VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Elida Buçpapaj: Një elitë femërore për të përmirësuar shoqërinë Intervistoi: MANJOLA BREGASI

By | September 24, 2019
blank

Komentet

blank

Ndaj politologut të shquar Qazim Mulletit, figurë që e persekutoi diktatura, është e turpshme që edhe sot krijohet art !

Denata Rroji, në faqen Gegnisht që ajo e drejton  shkruan:

“Si vazhdohet akoma sot, te prodhohet art ne kurriz te personaliteteve qe i persekutoi diktatura, ne rastin ma flagrant ndaj politologut Qazim Mulleti? I gjithe arti i diktatures qe ne thelb kishte diskriminimin e klerikeve, figurave historike te Shqipenise duhet ndalu. Duhen dhane leje vetem si fakte per studime dhe jo si prodhim arti. E ne turp te asaj trupe qe ne demokraci jep shfaqje diskriminuese per nji figure madhore ne historine e Tiranes, GEGNISHT sjell te Nderum ne kujtese, jeten e personalitetit shqiptar, prefektit ma te suksesshem qe pati ky Kryeqytet , politologun dhe atdhetarin Qazim Mulleti.”

 

           Qazim Mulleti (Tiranë, 20 dhjetor 1893 – Vicolo delle Grotte, Rocca di Papa 28 gusht 1956)

 

 

Qazim Mulleti (Tiranë, 20 dhjetor 1893 – Vicolo delle Grotte, Rocca di Papa 28 gusht 1956) qe nëpunës karriere i Shqipërisë në regjime të ndryshme.

Qazim Mulleti Prefekt i Tiranës
1942 – 1944

Kryetar i Bashkisë Tiranë
1939 – 1940

Paraardhësi:
Abedin Nepravishta i Pasardhësit Ali Erebara

Bashkëshortja
Hajrije Kusi

Fëmijë
Reshit Mulleti

Jeta

Leu në lagjen “Sulejman Pasha”, sot tek Pazari i Ri, i biri i Reshit bej Mulletit dhe Naile Këlliçit. Mësimet e para i mori në Manastir, vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit.

Qazim Mulleti ishte poliglot, dinte Turqisht, Arabisht, Gjermanisht, Frëngjisht, Italisht, Latinisht, Greqisht dhe Serbo-Kroatisht. Dinte të kalëronte dhe të patinonte.

Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, myftiut Mytesim efendi Këlliçit, Abdi bej Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë).

Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925). Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”.

Majin e 1924 qe pjesë e një komisioni të demonstrantëve që takuan kryeministrin Vërlaci, të cilit i kërkonin masa serioze për zbardhjen dhe dënimin e komplotistëve për vrasjen e Avni Rustemit.Në qeverinë e Fan Nolit shërbeu si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të qeverisë së Lëvizjes së qershorit, largohet nga Shqipëria.

Në fillim vendoset në Zara asokohe territor italian, ndërsa më vonë në Vjenë ku qe në grupin e italofilëve të emigracionit antizogist, si indipendent, ndihmohej nga Italia dhe ishte në kontakt me autoritetet jugosllave.Mori pjesë në organizimin e atentatit ndaj Mbretit Zog I më 1931 në kryeqytetin austriak, duke u qëndruar mbrapa Ndokë Gjeloshit e Aziz Çamit për t’i mbrojtur eventualisht. Pasi shkrehën plumbat duke ngatërruar majorin Llesh Topallaj me mbretin dhe duke plagosur Eqrem Libohovën, Mulleti flaku armën dhe u fsheh në turmën e porsakrijuar.Më pas organet vjeneze të rendit e gjetën pranë atentatit dhe e arrestuan,u lirua në korrik,më pas iu lirua i vëllai Hakiu dhe u mbajtën dy procese gjyqësore për përfshirjen e Qazimit në organizimit të atentatit. Në gjyqin e parë në qytetin Ried të Austrisë, ku u dënuan Gjeloshi dhe Çami, emri i Mulletit vetëm sa u përmet gjatë gjyqit; në gjyqin e Tiranës pak kohë më pas, Mulleti u dënua me vdekje në mungesë.

