VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

A është përfshirë Bill Clinton dhe a ka negociata sekrete Kosovë – Serbi?, flet ish-diplomati amerikan

By | September 23, 2019

Komentet

Dështimi me negociatat, a do të dorëhiqet edhe Rama si Zaev?! Kryeministria njofton konferencë për shtyp

Agjencia Italiane e Lajmeve, ANSA njoftoi se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dha dorëheqjen pas dështimit me negociatat.

Ndërsa në Shqipëri zyra e shtypit e kryeministrit Edi Rama ka njoftuar një konferencë urgjente në orën 17:00.

Bashkë me Ramën në konferencën me gazetarët do të jetë dhe ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Njoftimi i kryeministrisë:

Ne oren 17.00 ne Kryeministri – konference per shtyp me gazetaret e Kryeministrit Rama dhe ministrit ne detyre per Europen dhe Punet e Jashtme, Cakaj.

Diplomatja gjermane: Po koordinohemi me Amerikën për Kosovën, prekja e kufijve destabilizon Ballkanin

Zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schutz, në një intervistë për “Danas”, ka folur rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjes finale që pritet të arrijnë dy palët, raporton Gazeta Express.

Ajo ka thënë se qëllimi i bisedimeve Prishtinë-Beograd duhet të jetë arritja e një marrëveshje për të gjitha çështjet e rëndësishme të cilat kanë mbetur të pazgjedhura, një ujdi e cila do të jetë politikisht e qëndrueshme në të dy vendet dhe që do t’i kontribuojë stabilitetit rajonal.

Schutz ka thënë se Gjermania pret një ritëm të ri në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2020, pasi që sipas saj është harxhuar shumë kohë.

“Kur do të arrihet marrëveshja, varet kryesisht nga vullneti politik i palës serbe dhe asaj kosovare” , ka shtuar ajo.

Diplomatja gjermane tutje ka thënë se janë në koordinim dhe në komunikim të rregullt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor.

E pyetur nëse e sheh angazhimin amerikan si një konkurrencë për BE’në, Schutz ka thënë se e mirëpresin faktin që SHBA’ja po i kushton rëndësi më të madhe dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE’ja.

“Ne e mirëpresim faktin që SHBA’ja, si ne, i kushtojnë rëndësi të madhe politike dialogut të ndërmjetësuar nga BE. BE dhe SHBA’ja janë në komunikim të rregullt dhe intensiv për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun. Të gjithë janë të vetëdijshëm që marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse të gjitha palët do të tregohen bashkëpunuese.

Sa i përket emërimit të Grenell, diplomatja gjermane ka thënë se vendimi i Trumpit për një emërim të tillë po shihet si një shenjë e vëmendjes së madhe që Shtëpia e Bardhë dëshiron t’i kushtojë dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Emërimi i Ambasadorit Grenell si i Dërguar Special i Presidencës së SHBA’së interpretohet si një shenjë e vëmendjes së madhe të Trump, që dëshiron t’i kushtojë dialogut për normalizim të marrëdhënieve, dhe ne e mirëpresim këtë fakt. Në po vazhdojmë të rreshtohemi me partnerët tanë amerikanë për hapjen e mundësive në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje që mbyll të gjitha çështjet e pazgjidhura, dhe që kontribuon në stabilitetin e rajonit”, ka shtuar tutje ajo.

Schutz ka treguar edhe një herë që qëndrimi i Gjermanisë sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve është i pandryshueshëm, për arsye se çfarëdo prekje e kufijve do të destabilizonte Ballkanin Perëndimor.

“Pozicioni i Gjermanisë për këtë çështje është i ditur. Ne po vëzhgojmë diskutimet për kufij etnikë, dhe sipas mendimit tonë do të kenë efekt destabilizues për Ballkanin Perëndimor. Shumë politikanë në rajon gjithashtu ndajnë këtë shqetësim dhe vazhdimisht kanë tërhequr vëmendjen e publikut për këtë fakt. Sepse ne thjesht duam të arrijmë një zgjidhje që do të kontribuojë në stabilitetin e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, ka thënë ndër të tjera diplomatja gjermane./GazetaExpress/

Haradinaj: Vuçiç-Thaçi-Rama ishin ideatorët e planit për ndarjen e Kosovës, ja prapaskenat

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se nga vendosja e taksës ndaj Serbisë, Kosova ka përfituar 600 milion euro.

 

Gjatë një interviste për “360 Gradë” në Ora, e cila pritet të transmetohet sonte, Haradinaj paralajmëron Albin Kurtin. “Albin Kurti nëse e heq këtë taksë, bën gabim të madh!”, shprehet ai.

