VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Emrat – Refuzohet lista e tretë e Qeverisë për gjyqtarin e Shqipërisë në Strasburg

By | February 17, 2018

Komentet

Lubonja: Rama, kukull e oligarkëve

Për analistin e njohur Fatos Lubonja, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është një kukull i oligarkëve.

Këto deklarata Lubonja i bëri në rubrikën “Opinion” në News24, teksa komentoi nismën e ndërmarrë nga Partia Demokratike për “Çlirimin e Ekonomisë” nga krimi.

Sipas Lubonjës, kjo lëvizje i duket pozitive, pasi Rama ka një mbështetje të fortë nga oligarkët.

“Fillimisht më duket pozitive, se nuk është Edi Rama ai që mund të vendosë për çdo gjë, por ai e bën këtë falë një mbështetjeje të fortë që vjen nga paratë. Sistemi e ka bërë të rrezikshëm personin. Për çlirimin nga e keqja duhet goditur sistemi. Është e rëndësishme që njerëzit e dinë të keqen. Është një gjë që nesër ja kërkon edhe pse zhgënjehesh. Më përpara përdoreshin vetëm emrat Nano, Berisha, Rama, Meta, po emrat e oligarkëve nuk dilnin. Këto janë kukulla, s’mund të ketë pushtet pa oligarkët. Shqipëria vend i vogël dhe e keqja nuk fshihet dot. S’bëhet fjalë vetëm për personin e keq, por për sistemin e keq që ka marrë personin përsipër, si kukull. Por duhen gjetur instrumentat që si do shkatërrohet ky sistem. Ky është hap tjetër që opozita duhet ta dijë qartazi,” tha Lubonja.

Shqipëria mirëpret stërvitjen ushtarake “Albanian Lion 2018”

TIRANË – Në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë është organizuar Dita e Vizitorëve të Shquar në kuadër të stërvitjes shumëpalëshe “Albanian Lion 2018”, që po zhvillohet në Shqipëri, ku u demonstruan disa nga veprimet e kësaj stërvitjeje, si dhe u ekspozohen mjetet, pajisjet dhe armatimi i përdorur.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ambasadorë, si dhe krerët më të lartë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe trupave britanike.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, u shpreh gjatë ceremonisë se Shqipëria është e qartë për orientimin pro perëndimor, ndërsa shtoi se modernizimi i bazës ushtarake të Kuçovës është konfirmim i rolit dhe rëndësisë së Shqipërisë në NATO.

“Kjo stërvitje shërben jo vetëm për partnerët tanë. ‘Albanian Lion 2018’ vjen edhe si rritje e ndërveprimit me fqinjët dhe ne jemi të qartë për orientimin tonë pro perëndimor. Vendi ynë, pavarësisht përmasave mbetet me kontribute të rëndësishme në NATO. Pas 9 vitesh pjesë e NATO-s, Shqipëria po kontribuon. Modernizimi i bazës së Kuçovës është konfirmim i rolit dhe rëndësisë së vendit tonë duke marrë në konsideratë faktin, që është e vetmja bazë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Kjo është rrjedhojë e seriozitetit. Nga nëntori i këtij vitit do të marrim kryesimin e qendrës për siguri dhe koordinim, në 2019 do të marrim kryesimin e Kartës së Adriatikut”, tha Xhaçka.

Më tej gjatë fjalës së saj, Xhaçka tha se Shqipëria pavarësisht përmasave apo resurseve të përkufizuara mbetet një vend me kontribute të qenësishme në NATO.

Në fjalën e tij në ceremoni, Gjeneral major Charlie Stickland, i pranishëm në Shqipëri me forcat britanike si komandant i forcave amfibe në stërvitjen e përbashkët “Albanian Lion 2018” tha se stërvitje është një mundësi që “Britania e Madhe të thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë, marrëdhëniet me të si një aleat strategjik për ne”.

Në disa zona të vendit, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Britanisë, Kosovës dhe Kroacisë do të përdorin bazat ushtarake në stërvitjen më të madhe ndërkombëtare që zhvillohet në Shqipëri.

Rreth 1.200 trupa dhe dhjetëra mjete, tokësore, ajrore dhe detare do të angazhohen në stërvitjen “Albanian Lion 2018”, e cila do të zhvillohet deri më datë 30 shtator. Për herë të parë në këtë stërvitje, e cila zhvillohet çdo vit në Shqipëri, merr pjesë edhe një kontingjent nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, qëllimi i kësaj stërvitjeje është realizimi i operacioneve të evakuimit joluftarak nëpërmjet detit dhe ajrit, duke përfshirë anije luftarake zbarkuese, helikopterë dhe forca speciale për veprimtaritë në tokë. aa

Studimi: Përveç Bajrave, ja kush janë familjet që sundojnë Shkodrën

Goditja e Bajrave në Shkodër mund të konsiderohet aksioni më i suksesshëm i policisë shqiptare në vitet e fundit. E trullosur nga aroma e kanabisit gjatë drejtimit të dyshes Tahiri-Çako, policia e ka të vështirë ta rimarrë veten, por aksione si ai i të premtes janë pozitive jo vetëm për mesazhin që i japin opinionit publik, por edhe për vetë moralin e policëve.

vellezerit bajri

Mbetet për t’u parë, nëse goditja e Bajrave do të jetë pikënisje e një qasjeje të re të policisë dhe prokurorisë kundër krimit të organizuar, apo një rast sporadik i imponuar nga rrethanat. Dhe në rast se vërtet ekziston vullneti që “Forca e Ligjit” të triumfojë, duhet marrë parasysh se kjo nuk është një punë e lehtë.

Për të kuptuar më mirë se në çfarë përmasash ka arritur krimi i organizuar në Shkodër, vlen të lexohet pjesë e një studimi të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar. Shkodra, në bazë të këtij studimi, rezulton të jetë një qytet thellësisht i kriminalizuar, ku sundojnë 4 familje. Nga të dhënat, duket se familja Bajri, është familja e dytë që përshkruhet në studim. Dhe të tjerat nuk janë më pak të rrezikshme.

Një nga autorët e studimit është Besfort Manallari, aktualisht zv.ministër i Brendshëm, tjetri Fabian Zhilla, ekspert i sigurisë publike.

