërë një me natyrën dhe kam zbuluar një eksperiencë të dobishme, pra kjo më shtyn. Por nga ana tjetër kemi bërë përparime në deshifrimin e të dhënave nga poezia e autorit Forest Fenn”.

Zoti Fenn thotë se mbushi arkën e thesarit me gurë të çmuar, flori dhe xhevahire dhe se shkroi poezinë duke ofruar të dhëna pasi u diagnostikua me kancer në vitin 1988.

“Nëse do vdisja, doja t’u jepja njerëzve të njëjtat mundësi që kam patur vetë.”

Ai e mundi kancerin dhe mbajti në zotërim arkën e thesarit deri në vitin 2010, kur Amerika vuante pasojat e recesionit .

“Doja t’u jepja njerëzve shpresë. Ndoshta është një qyp me florinjë në fund të rrugëtimit tënd, nëse del dhe e kërkon.”

Ai thotë se ishte 79 vjeç kur e fshehu thesarin.

“Nuk është në një vend të rrezikshëm.”

Në shtëpinë e tij në Santa Fe, Fenn është i rrethuar nga koleksione arti të grumbulluara gjatë jetës së tij. Një ciceron peshkimi që në moshën 9

vjeçare në “Yellowstone”, Fenn pati një jetë të jashtëzakonshme, sikurse edhe thesari i tij. Ai është një pilot luftarak i dekoruar i cili doli vullnetar për luftën në Vietnam. Ai thotë se kreu qindra misione luftarake dhe i shpëtoi vdekjes disa herë.

“Jam rrëzuar me aeroplan pesë apo gjashtë herë. Jam rrëzuar nga zjarri armik dhe jam hedhur me parashutë në Laos.”

Ai ruan një kujtim nga aeroplani i rrëzuar. Ai e konsideron veten si njeri të momenteve vendimtare. Thesari flet shumë për të, thotë argjendari Marc Howard.

“Kjo është trashgimia e tij.”

Marc Howard ka një miqësi mbi 25 vjeçare me zotin Fenn. Edhe ai ka mbi 9 vite që kërkon thesarin e fshehur.

“Jam argjendar. Do të doja të kisha një furnizim me flornjë, që nuk do të më duhej të paguaja 1,500 dollarë për 30 gramë.”

Por mungesa e një prove të qartë për vendndodhjen e thesarit dhe mundësinë e gjetjes vë në dyshim ekzistencën e tij.

“Kam folur me disa njerëz që e kanë parë thesarin kur Fenn e mbante në kasafortë para se ta fshihte”, thotë zoti Howard.

Gjurmimi i thesarit ka bërë që turizmi të rritet shumë në Santa Fe.

“Bashkia më vlerësoi me një çertifikatë sepse për dy vite rrjesh u shtua me 6 për qind hoteleria në Sanata Fe dhe askush nuk e di se përse”, thotë Fenn.

Por kjo prirje ka shkaktuar edhe viktima.

“Do t’u kërkoja njerëzve që të dinë se ku shkojnë dhe të njoftojnë njerëzit e tyre. Malet janë të ashpëra për ata që nuk i vlerësojnë rreziqet që paraqet natyra.”

Por a beson Fenn se njerëzit janë pranë gjetjes së thesarit?

“Është e mundur që thesari të gjendet këtë pasdite, ose mund të kalojnë 100 apo 500 vite, ku i dihet.”

Zonja Johnston nuk dorëzohet.

“Nuk kam nevojë që njerëzit e tjerë të besojnë se Fenn fshehu një thesar. Më duhet besimi tek vetja sepse sa herë dal të kërkoj kam të njëjtën ndjesi dhe gjallëri. Ndjehem mirë në kërkim të thesarit, madje edhe nëse nuk gjendet aty.”

SHBA: Kandidatët demokratë mbështesin ‘shkarkimin’ e presidentit Trump

Dymbëdhjetë kandidatë demokratë për zgjedhjet presidenciale 2020, u përfshinë të martën mbrëma në një debat të ndezur duke kërkuar përballjen me presidentin Donald Trump në zgjedhjet e radhës, ndërsa demokratët në Kongres kanë hapur një hetim për procedurën e shkarkimit të presidentit.

Të gjithë kandidatët demokrat mbështesin shkarkimin ndonëse ai duket pak i besueshëm.

Në deklaratën e parë në hapje të debatit, ish nënpresidenti Joe Biden, një nga sfiduesit kryesor të presidentit Trump tha se “ky presidenti është më i korruptuari … në gjithë historinë tonë”, një vlerësim që bëri jehonë përgjatë debatit.

