Voltiza Duro – Rreth 100 mijë gra e vajza që punojnë në sektorin e fasonerisë, janë të skllavëruara. Ato nuk trajtohen me dinjitetin që u takon, por thjesht si makineri pune në zinxhirin e prodhimit. Ky është konkluzioni i arritur nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Anisa Subashi, zv. presidente në këtë sindikatë tregon të gjitha problematikat me të cilat ndeshen sot punonjëset e rrobaqepësive e këpucarive. Ajo shton se në shumë raste, punëdhënësit u kërkojnë të kthejnë pas një pjesë të pagës, duke shkelur kështu kodin e punës. Subashi thekson se KSSh i ka kërkuar qeverisë që të miratojë një status të veçantë për këto punonjëse, një prej pikave të së cilit është paga minimale prej 300 mijë lekësh të vjetra.
Cilat janë disa nga problematikat me të cilat ndeshen sot vajzat e gratë shqiptare?
8 marsi është një ditë proteste dhe jo feste! Problemet e grave në Shqipëri janë në dimensione shumë-planëshe. Ato fillojnë që nga mentaliteti tradicional, kultura dhe emancipimi shoqëror, pabarazia në marrëdhëniet e punës, diferenca në pagë e në pozicione drejtuese, modelet e gabuara gjinore. KSSH tashmë është bërë pjesë aktive dhe po udhëheq gjithë aksionin e fushatës sindikale të ndërmarrë, me takime promovuese dhe sensibilizuese me të gjithë aktorët social, punëmarrësit, punëdhënësit dhe qeverinë. Vazhdimisht përpiqemi që në Kontratat Kolektive të ndikojmë që gratë të kenë të njëjtat të drejta dhe detyrime me burrat në vendin e punës, por praktikisht kjo vazhdon të mos realizohet pasi në shumë profesione burrat ndjehen më të avantazhuar.
Cilët janë sektorët më të vështirë të punës për femrat?
Rezulton se femrat janë prezente më shumë numerikisht sesa burrat në sektorë si administratë, shërbime, arsim, shëndetësi, tregti, banka, informatikë, kompani sigurimesh, fasoneri, etj. Nga të gjitha këto sektorë, ato që kanë të bëjnë me punën e krahut dhe që përdorin teknologji të ulët, janë profesione që paraqesin vështirësi dhe për rrjedhojë, shfaqin edhe rrezik për shëndetin apo për fizikun e grave, siç është industria fasone, bujqësia, etj.
Sa respektohen kontratat e punës dhe a paguhen rregullisht sigurimet e punonjësve?
Kontratat e punës janë mjeti institucional që jo vetëm garanton besimin dhe detyrimin reciprok rreth palëve, por institucionalizon marrëdhënien e punës, konform ligjit në fuqi. Kontratat Individuale të punës, në saj të masave shtrënguese të qeverisë dhe detyrimeve ligjore, pothuajse nënshkruhen nga 100% e të punësuarve, por këto kontrata, në pjesën më të madhe të tyre janë formale, kopje e legjislacionit në fuqi dhe shpesh në disfavor të punonjësve, pasi nuk kryhet njohja dhe informimi i punonjësit me të drejtat, detyrimet e tij dhe me mbështetjen ligjore që duhet të ketë kjo kontratë. Shpesh këto firmosen në mënyrë të njëanshme, pa u lexuar nga punonjësi dhe atij nuk i jepet në dispozicion një kopje në bazë të ligjit, por mjaftohen vetëm me depozitimin e tyre tek punëdhënësi.
Në këto kontrata shpesh nuk përcaktohet paga, orari i punës, shpërblimi, mbrojtja nga diskriminimi, pa folur pastaj për kontratat e punës me kohë të pjesshme, apo me material porositësi për punët në shtëpi, tele-punës, etj., të cilat asnjëherë nuk nënshkruhen konform ligjit. Në këto kontrata asnjëherë nuk përfshihet çështja e kualifikimit periodik, apo të mësimit të profesionit, si detyrime të punëdhënësit për t’i garantuar këto shërbime falas nga ana e punëdhënësit.
Sa është numri i grave që punojnë në fasoneri dhe a janë të deklaruara këto vende pune?
