VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ermonela Jaho dhe Placido Domingo mahnisin publikun spanjoll me “Thais”

By | August 18, 2018
blank

Komentet

blank

Më 29 korrik 1890 u nda nga jeta Vincent van Gogh, piktor gjenial hollandez

Vincent Willem van Gogh (shqip: Vincent Villem van Gog; lindi më 30 Mars 1853 në Groot-Zundert te Breda, † 29 korrik 1890 në Auvers-sur-Oise, Francë) ishte një piktor hollandez dhe një nga themeluesit më të rëndësishme të modernes.

Vincent Van Gogh u lind më 30 mars të vitit 1853 në Groot-Zundest, një fshat i vogël në jug të Holandës. I ati ishte pastor dhe xhaxhallarët e tij-shitësa veprash të artit. Edhe ai vetë nisi të punojë që në moshën 16-vjeçare në Hagë si një shitës i veprave të artit për kompaninë. Pikturat e tij patën qenë gjithnjë të errëta, por kohë pas kohe nisën të përkeqësoheshin deri më 1886, kur nisi sërish studimet në Cormon dhe u takua me piktorët impresionistë, mes të cilëve edhe Camille Pissarro, Claude Monet, Henri de Toulouse-Lautrec dhe Paul Gauguin. Pas takimit me mjeshtrat impresionistë, të cilët zgjidhnin ngjyra të çelura edhe ai nisi ta çelte disi paletin e të pikturonte me dorë më të vendosur. Jeta e tij ishte gati-gati e lumtur, por temperamenti shumë nervoz e bënte atë njeri të vështirë. Më 27 korrik të vitit 1890 ai shkoi në një fushë me grurë dhe qëlloi veten me armë në kraharor, më pas u kthye në dhomë, ku vdiq dy ditë më pas. Van Gogh e kaloi të gjithë jetën e tij të shkurtër duke pikturuar e duke luftuar me vetveten. Çrregullimet nervore, një kompleks i fëmijës së zëvendësuar, që e ndoqi pas gjithë jetën dhe absurditeti i epokës së artit, ku veprat e tij nuk shiteshin dhe aq shumë, e shtynë shpesh drejt akteve skizofrenike. Një nga historitë më tipike, e famshmja histori e veshit të tij.

Sipas biografëve, një të diel në mbrëmje, më 23 dhjetor 1888, Vincent Van Gogh, atëherë 35 vjeç, preu veshin dhe shkoi në një hotel të dorës së dytë ku kërkoi një prostitutë me emrin Rachel. Ia dhuroi asaj dhe i tha ta ruante me shumë kujdes. Biografë të tjerë pohojnë se ky episod ka ndodhur gjatë një grindjeje me mikun e tij Paul Gauguin, në shenjë proteste ndaj piktorit që ishte i shurdhët, lidhur me vetë Van Gogh.

Mes gjenialitetit dhe çmendurisë së Van Goghut

Një artist që lëkundet mes fesë, pikturës, dashurisë dhe çmendurisë. Një jetë në zgrip të varfërisë dhe një vdekje e papritur e mbetur mister, për t’u vulosur me përjetësi veprat e tij absolutisht të përsosura. Kur flitet për Van Gogh, nuk mund të mos flitet edhe për dikotominë gjeni-çmenduri, mishëruar më së miri në këtë motor të pikturës origjinale, unike.

Ekzistojnë mijëra hipoteza sëmundjeje. Ata që bazohen në biografi flasin për një lloj sëmundjeje veneriane, ose për sifilizin të trashëguar nga i ati, ose për skizofreni, depresion etj. Ata që bazohen në artin e tij, shohin në pikturat e tij karakteristika të përbashkëta me mijëra pacientë të tjerë që vuajnë nga sëmundje të trurit.

Me mjetet aktuale çdo supozim është i mundur, por asnjë nuk mund të jetë absolutisht i vërtetë. Ajo që na lejohet të themi është se arti i Van Gogh-ut është ndriçues dhe figura e tij e dobët, e vogël dhe vetmuar shpaloset në një realitet gjigant dhe të fuqishëm në historinë e artit dhe të ndjenjave njerëzore. Van Gogh lindi në Groot-Zundert, një fshat holandez, më 30 mars 1853, nga martesa e Theodorus van Gogh, pastor protestant, dhe Anna Cornelia-s. Ishte i pari i gjashtë vëllezërve, pas vdekjes së të parëlindurit të familjes, që mbante gjithashtu emrin e tij dhe që vdiq pas lindjes ekzaktësisht një vit para tij. Vincent do të kujtojë gjithmonë varrin pas shtëpisë, mbi të cilin shihte të shkruar emrin e tij. Ai ka pasur një fëmijëri të trazuar edhe për shkak të shetësimeve të herëpashershme të prindërve të tij dhe jeta e tij ngjan një ecjeje plor disfata ekzistenciale dhe sociale. Në vitin 1857 lindi vëllai Theodorus, i thirrur shkurt Theo, që do të kishte një rëndësi shumë të madhe në jetën e tij.

Udhëtimi në Evropë

Nga viti 1861 deri në 1868-ën frekuenton shkollën e vendit të tij dhe pastaj kolegjin e Zevenvergen, ku mëson frëngjishten, anglishten, gjermanishten dhe artin e vizatimit. Në vitin 1869 fillon të punojë në një dyqan arti në Aja, i themeluar nga xhaxhai i tij po me emrin Vincent. Kohën e lirë e kalon duke lexuar dhe duke vizituar muze, fillon një korrespondencë me vëllain e tij Theo dhe kalon pushimet tek prindërit në vendin e tij të lindjes. Vitet që pasojnë shënojnë për Van Gogh një udhëtim të vazhdueshëm nga një filial në tjetrin në dyqanin e artit të xhaxhait, transferime që do ta çojnë në Bruksel, Londër e Paris. Një nga punimet e tij më të rëndësishme është edhe “Kafja e natës”.

Predikues mes minatorëve

Në 1876-ën e lë punën përfundimisht dhe niset në një vend afër Londrës, në Ramsgate, ku punon si mësues i përkohshëm, duke marrë si shpërblim vetëm ushqim dhe strehim. Bëhet edhe ndihmës predikues dhe gjithmonë e më shumë dëshiron që t’ia dedikojë jetën fesë, por gjatë një vizitë tek prindërit e tij këta të fundit ngelen të tronditur nga kushtet në të cilat jetonte i biri dhe nuk duan që ai të niset sërish për në Londër.

Xhaxhai Vincent i gjen një tjetër punë, kësaj radhe si shitës në një librari të Dordrecht-it. Van Gogh fillon të jetojë sërish vetëm, frekuenton kihen e vendit dhe përkthen pjesë nga Bibla. E bind të atin që ta lejojë të frekuentojë një shkollë për predikues, por shumë shpejt i ndërpret studimet, të cilat u bënë shumë të vështira për të. E megjithatë, në 1879-ën punon si predikues në minierat e karbonit në Ëasmes të Borinage-s, ku realizon edhe skicat e para. Jeton në një varfëri të skajshme dhe shqetësohet për kushtet në të cilat punojë minatorët, të cilët përpiqet t’i ndihmojë me aq sa mundet. Por ky veprim shkakton pakënaqësi tek punëdhënësit e tij që e pushojnë nga puna duke e konsideruar të papërshtatshëm dhe duke e privuar nga talenti i tij. Van Gogh vazhdon të ndjekë prirjen e tij pa marrë asnjë kompensim. Jeton në kushte të vështira dhe vazhdon të lexojë dhe të vizatojë. Në këtë periudhë duhet të kenë filluar krizat që do të shënonin të ardhmen e tij. Vëllai Theo e kritikon për mënyrën se si është katandisur jeta e rij dhe Vincenti i ndërpret marrëdhëniet me të, për t’i rifilluar sërish pas një viti.

Egoist për dashuri

Theo e ndihmon financiarisht dhe e nxit të vazhdojë me pikturën. Kështu, Vincent shkon në Bruksel dhe frekuenton shkollën e artit, ku njihet me shumë piktorë dhe duke u bërë në vitin 1880 mik i piktorit Anton van Rappard. Në këtë periudhë realizon kopje të veprave të Jean-François Millet.

Në vitin 1881 dashurohet me kushërirën Kate, vejushë prej pak kohësh dhe me një fëmijë, po pa arritur të ketë një lidhje me të. Pas një kërkese për martesë, ai merr refuzimin e saj. I dëshpëruar Van Gogh djeg njërën dorë në flakën e një llambe duke kërkuar të tregojë forcën e dashurisë së tij. Duke refuzuar edhe një herë tjetër një ndihmë ekonomike nga prindërit e tij, Van Gogh riniset për në Aja, ku merr leksione pikture nga piktori Anton Mauve, por edhe me të marrëdhëniet shkatërrohen, sepse Vincent nuk kishte dëshirë të punonte me gips.

Rikthim në shtëpi

Në këtë periudhë Vincent njeh një prostitutë rrobalarëse të alkoolizuar, Sien Hoornik (që do të jetë edhe modelja e tij) dhe shkon të jetojë me të dhe me djalin e saj. Shëndeti i saj fillon t’i hapë probleme dhe në këtë periudhë sëmuret nga gonorea. Lidhja e tyre mbizotërohet nga dehjet emocionale të të riut Vincent, i cili për shkak të egërsisë së jetës së tij do të mbetet gjithmonë i ngurtësuar në mes të çmendurisë dhe dashurisë më të pastër. Nga ky pasion i parë do të mbetet piktura e mrekullueshme “Sorroë”. Xhaxhi i tij bën një porosi për njëzet piktura peizazhesh. Kjo do të jetë vetmja punë e tij me porosi. Fillon të pikturojë me ngjyra vaji peizazhe dhe portrete, kurse vëllai i tij i paguan materialet. Dëshironte të martohej me Sien-ën, por familja e frenon dhe Vincent merr vendimin e dhimbshëm për t’u ndarë me të pas një viti bashkëjetesë.

Nga viti 1883 deri në 1885 jeton me prindërit në Nuenen dhe në harkun e këtyre viteve pikturon dyqind tablo, kujdeset me shumë dashuri për të ëmën, e cila kishte thyer njërën këmbë dhe merr leksione muzike dhe kantoje, sepse mendon se ekziston një lidhje midis ngjyrës dhe muzikës. Sajon një atelie në një ahur të shtëpisë-famulli të babait të tij, i cili vdes nga një goditje apopleksike më 26 mars 1885. Në këtë kohë pikturon “Ngrënësit e patateve”.

Parisi dhe piktorët e “Petit Boulevard”

Viti tjetër e gjen Van Gogh të sëmurë rëndë për shkak të mosushqyerjes dhe duhanit. Ndërkohë nuk e ndërpret për asnjë moment leximin leksionet e pikturës. Një agjent shitjesh i blen një seri pikturash, por shet vetëm njërën prej tyre për disa qindarka, duke i hedhur të tjerat në zjarr. Në Paris lidh miqësi me Paul Gauguin, dhe bashkë me të e me Henri de Toulouse-Lautrec e ad Emile Bernard themelojnë të ashtuquajturin grupin e Piktorëve të Petit-Boulevard, për t’u dalluar nga grupi i piktorëve të Grand-Boulevard (Claude Monet, Alfred Sisley, Camille Pissarro, Edgar Degas, Georges-Pierre Seurat), që përfaqësoheshin në galerinë e Theo-s.

Ngjyrat e Arles-it

Më pas i duhet të lërë Parisin dhe të transferohet në Arles, ku gjen një shtëpi dhe vendos të pikturojë fasadat e verdha. Në qytetin francez pikturon mes të tjerash disa prej kryeveprave të tij kryesore që karakterizohen nga ngjyra të shndritshme plot jetë ndër të cilat “Vazoja me 12 luledielli”, “Ura e Langlois”, “Kafja e natës” dhe “Shtëpia e verdhë”. Pikërisht gjatë qëndrimit në Arles ndodh një nga episodet më të diskutuara dhe dramatike të jetës së Van Gogh. Natën e 23 dhjetorit piktori pret veshin e majtë dhe e çon në një shtëpi publike, për t’ia dhuruar një prostitute me të cilën ishte dashuruar. Ndërkohë shtrohet në spital me diagnozën e epilepsisë, alkoolizmit dhe skizofrenisë dhe pikturon “Autoportretin” me veshin e fashuar.

Që nga ai moment Van Gogh do të ketë gjithmonë e më shumë kriza haluçinacionesh dhe do të shtrohet herë pas here në spital për t’u kuruar nga sëmundjet mendore. Në këtë periudhë pikturon “Iris” dhe “Pemët e qiparisit”. Pas krizës së fundit kurohet në maj të 1890-ës në Auvers-sur-Olse. Këtu njihet me mjekun-piktor që e kuron, Paul Gachet, të cilin e portretizon në një pikturë shumë të famshme. Pikturat e kësaj periudhe përshkohen nga një ndjenjë e fortë depresioni. Ndjeshmëria e tij e lë të plagosur pas çdo vështrimi dhe komenti, që njerëzit nuk ua kursejnë kurrë personave të çuditshëm.

