Me formimin në fushën e gjuhësisë krahasuese-historike, me njohjen e disa gjuhëve të huaja dhe me punën si profesor i historisë së gjuhës shqipe është e natyrshme, që vëmendja e akademikut Idriz Ajeti asnjëherë nuk do të shkëputej nga hulumtimi i etimologjisë së fjalës shqipe. Cilado që ka qenë tema e punimeve të tij të panumërta dhe me vështrime të thelluara, ato ose do të mbështeteshin edhe te hetimi i prejardhjes së leksikut e onomastikës së shqipes, ose do të çonin në përcaktimin e etimologjive të reja për ato. Mjafton të renditen vetëm titujt e disa shkrimeve të tij për ta dëshmuar sesa vend ka zënë kjo fushë në vëmendjen e tij të pashkëputur prej saj.
Ky gjuhëtar i shquar niset nga një tezë parimore, sipas së cilës: “Kërkimet e historisë së gjuhës shqipe e bashkë me to edhe hetimet etimologjike në fushë të kësaj gjuhe kanë një rëndësi të madhe edhe në punë të ndriçimit të çështjeve të historisë së popullit tonë.” Duke kaluar në rrethin më të ngushtë të gjuhësisë, ai e mbështet gjithanshëm natyrën e shqipes si gjuhë indo-europiane dhe tezën e prejardhjes së saj nga ilirishtja. Nga ana metodike, në radhë të parë ka ecur në rrugën e shqyrtimit të marrëdhënieve të brendshme, të rindërtimeve të brendshme prej lëndës së shqipes, ndërsa më tej do të kalohej në marrëdhëniet e jashtme, në huazimet. Ndërkaq, lidhur me huazimet nuk orientohet njëanshëm vetëm drejt asaj çka ka marrë shqipja, por edhe çka ka dhënë në gjuhët fqinje, në të folmet e tyre të ndryshme, domethënë duke nxjerrë në pah edhe rolin dhënës të shqipes. Vendin mbizotërues në këto lidhje të jashtme ua ka kushtuar ndërveprimeve shqiptare-sllave. Edhe për këtë mjafton të renditen vetëm titujt e disa shkrimeve të tij.
Duke nisur me disa kontribute të vogla etimologjike më 1961 dhe me trajtimin për të folmen e arbërishtes së Zarës, autori ynë ka mbërritur deri te vështrimet përgjithësuese për studimet etimologjike rreth gjuhës shqipe më 2001. Janë përcaktuar etapat kryesore në këtë hulli gjurmimesh, janë veçuar prurjet më të rëndësishme të etimologëve të huaj e shqiptarë dhe janë ngulur piketa për punën e mëtejshme. Shoqëruese e pandarë e këtyre hulumtimeve do të ishte kurdoherë edhe polemika shkencore me propozimet e pambështetura, si dhe me shtrembërimet të nisura nga qëndrime antishkencore e të qëllimshme, ndonjëherë me prapavijë politike e nacionaliste. Me argumentime bindëse janë mbështetur zgjidhjet e drejta të dhëna më parë, janë paraqitur etimologji të reja duke përfshirë edhe onomastikën e fushën e veçantë të mitologjisë. Propozimet e reja në mënyrë të natyrshme e kanë kapërcyer kufirin e shqipes dhe kanë dhënë depërtime në etimologjinë e fjalëve të gjuhëve të tjera ballkanike dhe kjo na jep të drejtën të pohojmë, se ndihmesat e akademikut I. Ajeti i japin atij vendin e caktuar në lëmin e indo-europianistikës. Prandaj nuk është e rastit, që rregullisht në hulumtimet e tij dalin emrat e etimologëve më të përmendur në fushën tonë, si G. Majer, F. Miklosiç, H. Pedersen, N. Jokl, M. La Piana, P. Skok, K. Taliavini, H. Bariq, I. Popoviq etj. dhe në mënyrë të veçantë E. Çabeji. Për këtë të fundit vetëm në vëllimin 5 të Veprave (2002) I. Ajeti ka shtatë shkrime, sepse: “Vepra e rëndësishme e Çabejt shënon një kontribut të pazëvendësueshëm në studimet e historisë së gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Ai i la popullit shqiptar dhe kulturës së tij një vepër, e cila do të mbetet e gjallë si sot, si në motet që do të vijnë.” Shkurt, “Studimet etimologjike në fushë të shqipes” janë një vepër monumentale.
Dëshiroj të ndalem te një varg shembujsh konkretë, të cilët dëshmojnë se në këtë fushë nuk ka një ecje drejtvizore, domethënë I. Ajeti herë është bashkuar me etimologjitë e paraqitura më parë, herë i ka saktësuar më tej ose i ka mbështetur me lidhje të reja, i ka kundërshtuar ose ka sjellë një vështrim të ri.