Pjesë nga studimi, Shkodra

“Është e nevojshme që fillimisht të sqarojmë kuptimin e organizatave kriminale të cilat mbështeten në lidhje të ngushta familjare (“Familje”), karakteristikë kjo e grupeve kriminale të zonës veriore të vendit. Me “familje” të përfshira në krimin e organizuar do të kuptojmë ato grupime kriminale të cilat strukturën drejtuese organizative të tyre e mbështesin në lidhjet familjare sipas hierarkisë së familjes, duke filluar nga kryefamiljari (babai ose vëllai i madh), e ndjekur më pas nga vëllezërit më të vegjël, kushërinjtë dhe duke zbritur tek rrethi shoqëror që kryesisht mbështetet tek komshinjtë. Mendohet që në qytetin e Shkodrës të veprojnë të paktën 4 “familje” të mëdha të cilat janë përfshirë në aktivitete kriminale. Këto “familje” hamendësohet ti kenë rezistuar kohës për shkak të lidhjeve të forta familjare, agresivitetit dhe lidhjeve me politikën. Fillimet e tyre nisin të duken që në fundvitet 80-të, kur në Shkodër, si në shumë qytete të mëdha të vendit, filluan të krijoheshin grupe të rinjsh të dhunshëm në lagje të caktuara të qytetit të cilët njiheshin si të “fortët e lagjes“, si: “Grupi i Rusit” “Xhabijes” ose “Kirasti”. Ndër këto grupe kishte edhe djem të cilët ju përkisnin “familjeve” që dyshohet se dominojnë sot krimin në qytetin e Shkodrës. Anëtarë të këtyre familjeve njiheshin për pjesëmarrjen në veprimtari kriminale para dhe gjatë periudhës së komunizmit. Pra kishin një histori të përfshirjes së familjarëve në veprimtari kriminale edhe në të shkuarën. Këto grupime kriminale janë kryesisht të mbështetura në lidhje familjare dhe kontrollojnë zona të caktuara. Fuqizimi i tyre filloi me kontrabandën e karburanteve e cila lulëzoi në rrethin e Shkodrës pas thyerjes së embargos së Kombeve të Bashkuara vendosur ndaj ish-Jugosllavisë në maj të vitit 1992, si dhe konfliktet e armatosura në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.

Më pas këto “familje” u angazhuan në trafikun e qenieve njerëzore dhe atë të narkotikëve. Këto veprimtari kriminale ju mundësuan të krijojnë lidhje edhe me rrjetet ndërkombëtare kriminale. Gradualisht këto familje u fuqizuan financiarisht duke u integruar në veprimtari tregtare të rëndësishme në qytetin e Shkodrës dhe më gjerë. Një tjetër faktor fuqizues është edhe lidhjet që disa nga këto familje vendosën me “familje “mafioze italiane në jug të Italisë, por edhe pranisë së kësaj të fundit në Malin e Zi. Ky shtet njihet edhe si një ndër portet kryesore të kontrabandës së duhanit në Ballkan e dirigjuar nga Sacra Corona Unita. Deri në vitin 2012 Mali i Zi konsiderohej nga media ndërkombëtare si një “shtet mafioz”.

Familjet e mësipërme në qytetin e Shkodrës mendohet të kenëkonsoliduar pozitat e tyre në qytet dhe rrethina nëpërmjet dhunës dhe shantazheve, por dhe gjobëvënies ndaj bizneseve. Kjo e fundit ka qënë fenomen shqetësues në Shkodër edhe pas vitit 2005. Struktura e organizimit të këtyre “familjeve” hamendësohet se i ngjan një “biznesi familjar”, ku organizata kriminale vepron në emër dhe përfitim të familjes ose klanit familjar. Zakonisht drejtuesi i organizatës është kryefamiljari, i cili, pas vdekjes së tij, zëvendësohet nga vëllai më i madh.

Siç u përmend më sipër, hierarkia më pas zbret në varësi të afërsisë së gjakut me drejtuesin e organizatës dhe kjo përcakton dhe rëndësinë dhe rolet. Kështu në rang më të ulët vijnë kushërinjtë e parë, të dytët e me radhë. Në organizatë përfshihen edhe individë të cilët kanë lidhje shoqërore me anëtarët kryesorë të organizatës si dhe djemtë e lagjes ku organizata ka qendrën e saj. Këto “familje” kontrollojnë territore të caktuara dhe kanë linjat e tyre të trafiqeve. Në përgjithësi këto “familje” janë të kujdesshme për të mos ndërhyrë në territoret e njëra-tjetrës pasi një gjë e tillë aludohet t’i ketë kushtuar mbi 20 të vrarë dy prej familjeve në konflikt në periudhën 1999-2013. Pas vrasjes së Edmir Koçisë në vitin 2012 hamendësohet se ka një ristrukturim tjetër të kontrollit të qytetit nga këto familje. Koçia konsiderohej deri në vitin 2012 si një ndër individët më të rrezikshëm dhe drejtues i organizatës më me influencë në qytet. Ai dyshohej për një sërë vrasjesh, ku ndër to dhe për vrasjen e Çim Cafit.84 Një vit më pas eliminohet edhe Gjon Gjeka85, i cili gjithashtu dyshohet të jetë ekzekutuar nga e njëjta dorë dhe porositës, për shkak të stilit fare të ngjashëm të vrasjes. Pas këtyre vrasjeve mendohet që “familjet” dominuese në qytet të kenë vendosur një situatë paqeje.

Sot këto “familje” kanë të ndara qartë territoret e tyre, ku kryesisht ndodhen biznese apo veprimtari ekonomike të cilat janë nën mbrojtjen e tyre. Secila nga këto familje ka karakteristikat e veta. Një “familje” (1) mendohet të jetë më afër politikës dhe të ketë ndikim të fortë në pushtetin vendor në çështjet që lidhen me lejet e ndërtimit apo dhe punësimet në institucionet zyrtare. Por, gjithashtu, kjo familje hamendësohet të jetë e përfshirë edhe në trafikun e drogave të forta (heroinë dhe kokainë).