Goditja fatale

Më 27 korrik 1890 shkon tek çifti i pronarëve të hanit ku jetonte. Ndihej shumë keq dhe u tregon se ishte qëlluar me një revolver nga një fshat aty pranë varrezave në Auvers-sur-Oise, ndërsa pikturonte veprën e tij të fundit. Vdiq më 29 korrik dhe u varros një ditë më pas në po atë varrezë ku u qëllua. Në funeralin e tij ishin të pranishëm i vëllai Theo, doktor Gachet dhe shumë artisë. Arkivoli mbulohet i gjithi me luledielli. Pak muaj më pas, më 25 janar 1891, vdiq i vetëvrarë edhe i vëllai, Theo. (Wikipedia)

blank

Homazh për etnomuzikologun e shquar shqiptar Spiro Shituni, i cili u nda nga jeta para pak ditësh në SHBA – Nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

Polifonia labe i ka ardhur kulturës popullore shqiptare nga kohë e hershme dhe i ka shoqëruar atë me një besnikëri të rrallë, aq sa mund të thuhet se historia shqiptare nuk do të mund të qëndronte pa të. Lidhjet e forta të saj kanë mbetur të tilla për arsyen e frymëmarrjes së gjerë dhe jetike që polifonia ka pasur që në krye të herës dhe vazhdon të ketë me jetën e njerëzve dhe fatet e tyre. Duke pasur këtë pasuri të çmuar , këtë arkiv, njerëzit kanë ppercjelle ne shekuj një thesar, një kujtesë brilante në të cilën kanë mundur të ruajnë kohët, shpirtin, ndjenjat, dashurinë, motivet, ngjarjet e shënuara jetësore, jetën, vdekjet, mallin, dramat, kolektivitetin, malin dhe fushën, kullotën dhe motivet baritore, dasmat, bukurinë e djemve dhe vajzave, kurbetçinjtë dhe mërgimtarët, pra të gjithë burimin jetësor dhe vet jetën, të cilat kanë gjetur një pasqyrim të vazhdueshëm tek polifonia labe. Ajo ka qenë si një gjymtyrë e rëndësishme jetike për njerëzit dhe shpirtin e tyre.

Duke pasur një shtrirje të gjerë ballkanike dhe përtej ballkanike, polifonia labe ka qenë dhe ka mbetur një produkt shpirtëror  historik i veçantë, me karakteristika të veçanta dhe origjinale, të cilat nuk i ka asnjë lloje polifonie tjetër në Ballkan dhe më gjerësisht. Në këtë rrjedhë të kohërave dhe të zhvillimit të brendshëm që polifonia ka pasur që nga kohët e hershme dhe më vonë, ashtu siç ka ndodhur për kulturën popullore shqiptare në përgjithësi, polifonia ka pasur të rëndësishme dhe të domosdoshme studimin për të. Duke kërkuar këtë kontribut nga njerëz të aftë dhe studiues të zellshëm dhe korrekt, ajo ka fituar një vend të rëndësishëm në këtë fond të artë kombëtar, si kulturë, si trashëgimi dhe si vlerë, e cila është kurorëzuar, duke u çmuar si pasuri botërore në kujdesin e UNESKO-s. Në dekorin e pasurisë botërore polifonia labe ka vendin e saj të nderit, ka shpirtin e saj të mbijetesës dhe kujdesin ndërkombëtar të vlerave të çuara, të cilat janë një krenari dhe një zë ndërkombëtarë për popullin e vogël të Ballkanit, i cili trashëgon vlerat e tij nga thellësitë e shekujve.

Njëri nga studiuesit, njohësit dhe shkencëtarët e rëndësishëm, madje më i rëndësishmi i polifonisë labe është Spiro Shituni, i cili krahas punës së shumtë shkencore që ai ka bërë për kulturën kombëtare popullore shqiptare, në kuadër të studimeve të institucioneve shkencore të kësaj kulture, një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar studimit kompleks dhe shkencor, mbi bazat shkencore të muzikës popullore të polifonisë labe.

I aftë dhe i kujdesshëm, reflektar dhe i maturuar, gjurmues i hollë dhe eksplorues, konkret dhe interpretues teoriko- praktik i polifonisë, ai ka arritur të sjellë për kulturën popullore shqiptare dhe trashëgiminë që mbart në vetvete polifonia një nga librat më të rëndësishëm të kësaj kulture dhe tradite, e cila vazhdon të jetë jetike në truallin ku ajo është lindur dhe po qëndron me shekuj.

Libri “Polifonia labe” është shkruar për një kohë të gjatë në kërkimet dhe interpretimet e Shitunit, pas shumë botimesh periodike të autorit për polifoninë, libri është botuar në vitin 1989 dhe është pjesë e serisë së botimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke e çmuar atë si një libër të rëndësisë së veçantë.

Libri “Polifonia labe” është botimi më serioz dhe më i rëndësishëm i polifonisë, në një vështrim të rreptë shkencorë vertikal dhe horizontal, i cili nën një platformë prej katër kapitujsh e pajis lexuesin me dijet e nevojshme dhe dijet shkencore për këtë krijimtari popullore dhe ekzekutimin e saj. Nën këndvështrimin e Shitunit, kjo krijimtari e hershme popullore dhe aktive, raportohet të ketë pasur dhe të ketë dhe në ditët e sotme larminë e saj në shtrirjen kohore dhe gjeografike të, por dhe në tiparet, madje dhe në nuancime të mrekullueshme nga treva në trevë dhe nga vatra në vatër. Ajo ka një shtrirje të gjerë, dhe për shkakun e praktikës së saj përditësore ka krijuar vatra të caktuara, me tipare që nuancojnë nga vatra në vatër, por duke ruajtur atë boshtin e rëndësishëm të burimit të përbashkët. Duke qenë një krijimtari me rregulla të qarta dhe të qëndrueshme në kohë, polifonia labe ka arritur të ruajë tiparet e përbashkëta në të gjithë domenin historik dhe bashkëkohor shqiptar.

Duke qenë një nga monografitë më të kompletuara të polifonisë, studiuesi dhe kulturologu Spiro Shituni personaliteti shkencor më i rëndësishëm i kësaj polifonie bashkë me kulturologun dhe studiuesin e njohur B. Krutaj, studimin dhe njohjen e polifonisë e ngritën në një nivel bashkëkohor, muzikologjik dhe shkencor. Nëse “jaret” e famshme shkodrane përbëjnë një interpretim gati modern të muzikës, polifonia labe përbën një ekzekutim perfekt të muzikalitetit të zërave të këngëtarëve sipas rregullit dhe rendit polifonik, të shndërruar në një pantonimë muzikore të përpiktë dhe të interpretuar shkencërisht. Në hyrjen e punimit Shituni shënon:”Monografia është fryti i një pune të gjatë. Asaj i paraprinë një sërë detyrash: kërkimet e drejtpërdrejta shumë vjeçare në terren, njohja nga afër e krahinës së Labërisë, jo thjesht në rrafshin etnomuzikologjik, por edhe sociologjik, historik, etnografik, folklorik; studimi i arritjeve të etnomuzikologjisë, folkloristikës shqiptare rreth vlerave shpirtërore e materiale të kësaj krahine; shqyrtimi kritik i literaturës shkencore etnomuzikologjike që është marrë me çështjet të polifonisë ose probleme të muzikës popullore në përgjithësi etj...”

Duke pasur një vetëdije të tillë kulturore, shkencore dhe sociale, studiuesi Spiro Shituni i ka dhënë kulturës shqiptare dhe asaj labe një vepër autentike, pasi deri në këtë kohë, siç tregon dhe vetë studiuesi, kultura muzikore e polifonisë labe nuk i ishte nënshtruar një studimi tërësor. Në këtë pikëpamje, studiuesi kërkon të arrijë një objektiv të rëndësishëm; atë të një përgjithësimi teorik të një pjese të muzikës popullore shqiptare, siç është polifonia labe, të cilën ai e ka veçuar nga pjesa tjetër e muzikës shqiptare polifonike; krijimi i një baze të qëndrueshme dhe referuese të kësaj pasurie për të mundur për studime krahasuese me polifonitë e tjera të popujve fqinjë a më gjerë dhe të krijohet një premisë një fondament i nevojshëm për studime të mëtejshme mbi polifoninë labe, e cila nuk mund të studiohet me një studim të kësaj natyre. Me studimin shumë rrafshorë dhe shumë dimensional, Shituni iu kundërvihet koncepteve të pavërteta për këtë pasuri të rëndësishme të kulturës sonë muzikore si “strukturë e pazhvilluar”, “se është krejtësisht recitative”, “është e njëtrajtshme nga pikëpamja muzikale”, “nuk shkakton emocione estetike” etj. Studiuesi tregon se kënga polifonike labe ndryshon muzikalisht sipas zonave etnografike të caktuara siç mund të përmënden Kurveleshi, Lopësi, Lunxheria, Zagoria, Gjirokastra, Smokthina, Himara, Dukati, Piluri, Bënça , Kanina etj, zona të cilat kanë zhvillimin  e tyre të këngës polifonike labe.

Në punimin monografik të Shitunit merr rëndësi të veçantë mbulesa prej autorit, se ç’vend zë polifonia labe në muzikën popullore shqiptare, me ç’rast libri është një kontribut madhorë në kuadrin e përgjithshëm të muzikës popullore shqiptare, si një pasuri e gjithë popullit dhe historisë së muzikës popullore shqiptare. Në këto rrethana dhe specifikë që libri ka në vetvete, rëndësi të natyrshme ka dëshmia dhe sjella në vëmendje të lexuesit e nocionit etnografik të emrit dhe etnitetit “Labëri”, që nënkupton gjerësisht të dhënat për folklorin letrar, muzikor, koreografik, kohët historike, zanafillën e polifonisë labe, tiparet themelore të kësaj polifonie etj.

Studimet shkencore dhe akademike të studiuesve të huaj dhe ata shqiptarë dëshmojnë se Labëria dhe lebërit janë autoktonë të hershëm, me rite, zakone, traditë dhe kulturë. “Labëria! Male të larta të ashpra, e shkëmbore. Në zemër të tyre ngrihen shtëpitë e gurta të lebërve. Këtu banojnë malësorë krenarë e të fortë sa vetë malet, të cilët për shekuj me radhë, u kanë qëndruar dhe bërë ballë pushtuesve romakë, bizantinë, sllavë, osmanë etj. Populli i Labërisë është sa trim, aq dhe poet.” Studiues të tillë si: Rr. Zojsi, R.Sokoli F. Haxhiu, M. Tirta, S. Shkurti, E. Riza, J. G. Hahn, M. Urban, kronisti turk Ali (1541-1600) etj, përbëjnë një referencë shkencore dhe historike për të dëshmuar lashtësinë, etninë dhe fondamentin lab në të cilin lindi dhe u kultivua dhe muzika polifonike labe. Ndërsa me “Emrat ‘Labëri’ dhe ‘labë’, siç shënon studiuesi Shituni,- parakuptojmë vendin dhe banorët e njërit prej grupeve etniko- historike të Shqipërisë së Jugut, që mori pjesë në formimin e grupit të madh e të përbashkët etnik të quajtur ‘Toskëri’.”, shënon në përmbushjen e gjeografisë etnologjike dhe etno-sociale studiuesi i njohur.

Polifonia labe shtrihet në një hapësirë të konsiderueshme dhe gjeografike territoriale ku ajo ka vepruar dhe vepron ende. Ky perimetër i gjerë në librin “Polifonia labe”, përbën një numër të

konsiderueshëm të zonave etnologjike në të cilat polifonia labe përbën bazamentin e jetës dhe kohezionit të saj historik dhe aktual. Zonat si :Kurveleshi, Mesapliku, Drashovica, Topalltia, Treblova, Gorishti, Kudhësi, Lopësi Kardhiqi, Rrëzoma, Bregdeti dhe Dukati, por dhe një numër tjetër kur rrezonon krahina e Labërisë si : Zagoria, Lunxheria, Malëshova, Rrëza e Tepelenës, Dragoti, Krahësi, Izvori, Buzi, Mallakastra etj, përbëjnë një territor të gjerë, jo vetëm gjeografik, por dhe të një pasurie jashtëzakonisht të madhe , të cilën e qerthullon kënga polifonike labe. Ndërsa Labëria iu përket kryesisht trashëgimisë së fiseve të njohura të lashta ilire kaonët, molosët dhe amantët, trashëgimia kulturor  e tyre është relativisht e lashtë dhe e pasur.

Treva e Labërisë është kryesisht një trevë blegtorale, që gjen pasqyrim të gjerësishëm në kulturë dhe në folklor, ndërsa folklori koreografik është i kufizuar. Shquan folklori letrar ku shfaqen tema të tilla si ajo sociale dhe familjare, ndërsa lirika e dasmës, lirika vajtuese dhe lirika e përvajshme zotërojnë më së shumti arealin e këngës polifonike labe. Në këtë areal të gjerë gjeografik dhe të zonave etnologjike dhe të kulturës muzikore, studiuesi Shituni shquan tri lloje të polifonisë, atë me dy zëra (dyzërshe), me tri zëra (trizërëshe) dhe polifoninë me katër zëra (katërzërëshe). Nga pikëpamja tematike apo motivore siç mund të quhet ndryshe, studiuesi evidenton çështjet ekonomike (tema blegtorale), çështjet shoqërore (kryesisht martesat, zakonet dhe solidariteti atdhetar), çështjet e mjedisit gjeografik (natyra dhe rrethanat gjeografike), dhe ajo që është më rëndësishme, mjedisi fshatar ku është krijuar dhe ka vitalizuar polifonia, në një mjedis të pastër shoqëror.

