Marrëdhëniet Turqi-Izrael që stagnuan pas krizës “Mavi Marmara” që ndodhi në vitin 2013, u rigjallëruan me procesin e normalizimit kur në vitin 2013 Izraeli kërkoi falje nga populli turk
ANKARA – NAZLI YÜZBAŞIOĞLU
Procesi i normalizimit pas krizës “Mavi Marmara” në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit, dha rezultate pasi Izraeli zbatoi parakushtet e shpallura nga Ankaraja. Duke hedhur dy hapat e fundit, dy shtetet kanë përcaktuar emrat e ambasadorëve që do të emërohen reciprokisht pas gjashtë viteve.
Turqia ishte në favor që marrëdhëniet me Izraelin që zgjasin prej 67 vitesh t’i zhvillojë në korniza të respektimit të të drejtave të njeriut dhe sovranitetit të popujve dhe shteteve të rajonit. Megjithatë, ecuria me batica e zbatica e marrëdhënieve mes dy shteteve ka buruar në masë të madhe nga aktivitetet e Izraelit ndaj Palestinës. Aneksimi i Izraelit i territoreve të shteteve të rajonit dhe shkeljet e të drejtave të popujve arabë dhe veçanërisht palestinezëve, kohë pas kohe kanë sjellë në pikën e ngrirjes marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit. Ndërkaq, në disa periudha dy shtetet afroheshin deri në atë masë sa të realizonin stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe bashkëpunim ekonomik.
Marrëdhëniet Turqi-Izrael që stagnuan pas krizës “Mavi Marmara” që ndodhi në vitin 2013, u rigjallëruan me procesin e normalizimit kur në vitin 2013 Izraeli kërkoi falje nga populli turk.
Këto janë 67 vitet e marrëdhënieve Turqi-Izrael:
Më 28 mars të vitit 1949, Turqia e ka njohur shtetin e Izraelit, i cili u shpall më 14 maj të vitit 1948, duke u bërë një nga shtetet e para që e njohën qeverinë e Tel Avivit.
Aktivitetet diplomatike të Turqisë në Izrael filluan me dërgimin e shefit të parë të misionit në zyrën përfaqësuese në Tel Aviv e cila u hap në cilësi të ambasadës më 7 janar 1950.
Shqetësimi të cilin Izraeli e kishte nga Pakti i Bagdatit, pakt ky që u formua në vitin 1955 mes Turqisë, Irakut, Iranit, Pakistanit dhe Anglisë, reflektoi negativisht në linjën Tel Aviv-Ankara. Me nacionalizimin e Kanalit të Suezit nga ana e Egjiptit, Izraeli zhvilloi takime të fshehta me Anglinë dhe Francën, shtete këto të cilat kishin hise në kanal, ndërkohë që Turqia protestoi kundër dërgimit të ushtarëve nga ana e territorit të Egjiptit më 29 tetor 1956. Më 26 nëntor 1956, marrëdhëniet ranë në nivel marrëdhëniesh mes të ngarkuarve me punë në zyrat e diplomacisë (charge d’affaires). U desh të kalonin shtatë vite për rikthimin në gjendjen e mëparshme.
Në Luftën Gjashtëditore e cila filloi me sulmin e papritur të Izraelit në Egjipt në vitin 1967 dhe pushtimin e Jerusalemit Lindor, Bregut Perëndimor, Gadishullit Sina dhe Lartësirave të Golanit në Siri, Turqia mori anën e shteteve arabe dhe kërkoi që Izraeli të tërhiqet nga vendet e pushtuara, përfshirë edhe Golanin dhe Jerusalemin.
Në vitet 70-të, në marrëdhëniet dypalëshe mbizotëroi atmosferë e ftohtë. Pas incidentit të zjarrvënies në Mesxhd-i Aksa në vitin 1969, mbështetja nga Turqia e projekt-rezolutës në Këshillin e Sigurimit në vitin 1975 që theksonte se “Cionizmi është lloj racizmi” dhe njohja e Ushtrisë Çlirimtare Palestineze ngjallën reagimin e Izraelit.