Një “familje” (2) tjetër përflitet se ka ndikim dhe kontroll në një zonë që fillon që nga qendra e qytetit, drejt Dobraçit, deri në rrethinat dhe një pjesë të Dukagjinit. Kjo “familje” dyshohet se kontrollon drogat e lehta (kanabis) dhe është e përfshirë në rrjetet ndërkombëtare të narkotikëve kryesisht në Belgjikë, Hollandë dhe Suedi. Gjithashtu aludohet se kjo “familje” jep para me fajde në tregun e zi, dhe se është përfshirë në trafik klandestinësh për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo “familje” (2) dyshohet të ketë lidhje edhe me një ndër organizatat kriminale të rrethit të Tiranës që u trajtua më sipër dhe e cila vepron kryesisht në Tiranë – Durrës
dhe Fushë-Krujë. Së fundmi përflitet se kjo familje (2) është angazhuar në të ashtuquajturën “mbledhje borxhesh” (biznese të ndryshme, në pamundësi për të mbledhur borxhet, ju paguajnë një tarifë organizatave kriminale të cilat në këmbim ju marrin borxhin debitorëve), e ngjashme kjo me “pizzo” e mafies Italiane, kryesisht asaj Siciliane. Mendohet se kjo “familje” është familja më e zgjeruar në numër dhe në lidhje gjaku në krahasim me të tre “familjet” e tjera.

Një familje tjetër (3) e cila ndan territorin e kontrollit në qytet me “familjen” (2) më sipër, ka ndikim të konsiderueshëm dhe mendohet se ka influencë në një territor që fillon nga qendra e qytetit dhe më pas vijon në lagjet e njohura si ajo e Xhabijes dhe Zdrales. Përflitet se një ndër veprimtaritë e saj kryesore është siguria që ju ofron bizneseve në zonën që kontrollon kundrejt një pagese mujore. Kjo “familje” kryesisht është e kujdesshme dhe e sofistikuar, nuk ekspozohet në krime ordinere dhe është më e vogël në numër se familjet e tjera. Dyshohet gjithashtu se ka lidhje me një organizatë shumë aktive në rrethin e Tiranës që u trajtua më sipër.

Një familje tjetër (4), e cila nuk ka influencën e të parave, dyshohet se ka influencë në zonën e Kirasit dhe mendohet se ka kryesisht lidhje të forta me organizatat kriminale në Kosovë. Numri i anëtarëve të kësaj organizate mendohet të jetë i konsiderueshëm dhe përgjithësisht përbëhet nga persona me lidhje gjaku dhe shoqërore të lagjes ku drejtuesit e organizatës banojnë. Mendohet se krerët e kësaj “familjeje” trafikojnë lëndë narkotike dhe janë të angazhuar në trafikun e prostitucionit në Suedi dhe
Danimarkë.

Në përgjithësi, grupet kriminale të rrethit të Shkodrës janë “poli-kriminale” dhe përdorin gjerësisht zonën e Velipojës, portin e Shëngjinit dhe portet e Malit të Zi për trafikun e narkotikëve. Ky trafik bëhet kryesisht me kontenierë ose anije peshkimi të cilët e çojnë “mallin” në det të hapur i cili më pas tërhiqet nga grupet e tjera kriminale që veprojnë në BE. Organizatat kriminale në rrethin e Shkodrës kanë rritur gjithashtu veprimtarinë e tyre edhe në trafikun e armëve, të cilat i transportojnë ato nga Mali i Zi, nëpërmjet lidhjeve të tyre në Malësi të Madhe. Armët, së bashku me narkotikët, dyshohet se transportohen për në BE nëpërmjet skafeve të cilat nisen nga grykëderdhja e Bunës ose lugina e Vilunit në Velipojë.

Pas goditjes që ju bë “kanabisit” në fshatin e Lazaratit hamendësohet se një ndër “hambarët” më të mëdhenj të rritjes së tij në mënyrë të përqendruar do të zhvendoset në zonën e Dukagjinit, kryesisht në Pult, Shal dhe Shosh. Dhe kjo tendencë e prodhimit të kanabisit ka rrezik të sjellë zhvillime të reja të organizatave kriminale në rrethin e
Shkodrës. Përflitet që të ardhurat që do të sjellë çmimi tashmë i rritur i kanabisit në tregun ndërkombëtar do t’iu mundësojë këtyre organizatave jo vetëm rritje të ndjeshme të fuqisë ekonomike por edhe akses të konsiderueshëm në mafian ndërkombëtare. Duke pasur parasysh edhe pozicionin strategjik të qytetit të Shkodrës, fuqinë relativisht të dobët goditëse të shtetit si dhe ekuilibrat kulturorë dhe fetarë, “Kryeqendra e Veriut” rrezikon të kthehet në një ndër “polet” kryesore të organizatave kriminale më të rrezikshme në vend në vitet e ardhshme”.

©Lapsi.al

I dënuar në Itali, nis hetimi për ish-gjykatësin e lartë

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje gjyqtarin Admir Thanza, i cili akuzohet për falsifikim formulari sepse nuk ka deklaruar që ka qenë i arrestuar dhe dënuar në Itali për vjedhje. Prokurori i çështjes është Gentjan Abazi.

Admir Thanza, anëtar i Gjykatës së Lartë, nuk e kaloi Vetting-un. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) vendosi shkarkimin e tij bazuar në 3 kriteret e rivlerësimit.

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza ishte në sistemin e drejtësisë shqiptare që në vitin 1992, kur përfundoi studimet me titullin jurist në Universitetin e Tiranës.

Po në këtë vit Thanza filloi punën si gjyqtar pranë Gjykatës së shkallës së parë të Shkodrës, ku ka shërbyer deri në vitin 2006. Nga ky vit e deri në vitin 2009 ka qenë gjyqtar në gjykatën e shkallës së parë të Tiranës. Më pas karriera e Thanzës do të ngrihej menjëherë, pasi në vitin 2009 emërohet gjyqtar në gjykatën Kushtetuese, ku shërbeu deri në vitin 2013.

Më tej karriera e Thanzës si gjyqtar do të vazhdonte si anëtar në Gjykatën e Lartë, ku shërben edhe aktualisht. Gjithashtu mes viteve 2004, deri në vitin 2009 ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe pedagog i jashtëm pranë disa universiteteve shtetërore dhe private.

Por e gjithë kjo karrierë duket se është shembur pasi Thanza gjatë kohës që ka qenë gjyqtar në gjykatën e Shkodrës, është dënuar në Itali, në vitin 1999 me 40 ditë burg dhe gjobë për vjedhje, vendim për të cilin institucionet shqiptare nuk mund të mos kenë pasur dijeni, por që nuk e kanë bërë publike edhe kur Thanza ngjiti shkallët më të larta në sistemin e drejtësisë, në Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.