Në virgjiritetin dhe tiparet e qëndrueshme, që e veçojnë nga polifonia në përgjithësi polifoninë labe, Spiro Shituni mendon se janë katër tipare themelore, si : karakteri recitativ, karakteri pentatonik, karakteri kontraktues dhe karakteri i thjeshtë zanor. Studiuesi arrin t’i interpretojë shkencërisht dhe në praktikën e këngës polifonike labe këto karakteristika, që përbëjnë dhe bazën e tipareve të saj, mundësinë për të realizuar krahasime më të gjithë polifonitë e tjera që janë praktikuar dhe mund të praktikohen dhe sot në zona të caktuara etnografike të vendit dhe të huaja. Mendojmë se mbart vlerë, të referojmë mendimin e qartë dhe të rëndësishëm të studiuesit, se si ai e shquan dhe ç’duhet kuptuar me karakterin recitativ të muzikës dhe këngës polifonike, posaçërisht ai shkruan:”Karakteri recitativ, deklarativ, ose folës, parakupton afrinë që ekziston  mes intonacioneve të polifonisë labe  dhe intonacioneve të të folurit njerëzor.”, me ç’rast studiuesi iu kundërvihet opinioneve lidhur me etiketime të caktuara ndaj kësaj pasurie të madhe të kulturës muzikore shqiptare. Për karakterin zanor, i cili është i lidhur fort me dinamikën që përcjell polifonia, Shituni mendon se “Karakteri thjeshtë zanor parakupton natyrën e polifonisë labe për të mos u shoqëruar prej veglave muzikore, ose si të themi, për t’u vetëshoqëruar”.

Një çështje e nyjëtuar si e rëndësishme është dhe ajo e afrisë që ka polifonia labe me monofoninë, e cila përdoret në këngët e vajtimit, për të cilin Shituni ka një këndvështrim të tijin, por gjithsesi të studiuar mirë nga pikëpamja burimore historike, por dhe pse pikërisht polifonia ka afri me monofoninë:”Vajtimi parakupton krijime folklorike ku, si teksti edhe muzika, ruajnë karakter të dhembshur e të përvajshëm.” Lidhur me monofoninë, e cila praktikohet kryesisht në melodikën vajtuese, Spiro Shituni shquan dhe tiparet origjinale të kësaj teme në Labëri, të cilat janë:”përmbajtja ideoemocionale (liriko- dramatike), ndërtimi modotonal, ritmika muzikore e matur, forma me përmasa të një fraze muzikore me dy fjalë, interpretimi me nota të theksuara elegjiake dhe natyra intonative e përcaktuar”.

Kapitulli i dytë i librit “Polifonia labe” është një referim i brendshëm profesional, sa njohës, po kaq interpretues shkencor nga studiuesi. Mjetet shprehëse në polifoninë labe përbëjnë thelbin e studimit, të cilat kërkojnë një trajtesë tjetër dhe në një punim posaçërisht të tillë. Shituni analizon hollësisht në një këndvështrim të thellë dhe në zhvillim mjetet shprehëse të polifonisë labe siç janë melodika, kontrapunkti, harmonia dhe metro- ritmika. Secili nga këto mjete ka vendin e vet, që nga melodika, “që është mjeti shprehës themelor i muzikës”; kontrapunkti (pikë kundër një pike), i cili nënkupton rregullsinë e brendshme e të ndërthurjes së linjave muzikore; harmonia, e cila lidhet fort me bashkëtingëllimet harmonike (horizontal polifonik dhe vertikal harmonik) dhe metro- ritmika, që nën kupton organizmin e përgjithshëm (metrika) dhe struktura  brendshme e metrikës (ritmika), çfarë e vendosin mbi argumente dhe koncepte praktike shkencore organizmin që e mban të gjallë dhe veprues në këtë mënyrë polifoninë labe.

Një kapitull tjetër i rëndësishëm, i cili merr një peshë në librin “Polifonia labe” është kapitulli i titulluar “Stile muzikore të polifonisë labe”, një kapitull i cili sjell në vëmendje dhe në trajtesën shkencore- historike të saj një koncept të rëndësishëm, atë të stilit, i cili përkufizon perimetrin ku vepron polifonia, elementët e përbashkët fondamental të saj në të gjithë shtrirjen dhe specifika dhe larmi të tjera të praktikumit të saj. Studiuesi i rëndësishëm i polifonisë labe Spiro Shituni përkufizon termin “stil muzikor”, në kuadrin e polifonisë labe, me të cilin nënkupton:’një mënyrë të kënduari  individuale, origjinale, të papërsëritshme, e cila ndryshon muzikalisht, më shpesh, duke shkuar nga njëra krahinë e zonë etnografike në tjetrën, ndonjëherë edhe nga njëri qytet e fshat në tjetrin, të cilët në përgjithësi, janë të largët nga pikëpamja etnografike me qytetet dhe fshatra të tjerë.”, por që ata zakonisht sipas studiuesit, nuk njohin dallime cilësore intonative mes elementit muzikor  fshatar dhe atij ndërfshatar, por dhe atij zonal me ndërzonal.

Në interpretimin dhe qasjen mbi stilet muzikore të polifonisë, Shituni ka vëzhguar dhe reflektuar tiparet e stilit muzikorë të Kurveleshit, Lopësit, Lunxhërisë, Zagorisë, Gjirokastrës, Smokthinës, Himarës, Dukatit, Pilurit, Bënçës, të cilët përbëjnë një bazë të rëndësishme për të kuptuar më mirë si ka vepruar dhe si vepron stili muzikor në polifoninë labe.

Kapitulli i fundit, i titulluar “Dukuri novatore të polifonisë labe” shquan për vëzhgime të natyrës evolutive, rruga nëpër të cilën ajo është pasuruar, bashkëpunimin e saj dhe progresi, pra novatorizmi, siç e quan ndryshe studiuesi, risitë, ruajtja e fondamentit të lashtë dhe origjinaliteti i saj, por dhe çështje të tjera të cilat ka vërejtur studiues lidhur me polifoninë labe, këtë pasuri të jashtëzakonshme të kulturës popullore shqiptare dhe muzikës së saj në veçanti. Vepra e Shitunit “Polifonia labe” është një kontribut i çmuar veçmas për kulturën dhe njohjen e thellë të polifonisë labe. Ajo krijon një bazament parcial në njohjen, interpretimin dhe burimet studimore për polifoninë labe në veçanti.

Spiro Shituni është njëri nga njerëzit e plejadës së studiuesve, muzikologëve dh etnologëve të muzikës popullore shqiptare, i cili solli një kontribut të madh në punimet monografike lidhur me kulturën popullore, kryesisht të muzikës popullore. Pas një pune të madhe gjatë kohës që ai ka punuar në Institutin e Kulturës Popullore (1981-1992), pas vitit 1992 ai ka jetuar dhe ka punuar në fushën e studimeve jashtë vendit, kryesisht në SHBA. Ai ka punuar gjatë gjithë kohës në Universitetin e Uinthropit, Rock Hill në South Carolina, si lektor i etnomuzikologjisë, jo vetëm në këtë universitet, por dhe në universitet të tjera amerikane.

Shituni nuk u shkëput kurrë nga puna shkencore, ndërsa vepra më e fundit e tij, titulluar “Muzika tradicionale shqiptare”, e cila mbart në vetvete një punë kërkimore dhe shkencore 20 vjeçare është botuar në gjashtë vëllime. Është një vepër e ndarë në dy pjesë të medha; pjesa e parë ka trajtesa të natyrës studimore, ndërsa në të dytën janë dhënë tekstet poetike e krijimeve që analizohen. Është një libër me karakter të qartë kombëtar dhe gjithëpërfshirës dhe që përshkohet nga shqisa e një studiuesi të hollë dhe një njohës jashtëzakonisht i mirë i kësaj fushe.

Në vëllimin e parë të studimit të gjerësishëm të muzikës popullore shqiptare, studiuesi Spiro Shituni merret me koncepte të përgjithshme rreth natyrës, tipareve dhe dhënie- marrjet e muzikës folklorike shqiptare me atë të popujve të tjerë. Muzika popullore shqiptare zë një vend të caktuar në kulturën ballkanike të muzikës tradicionale. Në këtë rast Shituni interpreton mjaft mirë problematikën e pamjeve etniko- demografike, diasporën shqiptare, dialektet muzikore, muzikën tradicionale shqiptare, dialektet, stilet muzikore si një bazë e ekzistencës së kësaj kulture, çështjen

e baladave, muzikën profesioniste, grupime të caktuara etj. Kjo problematikë  e gjerë e bën librin mjaft përfaqësues, per etnokulturën shqiptare .

Vëllimi i dytë i kushtohet muzikës Gege, repertorin e saj, studimet mbi të nga autorë vendës dhe të huaj, rrethanat në të cilat ka lindur dhe është zhvilluar dhe një vështrim etnografiko muzikologjik. Autori veçon në studimin e kësaj muzike stilet muzikore të Malësisë së Madhe,  Malësisë së Vogël, Mirditës, Matit dhe të Dibrës, këngën maje krahu, prek çështjet e eposit etj.Libri i tretë i kushtohet muzikës toske, e cila ka një shtrirje të gjerë, ku shquan karakterin monofonik, polifonik dhe arioz të saj. Në studim përbën rëndësi të veçantë trajtimi i nëndialekteve të muzikës toske si ai muzikor i Toskërisë, nëndialekti i Myzeqesë dhe nëndialekti i Çamërisë dhe specifika të tyre si nëndialekte.

Libri katërt i kushtohet muzikës labe, për të cilin studiuesi ka një kontribut madhor dhe të veçantë, por veçojnë në këtë rast kur ai analizon vajtimin dhe vallen, kur analizon muzikën labe dhe muzikën greke dhe bashkëveprimin me njëra- tjetrën.  Stilet muzikore të kësaj muzike përbëjnë një larmi që pak dialekte muzikore shqiptare e kanë.

Muzika qytetare shqiptare dhe stilet e saja zënë të gjithë librin e pestë të librit “Muzika tradicionale shqiptare” të autorit Spiro Shetuni. Qytetet të tillë si Shkodra, Shqipëria e Mesme, Kosova, Berati, Përmeti dhe Vlora i nënshtrohet një vështrimi të hollë dhe profesional- njohës nga studiuesi Spiro Shetuni. Kënga qytetare shqiptare ka elementë të shumtë përbërës, të cilët autori i njeh mirë. Libri i gjashtë i këtij vëllimi ka të bëjë me vlerësimin nga autori të muzikës tradicionale shqiptare, me përfytyrën etniko kombëtare të kësaj muzike, pasurimin, festivalet kombëtare folklorike, vijueshmëri dhe nevoja e studimit të kësaj pasurie të madhe me vlera të gjithkohshme.

Spiro Shetuni përbën profilin  e  një studiuesi të rëndësishëm të muzikës popullore shqiptare, veçmas të polifonisë labe, një dialekt muzikor me një trashëgimi specifike dhe të hershme historike. Artikujt e shumtë, njohja e kulturës së shkrimit dhe autorët vendës dhe të huaj që janë marrë me një fushë të tillë specifike studimi, përbëjnë një vlerë referuese për studiuesit e kësaj kulture etnike kombëtare në përgjithësi si një tregues i rëndësishëm i popullit shqiptar në Ballkanin  e moçëm dhe të qytetëruar.Ndarja e  tij  nga  jeta  keto  ne  SH.B.A , perben nje humbje te vecante  per etnokulturen  shqiptare .

Vlorë- Tiranë, korrik 2021     

blank

Ekspozitë me imazhe të fotografit shkodran Pjetër Rraboshta

Pëllumb Sulo

Pas një periudhe të gjatë mbyllje për vizitorët për shkak të pandemisë, në Muzeun Kombëtar të fotografisë “Marubi” u çel ekspozita e Pjetër Rraboshtës, njërit prej fotografëve më të njohur të qytetit të Shkodrës gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.

Ekspozita e fotografit të njohur shkodran Pjetër Rraboshta hapi për publikun dyert e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” pas një periudhe të gjatë mbydhje për shkak të pamdemisë.

Fotografi Rraboshta bën pjesë në grupin e disa prej fotografëve të njohur të qytetit të Shkodrës të gjysmën së dytë të shekullit të kaluar. Drejtori i muzeut, Luçian Bedeni, thotë se koleksioni i fotografit Rraboshta ruhet në arkivën e muzeut dhe përbëhet prej më shumë se 16 mijë imazhesh. Ekspozita, thotë ai, ven pas një pune të gjatë për dixhitalizimin e koleksioneve të fotografëve të tjerë, përtej dinastisë Marubi.

“Koleksioni i Pjetër Rraboshtës është dixhitalizuar i gjithi në gjashtë muaj e para të këtij viti dhe, me përfundimin e dixhitalizimit, u arrit në realizimin e kësaj ekspozite”.

Në ekspozitën e fotografit Pjetër Rraboshta janë ekspozuar 84 foto dhe rreth 150 imazhe të projektuara, pjesë e koleksionit prej më shumë se 16 mijë imazhesh, të cilat ai j’a dhuroi shtetit shqiptar në fillim të viteve ‘70 të shekullit të kaluar.

“Kjo ekzpozitë nuk kërkon për me e shterru prurjen interesante që bjen një fotograf si Pjetër Rraboshta, por kërkon me dhanë një pamje se çfarë përmbajnë këto 80 e sa imazhe të printume dhe disa të projektume. Me dhanë një shije të qendrimit të tij, botëkuptimit të tij dhe, për pasojë, edhe të Shkodrës së periudhës kur ai operoi si fotograf”.

