VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Esat Toptani, si pjesë e historisë së padeformuar – Nga Gazmend A. Bakiu

By | June 13, 2019
1 Comments
  • author avatar
    Shkambi i Bjeshkve 4 months ago Reply

    Shrueni çka të doni për esat toptanin:
    Jam i sigurt për çka deklaroj publikisht: Prej 1992 i kanë uzurpue muzetë e qyteteve pjellat e toptanve, zogistve,….të cilët i ke drejtora tuj fillue në Shkodër,….me marifet, kuptohet dhe të mirë-paguem nga familja mbretnore e Zogut,… po i zhdukin dokumentat nga arshivat e muzeve të kompromentuem me tradhti, vrasje, hajni shtettnore të toptanve, ahmet zogut,…
    Në nji ditë me diell çohen do karabusha sa prej Amerika e kudo na e qesin esat toptanin, ahmet zogun,…hero, atdhetar, i ndershëm, patriot e tjera epitete lajkash palaçosh! Në krye të arshivave ka vue edvin rama nji dorë të butë si i thon nga Shkodra, qi din si të seleksionoji sipas shijeve të edvinit dhe bandave të shumta qi i jan versulë Arshivës Kombtare!
    Ka ardh koha të çmendemi me brohoritje: Rrnofshin e kjoshin nderi i kombit heronjë e patriota mbreti zog, me esat sadist toptanin,…!
    E mjera Shqypni qi po e dhjesin realitetin, për brezat e sotëm karabusha dhe brezat e ardhshem tash kur t’i lexojn librat e i.konomit dhe ktyne pehlivanve të pareve do ta hjedhin posht Skanderbegun e ne vend të Tij do vendosin esata, zogun, enverin ramiz alin, kryehetuesin sadist të famijeve tregtare të Shkodrës shokun sabri godo e me rradhë …..!!!

Komentet

Fedhon Meksi: Shkodra kishte një dinasti. Mahmud pashë Bushati i Shkodrës

Fedhon Meksi  

Dinastia Bushati – “Shkodra kishte një dinasti, e cila thuhej se ishte para turke, princërore, e ardhun nga trashëgimtarë të kthyer në islamizëm dhe që gjithmonë kishte jurisdiksionin legjitim të qytetit Shkodër dhe rrethinave (At Zef Pllumi: Histori kurrë e shkrueme, 55, Tiranë 2006, f.12). Studiuesi Hamdi Bushati jep pemën gjenealogjike të Bushatllijëve që fillon me Mehmet Pashën dhe vazhdon me Ymer Beun, Sulejman Pashën, Abdulla Pashën dhe Mehmet Pashë plakun, i ati i Mustafait, Mahmudit, Ahmetit dhe Ibrahimit (Bushati, H.: Kara Mahmud Pasha, Shkodër 2003, f. 377-386). Historiani turk A. Xhevdet Pasha (1822-1895) në faqen 95, vol. IV, ka shkruar se “Bushatllinjtë, që herët kanë sunduar Shkodrën. Edhe kur venedikasit e pushtuan këtë vend, i nderuan dhe u dhanë disa privilegje”. “Kur Sulltan Fahti Mehmeti (1432-1481) ose pushtuesi që pushtoi Kostandinopojën, pushtoi edhe Shkodrën thirri parinë e qytetit në mes të të cilëve ishin edhe prej Shtëpisë së Bushatllijëve, të cilët Sulltani i nderoi duke u lanë gjithnjë në dorë sundimin e qytetit, me qenë se kjo shtëpi kishte pranuar besimin mysliman” (Bushati, H.: po aty, f, 378).
Historiani Ferit Duka ka shkruar: “Bushatllinjtë u larguan nga skena politike, por emri i kësaj familje bashkë me trashëgiminë e vyer që vjen nga koha e pashallëkut, mbetën të ngulitura në kujtesën e shqiptarëve”.
Mahmud pashë Bushati i Shkodrës (1749-1796)

Falë librit të At Zef Pllumit, është mundësuar që biografia e Mahmud pashë Bushatit, të nisë qysh nga fëmijëria e tij. Atë e ka shkruar Frati Erazmi nga Bolneo, françeskan, Misionar Apostolik në Shqipëri, i cili qe mësuesi dhe mjeku i Mahmudit që kur ai ishte vetëm dy-tre vjeç. Frat Erazmi kujdesej për shëndetin e djalit dhe për arsimimi e tij, deri sa ka shkruar se: “Mahmudin e kam rrit unë vet”. Me Erazmin ai mësoi shumë mirë edhe gjuhën italiane. Më vonë kur e pyesnin se ç’i duhen Mahmud Begut gjuhët e “dhenave të latinit”, ai përgjigjej: “Ky sanxhak është në kufi me ta dhe jeta sjell marrëdhënie herë të mira, herë të këqija, por njohja e gjuhëve sjell vetëm të mira” (At Zef Pllumi, po aty, f. 86). Mahmudi ishte vetëm 16-17 vjeç kur Kapudan Pasha, një njeri i rëndësishëm në qytetin e Shkodrës dhe i lidhur me Portën e Lartë, e pyet Erazmin: “Cili të duket më i aftë ndër bijtë e Vezir Mehmetit dhe i denjë me sundu vilajetin? Thuaje pa frikë mendimin tënd”.
Erazmi i përgjigjet: “Sipas mendimit tem vetëm Mahmud beu i ka përgja babës së vet më tepër se të tjerët, si në dije e urti ashtu edhe në trimni”.
“Sipas përfytyrimeve që përcillen brez pas brezi tek familjet shkodrane, Mahmudi qe një burrë i bëshëm, i hijshëm e impozant. Kishte trup të lartë e të fuqishëm, krahë muskulozë dhe një gjoks aq të gjerë e leshatak sa dy vezë mund të fshiheshin aty. Mahmudi nuk u vesh kurrë me roba turke. Ai preferonte veshjen kombëtare” (Bushati, H.: po aty, f. 94).
Me emërimin e tij zyrtarisht si mytesarif i Shkodrës (1778), pasi mori miratimin e parisë së Shkodrës dhe pasi pagoi një shumë të madhe të hollash në Stamboll, Mahmud Bushati do t’i kushtohej asaj politike që pat ndjekur i ati: sigurimin e qetësisë, zhvillimin ekonomik dhe tregtinë, brenda vendit dhe me vendet fqinjë. “Mahmudi formalisht u paraqit si njeri besnik i Portës, por që në fillim të marrjes së pushtetit nuk e hoqi nga mendja amanetin e babait dhe traditën e shtëpisë së Bushatllijëve. Për këtë qëllim ai punoi pa reshtur për zgjerimin e kufijve të pushtetit të tij dhe për pavarësi nga sulltani” (A. C. Saint Saveur: Voyage historique, litteraire e pitoresque …, t. II,1796, f. 272).

E vendosur në brigjet e një liqeni të madh që lidhej me detin nëpërmjet lumit të lundrueshëm të Bunës, e rrethuar me fusha pjellore që ishin të përshkuara nga rrugë të shumta tregtare, Shkodra u rrit njëherësh si qendër e rëndësishme administrative, por para së gjithash edhe si qendër zejtare e tregtare, me rreth 30-35 mijë banorë. Duke pasur portin e Ulqinit pranë, që kishte një flotë tregtare prej afro 250 anijesh, që ndërtoheshin dhe meremetoheshin në kantieret e qytetit port, u lidhën marrëdhënie tregtare me Venedikun, Ankonën dhe Triesten.
Jeta ekonomike në Shkodër u gjallërua shumë shpejt. Mahmud Pasha e zgjeroi pjesëmarrjen e tij direkte në tregti e në lundrim dhe shtiu në dorë sipërmarrje të shumta, ndër të cilat edhe atë të serës së Selenicës në Vlorë. Si i ati, ai përkrahu tregtarët vendas kundër atyre venedikas, të cilët humbën përsëri tregtinë e vajit, të drithërave dhe të ziftit.
Në këtë mënyrë Shkodra u bë qyteti më i madh dhe më i begatë i vendit, qendër e tregtisë tranzite ndërmjet Rumelisë dhe shteteve italiane, Republikës së Raguzës (Dubrovniku i sotëm) dhe Europës Perëndimore. Ai u përpoq, gjithashtu, të gjente përkrahje nga armiqtë e Stambollit, prandaj dërgoi për marrëveshje Jak Sumën në Vjenë dhe në Petërsburg.

Rrethimi i parë i Shkodrës (1787)
Qysh nga viti 1782, Mahmud Pasha filloi të vepronte me vullnetin e vet, duke mos përfillur fermanët e Portës së Lartë. Më vitin 1785 largoi komandantin turk të kështjellës së Shpuzës dhe po atë vit nënshtroi Malin e Zi. Fill më pas ai u nis në drejtim të Elbasanit dhe Beratit, mbasi Pashai i Beratit kishte bërë për vete Pashain e Elbasanit, i cili u kishte mbyllur limanet ulqinakëve.
Këto fushata të suksesshme ngritën lart autoritetin e Bushatlliut, veçse shkaktuan zemërimin e Portës së Lartë dhe të Senatit të Venedikut por, nga ana tjetër, tërhoqën vëmendjen e Austrisë që filloi ta inkurajonte Bushatin për të kryer veprime më të ashpra kundër varësisë ndaj Stambollit.
Ndërkohë, Mahmud Pasha kishte krijuar një ushtri të rregullt, e cila dy-trefishohej me luftëtarët e ajanëve aleatë dhe me ata që vinin nga malësitë. Trimëria dhe guximi i veçantë, si edhe fitoret kundër pashallarëve rivalë, bënë që të mbiquhej Kara* Mahmud Pasha (*Kara – këmbëngulës, kokëkrisur).
Porta e Lartë e deklaroi fermanli Mahmud Pashën, me fjalë të tjera e dënoi me vdekje për tradhti të lartë. Për të ekzekutuar vendimin, Stambolli nisi një ekspedite ushtarake prej 20,000 vetësh, me tre vezirë e shumë pashallarë.

Për të fuqizuar kryengritjen, Kara Mahmudi mobilizoi shumë njerëz nga shtresat e gjera popullore, të cilëve u premtoi se do t’i falte taksat për 20 vjet. Ai shfrytëzoi edhe emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe e shpalli veten pasardhës të tij.
“Atëherë Mahmudi me të vëllanë, Ibrahimin, thirrën krerët e maleve dhe të fushave dhe zgjodhën djelmtë ma trima, rreth 300 vetë si edhe 50 kalorës shkodranë me kuajt e tyre dhe vendosi që bashkë me ta me u ndry në kala.

-Aty kam me dekë, u tha luftëtarëve të tij, por kurrë nuk do t’i dorëzohem i gjallë armikut të popullit shqiptar” (At Zef Pllumi, po aty, f. 43).
Më 26 gusht 1787, Kara Mahmudi u mbyll në kështjellën e Shkodrës. Ndërsa Mahmudi ishte i rrethuar, otomanët pas sulmeve që bënë, duke parë se nuk mund të merrej kështjella me forcë, nisën me plaçkitje dyqanesh, bastisje shtëpish dhe përdhunime në Shkodër. Këto barbarizma shkaktuan pakënaqësinë e qytetarëve dhe të fshatarëve dhe përgatitën një teren të favorshëm për realizimin e planit të Mahmud Pashës
J. Hecquardi, i mbështetur në të dhënat popullore ka shkruar: “Ndër pashallarët që kishin rrethuar kalanë ishte edhe Ali pashë Tepelena, i cili, ishte marrë vesh me të, i dërgonte ushqime fshehurazi dhe e njoftonte për planet e reparteve rrethuese” (cituar nga Bushati, H., po aty, f.104).
Rrethimi zgjati 80 ditë, deri më datën 25 nëntor, edhe pse artileria që ishte vendosur në Tepe e në Tarabosh, bashkë me murtajën që ishte vendosur aty ku bashkohet Drini me Bunën, qëllonin mbi kështjellën disa herë në ditë.
Ndërsa jashtë kështjellës, qytetarët e Shkodrës, fshatarët rreth saj, malësorët e Hotit, të Shalës, të Postribës etj., rreth 8000 veta gjithsej, në bashkëveprim me luftëtarët që ndodheshin brenda kështjellës, u vërsulën mbi rrethuesit dhe i shpartalluan plotësisht, duke vrarë më shumë se 6000 prej tyre, përveç robërve të shumtë. “Beteja më e madhe, u bë në sheshin para Xhamisë së Kuqe që ndodhet në lagjen Perash. Ajo xhami quhet e kuqe edhe sot, në kuptimin e gjakut që u derdh aty” (Bushati, H, po aty, f. 107).