Nga ana tjetër, ai zbuloi se arsyeja e fshehtë e krizës politike në Kosovë ishte e ardhmja e minierës së Trepçes në Mitrovicë.

“Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë euro, Trepçja jep një fitim neto rreth 500 milionë euro në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë euro, të cilat duhet ti gëzojë Kosova dhe Serbia”, thekson ai.

Haradinaj thotë se e parandaloi këtë grabitje dhe përsërit akuzat se 3-shja Vuçiç-Thaçi-Rama ishin ideatorët e planit për ndarjen e Kosovës.

“Ndalova grabitjen 10 miliardë euro, që do të  realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë  në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera  e Trepçes, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”, nënvizon.

Haradinaj thotë se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ka punuar kundër Kosovës, ndërsa Ditmir Bushati rezistoi kundër planit për ndarjen e Kosovës, derisa e larguan për të sjellë Cakajn, që ishte shumë aktiv, duke  promovuar ndërkombëtarisht këtë projekt.

Haradinaj tha se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u dha mbështetje kundër ndarjes së Kosovës, po ashtu edhe opozita e Shqipërisë, Berisha, Basha dhe Kryemadhi. Sipas tij, tani mos ndarja e Kosovës është një betejë e fituar!

Duke u ndalur tek “Shengeni Ballkanik”, Haradinaj thotë se pa Kosovën është një gabim shumë i madh.”

“Kështu tregohemi shumë të dobët përpara Serbisë dhe Evropës”, – shprehet Haradinaj.

Për arsyet e dorëheqjes, Haradinaj thotë se ishte i  detyruar nga faktori ndërkombëtar dhe ai vendas.

Zëri i Amerikës: Nderimet e fundit për veprimtarin shqiptaro-amerikan Marash Mernaçaj

Sot në Nju Jork iu bënë nderimet e fundit veprimtarit shqiptaro-amerikan Marash Mernaçaj, i arratisur gjatë viteve të diktaturës së komuniste nga Shqipëria, i cili vdiq javën e kaluar në moshën 93 vjeç.

Marash Mernaçaj lindi në Kelmend me 21 Dhjetor te vitit 1921 dhe u arratis në vitin 1959 me gjithë pjestarët e familjes për t’i shpëtuar persekutimit komunist, pas arrestimit të vëllait të tij të madh, Nikollë. Pas një periudhe në Jugosllavinë e atëherëshme, ai u vendos në New York, rindërtoi jetesen, me familjen e tij, bashkëshorten dhe gjashtë fëmijët. Humbja e djalit te tij Nike Mernaçaj në një aksident automobilistik ndërsa kthehej nga demonstratat antikomuniste qe po zhvilloheshin kundër regjimit të Tiranes dhe një vit më pas në vitin 1989 e të vëllait Nikollë, vetëm pesë ditë pasi doli nga burgu, ishin dy goditje të forta për Marashin. Me një punë intensive në New York, ai arriti të krijojë një biznes të suksseshëm e shitblerjes së banesave. Zoti Mërnaçaj ishte një figurë e respektuar që ka kontribuar për komunitetin shqiptar në Nju Jork. Familja dhe komuniteti shqiptar i Nju Jorkut i japin atij sot lamtumirën e fundit.

CD-ja e re e kompozitorit të shquar shqiptar Thoma Simaku botohet nga shtëpia prestigjoze diskografike – NAXOS

VOAL – CD-ja e re e kompozitorit të shquar shqiptar Thoma Simaku është botuar nga shtëpia prestigjoze diskografike – NAXOS, që ka shpërndarje në të gjithë botën. Midis pjesëve të tjera (8 gjithsej) është dhe një këngë shumë e dashur për shqiptarët kudo që janë – Moj e Bukura More’, (Albanian Folk Song “Moj e Bukura Moré” (version për Violin & Piano) të cilën kritika e vlerësuar veçanërisht.

CD-ja e re e Simakut është lëshuar në të gjithë botën në Naxos 21 Century Classics Series.

“Ai përdor një gjuhë muzikore shumë individuale, siç dëgjojmë në veprën hyrëse – Sinjalet për piano solo – duke përdorur momente heshtjeje për të shënuar një rezultat të përshkruar më së miri si një përmirësim i shlyerjes”, – thekson botuesi.

