VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Festivali nderkombetar i poezise ” Azem Shkreli” mbledh poete nga Bota Nga Entela Kasi, Presidente e PEN Qendrës të Shqipërisë

By | May 21, 2019

Komentet

VARGMALET E DHIMBJES – Nga PIRRO LOLI

Ese jo vetëm për poezit e Ton Zmalit
Që në takimin e parë me Ton Zmalin, në një ditë qershori të 1999 -ës në një klub në Athinë, ai mu prezantua me diçka nga malet. ”Pasha zotin më tha – jam krenar që e kam me vete” .
(Zmali = Za mali). Pastaj po të dëgjonte njeri bisedën tonë do të na merrte për të lajthitur:
– paske zbrit nga malet për tu bërë poet, o Ton Zmali?!
– Se mohoj! Nëse kam diçka të bukur në poezit e mia, dhe në karakterin tim, ktë e kam nga malet. Pastaj edhe ti nga malet vjen, apo jo.
– Po, i thash po unë jam zemërur me malet.
– Pse?
– Sepse kan shumë erë, sepse janë kryeneçë e të egër, sepse Dhembeli im, thotë se është lartësuar nga dhimbja……(Dhembel e dhembje)
– Sidoqoftë ,….
– Jo, Ton ! S’ka përse të mburremi me malet. Ata nuk i ka bërë njeriu.
– Sidoqoftë janë strehë e baladave, e orteqeve ;…janë të larta dhe…
– Se jemi ushqyer me baladat, prandaj jemi mjegullorë e kryelartë ?!
Toni e mori për lëvdatë e unë vazhdova:
– Nëse duhet të krenohemi sepse kemi lerë në male, në Dukagjin, në Dhembel, në Sopot, a në buzë të Drinit, kjo ska të bëjë me vlerat. Megjithatë dekorin malor e poetik të maleve tona, kjo ska të bëjë as me lartësit e poezise as të karaktereve. Disa metra mbi nivelin e detit është thjeshtë një kordinatë gjeografike. Poetët kanë të drejtë të lindin kudo nëse vërtet jan poetë, u japin edhe maleve emrin e tyre .
– Atje merr dritë syri, jep zë fjala e qyqet qeshin… recitoi Toni.
– Le të krijojm ”malet tona” i thash – tonat ; dhe një kodrinë, dhe një lule, një pemë a një puthje! Po të jetë orgjinale mbetet. Dhe nga pozicioni i fushës mund të lartësohesh. Por Ton Zmali nuk donte të zbriste nga malet. Më detyroi t’ia lexoj të dyja vëllimet me poezi, “Lulet e Ksenit” dhe “Dashuri të pashijuara’’. Kemi dy vjet që diskutojm, që grindemi e kritikojme njëri-tjetrin si miq të mirë. Na bashkon poezia, jo malet. Cikli i fundit i tij, botuar në gazetën e Athinës,”Malet e bardha”, nga vëllimi i tretë që po përgtit, më ngacmoi e më bindi që ky poet, larguar në fakt 900 kilometra nga malet e tij, sdo që sdo të zbres nga malet! Dhe s’do të kuptoj muzgun e simboleve. Më mori prej dore e më çoi në malet e tij. Frynte shumë erë mu vranë gjujët në shkrepa të thepisur; pashë humnera të frikshme. Mu duk vetja i lehtë si shpend e mushërit i ndera në ballkonet e qiellit. Ishte ajri i poezive që, sidoqoftë më mbushte mushkëritë…
Mali prej xhami
Është fjala për malin e ylbertë, krijimin poetik. Lënda është fjala, hiperbola “mashtruese” që ashpërsinë, madhështinë, egërsinë e malit nuk e sheh. Syri i poetit e përfytyron prej xhami.
“Dhe tokën, dhe shkëmbin, dhe shpendin prej kristali”. Shpirti i poetit është transparent, delikat prej xhami. Zmali ia ka hipur muzës poetike dhe retinat e syve i ka mbushur me tjetër dritë; ka membrana dielli e hane, e fijet dhe rrezet ndërtojne poezinë e tjetërsojne realitetin; “universin me tharm ëndrrash të tjera”, “miniera zërash” të tjera hine si Dragobia, Dukagjini,Golemi, Zagoria e prandaj te poeti “zemrat ngren kulla prej bore, qielli zgjohet e sytë i lanë”.
Natyrisht me sy të larë me lotë drite, ndriçojne (edhe parajsën ku gëzojne ëngjëjt) edhe shëmtitë; me sy të larë drite, bebja e syrit është më e mprehtë, por Toni u shmanget, u anshkalon honeve e hijeve të terrta. Është e drejta e tijë të krijojë realitet të tjera.” Mali prej xhami” është lehtësisht i thyshëm, por duhet të thyhesh shpirtin e poetit,! Me duket, mali e njeh tonin që në pelena, i ka dhënë emrin, zërin, forcën, e ka përkundur dhe e ka bekuar : “mbaje emrin tim, pije qumështin e borërave të mia, mitin e baladat e krahëhapur presin orteqet”.
Por poeti s’mund të ndalet pa kthimin në objektin e tij, “mali” e sapo zgjohet nga ëndërra si një domosdoshmëri, që të marrë forcë të re si Anteu, “fap” shkrepëtin, befasues e i trishtuar te, “Panteoni i gjallë i yjeve, meteorë mbi varre djeg”. Si shumë lartë më kishte çuar ëndërra, tepër qiellor e fluid mu bënë kta ëndërrime “malkrijesa margaritarësh” në vitrina ajrore, ndriçuar nga drita. Dhe befas, sikur vë dorën në sy të mbrojë atë, “syrin e lartë”, se vetë krijo një ëndërr me stuhi drite që e rrezikon me verbim. Ëndërra iku, pikë. Optika plastike, pikë. Në fund, si në hon të syrit mbetet trishtimi, trishtim poetik, i vetmi që ndërton ëndrra realiste, dmth. poezinë. Dhe megjithatë, edhe kur ndërton ëndërra të tjera, kudo te Ton Zmali, gjen erë malesh, kulla bore, shira e ylberë, gjithnjë hipur në ballkone bjeshkësh me ngjyra të ndezura, pa nuanca të ndërmjetme. Dhe zbriti prej tyre të bëhet poet!! Unë këmbëngul tek zbrija e Tonit, te e prekshmia, realiteti, te domosdoshmëria e ikjes nga parajsa e paqenë e nga vitrinat e ndritshme të iluzioneve romantike.
” Majat e hekurave”
Që në strofrën e parë skicohet portreti dhe toponomia e katundeve të gurta. ” Unë i përfytyrova prej mjergulle varur në një diell që fort po ndrin e pak po nxe” . Katunde të vjetra kockore -” moshë- tokë mbirë në qerpikë të malit “, ngrhina shkëmbi “me varre bajlozësh mbretërish, Sulltanësh, krajlësh “. Ky mal është ndryshe nga malet e tjera të Tonit.( Ktu Toni ka zbritur, fatmirësisht !). Është një mal i ngjeshur me mbeturina gjylesh topi. Shpellat ulurijne, zëri i tokës shkëmb, përtyp nga vetja e dot s’i tret. Shpella ulurijne, zëri i tokës shkëmb, përtyp nga vetja e dot s’i tret… Është një aliazh i patretshëme; ajo pjesa e mishit, indet e jetës, mishi i varreve, i patretshëm as në elegji?… Ç’ ka ngrënë ai syri i jeshilt nga uria e s’e tret dot?!…
Poeti vazhdon të zgjeroj kompozicionin epik me një dekor të përhershëm, të lashtë sa toka që dhe datat e ngjarjeve janë fosilizuar në rrathët e lisit të moçëm, e vitet s’kan kalendarë. Jemi në trojet e eposit; stinët e dimrat zgjasin shumë, por e thash këtu gjithçka e mishtë, jetsore vjen e ngurtësohet, kalcifikohet, materializohet. Ky dheu epik thith plumba e gjyle, hap skena pjerrimash bjeshkësh si muze i përhershëm, ku lëviz trupa ushtarësh te gjitha markat, arkat e plumbave e gjyleve që ka krijuar Evropa; gëzhojash si në poligone pasbetejash janë jashtë plumbat brenda, në nëndhe, në mish. Ky nëndheu ynë mallkim i zi, tërheq gati me forcë graviteti plumbat e vdekjes. Rezultati ?… I njëjtë kudo e kurdoherë: Janë thyer brijët e maleve nëpër flakë lufte; kudo e kurdoherë gropa.(Gropa dhe karaktere, zakone, kulturë, gropa në zyrat e shtetit që kurrë s’e panë si rregullatorë por forcë të verbër mbi ne). Dhe poeti ka të drejtë të dalë në përfundimin absolut :Malet kan ngrën hekur edhe rritën lartësitë heroikisht e pollën ”Majat e hekurave”. Kur doli në skenë hekuri e plumbi mbaroi eposi. Muji e Halili u mbyllën në një shpellë e nuk dolen më. Iku trimëria. Tani mund të shtroi edhe një copë plumbi sa thoji s’kemi emra herojsh, vetëm pasoja heroike, katastrofale deri në fatalitete. Mali rritet dhe pjell maja hekurash ! Fataliteti na është bërë toponimi, gati gati organik. Mali e ka të keqen në gjak, në genet e ushqyera në jeten e vet me lëndën e ashpër të vdekjes.
Mali i vetetimes – guri i rrokullimes…
Binomi interesant, realist. Letërsia dhe zbritja, maja dhe humnera. Një jetë në pjerrinë, në lëvizje drejt ndryshimeve të domosdoshme për të mirë e për të keq! Një jetë, jeta jonë në kërkim, në rritje. Një jetë në lëvizje, jo brenda ligjeve të rritjes nga poshtë lartë, por nga lartë poshtë. Ndoshta pozicioni i majave ka qenë ireal, romantik për ne shqiptarët që na ka pëlqyer dhe kryelartësia boshe. Në këtë poemë Zmali i ç’vlerson malet e tij, madje edhe ”Malin e vetmisë”, lartë në qiell atje ku retë ndezon e shkrepin rrufe. ”Gurët dhe karakteret po rrokullisen. Copa mali e shkëmbi kan nisur të thyejn qafën, rrokullisjen.Në fillim u trembën zogjt e braktisën folenë, ”nata ishte terr e shtëpia pa çati”.Është e çditëshme. Momenti i ikjes. Sa kontradiuktorë, absurd dhe i domonsdoshëm !(Ne, të mbyllur hermetikisht nën diktaturën 50 – vjeçare, kur diktatura ra, ikëm nga sytë këmët! Ligjet e ekzistencës paskan qenë më të fuqishme nga ligjet që na afronin me atdheun, gjthësesi me atë atdhe që e kishim krijuar edhe në këngë, irreal e jashtë nga vetja se kryeqyteti na mungonte; ai është diku në Stamoll, Moskë, Beograd apo Pekin! Dhe mungesa e një qendre, ku të ndenim duart për ngrohje na centripëtojë; na hodhi në rrugët e lëvizjeve dhe ndryshimeve dramatike).
Fusha e dramës s’është shesh, s’është e qëndrushme, por pjerrin që vjen e bëhet thikë e dramaciteti rritet dhe guri është i pandalshëm. Guri përfundon diku në honë, me krishjen dhe spërbërjen fatale të tjetërsimit ”dialektik” (jo nga gurë në mal por nga e kundërta).Është një skenë madhështore kjo e rrokollisjes së malit, e denjë për të luajtur aktorë e herojt e tipit të eposit, megjithatë poeti sikur s’mbushet. Ai vazhdon sa ma shume analizën, i shoqëron gurët jo vetëm gjatë rënies, por dhe atje poshtë në humnerë…