Të ngelur në mes dy zjarreve, turqit ikën në drejtime të ndryshme. Në fund të luftimeve shkodranët morën plaçkë të madhe lufte, si edhe 16 topa.
Lëvizjet diplomatike të Mahmud Pashës
Qeveritë e Vjenës dhe të Shën Petërsburgut ngarkuan diplomatët e tyre që t’i premtonin Mahmud Pashës përkrahje ekonomike e ushtarake për të vazhduar kryengritjen kundër Stambollit, madje për të marrë pjesë në këtë luftë edhe ata vetë. Në këto kushte Mahmud Pasha, nëpërmjet ambasadorit rus në Venedik, i drejtohet më vitin 1787 Oborrit të Shën Petërsburgut, për të qenë nën mbrojtjen e Carit. Por rusët iu përgjigjen se “…do ta kishin përkrahur vetëm në qoftë se hiqte dorë nga lidhjet me Austrinë”. Në të njëjtën kohë austriakët ia ofronin kurorën e Shqipërisë Mbretit të Napolit, i cili premtonte se me 30,000 vetë do të bashkëpunonte me Austrinë për të larguar turqit nga Europa.
Sidoqoftë, e vërteta është se qeveria e Vjenës kishte filluar t’i mbante të hapura disa kanale komunikimi me Mahmud Pashën. Këtë rol në fillim e luante ipeshkvi katolik i Shkodrës. Më pas, negociatat direkte me pashain i qenë besuar një misioni ushtarak që qeveria austriake kish dërguar që në fillim të vitit 1788 pranë ipeshkvit të Malit të Zi.
Rrethimi i dytë
i Shkodrës
Mahmud Bushati filloi një fushatë nënshtrimi të feudalëve përkrahës të Stambollit. Në përfundim të kësaj fushate, gjithë gegëria, që nga kufijtë e Malit të Zi deri në lumin Shkumbin, hyri në juridiksionin e tij. Kështu filloi kryengritja e dytë, e cila synonte shkëputjen nga varësia e Portës.
Në fund të vitit 1792, Mahmud Pasha u shpall edhe një herë fermanli. Ekspedita me në krye valiun e Rumelisë, mundi të mbërrinte në Shkodër vetëm mbas tetë muaj luftimesh. Ushtritë turke hynë në qytetin e Shkodrës më 20 gusht 1793. Pas një qëndrese të fortë, Mahmud pashë Bushati u mbyll përsëri në kështjellë. Edhe këtë herë shumica e parisë dhe e aleatëve e braktisën. Por fshatarët, malësorët dhe shtresat e gjera qytetare shkodrane, nuk ndoqën rrugën e krerëve feudalë.
Në agimin e 28 nëntorit 1793, me të njëjtën skemë si në rrethimin e parë, u kordinuan veprimet luftarake të reparteve jashtë kështjellës, me luftëtarët që prisnin brenda saj. Ata dolën nga kështjella dhe iu vërsulën trupave armike, njëkohësisht me forcat që ishin vendosur rreth kështjellës. Këto sulme të furishme shpartalluan forcat turke duke u shkaktuar humbje të rënda në njerëz dhe materiale luftarake.
Diplomacia frënge, për të penguar Malin e Zi që shërbente si satelite e Rusisë dhe Austrisë, u lidh me Mahmud Pashën me anë të ambasadorit të saj në Venedik. Gjeneral Bonaparti, i cili pas pushtimit të Italisë Veriore kërkonte të pushtonte edhe Dalmacinë, dërgoi në Shkodër në muajin maj të vitit 1796 shtatë specialistë ushtarakë për të ndihmuar në organizimin e ushtrisë shqiptare edhe katër të tjerë pranë shtabit të Mahmud Pashës.
Në vitin 1795 Mahmud Bushati priti në Shkodër konsullin francez, pastaj në vitet 1795-1796 kontaktet shtohen, duke realizuar edhe një aleancë në mes Shkodrës dhe Parisit (Naçi, Stavri: Pashallëku i Shkodrës…., f. 238).
Veprimtaria kulturore gjatë kohës së
dinastisë Bushati
Gjatë sundimit të Mahmud Bushatit, pati zhvillim të konsiderueshëm në lëmin kulturor, në arsim, letërsi, arkitekturë si edhe në ndërtimet. U ndërtuan një varg veprash publike me karakter ekonomik e fetar si Ura e Mesit, xhamia e Ethem beut në Tiranë, Hani i madh, xhamia e Plumbit dhe Bezesteni në Shkodër. “U ndërtuan një numër i madh banesash të tipit gjysmë kati me gurë e me qerpiç për masat popullore dhe dykatëshe për shtresat e pasura”.
Edhe letërsia shqipe bëri hapa të rëndësishme përpara. Rolin kryesor e luajti letërsia gojore, kurse si gjini u shqua kënga historike. Gjuha e shkruar shqipe luajti një rol jo të vogël. Ajo shërbeu për ngritjen në një shkallë më të lartë të ndjenjës së shqiptarisë dhe tregoi se qysh në atë kohë u hodhën rrënjët e përpjekjeve për arsimin dhe kulturën shqipe.
Bushatllijtë e shek XVIII, Mehmeti dhe Mahmudi, ngritën medresetë si institucione arsimore që faktikisht qenë shqiptare, pasi mësimet kryeshin në gjuhën shqipe dhe mbaheshin me fonde lokale. Qëllimi kryesor i tyre nuk ishte vetëm formimi i një kontigjenti fetarësh të ditur, por njëkohësisht edhe formimi i të rinjve që nuk dëshironin të bëheshin hoxhë, por që kërkonin të përvetësonin elementët kryesorë të diturive të kohës.
Mahmud pashë Bushati themeloi bibliotekën e parë publike unikale për kohën që ndodhej pranë Medresesë, me qëllim që të përfitonin jo vetëm nxënësit por edhe studiuesit e jashtëm. Në regjistrin e bibliotekës figuronin jo vetëm libra teologjie, por edhe të fushave të tjera si në gjuhësi, poezi, retorikë, logjikë, drejtësi, histori, botanikë etj..
Vrasja e Mahmud pashë Bushatit
Në fillim të vitit 1796, Mahmud Pasha po grumbullonte forca të shumta ushtarake, destinacioni i të cilave nuk ishte shpallur zyrtarisht, por qarkullonin fjalë që do të sulmoheshin krahinat kufitare të Veriut për të shkëputur nga ndikimi i Vladikës së Malit të Zi, krahinat shqiptare.
“Në shtator të vitit 1796, Kara Mahmud Pasha përsëriti sulmin mbi Malin e Zi, por edhe këtë herë ushtria e tij nuk përparoi dot, kurse ai vet bashkë me shtabin, në të cilin ishin edhe katër oficerë francezë, ra në kurth me sa duket të tradhtuar, u rrethua dhe u vra nga malazezët” (HPSh, I, f. 631).
U varros në Krus, po aty ku u zhvillua beteja.
Dy vezirët e Shqipërisë
1. Mahmud pashë Bushati dhe Ali pashë Tepelena, prijësit e shqiptarëve që jetuan dhe qeverisën në kapërcyellin midis shekullit XVIII e XIX, ndër më të shquarit pas Skënderbeut, edhe pse banonin larg nga njëri tjetri, mirëkuptoheshin dhe kishin të njëjtat qëndrime lidhur me çështjen kombëtare.
Duke përfituar nga dinamika decentralizuese në të cilën ndodhej sundimi osman, ata tentuan me të gjitha mënyrat shkëputjen nga shteti osman dhe krijimin e shteteve dinastike në vise të banuara kryesisht nga shqiptarët.
Në këto kushte të reja në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera ballkanike, njëherësh me fillimin e aktivitetit iluminist dhe kulturor, u hodhën hapat e parë për formimin e ideologjisë së çlirimit kombëtar. Kështu lindi një lëvizje kombëtare e përgjithshme kundër shtypjes otomane. Në krye të kësaj lëvizjeje u vendosën përfaqësuesit e klasës feudale shqiptare që i ishin kundërvënë Stambollit, Mahmud Pasha i Shkodrës dhe Ali Pashë Tepelena. Në këtë lëvizje u dukën edhe “disa elementë të hershëm formëzues të vetëdijes kombëtare shqiptare, që në fakt shërbejnë si truall ngjizës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” (Egro, D.:Rrënjët historike të çështjes shqiptare, Instituti i historisë, Tiranë 2017, f. 31). Në këtë periudhë gjuha shqipe ishte një shenjë dalluese e të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga fetë që ata praktikonin. Ata ruanin fort brez pas brezi origjinën etnike shqiptare si edhe heroin e tyre të përbashkët, Skënderbeun. Për më tepër, krerët shqiptarë në Jug e Veri, filluan t’i quajnë Shqipëri territoret që ata sundonin dhe shqiptarë banorët e tyre.
2.”Rusia dhe Austria kërkonin që t’i përdornin pashallarët shqiptarë për të dobësuar pozitat e osmanëve dhe për të realizuar projektet e tyre lidhur me copëtimin e Perandorisë Otomane. Kurse pashallarët shqiptarë, kërkonin që me ndihmën e tyre të vendosnin sundimin dinastik në territoret që ata zotëronin.
“Po në këtë kohë, caresha ruse Katerina II, dërgoi në Shkodër diplomatët e vet, të cilët hartuan një projekt-marrëveshje (1788), sipas të cilës Mahmud Pasha zotohej që së bashku me krerët e tjerë shqiptarë, me mbështetjen financiare të Rusisë, të vendosnin nën sundimin e tyre të plotë Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke i hapur rrugë trupave ruse që të merrnin Stambollin. Pasi të realizohej ky plan, këto toka do të viheshin nën protektoratin rus, me kusht që të respektohej feja islame, zakonet dhe traditat vendase.
Megjithatë, pashai shkodran nuk ngutej të krijonte marrëdhënie varësie ndaj Rusisë. Këtë e dëshmon edhe fakti që ai nuk e firmosi këtë dokument pa marrë më parë pëlqimin e careshës ruse” (Arsh, G. L.: Shqipëria dhe Epiri …, Moskë 1963, f. 203, 215).
“Veçse, projekti i Mahmut Pashës për t’u bërë mbret i asaj pjese të viseve shqiptare që ai e quante Shqipëri nuk u realizua, mbasi Rusia dhe Austria në gjysmën e parë të vitit 1788, ranë dakord që provinca osmane e Shqipërisë t’i jepej Mbretit të Napolit”.
“Edhe Aliu kërkoi mbështetjen ruse për të shpallur pavarësinë e tij politike. Veçse synimet që palët donin të arrinin ishin krejt të kundërta, mbasi Rusia kërkonte që në viset që qeveriste Ali Pasha, përmes grekëve të krijonte një bazë diversioni për të mbajtur të angazhuara trupat osmane, ndër kohë që rusët do të përparonin drejt Stambollit”).
3. Të dy vezirët e Shqipërisë kishin përqasje të njëjta lidhur me fetë. Pashallarët shqiptarë bazuar edhe në tolerancën fetare, fenomen specifik i popullit shqiptar, përpiqeshin të ndërtonin marrëdhënie të njëjta me të gjithë shtetasit e tyre, në mënyrë që të siguronin mbështetje të gjerë popullore gjatë procesit të shkëputjes nga shteti osman.
“Duhet theksuar se Mahmudi, ashtu si edhe tepelenasi, me politikën e tyre shqiptare rilindëse, vunë themelet e shoqërisë pluraliste fetare moderne. Oborret e tyre qeveritare janë bërthama të akademive shqiptare, ku u kultivua tipari i tolerancës fetare shqiptare në interes të luftës për çlirimit kombëtar” (Basha, Musa: Islami në Shqipëri, Tiranë, f. 243).
4. Më vitin 1787 konsulli francez dhe ai rus në Venedik, kanë raportuar që Mahmud Bushati “…e shpalli veten pasardhës të Skënderbeut dhe shprehet se do ta imitojë atë në të gjitha drejtimet”.
“Në të vërtetë, territoret në zotërim të Bushatllijëve, përkonin gjeografikisht me territorin ku lindi, jetoi dhe veproi Skënderbeu. Ky fakt mund të jetë edhe një nga arsyet më tepër që Mahmud Pasha e quante veten si pasardhës i Skënderbeut, duke qenë kështu i pari shqiptar që përdori figurën e Skënderbeut për qëllime politike” (Naçi, S.: po aty, f. 227),
Kurse, me qenë se shteti i Ali Pashës shtrihej në rajonin e Epirit, tepelenasi e njësoi veten me figurën më të rëndësishme historike vendase: Pirron e Epirit.
Kështu, Mahmud Pasha Bushati dhe pas tij Ali Pasha, ishin të parët që morën nga “e shkuara e lavdishme” emrat dhe veprat e Pirros së Epirit dhe të Skënderbeut.
Shqiptarët e kuptuan menjëherë mesazhin dhe i mbështetën në realizimin e projekteve të tyre, që do të ishin të pa kushtëzuara nga Stambolli.
Duke qenë të talentuar dhe novatorë, ata zgjodhën mënyra origjinale për të realizuar planet e tyre të shkëputjes nga Porta. I pari ishte “….Mahmud Pasha që priste para në emrin e tij qysh më prill 1787. Pas tij vinte Ali Pasha që ndërmori edhe ai një hap të tillë. Sipas traditës osmano-islame, një sundimtar mysliman quhej i pavarur kur përmbushte edhe një kusht të dytë: atë që në hytben që mbahej gjatë faljes së të Premtes, në vend të emrit të sulltanit duhej që të përmendej emri i tij. Dokumentacioni arkivor osman dëshmon se të dy shqiptarët i ishin futur rrugës së pavarësimit, çka në fakt parakupton përmbushjen paraprake të të dy kushteve të lartpërmendura” (Egro, D.: po aty, f. 22).
6. Mytesarifët dhe pashallarët shqiptarë që drejtonin sanxhaqet dhe pashallëqet, ishin të ndarë në dy grupe. Në njërin prej tyre bënin pjesë feudalët që ishin gati të ngriheshin kundër otomanëve, kurse nga ana tjetër qëndronin ata që ishin të lidhur me Stambollin.
Duket se Mahmud Pasha dhe Ali Pasha, bënin pjesë në grupin e parë, deri sa të dy bashkë ndërmorën sulmin kundër sanxhaqeve të Vlorës dhe Elbasanit për të ndëshkuar sundimtarët e tyre si vegla të pushtuesit. Faktin tjetër që vërteton se të dy pashallarët ndodheshin së bashku në të njëjtën barrikadë, e ka paraqitur J. Hecquardi, i cili ka shkruar se ndër pashallarët që kishin rrethuar kalanë e Shkodrës, ishte edhe Ali Pasha Tepelena, i cili fshehurazi nga një derë sekrete, i dërgonte ushqime Mahmud Pashës i mbyllur në kala.
7. Në arkivin e Ministrisë së Jashtme Ruse (fondi: Marrëdhëniet ruso-turke), ndodhet raportimi nga Ambasada ruse në Stamboll: “Me politikën e tij dhe me gjyqet e tij të drejta, Mahmud Pasha i ka bërë për vete jo vetëm banorët e krahinave të veta, por edhe ata të rretheve fqinjë. Ai ishte një sundimtar i drejtë, përkrahës i të krishterëve dhe shumë i ashpër me plaçkitësit dhe hajdutët (Malkolm, N.: Kosovo, New York 1999, f, 175). Kurse për Ali Pashën, Filip Liço, historian, minoritar grek, ka shkruar: “Aliu i ndikuar nga revolucioni francez, pati një vizion të përparuar shoqëror. Ai godet bejlerët myslimanë dhe koxhabashët e krishterë dhe mbron popullin nga veprimet e tyre arbitrare” (Liço, F.: Marrëdhëniet greko-shqiptare, 2003, f. 92).
“Reforma më e rëndësishme në shtetin e Ali Pashës, ka qenë zbatimi i parimit modern, sipas të cilit të gjithë shtetasit janë një lloj para ligjit” (Kandyloros, T, Megali Eliniqi Enciklopedia, f. 739).
Edhe një herë për Mahmud pashë Bushatin
Mahmud Pasha për 21 vjet rresht qeverisi në mënyrë të pavarur dhe nuk u ndal para të gjitha vështirësive që i dolën përpara, përveç aktit final të cilin do ta zgjidhnin të gjithë trimat si ai, vdekjen duke luftuar në fushën e betejës.
Pa dyshin që i madhi Mahmud Pashë Bushati i Shkodrës, do të mbetet në kujtesën historike të popullit shqiptar si i pari ndër vazhduesit e traditës shteformuese të Skënderbeut dhe krahas Ali pashë Tepelenës.
Në të vërtetë unë nuk jam i pari që e quaj shkodranin: i madhi Mahmud Pashë Bushati. Të parët kanë qenë ata që në faqen 153 të regjistrit të Arkipeshkvisë së Shkodrës, më datën 3 tetor 1796, ditën e vdekjes së Vezirit, kanë shkruar: “Në këtë ditë vdiq i madhi Mahmud Pasha i Shkodrës”.
Pse Mahmud Pasha i Shkodrës është vërtetë i madh?
Së pari, ai luftoi ashtu si Skënderbeu në linjën e parë të frontit dhe fitoi kundër turqve duke kombinuar ashtu si Skënderbeu, luftën tradicionale popullore me operacione të mëdha strategjiko-taktike.
Së dyti, nëpërmjet tolerancës së sinqertë fetare, Mahmud Bushati kërkoi dhe gjeti mbështetje veçanërisht tek fiset katolike të malësisë dhe pjesa tjetër e popullsisë që ishte e pakënaqur nga sundimi osman dhe arriti bashkimin kombëtar të pjesës dërmuese të shqiptarëve të veriut.
Së treti, ai nuk bëri kompromise me Portën e Lartë, përkundrazi, si një prijës vërtetë i pavarur u përpoq dhe arriti të zgjeronte kufijtë e pashallëkut të tij deri në kufijtë etnik të Shqipërisë së Veriut.
Së katërti, koha e Mahmud Pashës është quajtur si “kohë e mirëqenies” ose “vakti i Vezirit”, mbasi, sipas Vaso Pashës, “…shkodranët dhe malësorët shkojshin një jetë jo të keqe, prandaj e mbrojshin me armë vezirin Bushatli”.
Së pesti, nëpërmjet lidhjeve me figura historike si Bonaparti, Jozefi i II i Austrisë, Caresha e Rusisë, Mbreti i Spanjës dhe Papa i Vatikanit, Mahmud Pashë shkodrani e nxori nga terri në të cilin ishte zhytur Shqipëria prej disa shekujsh, duke e bërë edhe një herë të njohur atë.

JU LUTEM, MOS I PREKNI! RRANOJAT E HOMERIT SHQIPTAR… – Nga Fritz RADOVANI

TRADHTARËT NA LANË PA ATDHE, TOKË, SHTËPI DHE VARRE !