Veçanërisht në këtë 10-vjeçar, industria e fasonerisë dhe ajo e call-center kanë shërbyer si valvula për të shfrenuar problemet sociale, veçanërisht ato të papunësisë. Është e vërtetë që këto industri punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish. Industria fasone punëson punonjës të pa-kualifikuar, ose me kualifikim të mesëm. Shifrat e të punësuarve në këtë sektor shpesh janë kontradiktore pasi informaliteti dhe punësimi sezonal, apo punësimi me kohë të pjesshme është vështirë për tu verifikuar. Nga shifrat zyrtare pretendohet se janë rreth 75 mijë punonjës në sektorin e fasonerisë, por statistikat e biznesit flasin për rreth 100 mijë të punësuar në këtë industri. 95% e këtyre të punësuarve janë gra dhe pjesa më e madhe e tyre me moshë nën 40 vjeç.
Sa varion paga në këtë sektor dhe a e justifikon sadopak vështirësinë që mbart kjo punë?
Pjesa më e madhe paguhet me pagë minimale zyrtare, 26 mijë lekë. Janë të shumta rastet e evidentuara nga ne, ku disa kompani apo ndërmarrje i paguajnë punonjësit 26 mijë lekë në bankë dhe pastaj i detyrojnë ato që t’i kthejnë një pjesë të shumës (5000 – 7000 lek). Ky fenomen nuk është vetëm në fasoneri, por edhe në sektorë të tjerë privat, si tregti, shërbime hoteleri-turizëm, polici private, etj. Paga që këto punonjëse marrin nuk e justifikon vështirësinë e profesionit, pasi ato punojnë në këmbë, nën zhurma dhe dridhje, kimikate, etj.
Industria fasone fatkeqësisht në Shqipëri vazhdon të shikohet si prioritet punësimi dhe zhvillimi, por e vërteta është ndryshe, pasi kjo industri më shumë i skllavëron punonjëset sesa plotëson nevojat ekonomike dhe u jep atyre një punë të denjë. Këto biznese të cilat janë kryesisht të huaja, i prodhojnë produktet e tyre me kosto krahu pune të lirë dhe anashkalojnë zbatimin e ligjshmërisë së punës.
Si paraqiten kushtet e punës në fasoneri dhe si trajtohen punonjëset?
Diskriminimi i punëtorëve në këtë industri po kalon në disa dimensione të gjëra, të cilat tashmë janë bërë shqetësim, jo vetëm për sindikatat, por për të gjithë shoqërinë në tërësi. Punonjëset këtu përballen me kushte pune dhe prodhimi nën dinjitetin njerëzor, shpesh kjo e shoqëruar dhe me arrogancën e administratorëve apo pronarëve. Ligji i punës këtu zbatohet formalisht dhe është e pamundur që strukturat ligj-zbatuese të shtetit të ushtrojnë me efikasitet kontrollin e tyre. Punonjëset shpesh trajtohen jo si qenie humane, por si makineri pune, në zinxhirin e prodhimit. Ato punojnë me orë të zgjatura, me norma të rritura dhe të pa studiuara teknologjikisht, qëndrojnë në kushte të kufizuara dëgjimi dhe shikueshmërie, si dhe përballen me agjentë kimik të bojërave kimike. Pjesa më e madhe e këtyre ndërmarrjeve janë kapanone të ish- ndërmarrjeve socialiste, të përshtatura, të cilat pamundësojnë plotësimin e standardeve për ajrim, ndriçim, mensë, dhomë mjeku, etj.
Cilat janë disa nga zgjidhjet që sindikata juaj sugjeron për zgjidhjen e problematikave të sipërpërmendura?
Ne po i kërkojmë qeverisë shqiptare, që për gratë që punojnë në sektorin fason, shumica e të cilave vijnë nga familje me problem të theksu1ara ekonomike dhe sociale, të hartohet dhe miratohet një status i veçantë për to.
Ky status, ndër të tjera, duhet të përfshijë që paga minimale për këto punonjëse të jetë 30 mijë lekë; këto punonjëse në mënyrë detyruese duhet të kryejnë të gjithë vizitat periodike për sëmundje profesionale, si dhe të kryejnë mamografinë falas me shpenzimet e shtetit, apo të punëdhënësit; Bashkitë duhet ti japin prioritet përfshirjes sociale të tyre duke garantuar me ligj përfitime ekonomike dhe dhënies prioritet për sa i përket skemave të strehimit social të pushtetit vendor; për fëmijët e këtyre punonjësve në shkollë të mesme ose në shkollë të lartë jashtë rrethit ku jetojnë t’u jepen bursa studimi.
Komentet