Atje,”ca muratorë dalngadalë me çekiçë e daltë, gurët i bën urë e murë ”pra lëndë për ndërtim. ”Ata të rëndët gurë ”, ata mqë kanë cilësira të tjera e bukurinë ( mermerin , diamantin, arin )” në errësirë i zgrapsen ca kuarë”. Grabitje dhe në rënje dhe në udhë, grabitje vlerash edhe në hon! Shikoni si ndritin vitrinat e kusarve!…
Nëse nuk i gjen dotë, kërkoni adresat e deputetve, ministrave!
Edhe në rënie diferencohen karakteret. Ka dhe të pathyeshem ata që nuk i njohin ligjet e shtypjes, që mundohen të ruajnë esencat ekzistenciale, vlerat. Këta ”përroi i marrë i përplasi kokë më kokë me zallishten e bardhë”. Dhe në honet e fatit paska desidencë! Por fundi është moçali i baltovinave…
Por Zmali nuk është autori i ”prishjeve”të mëdha, paçka se herë herë në shumë poezi, vrapon shesheve të dramës deri në fund.
Ka një moment kulminat kjo poezi, se autori gati e nënvlehtëson këtë që tha, rrokullimën. E me shpirtë edhe të trishtuar edhe krenarë, na thotë: Edhe mund të biem ne shqiptarët, edhe mund të na poshtërojnë, edhe mishion mund të na e bluajn, por kockën jo , dreqi ta hajë,! Shpirtin jo! ”Unori zjarrndezës” i takon origjinës, pra andej nga ka ardhë, prej andej nga ka rënë, nga mali i Vetëtimës, nga Labëria e Myzeqea, nga Bjeshkët e veriut apo bregdeti. Se sa e vërtetë është kjo poezi disi heroike është punë e autorit ; mua më pëlqen të theksoj mesazhin poetik aq të realizuar, njeriun e paepur shqiptarë , atë që di të humbasë dhe të fitojë, i gatshlm te ngrihet dhe nga baltovinat se ka një gen rebel që i qarkulon në gjak, shpirtin, produkt i shkrepjeve të mëdha andej nga ndez vetëtima,në mal: Me plumçin metalik në karakter, ngjizur në breza si aliazh metalik; me atë gurin prej stralli, që nga ç’do fërkim, përshkënditen e ndez se është shkëndi nga flakërima e vetëtimës.
Dhe mos u trembëni kur kta gurë i shohim rrokullimës. Ai është i fuqishëm, stoik e dinjitoz deri në dhimbje, i pamort edhe kur ligjet e tjetërsimit janë të egra edhe të kërkojnë edhe kokën….
Malet e qyqeshit…
I ka shkrepur Ton Zmalit të ndërtojë ”malet” e veta dhe hipën e zbret nëpër male. Është rruga e poezise. E pjerrët , thikë; ujë rrugë që shket e shket. Edhe kur bie edhe kur hipën nuk u ndahet maleve. I pëlqejn dekoret e të madhërishmes, lartësitë dhe bora, dhe orteqet, dhe ylberët që e hapin harkun nga një mal në tjetrin …
Paska një mal atje në veri, gati të pabesushëm e unik . Jo mali i zogjve, i thëllëzave, a i arijve të bardhë, por mali i Qyqeve…Menjëherë të krijon përshtypjen e malit kob, e malit që vajton , se qyqet me sqep morti kudo që janë qajnë. Por paska dhe qyqe që qeshin dhe qeshin kaq shumë atje, sa i gjithë vargmalit i kan dhënë emrin e qeshjes së qyqes- ”Qyqësh’…’
Nuk e di sa i vërtetë është ky toponim. Le të merren etimologët me të. Kur flasim për poezi e poetë, e fundit gjë që më shkon nërmend është e vërteta. Poezia merret me shenjat e kësaj bote, me pjesën ajrore të realitetit. Kurrësesi poezia s’mund tu përgjigjet enigmave të pamata të botës, ajo s’është adeguate si shkenca. Pokuptimet po përmbajtjet mund të pyesi dikush me të drejtë ? Realiteti (bota) është komplekse, madje e komprementuar në kuptimin e saj,e zhgënjyer me të vërtetat. Kjo thjeshtë se të vërtetat jan relative dhe të paplota. Kështu poezia kap e skripton, kap e seleksionon shenjat,; ajo luhatet mes aluzionesh dhe iluzionesh, prandaj edhe më i largohet realitetit.
Lënda e saj është fjala e zgjedhur, i gjithë figuracioni poetik, që emërton sendin, cilësin dhe veprimin indirekt. Këtu nisin enigmat e bukura të poezisë pra, tek ” shtrëmbërimi semantik i realitetit. F. Kafka thotë: ”Arti varet nga e vërteta, por e vërteta duke qenë e padashme, nuk mund të njihet” . E më tej : ”Të thuah të vërtetën dmth, të gënjesh. Shkrimtari është i vërtetë. Kur flet ai ”gënjen” .
Le të njohim tani nga afër gënjeshtrën e bukur të ”Maleve të Qyqshit”: T.Zmali ka hipur në një qilim fluturues e është nisur drejt vendëlindjes. ( E kush nuk i ka hipur ktij qilimi e kush nuk i ka zbritur në obirrin e shtëpis së vet?!) Rruga është ajrore qilimin e shtynë era. Gjithçka si në përralë. Atje, natën yjet ndezin abazhurë të kaltër e të gjelbër, ” shkëmbijt janë shtëllunga të bardha reshë …. ujëvarat kacaviren në sy, ylberët e qëndisur bien flurore mbi kulla, stane e çati ….; atje e prej andej, nga muzat e artgjendëta të hënës dhe bimët dhe lulet , dhe toka vijnë e bëhen këngë; atje dhe vetëm atje, ”mbi brirët e kaprojve thëllëzat ngrenë folenë, mbi nektarin luleborë, atje dhe vetëm atje, gumuzhijnë ndryshe bletët, lugjet e Drinit ( dhe të zagoris sime) ndrijnë e fustanet e vashave janë të thurura me fije të kaltëra rrezesh qiellore a pëlhura të holla, prerë nga gjelbërimi; atje, atje dhe vetëm atje ”çikat nën ruba ”
te mërrizi i lajthishtes, fshehin syrin e bukur si të drenushës …
Në këtë akuarel të ndezur, prerë nga koshti i Parajsës, nuk ka mundësi që qyqet të qajnë ! Është fjala për hapsirat e dashurise, për vendëlindje…
Kjo është gjuha e romantizmit, gjuha e ”zbukurimeve ” të tejkaluara, gjuha e dashurive të bardha, por… gjuha e mos realizimeve, e dashurive të zhgënjyera të thyera. ( Dhe dashurit Toni i a të pashijuara!). Mbi ktë bazën te shtresës nën lulore nis e rivijëzohet trishtimi i poetit, trishtimi i përhershëm i poetëve. Për një çast andej nga fundi i përrallës poeti rrëzohet nga qielli shumë ngjyrësh ( me siguri me bërryla të plagosur), merr një poezi didaktike, bie në gjunjë e falet, falet si para Krishtit: ” O malet e Qyqeshit, që mbi ju qeshin qyqet, falmëni magjitë tuaja hyjnore …ikona drite!” falmëni unë ju dua me gjithë shpirtë dhe dua tu them gjithë bashkëqytetarve të mi, plagprishësve, snobëve , e profanëve, mendjelehtëve, zemërkuletave, të gjithve, të besojne se unë vërtetë kam zbritur andej nga qeshin qyqet….
Unë besova. Qyqet kanë punën e tyre. Le të qajnë ata nëpër blina e qipariz të zinj ! Qyqet e poetit qeshin! E më vjen e kumbon në vesh, si një tel i trishtuar violine, vargu aq domethënës për punët e fatet e shqipëtarve:
”S’ta dal dot me qa, moj Lale
Po me të këndu!”
Dhe mali me gropa…
Tjetër mal ky. Jo i lartësive, por i gropave. I gropave varre. ” Mali i varreve!” Një mal ka ngrën vetëveten, ka kafshuar mishrat e vet! I janë ulur supet e mori emrin e gropave, varreve! Ndoshta i kanë rënë vetëtimat e mallkimit dhe e kanë rrafshuar! Se rrufetë e mallkimit; athet drithëruase të nënave e motrave tona janë të shumta e ulin maja malesh….
Ktu ka kocka të paidentifikuara djemsh! Mallkimi gërryen malin prej majës rrëzon Zeusat e zinj. Vetëm kënga i rrëzon Zeusat e zinj. Vetëm kënga i rrëzon zeusat jashtë parlamentëve, vetëm kënga di të penalizojë pa apelim.
Dhe ky mal me gropa , dhe zeusi i zi është i yni.
Paskemi atje a këtu një mal akuzues, një mal me gropa krimi e turpi që se lajne dot shirat e dimrit. Thonë se ky mal është afër kryeqytetit, thonë se qe një varrezë masive a një fushë e mbjellur me kocka…. Natyrisht, këta djem nuk na u vranë në luftë, që t’ua bëjm hallall gjakun … E gropa të tilla të veçuara , hapën ndanë rrugve të atdheut, plot edhe më 1997-ën. Zeusi i zi ,majave të pushtetit u bë numër shumës ! Varre në kohë paqie! Dhe tiranët s’kanë dhene shpjegim! Ndoshta, këtë ka parasysh Fatos Arapi, poeti i dashurive të vrara, kur thotë : ”Në Tiranë ka vetëm tiranë!” . Ndoshta ktë ka parasysh dhe poeti i luleve dhe simboleve të trishtuara, Ton Zmali kur thotë :
” Mos më dënoni për ata që nuk thashë
Hijet e zeza si vampirë më ndjekin nga pas”…
Dikush pret te bregu tjetër
Letërsia shqipëtare e emigracionit kryesisht poezia, ia ka shtuar dukshëm vlerat letërsis kombtare, të paktën në njëqind vitet e fundit. Pjesa dërrmuse e poetëve kan emigruar. Të jetosh në një breg tjetër, në kërkim të një limiti shpëtimtarë e të jetosh orë e çastë me kujtesën e bregut tënd që ke braktisur! Nuk është për tu çuditur, Kseni është sinonim i mallit. E çuditshme është se ai bregu ytë i dashur, kur ishte atje ishte si i huaj (ksen) e shpesh herë dashakeqës dhe asfiksuaes. Pra, në këtë kuptim, poeti i ikur, jeton e këndon midis dy brigjesh kseniktie. Jeton në hapsirat midis dy dramave e prandaj edhe poezia është dramatike e fijet e mallit dukshëm duken mbi copezën e qëndisur.
Midis brigjeve (të ksenit dhe të ”ksenit” ) shtrihet hapsira e pa matë e lirizimit poetik aq e trazuar. Tensioni dhe shkreptimat e poetit, midis tij dhe dy brigjeve, midis tij dhe njerzve të njohur nga njëra anë e midis tij dhe njerzve të bregut ksen, përbën tematikën dhe problematikën e artit, të prirur për risi.
Në këto hapsira si të gjithë ne, i mbjell këngët e tij edhe Ton Zmali. E thash diku, me sa duket, ky djalë që nuk pati rininë krijuse në malet e tij, duhet të largohej prej tyre që me gjakftohtës,të shikonte më qrtë bukuritë e bregut që la. Shkurt për tu bërë poet si Naimi, Çajupi, M. Camaj etj etj, pse jo si arbëreshët dhe aravanitët , si dhjetra e dhjetra krijues të tjere, mërguar vjetët e fundit ! (Shumë herë ka ndodhur në historinë e shqipëtarve që nisen nga vendi i tyre vocërrakë ose ushtarë e larg, në një breg tjetër bëheshin gjeneralë).