Mes qindra dosjeve që Thanza ka gjykuar gjatë karrierës së tij 26-vjeçare në sistemin e drejtësisë, janë procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit në Gjykatën e Lartë, ku familjarët e viktimave të 15 marsit 2008, opinioni publik dhe politika kanë akuzuar disa herë që ende nuk është dhënë drejtësi. Po ashtu ai ka dhënë vendime në gjykimin e disa deputetëve në Gjykatën e Lartë, si Tom Doshi, Mark Frroku apo Gent Strazimiri.

Greta Koçi: Ja pse u largova nga PD

Këngëtarja Greta Koçi ishte e ftuar në emisionin “Xing me Ermalin”, ku treguar për herë të parë edhe arsyet se pse u largua nga PD, pasi në qeverisjen e ish-kryeministrit Sali Berisha ka mbajtur postin e kreut të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Duke kujtuar këtë periudhë, Koçi u shpreh: “Angazhimi im atje ka qenë shumë serioz dhe mua më ka ndihmuar shumë për të mësuar gjëra të reja dhe besoj që kam dhënë një kontribut të vlefshëm për aq kohë sa isha. Por e kam ndërprerë totalisht tashmë”.

E pyetur nëse ndërprerja ndodhi sepse Berisha dha dorëheqjen, Koçi tha se nuk ishte kjo arsyeja, por ju duk i mjaftueshëm një mandat.

“Jo, besoj ishte mjaftueshëm një mandat, 4 vite, ishte shumë impenjative dhe erdhi momenti që duhet të kishte një shkëputje që unë të merrja pak frymë. Sepse jam në moshën më të përkryer për ta vazhduar ende muzikën”, tha këngëtarja.

A do të harrohet edhe Teatri si kinema “17 Nëntori”?! – Nga Ben Andoni

Me shumë gjasa po. Zyrtarët e ndryshëm kanë shumë qejf t’u tregojnë homologëve ose vizitorëve të huaj maketin e teatrit të ri, paçka se ai nuk është vënë ende në hullinë e duhur. Që do të thotë se investimi për ta prishur këtë godinë është më i madh se kur dhe pothuajse fare pranë për t’u realizuar. Nëse për kinema “17 Nëntorin”, zhurma ishte jo e madhe e shumë shpejt u harrua çdo gjë, në rast prishje të ngrehinës së teatrit, mbase do të ndodhë e njëjta gjë, përveç faktit që impakti që pati presioni i shoqërisë civile, i publikut dhe intelektualëve të ndryshëm do të kujtohet më shumë. Paçka baltosjes, që i është bërë protestës, pjesëmarrjes dhe turililloj patetikësh, që gjetën rastin të shprehen, në vetvete mbrojtja e godinës ka përmbledhur si pak herë dhe me një kohëzgjatje jo të pakët, një energji të tërë. Për të drejtën. Për qytetin tonë. Fatkeqësisht, kërkesa më e mirë, që të kishim një rikonstruksion të ndërtesës dhe ta ruanim për ngarkesën që ka, nuk po merr formë. Fillimisht, e tradhtuan njerëzit që ishin gati ta mbronin me… trupat e tyre. Pastaj, u fut politika me marifetet e saj të bukura dhe epilogu…

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese në Parlament i mbledhur për ligjin e teatrit u nda si zakonisht mes mosmarrëveshjeve të shumta dhe pas shumë debateve mazhoranca e pranoi dekretin e presidenti Meta, duke filluar korrigjimet për zhvillimin e garës për projektin e Teatrit ashtu siç edhe këshillonte BE. Në fakt, duhej t’i bënte para kësaj letre dhe jo me arrogancën e zakonshme. Nuk ndodhi kështu dhe u zbyth vetëm para forcës së autoriteteve të Brukselit, që me takt i kanë kujtuar një nga parimet e demokracisë: garë e barabartë.
Për fat të mirë, në problemin për teatrin është treguar se shoqëria mbetet ende shumë e ndjeshme ndaj padrejtësisë. Dhe, jo më kot, në debatin për të janë përfshirë shumë forca dhe grupe shoqërore të ndryshme, nga ku janë derdhur pakënaqësi të shumta ndaj një qeverie që gjithnjë e më shumë është shumë e padrejtë dhe aspak tolerante. Dhe, fatkeqësisht, sado e vështirë që ka qenë gjetja e një gjuhe të përbashkët nga aktorët, aq më shumë zbuluar është treguar arroganca e subjekteve të ndryshme dhe ironia e strukturave të shtetit ndaj tyre.

Protesta ndaj Teatrit është shndërruar në një simbolikë, që përfaqëson grupe të ndryshme interesi, që edhe pse kanë konceptime te ndryshme, të gjithë i bashkon tashmë një gjë e përbashkët: Ruajtja e teatrit, mosndërtimi i kullave, mbrojtja e parimit të konkurrimit të barabartë dhe mbi të gjitha transparenca.
Kjo e fundit e varrosi kinemanë “17 Nëntori” dhe sot është e harruar krejtësisht, kjo rrezikon të varrosë njëherë e mirë edhe luftën për teatrin, pasi duhet sqaruar se qeveria Rama dhe të gjitha levat e saj tashmë e kanë kthyer në normalitet mungesën e transparencës dhe tolerancën ndaj mendimit publik.
Në javët e fundit Shqipëria është e ngërthyer me lajme të shumëllojta, që vjen nga forcimi i krimit dhe te rritja e varfërisë së njerëzve dhe këto kanë bërë që të tulatet krejt shoqëria në luftën e saj. Sfida sot kërkon të luftosh në të njëjtën kohë në disa fusha njëherazi. Me pak fjalë i bie të luftosh njëkohësisht me disa kauza të pamundura, ku si gjithnjë del fitues ajo që shpall grupi i të fortëve, që artikulon me zërin e shtetit. E, fadromat që janë nisur drejt teatrit nuk kanë kohë të presin, ato duan ushqimin e tyre, që në këtë rast është godinë e teatrit, që me shumë gjasë jo shumë kohë më vonë, do të kujtohet jo më shumë se godina e kinema “17 Nëntorit”. Por, ka ende dhe pak kohë. Mbase në këto segmente të pakta kohore do të kihet mundësi që të gjykohet që t’i besohet sensibilitetit të njerëzve, kundrejt makutërisë së kullave, që nuk dinë të ndalen. Maketet që u tregohen të huajve janë të bukura në zyra, por asfare në realitet.

