VOAL

VOAL

Fillon pelegrinazhi vjetor i myslimanëve në Mekë

August 30, 2017

Komentet

Pse Putini po tenton ta fajësojë Kievin dhe Perëndimin për sulmin në Moskë?

Steve Gutterman

Në deklarimin e parë pas sulmit në sallën e koncerteve në periferi të Moskës më 22 mars, mbi 18 orë pasi sulmues të armatosur vranë të paktën 140 persona në sulmin më vdekjeprurës në Rusi në 20 vjetët e fundit, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk përmendi grupin ekstremist, Shteti Islamik, i cili veçse kishte marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ai përmendi Ukrainën duke thënë se Kievi kishte ofruar një “dritare” në kufirin mes dy shteteve që u mundësoi sulmuesve të tentonin të iknin. Ai nuk ofroi asnjë dëshmi për këtë pretendim.

Në deklarimin pasues më 25 mars, Putin tha se “islamistët radikalë” kryen sulmin, për të cilin Shtetet e Bashkuara thanë se Shteti Islamik Korasant, degë e IS-it, kishte përgjegjësinë e plotë. Udhëheqësi rus po ashtu dyfishoi akuzat se Ukraina kishte luajtur një rol në sulm dhe drejtoi gishtin edhe kah SHBA-ja dhe Perëndimi.

Përmes formulimeve të ndryshme që synojnë t’iu thonë qartë rusëve se Ukraina dhe Perëndimi qëndrojnë prapa sulmit, Putin tha se SHBA-ja po “përdor çdo kanal për të tentuar që të bindë satelitët e saj dhe shtetet tjera… se gjoja nuk ka asnjë tregues për përfshirjen e Kievit”. Dhe, ai sugjeroi se sulmi ishte pjesë e asaj që udhëheqësi rus e përshkroi si përpjekje të Ukrainës “për të zbatuar urdhra të patronëve të saj perëndimorë” për të “mbjellë panik” në Rusi përderisa forcat e Moskës po shënojnë përparim në pushtimin e fqinjit të tyre.

Ndërkaq, mediat shtetërore në Rusi me ngulm kanë paraqitur idenë se Ukraina dhe Perëndimi qëndrojnë parapa sulmit, siç kanë bërë edhe zyrtarët e lartë dhe ligjvënësit. Në një këmbim të shkurtër të publikuar në Telegram, një gazetar pyeti sekretarin e Këshillit të Sigurisë, njëherësh aleatin e ngushtë të Putinit, Nikolai Patrushev, “IS-i apo Ukraina?”, dhe Patrushev u përgjigj: “Ukraina, sigurisht”.

Vendosja e fajit jashtë vendit për gjërat që ndodhin në Rusi – nga sulmet terroriste e deri te protestat paqësore opozitare – nuk është diçka e re për Putinin. Ai e ka bërë këtë gjë prej vitit 2004, pas krizës së pengjeve që la të vdekur më shumë se 330 persona në një shkollë në qytetin jugor të Beslanit, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni dhe Perëndimi po mbështesnin militantët islamikë në Kaukazin Verior në përpjekje për të dobësuar Rusinë.

Por, situata kësaj radhe ka më shumë peshë: Putin sapo ka fituar një mandat të ri gjashtëvjeçar pas zgjedhjeve të përshkruara me dëshmi për mashtrime në shkallë të gjerë dha vendimi i tij për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës ka çuar në një luftë të gjatë dhe rraskapitëse dhe qindra mijëra rusë janë vrarë. Lufta ende po vazhdon, pavarësisht pritjes fillestare të Putinit se Kievi do të binte shpejtë.

Në këtë tekst iu sjellim disa prej arsyeve se pse Putini po drejton gishtin kah Kievi dhe Perëndimi sa i përket sulmit në sallën e koncerteve Krokus.

Narrativi

Që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022, Putin ka tentuar që ta shndërrojë Rusinë në një shtet ku lufta është diçka e natyrshme, një fakt i jetës, dhe ka përdorur atë për të shtrënguar kontrollin ndaj shtetit. Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, së fundi bëri thirrje për “mobilizim të brendshëm”, duke sugjeruar se rusët nuk duhet ta mbështesin luftën vetëm nga jashtë, por të besojnë në të – një sugjerim që ndodh në kohën kur për shumicën e rusëve, mbështetja për luftën është pasive dhe pa entuziazëm personal.

Gjithnjë e më shumë, Putin ka tentuar të bindë qytetarët se shteti po lufton jo një luftë agresioni kundër Ukrainës, por një luftë mbrojtëse, thelbësore për ekzistencën e Rusisë dhe se në këtë luftë, Ukraina është vetëm një mjet në duart e Uashingtonit dhe Perëndimit, të cilët po synojnë që të mbizotërojnë apo shkatërrojnë Rusinë. Ky qëndrim është reflektuar edhe në ligjet e miratuara që synojnë të heshtin rusët që kritikojnë apo që vënë në pikëpyetje luftën në Ukrainë.

Në këtë narrativ ka pak vend për një sulm vdekjeprurës nga ekstremistët islamikë. Sulmin në sallën e koncerteve në Moskë mund të sugjerojë se Putini ka hequr sytë nga kërcënimet që janë më të afërta, apo më reale, dhe është përqendruar në ato që ai i cilëson si kërcënime që vijnë nga Perëndimi.

“Dështimi”

Në këtë situatë, të sugjerosh se sulmi ishte punë e Perëndimit mund të jetë një përpjekje për të zbutur goditjen, sado simbolike të jetë, për atë që Alexander Vershbow, hulumtues në Këshillin e Atlantikut dhe ish-ambasador amerikan në Moskë, tha se ishte “një dështim serioz i inteligjencës”.

Dështimi për të detektuar një kërcënim të tillë është vështirë i shpjegueshëm duke pasuar parasysh faktin se më herët gjatë marsit, SHBA-ja paralajmëroi Rusinë se sipas informacioneve, ekstremistët kishin plane për një sulm në një të ardhme të afërt. Shto këtu faktin që tri ditë para se të ndodhte sulmi, Putin publikisht i kishte hedhur poshtë këto paralajmërime duke i cilësuar si përpjekje “provokuese” për të “frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”.