Por gjetkë e kam fjalën : Mesi i botës për gjithë poetët mbetet vendlindja e tyre …., brgu që s’i njohi dhe s’i deshi; mesi i botës, me gurrat e frymëzimit ishte Frashëri, Sheperi, Shkodra dhe Kokëdoda e Tonit apo Zagoria ime… E kështu, të gjitha thëllëzat që gjen udhëve të largëta të ksenit, edhe Toni ua kthen fluturimin në Brgdrin; edhe ndonjë greke të bukur ” syzezë e vetullkurorë” e vesh apo zhvesh sipas shijeve baritore të bregut të tij.” Të kërkova në tokë e në hënë, krua më krua e lëm më lëm”. Dhe rreth ” Milosaos ,Ton”, që nuk këputet nga vendëlindja që tërhiqet e tërhiqet në anën tjetër, mblidhet e bëhet lëmshi i mallit dhe i mungesës së vetvetes. Atje, dhe pikërisht atje çel pema; atje, lugjesh të verdha ku shkrin bora, ku vertik niset orteku, ku nga vesa çel ylberi….
Edhe ajo furka e shpirtit atje, që kurrë s’ka për të mbaruar, ato fijet shumëngjyrshe të dashurisë për njerzit e tu , tirren të pamasë tek mrizat, lajthishtet, tek flladet e dherve , tek uji i borës, tek ciu – ciu i zogjve.
Atje gjithmonë e gjithmonë dikush pret !
Ndoshta nëna e babai! Ndoshta motra halleshumë, a ndoshta një varrë që pret një tufë lulesh ! Gjithmonë atje dikush pret ! Ndoshta muri i shtëpisë i përgjysmuar a hardhitë krahëplakura që s’ka kush ti presë, të derdhin një lotë! E në arat lëndinë ku e ftohtë frynë era , edhe ku përmallushëm këndon mëllenja në barë…
Më ka trishtuar poezia e Tonit, ”Pret shtëpia”, ajo është shtëpia e gjithë emigrantve . E vetveti jeq shpirtë e psherëtin, kujton; dhe shpirtë e trup bëhesh atje e ngrihesh si sonambull e prek me duar sendet e dashura të shtëpisë, shkallën , portën, thikën e ndryshkur të bukës, ajrit që ka mbetur ashtu pa lëvizur me frymën tënde…Por të gjitha kanë ngrirë; të gjitha i pi dhe i ha pluhuri i harresës e i vetmisë.
Nëpër ”teshat tua gjallë është vetëm mola e tenja”. Dritat fikur…,” kacavirren në streh lakuriqët e natës”, boçe hapur qajnë gështenjat e bien në tokë si lot kokërrmadh.Në shtëpinë e Tonit (dhe timen dhe tënden ) merimangat endin pëlhurë me nge e çelsat e dyeve po ndryshken.
Dhe megjithatë kjo shtëpi e vjeter e varfëra, e heshtura , kaq e kaq herë lahet e ndriçohet ” në argjendin e lotëve tona ”.
Por, oh! ”Orkestra zogjesh të uritur presin nën çati”.
Ky fakt tragjik i fik dritat e dëshirave të bregut tonë, atje bjerret trimëria dhe mençuria si te malsori legjendarë i Migjenit për një kokërr misër;dhe pushka ndryshk, e tek çarku i lahutës, atje shkrep, atje ku shkrepte çarku i këngëve, minjët e uritur ngrenë folenë…
Këtu Ton Zmali s’është më poeti i luleve, i ylbereve e i ujëborave…
Romantiku ka vdekur! ( Rahmet paçin romantikët!).
Muzgu i simboleve
Ton Zmali me zemër romantiku nuk ka kuptuar ose nuk do të kuptoj muzgun e simboleve. Ai e ka vështirë të ndahet prej tyre, megjithse vetë ato të (ndriçuara nga poetët) nuk duan të dinë për poetët.. Poeti ka qef të pie të ngopet me qumështin e eposit, ka mbi 500 vjet që është mbyllur në shpellë. E kështu poeti herë fluturon me kokë shqiponje e herë bie trishtuar nga bregu tjetër e këndon si ksen, ku vetëm lulet nuk e njohin si ksen,.. O Ton edhe lulet buzë dritaresh të huaja, sikur nuk kanë aromën e duhur! Mund të flakërojn nga ngjyrat por për poetët ato ndezin kujtime të trishtuara. Gjithçka mbi ksenti mbiu mbi shkreti! E ky bregu ”shpëtimtarë ”tokën e ka ndryshe dhe ajrin dhe lulet! Dhe lulet sikur s’bijnë në zemra dashurish sikur janë jashtë zemrave të nënave tona. Prandaj zemrat e poetve të kseniti është e mbathur me trishtim e prandaj Toni mbush boshllëkun me jehonën e tijë, me simbolet e vendit të vetë. Nuk është vetëm drama e tij personale kjo. Njeriu jeton edhe iluzione.Poetët jetojn vetëm me iluzione. Toni jeton vetëm me të kaluarën buçoifryrëse të heroikes.
”Kanuni i Lekës me qiell të lirë në sy
Sado që ikën larg nuk e di përse shkoj pas tij”….
Dhe unë nuk çuditem që ky burrë reth të pesëdhjetave, kujton ninullat që i këndonin kur ishte në djep. Vini re sa i sinqertë dhe i brendshëm është në këngën e tij e sa jashtë dite pozon për të tjerët.
Bacëgjyshi: ” Në djep t’vogël me dru a kashtë , përkund baca
diell, hënë e yje bashkë…”
Lokemadhje: ” Në këmishë dragoi ty të vesh dada, në dorë
të paçin orë e zana…”
Baba: ”Sot përkund baba në djep, majë lisit në trung të vet”.
Ndoshta kënga e babait është lajtmotiv i trashgimisë, i trimërisë e i simboleve të goditura, trung, lis, majë.. E vjen pastaj ninulla e nënës, e gjerë e qetë, spontane, gjumëndjellëse: ” Porsi e merr pranvera malin, eja gjumë e merrma djalin”.
Ky poeti i prerë për dashuri e mirsi, i shikon me nostalgji reliket e së kaluarës , i bën pjesë të shpirtit… Punë e tij, dëshirë e tijë!
Ka një problem këtu : Ajo shtresa e fllorijtë e simboleve me emra të mëdhenj, ” atdhe , flamurë , shqiponjë, mal, etj etj, presin të ridimensionohen nga poetët. Nëse s’marrim simetrikën reale të jetës së njeriut të shekullit të ri, poetët do treten në anonimatin e vargut popullor, do të bëjnë rradhë të gjata e do të jenë gjthnjë të kërcënuar nga tabutë. Poetët mos i kërkoni në rreshtë! Librat që pëlqehen lehtë janë të rrezikuar. Rrugët e pashkelura në poezi, që nuk shkojnë në rrugën e pleqve të poezise, pra, dhe të folklorizmave bajate, por ndesh me ta në të tjera shtigje, janë rrugët e novatorizmit poetik.
Proçesi poetik
Proçesi poetik është reptësisht personal, reptësisht vetiak e thonë se këtu lindin shkënijat e para të një gjetje, të një figure, të një subjekti, është njëlloj me aktin fekundues, që është akt hyjnorë. Akti poetik që nga ”shkëndizat” e para që të vetëtijne në tru, deri në variantin e fundit, kalon në një proçes labratorik, që disa herë ne e nënvlersojmë.Gjithësesi, në të gjithë metamorfozën e poezise kemi të bëjmë me betejën për të gjetur Fjalën. Një grumbull materialesh (gurë,llaç, çimento, hekur) nuk është akoma pallat. Miliona fjalë si kokrrat e rërës duhet të kalojn sitën labratorike të poetit për të gjetur kokrrat e arit.
Unë ia them këto vetes dhe Ton Zmalit, prandaj nuk po ndruhem e po vazhdoj monologun. Akti poetik është koncentrat i fokusuar nga poeti, është njëlloj si lentja konkave apo konvekse që po nuk i gjete distancën dhe këndin përkatës, bën lëm drite, por akoma jo atë qendrën që ndez dhe gurin….
T. Zmali i ka të mbushura tubat e ngjyrave, madje të cilsisë së lartë, por piktorin se bëjne të tillë ngjyrat, deri te realizmi e telajo ka shumë punë. Vë re se në poezitë lirike Tonit i pëlqen akuareli, kërkon pranëvënie me kontrastin panaromik, tush mbi tush, ngjyrim mbi ngjyrim. Këtij i pëqen piktura që shijohet edhe me syrin e gishtave, relievet. Pas Rembrandit, që përfaqsonte këtë shkollë, qindra pikturistë të tjerë nuk e arritën linjën e ustait. Shumë poezi të Zmalit portrete nusesh dardane, të veshura me xhubletë apo me relike të tjera kombëtare, përgjithësisht shumëngjyrshe. Por vajzat e sotme, i dashur preferojne elegancën, deri në lakuriqsi. Seriozisht e kam proçesi poetik i ngjanë proçesit të ”Miseve” në skenë; nga fragmentet e veshjeve të rënda deri në lakuriqësi me dy gajtanë të hollë lartë e poshtë….
Përsëri te fjala. Italo Calvino ka paralajmeruar për murtajën e gjuhës jo vetëm në politikë, ideologji, masmedia, por edhe në letërsi. Letërsia (në veçanti poezia ) është toka e premtuar”, ku gjuha ” kthehet në atë ç’ka duhet me qenë vërtetë”.
Antikorpet kundër murtajës së gjuhës i prodhon vetëm letërsia. Fjala bruto, inflacion i fjalës shfaqet në veprat tona si humbje force njohëse, automatizim slloganesh e rimash që priren të rrafshojn shprehjen, të zbardhin kuptimet, të topitin pika shprehëse. Poezia filllon ku fjala takohet me vetëveten në rrethana të tjera. Unë mendoj se nëse fjala s’ndërtohet në emërtime, cilësi e veprime nga “natyra morte” në gjithçka njerëzor, që ka të bëjë me dashurinë apo urrejtjen, jemi ne trojet e të vërtetave të gjuhës poetike, të saktësis së fjalës. Kulmi i saktësisë, afrohet kur prek abstrakten; pra fjala e astrakuar ka potenciale të pakufijshme semantike, deri te tregimi i hiçit si substancë e fundit e botës. Në këtë proçes fjala lidh gjurmët e dikurshme me ato të padukshme. Në këtë proçes kultura nerëzore ruan rolin e vet , bashkon e ndanë vlerat. Fjala është ura e brishtë për të bashkuar brigjet e së bukurës, e aftë për të hedhur harqe edhe në boshllëk.
E torra pak idenë e proçesit të vështirë poetik për ti thënë Tonit dhe miqve të mi, të vjetër të rinj, se rruga e poezise është përpjetë thikë. Kush e merr të lehtë këtë rrugë nuk lodhet, por harrohet. Toni punon, kërkon; nganjëherë mbledh me rruspë ç’i del përpara e nxitohet në; proçesin e shkurtimit e të seleksionimit. Nganjëherë të krijon përshtypjen se në të njëjtën telajo provon të gjitha shkollat dhe ngjyrat e pikturës ; nganjëherë poezitë e tij janë si bajamet me dy e tre bërthama. Këto janë karakteristika të proçesit krijues, por mania e poetizimit shpesh e fokuson midis traditës( konceptit folklorik)dhe modernizmit. Të qenit në kapërcyllë e detyron atë të rrijë i qetë në mes, por edhe të pajtojë ekstremet.
Në të dy librat poetik dhe në të tretin që e ka në proçes e takoj Tonin edhe nostalgjik ndaj temave e simboleve të rëna edhe kritik të rreptë e goditës deri në mohim. Poeti vuan, vuan midis ëndërrimeve, dëshirave të bukura dhe realiteteve të egra. Ai preferon ëndërrën. Le të jetë besnik i vetëvetes!
Nobelisti Marke**s këshillon veten me këto fjalë:” Etika ime është autokritika ndaj punës që bëj, prandaj ndjej një gëzim të madh kur e korrigjoj veten”.

