VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

ERIKA DEMIRAJ, TRAGJEDIA DHE KUJTESA – Nga DALIP GRECA*

By | May 10, 2019

Komentet

Fytyra e emigrantit shqiptar në muralin gjigand në New York

Fytyra e një mërgimtari shqiptar të fiksuar në një nga fotografitë historike nga Ishulli “i Emigrantëve” Ellis (Ellis Island), në New York është bërë pjesë e një nga muraleve më të mëdhenj të qytetit.

 

Murali në fjalë paraqet pesë portrete emigrantësh dhe ka si autor artistin e famshëm të grafiteve të rrugës, brazilianin Eduardo Kobra.

Është pjesë e një serie prej 18 pikturimesh shumëngjyrëshe masive që, si raporton gazeta shqiptaro-amerikane, me qendër në New York, “Illyria”, artisti Kobra ka bërë vitin e kaluar anembanë në New York City.

Mes tyre ai që bie më shumë në sy është pikërisht projekti që përfshin edhe portretet e pesë emigrantëve dhe titullohet: “Murali Më i Madh në New York City”. Mesazhi i tij është theksimi i natyrës së këtij vendi, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si atdhe i emigrantëve. Për kureshtarët, që duan ta vizitojnë, ai shpaloset në muret e një prej shkollave të mësme më të famshme njujorkeze, “Qyteti si Shkollë” (City-As-School), që ndodhet në West Village, në Manhattan. (Adresa e saktë: 16 Clarkson Street ndërmjet Hudson Street and Seventh Avenue South).

Projekti përfshin edhe punë të artistëve të tjerë si dhe të nxënësve të shkollës.
Pesë emigrantët e portretizuar janë përzgjedhur mes mijërave që kaluan 100 vjet më parë në Ishullin Ellis, që shërbente deri në fillim të shekullit XX si stacion inspektimi, për emigrantët që mbërrinin nga deti. (Ruben Avxhiu/ ILLYRIA)

NJE ORE E HUMBUR – Duke ndjekur pjesën teatrale “Ndërkombëtarët” të dramaturgut Jeton Neziraj Nga Rafaela Prifti

 

Pjesa teatrale “Ndërkombëtarët” e dramaturgut Jeton Neziraj u shfaq në Nju Jork nga datat 20 deri në 22 maj në TheaterLab.

Shfaqja është pjesë e Festivalit Multimedial Between the Seas, krijuar nga regjisorja Atkina Stathiki dhe inxhinieri i zërit, Jerome Simeon, për të ‘kapërcyer’ distancën midis Mesdheut dhe Nju Jorkut.

Meqë ky vit shënon tridhjet vjetorin e rënies së murit të Berlinit, fokusi i festivalit përqendrohet tek Ballkani, thonë krijuesit dhe drejtoresha artistike Orietta Crispino.

Ky projekt, i vetëquajtur platformë e pavarur, ju jep hapësirë artistëve bashkëkohorë nga Mesdheu dhe fton hapjen e dialogut për rajonin, duke na dhënë një formë teatri të angazhuar që në fund nuk është as art dhe madje as orë edukative.

Shkruar nga Jeton Neziraj “Ndërkombëtarët” është përkthyer nga Alexandra Channer, ndonëse është e vështirë të mendohet se mund të jetë shkruar në shqip ngaqë i gjithë konstrukti është i huaj dhe artificial.

Premiera e shfaqjes është dhënë në Prishtinë në vitin 2016.

Pjesa është e konceptuar si përmbledhje me skeçe estrade dhe etyde kombinuar me klipe televizive që lidhen me njëri-tjetrin vetëm nga personazhet si Karla Del Ponte, Bill Klinton, Nënë Tereza, Madelen Albright dhe civilë anonim ndërkombëtarë e vendorë.

Në fletushkën e programit shënimi i regjisores shtron pyetjen se përse është vënë në skenë një shfaqje për një luftë të ndodhur kaq larg dhe përpara njëzet vjetëve. Përgjigjia e saj është se në botë nuk ka ndryshuar asgjë në pozitat midis të fuqishme dhe të pafuqishmëve, drejtësisë e padrejtësisë.

Kjo premisë fallco shërben si kontekst ku ngrihet pjesa gjatë së cilës për një orë të tërë parakalojnë momente e ngjarje të vërteta (sipas autorëve), si dhe takime imagjinare nga lufta dhe forma satire “për të ekspozuar hipokrizinë e atyre që përfituan nga lufta dhe për të nderuar viktimat e panumërta.”

Në asnjërën pikë shfaqja nuk arrin të ketë sukses. Spektatorit i krijohet përshtypja se diku mund apo duhet të qesh (psh me emërtimet për Nënë Terezën) apo mbase të thellohet (psh për trafikimin e organeve – subjekt i disa skeçeve), por edhe aty asgjë nuk ndodh.

Regjisorja Atkina Stathiki pyet spektatorët se çfarë mendojnë për këtë apo atë personazh gjatë shfaqjes dhe madje edhe falenderon spektatorët që nuk janë larguar (duhet të jetë diçka e pritshme në këtë lloj teatri jokonvencional). Sidoqoftë, shfaqja “Ndërkombëtarët” e dramaturgut prodhimtar Jeton Neziraj ishte humbje kohe dhe përjetohet si e tillë në Prishtinë, Nju Jork dhe kudo ku do shkoj trupa teatrale.

Autori vetë nuk ishte i pranishëm. Mbrëmë, në shfaqjen e fundit në Nju Jork, tre aktoret dhe grupi realizues barazoheshin me numrin e spektatorëve të ulur në sallë.

 

Fotografia e Maud Dinand

Kërkohet rënia e dytë e një klase të vjetër politike Nga Agustin M Mirakaj

Të gjithë shqiptarët mendojnë, se diçka nuk shkonë në Shqipëri.

Tani më. Ka ardh koha e zgjimit.

Shatë dekada e gjysëm e mbani peng Shqipërinë dhe integrimin e saj në Perëndimin.

Gjëndja e sotme është kthyer në një agoni dhe agresion. Ndaj sovranit “Rrezik”. Të gjithë shqiptaret duhen të shohin realitetin, atë që i mungon ndër vite.

Shqiptarët duan të ikin nga sytë këmbët.

Në media dëgjohet, shikohet; Ka ndërhyrhrje të huaja…RUSËT etje etje.

Kjo të sjell në mëndje vitet e kohës së zezë kur propoganda e tmerrit pasqyronte “SI SOT”.

Se agresori imperialist do shkaterronte Shqipërin dmth jeni “Paranojak total”.

Ja pra, ku ka mbërritë Qeveria Shqiptare të bëjë akuza dhe agresion politik ndaj opozites.

Me format nga më të ndryshme, fjalor banal pa kufi, si një egërsirë pa shpirt duke i treguar thëmbët dhe forcën Shqiptarëve.

Madje dhe pa t’u dridh qerpiku zotria juaj në parlament shpreh dhe zhdukjen e opozites, se i kanë ditët e numerura “I gjorë dhe pa mënd”.

Ju, bashkpuntoret nder vite dhe bijet e Rusisë leshoni akuza ndaj Partisë Demokratike.

Harruat, baballarët tuaj që mbaruan dhe u trajnuan në Rusi vite të tëra e tani trashigimnia kalon tek JU.

Akuzatorë të denjë të partisë gjithmonë në pusht, si i thonë nje llafi (ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron) të lidhur ngush si mishi me thorin.

DËSHTIM për ju Rilindas.

Sot ti vërsulesh si një Lubi ndaj medias së lirë, opozitës, fëmijve dhe grave. Ndaj gjakut tënd “SHQIPTAR”

Po neser ç’pritet?

Fjalimet e tua, njerzit që të rrethojnë janë të varfër shumë te varfër ne zemër. Si vet zotria juaj.

Paraqitja jote figurative prej kolosi tregonë shumë në ekrane si më thënë shoku enver hoxha.

Pale, besim të madh në fjalët e tua…ama kur flet i merrë era.

Ti je i vetdijshëm. Se Shqiptarët vuajnë dhe nuk janë të lirë si qënie njerzore.

Shqiptarët sot janë si ato zoqtë që shtegëtoin pa ditur se ku shkoin. Shpresa nuk është Shqipëria… PO PO ME SE E VËRTETË kjo ndodh se akoma në Shqipëri ka SUNDUES.!

Kjo i bënë pra Shqiptarët që të largohen. Arsyja, sepse në Shqipëri nuk ka liri, mundësi apo shpresë, s’ka çfarë te shtosh më.

Kujtes!

Shqiptarët nuk janë skllevër ose mjete pune. Shqiptarët janë te lirë si gjithëçka jeta.

Tik-tak tik-tak tik-tak ora ecën përpara dhe koha po ngadalsohet. Pushteti i krimit është në agoni totale sikurse je dhe ti vetë.

Jepi mundësi Shqiptarve. Në të kundërt Shqiptarët humbin besimin në Perëndim. Shqipëria nuk dhe s’do ketë kurrë shancë me t’i afrohet Lindjes.

Shqiptarët duan Zhgjedhje, jepu atë që meriton SOVRANI. Fitimtari do tregojë qartë se ku dhe nga do anojë Shqiperia.

Demokracia do lulezoi gjithmonë dhe liria do jetë e përjetë.

Agustin M Mirakaj

Uashington, përkujtohet revolta në burgun e Spaçit dhe Qafë Barit (video)

Në prag të 35 vjetorit të revoltës në burgun e Qafë Barit më 22 maj 1984, ku të burgosurit politikë u ngritën kundër sistemit komunist, për herë të dytë pas kryengritjes në burgun e Spaçit më 21 Maj 1973, organizata Vatra dhe aktivistë Shqiptaro-amerikanët kundër komunizmit përkujtuan revoltat e këtyre dy ish burgjeve famëkeqe përmes një ceremonie të organizuar pranë memorialit për viktimat e komunizmit në Uashington. Pjesëmarrësit kërkuan më shumë vëmendje ndaj krimeve të komunizmit dhe bënë thirrje për ndëshkimin e tyre. Kolegia Rudina Dervishi ka përgatitur kronikën.