Pra, një motiv për të sugjeruar se SHBA-ja mund të ketë pasur një rol në sulm mund të ketë qenë për t’u përshtatur me paralajmërimin amerikan – që u lëshua para zgjedhjeve presidenciale ruse të mbajtura më 15-17 mars – në një narrativ më të gjerë të një lufte në të cilën armiqtë e Rusisë nuk ndalen para asgjëje në mënyrë që të kenë avantazhin.

Ukraina ka mohuar se ka ndonjë rol në sulm dhe zëdhënësja e Këshillit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, tha më 24 mars se “nuk ka asnjë përfshirje ukrainase” në këtë ngjarje.

Dilema

Përderisa nuk ka ndonjë dëshmi të dukshme të lidhjes së sulmit me Ukrainën, duket se ka një lidhje me Azinë Qendrore: Autoritetet ruse kanë ndaluar të paktën 11 persona dhe kanë lënë në paraburgim tetë prej tyre, përfshirë katër shtetas të Taxhikistanit të cilët po akuzohen se kryen sulmin.

Për shkak se Rusia varet shumë nga punëtorët migrantë nga Taxhikistani dhe shtetet e tjera të Azisë Qendrore, identiteti i sulmuesve të dyshuar paraqet “një dilemë serioze politike” për Putinin, tha Mark Galeotti, analist për politikat ruse dhe çështjet e sigurisë.

“Nëse ai thotë ‘Po, ky ishte Shteti Islamik, që operon përmes banorëve të Azisë Qendrore dhe punëtorëve migrantë’, më pas, gjëja e parë që ai do të bënte është të përkeqësonte tensionet racore, që janë një çështje problematike në Federatën Ruse shumetnike, me shumë besime fetare e ku 10 për qind e popullatës janë myslimanë. Por, po ashtu atëherë shtrohet pyetja: Çfarë do të bëni për këtë?”.

“Përfundimi i pashmangshëm do të ishte një lloj shtypjeje ndaj banorëve të Azisë Qendrore, e cila, siç e dimë nga përvoja e kaluar do të trajtohej në një mënyrë mjaftë të dhunshme dhe të pandjeshme”, tha ai. “Për momentin, Rusia nuk mund të përballojë që të tjetërsojë dhe dëbojë këta punëtorë nga Azia Qendrore, ka nevojë për ta… Midis ndikimit të luftës dhe nevojës që fabrikat e sektorit të mbrojtjes të funksionojnë plotësisht, në fakt ka mungesë të fuqisë punëtore”.

Sulmi në Moskë ka përkeqësuar tensionet etnike dhe shfaqja në publik e pamjeve grafike që tregojnë oficerët rusë duke abuzuar me të arrestuarit mund të jetë projektuar që të shuajë çdo etje për hakmarrje. Por, Putini mund të shpresojë të shmangë hapa më të gjerë si vendosja e kufizimeve më të rënda për hyrjen në Rusi të qytetarëve nga Taxhikistani dhe nga fqinjët e saj, tha Galeotti, sepse kjo do të “dëmtonte ekonominë ruse dhe do të dëmtonte pozitën e Rusisë karshi aleatëve të saj të rëndësishëm në Azinë Qendrore”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Një eklips i plotë diellor verbon tokësorët më 8 prill

Një eklips i plotë diellor do të na verbojë ne tokësorët më 8 prill në atë që është përshkruar si spektakli më i madh i planetit tonë, sipas Sky News.

Eklipsi i plotë diellor është kur ndodh përafrimi i përsosur i Tokës, diellit dhe hënës.

Gjatë eklipsit, hëna bllokon plotësisht të gjithë dritën e diellit. Nuk është e sigurt të shikosh drejtpërdrejt eklipsin pa mbrojtje të veçantë për sytë.

Vendndodhja e parë ku do të dëshmohet eklipsi i plotë diellor do të jetë bregdeti i Meksikës në Paqësor në orën 11:07.

Eklipsi më pas do të shfaqet në Teksas dhe do të udhëtojë nëpër Oklahoma, Arkansas, Misuri, Illinois, Kentaki, Indiana, Ohajo, Pensilvani, Nju-Jork, Vermont, Nju Hempshir, Mejn, Tenesi dhe Miçigan.

Dhe më pas do të shihet në Kanada, mbi Ontarion Jugore, Quebec, Nju Brunsuik, Prince Edward Island dhe Kepin Breto.

Ekslipsi do të shihet për herë të fundit në Newfoundland.

Gjithashtu një eklips i pjesshëm diellor do të shihet në Britaninë e Madhe në një nga këto qytete: Kardif, Edinburg, Gllazgou, Lidz, Liverpul, Mançester.

Eklipsi i pjesshëm do të fillojë në orën 19:52 dhe përfundojë në orën 20:51.bw

Pse është kundërthënës plani i Japonisë për të shitur armë vdekjeprurëse?

Ministri britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, (djathtas) ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, (majtas) dhe ministri japonez i Mbrojtjes, Minoru Kihara (në mes), marrin pjesë në një konferencë të programit Global Combat Air Programme (GCAP), 14 dhjetor 2023, Tokio.

 

Associated Press

Qeveria e Japonisë e miratoi të martën një plan për t’i shitur në të ardhmen avionë luftarakë të gjeneratës së ardhshme vendeve të tjera. Ky është hapi më i ri drejt largimit nga parimet pacifiste të cilat ajo i kishte miratuar në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi kundërthënës për ta lejuar shitjen e armatimit jashtë vendit pritet ta ndihmojë Japoninë ta sigurojë një rol në projektin njëvjeçar për të bashkëprodhuar avionë të ri luftarakë me Italinë dhe Britaninë e Madhe.

Megjithatë, ai është pjesë edhe e një synimi për ta zhvilluar industrinë e armëve të Japonisë dhe për ta forcuar rolin e saj në çështjet globale.

