VOAL

Please Wait ...
0%

Engel: Projekti perëndimor në Ballkan nuk ka përfunduar, Serbia të ndalë pengesat ndaj Kosovës

By | May 18, 2017

Komentet

Bugajski: Bashkimi i “krahut të luftës” nuk mund ta ndalë Gjykatën Speciale

Janusz Bugajski, njohës i çështjeve politike në Ballkan, ka deklaruar se procesi i Gjykatës Speciale do të vazhdojë pa marrë parasysh përbërjen e qeverisë së re, duke hedhur poshtë spekulimet se bashkimi i “Krahut të luftës” në koalicion parazgjedhor do të jetë pengesë për këtë Gjykatë.

Megjithatë, ai ka shtuar se, edhe pse procesi do të zgjatet, ai duhet të fokusohet dhe të sigurojë prova të besueshme për krimet e luftës individuale dhe të mos kërkojë të diskreditojë vetë UÇK-në apo luftën e armatosur të Kosovës për çlirimin kombëtar.

Më tutje në intervistën e Bugajskit dhënë Zërit, ka thënë se çdo pengesë në punën e Gjykatës Speciale apo ndonjë manipulimi i dëshmitarëve do të kishte një ndikim negativ jo vetëm në qeveri, por edhe në përparimin e Kosovës drejt njohjes ndërkombëtare dhe integrimit institucional ndërkombëtar.

Duke folur rreth zgjedhjeve të 11 qershorit, Bugajksi ka thënë se zgjedhjet janë zakonisht zgjidhjet më racionale kur ka bllokadë politike dhe kur qeveria është nën nivelet e saj të performancës.

Megjithatë, ka shtuar se Kosova mund të përballet me një skenar më pak pozitiv nëse qeveria dështon që t’i përmbushë premtimet e saj.

Krejt në fund, Bugajski ka folur edhe për mundësinë e ndikimit rus në zgjedhjet e 11 qershorit. Sipas tij, secila parti në Kosovë duhet t’i kontrollojë në mënyrë të përpiktë aktivistët e saj dhe mediet për të pastruar veten nga paratë ruse që janë investuar në çfarëdo rasti për profit politik dhe strategjik.

Artan Fuga: Helmimi në mitingun e PD: “Sulm terrorist në bulevardin e Tiranës? Qytetarë vigjilencë”

Akademiku Artan Fuga i ben thirrje kryeministrit Rama dhe kreut te PD-se Basha qe te lene perkohesisht fushaten dhe te hetojne se me çfare u sulmuan dhjetra qytetare ne mitingun e opozites te shtunen.

Ne nje status ne faqen e tij ne Facebook, Fuga i kerkon qytetareve qe te jene vigjilente deri ne zbardhjen e kesaj ngjarje.

 

Statusi i Fuges

Sulm terrorist në bulevardin e Tiranës ?
——
Derisa të gjendet fajtori dhe shkaku i vërtetë, hipoteza duhet mbajtur.

Mos mendojë njeri se jemi të imunizuar ne!

Nëse informacionet e mediave janë të sakta për dhjetra të dëmtuar me dyshimin se kemi pasoja nga helme e lëndë kimike në bulevardin kryesor të Tiranës, gjatë tubimit të partisë demokratike, atëhere ne nuk jemi “prag skandali”, sikurse tha dikush pa përgjegjshmërinë e duhur, por kemi të bëjmë ndoshta edhe me plagosje me elemente të dëmtimit në masë drejtuar me ose pa qëlliml kundër popullsisë civile. Aq më pak është adekuate dhe e përgjegjshme ta konsiderosh thjesht si “lëndim i papritur”.

A mendoni se për cfarë bëhet fjalë? Bëhet fjalë për sigurinë e shëndetit publik dhe sigurinë kombëtare që mund të dyshohet dje se është goditur rëndë në zemër të Tiranës.

Le të shpresojmë dhe urojmë të jetë e pavërtetë që kemi një sulm të qëllimshëm.

Nuk është një krizë që mund të mbulohet me ndonjë deklaratë debile të ndonjë nëpunësi të tretë ose të katërt të administratës. Eshtë ngjarja më e rëndë mbi supet e popullsisë civile pas dramës të Gërdecit.

Shqipëria mund të konsiderohet probabilisht si e goditur me lëndë helmuese mbrëmë.

