VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Elon Musk paralajmëron teknologjinë që e lidh trurin e njeriut me kompjuterin

By | April 23, 2019

Komentet

Misioni Apollo 11, përmes filmave

Shkenca dhe forca e shpirtit njerëzor bënë të mundur misionin Apollo 11 të zbritjes në Hënë para 50 vjetësh, por regjisorët dhe ekspertë të kulturës thonë se shumë përpara 16 korrikut të vitit 1969 ishte kultura popullore ajo që e imagjinoi njeriun atje. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelopi Poulou u hedh një vështrim filmave dhe serialeve televizive që u dhanë mundësinë njerëzve të ëndërronin dhe ndihmuan suksesin e Apollo 11, si edhe filmave më të rinj që i janë kushtuar vetë misionit historik.

Eksplorimi i hënës ishte tema e filmit 14 minutësh “Një udhëtim në hënë” i regjisorit Georges Melies në vitin 1902. Mes të tjerash, filmi ishte frymëzuar nga romanet fantastiko-shkencore të Zhyl Vernit.

Në vitin 1950, në filmin fantastiko-shkencor “Destinacioni: Hëna” të regjisorit George Pell, astronautët pasi zbresin në sipërfaqen e hënës, shohin që nuk kanë karburant të mjaftueshëm.

Apollo 11 rrezikoi me të vërtetë të mbeste pa karburant dhe kishte vetëm një shans të ndizte motorin për t’u ngritur nga hëna. Kjo histori tregohet në dokumentarin me tre pjesë të regjisorit Robert Stone, “Duke ndjekur hënën”.

“Nëse motori nuk ndizej, gjithçka do të merrte fund! Dhe ne ishim gati me titullin për atë skenar”.

Një vit para misionit Apollo 11, përsëri kultura popullore ishte në pararojë, duke imagjinuar përtej hënës.

“Po të shohësh filmin ‘2001: Një Odise në Hapësirë’, të regjisorit Stanley Kubrick’, që doli në vitin 1968, ai parashikon përtej uljes në hënë, duke përshkruar një kohë kur udhëtimet e rregullta në hënë, janë pjesë të jetës së përditshme”.

Dhe ndërsa gara hapësinore ishte në kulmin e saj mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, pasi kosmonauti sovjetik Yuri Gagarin u bë njeriu i parë në hapësirë në vitin 1961, ((Marrë nga: “Star Trek”, Paramount Pictures)) seriali “Star Trek” i regjisorit Gene Roddenberry, parashikonte një federatë planetesh, që punonin së bashku në paqe për eksplorimin e hapësirës.

“… dhe imagjinonte një të ardhme ku burra dhe gra të racave dhe kombësive të ndryshme, madje edhe një jashtëtokësor, punonin së bashku në anije”, thotë zonja Weitekamp.

Dekada pas misionit Apollo 11, përparimet teknologjike në kinematografi u kanë dhënë mundësi studiove që të transformojnë xhirimet origjinale të NASA-s dhe të tjera xhirime historike në formatet IMAX, HD dhe 3D. Kjo u ka dhënë mundësi regjisorëve si Robert Stone që të ofrojnë një vështrim bindës dhe historikisht gjithpërfshirës të garës hapësinore.

Në bashkëpunim të ngushtë me NASA-n dhe Arkivat Kombëtare, regjisori i dokumentarit “Apollo 11”, Todd Douglas Miller ofron një kapsulë kohore të javës së zbritjes në hënë që nga nisja e deri tek kthimi i astronautëve.

Ekipi kinematografik transformoi xhirime historike të papublikuara dhe 11 mijë orë audio inçizime të misionit Apollo 11.

​Filmi artistik I regjisorit Damien Chazelle rreth Apollo 11, “Njeriu i Parë”, rrëfehet nga perpesktiva e Neil Armstrongut dhe familjes së tij, duke kombinuar në mënyrë të përkryer pamjet kinematografike dhe xhirime nga arkiva.

