Na ishte dikur një baba i cili kishte një vajzë që e quanin Elsa e Mençur. Kur ajo u rrit, babai i saj tha: “Duhet t’i japim një burrë.” “Po,” tha nëna e saj, “nëse dikush do ta dojë.” Më në fund, një farë Hansi erdhi nga larg dhe i kërkoi dorën për martesë, por vetëm me kusht që Elsa e Mençur të ishte vërtet e mençur. “Oh,” tha babai i saj, “ajo e ka kokën plot!” Dhe nëna e saj shtoi: “Oh, ajo sheh erën që fryn në rrugë dhe dëgjon mizat që kolliten.” “Po,” tha Hansi, “nëse nuk është shumë e mençur, nuk do ta marr.” Në tavolinë, pasi hëngri, nëna e saj tha: “Elsa, shko në bodrum dhe merr pak birrë.” Ajo mori enën, hyri në bodrum dhe gjatë rrugës e përplaste kapakun me forcë që të mos mërzitej. Kur ishte në bodrum, mori stolin dhe e vendosi përpara fuçisë, në mënyrë që të mos përkulej dhe të rrezikonte të lëndonte shpinën dhe të futej në ndonjë telashe të papritur. Pastaj vendosi enën përpara saj dhe hapi rubinetin, dhe, ndërsa birra rridhte, duke mos dashur t’i linte sytë pa lëvizur, i ngriti ato drejt murit. Shikoi andej-këndej derisa pa, pikërisht mbi kokën e saj, një kazmë që ndërtuesit e kishin lënë atje gabimisht. Pastaj Elsa e mençur filloi të qante dhe tha: “Nëse martohem me Hansin dhe kemi një djalë, dhe kur të rritet e dërgojmë poshtë në bodrum për të mbushur birrë, kazma do të bjerë mbi kokën e tij dhe do ta vrasë!” Kështu që ajo u ul aty duke qarë me gjithë shpirt për fatkeqësinë që po afronte. Lart po prisnin birrën, por Elsa e mençur nuk erdhi që nuk erdhi. Pastaj nëna i tha shërbëtores: “Zbrit në bodrum dhe shiko ku është Elsa.” Shërbëtorja shkoi dhe e gjeti të ulur përpara fuçisë, duke qarë me zë të lartë. “Elsa, pse po qan?” pyeti shërbëtorja. “Ah,” u përgjigj ajo, “a nuk duhet të qaj? Nëse martohem me Hansin dhe kemi një djalë të vogël, dhe kur të rritet e çojmë poshtë në bodrum për të mbushur birrë, ndoshta kazma do t’i bjerë mbi kokë dhe do ta vrasë.” Shërbëtorja tha: “Pa shiko sa e mençur është Elsa jonë!” Ajo u ul pranë saj dhe filloi të qante edhe ajo për këtë fatkeqësi. Pas pak kohe, meqenëse shërbëtorja nuk u kthye dhe atyre lart iu ishte tharë buza, babai i tha shërbëtorit: “Zbrit në bodrum dhe shiko ku janë Elsa dhe shërbëtorja.” Shërbëtori zbriti, dhe aty ishin Elsa e mençur me shërbëtoren duke qarë së bashku. Dhe ai pyeti: “Pse po qan?” – “Ah,” tha Elsa, “a nuk duhet të qaj? Nëse martohem me Hansin dhe kemi një djalë të vogël, dhe kur të rritet e çojmë poshtë në bodrum për të mbushur birrë, ndoshta kazma do t’i bjerë mbi kokë dhe do ta vrasë.” Pastaj shërbëtori tha: “Shiko sa e mençur është Elsa jonë!” Ai u ul pranë saj dhe gjithashtu filloi të bërtiste me zë të lartë. Lart ata pritën shërbëtorin, por meqenëse ai nuk erdhi kurrë, burri i tha gruas së tij: “Zbrit në bodrum dhe shiko ku është Elsa.” Gruaja zbriti, i gjeti të tre duke u ankuar dhe pyeti pse. Pastaj Elsa i tha edhe asaj se fëmija i saj i ardhshëm me siguri do të vritej nga kazma sapo të rritej dhe duhej të mbushte birrë, dhe kazma ra. Pastaj nëna tha gjithashtu: “Shikoni sa e mençur është Elsa jonë!” Ajo u ul dhe qau me ta. Lart burri priti pak më gjatë, por meqenëse gruaja e tij nuk