Bashkëvuajtësit e burgut të Spaçit dhe Qafë Barit, zgjodhën përmendoren kushtuar viktimave të komunizmit në Uashington për të kujtuar revotën e 21 maj të vitit 1973 në Spaç dhe atë të 22 majit të vitit 1984 në Qafë Bari që shihen si dy nga lëvizjet më të njohura kundër regjimit komunist.

“Gjordeni e kishte mbiemrin. Kos Gjordeni. Ata e qëlluan që aty… Ai filloi bërtiti dhe atëherë u revoltuan të burgosurit që ishin në mencë. Hapën derën me forcë. U përleshën me policinë e cila iku nga kampi”.

Naim Staravecka ka qënë i burgosur në Spaç nga viti 1979 deri në vitin 1983 për t’u transferuar më pas në burgun e Qafë Barit. Ai mban mbi supe shumë vuajtje dhe ka qënë dëshmitar i asaj revolte.

“Me thënë të drejtën unë sjell në kujtesë ata djem aq të rinj, dhe aq të mirë sa ishin që i pushkatuan dhe u sollën me ta mizorisht. Një tmerr i vërtetë dhe mbas revoltën aty në kamp bëhej barbari e vërtetë. Nuk e di në janë trajtuar kështu izraelitët në kohën e gjermanëve”.

“Nuk kemi shumë raste si ky”, thotë Lek Mirakaj, ku njerëzit të mbyllur brenda telave nën kamzhikun e policit, të ngrihen për të kërkuar liri dhe demokraci. Zoti Mirakaj kërkon më shumë vëmendje ndaj ngjarjeve të tilla që e nderojnë kombin shqiptar dhe flasin për shembullin e luftës për demokraci.

“Ne sot këtu erdhëm për t’i dhënë një mesazh si opozitës ashtu edhe ekzekutivit. Ata mund të bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë, por brezat që do të vijnë janë të interesuar, pavarësisht të bijtë e kujt do të jenë. Do të kenë nevojë me mësu të vërtetën, ashtu siç po ndodh në tërë botën”.

Pëllumb Lamaj, organizatori kryesor i kësaj ceremonie i bën apel klasës politike dhe institucioneve shqiptare t’i kushtojnë më shumë vëmendje të kaluarës dhe të dënojnë krimet e komunizmit.

“Unë do t’i bëjë thirrje institucioneve shqiptare, atyre që merren me historinë, me kulturën, ti kushtojnë më shumë vëmendje të kaluarës. Është një periudhë 50 vjeçare, një periudhë që mbolli vetëm terror, mbolli vrasje, i ndau shqiptarët me luftën e klasave … dhe shqiptarët nuk mund të ecin përpara pa hequr nga supet këtë turp dhe krim historik do të thosha unë”.

Gati tre dekada pas rrëzimit të regjimit komunist, krimet e kryera gjatë asaj periudhe vazhdojnë të mos u kushtohet vëmendja dhe kujtesa që meritojnë.

Kongresi nderon familjen e Harry Bajraktarit

Burim Goxhuli

Një flamur që valoi një ditë mbi kupolën e Kongresit amerikan, iu dhurua veprimtarit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari.

Kjo ishte pjesë e ceremonisë ku u nderua familja e zotit Bajraktari me një deklaratë që do të ruhet në regjistrin e Kongresit amerikan, aty ku mbahen gjithë dokumentet për debatet dhe vendimet e Kongresit.

Nderimi u bë me nismën e Kryetarit të Komisionit për Çështjet e Jashtme, ligjvënësit, Eliot Engel, me rastin e 50 vjetorit të ardhjes dhe kontributit të tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Harry Bajraktari

Historia e kësaj familjeje, është një histori suksesi e ëndrrës amerikane.

Ishte shkurti i vitit 1969 kur familja Bajraktari la Vranocin, fshat ky në rrethinën e Pejës.

Kur ikën nga Kosova, dekada më parë, gjendja e tyre ekonomike ishte e rëndë.

Por, vendimi për të emigruar për në Amerikë, doli të jetë vendim i duhur për ta. Kjo sepse vite pas, gjendja ekonomike u ka ndryshuar tërësisht.

“Kur e shikon familjen Bajraktari krejt çfarë mund të thuash është Zoti e bekoftë Amerikën. Prandaj jam mbështetës i emigrantëve, që vijnë në SHBA, sepse ata ndërtojnë vendin. Harry Bajraktari është imazhi i rëndësisë së emigrantëve dhe kontributit që ata japin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha në fjalimin e tij përpara të pranishmëve Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme, ligjvënësi Eliot Engel.

Ndonëse rrethanat e tij kanë ndryshuar, zoti Bajraktari ende kujton sfidat e fillimit.

Në fjalën e tij përshëndetëse për të pranishmit, veprimtari shqiptaro-amerikan kujtoi jetën dhe veprën e prindërve të tij.

“Për 15 vite nëna ime ishte pastruese. Ajo nuk dinte shkrim dhe lexim në gjuhën angleze. Mësoi si të shkonte në punë me metro. Duhet të mbante familjen. Dëshironte të ndryshonte jetën tonë. Jemi të bekuar, sepse kur kujtoj të kaluarën në Kosovë ishim shumë të varfër, nuk kishim ushqime të mjaftueshme. Por pastaj erdhëm në këtë rrugëtim të mrekullueshëm”, tha zoti Bajraktari në këtë ceremoni nderi.

Edhe pse larg, zoti Bajraktari nuk e harron vendin të cilin e la dekada më parë.

Ai është angazhuar vazhdimisht për çështjen e Kosovës dhe gjithmonë ka gjetur mbështetjen e mikut të shqiptarëve, Eliot Engel.

“Për 30 vite punova në shumë cështje. Por, kënaqësinë më të madhe e ndiej për lirinë e Kosovës dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO. Harry ishte me mua në çdo hap. Ai më ka mësuar gjithçka që di, që kur erdhi në zyrën time në vitin 1989 dhe më tha se dëshiron të flas me mua për Kosovën, duke më treguar gjithçka”, ishin fjalët e zotit Engel pasi i ndau deklaratën e nderit shqiptaro-amerikanit, Harry Bajraktari.

Veprimtari Bajraktari tha se në atë kohë, dukej e pamundur liria dhe pavarësia e Kosovës.

“Jemi amerikanë krenarë, jemi shqiptarë krenarë dhe jemi me shumë fat që kemi parë ndryshime pozitive në vendlindje, në 30 vitet e fundit. Të mendoje atëherë se Kosova do të bëhej shtet i lirë dhe i pavarur dhe se Shqipëria do të ishte pjesë e NATO-së, të kujtonin për të çmendur”, shtoi zoti Bajraktari.

Megjithatë, këtu u tha se asnjëherë nuk u shua besimi për Kosovën e lire dhe të pavarur. Puna për të ardhmen e re të Kosovës vazhdonte.

“Më kujtohet historia kur një vit serbët më refuzuan hyrjen në Kosovë. Shkova pa vizë, për të provuar nëse do të më lejonin të hyja. Nuk më lejuan. Pastaj organizova një konferencë shtypi. Aty pata thënë se sot po mundohem të hyjë në Kosovë, por Millosheviçi nuk po më lejon. Por dua t’i them atij diçka: një ditë ne do të jemi në Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe nuk do ta lejojmë atë të hyjë brenda. Dhe ashtu doli”, tha zoti Engel.

Nderimi që Kongresi i bëri veprimtarit shqiptar, është nder për mbarë kombin, thanë ambasadoret e Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat morën pjesë në ceremoni.

“Në një kohë kur Kosova nuk ka pasur fare ambasadë, në një kohë kur Kosova nuk ka mundur të gjindet as në hartë në Uashington, kanë qenë shqiptaro-amerikanët si Harry Bajraktari dhe familja e tij që kane folur për ne, kane ngritur zërin për ne dhe kanë ndërtuar miqësi, siç e pamë miqësinë mes Kongresmenit Engel dhe Harry Bajraktarit, të cilat në fund nuk kanë qenë në funksion të familjes Bajraktari, por kanë qenë në funksion të Kosovës dhe në funksion të çështjes shqiptare në përgjithësi”, tha Vlora Çitaku, amasadore e Kosovës në Uashington.

Po kaq e nderuar ndjehet edhe ambasadorja shqiptare në Amerikë, Floreta Faber.

“Këtu jemi në godinën e Kongresit amerikan ku është një simbol i demokracisë dhe lirisë për një numër të madh vendesh dhe popujsh në botë. Çfarë më bën tepër krenare sot është se sa herë u përmend fjala shqiptar dhe se sa shumë u fol për një familje që ka filluar nga fillimi dhe ka arritur që jo vetëm të mbajë familjen e tij por te jap kaq shumë për Shqiperinë, për çështjet shqiptare, per komunitetin shqiptar”, ishin fjalët e saj në mbarim të ceremonisë.

Lobimi i Harry Bajraktarit për çështjen shqiptare vazhdon edhe sot. Ai, veç biznesit të pasurive të patundshme në Amerikë, ka investuar edhe në Kosovë, duke krijuar mundësi punësimi për qytetarët.

Zoti Bajraktari jeton në Bronks të Nju Jorkut, ku edhe ndodhet kompania e tij e suksesshme.