Më pas u largua drejt Parisit.

Në qershor të 1939 u kthye në Shqipërinë e pushtuar nga italianët,[6] dhe më pas u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës deri më 1940. Shumë plane të nisura në kohën e Zogut, si godina e korpusit universitar, kolonadat apo sot Muzeu i Arkeologjisë, Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos edhe opera, Kryeministria dhe hotel “Dajti” morën drejtim në kohën e kryebashkiakut Mulleti. U çelën çezma, u ndërtuan banjo publike dhe u larguan varrezat nga qendra e qytetit, gjë që e nisi nga varrezat e familjes së vet.

Më 20 korrik 1942, me detyrën e prefektit, mblodhi parinë e Tiranës për t’u bërë të tretënherë apelin për të bashkëpunuar me ushtrinë italiane dhe të ndërprenin rezistencën pasive në vend. Më 28 gusht 1942 iu bë një atentat i pasuksesshëm, nga një i ri i njësitit guerril me mbiemrin Pekmezi, i cili me bombën që hodhi në drejtim të prefektit vrau dy shoqëruesit italianë. Si pasojë një patrullë italiane e vrau të riun.

Më 1944, me përparimin e komunistëve u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Itali, ku do të organizohej me Bllokun Kombëtar Indipendent, pjesë e kryesisë së tij.

blank

In Memoriam: Intervistë e Nina Mulës: Në Shqipëri ishte Avniu, aty ishte familja ime, atdheu i fëmijëve të mi e tashmë edhe atdheu im !

(Nina Mula 23 Nëntor 1931-22 Dhjetor 2011)

 

Ata ishin gjithmonë bashkë, në skenë si në jetë… Bukuroshja ruse, këngëtare e muzikës klasike u dashurua me djaloshin shqiptar. Arti i bashkoi bujarisht dhe jeta e tyre u zbukurua.

 

A mund të na tregoni si u njohët me Avni Mulën, i cili do të bëhej partneri juaj në skenë e në jetë?

-Në vitin 1952, në konservatorin tonë erdhën një grup studentësh shqiptarë. Mes tyre ishte dhe Avni Mula. Në një koncert të madh, i cili edhe u filmua në disa dokumentarë, Avniu këndoi këngën e Simon Gjonit “Luleborë,” e cila u pëlqye shumë nga të gjithë. Djali i pashëm, elegant, i talentuar nga Shqipëria u bë i njohur në të gjitha rrethet brenda një periudhe të shkurtër. Jo vetëm Avniu , por edhe Shqipëria u bë e njohur prej tij, sepse ajo ishte vendlindja e tij. Një ditë pata rastin ta takoja edhe unë djalin që e mbanin në gojë pedagogë e studentë. Pata rastin të interpretoja me Avninë në dy pjesë, në “Palacio” të Leon Cavalos dhe në “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit. Ne këndonim rusisht. Unë fillova ta ndihmoj në transhqiptimin e rusishtes. Miqësia jonë filloi e nuk vonoi të shndërrohej në dashuri. Vendosëm të martoheshim gjatë një rrëshqitjeje me slita. S’ishte një dasmë e kushtueshme, por ishte shumë romantike dhe e bukur. Edhe sot e kujtoj deri në detajet më të vogla, atë natë të paharrueshme të jetës sonë.

-Ju hytë përsëri në një ambient të ri e krejt të panjohur. Si e përjetuat këtë ndryshim? Si u pritët nga miqtë e shokët e Avniut?

