VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Fillojnë kundërshtimet për ndërtimin e bazës amerikane në Brazil

By | January 8, 2019

Komentet

Platforma raciste e sulmuesit të xhamive në Zelandën e Re

Kryeministrja Jacinda Ardern duke folur në parlament

Kryeministrja e Zelandës së Re tha sot se shërbimet e zbulimit dhe ato të sigurisë po shqyrtojnë informata të mëtejshme pas sulmit vdekjeprurës me armë ndaj dy xhamive. Ajo gjithashtu premtoi të bëjë gjithçka të mundur për të mos i ofruar sulmuesit një platformë për shpalosjen e pikëpamjeve të tij raciste.

Kryeministrja Jacinda Ardern foli sot përpara ligjvënësve, pasi supremacisti i bardhë që akuzohet se qëlloi me armë ndaj 50 personave në dy xhami në qytetin Christchurch, nuk pranoi avokat dhe vendosi të përfaqësojë veten në gjyq.

“Ai është terrorist, është kriminel, është ekstremist. Por, sa herë të flas, unë nuk do ta përmend emrin e tij. Ju bëj thirrje që sa herë të flisni të përmendni emrat e atyre që u shuan dhe jo emrin e atij që u mori jetën. Ai mund të ketë dëshiruar të bëhet i famshëm, por ne këtu në Zelandën e Re nuk do t’ia ofrojmë këtë”, deklaroi në parlament Kryeministrja Ardern.

Dëshira e sulmuesit për famë u bë e qartë nga fakti se përpara masakrës të së premtes, ai la një manifest prej 74 faqesh. Gjithashtu, ai transmetoi drejtpërsëdrejti në mediat sociale pamje të sulmit të tij ndaj xhamisë Al Noor.

Kryeministrja Ardern shprehu irritimin e saj që videoja qëndroi e disponueshme në internet për katër ditë me radhë pas sulmit. Kompania Facebook megjithatë njoftoi se kishte hequr mbi 1 milionë versione të videos në 24 orët që pasuan sulmin.

Kryeministrja e Zelandës së Re tha se kishte komunikuar me drejtuesen e operacioneve të kompanisë Facebook, Sheryl Sandberg, por nuk dha hollësi të mëtejshme.

Kryeministrja e Zelandës së Re: Sulmuesi është “pa emër”

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, u zotua se nuk do ta thotë kurrë emrin e sulmuesit të xhamive në qytetin Kristçërç.

“Ai kërkoi shumë gjëra me aktin e tij të terrorizmit dhe njëra prej tyre ishte fama. Kjo është arsyeja përse nuk do të më dëgjoni kurrë duke përmendur emrin e tij”, tha Ardern në një fjalim emocionues para Parlamentit të Zelandës së Re.

Të shtënat e së premtes së kaluar në dy xhami lanë të vrarë 50 vetë dhe plagosën dhjetëra të tjerë.

Australiani Brenton Tarrant, 28 vjeç, i vetëpërshkruar si supremacist i bardhë, u akuzua për vrasje.

Kryeministrja Ardern iu drejtua një seance të posaçme të Parlamentit të martën, duke nisur fjalimin e saj me përshëndetjen arabe “Al-Salaam Alaikum”, që në shqip do të thotë “Paqja qoftë mbi ju”.

“Pesëmbëdhjetë marsi do të jetë gjithmonë një ditë e gdhendur në kujtesën tonë kolektive. Në pasditen e qetë të një të premteje, një burrë sulmoi një vend paqësor të lutjeve, duke marrë 50 jetë. Ajo pasdite është bërë dita jonë më e errët”, u shpreh Ardern.

Ajo tha se do të flasë për emrat e atyre që kanë humbur jetën, por jo edhe të njeriut që i vrau ata. “Ai është terrorist. Ai është kriminel. Ai është ekstremist. Por, kur unë të flas, ai do të jetë pa emër”, tha Ardern.

Ajo i siguroi ligjvënësit se sulmuesi “do të përballet me forcën e plotë të ligjit”. Ajo i inkurajoi qytetarët e Zelandës së Re që të bashkëndjejnë me myslimanët këtë të premte, kur të shënohet një javë nga sulmi.

Ardern më herët ka njoftuar se ligjet e armëve në Zelandën e Re do të reformohen dhe se detajet do të paraqiten brenda disa ditësh.