Tani për tani, Tokio thotë se nuk e ka ndër mend të eksportojë armatim vdekjeprurës që i bashkëprodhon, por vetëm avionë të rinj luftarakë, të cilët nuk pritet të hyjnë në shërbim deri në vitin 2035.

Më poshtë mund të lexoni se çfarë nënkupton ndryshimi i fundit dhe pse Japonia po i lehtëson me shpejtësi rregullat e eksportit të armëve.

Çfarë po ndryshon?

Të martën, kabineti e aprovoi rishikimin e udhëzuesve të vet për shitjen e pajisjeve të mbrojtjes jashtë vendit, dhe e autorizoi shitjen e avionëve luftarakë në të ardhmen. Qeveria thotë se nuk e ka ndër mend të shesë armë të tjera që i bashkëprodhon në bazë të këtyre udhëzuesve, dhe se për ta bërë një gjë të tillë do të nevojitet aprovimi i kabinetit.

Për kohë të gjatë, Japonia e ka ndaluar eksportimin e shumicës së armëve në përputhje me kushtetutën pacifiste, megjithëse ka filluar të ndërmarrë hapa drejt ndryshimit në një kohë të rritjes së tensioneve rajonale dhe globale.

Më 2014, ajo filloi të eksportojë disa armë ushtarake jovdekjeprurëse, dhe dhjetorin e kaluar, e aprovoi një ndryshim i cili do ta lejonte shitjen e 80 armëve vdekjeprurëse dhe komponentë të cilët i prodhon në bazë të licencave për vendet të cilat ia kanë dhënë licencat. Ky ndryshim, i cili u bë në dhjetor, i hapi rrugën Japonisë t’iu shesë Shteteve të Bashkuara raketa të dizajnuara për SHBA-në, të quajtura Patriot, duke i ndihmuar Uashingtonit ta zëvendësojë municionin të cilin po ia dërgon Ukrainës.

Vendimi për avionët luftarakë do t’ia mundësojë Japonisë të eksportojë për herë të parë në vende e tjera armë vdekjeprurëse të cilat i bashkëprodhon.

Çfarë është avioni i ri luftarak?

Japonia po punon me Italinë dhe Britaninë e Madhe për ta zhvilluar një avion luftarak të përparuar, për t’i zëvendësuar flotën e vjetruar të avionëve luftarakë të dizajnuar nga SHBA-ja, F-2, dhe avionëve luftarakë Typhoons, të përdorur nga ushtria britanike dhe ajo italiane.

Japonia, e cila në të kaluarën ka punuar në një dizajn të krijuar në shtëpi të quajtur F-X, u pajtua në dhjetor 2022 t’i bashkohet programit italiano-britanik të quajtur Tempest.

Projekti i përbashkët, i njohur si Global Combat Air Program (GCAP), është me bazë në Britani.

Ajo shpreson se avioni i ri do të jetë shumë më i përparuar në një kohë kur tensionet po rriten në rajonin e saj, për t’i dhënë përparësi teknologjike kundër rivalëve, Kinës dhe Rusisë.

Pse Japonia po e ndryshon qëndrimin në eksportin e armëve?

Në vendimin e tij, kabineti tha se ndalesa e eksportimit të produkteve të përfunduara do ta pengonte zhvillimin e avionit të ri luftarak, dhe do ta kufizonte Japoninë duke i lënë vetëm rol mbështetës në projekt. Italia dhe Britania e Madhe janë te etura të shesin avionë luftarakë, për ta mbështetur koston e zhvillimit dhe prodhimit.

Ministri i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Grant Shapps, ka thënë vazhdimisht se Japonia ka nevojë të “përditësohet” në mënyrë që të mos shkaktojë ngecje të projektit.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, kërkoi aprovimin e kapitenit para se ta nënshkruante marrëveshjen për GCAP në shkurt, por ajo u zvarrit për shkak të kundërshtimit nga partneri i tij në koalicion, partia e mbështetur nga budistët, Komeito.

Eksporti do të ndihmonte edhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes të Japonisë, e cila historikisht është kujdesur vetëm për forcat mbrojtëse të vendit, pasi Kishida synon ta përforcojë ushtrinë. Japonia filloi t’i hapë dyert për disa eksporte më 2014, por ka hasur në vështirësi të fitojë myshterinj.

Ndryshimi vjen po ashtu teksa Kishida po planifikon ta vizitojë Uashingtonin në prill, ku pritet ta theksojnë gatishmërinë e Japonisë për të ndërmarrë rol më të madh në partneritetin e industrisë së mbrojtjes dhe atë ushtarake.

Japonia e cilëson si kërcënim rritjen e shpejtë të ushtrisë së Kinës, dhe posaçërisht rritjen e tensioneve në detet e kontestuara lindore dhe jugore të Kinës. Japonia i sheh si kërcënim edhe ushtrimet e shpeshta të përbashkëta ushtarake mes Kinës dhe Rusisë përreth Japonisë.

Pse eksportet e armëve janë përçarëse?

Për shkak të së kaluarës së tyre si agresorë në kohë lufte dhe për shkak të shkatërrimit që u shkaktua pas humbjes së saj në Luftën e Dytë Botërore, Japonia e miratoi një kushtetutë e cila e bën ushtrinë e saj vetëm vetëmbrojtëse dhe për kohë të gjatë e ka ruajtur një politikë të rreptë për kufizimin e transferimit të pajisjeve ushtarake dhe teknologjike dhe e ndaloi eksportin e të gjitha armëve vdekjeprurëse.

Ligjvënësit opozitarë dhe aktivistët pacifistë e kanë kritikuar Qeverinë e Kishidës pse iu bashkua projektit për avionët luftarakë, pa dhënë ndonjë shpjegim publik, apo pa kërkuar miratimin për këtë ndryshim të madh politik.

Sondazhet e fundit tregojnë se populli japonez është i ndarë për këtë plan.