Gjysmë shekulli nga hapi i parë i njeriut në Hënë

Astronaut Edwin E. “Buzz” Aldrin Jr. poses for a photograph beside the U.S. flag deployed on the moon during the Apollo 11 mission on July 20, 1969. (AP Photo/NASA/Neil A. Armstrong)

Më 20 korrik të vitit 1969, astronautët amerikanë Neil Armstrong dhe Edwin Aldrin shkelën mbi sipërfaqen e Hënës, duke u bërë kështu njerëzit e parë që shkelin në të. Agjencia hapësinore amerikane, NASA, po shënon 50 vjetorin e ngjarjes historike duke restauruar dhe rihapur dhomën e kontrollit nga drejtohej misioni historik Apollo 11. Sot është një muze, por çdo cep i tij duket aq i gjallë dhe i vërtetë sikur të ishte viti 1969. Të jep ndjenjën sikur inxhinierët dhe shkenctarët janë larguar prej andej vetëm para disa momenteve.

“Shqiponja u ul”, ishin fjalët e para që inxhinierët e kontrollit të misionit dëgjuan nga Hëna, në ditën që u hap një kapitull i ri i eksplorimit të hapësirës.

“Sapo ishim ulur në Hënë dhe ekipi fiku motorin. Ndërsa bota festonte, ekipi im vazhdonte punën, sepse duhej të siguroheshim që qëndrimi në Hënë nuk ishte i rrezikshëm”, thotë Gene Kranz, drejtor i fluturimeve Apollo.

Qendra e Kontrollit të Misionit në Hjuston menaxhoi fluturimet hapësinore për dy dekada të tjera. Në vitin 1992, ekipi i kontrollit u zhvendos në një pjesë më moderne të qendrës hapësinore ndërsa dhoma historike u mbyll.

“Pastrova gjërat që kishin ngelur në dhomë, hodha shishet dhe kanoçet… Kishte mbeturina në koshat e plehrave. Dhoma nuk po përfaqësonte siç duhet momentin historik të qendrës së kontrollit”, thotë Gene Kranz, drejtor i fluturimeve Apollo.

Në vitin 2013, një grup restauruesish u angazhuan që t’i kthejnë qendrës pamjen që kishte vite më parë.

“Morrëm mendimin e 35 specialistëve që kontrollonin fluturimet, na treguan butonat që përdornin më shumë gjatë angazhimit të tyre dhe kjo ndihmoi në restaurimin, sepse kuptuam pjesët më të rëndësishme të dhomës”, thotë eksperti i ruajtjeve historike, Adam Graves.

Ekipit restaurues iu desh pesë vjet të hulumtonte çdo element.

Sfida më e madhe ishte që ekranët e mëdhenj të duken saktësisht sikur para gjysmë shekulli.

“Ekrani 1, 2 dhe 5… Për më shumë se një vit nuk dinim se çfarë duhej të shfaqnim në ta gjatë nisjes dhe uljes. Pas hulutmimeve, gjetëm pamjet e përshtatshme që na ndihmuan në rikrijim”, thotë eksperti i ruajtjeve historike, Adam Graves.

Nuk kishte detaje të parëndësishme. Ekipi i restaurimit gjeti taketuke, cigare dhe kanoçe.

Dhoma e restauruar e kontrollit të misionit është e hapur për vizitorë, të cilët mund ta shohin përmes një xhami të madh.

Pamja e pjesës ku ishin ulur familja e astronautit duket poa shtu sikur në vitin 1969, me shumë ekrane që tregojnë shkuarjen në hënë në kohë reale.

Shkencëtarët izraelitë eksperimentojnë përdorimin e arit kundër kancerit

Izraeli Sot

Nga Benjamin Weinthal

Teknologjia bazohet mbi përdorimin e medikamenteve vetëm mbi indet e sëmura, duke përdorur grimca drite dhe ari

Shkencëtarët dhe studiuesit izraelitë janë në ballë të studimeve të trajtimeve të reja të kancerit. Nga hulumtuesit në Fakultetin e Mjekësisë “Sackler” të Universiteti të Tel Avivit, vjen eksperimentimi i një teknologjie të rëndësishëm që bazohet mbi përdorimin e medikamenteve vetëm mbi indet e sëmura, duke përdorur grimca drite dhe ari, të cilat mund të përdoren për të bërë më të efektshme trajtimet e kancerit.