Janë dëmtuar dhjetra qytetarë dhe krerët e shtetit nuk janë te shtretërit e tyre për t’u dhënë forcë dhe për të shpallur gjendje të pazakontë në sigurinë kombëtare.

Nuk është katastrofë natyrore e thjeshtë.

Nuk është koha as që kryetarët e partive të vazhdojnë këto tre ditë fushatën elektorale, por të mblidhen drejtuesit e shtetit për të analizuar sigurinë e rendit publik dhe masat për ta forcuar atë.

Poqese se vërtetohet, por nga pasojat lejohet dyshimi, por nuk duhet nxituar të merret si i vërtetë.

Le të shpresojmë të kundërtën, por hipoteza duhet mbajtur si e vërtetë derisa të dali e kundërta.

Nuk ka rëndësi se nuk ka të vrarë, vetëm dhjetra të plagosurit mjaftojnë për të folur për viktima në masë. Poqese është sulm me për shfarosjeje ose dëmtimi në masë përbën krim kundër njerëzimit.

Ose është një katastrofë teknologjike nga ndonjë ndotje mjedisi, por që edhe ajo duhet hetuar shumë fort dhe të tërheqi të gjithë vëmendjen e mediave, të opinionit publik dhe të politikanëve dhe drejtuesve të shtetit.

Edhe teknologjia vrastare dhe lënduese duhet të çojë te përgjegjësia e rëndë.

Nuk është besoj krim me dimensione elektoraliste. Mund të jetë një i cmendur, një akt i cmendur i cdo të cekulibruari, një pakujdesi teknike, por edhe një grup i strukturuar, dikush nga jashtë, etj. Janë organet që duhet ta gjejnë.

Por rrezikshmëria është shumë e lartë. Imagjinoni sikur të ndodhi nesër në një stadium, në një mjedis të mbyllur! Cfarë pasojash katastrofike mund të sjelli.

Eshtë e paimagjinueshme që mediat dhe politika nuk i vendosin emrin që duhet këtij akti të pashembullt që është pa precedent dhe ka tronditur rendin dhe sigurinë kombëtare mu në qendër të territorit të shtetit, në bulevardin kryesor, midis Kuvendit dhe kryeministrisë.

Vigjilencë qytetare!

Banorët shqiptarë nga veriu i Kosovës, sytë dhe shpresat kah Prishtina

Fshati Zhazhë në Zveçan

 

Në Komunën e Zveçanit të banuar me shumicë serbe, që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, bëjnë pjesë edhe tri fshatra shqiptare, Boletini, fshati Lipë (Kelmend) dhe ai Zhazhë, me rreth 600 banorë.

Banorët e këtyre fshatrave po përballen me kushte të rënda ekonomike dhe papunësi. Ata thonë se ka një infrastrukturë deri diku të kënaqshme, por mungon subvencionimi i sektorit të bujqësisë, prej të cilit jetojnë.

Disa besojnë se pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, gjërat mund të rregullohen.

Këta banorë i bëjnë thirrje Qeverisë qendrore në Prishtinë, që t’i koordinojë projektet me Komunën e Zveçanit, në mënyrë që të sigurohet mbijetesa e tyre në viset ku aktuaklisht jetojnë.

Shefi i Zyrës për Komunitete në komunën e Zveçanit, Lulzim Peci, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të përgatis një plan në mënyrë që t’u dilet në ndihmë “këtyre njerëzve të cilët po jetojnë në kushte mjaft të vështira”.

Shumica e banorëve në këto tri fshatra, jetojnë nga ndihmat sociale që kap shumën prej 65, përkatësisht 70 eurosh.

Në të kaluarën, këta banorë kryesisht punonin në kombinatin metalurgjik Trepça, por tani shumica kanë mbetur pa punë për shkak të kapaciteteve të ulëta me të cilat punohet viteve të fundit në këtë kombinat.


​Për një gjendje të qëndrueshme ekonomike, banorët e këtyre fshatrave besojnë se do të ndikonte shumë pozitivisht ri-vitalizimi i Trepçës, me shpresën se një proces i tillë do të mund të hapte vende të reja pune.

Haxhi Peci nga fshati Zhazhë, punon si roje në shkollën fillore “Isa Boletini”.

Ai thotë se gjithë jetën e ka kaluar në këtë fshat.

Sipas tij, dikur aty kishte infrastrukturë për të jetuar, por viteve të fundit atë e shqetëson fakti që në mungesë të perspektivës, të rinjtë po largohen.