Nderohet frati shqiptaro-amerikan Andrea Nargaj (video)

Në Malësi të Madhe u përkujtua sot, në 100 vjetorin e lindjes, shqiptaro-amerikani Andrea Nargaj, klerik fanceskan, profesor i filozofisë dhe teologjise në disa universitete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur rregjimi komunist përndiqte në Shqipëri klerin dhe besimtaret, ai bashkëpunoi për mëse 10 vite me “Zërin e Amerikës” dhe radion “Europa e lire”, duke trajtuar çështje të lirisë së besimit. Bashkë me imzot Zef Oroshin themeloi Lidhjen katolike shqiptaro-amerikane dhe revistën e njohur “Jeta katolike”, qe vazhdon të botohet ende në New York.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, ishte në Malësi të Madhe nga ku na dërgoi kronikën:

Lili Zajmi Golemi dhuroi buzeqeshjen e fundit Nga Pertefe LEKA

Mori urimin Diten e Nenave,12 Maj 2019

 

Lili u rrit si lule ne familjen Zajmi,por nuk i shpetoi dot luftës së klasave.Kur vëllai i madh Fuati, u arratis,e Gjithë familja u internue ne Tepelenë.

Lili i tregonte me detaje dhe me emra familjet bashkudhetare në zjarrin e ferrit komunist.Kështu mbajti mbi supe barren e persekucionit,por pa u përkulur.

Martesa me Inxh.Bujar Golemin sikur e shpërndau sado pak ate re te zezë qe e ndiqte nga pas.

Ishte çifti me elegant dhe më i dëgjuar në rrethet intelektuale te qytetit te kulturës,Shkodēr.

Lili ishte mësuesja e matematikës me talent të veçantë e cila iu përkushtue arsimit.

Me biçikletën e saj, karakteristikē e shkodranëve, vraponte nepër baltat e fshatrave per të dhënë dituritë,pa kundërshtuar asnjehere emërimin që i bëhej,sepse ishte motra e te arratisurit politik.

Lili e lidhi jetën në një familje te qete shkodrane pa perqasje politike.Vjehrri i saj, Zotni Qamil Golemi, mesues i vjetër ,i nderuar dhe i respektuar arriti t’i shkollonte te gjithe fëmijet me arsim te larte.Lili ndihej e barabartë në ate familje sepse askush nuk ia kujtonte si negacion vellain e arratisur ,por të gjithë ia qanin hallin prindërve te saj qe nuk mund te kontaktonin me djalin e tyre.

Perveç hijeshisë që i kishte falë natyra,kishte një krenari te pafajësisē,qe e manifestonte me nje pune korrekte në marredheniet me drejtuesit.Asnjëherë nuk pati fatin te përfitonte nga kontributet e te shoqit Inxh.B.Golemi arkitekt,sportist,tranier…por gjithmonë qëndroi kryelartë.

Kur viti 90 -të, rrokullisi shemtirën e përçarjes njerëzore,Lilit iu dha mundësia të bashkohej me vëllain e dëshiruar nder dekada per te marre frymë lirisht ne Andrren Amerikane.

Femijet e saj duke pasë edukatën e mirëfilltë familjare u bashkuan me prinderit. Vajza Ingrid i pasuroi diturite ne Universitet e New York-ut ne fushen e Jurisprudencës dhe djali Artan ne akitekturen kompjuterike.

E kompletuar ne harmoninë familjare dhe ne mbarëvajtjen e saj i shfaqet semundja
që ia vështirësoi jetesen.

Mirënjohja që buronte nga shpirti i saj fisnik për shërbimet spitalore të përsosura dhe veçanërisht për gatishmërinë dhe përkushtimin e mjekut te saj primar Dr.Myrtezani mbushej me optimizem dhe mbijetonte.

Sherbimet që i bënte e bija, në shtëpi,ia mbushnin shpirtin me dashuri.”Nuk di kur flenë kjo vajzë,-e persëriste përherë-gjithë natën rri pranë meje”Giti,juristja shqiptaro-amerikane është një shembull i rrallë në përkushtimin serioz si nē detyren zyrtare dhe ne familje,e krahasuar me brezin e sotēm të marrun mendsh pas teknologjisë së komunikimit informal.

Po kështu edhe Bashkëshorti,Bujari,i cili e vuri gjithe kohë në dispozicion të Lilit. Ai u kthye ne një amvisē shtëpiake që përgatiste ushqime bio sipas rekomandimeve te mjekëve .

Nje rast unikal që përveç, ec e jakeve neper spitale heronjtë e saj Giti,Bujari,Artani sherbimet më tê renda i kryenin në shtëpi.

Kështu e ndjera mori me vete kënaqësinë shpirtërore, dashurinë e tyre,duke iu dhënë uratën “Dritë paçi në jetë tuaj”.
***
Lili shte nena e Avokates Ingrid Golemi dhe inxh Artan Golemi.

Fotografia e Gazeta Dielli

Fotografia e Dielli Vatra

ERIKA DEMIRAJ, TRAGJEDIA DHE KUJTESA – Nga DALIP GRECA*

 

* HISTORIA E VAJZËS SË PARË SHQIPTARO-AMERIKANE QË SHËRBEU NË USHTRINË AMERIKANE, POR U SHUA NE MOSHEN 29 VJEÇARE.

* PËRSE NUK U PRANUA NË SHËRBIMIN E INTELIGJENCËS AMERIKANE ERIKA DEMIRAJ?

* PIKËLLIMI DHE KRENARIA E PRINDËRVE VATRANË RUSTEM & SOPHIE DEMIRAJ.