Në faqen e saj të internetit, Naxos ka përshkruar më tej CD-në e re si më poshtë:

“Thomas Simaku, muzika e të cilit është përshkruar si ‘vizionare dhe plotësisht origjinale” është një nga më tërheqësit dhe më të rëndësishmit e kompozitorëve bashkëkohorë. Përzierja e tij e intensitetit dhe modernizmit është ilustruar në këtë përzgjedhje të veprave të dhomës dhe instrumenteve, të gjitha këto të realizuara nga dedikuesit , secila prej të cilave zbulon aspekte të ndryshme të artit të tij. Luajtshmëria e strukturës mund të kursehet në Sinjale, ndërsa virtuoziteti është një tipar i Capriccioso. Arkitektura dhe cilësia vokale e ENgREnage tregojnë larminë e pasur të kontrasteve dhe ngjyrave harmonike që Simaku nxit në muzikën e tij . ”

Në shënimin e tij, David Denton shkruan:

“Ai përdor një gjuhë muzikore shumë individuale, siç dëgjojmë në veprën hapëse — Sinjale për solo e piano — duke përdorur momente heshtjeje për të shënuar një rezultat të përshkruar më së miri si një përmirësim i atonalitetit.” Duke gudulisur veshin me tinguj të rinj, kompozitori thotë se ka përdorur titullin, Capriccioso, për të përshkruar të dy shënimet e pikëve për violinë solo, po aq sa për formën dhe trajtën e tij “.

Pjesa Moj e Bukura Moré mund te degjohet ne kete link:

Dokument – botohet për herë të parë: Kol Bib Mirakaj i kërkonte qeverisë mbrojtjen e hebrejve në prag të pushtimit nazist

VOAL – Me shkresë të posaçme zyrtare, të datës 1 shtator 1943, në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Kol Bib Mirakaj i kërkonte Qeverisë Shqiptare të merreshin masa për të mbrojtur hebrejtë, të cilët, në vise të ndryshme të shtetit shqiptar të asaj kohe ishin në “numër të madh, mbi 1000 veta”, siç nënvizonte Mirakaj.

Siç kuptohet nga teksti, shkresa është vijim i një shkrese tjetër, me temën “Mbi Ebrejt qi të dërgohen n’Itali”, pra ku kërkohet që hebrejt e Shqipërisë së asaj kohe të dërgohen në Itali.

Në shkresë, ai thekson se një numër i madh hebrejsh janë grumbulluar në Shqipëri, të shpërndarë në vise të ndryshme të Mbretërisë në mungesë të vendbanimi të përcaktuar për ta. Me ardhjen e Forcave Gjermane në tokën tonë, qeveria shqiptare do të gjendet para një fakti të hidhur, sepse këta mund të kërkohen prej gjermanëve dhe të merren, vijon Mirakaj. Po të dorëzohen hebrejtë, nënvizon Mirakaj, ky do të ishte një gjest politik diskreditues për Shtetin tonë, dha nga ana tjetër antihumanitare. Edhe po ta refuzojmë dorëzimin, do të na vinte në një pozitë që, prapë se prapë, dëmton politikisht, e më në fund ata do të merren me forcë, shkruan më tej Kol Bib Mirakaj.

Mirakaj i kërkon Kryesisë së Këshillit të Ministrave të Mbretnisë Shqiptare të marrë me urgjencë hapat e duhur pranë autoritetit përkatës italian për dërgimin e tye në Itali, ku sipas informacioneve që kishte dikasteri i tij dhe me interesimin e Selisë së Shenjtë, qeveria italiane nuk ka ndonjë kundërshtim për pranimin e tyre.

Siç e shënuam në fillim të këtij lajmi, shkresa mban datën 1 shtator 1943. Ndërkohë, nga 25 korriku 1943 kryeministër i Italisë ishte gjenerali Pietro Badoglio, i cili do të qëndronte në këtë detyrë deri me 18 prill 1944.

Është e njohur historikisht se asnjë hebre në trojet shqiptare nuk iu dorëzua nazistëve. Dhe numri i hebrejve në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishte më i madh se në fillim të kësaj lufte, një rast unikal i humanizmit ky në rrafsh botëror.

VOAL po e sjell për lexuesit dokumentin e mëposhtëm, i cili botohet për herë të parë.

 

Ndryshon Opinioni përfundimtar i Venecias për Metën

Armand Mero

Komisioni i Venecias publikoi sot opinionin e vet përfundimtar lidhur me interpretimin e vendimit të Presidentit Ilir Meta për të anulluar 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore. Dokumenti përmban ndryshime nga projekt-opinioni. Përfundimi sipas të cilit Presidenti kishte tejkaluar kompetencën është hequr, dhe në një rast tjetër është lënë hipotetike, e jo më si kontastim. Në një deklaratë të tijën zoti Meta u shpreh se sipas tij Opinioni përfundimtar konfirmoi qëndrimet e mbajtura prej nga ai.