Dhallë K. Brugmann-i e ka afruar me gr. γαλα dhe këtë e ka mbështetur E. Çabej e gjithashtu I. Ajeti. Po kështu ka ndjekur E. Çabejn për bulmet lidhur me bulmej; bërthamë nga bathë; shtalb me shtjell, mbështjell, siç e kishte parë më përpara N. Jokli; përshesh G. Meyer-i e nxirrte nga turqishtja, A. Dozoni nga bullgarishtja, ndërsa E. Çabej nga folja e shqipes përshij, I. Ajeti e mbështet këtë zgjidhje; fjalën katallan e saktëson se vjen nga greqishtja, e po ashtu nga greqishtja është stihia sipas G. Majerit; për shitoj e hedh poshtë burimin nga serb. sito sipas G. Majerit dhe shkon me N. Joklin lidhur me lat. saggita; gjizë N. Jokli e lidh me lat. serum dhe po këtë ka marrë I. Ajeti. Ndërsa E. Çabej e nxjerr nga një *gjinë-zë, pa e shtyrë më tej arsyetimin, mirëpo kjo do të na çonte te sllav. glina.
Rastet e ecjes në të tjera shtigje nuk janë të pakta. Gjalpë sipas paraardhësve, E. Çabej e lidh me disa gjuhë indo-europiane, ndërsa I. Ajeti e konkretizon nga ie. selpos dhe V. Oreli6 nga shqipja e vjetër *selpa. Për perëndi sipas F. Bopit e G. Majerit, edhe E. Çabej pranonte burimin nga lat. imperantem, ndërsa I. Ajeti shkon te një ind. e vj. Parjanjas. Syqenëzën E. Çabej e përmend si shtrigë, ndërsa I. Ajeti e sheh si kalkim nga gr. kervera; për shtrigën nuk e mbështet G. Majerin se shqipja e ka nëpërmjet serbishtes dhe po ashtu V. Oreli e pranon drejtpërdrejt nga lat. striga; e ka ndjekur E. Çabejn për prejardhjen nga lat. draconem të fjalës dragua dhe jo nga italishtja. Nuk e gjen lentoj nga landë, por nga lej (lind). Nuk e mbështet E. Çabejn për Bajgorën nga bajga, sepse sheh aty pjesën e parë nga tq. bair (kodër) dhe serb. gora. Prej turqishtes ka sjellë fjalë si div, ezhdërha, karkanxholl, si edhe qytetin e Ferizajt nga emri i një tregtari Ferizi, ndërsa Mirditën e lidh me emërtimin arabisht për kryengritësit marid, marada, duke mos pranuar P. Skokun që e krahason me fr. dhe it. Bondi, e cila fjalë për fjalë do të përkthehej “mirdita”.
Nuk janë të pakta rastet e gjurmimit të etimologjisë për emrat topikë, si: Beri, Bitadosi, Brinja, Burmaza, Kunje, Rogame, Suka, Shaleza, Shestan, Shtek, Zhuri etj., pavarësisht se ata ndodhen jashtë kufijve politikë të Shqipërisë. Ndërsa herë të tjera ka hulumtuar edhe shprehjet e ndryshme, ndër të cilat nuk mund të mos përmend kalkimin konski kamen prej shqipes gur kali.
Gjithnjë në këtë lëmë ka vend edhe për diskutime. Kështu mazë sipas N. Joklit vjen nga një madiā lidhur me foljen maj dhe kjo ka gjetur mbështetjen e E. Çabejt dhe të I. Ajetit. Besoj se duke u nisur nga përhapja e ngushtë dialektore në zonën në kontakt me serbishten, ky është një huazim, sepse jo vetëm i ka serbishtja fjalët maz, mazati etj., por siç e ka dëshmuar M. Vasmer-i në Fjalotin e tij etimologjik të rusishtes, ndeshet në të gjitha gjuhët sllave, madje ka lidhje edhe me gjuhë të tjera, p.sh. deri me greqishten μαζα, μαζαλι. Ndërsa brenda shqipes ky është një huazim i kufizuar si rrënjë, është kuptimisht krejt i njëjtë me fjalën tëlynë, që vjen pikërisht nga folja lyej, duke u përputhur kuptimisht me serb. mazati. Si huazim nga sllavishtja e ka paraqitur V. Oreli në Fjalorin e tij (1998).
Për një varg fjalësh sllave I. Ajeti ka dhënë një mendim të ndryshëm, më shpesh duke nxjerrë në dukje huazimin prej shqipes. Kështu, štirkinja nuk është nga latinishtja ballkanike, siç e mendonte P. Skoku në Fjalorin etimologjik (1971-1974), por nga shqipja për gruan shterpë; zaprušiti vjen nga shq. prush; zašatim është nga shq. shat; đelak nuk ka të bëjë me tq. celat, siç mendonte Momčilo Savići, por është nga shq. djalë; zdeknem, zdegač kanë rrënjën shqipe degë; zarepam është prej shq. rrëfehem. Po në recensionin për P. Skokun (1971) ka mbështetur përhapjen ballkanike të fjalëve, si: bajgë, baltë, buzë, gardh, sukë. Duke trajtuar të folmen e Zarës, nuk është pajtuar me disa etimologji të paraqitura prej C. Tagliavini-t më 1937.