23 TETOR 1871 Fshati Fishtë ku u le e kulloti delet i madhi At Gjergj FISHTA.

Nder këta livadhe o At, mësove bukurinë e telave t’ Lahutës.., dhe t’ atij fyellit çobanit!..

E mendja t’ fluturoi tek sandalet e kambve Tua të zbathuna e, të theruna nder ferra…

Dikund, tek pusi kur etja t’ thante Gojen e Ambel të Tanden.., gjete edhe konopin…

E si të gjithë Shqiptarët edhe Ti, provove a di me e lidhë perbel… Vrapove mbas Deleve Tua, e kur Nana Yte t’ pau.., Sytë e Saj t’ bukur ju mbushen plot me lot…Po, Zefi u qesh!

E perqafoi Nanen dhe, mori rrugat e pafund të Kalvarit, dijes dhe bamirsisë vllaznore… 

Pa veshë mirë zhgunin e Shën Françeskut, t’U desht me falë gjaksorin e gjithë jetës o At’ … Bash atë vrastar që jeten i mori Vllazenve t’ Uej, nder dhomat qeli të Kuvendit Tand…

E, bash tek ai blini ku Ti i kndove n’ “Lahutë të Malsisë” Besës, Burrnisë e Bujarisë së Atyne Maleve që, turp e marre s’ njohën persa kohë që n’atë Kompanjel ku e pate vue me doren Tande Flamurin e Gjergj Kastriotit e Hymnin pergjatë Shkodres, i pat këndue atë ditë 13 Qershori Rinia Shkodrane, me vargje t’ shkrueme me Shkrojlat Tua t’ Manastirit!

Me ata shkrojla që Europës i pate tregue se ku janë thëmelet e Shtëpisë s’Ate, o At, bash t’Asaj Ilirisë së vjeter ndertue nen themele t’Rozafës plakë, “bash Asaj nuk i duhen gja”!

Nuk i duhen gja as Shkrojlat, as Gjuha Yte dhe as vjerrshat e gjiut të drandofillit Tand…

Atyne i duhen vetem Ferrat e Atij drandofilli që ti s’i këndove gjithë jeten Tande o At!

E prej atij nandori të zi… Vetem kunora ferrash janë vue mbi Vorrin Tand o At Fishta !

E Priftit prej Vermoshit.., që këndonte Vjerrshat Tua, i patne merthye gjuhen me thikë!

E bash mbi atë tavolinë ku mblidheshin zanat Tua… Nenshkruhej “dënimi me vdekje”!

Tradhtarë katila e barbar, ju lutem, mos prekni mbi ata Themele t’ At Gjergj Fishtës!

Ajo asht Tokë e Bekueme Arbnore, mos prekni me duert tua të zhytuna n’gjak deri n’ fyt!

Ikni e ndertoni atje… Atje ku, tirani ma i madh i Europës daltoi me thiken e vet guralecat e atyne gjakbasve që, lavdi i thuren barbarizmave të tij mbi Klerin Katolik Shqiptar!

Mos prekni Aty ku njëditë prap do të çilin Zambaku i Shna Ndout Gjuhadolit t’ vjeter..!

Mos prekni Aty! Janë Françeskanët tanë t’ Shekullit XIII që Maleve Tona dritë Ju dhanë!

E Token e Kastriotit nuk guxoi kush me Ua dhunue, se Ati i mësoi kur Nana i këndoi:

“Per Atdhé e Fé, me bâ dekën si me lé !” E Malet e Atdheut njézani Ju pergjegjén Asaj:

“Mos i prekni! Ashtu leni rranojat e At Fishtës, Gurakuqit e Prek Calit, që të besoj gjithë Bota se, ju jeni po ata tiran barbarë të perjetshëm e terroristë, të viteve 1944 –  2019 ?!..”

            Melbourne, 21 Tetor 2019.

 

Paris-presse (1970) – Intervista ekskluzive me Bekim Fehmiun, Belmondon jugosllav, emri i djalit, gruaja dhe e dashura, sa fëmijë dëshiron…

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Tetor 2019

 

“Paris-presse” ka botuar, të shtunën e 7 shkurtit 1970, në faqen n°20, intervistën ekskluzive të aktorit të talentuar shqiptar, Bekim Fehmiut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Djali i Uliksit (18 muajsh) quhet Uliks, në kujtim të serialit “Odiseja”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Është e vështirë të njohësh në Uliksin me mjekër, heroin e “Odisesë”, serialin që transmetohet dy herë në muaj në kanalin e 2-të që do të shihni sonte, Bekim Fehmiun, yllin e “Kam takuar madje ciganë të lumtur”, një film që fitoi çmimin special të jurisë në 1967 në Kanë.

 

Belmondo jugosllav

(krahasim me aktorin e famshëm francez Jean-Paul Belmondo)

 

Megjithatë së shpejti Bekim Fehmiu, 33 vjeç, nuk do të kalojë më pa u vënë re në rrugë : filmi i tij i parë ndërkombëtar, “Meshkujt”, i frymëzuar nga jeta e diplomatit-playboy të famshëm latino-amerikan Porfirio Rubirosa, ku ai luan rolin e tij, del në mars në Shtetet e Bashkuara, në prill në Britaninë e Madhe, dhe në shtator në Francë. Ndërkohë, ai ka luajtur një western, “Shtylla kurrizore e Djallit”, dhe në shkurt të 1966 u martua me Branka Petriç, një aktore jugosllave.

 

“— Djali ynë, 18 muajsh, quhet Uliks për shkak të rolit tim në serial. Në fakt, unë kam një grua dhe një të dashur. Po, po, shkruajeni : është e njëjta. Unë vazhdoj ta konsideroj gruan time si të dashurën time sepse ne të dy jemi kundër martesës. Ne nënshkruam një kontratë për shkak të së ardhmes së djalit tonë, dhe pastaj, këtë kontratë, e harruam. Oh ! po, dashuria ime për të (Brankën) nuk ka kufi !”

 

Kur ai erdhi për të prezantuar tri vite më parë në Kanë “Ciganët e lumtur”, Bekim Fehmiun e quajtën unanimisht “Belmondo jugosllav”.

 

“— Duhet të jetë sepse ne ndodhemi në Francë, thotë ai. Belmondo është marrë me boks dhe unë gjithashtu. Këtë e dëshmon hunda e tij dhe e imja.”

 

Bekim Fehmiu është një nga tetë fëmijët e një familje shqiptare, shumë e bashkuar, dhe asnjëherë nuk është marrë me ndonjë punë tjetër përveç komedisë.

 

“— Kur mbusha 16 vjeç, thotë ai, pashë një film në anglisht. Ishte ky moment kur unë vendosa të bëhem aktor. Pas shkollës së mesme, shkova në Akademinë e Arteve, por më duhej të prisja një vit për të hyrë aty : Unë flisja vetëm shqip dhe frëngjisht dhe në akademi, tekstet thuheshin (lexoheshin) në serbisht.”

 

Ai dëshiron të ketë dymbëdhjetë fëmijë

 

Ai ka luajtur gjithçka, duke qenë në të njëjtën kohë pjesë e dy trupave të vendit të tij, të Teatrit Kombëtar që ngjason me Komedinë-Franceze, dhe të një teatri avangard. Ndër autorët (personazhet) e shumtë që ka interpretuar bëjnë pjesë : Eskili, Sofokliu, Shekspiri, Molieri, Racine, Sartrë, Vojnesko, Pinteri dhe Dostojevski.

 

Padyshim, dhe kjo e bën atë të qeshë shumë, ai u zgjodh çdo vit aktori më i mirë i ri në Jugosllavi, vend të cilin e përfaqësoi në Teatrin e Kombeve në Sarah-Bernhardt në 1964.

 

Problemi i tij i vetëm, aktualisht : ai ka vendosur të ketë dymbëdhjetë fëmijë. Gruaja e tij preferon të ndalet tek i gjashti.

Dallimi midis ‘otoman’ e ‘turk’ – LETËRKËMBIM – MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

 

BOLZANO, 30. 3. 1951
Shum i dashtuni Mik,
Letren e dashtun tande e mora shì të Hanen e Pashkvet, e të falem nderës fort e fort per urime qi më derguet per Pashkë.
Pergjegjet t’Ueja, si perherë, të kjarta e precize: edhe per kto të falem nderës me gjith zemër.
Libri tedeshk prej të cilit mora pvetjet e bame në letren e mbrame, âsht botue në vj. 1939, sugurisht nja pak kohë mbas zaptimit të Shqypnís prej Italjanvet. Ky liber, si më duket mue, ka mâ fort qellime propagandet se sa me prû fakte historike të pakontestueshme. Libri quhet kshtu: ” ALBANIEN, Neues Land im Imperium”. Tue kenë ky i botuem në kohën kúr Gjermanija i kishte punët mirë me Italí, nuk âsht per t’u çuditë perse libri mundohet me mbajtë mâ fort krahin e Italís! Edhe pyetjen tjeter mbí Tyrqt e Rij e pata nxjerrë prej të njajtit liber.
Nuk m’âsht ashtu krejt i kjartë dallimi qi bani Ju ndermjet othoman e tyrk. Ju shkrueni kshtu në letren t’Uej: “Po ai vetë (Njaziu) kurr s’e shpalli veten ndryshe, as me shkrime as me gojë, veçse othoman, e kah s’ thonte tyrk, duket se e dinte edhe vetë qi s’ishte i këtillë”.
Per mue âsht njisoj me thânë othoman e tyrk në ket rasën t’onë ktu. Si e kuptoj vetë punen: Tyrqt janë racë ase mâ mirë nji popull i rrjedhun prej Turkestanit. Othoman rrjedhë prej fjalës Osmanlí, e në ket mndyrë u thirren Tyrqt come discendenti dei fautori di Osman I, che combatterono per lui. Në nji historí tedeshke po gjej të shkrueme kto fjalë: “Das Reich des mongoloiden Reitervolkes der Türken durch Osman I. (1288-1326) in Kleinasien begründet. Er nennt die nach dem Tode seines Vaters übernommene turkmenische Nomadenhorde “Osmanen”, erweitert das Reich und nimmt den Titel “Sultan” an. ” – Si e tfilloni Ju ket punë?
Pyetjet e mija kso here janë kto të dyja, e po i marr prej librit tedeshk të sypripermendun:
1). Das albanische Volk als solches hatte sich an dem sogenannten Ersten Balkankrieg 1910/12 nich beteiligt. Diese Behauptung ist, streng genommen, allerdings nur in der Einschränkung richtig, daß das Albanertum nicht als konkrete Partei am Krieg teilgenommen hatte. Tatsächlich haben die zahreichen Aufstände der Kosoboalbaner seit 1908 – meist unter Führung des machtvollen Isa Boletin aus Boletinac auf dem Kosovopolje-sehr dazu beigetragen, das Ansehen und die Widerstandskraft der Türken zu untergraben, so daß den Serben im Balkankrieg 1911 der Erfolg desto leichter fiel. Sie haben deshalb auch, wie wir heute wissen, Boletin heimlich unterstützt, woraus sich auch dessen neutrale Haltung während des Balkankrieges erklärt, die ihm die Türken sehr zum Vorwurf gemacht haben”.
2). Ismail Kemal Bey Vlora war eine der umstrittensten Persönlichkeiten seiner Zeit. In der Türkei alten Regimes hatte er es bis zum Mitglied des Staatsrates Abdul Hamids und zum Gouverneur Tripolitaniens gebracht, weilte aber seit 29. April 1900 im Exil und wurde sogar in contumaciam verurteilt. Die jungtürkische Revolution erlaubte ihm 1908 die Rüchkehr, aber da er am reaktionären Gegencoup des Sultans teilgenommen hatte, mußte er neuerdings fliehen. Er wandte sich nach Athen und begann von hier aus, angeblich mit Mitteln Abdul Hamids, die albanischen Selbständigkeitsbestrebungen zu schüren, nicht so sehr aus nationalen Interesse, als vielemehr um dem jungtürkischen Regime Schwierigkeiten zu machen. Wäre diese an sich nicht eben unmögliche Lesart richtig, dann wäre die Nationalversammlung von Valona 1912 nichts weiter gewesen als ein Ergebnis des Parteihaders innerhalb des Jungtürkentums und seiner diversen Strömungen. Wie wenig Ismail Kemal Bey angesehen war, beweist, daß er im Parlament in Istanbul während (das?) der Jungtürkenperiode 1908/09 öffentlich geohrfeigt würde.
Per sa i perket largimit t’em prej botës së vjeter, mue vetem at herë do të më mbushet mendja me ndrrue vend e me shkue n’ Amerikë, po t’a dijshem se nuk âsht kurrsesi e mundun me shkue n’Austrí e me punue ata shka kam vetë nder mend. Lufta, kurdo qi të kërsasë, ka me u zhvillue jo vetem n’ Europë apor në Lindjen e Aferme: per me i dhânë fund luftës, si njani si tjetri nder dy Katallajt, do të mendojë se si me u hjedhë drejt e në strofull të tjetrit. Vetem në ket mndyrë âsht gjasa se mund t’i shtypet kryet Kulshedres, tue e msye kte me të tana armët moderne shi në strofullin e saj. Edhe po zaptoi Rusi Europen e vendet e aferme, sa pare ban? A âsht mâ i madh dami apor dobija? Luften mund t’a fitojë Rusi, vetem po i duel ktij me kapercye n’ Amerikë. Europjant per Rusí nuk formojnë anmikun Nr. 1. Teper shum miq ka Rusija n’ Europë, edhe po kjén shum nder kta miq vetem miq friget prej pushtetit rus. Mjesá n’ Amerikë luftohet komunizmi radikalisht. N’at ditë (dita ktu âsht per t’u kuptue nji kohë e papercaktueme!) qi Rusija të zaptojë Europen prendimore, të gjith komunistat e tashëm do të baheshin antirus, si po e shohim nder shtete t’Orientit europian dita me ditë. Rusija e din ket punë, e prandej nuk mendon me i u lshue urysh Europës : ket punë, po të kishte dashtë, do të kishte pasë rasa mâ të volitshme me e krye nder vjetët e para mbas luftës, në 1945. Kshtu e mendoj vetë punen e ndoshta e kam angllisht. Se njerzt nuk veprojnë përherë mbas logjikës e shpesh herë harrojnë ku rrin me shpí il buon senso e dij edhe vetë. Rusët, veç, per deri tash nemosè, kanë dhânë prova të kjarta se nuk u mungojnë kto cilsí. Ata e kanë diftue veten mjeshtra të pagabueshem në mrrijtjen e qellimeve qi kanë para vetes perpá pasë nevojë me rikurrue në mjetin ekstrem, qi âsht lufta. Pse Rust nuk janë “Untergangsmenschen” s’ çon kandar edhe po u desht me dekë. Deka per ta âsht nji gjâ e lakmueshme, kúr të jetë puna me e diftue veten herò per nji ideal të naltë.
Por t’i lam kto gjana, pse do të kishem me mujtë me shkue edhe mâ gjat me kso pallavrash. Un me kto fjalë due me të diftue se mue nuk më mbushet mendja me lanë Europen vetem prej frigës së njaj lufte. Po të kishem mjete financjare, pá tjeter do të niseshem per Austrí e do të ndaleshem atje nemose dý vjet. Për deri sa mos të më braktisë shpresa plotsisht, se ndoj herë Zoti do t’i a shndrisë menden ndoj Mecenatit me më ndimue me mjete financjare, nuk do të ndrroj mendim. Po s’u gjet kurrsesi nji dorë bujare qi do të më ndimojë, at herë nuk ka me më mbetë tjeter veçse me shkue n’Amerikë, mbasi per atje, si të pata shkrue, âsht rruga çilë, d.m.th. gjindet mndyra se si me raditë mjetet financjare per udhtim. Âsht e dijtun se konditat janë jo të favorshme, per arsye se mue më duhet me harrue krejt Shqypnín e popullin e saj e me u vû me punue per tjerë, me punue per asish, me të cillt nuk më lidhë kurrgjâ. Kjo âsht arsyeja per të cillen Të pata shkrue heren tjeter kto fjalë: me shkue në Amerikë âsht per mue njisoj si me dashtë me i rá mohit Shqypnís! E me të vërtetë âsht njisoj si me i rá mohit Shqypnís, kúr mos të mundet njeri me punue kurrgjâ per te.
T’uroj shndet e të mira.
Miku i yt
P.P. Margjokaj O.F.M.