Kryeministrja po ashtu u bëri thirrje përfaqësuesve të mediave sociale që të bëjnë më shumë për të luftuar terrorin, pasi sulmuesi në Kristçërç e transmetoi drejtpërdrejt aktin e tij në Facebook.

“Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të pranojmë që këto platforma ekzistojnë dhe ajo që thuhet në to nuk është përgjegjësi e vendit ku publikohet”, tha Ardern.

Të martën, Facebook tha se videoja e sulmuesit të armatosur është shikuar më pak se 200 herë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë dhe rreth 4,000 herë përpara se është hequr nga Facebook-u.

Kompania e medias sociale po ashtu tha se ka fshirë mbi 1.5 milion kopje të videos në 24 orët e para pas incidentit.

Në mesin e 50 personave të vrarë në dy xhami, gjatë faljes së Xhumasë, ishin emigrantë myslimanë, refugjatë dhe banorë nga Pakistani, Afganistani, Bangladeshi, India, Turqia, Kuvajti dhe Somalia.

Përgatiti: Valona Tela

Rusi, hyjnë në fuqi ligjet për bllokimin e portaleve që kritikojnë qeverinë

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi legjislacionin që u mundëson autoriteteve të bllokojnë faqe të caktuara interneti dhe të japin dënime për “lajme të rreme” apo për materiale që ato i konsiderojnë si fyerje ndaj shtetit ose publikut.

Të dyja ligjet, që kritikët i shohin si pjesë të një përpjekjeje të Kremlinit për të rritur kontrollin mbi internetin dhe për të mbytur disidencën, u nënshkruan nga presidenti më 18 mars.

Legjislacioni i ri i lejon autoritetet të bllokojnë faqe të caktuara interneti ose llogari interneti që publikojnë ato që ata i konsiderojnë si “lajme të rreme” dhe penalizojnë ata që vendosin materiale, të cilat shihen si fyese ndaj zyrtarëve të shtetit, simboleve shtetërore ose shoqërisë ruse.

Dhoma e sipërme e parlamentit, Këshilli i Federatës, i miratoi projektligjet më 13 mars pasi dhoma e ulët, Duma e Shtetit, dha miratimin përfundimtar. Legjislacionin ishte propozuar më 7 mars.

Më 11 mars, Këshilli presidencial i Rusisë për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut i kërkoi Dhomës së Sipërme t’ia dërgonte projektligjet përsëri Dumës për t’i ripunuar.

Këshilli presidencial, i cili shpesh injorohet nga Presidenti Putin, citoi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe tha se liria e shprehjes nuk mund të kufizohet thjesht për shkak të dyshimeve nëse ajo që shprehet është ose jo e vërtetë.

Ligji i ri autorizon prokurorin e përgjithshëm dhe zëvendësit e tij për të përcaktuar se çfarë përbën lajm të rremë, por pa një vendim gjyqësor, pas të cilit mediat shtetërore dhe mbikqyrësi i komunikimit Roskomnadzor të bllokonin faqet apo llogaritë në internet.

Për publikimin e “lajmit të rremë”, ligji përcakton gjoba deri në 100,000 rubla (1,525 dollarë) për individët, 200,000 rubla për zyrtarët publikë dhe 500,000 rubla për kompanitë.

Ligji thotë se gazetave apo portaleve të regjistruara zyrtarisht pranë Roskomnadzorit, do t’u jepet një shans për të hequr raportimet që konsiderohen si lajme të rreme, përpara se të bllokohen faqet e tyre të internetit.

Aty thuhet se faqet e internetit që nuk janë të regjistruara pranë Roskomnadzorit do të bllokohen pa paralajmërim.

Ligji gjithashtu parashikon gjoba deri në 100,000 rubla për fyerjen e autoriteteve ruse, agjencive qeveritare, shtetit, publikut, flamurit apo kushtetutës.

Shkelësit përsëritës do të përballen me gjoba më të mëdha dhe mund të burgosen deri në 15 ditë.

Roskomnadzori do t’u japë përdoruesve të internetit 24 orë për të hequr materialin që gjykohet nga prokurori i përgjithshëm ose zëvendësit e tij si fyes për shtetin ose shoqërinë dhe ata që nuk e bëjnë këtë do të bllokohen, thotë ligji.