Për t’i adresuar këto shqetësime, Qeveria po e ndalon eksportin e armëve vdekjeprurëse të bashkëprodhuara tani për tani, dhe do të shesë vetëm avionë luftarakë. Ajo është zotuar gjithashtu se nuk do të shesë armë në luftëra aktive.

Çfarë pritet të ndodhë?

Tregjet e mundshme për shitjen e avionëve luftarakë përfshijnë 15 vende me të cilat Japonia ka marrëveshje partneriteti për mbrojtjen, si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, India dhe Vietnami.

Një zyrtar i mbrojtjes tha se Tajvani – një ishull i vetëqeverisur për të cilin Kina pretendon se është territori i saj – nuk po konsiderohet.

Në bazë të udhëzimeve të reja për eksportin mund të shtohen armë dhe komponentë të rinj në listën e aprovimeve. Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Gjykata vendos që Julian Assange të mos ekstradohet menjëherë në SHBA

VOA/AP dhe Reuters

Gjykata e Lartë e Londrës vendosi të martën se Julian Assange nuk mund të ekstradohet menjëherë në Shtetet e Bashkuara lidhur me akuzat për spiunazh. Vendimi paraqet një fitore të pjesshme për themeluesin e Wikileaks. Dy gjyqtarët e kësaj gjykate thanë se atij do t’i lejohej një tjetër proces apeli kundër ekstradimit nëse nuk jepeshin garanci nga Shtetet e Bashkuara se ai nuk do të përballet me dënim me vdekje.

Vendimi nënkupton se beteja e tij ligjore, thuajse 10 vjeçare, do të vazhdojë dhe se zoti Assange do të vazhdojë të mbetet në burgun e sigurisë së lartë të Londrës “Belmarsh”, ku po mbahet prej 5 vjetësh.

Prokurorët amerikanë synojnë që 52 vjeçari Assange të gjykohet për 18 akuza, të mbështetura tek Akti i Spiunazhit, lidhur me publikimin e dokumenteve sekrete diplomatike dhe të ushtrisë amerikane, në faqen e tij të internetit, Wikileaks.

Në shkurt, avokatët e zotit Assange siguruan të drejtën për të apeluar urdhrin e ekstradimit të miratuar nga qeveria britanike, nën argumentin se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.

Gjykata u ka kërkuar autoriteteve amerikane të japin “garanci të pranueshme” se zoti Assange do të ketë mundësi të mbrohet bazuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane, që garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit dhe se ndaj tij nuk do të kërkohet dënimi me vdekje.

Nëse nuk jepen këto garanci, atëherë zotit Assange do t’i mundësohej e drejta e apelit. Një seancë tjetër dëgjimore është caktuar të mbahet në 20 maj.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se zoti Assange nuk do të përballet me dënim kapital, por gjyqtarët britanikë shprehen në vendimin e së martës se “ në garancitë aktuale nuk përjashtohet qartësisht dënimi me vdekje”.

Shtetet e Bashkuara argumentojnë se publikimi i të dhënave nga Wikiliekas vuri në rrezik jetën e agjentëve amerikane dhe se nuk ka justifikim për këtë vepër penale.

Mbështetësit e zotit Assange e shohin atë si një hero i cili po hetohet, pavarësisht se është gazetar, pasi zbuloi abuzimet e qeverisë amerikane.

 

Qeveria amerikane thotë se veprimet e tij shkojnë përtej detyrës së gazetarit dhe ai akuzohet se ka “botuar me vetëdije” emra agjentësh dhe jo pikëpamjet e tij politike.

Prokurorët amerikanë thonë se zoti Assange ndihmoi analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake lidhur me luftërat në Irak e Afganistan.

Avokatët e tij thonë se ai mund të përballet me 175 vjet burg nëse gjendet fajtor, megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se dënimi ka të ngjarë të jetë shumë më i shkurtër se kaq.

Sulmi në Moskë, kreu i Shërbimit rus të Sigurisë: SHBA, Britania dhe Ukraina fshihen pas ngjarjes!

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Ukraina fshihen pas sulmit terrorist në sallën e koncerteve në Moskë, ka thënë për mediat shefi i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) Alexander Bortnikov.

“Ne besojmë se kjo është e vërtetë. Sido që të jetë, ne tani po flasim për informacionin faktik që kemi. Këto janë informacione të përgjithshme, por ata kanë një histori të gjatë të këtij lloji,” tha ai.

“Çfarë pritet të bëjë Ukraina për të demonstruar aftësinë e saj? Pritet të kryejë akte sabotuese dhe terroriste. Kjo është ajo që po synojnë shefat e shërbimeve speciale të Ukrainës dhe shërbimet speciale britanike. Edhe shërbimet speciale të SHBA-së e kanë përmendur vazhdimisht këtë”, tha ai.

Bortnikov vuri në dukje se kishte një sasi të madhe informacioni në hapësirën publike “që tregon se Perëndimi dhe Ukraina synojnë të shkaktojnë dëm më të madh në Rusi”.

“Ka pasur sulme me dronë, sulme nga varka pa ekuipazh në det dhe inkursione të grupeve të diversantëve dhe organizatave terroriste në territorin tonë”, përfundoi Bortnikov.bw

Masakra në Moskë- “Laje fytyrën me gjakun tënd”, pse terroristët zgjodhën të sulmonin gjatë koncertit të Piknik?

 

E gjithë bota është solidarizuar me Rusinë, e cila përjetoi pak ditë më parë një sulm të egër terrorist, ku 139 persona humbën jetën në një sallë koncertesh. Katër të dyshuar nga Taxhikistani janë arrestuar, nën akuzën për pjesëmarrje në një sulm terrorist dhe përballen me burgim të përjetshëm. Masakra filloi të premten mbrëma në qendrën e koncerteve Crocus City Hall në Moskë, një orë para se të dilte në skenë grupi rock Piknik. A ishte ky qëllimi i sulmit në fund të fundit?