Ramleh (Aleksandrí), 23. IV. 1951

I dashtuni Atë,
Gzohem fort qi je mirë e po hy patjetër me vu përgjegjun pyetjeve.
Tyrk âsht nji skânj ethnologjik e othoman (ottoman, osmanlli) politik. Krejt ai mosaik popujsh të ndryshëm qi përfshinte mbretnija othomane n’ Evropë, Así e Afrikë ishin othomanë, pjestarë t’asaj mbretnije a, mâ drejtë me thânë, të shtruem asaj, por jo tyrq të gjithë siç ishte populli bazë qi e kishte themelue atë mbretní. Nji analogjí me këtê e gjêjmë në mbretnín e Habsburgvet, n’Austrín. Mund të marrim si shêmbull edhe Zvicrën, me këtë ndryshim qi popujt e ksaj janë shokë të bashkuem vullnetarisht në nji Shtet e jo të shtruem përdhuni prej njânit sish. Evropjanët e kanë quejtun mbretnín othomane edhe Tyrqí, por impropriamente, ashtu siç u kanë thânë, gjithnji prej këtij emni pa vênd, edhe othomanvet, nga çdo kombsí qi t’ishin, Tyrq. Pra nj’ashtu sikur nji Çek a nji Italjan i Trieshtës, b.f., e quente veten austrijak politikisht e çek a italjan ethnikisht, ashtu edhe Shqiptari, Arabi etj, e quejshin veten othoman, por jo tyrk në kuptimin politik. Njaziu s’ mujte me i thânë vetes Tyrk, se e dinte qi s’ ishte i tilë e i dukej si me thânë “jam kopil”, por e ignoronte, për mos me e mohue, edhe kombsín e vet e përdorte vetëm me cilsín politike si shtetas : othoman. Un përdor kët’orthografí për këto arsye : Emni Osman i Tyrqve âsht Othman’ i arabvet. Gjuha tyrqishte s’ka th. Okqidenti th-n e ka bâmë t në këtë rasën t’onë edhe dyfishue. E tue qênë se kjo formë s’i përshtatet as etymologjís as gjuhës s’onë qi s’ka bashkzânore të dyfishueme, un kam shkue në rrânjët me formën oth-.
Në pyetjen e parë prej librit Albanien (auktorin kishe harrue me m’a diftue) po më bie në sŷ “Balkankrieg 1910-12”! Luftat balkanike, kundra Tyrqís e ndërmjet fituesvet balkanikë shoq me shoq, kanë fillue e mbarue në vjetën 1912-1913. Rolin e Shqiptarvet në këtë luftë, kërkon t’a gjykojë në “favor” të tyne nëpër prizmën e nji politike kontingjente, por jo historikisht. A sommi capi, duhet të thomi se politika e verbët e Stambollit i shtrëngoi Shqiptarët me bâmë kryengritje mbas kryengritjesh për tri vjet rresht (1909-1912) tue dërmue e demoralizue fuqín ushtarake e hapun nji hendek të madh ndërmjet popullit t’onë e mbretnís. Na, dmth paríj’e jonë, të kishin qênë të mêndshëm, mbasi s’mujtën me u a mbushun mênden Tyrqvet me i njohun Shqipnís autonomín e vet me kufîj të caktuem, ishte dashun t’u përpiqshin me u marrë vesht me shtetet e Balkanit për nji Shqipní të pavarme me kufîj t’arsyeshëm e të pranuem prej tyne me të zezë mbi të bardhë e me luftue mbandej së bashku me ta kundra Tyrqís. S’ka mujtun me u bâmë ndoshta, por fakti âsht qi jo sprovue, por as mendue s’âsht nji provë e këtilë prej anës s’onë. Atëherë u bâ puna ashtu siç thotë auktori gjerman: “Das alb. Volk als solches hatte sich an dem ersten Balkankrieg nicht beteiligt.” E këta âsht gjithça. Kusuri janë fjalë e kurrgjâ tjetër. Por un s’çuditem për shkurtpamjen e Tyrqvet e të Shqiptarvet, por për atë të diplomatís vjeneze. As Vjena s’kuptoi kurrgjâ se Tyrqit e Rij ishin tue i bâmë vorrin mbretnís othomane. Në fillim, përkundrazi, kujtoi se l’Homme Malade, me shpalljen e konstitucjonit, shpëtoi e muer udhën e nji shërimi të sigurtë. Prandej u nxitue me shpallë aneksimin e Bosne-Herzegovinës. As provat e dý vjetve të pastajme s’i mësuen kurrgjâ. Aqë sa Vjena, kur u shpall lufta balkanike, qe e bindun qi Shtetet e gjysishullit do të hajshin prej Tyrqijet nji dajak të shëndoshë! Sikur t’a kishte pasë kuptue realitetin, në vênd qi t’i a lênte Petersburgut nisjativën me bashkue Sërbí e Bullgarí në nji aljancë të fshehtë, qi u bâ bërthama e Lidhjes Balkanike, do t’a kishte marrë vetë e do të kishte rregullue si duhet edhe fatin e Shqipnís.
Isa Boletini s’ka qênë ashtu “vollmächtig” sikur e bie Auktori, por s’e vjyen barra qirán me u ndalë mbi tê. Ka marrë pjesë edhe ky bashkë me krenët tjerë të Kosovës në kryengritjen e 1912 – s. Rol’ i Sërbvet në këtë kryengritje ka qênë afrisht ai qi luente edhe Mal’ i Zí me Malsorët e Mbishkodrës : ka dhânë do armë e ndoshta edhe do pare, por Boletinit e do krenve tjerë si ai, të padijshëm e të pakuptueshëm. Në Shkup i kam ndie vetë aso here kritikat e ankimet qi u bâjshin për këtë vepër prej anës së krenve patrijotë, si Bajram Curri, e intelektualë si Hasan Prishtina e Nexhib Draga.
Ato pak shënime biografike t’Auktorit mbi Ismail Kemalin janë të drejta. Veçse në “reaktionären Gegencoup des Sultans” s’âsht e vërtetë qi ai ka marrë pjesë direkte. Vetëm se si deputet opozitar qi ishte e me shumë tjerë si ai, s’e fshehu kënaqsín e tij faqe asajë lëvizjeje efemere qi u pandeh se do t’i epte fund strapotencës së partís në fuqí, qoftë edhe në favor të Sulltanit. Në veprimet e tija mbandej prej Athine e ngado ngjeti përjashta sigurisht s’ka pasun gisht Abdyl-Hamidi, qi ishte i burgosun në vilën Alatini të Selanikut. Krahaso vetë të thânat e Auktorit qi Ismail Kemali qyshë në 1900 u bie shkelm të miravet personale qi kishte prej Sulltanit e del n’Evropë (për ç’qëllim?) e mbandej kur nxit Shqiptarët për kryengritje e paska bâmë këtê “nicht so sehr aus nationalen Interesse, als vielmehr um dem jungtürkischen Regime Schwierigkeiten zu machen”! Edhe prej këndej mbërrîn i bir’ i botës me infirmue deri qëllimin kombtar të shpalljes së pamvarsís s’onë në kuvêndin e Vlonës. Ismail Kemali ka qênë mâ i madhi diplomat shqiptar i kohës së vet e nji ndër mâ të mëdhajt atdhedashës. Ishte kryetari i opozitës në parlamentin tyrk, të nji opozite qi përmblidhte në gjî të vet deputeten prej gjithë popujve të mbretnís, me gjithë këtê për Auktorin fakti qi nji deputet tyrk i pati ramë nji paravesh në parlament provueka se sa pak “angesehen” paska qênë!
Mbreti më tha dje se e kishte gati qortimin e atij tekstit për të cilin kemi folë në letrat e mâparshme. Por mbandej un harrova me i a kërkue kur u dava me tê. Sod i telefonova nji oficeri të shtëpís së tij e kujtoj se mbrênda ditës kanë me m’ a prûmë e kam me T’a mbyllë këtu. Prandej deri nesër nade s’po T’a nis letrën.
Me përshëndetje shumë të përzêmërta.
I yti
M. Kruja+

Publikohen lutjet, si dy vëllezërit u detyruan të propozonin dënimin me vdekje për babain: Plumbin ballit!

Publicisti, shkrimtari dhe kreu i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit Agron Tufa publikon dy letra të dy vëllezërve që kanë kërkuar dënimin me vdekje të babait të tyre gjatë diktaturës së komunizmit.



Tufa tregon se ata janë kërcënuar nga ish-Sigurimi i Shtetit për të dhënë mendimin skandaloz dhe tragjik për fatin e njeriut të tyre të zemrës.

Shkrimtari shkruan se personit në fjalë i është gjetur një armë pa leje si dhe disa revista të periudhës së ish-monarkisë. Ngjarja ka ndodhur në vitet 1952-1953.

Letrat dhe mesazhi i publikuar nga Agron Tufa:

TË PROPOZOSH DËNIM ME VDEKJE PËR BABËN TËND

Lexojeni letrën e mëposhtme se si i detyronte ish Sigurimi i shtetit bijtë, për të dënuar me vdekje baballarët e tyre.
Arsyeja është se të atit (mesues që nga koha e mbretnisë)i kanë gjetur një armë pa leje dhe disa revista e gazeta të “paraçlirimit”. Janë dy tekste letrash nga dy vëllezër. Të parin e jap të plotë, të dytin vetëm fundin, se në thelb ngjajnë shumë në përmbajtje…

Pjesë nga letra e dytë
”Plumbin Ballit. Se të tillë elementë janë pengesë për popullin shqiptar. Yzberisht, 1 maj 1953”

Historia e panjohur e familjes Kasneci, rrëfimi i dhimbshëm: Trupin e vëllait dhe dy shokëve i mbajtën 3 ditë para Degës, motra vdiq në shtëpi nga uria

Dashnor Kaloçi/ Kjo eshte historia e panjohur e familjes Kasneci nga fshati Kir i Pultit të Dukagjinit e cila u persekutua në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës e dëshmuar nga 75 vjeçari Mëhill Kasneci: “Pas arratisjes së axhës Ndue në 1948-ën, forcat e Sigurimit na morën natën nëpër borën kallkan dhe kur u kthyem pas tre ditësh në shtëpinë e boshatisur, motra e vogël, Lezja, vdiq nga uria dhe të ftohtit, pasi fshatarët kishin frikë me na sjellë bukë dhe tesha”.

 

“Ndërsa mua me nanën, Dranen, Katrinën e vogël tre ditëshe dhe një motër tjetër tonën, që nuk ishte më shumë se dy vjeçe, forcat e Sigurimit na morën me vete dhe duke ecur nëpër dëborë, na ndaluan në fshatin Xhan të Pultit, ku na mbajtën për disa ditë të izoluara në një shtëpi. Pas disa ditëve ne na lejuan të ktheheshim në shtëpinë tonë e cila kishte mbetur vetëm me katër muret. Nga që nuk na kishin lënë asnjë shtroje dhe mbuloje, unë me nanën dhe dy motrat e vogla, u detyruam të flinim duke u futur në pluhurin e ngrohtë të dhive diku në një cep të shtëpisë. Dy tre ditë më pas, motra jonë e vogël dy vjeçe, Lezja, vdiq nga të ftohtit dhe uria, pasi nga frika e njerëzve të Sigurimit, fshatarët e tjerë nuk vinin dot në shtëpinë tonë për të na marrë me fjetë në shtëpitë e tyre apo për të na dhanë ndonjë gjë për të ngrënë”. Njeriu që flet dhe dëshmon është 75-vjeçari Mëhill Kasneci nga fshati Kir i Pultit të Dukagjinit, i cili rrëfen të gjithë historinë e dhimbëshme se si u masakrua familja e tij nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, për arsye të arratisjes nga Shqipëria të axhës dhe babës së tij, Ndue dhe Nik Kasneci.

Familja Kasneci nga Kiri

Origjina e familjes Kasneci është nga fshati Kir i krahinës së Pultit të Dukagjinit dhe shtëpia e tyre ka qenë mjaft e dëgjuar në të gjithë atë trevë të Veriut të Shqipërisë, prej të parit të tyre, Mëhill Gjon Palit, i cili ka qenë një figurë mjaft e njohur për luftrat që ka bërë kundër forcave serbo-malazeze. Një prej atyre betejave të famëshme ku pati marrë pjesë Mëhill Gjon Pali, ka qenë ajo që njihet në histori, si: Lufta e Gurit të Kuq, ku mbetën të vrarë mjaft ushtarë serbë. Lidhur me këtë dhe qëndrimin e familjes gjatë periudhës së Monarkisë dhe pushtimit nazi-fashist të vëndit, Mëhill Kasneci dëshmon: “Që nga krijimi i shtetit shqiptar në vitin 1912, e më pas gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, familja jonë Kasneci nuk u përzie asnjëherë me punët e politikës, por shikoi hallin e saj për të përballuar varfërinë e tejskajshme që e kishte pllakosur atë. Aty nga viti 1943, zyra e rekrutimit e nënprefekturës së Dukagjinit, e thirri nën armë babën tonë, Nik Kasnecin, të cilin e mobilizoi në frontin e luftës me Greqinë në kufijtë jug-lindorë të vëndit. Gjatë asaj lufte, Nika u dallua për kryerjen me korrektese të detyrave ushtarake që iu ngarkuan dhe pas përfundimit të saj ai u dekorua nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Por përveç babës, Nikës, që mori pjesë në rradhët e ushtrisë, gjatë periudhës së Luftës, e gjithë familja jonë nuk u përzie fare në punët e politikës, duke mos u bashkuar as me forcat partizane dhe as me forcat nacionaliste të Ballit dhe Legalitetit. Por këtë rregull, e prishi axha jonë, Ndue Kasneci, i cili aty nga fundi i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945, iku në Bjeshkët e Shoshit dhe u bashkua me forcat e major Gjergj Vatës, ish-Qarkomandantit të Shkodrës që ishte arratisur në male dhe luftonte kundër forcave komuniste, së bashku me një grup të vogël njerëzish ku ndër më besnikët kishte dy kapitenët, Mark Mala dhe Pal Thani. Pasi qëndroi disa kohë në male së bashku me ta, axha Ndue u kthye përsëri në shtëpi dhe kjo gjë shënoi edhe përplasjen e parë të familjes sonë me regjimin komunist të Enver Hoxhës”, kujton Mëhill Kasneci lidhur me të kaluarën e familjes së tij.