Një nga kandidatët kryesor, senatorja nga Massachusetts, Elizabeth Warren, tha se “nganjëherë ka gjëra që janë më të rëndësishme sesa politika. Donald Trumpi e ka shkelur ligjin. Askush nuk është mbi ligjin. Shkarkimi duhet të ecë përpara”.

Kundërshtarët e presidenti Trump hodhën disa nga sulmet e tyre më të ashpra kundër presidentit për shkak të tërheqjes së trupave amerikane nga veriu i Sirisë, duke lënë luftëtarët kurdë, të cilët ishin aleatë të amerikanëve në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik, të pambrojtur nga sulmet e trupave turke që po pushtojnë veriun.

Zoti Biden e vlerësoi braktisjen e luftëtarëve kurdë nga presidenti Trump “veprimin më të turpshëm që kam parë të ketë bërë ndonjë president”.

Senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris, e quajti gjakderdhjen në Sirinë veriore “një krizë të shkaktuar nga Donald Trump”, ndërsa senatorja nga Minsesota, Amy Klobuchar tha se “presidenti ynë e shkaktoi atë dhe është shumë krenar për ta thënë atë”.

Debati i së martës shënoi edhe kthimin në fushatë të senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders, që po merr veten nga problemet me zemrën.

Ky ishte debati i katërt i demokratëve dhe ai i radhës do të mbahet muajin e ardhshëm. zëri i amerikës

Ish-këshilltarja e Presidentit Trump jep detaje për kontaktet me Ukrainën

Fiona Hill, ish-këshilltarja e lartë e presidentit amerikan, Donald Trump për Rusinë dhe Evropën dëshmoi të hënën se ajo e kishte kundërshtuar me forcë shkarkimin e ambasadores amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, dhe se ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton e kishte udhëzuar atë të fliste me juristët e Shtëpisë së Bardhë lidhur me përpjekjet për presion ndaj Ukrainës.

Zonja Hill dëshmoi të hëhën me dyer të mbyllura, por detajet u bënë të njohura nga agjencia Associated Press dhe gazetat “New York Times” dhe “Washington Post”, që citojnë burime me dijeni për dëshminë e saj.

New York Times” njofton se sipas tre personave që ishin të pranishëm në dëshminë e zonjës Hill, zoti Bolton u përfshi në një këmbim të tensionuar më 10 korrik me ambasadorin amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, i cili po bashkëpunonte me avokatin e Presidentit Trump, Rudy Giuliani për t’i bërë presion Ukrainës të hetonte demokratët.

Deri para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë në korrik, zonja Hill ishte drejtoreshë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të zotit Trump, me njohuri direkte për kryerjen e politikës së jashtme amerikane. Avokati i saj, Lee Wolosky, tha se ajo ishte thirrur nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin dhe kishte në plan t’u përgjigjej pyetjeve të ligjvënësve.

Javën e kaluar zonja Yovanovitch, një diplomate karriere e Departamentit të Shtetit, u tha ligjvënësve se zoti Trump e kishte larguar atë nga detyra bazuar në “informacione të pabaza e të rreme”, pasi avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani kishte kritikuar efektshmërinë e punës së saj në Kiev.

Zoti Giuliani është përpjekur që të vërë në lëvizje autoritetet në Ukrainë që të hetojnë një nga kundërshtarët kryesorë politikë të zotit Trump, ish-nënpresidentin Joe Biden. Ai ka kërkuar të nisin hetimet lidhur me rolin që zoti Biden ka luajtur disa vite më parë në largimin e një prokurori ukrainas si dhe çdo lidhje që ai mund të ketë pasur me kompaninë ukrainase të energjisë “Burisma” ku djali i tij Hunter Biden shërbente si anëtar i bordit. Hunter Biden u largua nga bordi i Burisma-s disa muaj më parë. Si Joe Biden ashtu edhe djali i tij kanë hedhur poshtë çdo akuzë për shkelje të ligjit.

Gjatë një bisedë telefonike në fund të muajit korrikut presidenti Trump i pati kërkuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, që Kievi të hetojë zotin Biden dhe djalin e tij si dhe që të komunikojë për këtë çështje me zotin Giuliani si dhe Prokurorin e Përgjithshëm William Barr.