Studiuesit kryesisht kanë për qëllim luftimin e kancerit të kokës dhe qafës, ato që prekin gojën, hundën ose fytin dhe kryesisht shkaktohen nga përdorimi i alkoolit dhe duhanit.

“Një nga problemet kryesore në trajtimin e këtyre tumoreve është rezistenca e tyre ndaj radioterapisë tradicionale. Rreth 40% e pacientëve vdesin, madje edhe pas marrjes së trajtimit agresiv”, tha për gazetën “Times of Israel”, Aron Popovtzer, profesor i onkologjisë në Fakultetin Mjekësor “Sackler”, i cili udhëhoqi studimin.

Qëllimi kryesor i studimit është të zhvillojë një mënyrë për të kapërcyer këtë rezistencë duke rritur sasinë e rrezatimit që mund të absorbohet nga tumori.

Bëj "like" dhe ndiq lajmet e fundit nga Izraelisot.com
Bëj “like” dhe ndiq lajmet e fundit nga Izraelisot.com

“Nga studimet e mëparshme ne e dinim se ari ndihmon në rritjen e intensitetit të rrezatimit të absorbuar nga tumoret. Por nëse futni grimca ari në një person, ai mund të shkojë kudo. Zgjidhja ishte që ari të depozitohej drejtpërdrejt në tumore”, i tha “Times of Israel”, profesor Popovtzer.

Hulumtuesit pastaj u përpoqën të lidhnin grimca të vogla të ari – nanogrimcat që mund të blihen komercialisht – tek një ilaç që zakonisht përdoret për të trajtuar tumoret, cetuximab. Ndërsa ilaçi synon tumoret, duke i zvogëluar ato, ai gjithashtu depoziton mbetje ari në tumor.

Gjatë testit kryer në minj, studiuesit kanë vënë në dukje se prania e arit në tumor përmirëson efektin e rrezatimit dhe gjithashtu nuk është gjetur ndonjë efekt negativ nga përdorimi i arit në mëlçi ose veshka.

Ekipi i studiuesve tani po planifikon të përdorë rezultatet e mira të fituara me eksperimentimin njerëzor.

Në studimi nmbi zbatimin e nanogrimcave të arit kundër kanceri, morën pjesë edhe kërkuesit nga Qendra Davidoff e Rabin Medical Center, nga Fakulteti i Inxhinierisë dhe Instituti i Nanoteknologjisë dhe materialeve të avancuara të Universitetit Bar Ilan në Ramat Gan.

Mjekët izraelitë zbulojnë molekulën që mund të shpëtonte Stephen Hawking

Nga Izraeli Sot

Ky studim revolucionar, i kryer në Jerusalem, u jep shpresë të re pacientëve me këtë sëmundje vdekjeprurëse deri atëherë të pashërueshme

Mjekët izraelitë zbulojnë arsyen pse shkatërrohen neuronet te pacientët që kanë sklerozë laterale (sclerose laterale amyotrophique), sëmundja nervore që shkaktoi edh e vdekjen e shkëncëtarit të njohur me famë botërore, Stephen Hawking.

Sipas një studimi të kryer nga doktorët Roi Maimon, Ariel Ionescu dhe Miguel Weil, nën drejtimin e Dr. Eran Perlson të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tel Avivit, sëmundja nervore vjen nga toksina që sekretojnë muskujt.

SLA, Skleroza Amyotrofike Laterale është një sëmundje neuro-degjenerative që progresivisht paralizon muskujt e trupit, duke e çuar përfundimisht në vdekje.

Duke vazhduar studimin e tyre, studiuesit gjetën një molekulë të aftë të pengojë gjenet që prodhojnë këto toksina, dhe për këtë arsye mund të përdoret për të zhvilluar një medikament kundër sëmundjes, dhe më vonë ndoshta kundër sëmundjeve të tjera neurogjene si Alzheimer dhe Parkinson.