“Të rinjve nuk u pëlqen ta punojnë këtu tokën, ata preferojnë të dalin jashtë shtetit. Shpresojmë se do të bëhet më mirë, por njerëzit duhet ta kuptojnë se duhet të punojnë”, thotë Haxhi Peci.

Mejdi Kelmendi nga fshati Lipë, thotë se ky fshat po përballet me shumë probleme, kurse banorët, në mungesë të përkrahjes institucionale janë lënë që të kujdesen vetë për të gjithat.

“Kemi probleme me ujë e më të gjithat. Sa rregullohet [furnizimi], menjëherë prishen pajisjet. Nuk ka përgjegjësi, sidmos me furnizim me ujë. Thonë se ka reduktime e prishje, por kujt s’i intereson”, thotë Mejdi Kelmendi.

Ndërkohë, kryetari i komunitetit në fshatin Lipë, Agron Kelmendi, thotë se ka disa investime në këtë fshat, në furnizim me ujë e rrymeë, ndërkaq po punohet edhe në një projekt rrugor për lidhjen e fshatrave mes vete.

Aktualisht, Kosova është në procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, kurse në vjeshtë do të mbahen edhe zgjedhjet komunale, andaj Kelmendi pret që të ketë disa lëvizje pas formimit të institucioneve të reja.

“Presim që faktori politik i Kosovës t’i zgjidhë shumë çështje që kanë mbetur pezull, pikë së pari për liberalizimin e vizave dhe punësimin, çka na intereson më së tepërmi”, thotë Agron Kelmendi.

Sa i përket veriut të Kosovës, ai pret që të dyja nivelet e pushtetit të krijojnë kushte për lëvizje të lirë në drejtim të jugut dhe veriut të Kosovës.

Pjesa veriore e Kosovës, përbëhet nga katër komuna me shumicë serbe.

Ndërkaq shqiptarët, të cilët në pjesët tjera të Kosovës përbëjnë shumicën, në veri banojnë në numër më të vogël nëpër disa fshatra të këtyre komunave.

Ushtria përfshihet në hetime. Nis analizimi i dronit që e monitoroi mitingun e PD-së

Gazetarja e “News24” Klodiana Lala, e ftuan në rubrikën “Opinion” bëri një përmbledhje të asaj çka ndodhi në mitingun e PD-së ditën e djeshme, ku rreth 140 persona janë shtruar në spital pas shqetësimeve të shfaqura.

Lala tha se në hetim është përfshirë edhe ushtria shqiptare, ekspertë mjekësie, të cilët duan të zbulojnë misterin që rrethon këtë ngjarje.

Sipas saj, kjo është hera e parë që një sulm i tillë me pluhur kimik ndodh në Shqipëri, dhe shtoi se nëse ka prani helmi do të jemi para një akti terrorist, shkruan BalkanWeb.

“Në hetim u përfshi edhe ushtria shqiptare, eskpertë të mjekësisë së ushtrisë, që duan të kuptojnë se çfarë është ky mister që e rrethon këtë ngjarje. Nuk është një gjendje normale dhe një rast i zakontë. Drejtuesit e institucioneve më kanë konfirmuar se hetimi do të jetë i thellë. Prokuroria është njoftuar në kohë rekord. Një situatë e tillë për herë të më parë në Shqipëri, s’ka ndodhur kurrë më parë.

Nëse ka prani helmi do jemi para një akti terrorist. E gjithë protesta është monitoruar nga ajri. Edhe kjo pistë po hetohet nga ekspertët, pasi droni ka qëndruar gjatë gjithë kohës mbi podiumin ku fliste Basha. Mes të lënduarve është edhe një vajzë e vogël 6-vjeçare,” tha Lala në studion e lajmeve në “News24”.

Ekspertët kanë mbledhur prova të tjera rrethanore, përfshirë veshjet e simpatizantëve në miting, të cilat janë dërguar në laboratorin shkencor për t’iu nënshtruar analizave.

Mes pacientëve të prekur nga këto shqetësime ka qenë edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, i cili, sipas PD-së, është paraqitur në QSUT në orën 05.00 të mëngjesit të së dielës, ku ka marrë mjekimin e nevojshëm.