Në janar, kur Duma e Shtetit miratoi projektligjet në leximet e tyre të para, politikani i opozitës ruse Ilya Yashin u shpreh me këto fjalë: “Këto janë projektligje të çmendura. Si mund t’i ndalosh njerëzit të kritikojnë autoritetet?”

Mbi një milion nënshkrime për përjashtimin e Fraser Anning nga Parlamenti i Australisë

Ankara

Mbi një milion njerëz kanë nënshkruar në peticionin për përjashtimin e senatorit Fraser Anning nga Parlamenti i Australisë, pas deklaratës së tij ne lidhje me sulmin e dyfishtë terrorist në xhamitë në Zelandën e Re, raporton Anadolu Agency (AA).

“Dëboni Fraser Anningun nga Parlamenti”, thuhet në peticionin e nisur nga mjekja neurologe Kate Ahmed në platformën më të madhe në botë “change.org”.

Peticioni u nis pas deklaratës të cilën senatori Anning e bëri në lidhje me sulmet terroriste në Christchurch të Zelandës së Re, duke fajësuar muslimanët dhe politikat e migracionit.

Kujtojmë se terroristi Brenton Harrison Tarrant vrau 50 besimtarë të cilët kishin shkuar në xhami për namazin e xhumasë në xhamitë Al Noor dhe Linwood.

Anning tha se shkaku kryesor i gjakderdhjes në rrugët e Zelandës së Re janë myslimanët që lejohen të emigrojnë në atë vend.

Pas kësaj deklarate anti-migracionit dhe islamofobike, Anning u qëllua në kokë me vezë nga iu riu Will Connolly.

“Pikëpamjet e senatorit Fraser Anninga nuk kanë vend në qeverinë e Australisë, demokracinë tonë dhe multikulturalizmin. Në përputhje me ligjet e Australisë, kërkojmë të dënohet dhe të hiqet nga posti i senatorit, përfshirë mundësinë për një hetim lidhur me përkrahjen për terrorizmin djathtist”, kërkon peticioni.

Kryeministri australian Scott Morrison nga ana e tij dënoi deklaratën e Anningut dhe e quajti të neveritshme.

Papa Françesku i prekur thellë nga sulmi në Zelandën e Re

Vatikan

Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku shprehu pikëllim të thellë për siç tha “dhunën e palogjikshme” në Chrischurch të Zelandës së Re, raporton Anadolu Agency (AA).

Papa u shprehu ngushëllimet e tij familjeve të viktimave në sulmet ndaj dy xhamive gjatë namazit të xhumasë.

Ai shprehu pikëllim të thellë për sulmin në të cilin humbën jetën të paktën 49 persona dhe 20 u plagosën. Papa Françesku tha se solidarizohen me të gjithë qytetarët e Zelandës së Re dhe veçanërisht me komunitetin mysliman.

Policia e Zelandës së Re ka konfirmuar se në dy sulmet e armatosura ndaj xhamive të premten në Christchurch u vranë 49 persona ndërsa më shumë se 20 u plagosën.

Zelandë e Re, kryeministrja viziton familjet e viktimave të sulmit terrorist

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern vizitoi Christchurch, ku të premten u krye sulmi terrorist mbi dy xhamitë, në të cilat jetën humbën 49 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ardern u takua me përfaqësuesit e komunitetit mysliman ndërsa sipas mediave lokale, ajo u takua edhe me familjet e viktimave të sulmit në xhaminë Nur dhe Linwood.

Ajo u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe dëgjoi kërkesat e tyre. Pritet që të vizitojë edhe të plagosurit e sulmit mbi dy xhamitë.

Kujtojmë se në sulmin e djeshëm terrorist në qytetin Christchurch, mbi dy xhamitë në kohën e namazit të xhumasë u vranë të paktën 49 persona dhe më shumë se 20 u plagosën. Personi që mori përgjegjësinë për sulmin tha se ishte një australian 28-vjeçar.

I dyshuari për sulmet në Zelandën e Re del në gjykatë

I dyshuari për vrasjen e 49 vetëve në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re, doli të shtunën në gjykatë.

Brenton Tarrant, një qytetar australian 28 vjeçar dhe i vetëshpallur nacionalist i bardhë, u shoqërua nga dy roje të armatosura në gjykatë ku një gjykatës deklaroi një akuzë për vrasje ndaj tij.

