VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

European leadership remains incompetent to solve its own problems without assistance of the USA By Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD, MME (Uni Bern)

By | July 24, 2019

Komentet

Edukimi i fëmijëve bëhet në familje dhe shkolla jo në xhami! Nga Elida Buçpapaj

Ju ftoj që t’i shihni këto foto dhe këta fëmijë, këto vajza të vogla të veshura me soj hixhabi (hijab).

Ku janë bërë këto foto sipas mendjes tuaj?

Në Iran, Arabinë Saudite?

Përgjigjen po e jap unë.

Ata janë fëmijët tanë, emrat i kanë Erblina, Diella, Shkumbin, Tomorr, Vesa, Shqiponjë dhe janë pjesa e gjeneratës të re të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët në vend të gjuhës shqipe, mësojnë arabisht;

Skandaloze apo jo!

Ata fëmijë të fiksuar në foto kanë lindur në Zvicër, në një vend sekular, që respekton besimin me kushtetutë, por që, në jetën publike të vendit, besimi i takon tërësisht sferës private, ndërsa ato vajza të vogla shqiptare që posa kanë filluar pubertetin apo jetën e bukur të adoleshencës janë të detyruara të mbajnë veshje të imponuar nga feja dhe flokët e tyre të bukura prej fëmije t’i lidhin me shami!

Ka një trend shumë alarmant. Ndërsa shkollat shqipe në Zvicër po zbrazen nga fëmijët e komunitetit shqiptar, po shtohet frekuentimi i tyre nëpër xhamitë shqiptare, frekuentim që nis prej moshës minorene.

Një mendje diabolike po i orienton prindërit e komunitetit shqiptar që t’i çojnë fëmijët e tyre të nxejnë mësime të fesë dhe t’i binden rregullave të saj, kur vetë zviceranët i binden dhe respektojnë ligjet e Kushtetutës së vendit të tyre.

Besimi fetar në kushtetutën e Zvicrës është zgjedhje e lirë, por pa cënuar laicitetin dhe sekularitetin e Konfederatës Helvetike. Seicili beson, pa prishur lirinë e besimit të tjetrit, por në respekt të rregullave të një vendi të emancipuar dhe modern.

Dikur Zvicra ishte pothuaj e gjitha me besim krisitian, ndërsa sot në përbërjen e saj ka edhe një komunitet mysliman, që mendohet se shkon rreth 700 mijë. Ky komunitet, pjesë e të cilit është edhe komuniteti mysliman shqiptar, erdhi në Zvicër, jo si etnitet fetar, por si emigrantë, në kërkim të strehës, të sigurisë, punës dhe dinjitetit. Dikur prindërit e këtyre fëmijëve, që sot i çojnë nëpër imamë, ishin njerëz pa asnjë bazë ekonomike, në mëshirë të fatit, të larguar nga vendi i prejardhjes pasi aty nuk kishte asnjë shpresë. Në Zvicër nuk u diktoi askush që të ndryshonin fenë, përkundrazi sistemi u krijoi kushte që ata të gjallnojnë, të bëjnë një jetë me dinjitet dhe begati, të krijojnë familjen e të integrohen si pjestarë të shoqërisë në jetën e vendit.

Të gjithë fëmijët zviceranë vishen me rroba të zakonshme, ndërsa ka fëmijë shqiptarë që vishen me hixhabë, duke u dalluar si etnitet fetar në një vend sekular!

Kur kemi ardhur në Zvicër më 1992 dhe vendosur këtu prej fillimvitit 1996, komuniteti shqiptar jepte 3% të pagave për të mbajtur institucionet paralele të Kosovës dhe po ashtu për të financuar arsimin pasi krimineli Milosheviç i mbylli të gjitha shkollat shqipe, në të gjitha nivelet deri edhe Universitetin e Prishtinës.  Prej asaj kohe u krijua edhe LAPSH-i, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër dhe në të gjithë Konfederatën u hapën shkollat e gjuhës shqipe, që frekuentoheshin nga fëmijët shqiptarë.

Deri sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, komuniteti shqiptar në Zvicër kishte një orientim thellësisht Perëndimor dhe vizioni i tij pati si kauzë lirinë, pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe po ashtu i kontribuonte edukimit të brezit të ri, duke u krijuar kushte që fëmijët të mësonin gjuhën amëtare, historinë dhe kulturën.

Me vdekjen e Rugovës, komuniteti shqiptar në Zvicer është futur në qorrsokak. Për shkak të ndikimit shumë negativ që vjen prej politikave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësitë diplomatike të së cilave në vend që të jenë unifikuese, përmes urave kulturore dhe gjuhësore, kthehen në instrumenta imponuese dhe përçarëse.

Përpara 3 dekadave në Zvicër nuk kishte xhami shqiptare. Në dhjetëvjetëshin e fundit numëri i xhamive ka arritur 85 dhe tendenca është në rritje. Ndërsa shkollat shqipe në zbritje. Ndërtimi i xhamive apo blerja e objekteve të kultit kanë kushtruar qindra milionë franga, të cilat mund të ishin investuar për shkollat shqipe, mediat, jetën kulturore dhe  artistike në të mirë të interesit të komunitetit dhe sidomos brezit të ri.

Nëse komuniteti shqiptar në Zvicër do të vijonte një zhvillim normal të shkollës shqipe, për 30 vjet rrugëtim, shkolla shqipe dhe mësimi shqip do të duhej të ishte i përhapur në çdo komunë dhe frekuentimi do të duhej të vinte gjithmonë në rritje. Vetë Zvicra është e interesuar duke vënë në dipozicion objektet e mësimit dhe dhpesh herë edhe ka financuar vetë.

Por një dorë e zezë i orienton prindërit e fëmijëve shqiptarë jo drejt shkollave shqipe, por nga xhamitë, jo në gjirin e universit të dijeve dhe të mësuesave, por tek klerikë të cilët i referohen fesë sikur të jetë ligj, kur ligjet janë të vendosura me Kushtetutë.

Kur kam biseduar me mësuesit e LAPSH-i, ata pohojnë faktet rëqethëse me zemër të plagosur, por nuk kanë fuqi të ndikojnë në komunitet; ndërsa përfaqësitë diplomatike shqiptare edhe pse kanë marrë sinjale të qarta nga shteti zviceran bëjnë shejtanin indiferent. Dhe dihet se indiferentët marrin anën e regresit sepse vetëm kështu mund ta përçajnë komunitetin në interes të tyre.

Kjo është situata e e një pjese të brezit të ri të komunitetit shqiptar në Zvicër, (uroj të jetë sa më e vogël) që rrezikon të marrë një orientim dhe formim fetar.

Imamët shqiptarë në Zvicër e (sh)përdorin Kushtetutën zvicerane dhe abuzojnë në lirinë fetare, së pari se shqiptarët si komb nuk kanë as formim fetar dhe nuk vijnë nga shtete teokratike dhe së dyti, unë nuk besoj që në Kushtetutën e Zvicrës ka ndonjë klauzolë ku të lejohet që në moshën minorene apo pa arritur moshën madhore edukata dhe veshjet fetare. Imamët shqiptarë në Zvicër u imponojnë fëmijëve rregullat islame, jo vetëm brenda objekteve të kultit, por edhe jashtë tyre, duke krijuar barriera në integrimin e tyre në jetën sociale, pasi vajzat janë të detyruara të mbajnë hixhabë.

Unë mendoj se kushtetutshmëria e shtetit sekular zviceran cënohet edhe në faktin se zgjedhjen fetare njeriu e bën në moshë madhore, kur vendos se cilës fe i përket, të jetë monoteist, politeist apo ateist. Dërgimi i fëmijëve nëpër xhami dhe imamë për t’u edukuar me fe dhe mësuar arabisht bëhet nga prindërit, çka duket edhe si shkelje e lirive të individit, pasi fëmijëve u imponohet rregulla, që nuk i ka shoqëria ku jetojnë, që për ta i marrin të tjerët dhe jo ata vetë.

Nga ana e tij, shteti zviceran është shumë i kujdeshëm dhe vigjilent për të mbajtur nën kontroll situatën. Kur rrezikon të dalë jashtë kontrollit veprojnë mekanizmat demokratike, sikur janë referendumet dhe iniciativat që nëse marrin shumicën e votave kanë fuqi ekzekutive ligjore.

Sikur është vepruar në kantonet e Tiçinos dhe Sant Gallen ku prej disa vitesh është ndaluar me ligj mbajtja e burkës dhe nikab-it.

Po bien kambanat e alarmit dhe ka ardhur koha që komuniteti shqiptar në Zvicër të organizojë forcat e veta, për t’u orientuar drejt rrjedhave që përkojnë me sistemin që ka Zvicra, shtet që e mbaron me kushtetutë plurikulturalizmin, dmth që inkurajon dijen dhe kulturën e komuniteteve.

Mos harrojmë se feja e shqiptarit, sipas Vaso Pashës është shqiptaria! Të mos harrojmë, poetin e Rilindjes, Naim Frashëri, që na ka lënë amanet se vetëm drita nga dija e diturisë përpara do të na shpjerë; mos harrojmë se orientimi i shqiptarëve është Perëndimi dhe vlerat e humanizmit.

Mos harrojmë se Zvicra na mikpriti, na dha strehë e dinjitet, na krijoi kushte për integrim dhe zhvillim, na bëri pjesën e saj, sepse pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar është e natyralizuar dhe ne e kemi detyrë të respektojmë kodin e rregullave e mikpritësit!

Por mos harrojmë kryesoren se fëmijëve u kemi borxh t’i edukojmë e t’i shkollojmë si qytetarë të ndershëm, në një shoqëri të lirë me sistem demokratik. Gjeneratat e reja nuk kanë orientim fetar, sikur nuk kemi as ne prindërit e tyre. Gjeneratave të reja u takon e ardhmja, progresi, sepse janë të ndriçuara nga dija dhe vetëdija si qytetarë të një shoqërie Perëndimore që do ta ndryshojnë botën për më mirë dhe kurrësesi ta kthejnë pas.

 

Në prehrin e shqetësimeve të një intelektuali të shquar – Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

      

I dashur Profesor Fatmiri,

Esenë tuaj me titull “Lideri opozitar me dimensione te reja?” e lexova me shumë kërshëri. E kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj, i cili buron nga honet e shpirtit të një intelektuali të shquar. Juve ju bren përbrenda perspektiva e zhillimit të vendit tonë, i cili tani ndodhet në një udhëkryq, paçka se kanë kaluar gati tridhjetë vjet që nga koha e vendosjes së sistemit pluralist. Si një intelektual me një botëkuptim të rrënjosur përparimtar, në konsolidimin e të cilit pa diskutim që ka ushtruar ndikimin e vet edhe kultura britanike e ndërtimit të demokracisë, ju, si një përfaqësues i shquar i Diasporës shqiptare në Perëndim, nuk e ndieni veten të qetë për shkak të gjendjes ku është katandisur vendi ynë. Ju, si edhe mjaft intelektualë me ndërgjegje të admirueshme kombëtare, po vëreni se horizontet e botës shqiptare i kanë pllakosur re të dendura erratake, të cilat s’po e lënë diellin jetëdhënës të çajë drejt hapësirave të saj. Prandaj ju shtroni pyetjet e mëposhtme:

“Çfarë ftese duhet të fillojmë të mendojmë për vendin tonë përmes horizonteve të reja? Dhe pse këto reflektime mund të kombinojnë dyshimin dhe shpresën?… Cilët janë faktorët dhe kontekstet e shumta që ndikojnë në zhvillimin tonë?”.

Gjithçka që trajtoni ju në esenë tuaj me merakun e një intelektuali shembullor për perspektivën e atdheut tonë, të bën të shtrosh pyetjen:

“Si shpjegohet që vendi ynë, me një pozicion gjeografik kaq të mirë, me pasuri të bollshme mbitokësore dhe nëntokësore, të jetë vendi më i varfër i kontinentit?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është brenda vetes sonë. Kjo gjendje e ka burimin në përçarjen tonë ndërshqiptare, e cila ka traditë të lashtë pellazgoiliriane. Paraardhësit tanë të lashtë kishin një shtrirje që nga Adriatiku deri në Detin e Zi, që nga Egjeu deri në Danub, një shtrirje kjo e përmasave të një perandorie. Por ata, për shkak të përçarjes që i karakterizonte, nuk qenë të aftë të ngrinin një perandori. Por, çuditërisht, nga radhët e tyre kanë dalë perandorë në shërbim të të huajve. Se dihet historikisht që 20 perandorë romakë, duke filluar nga Deciusi (249-251) deri te Justiniani I (527-565) e kanë pasur prejardhjen nga Iliria. Po ne nuk duhet të mburremi, përkundrazi, duhet të na vijëe zor nga bota që këta perandorë kanë qeverisur një perandori të huaj dhe s’kanë qenë të zotë të ngrinin perandorinë e vet.

Tjetër burim i varfërisë sonë është mercenarizmi. Ilirët, siç e dini edhe ju, në bazë të Ediktit të Milanos të perandorit Konstandin të vitit 313, pranuan të parët krishterimin perëndimor. Por shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, pas dyndjes së perandorisë otomane drejt Gadishullit Ilirik, në shumicën e tyre, braktisën krishterimin dhe përqafuan Islamin. Pse e bënmë një gjë të tillë? Sepse donin të mos paguanin taksa dhe të zinin poste në strukturat shtetërore të perandorisë. Ju e dini fare mirë se kanë qenë 36 kryeministra shqiptarë në atë perandori, por asnjëri prej tyre s’e ktheu kokën prapa dhe të kujtohej për Shqipërinë, ku gjuha shqipe qe ndaluar për më shumë se katër shekuj. Ju i keni lexuar të dy vëllimet me kujtime të Eqrem bej Vlorës dhe e mbani mend shumë mirë se çfarë shkruan ai. E kishte bredhur cep më cep perandorinë dhe kudo në krye të institucioneve kishte gjetur shqiptarë, madje edhe punonjësit e shërbimit të rojës në ato institucione ishin shqiptarë. Në portalet e internetit keni lexuar për jetën e gazetares së shquar shqiptaroamerikane të CNN-it, Nexhmije Zaimi (1914-2001),  e cila ishte nga Libohova. Gjatë udhëtimeve nëpër botë, kjo gazetare e shquar takohej me kryetarë shtetesh të ndryshme. Në një takim me mbretin Husein të Jordanisë, mbeti e befasuar: truproja e mbretit Husein prej 60 vetash përbëhej krejtësisht nga mercenarë  shqiptarë.

Nënkuptohet që mercenarizmi shoqërohet me servilizmin para të huajve. Dhe kryeservilët e të huajve janë politikanët shqiptarë. Ata mendojnë se me servilizmin ndaj të huajve, do të fitojnë përkrahjen e tyre për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Për shkak të etjes për pushtet, nuk janë në gjendje ta kuptojnë se me servilizmin e tyre ata fitojnë përbuzjen e heshtur të të huajve. Por dukuritë e mercenarizmit dhe të servilizmit të politikanëve shqiptarë ndaj të huajve, domosdo që do të sjellin si pasojë mungesën e respekti ndaj popullit. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në vend që të lëshonte kushtrimin për ngritjen e popullit më këmbë dhe për krijimin e forcavë të armatosura, u ngrit e shkoi në Londër që t’i lypte Eduard Greit të mos na copëtoheshin trojet etnike. Prandaj Eduard Grei tallej me të dhë bënte humor me Isa Boletinin lidhur me fshatin e lindjes së këtij të fundit. Ky qëndrim i Ismail Qemalit reflektonte mungesën e besimit të tij në forcat krijuese dhe energjitë e pashtershme të popullit shqiptar. Enver Hoxha, duke mos pasur besim te populli shqiptar, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit të vitit 1947, bënte thirrje për bashkim me Jugosllavinë se kishte frikë se mos vendin tonë do ta gëlltiste imperializmi.

Shqiptarët, në të njëjtën kohë, i ka marrë në qafë individualizmi, i shoqëruar me smirën e tmerrshme për njerëzit e talentuar.

Si një intelektual mendjehollë, i shqetësuar për fatet e vendit, ju shkruani:

“Rrallëherë mendojmë për të ardhmen në një afat më të gjatë prej disa vitesh. Kam ndjenjën se elita e sotme politike e ka humbur këtë perspektivë strategjike”.