Arratisja e Ndue Kasnecit

Aty nga viti 1946, njërin nga vëllezërit Kasneci, Markun, e thërritën për t’u paraqitur pranë zyrës së rekrutimit të Qarkut të Shkodrës, për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Por në vënd të tij, aty u paraqit i vëllai i tij, Nduja, të cilin e mobilizuan menjëherë dhe fillimisht e caktuan në një nga repartet e Garnizonit të Shkodrës. Lidhur me këtë dhe peripecitë që kaloi më pas Ndue Kasneci, nipi i tij, Mëhilli dëshmon: “Pasi e mbajtën disa kohë në një nga repart ushtarake të qytetit të Shkodrës, axhën Ndue e transferuan në Jugë të Shqipërisë duke e caktuar në Korpusin e Përmetit. Gjatë asaj periudhe që Nduja qëndroi në atë repart ushtarak të Përmetit, ai filloi të fliste hapur me shokët e tij, duke shprehur pakënaqësi ndaj regjimit komunist dhe forcave partizane të cilat kur kishin kaluar në zonën tonë, kishin bërë krime të shumta duke ekzekutuar njerëz të pafajshëm. Si rezultat i kësaj, axha Ndue u arrestua nga njerëzit e Sigurimit duke u akuzuar për agjitacion e propagandë. Pas kësaj Nduen e mbajtën për gati dy vjet nëpër qelitë e errta të Kalasë së Gjirokastrës ku ai u torturua në mënyrën më çnjerzore, saqë kur shkonte baba jonë, Nika, për më e pa, ata nuk ja kallzojshin duke i nxjerrë lloj-lloj justifikimesh. Pas dy vjetëve, Nduen e liruan, pasi ai përfitoi nga amnistia e gjerë që dha qeveria asokohe për të dënuarit politik që u konsideruan si viktima të Koci Xoxes. Pasi u lirue dhe erdhi në shtëpinë tonë në fshatin Kir të Pultit, axha Ndue, nuk qëndroi më shumë se dy tre javë, pasi në shkurtin e vitit 1948, së bashku me një grup të madh dukagjinasish, ai iku e kaloi kufirin shtetëror dhe doli në Jugosllavi. Në atë grup me të cilin u arratis axha Ndue, bënin pjesë dhe Gjeto Marku i Pecajt, i cili njihej si familje bajraktarësh, Vuksan Vata, si dhe Age Voci, vajza e bajraktarit të Kirit që familja jonë e kishte kojshi. I gjithë ai grup ku bënte pjesë dhe Nduja, e kaloi kufirin shtetëror në vëndin e quajtur Maja e Qafë-Pejë-Theth dhe ikja e tyre, sikurse u tha atëhere bëri një bujë shumë të madhe deri në qarqet më të larta në Tiranë”, kujton Mëhill Kasneci lidhur me arratisjen e axhës së tij, Ndue Kasnecit, në shkurtin e vitit 1948, i cili së bashku me një grup fshatarësh të tjerë nga Dukagjini kaluan kufirin shtetëror dhe dolën në Jugosllavi.

Raprezaljet e Sigurimit tek Kasnecët

Buja e madhe që bëri arratisja e grupit të dukagjinasve, i dha shkak organeve të Sigurimit të Shtetit për të kryer raprezalje të shumta në atë krahinë të thellë të Veriut të Shqipërisë. Lidhur me këtë, Mëhill Kasneci kujton: “Pa kaluar as dy-tre ditë nga arratisja e axhës Ndue, forca të shumta të Sigurimit mësynë zonën e Dukagjinit duke bërë raprezalje të mëdha nëpër të gjitha familjet e atij grupi që u arratis edhe axha jonë. Një pjesë e atyre forcave të Sigurimit, erdhën edhe në fshatin tonë në Kir, ku pasi na bastisën të gjithë shtëpinë, u sollën në mënyrën ma shtazarake me ne që na gjetën aty dhe nanën tonë, Dranen, e cila kishte në gji motërn tonë të vogël, Katrinën, (kishte vetëm tre ditë që kishte lindur), e tërhoqën zvarrë për krahësh nëpër dëborën që kishte ngrirë kallkan. Pasi bënë një kontroll të imët nëpër të gjitha skutat e shtëpisë, ata e na i morën të gjitha plaçkat që kishim dhe e lanë shtëpinë vetëm me katër muret. Pas kësaj ata arrestuan babën tonë Nikën, së bashku me vëllanë e tij, Markun dhe të dy i morën me vete për t’i dërguar më pas në Degën e Brendëshme të Shkodrës. Ndërsa ata të dy i nisën për në Shkodër, unë me nanën, Dranen, Katrinën e vogël tre ditëshe dhe një motër tjetër tonën, (Lezen) që nuk ishte më shumë se dy vjeçe, forcat e Sigurimit na morën me vete duke ecur nëpër dëborë dhe na ndaluan në fshatin Xhan të Pultit. Aty na mbajtën për disa ditë të izoluara në një shtëpi dhe më pas na lejuan që të ktheheshim përsëri në shtëpinë tonë në Kir, e cila dukej sikur i kishte rënë flaka. Pasi u kthyem në shtëpinë tonë e cila kishte mbetur vetëm me katër muret, nga që nuk na kishin lënë asnjë shtroje dhe mbuloje, unë me nanën dhe dy motrat e vogla, u detyruam të flinim në tokë duke u futur në pluhurin e ngrohtë të dhive diku në një cep të shtëpisë. Dy tre ditë më pas, motra jonë e vogël dy vjeçe, Lezja, vdiq nga të ftohtit dhe uria, pasi nga frika e njerëzve të Sigurimit, fshatarët e tjerë nuk vinin dot në shtëpinë tonë për të na marrë me fjetë në shtëpitë e tyre apo për të na dhanë ndonjë gjë për të ngrënë, Nisur nga ajo gjëndje mjaft e vështirë ku u ndodhëm ne, dajat e mi nga fshati Gimaj i Shalës erdhën dhe më morën mua, ndërsa nana me motrën e vogël, Katrinën, qëndruan aty në shtëpi”, kujton Mëhill lidhur me raprezaljet që bëri Sigurimi i Shtetit në shtëpinë e tyre në shkurtin e vitit 1948, pas arratisjes për në Jugosllavi të axhës së tyre, Ndue Kasneci.

Arratisja e Nik Kasnecit

Babanë e Mëhill Kasnecit, Nikën, së bashku me vëllanë e tij, Markun, pas arratisjes së vëllait të tyre, Ndues, i morën nga Dega e Brendëshme e Shkodrës dhe i internuan në kampin e Kalasë së Porto-Palermos. Pasi qëndroi për tre vejt me rradhë në atë kamp, Nik Kasnecin e liruan prej andej dhe ai u kthye në shtëpinë e tij, në fshatin Kir, ku ndodhej bashkëshortja e tij, Drania, së bashku me vajzën e vogël, Katrinën. Por edhe pas lirimit nga internimi, njerëzit e Sigurimit nuk e lanë Nik Kasnecin, që të çmallej me familjen e tij. Lidhur me këtë, i biri i tij, Mëhill Kasneci dëshmon: “Pas lirimit nga kampi i Porto-Palermos, baba, Nika, erdhi në shtëpinë tonë në Kir, por aty nuk qëndroi më shumë se një muaj e gjysëm, sepse iku dhe u arratis nga Shqipëria e doli në Jugosllavi. Pak ditë para se të arratisej, Operativi i Sigurimit i zonës sonë, Kapiten Hasan Haxhija, i kërkoi Nikës, që “të punonte për shtetin”. Por baba iu përgjigj atij duke i thënë: “Unë dhe familja jeme nuk kem punue kurrë për asnjë qeveri, as për Zogun dhe as për njeri tjetër. Prandaj në rast se më keni liruar për këtë punë, më çoni përsëri atje ku isha”, dhe ia vuri duart përpara kapitenit të Sigurimit, duke i lënë të kuptonte se ai më mirë pranonte prangat se bashkëpunimin me ta. Pas kësaj bisede, Kapiten Hasan Haxhija, i la babës të nënkuptonte se ai nuk kishte rrugë tjetër, veçëse të arratisej nga Shqipëria. Kështu, duke e parë gjëndjen e vështirë në të cilën ndodhej, baba vendosi që të arratisej edhe ai nga Shqipëria. Por kjo gjë u realizua vetëm në korrikun e vitit 1951, kur axha Mark, që ishte i arratisur në Jugosllavi, kaloi kufirin dhe veti i shtati erdhi në fshatin tonë dhe e mori babën me vete e doli përsëri në Jugosllavi. Bashkë me axhën Ndue, në grupin e tij që erdhi fshehurazi në shtëpinë tonë në Kasnec, bënin pjesë edhe Kol Sokoli nga fshati Gimaj i Shalës, Mëhill Zefi nga Micaj, Gjon Marashi nga Gimaj, Vuksan Vata, Lulash Gjoni i Xhanit dhe një tropojan që nuk ia mbaj mënd emërin. Kur erdhën me marrë babën, ata ishin të veshur si ushtarë të ndjekjes dhe qëndruan për një kohë të gjatë në një vënd të fshehtë diku afër shtëpisë sonë. Aty në atë vënd, baba u bashkua me ta dhe menjëherë i gjithë grupi u çua e iku për në drejtim të vëndit të quajtur Kodra e Kujes në Plan dhe pasi ecën për tre javë duke udhëtuar vetëm natën, kufirin e kaluan në Maja-Pejë të Thethit”, kujton 75-vjeçari Mëhill Kasneci lidhur me arratisjen e babës së tij, Nikës, në korrikun e vitit 1951.

Vrasja e Ndue Kasnecit në Dragobi

Pas arratisjes së Nik Kasnecit, në shenjë hakmarrje, të vëllait të tij, Markut, që ndodhej i internuar në Tepelenë që nga viti 1948, ia shtuan edhe për tetë vjet të tjera kohën e internimit. Ndërsa Nik Kasneci pasi fitoi statusin e azilanitit politik dhe qëndroi për disa kohë nëpër shtete të ndryshme të Europës Perendimore, më në fund iu dha e drejta për të shkuar në SHBA. Ndërsa Nika ndodhej ende nëpër kampet e emigrantëve politikë, më 16 gusht të vitit 1952, i vëllai i tij, Nduja, së bashku me tre katër vetë të tjerë, kaloi kufirin shtetëror dhe duke tentuar të futej në Grykën e Dragobisë, mbeti i rrethuar nga forcat e Sigurimit. Bashkë me Nduen, në grupin që kishte ardhur me mision të fshehtë për të parë situatën në vënd, para zbarkimit të grupeve parashutiste, bënin pjesë dhe Ndue Noshi nga Mërturi, si dhe një tjetër nga Komuna e Komanit. Ata të tre luftuan për gjithë natën deri sa mbetën të vrarë nga plumbat u ushtarëve të Forcave të Ndjekjes, që kishin rrethuar gjithë vëndin. Më pas trupat e tyre pa jetë i morën dhe i lanë për tre ditë me rradhë përpara Degës së Brendëshme të Tropojës, deri sa iu dolën krimbat dhe më pas i groposën në një vënd të panjohur që nuk është gjetur edhe sot e kësaj dite. Ndërsa axha Ndue mbeti i vrarë dhe pa varr, e axha tjetër, Marku mbeti internimeve, me babën tonë Nikën që ndodhej në emigracion politik në SHBA, ne nuk mundëm të kontaktonim dot deri në vitin 1991 kur ai u kthye përgjithmonë në Shqipëri”, e përfundon Mëhill Kasneci, historinë tragjike të familjes së tij e cila për më shumë se 40-vjet me rradhë vuajti nga lufta e tmerrëshme e klasave duke u persekutuar në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës./ Memorie.al

Nipi i Isa Boletinit: Komunistët me Vasil Shanton i vranë në atentat djalin dhe babanë tim. Ekzekutimi i familjarëve dhe pasardhëve në Serbi e Shqipëri

Dëshmia e nipit te heroit: “Hakmarrja e regjimit komunist ndaj familjes sonë filloi që në vitin 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto, vranë me atentat djalin e Isës dhe babanë tim Adem Boletinin. Si rezultat i politikës të ndjekur nga Beogradi dhe Tirana komuniste, që pas vrasjes së gjyshit në 1913, nga familja jonë u vranë apo ekzekutuan 15 vetë dhe dhjetë të tjerë kaluan vite të tëra në burgje dhe internime”.

Hakmarrja e sllavo-komunistëve ndaj familjes së njohur të Isa Boletinit, filloi që në nëntorin e vitit 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto vranë me atentat babanë tim nënkolonel Adem Boletinin, djalin e tretë të Isës i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Vjenë.

Pas kësaj si në Mitrovicë ku jetonte pjesa më e madhe e Boletinëve, ashtu edhe në Shqipëri, familja jonë u gjënd nën një persekucion të egër dhe barbar nga regjimet komuniste të Titos dhe të Enver Hoxhës. Nga ky represion i paparë që u ndoq ndaj djemëve, nipave dhe mbesave të Isa Boletinit, numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarëve nga familja jonë arriti në 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën për vite të tëra në burgjet e tmerrshme të Serbisë dhe Shqipërisë. Regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj familjes së Boletinëve ndoqi po atë politikë të cilën kishte ndjekur për shumë vjet regjimi komunist i Titos dhe si rezultat i kësaj vetëm në vitin 1962-in, Isa Boletinit iu akordua titulli i lartë i Heroit të Popullit. Edhe pas kësaj familja jonë vetëm një herë pati ftesë zyrtare për të shkuar në Vlorë në përvjetorët e ditës së ngritjes së Flamurit dhe në 1981 kur u inagurua monumenti i gjyshit tim Isa Boletinit në Shkodër, familjen tonë nuk e thirrën, duke na thanë se na kishin harruar”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al është 67-vjeçari Isa Boletini, (nipi i Isa Boletinit) ish-mësues i Edukimit Fizik, Mjeshtër Sporti dhe arbitër ndërkombëtar i volejbollit, i cili rrëfen se si u trajtua familja e tij si nga regjimi komunist i Titos në Jugosllavi, ashtu dhe nga ai i Enver Hoxhës në Shqipëri. Po si filloi hakmarrja e regjimit komunist të Tiranës ndaj familjes së Isa Boletinit dhe kush ishin viktimat e asaj familje që u ekzekutuan, vranë, burgosën dhe internuan të nxitur politika zyrtare e Beogradit? Lidhur me këto e fakte të tjera nga historia tragjike e familjes Boletini, na njeh rrëfimi i nipit të tij Isa Boletinit të ri, i cili e ka ndjerë vetë mbi shpatullat e tij peshën e rëndë të dhunës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.

GENOCIDI MBI BOLETINËT

Po si qëndron e vërteta ndaj vrasjes së djalit të Isa Boletinit nga komunistët shkodranë në 1944-ën dhe cili ishte qëndrimi që mbajti regjimi komunist ndaj kësaj familje pas mbarimit të Luftës? Lidhur me këtë Isa Boletini i ri dëshmon: “Vrasja e babait tim nënkolonel Adem Boletinit, u krye në 23 nëntor të vitit 1943 nga komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto. Ajo vrasje u nxit dhe u urdhërua nga komunuistët serbë që në atë kohë drejtonin dhe Partinë Komuniste në Shqipëri, si shenjë hakmarrje ndaj gjyshit tim Isa Boletinit i cili luftoi për vite me rradhë ndaj serbo-malazezëve. Në atë kohë vrasja e Ademit, u prit me indinjatë të madhe nga gjithë populli i Shkodrës që e dënoi atë akt barbar, sepse Adem Boletini shërbente si ushtarak dhe nuk ishte përzier asnjëherë në politikë. Ndonëse unë nuk kam qenë më shumë se nëntë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë varrimin madhështor, që i bëri populli i Shkodrës babait tim Ademit, ku edhe rinia Antifashiste e qytetit u detyrua dhe solli kurorën e saj. Që nga ajo kohë, për të mbulaur atë krim dhe indinjatën e madhe të popullit të Shkodrës, komunistë hapën fjalë se gjoja Adem Boletini ishte vrarë pa dashje dhe shënjestra e atentatit kishte qenë major Ndrec Prenga, Qarkomandanti i Xhandarmërisë së Shkodrës. Po kjo gjë u hodh poshtë po prej tyre nga dy traktet që ata hodhën menjëherë pas asaj vrasje. Nga ato dy trakte, më kujtohet si tani vetëm i pari që ne mundëm ta gjenim, ku për vrasjen e babait flitej vetëm në dy rreshtat e fundit. Aty thuhej: “Adem Boletini nuk ishte i dënuar me vdekje nga PKSH, por qëndrimi i tij me major Ndrec Prengën ishte i pajustifikeshëm”, kujton Isa Boletini rreth vrasjes së babait të tij Ademit, që ishte dhe djali i tretë i Isa Boletinit.