Ky studim revolucionar, i kryer në bashkëpunim me Prof. Oded Behar i Spitalit Hadassah në Jerusalem, i cili u jep shpresë të re pacientëve me këtë sëmundje vdekjeprurëse deri atëherë të pashërueshme, shkruan Siliconwadi.fr.

Bëhet me sy makina pa shofer

Njihen si makina autonome, pa shofer, robotike ose makinat që drejtojnë veten. Sido që të jetë, ngadalë ato po bëhen pjesë e realitetit. Ndonëse do të duhet kohë që këto mjete transporti të bartin njerëzit në destinacionin e dëshiruar, prodhuesit e makinave tashmë kanë përfshirë në to teknologjinë që e bën ngarjen edhe më të sigurt. Një sensor që quhet Lidar, me rrezet që prodhon godet objektet dhe sinjalet i përdor për të krijuar harta tre-dimensionale në kohë reale.

Kjo kuti e vogël e vendosur në pjesën e sipërme të makinës ka një qëllim të madh. Është një sensor që nëpërmjet rrezeve, lejon automjetin të shikojë rrugën pavarësisht nga njeriu.

“Lidar shfrytëzon teknologjinë e dritës duke lëshuar rreze nga sensori që godasin objektin. Rrezet pastaj kthehen në sensor dhe kështu mblidhen të dhëna për distancën dhe kohën. Ky proces vazhdon duke mbledhur shumë të dhëna nga të gjitha objektet e zonës përreth”, thotë Sally Frykman nga kompania Velodyne Lidar​.

Kur makina lëviz, sensorët lidar grumbullojnë të dhëna përmes rrezeve dhe krijojnë hartën që lehtëson marrjen e vendimeve në komunikacion, kur duhet ulur shpejtësia, kur duhet shkelur gazi dhe kur duhet rrotulluar timoni.

“Pavarësisht nëse përpara ka një njeri, një qen apo një kamion, sensori Lidar i kthen në imazhe… Kjo është mënyra më e mirë për të përjetuar me shqisa botën përreth, duke e aplikuar këtë edhe në makinat vetëlëvizëse” , thotë Rick Tewell nga kompania Velodyne Lidar.

Jo të gjithë prodhuesit e makinave vetlëvizëse përdorin sensorin Lidar, i cili ka kohë që është në qarkullim dhe është përdorur për matjen e topografisë së Hënës. Kjo sepse çmimi mund të jetë i lartë. Pavarësisht teknologjisë që përdoret, shpresat janë që robotët të sjellin ngarje më të sigurt të makinës.

“Për ne si njerëz do të ishte më e sigurt dhe me më pak aksidente, duke pasur më pak vdekje në rrugët tona.”

Nevoja e shtimit të sigurisë në rrugë, ka nxitur prodhuesit e automjeteve të investojnë në teknologji, si sensori Lidar që i jep makinës sy mjaft të veçantë.

Pesëdhjetë vjet më parë, prova për uljen e parë në Hënë – SHBA: Tani do të shkojmë atje për të qëndruar

Pesëdhjetë vjet më parë, Apollo 10 hapi rrugën për misionet hënor. Sot NASA njofton kthimin në satelit deri në vitin 2024, për të përgatitur “zbarkimin” në Mars

VOAL – Pesëdhjetë vjet më parë, prova për uljen e parë në Hënë: më 18 maj 1969 filloi Apollo 10, misioni që hapi rrugën për Apollo 11 vetëm dy muaj më vonë. Protagonistët e ndërmarrjes ishin 3 astronautë të gjithë veteranë të programit Gemini të NASA-s të cilët bartën modulin hënor, me emrin Snoopy, deri në 15.6 kilometra nga sipërfaqja e satelitit tonë.

Një përvjetor që NASA feston për të ardhmen, duke u përgatitur që të sjellë njeriun në Hënë deri në vitin 2024. “Këtë herë, kur të shkojmë në hënë, ne do të qëndrojmë dhe do të përdorim atë që kemi mësuar për hapin e ardhshëm të madh: Mars “, thuhet në uebfaqen e Agjencisë Amerikane.