Nga ana tjetër, me logjikë shkencore dhe pa paragjykime, ai nuk ka ngurruar të vërë në dukje huazimet sllave të shqipes edhe atëherë kur ka pasur përpjekje për ta mënjanuar këtë burim. Për bubën e gogolin E. Çabej shprehet se janë krijime elementare, ndërsa I. Ajeti i sheh me prejardhje nga serbishtja. Disa herë i është kthyer toponimit Ombla për të mos pranuar lidhjen me mbiemrin i ambël të Shqipes, meqë e quan pa mëdyshje se është me prejardhje sllave dhe njësoj ka argumentuar që Kuçi nuk ka të bëjë me mbiemrin i kuq. Ndonëse E. Çabej e quan të gurrës autoktone kërcu, I. Ajeti i kthehet mendimit të F. Miklosiçit dhe G. Majerit se vjen nga serbishtja. E kundërshton që topinimi Rasha është një refleks i shqipes, ndërkohë që vetë fjala rrafsh është nga serbishtja. Si shembuj të huazimeve sllave ka paraqitur orendi, pod, porosis, rend, strehë, sundoj, trondit etj. Njëkohësisht ka treguar se fruth jo vetëm nuk vjen nga serbishtja, por është e kundërta, domethënë frus është nga shqipja; serb. kapec është nga venet. capace. Në Fjalorin e Glisha Elezoviqit (1932, 1935) ai ka gjetur rreth 300 fjalë me prejardhje shqipe, kurse në gjuhën e zanatçinjve të Malit të Zi i del se 80% e termave janë prej shqipes.
Besoj se këta shembuj janë të mjaftueshëm për të dëshmuar, se vështrimet e I. Ajetit për etimologjitë janë të shumta dhe të përhapura në pjesën më të madhe të punimeve të tij. Qëllimi i kësaj kumtese nuk është ta rrokë gjithë këtë hapësirë studimore, por të parashtrojë disa anë të përzgjedhura, me të cilat të mbështetet përfundimi i kësaj kumtese, që çon te një propozim konkret.
Përfundimi bindës na tregon se akademiku I. Ajeti është etimolog.
Propozimi është që nga vepra e tij të nxirret një Fjalor etimologjik i Idriz Ajetit. Të ketë dy pjesë: e para Etimologji të shqipes dhe e dyta Etimologji sllave.
Për këtë nevojitet të qëmtohen pa përjashtim të gjitha rastet kur etimologu është shprehur për prejardhjen e fjalëve, shprehjeve dhe toponimeve. Edhe kur thjesht ka përmendur, ka rimarrë ose ka mbështetur një zgjidhje të dhënë prej autorëve të mëparshëm, të përfshihet pa mëdyshje, sepse kështu studiuesit do të gjejnë një argument tjetër për të pranuar një etimologji. Të paraqitet e plotë pjesa me shtjellimin për lemën përkatëse, duke shënuar edhe datën e punimit ku del për herë të parë, madje edhe duke përfshirë rastet kur është përsëritur ose qoftë edhe me ndonjë ndryshim.
Po sjell një shembull të shkurtër. I. Ajeti ka dhënë shpjegimin për një fjalë nga V. Karaxhiqi, që do të përfshihej në pjesën e dytë për fjalët sllave:
palavra f. sh. sipas Vukut (Fjalori 1818): fëmijë që flet shumë dhe që i ban fjalët nëpër fshat. Kjo fjalë i përket gjithsesi spanjollishtes, por nuk dihet me ndërmjetësimin e cilës gjuhë ka kaluar në gjuhët e popujve të Ballkanit. Fjala spanjolle palabra vjen nga fjala latine parabola, prej së cilës ka dalë fjala shqipe përrallë. Mendoj se fjalën palavra e sollën në Ballkan ebreitët spanjollë. Nga gjuha ebreite pastaj ka kaluar në gjuhën turke, prej turqishtes ka kaluar në gjuhën shqipe, kurse prej shqipes ka shkuar në gjuhë ballkanike. Shih edhe shq. përrallë. Vepra, 5, 2002, f. 30.
Njëkohësisht në pjesën e parë për fjalët shqipe do të merrej po kjo lëndë përkatësisht:
përrallë f. Fjala spanjolle palabra vjen nga fjala latine parabola, prej së cilës ka dalë fjala shqipe përrallë. Mendoj se fjalën palavra e sollën në Ballkan ebreitët spanjollë. Nga gjuha ebreite pastaj ka kaluar në gjuhën turke, prej turqishtes ka kaluar në gjuhën shqipe, kurse prej shqipes ka shkuar në gjuhë ballkanike. Shih edhe serb. palavra. Vepra, 5, 2002, f. 30.
Ma merr mendja se një detyrë të tillë mund ta marrin përsipër dhe ta kryejnë me sukses punonjësit e Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Komentet