Duke i rënë pas lumturisë Tek Xhorxhi Nga Maira Kalman Komenti dhe shqipërimi nga Elida Buçpapaj

“Tek Xhorxhi„ është shkruar nga Maira Kalman, autore, artiste dhe dizajnere Amerikane. Ka lindur në 1949 në Tel Aviv dhe ka ardhur me familjen e saj në New York kur ishte 4 vjeçe. Është autore e një serie librash për fëmijë të cilët kanë në qendër Max Stravinsky-in, qenin-poet. Ajo ka dizajnuar shpesh edhe kopertinën e The New Yorker.

 Kalman është e njohur gjithashtu për ilustrimet e saj në guidën e 2005 të stilit të të shkruarit „Elementët e Stilit“ The Elements of Style, nga William Strunk dhe E.B. White.

Zonja Kalman ka botuar për një vit rresht blogun e përmuajshëm të ilustruar që titullohej “Parimet e Pasigurisë„ (The Principles of Uncertainty ) për The New York Times që përfundoi në prill 2007. Blogu u botua në një libër me të njëjtin titull. Në fillim të vitit 2009 Maira filloi një tjetër blog të ilustruar po për New York Times  të titulluar „Dhe duke i rënë pas lumturisë“ (And the Pursuit of Happiness )rreth demokracisë Amerikane. Kronika e parë e këtij blogu botuar më 30 Janar 2009 lidhet me vizitën e saj në Washington D.C. në ditën e fillimit të mandatit të Presidentit Obama.

Lexuesit po i sjellim sot pjesën e fundit të këtij blogu botuar më 31 Dhjetor që titullohet “Tek Xhorxhi„. Me këtë tekst të ilustruar e nisa ditën e parë të vitit të ri 2010 duke përjetuar një emocion të madh. Ishte një mrekulli. E shkruar me një naivizëm infantil, me një semplicizëm një milimetër larg vulgaritetit, por gjithnjë brenda asaj që quhet art i pastër dhe i kulluar, që gjithsesi si çdo art i vërtetë nuk mund të jetë indiferent nga bota që e rrethon. Duke lexuar tekstet e thjeshta që iu japin jetë ilustrimeve menjëherë më shkon mendja tek varfëria që po kalon kultura shqiptare, e cila ka mbetur peng i tranzicionit. Mjerisht kemi një kolerë botimesh, por nuk kemi art. Jemi duke përjetuar një krizë identiteti dhe askush nuk çan krye për këtë. Ka një tërbim për të përvetësuar emrin e krijuesit me metodat të pështira njëjtas si të politikanëve shqiptarë që i vjedhin votat e popullit. Prandaj po i sjellim lexuesit këtë tekst që duket sa i thjeshtë, aq elegant dhe i pafajshëm si fëmija, që t’i japim të kuptojë si tingëllon arti i vërtetë, dhe sa nevojë kemi për të. Aq më tepër ne shqiptarët.

Elida Buçpapaj

Duke i rënë pas  lumturisë

Tek Xhorxhi

 

Xhorxhi.

Xhorxh Washingtoni.

Ai është

kudo.

 

Në  një çajnik.

 

 

Edhe në një mbajtëse bonbonesh

së bashku me Martën e tij.

 

Ai është edhe në vitrinën

e një dyqani me antikuare.

 

Ai është edhe në një leka-leka, një sheqerkë lëpirëse për fëmijë.

 

Këtu është ai një bllok

poshtë apartamentit tim.

Këtu ai është

në një verandë në Romë.

Jo, prisni pak. Ajo është Sara,

nëna ime. Por unë mendoj se ju

do të jeni dakord me mua

kur them se ngjan shumë me Xhorxh Washingtonin.

 

 

Kush ishte ai ?

Çfarë dimë ne ?

Çka më e famshme është,

të gjithë e dimë se nuk është e vërtetë.

 

 

Historia për drurin e vishnjes që nuk mund të thotë një rrenë

është vetëm një fabrikim biografësh.

Prandaj unë besoj se Washingtoni

ishte një burrë me shumë moral

që nuk i honepste rrenat dhe ia kishte ënda tortën me vishnje.

 

Gjëja tjetër se ai vuante shumë

prej dhëmbëve të tij është e vërtetë.

Njëri pas tjetrit i ranë të gjithë, deri

Sa më në fund i mbeti

Vetëm një dhëmb i trishtë.

Protezat ishin të rënda dhe

të bëra me fildishin e hipopotamëve me lidhëse hekuri.