Marrëdhëniet dypalëshe pësuan ngritje në nivel ambasadorësh më 1 janar 1980. Kur më 30 korrik 1980 Izraeli e aneksoi Jerusalemin Lindor dhe e shpalli Jerusalemin si kryeqytet të përhershëm, Turqia e mbylli Konsullatën në Jerusalem dhe e solli nivelin e përfaqësimit në Tel Avev në pikën më të ulët.
Marrëdhëniet të cilat u ngritën në nivel të të ngarkuarve diplomatikë më 1 janar 1980, me fillimin e Intifada-s Palestineze një vit më vonë dhe njohjen e pavarësisë së Shtetit Palestinez nga Turqia, pavarësi e cila u shpall më 15 nëntor 1988, hynë në një periudhë stagnimi.
Rigjallërimi i marrëdhënieve
Në vitin 1989, Turqia e filloi procesin e zbutjes së marrëdhënieve kur në vitin 1989 votoi kundër projekt-rezolutës për ndalimin e përfaqësimit të Izraelit në OKB.
Në ndërkohë, me Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme që filloi me Konferencën e Madridit, tensionet arabo-izraelite pësuan trend uljeje. Më 1991, Palestina dhe Izraeli i ngritën përfaqësuesit e tyre në Ankara në nivel të ambasadorëve. Pas kësaj, pasoi fillimi i aktiviteteve të konsullatës së përgjithshme të Turqisë në Jerusalem.
Më 1994, palët nënshkruan marrëveshje për siguri, ndërsa në vitin 1996 marrëveshje për bashkëpunim dhe trajnim në fushën ushtarake. Pas marrëveshjes për bashkëpunim industrial dhe treg të lirë, flotat e Turqisë, Izraelit dhe SHBA-ve realizuan stërvitje të përbashkët ushtarake në Mesdhe.
Qëndrimi anti-paqësor i Sharonit
Marrëdhëniet Turqi-Izrael të cilat shënuan përparim në vitet 90-të si efekt edhe i atmosferës që vinte nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme, u prishën për shkak të radikalizmit anti-paqësor të kryeministrit të atëhershëm, Ariel Sharon. Sharon, i cili në vitin 2000 realizoi vizitë provokative në Mesxhid-i Aksa, u bë shkak i Intifadas së Dytë. Ndjekja e politikave tejet të rrepta nga Sharon kundrejt palestinezëve, shkaktoi prishjen e marrëdhënieve edhe me Turqinë.
Pas pesë viteve u hodhën hapa në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve. Ministri i jashtëm i asaj kohe Abdullah Gul dhe Erdoğan e vizituan Izraelin dhe Palestinën në interval prej katër muajsh.
Sulmi të cilin Izraeli e ndërmori ndaj Libanit më 12 korrik 2006 dhe Rripit të Gazës më 27 dhjetor 2008, rezultuan me reagime të ashpra të Turqisë.
Në njërën nga seancat e Forumit Ekonomik Botëror që u organizua në fillim të vitit 2009 në Davos, kryeministri i atëhershëm turk Erdoğan shfaqi reagimin ndaj fjalëve të presidentit të Izraelit Shimon Peres të cilat i ligjësonin sulmet në Gaza dhe sjelljes së tij që i shkelte kufijtë diplomatikë. Reagimi i Erdoğanit që në opinionin ndërkombëtar u njoh si “one minute”, ngjalli reagime në tërë botën, me në krye opinionin arab.
Erdoğan Peresit iu kundërpërgjigj me fjalët: “Duhet të jetë ndjenjë e fajësisë fakti i ngritjes së zërit tuaj më lart se i imi. E nëse flasim për vrasje, ju dini shumë mirë të vrisni. E di shumë mirë se si i vritni dhe i godisni fëmijët nëpër plazhe.” Ndërkaq, braktisja e seancës nga Erdogan me fjalët “Davosi përfundoi për mua”, ngeli temë diskutimi për një kohë të gjatë.
Thirrja e ambasadorit të Turqisë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit me arsyetimin se në disa filma serikë që u shfaqën në Turqi në pranverën e vitit 2009 dhe në fillim të vitit 2010 ishte shfaqur armiqësi ndaj Izraelit dhe sjellja e vrazhdë ndaj ambasadorit me uljen e tij në një karrige poshtëruese, shkaktoi ngritjen përsëri të tensioneve mes dy shteteve.