-Si çifti Mula shkuam në një udhëtim në Republikat Balltike. Aty u njoha me gjithë grupin e studentëve shqiptarë. Njoha Gjon (Xhon) Athanasin, Ibrahim Tukiçin, Zoica Haxhon, Milushe Bebeziqin, Ganimete Vendreshën, Agron Aliajn, Petrit Vorpsin. Shumë shpejt e gjeta veten pjesë përbërëse të këtij grupi. Ata më deshën po aq sa ç’i desha dhe unë. Kënga e parë që mësova pa ditur asnjë fjalë shqip qe “Dashnor t’u bana.”

-Zgjedhje me vend, pa dyshim. Ju dhe Avniu kishit si gjuhë të nënës dy gjuhë krejt të ndryshme nga njëra tjetra. A solli ky diferencim pengesa në fillimin e jetës bashkëshortore?

-Me Avniun s’patëm asnjëherë probleme gjuhe. Gjuha muzikore ishte gjuha më e rëndësishme për ne e për fat të mirë atë e zotëronim të dy në të njëjtën shkallë. Në Festivalin e fundit të Rinisë në Moskë, Avniu fitoi çmimin e dytë. Mua nuk më kujtohet përse nuk konkurrova, por ai konkurs ishte suksesi i parë muzikor për familjen tonë të re.

-Kur erdhët në Shqipëri për herë të parë? Si iu duk vendlindja e bashkëshortit?

-Ne u nisëm për në Shqipëri me vapor më 15 shtator 1957. Në të njëjtin vapor udhëtonte edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve. Pra ishim në një shoqëri të njohur e të mrekullueshme. Porti i Durrësit ishte i vogël dhe tepër i varfër, por unë s’pata kohë të hidhërohesha nga ky zbulim. Disa nga shokët tanë dolën me shpejtësi, para se të zbrisnim unë dhe Avniu dhe filluan të këndonin këngë dasme. Ia nisën me “E bukur na ka dal’ nusja.” Unë nuk i kuptoja fjalët, por ndjeja bukurinë e muzikës e ngrohtësinë e zërave të tyre. Ata më dhuruan edhe një tufë me lule. Në port kishte dalë për të na pritur edhe motra e madhe e Avniut. Ajo na mori në shtëpinë e saj, në Tiranë, se ne s’kishim vendbanim. Në mëngjes u nisëm për në Shkodër. Shtëpia e Mulave ndodhej në lagjen Zdrale. Ende s’e di pse quhej pisllëk. Atje çdo gjë ishte shumë e pastër. Në portën e shtëpisë na priste nëna e Avniut, një grua zonjë, të cilën e desha shumë. Me të s’patëm asnjëherë kontradikta, megjithëse u përkisnim kulturave e brezave të ndryshëm. Ajo më trajtoi gjithnjë mjaft mirë, edhe pse isha e huaj.

-Kur u kthyet në Tiranë?

-Në kryeqytet u kthyem shpejt, sepse filloi sezoni. Zumë vend në Hotel “Vjosa.” Jeta në hotel ishte e vështirë e me shumë mungesa, por ne u zhytëm në punë e s’kishim kohë të shihnim vështirësitë e banimit. Punonim me të gjitha energjitë tona për veprën “Jolanda” të Çajkovskit. Jolanda ishte përkthyer e unë duhet ta interpretoja në gjuhën shqipe. Tani ishte radha e Avniut për të më ndihmuar në shqiptim. Punoja shumë, por prapë ndihesha e shqetësuar. Një shoqja ime ruse, balerina e njohur dhe e famshme Biroska, më dërgoi një dhuratë të vogël. Ishte një elefant metalik. Ja, ky që sheh edhe sot në apartamentin tonë. Biroska kishte gdhendur aty dhe datën e premierës, 18-1-1958. Në traditën tonë elefanti është fatsjellës.

-A u vërtetua supersticioni në rastin tuaj?

-Oh, plotësisht!. Shfaqja qe sukses i plotë. E për mua suksesi ishte i dyfishtë; muzikor e gjuhësor. Interpretova një opera të njohur të vendit tim, por në një gjuhë që ende s’e njihja e s’e flisja lirshëm.