Për këtë qëllim, ajo sapo ka zgjedhur 11 kompanitë që do të zhvillojnë prototipin e zbarkimit të ardhshëm që do të vendosë sërish një ekuipazh në sipërfaqen hënore si pjesë e programit Artemis. Programi në fakt mban emrin e perëndeshës greke të Hënës, motrës së Apollonit, për të krijuar një lloj fije të kuqe me misionet e 50 viteve më parë.

Apollo 10 ishte nisur nga baza e Forcave Ajrore të Cape Canaveral, e cila më pas quhej Cape Kennedy. Apollo 10 ishte misioni i katërt me radhë në programin hapësinor Apollo të NASA-s dhe i dyti (pas Apollo 8) për të hyrë në orbitën hënore. Ishte një provë e vërtetë që synonte testimin e të gjithë komponentëve dhe procedurave, duke marrë parasysh uljen e parë në Hënë, me qëllim që t’i afrohej sipërfaqes me modulin hënor, por pa ulje.

Dhe Agjencia Hapësinore e SHBA-së nuk është e vetme që dëshiron ta realizojë këtë përpjekje: një javë më parë, Jeff Bezos, numri një i Amazon, paraqiti modulin hënor dhe produktet e reja të helikës së raketave BE-7 tek mediat dhe drejtuesit më të lartë të industrive hapësinore kryesore nga kompania e tij Blue Origin. “Ky automjet do të marrë astronautët në hënë,” tha njeriu më i pasur në botë. “

Hëna po tkurret, thonë shkencëtarët

Një hulumtim i ri tregon se Hëna ngadalë po tkurret ndërsa brendësia e saj është ftohur gjatë epokave, duke krijuar mijëra rrudha të vogla sipërfaqësore.

Analiza e re e botuar në revistën “Nature Geoscience” gjithashtu zbuloi se Hëna mund të jetë dinamike dhe me aktivitet tektonik si Toka, dhe jo inerte siç kishin besuar disa shkencëtarë.

Hulumtimi i ri bazohet në tërmetet e matura nga sizmometrat që nga vitet 1969 deri më 1977.

“Kjo do të thotë se hëna ka arritur të mbetet tektekonike aktive edhe pas 4.51 miliardë vjetësh”, tha shkencëtari planetar, Thomas Watters, i cili udhëhoqi hulumtimin.

Astronautët e SHBA vendosën sizmometra në sipërfaqen hënore gjatë misionit Apollo 11 duke regjistruar gjithsej 28 tërmete.

NASA për herë të parë regjistron tërmet në Mars

Capa Canaveral

Anija kozmike InSight, e agjencisë hapsinore NASA, ka regjistruar një dridhje të butë të tokës në Mars.

Shkencëtarët njoftuan se dridhja në Mars është regjistruar më 6 prill dhe se ky është rasti i parë i filmuar në tokën e planetit të kuq

Studiuesi francez Philippe Lognonne tha se është emocionuar për faktin se Marsi është ende aktiv seizmologjikisht.

“Me muaj kemi pritur sinjale të tilla, dhe i përjetuam”, ka thënë Lognonne.

Po ashtu edhe muajin e kaluar InSinght dërgoi tre sinjele dukshëm më të lehta të ndryshimeve seizmologjike, kurse shkencëtarët aktualisht janë duke i analizuar këto të dhëna. aa

Elon Musk paralajmëron teknologjinë që e lidh trurin e njeriut me kompjuterin

Elon Musk beson se njerëzit duhet të lidhen me makinat, në mënyrë që ta luftojnë forcimin e paevitueshëm të inteligjencës artificiale, raporton The Independent.

Në një deklarim në Twitter, Elon Musk, themeluesi i SpaceX dhe Tesla, tha se teknologjia nga kompania e tij e re Neurolink, do të vijë “së shpejti”.

Musk ende nuk ka dhënë më shumë detaje se kur kjo pajisje do të vijë dhe si do të funksionojë.