Teksti i Opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, i publikuar sot, pësoi ndryshime të ndjeshme nga dokumenti paraprak i ekspertëve. Në përfundimet e Opinionit, çka lidhur me veprimet e presidentit Ilir Meta, kishte qenë më parë si konstatim, ose është hequr, ose është lënë hipotetike, duke ka kaluar topin në dorë të interpretimit të parlamentit apo dhe Gjykatës Kushtetuese shqiptare, nëse deputetët do të votojnë për shkarkimin e Kreut të Shtetit.

Ndërsa në variantin e mëparshëm, në pikën 99 të përfundimeve thuhej se “Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës fillimisht duke anuluar e më pas, duke shtyrë zgjedhjet lokale..”, në Opinionin përfundimtar kjo fjali është hequr plotësisht, duke rifomuluar pjesën në vijim sipas së cilës “i takon parlamentit dhe në fund Gjykatës Kushtetuese, që të përcaktojë nëse anulimi, e më pas shtyrja e zgjedhjeve lokale, përbën një shkelje e Kushtetutës dhe nëse shkelja është e një natyre të tillë seriose, që do të mund të lejonte shkarkimin e Presidentit”.

Ndryshim ka pësuar dhe pika 101 e përfundimeve të Komisionit të Venecias. Dhe këtu, konstatimi se “..Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë më pas zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë ligjore….”, është zëvendësuar në Opinionin përfundimtar me një formulim hipotetik se “…Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale pa një bazë të veçantë ligjore..”.

Në opinionin përfundimtar nuk kanë ndryshuar megjithatë konstatimet sipas të cilave “në mungesë të një dispozite ligjore, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, vetëm në një situatë e cila plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme”. Por “edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike për të shtyrë zgjedhjet”.

Sipas edhe Opinionit përfundimtar “anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata të jashtëzakonshme nuk u ndoqën në këtë rast. Nuk pati as një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc” thekson opinionin sipas të cilit “anulimi i zgjedhjeve gjithashtu prek të drejtat zgjedhore të njohura nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut… Mungesa e një baze ligjore dhe e alternativave në dispozicion (shtyrja e zgjedhjeve për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas nenit 170 të Kushtetutës, ose rifillimi i dialogut politik pas zgjedhjeve) e bëjnë ndërhyrjen në të drejtat zgjedhore, jo proporcionale”.

Ndërsa Opinioni paraprak, hasi në kritika të ashpra të presidentit Iir Meta dhe një shpërfillje nga ana e tij të vendimit përfundimtar që Komisioni pritej të merrte, sot, Kreu i shtetit, duke vënë në dukje “ndryshimet thelbësore nga projekti paraprak” vlerësoi se Opinioni përfundimtar “konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës”.

Grupi i Kumanovës shfaqet live në “Facebook”: Do qëndrojmë si luanë, do vdesim faqebardhë

Grupi i Kumanovës janë lidhur live në “Facebook” nga burgu në Maqedoninë Veriore, ku ata po qëndrojnë. Në video ata tregojnë sesi po kalojnë në qeli.

“Do të qëndrojmë si luanë, do të vdesim faqebardhë”, thonë ata ndër të tjera. Kurse në sfond dëgjohen këngë patriotike shqiptare.

Gjykata e Apelit në Shkup muajin e kaluar ka refuzuar ankesat e të akuzuarve në tërësi dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë për rastin e Kumanovës.

Gjykata Themelore Shkupi 1, më 2 nëntor të vitit 2017 shqiptoi shtatë dënime të përjetshme me burg për të akuzuarit e Lagjes së Trimave, 13 të akuzuarve u shqiptoi dënim me burg prej 40 vjetëve, gjashtë të akuzuarit janë të dënuar me nga 20 vjet burg, një i akuzuar u dënua me 18 vjet burg, dy me nga 14 vjet burg, dy me nga 13 vjet burg, ndërsa katër prej tyre për shkak të mungesës së dëshmive u liruan nga akuzat.

Kosovë: E mbijetuara e përdhunimeve – denoncon publikisht krimin ndaj saj

Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e mbijetuar e përdhunimeve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, dorëzoi të hënën kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme të Kosovës, duke u bërë kësisoj gruaja e dytë pas zonjës Vasfije Krasniqi Goodman, e cila rrëfen publikisht për krimin e përdhunimeve.

Zonja Tahiri – Sylejmani, tha se ka vendosur që publikisht të kërkojë drejtësi.

 

Sot jam këtu të ndaj me ju dhimbjen që e kam në shpirt edhe përfaqësoj të gjitha nënat, vëllezërit, motrat, bijat që e kanë dhimbjen e njëjtë si unë, të ju jap kurajë edhe atyre. Nuk është e lehtë aspak, asnjëherë. Mendo atë dhimbje të shpirtit që thyen zemrat dhe nuk bëhen asnjëherë më bashkë. Jam këtu të kërkoj drejtësinë time”, tha zonja Sylejmani.