Keni shumë të drejtë. Prandaj kërkohet një ndryshim rrënjësor, kërkohet një përmbysje e kësaj mendësie sa bajraktariste, aq edhe gjëmëndjellëse në qeverisjen e vendit. Po a është i mundur një ndryshim rrënjësor, a është e mundur një përmbysje e tillë, që të hapë një perspektivë shpresëdhënëse për mbarë popullin tonë dhe sidomos për brezin e ri? Vallë a do të jetë e mundur që kryetari i opozitës Lulzim Basha të shndërrohet në një Yll Karvani për mbarë popullin shqiptar? Një i tillë Yll Karvani, me një mori “yjesh” shoqërues rreth tij, sot është më se i domosdoshëm në “qiellin” shqiptar. A do të jetë në gjendje Lulëzim Basha të japë shembullin personal të një kryeministri që bën një jetë normale në një apartament të zakonshëm, si kancelarja gjermane Angela Merkel. Disa vjet më parë, revista amerikane “Forbes” e vlerësonte kancelaren gjermane si zonjën më me ndikim në rruzullin tokësor. Revista i njihte lexuesit edhe me disa fakte interesante: Angela Merkel jeton në katin e katërt të një pallati shumëkatësh, me adresën: 10117 Berlin, Am Kupfergraben, 6. Në revistë theksohej se gjatë 12 vjetëve kancelarja Merkel nuk kishte pasur absolutisht rritje page.

A do të heqë dorë Lulëzim Basha nga listat e mbyllura për zgjedhjen e deputëtëve, lista që i nxorën bojën keq Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2017? Për shkak të atyre listave të mbyllura, pas largimit përfundimtar të opozitës nga Kuvendi, në ndenjëset e tij u ulën njerëz të botës së askushit, midis të cilëve ka nga ata që i thonë këmbës dorë.

A do të jetë në gjendje Lulëzim Basha ta rritë autoritetin e popullit në sytë e klasës politike, duke iu drejtuar atij shpeshherë për marrje vendimesh të rëndësishme nëpërmjet zhvillit të referendumeve, jo vetëm të nivelit kombëtar, por edhe të nivelit vendor, siç veprohet në një vend të vogël, si Zvicra?

A do të mendojë dhe të punojë Lulqzim Basha për çrrënjosjen e psikologjisë komuniste nga truri i politikanëve shqiptarë, të cilët, kur hipin në majat e pushtetit, mendojnë se kanë kapur qiellin me dorë, duke dashur të mbeten përjetësisht në krye të politikës?

Vallë a do të jetë në gjendje Lulzim Basha ta ngrejë veten deri në atë shkallë emancipimi politik, saqë nesër, si Kryeministër i vendit, t’i bëjë thirrje popullit që, për paudhësitë e politikanëve të ndryshëm, ai të çohet peshë më këmbë dhe të kërkojë largimin e politikanëve përkatës nga skena politike?

Gjatë qeverisjes së vendit, Edi Rama ka lejuar që popullit të thjeshtë t’i rripen shtatë lëkurë me taksa të larta, më të lartat në vendet e rajonit, pa ngritur pagat dhe pensionet. A do të jetë në gjendje Lulzim Basha t’i ulë taksat dhe të ngrejë pagat dhe pensionet, për t’iu afruar shkallë-shkallë vendeve fqinje?

Lulzim Basha ka pasë deklaruar shpeshherë se paratë e grabitura do t’u merren oligarkëve dhe do t’i jepen popullit. Lind pyetja: a duhet marrë seriozisht një deklaratë e tillë?

A ka garanci Lulzim Basha se nesër, kur mund të jetë Kryeministër i vendit, nuk do të bjerë nën ndikimin e oligargëve, të cilët mund t’i diktojnë vullnetin e tyre?

A mendon Lulzim Basha për heqjen e taksës në Rrugën e Kombit, Simbolin e Ribashkimit, e cila krijoi mërinë e parë me Kosovën? Mos vallë qenka e pamundur që mirëmbajtja e Rrugës së Kombit të përballohet nga shteti, duke vjelë nga pak para nga bizneset e pasura?

A mendon Lulëzim Basha se ka ardhur koha që klasa politike shqiptare duhet të heqë dorë nga servilizmi ndaj të huajve? A mendon ai se ambasadorët e huaj duhet ta ushtrojnë aktivitetin e tyre brenda mureve të ambasadave dhe s’kanë punë të futin hundët në çështjet e politikës shqiptare dhe, përgjithësisht, të popullit shqiptar? Praktika e deritanishme ka treguar se ambasadorët e huaj janë kthyer në guvernatorë të neveritshëm të Brukselit në Shqipëri dhe me qëndrimet e tyre kanë fyer rëndë popullin shqiptar. Shëmbulli më flagrant ishte qëndrimi i amasadorit të OSBE-së Boshar (Borchardt), i cili i ofendoi rëndë banorët e Astirit, duke ju nxjerrë gishtin e mesit. Ai ambasador e prezantoi veten në një mënyrë të pahijshme, por kryeministri Rama nuk reagoi absolutisht. Madje ai duhej të kishte qenë i  pari për t’i treguar vendin atij ambasadori me sjellje të turpshme, duke e dëbuar një sahat e më parë nga Tirana. Pas fyerjes publike që ai ambasdador u bëri banorëve të Astirit, Brukseli u ngrit në mbrojtje të tij, çka dëshmon për qëndrimin e tij përbuzës ndaj vendit tonë, pikërisht për shkak të servilizmit të politikanëve të Tiranës. Shikoni edhe qëndrimin e ambasadorit të Bashkimit Evropian Soreka. Ai sillet sikur është anëtar i asamblesë së partisë socialiste.

Por ka qëlluar që qëndrime kundër protestuesve në vendin tonë kanë mbajtur edhe europarlamentarë.

Kur shpërtheu protesta e banorëve kuksianë kundër taksës së Rrugës së Kombit, europarlamentari socialist, Knut Fleckenstein, u pozicionua publikisht kundër tyre, duke marrë anën e qeverisë Rama dhe duke deklaruar se po të bllokonte rrugën në vendin e tij, atë do ta vrisnin. Deklarata e tij ishte një mashtrim i pastër se në vendin e tij ka pasur raste që janë bllokuar jo vetëm rrugë, por edhe linja hekurudhore dhe nuk qe vrarë njeri.

Nuk e di se sa do të jetë në gjendje Lulëzim Basha t’i “disiplinojë” ambasadorët e huaj dhe të sillet me dinjitet kombëtar para europarlamentarëve të ndryshëm, të cilët sillen në Shqipëri si zot shtëpie. Kjo sjellje e ambasadorëve dhe e politikanëve të huaj në vendin tonë, në përkrahje të hapur të Partisë Socialiste, a nuk të bën të dyshosh se atyre u ngrohet mirë xhepi gjatë qëndrimit në Tiranë?

Megjithatë, une mendoj se Lulzim Basha, edhe sikur të jetë në gjendje t’u përgjigjet pozitivisht pyetjeve të shtruara më lart, ai do ta ketë shumë të vështirë t’i realizojë në praktikë ato objektiva. Kjo për arsye se ai ka përballë një kundërshtarë politik me brumosje të pastër komuniste, Partinë Socialiste, e cila është Partia e Punës në kushtet e pluralizmit. Partia e Punës s’ishte gjë tjetër, veçse një tufë militantësh prej disa dhjetra mijë vetash që nuk pipëtinin para Njëshit të partisë, sepse ai i trajtonte si argatët e vet kokulur. Shikoni sot të ashtuquajturën Parti Socialiste se ku është katandisur: ashtu si mëma e saj Partia e Punës: rri gatitu para Ramës, që, si i vetmi njeri me imunitet në atë parti, të kujton diktatorin Enver Hoxha, i cili, në hështje, udhëhiqej nga parimi stalinist: shtype këtë popull dhe jepi të hajë sa të mos vdesë nga uria, se kështu do ta kesh shërbëtor të bindur dhe pushtetin e ke të siguruar përjetësisht. Prandaj Enver Hoxha, si njeri frikacak që ishte dhe me komplekse inferioriteti, bashkë me bandën e tij të Byrosë Politike, qe mbyllur brenda Bllokut famëkeq, nën mbrojtjen e bajonetave të Gardës Kombëtare, dhe as që donte t’ia dinte se si jetonte populli i gjorë përtej caqeve të atij Blloku. Ashtu si edhe Enver Hoxha, edhe kryeministri Rama as që do t’ia dijë absolutisht se si jeton populli shqiptar, të cilin, në shumicën e tij, e ka pllakosur varfëria ekonomike. Për më tepër, ai i ka të shumtë përkrahësit e vet majtistë, të cilët, mes dy alternativave: dëshironi Ramën me varfërinë në vatrat tuaja, apo mirëqenien pa Ramën kryeministër, parapëlqejnë varfërinë me Ramën në krye të qeverisë. Kujtoni për një çast atë gruan nga Vlora (si qendër e majtizmit), e cila pati deklaruar dikur në njërin prej kanaleve televizive: edhe bukë të mos kem, unë për Partinë Socialiste do të votoj. Njëlloj si në kohën e diktatorit: edhe bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim. Sigurisht, bar do të hante populli përtej caqeve të Bllokut, ndërkohë që diktatori me bandën brenda tij jetonte për shtatë palë qejfe.

Pikërisht për shkak të kësaj varfërie,  gati një gjysmë milioni njerëz kanë braktisur vendin, për çka kryeministrit Rama nuk i bëhet vonë fare.  A kemi të drejtë të dyshojmë se Enver Hoxha, me politikën e tij antikombëtare që çoi  drejt katastrofës ekonomike të viteve ’80, ishte caktuar në krye të Shqipërisë nga iluminatët? Po pse të mos na lindë i njëjti dyshim se edhe Ramën e kemi peshqesh nga iluminatët po me të njëjtin objektiv: varfërimin e pandalshëm, shpopullimin dhe shpërbërjen përfundimtare të vendit tonë?

Ju, profesor i nderuar, keni shumë të drejtë kur thoni se “…elita e sotme politike e ka humbur këtë perspektivë strategjike”. Por e keqja është se nuk ka shenja që në horizontin e botës shqiptare të fillojë të vezullojë ndonjë rreze drite. Inteligjencia, që duhet të jetë shpresa e vendit, sidomos inteligjencia universitare, është e paqenë

Unë do të kisha shumë dëshirë që Lulzim Basha të bëhej “Ylli i Karvanit” të shpresave të popullit shqiptar. Por e kam të vështirë ta besoj. Biseda e fshehtë disaorëshe me kryeministrin Rama, natën duke u gdhirë 18 maji i vitit 2017, ka lënë një hije të theksuar dyshimi në formatin politik të Lulzim Bashës. Me atë takim të fshehtë, duke braktisur njerëzit besnikë që nuk iu ndanë për tre muaj rresht në Çadrën e bulevardit kryesor, ai kreu një akt të rëndë pabesie ndaj tyre, çka u reflektua dukshëm në zgjedhjet e 25 qershorit të atij viti, në të cilat Partia Demokratike pësoi një disfatë katastrofike.

Do të kisha shumë dëshirë që Lulzim Basha dhe formacioni i tij politik, me ardhjen në pushtet, të fillonin menjëherë kryerjen e vetingut për politikanët, kërkesën për të cilin Rama ia hodhi poshtë në dhjetor të vitit 2018. Por e kam të vështirë ta besoj se ai mund ta ndërmarrë një hap të tillë. Sepse kush na siguron se edhe Lulzim Bashës iluminatët nuk do t’i ngarkojnë detyrën për pajtim me Ramën dhe vetingut të politikanëve t’i vihet kapaku një herë e mirë?

Me respekt dhe mirënjohje.

Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

20 janar 2019

100 VJETORI I KONGRESIT TË LUSHNJËS, LETRA PRESIDENTIT AMERIKAN DHE DRAMA… – Nga Xhevair Lleshi dhe Visar Zhiti

 

100 vjet më parë, në 21 janar 1920, shqiptarët, krerë të tyre, patriotë dhe të urtë nga të gjitha trevat e vendit, u mblodhën në Lushnjën e vogël, në kuvendin e tyre të madh me qëllim që t’i dilnin zot Shqipërisë, që kërcënohej nga rreziku i mosqeverisjes, i copëtimit dhe i zhbërjes.
Ai kongres është quajtur dhe “pavarësia e dytë e Shqipërisë” dhe përsëriti “Lidhjen e Prizrenit”, “Kuvendin e Lezhës” me Skënderbeun në krye, e shpëtoi vendin e bëri me qeveri e me kryeqytetin që kemi sot..
Për këtë ngjarje madhore të historisë tonë ka dhe një dramë, e vetmja që është shkruar, me autor mësuesin, aktorin dhe dramturgun Hekuran Zhiti, 50 vjet më parë, por që nuk është vënë ndonjëherë në skenat e teatrove tona.
Shtëpia botuese “Uegen” e zbuloi dhe e nxori në këtë 100 vjetor.
Po sjellim pjesë nga pasthënia e dramës, shkruar nga Xhevair Leshi:

Hekuran Zhiti

APOSTUJT E KONGRESIT TË LUSHNJËS
Pa Kongresin e Lushnjës do të humbte si në shkretëtirë Pavarësia e Shqipërisë, e arritur nëntë vjet para Ngjarjes së Madhe. Pa Kongresin e Lushnjës Pavarësia do të kish mbetur nën rrebeshet e tmerrshme të kohërave që, siç kishin kaluar nëpër Luftën e Parë Botërore, priteshin të binin sërish mbi trupin e Atdheut… Por Kongresi erdhi. E sollën ata, atdhetarët e fisëm e të mëdhenj të Shqipërisë, që, të tillë kanë mbetur për jetë.
Kanë 100 vjet që ata i kemi në bronz dhe ky jubile na i sjell sërisht afër, duke pasur ndjesinë sikur ka ndodhur dje….
Lexoja shënimin e Visar Zhitit bash për këtë ditë të shënuar e për dramën e saj dhe m’u duk se ishim në të njëjtin përdytyrim. «Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vendit, kush e ndjente dhe mundte, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunës, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Evropë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin bërë për vendin dhe kishin sakrifikuar, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të pakat që ishin atëherë, e ngadaltë si qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja…» Çfarë sakrifice dhe vetëdijësimi!…
“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Pa telegraf, por me thirrjen e thjeshtë të zemrës, se vetëm ashtu do të shkruhej ndryshe historia, pa menduar ndonjë tender se ku mund të mblidheshin dhe s’i mund të ndaheshin milonat, sepse ishte rreziku i ndarjes së atdheut.
…u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë! Me telin e zemrës, mik pas miku, frymë gojë më gojë. I thoni Ferid Bej Vokopolës. I thoni Aqif Bej Elbasanit. I thoni At Bumçit. Mos harroni, mik, të m’i çoni fjalë Ahmet Bej Zogollit…
Sa me ndjenjë u përcoll ky lajm 100 vjet më parë, veç me fluturim shpirtëror, me frymë të shenjtë. Dhe erdhën, u bashkuan.
Dhjetë ditët që tronditën botën, dhjetë ditët e mahnitshme që ngritën nga balta dhe uria Shqipërinë dhe ua falën atë njerëzve të së ardhmes. Dhjetë ditët e Kongresit të Lushnjës! Në to do të ribëhej shteti shqiptar, do të caktohej kryeqyteti, Tirana (me të sotmen e papërfytyrueshme atëherë!), «do të emërohej kryeministri dhe qeveria e tij për t’i dalë zot vendit, institucionet dhe detyrat.»
…Pushka e gjatë e Sulës Zdravës, me të cilën kishte marrë pjesë në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë, çante qiellin dhe errësirën, ngrohte shpirtra dhe jepte forcë… fare i vetëm do të bënte epokë…

* * *
Kongresi Kombëtar i Lushnjës u mblodh më 21 janar 1920 dhe i zhvilloi punimet nga 28 deri më 31 janar 1920. Në të morën pjesë mbi 50 përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit.
Në fillim Kongresi shqyrtoi planet e Konferencës së Paqes të Parisit për copëtimin e Shqipërisë dhe i hodhi ato poshtë në mënyrë të vendosur. Ai u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër protektoratit të cilësdo fuqie të huaj dhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit. Në protestën që Kongresi i dërgoi kryetarit të Konferencës së Paqes thuhej se shqiptarët ishin gati të bënin «të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë».
Vendim tjetër i rëndësishëm ishte ai për krijimin e organeve të larta të shtetit shqiptar. Kongresi zgjodhi një Këshill të Naltë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kryetarin e shtetit shqiptar derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit nga ana e një Asambleje Kushtetuese…
Këshilli i Naltë do të ushtronte pushtetin ekzekutiv. Ai caktonte kryeministrin, i cili pasi formonte qeverinë, merrte miratimin e Këshillit Kombëtar. Ndërsa Këshilli Kombëtar ushtronte pushtetin legjislativ dhe kontrollin mbi qeverinë. Veprimtaria e Këshillit Kombëtar ishte e pavarur nga Këshilli i Naltë…
Përpara kësaj qeverie dilnin detyra të rëndësishme. Brenda vendit ajo duhej të merrte në dorë administratën shtetërore dhe të kërkonte largimin e pushtuesve të ndryshëm nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë ajo duhej të për t’i siguruar shtetit të pavarur shqiptar tërësinë tokësore dhe rinjohjen e tij në arenën ndërkombëtare.
Më 11 shkurt 1920 qeveria e Sulejman Delvinës, Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar u vendosën në Tiranë, ku u pritën me entuziazëm nga populli. Qysh nga ajo kohë, Tirana u bë kryeqyteti i Shqipërisë.