“Laje fytyrën me gjakun tënd”

“Mos ki frikë nga asgjë, asnjë flakë, asnjë hije. Ti nuk je më një djalë i vogël. Lajeni fytyrën çdo mëngjes me gjakun tuaj.”. Kështu përkthehen disa tekste nga hiti më i fundit i Piknik, i cili ishte hedhur në YouTube më 7 mars. Grupi Piknik konsiderohet nga veteranët e skenës së rrokut rus. Ata u shfaqën për herë të parë në vitin 1978 në Shën Petersburg, atëherë ende i quajtur Leningrad. Në vitin 1981 ata u emëruan “Piknik”. Ishte një taktikë e zakonshme për grupet e rock-ut të epokës sovjetike që të zgjidhnin emra që të kujtonin Perëndimin, por që nuk mund të ndaloheshin lehtë.

Në vitet ’80 Piknik mezi gjente salla të mëdha për koncertet e tyre. Ata filluan të luanin në skena më të vogla rock, ndonjëherë në skajet e skenës së artit. Ata i qëndruan besnikë idhujve të tyre të përjetshëm, si Rolling Stones, Led Zeppelin dhe emrat e mëdhenj të muzikës progresive rock. Drejtues i grupit që nga viti 1982 është këngëtari dhe kompozitori Edmund Skliarski, djali i një shkencëtari të shquar dhe një pianisti. Ai i kushton shumë rëndësi origjinës së tij polake dhe besimit të tij katolik. Burimet e frymëzimit për Sklyarski nuk janë vetëm Rolling Stones, por edhe poezia ruse e fillimit të shekullit të 20-të.

A janë Piknik pro luftës?

Në maj 2023, grupi u vlerësua nga shkrimtari nacionalist rus Zakhar Prilepin për qëndrimin e tij ndaj çështjes së Ukrainës. Në veçanti, Prilepin tha se Sklyarsky mbështeti në mënyrë aktive “operacionin special” në Ukrainë, duke përfshirë edhe donacionet, që sipas tij është “një kusht normal për çdo njeri, për çdo muzikant në Rusi”. Grupi nuk i mohoi këto pretendime. Një paraqitje në sallën madhështore të qytetit Crocus mund të interpretohet si një shenjë e besnikërisë ndaj lidershipit politik. Në të njëjtën kohë, emra të tjerë të mëdhenj të skenës ruse të rrokut – si Boris Grebeshnikov i grupit Aquarium, Yuri Shevchuk i DDT dhe Zemfira – u detyruan të iknin jashtë vendit, duke ndërprerë karrierën e tyre të suksesshme.

Para se të fillonte pushtimi rus, Piknik ishte futur në listën e “artistëve të padëshiruar” në Ukrainë, pasi ata kishin kryer tashmë disa koncerte në gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia. Një ditë pas sulmit terrorist, grupi iu përgjigj disa kërkesave për intervistë (përfshirë DË) duke shprehur trishtim dhe pikëllim. Më 24 mars, Edmund Skliarski u shfaq në një video-mesazh në Telegram për të shprehur ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimave të “kësaj tragjedie të tmerrshme dhe të pakuptimtë”. Çdo spekulim nëse sulmuesit kishin shënjestruar Piknicks mbetet i pasigurt. Sidoqoftë, Crocus City Hall tashmë është vendosur si një nga vendet më të rëndësishme të koncerteve në Rusi. Është vetëm 20 km nga Kremlini dhe ndodhet pranë periferive të privilegjuara perëndimore të Moskës, ku masat e sigurisë janë disi më të relaksuara sesa në qendër të kryeqytetit rus. Ndoshta e gjithë kjo luajti një rol për terroristët. Ndërtesa i përket grupit të biznesit të oligarkut Araz Agalarov, i cili është pjesërisht nga Azerbajxhani dhe një lojtar kryesor në tregun rus të pasurive të paluajtshme. Në skenën e saj kanë dalë emra të mëdhenj të muzikës pop dhe rock të huaj, si Scorpions, Nazareth, Sting, Elton John, Pet Shop Boys e të tjerë. Në vitin 2013, Donald Trump ishte gjithashtu në Crocus City Hall si “i ftuar special” për konkursin e bukurisë Miss Universe.

(BalkanWeb)

Putini i fajëson islamistët radikalë për sulmin në Moskë

 

Ekipet e shpëtimit duke kryer operacione të kërkim-shpëtimt në sallën e koncerteve Crocus, pranë Moskës, 24 mars 2024.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha më 25 mars se sulmi terrorist në sallën e koncerteve, Crocus, në afërsi të Moskës, u krye nga islamistët radikalë.

Duke folur gjatë një takimi me zyrtarët qeveritarë, Putini tha se vrasjet u kryen nga ekstremistët “ideologjia e të cilëve, bota islamike, ka shekuj që lufton”.

Së paku 139 njerëz u vranë dhe më shumë se 180 të tjerë u plagosën gjatë sulmit në sallën e koncerteve, Crocus, në afërsi të Moskës më 22 mars, sipas zyrtarëve.

Putini nuk e përmendi Shtetin Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për këtë sulm, por përsëri u përpoq t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën, pa dhënë asnjë dëshmi të vetme.

“Ne e dimë se krimi u krye nga islamistët radikalë… por, ne gjithashtu e shohim se Shtetet e Bashkuara po tentojnë t’i bindin satelitët e vet dhe vendet e tjera të botës se gjoja nuk ka asnjë gjurmë të Kievit në sulmin terrorist në Moskë”, tha Putin.

Kievi dhe Uashingtoni i kanë hedhur poshtë pretendimet e Putinit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e mohoi çdo përfshirje në këtë sulm, duke thënë se Putini gjithmonë kërkon ta fajësojë “dikë tjetër”.

“Përsëri, ai e akuzon Ukrainën. Krijesë e sëmurë dhe cinike. Të gjithë janë terroristë për të, përveç vetes së tij, edhe pse ai ka dy dekada që ushqehet me terror”, tha Zelensky.

Më 24 mars, Shtëpia e Bardhë tha se përgjegjës i vetëm për sulmin në Moskë është Shteti Islamik Korasan.

Nuk ka pasur aspak përfshirje ukrainase në këtë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson.