Feride Rushiti nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, shprehu shqetësimin e saj për mungesën e drejtësisë, dora e së cilës ende nuk arriti autorët e këtij krimi.

Me kompetencë të plotë them se në periudhën e OKB-së por edhe në periudhën e EULEX-it, këto krime kanë mbetur të pandëshkuara. Prandaj jemi mbledhur këtu për të kërkuar drejtësi për 20 mijë gra, burra, vajza dhe djem që kanë përjetuar këtë krim, tmerr, torturë, keqtrajtim gjatë periudhës së luftës”, tha zonja Rushiti.

Në mars të vitit 2014, parlamenti i Kosovës kishte miratuar ndryshimet ligjore për njohjen e statusit të të mbijetuarve të përdhunimeve, ndërsa ky status u njoh nga një komision qeveritar tek në fund të vitit 2017 kur edhe u caktua një pension prej 230 eurosh.

Në muajin shkurt të vitit 2018 autoritetet në Kosovë hapën procesin e verifikimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, një proces që pritet të zgjasë 5 vjet.

Veprimtarët humanitar shpresojnë që hapja e procesit ka hapur mundësinë për zbulimin e rasteve të panjohura e të fshehura deri tash të të prekurve nga kjo formë e krimit të luftës, që ngurrojnë të dalin sheshazi ende nga frika e stigmatizimit por edhe dëshpërimi me faktin se deri tash askush nuk është dënuar për këtë krim.

Vjosa e ka pas vetes gjithë LDK-në, e kalon Albinin e vitit 2017 (tabela)

Është kandidatja më e votuar e këtyre zgjedhjeve në Kosovë.

Vjosa Osmani në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’ia sjellë Lidhjes Demokratike të Kosovës 162 mijë e 209 vota, duke e lënë pas kështu Albin Kurtin e Vetëvendosjes i cili në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 kishte arritur t’i mbledhë 143 mijë e 642 mijë vota duke qenë lideri më i votuar në vend.

Por, situata ka ndryshuar në këto zgjedhje. Vjosa Osmani, si kandidate nga LDK-ja për kryeministre ka arritur të marrë rreth 20 mijë vota më shumë se sa Albin Kurti në vitin 2017.

Nga 200 mijë votat sa llogaritet t’i ketë LDK-ja në zgjedhjet e 2019-s, Vjosa Osmani ka arritur që t’i marrë 162 mijë e 209 vota.

Ndërpritet verifikimi i votave nga Serbia – zyrtarët ankohen për alergji

Në Kosovë, autoritetet ndërprenë të dielën procesin e verifikimit të votave të dërguara me postë nga Serbia, pasi që një numër i zyrtarëve që ishin në kontakt me zarfet e hapura shfaqën shenja alergjie.

Besnik Buzhala nga Divizioni i shërbimit të votuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se “tek disa zyrtarë u shfaqën disa shenja alergjie në fytyrë dhe duar. Tash janë duke u bërë kontrollet”, tha ai.

Policia e Kosovës ka rrethuar hapësirën e ndërtesës së ministrisë së Infrastrukturës në qendër të Prishtinës ku është vendosur shërbimi votues. Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha i tha Zërit të Amerikës se “policia është duke e trajtuar rastin”, ndërsa në vendin e ngjarjes janë edhe zyrtarët e prokurorisë së posaçme.

 

Në kohën e hapjes së zarfeve në mjediset ku po kryhet verifikimi ndodheshin 26 zyrtare, disa prej të cilëve janë shtruar për trajtim në Klinikën Infektive të spitaleve të Prishtinës.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës tha se ka pranuar nëntë paciente, “me kruarje të duarve të intensitetit të ultë. Dy nga to kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka pasur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabël. Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese. Ekipet kujdestare të Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i hospitalizuar dhe duke u ofruar ndihmën e duhur mjekësore”,thuhet në komunikatën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Votat nga Serbia janë pjesë e votimeve me postë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.

Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi dhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, thanë se zhvillimet e sotme në Prishtinë janë “shfaqje” me të cilën siç thuhet, “është duke u përgatitur manipulim me votat e serbëve, me qëllim që me çdo kusht në parlamentin Kosovës, pavarësisht vullnetit të serbëve, të futen ‘serbët e Kurtit’”, duke ju referuar përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës që morën pjesë në zgjedhje kundër dëshirës së Beogradit.