KJO LETËR E MADHËRISHME:

«Shkëlqesisë së Tij Wilson,
Kryetar t’Amerikes i Shteteve të Bashuem,
Vashington
Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpëtimin e atdheut tyne.
I nalti Kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të Sh. S’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.»
Kryetari Katundaris së Lushnjës
Lushnjë, më 17.3.1920

Kryetari i Katundarisë së Lushnjës… O Zot, ç’ndodh! Kishte mbaruar Kongresi. Kishin ikur Burrat e Kombit, kishte ikur edhe Sula: nuk kishte ç’ruante më! Dhe ky burrë i padukshëm, kryetar i Katundarisë së Lushnjës, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit!… «Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen…. gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë ‘e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale’, etj., etj.» Këtë përshtypje të hollë do ta shkruante Visar Zhiti.
«…në fillim të vitit 1920 Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë.
Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, padrejtësinë ndaj popullit shqiptar.
Përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën New York Times të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara’» shkruhej atëherë…

DRAMA E KONGRESIT:
«Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, e një gjysmë shekulli më parë, por ende gati e panjohur, edhe pse e vetme, që sjell më së miri atë frymë në popull. Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estradës së Lushnjës.
Sot një rrugë në qytetin e Lushnjës mban emrin “Hekuran Zhiti” dhe ai është shpallur dhe “Qyetar Nderi”.
Ndoshta kjo dramë ishte dhe testamenti i tij. Që do ta përfundonte i biri, Visar Zhiti, që na e solli të plotë dhe ja ç’shkruan në pasthënie:
…si e pa përfunduar, e mbetur në dorëshkrim që nga mesi i shekullit të kaluar, – kisha thënë, – por me gjakimin, që, nëse do t’ia kërkonin ndonjëherë të vihej në skenë, autori do ta rimerrte dhe do ta përshtaste me kohën, domethënë me rrethanat, jo veç ato të skenës, të vegimit regjisorial dhe lojës së aktorëve etj, ngaqë Kongresi i Lushnjës, i quajtur dhe si Pavarësia e Dytë e Shqipërisë, është një ngjarje kulmore në histori, e patundshshme, që kërkon përtëritje në riparje, në shëmbëlltyrën e lartë që dha, të përbashkimit dhe të mënçurisë, të veprimeve të guximshme në shpëtimin e vendit.
Nuk e di a kishte menduar autori rënien e perandorisë komuniste dhe të diktaturave të saj.Ai besonte e jetonte dhe me Shqipërinë e vjetër, atë të përjetshmen. Kështu e pa dhe Kongresin e Lushnjës, një dramë me tre akte, nga e zakonshmja tek ato që ikin me përditshmërinë, nga antropologjia në rreziqet ekzistenciale e deri tek derdhja si në bronz e një altoreliefi të ngjarjes së madhe.
Në ndjekje të asaj porosie të heshtur, tani me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, botuesi UEGEN ndjeu detyrën e ribotimit të dramës, ashtu të plotësuar dhe të përfunduar, me atë dëshirë siç e nxori në dritë për herë të parë në vitin 2011, në 100 vjetorin e lindjes së autorit dhe në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, por tani dhe me pasionin e historianit dhe të shkrimtarit, kështu që z. Xhevair Leshi vendosi t’i shtonte botimit të ri pak histori për Kongresin dhe autorin, për t’u kuptuar, më saktë për t’u ndjerë më mirë drama e Kongresit dhe e autorit, që edhe pse ngjajnë të largëta midis tyre dhe nesh, kanë lidhje dhe kanë prodhuar njëra-tjetrën ndërsjelltas.
Gjithmonë ka një prag jete dhe vdekjeje. Pragu i vdekjes është dhe në jetë, ndërkohë që dhe pragu i jetës është edhe në vdekje. Ka dhe ringjallje…
Kongresi që u mbajt në Lushnjë, sërisht i duhet vendit, jo vetëm si kujtesë kolektive, aq më tepër tani që ka dy shtete shqiptare në Ballkan dhe zjen ankthi i bashkimit, me rreziqet e zhbërjes ndryshe, me modernitetin globalizues. Se duhet t’i bashkohemi së tërës (BE) me identitetin tonë, që kohërat e deshën të jetë sakrificë e heroizëm, por dhe një mrekulli.

In Memoriam: Ibrahim Rugova (P)IS Mustafa – Populli rugovist Po – LDK Jo! Nga Elida Buçpapaj

 

U mbushën 14 vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës, Liderit të Pavarësisë të Kosovës dhe njëkohësisht kryetarit të LDK-së.

LDK – akronimi i Lidhja Demokratike e Kosovës – që të kujton si formulim Lidhjen e Prizrenit ishte një Lëvizje Kombëtare për çlirim nga pushtuesi dhe integrim në NATO dhe BE, që u përqafua pothuaj nga e gjithë elita dhe populli i Kosovës brenda dhe në diasporë. Pati një impakt të jashtëzakonshëm sepse u udhëhoq nga Ibrahim Rugova një mendimtar europianist, figurë me integritet brilant, e emancipuar e krahasueshme me Vaclav Havel.

Ishte vetë elita në Kosovë që e zgjodhi në krye të LDK-së Ibrahim Rugovën, sepse Rugova përfaqësonte figurën e pakontestuar, pa skeletë në dollapë, personalitetin unifikues, me vizion Euro-Atlantik dhe paqëtues.

Gjithë Kosova u kthye në popull Rugovian dhe votoi për LDK-në e Ibrahim Rugovës!

Asnjë emër nga elita shqiptare në Kosovë nuk do të kishte ndikimin e Rugovës për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe për të fituar besimin në metropolet e politikës Ndërkombëtare, veçanërisht SHBA.

Ibrahim Rugova sendërtoi dhe u dha frymë idealeve shekullore, me shallin e tij e tij proverbial, qendrimin gandist dhe shqiptimet lakonike, për t’i çuar mesazhet e tij direkt në veshin e popullit të Dardanisë dhe tek partnerët jetikë të Kosovës që janë SHBA dhe BE.

Rugova ka patur rreth vetes njerëz të vlerave, shumica të vrarë, por edhe djaj të maskuar me kostume rugoviste që i rrininin pranë si profiterë të imazhit prej karizmës së Ibrahim Rugovës.

Vdekja e Rugovës ishte traumë për Kosovën, të ardhmen dhe fatin e saj, sepse frenat e shtetit kaluan në duar të gabuara.

Vota e popullit Rugovist u shpërdor nga djajtë me maskën e Rugovës që tashmë kishin uzurpuar frenat e lidërshipit të LDK-së.

E megjithatë, vdekja e Liderit të Pavarësisë i dha fund teatrit brenda lidershipit të LDK-së, duke zbuluar në dritën e diellit cilat ishin fytyrat e djajve me maskën e Ibrahim Rugovës, që fuqizuan dhe i dhanë pushtet Klanit Pronto.

Vdekja e Rugovës ishte traumë për elektoratin Rugovian që u mashtrua disa herë nga kasta drejtuese e LDK-së, transformuar në një shtojcë të partisë që drejtonte Hashim Thaçi, i njohur ndryshe si Gjarpëri.

Vdekja e Rugovës i çorri maskën përfundimisht kastës së LDK-së që u bë palë në një qeverisje antidemokratike dhe të korruptuar, udhëhequr nga gjarpëri me horrat e tij.

E pafalshme për LDK-në, e fundosur përfundimisht që prej vdekjes të Rugovës, sepse ka shërbyer për të fuqizuar Hashim Thaçin dhe Klanin Pronto.

Në fillim ishte Fatmir Sejdiu që e futi LDK-në aleancë me PDK-në dhe prej 2010 (P)Is Mustafa e ka kthyer LDK-në në një dordolec mjeran të Gjarpërit.

Pse them (P)Is Mustafa:

Sepse ky personazh e mori LDK-në për ta nxjerrë nga stanjacioni ku e futi Fatmir Sejdiu, por në fakt, për një dekadë rresht është rrënimtari i fundëm këtij formacioni politik, duke i dhënë Kosovës vetëm të mbrapshtën.

Elektorati Rugovian reagoi dhe e ka goditur LDK-në përmes votës të lirë. LDk ka humbur gjysmën e elektoratit, por edhe ky elektorat që ka votuar është mashtruar nga makinacionet e (P)Is Mustafës!

Në zgjedhet e 2014 (P)Is Mustafa i premtoi elektoratit se partia e tij do ta kalojë në opozitë gjarpërin!

Elektorati Rugovian e besoi, sepse (P)Is Mustafa shpërdori figura të pastra si Teuta Rugova etj. që i përfshiu në listat e deputetëve, por që pastaj i shtypi me grushtin e hekurt të bashkëpunëtorëve, të diskretituar tashmë, si faqja e zezë e LDK-së.

(P)Is Mustafa dhe LDK, tanimë kanë njollën e zezë të historisë, sepse me vota të blera e duke shitur poste ambasadoresh arriti minimumin e duhur që bënë president të Kosovës Hashim Thaçin, pra e zgjatën pushtetin e Prontomafies.

Sapo Hashim Thaçi zgjidhet president i Kosovës, Prontomafia e hodhi (P)Is Mustafën dhe LDK si limon të shtrydhur.

Në kushte të tilla, (P)Is Mustafa dhe grupi i tij, një kope djajsh, do të duhej të jepnin dorëheqjen dhe LDK të drejtohej nga një lidërship i ri, që fatmirësisht është brenda këtij formacioni, por që po defaktorizohet sepse po i bindet verbërisht të zezës së Kosovës që është (P)Is Mustafa & Co, ndryshe Bishti i Prontomafies.

Në zgjedhjet e 2019 për të mashtruar rishtas Elektoratin Rugovian, (P)Is Mustafa bëri makinacionin e rradhës, kësaj here shpërdori figurën e pastër të Vjosa Osmanit për të mbuluar fytyrën e zezë të tij, duke e shpallur si kanditate për kryeministre nga LDK, por ndërkohë Vjosën dhe LDK-në i mban të lidhur me zinxhirë.

Normalisht kryetari i partisë është edhe kandidat për kryeministër, por tek LDK-ja ka vdekur demokracia prej 21 janarit 2006, ditën që vdiq Rugova dhe frenat e LDK-së i mori kasta e titistëve që hyri menjëherë në sintoni me gjarpërin dhe Prontomafien, duke akaparuar pushtet politik dhe ekonomik dhe duke i dhënë dërrmën demokracisë së brishtë.

Se kush është (P)Is Mustafa kemi prej 6 Nëntorit që e shohim rishtas për çdo ditë, tre muaj rresht, se sa destruktiv është, se ka kundër Kosovës është, duke e bërë të pamundur aleancën qeverisëse të LDK-së me LVV-në!

Mjerisht kjo figurë është totalisht e ndryshkur dhe pa asnjë impakt në Elektoratin Rugovian, sepse (P)Is Mustafën e urren e gjithë Kosova, por mjerisht vazhdon që të ushtrojë diktat tek figurat brenda LDK-së që e kanë faqen e bardhë, që duke iu bindur një faqeziu po cënojnë integritetin dhe po humbin besimin e tyre tek Elektorati Rugovian.

E kam fjalën për të parën Vjosa Osmanin! Që i bëj thirrje t’i shpërthejë zinxhirët e (P)Is Mustafës!

Albin Kurti është treguar durimmadh, durimi i tij duhej të kishte marrë fund pas muajit të parë të dështimit të bisedimeve me (P)Is Mustafën, sepse ishte e qartë se (P)Is Mustafa dhe kasta e tij në këto bisedime janë drejtuar nga vizioni si Bisht i Prontomafies, ndërsa kandidaten për kryeministre e përdorin sa për të larë gojën!

Kjo është situata sot në Kosovë, kur mbushen 14 vjet nga dita që Ibrahim Rugova kaloi në Amshim.

Të rënët e Kosovës për çlirim, Liri dhe demokraci janë Ëngjëjt Mbrojtës të Dardanisë!

Vonesat kanë qenë dramatike për Kosovën dhe të ardhmen e saj, por kanë shërbyer edhe si mësim, që Elektorati i Kosovës, sidomos ai Rugovian të ndërgjegjësohet përfundimisht kur të japë votën e vet.

Nëse Kosova do të shkojë nesër në zgjedhje, LDK-në nuk ka Zot që e shpëton më!  Dhe meriton që, për të gjitha të zezat të cilat ia ka shkaktuar Kosovës prej vdekjes së Rugovës, të paguajë me votën e lirë!

Ndërsa idealet e Rugovës nuk vdesin kurrë,  ato ideale i përfaqësojnë sot ata politikanë që synojnë ta kthejnë Kosovën në shinat e një shteti demokratik, me shtet të së drejtës dhe demokraci të konsoliduar!

Në Kosovë ka plot emra që ngjallin shpresë, por duhet të kenë konceptin e kohës, nuk duhet të ecin me hapat e breshkës, sepse populli i Kosovës po humb durimin!

 

KUSHËRIRI IM I SHQUAR, TENORI TOLI ADHAM PANO – Nga Thanas L. Gjika

 

Midis njerëzve të shquar të fisit tim nga ana e nënës kam pasur kushëririn Toli Adham Pano, tenori i “Korit Lira” i quajtur dhe “Kori Karakteristik i Korçës”.

Ky qytetar i talentuar edhe pse nuk është vlerësuar me tituj nderi prej qeverive pluraliste të pasvitit 1991, për mua është një personalitet i artit që meriton nderime e vlerësime jo vetëm prej fisit të vet, por edhe prej mbarë popullit të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë. Me qëllim që të mos harrohet si harrohen qytetarët e zakonshëm, po shkruaj disa të dhëna për jetën e veprat e tij edhe pse nuk jam specialist i muzikës.

* * *

Toli Adham Pano u lind në fshatin Panarit të Korçës më 6 shkurt 1913. Kur ushtria greke (andartët) dogjën fshatrat e Shqipërisë së Jugut më 1914 dhe më 1916, shumica e banorëve të Panaritit, Treskës, Trebickës, Katundit, Stratobërdës dhe Vithkuqit, ashtu si ato të Përmetit e Sarandës, u shpërngulën dhe u detyruan të shkonin ku kishin farë e fis, ose të njohur. Familja e Adham Panos, babait të Tolit u vendos në qytetin e Korçës. Këtu u rrit ky djalosh, i cili më 1929, kur mbushi moshën 16-vjeçare filloi të njihej si këngëtar duke u bërë pjesëtar i “Korit Lira”, që më vonë u quajt dhe “Kori Karakteristik i Korçës”.

Për nevoja familjare Apostoli (Toli) i ndërpreu studimet në “Liceu Klasik Francez” dhe filloi punë si ndihmësrrobaqepës. Dy vjet më vonë shkoi ushtar dhe pasi kreu shërbimin ushtarak në Elbasan u kthye në qytetin e lindjes ku jetoi me zanatin e rrobaqepsit duke u bërë një nga rrobaqepësit më të mirë të qytetit. Pa vonesë ai u aktivizua dhe si korist i “Korit Lira”. Pjesëmarrja në këtë kor ishte vullnetare. Si këngëtarët dhe orkestrantët bashkë me dirigjentin jepnin shfaqje falas për popullin si në qytet dhe në fshatra të ndryshëm të mbarë zonës juglindore të Shqipërisë.

Gaqo Jorganxhiu, me zë basi e baritoni dhe Tole Adham Panua, me zë tenori ishin këngëtarët kryesorë të këtij kori për më shumë se 60 vjet (1934-1994). Tolja u shqua jo vetëm si korist, por edhe si solist në shumë këngë si “Dua më shumë Shqipërinë”, “S’ kam ç’ e dua pasurinë”, “O moj korçare”, “Kënga e mullirit”, “Dashuria është djallush”, “Muaji i majit”, etj. Një tipar tjetër dallues i Tolit ka qenë dhe ndershmëria dhe qytetaria e lartë. Askush nuk mban mend që ky rrobaqepës të jetë grindur me ndonjë myshteri a qytetar, ose të ketë gënjyer a mashtruar. Zotnillëku ishte tipar i tij me të cilin mburret sot gjithë fisi dhe qyteti i Korçrës.