Sipas një përmbledhje të zbardhur të bisedës telefonike publikuar nga Shtëpia e Bardhë, zoti Trump i kishte thënë zotin Zelenskiy se:

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara ishte ‘problematike’ dhe se njerëzit me të cilët ajo merrej në Ukrainë ishin gjithashtu ‘probelmatikë’. Ka shumë zëra lidhur me djalin e zotit Biden dhe se Joe Biden ndaloi një hetim penal. Shumë njerëz duan të dinë lidhur me këtë… pra çdo gjë që mund të bësh me Prokurorin e Përgjithshëm do të ishte shumë e rëndësishme. Bideni shkoi gjithëandej duke u mburrur se e kishte penguar ndjekjen penale… kështu që a mund ta shihni këtë çështje….pasi mua më tingëllon e tmerrshme“, i kishte thënë zoti Trump homologut të tij.

Të dielën, Hunter Biden i mbrojti marrëdhëniet e tij të biznesit në Ukrainë dhe Kinë, ndërsa njoftoi se në fund të tetorit do të largohej nga pozicioni i tij si anëtar i papaguar i një bordi të një kompanie kineze investimesh.

Presidenti Trump që e ka etiketuar të birin e ish-presidentit si “dështak”, e sulmoi atë në Twitter duke shkruajtur: “Hunter Biden po detyrohet të lërë një kompani kineze. Shihni tani se si Media e rreme do ta përqafojë me krahët e veta të pista dhe mbrojtëse. Vetëm pyetje të lehta për të, ju lutem!”

Komisioni i zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve është ende në fazat e hershme të hetimit mbi të cilin do të vendosë për ngritjen ose jo të akuzave zyrtare për shkarkimin e presidentit Trump. Hetimet kërkojnë të hedhin dritë nëse zoti Trump ka shkelur interesat që lidhen me sigurinë kombëtare amerikane në një përpjekje për të fituar një mandat tjetër vitin e ardhshëm.

Joe Biden, i cili ka bërë thirrje për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit Trump, është një nga pretendentët kryesorë për të qenë kandidati zyrtar i Partisë Demokratike për garën e ardhshme presidenciale përballë Donald Trump-it.

Hetimi u nxit nga ankimi i një informatori sekret të komunitetit amerikan të zbulimit lidhur me përmbajtjen e bisedës telefonike mes presidendit Trump dhe homologut të tij ukrainas. Por presidenti thotë se biseda e tij me zotin Zelenskiy ishte “perfekte”.

Kryetari i komisionit të Zbulimit në Dhomës së Përfaqësuesve Adam Schiff ka thënë më parë se informatori do të dëshmojë përpara ligjvënësve, por tashmë ai duket hezitues nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

Zoti Trump iu referua hezitimit të zotit Schiff në Twitter, duke thënë se tani duket se nuk u duhet më informatori. “Arsyeja është se Informatori e ka humbur të gjithë besueshmërinë, sepse varianti i tyre është aq larg transkriptit”. zëri i amerikës

Shtëpia e Bardhë dënon video parodinë e dhunshme

Shtëpia e Bardhë tha se të hënën se Presidenti Donald Trump nuk e ka parë ende, por e “dënon me forcë” një video parodi me imazhe grafike të dhunshme ku një personazh multiplikativ që i ngjan zotit Trump shfaqet duke qëlluar e goditur me thikë kundërshtarët e tij dhe përfaqësues të medias televizive.

Parodia u shfaq gjatë një takimi të mbështetësve të zotit Trump në rezidencën e tij turistike në Majemi.

Gazetarët që mbulojnë Shtëpinë e Bardhë i bënë thirrje zotit Trump ta dënojë videon, në të cilën kritikët e tij dhe përfaqësuesit e medias portretizohen si anëtarë të një famullie që largohen nga kisha për t’i shpëtuar tërbimit të tij. Personazhi multiplikativ që i ngjan presidentit godet në qafë senatorin e ndjerë John McCain, godet me thikë në fytyrë personalitetin televiziv Rosie O’Donnell, i vë flakën senatorit Bernie Sanders si dhe gjuan personazhe të tjerë, fytyrat e të cilëve janë zëvendësuar me logot e disa organizatave mediatike.

Nën shënjestër janë dhe ish-presidenti Barack Obama, përfaqësuesit e organizatës Black Lives Matters, ligjvënësja demokrate Maxine Waters, Bill dhe Hillary Clinton si dhe ligjvënësi Adam Schiff, i cili në cilësinë e kryetarit të komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve po udhëheq hetimin për shkarkimin e presidentit Trump.

