VOAL

VOAL

ERGIT, NË 3-VJETORIN E LARGIMIT… Nga Dashamir Dini

November 21, 2019

Komentet

ELEGJI PËR NËNËN- Nga Albert HABAZAJ

 

Bebesë, Shenjtores sonë, sedërtares së shtrenjtë:
Behire Lushaj Abazi, Tërbaç, 07.12.1940-Vlorë, 07.02.2022 – Tërbaç …

Dy vjet pa ty, Nënë
Lotin derdh në këngë.
Qaj pa lot përbrenda
Sa më dridhet zemra…

Unë në Tërbaç përsëri do të shkoj
Po kush do të më presë me krahë hapur,
“Erdhe, a të keqen!”, kush do të më thotë,
Iku trimëresha me stuhi brengash matur …

Pushon tani në krah të burrit e djalit,
O Nënë, as mali me borë s’ duron sa ti,
Si vallë i sfidove shqiponjat e malit,
O nënë, o mall, lot i patharë, dhembshuri …

13 vjet e prite këtë ditë
Atje ke gjetur qetësinë, o Bebè!
Ta ndjej aromën e ngrohtë me dritë,
Ta shoh imazhin ëmbëlor hënës mbi rè …

Përse e bëre këtë sakrificë sublime,
Le ushqimin, ilaçet me bindje i le,
O zhgabonjë e Tranajoit sa fluturime
Ëndrra dhe dëshira të tuat kemi ne.

Nuk të qaj vitet, po vuajtjet që s’thuhen,
S’ doje të na lëndoje e lotët ke ndrydhur,
Që sot e tutje, nga ti erërat druhen,
Dhemb unë tek gjej portën e shtëpisë mbyllur…

Ai që nënën ka humbur
Më kupton, loton si unë,
Nuk e bën, jo për t’u dukur,
Lot i dhimbjes mbush një lumë…

O Bebè, moj xhanè,
Ç’mal mbi supe që më le…

Tërbaç, e mërkurë, 09.02.2022 – Vlorë, e mërkurë, 07.02.2024

 

LAMTUMIRË KOLEGU DHE MIKU YNË I SHUMËDASHUR, MALUSH GASHI!

Malush Gashi (1944 – 2024)
      Malush Gashi rrjedh nga një familje atdhetare, e provuar përgjatë shekullit të shkuar, në përballje me fqinjtë lakmitarë dhe zullumqarë. Ai trashëgoi atdhedashurinë dhe virtytet më të mira të traditës shqiptare. Njeri me karakter të fortë dhe integritet të plotë. Dhe, këto cilësi dalluese i ruajti deri në frymëmarrjen e fundme, madje me një fanatizëm proverbial, pavarësisht rrethanave dhe vështirësive politike, që ishin të shpeshta dhe të bollshme. Mësues veteranë, rrjedhimisht, mësues i mësuesve.
      Lajmi i hidhur për ikjen Tënde kësaj bote, i shumëdashuri shok Malush Gashi, na lëndoi skajshëm ne, kolegëve dhe miqëve Tuaj të çiltër e besnikë, si dhe komunitetin e komunës të Istogut dhe më gjerë, të cilët aq shumë ju deshën dhe ju respektuan, përgjatë gjithë jetës Tuaj: si edukator, mësues, veprimtar shoqëror dhe politik dhe, mbi të gjitha, si njeri i kompletuar, me të gjithë katalogun e cilësive më të mira njerëzore. U njohëm në vitet `60-a, në Shkollën fillore “Hysni Zajmi”, në Vrellën piktoreske, fshatin më të bukur të Kosovës.
     Ishin vite turbulence, në përpjekjen tonë legjitime, për t`u bërë pjesë e barabartë të një shoqërie të arnuar dhe të bashkuar, dhunshëm, nën slloganin klishe të “bashkim-vëllazërimit”! Edhe pse, në vitet `40-a, shteti jugosllav kishte ekzekutuar, me gjyq dhe pa gjyq fare, mijëra nacionalistë, kombëtarë shqiptarë, për të vazhduar me arrestime, burgosje e dënime drastike, deri në vitin 1965!
     Në këtë rrjedhë të trishtë, u shoqëruam, u bashkuam dhe vepruam me shokun tonë, të mirë e besnik, Malush Gashin. I dashur, i përkorë, imençur, bollshëm i heshtur në veprimtarinë ilegale, dhe i zëshëm në atë legale, e mbi të gjitha, i përkushtuar në misionin e shenjtë të mësuesisë. Një jetë të tërë kushtuar arsimimit të brezave shkollarë dhe çështjes kombëtare. Ishte mik i sinqertë i Presidentit Rugova.
     Mësuesi Malush kishte një korrektësi të pashoqe me kolegët dhe një dashuri të dlirë për nxënësit. Andaj, sot e përjetojmë rëndë shuarjen e Tij fizike, duke i ruajtur kujtimet më të mira të viteve të shkuara.
     Lufta është e frikshme për egërsinë e saj, por ka edhe shenjtërinë, kur ajo motivohet me lirinë. Me kundërthëniet e luftës së fundit, u përballë edhe miku ynë Malush Gashi. Disa aventurierë, të prirur për mujëshi e vetëjakësi, me veprimet e tyre, me shumë sabotuan luftën, se sa i kontribuan asaj. Vrazhdësinë e tyre mafioze, e përjetoi edhe Malushi ynë, duke e tejkaluar mençurisht dhe dinjitetshëm, me përgjegjësinë që e kërkonte koha.
     Krenarë për miqësinë tonë me Malush Gashin.
           I përjetshëm kujtimi i mirë për mikun tonë.
            Kolegët dhe miqtë:
            Binak Ulaj,
            Qerim Spahiu,
            Idriz   Zeqiraj