Historia e vajzës së parë shqiptaro-amerikane që shërbeu në ushtrinë amerikane, nuk është e panjohur për lexuesin shqiptar, as për mua si gazetar. Emrin e saj e kam ndeshur për të parën herë tek redaktoja librin e Vehbi Bajramit “Shqiptarët e Amerikës”, botuar në Sh.B.A., më 2003. Një ngjarje rrëqethëse: Historia e vdekjes, sa tragjike aq edhe e mistershme, më pat mbetë në mendje. E përjetova sërish ngjarjen, kur në Vatër arriti një letër nga prindërit e Erikës, Rustemi dhe Sophia Demiraj, ku kujtonin 7 majin, ditën e lindjes së vajzës së tyre, shqiptaro-amerikanes, që shërbeu me devocion në radhët e ushtrisë amerikane, e cila vdiq duke qenë ende në shërbimin ushtarak dhe la pas një vdekje të mistershme. Në kohën e tragjedisë u shkrua për një vetëvrasje, por kjo vrasje mbeti e dyshuar dhe ende e mbështjellë me misterien e pazbuluar.
Cila ishte Erika Demiraj?
Lindi më 7 maj 1963 në Naugatuch – Connecticut nga prindërit Rustem dhe Sophie Demiraj.
Erika Demiraj ishte vajza e tretë nga katër vajzat e dy prindërve. Ishte ndër femrat e vetme me origjinë shqiptare që shërbeu në ushtrinë amerikane. Vajza u shkollua në Naugatuch dhe, që në fillim, kishte dëshirë të shërbente në forcat ushtarake amerikane. Këtë ndjenjë ia kishte forcuar edhe babai i saj, Rustemi, i cili e inkurajoi. Ndoshta ishte vetë shembulli i babait të saj që e nxiti drejt ëndrrës. Rrustemi shërbeu katër vite në “ US Marine Corp”, në Europë.
Erika, mbasi mbaroi shkollën e mesme, u fut në Forcat Ajrore. Rekrutimin për katër javë e bëri në “Locland Air Force”, në St. Antonio, Texas e më pas e dërguan në një bazë tjetër, në Ilinois. Vajza tregoi vullnet, dëshirë për të shërbyer dhe karakter të fortë për të përballuar ngarkesën e madhe të stërvitjes. Erika, së pari, kishte shfaqur dëshirë të shërbente për intelegjencë, – D.I.A. – Intelegjenca e Ministrisë së Mbrojtjes. Vajza ishte prekur në shpirt, që nuk ia plotësuan dëshirën. Erikën e kishin refuzuar të futej në intelegjencë, jo për shkak të aftësive, por për shkak të “pengjeve” në Shqipëri.
REFUZIMI PËR D, I, A.
Tregon i ati, Rustemi:
– Që kur ishte 10 vjeçe, Erika thoshte: “Kur të arrij në moshë ligjore do të futem në shërbim ushtarak, sepse e ndjej për detyrë t’i shërbej kombit, ku u linda.” Dhe ashtu veproi. Në moshën 18 vjeçare, u fut në degën ajrore. Stërvitjen e kreu në Locland Air Force Base, në St. Antonio, Texas dhe më vonë kreu një kurs 6 mujor në një prej bazave ushatarke në Illinois.
Duket se Rustemi, i ati, e ndjen ende pengun e së bijës, që nuk e kualifikuan për t’u stërvitur për Inteligjencë D.I.A. (Inteligjenca e Ministrisë së Mbrojtjes). Dëshira e saj për t’u stërvitur për inteligjencë të ushtrisë e kishte zanafillën tek shembulli i babait të saj, Rustemit, i cili kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret ushatark amerikan prej vitit 1950, deri në vitin 1956, kohë kur Rustemi ishte ende në Europë.
Po përse e refuzuan Erikën në shërbimin sekret, kur ajo kishte lindur këtu dhe ati i saj kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete amerikane dhe kishte dhënë prova besnikërie?
Përgjigja e Rustemit e shpërndan mjegullnajën:
– Erikën e refuzuan të futej në shërbimin sekret prej prejardhjes politike të paraardhësve të saj në Shqipëri dhe presionit, që mund të vinte prej andej. Gjyshi i saj, Rapo Demiraj, ishte kundërshtar i sistemit diktatorial në Shqipëri. Ai ishte arrestuar dhe burgosur në vitin 1945 dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Në vitin 1946, xhaxhanë e madh, Eshrefin e kishin marrë ushtar. Pas një muaji familja mori një letër prej tij nga Librazhdi, ku thuhej se kryente shërbimin ushtarak. Ishte e para dhe e fundit letër për familjen. Pasi letrat u ndërprenë, familja nisi të shqetësohej. Nëna plakë nuk mundi të duronte më dhe mori rrugën e panjohur drejt djalit. Po, ku të shkonte? Si ta gjente? Eci sipas adresës nga ishte nisë letra. Kishte pritur gjatë para postbllokut të repartit ushtarak, por askush nuk i jepte të dhëna për djalin e saj. I tregoi letrën një oficeri, por ai mblodhi supet dhe i kishte thënë se reparti nga ishte nisë letra qenkish i përkohshëm dhe se ushtarët, pasi grumbulloheshin aty, më pas i trasferonin. Ai i kishte shpjeguar se nuk e dinte, ku mund të kishte qëndruar djali i saj, por e këshilloi që të merrte rrugën për në Tiranë, tek Ministria e Mbrojtjes. Me siguri atje e dinin se ku e kishin dërguar ushtarin, që ajo kërkonte. E lodhur dhe e merakosur, nëna kishte marrë rrugën drejt Tiranës. Udhëtoi për ditë të tëra nëna e gjorë dhe arriti në Ministrinë e Mbrojtjes. Iu desh të priste gjithë ditën para derës së ministrisë, pasi oficeri, që e priti, e këshilloi të kishte durim se, sapo të lirohej oficeri, që e mbulonte atë sektor, do ta priste në zyrë. Zemra e nënës e di se çfarë hoqi gjatë asaj pritjeje të ankthshme me mendje tek i biri. Pas shumë orësh oficeri kishte dalë dhe i kishte dhënë lajmin e pakëndshëm: ajo duhej të shkonte të nesërmen, ngaqë zyrtari ishte shumë i zënë dhe nuk mund ta priste. Drita e mëngjesit e gjeti sërish në ministri të pagjumë e të lodhur, me zemrën copë nga ankthi për djalin. Por, edhe atë ditë, pas shumë orë pritjeje, përsëri i kishin thënë të njejtën gjë se, ndoshta, nesër mund të mbaronte punë. Ky refren u përsërit për pesë ditë radhazi. U mbyt në dëshpërim të thellë e shkreta nënë! Sa nuk i plasi shpirti nga dhimbja. Imagjinoni një nënë, duke u endur e vetme në kryeqytet në kërkim të të birit dhe, jo vetëm që nuk merr dot një përgjigje, por ndjen indiferentizmin dhe armiqësinë e zyrtarëve. Në ditën e pestë, zhgënjimi ishte tronditës.
– Rregullorja ushtarake nuk na lejon të tregojmë se ku janë ushtarët, – i thotë oficeri, që e priti pas pesë ditësh. Nëna e gjorë, pas një javë rrugëtimesh, mori rrugën e kthimit, pa e qetësuar shpirtin për të birin. Zemrën e kishte copë e shpirtin helm e vrerë. Vajtonte për djalin me ankthin në gji. Ku mund të ishte i biri? Kaluan gjashtë muaj ankthi e shprese, por asnjë lajm nuk mbërriti. Ç’u bë me fatin e djalit?
POSTA E SHPRESËS
Kur kishte nisë muaji i shtatë, mbërrin posta e shpresës. Një letër, që erdhi në shtëpi, njoftonte se Eshrefi ishte në spitalin e Korçës. Nëna e malluar vrapoi sa kishte fuqi, drejt e në spital. Por, kur hyri në dhomën, që i treguan, tronditja sa nuk i çau gjoksin. Zemra i rrihte shpejt. Sytë iu mjegulluan. Nëna e mjerë bën që t’i fshijë sytë, por mjegullnaja është prapë aty. Asgjë nuk sheh. Ku është djali? E lexon dhe një herë kartelën që ndodhet në ballin e krevatit, ku i thanë se ishte i biri. E lexon ngadalë shkronjë për shkronjë kartelën: Eshref Demiraj. Para syve të mjegulluar i shfaqet një masë mishi fashuar në kokë, fytyrë. Edhe goja është e fashuar. Ka vetëm një sy të zbuluar. Drita e syrit të nënës, që nuk e mban vajtimin. Ohhhh biiiiir! Ofshan nëna zemërplasur. Ç’të kanë bërë, o bir?! E gjora nënë, prek trupin e shformuar dhe sheh gjithandej fasho të gjakosura. Kur i pa shpinën të nxirë blozë, dy anët e kryqeve ngjyrë mavi, trupi ishte sterrosur nga plagët. Biri i saj i nxirë në të gjithë trupin. O Zot! Çfarë ka ndodhur? Pyetja rokullisej honeve të shpirtit dhe s’merrte përgjigje.
Nëna pyeste, djali heshtëte dhe vetëm qante me dënesë. Syri i vetëm i zbuluar rridhte lot pa pushim. Nëna pyet, i biri hesht! Ç’të bënte? Pyeti se çfarë kishte ndodhë me të birin, por edhe këtu heshtje e plotë. Mjekët ishin të okupuar, nuk kishin kohë t’i jepnin përgjigje, infermieret heshtnin. I ndodhi tamam si në Ministrinë e Mbrojtjes. Heshtje, vetëm heshtje e shurdhët. Pas disa ditësh një mjek iu afrua dhe foli me të: – Nuk di ç’t’ju them. Pacienti erdhi në spital në këtë gjendje, siç e shihni. Ne jemi duke i bërë shërbimet e nevojshme. Nuk kam ç’t’ju them tjetër. Kaluan edhe disa ditë të tjera. Asnjë shpjegim. Eshrefi nuk po shfaqte shenja përmirësimi, përkundrazi, ligështohej. Çudia ndodhi, kur e nxorën të pashëruar nga spitali. E mblodhën me një batanije të vjetër dhe e shkarkuan tek këmbët e nënës. Çfarë të bënte nëna e gjorë? Si ta shëronte? Ku t’i gjente mjekimet? Pas pak ditësh ai ndërroi jetë, duke marrë me vete enigmën e madhe të torturave. Ishte vetëm 26 vjeç, kur ndërroi jetë….
DRAMA VAZHDON
Xhaxhai i dytë, Rushani, punonte larg vendlindjes, në Shkodër. Edhe ai ishte piketuar në regjstrin e armiqëve të komunizmit. Dosja i ishte hapur prej kohësh. Pritej rasti. Dhe rasti, kur nuk vinte vetë, sajohej. E arrestuan me akuzën se ka ndihmuar diversantët. Me akuzën e punës armiqësore dhe ndihmës së diversantëve e kaloi dhe ai një dekadë në burg. Tortura çnjerëzore provoi mbi trup, por shpirtin nuk e shiti.
Edhe xhaxhai i tretë, Halimi, u piketua për t’u arrestuar, por e mësoi para kohe lajmin dhe u arratis në Jugosllavi, më 1949.
Rrëfimi i babait të Erikës, Rustemit, vazhdon:
– Jeta jonë po bëhej e padurueshme. Ishim në sytë e përndjekjes natë e ditë. Vendosëm, së bashku më babanë, të arratiseshim, që të shpëtonim. Kaluam kufirin në Jugosllavi. Pas arratisjes, vuajtjet ranë mbi nënën, të cilën e internuan për vite të tëra. Fate të përndjekurish kishin dhe njerëzit e tjerë të familjes. Motra ime, hallua e Erikës, tentoi t’u shpëtonte vuajtjeve dhe provoi të kalonte kufirin me Greqinë, por e kapën në çastet e fundit. Edhe ajo përfundoi në burgun e komunistëve. Kur doli, ishte kockë e lëkurë. E vrarë shpirtërisht. Ndërroi jetë në moshën 28 vjeçare.
Sërish pyes:
– Përse nuk e pranuan Erikën në shërbimet inteligjente, ku familja ishte një shembull i gjallë i vuajtjeve në komunizëm?
– Arsyeja gjendet tek tërësia e këtyre ngjarjeve, që lidhen me familjen nga vinte Erika dhe prindërit e saj. Kaq shumë njerëz të torturuar a të vdekur përbënin shtysa të mjaftueshme, që Agjensia Sekrete ta refuzonte kërkesën e vajzës shqiptaro-amerikane. Ata i thanë Erikës se egzistonte mundësia që autoritetet komuniste mund të ndërhynin pranë gjyshes plakë dhe mund ta detyronin ose mund t’i bënin oferta për t’ia liruar njerëzit, që kishte burgjeve. Po qe se gjyshja ndërhynte pranë babait të Erikës, ai do të merrte informata sekrete ushtarake prej Amerikës e do t’ia dërgonte qeverisë komuniste shqiptare, aq më shumë se babai i saj kishte qenë pjesë e shërbimeve sekrete. Babai, Rustemi, sqaron se, së paku, kështu i kishin thënë Erikës. Kjo ishte arsyeja përse nuk u pranua në shërbimet sekrete të ushtrisë.
KARRIERA E “ENGJËLLIT TË FORCAVE AJRORE”
Erika Demiraj ishte specialiste e inspektimeve jo shkatërruese me skuadronin e mirëmbajtjes së paisjeve në bazën Ajrore në Moddy, Georgia, ku shërbeu si instruktore për të gjithë automjetet e terrenit të skuadronit dhe të krahut ushatarak. Ajo arriti një profesionalizëm të shkallës sipërore. E dëshmojnë këtë gjurmët, që ajo la pas dhe vlerësimet maksimale nga eprorët. Puna e saj kishte marrë vlerësimet e merituara.
Erika është nderuar me medalje e urdhëra trimërie e profesionalizmi. Ndër të tjera, ajo është vlerësuar edhe me çmimin prestigjioz “Engjëlli i Forcave Ajrore”, për aktivitetin që pat kryer në “Stuhia e Shkretëtirës”, në Fondin e Ndihmës së Forcave Ajrore. Çmimet i janë dhënë për profesionalizëm dhe besnikëri shërbimi.
Erika Demiraj shërbeu në disa shtete, ku Amerika kishte bazat e saj ushtarake si në Spanjë, Turqi, Angli, Gjermani dhe Korenë e Jugut. Pas dhjetë vitesh shërbimi me besnikëri e profesionalizëm Erika po mendonte që ta linte jetën ushtarake dhe të kalonte në shërbimin civil. Disa kompani i kishin ofruar punë asaj. Madje, një ofertë i kishte mbërritur nga Singapori, ndërsa një tjetër nga Arabia Saudite, por fati ishte shkruar ndryshe. Një mëngjes trupi i saj u gjet i pajetë dhe i përgjakur në shtëpi.
Tregon babai i Erikës, Rustemi:
– Fatkeqësisht ato plane nuk u realizuan, sepse ajo u vra në moshën 29 vjeçare, duke lënë pas bashkëshortin dhe djalin 4 vjeçar. Na la në dhimbje të thellë ne prindërit, na la me zemra të coptuara, la në dhimbje e pikëllim tri motrat dhe vëllanë e vetëm. Të gjithëve do të na mungojë, Erika jonë e dashur.
VARRIMI CEREMONIAL, DY SKUADRA USHTARËSH
Babai, Rustem Demiraj, ndjehet mirë që kërkesën e familjes për ta sjellë pranë trupin e vdekur të së bijës, ia realizuan. Erika pat ndërruar jetë në Georgia, por ata si familje këmbëngulën që trupi të sillej pranë familjes. Ashtu u bë. Shërbimet funerale ishin ceremoniale. Komuniteti shqiptar mori pjesë masivisht në ngushëllime dhe në varrim. Ministria e Mbrojtjes , dega Ajrore, u përfaqësua nga dy skuadra me ushtarë, që, sipas rregullores, nderuan me shërbimin e tyre, ku arkivoli me trupin e Erikës u mbulua me Flamurin Amerikan, të cilit ajo i shërbeu me besnikëri dhe e mbrojti me dashuri e respekt.
Rustemi tregon se Erika nuk ishte e vetmja fëmijë e tyre që shërbeu me devocion e besnikëri në ushtrinë amerikane. Edhe djali i Rustemit dhe Sophies, Rustemi Jr., shërbeu për 6 vite në UNITED STATES MARINE. Shërbimi i tij rrok shumë shtete si në Bosnjë, Somali, Nigeri, Siera Leone, etj.. Edhe nipi i Rustemit, djali i vajzës tjetër, shërbeu po në degën e UNITED STATES MARINE me detyrë në Irak dhe dy herë në Afganistan. Prindërit ndihen krenarë që fëmijët dhe nipi janë të përkushtuar ndaj shtetit, që u dha lirinë e munguar në Shqipëri.
* (Nga libri ne proces” Histori Shqiptare në Amerikë”