KALVARI I BOLETINËVE NË SHQIPËRI

Qëndrimi që mbajti regjimi komunist i Tiranës pas vitit 1944 ndaj familjes së djalit të Adem Boletinit, tregoi më së miri se vrasja e Adem Boletinit kishte qenë e paramenduar prejt tyre dhe jo gabimisht ashtu si u përpoqën ta paraqesnin ata. Lidhur me këtë hedh dritë dëshmia e Isa Boletinit i cili shprehet: “Sikur të mos mjaftonte ekzekutimi i babait tonë Ademit, regjimi komunist që erdhi në pushtet në 1944, i nxitur nga politika zyrtare e Beogradit vazhdoi hakmarrjen ndaj familjes së Isa Boletinit. Kështu në vitin 1947 u arrestua nëna ime Adile Bekteshi, e cila vuajti pesë vjet në burgjet e skëterrës komuniste, ku nga kushtet e këqia mori dhe disa sëmundje të cilat nuk iu ndanë deri sa vdiq. Burgosja e nënës sime nga komunistët erdhi si pasojë edhe e faktit se motra e saj ishte bashkëshortja e Jup Kazazit, njërit prej antikomunistëve më të njohur i cili në 1947 organizoi dhe revoltën e armatosur që kishte si synim përmbysjen e regjimit komunist. Pas dënimit të nënës sonë, gjykata dha vendimin edhe për sekuestrimin e pasurisë, ndonëse ne nuk kishim asnjëlloj pasurie dhe në Shkodër banonim tek shtëpia e dajës, mjekut të njohur Dr. Selaudin Bekteshit. Deri aty nga fillimi i viteve 60-të, për ne si familje u nxorrën tre vendime që të largoheshim nga Tirana. Herën e tretë ne qëndruam të fshehur për një muaj dhe u desh ndërhyrja e dajës sonë Dr. Bekteshit që të kthehej urdhëri që ishte dhënë për dëbimin tonë nga Tirana. Edhe pas kësaj, qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ka qenë elastik në varësi të konjiukturave politike. Kështu kishte shumë raste që mua më largonin nga Arsimi dhe më dërgonin të punoja si puntor. Po kështu dhe vëllai Enisi i cili mezi mundi të diplomohej si mjek (nën kujdesin e dajës Dr. Bekteshit) pasi dy vjet shkollë i bëri natën, ndonëse ishte mjek i njohur tre herë e kanë pushuar nga puna dhe e dërgonin në morg. Qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ndryshoi vetëm pas vendosjes së monumentit madhështor të Isa Boletinit në qytetin e Shkodrës në vitin 1981, ku në inagurimin e tij familjen tonë nuk e thirrën duke na thënë se kishin harruar. Po kështu gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist deri në vitin 1990, familja jonë u thërrit vetëm njëherë të merrte pjesë në përvjetorët e Shpalljes së Pavarsisë në Vlorë, kurse pas viteve 90-të ne nuk na kanë thërritur asnjëherë”, e përfundon rrëfimin e tij Isa Boletini duke shtuar se vlersimin që Isa Boletinit nuk ia bëri siç duhet regjimi komunist në Shqipëri, ia bënë në Kosovë, ku me inisiativën e vetë Presidentit Rugova, janë mbajtur disa sesione shkencore dhe janë botuar me dhjetra studime rreth figurës së tij.

TE VRARE NGA SERBET

Halil Boletini 1833
Mujë Boletini 1892
Ahmet Boletini 1894
Isa Boletini 1916
Halil Boletini 1916
Seid Boletini 1916
Jonuz Boletini 1916
Halit Boletini 1916
Musa Boletini 1944
Skënder Boletini 1944
Asllan Boletini 1945
Faik Boletini 1947
Isuf Boletini 1947
Rasim Dajçi (nip) 1945
Hysni Rudi (nip) 1945

TE BURGOSUR NE JUGOSLLAVI
Mujë Boletini 3 vjet
Kapllan Boletini 20 vjet
Ali Boletini arrtisur nga burgu
Tafil Boletini burgosur në 1945
Ikbale Boletini burgosur në 1945
Kumrie Boletini burgosur në 1945

TE VRARE DHE TE BURGOSUR NE SHQIPERI

Adem Boletini vrarë në 1943
Tafil Boletini burgosur në 1945
Adile Boletini burgosur në 1947
Ismet Boletini burgosur në Spaç
Enver Dajçi (nip) burgosur në Spaç

Familja e madhe e Isa Boletinit nga Mitrovica e Kosovës

Origjina e herëshme e familjes së Boletinëve prej nga rrjedh i famëshmi Isa Boletini, është nga fshati Isniq i Mitrovicës. Në atë fshat që përpara periudhës së Skënderbeut thuhet të ketë ka banuar i pari i tyre që quhej Lekë, i cili ka pasur tre djem: Nika, Cana dhe Preka. Nga këta tre vëllezër që jetuan në fshatin Isniq, rrodhën dhe u krijuan tre lagje, që morën emrat: Niklekaj, Canalekaj dhe Preklekaj të cila u shumuan dhe arritën deri në 500 shtëpi. Si shumë familje të mëdha patriakale të asaj periudhe, edhe familja e Lekës e ata që erdhën pas tij deri në pesë breza, të detyruar nga presionet e pushtimet osmane dhe për t‘ju shpëtuar pagimit të taksave dhe detyrimeve ndaj Turqisë, iu vunë fëmijëve të tyre emra të ndryshëm si Mujë, Demë, Hajdar dhe Myrsel. Kështu nga barku i familjes së Hajdarit dhe vëllait tij Halitit, rrodhi dhe u krijua lagjia Zhazhë, kurse nga barku i vëllait tjetër Ahmetit, rrodhi dhe u krijua lagjia Muslije. Nga barku i Adem Myrselit rrodhi shtëpia e Ahmet dhe Isa Boletinit. Më pas duke u shtuar numri i tyre, rreth 180 shtëpi u shpërngulën nga fshati Isniq dhe u vendosën rreth e rreth Istogut ku formuan katundet Tomoe, Muzhevinë, Prekallë, Rudicë,

Zabllac, Trubuhovcë, Boletin e Zharcë. Po kështu në atë kohë nga Isniqi janë shpërngulur edhe më shumë se 50-60 shtëpi të tjera të cilat u vendosën nëpër fshatra dhe qytete të ndryshme të Kosovës. Sipas një studimi të Prof. Skënder Luarasit, thuhet se të parët e kësaj familje të detyruar nga depërtimet e pushtuesëve osmanë, kanë zbritur nga viset veriore ku banonin në atë kohë dhe janë vendosur në fshatin Boletin aty rreth vitit 1529, ku morën dhe mbiemrin Boletini. Ky fshat i cili është dhe vëndlindja e Isa Boletinit, ndodhet jo shumë larg qytetit të Mitrovicës (në veri të saj) i cili duket si një qytezë e vogël i vendosur mbi faqen e një shkëmbi të madh, përbri një shpati që vëndasit e quajnë Sokolaj. Aty nga viti 1750, kullat e Boletinëve u dogjën për herë të parë nga taborret e ushtrisë turke, kur këta marshuan në drejtim të asaj krahine për të kapur Hajdarin e Demë Mujë Nikës dhe vëllezërve të tij Halilit e Ahmetit. Duke qenë si fisi i Boletinëve nuk u pajtua asnjëherë me politikën e Portës së Lartë të Stambollit dhe ishte gjithmonë në gjëndje lufte me ta, kullat e tyre në fshatin Boletin u dogjën përsëri në vitet 1830-1832 kur ushtria turke erdhi për të kapur Adem Boletinin. Po kështu në vitin 1892 ajo kullë u dogj përsëri nga turqit në luftrat që ata bënë kundër Ahmet Boletinit. Historia e familjes Boletini vazhdon me Isa Boletinin (u lind në fshatin Boletin në 15 janar 1864) i cili vazhdoi luftrat kundër turqëve dhe si rezultat i saj, zjarri mbi kullat e Boletinëve u vu përsëri nga Hafëz Pasha i cili i dogji ato në vitin 1895. Pas kësaj kullat e Boletinëve u dogjën edhe dy herë rradhazi nga xhonturqit në vitet 1908 dhe 1914, në luftrat që ata bënë kundër Isa Adem Boletinit. Isa Boletini pati nëntë djem dhe pesë vajza, të cilat quheshin: Halil, Zahid, Mujë, Adem, Musë, Bajazit, Asllan, Faik, Kapllan, Azize, Havize, Shehdije, Ajete dhe Feride. Isa Boletini pasi u bë një nga prijsit kryesorë të shqiptarëve të Kosovës në luftrat e tyre kundër pushtimit osman, një nga ngjarjet më të njohura të jetës së tij, është pjesmarrja në ngritjen e Flamurit në Vlorë në nëntorin e 1912-ës ku Ismail Qemali shpalli Pavarsinë e Shqipërisë. Isa Boletini u vra nga forcat serbo-malzeze të Gjeneralit Vukoviq, teksa ishte duke kaluar në urën e Ribinicës në qytetin e Podgoricës. Bashkë me Isa Boletinin, atë ditë u vranë dhe shtatë pjestarë nga familja e tij, duke filluar nga djali i tij i madh Halili (24 vjeç), djali tjetër Zahidi (18 vjeç) që në atë kohë ishte student në Vjenë, dy nipat Jonuzi (26 vjeç) dhe Halili (24 vjeç) si dhe tre kushërijtë e tyre të quajtur Hajdar Selim Radisheva, Misin Niman Bala dhe Idriz Bislimi. Pas vrasjes së Isa Boletinit, në vitin 1916, që përkon edhe me largimin e ushtrisë osmane nga Shqipëria, familja e madhe e Boletinëve që jetonin në fshatin me të njëjtën emër në afërsi të Mitrovicës, u muar me administrimin e pronave të tyre. Përveç këtyre pronave të cilat konsistonin në toka bujqësore, blegtori me mijra kokë dele dhe kullota që shtriheshin në të gjithë fshatin Boletin, familja Boletini ka qenë e njohur dhe për prodhimin e gurëve të Mademit për mullijtë e blojës, të cilat shiteshin deri në Hungari. Në vitin 1944 me ardhjen në pushtet të regjimit komunist të Titos, familja Boletini iu nënshtrua një persekucioni të egër dhe barbar, duke bërë që djemtë, nipat dhe mbesat e Isa Boletinit të ndiqeshin, pushkatoheshin dhe burgoseshin. Po e njëjta gjë ndodhi dhe me pjesën tjetër të familjes së Isa Boletinit që ndodhej në Shqipëri, ku që në 1943 u vra me atentat djali i Isës, nënkolonel Adem Boletini dhe më pas disa nga nipat e kësaj familje vuajtën nëpër burgje dhe internime. Si rezultat i kësaj politike që u ndoq nga regjimet e Beogradit dhe Tiranës në harkun kohorë të 80 vjetëve, nga familja e Isa Boletinit janë vrarë apo ekzekutuar 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën me vite të tëra në burgje dhe internime. Regjimi komunist i Tiranës duke ndjekur dhe mbajtur ndaj familjes Boletini të njëjtin qëndrim si ai i Beogradit, nuk ia dha Isa Boletinit vëndin që i takonte në Historinë e Shqipërisë. Si rezultat i këtij qëndrimi, deri në vitin 1962 ai mbante vetëm urdhërin “Skënderbeu” dhe në atë vit, në kuadrin e 50-Vjetorit të Pavarsisë, iu akordua titulli i lartë “Hero i Popullit”. Pas kësaj rreth 20 vjet më vonë në vitin 1981, atij iu ngrit një monument madhështor në qytetin e Shkodrës dhe në inagurimin e tij nuk u thërritën dy nipat e Isa Boletinit, Enisi dhe Isai që jetonin në Tiranë./Memorie.al

“Si na prenë në besë komunistët me amnistinë 1945-ës dhe na dënuan me vite të gjata burgu…..”- Dëshmia e të diplomuarit në Firence, Lekë Vojvoda

Dashnor Kaloçi

 

Memorie.al publikon historinë e dhimbshme të Lekë Vojvodës me origjine nga Shoshaj i Dukagjinit, i cili pasi u diplomua në Akademitë ushtarake të Modenas e Firences u kthye në Shqipëri duke shërbyer si rreth-komandant i Xhandarmërisë së Lezhës dhe Tuzit ku dhe u lidh me misionet anglo-amerikane që shërbenin në atë krahinë nën komandën e majorit, Nils. Si iu përgjigj ai thirrjes së regjimit komunist në vitin 1945 duke u dorzuar pas amnistisë së bashku me Mark Malën, Gjergj Vatën, Pal Thanin, Lulash Stakën, Mirash Ndoun e Gjocajt e bajraktarin e Dukagjinit, Lulash Gjeloshin me gjithë mashkujt e fisit dhe dënimi i tij me vite të gjata burgu dhe internimi familjarisht…

Aty nga viti 1944 kur shërbeja si rrethkomandant i xhandarmërisë së Dukagjinit, hyra në lidhje të fshehta me majorin britanik Nils, i cili kryesonte një nga misionet anglo-amerikane që ishin atashuar asokohe pranë forcave nacionaliste në Veriun e Shqipërisë. Sipas porosive të tij, unë asokohe ndihmova të gjitha ato forca që luftonin kundër gjermanëve, sic ishin komunistët, ballistët dhe legalistët. Aty nga korriku i vitit 1944, unë e braktisa detyrën e rrethkomandantit të Tuzit dhe shkova në Shoshaj ku rrija vazhdimisht nën ankthin e goditjes e arrestimit, si nga partizanët ashtu dhe nga forcat gjermane. Ashtu i arratisur qëndrova për dy vjet i fshehur nëpër malet e Dukagjinit së bashku me Mark Malën, Gjergj Vatën, Pal Thanin, Lulash Stakën, Mirash Ndoun dhe Bajraktarin e Dukagjinit Lulash Gjeloshi me gjithë mashkujt e fisit.

Në tetorin e vitit 1946 kur Qeveria Komuniste e Tiranës shpalli një amnisti për të gjithë personat e arratisur, unë vendosa dhe u dorzova vetë së bashku me disa shokë të tjerë, duke menduar se komunistët do ta mbanin fjalën për faljën që nxorrën. Por isha gabuar, se komunistët na prenë në besë dhe më dënuan me shtatë vjet burg e internime të gjata, nga të cilat u lirova vetëm në vitin 1984″. Njëriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Gazetën, është 85-vjecari Lekë Vojvoda nga Shoshaj i Dukagjinit, ish-oficer akademist me gradën e kapitenit i diplomuar në Modena e Firence, i cili rrëfen gjithë historinë e jetës së tij që nga bankat e gjimnazit të Shkodrës, studimet në Akademitë e Italisë, fillimin e karrierës ushtarake gjatë viteve të pushtimit, ndihmesën e madhe ndaj lëvizjes antifashiste, e deri tek arrestimi e dënimi prej komunistëve me vite të gjata burgu e internimi.