Rrëmbeu dhe vrau 15-vjeçaren, prova që ‘fundosi’ Behar Bajrin

Detaje të tjera dalin në dritë nga aktiviteti i bandës kriminale ‘Bajri’ në Shkodër, e cila udhëhiqej nga dy vëllezërit Enver dhe Safet Bajri, ku pjesëtar i saj ishte dhe kushëriri i tyre, Behar Bajri. Gazetarja Klodiana Lala në një lidhje direkte për ‘News24’ raportoi se deri më tani policia dhe prokuroria ka arritur që të verifikojë 2 vrasje të kryera nga kjo bandë, duke u bazuar tek faktet shkencore.

Krimet e faktuara deri tani janë vrasja e shtetasit Arben Tuzi, ngjarje kjo e ndodhur në 7 shkurt 2001, si dhe vrasja e shtetases me inicialet F.H,. 15 vjeçe. “BalkanWeb” mëson se vajza u gjet e pajetë në banesën e Behar Bajrit më 20 qershor të 20 të 2002-it.

Ndonëse si fillim u raportua si vetëvrasje, pas hetimeve të policisë rezultoi se vajza ishte vrarë. Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se e mitura ishte marrë peng dhe mbahej me forcë nga Behar Bajri. Vrasja e saj u zbulua për shkak të pozicionit të plumbit që kishte marrë poshtë parakrahut. Prova e fortë që fundosi Bajrat ishte pistoleta, e cila rezultoi se ishte e njëjta që ishte përdorur edhe për vrasjen e Arben Tuzit.

Me këtë të fundit familja Bajri kishte konflikte të vazhdueshme, të cilat kishin shkuar deri në përleshje me armë apo dhe me vrasje. Në aksionin e fundit të policisë, Behar Brajoviq (Bajri) u arrestua në Roterdam të Holandës, ndërsa djali i xhaxhait, Safet Bajri u kap në Tiranë. Ndërkohë kushëriri tjetër, Enver Bajti është shpallur në kërkim. Sakaq, nuk përjashtohen edhe ngjarje të tjera kriminale, si vrasje, të kryera që nga viti 2000 deri në vitin 2018.

Goditet grupi “Bajri”, 11 të arrestuar

Në Shqipëri, policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftuan sot goditjen e një prej grupeve më të rrezikshme kriminale “Bajri” i cili vepronte kryesisht në Veri të vendit e që kishte shtrirë aktivtetin dhe në vende europiane. Operacioni, i organizuar në kuadër të nismës “Forca e ligjit” e cila synon goditjen e organizatave më të mëdha kriminale në Shqipëri, u mbyll me arrestimin e 11 personave, dy prej të cilëve në Roterdam të Hollandës, nërsa të tjerët në Tiranë dhe Shkodër. Tre anëtar të grupit ishin arrestuar më parë gjatë ndërhyrjes që policia kreu në fillim të këtij muaji në Shkodër, pas një serie ngjarjesh të rënda që kishin ndodhur në këtë qytet. Dy persona të tjerë të dyshuara si anëtarë të grupit, janë shpallur në kërkim. Në pranga ka përfunduar dhe Safet Bajri, një prej personave të shumëkërkuar nga policia belge.

Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë të shumta: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”. Sipas njoftimit zyrtar, këto vepra penale janë kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Polizia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda shpjeguan se “veprimet hetimore, deri në goditjen e plotë të gjithë grupit kriminal “Bajri” kanë zgjatur mbi 6 muaj. Janë kryer dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktive në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv. Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë”.

Sipas njoftimit “si vepra të rënda kriminale, të dokumentuara deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe në 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash.

Grupi “Bajri”, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit”. Në kuadër të operacionit, “policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal”.

Nën sekuestro pasuritë e Habilajve

Në Shqipëri, Prokuroria e Krimeve të Rënda, deklaroi sot se Gjykata ka pranuar kërkesën e saj për vënien në sekuestro 29 pasuri të llojeve të ndryshme, të të ashtuquajturit “Grupi Habilaj”, vëllezërit shqiptarë nga Vlora, të akuzuar se janë përfshrë në trafik të lëndëve narkotike. Në listën e gjatë figurojnë pasuri në emrin e Moisi Habilajt, i konsideruar si kreu i grupit që merrej më dërgimin e sasive të mëdha të marijuanës drejt Italisë, vend ku tetorin e kaluar autoritetet e Catanias goditën grupin shqiptar si pjesë të një organizate kriminale italo-shqiptare.

Mes pasurive të sekuestruara janë dhe atë njerëzve të afërt apo të lidhur me Habilajt. Bëhet fjalë për të paktën 10 apartamente me një vlerës totale prej disa qindra mijëra euro. Mes pasurive të sekuetsruara dhe 3 ndërtesa, një garazh, një truall, katër njësi tregtare, katër pasuri të tjera të patundshme dhe 5 autovetura. Në total sipas Prokurorisë vlera e pasurive nën sekuestro shkon në disa miliona euro.

Dyshimet për lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, me të cilët kishte lidhje farefisnore, vunë nën akuzë vitin e shkuar dhe ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Hetimet ndaj tij nisën pasi autoritetet italiane goditën organizatën në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i ish ministrit përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë.

Në maj të këtij viti, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas Prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij, por Gjykata vendosi arrestin e shtëpisë, një masë e cila u ndryshua pak javë më pas nga Gjykata e Apelit. Zoti Tahiri ka mohuar akuzat për përfshirjen e tij në trafik narkotikësh apo dhe të ketë patur lidhje me grupin e Habilajve. Hetimet ndaj tij janë ende në vazhdim.

Balla ja për se e njofton ‘qytetarin digjital’

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, është përfshirë ditën e sotme në një aksident rrugës për të shkuar në Shkodër.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se nga ky aksident nuk ka pësuar lëndime.

“Rrugës për në Shkodër #EgjithëVëmendjaPërNjerëzit, makina u përfshi në një aksident rrugor. Shyqyr që të gjithë jemi mirë. Të njoftohet edhe ‘qytetari digjital’”, ka qenë ky postimi i Ballës në Tëitter.