Regjisori Mevlan Shanaj në vitin 1981 realizoi një film dokumentar televiziv kushtuar “Korit Lira të Korcës”, ku spikat dhe figura e solistit dhe koristit Tole Adham Pano. Kjo ishte e vetmja punë kinematografike ku u përjetësuan deri diku vlerat e këngëtarëve të atij kori. Tenori Toli Adham Pano dhe basi Gaqo Jorganxhiu e arritën kulmin e cilësisë zanore si këngëtarë në vitet 1945-1980, por incizimet e asaj kohe nuk ishin të cilësisë së lartë. Cilësia e këtyre pllakave sot le për të dëshiruar, prandaj ato duhen rigjeneruar me teknikën e sotme.

Këngët e atij kori ishin këngë lirike ku nuk i këndohej partisë dhe udhëheqësit të saj. Për pasojë jeta dhe krijimtaria e këtij kori, e solistëve kryesorë dhe orkestrantëve të talentuar të tij në vitet 1945-1991 nuk morën ndonjë vlerësim si e meritonin. Nuk u shkrua për jetën dhe krijimtarinë e tyre asnjë studim monografik, madje as ndonjë temë për mbrojtje diplome prej studentëve të Institutit të Lartë të Arteve.

Toli Adham Pano u nda nga jeta më 6 korrik 1998, në moshën 85-vjeçare, duke lënë dy vajza e një djalë të martuar e me fëmijë.

“Kori Lira” në ditët e sotme po e vijon traditën. Aty janë zëvendësuar dirigjentët, solistët, koristët dhe orkestrantët e vjetër me dirigjentë, solistë, koristë dhe orkestrantë të rinj, por elementët më të talentuar të së kaluarës së këtij kori duhen vlerësuar me tituj nderi, sepse kështu traditat kulturore e artistike kombëtare pasurohen dhe shpien përpara.

Gaqo Jorganxhi dhe Tole Adham Pano meritojnë të shpallen “Nderi i Kombit”, sepse ata me talentin e tyre të shquar i shërbyen artit shqiptar vullnetarisht për mbi 60 vjet, pa ndonjë investim nga shteti, dukuri e rallë në historinë e artit tonë mbarëkombëtar.

Portret i tenorit Toli Adham Pano

 

PSE U EKZEKUTUA DEPUTETI SMAJL HAJDARAJ? – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Deputeti Smajl Hajdaraj me Presidentin Rugova
     Një figurë e kompletuar e punës intelektuale dhe e luftës çlirimtare, si ajo e Smajl Hajdaraj, ishte e pritshme të ngritej në karrierën drejtuese, politike. Banda e “komandantëve”, kishte filluar listimin emëror, për likuidim të kuadrove të LDK-së dhe të forcës të saj ushtarake, FARK-ut. Kjo bandë e dalë nga LPK-ja, me flirtim të hershëm me shërbimet informative kriminale, UDB-ën jugosllave  dhe Sigurimin famëkeq të Shqipërisë, të cilët me të drejtë dhe saktësisht, Dr. Ibrahim Rugova do t`i cilësonte, ashtu siç ishin, “dorë e zgjatur e Serbisë”, kishte planifikuar marrjen e pushtetit, pas çlirimit, me dhunë e terror, ashtu siç bëri ideologu i tyre, filosllavi dhe stalinisti i egër Enver Hoxha, me bandën e komunistëve të tij.
     Krerët stalinistë të LPK-së, të akomoduar hoteleve e vilave të Bllokut të zi të Tiranës, hetonin dhe planifikonin shigjetimin e kuadrit perspektiv të kampit kundërshtar politik. Disa eliminime fizike i bënë gjatë luftës, duke pasur logjistikën dhe ndihmën direkte të social-komunistëve të Tiranës zyrtare. Pas luftës e filluan me Komandant “Drinin”, alias Ekrem Rexhën, për të cilin u fol se do të kandidonte për kryetar të komunës të Prizrenit, i pakonkurrueshëm nga dikush tjetër, për të vazhduar me kuadrot tjerë komunalë të LDK-së: Shaban Manaj, Imet Rraci, Ukë Bytgyçi…
 
        Arsyet pse u ekzekutua Smajl Hajdaraj
Komandanti Smajl Hajdaraj, në promovimin e Brigadës 136 në Rugovë
 
     1) I kësaj perspektive parashikohej të ishte edhe Smajl Hajdaraj në komunën e Pejës. Dhe, për gjallje të tij, Peja nuk kishte shanse të binte nën sundimin e egër, rrugaçëror e vrastar të bandës kriminale të Dukagjinit. Këtë e dinin edhe “komandantët” kriminelë. Andaj, njëri syrësh, ish-anëtarë i LPK-së, tani, eksponent i rrjeshtit të parë të PDK-së, duke qenë në shoqërim të bandës së tij, ndalon veturën e Smajlit, i drejton revolën ke koka dhe e kërcënon: “Ose hiç dorë nga LDK-ja, ose të pret plumbi kokës!”
     Smajl Hajdaraj ishte djali i dytë i Arif Rekës, i cili kishte luftuar kundër bandave komunisto-çetnike dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte përballur me akuza e gjyqe, për t`u dënuar dhe dërguar në vuajtje në ishullin-burg kroat, Golji Otok, së bashku me bashkëluftëtarët e tij: Cufë Sokol Nikçi, Ali Hysi Dreshaj, Sylë Mehmeti, Sali Rama, Haxhi Keri (i Ker Sadrisë), Bajram Ramën, Azem Jakupin, Brahim Jakupi, Bajram Haxhinë dhe rugovas të tjerë. Andaj, Smajli kishte trashëguar trimërinë e babait, plus guximin intelektual dhe shefit të bandës ia dha përgjigjen  e prerë, dinjitoze: “Pushka top ty me shokë. Të heq dorë nga LDK-ja e Rugova, është njësoj sikur të heq dorë nga Kosova”. Dhe, “komandanti” i kthyer pas luftës nga mërgimi, në Kosovë, kërcënoi sërishmi: “Vazhdo se do ta pësosh”, dhe u “u largua me bisht ndër shalë!”
     2) Smajl Hajdaraj ishte inxhinier elektrik i diplomuar. Ai kishte ndihmuar materialisht Familjen Rugova, në vitet ´90-a. Ishte shumë i afërt me Dr. Rugovën, ndonëse ishin edhe fis. Presidenti kishte shumë besim tek Smajli. Çmonte tek ai gadishmërinë, përkushtimin, sinqeritetin, fisnikërinë, burrërinë prej malësori, mençurinë dhe trimërinë.
     3) “Presidenti Rugova është në rrezik jete. Na duhet një makinë e blinduar “Mercedes”, i shkruante vëllait të tij Fazliut, atëherë, nënkryetar i Nëndegës të LDK-së, në Republikën e Rheinland Pfalz-it, Gjermani, më vonë, kryetar i saj shumëvjeçarë dhe, tani, anëtar i Kryesisë të Degës të LDK-së, në Gjermani. Aksioni filloi heshtazi, në një grup të kufizuar veprimtarësh të LDK-së. Dhe, makina u sigurua. Atentati me tritol ndodhi. Makina, me të cilën udhëtonte Presidenti Rugova, për një takim me sekretarin Havier Solana, u dëmtua rëndë. Por, Presidenti Rugova i mbijetoi atentatit, në saje të makinës blindazhë.
     I dënuari për rastin e këtij atentati, në Burgun e Dubravës, do të deklaronte se “po të ishte makinë e zakonshme, pra, jo e blinduar, do të hidhej në erë, me gjithë Presidentin Rugova!” Pra, Rugova i mbijetoi atentatit. Por, tërbimi i “komandantëve”, pse Rugova frymonte ende në këtë botë, edhe pas atentatit, ishte i madh. Shfrimi hakmarrës i “komandantëve” vrastarë, do të binte mbi atë që ideoi dhe realizoi veturën  blindazhë, tashmë, deputetin e Parlamentit të Republikës të Kosovës, Smajl Hajdaraj.
 
          Kush e ekzekutoi deputetin Smajl Hajdaraj?
     Janë shumë qindra vrasje politike, dhe jo vetëm 100 apo 200, siç duan t`i minimizojnë vrastarët me tellallët e tyre, të listuara, të urdhëruara për likuidim fizik, për t`i hapur rrugën pushtetit të përgjakur, hajnisë zyrtare, haraçit të egër, të cilin e vilnin bandat, për shefat e tyre “komandantë” pa ushtarë, por, me banda të gatshme, për shantazh e kërcënim, kidnapim, turturë, deri në vrasje.
    Dhe, duke qenë vrastarët në kupolë të shtetit dhe të pushtetit, me aleate e mbështetëse Serbinë, si dhe përgjumjen e neglizhencën e qëllimshme të ndërkombëtarëve, me gjithë faktet e bollshme të krimeve serike  të “komandantëve”, në mesin e tyre edhe të deputetit Smajl Hajdaraj, nuk janë hetuar, nuk janë zbuluar dhe as ndëshkuar listuesit emërorë, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e kuadrove të FARK-ut, të veprimtarëve të LDK-së dhe të tjerë konkurrentë politikë.
     Janë të paktën 4 (katër) pista, nga ku duhet të fillojë hetim-zbulimi i ekzekutimit zyrtar të ish-komandantit, deputetit Smajl Hajdaraj:
     1) Porosia e parë, deri me kërcënim me revole, për Smajl Hajdaraj, për ta braktisur LDK-në, nga eprori i PDK-së;
     2) Vetëdenoncimi i një komandanti të UÇK-së, katër muaj para ekzekutimit, tek Smajl Hajdaraj, të cilit Shtabi ia kishte dhënë edhe revolën, se “jam i ngarkuar, për me të vra, por unë nuk e bëj këtë”;
     3) Ekziston edhe një letër, e lënë nga Smajl Hajdaraj, ku fletë për luftën e UÇK-së, çlirimin e Kosovës dhe grupin që e pengonte organizimin ushtarak në Rugovë;
     4) Krisma e armës, në korridorin e banesës, në katin perdhes, alarmoi familjen. Vajza e Smajlit, duke parë babain të shtrirë për tokë dhe të përgjakur, shpërthënë në qarje të zëshme. Polici i uniformuar, që po e shoqëronte ekzekutorin, për ta lehtësuar aksionin vrastar, krejt gjakftohetë, i thotë vajzës, të rënë në dëshpërim të skajshëm: “Pse po bërtet? Nuk asht ba nami pse asht vra baba!” Dhe, polici, në detyrë, është identifikuar.
     Shantazhimet dhe kërcënimet  e “komandantëve”, për kundërshtarët politikë, kanë qenë të shumëta. Por, për mënyrën, peshën e kërcënimit dhe të lëndëzimit me ekzekutim, shquhen tri rastet: paralajmërimi serioz për vrasjen e ministri të luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, kryetarin e LDK-së të Istogut, Shaban Manaj, deputetin Smajl Hajdaraj.
     Anatema dhe shpifja më flagrante ka qenë dhe vazhdon edhe sot, se “Kolonel Tahir Zemaj dezertoi dhe ua dorëzoi armët pushtuesëve!?” Realisht, fitimtari i Betejës së Loxhës, Kolonel Zemaj, nuk ka dozërtuar kurrë, as nuk ka dorëzuar armët pushtuesit. Përkundrazi, në koordinim me Komandantin e UÇK-së për Rugovën, Smajl Hajdaraj, shpëtuan mijëra qytetarë nga Dukagjini, duke i spostuar nga zonat e luftës, gjë që, në këtë përmasë dhe kaq profesionalisht e mençurisht,  nuk ka arritur ta bëjë askush në Kosovë.
     Bazuar në veprimtarinë politike dhe ushtarake, të Smajl Hajdaraj, është logjike edhe kërkesa e shumicës dërmuese të shqiptarëve, që komandanti dhe deputeti i ekzekutuar Hajdaraj, nga argatët e Serbisë, të nderohet e përjetësohet me shtatore në qytetin e Pejës.
Shpresojmë dhe besojmë, se Kuvendi Komunal i Pejës, me kryetarin e suksesshëm, Gazmend Muhaxheri, do ta këtë në konsideratë, kërkesën, vullnetin e Rugovës, Pejës, Dukagjinit, Kosovës dhe të shqiptarëve të kudondodhur, me bindjen se Smajl Hajdaraj e meriton këtë  vlerësim dhe Peja do të begatohej me një stoli domëthënëse kombëtare.
     Lavdi jetës dhe veprës të intelektualit, veprimtarit kombëtar, komandantit dhe deputetit Smajl Hajdaraj!

LETËRSIA DHE RISHKRIMI I HISTORISË – Nga EUGJEN MERLIKA

(Mbresa nga leximi i librit “Vdekja e Enver Hoxhës” i P. Kullës)

 

Kohët e fundit në librat e botuara sërishmi u shtua një titull që pushton përfytyresën e vë në provë kujtesën për ngjarje të zhvilluara një të katërt shekulli më parë.”Vdekja e Enver Hoxhës” është titulli i librit, kurse autori i saj, z. Pëllumb Kulla është një firmë e njohur nga lexuesi shqiptar. I afirmuar që herët në botën e humorit, jashtë kafazit të “realizmit socialist”, vazhdoi krijimtarinë e tij që, në gjininë e saj, mbetet pa dyshim në nivelet më të larta të letrave të sotme shqipe. Vepra e re është një hap i madh para n’atë krijimtari, mbasi ka meritën që, nëpërmjet fjalës artistike, të japë ndihmesën e vet në zbulimin e një realiteti tepër të zymtë të së shkuarës sonë, për të cilin ende heshtet, madje ekziston edhe një farë malli.

Nëntitulli i veprës është “Shumë romane në një” dhe shënon drejtimin e parë që i jepet lexuesit në shtjellimin e një gjinije letrare disi të veçantë. Por në parathënien, tepër të shkurtër e po aq konçize, autori zbulon pjerrjen e qëllimin e shkrimit të veprës, që i largohet disi traditës së tij humoristike, duke e vënë në plan të dytë atë, për t’i dhënë më shumë hapësirë përmasave dramatike e tragjike të epokës. Vepra hedh dritë mbi Shqipërinë komuniste të dhjetëvjeçarit të fundit të qënies së saj, madje fokuson qëndrën e saj të gravitetit, majën e piramidës ku vendosej deri në imtësi fati i frymorëve nënshtetas, në një çast kulmor siç është ai i ndarjes së Enver Hoxhës nga kjo jetë.

Autori saktëson: “ Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qëndrore, morale.” Është ky shqetësimi i shkrimtarit, ballafaqimi i popullit të tij me një epokë historike të gjatë e të vështirë siç qe ajo e jetuar në vitet 1944-1991, traumat kryesisht morale të kësaj dukurie. Lënda e trajtuar është shpërthyese, mund të japë shkas për diskutime pa fund mbi dobinë e paraqitjes, rrok një gamë të madhe problemesh,  personazhesh e mjedisesh, duke vënë në pikëpyetje karakterin e një populli të tërë. Vepra trajton ngjarje të njohura në planin shoqëror e historik dhe autori që në fillim e siguron lexuesin mbi vërtetësinë e tyre. “Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur!”.

Vërtetësia e ngjarjeve të përshkruara, burimet e sakta të riprodhimit të tyre ndihmojnë lexuesin e ri, por edhe atë më pak të ri, të krijojë idenë e plotë mbi Shqipërinë e Enver Hoxhës, larg demagogjisë, retorikave dhe fasadave të një regjimi që, si objektiv të parë, kishte mbulimin e të vërtetave nëpërmjet një organizimi të përsosur që mund të krahasohej vetëm me atë të Rusisë staliniane. Ky realitet tragjikomik, i përshkruar me mjeshtëri nga autori, merr shkas nga vdekja e Enver Hoxhës, njeriut që hyri në historinë e popullit të tij si sundimtari më jetëgjatë e, ndoshta, më mizori, plot katër dhjetëvjeçarë. Vepra pasqyron ditët e fundit të qëndrimit të trupit të tij pa jetë në “kullën e fildishtë” ku e kishte futur përfytyresa legjendarizuese e një populli të traumatizuar nga terrori deri n’atë pikë sa nuk ishte në gjëndje të pranonte për udhëheqësin e tij as idenë e dukurisë më të zakonshme të ekzistencës njerëzore, atë të vdekjes.