Kuratori i ekspozitës, profesori i historisë së artit dhe pikturës Zef Paci, thotë se fotografia e Rraboshtës bart një gjurmë vërtetësie, nganjëherë duke mos u kujdesë shumë për kuadrin, por kjo i jep atyre një lloj grafizmi dhe vërtetësie prekëse.

“Ndryshe prej fotografëve të tjerë ai është i vendosur me aparatin e tij fotografik pranë lulishtes së qytetit, pranë katedrales, duke qenë se ai ndjek shpesh herë ritualet e krezmimeve të fëmijëve të ndryshëm apo ngjarjeve të tjera, që gjithnjë kanë lidhje të ngusht me fëmijët”, thotë ai.

Fotografët e njohur të Shkodrës të shekullit të kaluar njiheshin nga emërtimet që u kishin vënë banorët. Kështu, Marubin e thërrisnin “fotografi i zotnijve”, Picin “fotografi i malësive”, Jakovën si “fotografi i të rinjve”, ndërsa Rraboshtën si “fotografin e fëmijëve”.

Fotografi Pjetër Rraboshta rininë e tij të hershme e kaloi si nxënës pranë “Dritëshkrojës” së Kel Marubit. Për shumë vite ai punoi te studioja e Marubëve me Gegë Marubin.

Ndërsa, në fillim të viteve ’40, ai hapi në rrugën kryesore të qytetit studion e tij “Foto Rraboshta” ku punoi deri ne vitin 1963, kohë kur në Shqipëri u mbydhën akitvitetet private.

blank

Më 14 korrik 1949 lindi kompozitori Kastriot Gjini

Kastriot Gjini lindi në Tiranë në 14 korrik të vitit 1949.  Ai vdiq në moshën 29 vjeçare (mars 1979) në Itali ku kishte shkuar për t’u operuar nga një sëmundje e zemrës. Kjo gjendje shëndetësore iu rëndua si rezultat i persekutimit që diktatura komuniste i bëri veprës së tij.

Krijimtaria

Kompozimet e tij ishin me motive nga jugu i Shqipërisë, motive këto që i njihte shumë mirë. Kastriot Gjini ishte një fenomen në muzikën Shqiptare. Një talent i lindur, muzika e tij ishte më së shumti e rrymës pop/jazz në këndvështrimin e sotëm, por e bazuar fort në muzikën/tonalitetet folklorike burimore Shqiptare. Talentin e tij prej muzikanti,Gjini e tregoi që në moshën pesëvjeçare, ndërsa kompozimin e parë, një këngë për fëmijë (Fyelli Magjik), e ka bërë kur ishte vetëm 11 vjeç. Në moshën 18-vjeçare, Kastrioti kompozoi këngën “Kartolina” që bëri jehonë në vitin 1968. Me pas kompozoi këngët “Fqinja”, “Kabina numër 3”, “A do vish sivjet në plazh?”, “Mes dritash (Interesant)”, “Ne studentët”, “Shtegtimi”, të cilat i përkasin fondit të artë të muzikës së lehtë shqiptare. Kastrioti është pionier i folkut shqiptar të viteve 1970-1979.

Kastriot Gjini është autor këngësh i njohur. “Të jetosh gjatë një jetë të shkurtër”, është përcaktimi i drejtpërdrejtë për jetën e Kastriot Gjinit, që me krijimtarinë e tij goditi me forcën pozitive të artit një plejadë kompozitorësh të karrierës. Kompozitori i suksesshëm la gjyrmë në kujtesën e rinisë së asaj kohe me këngët e tij “Katolina”, “Fqinja” dhe shumë të tjera, që edhe sot këndohen me ëndje. Ai ka pasur fëmijëri të mbarë deri në momentin që u sëmur. Sëmundja kardiake do ta shoqëronte deri në fund të jetës së vet. Lëvizjet e shpeshta, transferimet e të atit, oficer sigurimi, nga Tirana në Gjirokastër e më pas përsëri në Tiranë, ishin dhe preokupacionet e Kastriotit.

Talentin e tij prej muzikanti, Gjini e tregoi që në moshën pesëvjeçare, ndërsa kompozimin e parë, një këngë për fëmijë, e ka bërë kur ishte vetëm 11 vjeç. Pasi mbaroi gjimnazin, atij iu desh të studionte, me porosi të mjekëve kardiologë, jo në degën që ai dëshironte, inxhinieri, por për gjuhë angleze. Në moshën 18-vjeçare, Kastrioti kompozoi këngën “Kartolina” që bëri jehonë në vitin 1968. Pas përfundimit të fakultetit Kastrioti do të punonte si gazetar në Radio Tirana, këtu do të vendoste dhe kontaktet me kompozitorë të shquar, orkestrantë dhe autorë tekstesh. Kastrioti njëherësh gjallëroi shpresën artistike e profesionalizmin e kërkuar te brezi i tij i kompozitorëve të viteve ‘70-të, të cilët me krijimet e tyre kanë merita të mëdha artistike, por edhe njerëzore. Ata kompozitorë janë pararendës në kërkim të “Lirisë së Munguar”, lajmëtarë të thyerjes së barrierave të izolimit dhe deformimit që i bëri njeriut sistemi i kaluar. Kastriot Gjini bën pjesë në atë bashkësi krijuesish, të  cilët meritojnë emrim “luftëtarë të hapësirave krijuese” njerëz të tillë jetojnë kohën, nuk e përdorin atë, jetojnë jetën dhe nuk e shtrydhin atë. Kostriot Gjini mori me vete një pjesë të pakënduar të krijimtarisë së tij, aq sa mund të quhet “Uragani i ndërprerë i këngës.” Profesor Çesk Zadeja do të shprehej për Kastriotin se “ka sjellë me kompozimet e tij melodi dhe këngë të veçanta, origjinale, të mbështetura në folkun e Shqipërisë së Jugut, që i ka pëlqyer rinia dhe po i vlerësojnë të gjithë ”. Këngëtari që ka punuar për një kohë të gjatë me Kastriot Gjinin, Sherif Merdani shkruan: “Kastrioti është pionier i folkut shqiptar të viteve ‘70-’79. Këtë nuk e them vetëm unë, por edhe kompozitor të njohur si Agim Prodani. Më kujtohet njëherë se kur Kastrioti ishte ulur në piano dhe po më tregonte këngën që do të këndoja në festival, Agimi hapi derën, i shkon nga pas, i kap kokën me të dy duart dhe i thotë se po e shtrëngonte të nxirrte ndonjë melodi e ta fuste në xhep për festivalin që  do të vinte. Ai i thotë Kastriotit se ishte i pashtershëm, plot melodi dhe bënte këngë të mrekullueshme, që do të kujtohen e këndohen gjithmonë.”

Dëshira e familjes Gjini për të pasur një fëmijë u realizua. Edhe “mosmarrëveshja” burrë-grua për emrin e fëmijës, i ati donte ta quanin Kastriot, ndërsa e ëma Pirro, u zgjidh me short. Foshnja u quajt Kastriot, që shkurt do ta thërrisnin Oti. Fëmijëria e tij nisi e mbarë, sepse ishte dhe gëzimi i parë i familjes. Kastrioti u rrit në çerdhe dhe në kopsht si të gjithë fëmijët atëherë. “Oti ishte një fëmijë me bukuri dhe shëndet të spikatur. Në kopsht ishte i përkëdheluri i edukatoreve, sepse ishte shumë i shkathët, dinte shumë vjersha, recitonte dhe këndonte bukur. Derisa filloi shkollën, kishte një të mbajtur të lehtë të gojës, që dukej se e kultivonte vetë, sepse e ndihmonte të fitonte kohë për përgjigje të mençura, por me kohë u zhduk. Të vetmin shqetësim që kishin edukatoret ishte se Kastrioti i bezdiste me pyetje, nëpërmjet të cilave i vinte ato shpesh në siklet. Kur u transferua në Gjirokastër, Kastrioti ishte 3 vjeç.

Që i vogël, ai ishte një koleksionist pullash, pra i dhënë pas filatelisë, madje, albumi i tij me pulla ruhet edhe sot nga vëllai, Spartaku. Në të numërohen 2000 pulla nga 150 shtete”, tregojnë prindërit. Dëshira e tyre ishte që Oti të mësonte patjetër një vegël muzikore, jo me ndonjë synim, por thjesht që ai më pas ta kishte si argëtim të tijin në jetë. Nisur nga kjo, kur ishte katër vjeç, prindërit i blenë për ditëlindje një piano, organo të vogël, nga një vizitor që kishte ardhur nga Amerika, pasi të tilla nuk kishte atëherë në vendin tonë. Prindërit admironin pasionin dhe vullnetin e tij për muzikën, por shqetësoheshin kur Oti mbyllej brenda dhe nuk kishte dëshirë të luante si më parë me shokët e moshës së tij. Talentin e Otit e mori në dorë Leko Pano, fizarmonicisti që drejtonte rrethin e fizarmonikës në Shtëpinë e Pionierit, në Gjirokastër. Pranimi i Kastriotit në këtë rreth u bë jashtë kritereve me dëshirën e mirë të drejtorit të Shtëpisë së Pionierit Gjirokastër, Jorgo Bulo.
Ish-shefi i muzikës në Estradën e Gjirokastërës, Selman Mamani kujton: “
Na duhej një fëmijë, sa më i vogël në moshë, që të dinte t’i binte ndonjë melodie me fizarmonikë për të hapur shfaqjen. Shkova në Shtëpinë e Pionierit dhe Leko Pano, që drejtonte rrethin e fizarmonikës, më rekomandoi Kastriotin. Mbeta disi i habitur nga shpejtësia, me të cilën ai i lëvizte gishtat mbi fizarmonikë. E mora me vete dhe i thashë drejtorit të Estradës se kisha zbuluar një “gjeni” të vogël. Drejtori në fillim mendoi se bëja shaka, por kur e dëgjoi më dha të drejtë. Parapëlqyem melodinë e këngës “Violina Cigano”, që në atë kohë ishte shumë e përhapur. Në skenë, natën e shfaqjes, Kastrioti doli shumë mirë. Luajti melodinë dhe recitoi madje edhe një poezi të Majakovskit me 11 strofa në rusisht. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm dhe që atëherë në Gjirokastër Otin e thërrisnin “burri me pantallona të shkurtra”. Për të mos e humbur vitin, prindërit e futën në shkollë pa mbushur 7 vjeç. Një vit më vonë, në
Gjirokastër shkon Ferdinad Deda, i cili ishte emëruar mësues në gjimnaz. Njohja me mjeshtrin Deda dhe mësimet që mori në piano prej tij, ishin eveniment i rëndësishëm në jetën e Otit. Ferdinadi do të hapte një kurs për piano, duke mos lënë pas dore punën në gjimnaz. Aty i kishte rënë në sy Kastrioti me talentin e tij.

Kompozimi i parë, kur ishte 11 vjeç

Kur Kastrioti ishte 11 vjeç, prindërit e tij transferohen nga Gjirokastra në Tiranë. Pra, ai kohën më të hershme të fëmijërisë e kaloi në Gjirokastër. Ardhja në kryeqytet ishte fillim i ri në jetën e Otit. Atij iu desh një farë kohë që të ambientohej dhe të zinte shoqëri të re. Qëlloi që shtëpia e familjes Gjini të ishte fare pranë asaj të Ferdinand Dedës, me të cilin Kastrioti ishte miqësuar që në Gjirokastër. Por, nuk do të vononin edhe njohje të reja, si për shembull ajo me Robert Radojën, që merrej me orkestrimin e këngëve të Festivalit të Pionierve në Tiranë. Radoja kujton: “Isha ngarkuar të orkestroja këngët e Festivalit të Parë të Pionierve. Po punoja në studio, kur më ndërpreu zilja e telefonit. Nga ana tjetër e receptorit po më fliste një grua. Quhej Krisanthi Gjini dhe më tha se kishte një djalë që kishte kompozuar një këngë dhe dëshironte t’ja shikoja unë. I thashë se do ta prisja djalin e saj të nesërmen pas orës 10-të të paradites. Kastrioti hyri në zyrën time bashkë më  një shokun e vet. E ftova të ulej, por ai e refuzoi ftesën time. Atëherë pa vonesë i kërkova që të më tregonte këngën. Ai me fizarmonikë dhe unë e shoqërova në piano. Partiturën ia kishte shkruar Ferdinand Deda. Ishte një këngë e përkryer në të gjitha komponentët e saj. Kënga, çuditërisht, kishte një strukturë të zgjedhur e motive të reja. Kjo ishte kënga e veçantë nga të gjitha këngët e tjera që isha duke orkestruar, këngë që i përgjigjej moshave të fëmijëve, me hop cilësor si në përmbajtje ashtu edhe në atë të sferës intonative, ku ndihej dukshëm melodia e zonës dhe imagjinata e kompozitorit të ri me disa melodi të reja. Ajo që më bëri përshtypje ishte se tekstin e kishte shkruar vetë dhe e kishte titulluar “Fyelli i bariut”. E orkestrova dhe komisioni nuk pati asnjë vërejtje për atë këngë. Kënga u vlerësua me çmim të parë dhe kjo më gëzoi së tepërmi. Që nga ajo ditë vazhdova të bashkëpunoja me Kastriotin, duke i orkestruar shumë këngë të tjera edhe më të bukura, jo vetëm për  fëmijët, por edhe për të rritur, sidomos për rininë, derisa u nda nga jeta”.