“Ksenofon Kristafi nuk firmos draftmarrëveshjen”, Koloneli Pasha ngre alarmin për Paktin Detar me Greqinë: Mos kemi pazare?

ARISTIR LUMEZI/ Koloneli Myslym Pashaj, një ndër ekspertët më të mirë të çështjeve të detit, në një intervistë për “Panorama” ka ngritur dyshimin se me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë po bëhen pazare.

 

Pashaj ka thënë se palës greke i është dërguar një draftmarrëveshje dhe ky material është refuzuar të firmoset nga përfaqësuesi i Presidentit në negociata, Ksenofon Krisafi. Koloneli ka thënë se mungesa e informacionit dhe hermetizmi i këtij procesi të krijon dyshime se palët janë arritur një ujdi të fshehtë në kurriz të integritetit territorial.

“E themi këtë sepse, sipas këtyre mediumeve, del se i dërguari teknik dhe ligjor i së Drejtës Ndërkombëtare Detare, prof. Krisafi, si njeriu kyç i Presidentit, nuk ka firmosur draftmarrëveshjen! Ky është fakti më alarmues i kësaj situate.

Dhe po ta pyesësh prof. Krisafin ai me të drejtë të thotë se ruan etikën, konfidencialitetin, që ia kërkon standardi zyrtar i Ministrisë së Jashtme dhe Qeverisë. Nuk mëson dot gjë se ku janë shkaqet e këtij qëndrimi i cili flet shumë”, ka thënë Pashaj.

Si njohës i mirë i marrëveshjes së detit, në ambientet informale diskutohet se Grupi Negociator i Shqipërisë, për Paktin Detar 2 me Greqinë, ka dërguar një draftmarrëveshje palës tjetër ku ka paraqitur esencën e negociatave të Delimitimit të Hapësirave detare. Transparenca ka munguar deri tani. Ju si ekspert, keni dijeni ç’po ndodh me Integritetin Territorial të hapësirave detare përgjatë Detit Jon në Otranto dhe Ngushticës së Korfuzit?

Transparenca është e domosdoshme. Kur kjo nuk bëhet, lind hamendësimi. Këtë e lidhim me skenarët e fshehtë, që u panë në Paktin Detar-1, pa transparencë, me një shpejtësi aq të dyshimtë, çka e dha rezultatin e pushtimit të hapësirave detare të Shqipërisë. Ndaj, unë them, se s’ka asgjë prej kufizimit të informacionit, mbasi opinioni shqiptar është familjarizuar në diskutime të shumta dhe kërkon të dijë sa më të shkoqitur se ç’po ndodh. E themi këtë sepse, sipas këtyre mediumeve, del se i dërguari teknik dhe ligjor i së Drejtës Ndërkombëtare Detare, prof. Krisafi, si njeriu kyç i Presidentit, nuk ka firmosur draftmarrëveshjen! Ky është fakti më alarmues i kësaj situate. Dhe po ta pyesësh prof. Krisafin, ai me të drejtë të thotë se ruan etikën, konfidencialitetin që ia kërkon standardi zyrtar i Ministrisë së Jashtme dhe Qeverisë. Nuk mëson dot gjë se ku janë shkaqet e këtij qëndrimi i cili flet shumë.

Lidhur me negociatat, Kryeministri ka deklaruar se se “s’do të ketë më vijë ndarësve të tradhtisë, por një vijë e re”, ndërkohë që ai ka përsëritur se “Barketa s’do të jetë më pikë nga fillon matja e Detit…” etj.. Pra, duket se nuk mund të hartohet një draftmarrëveshje ku të ketë ndryshim nga këto deklarata… Si mund të kapërcehet ky institucion kushtetues i lartë!?

Këto që po fliten (por që s’janë zyrtare) si dhe hermetizmi që po hasim është i pranishëm edhe te kolegët tanë, këto të bëjnë të mendosh me shqetësim për ecurinë normale të Negociatave. Ne pyesim se, a janë bërë negociata për: a)Metodat, parimet, kriteret e UNCLOS-82, sepse në Paktin Detar-1 Shqipëria rezulton humbëse e madhe në sajë të përdorimit të metodës së baraslargësisë, duke përjashtuar kushtet e rrethanat speciale që ka Korfuzi (si arkipelag) ndaj Shqipërisë që është dhe Kontinental? A është folur për nenin 15 të UNCLOS-82 dhe “rrethanat specifike e titujt historikë”? b) Efektin e ishullit Othonoi, që, sipas ministrit të Jashtëm të Greqisë, Kotzias, do të përfitojë një efekt të plotë (100%) të hapësirës Ekonomike Ekskluzive, duke e pushtuar këtë hapësirë prej rreth 270 km2!? Dhe Shqipëria ka gjasa që të mos marrë EEZ në Ngushticën e Otrantos e ky mund të konsiderohet si një ripushtim i së drejtës detare shqiptare në bazë të UNCLOS-82. c)Barketën e cila është shkëmb e cekin detare e Shqipërisë, në të cilën në Paktin Detar-1 është përdorur si pikë bazë nga është matur Deti Territorial i Shqipërisë, duke i lënë vetëm 900 metra deri në vijën bregore të Shqipërisë!? d)A ka qenë vallë, një negociatë aq e ndijshme pretendimi i Shqipërisë se Pakti Detar-1 as që nuk e cek Gjirin e Sarandës, që për rrethanat shqiptare është “historik”, por vija është mbyllur deri në grykë të qytetit e prej aty ka filluar matja!?

Kaq do të mjaftonin për t’u njohur shqiptarët, se “a ka zë e figurë” Shqipëria, apo aty ka pasur diktat nga pala fqinje negociatore!?

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk mund të kapërcehet!

Ju mendoni se ka diktat?