Ndonëse tashmë ai po i afrohet të nëntëdhjetave duke lënë pas një jetë ku shkelqimi, vuajtjet dhe peripecitë e pafundmë i janë mpleksur pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën, malësori fisnik Lekë Vojvoda, me një portret dhe fizik tipik si ato të kreshnikëve që ka përshkruar me aq mjeshtëri Padër Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcisë”, të habit me memorjen e tij brilante dhe ato ngjarje që tregon. Aty në shtepinë e tij të thjeshtë që ndodhet diku në një rrugicë të ngushtë të lagjes “Tre Heronjtë” të qytetit të Shkodrës ku ne kemi shkuar si mysafir, ai nis e rrëfen duke sjellë në kujtesë ngjarje, data, vite e njerëz me histori nga më të ndryshmet dhe hera-herës e ndërpret tregimin e tij nga që e tradhëtojnë disa pika loti që i bien përmbi faqe!

Familja Vojvoda, besnike të Zogut

Lekë Vuksani apo sic njihet ndryshe me mbiemerin Vojvoda, u lind më 7 maj të vitit 1918-të në Shoshaj të Dukagjinit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij një nga më të njohurat e asaj krahine në Veriun e Shqipërisë. Mbiemerin Vojvoda (në serbisht-komandant) ajo familje e ka trashëguar që prej pesë brezash, pasi të parët e saj ishin komandantë të malsorëve në luftrat kundër forcave serbo-malazeze në fundin e shekullit të XIX-të dhe fillimin e shekullit të XX-të. Babai i Lekës, quhej Vuksan Vojvoda dhe ai ka qënë tepër i njohur në atë krahinë si burrë i urtë për ndarje pleqnie, pasi bashkë me Bajraktarin e Dukagjinit, ai merrej edhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe problemeve të ndryshme që lindnin në mes fshatarëve të asaj krahine.

Vuksan Vojvoda ishte një nga besnikët e Monarkisë së Zogut dhe ai njihej në të gjithë Dukagjinin si një nga mbështetësit kryesor të Mbretit. Aty nga viti 1926 kur ndodhi Kryengritja e Dukagjinit e udhëhequr prej toger Ndok Gjeloshit dhe Dom Loro Cakës të cilët synonin rrëzimin e Qeverisë së Zogut, iu bë thirrje edhe Vuksan Vojvodës për t’u bashkuar me kryengritësit dukagjinas. Synimi i kryengritësve për ta bërë për vete Vuksan Vojvodën, qëndronte në faktin se ai gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm në të gjithë atë krahinë. Por Vuksani, nuk pranoi të merrte pjesë në atë kryengritje, pasi ishte fare i qartë për synimet e organizatorët e vërtetë të saj. Ndonëse Vuksani vetë nuk kishte bërë ndonjë shkollë të madhe, ai u kujdes që djalit të tij, Lekës, të mos i mungonte ajo.

Kështu në vitin 1928 Vuksani e dërgoi të birin, Lekën, në qytetin e Shkodrës dhe e regjistroi në shkollën fillore të Konviktit “Malet Tona”. Atë shkollë Lekë Vojvoda e mbaroi në vitin 1936 kur mori semimaturën dhe gjatë gjithë periudhës që ai ndoqi mësimet aty, ai vlerësohej si një nga nxënësit më të mirë të saj, pasi gjatë një viti shkollor ai mori dy klasë përnjëherë. Gjatë asaj periudhe ndër shokët më të afërt të Lekës në Konviktin “Malet Tona”, ishte Mëhill Marku nga Lotaj e Shalës, (me pas emigroi në SHBA ku u bë profesor në një universitet të Neë Yorkut) dhe Kol Prela (profesori që u pushkatua me grupin e deputetëve në 1946-ën) që ishte disa vjet më i madh se ai në moshë. Përvec Mëhillit dhe Kolës të cilët ai i kishte shokë dhe bashkëfshatarë, në një klasë me Lekën asokohe mësonin dhe Fadil Hoxha, Xheladin Hana, Hajrulla Kastrati, Emin Duraku, Ndue Gjergj Pervizi etj. Lidhur me shokët që Leka kishte në Konviktin “Malet Tona”, ai kujton: “Ndo-nëse unë kisha një miqësi të ngushtë me shokët e mi të klasës si Fadil Hoxhën, Emin Durakun, Xheladin Hanën e Hajrulla Kastratin, në bindjet politike isha kundër tyre sepse ata kishin pikpamje komuniste”, dëshmon Leka për ish shokët e tij të klasës, të cilët më vonë u bënë emëra të njohur e personalitete të Luftës Antifashiste në Shqipëri dhe Jugosllavi.

Në shkollën ushtarake të Romës

Pasi e mbaroi semimaturën me rezultate shumë të larta në vitin 1936, Lekë Vojvoda kishte dëshirë që të vazhdonte studimet në një nga shkollat ushtarake të Italisë. Lidhur me këtë ai kujton: “Pasi u diplomova në gjimnazin laik të qytetit të Shkodrës, bëra një kërkesë për të ndjekur studimet ushtarake në Itali. Pasi m’ua aprovua kërkesa edhe me ndihmën që ma dha ushtaraku Ndoc Kurti, i cili në atë kohë shërbente si adjutant i motrave të Mbretit Zog, unë u paraqita në konkursin që u zhvillua në Tiranë. Pasi e fitova atë konkurs me pikë të plota, m’u dha e drejta për të ndjekur shkollën ushtarake në Romë, të cilën e fillova në tetorin e vitit 1936. Bashkë me mua në atë shkollë ushtarake të kryeqytetit italian, asokohe ishin dhe disa studentë të tjerë nga Shqipëria, si Abdyl Këllezi, Abdi Mati, Valentin Pervizi etj. Atë Lice ushtarak e mbarova me rezultate shumë të mira në vitin 1939, por gjatë asaj kohe që isha student aty, kam kaluar një nga ngjarjet më të dhimbëshme të jetës sime”, kujton 85-vjecari Lekë Vojvoda dhe për një cast e ndërpret rrëfimin e tij nga lotët që i rrjedhin mbi faqe.

Po cila është ajo ngjarje e largët që ndonëse ka ndodhur prej më shumë se gjysëm shekulli më parë, e trondit dhe e prek edhe sot malësorin fisnik Lekë Vojvoda, duke e bërë që të mos e përmbajë dot veten? Lidhur me këtë ai nis e tregon: “Aty nga pasditja e tetë prillit të vitit 1939, unë ndodhesha në ambientet e shkollës vetëm me disa shokë shqiptarë, pasi italianët kishin shkuar nëpër shtëpitë e tyre me rastin e festës së pashkëve. Nga që ato ditë ne nuk kishim dalë fare jashtë ambienteve të kapanoneve, nuk kishim asnjë dijeni se cfarë ndodhte jashtë mureve të asaj shkolle. Aty nga pasdrekja e asaj dite unë dola dhe takova kapelanin e shkollës (priftin ushtarak) të cilit i thashë se bashkë me dy shokët e mi kishim dëshirë që te shkonim në kishë me rastin e festave të pashkëve. Kapelani pasi më dëgjoi, m’u përgjigj: “Nuk do të shkoni dot në kishë pasi në qytet ka trazira të mëdha, sepse këto ditë ka ndodhur bashkimi i Italisë me Shqipërinë”. Unë e kuptova menjeherë se c’ kishte ngjarë, pasi që nga fundi i muajit mars kishim dëgjuar se dicka pritej të ndodhte në mes Italisë dhe atdheut tonë Shqipërisë.

Menjëherë pas fjalëve të kapelanit më shpërthyen lotët curk dhe ashtu i ngashëryer pa e përmbajtur aspak veten iu drejtova duke i thënë: “Padër, që nga ky moment unë nuk besoj më. Si ka mundësi që një shtet i madh të zaptojë një shtet tjetër më të vogël? A nuk është dhe atdheu ynë Shqipëria një vend që e ka falë zoti si gjithë shtetet e tjera? Përse nuk paskemi të drejtë të jetojmë të lirë edhe ne”. Pas fjalëve të mia kapelani nuk u ndie fare dhe u largua jashtë shkollës, ndërsa unë me shokët e mi u futëm brënda në kapanone”, kujton Lekë Vojvoda ate ngjarje të largët të shtatë prillit të vitit 1939 kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë, ngjarje e cila edhe sot ia con lotët curk malësorit kreshnik 88-vjecar, për të cilin tregojnë që se ka njohur kurrë frikën.

Refuzimi i betmit ushtarak në Romë

Po c’ndodhi më pas me Leke Vojvodën dhe shokët e tij studentë ushtarakë që asokohe vazhdonin mësimet në Liceun Ushtarak të Romës? Lidhur me këtë, ai rrëfen: “Që paraditen e nënte prillit të vitit 1939 në ambientet e shkollës sonë aty në Romë, autoritetet italiane filluan të grumbullonin të gjithë studentët shqiptarë që asokohe ishin nëpër shkollat e tjera ushtarake të Italisë, si të mesme ashtu dhe ato të larta e të aplikacionit. Qëllimi i atij grumbullimi ishte se ata kishin vendosur për të na dërguar të bënim betimin ushtarak së bashku me studentët italianë.

Ndërsa po vazhdonte grumbullimi i studentëve shqiptarë në ambientet e shkollës sonë, ne që ishim aty vendosëm që të bënim një mbledhje lidhur me situatën që ishte krijuar. Pasi u mblodhëm fshehtas reth 20 e ca shqiptarë në një klasë, filluam diskutimet duke rrahur mendimet se c’duhej të bënim në situatën në të cilën ndodheshim. Disa nga shokët që e morën fjalën në fillim, hodhën idenë që ne ta linim fare shkollën dhe të ktheheshim në Shqipëri, gjë e cila në fillim u perkrah nga të gjithë në mënyrë unanime.

Por ky vendim më pas u hodh poshtë, sepse dikush nga ne tha se do ishte më mirë që ne ta vazhdonim shkollën, të diplomoheshim dhe kudo që të na conin të punonim për të mirën e Shqipërisë. Ajo gjë u përkrah nga të gjithë ne që ishim aty, duke thënë se do ishte më mirë të mbaronim shkollën e të dilnim oficerë, pasi Shqipëria kishte nevojë për kuadro te aftë që të drejtonin vetë ushtrinë shqiptare.

Pas këtij vendimi ne u shpërndame pa e ditur se pas pak ditësh italianët do të na dërgonin për të bërë betimin ushtarak. Autoritetet e larta italiane kishin vendosur që bashkë me studentët italianë, të na çonin për të bërë betimin me armë edhe ne shqiptarët që studjonim në atë shkollë të mesme ushtarake të Romës. Për kryerjen e betimit ushtarak ishte caktuar një kazermë ushtarake e cila ndodhej jo shumë larg shkollës sonë dhe pak pasi mbërritëm ne aty, erdhën dhe autoritetet e larta ushtarake italiane që do të asistonin në ceremoninë e betimit. Kur filloi të këndohej himni jonë kombëtar, ne studentët shqiptarë që ishim rreshtuar nëpër kuadrate të veçanta, filluam të qanim dhe si me komandë të gjithë i lëshuam armët në tokë. Kjo gjë shkaktoi dhe prishjen e gjithë ceremonisë së betimit.

Pas kësaj ne na dërguan persëri në shkollën tonë dhe aty na mblodhën në një sallë duke na kërkuar llogari se pse e bojkotuam betimin ushtarak duke lëshuar armët në tokë. Të gjithë ne studentët shqiptarë që u ngritëm për të dhënë llogari aty para autoriteteve ushtarake italiane të shkollës, nxorrëm arsye nga më të ndryshmet lidhur me prishjen e ceremonisë së betimit. Në fund të mbledhjes komanda e shkollës na komunikoi se do të mblidhej për marrjen e masave ndaj nesh dhe të nesërmen ata morën dhe internuan vetëm shokun tonë Abdyl Këllezin, të cilin e konsideruan si organizatorin e të gjithë asaj cka kishte ndodhur”, kujton 85-vjecari Lekë Vojvoda, lidhur me refuzimin e kryerjes së betimit ushtarak të nxënësve dhe studentëve ushtarakë shqiptarë që asokohe mësonin në Itali.

Diplomimi në Modena e Firence

Në fundin e pranverës të vitit 1939 Lekë Vojvoda u diplomua me rezultate të larta në shkollën ushtarake të Romës dhe me pas ai vazhdoi përsëri studimet në Akademinë Ushtarake të Modenas. Lidhur me këtë ai kujton: “Pasi u diplomova në Liceun Ushtarak të Romës, kisha dëshirë që te vazhdoja përsëri studimet në një nga Akademitë e Italisë në degën e Karabinerisë. Por, edhe pse kisha mbaruar me rezultate të larta, ajo gjë ishte e vështirë dhe nuk kisha siguri nëse do më jepej e drejta të vazhdoja Akademinë e Modenas. Në atë kohë unë shkova dhe mora takim me Gjeneral Zef Serreqin, i cili ishte Komandant i Kavalerisë Italiane.

Pasi ai më priti mjaft mirë, unë i thashë se kisha shkuar për t’i kërkuar ndihmë që të më krijonte mundësinë që unë të ndiqja studimet pranë Akademisë së Modenas, në degën e Karabinerisë. Gjeneral Serreqi pasi me dëgjoi me vëmndje deri ne fund, në fillim më pyeti së përse unë insistoja që të shkoja në degën e Karabinerisë, në një kohë që ajo ishte një nga degët më të vështira dhe me më probleme kur të dilje në jete pas diplomimit.

Unë iu përgjigja se kisha dëshirë që të diplomohesha në atë degë, duke menduar se Italia një ditë do të ikte nga Shqipëria dhe ne oficerët shqiptarë do ta organizonim e do ta merrnim vetë në dorë formimin e armës së xhandarmërisë. Pas kësaj Gjeneral Serreqi më ndihmoi që unë të regjistrohesha dhe të filloja studimet në atë akademi, ku bashkë me mua, po në një degë tjetër, atë të Kavalerisë, ishte dhe shoku im i ngushtë Valentin Pervizi, me origjine nga Skuraj i Kurbinit”, kujton Lekë Vojvoda lidhur me ndihmën që i dha Gjeneral Zef Serreqi, për të ndjekur studimet në degën e Karabinerisë prane Akademisë Ushtarake të Modenas në Itali.

(Lekë Vojvoda ka ndërruar jetë në qytetin e Shkodrës në vitin 2015 në moshën 98 vjeçare)

Paris-presse (1953) – Vendimi i vështirë i Omer Nishanit, presidentit të Presidiumit të Republikës Popullore Shqiptare, dhe burgosja e tij

Omer Nishani

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Tetor 2019

 

“Paris-presse” ka botuar, të enjten e 5 marsit 1953, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me vendimin e vështirë të marrë nga Omer Nishani, gjatë kohës kur ai ishte president i Presidiumit të Republikës Popullore Shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Thuhet se Presidenti i Shqipërisë është praktikisht i burgosur në Tiranë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 4 mars (U.P.).

 

Sipas “Shqiperia”, organ i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së lirë, z. Omer Nishani, President i Presidiumit të Republikës Popullore Shqiptare, është praktikisht i burgosur i Qeverisë së Tiranës.

 

Disa muaj më parë, ai u detyrua të urdhërojë dëbimin e gruas së tij, me origjinë izraelite, nga pallati presidencial. Që atëherë, zonja Nishani jeton, nën arrest shtëpiak, në një hotel në periferi të kryeqytetit, dhe burri i saj nuk lejohet ta vizitojë atë. Ajo akuzohet se ka “mbajtur marrëdhënie me elementë reaksionarë të Tiranës”.