Studenti dhe kompozitori
Kastrioti e mbaroi gjimnazin në vitin 1967, më rezultate të shkëlqyera. Problem tashmë mbetej dega që ai do të zgjidhte në universitet. E ëma donte që Oti të vazhdonte studimet për mjekësi, ndërsa i ati dëshironte që ai të vazhdonte studimet në Konservatorin e Muzikës. Nga ana tjetër, Kastrioti me disa shokë kishin vendosur të vazhdonin studimet së bashku në inxhinieri. Nuk duhet harruar se 18-vjeçari vuante nga një sëmundje e zemrës, e cila iu shfaq që në moshën 9-vjeçare dhe ishte gjithnjë nën kujdesin e mjekëve. Këta të fundit nuk deshën që ai të vazhdonte as inxhinierinë e as mjeksinë, pasi kishin ngarkesë për një pacientë si Kastrioti. Me rekomandimin e mjekëve edhe prindërit vendosën që ai të studiojë në degën e gjuhës angleze. Në këtë periudhë, me gjithë vështirësitë shëndetësore, Kastrioti arriti të krijojë shumë këngë për fëmijë. Këto këngë dalloheshin për meloditë e thjeshta dhe pëlqeheshin shumë nga fëmijët. Në veçanti ai u kushtonte rëndësi këngëve për moshat e vogla.
Ndër krijimet më të bukura të tij, janë këngët “Koli, Beni Azeta dhe vijat e bardha”, “Hekurudhën ndërtojmë”, “Më i shkathti, më i shpejti”, “Lugina e Shkumbinit” dhe shumë e shumë të tjera.

“Kartolina”, kënga që pushtoi zemrat e rinisë

Në vitin 1966, grupi i famshëm “Beatles”, kishte arritur në majat e muzikës së lehtë. Ky grup ishte tepër i preferuar edhe për të rinjtë shqiptarë të asaj kohe. Nën ndikimin e këngëve të tyre, një mori kompozitorësh hodhën në pentagrame muzikë ndryshe nga ajo që ishte luajtur më parë. Kontakti me muzikën e këtij grupi e frymëzoi Otin, që deri atëherë kishte kompozuar këngë për fëmijë, të shkruante muzikë të re dhe të dilte përpara publikut me këngën e veçantë “Kartolina”. Kjo këngë, për herë të parë doli në publik në korrik të vitit 1968. Tekstin e saj e kishte shkruar Agim Shehu, orkestrimin Ferdinand Deda dhe e këndoi i famshmi Sherif Merdani. Ishte një koiçidencë e këndshme se ditën që do të shpallej kënga fituese, Kastrioti kishte ditëlindjen. Në shtëpinë e tij ishin mbledhur të gjithë shokët e shoqet dhe prisnin me ankth shpalljen e fituesit. Kur spikeri i radios tha se fituese e anketës muzikore të muajit korrik ishte kënga “Kartolina”, në dhomën e kompozitorit Gjini shpërthyen
urratë. Kënga pati sukses të jashtëzakonshëm. Në të gjitha ambientet, radio, televizion, estrada, mbrëmje vallëzimi, rrugë, autobusë, e kudo dëgjohej vetëm kënga “Kartolina”. Kënga kishte mbërritur te njerëzit dhe kudo përsëritej refreni: Kush e shtyn të fluturojë/Do ta shoh nga shkrimi i saj/Ajo vetë do ta tregojë/Kur në dorë do ta mbajë. Pas kësaj kënge filloi një kthesë e madhe në krijimitarinë e Otit. Ai filloi të kompozonte këngë të tilla si “Kabina 3”, “Bashkë ndërtuam një urë”, “A do të vish sivjet në plazh”, “Treni s’ndalon”, “Fqinja”, “Duart e tua”, “Zëri i nënave” etj. Shtypi i kohëh dhe kolegët flasin me admirim për talentin e të riut 18- vjeçar, Kastriot Gjini. Sipas kujtimeve të kompozitorit të shquar Aleksandër Lalo, e veçanta e këtij kompozitori ishte se ai nuk vinte nga sallat e konservatorit, por ishte një njeri i talentuar edhe pse nuk kishte kryer shkollë muzike. Kjo ishte dhe befasia e “Kartolinës” dhe e të gjithë krijimtarisë së tij muzikore. Në këtë mënyrë,
Kastrioti u rreshtua në brezin e atyre intelektualevë të rinj, që hynë në luftë me konceptet dogmatike e konservatore në vitet ‘70-‘80-të.

Gjini edhe publicist
Në vitin 1971, Oti diplomohet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë, dega anglisht, dhe emërohet gazetar dhe komentator politik në radio Tirana, sektori i jashtëm. Profili kresor i punës së tij, ishte gazetaria, muzika ishte një plus për të, pasion i vjetër. Oti brenda një periudhe të shkurtër, më pak se 9 vjet, pati një veprimtari jo të vogël në fushën e publicistikës. Autorsinë e tij kanë më shumë se 9000 artikuj, pamflete, radio-dramatizime kushtuar heronjve, pjesë teatrale, si dhe tregime të ndryshme. Sipas kolegëve të tij në Radio Tirana, Kastrioti që në fillim krijoi një stil të tijin origjinal, të cilin e ruajti deri në fund. “Për tetë vjet që ai ka punuar në radio ka qenë një gazetar më vizion të gjerë. Ai zotëronte katër gjuhë të huaja, kishte një bagazh të gjerë kulturor dhe artistik. Pa dyshim, ai ishte një nga gazetarët më të mirë që kishim në atë kohë”, shkruan në kujtimet e tij, ish-drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, Çajup Rusmali.

Shpërthimi i talentit në këngët “Fqinja”, “Duart e tua”, “A do të vish sivjet në plazh”
Gjatë kohës që punonte në Radiotelevizion, Kastriotit iu krijuan mundësi për t’u njohur edhe bashkëpunuar më kompozitorë të njohur, orkestrues, këngëtarë e poetë, me të cilët do të strukturonte këngët e tij. Kjo është koha më e artë e krijimtarisë muzikore për Kastriot Gjinin. Kësaj periudhe i përkasin edhe këngët më të bukura që ai kompozoi si: “Fqinja”, “A do të vish sivjet në plazh”, “Duart e tua”, “I njoh sytë e tu”, “Çapkënes”, “Vajzës që dua”, “Ne studentët” e të tjera. Të gjitha këngët e Otit nisën nga disa fabula poetike, të qarta, konkrete, të thjeshta si skena të jetës rinore. Mjaft tekste janë marrë nga librat e poetëve tanë më të mirë. Si Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu etj. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve të Kastriotit, dhoma e tij në shtëpi ishte kthyer në studio, ku zhvilloheshin provat e koncerteve. Aty u kompozuan një pjesë e madhe e këngëve të tij. Muret e dhomës dridheshin nga buçitja e zërave të Hysni Zelës, kur bënte provat e këngës “Nga llogorja  s’luajmë kurrë”, Sherif Merdanit, kur këndonte “Fqinjën”, “Duart e tua”, Gjergj Suliotit, kur këndonte “Zëri i nënave”, Novruz Yzeirit, kur këndonte “Ofelinë”, e shumë e shumë të tjerëve. Në atë dhomë u shkruajtën partiturat e mjaft këngëve të Otit me Robert Radojën, Ferdinand Dedën, Gjon Simonin etj. Tingujt e melodive dilnin jashtë dritareve katit të tretë të pallatit 16-të, përhapeshin në ajër dhe kalimtarët qëndronin dhe i dëgjonin gjithë ëndje…

Jeta profesionale e Kastriot Gjinit, kompozitorit që do të mbetet i paharruar për brezin e viteve ´70-të, nuk kaloi e qetë. Këngët e kompozuara prej tij, gjithnjë e më tepër shqetësonin mediokërit e aparatit të KQ dhe të Ministrisë së Kulturës, të cilët shihnin në to rrezikun për “eksitimin” dhe “prishjen” e rinisë. Sipas mbrojtësve të muzikës së “pastër” shqiptare, shpesh në kompozimet e Gjinit, ata gjenin melodi të huaja, të muzikës “dekadente”.
Funksionarë të lartë filluan ta thërrisnin Otin dhe t´i rekomandonin atij të hiqte dorë nga muzika dhe të merrej me profesionin e gazetarit, pasi atje kishte më shumë talent. Ironia e kompozitorit ishte e dukshme, kur ai i thotë funksionarit të lartë se, pas takimit me të e në vazhdim, do të kompozonte këngë për pleqtë e azileve. Si e ndihmoi kompozitorin dashuria me Anën për të shkruar muzikën e papërsëritshme dhe peripecitë e dy të rinjve për të marrë pëlqimmin e prindërve të vajzës. Kastrioti, që vuante për më shumë se 20 vjet nga një sëmundje kardiake, shkoi në Itali për t´u operuar, ndërsa një ditë para operimit mbylli sytë, si e përjetuan këtë gjëmë familjarët, shokët e të afërmit.

Si lindi “Fqinja”, kënga që ende pritet me dashuri nga spektatori

Kastrioti e trajtonte muzikën dhe tekstin si një proces unik, duke kërkuar përputhjen e plotë të logjikës së notave me logjikën e vargjeve. Kompozitori mendonte se teksti përbënte një bazë të fortë për forcën ideoemocionale të këngës. Në kujtimet e tij, Shaban Murati, gazetar dhe poet shkruan: “Një ditë ishim duke pirë kafe. Aty pranë kaloi një vajzë, bjonde dhe tepër e bukur. Kastrioti me shaka tha se ajo i ngjante shumë fqinjës së tij. Të dy e vumë re se kaloi rëndë dhe fare indiferente, e, sipas Otit, ashtu vepronte edhe fqinja e tij. Si për t’u justifikuar, ai më tha se nuk kishte gjë me të, por vetëm kishte thënë një të vërtetë. Dhe unë po me shaka i thashë se përse nuk bënte një këngë për të. Kastrioti qeshi dhe më pas më tha se i kisha zgjuar muzën. Ai vendosi të bënim një këngë që t´i kushtohet të gjitha fqinjeve të shokëve që kalojnë indiferente çdo mëngjes. Më tha të shkruaja një tekst. Ashtu bëra dhe e titullova “Fqinja”. Oti shkroi muzikën dhe kështu këngën e këndoi Sherif Merdani. Rastisi që në atë anketë muzikore të konkurronte edhe kënga e Françesk Radit, “Biçikleta”. Tërë atë muaj spikeri i radios komunikonte që kënga e Radit ndiqte “Fqinjën” e Kastriot Gjinit, e më në fund fitoi kënga e Otit”. Edhe sot kjo këngë këndohet nga shumë këngëtarë si Merdani, Zhegu, Petrit Lulo, Agim Poshka e shumë të tjerë. Një rast interesant në kompozimet e Gjinit është dhe mënyra e kompozimit të këngës “A do vish sivjet në plazh”. Kënga i kushtohet Anës, dashurisë së lënë përgjysmë të Kastriot Gjinit. Tejet i mërzitur, Oti merr në telefon mikun e tij, Shaban Murati dhe i kërkoi këtij të fundit një takim. “Ishte i mërzitur, pasi kishte vendosur të shkonte në plazh me Anën, por vajzën nuk e kishin lënë prindërit të shkonte në bregdet me shoqërinë. Tani ai mendonte t´i kushtonte një këngë Anës. Më dha idenë e këngës dhe unë bëra tekstin”, kujton Murati.

Periudha e artë, Gjini në kërkim të gjinive të mëdha

Koha e artë e krijimitarisë së Kastriotit ishte ajo e viteve ´74-´78. Në këtë periudhë, ai kishte grumbulluar të gjitha energjitë e tij krijuese. Kishte vite që kompozitori donte të kalonte nga muzika e lehtë në gjini më të mëdha të muzikës. Ai studionte literaturë të huaj të kollosëve botërore të muzikës klasike. Kur mësoi se regjisori Mevlan Shanaj po përgatiste filmin “Korrierët”, u takua me të dhe i kërkoi që muzikën e filmit ta bënte ai. Mendimet e Kastriotit për strukturën e muzikës filluan të lindnin që gjatë leximit të skenarit. Oti kishte mendimin që të mbështetej në motivet muzikore të trevave të jugut, e kryesisht të folkut të bregut, këngëve të Himarës. Nga kjo kohë, emri i Kastriotit si kompozitor u bë më i njohur. Më pas, ai do të realizonte për Teatrin Kombëtar tri pjesë muzikore: Muzikën e dramës “Një zog fluturoi nga foleja”, “Një copë rrugë”, “Rrufe në mot të mirë”. Më vonë Kastrioti kërkon bashkëpunimin e shkrimtares Shpresa Vreto. Sipas kujtimeve të Vretos, Oti i kishte kërkuar të shkruante libret për një operet për fëmijë. Opereta u realizua dhe u shfaq me sukses në Korçë. Nga ky bashkëpunim do të lindte edhe një operetë tjetër për fëmijë, por Kastriotin nuk e la sëmundja që ta realizonte atë. Nga fundi i vitit ’78, ai u shtrua në spital për t’u kuruar nga sëmundja e zemrës.