Neurolink më herët kishte paralajmëruar një produkt që në mënyrë efektive do ta lidhë trurin e njeriut me kompjuterët, përmes një çipi të vogël.

Në nëntorin e kaluar, Musk tha se kjo teknologji do të përfshijë një “elektrodë në lidhjet neurale, në një mikro nivel”.

Më specifikisht, do të jetë një ‘çip’ dhe disa tela të cilat do të ngjiten në kafkën e njeriut përmes një operacioni të vogël.

“Aspiratat afatgjata të Neurolinkut do të jenë që të arrijë simbiozën me inteligjencën artificiale, dhe të arrijë një lloj demokratizimi të inteligjencës, sepse sot është shumë monopolistike, dhe kontrollohet nga qeveritë dhe kompanitë e mëdha”, kishte thënë Musk.

“Besoj se mund të bëhet, dhe me gjasë brenda një dekade”, shtoi ai.

Një teknologji e tillë do të sillte ndryshime rrënjësore sa i përket zhvillimit të inteligjencës artificiale.

Komunikimi nëpërmjet rrezeve të dritës

Valët radiofonike përdoren në shumicën e paisjeve që komunikojnë nëpërmjet frekuencave për të shkëmbyer të dhënat. Por, informacioni në rritje mund të ngadalësojë procesin. Me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, një shkencëtare po përdor komunikimin me rrezet e dritës për të transmetuar informacionin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enochs, kjo metodë është më e shpejtë dhe më e sigurtë se nëpërmjet valëve të radios.

Studiuesja e shkencave kompjuterike Xia Zhou ka gjithnjë në mendje trafikun e rënduar të shkëmbimit të të dhënave.

“Problemi krijohet nga nevojat vazhdimisht në rritje për shkëmbim të dhënash mes paisjeve gjithnjë e më të shumta që zotërojmë sot”, thotë zonja Xia.

Po rritet numri i paisjeve pa tela dhe ndërsa shtohet trafiku i shkëmbimit të të dhënave, po ashtu krijohet edhe mbingarkesë.

Shumica e informacionit transmetohet nëpërmjet radiofrekuencave, të cilat nuk mjaftojnë për të gjitha paisjet kompjuterike që po ndërlidhen.

“Në komunikimin e sotshëm përdorim radiovalët. Ideja ime është që të shqyrtojmë mundësinë e komunikimit nëpërmjet spektrit të dritës së dukshme”, thotë zonja Xia.

Me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, zonja Xia dhe një ekip i Kolegjit Dartmouth po zhvillojnë teknologjinë e quajtur Li-Fi, për të transmetuar të dhënat duke përdorur paisjet e ndriçimit në shtëpitë tona.

“Ideja është që t’i shndërrojmë llampat në transmetues të dhënash nëpërmjet variacioneve të dritës”, thotë zonja Xia.

Me montimin e një moduli të vogël, çdo llampë LED mund të shndërrohet në një paisje komunikimi në distancë.

“Ka një spektër shumë më të gjerë komunikimi. Është gjithashtu shumë më e sigurtë, pasi drita nuk mund të penetrojë muret. Pra, mund ta izolosh komunikimin brenda një dhome pa u shqetësuar se mund të përgjohet nga të tjerë”, thotë zonja Xia.

Mund të funksionojë madje edhe në errësirë, duke përdorur të ashtuquajturën “dritën e errët”.

“Lëshojmë impulse shumë të shkurtra nga llampat LED, të cilat janë të pakapshme nga sytë tanë, por që kapen nga sensorë që mundësojnë kështu transmetimin e të dhënave”, thotë ajo.

Kjo teknologji gjithashtu mundëson shkëmbim informacioni thjesht nëpërmjet gjesteve në ajër. Kjo do të ketë përdorim gjithnjë e më të madh, ndërsa vazhdojnë të prodhohen paisje me përmasa më të vogla.

Dritat në tavan p.sh. mund të pikasnin të gjitha lëvizjet e trupit tonë. Ekipi e ka testuar këtë lloj sistemi për të kontrolluar ndërveprimin në realitetin virtual, por potenciali i tij shtrihet përtej lojërave elektronike.