Janë 140 të helmuarit gjatë tubimit të djeshëm të PD-së

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, në një njoftim zyrtar konfirmon se nga shërbimi i urgjencës së okulistikës, raportohet se që prej mëngjesit numri i pacientëve ka ardhur duke u rritur

TIRANË – Dhjetëra pjesëmarrës në mitingun e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike të Shqipërisë të zhvilluar dje në Tiranë, kanë përfunduar ne spital me shenja të helmimit, përfshirë edhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, e cila në një njoftim zyrtar konfirmon se nga shërbimi i urgjencës së okulistikës në Tiranë, raportohet se që prej mëngjesit numri i pacientëve ka ardhur duke u rritur. Sipas këtij institucioni janë 140 persona që janë paraqitur për të marrë ndihmën e parë, ku midis tyre 14 pacientë janë shtruar.

Kujtojmë se në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme janë paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pacientë me shenja të helmimit (intoksikacion) si: skuqje dhe dhimbje të syve, të vjella, irritim të lëkurës në zonat e ekspozuara të fytyrës dhe qafës, si dhe në raste të veçanta edhe vështirësi të lehtë në frymëmarrje, etj.

Gjithashtu theksohet se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Drejtorinë e Policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ku në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se “Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani po ndjek me shqetësim dhe angazhim maksimal situatën e rëndë që ka shkaktuar lëndimin e një numri të madh qytetarësh përfshirë edhe liderin e opozitës, Lulzim Basha, gjatë tubimit të çeljes së fushatës elektorale të opozitës ditën e djeshme në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit'”.

Ndërsa reagim ka patur edhe nga kryetari Partisë Demokratike, dhe njëkohësisht lideri i opozitës, Lulzim Basha, i cili në një deklaratë për mediat u shpreh se efektet e të lënduarve janë anësore dhe të përkohshme, sipas tij, jo serioze për jetën dhe ka kërkuar nga autoritetet shtetërore zbardhen e ngjarjes.

Dje Partia Demokratike e Shqipërisë, hapi zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. aa

Qytetari i lënduar: Isha gjysmë metër larg Bashës, nuk shihja

Dhjetëra qytetarë pjesëmarrës në mitingun e opozitës për hapjen e fushatës elektorale kanë përfunduar në spital me djegie dhe ënjtje në sy. Disa prej tyre kanë shfaqur edhe probleme në lëkurë e me frymëmarrjen. Një prej tyre rrëfejnë edhe ndjesitë që kanë pasur pas mitingut.

Një prej grave që ka pësuar helmim dje gjatë mitingut të PD-së, thotë se ndodhej në rreshtin e parë, pranë kryedemokratit Basha.

“Po më dridhet trupi, pse kështu fitohet. Unë isha gjysmë metër larg Bashës. Nuk po shihja kam qenë keq, nuk po prisja që të dilte drita”, tha ajo para kamerave, teksa po linte ambientet e QSUT, pari mori trajtimin mjekësor.

Gruaja tregon se gjatë natës ka ndjerë shqetësime të mëdha, probleme me sytë dhe me frymëmarrjen. Probleme ka shfaqur edhe burri i saj, dhe për këtë i janë drejtuar QSUT-së. Por sipas tyre, kur ata kanë mbërritur në spital, aty nuk ka patur asnjë mjek.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm në spital ka shkuar edhe krydemokrati Basha për të marrë trajtim mjekësor./ Balkan Web/

Spitali: Për simptomat që kanë 76 simpatizantët e PD, kemi njoftuar mjekësinë ligjore

TIRANË- Pas informacioneve se dhjetëra mbështetës të PD që kanë marrë pjesë dje në mitingun për hapjen e fushatës elektorale i janë drejtuar spitalit për shkak të problemeve shëndetësore vjen edhe konfirmimi zyrtar nga Qendra Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, njofton se në Urgjencën e Spitalit Francez nga orët e para të mëngjesit të ditës së diel deri në orën 11.00, janë paraqitur 76 qytetarë të cilët paraqisnin ankesat në vijim: skuqje të fytyrës dhe syve, lotim, kruarje të syve dhe rrufë.

Të gjithë qytetarët referojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme kanë marrë pjesë në aktivitetin e Partisë Demokratike.

Drejtoria e QSUT në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe stafin mjekësor të Shërbimeve të QSUT, morën menjëherë masat për trajtimin e këtyre pacientëve.

Aktualisht, 5 pacientë po mbahen në observim në pavijonin e Okulistikës nga një ekip multidisiplinar mjekësh specialistë. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë, pa komplikacione të rëndësishme.
Drejtoria e QSUT ka vënë në dispozicion të Institutit të Mjekësisë Ligjore të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të sqaruar shkaqet e këtyre simptomave.