Uh ! Dhe ato ishin tepër të mëdhaja.

Ai ngjante sikur të kishte kapërdirë mollëzat e faqeve.

 

 

Ai aspironte të bëhej një xhentëllmen,

andaj kur ishte vetëm një adoleshent, shkroi

“Rregullat emancipuese

dhe sjelljet e denja në shoqëri dhe bisedë

të  Xhorxh Washingtonit.”

*
Rregulli numër 1: Çdo veprim i bërë

në shoqëri duhet

të bëhet në shenjë respekti

ndaj të pranishëmve.

*
Rregulli 100: Mos i pastro dhëmbët

me mbulesën e tavolinës

*
Ai ishte një hero dhe u bë

i famshëm që kur ishte 22 vjeç, duke luftuar

për britanikët kundër francezëve

dhe indianëve.

 

 

I zhgënjyer nga britanikët,

ai u bë gjeneral

i Ushtrisë Kontinentale,

duke i udhëhequr 13

kolonitë në luftën

për Pavarësi.

 

Ky ishte flamuri
që mori me vete në beteja.

 

Siç ka thënë ai,

„Le të ngremë një standard

Ku mençuria dhe ndershmëria

plotësojnë njëra-tjetrën“

*

Përse ngulmonte ai dhe nga frymëzohej

për të bërë të mundur për gjashtë vjet krijimin

e një ushtrie nga rradhët e vegjëlisë?

Amerikanët besonin

Në kauzën e tyre.

Dhe kjo kishte ndihmuar.

Francezët i urrenin britanikët

Duke iu ardhur në ndihmë kolonive.

 

 

Beteja fisnike frymëzoi Markezin De Lafajet (de Lafayette)

në atë kohë 19 vjeçar (motoja e familjes të të cilit ishte „Përse jo“)

të linte gruan e tij 16 vjeçare, Marie Adrienne Francoise de Noailles

dhe t’i bashkohej kauzës në Amerikë.

Washingtoni e adhuronte Markezin Lafajet,

dhe kjo ndjenjë ishte reciproke

pasi Lafajeti të birit

ia vuri emrin e Xhorxh Washingtonit.

 

 

Në familjen tonë nuk mungonte afeksioni për

Lafajetin. Prindërit e mi

E admironin Markezin dhe ne

E festonim ditëlindjen e tij

çdo vit

me një tortë limoni

shumë të mirë .

 

 

Dhe  cila ishte jeta private e Xhorxh Washingtonit ?

Unë vizitoj Mount Vernon, shtëpinë e tij

Mbi një kodër nga shihet Lumi Potomak

Në Virxhinia.

Ai e kishte projektuar dhe riprojektuar shtëpinë

Ndërsa ishte duke punuar mbi projektet e

Kryeqyteti Kombëtar.

Shtëpia nuk është e madhe

Dhomat janë të thjeshta por elegante.

Dhe ngjyrat shpërthyese kur i  sheh.

 

 

Askush nuk mund të thotë se Amerikanët

Kanë qenë të frikësuar prej ngjyrave.

 

 

Bënin një jetë të emancipuar. Xhorxhi dhe Marta (bashkëshortja e tij – shënim imi E.B.)

Dëfreheshin vazhdimisht.

Marta vishte këpucë të modës. Ata e donin

shumë njëri-tjetrin. Marta shkonte mbas tij gjatë dimrit

në fushatat e luftës.

 

 

Ata mbanin shumë qenë. Njëri prej tyre

quhej  Buzëmbël.

Kur lufta më në fund mbaroi,

Xhorxhi u kthye në shtëpi për t’u këndellur “nën hijen

e hardhisë dhe fikut,“

i kënaqur duke punuar në fermën e tij.

Ai ishte një sipërmarrës.

Duke shitur harenga të tymosura dhe duke pasur në administrimin e tij një distileri vere.

 

 

Duke ndërtuar një Mulli, të cilin ju mund

ta vizitoni sot

nga ku ju

mund të blini edhe

miell

për të bërë pastaj një bukë gruri të hatashme.

 

 

Ai ishte gjithë mënçuri dhe përkujdesje. Ai nuk ishte një intelektual,

por ai e vlerësonte shumë bibliotekën e tij.

(në foto jeni duke parë një kopje të Don Kishotit, që e lexonte Xhorxh Washingtoni – shënimi im E.B.)

 

 

 

Ai nuk dëshironte të mbetej

në postin e tij.

Xhorxh Washingtoni ishte i respektuar.

Ai ishte me dinjitet.

Pasi qëndroi President për tetë vjet, si

nuk e pranoi mandatin e tretë,

dhe u kthye në Mount Vernon,

në shtëpinë dhe pronat e tij.

Tomas Xheferson, që më vonë do të bëhej

Kundërshtari i tij

thoshte se nuk do të kishin qenë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

pa Xhorxh Washingtonin.

 

 

Ai jetoi vetëm tri vjet në paqe.

Ai vdiq nga komplikacionet e shkaktuara nga një e ftohur në

moshën 67 vjeçare. Dhe ja ku është shtrati ku ai flinte

dhe ku vdiq.

 

 

Shikoni dhe ju disa nga të njëjtat pamje që ai pa.

 

 

Ne duhet të falenderojmë Shoqatën e Zonjave të Mount Vermont. E themeluar më 1853, kur familja nuk mund ta administronte më pronën e Presidentit

(dhe Qeveria Federale nuk mundi ta blinte !)

një grup grash të mrekullueshme, të cilat

e blenë pronën e Washingtonit

për të ruajtur

dhe mbrojtur

vizionin dhe

legjitimitetin e tij.

 

 

Ju mund t’i vizitoni kopshtet, ku

300 000 bletë e bëjnë mjaltin e tyre. Ju mund

të shihni drurët e fiqve të mbushur me fiq.

Në hollin e hyrjes

është një çelës i Bastijës,

i cila i është dhënë Washingtonit nga Markezi Lafajet më 1790.

Ai ka mbetur aty ku ishte vendosur

atë ditë.

 

 

Më jepni leje i dashuri Gjenerali im,

t’ju paraqes…

çelësin kryesor

të Fortesës të Despotizmit.

Është një nder për mua,

Si biri i atit tim adoptiv,

si një ushtar,

i Gjeneralit tim,

si një

Misionar i Lirisë

Patriarkut të Tij.

Marquis de Lafayette – (Markez De Lafajet) 

 

 

Një vizitë e shkurtër në

Shtëpinë e Bardhë

Ishte duke rënë shi në Washington.

Pemët e blireve ishin të gjitha kërcunj të zinj

dhe gjethe të verdha

 

 

Shtëpia e dritëshme nën një mjergull të qumësht.

 

 

Dhe brenda saj,  shpërthim ngjyrash. Përsëri. Dhoma e kuqe.

 

 

Dhoma e Gjelbër, me një kolltuk të kuq.

 

 

Dhe jashtë saj – një fermë (pothuajse)

Kopshti ka perime dhe pemë frutore

dhe 60 000 bletë bëjnë mjaltë.

Xhorxh Washington nuk jetoi kurrë në këtë shtëpi.

Por imazhi, figura e tij është kudo. Po kështu

Edhe Lafajeti.

Dhe mund të ndodhë që edhe

President aktual dhe gruaja e tij të kenë

Të njëjtin integritet ashtu si Presidenti i parë dhe

Bashkëshortja e tij. Ka mundësi.

Dhe unë e fantazoj, se si një rast

festiv, familja e parë do ta

kremtojë me një Tortë të hatashme me Limon.

 

 

Kjo është lumturia vetë. Ishte duke rënë shi mbi New York.

 

 

Pemët ishin të lagura dhe të zeza dhe

njerëzit  shëtisnin në Aveniunë e Pestë

 

 

Ku është lumturia?

Çfarë është lumturia?

E çfarë do të thotë Thomas Jefferson me

Të ngulmosh për lumturinë?

Unë i bëra një vizitë Dr. James Watson.

Ndoshta ekziston një shpjegim

Gjenetik për lumturinë?!

 

 

Dhe gjithçka që ne duhet të bëjmë është

Të marrim një recetë

Dhe ta vëmë atë në veprim.

Unë e pyeta atë.

Ai nuk mundi të më tregonte mua, sepse

Askush nuk e di këtë gjë.

Dhe kurrsesi ndokush ka për të qenë

Pjesë e trishtuar e kohës

Përndryshe ju do të ishit i çmendur.

Unë e vështrova atë.

Ai fillon të shëtisë. Luan tenis.

Ai punon.

Ai vëzhgon pemët.

Këto janë rrugët më të mira për ta gjetur lumturinë.

Për të gjetur paqen e shpirtit.

Unë punoj. Dhe shëtis.

Dhe shkoj të vizitoj muzeumet.

 

 

Dhe shikoj Infanten e Velasquez.

 

 

Unë shikoj një

Grua në

Një fustan të kuq

Me flokët e mbledhura me karficë

Që i ngjan

Infantes

Së Velasquez-it

Më vonë unë e pashë

Atë duke shkuar në shtëpi

Me pallton e saj

Të kuqe

Jo Infaten. Gruan.

 

Kur ja, një dhuratë ia mbërrin.

 

 

Është një libër i shkruar nga Vladimir Nabokov

I cili nuk jeton më.

 

 

Janë shumë njerëz për të cilët unë kam mall.

Oh Vladimir.

Oh Sara.

Oh, Xhorxh.

Oh, Markiz de Lafajet.

Ku jeni ju të gjithë ?

Kjo nuk është një pyetje për t’u bërë

Nëse ju dëshironi të jeni

I lumtur.

 

Unë e pastroj shtëpinë time

 

Marr mësime se si t’i palos picetat

 

Bëj plane

Për udhëtime në kopshte

Ku do të ulem, ku do të vizatoj dhe ku do të ha

meringë dhe do ta shijoj momentin

Tek Xhorxhi !

Kjo është e tëra.

Shijoje momentin.

 

 

Në familjen time ne nuk

Themi «Mirupafshim».