Pasi i dyshuari u largua nga gjykata, gjykatësi tha se “megjithëse për momentin është shpallur një akuzë për vrasje, është e arsyeshme të mendohet se do të shpallen edhe akuza të tjera”.

Edhe dy të dyshuar të tjerë si bashkëpunëtorë, janë arrestuar. Policia po përpiqet të përcaktojë deri në çfarë mase dhe nëse ata ishin të përfshirë tek sulmi.

Në një konferencë shtypi të shtunën në mëngjes, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha se masakra e ndërmarrë e Tarrantit, u ndërpre kur ai u kap.

“Synimi i tij ishte të vazhdonte sulmin”, tha kryeministrja.

Ajo e quajti vrasjen masive “një akt të jashtëzakonshëm dhune” dhe premtoi se “ligjet tona për armëmbajtjen do të ndryshojnë”. Të gjitha armët që kishte autori, ishin siguruar ligjërisht.

Kryeministri australian, Scott Morrison e cilësoi të dyshuarin “një terrorist të dhunshëm të së djathtës ekstreme”.

Sulmet u ndërmorën gjatë lutjeve të së premtes, ku xhamitë ishin të mbushura me qindra besimtarë. Zyrtarët thonë se 41 vetë vdiqën në xhaminë Al Noor dhe shtatë në xhaminë e Linudit, 10 minuta më tutje. Mes 48 vetëve që po trajtohen për plagë armësh zjarri, kishte edhe fëmijë.

Brenton Harrison Tarrant dhe vizitat e tij nëpër Ballkan

Brenton Harrison Tarrant, 28-vjeçari i akuzuar për vrasjen e 49 vetëve dhe plagosjen e shumë të tjerëve në dy xhami të Zelandës së Re, lindi në Australi në një familje punëtore me të ardhura të ulta.

Në manifestin e tij të gjatë të publikuar online, Tarrant shkruan se kishte përdorur të ardhurat nga shkëmbimi i kripto-monedhave për të udhëtuar në Francë, Spanjë dhe Portugali në vitin 2017.

Pas sulmeve të së premtes, autoritetet e disa vendeve kontrolluan të dhënat dhe zbuluan se ai kishte bërë edhe udhëtime të tjera, sidomos në Ballkan.

Disa muaj përpara udhëtimit të tij në Evropën Perëndimore, në fund të vitit 2016, Tarrant kishte vizituar Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, dhe Kroacinë, ku kishte parë vendet e fushëbetejave historike, sipas kryeprokurorit të Bullgarisë Sotir Tsatsarov në një intervistë për agjencinë Reuters.

Ai ishte rikthyer në rajon në nëntor 2018 për të vizituar vende historike në Bullgari, Rumani dhe Hungari.

Interesimi i tij për këto vende tregon se ai kishte “njohuri shumë serioze për historinë e Ballkanit dhe dinte hollësi që, do të thosha, pak njerëz në Ballkan i dinë”, u shpreh ministrja e jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva.

Tarrant vizitoi gjithashtu “shumë herë Turqinë dhe kaloi aty një kohë të gjatë,” tha për agjencinë Reuters një zyrtar i lartë turk, pa dhënë datat konkrete të vizitave. Autoritetet turke thanë se po hetonin lëvizjet e tij brenda vendit.

Zelandë e Re, reagojnë myslimanët

Sulmet anti-myslimane në Zelandën e Re e kapën në befasi popullatën e vogël vendase.

“Kjo është diçka krejt e papritur”, tha Chelsea Daniels e stacionit radiofonik Newstalk BZ, me qendër në Okland të Zelandës së Re.

“Ne dëgjojmë herë pas here të flitet për për këta lloj ekstremistësh në Australi. Por ne nuk kemi përjetuar kurrë diçka të tillë këtu në Zelandën e Re, prandaj njerëzit janë kaq të tronditur,” tha ajo për Zërin e Amerikës në një intervistë telefonike.

Ajo tha se ngjarje të ngjashme jashtë vendit mund të kenë nxitur dëshirën e autorit të dyshuar Tarrant për të ndërmarrë këtë sulm, “por ai ka vepruar i vetëm në planifikimin e sulmit.”