PËRKUJTIM FAMILJAR! – Kujtojmë sot Xhaxhanë tonë Dr. JANI I.DILO

Kujtojmë sot Xhaxhanë tonë Dr. JANI I.DILO, i cili nderroi jetë në NY 40-të vite më parë, për të ngelur në pavdekësi.
I pa harruar do jetë ndër ne dhe brezat që vinë. 🙏🙏🙏
Një material i shkruar në gazetat Amerikane për Dr. Jani I. Dilo, kur ka ndërruar jetë:
Dr. JANI I. DILO
Më 14 të Kallndorit 1984 ka ndërrue jetë papritmas, nga një goditje zemre, udhëheqësi i shquem i Ballit Kombëtar, mbrojtësi i palëkundun i çashtjes Shqiptare dhe i Shqipnisë etnike, Dr. Jani Dilo.
Vdekja e tij àsht nji humbje e madhe për nacionalizmin. Shokët e tij lindin edhe rriten të rrallë.
I lindun në dhetvjetorin e parë të këtij shekulli, biri i arsimtarit të mirënjohun, Ilia Dilo Sheperit dhe i Save Rucit, Jan Dilo e pau dritën e parë në Sheper të Zagorisë, n’atë vend që lindi dhe rriti poetin e madh, Çajupin, n’atë vend i cili u pat bamë synim i grabitjeve të andartëve grek.
Jan Dilo e fitoi dashuninë për Atdhe e kulturë prej t’et, i cili me librin e tij të përmendun Gramatika dhe Sintaksa e Gjuhës Shqipe, u radhit me lavruesit dhe punëtorët e Shqipes.
Mësimet e para dhe të mesme i mori në vend dhe i kreu me faqe t’bardhë në vjetin 1928. Akademinë ushtarake e mbaroi në Romë të Italisë dhe duel Toger më 1931. I shërbeu Ushtrisë Shqiptare, tue u caktue më 1933 në detyrën e Sekretarit të Shtatmadhorisë. Më 1937 u gradue Kapiten.
Kur Shqipnija u pushtue prej trupave të hueja, më 7 prill 1939, Jani Dilo pa humbë kohë i u përgjegj thirrjes së Mid’hat Bej Frashërit, tue u bashkue me fuqitë vullnetare të Ballit Kombëtar. Aso kohe, Korça ishte kthyer në nji qendër qëndrese. Çetat e Ballit Kombëtar n’atë zonë, kryesoheshin prej heroit të pavdekshëm, Prof. Safet Butkës. Kurse, mbrenda në Korçë, u krijue boshti i qëndresës rreth burrave t’përmendun, Prof. Stavro Skendi, Qazim Prodani, Jani Dilo, Dhimitër Fallo, Selim Mborja etj.
Në Qershor të vjetit 1943, Jani Dilo duel në mal me çetat e Ballit Kombëtar. Qëndroi deri sa sllavokomunistët shqipfolës, me ndihmën e serbëve të Titos e morën fuqinë. Atëherë ai muer rrugën e mërgimit bashk me shumë shokë të tjerë të luftës.
Në Torino të Italisë i filloi pa humbë kohë studimet në Drejtësi të cilat i kreu me faqe të bardhë më 1947. Më 1950, Dr. Jani Dilo emigroi në Shtetet e Bekueme të Amerikës, ku e fitoi bukën me djersën e ballit. Edhe në Mërgim, Dr. Jani Dilo kurrë nuk i u-nda punës për çashtjen e madhe kombëtare.
Lavdi Jetës dhe Veprës
NEW YORK, 1984
SHQIPNIJA SHQIPTARËVE

BALADA PER ILIA DILO SHEPERIN NGA POETI I SHQUAR AGIM SHEHU- Nga Eduard Dilo

 

 

Në vitet ‘90-të poeti i pavdekshëm

AGIM SHEHU, shkroi baladën për

ILIA DILO SHEPERI-N, baladë e bukur, shkruar plot ndjenjë dhe admirim për këtë kolos të patriotizmës shqiptare.

Vargjet rrjedhin sa thjeshtë aq embëlsisht, dhe shpalosin jetën e këtij kolosi.

Buza me fjalët e paka

Te Mëmëdheu i mbeti

Thellë në sy i ndrinte flaka

E qirinjve t’alfabetit.

Gjaku i trimërisë së urtë 

Me dallgë ia mbushte trupin.

Mbi çdo thinjë, i dridhej butë 

Bari i hollë i Çajupit*.