Medalje e artë – Kush është veterani shqiptar i Ushtrisë Amerikane nga Lufta e Dytë Botërore që u nderua në SHBA

Javën e kaluar, kongresisti Stephen F. Lynch i dorëzoi Medaljen e Artë Kongresionale të Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS) veteranit të Ushtrisë Amerikane, Semeon ‘Sam’ Simollari.

Pjesëtari i dikurshëm i të ashtuquajturës Njësia Shqiptare, Kompania B, Regjimenti i 2677, u nderua për shërbim dhe guxim të shquar në Luftën e Dytë Botërore.

Si bën të ditur gazeta “Illyria”, në New York, Sam Simollari është i vetmi që ka mbetur gjallë nga njësia që u përgatit dhe dërgua nga Ushtria e SHBA-së që të ndihmonte në mposhtjen e nazistëve në Shqipërinë e pushtuar nga gjermanët.

Një ceremoni modeste u mbajt në Qendrën “South Shore” të Infermieriesë dhe Rehabilitimit, në Rockland, Massachusetts. Fotografitë nga ceremonia u dërguan nga zyra e kongresistit dhe tregojnë momentin e dhënies së Medaljes së Artë të Kongresit, në prani të familjarëve dhe Ron Nasson nga Shoqata e Veteranëve Shqiptaro-Amerikanë.

Sam Simollari i lindur në Përmet, ishte ende fëmijë kur prindërit e tij u vendosën në SHBA në vitin 1930. Ai u rrit në lagjen West End të Bostonit. U regjistrua në ushtri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku u rekrutua nga OSS, e cila për lexuesit që nuk e dinë ka qenë pararendësja e CIA-s. Arsyeja ishte njohja e tij e mirë e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare.

Ai u stërvit bashkë me një grup 20 ushtarësh të tjerë shqiptaro-amerikanë, përpara se të dërgoheshin në Bari të Italisë e që aty, në Shqipërinë e ushtuar. Sam u parashutua afër Korçës, ku iu bashkua njësive partizane që luftonin për çlirimin nga gjermanët. Detyrat e tij ishin të ndërlidhjes dhe vazhdimisht shkëmbente informacione me qendrën në Bari. Lidhja me të ishte kyçe në bombardimet nga ajri, me të cilat forcat aleate ndihmuan luftimin e nazistëve.

Në 28 Nëntor, ndërsa gjermanët largoheshin nga vendi, Sam Simollari ishte një nga 26 amerikanët e Njësisë Shqiptare të OSS-së që marshuan në Tiranë bashkë me drejtuesit e Frontit Nacional Çlirimtar.

Sot, në Shqipëri ende debatohet nëse dita e Sot, në Shqipëri ende debatohet nëse dita e çlirimit ishte 28 apo 29 nëntori.

Sam qendroi në Shqipëri dhe Europë deri më 1945, kur u kthye në Massachusetts. Në 1947, u martua me gruan e tij Jean dhe u vendosën me banim në Sharon, Massachusetts, ku rritën një familje së bashku, ndërsa punonte në një dyqan mekanikësh për riparim makinash të huaja. Sam dhe Jean patën gjashtë fëmijë. Diane (bashkëshorti Peter) me banim në Hull, MA; Kristine nga Sandwich, MA; Linda nga Gulfport, Florida; Martha nga Connecticut; Ruth (e martuar me Tedin) në Hull, MA; si dhe Michael nga Palm Springs, California. Sam ka edhe shtatë nipër, mbesa e stërnipër. Vëllai i tij, Bill Simollari, një veteran i Forcës Ajrore së Shteteve të Bashkuara, i cili jeton në Stoughton, MA, mori pjesë gjithashtu në ceremoni. (Ruben Avxhiu)

Reportazh nga Washington D.C. VIKTIMAT E LUFTES NE KOSOVE KERKOJNE DREJTESI NE KONGRESIN AMERIKAN NE UASHINGTON Nga Rafaela PRIFTI

– Pasqyrim i zgjeruar i Seancës Dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme –

Kryetari i Komisionit të Kongresit Amerikan për Punët e Jashtme, z. Eliot Engel e hapi seancën me një përshkrim të shpejtë të rrethanave globale njëzet vjet më parë. Në atë kohë tri shtete të cilat kishin qenë dikur në kampin komunist, Hungaria, Polonia dhe Republika Ceke u anëtarësuan në aleancën atlantike NATO, Boris Jelcin dha dorëheqjen dhe posti i presidentit të Rusisë kaloi te Vladimir Putin, Marrëveshja e Dejtonit kishte filluar të implementohej, ndërsa në Kosovë kishte nisur fushata e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare. Në bazë të raportit të vitit 2017 nga Qendra për Legjislacion Njerëzor të titulluar “Fshehja e provave të krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë”, qysh nga viti 2001 janë gjetur 941 trupa të shqiptarëve të Kosovës në katër varre masive në Serbi. Sipas raportit, vendimi për fshehjen e trupave dhe provave të krimit është marr në nivelet më të larta qeveritare qysh në mars 1999. Asnjë person i vetëm nuk është thirrur përpara ndonjë gjykate në Serbi për fshehjen në masë të të vrarëve shqiptarë në varreza masive. Raporti tjetër nga Organizata për të Drejtat Njerëzore tërheq vëmendjen tek një direktivë tjetër e ardhur nga Beogradi – dhunimi si mjet i vazhdimit të luftës në forma të tjera dhe si instrument të spastrimit etnik. Për viktimat e dhunës nuk ka pasur drejtësi, tha z. Engel. Si Amerika, ashtu edhe aleatët evropianë nuk ndërmorën veprime me vend. Madje Amerika dhe BE e detyruan Kosovën të krijonte ‘gjykatën speciale’ për të hetuar rastet e shkeljeve nga forcat e UCK-së. Ndërkohë Departamenti i Shtetit dhe aleatët tanë evropianë nuk kërkuan nga Beogradi që të vinte në zbatim drejtësinë si pjesë e programit të vendit drejt integrimit evropian. Z. Engel tërhoqi vërejtjen tek mandati i Dhomave të Specializuara të cilat deri tani kanë ndjekur penalisht vetëm shqiptarët. Ai tha se Komisioni i Punëve të Jashtme do ta monitorojë nga afër Gjykatën Speciale në mënyrë që të ndjekë ligjërisht të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë. Prandaj ka rëndësi që dëshmitë e panelistëve të ftuar këtu të dëgjohen, theksoi z. Engel, dhe prezantoi me radhë folësit.

Përfaqësuesi Republikan i nivelit të lartë i Komisionit, Michael McCaul tha se ndonëse ndërhyrja e NATOS përfundoi agresionin në qershor 1999, lufta nuk ka përfunduar për një numër të madh të viktimave. Duke shtuar se seanca është jo vetëm mundësi për të dëgjuar dëshmitë por dhe për të kërkuar rrugën e vendosjen së drejtësisë së mohuar. Z. McCaul shtoi se kurajo dhe guximi i tyre i jep zemër edhe të tjerëve të japin dëshmitë e tyre. Në emër të drejtësisë dhe në emër të atyre që e kërkojnë atë, folësit paraqitën dëshmi gojore të detajuara: Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga foli për statusin e grave të dhunura, Vasfije Krasniqi për mbijetesën prej dhunimeve të kohës së luftës, Ilir Bytyqi për rastin e tri vëllezërve të tij dhe Profesor Paul R. Williams për diskordancën midis mandatave ligjore të instancave ndërkombëtare dhe vendore që kanë mundësuar moszbatimin e drejtësisë deri më sot.