Basha kalon natën në spital pas pluhurit “toksik” gjatë mitingut të PD-së, anulohen takimet

TIRANE- Mitingu i djeshëm i Partisë Demokratike për çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, duket se nuk ka shkuar siç duhet. Kjo për faktin se rreth 50 persona kanë shfaqur shenja të djegies dhe skuqjes së syve, nga shkaqe që ende nuk janë zbuluar plotësisht.

Mes personave që kanë shfaqur këto komplikacione është edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Burime për “News24” thotë se kryedemokrati është paraqitur mbrëmë në spital dhe ka qëndruar për disa orë aty, duke marrë trajtimin mjekësor.

Mëngjesin e sotëm, Basha është kthyer në shtëpi, me qetësimin e simptomave.

Sakaq, janë anuluar edhe një sërë takimesh që kreu i PD kishte parashikuar paraditen e sotme në disa qytete të vendit.

“Kryetari Basha nis takimet me qytetaret sot në Divjakë në orën 10.00. Më pas në orën 11.00 do të jetë në Lushnjë dhe në 12.30 në Roskovec”, thuhej në njoftimin e parë të PD-së, por që më pas në një njoftim të dytë këto takime u anuluan.

Pluhur misterioz para Kryeministrisë, dhjetëra qytetarë përfundojnë në spital pas mitingut të PD-së

TIRANE- Dhjetra qytetarë, pjesëmarrës në mitingun e PD i janë drejtuar mbrëmë dhe sot në orët e para të ditës Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, dhe spitaleve të tjera me probleme në sy. Një pjesë e tyre kanë shfaqur shenja të syve të enjtur dhe të skuqur.

Mes tyre thuhet se edhe kryedemokrati Basha ka shkuar në spital.

Burime për “News24” thonë se rreth 30 persona kanë shfaqur probleme nga një lloj pluhuri në zonën ku po mbahej mitingu i PD-së, çka ka shkaktuar edhe irritimet në sy tek disa qytetarë.

Sakaq, pritet që hetimet për rastin dhe Mjekësia Ligjore, e cila ka nisur marrjen e provave, të zbulojnë shkakun e këtyre simptomave te qytetarët.

Burime nga spitali pranojnë për “News24” se në ambientet e QSUT kanë shkuar 10-12 vetë me probleme tek sytë, skuqje dhe kruarje. Të njëjtat burime thonëse ndonëse qytetarët vinin nga i njëjti mjedis, nga mitingu i PD, nuk mund të përcaktohet ende nga se ka ardhur ky problem.

Qytetarët kanë marrë trjatimin mjekësor, dhe raportohet se nuk kanë patur komplikacine të rënda.

SHBA, Presidenti Nishani nderon senatorin Bob Dole

Në Uashington, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani nderoi me dekoratën më të lartë të vendit ish-senatorin amerikan Bob Dole. Senatori Dole, i cili ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës, tha se ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë. Bob Dole ka qenë i emëruar si kandidat për president nga Partia Republikane në zgjedhjet e vitit 1996.

Ilir Ikonomi ishte në ceremoni dhe përgatiti këtë kronikë.

Ish-senatori Bob Dole është 94 vjeç dhe prej vitesh përdor karrocën e invalidit. Por ai ka një kujtesë të fortë, është i qartë në mendime dhe nuk ka hequr dorë nga shakatë.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, së bashku me ambasadoret e Shqipërisë dhe Kosovës në Uashington, si dhe një grup dashamirësish kanë ardhur për të nderuar senatorin me një ceremoni të veçantë.

Kur në sallë luhen himnet e dy vendeve, senatori ngrihet në këmbë në shenjë nderimi.

“Ju, senator Dole ishin ndër të parët që u përpoqët, me vendosmëri duke u rreshtuar në vijën e parë për të ndalur gjenocidin ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës. Ju bëtë një lobim të fuqishëm në senatin amerikan për lirinë që meritonte Kosova dhe më pas për pavarësinë e saj,” tha Presidenti i Shqipërisë.

Zoti Nishani tha se zotit Dole po i akordohej medalja më e lartë dhe më e shenjtë që jep Shqipëria – dekorata e Flamurit Kombëtar.

Senatori Dole pati momente përmallimi.

Në vitin 1996 ai fitoi emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president, por humbi ndaj Bill Clintonit. Ai e kujtoi kështu atë kohë:

“Në vitin 1996 unë garova për president dhe humba. Por fitova thuajse të gjitha votat e shqiptarëve.”