Sulmi izraelit ndaj Mavi Marmarasë
Masakra e Mavi Marmarasë që ndodhi më 31 maj 2010 ishte pika më thyese në marrëdhëniet mes dy shteteve. Izraeli ndërhyri në autokolonën e dërguar për thyerjen e bllokadës në Gaza në ujërat ndërkombëtarë. Në anije humbën jetën nëntë shtetas të Turqisë. Ndërkaq, një shtetas i cili u plagos humbi jetën më vonë.
Ndërsa Turqia e tërhoqi ambasadorin nga Tel Avivi, ajo kërkoi që Izraeli menjëherë të kërkojë falje, t’u paguajë kompensim familjeve të viktimave dhe ta largojë bllokadën në Gaza.
Meqenëse Izraeli nuk hodhi asnjë hap, Turqia uli marrëdhëniet në nivelin më të ulët. Përfaqësuesit diplomatikë u ulën në nivel të të ngarkuarve në zyrat e ambasadave, ndërkohë që i pezulloi të gjitha marrëveshjet ushtarake.
Procesi i normalizimit
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu më 22 mars 2013 e thirri për bisedë telefonike kryeministrin e atëhershëm të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan. Në emër të popullit të Izraelit, ai kërkoi falje nga populli i Turqisë për jetët e humbura dhe plagosjet në masakrën e Mavi Marmarasë. Erdoğan e pranoi kërkimfaljen në emër të popullit turk.
Marrëveshja për rinormalizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit u arrit më 26 qershor në Romë.
Dokumenti i marrëveshjes mes dy shteteve u nënshkrua njëkohësisht nga palët veç e veç në qendrat e tyre. Më 28 qershor, në emër të Turqisë nënshkroi sekretari i atëhershëm shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme Feridun Sinirlioğlu, ndërsa në emër të Izraelit drejtori i përgjithshëm pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme Dore Gold.
Pas miratimit të mëvonshëm të dokumentit të marrëveshjes nga kabineti i Izraelit dhe Parlamenti i Turqisë, filloi procesi i emërimit reciprok të ambasadorëve mes dy shteteve
Ndihmat humanitare për Gazën
Tjetër çështje për të cilën palët ranë në ujdi ishte lehtësimi i sanksioneve për Gazën dhe përmirësimi i kushteve humanitare, me çka Turqia dërgoi në Gaza ndihmën e parë humanitare përmes anijes “Lady Leyla” e cila u nis nga Porti i Mersinit më 1 korrik.
Në anijen e cila hodhi spirancën në Portin e Ashdodit në Izrael më 3 korrik, kishte produkte në peshë prej afërsisht 11 tonelatash, edhe atë produkte themelore ushqimore si oriz, sheqer dhe miell, si dhe veshëmbathje, këpucë dhe lodra për fëmijë.
Izraeli pagoi dëmshpërblimin për Mavi Marmaranë
“Projektligji për rregullsinë e miratimit të marrëveshjes procedurale në lidhje me dëmshpërblimin” mes Turqisë dhe Izraelit, u pranua më 20 gusht në seancën plenare të Parlamentit të Turqisë.
Në muajin shtator, Izraeli pagoi dëmshpërblimin prej 20 milionë dollarësh për familjet e personave që humbën jetën gjatë incidentit të Mavi Marmarasë.
Caktimi i ambasadorëve
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit Emmanuel Nahson ditën e djeshme tha se ambasador i Izraelit në Ankara është emëruar Eitan Naeh.
Ndërkaq, Turqia ka emëruar si ambasador të Turqisë në Izrael këshilltarin e kryeministrit Kemal Ökem. Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan njoftoi për ngritjen e përfaqësimit diplomatik të Turqisë në Izrael me fjalët se “Po e emërojmë si ambasador në Izrael këshilltarin e kryeministrit tonë për marrëdhënie të jashtme, Kemal Ökem. Edhe ata e kanë emëruar ambasadorin e tyre.”
Burimet diplomatike kanë theksuar se pritet përfundimi i shpejtë i procesit të emërimit nga të dy palët.
Me fillimin e detyrave të ambasadorëve pas parashtrimit reciprok të agrementeve, marrëdhëniet mes dy shteteve do të vazhdojnë në nivelin më të lartë pas gjashtë viteve. aa
Komentet