Ish-Presidentja e Kosovës iu drejtua Përfaqësuesve me fjalët, “sot mbaj peshën e mijra jetëve që u sakatuan nga lufta në Kosovë. Ato duan të dëgjohet zëri i tyre dhe kërkojnë drejtësi për krimet e kryera ndaj tyre.”  Në kontekstin e sotëm të përpjekjeve për normalizim të marrëdhënieve me shtetin fqinj dhe ish-agresorin, për të negociuar paqen, tha ajo, del parësore cështja e drejtësisë ndaj krimeve të luftës dhe krimeve ndaj njerëzimit të kryera nga forcat e regjimit serb gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Është fjala për jetët e civilëve dhe të pafajshmëve, për të mbijetuarit që ende vuajnë pasojat e luftës, për të pagjeturit dhe familjet e tyre. Znj. Jahjaga citoi disa të dhëna nga dokumentet e mbledhura nga Humanitarian Law Center, Kosovo, për periudhën 1998-2000. Sipas dëshmive, numri i civilëve të vrarë arrin 13, 535 prej të cilëve 1,230 fëmijë dhe 1,647 ende të pagjetur, përafësisht 20,000 femra dhe meshkuj shqiptarë kanë përjetuar dhunë seksuale si taktikë lufte, në periudhën mars-prill 1999, në kulmin e fushatës së spastrimit etnik, rreth një milion refugjatë u shpërngulën nga vendi. Gjatë periudhës 1998-1999 kanë ndodhur qindra ekzekutime në masë por vetëm 74 prej tyre janë të dokumentuara. Në shtojcën e dëshmisë së saj, qe ia dorëzoi Komisonit, ishin publikuar të dhënat për datat dhe vendet e 74 varreve masive. Në lidhje me Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi në Hagë, folësja tha se nuk ka arritur të vendosë drejtësinë për viktimat si edhe të krijojë dokumentacion të plotë të akteve kriminale të kryera gjatë kohës së luftës. E njëjta ineficiencë u përcoll nga gjykatat e drejtuara nga OKB-ja në Kosovë të cilat ndonëse kishin mandate për hetime në shkallë të gjerë bënë shumë pak për evidentimin e krimeve, sqaroi znj. Jahjaga.

Ne që kemi përjetuar luftën, ia dimë më shumë vlerën paqes.” tha folësja e parë e seancës. Por paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse autoritet serbe nuk pranojnë përgjegjësitë e regjimit të Milloshevicit për krimet e kryera në Kosovë. Për të ecur drejt pajtimit, Serbët kanë rastin më të mirë të distancohen dhe të tregojnë se nuk janë si paraardhësit e tyre. Ndërsa poltika e shmangieve nga tema, fshirjes së dallimit midis agresorit dhe viktimës, ambiciet për ndryshim të kufijve flasin për mungesë interesi për një të ardhme në paqe. Duke marrë si shembull edhe fjalimin e presidentit serb Vucic në Mitrovicën veriore vitin e kaluar, znj. Jahjaga dëshmoi se klasa politike që drejton Serbinë sot po ecën në hapat e regjimit të Milloshevicit. Pasojat e gjuhës së urrejtjes i kemi përjetuar dhe e dimë mirë se ku cojnë, shtoi ajo. Ish-presidentja e Kosovës e përfundoi dëshminë me porosinë “Kosova është e përkushtuar të ndërtojë të ardhme në paqe për vendin dhe rajonin, dhe dëshirojmë që edhe serbët të demonstrojnë të njëjtin përkushtim.”

Profesori i të Drejtës Ligjore dhe Marrëdhënieve Ndërkombetare në degën juridike në Universitetin Amerikan si edhe president dhe bashkëthemelues i Entit të Udhëzimeve dhe Legjislacionit Ndërkombëtar, mbajti dëshminë gojore për t’i dhënë fund shkarjes nga përgjegjësia për aktet kriminale gjatë kohës së luftës në Kosovë. Analiza e tij e plotë prej 22 faqeve iu dorëzua Komisionit. “Për cdo viktimë duhet të vendoset drejtësia dhe cdo kriminel duhet të përgjigjet për krimet e veta.” tha profesori Williams. Duhet të kemi kujdes nga sllogani se të gjitha palët janë përgjegjëse. Gjatë luftës në Kosovë forcat e angazhuara nga regjimi serb ishin autorë përgjegjës për më shumë se 80 për qind të akteve kriminale. Duke cekur periudhën e pasluftës, folësi tha se mekanizmat hibride të krijuara nga UNMIK-u dhe EULEX-i vepruan në raporte shpërpjesëtimore për zbatimin e drejtësisë. Ai tha se gjykimet për dhunën seksuale gjatë luftës duhet të jenë pjesë e padive për krimet e luftës. Në vitin 2015 komuniteti ndërkombëtar ushtroi presion ndaj Kosovës për krijimin e Dhomave të Reja të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Specialist me seli në Hagë. Aty pritet të gjykohen vetëm shqiptarët që ishin në radhët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Nëse ky është funksioni i Gjykatës, tha ai, atëherë kjo në thelb i jep amnesti të gjithë autorëve që kryen krime me nxitjen e regjimit serb dhe efektivisht i mbyll derën drejtësisë për qindra mijra viktima në Kosovë, përfshirë 20,000 viktima të dhunimeve seksuale të kohës së luftës. Hendeku i përgjegjësisë për krimet e luftës është krijuar nga bashkësia ndërkombëtare ku hyn edhe Shtetet e Bashkuara, theksoi eksperti ligjor. Profesori Williams e paraqiti dëmin e shkaktuar deri më sot nga miopia e sponsorëve ndërkombëtarë, me këto fjalë: “…ekuivalenca morale e pavërtetë, ngritja e gjykatave të llojit etnik, mohimi i dhënies së drejtësisë për viktimat, dhe kultivimi i padrejtësive etnike, e dobëson legjitimitetin e mekanizmave të sjelljes përpara përgjegjësisë dhe aftësisë së tyre për t’i hapur rrugë pajtimit –cka është thelbësore për një paqe të qëndrueshme.”  Në fund, folësi dha mendime për ta rivendosur integritetin e Dhomave të Specializuara duke sqaruar mandatin e dekretuar nga parlamenti i Kosovës për ndjekjen e krimeve të luftës. Si edhe bashkëpunimin midis Amerikës me qeverinë e Kosovës, për të kërkuar nga Zyra e Prokurorit Specialist t’i jap përparësi hetimit të krimeve të përdhunimeve të lidhura me periudhën e luftës.

Folësi i tretë i seancës Ilir Bytyqi, shqiptaro-amerikan nga Staten Island, nga Fondacioni i vëllezërve Bytyqi iu drejtua Komisionit me fjalët: Viktimat nuk mund të injorohen. Nëse doni paqen në Ballkan, ne nuk mund të injorohemi.” Ai tha se nuk mund të arrihet marrëveshje afatgjate midis Serbisë dhe Kosovës, pa ngritur cështjen e viktimave. Trupat e tre vëllezërve Bytyqi u gjetën në një varr masiv në një qendër trajnimi në Petrovo Selo në Serbinë lindore. Autoritetet serbe hapën një hetim për rastin në vitin 2002, por deri më tani nuk janë ngritur akuza. Ilir Bytyqi akuzoi autoritet serbe për mbrojtjen e vrasësve. Ai tha përpara Komisionit se Presidenti Aleksandër Vuçiç mbron kriminelët që vranë vëllezërit e tij, të cilët u vranë pasi u arrestuan nga policia serbe në vitin 1999 pas përfundimit të luftës së Kosovës. Në fushatën e tij për drejtësi ai kërkoi nga Kongresi, Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova që të japin ndihmë për raste të tilla dhe të tjera të mbetura pa përgjigje. Në dëshminë e tij Ilir Bytyqi tha se Rezoluta 32 e paraqitur nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësueve dhe të Komisionit për Punë të Jashtme, Lee Zeldin, Kryetari Engel dhe Grace Meng dhe  miratuar nga Kongresi verën e kaluar, pati shumë efekt në Serbi. Dhe për më tepër, folësi mbështeti qëndrimin e shprehur nga Kryetari i Komisionit Engel që Serbia të mos lejohet të hyj në Bashkimin Evropian derisa të jetë në gjendje të provojë se do të sjellë para organeve të drejtësisë kriminelët e luftës dhe ata që janë përgjegjës për fshehjen e krimeve. Z. Bytyqi kërkoi nga autoritetet në Serbi ta ndërrojnë kursin e drejmit të politikës së tyre, ndërsa qeveria e Kosovës të shtojë përpjekjet për të kërkuar drejtësi për viktimat.

Folësja e katërt ishte Vasfije Krasniqi Goodman, një nga gratë e para në Kosovë që ka treguar publikisht se ishte viktimë e përdhunimit gjatë kohës së luftës. Ajo dëshmoi se kur ishte 16 vjeçe u përdhunua nga policia serbe në fshatin e saj në vitin 1999. Më vonë ajo e raportoi rastin në UNMIK dhe EULEX. Ndonëse autori i krimit është identifikuar, kanë kaluar njëzet vjet dhe për mua nuk ka pasur drejtësi, tha znj. Krasniqi. Në fund, ajo iu drejtua anëtarëve përfaqësues të Kogresit Amerikan të veprojnë pa humbur kohë në emër të drejtësisë për viktimat.

Pasi u paraqitën dëshmitë gojore, seanca vazhdoi me pyetjet nga anëtarët e Komisionit për folësit. Më pas përfaqësuesit e shoqatave pjesëmarrëse në seancë si edhe organizatorë të Ditës së Veprimit, vizituan zyrat e disa anëtarëve të Kongresit. Mbasdite u mbajt protesta përpara Ambasadës Serbe në Uashington.