O ju, gjithë armiqtë,të gjithë 

Mjeshtra helmi, hije thike,

Vramëni! Fyti i prerë do klithë 

Germën ”a” të gjuhës shqipe.

Te çdo bulë e kuqe gjaku

Do mbijnë qershi Kokojke.

E ç’ka bota më të dashur

Se një grusht të kësaj toke?!

Alarmet mbi botë binin.

Atij, me librat për dore

Rrudhat përmbi ballë i rrinin

Si vija në katërshore.

Ecte e retë përkëdhelte

Me vështrimin përtej kohe.

Lulja e parë që molla çelte

I ndillte një zile shkolle.

Për kombin, për gjithë shqiptarët 

Grushti i mblidhej si guri.

Gjaku që i frynte damarët

E kish syrin te flamuri.

Botës në kohrat kritike

I pa dhe luanë, dhe kone.

Ai fletët e qerpikve

I mbajti si krahë shqiponje.

Në çdo kollë të pleqërisë 

Tek hapte e mbyllte portën,

I shkundej blozë e shtëpisë,

Nxirmin tym librat që iu dogjën.

Ç’më rëndoi pleqëria,

Paqè, moj jetë, se më lodhe!

Balta, veç, eshtrat e mia

I gatoftë një themel shkolle!

Mbi gjumin e tij te koka,

Dhëmshurisht, një dorë njeriu,

Erë e ëmbël nga Kokojka

I fryn Fyellit të Bariut.

Zbuluar të mbeti balli.

Brezat të shohin në sy.

Mbi Dhëmbel, koha stërrallin

Po e pjek në bronx pèr ty.

*Çajupi-Mal në Zagorie

Është fakt që ashtu si Poeti parashikoi që “ Mbi Dhëmbel, koha stërrallin

Po e pjek në bronx për ty”,

e poqi dhe busti i ILIA DILO SHEPERIT, zbukuron Sheperin e tij, krah Poetit të madh të Rilindjes Kombëtare ANDON ZAKO ÇAJUPIT dhe Luftëtarit të Lirisë, trimit PANO XHAMBALLO.

 

Në Sheper, fshat historik e i shquar, në të ardhmen koha do sjellë buste të tjerë krahas këtyre personaliteteve kombëtarë.

Ndërron jetë papritur gazetari Armin Tirana

 

Gazetari i gazetës “Rilindja Demokratike”, Armin Tirana ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në moshën 57 vjeçare krejt papritur. Ai ka qënë në banesën e tij në Tiranë, por në mbrëmje nuk është ndjerë mirë dhe papritur ka mbyllur sytë përgjithmonë.

Armin Tirana ka punuar prej 17 vitesh në gazetën “Rilindja Demokratike” dhe ka qënë një zë i njohur i gazetarisë shqiptare. Shkrimet e tij priteshin me shumë interes nga lexuesi për shkak të tematikave që ai trajtonte. Një interes të veçantë kishin për lexuesit edhe shkrimet “Dossier” me personalitete të huaja dhe ngjarje interesante që Armini sillte në faqet e gazetës RD.

Ikja e parakohshme nga jeta e gazetarit Armin Tirana është një humbje e madhe për familjen e tij, miqtë dhe të afërmit, por edhe për ne, kolegët e tij.

Stafi i gazetës RD i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe të afërmëve të Arminit.

Lamtumirë mik!

Përcjellja për në banesën e fundit bëhet sot më dt. 5 janar në orën 15:00.

Shuhet në moshën 80-vjeçare piktorja e njohur Krisanthi Kocibelli Turtulli

 

 

Shuhet në moshën 80 vjeçare piktorja e njohur korçare Krisanthi Kocibelli Turtulli.

Mësohet se piktorja vuante nga një sëmundje e rëndë ndërsa lajmin e hidhur e kanë ndarë familjarët e saj.

 

 

Rreth 3 muaj më parë Krisanthi Kocibelli Turtulli erdhi shumë afër publikut artdashës korçar me një ekspozitë të veçante, si një kujtim nga familjarët me punimet e realizuara ndër vite nga 80 vjeçarja.

Pak fjalë për “tiranasin e madh” HAMIT MËZEZI, për këtë fisnik të rrallë, që ishte mirësia vetë Nga Nikolla Sudar