Ne themi

“Deri atëher’”.

*

Kjo është finalja

e “Dhe në kërkim drejt lumturisë”.

Që do të shfaqet në një libër

Në tetor të 2010-ës

Përse jo?

Shqipëroi: Elida Buçpapaj

 ——

Marie-Joseph Paul Yves Roch Gilbert du Motier, Markezi De La Fayette (1757-1834) ishte një aristokrat, gjeneral dhe politikan francez, i quajtur „heroi i dy botëve“, pasi ka qenë protagonist edhe në Revolucionin amerikan dhe në atë francez. Ishte mik i George Washingtonit, shërbeu në Ushtrinë Kontinentale të tij, të cilin e pati edhe si model në jetë. Kur  më 20 Maj të 1834, Lafayette vdiq, Presidenti Amerikan Andrew Jackson urdhëroi që  Lafayette-it t’i bëhen të njëjtat ndere sikur Presidentëve John Adams dhe George Washington. Me këtë rast ai u nderua me nga 24 të shtëna topi nga çdo post ushtarak apo anije që përfaqëosnte shtetin Amerikan. Flamuri u ul në gjysmë shtize për 35 ditë dhe ushtarakët mbajtën rrobat e zisë për gjashtë muaj dhe Kongresi i kërkoi popullit të vishte rrobat e zisë për 30 ditë. Rresht. Parku Lafayette që ndodhet në veri të Shtëpisë së Bardhë është në nderim të Markezit që luftoi në Revolucionin Amerikan.

Krevati i drejtorit – Tregim nga PËRPARIM HYSI

 
   Sapo më kishin transferuar në këtë fshat. Ca larg nga vendbanimi im, po kush ta qante hallin. Do shkoje ku të caktonin dhe askush nuk pyeste më, në shkoje me makinë, me biçikletë apo dhe në këmbë. Shteti të emëronte dhe për të tjerat,ku jemi parë. Pushteti që  të kish emëruar, ndihej mirë, nëse ti akomodoheshe aty(gjithmonë me forcat e tua). Unë 10 km larg e kisha shkollën dhe e bëja me biçikletë. Rruga qe e keqe dhe, kur binte shi, me biçikletën ndërronim “portat”: kur kish baltë shumë,e mirrja unë  në  krah. Xha Myrtoja, kur më shihte me biçikletë në  krah, shpotitte: -Kjo dynjaja rrypa-rrypa,herë ma hipe,herë ta hipa. Po për shpoti dhe unë nuk e haja bukën thatë dhe ia ktheja:- Mirë gomari më ngordhi, po mizat pse nuk  më lënë rehat, Ai hante”bodec” nga shakatë dhe, për të më çlodhur, më ftonte për pak muhabet.Por sos se qe një ditë a dy, kur në atë shkollë, punova për dy vjet.
                                                         *      *    *
Shkolla qe goxha e madhe,një ndërtesë me dy kate dhe kish një personel prej mbi njëzet vetësh, pak maskilist personeli, se femra qenë nja shtatë. Drejtor qe mesoburrë, me trup të drejtë prej sportisti (kish luajtur futboll deri aty,para pak vitesh, dhe ruante edhe fizionominë, por dhe energjinë. Me të gjithë sillej mirë dhe askujt nuk ia prishte ajkën. Unë e njihja prej kohësh dhe,ngaqë kisha ndërruar nja 5-6 drejtorë, me këtë, me të vërtetë që ndihesha mirë. Drejtori nuk qe liberal, por qe njeri racional dhe vlerësonte tek secili  punën. Shpesh, kur  kisha ardhur unë në shkollë, ai largohej nga shkolla dhe frymën e mbante në qendër të kooperativës. Kur  e pyeta se  ç’ndodhte me të që të paktën tri herë në javë (ditët që kishte për kontroll, ai sulej andej).
– Po bëj stazhin e partisë,- më tha. Jam aq i ngarkuar,-shtoi,- sa në një nga klasat e shkollës, kam sajuar një si “kthinë” të vogël. E kam ndarë klasën duke vendosur dollapin e madh dhe, pas dollapit, kam vënë një perde ku,pas perdes, kam vënë një krevat portativ. Organizata e partisë, më shumë mblidhet mbrëmjeve dhe, sa herë që vonohem (shtëpia e tij qe rreth  15 km larg). fle aty, në”kthinën” time.
– E paske blerë belanë me para,- shtova unë si në intimitet.
Atëherë, pse t’i ha hakën, as m’u zemërua, por as dhe nuk më  denoncoi. Se fare mirë, mund t’i gjente mushka drutë e mia që i prisja shkurt. Ai  jo vetëm e mori si shpoti bodecin tim, por dhe shtoi:- Pa qenë në parti,as të transferojnë,por as mos prit që të ngrenë në detyrë. Pastaj, tek hodhi  një   sy drejt një kolegeje që po kalonte, më tha:- Çfarë llërësh që ka! Sikur  t’ia  kullufitesh! Ore drejtor,- ndërhyra unë,- do të shkulin veshët në organizatë. Dëgjo,- më tha,- vdiq koha e thashë e themeve. Sa ndodhi ajo vrasja dramatike në Tepelenë,ku dy kuadro vranë veten, shoku Enver lëshoi “anatemën”:-Kush prek nderin e nënave,grave dhe motrave tona, të ngrihen të gjithë e t’i këputin kokën”. Tha dhe nuk ka më as gëk  as mëk. Tani, po u shkele me patok, e bën vezën e madhe. Se mos e zgjas,- më sqaroi ai,- nga ky fshat është Osmani. Qe mësues në shkollën X… dhe a e di se ç’e gjeti? Në shkollë kishte një kolege.Pak e hedhur kjo kolegia dhe një ditë prej ditësh dikush e kish  kërkuar për grua. Epo derr në thes nuk e merrte. Dhe shkoi e pyeti Osmanin, ngaqë njiheshin prej kohësh. Osmani i tha:- Po  më dëgjove mua, mos e merr,se  ajo…dhe ia numëroi.Birçja jo vetëm e mori, po i  tregoi të fejuarës për Osmanin. Asaj i erdhi gjahu në derë dhe e denoncoi Osmanin për thashë  e  theme. Dhe Osmani u dënua me 6 muaj burg. Dëgjove? Dëgjova,- më thuaj.
                                                                  *    *   *
Drejtori,veç punës dhe stazhit të partisë, qe qejfli i madh grash. Sa shihte një femër, bëhej aq obsesues pas saj, sa donte me çdo kusht që të flirtonte me të. Nuk bënte dallim, në ishte bukur apo e “shëmtuar”. Bilez, fjalën”shëmtuar” për një femër e merrte si”mëkat”. I mblidhte femrat me”dushk e lëpushkë” dhe thoshte:- Për çdo njërën, bën”sevap”.
Kështu ndodhi dhe këtu, në shkollën ku kam ardhur dhe gjithçka “zhvillohet” atje, tek kthina ku, pas dollapit të  madh, pas perdes së gjatë, është krevati i drejtorit. Ai qe pak Napoleonian nga mendimet dhe postulatin “Fati ndihmon guximtarët” e kish dhe si motiv, por dhe si mburojë në fushën e qejfit.
ILDA qe pastruese në shkollë, por, mos t’i hamë hakën: ishte e bukur. Drejtori, sa e shihte atë që lëvizte me kovat në duar, bëhej tjetër: fillonte që t’i gurgullonte gjaku dhe nga koka i dilte tym. Ishte gati që t’i hynte detit në këmbë dhe,kurrë,asnjëherë nuk e vriste mendjen: në zhytej apo mbytej në këtë lloj deti. Hamendësonte me veten dhe gjithmonë e ngiste anijen e qejfit mbi detin e qetë dhe pa batica. Ja,ajo erdhi dhe tek zgjat duarët drejt qafës së saj ( e di se sa elegante që e ka?);  buzët e mia i vë si kapak mbi të saj dhe e”lëpij” gjithë lëngun e buzëve të saj  të trasha. Kështu përfytyronte dhe shkonte në harrim.
*      *     *
Ajo,ILDA, kish trup të derdhur. Në doje të veçoje diçka tek  ajo,qenë sytë. Vështrimi i syve të saj qe i guximshëm. T’ i ngulte dhe,sado pak fshehur, kërkonte përmjet syve të depërtonte në brendësi. KIsh një kërshëri, por që ishte e padëmshme. Prej saj dhe prej atyre syve kurrë s’të gjente ndonjë e keqe. Drejtori (atij i kish rënë në kokë për të), më thoshte:- Ajo dhe,kur të jepet me gjithësej, tek ajo ka prapë diçka. NJë lloj “teprimi”. Ti,- më thoshte,- je i letërsisë dhe mund të gjesh fjalën e duhur për të.
– Ka një”teprim elegant”,- thashë unë. Të lumtë! Ke për tu bërë poet,- bërtiti.
*      *    *
Ajo trokiti, e druajtur i tha drejtorit:- Kam ardhur për çelësin e asaj dhomës. Ai, tek bëri për t’i dhënë çelësin, e kapi me të dy duarët dhe e tërhoqi drejt vetes dhe e puthi rrufeshëm, pa  vrarë mendjen se çdo ndodhte më  pas. Ajo, në fillim sikur deshi të shmangej, por, më pastaj, e lëshoi trupin në lirshmëri të plotë. Kur ai e lëshoi, ajo mori çelësin dhe zbriti shkallët me shpejtësi. Tek e ndoqi nga prapa me synë e një fajtori dhe gjysmë i trembur, ai vuri re që ajo, pak tinëzisht, i hodhi një vështrim që nuk dije si ta merrje. Sidoqoftë,- tha ai,- nuk ka për të treguar. Kjo ndodhi qe pasdite dhe tërë natën e natës ai nuk mbylli sy. Priste të nesërmen,gjysmë i alarmuar. Kur erdhi ajo, të nesërmen dhe i rikërkoi çelësin e kthinës, ai u bë me krah dhe shkoi pas saj. Sa hapi perden,ndjeu duarët e tij mbi supe. Tani nuk lëvizi fare dhe “pakti” qe bërë. Tri herë, pasditeve kur duhej  të shkonte në “stazh”, ajo vinte dhe si ai, i sëmuri që do të pijë në të njëjtën kohë ilaçin,dhe shtrihej tek krevati. Ai shkonte atje “për të marrë çelësin” dhe aty,mbi krevat, reciprokisht kalonin në delir. Kështu ndodhi gjithë atë vit,deri sa drejtori u bë komunist.
Në fund të vitit shkollor, ai u transferua në aparat të Komitetit të partisë, se “kredencialet” nga baza i kish shumë të mira. Unë mbeta aty dhe,një ditë prej ditësh,shkova ta takoja drejtorin që qe ngritur në përgjegjësi. Shkova, regjistrova emrin dhe prita ta takoja drejtorin tim. Kur m’u afrua një femër dhe tha: -Kush pret për shokun NASI (harrova t’u thosha: NASI quhej drejtori im), mos pres se shoku NASI është i “zënë”. Domethënë, ku jemi parë? Drejtori kish “hedhur trup” dhe i doli fjala:- Po nuk qe komunist, as transferohesh dhe as ngrihesh në pozitë. Dhe i arriti që të dyja.
                                                             Tiranë, 16 shtator 2019