Shifrat alarmante, Shqipëria po shpopullohet, banorët e fshatrave të shqetësuar: S’ka kush na varros

Prej 30 vitesh, nga Shqipëria janë larguar rreth 1 milion e gjysmë qytetarë të saj. Më shumë se gjysma e qytetarëve që jetojnë në Shqipëri. Rreth 2.862.427 banorë ka sot Shqipëria. Referuar statistikave, prej këtij numri kanë dëshirë të largohen nga 50% e tyre. Janë tri valë të emigracionit në Shqipërinë e pas vitit 1990.

E para, i përket vitit 1991, kur mijëra shqiptarë u sulën drejt brigjeve italiane me anije. Emigracioni vazhdoi edhe pesë gjashtë vitet që pasuan, por me shifra më të ulëta. Në vitin 1997, kur Shqipëri u përfshi nga kaosi, pati një tjetër valë largimesh. Pas vitit 1998, ra ndjeshëm fluksi i emigracionit për t’u rikthyer pas liberalizimit të vizave.

Vala e tretë i përket vitit 2011-2018. Fluksi në rritje i vitit 2011-2012 lidhet më së shumti me liberalizimin e vizave dhe hapjen e kufijve për shqiptarët. Është e ndryshme statistika e viteve që pasuan, sidomos vitit 2015 ku ka një numër shumë të madh të emigracionit për të vazhduar edhe sot në vitin 2019.

Nuk sheh të rinj rrugëve të fshatit. Oborret janë bosh, s’ka fëmijë atje duke lozur. Më së shumti sheh ndonjë të moshuar tek ecën për tu takuar me ndonjë prej miqve të pakët që i ka mbetur në fshat….Ky është Shishtaveci këto ditë vjeshte të vitit 2019.

Banorë në Shishtavec: “Jemi rreth 50 pleq e plaka që jetojmë në këtë fshat. Fëmijët kanë ikë. S’kanë me se të ushqehen këtu. Të gjithë kanë ikë… edhe unë që jam 67 vjeç do të ikja pot ë mundesha. Jemi vetëm ne… s’ka kush na varros.”

Dyert janë të kyçura. Ka porta që prej vitesh nuk hapen. Janë larguar në emigracion. Fshati është thuajse i boshatisur. Sipas censusit të vitit 2011 Shishtaveci ishte një ndër zonat më të populluara të qarkut të Kukësit me një popullsi prej rreth 3800 banorë. Tani atje kanë mbetur vetëm të moshuar që jetojnë të vetmuar.

“Nuk ka qenë e nuk është dëshira e të rinjve të asaj zone të braktisin prindërit dhe të largohen. Padyshim që i kanë bërë përpjekjet për të ndërtuar jetën në trojet e tyre. Por politikat qeveritare jo vetëm që nuk I kanë stimular, por i kanë penguar”, shprehet Angjelo Masafra.

“Deri para dy vitesh i kisha këtu fëmijët. Kishim një dyqan por na e mbyllën. S’kishin me se të jetonin dhe ikën. Katër fëmijët e mi janë në Angli e Austri. Nuk deshën të ikin por s’kishin rrugë tjetër”, rrëfen një tjetër banorë i fshatit Shishtavec.

Ende të parritur, fëmijët e pakët të mbetur në Shishtavec për shkak të pamundësisë së prindërve për t’u shpërngulur, duan gjithashtu të ikin. Nuk parashohin asnjë stacion tjetër ndërmjet Shishtavecit dhe Londrës. Nuk duan as të ndalojnë nëpër qytetet e vendit të tyre. Dëshira e tyre është vetëm të ikin atje ku bashkëmoshatarët e tyre prej vitesh jetojnë me familjet.

Profesor Prof. Russel King, Drejtor i Qendrës Sussex për Kërkime mbi emigracionin, e njohur në të gjithë botën, ishte në krye të një studimi për emigracionin në Shqipëri por edhe vende të tjera. Për Shqipërinë, profesor Russel King shpjegon se emigracioni nuk është vetëm për shkak të varfërisë, por nga Shqipëria po largohen njerëzit e saj më të kualifikuar. Me pak fjalë, ai pranon se Shqipërisë po i ikën truri.

“Po, e vërtetë. Shqipërisë po i ikën truri, po i ikin përvoja dhe kualifikime të nivelit të lartë. Por kjo dukuri nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Europën Lindore. Studimi tregon se tendenca më e fundit është ajo e emigrimit të njerëzve që kanë mbaruar universitetin, i rinisë së kualifikuar në nivel të lartë, që ka dëshirë të madhe të emigrojë. 57 % e grupmoshës 18- 40 vjeç synojnë të emigrojnë. 46 % e atyre që nuk kanë emigruar asnjëherë synojnë të emigrojnë. 72% e emigrantëve të kthyer, pra e atyre që kanë qenë njëherë në emigracion, dëshirojnë të ikin përsëri. Rreth 1.4 milion vetë, pothuajse gjysma e popullsisë së tanishme të Shqipërisë, ka emigruar në Europën Perëndimore”, thotë profesor Rasëll King për DW.