Fragment nga libri: “SHIJAKU – KY OAZ FISNIKËRIE, ATDHETARIE DHE HUMANIZMI”.
Pak fjalë për “tiranasin e madh” HAMIT MËZEZI, për këtë fisnik të rrallë, që ishte mirësia vetë. (1918 – 1980).
I lumtur është ai që e mbyll jetën me gjurmë mbresëlënëse, por akoma më të lumtur ndihen pasuesit e tij, që kanë të drejtë të krenohen me prindin e tyre, por që edhe me vazhdimësinë e vet e kanë ngritur akoma më lart figurën e tij.
Të tillë janë padyshim pinjollët e mrekullueshëm të familjes Mëzezi, djemtë dhe vajzat e humanistit të madh e të paharruar, Hamit Mëzezi.
Vitet që kalojnë zbehin vetëm ata që nuk lënë gjurmë në jetë, por jo njerëz si shpirtmadhi, gojëmbli, i palodhuri dhe i përkushtuari Hamit Mëzezi.
Ai u lind më 1918 në një familje të thjeshtë, por atdhetare tiranase. Bashkëmoshatarët do t’i mbanin mend vëllezërit Hamit e Hamdi Mëzezi, jo vetëm për thjeshtësinë dhe devotshmërinë e tyre, por sidomos për adhedashurinë e rrallë. Ata ishin nga të parët që e filluan veprimtarinë antifashiste ilegale, pa u trembur për rreziqet. Dhe ja Hamdiu, në moshë fare të re, do të jepte jetën për lirinë e vatanit. Por rrugën e tij do ta vazhdonte për vite me radhë, antifashisti i flaktë, Hamit Mezëzi.
Ishte nëntori i vitit 1944, kur partizanë të Komandës së vendit, të drejtuar nga trimi Hamit Mëzezi do të futeshin në Shijakun, tashmë të çliruar prej nazistëve.
Ishin kohë të vështira e që kërkonin sakrifica të mëdha. Shpejt komisari Hamit Mëzezi do të miqësohej dhe do të fitonte respektin e thellë të të gjithë banorëve të qytetit të Shijakut dhe të fshatrave të tij. Dhe ja ai do të njihej nga afër me familjen e shquar të Zeqir Shkodrës dhe… fati e deshi që me njërën nga vajzat, Sulltonen, të lidhej përjetësisht.
Veterani i nderuar Xhemal Kruja tregonte:
„Më kujtohet fare mirë 14 nëntori i vitit 1944. Nga katundi Rreth mbërriti formacioni partizan i Komandës së vendit, që kishte pasur qendrën në fshatin Shetel. Në krye të partizanëve qëndronin dy burra fisnikë, komisari Hamit Mëzezi dhe komandanti Qamil Kacmoli. Qindra njerëz, burra, gra e fëmijë mbushën qendrën e qytetit dhe me lule në dorë prisnin fitimtarët.
Ishin ditët e para të çlirimi, entuziazmi popullor ishte në kulm, por edhe problemet e shumta kërkonin zgjidhje të shpejta. Komiteti Ekzekutiv i nënprefekturës më në krye patriotin Qazim Domi nuk njihte lodhje. Bashkëpunimi i ngushtë më drejtuesit e Komadës së vendit, si Hamit Mëzezin dhe Qamil Kacmolin do të jepte rezultate nga dita në ditë. Ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë, por të moshuarit e mbajnë mend komisarin fisnik Hamit Mëzezi, i cili ku ngrysej nuk gdhihej. Ai priste e përcillte qytetarë dhe fshatarë nga fshtrat më të largëta që nga Ndroqi e Preza dhe gjithë kohën e gjeje në lëvizje. Këtu miku i shijakasve njohu dhe u lidh me shijakasen tonë të nderuar, Sulltane Shkodra dhe pa kaluar shumë ata do të largoheshin drejt Tiranës”.
Kur përmenda “Tiranasin e madh”, Hamit Mëzezi, domosdoshmërisht duhet të vazhdoj me krahun e djathtë të tij, me gruan e mrekullueshme dhe të përkushtuar si rrallëkush për familjen, të paharruarën, Sulltane Shkodrën (Mëzezi). Si mik, por më tepër si historian, e kam për detyrë dhe nder të theksoj shkurt kontributin e madh dhe shumëvjeçar të familjes së atdhetarit të nderuar shijakas, Zeqir Shkodra, që me të drejtë mund të quhet “emblema e Shijakut”. Banorët e qytetit dhe të fshatrave do t’i mbeten mirënjohës kësaj familjeje: nanë Xhejes, vajzave Sulltanës, Meremes, Sabrijes, Shyqyrisë, Balit dhe Rikut për kontributin e gjithanshëm si gjatë luftës për liri ashtu për dekada me radhë pas çlirimit, sidomos në drejtim të emancipimit të vajzave dhe grave të ish nënprefekturës së Shijakut, që përshinte territorin nga Ndroqi e deri në Prezë, ku injoranca dhe paragjykimet ishin ulur këmbëkryq. Midis tyre do të shkëlqente njëra nga aktivistet më të shkëlqyera në të gjithë vendin, edukatorja e rrallë, frymëzuesja e rinisë dhe e grave të qytetit dhe të fshatrave të Shijakut, Mereme Shkodra (ish studentja e shkollës “Nana Mbretneshë”, rekordmene e vendit në atletikë, pjesëtare e ekipit kombëtar të volejbollit, njohëse e disa gjuhëve të huaja, mësuese tepër e aftë, që më një nivel të lartë jepte të gjitha lëndët e shkollës 7 dhe 8-vjeçare, drejtuese e shkëlqyer e aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive në Shijak për dekada me radhë).
Vitet do të kalonin, por tashmë familjen Mëzezi do ta gjenim në Tiranë. Për një kohë tepër të gjatë Hamiti do të drejtonte njërën nga ndërmarrjet më në zë të vendit, me emrin e ndritur “Artistikja MIgjeni”. Prodhimet me cilësi dhe art të traditës shqiptare nga duart e artizanëve virtuozë të kësaj ndërmarrjeje do ta nderonin Shqipërinë kudo në botë. Ajo do të përmendej, mbase më tepër edhe për faktin kuptimplotë, sepse krijoi ansamblin amator “MIGJENI”, më të suksesshmin në gjithë historikun e lëvizjes artistike amatore në vend. Ky ansambël, jashtë mase i mirënjohur, me shfaqjet e tij të mrekullueshme, do ta nderonte Shqipërinë në shumë vende të Evropës. Të huajt nuk e besonin se ai ishte ansambël amator, por ngulmonin se ishte një ekip pofesionistësh të vërtetë.
Por as që mund të mendohen sukseset e ndërmarrjes artistike “Migjeni” si në prodhim ashtu edhe në lëvizjen artistike, pa rolin vendimtar e të pazëvendësueshëm të drejtuesit të palodhur të saj, organizatorit të rrallë, Hamit Mëzezi, që jetonte, jo vetëm me problemet e ndërmarrjes, por edhe me hallet e panumërta të punonjësve të vet të shumtë. Me dhjetra e dhjetra familje tiranase ruajnë edhe sot dashurinë dhe respektin e madh për “njeriun e vërtetë”, që me atë thjeshtësinë e vet dhe gadishmërinë e rrallë i ndihmonte për të kapërcyer vështirësitë e shumta të jetës.
Më kujtohet viti 1968, në Shijak do të përkujtoheshin dy ngjarje historike, krijimi këshillit nacionalçlirimtar të nënprefekturës, në familjen e atdhetarit të rrallë, Ali Dashir dhe përkujtimi i rënies së dëshmorit gjirokastrit Koço Kaftani. Në këto kushte iu drejtova “mikut të madh të shijakasve”, drejtorit fisnik Hamit Mëzezi. Edhe sot e kujtoj me respekt të veçantë gadishmërine e tij të rrallë: ai jo vetmë që i gdhendi pllakat në një kohë rekord, por ato ia bëri dhuratë pushtetit lokal.
Hamiti u shqua edhe si prind i rrallë dhe i devotshëm: fëmijët e shumtë (njëri më i mirë se tjetri) ia shtuan hallet për mirërritjen e tyre, por e bënë edhe njeriun më të lumtur.
Angazhimi i jashtëzakonshëm i këtij njeriu të përkushtuar në punë, në jetën shoqërore dhe në familje do të ndikonte në shëndetin e tij. Ai u nda shpejt nga jeta në vitin 1980, por la mbrapa gjurmë të tilla, që e bënë të përjetshëm.
Të rrojmë e ta kujtojmë përherë atdhetarin e shquar, drejtuesin e mrekullueshëm, prindin e paharruar, humanistin e vërtetë, HAMIT MËZEZI.