Problematiku i festivaleve
Kastrioti nuk ishte vetëm problematiku i festivaleve, por i muzikës së lehtë në përgjithësi. Kolegët kujtojnë se si Oti nuk donte të merrte pjesë në Festivalin e 16-të të Këngës në Radiotelevizion, edhe pse kishte marrë ftesë për të paraqitur krijimin e tij. Arsyeja ishte se atij nuk i kishte dalë inati i festivalit të mëparshëm, kur kënga e tij, edhe pse ishte pëlqyer dhe vlerësuar nga komisioni, nuk u lejua të këndohej në festival, pasi i “deleguari” i partisë, kishte parë në muzikën e këngës nota të muzikës së huaj, që eksitonte rininë. Këto ishin të përhershme për Kastriotin, ndaj dhe një ditë e thërret në zyrën e tij një kuadër me rëndësi i sektorit të kulturës në Komitetin Qendror të PPSH. Ndër të tjera, funksionari partiak i kishte thënë se ishte djalë me talent dhe kishte lexuar shumë shkrime të tij, të cilët i kishin pëlqyer. Më vonë, gjoja si rastësisht, i kishte thënë se ishte dhe kompozitor dhe i pëlqenin gjithashtu dhe këngët që kompozonte. “Në disa raste, nëse e ke vënë re këngët të janë ndaluar jo rastësisht, por sepse kanë përmbajtje të huaja, që na infektojnë rininë. Prandaj duhet të kesh kujdes, mos u ndaj nga tufa se të ha ujku. Nuk e di nëse e ke marrë vesh se ç’u ka ndodhur disa “horrave” që tentojnë, gjoja të bëjnë “revolucion” në muzikë. Në fund të fundit t’i je gazetar, ndaj përvishu punës atje dhe mos u merr fare me muzikë, sepse, me sa di unë, ti je edhe i sëmurë”, i ka thënë finksionari i KQ të PPSH, kompozitorit. Kastrioti me kurajo i kishte dhënë mediokrit të partisë një përgjigje tepër të zgjuar, se tash e tutje do të kompozonte këngë vetëm për pleqtë e azileve. Kur Oti këndonte me fizarmonikë këngë të “Beatles”, informatori i pallatit dërgonte informacion që ndonjë herë mbërrinte deri te ministri i Brendshëm, që një ditë e thërret gjoja për probleme pune të atin e Kastriotit. Sipas tregimeve të kryefamiljarit Gjini, aty nga fundi i bisedës ministri i kishte thënë: “Ore ç’bën ashtu ai djali yt e ka kthyer shtëpinë në klub xhazi me ca horra që mbledh. Hiqi vërejtjen dhe shkëpute nga ajo shoqëri vagabondësh, sepse midis tyre mund të jetë edhe ndonjë armik, që mund ta shpjerë në rrugë të keqe…”. Këto ishin sinjalet e para për të thënë se ndonjë nga shoqëria e tyre ndiqej dhe ky më vonë doli se ishte Sherif Merdani, që u dënua më vonë për agjitacion dhe propagandë.

Dashuria, sa të bukura këngët për të

Oti i këndoi shpesh dashurisë, ndjenjës më të fuqishme që zbukuron jetën e çdo njeriu. Rastësisht në festivalet e shkollave të mesme të rretheve, Kastrioti kishte pikasur vajzën e zemrës, Anën, bjonden e bukur, që konkurronte me grupin e një qyteti të vogël. Maturantja një vit më vonë do të vinte në universitet, në Tiranë dhe rastësisht e motra e Otit, Luli do ta takonte. Një ditë tjetër, gjoja si rastësisht, motra sajon një takim prezantues të vëllait të saj me Anën. Prezantimi i parë do të ishte i suksesshëm dhe më pas takimet do të shtoheshin. Ishin fillimet e një dashurie të sinqertë, që sa vinte dhe konsolidohej. Mbas 6-7 muajsh takime të shpeshta, Kastrioti i propozon fejesë Anës, e cila atëherë ishte nën trysninë e prindërve për lidhjen e saponisur. Shoqëria me Anën i zbuste shqetësimet dhe e nxiste krijimtarinë artistike të Otit. Shumë këngë, kompozitori i ka krijuar frymëzuar nga dashuria për këtë vajzë. Nuk mund të harrohen këngët “Çapkënes”, “Vajzës që dua”, “I njoh sytë e tu”, “Ne studentët”, “A do vish sivjet në plazh”, “Ja erdha në plazh” etj. Prekëse janë letërkëmbimet mes dy të rinjve, që në fakt kishin si pengesë mentalitetin e kohës dhe kokëfortëinë e prindërve të vajzës që nuk donin kurrësesi ta fejonin me Otin. Barriera prindërore shpesh ishte bërë dhe shqetësimi i ditës për dy të rinjtë, të cilët kërkonin një rugëzgjidhje. Familjarët kujtojnë: “Ana ishte në vitin e fundit të fakultetit. Prindërtit e saj nuk kishin ndërruar mendje. Sapo ajo të mbaronte shkollën, prindërit do ta fusnin në punë atje ku banonin vetë, në qytetin e vogël. Anës i kishte mbetur veçse të zgjidhte mes prindërve dhe Otit. Ata e biseduan gjatë këtë problem dhe vendosën se më 14 korrik ata do të bënin edhe fejesën edhe martesën, pasi Ana mbaronte fakultetin e Oti mbushte plot 30 vjeç. Kjo nuk u realizua, pasi Kastrioti u shtrua në spital për t’u kuruar nga sëmundja kardiake”.

Sëmundja, largimi jashtë shtetit për operacion

Pushimet e verës së vitit 1978, kompozitori i kaloi në Sarandë te të afërmi e tij. Kur u kthye që andej nuk ndihej mirë. Mjeshtri i këngëve mendonte se ato dhembje do të kalonin si edhe shumë herë të tjera. Sumundja e zemrës kishte rreth 20 vjet që e mundonte. Të gjitha streset e mundimet profesionale ishin akumuluar dhe së bashku e keqësuan shëndetin e tij. Më 25 janar të vitit 1979, Kastriot Gjini u shtrua në spital, dhe ishte nën kujdesin e profesor Popës. Gjendja ishte tejet e rënduar. Specialistët me urgjencë u mblodhën të konsultoheshin për atë se ç´duhet të bënin me zemrën e kompozitorit të shquar. Komisioni mjekësor vendosi që ta dërgonte jashtë shtetit për kurim, por kjo duhej të miratohej edhe nga ministri i Shëndetësisë, të cilin duhet të prisje me ditë të tëra për ta takuar. Pas përpjekjeve të shumta nga familjarët, miqtë dhe të afërmit, më 25 shkurt në mëngjes Oti u dërgua për në Rinas, nga ku do të fluturonte më pas për në Itali, ku do të bënte operacion zemrën e dëmtuar. Ja se ç’shkruajnë familjarët: “Bashkë me ne për ta përcjellë erdhi edhe Ana. Kur hipi në makinë, Oti i tha me shaka se kjo ishte makina, me të cilën do të shkonim ta merrnim atë nuse. Qëndruan pranë njëri-tjetrit deri në Rinas. Momenti i përcjelljes ishte tepër emocional për të gjithë. Kur u përqafua me Anën, një pikë loti rrodhi mbi faqen e Kastriotit, të cilin Ana e fshihu me dorë. Ky ishte përqafimi i fundit. Oti iku me dy valixhe të rënda në duar dhe i mbuluar nga djersa dhe meraku”. Nën kujdesin e personelit të ambasadës shqiptare, Oti do të pritej mirë në Itali. Ish-sekretari i ambasadës sonë në Romë, Haki Keta kujton: ”Emrin e Kastriot Gjinit e kisha dëgjuar në radio, por nuk më ishte dhënë rasti ndonjëherë ta takoja. Ambasadori më urdhëroi të shkoja dhe ta takoja në hotel. Atje e gjeta duke biseduar më doktor Pavllo Milo, i cili ma prezantoi. Kastrioti ishte tip shumë interesant. Të gjitha ata që kishin ardhur si ai në spital kishin shumë kërkesa, kishte nga ato që ishin dhe të pamundura që të plotësoheshin, por kompozitori kërkonte vetëm libra. E vetmja kërkesë e tij me karakter personal ishte që ta vizitonte e më pas operonte profesori, por unë i sqarova se kjo ishte e pamundur, pasi ai do të shqetësohej vetëm për raste të veçanta, pra për udhëheqës të lartë të partisë dhe të shtetit. Megjithatë, Kastrioti më kërkoi vetëm ndërmjetësim për ta takuar. Ditën që profesori erdhi në spital me njoftoi mjeku. I shkova në zyrë dhe ju luta që të vizitonte, nëse ishte e mundur dhe një mikun tim. Ai pranoi. E shoqëronin në këtë vizitë dhe mjekët që e ndiqnin Otin. Kur ata filluan t’i shpjegonin diagnozën, Kastrioti ndërhyri dhe po e sqaronte profesorin në gjuhën angleze. Kardiologu u habit me këtë shpjegim dhe e pyeti nëse ai kishte mbaruar për mjekësi. Kompozitori i tha se nuk ishte mjek, por nevoja e kishte detyruar të ishte mjek i vetvetes. Profesori i tha asistentit se këtë pacient do ta operonte ai. Për herë të parë profesori italian i kardiologjisë merrte me dëshirën e tij për operim një pacient”. Mirëpo ndodhi ajo që nuk pritej. Kastrioti, një ditë përpara se të operohej, si rezultat i një trompoze të paparashikuar, mbylli sytë. Oti e kishte parandjerë se do të largohej. Ai ndjente dhembje që sa vinin e bëheshin më të forta. Mjeku që e ndiqte i kërkoi që të thërriste një konsultë me mjekët për të shpejtuar operacionin e zemrës. Mjeku i ishte përgjigjur se shqetësimet i kishte nga udhëtimi. Mëngjesin e 2 marsit 1979, kompozitori Gjini u mbërthye nga një atak, që ishte fatal për zemrën e tij.

Gjëmë në familje
Familjarët e mësuan lajmin e hidhur, por duhet të prisnin ende për të kryer ritet e fundit sipas traditës shqiptare. Lajmi u përhap me shpejtësi. Ishte shuar përtej detit Kastriot Gjini, kompozitori më i dashur për rininë. E përfundoi para kohe jetën e tij, e cila sapo kishte marrë një tjetër pamje. Ikja ja këputi në mes pentagramin, mbi të cilin do të hidheshin notat e sa e sa melodive të këngëve, dashurinë të cilën po e përjetonte aq bukur. Pas shtatë ditësh, me ndërhyrjen e Skënder Shehut, djalit të Mehmet Shehut, ish-kryeministër në atë kohë, erdhi në Tiranë trupi i pajetë i Kastriot Gjinit. Më në fund, Oti erdhi në shtëpi. Megjithëse kishin kaluar shtatë ditë pamja e tij ishte e freskët. Kjo ishte ndoshta dhe arsyeja që Arben Duka shkroi tekstin e këngës “Në kristal të lotit më buzëqeshi Oti”. Në muzeun e krahinës u çel një kënd për Kastriot Gjinin, ku u vendosën një fotografi, dekorata Urdhri “Naim Frashëri i Klasit të Parë” si gezatar dhe kompozitor i talentuar, libreza e anëtarësisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, një partiturë të këngës për Halim Xhelon, letër ngushëllimi i Hysni Kapos dhe një dorëshkrim i tij.
Shumë vite më pas
Brezi i sotëm i dëgjuesve të këngës kur i dëgjon perlat e Kastriot Gjinit nën interpretimin e Sherif Merdanit, këngët nuk i duken të vjetra. Ky është një fakt domethënës. Kompozitori ka më shumë se dy dekada që nuk jeton më, por këngët që ai krijoi i rezistuan kohës. Oti ngelet unikal në gjenialitetin e tij krijues, barabartë me vetveten si fenomen artistik. Në të 50 këngët e kompozuara, Gjini shfaqet origjinal në këndvështrimin e tij sa intim dhe social. Kastriot Gjini krijoi këngë të një stili krejt tjetër. Edhe pse këngët e tij nuk pranoheshin në festivale, varjetetë e Tiranës dhe anketat e përmuajshme muzikore hapnin dyert për talentin e tij të padiskutueshëm. Kompozitori për herë të parë bëri shndërrimin e tradicionales në moderne. Frymëzim për të ishte folku i zonave jugore të Shqiparisë, të cilat e shtynin drejt të resë dhe modernes në to. Ndërgjegja krijuese intuitive avancoi në mendimin e tij për të bërë muzikë moderne. Ritmet e përshpejtuara të jetës së kufizuar në kohë, me ritmet e një muzike që do të jetonte gjatë, për të sjellë te ne sot mjeshtrin, duke na dhuruar shpirtin e tij artistik intelektual, janë të papërsëritëshme.

Veprat muzikore

Disa nga këngët e tij janë:

Fqinjë e bukur
Ofelia
E bukur vjen moj pranvera
Zëri i nënave
Kabina numër 3
A do vish sivjet në plazh?
Verën e kaluar
Bashkë ndërtuam një urë
Duart e tua
Treni që s’ndalon
I njoh sytë e tu
Capkënes
Kartolina
Vajzës qe dua
Ne studentët
Përmes dritash (Interesant)
Shtegtimi
Nëpër ditët tona
Sytë e tu
Fyelli magjik
Këngë, çelik dhe dashuri
Nga llogorja s’luajmë kurrë

blank

Portreti i “Skënderbeut” nga Murat Toptani – vepra e parë e Rilindjes Kombëtare – Nga Kurt Farka

Murat Toptani, si mjeshtër me talent dhe prirje që kishte në çdo gjë, e punoi bustin e Skënderbeut në bronz, gjatë qëndrimit në Kalabri, me sa dihet i pari skulptor shqiptar, që i kushtoi një bust heroit kombëtar, ndërsa më vonë në vitin 1917, ai e gdhendi dhe një bust tjetër po për Skënderbeun, e cila  ruhet në  Galerinë e Arteve në Tiranë.