Më 25 mars, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca ka informata që tregojnë se “Shteti Islamik është plotësisht përgjegjës” për sulmin.

Macron tha se ishte një degë e Shtetit Islamik ajo që e “planifikoi dhe e kreu” sulmin, duke shtuar se i njëjti grup terrorist kishte planifikuar sulme në Francë.

Putin tha se hetimet duhet ta zbulojnë se kush e urdhëroi sulmin, duke shtuar se është e nevojshme të mësohet pse terroristët “tentuan të ikin në Ukrainë dhe kush po priste atje për ta”.

Më 23 mars, Putini tha se katër burrat të armatosur u arrestuan duke tentuar të ikin në Ukrainë, e cila, sipas tij, “kishte përgatitur një dritare për ta për kalimin e kufirit”.

Putini nuk dha asnjë dëshmi për t’i mbështetur këto pretendime.

Këshilli i Sigurimit në OKB miraton rezolutën që kërkon armëpushim në Gaza, SHBA abstenon

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që kërkon një armëpushim në Gaza për pjesën tjetër të muajit Ramazanit.

Muaji i shenjtë mysliman filloi më 10 mars dhe do të përfundojë më 9 prill, që do të thotë se këshilli po bën thirrje për një armëpushim dy-javor, megjithëse drafti thotë se pauza në luftime duhet të çojë “në një armëpushim të qëndrueshëm të përhershëm”.

SHBA abstenuan nga votimi, me 14 anëtarë të tjerë të këshillit, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Britaninë e Madhe, votuan pro.

Rezoluta kërkon gjithashtu lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve.

Përpara votimit, media lokale raportoi se kryeministri Benjamin Netanyahu kërcënoi se do të anulonte një vizitë të planifikuar në Uashington me një delegacion nëse SHBA nuk do të vinte veton ndaj propozimit.

Të premten, Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një rezolute të sponsorizuar nga SHBA që do të kishte mbështetur “një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në konfliktin Izrael-Hamas.

Këshilli kishte miratuar dy rezoluta mbi përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza, por propozimi i së premtes shënoi herën e parë që SHBA-ja mbështet një rezolutë që përmban fjalën “armëpushim” gjatë luftës në Gaza – duke reflektuar një ashpërsim të qëndrimit të administratës Biden ndaj Izraelit.sn

CNN: ‘Sulmi në Moskë tjetër goditje për Putinin i cili u premtoi rusëve siguri’

Një javë që kur Vladimir Putin siguroi mandatin e pestë presidencial, Rusia është zhytur në masakër dhe rrëmujë.

Sulmi i tmerrshëm në sallën e koncerteve dhe kompleksin tregtar Crocus City Hall pranë Moskës i cili thuhet të jetë kryer nga ISIS-i, ka lënë qindra të vrarë dhe të plagosur.

Edhe pse Putini tha se sulmuesit kishin planifikuar të kalonin në Ukrainë, Kievi ka mohuar çdo lidhje me sulmin dhe ka paralajmëruar se Rusia po e përdor atë si një justifikim për të përshkallëzuar pushtimin e saj.

Bëhet e ditur se mes frikës për më shumë sulme, siguria në Rusi është rritur, shkruan CNN.

Por, vështirë se ky është stabiliteti dhe siguria për të cilat votuan aq shumë rus.

Për vite me radhë, kreu i Kremlinit është paraqitur si një lider i aftë për të garantuar rendin në Rusinë e trazuar.

Por, sot Rusia duket më e pasigurt dhe më e paqëndrueshme se kurrë më parë, thuhet në shkrimin e CNN.

Kjo pasi lufta brutale e Kremlinit në Ukrainë u ka kushtuar shtrenjtë rusëve.

Ushtria nuk ka publikuar shifrat e viktimave, por vlerësimet e SHBA-së sugjerojnë se që nga fillimi i luftës janë vrarë dhe plagosur më shumë se 300 mijë rus.

Ndërsa lufta vazhdon, rritet edhe frika për numrin e viktimave pasi Ukraina po avancon gjithnjë e më shumë me kundërsulmet e saj.

Një prej sfidave më tronditëse të Kremlinit që nga fillimi i luftës ka qenë kryengritja e vitit të kaluar të Yevgeny Prigozhin, udhëheqësit të grupit mercenar Wagner, i cili kërkonte shkarkimin e komandës së lartë ruse. Vdekja e tij më pas e hoqi përgjithmonë çdo kërcënim të mundshëm për shtetin rus.

Në të njëjtën mënyrë, edhe vdekja e liderit më të shquar të opozitës ruse, Alexei Navalny, ka shuar një zë kritik të Kremlinit.

Tani fokusi është vendosur në rishfaqjen e sulmeve terroriste xhihadiste në shkallë të gjerë për të cilat zyrtarët amerikan thonë se e kanë njoftuar Rusinë muaj më parë.

Por, për disa arsye, Putini zgjodhi t’i injorojë paralajmërimet e SHBA-së duke i përshkruar si ‘provokim për të frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë ruse’.

Ndryshe, sulmi i fundit terrorist në Rusi është një tjetër goditje e fuqishme për një udhëheqës që u ka premtuar rusëve siguri dhe stabilitet.sn

Kate dhe William “thellësisht të prekur” nga mbështetja e publikut

Princesha e Uellsit Kate dhe burri i saj, Princi William, janë shprehur “thellësisht të prekur”, nga ngrohtësia e publikut dhe mbështetja e dhënë, pas njoftimit për kancerin.

Pas shumë javësh spekulime në rrjetet sociale për shëndetin dhe mirëqenien e saj, Kate ka thënë përmes një video-mesazhi të premten se i është nënshtruar kimioterapisë për kancer, pas një operimi që ka pasur në bark.

Princesha 42-vjeçare ka thënë se informacioni për kancer e ka tronditur edhe atë, dhe se tani është në fazat e hershme të parandalimit.

“Princi dhe Princesha janë thellësisht të prekur nga mesazhet e ngrohta prej njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar, nëpër Komonuelth dhe në gjithë botën”, është thënë në një deklaratë të lëshuar prej Pallatit Kensington.