SA SHPEJT KALUAN 45 VJET!- Nga Bashkim Saliasi

Najme Saliasi (1915-1978) dhe Meleq Saliasi (1910-1978)
.
Kujtesa për ju sot më ndihmoj,
ditën e martë 11 dhjetor më kujtoj,
një ditë e kthjellët me diell, pa re,
viti ’78, lamtumirë!,- ti baba na the.
.
Ike lartë në qiell, në botën e amshuar,
gjashtë muaji nga Nokja s’kishin kaluar,
ju shumë ishit dashur s’rrinit dot larguar,
vdekje ju ktheu në yje të pashuar.
.
Sot që këto vargje për ju po shkruaj,
zemra po më qan, s`ju kam harruar,
pranë u erdhi Sytja, motrat në radhë,
qofshi të parajsës, o yje të pashuar!
.
Ps. Kujtesë për prindërit e mi, Naime dhe Meleq Saliasi. Në vitin 1978, Nokja, ditën e enjte,
më 4 maji 1978 dhe babai, ditën e martë 11 dhjetor 1978 u larguan përjetësisht. Këtë vit, në 4
maj dhe 11 dhjetor 2023, mbushen 45 vjet nga largimi në përjetësi i dy njerëzve më të
shtrenjtë të familjes sonë. Pranë prindërve tanë, shkuan: vëllai madh Sytja, në vitin 2005 dhe
në vitet, 2021, 2022, u larguan edhe motrat tona të shtrenjta: Jemineja, Sheribaja dhe Asija.
.
Qofshin të xhenetit! Tiranë, më 08.11.2023