Vepra, gjithmonë duke patur si bosht qëndror figurën e diktatorit dhe prapaskenën e organizimit mastodontik të funeralit të tij, shtjellohet në tre plane kryesore, që do t’ishin secili një roman me vete, por që përbëjnë një radiografi të plotë të shoqërisë shqiptare t’asaj kohe. I pari është ai i rrethit të ngushtë të udhëheqësit, duke filluar nga bashkëshortja e deri tek kuadrot kryesore të partisë e të Shtetit, nga qëndra deri në skajet më të largëta të Vendit, të përshkruara në përmasat e tyre të vërteta të mungesës së vlerave, të dinjitetit, të meritave, një klasë drejtuese e aftë vetëm për t’u jargavitur në lajka e hipokrizi karshi të parit të vet. I dyti është ai i militantëve të partisë, ish partizanëve, komunistëve, heronjve të punës, sigurimsave, të gjithë asaj hordhije jo të vogël shqiptarësh që e patën për nder e krenari të ishin baza besnike dhe e sigurtë e një diktature, e cila kishte si strategji kryesore të saj “luftën e klasave”, atë dukuri të pafund në kohë e mizori, një nga treguesit kryesorë të së veçantës së “socializmit shqiptar”. I treti është ai i viktimave të dhunës “proletare”, i asaj pjese të popullsisë që pagoi me vuajtje të pashëmbullta përkatësinë e të parëve të tyre në pjesën kundër komuniste të shoqërisë.

Episode komike, dramatike e tragjike përbëjnë lëndën e tre mini romaneve. Mjediset e përshkruara me mjeshtëri e vërtetësi janë terreni ku lëvizin personazhet, secili me botën e vet shpirtërore, secili me të veçantën e tij. Ata i ngjajnë një tufe insektesh që vërtiten rreth një llambe që i mban pranë me dritën e saj, por që në takimin me të përzhiten e bien në tokë. Llamba është arkivoli me trupin e Enver Hoxhës, ndërsa insektet janë njerëzit që, për mirë apo për keq, e kanë lidhur fatin e tyre me emrin e tij.

Në këtë galeri të gjërë personazhesh bien në sy, veç grimiorit që është treguesi në vetë të parë i ngjarjeve, Teloja, i plotfuqishmi i sigurisë së “shtëpisë mbretërore” të kuqe, njeriu në hije para të cilit rrijnë gatitu të gjitha kukullat e udhëheqjes së Vendit, Moisi Dhëmblani, një farë poeti oborri i qytetit të lindjes së diktatorit, nënkryetari i presidiumit të Kuvendit popullor në një episod sa komik aq kuptimplotë për të kuptuar mekanizmin infernal të regjimit, sosia e Komandantit që përfundon në arkivol për të ruajtur paraqitjen e jashtëme të tij në sytë e turmave, çifti Rico me kompleksin e tij të besnikërisë e adhurimit për Enverin por dhe me dëshirën për të festuar në një dasëm familjare, Kujtim Gjyzari, i “burgosuri i përjetshëm” i regjimit. Këta e të tjerë lidhen me figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës, qoftë për së gjalli, qoftë dhe kur ai gjendet pa frymë në arkivol.

Episodet, të cilat përshkruajnë këto lidhje, janë secili një hallkë e atij zinxhiri të gjatë që qe diktatura e personifikuar nga Enver Hoxha, një sistem në të cilin dhuna, pabesia e mashtrimi nuk njohën caqe, duke krijuar një shoqëri në të cilën frika ishte motivi zotërues i jetës. Kjo ndjenjë, që arrinte të kushtëzonte skajshmërisht çdo qelizë të shoqërisë, gjen shprehjen e saj më domethënëse në të gjitha veprimtaritë që përbëjnë skenën e shfaqjes së fundit të duetit Enver-Shqipëri, që përbën lëndën kryesore të veprës e shqetësimin më të madh të shkrimtarit. Depersonalizimi i bashkatdhetarëve, indoktrinimi skajor i tyre, tjetërsimi i karakterit që humbet vetitë tradicionale të racës, këto janë për autorin dëmet më të mëdha që komunizmi i solli Shqipërisë. Kriza morale në të cilën u zhyt shoqëria, simptomat e së cilës janë të gjalla ende, që i ktheu shumë qytetarë të këtij Vendi në automatë imoraliteti, duke patur për faltore ndërtesat e degëve të brëndëshme e për rrëfyes oficerët e Sigurimit, ishte ndoshta plaga më e thellë që infektoi trupin e Shqipërisë. Ai infeksion, për dobinë e zbulimit të të cilit vazhdojmë të diskutojmë ende sot, qe si një stuhi rrënuese që rrafshoi vlera e karaktere, pothuajse në të gjitha shtresat e shoqërisë. Asaj stuhije gjysëm shekullore i qëndruan individët më të shëndoshë, jo si prejardhje, as si shtresë shoqërore, por si karakter vetiak. Kam përshtypjen se autori është mjaft pesimist e i pezmatuar n’atë drejtim. Në mjediset që paraqet gjen pak motive shpresëdhënëse, ata i shëmbëllejnë një bataku pa kufi, ku notohet nën rrezikun e zhytjes në çdo çast.

Në gjithë këtë katrahurë, që është Shqipëria e ditëve të funeralit, shkrimtari shpëton vetëm një personazh, Kujtim Gjyzarin. Ai është kanakari i autorit, i zgjedhuri i tij, simboli i qëndresës ndaj së keqes, i luftës së pabarabartë me të. Historia e personazhit përbën lëndën e një romani më vete. Jeta e tij është një pasqyrë e mizorisë së një regjimi, që synoi të çthurë moralisht qytetarin, e që nuk nguroi të përdorë dhunën më skajore tek ata që i bënë qëndresë kësaj prirjeje. Kujtimi arrestohet në moshën 17 vjeçare, sepse do të paguajë haraçin e një familjeje në të cilën babai ishte në burg e tre vëllezërit u arratisën për t’i shpëtuar atij fundi. Ishte një i ri idealist i mëkuar me veprat e rilindësve dhe autorëve kombëtaristë të dhjetvjeçarëve të parë të shekullit të shkuar. Ishte një i ri i çiltër e i sinqertë i edukuar me bindjen se e vërteta duhet pohuar në çfarëdo rrethane. Të vërtetën për dënimin e padrejtë të tij nuk e mohon kurrë, madje as para Enver Hoxhës, që shkoi të “vizitojë” burgun. Ky pohim i kushtoi shumë mundime, vite burgu e tortura, por ai nuk u dha edhe kur pësoi zhgënjimin e madh, rrahjen nga bashkëvuajtësit pragmatikë në kërkim të një luge sheqer.

Lotët e tij në birucë, kur merr vesh nga altoparlanti vdekjen e diktatorit, janë një gjetje shumë e bukur e autorit që krijon një tabllo të pashlyeshme nga mëndja e lexuesit. Ato lotë shprehin gëzim e shpresë, por edhe dëshpërim sepse me emrin  që vajtonte atë ditë zyrtarisht Shqipëria, ishin lidhur shumë tragjedi e jetë të dhunuara si ajo e vetë Kujtimit, e prindërve të tij e sa e sa viktimave anekënd atdheut. Ata lotë nuk i bashkohen atyre të turmave servile e hipokrite anembanë Shqipërisë, ata lotë janë bilanci i hidhur që vetëdija e kësaj të fundit i bën vetes. Ata lotë shënojnë një fund e një fillim që duhet të burojë prej tyre. Aty duhet të marrë forcën e vet Shqipëria e ardhme për të filluar ngritjen e saj, në të cilën do të kenë një rol të rëndësishëm njerëzit si Kujtimi. Ky është mesazhi i shpresës që, tërthoraz përciell shkrimtari, ky është besimi i tij. Fatkeqësisht kjo nuk qe bindja e atyre që morën përsipër misionin e vështirë të ndërtimit të demokracisë shqiptare pas komuniste.

Për kushtet e veçanta të kombit tonë letërsia është binjakëzuar me historinë dhe ngjarjet e saj më të rëndësishme. Nëse për gjysëm shekulli kemi patur një letërsi që ka ndihmuar politikën për të krijuar realitetin “virtual” në mëndjet e shqiptarëve, duhet të kemi kurajon e forcën të krijojmë një tjetër letërsi që të vihet në shërbim të së vërtetës, mbasi ende “ kushtrimi i të parëve” vazhdon t’a mbulojë e tjetërsojë atë. Përgëzimet më të mira z. Pëllumb Kulla, që me veprën e tij  të arrirë jep një ndihmesë themelore n’atë drejtim, duke i bërë një shërbim të çmuar kulturës shqiptare dhe popullit të tij.

Shkurt 2009

Disa pyetje për Alketa Vejsiun! Nga Elida Buçpapaj

Edi Rama, kryeministri i vendit më të varfër të Europës, i ka blerë të gjitha mediat në Itali?

Pyetje është.

Më thoni kush mund të shfaqet dhe promovohet si yll, brenda ditës, në katër mediume kryesore në Itali, duke përfshirë kanalin publik, dy televizionet private më të fuqishme dhe një nga gazetat më të mëdha sikur La Repubblica, ndërsa Shqipëria është e kallur në mizerje dhe keqqeverisje?!

Ka mik të madhin Vittorio Sgarbi? Vittorio Sgarbi-n që i tha Rafeala Carra-së se doli nudo për një revistë Playboy të Italisë se u pagua 80 milionë lireta?! Sgarbi-n që i quan gratë “capra, capra, capra”! “dhi, dhi, dhi” dhe që ka shkuar me mijra femra e midis tyre edhe me një shqiptare me të cilën ka një vajzë studente të shkëlqyer, që i ka dhënë atësinë tash së voni?! Po moral ka Sgarbi? A është e mundur që liritë e njeriut të shpërdoren deri aty sa morali të quhet konvencion mesjetar, familja inkuizicion, ndërsa femra një lloj bagëtie?! Këto qenkan vlerat e civilizimit Perëndimor?

A ka ndikuar fuqia e Edi Ramës që Alketa Vejsiu, një showgirl shumë e njohur shqiptare, ndërsa po kalon një moment krize në botën e showbiz-it në Tiranë, të arrijë deri në Feastivalin e Këngës Italiane në Sanremo?

Ky vlerësim i lartë ka ardhur për prezantuesen dhe producenten e Televizionit Klan nga jashtë territorit të vendit të shqiponjave, ndërsa në Tiranë ka plasur një polemikë e madhe nga artistë shqiptarë të cilët iu kundërvunë Festivalit të 58-të që e drejtonte Alketa Vejsiu. Dhe vetë Alketa vazhdon të jetë në qendër të kritikave për performancë aspak artistike, duke u paraqitur si një doll toy e kurdisur, pa shpirt që arrin Guiness nëse llogariten fjalët që shqipton në një minutë.

Alketa Vejsiu në Festivalin e 58-të të RTSH, përveçse prezantuese, ishte edhe një nga sponsoret e tij. Dhe u tha se veshjet e panumërta që ajo ndërronte ishin të firmës Class ku ajo është pronare.

Prezantimi i festivalit të 58-të të Këngës në RTSH nga Alketa Vejsiu u prit me sulme kundër saj edhe në rrjetin social! Dhe këto sulme nuk janë ndalur edhe pas lajmit nga Italia.

A thua se të gjithë janë xhelozë ndaj Alketës, që krenohet se ka filluar të punojë që 12 vjeç, ndërsa Shqipëria po zbrazet, sepse aty s’ka as punë dhe as dinjitet dhe gjithë yjet e skenës botërore shqiptare kanë arritur majat jashtë Shqipërisë, ndërsa arti dhe artistët në Shqipërinë e Alketa Vejsiut janë të nëpërkëmbur dhe të poshtruar.

Kryeministri Edi Rama bashkë me kryetarin e bashkisë së Tiranës i janë sulur për ta shembur Teatrin Kombëtar, duke e etiketuar si «shtëpi me drita të kuqe» ndërtuar në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, ndërsa artistët në Shqipëri e konsiderojnë Edi Ramën vrasës të shpresës. Edmond Budina, aktor dhe regjisor i njohur, që jeton në Itali, është kthyer në Shqipëri të mbrojë Teatrin nga kthetrat e Edi Ramës dhe ai thotë se «Tiranës po i merret fryma nga interesat mafioze të pushtetarëve dhe mafies të ndërtimit». Për koinçidencë edhe bashkëshorti i Alketa Vejsiut është biznesmen firmash ndërtimi.

Të mos flasim pastaj për plagët e tërmetit, ku njerëzit jetojnë nëpër çadra, në kushte trishtimi pashërim.

Pikërisht në këtë moment fare të palumtur për shqiptarët, Alketa Vejsiu arrin qiellin e shtatë dhe shpërndan në rrjetin social lajmin e ANSA-s se ajo do të jetë pjesë e kastit femëror që ka zgjedhur Amadeus për Festivalin e 70-të të Sanremos, midis yjeve të ekranit të madh dhe të vogël të Italisë si Mara Venier, Monica Bellucci, Antonella Clerici, Diletta Leotta, Emma D’Aquino, Laura Chimenti deri tek gruaja e Christiano Ronaldos, Georgina Rodrigues!

Në konferencën për shtyp Amadeus tha se Alketa Vejsiu është prezentatorja “që drejton të gjitha programet televizive që jepen nga televizioni shqiptar.”  E megjithatë këtu duhet bërë një saktësim. Alketa Vejsiu është pjesë e programeve të televizionit Klan. Fakti që ajo paraqiti edhe Festivalin e 58-të të RTSH shkaktoi tërmet në botën e artit, të cilët akuzuan për monopolizim dhe bënë apel që të paktën në një event si Festivali i Këngës në RTSH, si televizioni publik shqiptar, duhet të dominojë përzgjedhja profesionale.

Sa i përket lajmit të ANSA-s për Alketa Vejsiun, të krijohet përshtypja se nuk është pritur mirë nga rrjeti social, sepse prezantuesja vendosi një monolog të saj mbi piano, Monologun e Alketës, një fytyrë e bukur që dërdëlliti si gramafon i prishur, duke pretenduar se qielli është plot me yje dhe secili po të dojë e ka rrugën e hapur që të ketë suksesin e saj. Kjo nuk është e vërtetë! Në qiellin e Shqipërisë edhe yjet janë nën patronazhin e mafies dhe duket se shkëlqejnë vetëm për kastën politike, ku përfshihen politikanët, oligarkët, media.

A mjafton bukuria e Alketa Vejsiut që të shkojë në San Remo? Kësaj pyetje mund t’i përgjigjen Zia Mara Venier apo Clerici. Televizioni italian ka zonja të mëdha të ekranit të vogël, siç ka edhe reality show të mbushur me vulgaritete por që shihen nga publiku.

Ndërsa pas lajmit të ANSA-s, Alketa Vejsiu shprehu në rrjetin social menjëherë mirënjohjen dhe falenderimet për Italinë, për Lucio Presta dhe për çiftin Amadeus dhe gruan e tij Giovanna Civitillo!

Po që kur çifi Amadeus-Civitillo qenkan bërë pronarët e RAI-t?

Po kush është Lucio Presta?

Lucio Presta është agjent i shumë yjeve të botës të artit në Itali.

A mos është edhe agjent i Alketa Vejsiut?

Nëpër televizionet private zgjedhjet varen nga pronarët, ndërsa tek RAI- si televizion publik verdikti profesional është prioritet.

Normalisht, po të ishte e zgjuar Alketa Vejsiu, duhej t’i shprehte mirënjohjen Mamma RAI-t. Po ajo është e sinqertë dhe i është mirënjohëse dhe ia di për nder që del në San Remo Lucio Presta-s, Amadeus-it dhe deri edhe Giovanna Civitillos- ish Valletta-s të RAI-it dhe gruas së drejtuesit të San Remos.

Lind pyetja, a është paguar Lucio Presta nga Alketa Vejsiu? Si e përmenda në krye, Alketa Vejsiu nuk është vetëm një showgirl e famshme në Shqipëri, por ajo ka edhe biznesin e saj, firmën që e quan Class, ku organizon cermoni martesash luksoze.

Në shtypin shqiptar u fol se Alketa Vejsiu kishte organizuar deri ceremoninë luksoze të martesës së kryetarit aktual të Bashkisë Erion Veliaj, krahun e djathtë të Edi Ramës. Erion Veliajn e ka gjithashtu edhe personazh të programeve të saj, po ashtu bashkia i mbështet programet e Alketa Vejsiut.

A ka konflikt interesi? Klientelizëm? Apo jo?