“Ata janë të prekur prej mbështetjes dhe janë mirënjohës për mirëkuptimin ndaj kërkesës së tyre për privatësi”.

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe Mbreti britanik Charles III kanë qenë vetëm disa prej figurave të larta që kanë ofruar mbështetjen e tyre për Princeshën.

Kate nuk ka treguar për llojin e kancerit që ka edhe as fazën në të cilën është duke u trajtuar.REL

Sulmi terrorist në Moskë, ISIS publikon videon nga momenti i masakrës brenda sallës së koncerteve

Një video-dokument nga sulmi terrorist në një sallë koncertesh pranë Moskës u publikua nga organizata xhihadiste Shteti Islamik (ISIS) përmes platformës Telegram. Videoja që zgjat 1 minutë e 31 sekonda, kap imazhe shumë të ashpra, si me të shtëna nga automatiku, ashtu edhe me thikë të një qytetari që ishte ende gjallë brenda ndërtesës së qytetit Crocus në Krasnogorsk. Videoja, konsiderohet autentike, pasi përtej zonës ku ndodhi masakra, tregon një nga automatikët e markës kallashnikov, me dorezë në pjesën e sipërme, e cila ka një ngjyrë fluoreshente karakteristike, që thuhet se është përdorur në sulm.

Në të njëjtën kohë, siç raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se katër të dyshuarit për sulmin terrorist të së premtes në Sallën e qytetit Crocus ishin arrestuar dhe tani janë në paraburgim të Komitetit Hetues të Rusisë. Të dyshuarit u arrestuan në rajonin Bryansk dhe u transportuan në Moskë me dy automjete transporti të të burgosurve. Sipas TASS, të dyshuarit janë duke u marrë në pyetje dhe hetimi është në vazhdim. Në ditët në vijim, hetuesit pritet të bëjnë kërkesë në gjykatë për të kërkuar burg si masën e preferuar. Të katër të dyshuarit rrezikojnë burgim të përjetshëm. Më herët, shërbimi rus i lajmeve BBC kishte raportuar se të paktën dy autorë të sulmit në ambientet e koncerteve Crocus City Hall ishin vrarë.

Duke cituar një burim të njohur me operacionin hetimor, një sulmues u vra në sallën e koncerteve, ndërsa tjetri u vra në rajonin Bryansk. Forcat e sigurisë ndaluan një makinë të bardhë në Bryansk, 210 milje në jugperëndim të Moskës dhe morën në pyetje të dyshuarit. BBC raportoi se një nga të vdekurit ishte një shtetas Taxhik 30-vjeçar, i cili e kaloi qëndrimin 90-ditor të Rusisë në vitin 2018 dhe u urdhërua nga një gjykatë të bënte një “dalje të kontrolluar” nga ky shtet.

Personi tjetër ishte gjithashtu një shtetas i Taxhikistanit, i moshës 25 vjeç. Të paktën 133 njerëz u vranë dhe më shumë se 140 u plagosën në një nga sulmet terroriste më vdekjeprurëse në vitet e fundit në Rusi. Autoritetet thanë se gjithsej 11 persona u arrestuan, duke përfshirë katër autorët e sulmit teksa po shkonin për në Ukrainë.

Të shtunën, agjencia e lajmeve Amaq e lidhur me Shtetin Islamik ndau në Telegram një imazh të katër burrave të maskuar që pretendonte se ishin përfshirë në sulm. Rusia nuk e ka komentuar pretendimin e IS. Në një fjalim televiziv, Putin dënoi masakrën – më vdekjeprurëse e Rusisë në gati 20 vjet – si një “akt barbar terrorizmi” dhe përsëriti deklaratat e mëparshme nga shërbimet ruse të sigurisë se sulmuesit ishin përpjekur të iknin në Ukrainë. Kievi hodhi poshtë pretendimin se ishte disi i përfshirë në sulm si “absurd”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi të shtunën homologun e tij rus Vladimir Putin se po kërkon mënyra për të “fajësuar” Ukrainën për masakrën, për të cilën pretendohet se fshihet grupi i Shtetit Islamik. Grupi xhihadist i Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, sipas një postimi të gazetës propagandistike Amaq në Telegram, rreth katër orë pas fillimit të të shtënave.

“Sulmi u krye në kontekstin e luftës së ndezur midis Shtetit Islamik dhe vendeve që luftojnë Islamin”, shtoi Amaq në një deklaratë. Shtetet e Bashkuara kanë informacione të inteligjencës që vërtetojnë pretendimin e Shtetit Islamik për përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës, thanë dje dy zyrtarë amerikanë. Zyrtarët thanë se SHBA-ja paralajmëroi Rusinë në javët e fundit për mundësinë e një sulmi, një veprim që ata thonë se e shtyu Ambasadën e SHBA në Moskë të lëshonte një paralajmërim për amerikanët.

(BalkanWeb)

Intervista- Kugelman: IS-i është autori i vetëm i besueshëm i sulmit afër Moskës

Neil Bowdler

Pozicionimet e ndryshme të Rusisë, ndër vite, e kanë bërë këtë shtet ndër shënjestrat kyçe të grupit ekstremist Shteti Islamik (IS). Kështu i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Michael Kugelman prej Qendrës Wilson.

sulmin e 22 marsit në sallën e koncerteve, Crocus City afër Moskës, kanë mbetur të vrarë të paktën 133 persona.

Sipas Kugelmanit, aktualisht IS-i është grupi i vetëm që mund të kryejë sulme të shkallës së tillë.

Radio Evropa e Lirë: Grupi ekstremist Shteti Islamik (IS) e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Sa i besueshëm është ky pretendim?