u kthye dhe ai po bëhej më i etur, ai tha: “Do të zbres vetë në bodrum dhe do të shoh ku është Elsa.” Por kur arriti në bodrum dhe i pa të gjithë duke qarë, njëri pranë tjetrit, dhe dëgjoi arsyen – domethënë, se ishte fëmija që Elsa mund të lindte një ditë, i cili mund të vritej nga kazma nëse do të ulej nën të dhe do të merrte birrë pikërisht kur kazma binte – atëherë thirri: “Shikoni sa e mençur është Elsa jonë!” Ai u ul dhe filloi të qante me të tjerët. Lart, dhëndri mbeti vetëm për një kohë të gjatë; pastaj, meqenëse askush nuk u kthye, mendoi: “Ata duhet të të presin poshtë; duhet të zbresësh edhe ti dhe të shohësh çfarë po bëjnë.” Kur zbriti, i gjeti të pestë ulur atje duke qarë dhe duke vajtuar, secili më i mjerë se tjetri. “Çfarë fatkeqësie ka ndodhur?” pyeti ai. “Ah, i dashur Hans,” tha Elsa, “nëse martohemi dhe kemi një fëmijë, dhe ai rritet dhe e dërgojmë këtu për të mbushur birrë, atëherë kazma që ka mbetur atje lart mund të bjerë mbi kokën e tij dhe t’ia çajë kokën; atëherë a nuk do të qajmë?” – “Epo,” tha Hansi, “mençuria jote më mjafton, dhe meqenëse je kaq e mençur, do të të marr për grua.” Ai e kapi për dore, e çoi lart dhe u martua me të.
Pas njëfarë kohe, Hansi tha: “Grua, unë do të dal të punoj dhe të fitoj diçka. Ti shko në arë dhe korr grurin, që të kemi bukë.” “Po, Hansi im i dashur,” u përgjigj Elsa, “unë do të dal.” Kur Hansi doli, ajo gatoi një supë të mirë dhe e mori me vete në arë. Sapo mbërriti, tha me vete: “Ҫfarë të bëj më parë, të korr apo të ha? Epo, do të ha më parë.” Kështu që ajo filloi të hante supën e saj, dhe kur u ngop plotësisht, tha përsëri me vete: “Ҫfarë të bëj më parë, të korr apo të fle? Epo, do të fle më parë.” Ajo u shtri në grurë dhe ra në gjumë. Hansi kishte mbërritur në shtëpi prej shumë kohësh, por Elsa nuk po kthehej; pastaj ai tha: “Sa e mençur është Elsa ime! Ajo është aq e etur për të punuar saqë as nuk kthehet në shtëpi për të ngrënë!” Por meqenëse Elsa nuk u kthye që nuk u kthye dhe po errësohej, Hansi doli të shihte se sa kishte korrur. Por ajo nuk kishte korrur asgjë dhe po flinte aty mes grurit. Kështu që Hansi vrapoi në shtëpi dhe mori një rrjetë zogjsh me zile të vogla dhe e vari sipër saj pa e zgjuar. Pastaj shkoi në shtëpi, mbylli derën dhe u ul në karrigen e tij. Më në fund, natën vonë, Elsa e mençur u zgjua; dhe kur u ngrit, dëgjoi një zhurmë zilesh të vogla që tingëllonin rreth saj ndërsa ecte. Pastaj ajo u frikësua dhe u hutua, duke dyshuar nëse ishte vërtet Elsa e mençur dhe tha: “Jam unë apo nuk jam unë?” Por ajo nuk dinte çfarë të përgjigjej dhe mbeti në dyshim për një kohë të gjatë; më në fund mendoi: “Do të shkoj në shtëpi dhe do të pyes nëse jam unë apo nuk jam unë; ata me siguri do ta dinë.” Ajo vrapoi drejt derës, por ishte e mbyllur; kështu që ajo trokiti në dritare dhe thirri: “Hans, a është Elsa aty?” “Po,” u përgjigj Hansi, “ajo është këtu.” Ajo u frikësua dhe tha: “O Zot, atëherë nuk jam unë!” Dhe ajo shkoi te një derë tjetër, por duke dëgjuar tingëllimin e kambanave, njerëzit nuk e hapën derën dhe ajo nuk gjeti dot vend për të qëndruar. Kështu që iku nga fshati dhe askush nuk e pa më kurrë.