EDITA SHKOI TE PETRAQ KOLEVICA NË PËRJETËSI Nga ORHAN SAKIQI

Lajm i hidhur ky i sotmi.
Iku dhe Edita Kolevica(Logoreci).
Nje jete ne pune si konstruktore.
Ne pune njohu dhe Petraqin.
Thote Petraqi te libri – Arkitektura dhe Diktatura:
Aty njoha dhe nje vajzê qe punonte si teknike e quajtur Edith Logoreci,
qe me deshi e bashkoi jeten e saj te qete me jeten time te trazuar,
prej se cilēs pati pak gezime e shume shqetesime dhe hidherime.
Ate vajze punetore shembullore, e ndiqte nga pas ne biografi nje vule e keqe per ate kohe,
vule qe zyra e kuadrit s’mungoi ta vinte edhe ne karakteristikat e mia:
Ështe martuar me Edita Logorecin , e cila e ka nenen me origjine gjermane.
Dikush thote sot se ‘ashtu ishte koha’. Por nuk eshte ashtu.
Me kete shenim mund te perfshiheshe te 2000 nenshkruasit e Kunderes.”
Se fundi me Petraqin takoheshim te kafeja afer shtepise tyre.
Më me vone e sillte me karrocë Edita, e akoma me vone Petraqi zuri shtratin.
Afrohej Edita me zerin e saj te embel.
Kujtonim kohe te shkuara te punes te jetes te rinise.
Shoke e miq te perbashket qe nuk jane me.
Ne telefon dilte gjithmone Edita.
Ja Petraqi po ta jap telefonin.
Nje jete me dashuri e dinjitet. Ja si ka shkruar Petraqi i Madh tek “KJO DASHURI”
Kjo dashuri s’mund te pershkruhet.
Ashtu si e ndjejme ne te dy.
Gjthçka pa fjale do te thuhet.
Nje çast veshtrimi sy ne sy
Kandili yne kur te shuhet.”

Me hidhërim mësova për vdekjen e profesorit, mikut dhe kolegut tim Qazim Xhelili- Nga GËZIM ALPION

Me hidhërim mësova për vdekjen e profesorit, mikut dhe kolegut tim Qazim Xhelili.
Ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve dhe kolegëve.
Nga Prof Xhelili brezi im mësoi se suksesi nuk është gjithmonë i kushtëzuar nga “kapitali social”.
Vdekja e Prof Xhelilit është një humbje për shkencat sociale në Shqipëri.
RIP.

Tirana e përgjakur” – Masakra komuniste, vjeshtë 1944 – “Tre liceistë: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi dhe Fahri Dabulla” Nga Bedri Alimehmeti

Tirana e përgjakur” – Masakra komuniste, vjeshtë 1944

Kapitulli

“Tre liceistë: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi dhe Fahri Dabulla”, ai ka shkruar:

“Tefta Tashko Koço” quhet në Tiranë rruga, që del nga sheshi “Avni Rustemi” dhe vijon përgjatë deri tutje në afërsi të godinës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vite me parë, më saktë ndoshta do të ishte të thoshim në atë kohë kur qyteti zuri të rritej nga pikëpamja urbane, kjo rrugë quhej “Pisha”, emërtim ky që rëndom vijojmë ta dëgjojmë edhe sot. E pikërisht mbi gurët e kalldrëmit të kësaj rruge, në terrin e natës së largët të 28 tetorit 1944, hapat e rëndë të një patrulle partizane, prishën qetësinë e asaj mbrëmjeje tiranse, që dalëngadalë po i ndihte krahët ngrohtësisht mbi qytet.

Banorët e rrugës të terrorizuar mbajtën frymën nën ankthin e pritjes, se ku do të ndaleshin! Me afrimin e forcave partizane në rrethinat e kryeqytetit, lajmet që qarkullonin brenda tij ishin nga më tronditëset. Gjithsesi atë natë, rrapëllima e hapave të rëndë mbi kalldrëm u sos përpara portës së shtëpisë së Ymer Dërhemit, ku banonte me qera Akil Sakiqi, oficer i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, që gjatë gjithë kohës kishte shërbyer në kufi dhe në sektorin e prapavijës. Akil Sakiqi kishte vite që ishte vendosur me banim në Tiranë, ndërkohë ishte lindur në vitin 1907 në Dibër të Madhe.

Familja e tij, për t’i shpëtuar dhunës dhe reprezaljeve të shovinistëve serbë, fillimisht u vendos me banim në Turqi. Por nga dashuria e madhe për dheun e të parëve, prindët e tij vendosën të ktheheshin në Shqipëri. Duke u stabilizuar përfundimisht në Tiranë. Akili, djalë i zgjuar i etur për t’i pasuruar e përsosur sa më shumë dijet, pasi përfundoi shkëlqyeshëm Liceun e Korçës, kreu me rezultate të shumë të larta edhe Akademinë Ushtarake në Romë të Italisë, në degën e ‘Rojës së Financës’. Pas kësaj kthehet në atdhe dhe punon me përkushtim e devotshmëri së pari në Durrës, më pas në Shkodër etj. Pushtimin fashist të Italisë së Duçes më 7 prill të viti 1939, e priti me indinjatë të thellë e urrejtje të madhe.

Madje, bashkë me mikun e tij Myftar Jegenin dhe oficerë të tjerë atdhetarë, luftuan kundër agresorëve fashistë. Dëshpëruar keqas, ngaqë nuk arritën ta zmbrapsnin pushtuesin, u veçua nga gjithçka, duke mos u përzier fare me asnjë parti politike dhe përfundimisht u mbyll në jetën e tij civile. Natën e 28 tetorit të vitit 1944, kur partizanët e armatosur deri në dhëmbë trokitën në shtëpinë e tiransit zemërbardhë Ymer Dërhemi, nuk kishin punë fare me të zotin e shtëpisë.