Michael Kugelman: Mendoj që është pretendim i besueshëm, pasi Shteti Islamik zakonisht nuk e merr përgjegjësinë për sulmet që nuk i ka kryer. Nëse kthehemi mbrapa disa vjet më parë, Shteti Islamik e ka pasur Rusinë në shënjestër. Nëse shohim mbrapa në kohë, i shikojmë fjalimet e liderëve të lartë të Shtetit Islamik, do të shihni që Rusia është përmendur shpesh dhe është përshkruar si shtet kryqtar dhe shtet i keq kryqtar, duke u konsideruar nga IS-i gati njëjtë sikurse Shtetet e Bashkuara.

Dhe sigurt që ka pasur një sërë pozicionimesh të politikës ruse që ka qenë arsye për shqetësim prej IS-it. Mendoj që ky pretendim i IS-it është kredibil, për faktin që ai rrallëherë e merr përgjegjësinë për sulmet që nuk i kryen dhe ka pasur gjithmonë shumë arsye për të kryer sulme në Rusi.

Radio Evropa e Lirë: Pse kjo shënjestër?

Michael Kugelman: E kemi parë jo vetëm me IS-in, por edhe me shumë grupe tjera terroriste që vendet me turma të mëdha njerëzish janë gjithmonë atraktive, sepse zakonisht siguria nuk është e lartë. Nuk janë zona të ruajtura shumë. Dhe po, mund të sulmosh një numër të madh njerëzish. Nëse shikojmë nga ana psikologjike e një grupi terrorist, sikurse Shteti Islamik, ata ia dalin të instalojnë frikë dhe t’i bëjnë njerëzit që të frikësohen nga dalja në publik, sepse ata frikësohen që janë të cenueshëm në çdo vend.

Prandaj nuk mendoj që ekziston një arsye pse është shënjestruar konkretisht kjo sallë. Por e di që është një prej shumë organizimeve të tilla që ndjekin organizatat terroriste, i konsiderojnë shënjestra të buta, sepse është e lehtë për të vepruar. Dhe sipas definicionit të tyre, aty do të ketë gjithmonë shumë civilë të brishtë.

Radio Evropa e Lirë: A mund të flasim pak për historikun e marrëdhënieve mes IS-it dhe Rusisë? E di që zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për një sulm të mundshëm, më herët gjatë këtij muaji.

Michael Kugelman: Është e rëndësishme të shikojmë sa herë pozicionimet ruse kanë shkaktuar shqetësim për Shtetin Islamik. Fillimisht, ka pasur veprime ruse në Çeçeni, në Afganistan. Shteti Islamik i konsideron ato si dëshmi që Rusia ka marrë hapa që përbëjnë sulm kundër komuniteteve myslimane, tokës myslimane.

Mbështetja e Rusisë për Iranin, për [presidentin sirian, Bashar al-] Assad në Siri, fushata ushtarake kundër luftëtarëve të IS-it në Siri, fakti që ekziston grupi Wagner, forca mercenare ruse që operon në disa pjesë të Afrikës, ku janë shënjestruar luftëtarët e IS-it, dhe së fundi, Rusia ka ofruar mbështetje për talibanët në Afganistan, të cilët janë rivalë të ashpër të IS-it. Të gjitha këto përbëjnë një argument pse IS-i ka shënjestra ruse.

Dëshmitë e fundit flasin edhe për një sulm të Shtetit Islamik Korasan (IS-K), krahut të IS-it, me bazë në Afganistan. Grupi e ka shënjestruar Ambasadën e Rusisë në Kabul, çka ka qenë një zile zgjimi. Ka qenë hera e parë që një target rus është shënjestruar prej Shteti Islamik të Korasanit, dhe kjo u ka bërë me dije njerëzve që Rusia nuk është vetëm shënjestër e IS-it por edhe e degëve të tij, sidomos IS-K që është ndoshta ndër degët më aktive sot.

Radio Evropa e Lirë: A mund të na flisni për sugjerimin që rusët e kanë ndalur një sulm në një sinagogë më 7 mars. A dini diçka?

Michael Kugelman: Nuk mund të komentoj diçka. Mendoj se duke i parë ngjarjet e fundit dhe duke marrë parasysh synimet e IS-it për të targetuar Rusinë, atëherë nuk mund të përjashtojmë faktin që ata kanë dashur të kryejnë edhe sulm tjetër në Rusi. Ka arsye për të besuar që ka qenë ashtu. Por, nuk mund ta them me siguri.

Radio Evropa e Lirë: Ju besoni se është deklaratë kredibile, mirëpo nëse nuk ka qenë Shteti Islamik mbrapa sulmit, a ka ndonjë të dyshuar tjetër të mundshëm? Rusët tashmë e kanë drejtuar gishtin kah Ukraina. Ukrainasit mohojnë diçka të tillë. Si e shihni?

Michael Kugelman: Fatkeqësisht, është e natyrshme që Qeveria ruse do të reagonte duke e përdorur këtë sulm si arsyetim për ta fajësuar Ukrainën. Shqetësohem për pasojat që mund të ketë synimi i Rusisë për ta fajësuar Ukrainën, çka nuk do të ishte aspak në rregull. Çfarë do të thotë kjo për luftën e vet dhe për Ukrainën? A do t’i shtojë sulmet? Nuk e dimë.

Por, të jemi të qartë, nuk ekziston grup, nuk ekziston asnjë organizatë terroriste, sipas meje, që aktualisht mundet dhe ka kapacitete për të kryer sulmet që i pamë të premten. Al-Kaida është gjallë, por jo ashtu siç ka qenë, njëjtë sikurse nuk janë siç kanë qenë as bashkëpunëtorët që i ka pasur në rajon. Shteti Islamik është grupi i vetëm terrorist që ka kapacitet për të bërë diçka të tillë.

Grupi ka edhe degëzime të fuqishme sikurse IS-K. Të mos harrojmë që vetëm disa javë më parë, IS-K është përfshirë në një sulm të madh në Iran. IS-K ka kryer edhe sulme tjera, disa prej tyre janë parandaluar në Evropë dhe Lindje të Mesme. Prandaj, bindja ime është që duhet drejtuar gishtin kah Shteti Islamik. Nuk ka asnjë faktor tjetër logjik që do të kishte vullnetin dhe kapacitetin për të kryer diçka kësisoj.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Send this to a friend