Christchurch, ku ndodhën sulmet, ka një komunitet të vogël mysliman prej rreth 1,000 njerëzish. Myslimanët përbëjnë afërsisht një përqind të popullsisë së Zelandës së Re prej 5 milion banorësh.

“Isha në punë kur mësova për ngjarjen,” tha Mohammed Basharati, mysliman kurd nga Irani, i cili jeton në Christchurch.

“Menjëherë mendova se ishte një akt ekstremistësh islamikë, sepse kurrë nuk prisnim që këto lloj krimesh të urrejtjes të ndodhin në Zelandën e Re”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Barashati shtoi se që kur kishte shkuar për të jetuar në Zelandën e Re gati dy dekada më parë, ai nuk kishte përjetuar asnjë lloj diskriminimi për shkak të besimit të tij.

“Ne dënojmë dhunën dhe urrejtjen e çdo lloji dhe bashkohemi me të gjithë të tjerët në Zelandën e Re duke shprehur trishtim të thellë për ata që janë prekur nga këto ngjarje të tmerrshme”, tha në një deklaratë Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Zelandën e Re.

“Ne i qëndrojmë pranë qytetit Christchurch dhe muslimanëve neozelandezë në paqe, solidaritet dhe ndjenja njerëzore”, thuhet në deklaratë.

“Nuk ka vend për urrejtje në Zelandën e Re. Ne u bëjmë thirrje banorëve të qëndrojnë së bashku në unitet,” tha komisioni, duke shtuar se “Zelanda e Re është një nga vendet më të larmishme etnikisht në botë dhe ne i mirëpresim njerëzit e të gjitha feve dhe prejardhjeve.”

Ramazan Bozhdash, djali 20 vjeçar i së cilës ishte në Xhaminë Al Nur, foli me Zërin e Amerikës me telefon, ndërsa i biri Mustafa ishte në pritje të një operacioni për një plumb që i kishte depërtuar shpretkën. Gjendja e tij nuk ishte kritike, prandaj mjekët u kujdesën më parë për njerëzit e plagosur më rëndë.

“Zelanda e Re është një vend i sigurt,” tha Bozhdash. “Ne kurrë nuk kemi parë një incident të tillë.”

Bozhdash, i cili është turk, tha se një person si ai që qëlloi të premten, është i rrallë në Zelandën e Re. “Herë pas here mund të shikosh shpirtra të këqinj me qëllime racist aty-këtu,” pranoi ai. Por ai tha se beson se numri i tyre është i vogël.

“Unë jetoj këtu prej 19 vjetësh,” tha ai. “Disa njerëz po përpiqen ta njollosin këtë vend.”

Kalimullah, është president i Shoqatës Pakistaneze në Canterbury të Zelandës së Re. Ai tha se anëtarët e komunitetit lokal pakistanez po mobilizohen për të parë nëse miqtë dhe anëtarët e tyre të familjes janë shëndoshë e mirë pas sulmeve.

“Nuk ka hollësi zyrtare nga autoritetet. Ka disa njerëz që mungojnë, kështu që njerëzit po shkojnë nëpër spitale për të kërkuar informacion lidhur me miqtë dhe familjen e tyre”.

Por Kalimullah shtoi se anëtarët e komunitetit nuk do të frikësohen nga sulmet e së premtes.

“Ata janë të vendosur,” tha ai, “incidente të tilla nuk mund ta ndalin jetën tonë të përditshme”.

Sulmi në Zelandë kishte një hero, i riu i mori armën terroristit

Masakra e djeshme në dy xhami në Christchurch Zelandën e Re ku mbetën të vdekur 49 persona kishte edhe një hero. Bëhej fjalë për një djalë, i cili kujdesej për xhaminë Linwood, njëra ku ndodhi sulmi më armë.

Ai arriti ta ndalojë Scott Morrison ose Brenton Tarrant sic njihej në rrjetet sociale që të mos vriste më shumë persona. Pa asgjë në dorë ai arriti t’ia marrë armën terroristit. Më pas e ka ndjekur dhe i ka qëlluar me armën e tij por pa qëlluar në shenjë shkruan Tg.com. Ai u arratis por u arrestuar nga forcat e policisë pak pas ndjekjes nga këta të fundit.