Nuk mund ta themi këtë ende, prandaj opinioni kërkon shpjegime për draftmarrëveshjen e dërguar! Apo Shqipëria ka ndenjur kokulur, inferiore, e pazonja për veten e saj, për Integritetin Territorial të hapësirave të saj! Qëndrimi i shtetarëve të Greqisë na zbulon se ata kanë arritur qëllimet e tyre strategjike dhe “negociatat janë në udhë të mbarë…” e kjo flet shumë. Po Shqipëria? Ajo s’ka se ku mbështetet veçse në UNCLOS-82, në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe në rolin e sotëm të Presidentit, i cili ka në dorë kryeoponencën e kreut të shtetit. Por para se të shkojë në dorë të tij, forumet, bashkësitë studimore të pavarura, Shoqëria Civile duhet të njihen me draftmarrëveshjen që të kontrollojnë drejtësinë, ligjësinë, saktësinë në moscenimin e Integritetit Territorial të Shqipërisë. Kjo është rruga. Hiqni hermetizmin e Paktit Detar! Kjo i bën mirë përfundimit të negociatave për një zgjidhje të ndershme e të drejtë (equitable solution) të synimeve të Shqipërisë. Kërkimi i firmave aq me ngut, dëshira për të kopsitur një draft me 13 firma dhe kundërshtia e parë, tregon se ka gjasa që të ketë vepruar një teknologji tjetër, një mekanizëm tjetër brenda dy grupeve negociatore, të cilat mund të na sjellin në vijë të re, të manipuluar, por pa bërë negociata të vërteta për çështje aq të komplikuara që ju i cekët më parë.

A mund të shpjegoni diçka për këtë?

Gjer këtu nuk mund të arrihet! Sepse kjo do të thotë se presim një Pakt Detar-2 shumë herë më të keq se sa ai i pari! Prandaj mirë po na kujton Shoqëria Civile që të kemi transparencë në pikat thelbore të draftmarrëveshjes… Se ndryshe, edhe pala tjetër mund të ketë plotësuar firmat dhe kjo sjell në një rang të dytë e pastaj të tretë në Qeveri dhe del një ditë që dy ministrat e Jashtëm, me nga pas Ramën e Cipras bëjnë të njëjtën gjë që bëri dhjetë vjet më parë Berisha, Basha. Karamanlis dhe Bakojanis. Po të jetë ky skenar e ky kalendar, sjell një gabim të dytë të pafalshëm të Qeverisë, se duhet të dihet mirë se s’ka zot nëne që të bindë shqiptarët, nëse ata nuk njoftohen më parë me draftmarrëveshjen. Prandaj të çlirohemi nga hermetizmi.

Profesor Pasha, unë po iu citoj se ç’informacion ka Berisha:

“ …negocim dhe negociata nuk ka. Unë kam burime të brendshme, ka atdhetarë dhe patriotë në atë ekip, grupin negociator. Burra atdhetarë të cilët nuk e shesin interesin e vendit të tyre në atë mënyrë. Ata më kanë informuar qartë se deri para një jave është zhvilluar një takim me palën greke, në të cilën është dorëzuar marrëveshja e panegociueshme nga pala greke dhe me urdhrin e prerë që nuk do të mund të përdorni fjalën ‘ekiti’ se ne nuk e njohim. Nocioni i ‘Ekiti’-së është edhe themeli i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjithçka tjetër është bërë në favor të qeverisë greke, pa matje”. Ç’mendim keni për këtë informacion? Është shumë alarmante po të ketë ndodhur kjo! Prandaj sa më parë të njihemi me atë se ç’po bëhet me detin e shqiptarëve! Mos vallë kemi pazare?

Pse u tensionua situata gjatë intervistës së Ramës, ja si kryeministri shpërthen ndaj gazetarëve

Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” ka qenë i ftuar kryeministri i vendit Edi Rama, ndërsa përballë tij kanë qenë gazetarë e analistë.

Gjatë bisedës në studio ka pasur edhe një moment kur tonet janë ngritur paksa, e kjo për temën e nxehtë të vetingut të politikanëve të propozuar nga opozita si dhe për rastet e deputetëve të PS të cilët u larguan nga dekriminalizimi.

Rama është përballur me komentet e Blendi Fevziut dhe Robert Rakipllarit, teksa këta të fundit kanë sjellë në kujtesë rastet e disa prej deputetëve të cilët rezultuar të ishin të dënuar më parë për krime.

Pjesë nga debati:

Rama: Lëreni gurin që ka hedhur Luli në lum dhe hajde flasim për diçka tjetër

Fevziu: Po pse keni frikë nga vetingu?

Rama: Frik nga cili veprim?

Fevziu: që të ketë një filtër ekstra më të fortë për të ndaluar lidhjet e politikanëve me krimin?

Rama: e para e punës, qëllimi i këtij guri të hedhur në lumë është pikërisht ky… që të ndërtohet kjo fabul që “unë s’kam frikë, ti ke frikë”. Ky nuk është vendim por palaçollët… nëse gjykatësit, vetingu thotë kontakte të papërshtatshme, ju e keni parë çfarë është, pra kontakti i papërshtatshëm me subjektin e tij, pra me subjektin e tij, që populli e paguan të gjykojë dhe ai devijon.

Fevziu: Po kur një deputet flet në telefonon me personin që e ka thirr prokuroria për çështjen tuaj?

Rama: Në momentin që deputeti flet në telefon dhe prokuroria e konsideron nul…

Robert Rakipllari: Deputeti duhet të mos shkojë më në parlament, por nuk shkon në burg, ky është dallimi

Rama: Ore je në vete nga trutë e kokës? E di çdo të thotë në telefon? Jeni në terezi ju apo jo? Nëse deputeti flet ne telefon, deputeti në radhë të parë e ka për detyre të flas ne telefon me të gjithë, por nëse deputeti i bën favore një personi të inkriminuar, deputeti shkon në burg…

Fevziu: Moralisht nuk mund të rrijë më në politikë…

Rama: Ore jeni në rregull ju apo jo? Ju po thoni rast thashethemet… a jeni në vete ju?

Fevziu: Po duhet të ketë një filtër moral more zoti kryeministër?

Rama: Çfarë filtër, filtër moral për çfarë flas unë?

Rakipllari: Filtër moral për rritjen e integritetit të përfaqësimin politik në Shqipëri…

Rama: Cilin integritet?

Rakipllari: Ju thatë se në grupin tuaj parlamentar ju nuk keni asnjë kriminel, e keni thënë publikisht. Dolën që ishin ata…

Rama: Kush ishte?

Rakipllari: Arben Ndoka….

Rama: Ai, i vetmi…

Rakipllari: Frroku, Prenga…Elvis Roshi… nuk janë kriminelë këta?

Rama: E para e punës… një minutë… Është turp..