 

Teqeja e parë shqiptare e Amerikës feston 65-vjetorin

Teqeja e parë bektashiane shqiptare e Amerikës mbushi 65 vjet. Teqeja ndodhet në Tejlor të Miçiganit dhe u themelua nga Baba Rexhepi, i cili për komunitetin bektashian, por edhe për shqiptarë të tjerë ka statusin e një shenjti. Në kompleksin e Teqesë ndodhet edhe Tyrbja e Baba Rexhepit. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte të dielën në Tejlor dhe na dërgoi këtë material.

Dervishi i Teqesë bektashiane shqiptare është Eliton Pashaj. Ai është njeri energjik dhe e njeh mirë komunitetin.

Në zyrën kryesore ku priten njerëzit dominon portreti i Baba Rexhepit, themeluesit të komunitetit bektashian të shqiptarëve të Amerikës. Ai erdhi në Amerikë në vitin 1952, për t’iu larguar përndjekjes së komunizmit pas luftës dhe ndërtoi këtë teqe.

“Shqiptarët kur vinin në Teqe e ndienin sikur shkonin në Shqipëri.Teqeja ishte si Shqipëria e vogël. Vinin qanin hallet të gjithë ballistët, nacionalistët dhe zogistët. Teqeja ishte vendi ku të gjithë i harronin bindjet politike të veçanta dhe bashkoheshin për të qarë hallet për Shqipërinë. Dhe Baba Rexhepi i frymëzonte dhe i mbante me shpresën se një ditë Shqipëria do të jetë e lirë dhe të gjithë do të arrinin të shikonin familjet e tyre.”

Teqeja është një ndërtesë e hijshme, e ndërtuar me punën e shqiptarëve dhe mbahet me shpenzimet e tyre. Por donacionet e besimtarëve nuk mjaftojnë. Baba Rexhepi ka lënë disa apartamente dhe me qeranë e tyre paguhen shpenzimet.

“Këto janë apartamentet që Baba Rexhepi i ka bërë përpara se të hapej Shqipëria.”

Dervishi i Teqesë na fton të vizitojmë vendin e shenjtë pak metra më larg. Këtu prehet Baba Arshiu, një tjetër figurë e rëndësishme e komunitetit.

Francis Trix është studiuese e sufizmit dhe prej një kohe të gjatë ka marrë mësime nga Baba Rexhepi.

“Nisa të studioja me Baba Rexhepin kur isha studente dhe vazhdova deri sa ai ndërroi jetë në vitin 1995.”

Zonja Trix është autore e dy librave për Baba Rexhepin.

“Doja që bota të dinte për Baba Rexhepin sepse ai ishte i jashtëzakonshëm. Vëzhgoja se ai ai komunikonte me njerëzit. Ishte shumë i mençur dhe nuk kritikonte kurrë. Ai mbante të veshur rrobën e gjatë, hirka, për të cilën thoshte se e kishte për të mbuluar mëkatet e të tjerëve. Ai ishte një shenjt. Njeri si ai nuk gjeje. Dinte shtatë gjuhë dhe kishte njohuri për islamin klasik, atë suni dhe natyrisht për islamin mistik.”

Tradita bektashiane, thotë zonja Trix është shumë e pasur. Janë 700-800 vite traditë poetike, dituri, njohuri mistike për Islamin.

Sot, komuniteti është mbledhur për të festuar 65-vjetorin. Nga Shqipëria ka ardhur Baba Mondi, udhëheqësi botëror i urdhrit Bektashi. Imam Shuajb Gërguri përfaqëson komunitetin mysliman, ndërsa Dom Ndue Gjergji, përfaqëson katolikët.

“Ne me këtë komunitet na lidhin ata tre themeluesit e mëdhenj të tre qendrave tona fetare: Baba Rexhepi, Vehbi Ismaili i Qendrës Islamike dhe Dom Prengë Ndrevashaj i kishës sonë Zoja Pajtore. Kanë qenë tre njerëz me vizione, tre njerëz të mëdhenj, të cilët në mërgim u kanë dhënë njerëzve tanë shpresën, besimin, vlerat tona kombëtare. Ajo që kleri ynë gjithnjë e ka thënë, feja, atdheu. Unë nuk dalloj; bektashinjtë, të krishterët dhe katolikët tanë jemi një.

Teqeja sot ka një rol më të ndryshëm se më parë.

“Një pjesë e madhe e komunitetit që ne kemi këtu është sepse ne sot vazhdojmë që fëmijëve shqiptarë t’u mësojmë gjuhën shqipe. Kemi klasat ku çdo fundjavë u bëjmë mësim për gjuhën dhe për fenë bektashiane.”

Michael Malushi është student.

“Brezi i ri është shumë i zënë me shkollë dhe gjëra të tjera. Është e vështirë që ata të vijnë këtu, por sa herë që vijnë ndihen të lumtur. Është një vend i shkëlqyer nga ana shpirtërore, një vend ku mëson shumë dhe ku të rinjtë ndihen mirë për veten e tyre.”

Por nëse Teqeja do të arrijë të mbledhë rreth vetes më shumë të rinj për të përçuar traditën e saj tashmë 65-vjeçare, të një Shqipërie të vogël në Miçigan, kjo mbetet për t’u parë.

Bisedë me prof.Fioralba Cakoni, mësimdhënësen e ndritur midis dy kontinenteve – Nga Keze Kozeta Zylo*

Matematika ka qenë “my little corner of escape where everything makes sense”.

Profesore Fioralba Cakoni jep Matematikë në Rutgers University, New Jersey në nje nga universitetet e njohura në Amerikë. Prof.Cakoni është një mësimdhënëse e ndritur midis dy kontinenteve çka na bën të ndihemi krenar për arritjet e saj dhe integrimin me plot kulturë dhe të një niveli të lartë intelektual. Arritjet e saj në fushën e matematikës si shkencë egzakte në nivelet më të larta universitare në Europë dhe në Amerikë doemos që ja rrisin karatin Diasporës shqiptaro amerikane dhe për këtë arsye unë e intervistova për ta ndarë me ju këtë histori suksesi të një profesoreshe të nderuar.

Ju lutem prof. Cakoni na flisni për fëmijërinë tuaj, si e keni përjetuar atë?

Unë jam lindur dhe rritur ne Elbasan, vajzë e vetme e dy prindërve intelektualë; mamaja ka qënë figurë e njohur e arsimit në Elbasan ndërsa babai llogaritar i edukuar prej vitesh në Itali. Pavarësisht nga kufizimet e sistemit të asaj kohe, kujtoj me mall vitet e fëmijërisë, gjatë së cilës kam qenë e lumtur, kam përjetuar dashurinë dhe kujdesin pa limite të prindërve të cilët më kultivuan etjen për dije, kuriozitetin dhe medimin e pavarur. Kam gjthashtu nostalgji për shoqërinë e mrekullueshme të familjes dhe timen të Elbasanit. Elbasani është shquar në breza si qëndër e dijes dhe progresit të mendimit. I detyrohem prindërve, edukuesve, dhe qytetit tim të fëmijërisë që më mësuan të dalloj gjërat thelbësore që formojnë një person, të ndjek pasionin dhe ëndrrat e mia, dhe të mos dekurajohem nga vështirësitë.

Nga shkolla e mesme cfarë keni mësuar më shumë dhe cilat jane lëndët që ju kanë tërhequr për jetën tuaj? Cili mësues e dalloi dhuntinë tuaj dhe a ka qenë frymëzues si dritëdhënës për të ardhmen tuaj?

Shkollën e mesme e mbarova në gjimnzin “Dhaskal Todri” të Elbasanit, një shkollë me traditë në shkencat natyrore dhe letërsi. Megjithëse isha mirë në të gjitha lëndët, pasionin e kisha në lënët egzakte, veçanerisht në matematikë. Si gjimaziste dy herë (1981-1982) kam fituar olimpiadën kombëtare të matematikës. Pata fatin e mrekullueshëm të kisha mësuese të matematikës Zoja Bozgon për katër vjet në gjimnaz. Mësuese Zoja, e cila para se të emërohej në Elbasan ishte profesore universiteti, ishte ideali dhe inspirimi për mua qe të ndjek rrugën e matematikës. Nuk kisha me dyshim – rruga ime ishte te vazhdoja universitetin në degen e matematikes.

Ju keni qenë pedagoge e matematikës në universitetin e Tiranës, sa e rëndësishme ka qenë matematika ndër studentët tuaj dhe a hasnin shpesh vështirësi në zgjidhjen e problemeve të ndryshme?

Po, sapo mbarova degën speciale të Matematikës (quhej drejtimi 5 vjeçar) në Universitetin e Tiranës, në 1987 u emërova si pedagoge në të njëjtën katedër ku studiova, dhe dhashë mësim atje gati për 10 vjet. Me këtë rast do doja te theksoja se gjate viteve si studente dhe në vazhdim si pedagoge, katedra e matematikës kishte vertetë profesorë të mrekullueshëm, të apasionuar ne mësimdhenje dhe matematikanë të talentuar. Matematika është degë e veshtirë, por gjatë pjesës më të madhe të mësimdhënies time atje, ne kishim akoma studentë te motivuar dhe të talentuar sepse dega e 5-vjeçarit ekzistonte akoma.

Cilat kanë qenësfidat me të cilat përballej universiteti i Tiranës kur ju keni dhënë mësim dhe në se hasnit sfida guxonin studentët të ngrinin zërin e tyre në dekanat apo më gjerë?

Unë u largova nga Universiteti i Tiranës ne 1987, pak a shumë gjate kohës së tranzicionit kur sfidat ishin të shumë-drejtimshme. Çdo gjë ishte në ndryshim. Ajo që përjetova unë sidomos në 3-4 vitet e fundit ishte humbja në emigracion e stafit pedagogjik, dhe rënia e nivelit dhe motivimit të studentëve të matematikës.