Në një postim në twitter sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë Stephanie Grisham tha se presidenti Trump do ta shohë videon së shpejti dhe se “bazuar në gjithçka që ka dëgjuar, ai e dënon atë me forcë atë”.

Ishte gazeta “New York Times” e cila raportoi e para rreth videos.

“Një video e paautorizuar u shfaq javën e kaluar në një nga dhomat anësore të konferencës mbi Përparësitë Amerikane në rezortin e zotit Trump në Doral Miami”, tha organizatori i ngjarjes Alex Phillips në një deklaratë.

Ai tha se zoti Trump nuk ishte i pranishëm në këtë ngjarje. Sipas tij kjo video nuk është miratuar apo parë nga organizatorët e takimit.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, e cila përfaqëson gazetarët që mbulojnë presidentin, në një deklaratë të dielën vonë në mbrëmje shkruante se ishte “tmerruar” nga përmbajtja e videos.

“Të gjithë amerikanët duhet ta dënojnë këtë shfaqje dhune drejtuar gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë të Presidentit”, tha Jonathan Karl, presidenti i shoqatës.

“Ne i kemi thënë më parë Presidentit se retorika e tij mund të nxisë dhunë. Tani ne i bëjmë thirrje atij dhe të gjithëve të lidhur me këtë konferencë ta denoncojnë këtë video dhe të pohojnë se dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë”, shtoi ai.

Videoja përmban logon e fushatës së zotit Trump për garën presidenciale të 2020-s, por zëdhënësi i fushatës Tim Murtaugh, i tha gazetës New York Times se “videoja nuk është prodhuar nga fushata dhe se ne nuk e tolerojmë dhunën”.

Si vendngjarje për atë që në video shfaqet si masakër është ajo që quhet “kisha e lajmeve të rreme”, duke iu referuar refrenit të njohur të zotit Trump në lidhje me me organizatat mediatike dhe lajmet që ai i gjykon si të pavërteta.

CNN, Washington Post, BBC, PBS, NBC dhe Politico janë ndër organizatat e lajmeve që përshkruhen si viktima të tërbimit të personazhit multiplikativ që ngjan me presidentin Trump. zëri i amerikës

SHBA tërheqin të gjitha trupat e mbetura nga Siria veriore

Shtetet e Bashkuara po tërheqin të gjitha trupat e mbetura nga Siria veriore, pasi Presidenti Donald Trump tha të dielën se ishte një veprim “shumë i zgjuar … ndryshe nga e kaluara” për të mos u përfshirë në luftimet e nisura nga sulmi i Turqisë kundër aleatëve për një kohë të gjatë të Amerikës, luftëtarëve kurdë.

Presidenti Trump tha se ishte duke punuar me drejtuesit e Kongresit, përfshirë demokratët e opozitës, për të vendosur sanksione ekonomike “të fuqishme” kundër Turqisë për sulmet e saj ndërkufitare, edhe pse Ankaraja ka shprehur paraprakisht kundërshtime. Ai tha në Twitter se ka “konsensus të madh” për të vepruar kundër Turqisë, një anëtar i NATO-s përkrah Shteteve të Bashkuara.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha për kanalin Fox News të dielën se presidenti Trump urdhëroi të shtunën në mbrëmje “tërheqjen e qëllimshme” të 1000 trupave të mbetura amerikane nga veriu i Sirisë. Zoti Esper tha se zyrtarët amerikanë kishin frikë se trupat amerikane do të goditeshin në përparimin e Turqisë kundër luftëtarëve kurdë, të cilët Turqia i sheh si terroristë, por që shumica e Perëndimit i shikon si partnerë kryesorë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Televizioni shtetëror sirian tha se forcat qeveritare kanë lëvizur në veri drejt kufirit për të “përballur agresionin turk”, por nuk dhanë hollësi të tjera.

Një zëdhënës i administratës së drejtuar nga kurdët në qytetin sirian të Kobanit tha se Forcat Demokratike Siriane kishin arritur një marrëveshje që trupat siriane të vendoseshin në tre pika në ose pranë qytetit.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel i bënë thirrje Turqisë që të përfundojë inkursionin e saj. “Ne nuk mund ta pranojmë më këtë situatë kundër kurdëve”, thanë të dy udhëheqësit.

Sekretari Esper hodhi poshtë polemikën nga kritikët në Kongres, përfshirë kolegët republikanë të Trump-it, se Shtetet e Bashkuara kanë braktisur kurdët.

“Ne e kundërshtuam Turqinë të mos e bënte këtë operacion,” tha zoti Esper. Por ai tha se Turqia ishte “plotësisht e angazhuar për ta bërë këtë pa marrë parasysh se çfarë do të bënim ne.”