Debat në Francë mbi emigracionin politik në Europë dhe rasti shqiptar i romanit «Valsi i lumturisë»

Edhe romani “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka” vihet në qendër të debatit “Emigracioni politik në Europë”.
Në kuadrin e ciklit të konferencave «Lexime europiane», Shtëpia e Europës në Paris, drejtuar nga  ish-Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës dhe njëkohësisht ish-Ministre e Kulturës së Francës, Catherine Lalumière, organizon më datë 17 Shtator një takim-debat mbi romanin «Valsi i lumturisë» i shkrimtarit Ylljet Aliçka, botuar kohët e fundit në Francë. Debati  me temë «Emigracioni politik në Europë», do të ketë si pjesëmarrës, Catherine Lalumière, Ylljet Aliçka dhe profesorin e Universitetit Science Po, filozofin Yannick Prost, të cilët janë ftuar të diskutojnë në prani të medias dhe të ftuarve të tjerë nga mjediset akademike franceze mbi temën e ndjeshme të emigracionit në Europë dhe rastit shqiptar.
Romani «Valsi i lumturisë» është botim i shtëpisë botuese Toena, fitues i Çmimit të Ministrisë së Kulturës, 2013 dhe botuar së fundi në Francë dhe Itali.

GJASHTËDHJETË VITE NËPËR ODA ME ÇIFTELI NË DORË – Reportazh nga TAHIR BEZHANI

 

Reportazh:  Shaban Shishmani, rapsod i ndjesive të thella të melosit popullor shqiptar.

Mbi gjashtëdhjetë vite jete të kaluara odave shqiptare, anekend trojeve tona, duke krijuar kënaqësinë e dashamirëve të artit muzikor,të folklorit shqiptar, janë një përvojë jete, një pasuri shpirti, e më shumë se kaq, edhe manifestim i  ndjenjës së brendshme të palodhur, të dehur në telat e çiftelisë e në melosin e ëmbël rekian. Shaban Shishmani është trashëgimtar i melosit të vjetër që e kanë kultivuar të tjerët para tij, si Maxhun Fazlia e Sadri Isufi, dy legjenda shekullore, pastaj vllaznit Botusha, Hajdari e Tahiri, e shumë të tjerë. Nga ato gjenerata, Shabani është trashegimtar i gjeneratave  të vjetra që mban të gjallë frymën  burimore të folklorit autokton  shqiptar  nga Rekë e Keqe.

-Fillimet rapsodike të Shaban Shishmanit.

Shaban Shishmani, lindur e rritur në fshatin Shishman të Rekës Keqe, Komuna e Gjakovë, në vitin 1948, nga një familje bujare e  njohur për urtësi, mirësi, patriotizëm e shumë vlera të tjera që janë trashëguar brezave tonë, pra një familje palcë ashti i shqiptarisë. Me këto karaktere u rrit dhe  u edukua edhe rapsodi Shaban Shishmani,i cili që disa vite jeton në lagjen Brekoc të Gjakovës. Edhe pse në këtë moshë,bukur të shtyrë, shpirti i tij ende nuk  ia  ka kërkuar pushimin e merituar prej rapsodi.

Ky rapsod i mirëfilltë, gëzon autoritet, jo vetëm në Rekë të Keqe të Gjakovës, por në gjithë rrafshin e Dukagjinit,në tëre Kosovën e trojet shqiptare.

Nuk kishte më shumë se njëmbëdhjetë vite kur filloi të merret me këtë “zeje” të shpirtit. As vet nuk e ka menduar që t’i bëjë mbi gjashtëdhjetë vite rrugëtim me gjithë  barrën e artit të bukur, të kapur damarëve të zemrës e mendjes. Por vitet ecin…

Në moshë të re pra, e njohu artistin tjetër të folklorit shqiptar, moshatarin, Zef Gashi nga fshati Korenicë e Gjakovës, me të cilin nuk u ndanë disa vite. Duke e tërhequr vëmendjen e popullit për këngën e bukur si art i vërtetë shpirtëror, shpejt u bënë të njohur në tërë Kosovën. Kështu, atëbotë, Lornec Antoni e Akil Koci,dy muzikologë të respektuar  në rrafshin kombëtar nuk hezituan, bënë inçizimet e para në vitin 1964 në Radio Prishtinën. Ato vite, zëri i këtyre dy të rinjve,Shabanit e Zefit,ishte hit,sinonim i çdo gjëje që njerëzit dëgjonin me kënaqësi të veçantë. Me këto suksese të papara deri atëherë,këta dy të rinj, mbetën pjesë e historisë së folklorit tonë burimor shqiptar. Këngët e dashurisë, për moshën e tyre dhe shumë deshira të tjera,ishin  kërkesë kohe. Këta dy rapsodë ndahen mes veti pas ca vitesh nga se Zefi(tani i ndjerë), drejtohet për shkollë të muzikës, ndërsa Shabani vazhdon me këngën i vetëm disa kohë, odave të Rekës së Keqe.

Trashëgimia folklorike e Shaban Shishmanit nuk është burim familjar, ndonëse veglave u kishin  rënë edhe babai me axhen, por është pasion  e ndjeshmëri përsonale artistike, i cili ndikoi shumë në frymëzimin e gjeneratave  pas tij. Në këtë kuptim, angazhoi në duet vëllain, Sokolin, pastaj me djalin e axhës, Nexhmedinin,i cili(tani), ndodhet ne SHBA.  Edhe ky “duet” vëllazëror nuk zgjati,nga se Nexhmedini kaloi në Radio-Prishtinë,ku bëri karrierë, ndërsa Sokoli në SHKA.”Jahë Salihi” të Nivokazit,ndër shoqëritë e afirmuara të kohës, gjatë viteve 80. Ndërsa, koka e këngës folklorike, kaloi në shoqërinë “Ganimete Terbeshi”, që ishte në kuader të fabrikës së tekstilit “Emin Duraku” ,Gjakovë. Një shoqëri me renome të kohës e cila brenda vetes kishte 12 anëtarë enkas për folklor. Kjo arritje ishte meritë e Agë Botushës së ndjerë, dikur drejtor financiar i fabrikës.

Shaban Shishmani si rapsod, gjatë karierës së tij jetësore i ka rënë fati të këndojë me shumë figura të këngëve folklorike, si me: Zenel Dolin, Ndec Gojanin, Zenel Gacaferin,Tafil Agen (instrumentalist), Sadik Kuçin, i “Grupi i Shaban Shishmanit”,me Muhamet Sejdiun,  Miftar Meten, Besim Avdylin etj. të gjithë nga rrethi i Gjakovës dhe qyteti . Emrat e këtyre burrave kanë lënë gjurmë të pashlyera në folklorin tonë popullor,në jetën kulturore, duke kultivuar vlerat artistike të një trashëgimie etnokulturore me shekuj.

-Autorësia krijuese e rapsodit Shaban Shishmani

Rapsodi Shaban Shishmani.

Duke qenë një përsonalitet me përvojë i folklorit burimor shqiptar,duke poseduar bagazh e dije në shpirtin melankolik të  vargut artistik, si rrjedhojë, burojnë vargje të autorësisë së autorit-tekste, të cilat me dijen e aftësinë përsonale i komponon dhe interpreton si autodidakt, me sukses të paparë. Duhet vlerësuar lartë- aftësia krijuese e këtij rapsodi,i cili vetëm gjatë viteve 90 e këndej, ka shkruar e komponuar mbi 15o tekste të ndryshme. Pëmbajtja e teksteve, kryesisht është patriotike e viteve 90-ta,ku i këndohet  okupimit klasik serb, dhe figurave të kohës, prijësve që ditën ta drejtojnë kombin në rrugën e fitores. Ndërsa në vitet 98-99 u këndon fuqishëm luftetarëve të lirisë, atyre që ranë në fushëbeteja për lirinë e këtij populli. Kjo familje (e rapsodit),ka dhënë një dëshmor, ish mësuesin Rexhep Binaku, të cilin e vranë barbarët në mënyrë  më të pa njerëzishme… E gjithë kjo punë mbi gjysëm shekullore e rapsodit Shaban Shishmani, nuk duhet të mbetet anash, në harresë, por vlen të jetë e pashme, e ndjeshme në vëmendjen e njerëzve kompetentë të artit tonë folklorik.

Për sukseset e tij të jashtëzakonshme,si prijës i grupit folklorik,ka qenë i ftuar shumë e shumë herë edhe jashtë vendit tonë, dhe përherë i kthyer me mirënjohje e lëvdata të lakmueshme për veten e të tjerët. Ka marrë pjesë (pas lufte) në Gjirokastër(2006) dhe me grupin e tij ka zënë vendin e parë në Festivalin e njohur,pastaj në Krumë të Hasit(2001),poashtu mer vendin e parë dhe shpërblehet me mirënjohje,dhe shumë vende tjera. Gjithsej mban më se 30 mirënjohje të karrierës për sukseset  si rapsod, me grupin e tij të lartëcekur. Një Mirenjohje të veçantë e mban me xhelozi nga kryetari i Gjakovës, Ardian Xhini, marrë para pak kohësh.