Paris-presse (1953) – Karikaturat për Enver Hoxhën nga humoristët klandestinë shqiptarë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Tetor 2019

 

“Paris-presse” ka botuar, të premten e 20 marsit 1953, në faqen n°4, karikaturat për Enver Hoxhën nga humoristët klandestinë shqiptarë, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Enver Hoxha në shënjestrën e humoristëve klandestinë shqiptarë

 

Partizanët që morën armët në Shqipëri kundra regjimit rusofil të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut kanë disa humoristë në mesin e tyre. Këtë e dëshmon koleksioni i gazetave klandestine të mbledhura nga i dërguari ynë special Jean-François Devay gjatë reportazhit të tij mbi kufijtë shqiptarë.

 

Këto tre vizatime, që vënë në shënjestër Enver Hoxhën, u botuan në “Flamurin e Liris”, organ i qeverisë qendrore shqiptare, i formuar në Jugosllavi nga kundërshtarët titoistë (titistë) të Enver Hoxhës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(1) Enver Hoxha përçmohet nga zotët e tij rusë, të cilët e qortojnë për zhytjen e vendit të tij në skllavëri. Ata luajnë me letrat e bixhozit fatin e vendit të tij dhe i lënë atij në dorë vetëm një lodër fëmije.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(2) Enver Hoxha udhëheq, me kamxhikun në dorë, në Tiranë, por pas tij qëndron hija e Stalinit.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(3) Enver Hoxha mban një fjalim por ai është vetëm zëdhënësi i Moskës.

PËRVJETORI I LUMNIMIT: NËNË TEREZA NA KUJTON DASHURINË PËR NJERIUN – Bisedë simbolike me Shën Nënë Terezën

19 tetor 2003: Kaluan kaq vjet nga dita kur Nënë Tereza u lartua në nderimet e elterit. Po ç’gjë të jashtzakonshme ka bërë Nënë Tereza, që vijojmë ta kujtojmë, e jo vetëm në data përkujtimore?

Njihet nga të gjithë përgjigja e saj: “Ajo që bëjmë ne, është një pikë ujë e hedhur në oqean, por në se nuk do ta bënim, oqeani do të kishte një pikë ujë më pak”.
E në një rast tjetër pati thënë: “Po unë s’kam bërë asgjë të jashtzakonshme; vetëm kam ndjekur këshillën e sim mëje (nënës sime) që më thoshte: “Shtrëngoja fort dorën Zotit e mos ia lësho më kurrë”.

Dashuria e pakufishme për të varfërit e tokës, në fytyrat e të cilëve shikonte Jezusin e munduar, e ngriti Nënë Terezën në lartësi të papërfytyrueshme në rrugët e hirit e në kujtesën universale të historisë, me të cilën Motra shqiptare vijon të komunikojë, nga qielli. Prej këndej, biseda jonë jo e zakonshme me Nënë Terezën, në dhjetëvjetorin e lumnimit të Saj (1):

Pyetje: – Po e fillojmë këtë bisedë simbolike me Ju, Nënë, sepse, si besimtarë, e dimë mirë sa vlerë ka komunikimi shpirtëror, sa ngushëllon, sa zell e dëshira ngjall….

Po e nisim, prandaj, duke ju kërkuar të na thoni dy fjalë për vetveten:

Përgjigje: – Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.

Pyetje: – Tipari shpirtëror i apostullimit tuaj?

Përgjigje: – Njëjtësimi me të varfërit! Në se nuk vuajmë, puna jonë do t’i ngjiste asaj të një asistenteje sociale; do të ishte e mirë dhe e frytshme, por jo vepër e Jezu Krishtit, e aq më pak pjesë e Shëlbimit. Jezusi ka dashur të na ndihmojë duke na bërë të marrim pjesë në jetën e tij, në vetminë e tij, në agoninë e në vdekjen e tij. E mori gjithçka mbi vete dhe e mbarti në natën më të errët. Duke u bërë një gjë e vetme me ne, na shpërblei. Edhe ne mund ta bëjmë të njëjtën gjë. Gjithë vuajtja e të varfërve, e jo vetëm varfëria materiale, por edhe mjerimi shpirtëror, duhet shëlbuar; e unë u thirra të marr pjesë në këtë mision…. Të ndaj vuajtjet me të varfërit, sepse vetëm duke u bërë një gjë e vetme me ta, mund t’i shëlbojmë, të çojmë Zotin në jetën e tyre e t’i udhëheqim ata tek Zoti.

Pyetje: – Ç’kuptim kanë veprat e dashurisë?

Përgjigje: – Veprat e dashurisë janë vepra paqeje e fryti i shërbimit, është paqja. Atyre që kërkonin shpjegime për veprimtarinë time e të motrave të mia u kam dhënë gjithnjë përgjigjen: “Come and See”(Eja e shiko). Ka shumë rëndësi t’u japim zemër të krishterëve e jo të krishterëve, që të kryejnë vepra dashurie. Sepse çdo vepër dashurie, e bërë me gjithë zemër, i merr njerëzit për dore e i çon më pranë Zotit.
Veprat e dashurisë janë gjithnjë vepra të paqes. “Com and See! Jo fjalë, po vepra”.

Pyetje: – Kush janë ata, që vijojnë të mblidhen rreth sofrës bujare të shtëpive Tuaja në të katër anët e botës?

Përgjigje: – Janë me qindra. Qindra të varfër, të raskapitur, të dëshpëruar…

Pyetje: – Po nga vjen të sofrat tuaja gjithë ky ushqim? Kush jua siguron?

Përgjigje: – Provania! Motrat punojmë për sot, pa e ditur fare ç’do t’u japin për të ngrënë të nesërmen të varfërve. E çdo ditë del dikush e sjell papritur e pa kujtuar atë, që u nevojitet. Prandaj, mos kij frikë për të nesërmen! Beso në Provaninë hyjnore! Pikërisht besimi në Provaninë Hyjnore, në sa flijohesh vullnetarisht, davarit çdo ankth dhe e mbush zemrën me gëzim. E gëzimi është dashuri, pasojë logjike e zemrës së kallur flakë nga dashuria!
Gëzimi është nevojë e forcë fizike. Kandili ynë do të ndizet e do të ndriçojë, veç nëse e mbushim plot me vepra dashurie!

Pyetje: – Flitet shpesh për revolucionin, si rrugë që ia ndërron faqen botës, plot konflikte, padrejtësi, mjerim. Mendimi juaj?

Përgjigje: – Nëse nganjëherë të varfërit vdesin nga uria, kjo nuk do të thotë se i ka harruar Zoti, por se ne nuk ishim mjet dashurie në duart e tij, për t’i ushqyer e për t’i veshur, sepse nuk e njohëm Krishtin, kur erdhi përsëri mes nesh, me pamjen e njeriut të uritur, të zhveshur, njeriut të vetmuar, të fëmijës së braktisur, në kërkim të një strehe.
Kur Krishti tha: “Pata uri e më dhatë të ha”, nuk mendonte vetëm për mungesën e bukës, por më shumë për mungesën e dashurisë. Kujtonte urinë e përjetshme të njeriut për një përkëdhelje, për një fjalë të mirë, për një urim, për një buzëqeshje.
Edhe Krishti i vetmuar e provoi këtë uri. Çdo njeri që ndodhet në një gjendje të tillë, i përngjet Krishtit në vetmi; e kjo është pjesa më e hidhur e jetës, uria e vërtetë. Është jeta shpirtërore ajo, që duhet të pësojë revolucionin të vërtetë.

Pyetje: – Këto ditë, kur qindra njerëz gjejnë vdekjen në përpjekjen për t’u larguar nga vendet e varfëra, në kërkim të një jete më të mirë, flitet shumë për perëndimin e pasur…

Përgjigje: – Vijoj të jetoj shpirtërisht pranë botës, gjithë botës dhe shikoj se ka ende shumë dhimbje. Prej këndej, e ndjej se mundimet e Krishtit rijetohen përsëri kudo, e i ndaj me të gjithë këto mundime, këtë dhembje. Në mbarë botën e jo vetëm në vendet e varfëra. E kjo, nga që mendoj se është shumë më vështirë ta zhdukësh varfërinë e botës së pasur perëndimore, se atë të botës së varfër. Kur e marr një njeri nga rruga, të uritur për vdekje, i jap një pjatë oriz, një copë bukë, e kam kënaqur. Ia kam shuar urinë, që e grin. Po njeriun, që është zhytur në heshtje, që ndjehet i vetmuar, i harruar… Ky është i varfëri i perëndimit. Më i varfër nga të gjithë!

Pyetje: – E tani, një breshëri pyetjesh, që prekin të gjitha kordat e zemrës njerëzore, duke nisur nga e përditshmja. Cila është dita më e bukur?
Përgjigje: – E Sotmja.
Pyetje: – Pengesa më e madhe?
Përgjigje: – Frika.
Pyetje: – Gjëja më e lehtë?
Përgjigje: – Të gabosh.
Pyetje: – Gabimi më i madh?
Përgjigje: – Të heqësh dorë.
Pyetje: – Rrënja e gjitha të zezave?
Përgjigje: – Egoizmi.
Pyetje: – Dëfrimi më i këndshëm?
Përgjigje: – Puna.
Pyetje: – Disfata më e tmerrshme?
Përgjigje: – Të të lëshojë zemra.
Pyetje: – Profesionistët më të mirë?
Përgjigje: – Fëmijët.
Pyetje: – Nevoja e parë?
Përgjigje: – Komunikimi.
Pyetje: – Lumturia më e madhe?
Përgjigje: – Të jesh i dobishëm për të tjerët.
Pyetje: – Misteri më i thellë?
Përgjigje: – Vdekja.
Pyetje: – E meta më e madhe?
Përgjigje: – Zymtia.
Pyetje: – Njeriu më i rrezikshëm?
Përgjigje: – Gënjeshtari.
Pyetje: – Ndjenja më dërmuese?
Përgjigje: – Brerja e ndërgjegjes.
Pyetje: – Dhurata më e bukur?
Përgjigje: – Falja.
Pyetje: – Ç’gjë është e pazëvendësueshme?
Përgjigje: – Familja.
Pyetje: – Shtegu më i mirë?
Përgjigje: – Ai i drejti.
Pyetje: – Ndjesia më e këndshme?
Përgjigje: – Paqja e shpirtit.
Pyetje: – Mikpritja më e dëshiruar?
Përgjigje: – Buzëqeshja.
Pyetje: – Ilaçi më i vlefshëm?
Përgjigje: – Optimizmi.
Pyetje: – Kënaqësia më e madhe?
Përgjigje: – Detyra e kryer.
Pyetje: – Forca që tund malet?
Përgjigje: – Feja.
Pyetje: – Njerëzit më të nevojshëm?
Përgjigje: – Meshtarët.
Pyetje: – Më e bukura gjë në botë?
Përgjigje: – Dashuria!

Pyetje: – Ç’dëshironi ju në këto çaste, nësa e sodisni botën, me të varfër e të pasur, nga shtëpia e Atit?

Përgjigje:- Dëshiroj me gjithë shpirt ta ndez dritën e dashurisë së Krishtit në zemrën e çdo krijese. Hyji na dashuron e vijon të na përdorë, mua e ty, për të ndezur dritën e dashurisë së Tij në botë. Lëre jetën tënde të ndriçohet nga vërtetësia e Tij, kështu që Zoti të vijojë ta dashurojë botën përmes nesh. Mundohu me gjithë zemër të bëhesh dritë e shkëlqyer.

Pyetje: – Rrezatuat e rrezatoni gjithnjë gëzim… Në çastet më të vështira, buzëqeshja Juaj bëhej gjithnjë më e ndritshme. A mund të na mësoni edhe ne të buzëqeshim? Nga buron ai buzagaz, që vijon ta çudisë botën?

Përgjigje: – Vendosa të bëhem “apostulle e gëzimit” dhe ta përhap erën e mirë të haresë së Krishtit kudo që shkoja. Dashuria ime për Zotin ishte aq e madhe, sa nuk doja tjetër, veç të rrokja kryqin, e ta rrokja me gëzim. Sepse desha të bëhem apostulle e gëzimit e ta ngushëlloj Zemrën e Krishtit me gëzimin tim. Vendosa, kështu, t’i buzëqesh Jezusit sa herë që Ai të merrte diçka prej meje. E t’i dhuroj, si shkëmbim, një buzëqeshje të dalë nga zemra, duke e falënderuar që ai e merr mundimin të përkulet endè për të marrë diçka nga unë.

Përfundim

Në botën e sotme, Nënë Tereza është bërë simbol i dashurisë së Zotit. Përmes saj Zoti i ka folur zemrës të të gjithëve për dashurinë e tij të thellë, për etjen e dashurisë ndaj njerëzimit, për dëshirën e zjarrtë që të duhet edhe ai nga të gjithë. Kjo bisedë e shkurtër kishte për qëllim të zbulojë vetëm disa nga aspektet, përmes të cilave mund ta shpjegojmë ndikimin e jashtzakonshëm të Nënë Terezës në botë. Kushti i saj i 1942-shit shpreh dashurinë e madhe për Zotin, tregon se ajo ishte lëshuar plotësisht në duart e tij e se ai mund të bënte ç’të donte me të; ishte ky kusht që ia përgatiti rrugën për thirrjen e re të 1946-tës, kur Krishti e thirri drejtpërdrejtë t’ia shuante etjen e Tij për dashuri e për shpirtrat njerëzore, duke e udhëhequr kah të varfërit e duke i çuar të varfërit në prehër të saj. Nënë Tereza e pranoi me gjithë zemër e me gëzim thirrjen e re. Vetëm pak njerëz e patën marrë vesh se shpirti i saj ishte zhytur në errësirë e se ajo e pranoi pa ngurrim edhe terrin, për dashuri të Zotit e të njerëzve të panumërt që, përmes saj, prekën mëshirën e tij. Këto tri karakteristika të jetës shpirtërore të Nënë Terezës – kushti për të mos e kundërshtuar kurrë e për asgjë Zotin, përvoja mistike në kohën e frymëzimit dhe errësira e vazhdueshme shpirtërore – zbulojnë thellësitë e një shenjtërie të panjohur më parë dhe e radhisin ndërmjet mistikëve të mëdhenj të Kishës.

(1)Kujtojmë, në fund të kësaj bisede, se përgjigjet, dalë nga vetë goja e Nënë Terezës, u mblodhën duke shfletuar botime të ndryshme, kushtuar së Lumes Shqiptare prej njerëzve të Kishës e të botës, që patën fatin ta takonin, në të katër anët e Planetit.
(Radio Vatikani)

ME RASTIN E PËRVJETORIT TË LUMNIMIT TË NËNË TEREZËS: PAPA GJON PALI II PËR NËNË TEREZËN

Shën Gjon Pali II, që e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, e ka quajtur “dhuratë e Zotit për Kishën e për botën”, për t’u kujtuar kështu të gjithëve epërsinë e dashurisë ungjillore, posaçërisht kur kjo dashuri gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të poshtruarit ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Po kujtojmë vetëm disa nga vlerësimet e Shën Gjon Pali II për Bijën e Madhe të shqiptarëve:

“Nënë Tereza e Kalkutës është shembull i jashtzakonshëm i misionit të heshur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve më të varfër e më të braktisur.

Në fytyrat e të mjerëve, pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia e kryqit, vijon të dihasë: “Kam etje!”.

E ajo iu përgjigj kësaj dihame, që dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja të Zotit, duke ia dhuruar vetveten njerëzve të varfër, të braktisurve, të vuajturve, të vetmuarve, atyre që vdisnin rrugash.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën e dinjitetin e njeriut; u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta.

Dëshmoi Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes – deri në grahmën e fundit.

Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke u lutur që ta marrë shpërblimin e merituar në mbretërinë e Hyjit.

Uroj që shembulli shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës të jetë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!”.
(Radio Vatikani)