Revista Monitor raporton se pak javë më parë, drejtuesit e një spitali me emër në Gjermani, erdhën në Tiranë për të rekrutuar një numër të konsiderueshëm infermierësh. Ata kërkuan përshpejtimin e procedurës për mësimin e gjuhës, duke iu dhënë një pagesë prej 400 euro në këmbim të lënies së punës nëpër spitalet shqiptare për të shfrytëzuar kohën për mësimin intensive të gjuhës gjermane. Drejtuesit e spitalit gjerman e kanë me nxitim nevojën për infermierë shqiptarë në spitalin e tyre.

Për shtetarët tanë nuk është aspak një problem për Shqipërinë ikja e infermierëve, mjekëve, inxhinierëve apo profesionistëve të tjerë. Emigrimi drejt Gjermanisë i mjekëve dhe infermierëve ka nisur në vitin 2015 me një konferencë të përbashkët mes shoqatave të biznesit gjerman dhe atij shqiptarë, me pjesëmarrjen e suksesshme të qeverisë.

Ne kemi një ministër e një qeveri që e stimulon e migrimin e bluzave të bardha drejt Gjermanisë. Ministri mburret se si qeveria ia ka dalë që fale vëmendjes tek arsimi profesional të përgatisë 250 infermierët e parë të gatshëm për tregun gjerman.

Kryeministri Edi Rama e sheh si një mundësi të mirë për ata profesionistë që kërkojnë të ardhmen e tyre në vende të ndryshme të perëndimit.

Statistika
Nga viti 2013 në vitin 2018 janë larguar nga vendi 875 mjekë. Teksa vetëm gjatë vitit 2018 janë larguar nga vendi kryesisht drejt Gjermanisë rreth 2 mijë infermierë. Sipas të dhënave nga numri i certifikatave të kërkuara pranë Urdhrit të Mjekut vetëm në vitin 2018 janë larguar 164 mjekë, nga 250 të diplomuar në fakultetin e mjekësisë.

Sipas censusit të kryer nga Eurostat në vitin 2011 rezulton 1 milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Sipas Institutit të Statistikave, në vitet 2011-2017 u numëruan 330 mijë persona që ikën si emigrantë.
Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se 167 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të Bashkimit Europian për periudhën 2011-2017.

Vetëm gjatë vitit 2018 janë shtuar edhe 16 mijë aplikime të tjera, duke e çuar numrin total të aplikantëve në 183 mijë.

Pse ikin?!
Studimi, i drejtuar nga Russell King i Universitetit të Sussex dhe studiuesi shqiptar, Ilir Gedeshi, zbuloi se 52% e shqiptarëve në moshë 18-40 vjeç, kanë dëshirë të largohen nga atdheu.

Studimi i profesorëve Gëdeshi-King, konstaton se vala e ikjeve ka përfshirë qytetet me nivel më të lartë jetese. Sipas studimit, gjysma e personave që marrin paga nga 1000-1400 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të ikin sërish.

Shkollimi dhe perspektiva më e mirë e jetës është dëshira e shumë shqiptarëve, që për ta realizuar synojnë largimin nga Shqipëria. Në një intervistë për “DW”, profesor Rasell King interpreton kështu tendencën e shqiptarëve për të lënë atdheun.

“Studimi tregon se një nga arsyet kryesore pse njerëzit duan të ikin është se nuk shohin të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre në Shqipëri. Pjesa më e madhe kërkojnë një shkollim më të mirë për fëmijët e tyre. Vendet e preferuara janë Gjermania dhe SHBA. Arsye tjetër kryesore janë të ardhurat shumë të ulëta në Shqipëri, kur kosto e jetesës sa vjen e ngrihet. Është normale që njerëzit në Shqipëri të duan të eksplorojnë mundësi për të fituar të ardhura më të mira.

Është ky grup faktorësh: të ardhura të ulëta, pakënaqësi nga arsimi i lartë, perspektiva të vakëta pune, mungesa e perspektivës për brezin e ri, që vazhdojnë të ekzistojnë duke e bërë Shqipërinë të zërë vendin e parë në Europë dhe të pestin në botë për dëshirën e madhe për të emigruar – në bazë të një studimi të IOM ( International Organization for Migration). Që kjo situatë të ndryshojë lypsen politika zhvillimi që krijojnë më shumë mundësi punësimi dhe të ardhura të mira”, tha profesor Rasëll King për DË.