Alketa Vejsiu po ashtu në programet e saj fton edhe yje nga bota e artit, këngëtarë të famshëm dhe nga bota e televizionit. Shqiptarët flasin pothuaj të gjithë italisht, ndërsa nga italianët flet (një shqipe të çalë ) vetëm Carlo Bollino.

Midis të ftuarve nga Italia, Alketa Vejsiu ka ftuar edhe Paola Perego-n, moderatore e televizionit italian, por të mos harrojmë se Paola Perego është edhe bashkëshortja e Lucio Presta-s. Të jetë rastësi? Në Itali shtypi e ka marrë shumë nëpër gojë Paola Perego-n, sipas të cilit, kjo i ka fituar programet e saj me mik, dmth si gruaja e agjentit të spetakleve në Itali. Kjo krijon edhe hije në ftesën e Alketa Vejsiut në San Remo!

***

Të njëjtën ditë që ANSA dha lajmin se Alketa Vejsiu do të ishte pjesë e kastit në Festivalin e Sanremo-s, në Shqipëri u shua bashkëregjisori i njërit prej filmave më të shikuar nga shqiptarët, një kinokomedi brilante që u ka rezistuar kohërave, e titulluar Kapedani. Ai quhej Fehmi Hoshafi. Bashkëregjisor i këtij filmi është një tjetër regjisor i famshëm shqiptar Muharrem Fejzo, të cilit i urojmë jetë të gjatë. Sa ishte gjallë Fehmi Hoshafi askush nuk u kujtua për të, paçka se filmi i tij Kapedani jepet vazhdimisht, ndërsa lajmin e vdekjes e dhanë të gjitha mediat.

Kjo është tragjedia e artit shqiptar, artistët, shkrimtarët në atdhe jetojnë në kushte mjerimi. Ata krijojnë artin, i japin identitet kombit, janë yje, por në qiellin shqiptar se kush do të jetë yll e vendos dhe administron politika! Edhe televizionet kryesore private të Tiranës mbahen financiarisht nga oligarkët dhe nga politika. Përpara disa vitesh Klan kritikohej nga opozita se kishte të ardhura nga reklamat e paguara nga shteti sa buxheti i disa dhjetra bashkive të Shqipërisë!

Një dramë tjetër e artistëve shqiptarë është se ata nuk gëzojnë të drejtën e autorit. Shteti dhe televizionet private i vjedhin artistët dhe i lenë në mjerim.  Televizione si Klan, ku i ka programet e saj Alketa Vejsiu, por edhe televizioni publik RTSH kanë 30 vjet që shfaqin veprat e artistëve, përfshi veprat e kompozitorëve duke mos u paguar të drejtën e autorit.

Pra vjedhja është kthyer në institucion, artistët shqiptarë vidhen, jetojnë të varfër dhe vetëm kur vdesin u kujtohet se kush ishin.

Ky është realiteti i hidhur shqiptar brenda kufijve, prandaj shqiptarët ikin në Perëndim, ku e fitojnë jetën dhe famën me punë dhe sakrifica!

Presidenca shqiptare e OSBE dhe Kosova – Nga SHABAN MURATI

Është një praktikë dhe traditë e njohur diplomatike ndërkombëtare, që kur një shtet merr kryesimin rotativ të një organizate ndërkombëtare, qoftë të Bashkimit Europian, qoftë të OSBE, apo tjetër, në paraqitjen e programit të kryesimit jep edhe problematikën dhe identitetin gjeografik të rajonit nga vjen.

Ndaj lë një shije të hidhur kur lexon në faqen e Kryeministrisë fjalën e mbajtur në 9 janar 2020 mbi programin dhe prioritetet e kryesisë shqiptare të OSBE në Këshillin e Përhershëm të organizatës në Vienë nga kryetari i rradhës i OSBE dhe kryeministër e ministër i jashtëm i Shqipërisë, Edi Rama, dhe nuk përmendet asgjëkundi as Ballkani e as Kosova. Që nuk është e rastësishme dhe as harresë e tregon edhe fakti që as në konferencën e përbashkët të shtypit me sekretarin e përgjithshëm të OSBE në Vienë kryesuesi shqiptar i OSBE nuk përmendi as Ballkanin dhe as Kosovën.

Ndoshta ata, që i shkruajnë fjalimet do të justifikohen se këtë lloj fjalimi, që fluturon nëpër re dhe nuk përmend as Ballkanin dhe as Kosovën, e dikton neutraliteti, që e kërkon një post i tillë i kryetarit të rradhës të OSBE. Është një alibi që nuk qendron, mjafton të shohësh fjalimet e kryetarëve të mëparshëm të rradhës të OSBE, ku të gjithë kanë paraqitur identitetin e problematikës së vet rajonale.

Janë dy cikle problemesh, që përballon çdo shtet, që merr kryesimin. Cikli i parë është ai i problemeve të përgjithshme të organizatës, siç janë terrorizmi, çeshtja e Ukrainës Lindore apo e Transnistrias. Cikli i dytë është ai i problemeve të rajonit përkatës nga vjen shteti kryesues dhe që presupozon se ai do të përqendrohet të japë kontribut të veçantë për zgjidhjen e tyre.

Nuk besoj se ka diplomat të çdo niveli qoftë, që mendon se kryetarit të rradhës të OSBE, Shqipërisë, dikush ia ka ndaluar të flasë për Ballkanin. Ballkani është një nga rajonet më të pastabilizuar të kontinentit europian. Është rajoni, ku janë të pazgjidhura dy nga dosjet diplomatike më të mprehta në vlim, siç është çeshtja e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe çeshtja pezull e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Ballkani është rajoni, që jo vetëm nuk ka përmbyllur ciklin e pajtimit, por po sjell valë të reja të nacionalizmit agresiv, siç shihet në marrëdhëniet e acaruara midis Serbisë dhe Malit të Zi, Serbisë dhe Kroacisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë dhe Kosovës.

Ballkani është në të njejtën kohe rajoni, ku pas ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë dhe aneksimit të dhunshëm të Krimesë, strategjia ruse e tensioneve dhe e përplasjeve gjeopolitike u çvendos në rajonin ballkanik. Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s, shtet kandidat i BE, shtet ballkanik, ndaj është e pakuptueshme që merr kryesinë e rradhës të OSBE dhe nuk e përmend as Ballkanin e as Kosovën.

Që nuk është normale kjo lloj sjellje diplomatike e Shqipërisë mjafton ta krahasojmë me qendrimin e mbajtur nga Serbia, një shtet ballkanik kryesues i OSBE në vitin 2015. Serbia është anëtare e re e OSBE dhe ka hyrë në këtë organizatë dhjetë vjet pas Shqipërisë, pavarësisht se mori kryesimin e OSBE pesë vjet përpara Shqipërisë, me ndihmën e Shqipërisë.

Në mbledhjen inagurale të kryesimit të OSBE nga Serbia, në fjalën e mbajtur nga ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç në Këshillin e Përhershëm të OSBE në Vienë në 15 janar 2015 për paraqitjen e prioriteteve të Serbisë gjatë kryesimit, kryetari serb i rradhës foli për Ballkanin Perëndimor dhe për proceset e bashkëpunimit rajonal dhe të pajtimit rajonal në Ballkan.

Edhe më parë në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të OSBE në Vienë në 15 korrik 2014, kur paraqiti prioritetet e kryesisë së Serbisë të OSBE për vitin 2015, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç deklaroi se kryesia serbe e OSBE për vitin 2015 do t’i kushtojë vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor me fokus në bashkëpunimin rajonal dhe ripajtimin rajonal. Ivica Daçiç shprehu angazhimin e plotë të Serbisë në dialogun e udhëhequr nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës dhe njoftoi se planifikon të bëjë vizita në vendet, ku ka prezencë të OSBE, përfshirë edhe Kosovën.

Pra Serbinë si shtet ballkanik nuk e pengoi i ashtuquajturi neutralitet i postit të kryetarit të rradhës të OSBE që të paraqesë në prioritetet e saj edhe Ballkanin, edhe Kosovën. Mënjanimi, që kryetari i ri i rradhës i OSBE nga Shqipëria i bën në programin dhe në prioritetet e veta të presidencës njëvjeçare edhe Ballkanit, edhe Kosovës, vjen si një shenjë e një veprimtarie kryesuese të paplanifikuar mirë dhe e cila po i shmanget detyrimeve shtetërore e kombëtare si dhe rolit të saj diplomatik e rajonal.

Emfazat infantile për rolin e ri historik të Shqipërisë që “për herë të parë në gjithë historinë e saj ka një rol në skenën ndërkombëtare”, nuk mund të mbulojnë të vërtetën që marrja e kryesimit të OSBE është një post pozitiv njëvjeçar me rotacion, si e drejtë e 57 shteteve anëtare të kësaj organizate, që përfshin edhe gjithë shtetet ish-republika sovjetike të Azisë.

Diplomacia e shteteve të vegjël nuk mund të jetë kozmopolite pa qenë së pari kombëtare. Sepse nëse Shqipëria si kryetare e rradhës nuk do të dëshmojë efikasitet në drejtimin e OSBE për përballimin e sfidave të rajonit të vet, vështirë të krijojë bindje se mund të sjell ndonjë kontribut në sfidat e mëdha kontinentale.

Është lehtësisht e kuptueshme se askush nuk pret që Shqipëria e luajë nga vendi gurin e rëndë të krizës së Ukrainës Lindore si një krizë që nuk po e zgjidhin dot as shtetet e mëdha si SHBA, Gjermania, Franca, etj. Askush nuk mendon se Shqipëria si kryetare e rradhës e OSBE do të zgjidhë krizën e Transnistrias, që është shpallur e pavarur para 30 vitesh duke krijuar një konflikt të ngrirë, që ekziston jo vetëm në OSBE, por që artificialisht është edhe në organizatën e vetme rajonale ballkanike të SEECP, ku për faj edhe të votës së Shqipërisë u pranua Moldavia anëtare si shtet ballkanik.

Në raport me sfidat e krizat globale të kontinentit Shqipëria si kryesuese e OSBE pritet të bëjë thjesht rutinën e organizimit të veprimtarive, eksplorimeve dhe misioneve diplomatike të OSBE në Ukrainë apo Moldavi. Por kontributi i saj efektiv pritet në ciklin e dytë të problematikës dhe konkretisht në Ballkan, ku ndodhet vetë.

Shqipëria mund dhe duhet të angazhohet të verë në lëvizje OSBE në funksion të rigjallërimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve fqinjë. Kjo nuk ka të bëjë me “neutralitetin“e funksionit të kryetarit të OSBE, sepse dialogu Kosovë-Serbi është i jetësuar në bazë të rezolutës së OKB dhe është zhvilluar me ndërmjetësimin e BE. Shqipëria mund t’i atashohet si kryetare e rradhës e OSBE përpjekjeve ndërkombëtare për vënien në lëvizje të dialogut në funksion të normalizimit të marrëdhënieve dhe stabilitetit në rajon.

Nuk janë të qarta shkaqet përse presidenca shqiptare e OSBE heziton dhe nuk guxon të përmendë as Ballkanin e as Kosovën. Çdo diplomat i rangut të ulët do të kishte qenë në gjendje t’i sugjeronte formula të përfshirjes në prioritetet e kryesimit shqiptar edhe Ballkanin, edhe Kosovën.

Ka një hipotezë se hezitimi i Tiranës për të paraqitur Kosovën në programin e saj të kryesimit mund të vijë nga presioni i Serbisë mbi qeverinë e Shqipërisë. Në datën 5 dhjetor 2018 kur Këshilli Ministerial i OSBE miratoi marrjen e presidencës së rradhës nga Shqipëria, Serbia ka paraqitur një deklaratë interpretative, ku i kërkon Shqipërisë që “vendimet e saj gjatë kryesimit të OSBE lidhur me çeshtjen e “Kosovës dhe Metohisë” të merren në mënyrë transparente. Ne presim nga kryesia shqiptare që të shmangë çdo veprim që nuk përputhet me statusin e neutralitetit të organizatës sonë. Ne presim që Shqipëria të shmangë axhendën e saj kombëtare gjatë 2020. Serbia është gati të ndajë me të përvojën e saj në kryesimin e OSBE në vitin 2015”.

Ka dhe një hipotezë tjetër që shmangien e Kosovës nga programi i presidencës shqiptare të OSBE ta kenë sugjeruar delfinët shqiptare të ish-ministrave të jashtëm serbë, që sot e kësaj dite i ngatërrohen nëpër këmbë diplomacisë së Shqipërisë.

Personalisht do ta këshilloja qeverinë që ta aplikonte përvojën e kryesimit të OSBE nga Serbia në lidhje me Kosovën dhe ta bënte Kosovën pjesë të prioriteteve të presidencës shqipare. Kryetari i rradhës i OSBE në 2015 Ivica Daçiç në të gjitha veprimtaritë dhe vizitat vazhdimisht ka deklaruar dhe ka luftuar kundër pavarësisë së Kosovës, lavdëronte shtetet që nuk e njihnin Kosovën dhe lobonte për çnjohjen e Kosovës në shtetet që e njihnin.

Shqipëria, anëtare e OSBE, nuk protestoi njëherë në atë kohë pse presidenca serbe nuk respektonte “neutralitetin” e organizatës. Ministri i jashtëm serb shkonte gjithandej me uniformën e kryetarit të OSBE, me paratë e OSBE, ku janë edhe kuotat e Shqipërisë, dhe vepronte për interesat e ngushta të Serbisë kundër Kosovës dhe Tirana nuk protestoi njëherë.

Funksioni i kryetarit të rradhës të OSBE nuk është këmisha e forcës për të mbyllur gojën për interesat jetike kombëtare, ku hyn edhe Kosova. Shqipëria duhet t’i mbyllë gojën në OSBE Serbisë, e cila ende flet në OSBE me emrat kolonizues “Kosova-Metohija”, në një kohë që gjithë dokumentat ndërkombëtare, që nga rezoluta 1244 dhe të gjitha dokumentat e OKB, të BE, të Këshillit të Europës, të OSBE,etj. e përcaktojnë emrin Kosovë.

Shqipëria duhet t’i mbyllë gojën në OSBE Serbisë që flet për “deklaratë të njëanëshme të pavarësisë” së Kosovës, në një kohë kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, tribunali më i lartë juridik i OKB, ka përcaktuar me vendim gjyqësor se pavarësa e Kosovës përputhet me ligjin ndërkombëtar.

Presidenca shqiptare e OSBE bën mirë që ka planifikuar të shkojë në disa shtete të OSBE, përfshirë edhe disa që nuk e njohin Kosovën. Por në vend që të djersitet për Donjeckun e Luganskun, do të bëjë mirë të përfitojë nga rasti t’u flasë për Kosovën dhe nevojën e njohjes së saj. Ai duhet ta bëjë këtë edhe në Rusi, ku planifikon të shkojë, dhe të mos ketë asnjë drojtje, përderisa presidenti Putin ka zhvilluar bisedime me presidentin e Kosovës në Paris në nëntor 2018.

Dhe të jetë i sigurt që në Moskë do ta marrin më seriozisht, nëse u flet për Kosovën dhe jo për Krimenë.

Është për të ardhur keq që kryetari i rradhës i OSBE e filloi misionin e tij me një autogol diplomatik. Në takimin në Vienë me disa gazetarë shqiptarë, me gjysëm zëri deklaroi se “e kemi kapacitetin për të bërë diçka per Kosovën, aq më tepër që unë në Prishtinën zyrtare jam tradhëtar”.

Është një mungesë korrektësie diplomatike dhe shtetërore, kur sapo ke veshur qyrkun e kryetarit të OSBE pret urat me Prishtinën zyrtare. Përveç habisë së sjelljes jonormale midis dy shteteve shqiptare, lind dyshimi i madh në qarqet diplomatike të Vienës dhe të Europës për shkallën e besueshmërisë ndaj presidencës shqiptare në OSBE, e cila nuk është në gjendje të zgjidhë konfliktin me shtetin e saj vëlla Kosovën, pa le më t’i besosh të ndërmjetësojë për Krimenë, Donjeckun, Luganskun, Transnistrian, etj.

Shqipëria sapo e mori funksionin e kryetarit njëvjeçar të OSBE. E nisi keq, por ka ende kohë ta koregjoje dhe të verë në programin e saj të veprimtarisë diplomatike si kryesuese e OSBE interesat e saj jetike.

Kozmopolitizmin le t’ua lerë shteteve të mëdha, që mund t’ia përballojnë kostot.