Murat Toptani ka qenë i vetmi artist tiranas, bashkëkohës me krijuesit më të hershëm shkodranë e korçarë, që përbënin dy vatrat më të rëndësishme dhe më të hershme të artit shqiptar në fund të  shekullit 19-të. Ndërkohë ai ishte i pari dhe i vetmi skulptor i njohur në ato vite për gjithë artin shqiptar. Vepra e tij e fundit, busti i Skënderbeut, e vetmja që ruhet nga gjithë krijimtaria disavjeçare, sot është e para skulpturë me të cilën fillon arti i Rilindjes në Galerinë Kombëtare.

Historia e bustit dhe aksidentimi i tij, treguar nga studiuesi Prof. Dr. Ferid Hudhri

Në dhjetor të vitit 1917, Murat Toptani u kthye përfundimisht në Tiranë. Po atë vit filloi edhe krijimin e një busti tjetër për Skënderbeun që e realizoi në baltë të pjekur. Qysh pas mbarimit në baltë të pjekur (më 1917), në ekspozimin e parë (1931), në ekspozime të tjera e deri në vendosjen përfundimtare në Galeri ky bust ka një histori të veçantë që veç hulumtimeve të studiuesit Prof. Ferid Hudhri, plotësohet edhe me kujtimet e Skulptorit të Popullit Odhise Paskalit, të shkruara posaçërisht për plotësimin e monografisë së Murat Toptanit.

blank
A0. Pikturë nga V. Halimi “Murat Toptani në studio”, vaj.

b). M. Toptani “Skëndërbeu”, bust i vitit 1917, baltë e pjekur.  Sipas një kartoline të botuar në vitin 1930.

“Ndër ato ditë mësova se busti i Skënderbeut i Murat Toptanit, që unë e njihja nga një kartolinë e botuar, ishte pronë e familjes së Said Toptanit, djalit të madh të skulptorit dhe se ajo punë ishte në argjilë të thatë. Takova Saidin dhe i fola për rëndësinë e ekspozitës, duke theksuar se prania e bustit të Skënderbeut të Murat Toptanit do të ishte një ngjarje e shënuar për kulturën tonë. Saidi pranoi të ma dorëzojë veprën.”

Kështu kujton prof. Hudhri. Ndërsa për publikun shqiptar, busti i Toptanit bashkë me një portret të N. Martinit u vendosën në krye të sallës, të pajisur me nga një shirit të zi, për të nderuar kujtimin e të dy artistëve të vdekur. Në atë ekspozim të parë, busti pësoi edhe dëmtimin e parë. Salla e ekspozitës ishte vazhdimisht e mbushur plot dhe njerëzit mezi lëviznin përpara punimeve. Ditën e tretë, nga pakujdesia e disa vizitorëve, busti i vogël i Skënderbeut u lëkund e ra për tokë, anash bazamentit.

Sapo e mësova këtë – kujton Paskali,- vrapova me hidhërim të madh, nxora shaminë dhe i mblodha të gjitha pjesët e thyera, që nuk ishin pak, por dhjetëra copëra të vogla. Lajmërova së pari djalin e Muratit, që ma kish dorëzuar në besim dhe e sigurova se do ta restauroja bustin dhe do ta derdhja në bronz që mos të prishej më kurrë.”

Odhise Paskali ringjall veprën e dëmtuar

Po atë vit, Paskali shkoi në Torino dhe një nga kujdesjet e tij të para, ka qenë restaurimi i bustit të vogël të Skënderbeut, krijuar nga Toptani. Punoi mbi modelin e vogël duke përdorur thjerrëz zmadhuese mbi kartolinën, që ishte botuar sipas origjinali të Toptanit dhe copave të argjilit, që kish marrë me vete. Derdhi në bronz dy ekzemplarë dhe i shënoi me numrat romakë I dhe II. Në dhjetor të po atij viti, Paskali u kthye në Tiranë, me të dy bustet e vogla të Skënderbeut prej bronzi. Historiku i këtij busti, sipas Paskalit, vazhdon si më poshtë: “Ekzemplarin nr. I ia dorëzova Bibliotekës dhe Muzeumit Kombëtar për selinë e institucionit (ish ndërtesa e Monumenteve të Kulturës) dhe ai u vendos në një vitrinë ku ishin objektet arkeologjike. Ekzemplarin II ia dhurova djalit të skulptorit ta ruante në familje në vend të origjinalit prej balte të thatë që u thye. Pasi u vendos në “Ekspozitën e parë Kombëtare” (Tiranë, 1931)  Skënderbeu i Toptanit është paraqitur edhe në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit dhe të Teknikës, të hapur në Paris, në tetor të vitit 1937. Busti u ekspozua në vendin qendror të pavijonit shqiptar, siç duket edhe për rëndësinë e figurës që përfaqësonte. Shumë vite më vonë, – kujton prof. Hidri, – më 1958, kur isha drejtor i Galerisë së Arteve, më takoi të vete një ditë në Muzeun Etnografik, për të kërkuar një dorëshkrim mbi mjekësinë popullore kur, rastësisht, më zuri syri, brenda në një raft, bustin e vogël prej bronzi të Skënderbeut, të mbyllur atje pa qëllim.

Drejtori i muzeut pati shkathtësinë të ma japë bustin aty për aty, pa asnjë formalitet, gjë që shtoi gëzimin tim dhe unë e vendosa në galerinë tonë, i qetësuar më së fundi se angazhimi im shumëvjeçar u plotësua. Më 1967, me rastin e vitit jubilar të 500-vjetorit të Skënderbeut, muzeu i Krujës siguroi një bust të vogël prej bronzi të Skënderbeut. Ishte ekzemplari II i bustit të Murad Toptanit, që unë i kisha dhënë më 1931 familjes së djalit të skulptorit.

Kur Toptani krijonte Skënderbeun nën frymën e Rilindjes Italiane

Në korrik të vitit 1898, Toptani u vendos në Brindisi, midis arbëreshëve dhe shqiptarëve që luftonin për çështjen kombëtare. Pasioni për artin dhe sidomos dëshira për të nxjerrë një vepër dinjitoze për figurën e Skënderbeut, që ishte shndërruar në simbol të bashkimit të shqiptarëve, e nxitën Muratin që punën e lënë përgjysmë në Tiranë ta përfundonte në Itali. Mblodhi baltë dhe filloi nga puna. Veç përvojës së deritanishme, nga udhëtimi në Itali, ai ishte pasuruar edhe nga përvoja e mjeshtërve italianë, statujat e të cilëve i vëzhgoi në muzetë dhe sheshet e qyteteve.

blank
Bust i Skëndërbeut bërë nga Murat Toptani në vitin 1889.

Ky ndikim ndjehet edhe në veprën e re të Toptanit. Sapo e përfundoi bustin e Skënderbeut, i dërgoi një letër Visar Dodanit në Bukuresht dhe i shpjegon gjatë për krijimin e tij, për mundësinë e riprodhimit në disa kopje, për ti shpërndarë midis shqiptarëve dhe hollësira të tjera. “Këtë bust e kam ba pas një tabloje të Marqer Aulettës e Dora dIstrias e Konfortit. Ishin tri si njëra edhe tjetra. Tabloja e kish pothuaj plak, unë e bëra më të ri, e mvesha me hekur, sikur shikon armikun me sy të egërsuar”. Letra e mësipërme, përveç të tjerave, na jep edhe njoftimin se, në atë kohë, edhe tre autorë të tjerë kishin realizuar figurën e Skënderbeut në art, nga të cilët njohim më mirë Dora d’Istrian. Për Konfortin (Girando Conforti), V. Dodani në librin e tij shkruan se është një arbëresh i Italisë, një njeri me kulturë të gjerë, që punoi për çështjen kombëtare. Banonte në koloninë e shqiptarëve në Napoli.

Për skulpturën e Toptanit botoi njoftim të veçantë edhe gazeta “La nuova Albania” e datës 6 mars 1899 nën titullin “Il busto di Scanderbeg”. Njoftimi i kësaj gazete është i rëndësishëm jo vetëm se është një dokument tjetër që dëshmon për datën e krijimit të bustit, por edhe për faktin se, nga kërkimet e deritanishme, ky është i pari shkrim në gazetat e shekullit 18-të që komenton një vepër arti të realizuar nga artistë shqiptarë.

Pasi tregohet se Toptani e ka skalitur në mermer figurën e Skënderbeut, në gazetë bëhen edhe komente rreth realizimit të veprës dhe vlerave të saj. “Është një Skënderbej po jo prej atyre që kemi parë nëpër telajot, ku paraqitet mjaft i moshuar. Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, këtu na jepet në kulmin e moshës së pjekur, me përkrenare në kokë dhe me vështrim të ëmbël e krenar në të njëjtën kohë. Dhe ne, duke marrë parasysh sakrifica jo të vogla, e pasi kemi kaluar mjaft prej tyre, mund tju ofrojmë kopje në terakotë, shumë të ngjashme me origjinalin, e me një vlerë aspak të kushtueshme. Do të bëhen edhe kopje të bustit në madhësi natyrale… Për këtë jemi të sigurt se asnjë shqiptar, asnjë bashki e vendbanimeve shqiptare në Itali, nuk do të donte ta linte ti kalojë ky rast për të mundur tu tregojë të gjithëve që e admirojnë fytyrën e tij që me të drejtë pesëqind historianë dhe biografë e shënojnë ndër prijësit më të shkëlqyer të ushtrive, e që ishte mburojë e vetme kundër pushtimeve të gjysmëhënës, së cilës i rezistoi heroikisht për shumë vjet, pa pësuar asnjë humbje… prandaj dëshirojmë ta shohim të ngritur lart figurën e heroit tonë, mbi kolona e baza graniti, mbi altare…”.

blank

Libri i Dr.Elida Dakolit kushtuar Maestro Peçit – Aleksander Peçi: Albanian Music Before and After the Iron Curtain

Aleksander Peçi: Albanian Music Before and After the Iron Curtain

voal.ch – “Në fund të Luftës së Dytë Botërore, simpatitë komuniste e kthyen Shqipërinë nga traditat e saj kushtetuese në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Enver Hoxha, udhëheqësi i Partisë së Punës së Shqipërisë, shërbeu si kryetar shteti nga 1944 deri në vdekjen e tij në 1985.

Nën Hoxhën dhe pasardhësin e tij si diktator Ramiz Alia, Shqipëria mbeti e vendosur në bllokun komunist dhe ata që jetonin në Shqipëri vuajtën pa masë.

Liritë themelore u zhveshën, shprehja artistike u standardizua dhe shteti vendosi rregulla të ashpra për të krijuar varësi sistematike nga kjo qeveri autoritare.

Libri Aleksander Peçi: Muzika Shqiptare Para dhe Pas Perdes së Hekurt ‘shpalos një periudhë kritike të historisë së muzikës shqiptare.

Nën peshën e Komunizmit, artistët shqiptarë përdorën talentin e tyre për të inkurajuar dhe fuqizuar bashkëqytetarët e tyre.

Aleksander Peçi, një nga kompozitorët më të njohur shqiptarë, krijoi një precedent për lirinë artistike përmes kompozimeve të tij muzikore inovative.

Kthesa personale e Peçi-t për iso-polifoninë shqiptare, strukturën krijuese Carousel dhe provokimin e teknikës Kabaoisos krijuan një ndjenjë të imagjinatës së sapo gjetur tek muzikantët dhe dëgjuesit shqiptarë.”

Këto pak fjalë janë shkëputur nga libri i Dr.Elida Dakolit i botuar në Washington dhe Londër, kushtuar Maestro Peçit.  Autorja Elida Dakoli me këtë libër ka mbrojtur doktoraturen ne Taxas University.

Dr.Elida Dakoli, Muzikantja e njohur shqiptaro-amerikane, jep kontributin e saj jo vetëm si Artiste, por ajo jep ndihmesën e saj në përpjekjet për zbardhjen e krimeve të diktaturës komuniste shqiptare.

Në mars të këtij viti  Dhoma e Përfaqësuesve të Teksasit mbajti një seancë dëgjimore mbi legjislacionin për të vendosur 7 nëntorin “Ditën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit”. Kështu, shteti Texas do të bashkohet me 12 shtete të tjera në njohjen e Ditës së VOC ( Victims of Communism – Viktimat e Komunizmit) si dëshmi për ata që kanë humbur jetën dhe kanë vuajtur nën regjimet komuniste.

VOC u nderua nga prania e Anëtares të Këshillit Këshillimor Dr. Elida Dakoli e cila dëshmoi përpara Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit përvojën e familjes së saj nën regjimin komunist në Shqipëri.