Për shkak të largimit të qindra familjeve shqiptare gjatë vitit që shkoi, janë rreth 10 mijë fëmijë më pak të regjistruar këtë vit në sistemin parauniversitar. Kjo shifër pranohet edhe nga qeveria.

Shkodra
Kjo shtëpi në fshatin Postribë pak kilometra në periferi të Shkodrës. Atje kanë jetuar deri gjatë muaj më parë, një familje e madhe, gjashtë fëmijë dhe prindërit e tyre. Pas shumë përpjekjesh për t’ia dalë në vendin e tyre, ata janë larguar drejt Gjermanisë. Porta e tyre nuk është hapur qysh prej asaj dite. Kanë nisur kalvarin e mundimshëm nëpër çadrat e kampeve që iu rezervohen refugjatëve, në përpjekje për të qëndruar në vendet e BE-së. për shkak të shpërnguljes së shumë familjeve të kësaj zone, janë mbyllur edhe disa shkolla.

Një 12-vjeçar nga fshati Samrisht, pak kilometra në periferi të Shkodrës, nuk mund të mësojë në shkollën e këtij fshati sepse Ministria e Arsimit ka vendosur ta mbyllë shkollën, pasi është ulur numri i nxënësve. Prej një viti, i duhet të udhëtojë çdo ditë 5 kilometra drejt një tjetër fshati për të bërë mësim. Nuk ka asnjë arsye që ky djalë 12 vjeçar të bëje hesapet e politikës, ta justifikojë atë pse shkolla nuk mund të qëndrojë e hapur pse ikin nxënësit e a pse nuk vijnë mësuesit…. Në fund të ditës ky është një fëmijë, shtetas shqiptar që i takon me ligj e Kushtetutë të marrë shërbimin për arsim, si një e drejtë themelore e tij…. Këtë problem vuajnë mijëra nxënës në fshatrat e Shqipërisë. Ministria mbyll shkolla dhe nuk garanton asgjë për ta.

Jo vetëm fshatrat janë prekur nga emigracioni. Ka qytete turistike të cilat gjatë periudhës së dimrit boshatisen. Këto ditë tetori në Gjirokastër sheh pak qytetarë të lëvizin rrugëve të qytetit. Shumica e të rinjve largohen drejt emigracionit.

Leskoviku është gjithashtu një qytet që është prekur së tepërmi nga emigracioni. Shqipëria nuk është vend në konflikt, nuk vuan prej mungesës së burimeve natyrore, nuk është vend me regjim totalitar, por është vendi i dytë pas Afganistanit për numrin e kërkesave për azilkërkues. Një paradoks që e shesh si të tillë edhe kryeministri Emanuel Macron e parlamenti francez.

Pak ditë më parë, në parlamentin francez u zhvillua një debat për azilkërkuesit. Kryeministri i Francës, Emanuel Macron, foli edhe për Shqipërinë, ku informoi se shqiptarët janë të dytët pas Afganistanit për numrin e lartë të azilkërkuesve. “Një vend kandidat për në BE, që është i dyti për nga azilkërkuesit. Një paradoks”, tha ndër të tjera kryeministri francez.

Është paradoks, sepse Shqipëria konsiderohet vend i sigurt origjine. Pra, ka një diferencë të madhe më Sirinë apo Afganistanin, që janë vende në konflikt. Për këtë arsye, Autoritetet franceze dhe ato të vendeve të tjera të bashkimit Evropian, përgjithësisht i refuzojnë kërkesat e shqiptarëve për azil.

Rinasi, rruga drejt shtëpisë
Këtë të martë në aeroportin e Rinasit zbritën nga avioni Çarter… … rreth 60 azilkërkues shqiptarë. Ata janë kthyer nga Franca dhe Belgjika, atje ku iu është refuzuar kërkesa për azil. Çdo të martë, në aeroportin e Rinasit riatdhesohen shtetas shqiptarë që kthehen nga vendet e ndryshe të Evropës. Ata kthehen pa dëshirën e tyre, të detyruar nga autoritet e vendeve të BE-së. Kthehen pa asnjë shpresë, e gjejnë atdheun siç ishte pa asnjë mundësi për t’iu garantuar minimumin jetik. Ata nuk duan të rrëfejnë asgjë nga përvoja ndoshta e hidhur që lanë pas, për disa muaj a pak vite në çadrat e azilkërkuesve. Në rrugën e tyre drejt shtëpisë, nuk shohin ende asnjë fener e as dritë shprese për një të ardhme më të mire për fëmijët e tyre. Prandaj ata duan sërish të ikin. Shumica kanë dëshirë të ikin.

Burimi: Balkanweb