HEROIZMI KUNDËR KOMUNIST – Nga EUGJEN MERLIKA

(Kujtesë për demostratën e 14 janarit 1990 në Shkodër)

            “ Pjesa më e madhe e heronjve janë si disa piktura: për t’i vlerësuar nuk duhen parë shumë pranë”

Francois LAROCHEFOUCAULD (1613 – 1680), shkrimtar francez

Ka ditë në historinë e popujve që hyjnë pa zhurmë, që me ngjarje, në dukje të thjeshta e të parëndësishme, por që bartin në vetvete farën e ndodhive të jashtzakonshme, marrin rëndësinë e tyre me kalimin e kohës. Ato janë si fara e një druri të stërmadh që don kohën e tij për të mbirë e për t’u rritur, por kur të ketë kryer proçesin e tij biologjik, lartësohet me të gjithë madhështinë e tij e kthehet në një objekt kulti, ku brezat, njëri pas tjetrit, gjejnë frymëzimin për të shkuar përpara dhe kyçin për të shpjeguar ndryshimin e epokave.

Një ditë e tillë ka qënë 14 janari 1990, në Shqipërinë “trup e shpirt të sakatosur”, në kryeqendrën e lashtë të Labeatëve, në qytetin e Shkodrës, ledhi më I fuqishëm I qëndresës morale ndaj komunizmit, që pushtoi Shqipërinë n’atë fund nëndori 1944. Ishte kohë ndryshimesh rrënjësore në Evropën e Lindjes. Në nëndorin e sapo kaluar, gjermanët, populli i mundur I luftës së Dytë botërore, kishte shkallmuar Murin e famshëm të Berlinit, simbolin e ndarjes në dy pjesë t’Evropës, ndërsa rumunët kishin asgjësuar me një revoltw mbarë popullore çiftin tiran të Vendit të tyre. Në të gjithë Vendet e tjera komunizmi pranonte hapur dështimin e tij historik, sepse simbas drejtuesit të fundit të kampit socialist, Mihail Gorbaçovit, “nuk mund t’u mohoheshin popujve fqinjë të drejtat e lirisë e demokracisë, polakëve, çekëve, hungarezëve, gjermanëve të Lindjes.”. Epoka e re pas komuniste kishte fytyrat e Vaclav Havelit dhe Lech Walesës, kundërshtarë të regjimeve, si simbole të saj.

Në këtë furtunë të fuqishme që shkallmonte regjimet diktatoriale e sillte në qiejtë e Evropës ajrin e pastër të lirisë, Shqipëria përpëlitej në mjerimin e saj proverbial, e drejtuar nga Jagoja i diktaturës që vazhdonte të belbëzonte përçart refrenin dritëshkurtër e kobzi të “vazhdimësisë”. Në Shqipëri, Vendi i fundit i perandorisë së kuqe n’Evropë, vazhdonin të qëndronin në këmbë, si relike të marrëzisë gjysëm shekullore shtetërore, bustet e Stalinit, që në atdheun e tij kishin përfunduar në furrat e shkrirjes më shumë se tridhjetepesë vite të shkuara.

Dikush në botën e madhe hodhi idenë se ky Vend meritonte të ruhej në gjëndjen që ishte “si një muze”, në të cilin turistët nga gjithë bota do të shihnin me sytë e tyre se çfarë fuqie shkatërruese kishte pushteti i idhtarëve të Stalinit për të kthyer njëmijë vjet mbrapa një Vend t’Evropës. N’atë fillim viti të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit dukej se Shqipëria kllapitej në gjumin e vdekjes, e trallisur nga përrallat nanuritëse të demagogëve të kuq në veshjen e të gjithë lakejve të diktaturës, që nga piramida drejtuese deri tek armata e ushtarakëve apo sigurimsave, e intelektualëve që luhateshin mes bindjeve të verbëra dhe erës që frynte nga Vendet e tjera simotra.

Pikërisht n’ata çaste kllapitjeje disa shqiptarë të thjeshtë, bij të denjë të Shkodrës, puntorë në qendra të ndryshme pune, patën idenë të thirrnin popullin e qytetit të tyre në një tubim të pazakontë për gjysëm shekullin e shkuar, nëpërmjet të cilit t’i përcillnin kastës në pushtet vullnetin e tyre për të ndryshuar kursin, për t’u vënë në një rrjedhë me Vendet e tjera të Lindjes, duke e filluar këtë rrugëtim të domosdoshëm me heqjen forcërisht të bustit të Stalinit nga sheshi kryesor i qytetit të tyre. Emrat e Rin Monajkës, Dedë Kasnecit, Nikolin Margjinit, Gjergj Livadhit, Kolec Hublinës, flamur Elbasanit, Aldo Perrizit, Flamur begut, Klaudio Dakës, Nikolin Thanës, Tonin Demës e të tremijë shkodranëve që atë ditë të ftohtë të 14 janarit mbushën sheshin dhe rrugët e Shkodrës, duke i dhënë jetë së parës demostrate masive kundër komuniste meritojnë vende nderi në kujtesën historike të kombit. Ai tubim qe shprehja e vetëdijes kritike të kombit, qe dëshmia më bindëse se Shqipëria e trallisur nuk ishte e vdekur, se në gjirin e saj kishte bij besnikë të përparimit të saj që ishin gati, me çmimin e jetës së tyre, të thirrnin në beleg e të trondisnin nga themelet një ngrehinë të shëmtuar e kriminale që nuk përfaqësonte aspak traditën shqiptare.

Ai tubim shkonte në hullinë e luftëtarëve kundër komunistëve, që qëndruan për nëntë vite në malet e Shqipërisë të mbajtur nga populli i tyre, n’atë të burgosurve politikë të revoltave të Spaçit e Qafë Barit. Pjestarët më në dukje t’atij tubimi u ballafaquan menjëherë me terrorin e Sigurimit dhe të Gjykatave, u rrahën egërsisht, u sakatuan. Rini Monajka është shëmbulli më flagrant i dhunës policore, pasojat e së cilës i pagoi me jetën e tij pak vite më vonë. Ata u bënë pionierët e parë të Rilindjes shqiptare të vonë, i hapën rrugën një qëndrese të fuqishme që u pasua me të tjerë tubime, si ai i 28 janarit në Kryeqytet e të tjerë me rradhë në Kavajë në Universitet,  e qytete të tjera. Ata i vunë gurët e parë Shqipërisë demokratike me guximin e tyre, me vetmohimin, me besimin se “kalaja e socializmit” ishte pa themele e si e tillë, nuk do të mund t’i qëndronte erës së lirisë. Ata ishin të ndërgjegjshëm se liria kërkonte sakrifica të fitohej e të mbahej. Ata djem të Shkodrës i pranuan sakrificat, u bënë si yjet ndriçues në qiellin e zi të diktaturës së Vendit të tyre. Si të tillë ata meritojnë vendin e tyre në Panteonin e heronjve të historisë bashkëkohore të Atdheut të tyre.

Fatkeqësisht, deri tani ata emra heronjsh kanë mbetur në hije, të errësuar nga real-politika apo nga të tjerë heronj të luftës kundër pushtuesit gjatë luftë së Dytë botërore. Historiografia zyrtare e gjithë këtyre tridhjetë viteve bie në një kundërthënë të dukëshme: nëse vazhdon të vlerësojë me të drejtë ata djem e vajza që u vranë me të vërtetë nga pushtuesit italianë apo gjermanë, që ishin e keqja e asaj kohe, nuk ka asnjë vlerësim për të tjerë shqiptarë që luftuan, me dhe pa armë, komunizmin që qe me të vërtetë e keqja më e madhe e këtij Vendi. Sot shumë bien në ujdi me këtë pohim të fundit, por nuk kanë ndershmërinë intelektuale të pranojnë se ata shqiptare e shqiptarë, që kanë dhënë jetën si kundër komunistë, kanë të njëjtën të drejtë të quhen heronj, sepse atë jetë e kanë dhënë për të kundërshtuar e luftuar diktaturën më mizore të historisë së Vendit të tyre e të mbarë Evropës së mbas luftës. Nëse “zgjedhja e duhur“, simbas tyre  atëherë ishte lufta kundër pushtuesve, me të njëjtën logjikë mbas vitit 1944, arrihet në përfundimin se ajo zgjedhje duhej t’ishte lufta e kundërshtimi i diktaturës komuniste.  Nëse argumenti më “i fuqishëm” i asaj historiografie, në analizën e asaj periudhe historike është se “ajo luftë e vuri Shqipërinë në anën e fituesve”, më 1990 po të ishte ishte e njëjta njësi mendimi e veprimi në gjykim, do të duhej të pohonin ndershmërisht që gati gjysëm shekulli komunist ishte një dështim i plotë i gjithanshëm, mbasi Shqipëria bënte pjesë në gjysmë sferën e diktaturave më të zeza, pra “jo në zgjedhjen e duhur”.

Heronjtë e vërtetë janë të gjithë ata shqiptarë e shqiptare që nuk u pajtuan kurrë me regjimin lirivrasës të komunistëve, që e shprehën mospajtimin në mënyra të ndryshme, duke filluar që nga jeta në mal me armë në dorë deri në vdekjen pa varr në Atdheun e tyre, tek ata bij e bija të Shqipërisë e Kosovës që u masakruan nga ushtarët serbë, sepse deshën të mbronin Shqipërinë etnike, tek të gjithë ata intelektualë, klerikë e studentë, që diktatura i asgjësoi pa mëshirë si “armiq të popullit”, sepse deshën Shqipërinë evropiane, një Vend ku të respektohej e drejta e secilit për të lutur Zotin e për të shprehur lirisht mendimin e vet, tek ata që në mizorinë e kampeve të punës së detyruar të Spaçit apo Qafë Barit patë guximin të flijoheshin për të ngritur flamurin pa yllin e kuq, simbolin e Rusisë bolshevike, tek të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij trualli, që pranuan të bënin vite burgu, për të mos u bërë spiunë të regjimit në dëm të shokëve të tyre, për…..

Gjithësia kundër komuniste në Shqipëri, ndoshta nuk ka shumicën si sasi, por idealet për të cilët është flijuar për gati gjysmë shekulli, janë stolia më e vyer në ballin e Atdheut. Si të tillë ata meritojnë vlerësimin e respektin e duhur nga Shqipëria demokratike dhe historia që, simbas Carlyle-it “është poezia e vërtetë”. Mbas tridhjetë vitesh të tjetërsimit të sistemit, mbas një brezi tjetër që ka lindur, është rritur e futur në jetë, mendoj se shoqëria shqiptare, jeta akademike, politika, e kanë për detyrë të braktisin dogmat e diktaturës, të trajtojnë problemin me objektivitet shkencor e paanshmëri ideologjike. Është ky guri i provës që vihet sot para tyre, dëshmia e vërtetë nëse ka një demokraci në Shqipëri, apo ajo është kthyer në një demokraturë që vazhdon të shohë më shumë në pjesën e dytë të termit të përngjitur, se sa në të parën.

Më mirë të jesh mes të përndjekurve se sa mes përndjekësve” thuhet  në një    shprehje të marrë nga Talmudi, libri i ligjeve të lashtë të Izraelitëve. Organizatorët dhe qytetarët e Shkodrës atë 14 janar të tridhjetë viteve të shkuara, përqafuan e zbatuan filozofinë e kësaj shprehjeje, duke dhënë një ndihmesë të vyer në shpërndarjen e errësirës së natës komuniste e në agimin e demokracisë. Të gjithë ne që po jetojmë në këtë demokraci, edhe se të diskutueshme, u shprehim atyre mirënjohjen tonë si popull, duke u premtuar se do të ruajmë përjetë në kujtesën tonë veprën e tyre.

 

Janar 2019                                                                Eugjen Merlika