-Pozita e këngës folklorike dhe rapsodët  sot.

Duke njohur përvojën e Shaban Shishmanit, prej një rapsodi me përvojë të gjatë, natyrshëm lindi dëshira për ta ditur gjendjen e rapsodit sot dhe vlerat e folklorit në këto vitet e fundit, sipas mendimit të tij. Ishte kënaqësi të merrje një mendim aq të thukët . Pos të tjerash u shpreh:” Folklori nuk mund të humbë nga shpirti jonë. Ne jemi rritë nëpër shekuj me këngën folklorike. Jemi regjë e tymosur nëpër kohë, gëzuar e hidhëruar,trimëruar e luftuar gjithmonë nën ndikimin e këngës. Kemi rezistuar çdo dukuri negative, pra, kënga është vaji i burrit, kanë thënë gjithmonë.

Pas lufta, ceremonitë darsëmore, zjafete e kanagjeçe etj.e kanë zbehur fuqinë rapsodike. Mendoj se shkaktar kryesor është organizimi i ceremonive në të cilat bëhet muzikë tallava,muzikë e huaj përzier me melodinë tonë vetëm sa për të vallëzuar tërë ditën ose gjithë natën. Pra,nuk po kultivohet ajo forca e embriont shpirtëror që ngritë peshë zemrat,por një “kërcim-muzikë”. Këtë gjendje është mirë me e tejkaluar sa më parë. “Nuk e zëvendëson asgje këngën e shpirtit e të zemrës!” tha rapsodi Shaban Shishmani.Në vazhdim të bisedës “vodhëm” edhe dy prononcime  të figurave ndërkombëtare që në fillimet e viteve 2000 të cilët ishin në vendin tonë me detyrë nga OKB-ja.

Duke qenë musafir i ftuar në oden e Haradinajve të Glloxhanit,  zotëri Peterseni dhe gjenerali gjerman i KFORIT, ftohet për këngë folkorike, po ashtu dhe rapsodi Shaban Shishmani me grupin e tij. Pas pushimit, mes këngës e bisedave, zoti Petersen iu drejtohet shumë të rinjve në odë me fjalët:” Ju duhet t’i trashëgoni këto gjëra të bukura,veshjen,këngën.Folklori është pjesë e çdo populli në mënyrën e tij,andaj nuk duhet harruar kurrë. Sa bukur këndon Saban Shismani( në mungesë të theksit SHSH)”

I njëjti rast rapsodit Shaban Shishmani i kishte ngjarë edhe në Kullen e Haro Bajraktarit të Vranocit, ku prezent ishte kongresmeni Engel Eliot, i cili, të rinjve u dha të njëjtën porosi, sikur edhe zotëri Petersen më parë.

Autori i tekstit bashk me rapsodin Shaban Shishmani.

Trashëgimia folklorike si art, gjithmonë ka ushqyer shpirtin e njeriut nëpër kohë,  si frymëzim për liri, humanizëm, drejtësi, dashuri, ideal kombëtar. Bashkë me këngën, populli ynë është rritur duke u edukuar për luftën për liri, deri në mitologjizëm, për sakrificen , për dashurinë, etj. Prandaj, si pjesë e historisë sonë dhe ndjenjë shpirtërore e pandarë, kurrë nuk duhet nënvlersuar cilësitë dhe efektet e saja historike, por patjetër se folklori dhe rapsodi duhet të jenë pjesë e jetës sonë.

Në këtë rast,edhe rapsodi në fjalë, z.Shaban Shishmani, mbetet pjesë e kësaj historie të mirëfilltë e të lavdishme, të ecjes sonë rrathëve të historisë, për afër 60 vite jete e pune.

 

Gjakovë, Shtator 2019

Ik – Poezi nga Neki Lulaj

Poezi për nje njeri që edhe emrin nuk e meriton që ta përmendësh

 

 

 

Ik, sa më larg ik  ti që miqtë  si numra i ke vlerësuar.

Ti që nëpër vite ke dhuruar mashtrime e intriga.

Mos e rëndo askënd me dyfytyrësinë e sterruar!

Të perëndojë me ty njerëzorja  ku portë është  smira.

 

Miqtë i ke vlerësuar vetëm me numra në tabelë.

Duke thenë  çuditërisht se vetëm ti ishe në botë .

Me intrigat e tua qumështi  të doli mbi përshesh.

Ty  zili ta kanë vetëm  dhelprat  në strofkë.

 

Oo ishe si lule ku spërkatej gjaku pabesia.

E si hunda e Pinokut mendja t’u rrit dhe më shpejt.

Lule shpërthen edhe kaktusi tej te  shkretëtira.

Ti shtireshe si engjëll me zemrën e iriqit në kënetë.

 

 

Shko te Mbretëria e Djallit të egër e të zi si blozë

Mbase ka një vend të madh atje në atë xhungël me gjemba

E ne, këtu, të mësojmë që njeriun  së pari ta provojmë

Që nesër të mos bëhemi mbjellës të gjembave në ferra.

KALEMI – Poezi nga MURAT ISAKU

 

S’t’u nda kurrë nga jeta
edhe atëherë kur dikush gjuhën ta nxirrte pas shpine
sikur të villje ndër sofrat e huaja,
kalem i dashur,
biri im i vetëm
i vetëm në gjini të madhe…

Nuk e di si mbeta gjallë me shpirt e pa shpirt
Njësoj si druri me kurubë të qëruar

Besoja se pranë teje
or kalem, or lalë,
mund të vdisja vetëm një herë pa u tallë
një ditë apo një natë
dhe të kalbesha për fije me këmbët e shtrira në arë
pa kërkuar mbiemrat e varreve
të njerëzve të vegjël apo të mëdhenj…

Kam pritur si pret kulla të zotin në dit baroti
se një ditë do të faleshin shirat e motit
që shpirtin ta çelësh si çel shelgu ndër kroje
e të pohoje se ka rrugë të ngushta
kur tym të zi nxjerrin edhe lotët.

M’fal pse këtë s’ta besova
se vetëm zemra e poetit
kokën e mban lart ndër shtiza të mortit
edhe atëherë kur të tjerët gjuhën ia nxjerrin …

DITËN QË S’E DOJA – Poezi nga MURAT ISAKU

Pikërisht ajo ditë që s’e doja
më mori në qafë,
s’më la t’i shkul gjembat
në trupin tim
kur në lojë lidhin shtat
s’më la t’i mbledh ëndrrat në shuplakë…

Nepc qeni kishte pasur ajo ditë
një ditë e përdalë
që shkoi të mbushë ujë në fshat
me dy buçela në krahë…
Ia bëra me dorë hapin ta ndalë
por as më pa më – as e pashë
si nuk shihen dy pika uji në rrasht…

Gabova pse linda atë ditë, që merr në qafë,
e fshihet pas shpine si shtogu në mal…
As shiun më përdore s’do t’ia marr,
se n’gjini s’do t’i shkel
si mysafir i rrallë…

Gabova pse nuk e zgjodha një ditë më të bardhë…

 

ZONJUSHA NËPËR SHI – Poezi nga MURAT ISAKU

 

Dy drunj flinin bashkë në këtë shi të parë
të ngjitur njëri me tjetrin bel e shalë,
të dytë merrnin një frymë
dhe hynin në një shtat…

Atypari zbathur hiqej kjo zonjushë,
që me ëndrra i mbushte gjinjtë
thellë nën këmishën e bardhë,
priste dikujt t’i hidhej n’përqafim sa më parë
si druri i dytë drurit të parë…

^

 

OXHAKU PARA DRITARES – Poezi nga MURAT ISAKU

 

Çdo mëngjes në dritaren e jugut, n’rrugë që varfëron,
takohem me oxhakun e një shtëpie të vjetër,
i cili asnjëherë nuk e lëshon kokën mbi tjegull
që të marrë një sy gjumë,
një frymë,
të harrojë kush e merr nëpër gojë…

Rrimë kundruall njëri tjetrit dhe s’bëjmë zë,
të dytë ndoshta gëzojmë një botë:
unë plakem me dy duart mbi makinën e shkrimit
ai me supet midis zogjve të dimrit…

Nganjëherë më vjen t’i them njerëzisht:
Mirëmëngjesi, fqi i mirë,
or vëlla,
si gdhine sot n’këtë ditë të bardhë?!
Por nuk e nguc,
sepse ka gjëra prej të cilave s’e merr përgjigjen dot.

Një ditë buldozerët e rrënuan shtëpinë,
i pari që ra me kokë përdhe qe fqinji i mirë.
Tash dritarja ime hedh vështrimin larg e larg…
Sheshi i qytetit është bërë më i madh
ku të rinjtë puthen e ndrydhen më këmbë…

Vetë kujtimi im i pangirë më gjumë
– njësoj si oxhaku me tym
hesht me pleqërinë në krahë
duke fshirë me dorë avullin në xham
e duke i pëshpëritur atij: ”lamtumirë, or mik”

 

PLAKU AFËR ZOTIT – Poezi nga MURAT ISAKU

 

Një plak heq shpirt afër Zotit
dhe miqtë i kujton një nga një
si drunj shelgjesh në varg buzë përroit të gjatë…

Të dy duart i shtrin në kokë
është ky ankim
kur avujt ia zënë sytë si një vrundull tym.

I shtiret një udhë e vjetër me shi – orëliga,
atëbotë i dukej se e thërret dikush jashtë,
fjala ia mbush gojën
mandej kullon si rrëshirë – pa ankth.

Aty mbrëmja vjen e thatë
njësoj si gryka e tij plot shpuzë,
njësoj si sytë e tij pa gjak…