Rakipllari: Keni dhënë garanci për këta persona… Ambasadori amerikan ju ka kërkuar mos ta kandidoni atë, ju e kandiduar.

Rama: A ka mundësi? Prit mo prit… A mbarove? Është turp për një gazetar…

Rakipllari: Si qenka turp për një gazetar? Është turp për mua dhe nuk është turp për ty që ke mbrojtur Elvis Roshin?!

Rama: është turp për nja gazetar që të thotë se Mark Frroku ishte anëtarë i PS…

Rakipllari: Po aty ishte, bashkë me ju, anëtarë i maxhorancës, merrte pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar të PS, ishte pjesë e vendimmarrjes…

Rama: Është turp… E dyta, as Armando Prenga nuk është subjekt..

Rakipllari: Si nuk është? Ai nxori pistoletën aty në mes të komisariatit…

Rama: Zotëri, u dënua politikisht për këtë, e kam përjashtuar unë nga grupi nuk e ka hequr dekriminalizmi…

Rakipllari: Po, pasi ka rrahur deputetë me rripa, në Parlament… këto janë fakte.

Fevziu: Ishte ambasadori amerikan që ju bëri thirrje publike që këta persona janë të lidhur me krimin…

Rama: edhe një herë tjetër, është turp more është turp, është turp, turp i madh… kjo është arsyeja se përse kjo histori duhet mbyllur këtu. Dekriminalizimi është ligji atje, një ligj që nuk e ka asnjë vend i planetit.

Rakipllari: po një filtër ekstra duhet, se ikën kriminelët por shokët e kriminelëve i ke akoma ty..

Rama: Më fal, më fal një minutë, prit mo prit…

Rakipllari: Rama, këtë nuk mund ta mohosh, që përfaqësimin politik e ke katastrofë, integritetin e personave aty e ke ashtu siç është aty.

Rama: Në këtë parlament?

Rakipllari: Në këtë dhe në të kaluarit…

Rama: Po turp mo turp..

Rakipllari: Pse turp?

Rama: Më thuaj në cilin grup? Kush je ti që diskuton integritetin e njerzëzve kështu…

Rakipllari: E diskutoj që çke me të..

Rama: Pse mo ku jeni këtu? Në komitetin qëndrorë jeni?

Rakipllari: E diskutoj që çke me të, kjo është puna ime

Rama: Si u diskutoka? Aty ka gra, burra, prindër, nëna..

Rakipllari: Askush nuk i mohon që ka…

Rama: Po si… Kush je ti që e diskuton këtë?

Rakipllari: Kjo është puna ime, është detyra ime ta them këtë…

Fevziu: Zoti Rama çfarë ishte ajo për 330 veta të larguar nga dekriminalizimi?

Rakipllari: Ata janë kriminelë, të dënuar…jo të lidhur me krimin…

Rama: Është turp dhe vetëm turp që thuhet kjo gjë në një vend demokratik…

Rakipllari: Po patjetër, turp për ne që e themi, po kanë dalë ata ama…

Rama: Ja ta shpjegoj unë… ata janë…

Rakipllari: Ke dhënë garanci për Elvis Roshin dhe ke thënë që ky nuk është kriminel, minimalisht kërko një ndjesë për këtë…

Rama: Hë mo boll tani, më ler të mbaroj se e teprove…Do të kërkoj ndjesë… për ça të këkroj ndjesë?

Rakipllari: Publikut, jo mua…

Rama: Jo ty, po askujt nuk i kërkoj ndjesë sepse nuk kam bërë asgjë të qëllimshme dhe kam thënë ekzaktësisht gjënë që kam ditur…. sepse kur kam krijuar grupin, kam marrë të vetmen dëshmi që kishim, atë të penalitetit, dhe ka qenë e bardhë… Njeriu nuk quhet kriminel, në asnjë vend të botës, pasi ka kryer dënimin.

Rakipllari: Nuk bëhet as deputet ama…

Rama: 330-tshja është rezultat i iniciativë sime, u kam thënë e bëjmë që e bëjmë këtë ligj, ta shtrijmë në të gjithë administratën.

Fevziu: Ishte e opozitës

Rama: Ore është e imja… po ju them edhe një herë që ju merrni pjesë në këtë përpjekje për ta kriminslaizuar gjithë Shqipërinë dhe politikën…*(Debati për vetingun politik të propozuar nga opoizta) Dhe nëse ka dy gjera që janë të padiskutueshme: e para që kjo është përpjekje për të spostuar komplet një hulli tjetër, një luftë pulitke që ata janë të humbur… e ka thënë dhe Berisha që ne nuk fitojmë dot me pozitën…

Rakipllari: Sepse Rama e vjedh votën tha, merre të gjithën…

Rama: ky është një tjetër turp i juaji se ju duhet të bëni sondazhe, ju bëni politikë nuk bëni informim. Bëni sondazhet dhe shikoni. Unë po ju them sot, se nëse bëhet ne marrim më shumë deputetë nga sa kemi dhe ata marrin më pak…

Rakipllari: Ju jeni e vetmja maxhornacë që vetëm i rrit votat…

Rama: Çuditërisht!!

Rakipllari: Shkelje e të gjitha rregullave të shkencave politike…

Rama: Mos u shqetëso ti për shkencën, se kështu ishte dhe partia Laburiste në Angli…

Rakipllari: Jo, në mandatin e dytë ishte më shumë

Rama: Prit se dua ta mbaroj këtë… se është turp…

Fevziu: Çfarë është turp mor burrë? Po pse mo nuk  ka qenë parlamenti i mbush me kriminelë? Me banditë?

Rama: Jo mo jo nuk ka qenë i mbushur me banditë… fare!

Fevizu: Po plot mo plot ka qenë.

Rama: E vërteta e dekriminalizimit është që nga PS ka ikur vetëm një deputet, dhe ai u dorëhoq para se të futej ligji në fuqi, dy të PDIU dhe dy të LSI…

Rama: Unë i kërkoj ndjesë Rakipllarit, se e ngrita pak zërin, se e mora shumë seriozisht pasionin e tij…

Rakipllari: Nuk ka nevojë mund të ishe edhe më keq..

Rama: Është turp, turp, për gazetarë që thonë se një politikan duhet të ikë nga politika se të kapën një foto apo folën në telefon, jeni në vete? Jeni në terezi?