Destinacioni i demonëve të kuq kishte qenë Akil Sakiqi, që në ato çaste po darkonte me miqtë e tij, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën, që të tre oficerë të karrierës, bashkënxënës që në Liceun e Korçës. Me që ishin duke ngrënë, Akili që i donte dhe i respektonte shumë zakonet e mrekullueshme shqiptare, i fton mysafirët e paftuar të asaj nate të uleshin e të hanin bashkërisht në tryezën e shtruar. Tek demonët e kuq, babëzia e mbushjes së barkut, ishte e njëjtë me atë të etjes për të shuar jetë njerëzish. Ndaj pa ngurrimin më të vogël, zunë vend në tryezën bujare të familjes Sakiqi dhe hëngrën sa u zhdëpën. E zonja e shtëpisë kishte gatuar mrekullisht. Vallë kush e di se sa herë e ka mallkuar atë çast më vonë ajo zonjë e fisme, tek është kujtuar, që u ka shtruar për të ngrënë vrasësve të të shoqit, atyre që do ta vishnin përjetësisht me të zeza dhe do ta rropatnin ndër vite për të rritur jetimët. ‘Haram iu qoftë buka që u dhe ti moj nënë e dhembshur. Farmak iu bëftë dhe i helmoftë e i zezoftë të gjithë brez pas brezi, këta gjakpirës bukëshkalë’.

Pas largimit të terroristëve, në dhomën ku po rrinte Akil Sakiqi bashkë me dy miqtë e tij, Nazmi Uruçin e Fahri Dabullën, hyri edhe i zoti i shtëpisë Ymer Dërhemi. Me mprehtësinë që e karakterizonte ai kishte arritur të nuhaste diçka jo të mirë, madje, ishte i bindur plotësisht, që gjakpirësit do të ktheheshin sërish, ndaj me qetësi i këshilloi të largoheshin përkohësisht nga aty. Por, Akili dhe shokët nuk e ndjenin veten aspak fajtorë, ngaqë nuk kishin bërë asnjë të keqe, faj, apo krim qoftë, vendosën të qëndrojnë. Aq më tepër iu duk i drejtë ky vendim, kur jo vetëm nuk kishin bërë ndonjë padrejtësi, por përkundrazi e kishin ndihmuar luftën aktivisht.

Por pas kësaj, kur akrepat e orës po i afroheshin dymbëdhjetës, në portën e shtëpisë u dëgjuan trokitje. Hienat ishin kthyer sërish për të rrëmbyer gjahun. Nuhatja e plakut të mirë Ymer Dërhemi kishte qenë e saktë. Pas kësaj patrulla partizane i mori të tre me vete, teksa vetëm njëri prej tyre kishte pëshpëritur nëpër dhëmbët e krimbur sloganin vdekjeprurës: “Ju kërkojnë në komandë për një sqarim”. Dhe ishin po ato njerëz, që vetëm pak orë më parë ishin ngritur bark nginjur nga tryeza e asaj shtëpie shtruar bujarisht e zemër plot.

Pas kortinkave të dritares e trishtuar në kulm, me shpresën se do të kthehej shpejt, zonja e shtëpisë e ndoqi të shoqin me sy plot ankth, bashkë me dy shokët e tij, deri sa i përpiu terri i natës, tutje poshtë rrugës që varej bregut të Lanës, tek mulliri, pa e ditur dhe pa i shkuar aspak nëpër mend, se ishte kjo hera e fundit që e shihte. Aty, duke pritur me ballin mbështetur mbi xhamin e ftohtë, e gjetën rrezet e para të diellit, që feksën si të trembura përmbi Dajt. Dhe Akil Sakiqi me të dy shokët e tij liceistë, Nazmi Uruçi e Fahri Dabulla, nuk u kthyen kurrë më. I pushkatuan po atë natë më 28 nëntor të vitit 1944. Ashtu si Akil Sakiqi edhe Nazmi Uruçi, ishte nga Dibra e Madhe. Bashkë kishin studiuar në Liceun e Korçës. Edhe Fahri Dabulla po ashtu kishte qenë liceist i Korçës. Që të tre Enver Hoxha i kishte njohur si nxënës të shkëlqyer në mësime, si atdhetarë të flaktë dhe si njerëz të respektuar, të ndershëm e korrektë. E pikërisht për këto veti, të cilat ai i urrente në mënyrë patologjike, i futi në ‘listat e zeza’ të vdekjes.

Dokumentet arkivore dëshmojnë se ekzekutimi i ushtarakëve dhe Akil Sakiqit u bë me urdhër të Enver Hoxhës

Në vend të përkujtimit për mikun, krijuesin dhe atdhetarin, Zeqir Lushaj- Nga SEJDI BERISHA

O MIKU IM, PO SI NA LE KËSHTU TË ETUR PËR VEPRËN DHE FJALËN TËNDE TË NGROHTË DHE ME PESHË, QË TASH U SHNDËRRUA NË MADHËSHTI DHE PËRJETËSI TË PËRHERSHME DHE KRENARE…!