«Kur ​​gjyshi im nuk pranoi t’ia dorëzonte pasurinë partisë komuniste, ai u burgos, shtëpitë e tij u shkatërruan dhe gjyshja ime dhe katër fëmijët e saj të vegjël të moshës 1-12 vjeç – përfshirë babanë tim – u hodhën në rrugë pa asgjë . Vëllai i saj e mori me guxim gjyshen time dhe fëmijët në shtëpinë e tij, por gjyshi im u vra në burg. Ne ende nuk e dimë se ku është varri i tij. Përndjekja e anëtarëve të familjes sime vazhdoi për katër breza. ”

 

blank blankblank

 

blank

Edicioni i 10-të i Bienales “Netët e Muzikës Klasike” Nga Gëzim KABASHI

 

 

Violinisti Florian Vlashi ka përfunduar stinën koncertore të këtij sezoni në Spanjë, ndërsa përgatitet të fillojë edicionin e radhës së Bienales muzikore, që ai organizon çdo dy vjet në Durrës.

Artisti shqiptar tregon disa nga të veçantat e veprimtarisë që ka nisur në vitin 2003 në qytetin e tij të lindjes, duke nënvizuar mungesën e madhe të këtij viti, atë të babait të tij.

Floriani është “bir arti”, djali i dytë i Gjergj Vlashit, një nga personalitetet e rëndësishëm të regjisurës, përkthimit dhe letërsisë  në vendin tonë.

Violinisti durrsak, që punon dhe jeton prej afro tre dekadash në Coruna, krahas punës si instrumentist në Orkestrën Sinfonike të Galicisë OSG, është bërë mjaft i njohur si themelues dhe drejtues i grupit muzikor “Siglo XX”, ndërsa nuk ka reshtur së interpretuari në koncerte, jo vetëm në Spanjë.

Florian Vlashi mbetet gjithashtu një nga dirigjentët dhe solistët që ka prezantuar nëpër botë veprat e më shumë se 20 kompozitorëve shqiptarë.

Koncertet e fundit në gadishullin Iberik, por edhe edicioni i 10-të i Bienales “Netët e Muzikës Klasike” NMK që do të zhvillohen në Durrës në fillim të muajit gusht, kanë një kuptim të veçantë për artistin 58-vjeçar.

Së bashku me kolegët Enrique Iglesias, violinë, Raymond Arteaga, violë

dhe Raúl Mirás, violonëel, solisti shqiptar interpretoi në Ciudad de Cultura de Galicia Vepra nga Carlos López Garcia Picos, Octavio Vazquez, Paulino Pereiro dhe Juan Durán.

Ana Isabel Vazquez Reboredo, Drejtoresha e Përgjithshme e Fundación Cidade da Cultura de Galicia duke komentuar koncertin shkruajti se “…ishte një interpretim i mrekullueshëm i krijimeve të artistëve bashkëkohorë galicianë. Muzika përmbyti tërësisht muzeun dhe koha kaloi pa kuptuar, ndërsa fluturonim të mbështjellë me tingujt e harqeve të Florianit, Enrique, Raymond dhe Raúl. Një moment magjik.” – shkroi znj Rebodero, ndërsa 10 media i bënë jehonë koncertit të mbështetur në krijimet e autorëve nga Galicia.

Florian Vlashi pas koncertit tha: “Një ëndërr e hershme e imja të luaja në zemër të Qytetit të Kulturës të Galicisë. Kisha kohë që e prisnja një ftesë të tillë dhe, kur erdhi, u ndjeva i lumtur jo vetëm si muzikant apo si shqiptar, por edhe për një arsye tjetër. Kur e vizitova para disa vitesh me tim atë më kujtohet që më tha se me siguri edhe ti do të luash këtu një ditë”

“ 8 ” (Galicia në 8 tela) e emërtoi Floriani koncertin e fundqershorit në Pontevedra, ku bashkë me violonçelisten Ruslana Prokopenko, paraqitën veprat e autorëve Federico Mosquera, Eugenia Osterberger, Juan Durán, Ëladimir Rosinskij dhe Octavio Vazquez.

“Koncert i jashtëzakonshëm dje nga keto dy artistë të mëdhenj. Publiku degjoi me kujdes, në heshtje, thuajse i hipnotizuar.  Ishte një eksperiencë mahnitëse – shkruajti më pas José Rafael Alfaya, Presidenti i Ciklit të koncerteve, Barcia de Mera.

Florian Vlashi për Bienalen 2021 Durrës, Edicioni jubilar:

 -Cfarë ka ndryshuar me Bienalen nga edicioni i vitit 2003?

Florian Vlashi: Në edicionin e parë të Bienales 2003 koncertet u zhvilluan në tre vënde: në Muzeun Arkeologjik, në Teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe në fabrikën e braktisur të Nerofumos në Shkozet. Gjatë viteve janë shtuar koncerte, janë përfshirë vende të tjera koncertesh – që nga Amfiteatri e deri tek spitalet, jetimore dhe burgje –  dhe, që nga viti 2007 zhvillojmë konkursin e Talenteve të Rinj.

Kanë kaluar 18 vite dhe ato tre Netët e para, me muzikë ndërmjet antikitetit, fjalës dhe pikturës, kanë qenë korrespondenca sekrete e gjithë koncerteve tona deri tani. Ky fuzion i arteve është firma e fshehtë e Bienales.

Titulli i Bienales se X është “Në kopshtet sekrete të Muzikës dhe Pikturës”.

Në këtë edicion ka një ndryshim thelbësor: është nje mungesë…

Për herë të parë që nga krijimi i Bienales, madje që nga koncerti im i parë në Durrës, në sallë do mungojë im atë. Vendi i tij në llozhën e majtë të teatrit, aty ku ndoqi koncertin e fundit pak ditë para se të ndahej nga ne, do të jetë bosh, Por ai në një formë tjetër, do të jetë i prenishëm në festival më shumë se kurrë, që nga Stabat Mater e Pergolesi-t, në kuartetet e fundit të Beethoven-it, në muzikën spanjolle për violinë e deri tek Suitat e Bach-ut per violonëel solo. Të gjitha këto vepra do të vibrojnë në sallën e teatrit që ai krijoi dhe i dedikoi jetën. Dhe muret e teatrit kanë memorie.

-Një artist që heq dorë nga pushimet dhe çdo dy vjet ia kushton ato kulturës së Durrësit, a ka një thirrje për vendlindjen?

Florian Vlashi: Sigurisht që ka një thirrje, një thirrje të fortë, të përhershme, të padukshme. Të paspjegueshme. Thirrja e vendlindjes është si dashuria, nëse e din arsyen pse dashuron atëhere nuk është dashuri. Unë e dua Durrësin edhe nëse kjo dashuri mund të më bëjë dëm, siç thotë Quevedo.

Por, duke mos dashur të bie në sentimentalizëm banal, po ju them se artistët janë njerëz shumë të ndjeshëm dhe është detyrim i politikës së një vendi që thirrja e vendlindjes mos të kthehet si “kënga e sirenave” tek Odisea.

blank blank blank

 

blank

Restaurohen tunelet nëntokësore të gladiatorëve

Tunelet nëntokësore, ku gladiatorët dhe kafshët e egra qëndronin para se të nxirreshin në dyluftime në arenën e Koloseumit në Romë, tashmë janë të aksesueshme si kurrë më parë, falë një restaurimi të financuar nga gjiganti i këpucëve ”Tod’s”.

“Ka qenë një punë shumë komplekse”, tha mbikëqyrësja e parkut arkeologjik Alfonsina Russo duke folur për restaurimin.

Në këtë restaurim morën pjesë mbi 80 specialistë, përfshirë arkitektë, restaurues, gjeologë, fizikanë, topografë, inxhinierët dhe punëtorë.

“Kjo pamje e re befasuese e hipogjeumit është dëshmi e gjithë asaj që është zhvilluar nën arenën e madhe të Amfiteatrit nga përurimi i saj në vitin 80 pas Krishtit deri në spektaklin e fundit, në vitin 523 Pas Krishtit, është një monument brenda monumentit, tani i vizitueshëm në një pasarelë gjarpëronjëse prej 160 metrash.

blank

SHBA, shitet piktura e Picassos që mbahej në sirtar prej 50 vitesh

Një pikturë e piktorit spanjoll Pablo Picasso është shitur pasi mbahej në sirtar prej 50 vitesh në një shtëpi në Maine të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave lokale, galeria me bazë në Massachusetts “John McInnis Auctioneers” konfirmoi se piktura “Le Tricorne” ishte shitur të shtunën.

Piktura, me përmasa 40 x 40 centimetra, ka nënshkrimin e datës 1919. Shoqata Historike e New Yorkut beson se piktura i përket artistit Picasso për shkak të ngjashmërisë së saj me perden e skenës që ai përgatiti për baletin me të njëjtin emër, të interpretuar në Londër.

Uebfaqja “liveauctioneers.com”, një nga platformat e ankandit në internet, njoftoi se piktura është shitur për 150 mijë dollarë. Përveç kësaj, blerësi pagoi 24 për qind të çmimit të pikturës. Platforma e cila nuk përmendi emrin e blerësit dhe shitësit, lëshoi ​​një deklaratë ku thuhet se piktura u gjet në sirtarin e shtëpisë.

“Kjo pikturë u gjet në një shtëpi në pronësi të hallës time të madhe. Disa piktura, përfshirë këtë, të cilat u mbajtën në një sirtar për 50 vjet, iu lanë fillimisht babait tim dhe pastaj mua”.

Blerësi do të ketë të paktën 120 ditë kohë për të verifikuar pikturën me “The Claude Picasso Administration” drejtuar nga djali i Picasso-s.

blank

Imazhi i luanit me mizën mbi sy shpallet fotoja më e mirë e vitit në Afrikë, ja e veçanta e saj (FOTOT)

Kjo foto e mahnitshme e një luani që ulëret teksa miza i ndalon mbi beben e syrit, ka fituar kompeticionin Fotografia Gjeografike e Afrikës 2021.
Imazhi u zgjodh mes 25,023 fotografive konkurruese që kishin si qëllim të sillnin një këndvështrim të ri të kontinentit më magjepsës.

Në vlerësimin e tij gjykatësi tha: “Me një kërcitje të aparatit, ky imazh arriti të plotësojë kaq shumë kritere të fotos së shkëlqyeshme. perfeksioni teknik, koha e kapjes dhe pritshmëria sjellin këtë sjellje të parashikuar”.

Të tjerë finalistë morën gjithashtu vlerësime të larta
Kryeredaktori i kompeticionit James Hendry sthaaid: “Pritja e fotove tuaja pjesëmarrësve ishte një gëzim i veçantë, pasi ato sillnin këndvështrime të pabesueshme të Afrikës. Me imazhet tuaja keni treguar një histori, keni nxitur emocione dhe keni kapur esencën e Afrikës”.

“Por ne jemi njerëzorë dhe gjykimi nuk mund të jetë tërësisht objektiv, asgjë nuk i ndalon fotot tuaja të shkëlqejnë në kompeticione të tjera”.
Në galerinë e mëposhtme shihen imazhet më të spikatura, dhe përshkrimet e tyre nga autorët. bw

blank

blank

blank

Ishte shpallur e humbur prej vitesh, gjendet në një galeri në Athinë piktura e Pikasos, arrestohet një person

Një pikturë e realizuar nga Pablo Pikaso, e që u vodh nëntë vite më parë në një galeri të arteve të bukura, është gjetur në një muze në Greqi.

Policia thotë se piktura e Pikasos, ku në fokus ka qenë figura e gruas, është gjetur së bashku me një pikturë e një mulliri me erë, që daton nga viti 1095 dhe mban firmën e artistit holandez Piet Mondarin.

Të dyja këto vepra, kanë qëndruar prej vitesh në Galerinë Kombëtare të Athinës. Për këtë ngjarje është arrestuar një person grek, ndërsa identiteti i tij nuk bëhet i ditur.

Piktura e realizuar nga piktori i njohur Pikaso, shfaq portretin e një gruaje, e veshur me stilin e grave kubaneze.

Autoritetet ndërkombëtare kishin njoftuar ato greke, mbi dyshimin se piktura ndodhej brenda territorit të tyre, por një pretendim i tillë është mohuar nga pala greke.

Pritet që autoritetet të mbajnë gjatë ditës së sotme një konferencë shtypi dhe të tregojnë gjetjen e pikturës së njohur.

blank

(Video) Vepra më e madhe monumentale në Europë e Artistit shqiptar Alfred Mirashi Milotit

 

Do të jetë vepra më e madhe monumentale në Evropë dhe do të mbajë firmën e një Artisti shqiptar.

Atë të Alfred Mirashi Milot, i cili jeton prej kohësh në Itali me një aktivitet artistik shumë të suksesshëm.

Kjo vepër arti e dimensioneve madhështore do të ngrihet në daljen e autostradës Avellino Ovest.

Ajo simbolizon mikëpritjen dhe integrimin.

Edhe jeta e vetë Artistit i ngjan veprës së tij. Ai hyri në Irpinia si refugjat dhe sot është qytetar i këtij vendi.

 “Çelësi i Monteverginës” kështu quhet vepra e Milotit që ngadalë po montohet.

Projekti është financuar nga Provincia e Avellinos me 120 komuna, me inisiativën e presidentit të saj Domenico Biancardi, që e shihni në foto me Milotin,

me maska ku është stamposur simboli i projektit dhe amri i autorit.

Një sukses i madh i Artistit shqiptar.

Do t’ju mbajmë në korrent deri në finalizimin e saj, duke i uruar suksese Artistit që është edhe bashkëpunëtor i rregullt i voal.ch.

 

 

 

blank


Send this to a friend