Autori i sulmit të djeshëm Scott Morrison kishte online publikuar një manifest, prej 73 faqesh në të cilin ka bërë të ditura qëllimet e tij, të bazuara në ideologji anti-emigrante dhe të ekstremit të djathtë. Ai e ka përshkruar veten si një “ultra-nacionalist” dhe “etno-fashist”. Ndërsa idetë e tij duken të lëkundura, pasi më herët kishte thënë se është komunist, anarkist dhe liberal.

Ai shkruante se besonte në “autonominë etnike për të gjithë popujt me një fokus në ruajtjen e natyrës dhe rendit natyror”. Ai tha gjithashtu se do të hakmerrej për Ebba Akerlund, 11 vjeçe, e cili u vra në një sulm terrorist të vitit 2017 në Stokholm.Scott Morrison tha se vdekja e 11-vjeçares në Stokholm kishte qenë indicia e parë që e ka shtyrë për të kryer sulmin. Ai urrente edhe të huajt që bëjnë krime në Europë.

Qindra militantë të IS-it dorëzohen në Siri

Qindra pjesëtarë të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) dhe familjarë të tyre janë dorëzuar te forcat siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat i janë afruar edhe më shumë territorit të vetëm ku mendohet se janë strehuar pjesëtarë të IS-it në Siri.

“Rreth 13 000 terroristë dhe familjarët e tyre janë dorëzuar te forcat tona, ndërkohë që kanë vazhduar operacionet kundër organizatës terroriste”, ka thënë zëdhënësi i Forcave Demokratike Siriane, Mustafa Bali përmes një postimi në Twitter.

Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët dhe të ndihmuara nga SHBA-ja, kanë arritur një hap më tej drejt pastrimit të zonës, në të cilën dikur ishte shpallur i ashtuquajturi “kalifat” i militantëve të IS-t në Siri dhe Irak.

Luftimet kësaj herë janë fokusuar në fshatin Baghuz, afër kufirit të Sirisë me Irakun.

Një gazetar i agjencisë së lajmeve, AFP ka thënë se shumica e të dorëzuarve duket se kanë qenë të plagosur.

Forcat Demokratike Siriane kanë thënë se prej 10 marsit, rreth 3,000 pjesëtarë të IS-it janë dorëzuar te forcat e tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mbështetsin grupe të ndryshme rebele në luftën civile tetëvjeçare në Siri, derisa Rusia dhe Irani mbështetin qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Shtetet e Bashkuara tani janë në proces të tërheqjes së numrit më të madh të trupave nga ky shtet, vendim, i cili ka nxitur shqetësim në mesin e luftëtarëve kurdë.

Sulme në dy xhami në Zelandën e re – dhjetëra të vrarë

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se dhjetëra veta u vranë e u plagosën në sulmet mbi dy xhami plot me besimtarë në lutjet e së premtes në Christchurch.

Kryeministrja Arden e përshkroi si një “nga ditët më të errëta të Zelandës së Re”, duke theksuar se ngjarjet në qytetin Christchurch paraqesin “një akt të pashembullt dhe të jashtëzakonshëm të dhunës”.

Jacinda Ardern

Ajo tha se “qartazi kjo mund të përshkruhet vetëm si sulm terrorist. Nga ajo që dimë duket se ishte mirë i planifikuar”.

Katër veta u arrestuan në lidhje me sulmin. Sipas stacionit televiziv TVNZ, njëri prej tyre u identifikua si Brenton Tarrant, 28 vjeçar nga qyteti Grafton në New South Wales të Australisë.

“Mund të konfirmoj se për njërin nga individët e arrestuar më është thënë se është qytetar nga Australia”, u tha gazetarëve në Sydney, kryeministri australian Scott Morrison.

Duke theksuar se australianët janë pjesë e familjes së njëjtë me banorët e Zelandës së Re, “jemi në dhimbje, të tronditur, të zemëruar dhe qëndrojmë dukë dënuar absolutisht sulmin që u krye nga një ekstremist, një terrorist i djathtë”, tha ai.

Tridhjetë veta u vranë në xhaminë Masjid Al Noor ndërsa dhjetë të tjerë në xhaminë Linwood.

Sulmuesi Brenton Tarrant ka lënë një manifest në të cilin mes tjerash thekson se zgjodhi Zelandën e Re për shkak të vendndodhjes së saj, për të treguar se edhe pjesët më të largëta të botës nuk janë të lira nga “emigracioni masiv”.