FAJËSI E PËRBASHKËT LDK-VV – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Koordinimi pozitiv opozitar, pas rrëzimit të qeverisë Mustafa, nga banda PAN, me pjesëmarrjen edhe të VV-së, ngjalli frikën e PAN-istëve. Ata vunë në lëvizje propagandën lehaqene, tipike komuniste, se “këto dy subjekte janë në armiqësi, veç ideologjike, edhe personale dhe dështimi i krijimit të qeverisë të përbashkët është i parathënë!”
     Në fakt, kundërshtitë e dhunshme të VV-së nuk ishin as ideologjike dhe aq më pak personale. Përkundrazi, ishin thellësisht kombëtare, që nga ndarja e Mitrovicës, 6 pikët e Baki Munit, Fusnota, Asociacioni, Demarkacioni, refuzimi i Hashimit president dhe të tjera batakçillëqe të PDK-së, të aprovuara  dhe të nënshkruara edhe nga LDK-ja.
     E konsiderojnë sakrificë uljen në dialog të ish-kryeministrit Mustafa, me shefin e VV-së Albin Kurtin. Mendoj se është e kundërta. Kryetari Isë, nga obligimet e marra ndaj Hashimit, me insistimin për aprovimin e Demarkacionit, ka provokuar shqiptarët e kudondodhur në botë. Për habinë e të gjithëve, fajësinë e tij e përsëriti edhe tani, kur thotë se “Kosova, me vijën aktuale kufitare me Malin e Zi, nuk humbë asnjë pëllambë tokë!?”
     Ndarja e pushtetit 5+5 ministri dhe kryeministri për VV-në e kryekuvendari për LDK-në, ishte objektive, racionale. Matematikat se kryeministri është më shumë se sa Presidenti e Kryekuvendari ose sa 4 ministri, të marra së bashku, ishin jo reale dhe komplikoi dialogun në mes të VV-së dhe LDK-së. Oreksi i shtuar i LDK-së, thartoi dialogun. Shpikja e postit të presidentit, ngjalli shumë dyshime, për mungesë serioziteti dhe jo e gatshme për koalicion.
     Dihet se Vetëvendosje ka dënuar pazaret e pista të zgjedhjes të Hashimit president. Dhe, kishte të drejtë. Këtë e dinte LDK-ja, qysh më parë. Atëherë, pse provokoi, jo vetëm VV-në, por edhe popullin, kur pasojat e asaj zgjedhjeje, vazhdojnë t`i vuajnë shqiptarët. Nga ai pazar, më se shumti e pësoi Kosova, populli i saj dhe LDK-ja, si subjekt politik. Andaj, futja e presidentit, si pykë, në dialog, kundërmon padurueshëm dhe stopoi rrjedhën normale të dialogut.
     Deri këtu fajësia ishte e LDK-së, më saktë, e klanit të njohur brenda Kryesisë të LDK-së. Arsyeja është e brendshme. Ethet e trashëgimisë të kryetarit të LDK-së, janë bombë e kurdisur. Themi trashëgimisë dhe jo të zgjedhjes, sepse klani pas Kryetarit Rugova, rrënoi sistemin zgjedhor demokratik partiak, duke e zëvendësuar me emërime nepotike e klanore aklamative. Një sondazh i bërë drejtëpërdrejtë, rezulton i saktë: 83 % LDK-ja ka devijuar rrugën rugoviane dhe vetëm 17 % ka ruajtur nga ajo trashëgimi.
     Ruajtja e monopolit në Kryesinë e LDK-së, në Kuvendin e 9-të dhe deklarimi i njërit nga nënkryetarit të saj se “këta janë të rinj, për ta udhëhequr partinë”, kur dihet se janë në pragun e 40-ve e disa syrësh kaluar këtë moshë, flet për statusquon, uzurpimin e partisë. Kenedy dhe Obama, veçsa kishin kaluar të 40-at, kur u bënë presidentë të Amerikës apo Sabastian Kurz vetëm 31 vjeç Kancelar i Austrisë, Sanna Marin, 34 vjeçe, kryeminstre e Finlandës. Andaj, shqetësimi i nënkryetarit, më parë se mosha, është ruajtja e klanit, tashmë, të konsoliduar.
     LDK-ja, si parti akademike, me shumësi intelektualësh të mirëfilltë, duhej të ishte shembull demokracie, për partitë e tjera, qofshin edhe ato parti-banda, siç janë koalicioni PAN, duke aplikuar debatin e shpenguar, konkurrencën e ndershme dhe votimin e fshehtë demokratik. Si delegat i tri Kuvendeve “Zgjedhore”, përkatësisht, 7-të, 8-të dhe 9-të, të LDK-së, konstatoj se kjo parti ka degjeneruar demokracinë, njësoj si partitë tjera, duke ngulfatur LDK-në, gjë që pamundëson çfarëdo ndikimi pozitiv tek partitë tjera.
            Cilat janë rrjedhojat e përqendrimit të pushtetit tek kreu i partisë?
     Mendësia ballkanike ende vazhdon të jetë anadollake! Prandaj kreu i partisë ka etje pushtetare të pakufishme. Nënkryetari, të cilin e ndajnë vetëm tri gërma nga kryetari, kompetenca, e drejta e tij është vetëm aprovuese e veprimeve të kryetarit, qorrazi! Kjo ka reflektuar edhe për zëvendës-kryeministrat, zëvendës-ministrat. Përndryshe, një zëvendës-kryeministre si Vjosë Osmani, do ta relativizonte gjithëpushtetshmërinë e Kurtit, si kryeministër, plus Haki Abazi, si zëvendës i dytë. Dibranët kanë një urtësi të artë: Një mendje – asnjë mendje; dy mendje – gjysmë mendje; tri mendje – një mendje.
     Edhe politizimi i Ministrisë të Punëve të Brendshme, madje , edhe nga anëtarët e LDK-së, kishte një arsye të provuar më parë. Kryetari Isë emëroi njeriun e kulturës, ministër të brendshëm! U kuptua se ai ishte preferencë e Hashimit. I njëjti ish-ministër, mbrojti hapur qeverinë e PAN-it, sa të dobët, aq edhe kriminale, duke thënë se “rrëzimi i qeverisë aktuale, është difekt i madh!!!” Megjithatë, ai edhe pas kësaj  marrëzie politike, është anëtar i Kryesisë! Klani ruan, dhunshëm, monopolin mbi partinë!
     Nëse Zëvendës-ministri i Brendshëm nga VV-ja, ta zëmë, Liburn Aliu apo Xhelal Sveçla, do të ishin, vërtet, të dytë, pas ministrit të LDK-së, VV-ja nuk kishte pse të merakosej, për pengesë të realizimit të premtimit të luftimit të korrupsionit. Themi të korrupsionit dhe jo të krimit të organizuar vrastar, sepse Kurti, me pozicionimin kundër Gjykatës Speciale, rrjedhimisht, del në mbrojtje të hapur të krimit!
          Vetëvendosja nismon provokimet ndaj LDK-së
     Nga 26 dhjetori negativiteti i përket VV-së. Vërtet, kërkesa e LDK-së, për t`i dhënë edhe një javë afat, ishte e padrejtë, sepse takimet e përsëritura mumllëke, të heshtura, kishin edhe elemente të kotësisë së dukshme, sepse për çështjen e presidentit ishte dhënë përgjigje e prerë nga VV-ja, duke nënkuptuar si zgjedhje e popullit, jashtë partiak dhe jo me pazare politike partiake. Por, propozimi i kandidatit të VV-së për kryekuvendar, pa paralajmërim, aq më keq kur dihet se ky post ishte rezervuar për LDK-në, është provokim i VV-së, që vënë në dyshim një qasje serioze për koalicion.
     Ndërsa pauza 12 ditore e LDK-së, 26 dhjetor – 6 janar, me “justifikimin” se ishin pushimet e Vitit të Ri, ndërkohë që Evropa ka vetëm një ditë pushimi – 1 janarin -, është bajat, tërësisht, i papërgjegjshëm, para besimit dhe zotimit të marrë nga dhe ndaj elektoratit, popullit.
     Shpallja e listës emërore të ministrave, nga shefi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me një përgaditje solide profesionale, antipod i qeverisë katastrofale të PAN-it, është pritur mirë nga opinioni. Veçse, njëanshmëria, emërimet pa konsultim, me partnerin në dialog për koalicion, është provokimi i dytë i radhës, që na kujton thënien e malësorës mirditore: “Me pas majtë fëmija shpi, Kola jem i kish majtë tri!” Paparashikueshmëria është veti e fëminore, papjekuri. Një sjellje e tillë e Kurtit, është jo vetëm provokuese për LDK-në, por edhe irrituese për shqiptarët, që vazhdojnë të presin krijimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.
     Realisht, VV-ja dhe LDK-ja, përkatësisht, krerët e dy subjekteve, me bashkëpunëtorë, duhet të konsultoheshin për secilin ministër dhe të dakordoheshin. Sepse, vetëm kështu suksesi i një qeverie të përbashkët, do të ishte i garantuar. Përndryshe, shembulli negativ, deri në dështimin total të qeverisë PAN, duhet t`u shërbejë për reflektim palëve në dialog.
     Asnjë marrëveshje e suksesshme, nuk mund të arrihet pa kompromise dy palëshe. Vet fjala – Marrëveshje -, presupozon kompromisin. Dhe, kompromiset, gjithëherë, dhembin, për palët në bisedime. LDK-ja është përpjekur ta “arsyetojë” koalicionin me partinë-bandë, PDK-në, madje, edhe pas “Zanzibar-it, se mbetja në opozitë po e dëmton atë. Por, tani, që mundësia e koalicionit, të ngritjes në pozitë, është pa atë sakrificën e madhe, deri në shkeljen mbi gjakun e shumë qindra veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve luftëbërës, FARK-istë të Ibrahim Rugovës, të listuar dhe të vrarë ngeshëm e mizorisht, përgjatë dhe pas luftës, pse heziton, më saktë, neglizhon, për të mos thënë, përjashton koalicionin me Vetëvendosjen?!?
     E përsërisim, rrjedhën normale të koalicionit e pengoi, madje, deri në stopim klani brenda LDK-së, me kërkesën absurde të zgjedhjes së parakohshme të presidentit. Edhe pse populli i ngopur, deri në gërdi, me presidentin aktual, si rrjedhojë e pazareve të pista partiake, kërkon ndryshim të ligjit zgjedhor dhe zgjedhje të presidentit me votim plebishitar, LDK-ja ngulmon, çuditshëm, statusquon, me pazaret e përsëritura. Anëtarësia e LDK-së mendon ndryshe. Por, zëri i saj është mbytur, si rrjedhojë e ngulfatjes, të mungesës të demokracisë së brendshme zgjedhore.

Kështu Rusia po e destabilizon NATO-n nga brenda – Nga JANUSZ BUGAJSKI

Në pamundësi për të parandaluar zgjerimin e NATO-s, Moska po intensifikon fushatën e saj për të shkatërruar nga brenda anëtarët e Aleancës. Presidenti Vladimir Putin e konsideron NATO-n si kërcënimin kryesor ndaj ekspansionizmit të Rusisë dhe përllogarit se sabotimi me“fuqinë e butë” (metoda imponimi jo me luftë) është një mënyrë më e lirë dhe më efektive për të prishur unitetin perëndimor sesa një konfrontim ushtarak që do të ekspozonte dobësitë e Rusisë.

Kremlini ka kërcënuar shumë shtete europiane që të mos anëtarësohen në NATO, me frikën se kjo rrit praninë e Amerikës në mbrojtjen e Evropës. Ai gjithashtu ka zhvilluar një strategji paralele për të neutralizuar qeveritë aleate. Anëtarësimi në NATO sigurisht që e rrit sigurinë e një shteti, por nuk garanton imunitet ndaj përçarjes nën-ushtarake, veçanërisht nëse disa liderë kombëtarë paramendojnë se ata mund të përfitojnë politikisht ose personalisht nga ndërhyrjet e Moskës.

Sipas Rusisë, në NATO ka tre kategori shtetesh: të cenueshmit, të shfrytëzueshmit dhe rezistentët. Shtetet e cenueshme janë vendet e vogla në kufi me Rusinë ose anëtarët e rinj që janë të ekspozuar ndaj presionit. Tre republikat baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë janë më të ekspozuara se çdo anëtar tjetër i NATO-s dhe zyrtarët rus kombinojnë dezinformacionin me kërcënimet e drejtpërdrejta për të qetësuar qeveritë e tyre dhe për të penguar angazhimin e tyre me Sh.B.A. dhe aleatët e tjerë.

Rrëfenjat mashtruese (të përhapura) përmes mediave zyrtare dhe rrjeteve sociale kanë për qëllim të delegjitimojnë pavarësinë e Balltikut, të nxisin konflikte ndëretnike dhe t’i shfaqin qeveritë e këtyre (shteteve) si neo-fashistë që janë duke shtypur pakicat fatkeqe ruse. Pjesa më e madhe e kësaj propagande ka për qëllim që të bindë qeveritë perëndimore se ata tre vende nuk ia vlejnë të mbrohen në rast të një konfrontimi me Rusinë.

Anëtarët e NATO-s në Ballkanin Perëndimor janë gjithashtu të ekspozuar ndaj presioneve ruse. Pasi dështoi të parandalonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO duke përdorur nacionalistët serbë për të rrëzuar qeverinë e tij, Moska vazhdon të mbështesë opozitën anti- NATO dhe të pengojë përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE. Kremlini gjithashtu dështoi të bllokonte anëtarësimin  e Maqedonisë së Veriut në NATO, por vazhdon të ndezë tensione ndëretnike dhe të nxisë ekstremistët nacionalistë.

Shtetet e shfrytëzueshme janë kryesisht vendet e Europës Perëndimore që mund të depërtohen përmes biznesit, mediave ose korrupsionit politik. Gjermania, Franca dhe Italia shërbejnë si shembuj tipikë, ku një ish-Kancelar (Gerhard Schroeder), kreu i një partie të madhe opozitare (Marine Le Pen), dhe një ish-Zëvendës Kryeministri (Matteo Salvini) raportohet se janë rekrutuar financiarisht për t’i shërbyer Interesave të Kremlinit. Depërtimi i Moskës arrin thellësitë e elitave politike.

Gjithashtu është dëshmuar se edhe disa anëtarë të rinj të NATO-s janë të hapur ndaj ndikimeve të Moskës. Në Hungari, Republikën Çeke, Sllovaki dhe Bullgarijanë përmirësuar lidhjet personale me presidentë ose kryeministrapër t’i bindur ata të heqin dorë nga vendosja e sanksionevendaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainëssi dhe të lobojnë për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike me Moskën. Gjithashtu vihet në pikëpyetje edhe angazhimi i secilit shtet për të mbrojtur fqinjët e cënueshëm në rast të një sulmi rus.

Kroacia është kthyer në shënjestrën ekohëve të fundit të Kremlinit (me qëllim) kufizimin e zhvillimit të projekteve të energjisë që do të sfidonin ambiciet monopoliste të Rusisë në furnizimin me gaz të rajonit. Zagrebi, gjithashtu, është i dobishëm për Rusinë në mbajtjen e Bosnje -Hercegovinës të pastabilizuar me ngritjen e kërkesave për një tërësi kroate, e cila pasqyron presionet serbe ndaj vendit të brishtë.

Kategoria e tretë janë shtetet rezistentë, të cilët është provuar se janë më të pandikueshëm nga manipulimet e Rusisë. Dy shembujt kryesorë janë Polonia dhe Rumania, ku politikanët e të gjithë spektrit politik nuk kanë iluzione rreth neo-imperializmit të Moskës dhe ku shoqëritë janë kryesisht imune ndaj dezinformimit të shtetit rus.  Ata e vlerësojnë NATO-n si një strukturë thelbësore të sigurisë që garanton pavarësinë e tyre dhe integritetin territorial. Jo me shumë sukses, Moska është përpjekur të izolojë të dy vendet në arenën ndërkombëtare, duke i shfaqur ato si ngatërrestarë anti-rusë të përjetshëm.

Putin po e përshkallëzon fushatën e tij për të dobësuar NATO-n, në mënyrë që të vazhdojë sulmet e tij ndaj Ukrainës, të ndajë Gjeorgjinë dhe Moldavinë, si dhe të aneksojë Bjellorusinë.  Si kundërpërgjigje, Aleanca duhet të jetë e më e mirë-përgatitur në zbulimin dhe luftimin e ndërhyrjes së Moskës, sidomos duke ndjekur (penalisht) korrupsionin e sponsorizuar nga shteti dhe duke luftuar dezinformimin. Mbi të gjitha, situata duhet të përmbyset në Federatën Ruse, ku ndarjet etnike dhe rajonale, të ushqyera nga përkeqësimi i standardeve të jetesës po sfidojnë pushtetin autoritar të Moskës.

Uashingtonit i duhet të kthehet në parimet bazë që patën shoqëruar rënien e Bashkimit Sovjetik duke mbështetur demokratizimin, pluralizmin, të drejtat e pakicave, decentralizimin dhe federalizmin e vërtetë në Rusi. Ndërsa Moska kërkon të ndajë Perëndimin dhe copëtojë NATO-n, Uashingtoni duhet të promovojë vetëvendosjen rajonale dhe etnike brenda Federatës Ruse. Kjo do t’i jepte një paralajmërim të fortë një Kremlini sa armiqësor, po, në fund të fundit, edhe aq të frikësuar se Perëndimi është plotësisht i aftë të reagojë në mënyrë efektive ndaj dredhive, sabotimit dhe (përpjekjeve të tij) shkatërruese.

 

Dita51, Albania
RUSSIA IS SUBVERTING NATO FROM WITHIN
Janusz Bugajski, 3January 2020

Unable to prevent NATO enlargement, Moscow is intensifying its campaign to subvert Alliance members from within. President Vladimir Putin views NATO as the main threat to Russia’s expansionism and calculates that soft power sabotage is a cheaper and more effective means to undermine Western unity than a military confrontation that would expose Russia’s weaknesses.

The Kremlin has threatenednumerous European states not to join NATO,fearing that this enhances America’s presence in defending Europe. It has also developed a parallel strategy to neutralize Allied governments. Joining NATO certainlyenhances state security, but it does not guarantee immunity from sub-military disruption, especially if some national leaders calculate that they can profit politically or personally from Moscow’s interventions.

For Russia, there are three categories of NATO states: the vulnerable, the exploitable, and the resisters. The vulnerable states are small countries bordering Russia or new members that are susceptible to pressure. The three Baltic republics of Estonia, Latvia, and Lithuania are more exposed than any other NATO members and Russian officials combine disinformationand direct threats to pacify their governments and limit their engagement with the U.S. and other allies.

Fraudulent stories through official media and social networks are intended to delegitimize Baltic independence, stir inter-ethnic conflicts,and depict their governments as neo-fascists repressing hapless Russian minorities. Much of this propaganda is aimed at Western governments to convince them that the three countries are not worth defending in the event of confrontation with Russia.

NATO members in the Western Balkans are also vulnerable to Russian pressures. After failing to prevent Montenegro’s entry into NATO by using Serbian nationalists to overthrow its government, Moscow continues to support the anti-NATO opposition and disrupt the country’s progress toward EU accession. The Kremlin also failed to obstruct North Macedonia’s NATO entry but continues to inflame inter-ethnic tensions and incite nationalist extremists.

The exploitable states are mostly West European countries that can be penetrated through business, media, or political corruption.Germany, France, and Italyserve as classic examples, where a former Chancellor (Gerhard Schroeder), the leader of a major opposition party (Marine Le Pen),and a former Deputy Prime Minister (Matteo Salvini) have reportedly been financially recruited to serve Kremlin interests.Moscow’s penetration reaches deep into the political elites.

Some new NATO members have also proved vulnerable to Moscow’s influences. In Hungary, the Czech Republic, Slovakia, and Bulgaria personal connections have been developed with presidents or prime ministers to dissuade them from applying sanctions for Russia’s invasion of Ukraine and to lobby fordeveloping economic relations with Moscow. Questions are also raised about the commitment of each state to defend vulnerable neighbors in the event of a Russian attack.

Croatia has become a recent Kremlin target to curtail the development of energy projects that would challenge Russia’s monopolistic ambitions in regional gas supplies. Zagreb is also useful for Russia in keeping Bosnia-Herzegovina off balance by raising demands for a Croatian entity that mirrors Serb pressures on the fragile country.

The third category of states are the resisters, which have proved to be more impermeable to Russia’s manipulation. Poland and Romania are the two key examples, where politicians across the political spectrum have no illusions about Moscow’s neo-imperialism and where societies are largely immune to Russian state disinformation. They value NATO as an essential security structure that guarantees their independence and territorial integrity.With limited success, Moscow has tried to isolate both countries on the international arena by portraying them as perpetual anti-Russian troublemakers.

Putin is escalating his campaign to weaken NATO in order to pursue his attacks on Ukraine, to divide Georgia and Moldova, and to annex Belarus. In reaction, the Alliance must be better prepared to detect and combatMoscow’s infiltration especially by prosecuting state-sponsored corruption and countering disinformation.Above all, the tables must be turned on the Russian Federation where ethnic and regional cleavages driven by deteriorating living standards arechallenging Moscow’s authoritarian rule.

Washington needs to return to core principles that accompanied the collapse of the Soviet Union by supporting democratization, pluralism, minority rights, decentralization, and genuine federalism in Russia. While Moscow seeks to divide the West and fracture NATO, Washington should promote regional and ethnic self-determination inside the Russian Federation. This would send a strong signal to a belligerent but ultimately fearful Kremlin that the West is fully capable of reactingeffectivelyto its subterfuge, sabotage, and subversion.