Megjithatë, shtoi sekretari Esper, “Ne po bëjmë gjithçka mundemi për ta bërë Turqinë të ndalë këtë sjellje skandaloze”.

Ai pranoi se luftëtarët kurdë dhe civilët po vriten në sulmet turke.

“Është e tmerrshme,” tha ai. “Situata përkeqësohet për çdo orë.”

“Kjo është pjesë e situatës së tmerrshme ku na ka futur Turqia”, tha shefi i Pentagonit. Por ai tha se Shtetet e Bashkuara “nuk janë gati për të luftuar Turqinë, një aleat i vjetër, në emër të kurdëve”. Ai tha se konflikti turko-kurd “është 200 vjeçar”.

Megjithatë, sekretari Esper dënoi inkursionin e Turqisë dhe vendimet e tjera, përfshirë blerjen e një sistemi mbrojtës raketor rus kundër dëshirave të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera.

“Sjellja e tyre gjatë viteve të fundit ka qenë e tmerrshme,” tha sekretari Esper, duke shtuar se Turqia “po dilte nga orbita jonë”.

Një kritik i presidentit Trump, senatori demokrat Chris Van Hollen, tha në të njëjtin emision të Fox News: “Njerëzit po vriten tani”. Ai tha se administrata Trump ” tani duket qesharake. Ata nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po flasin”.

Por presidenti Trump tha se kritikët që kanë kundërshtuar tërheqjen e trupave të tij nga Siria veriore po nxisin “luftëra të pafundme” për Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme.

“Ata që gabimisht na futën në Luftërat e Lindjes së Mesme ende po bëjnë presion për të luftuar”, tha presidenti Trump në Tweeter. “Ata nuk e kanë idenë se çfarë vendimi të keq kanë marrë. Pse nuk kërkojnë një Deklaratë të Luftës?

Ai tha se vende të tjera “mund të duan të hyjnë e të luftojnë për njërën palë ose tjetrën. Le t’i lemë!”

Zyrtarët kurdë sirianë ndërkohë thonë se qindra mbështetës të dyshuar të Shtetit Islamik dhe familjarë kanë shpëtuar nga një kamp në veri të Sirisë, ndërsa Turqia vazhdon operacionin e saj ushtarak në zonë.

Jelal Ayaf, zyrtar i kampit Ayn Issa, vlerësoi se 850 të huaj të lidhur me ISIS-in shpëtuan dhe kishin ndihmë nga celulat e fjetura që depërtuan në një pjesë të kampit. Pjesëtarët dhe përkrahësit e familjeve të shpëtuara të ISIS-it mendohet se janë nga Britania, Irlanda, Rusia, Pakistani, Bangladeshi dhe Indonezia.

Turqia nisi operacionin e saj të planifikuar ushtarak të mërkurën e kaluar që synon të largojë forcat kurde në veri të Sirisë që i sheh si terroristë, por që shumica e Perëndimit i shikon si partnerë kryesorë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Operacioni ushtarak filloi disa ditë pas një njoftimi të befasishëm dhe që u kritikua gjerësisht se forcat amerikane do të tërhiqeshin nga rajoni./zëri i amerikës

Christiane Amanpour në Twitter: Peter Handke mbështetës i Kasapit të Ballkanit s’ka busull morale!

 

Ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë fituesi i çmimit Nobel për letërsinë e Peter Handke.

Ka reaguar gjithë bota e qytetëruar duke denoncuar Peter Handke të padenjë për këtë çmimi.

Po ju sjellim më poshtë reagimin e Christiane Amanpour e cila ka reaguar në Twitter si më poshtë:

 

 

“Kam mbuluar Millosheviçin dhe genocidin e tij dhe të ithtarëve gjatë gjithë luftës në Bosnje, dhe më vonë gjyqet e tyre për krime lufte.

Ishte kasaphana etnike e parë dhe e vetme në shkallë Europe që nga Lufta e Dytë Botërore. Kaq shpejt janë harruar kujtimet?

Ndërsa më poshtë Christiane Amanpour po në Twitter shkruan:

 

“Shumë mirë që Olga Tokarczuk fitoi Nobelin për Letërsi, por çfarë turpi që ajo u njoftua së bashku me Peter Handke.

Mbështetja e tij për Slobodan Millosheviçin, madje fjalimi i tij gjatë varrimit të Kasapit të Ballkanit, rrefen ashpër busullën e tij morale.”