Senatori e vlerëson shumë ndihmën e madhe që i dhanë shqiptarët në fushatë, mes të cilëve ai veçoi shqiptaro-amerikanin Xhim Xhema.

“Xhim Xhema dhe të tjerë, mobilizuan dhjetra njerëz për të më ndihmuar në shtetin Nju Hemshër. Ata vendosnin pankarta. Kishte njerëz që ua hiqnin, por ata i vendosnin përsëri,” kujtoi ish-senatori.

Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe ndër të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.

Në vitin 1998, Bob Dole e vizitoi përsëri Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Senatori i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike. Ai sensibilizoi ligjvënësit e tjerë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviç t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje.

“Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është ndërlikuar, – shkruante senatori Dole në atë kohë. – Në fakt gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëvedhe ne e dimë se kush është përgjegjës: Sllobodan Millosheviçi.”

Bob Dole është vetë veteran i Luftës së Dytë Botërore, nga e cila edhe sot ka plagët në trup.

Kjo është ndoshta arsyeja që jeta e tij ka qenë gjithmonë në krah të atyre të cilët vuajtën nga shtypja dhe kërkuan lirinë. Në këtë kauzë, shqiptarët mbeten ndër miqtë e tij më të mirë, nga ata që nuk të harrojnë./VOA

 

Basha prezanton veten para demokratëve, rrëfen historinë e jetës

Në hapjen e fushatës zyrtare të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur përpara demokratëve për Republikën e Re dhe programin e opozitës për zgjedhjet 25 qershorit.

Por e papritura në këtë hapje të fushatës elektorale të PD-së ka qenë pjesa kur Lulzim Basha ka folur për veten e tij, duke prezantuar përpara demokratëve një histori të shkurtër të jetës së tij.

“Unë e di cfarë mendimi keni shumica prej jush për politikanët. Ne jemi këtu pas një beteje 90 ditore dhe në një marshim tjetër 30 ditor jo thjesht për të ndryshuar lojën e shahut. Loja merr fund më 25 qershor, jo politikanët, por ju do të merrni në dorë, shqiptarë merrni në dorë Shqipërinë më 25 qershor. Lulzim Basha lindi më 12 qershor 1974 këtu në Tiranë. Jam bir i një familje të thjeshtë, babai im punoi si elektroaut, nëna ime ishte mësuese në ciklin e ulët. Prindërit e mi bënë gjithçka që unë të merrja sa më mirë bazat e arsimit.

Përfitova në një nga vendet më të përparuara në Holandë. Në vitin 1998 besoj se nderova universitetin e Utrektit, po në radhë të parë Shqipërinë ku u listova i 10 në botë. Punova me nder dhe përkushtim për disa viet në Kosovë. Gjithçka në jetë nuk më erdhi falas. Kjo ishte jeta ime deri në ditën kur PD e drejtuar nga Sali Berisha në vitin 2005 hapi dyert e të rinjve në politikë. Mundësitë që mu dhanë, u jam përgjigjur me punë dhe sakrificë”, tha Lulzim Basha.

Berisha flet për herë të parë për listën e kandidatëve të PD: Ja e vërteta!

Pas publikimit të listave të PD ku mungojnë mjaft figura historike të demokratëve, të shumta kanë qenë reagimet negative kundrejt Lulzim Bashës.

Por të shumtë kanë qenë gjithashtu zërat se lista e PD-së, nuk është vetëm një produkt i liderit të kësaj partie, por edhe të ish kryeministrit Sali Berisha.

Mbi këtë shqetësim, një qytetar i ka shkruar personalisht Sali Berishës dhe ish kryeministri i ka kthyer një përgjigje.

Në përgjigjen e tij Berisha është distancuar nga lista e PD-së, duke thënë se ai është një ekskluzivitet vetëm i kryetarit Basha dhe jo i ish kryetarit.

Përgjigjen e ish kryeministrit e ka publikuar Citynews.al.

“Faleminderit per mesazhin,me kete rast ju siguroj se lista e kandidateve te PD esht ekskluzivisht vetem e kryetarit dhe jo e ishktyetarit i cili pa asnje keqardhje ka patur zero rol ne listen e re.Por une mendoj se esht e drejte ekskluzive e kryetarit te zgjedhe ekipin e tije,me urimet e mia me te mira per ju,me respekt Sali Berisha”, shkruan Berisha.