“Nëse infrastruktura në mjedisin që na rrethon, është gjithnjë e informuar për lëvizjet e trupit tonë, atëherë mund të komunikojmë pa patur asnjë paisje në trup”, thotë zonja Xia.

Teknologjia LI-FI kufizohet nga pamundësia për të përçuar muret.

Kjo do të thotë që çdo llampë në godinë duhet të jetë e lidhur individualisht me internetin, gjë që do ta shtonte shumë koston. Megjithatë, në të ardhmen ndoshta llampat e lidhura me internetin do të vendosen në të gjitha ndërtesat.

Dy kanadezë dhe një amerikan fitojnë çmimin për shkenca kompjuterike

Trenton

Shoqata për Makineri Kompjuterike ka bërë të ditur se dy hulumtues kanadezë dhe një amerikan kanë fituar çmimin më të lartë në botë për shkencat kompjuterike për avancimin e inteligjencës artificiale (AI), transmeton Anadolu Agency (AA).

Kanadezët Yoshua Bengio dhe Geoffrey Hinton, drejtori shkencor i Institutit të Inteligjencës Artificiale në Quebec dhe inxhinieri në Google si dhe amerikani Yann LeCun, profesor në Universitetin e New York-ut dhe shefi shkencëtar i Inteligjencës Artificiale në Facebook, do të ndajnë çmimin prej 1 milion dollarësh amerikanë.

Treshja fituan Çmimin Turing, të emëruar sipas shkencëtarit kompjuterik britanik, Alan Turing, për krijimin artificial të trurit të njeriut përmes impulseve nervore të quajtura neurone.

“Inteligjenca artificiale tani është një nga zonat me rritje më të shpejtë në të gjithë shkencën dhe një nga temat më të përfolura në shoqëri”, tha Cherri M. Pancake, kreu i ACM-së për shpalljen e çmimit.

“Rritja e një interesi në AI është për shkak të përparimit të fundit në mësimin misterioz për të cilin Bengio, Hinton dhe LeCun kanë hedhur themelet”, shtoi ai.

Çmimi Turing konsiderohet çmimi Nobel i informatikës.

Alan Turing po ashtu ishte një matematikan i cili theu kodin ushtarak nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke ndihmuar shumë përpjekjet e inteligjencës së aleatëve.

Sateliti Juno fotografon “Njollën e Madhe të Kuqe” të Jupiterit

Sateliti zbulues për Jupiterin i Agjencisë Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës së SHBA-ve (NASA) regjistroi pamje nga “Njolla e Madhe e Kuqe” dhe turbulencat e tjera atmosferike në hemisferën jugore të planetit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në faqen e internetit të NASA-s, thuhet se Juno ka bërë fotografi me rezolucion të lartë nga jugu i planetit derisa ai bënte kalimin e 17-të të afërt në udhëtimin e tij zbulues në orbitën e Jupiterit më 12 shkurt.

Gjatë kalimit Juno regjistroi “stuhinë anticiklike” të vazhdueshme (Qendra e qarkullimit të presionit të lartë) e quajtur si “Njolla e Madhe e Kuqe” dhe rryma të tjera ajrore në hemisferën jugore të Jupiterit.

NASA publikoi në faqen e saj të internetit një kolazh imazhesh të formuara me bashkimin e tre fotografive me rezolucion të lartë që Juno kishte regjistruar gjatë kalimit të tij.

Njolla e Madhe e Kuqe e cila vazhdimisht është një rajon i presionit të lartë mbi Jupiter, arrin të ruajë formën e tij ciklike kundër lëvizjeve horizontale dinamike të stuhive përreth tij. E zbuluar për herë të parë në vitin 1664 nga astronomi britanik Robert Hooke, Njolla e Madhe e Kuqe zë një hapësirë sa 4 herë madhësia e Tokës.

Sateliti Juno, i nisur në hapësirë nga NASA në vitin 2011, vazhdon aktivitetin e tij eksplorues në orbitën e planetit që kur arriti në Jupiter në korrik 2016.