Kur keni ardhur në këtë kontinent dhe cila ka qenë rruga e ardhjes suaj deri në Amerikë?

Kur isha pedagoge në Universitetin e Tiranës u lidha nëpërmjet një burse Europiane me Prof. Geoge Dassios në Universitetin e Patras në Greqi, i cili më udhëhoqi per doktoraturën dhe më futi në drejtimin e problemeve të anasjellta për ekuacionet diferenciale me derivate të pjesëshme. Megjithëse për arsye burokratike dizertacinin e mbrojta në Tiranë, punimi i tezes nën udheheqjen e Prof. Dassios u botua në disa revista ndërkombëtare dhe kjo më dha mundesinë të fitoja bursën postdoktoraturë prestixiose gjermane “Alexander von Humbold Fellowship” dhe shpenzova 2 vjet ne Univeritetin e Shtutgartit ne Gjermani duke bëre vetëm vëtëm kërkime shkencore në matematike. Aje fillova të bashkëpunoj me nje koleg nga University of Delaware në Amerikë, qe më dha mundësinë të shkoja ne këtë universitet përsëri si kërkuese shkencore postdoktorature. Në University of Delaware pata fatin e madh të punoja me Prof. David Colton, një autoritet në specialitetin tim, që u bë mentrori im dhe bashkëpunëtori im me i afërt; kemi shkruar 4 libra shkecore bashkë dhe shume artikuj. Ngaqë puna ime ishte e suksesshme University of Delaware me ofroj pozicion në departamentin e matematikës fillimisht si assistant professor ku pastaj mora dhe titullin e profesorit.

Ju jeni profesore e matematikës në Rutgers University në një nga universitetet e mirënjohura në shtetin e Nju Xhersit dhe Amerikë ju lutem na flisni si u emëruat në këtë universitet dhe vështirësitë që ju mund të keni hasur derisa arritët në mësimdhënie nënivelin universitar dhe post universitar?

Ndërkohë qe isha në Univerity of Delaware, isha njohur si experte në fushën time të kërkimeve shkencore (siç e thashë më lart “Inverse Problems for Partial Differential Equations”). Dhe një ditë mora një email nga shefi i Departamentit të Matematikës në Rutgers University që më ftonte për një interviste pune. Kjo ështe praktikë e zakonshme që universitet e mira aplikojnë për emerimin e senior faculty. Mbas intervistës, Rutgers me ofroj posicion si Professor që e pranova me kënaqesi dhe leviza nga Delaware ne Rutgers ne 2015. Departamenti i Matematikës at Rutgers University, New Brunswick është i 16 ne botë. Une jam shumë e kënaqur të punoj këtu.
Mësimdhënia është vetëm një e treta e ngarkesës; udheheqja e studentëve te doktoratures, mentorimi i post-doktoranteve dhe kerkimi shkencorë përbejnë pjesën tjeter. Ky është pasioni im dhe vështirësitë qe dalin i shoh si pjesë e punës dhe forcë që me shtynë përpara.

Cilat janë disa nga punimet (librat) dhe prezantimet tuaja shkencore si e ftuar nderi në konferenca të ndryshme shkencore në botë?

Kam shkruar 4 monografi shkencore mbi 100 artikuj original shkencor, kam udhëhequr 5 studentë, puna ime shkencore suportohet me grants nga National Science Foundation dhe Air Force Office of Scientific Research, jam në bordin e editorëve te 5 revistave shkencore kryesore ne fushen time, jam ftuar mesatarisht 10 herë ne vit te jap leksione në konferenca ndërkombëtare dhe universitete ne Amerike, Canada, Europe, Hong Kong. Jam me fat të bashkëpunoj me kolege dhe të punoj me studentë nga vënde të ndryshme të botës. Këtë vit pata nderin të marr titullin “Fellow of American Mathematical Society” http://www.ams.org/profession/ams-fellows/new-fellows me diçituren “For contributions to analysis of partial differential equations especially in inverse scattering theory”.

Në cilat revista prestigjioze i keni botuar punimet tuaja shkencore?

Librat i kam botuar ne Springer dhe SIAM Publications, artikujt në revista ndërkombëtare matematike me “peer review” dhe me influencë në fushën e ekspertizës time.

Duke qenë profesore e matematikës midis dy kontinenteve cilat janë disa nga dallimet midis mësimdhënies në Amerikë dhe Shqipëri, sepse matamatika duke qenë një lëndë egzakte doemos që është njëlloj, por në pyetjen time e kam fjalën në metodikën e mësimdhënies dhe ku ecën studenti mëshumë?

Metodika e mesimdhënjes në nivelin universitar të përgjithshëm ne Amerikë ështe më shumë intuitive dhe “recipe-based” në krahasim me “theorem-proof” në Shqipëri. Por programi “honors” universitar dhe postuniversitar në Amerikë eshte shumë rigoroz. Ne këtu në Rutgers kemi studentë impresues ne nivelin “honors undergraduate” dhe pasuniversitar.

Duket që matematika , precizioni i saj, saktësia perfekte mendoj që ju ka bërë të eleminoni gabimet e jetës, kur të tjerët mund t’I keë bërë me pashë në jetë, sa e vërtetë është që precizioni I saj, njohuritëabstrakte të ndërtuara me ndihmën e arsyetimeve logjike mbi koncepte të tilla si numrat, figurat, strukturat dhe transformimet nuk të le tëgabosh lehtë?

Jeta pa gabime nuk është reale dhe njerëzore (nuk po zbuloj gabimet e mia këtu). Matematika të bën të konkludosh me llogjike perfekte në vendimet kur përdor medimin. Shumë herë gabimet në jetë janë impulsive. Nganjëherë llogjika të krijon probleme me njeëzit jo-llogjikë të cilët nuk i shmang dot në cdo nivel të jetës. Për më tepër ne matimatikanët jemi “idealist”, “perfeksionist” dhe “praktikisht naivë” – recetë për gabime.

Si e ndjeni shpirtërisht lidhjen e matematikës me letërsinë?

Letërsia dhe matematika “both touch at the finest of human creativity” dhe “both use the power of analytical thinking”. Më pëlqen të lexoj fiction dhe biography. Por vajza shkruan poezi dhe prozë të shkurtër – kur flasim bashkë vëmë re që të dyja jemi në – “our own abstract world”

Matematika duke qenënjë mjet esencial në shumë fusha si inxhinieria, shkencat natyrore, mjekësia, financa dhe shekncat sociale, mendoni se mund të ndihmojë progresivisht dhe nënivelet më të larta të politikës, pse jo deri në presidencën e vendit tonë amë?

Teorikisht jam dakort. Ne fakt vendi ynë (si çdo vend tjetër) ka nevojë për njërez të mendimit të fuqishëm dhe llogjikës. Por nganjëherë pushteti të korrupton. Këtë e shikojmë shpesh në botë. Unë i rri larg politkës – kjo nuk do te thotë qe nuk pozicionohem për çështje të rëndësishme te shoqërisë – në fakt e mbaj veten të informuar dhe pëpiqem të influencoj ndryshime për mirë në shoqëri. Shpesh kur shikoj gjëra në Shqiperi dhe botë që nuk ia gjej kutimin, per mua matematika ka qenë “my little corner of escape where everything makes sense”.

Cili eshte komenti juaj për demonstratat e studentëve në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë si eksperte në këtë fushë për më tepër në matematikë ngase përfundimet tuaja të përgjithshme janë dhe rrjedhim logjik i aksiomave?

Nuk i di mire detajet dhe dinamikën e brëndeshme te këtyre ngjarjeve (shpesh shtypi ku merret informacioni është i njëanshem), kështu që nuk mund të jap opinion të informuar.

Kohet e fundit u mbajt Samiti i Diasporës në Tiranë, cilat janë disa nga mendimet tuaja rreth Samitit të Diasporës të organizuar nga Kryeministri Rama dhe Ministria e Diasporës?

Unë nuk isha e ftuar, asnjë nuk më kontaktoj në lidhje me Samitin – mesa duket rekordet e mia nuk më kualifikojnë si pjesë të elitës të diasporës (e ndjej sidomos kur ftohem nëpër bote, sepse më duket sikur vlerësohem nga çdo vend tjetër perveç vendit tim). Mund të them si vëzhguese e jashtme samitet nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete nuk kanë vlerë. Janë aq shumë intelektualë shqiptarë te sukseshëm nëpër botë, dhe institucionet në Shqiperi duhet të lehtësojne konkretisht, sinqerisht, pa axhenda dhe paragjykime, pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në fusha të ndryshme të jetës, arsimit dhe kulturës shqiptare.

Cila është familja juaj?

Kam bashkëshortin dhe një vajze. Bashkëshorti – Astriti – më ka suportuar në çdo hap të karrierës time, nuk është mërzitur nga orët e gjata të punës, udhëtimet për kohë të gjata, fundjavat e zëna dhe irritimet e mia kur nuk me ecte zgjidhja e problemit matematik.
Vajza, Annie është një studiuse dhe krijuese shumë e talentuar ne letërsi. Tani ajo studion sukseshëm në Rutgers University comparative literature and creative writing. Shkruan në shqip dhe anglisht. Megjithëse erdhi e vogël në Amerike, gjuhën shqipe e mësoi vetë duke lexuar.

Pyetja e fundit cilat jane disa nga planet tuaja studimore dhe shkencore për të ardhmen?

Do vazhoj me projektet shkencore që kam dhe me detyrën fisnike të edukimit matematik të brezit të ri.

*Bisedoi: Keze Kozeta Zylo, shkrimtare, publiciste, mësuese dhe themeluese e Shkollave Shqipe në New York

4 Maj, 2019
New York