Zeqir Lushaj,
Nuk dua as nuk e pranoj lajmin se sot ka ikur njeriu që nuk është matur me peshën as të jetës, as të dashurisë, as të respektit, as të atdhetarisë dhe as me etjen për lumturinë e vetë njeriut, të kombit dhe të atdheut. Që në fillim të dhembjeve që më mbërthyen të tërin në ankth, nuk e prisja se ky mik dhe njeri i veçantë do të ikën në këtë mënyrë dhe kaq vetëtimthi. Ndoshta ka bërë kështu vetëm sa për të na lënë neve të ngarkuar përgjithmonë me mallin dhe kujtimin për jetën dhe veprën e tij aq madhështore dhe të ndritur. Por, ikjet kështu e kanë. Sjellin lotin, mallin etjen dhe dhembjen si kujtim të përjetshëm, por edhe si krenari, që i ngjanë yllit që nuk shuhet. Dhe, beso, Zeqir Lushaj, ti, sot në mendjen, zemrën dhe shpirtin tim qëndron si strall, që ma ndriçon rrugëtimin tim, atë pjesë që ka mbetur…

E si të rreshtohen e radhiten të gjitha ato vepra që ia lë sermi e dhuratë vendlindjes, atdheut dhe kombit. Si të komentohen ato vepra në të cilat i përjetësove kujtimet dhe ndijimet tuaja për të mirat dhe të ligat që e kanë përcjellë dhe goditur atdheun. Ishe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shpirti nuk të ishte i qetë pa tokën dhe popullin tënd, pa e prekur dhe shijuar historinë e kombit dhe dhembjet e tij. Vendose dhe ku ktheve përgjithmonë aty ku u linde, aty ku të ka lindur babë, gjysh e stërgjysh, dhe mu në zemër të Bajram Currit, mu në fshatin Gri e përforcove edhe më shumë historinë e këtij vendi të përvuajtur por krenar dhe stoik.

Andaj, Zeqir,
Tash nëpër damarët e gjakut dhe trupit tim qarkullojnë gjithë ato madhështi njerëzore që na i bëre edhe neve pjesë të jetës por edhe detyrim për të mësuar dhe vepruar se si bëhen veprat e mëdha për njeriun. Shtëpia jote gjithmonë u shndërrua në çerdhe bamirëse dhe e sofrës së sinqertë për të gjithë miqtë, që sot e kësaj dite besoj e kanë në kujtim në thellësinë e shpirtit.

Miku im, Zeqir,
Tani më detyrove që ta theksoj me krenari edhe bujarinë dhe njerëzoren e bashkudhëtares sate, Sabrijes, e cila ishte shembull se si pritet dhe nderohet mysafiri, por që edhe ajo iku në amshim, dhe e di se si të është thyer zemra, e di burrërinë tënde se si ka duruar e qëndruar, dhe vërtetë siç kam shkruar atëherë, pesha e dhembjes dhe e krenarisë nuk matet vetëm me vdekjen. Kjo vlen edhe sot për juve, që sikur mëzi paske pritur që t’i bashkohesh edhe në botën e amshuar…!

Krijuesit, Zeqir Lushaj dhe Sejdi Berisha para oxhakut-vatrës që ai e ruante me fanatizëm

Kur më patën thënë se ishe i shtrirë në spital, nuk e besoja, sepse ti i ngjanë lisit që s’rrëzohet, i ngjaje komplet një kështjelle që përbrenda ka një thesar të tërë të historisë, e të cilën prisnim se do na bësh pjesë të një historie të ndritur e cila akoma është duke ardhur…!

Më kujtohet manifestimi që u organizua për familjen tënde bukëdhënëse dhe për fshatin Gri me histori të veçantë. Edhe ai manifestim tregoi shumëçka për familjen tënde nëpër periudha të
ndryshme historike e kohore, e që me angazhimin tënd në këtë aspekt edhe ti u bëre pjesë apo lapidar i kësaj historie.

Puna dhe angazhimi yt për afirmimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe historiografike kombëtare ishte i pandalshëm në të gjitha format. Ndërsa, angazhimi në Portalin “Zemra Shqiptare”, ishe vlerë me të cilën i afirmove krijuesit dhe krijimtarinë e tyre në të gjitha fushat letrare, kulturore, shkencore dhe historiografike. Prandaj, është e rëndë dhe e dhembshme ikja jote miku im i shpirtit, z. Zeqir Lushaj!

Andaj, miku im Zeqir,
Ashtu sikurse edhe në shkrimin për zonjën tuaj, të ndjerën Sabrije, po e veçoj këtë mendim: “Jeta dhe vepra e juaj përgjithmonë do të na bëjë krenarë, dhe do të jetë si uji i freskët i krahinës së Tropojës, dhe i fshatit Gri, do ta bëjë krenarë këtë pjesë të Shqipërisë, do të na bëjë krenarë jo vetëm neve miqve dhe shokëve tuaj, por të gjithë njerëzit që të njohën dhe me të cilët së paku njëherë ke kontaktuar… Të gjitha këto do ta madhështojnë edhe përjetësinë tënde, edhe pse neve na le të etur për veprën dhe fjalën tënde të ngrohtë dhe me peshë.

Kaq, unë për ty me zemër të thyer, Zeqir Lushaj!
(©S. B.)


Send this to a friend