-A e mësuat shpejt shqipen? Ç’vështirësi hasët në përvetësimin e saj?

-Shqipen e mësova relativisht shpejt. E mësova më shumë përmes interpretimit të operave të ndryshme. S’di për çfarë arsye, por në Shqipëri edhe “Berberi i Seviljes,” “La Boheme,” “Peshkatarët e Perlave,” “Rigoleto” etj s’lejoheshin të interpretoheshin në gjuhët origjinale.

-Ndoshta më mirë për ju. U shtrënguat që në fillim të interpretonit shqip.

-Po, është e vërtetë.

-Në vitet ’50 në Shqipëri kishte mjaft rusë që punonin e banonin në vendin tonë. Gjuha ruse dëgjohej në rrugë, në restorante, radio, etj. Rusisht flisnin edhe shumë të huaj të ardhur nga vende të tjera komuniste. Kishe mundësi të shpreheshe në gjuhën amëtare kudo ku shkoje, apo jo?

-Kisha raste të shumta të flisja rusisht, por unë jetoja tani në Shqipëri e doja të flisja gjuhën e vendit. E quaj veten me fat që interpretova që në fillim në gjuhën shqipe veprat e kompozitorëve të njohur e të dashur për mua. Qe një përgatitje e duhur për të interpretuar edhe në operetën shqiptare “Lulja e Kujtimit” të kompozitorit Kristo Kono. Gjithsesi me Avniun vendosëm të flisnim shqip edhe kur ishim vetëm, në mënyrë që ta mësoja shpejt. Kështu unë flisja shqip në skenë dhe në shtëpi. Unë e mësova edhe shkodranishten për bukuri. Edhe sot e kësaj dite kur dal në pazar shitëset më ftojnë: “Eja shkodrane, bliji zarzavatet tek unë!”

-Pse zgjodhët dialektin e Shkodrës? Apo sepse burri dhe familja e tij vinin prej atij qyteti? Unë ndoshta do të zgjidhja “tironçen” dialektin e qytetit ku jetoja e punoja.

-Të mësosh gjuhë të huaja më duket se duhet talent. Të shqiptosh mirë, duhet të kesh vesh. Mua më pëlqente shkodranishtja me zanoret më të mbyllura, shumë afër belkantos, prandaj më duket se zgjodha këtë dialekt për të folur. Më duket se edhe shënimet që u lija fëmijëve për të kryer detyra të ndryshme, ua lija në gjuhën shqipe, si p.sh. “zbuloni kosin,” “futini ushqimet në frigorifer,” etj. Kur kthehesha i gjeja të korrigjuara fjalët e shkruara me gabime drejtshkrimore. Ishte një shkollë e mirë për mua. Mësova edhe ta shkruaja shqipen pa gabime.

-Pak vite pas ardhjes suaj në Shqipëri marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik u acaruan e më vonë u ndërprenë plotësisht. Si e përjetuat ju prishjen e miqësisë me vendin tuaj të lindjes?

-Në vitet ‘60, kur po prisheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, unë ndodhesha në atdheun tim, në qytetin e lindjes, ku po përgatitej një koncert i madh. Më vjen një letër nga Avniu, në të cilën më shkruante të kthehesha sa më shpejt. Nuk kuptoja dot arsyen e këtij nxitimi. Bisedova me vëllain e vogël dhe ai më shpjegoi situatën. Më këshilloi të mendohesha mirë e më tha se nëse dëshiroja mund të qëndroja aty e të mos kthehesha më në Shqipëri. Ishte një ngjarje tronditëse. Unë e lashë koncertin e u ktheva me vaporin e parë që udhëtonte nga Odesa për në Shqipëri. Atje ishte Avniu, aty ishte familja ime, atdheu i fëmijëve të mi e tashmë edhe atdheu im.

-A jeni penduar ndonjëherë për zgjedhjen tuaj?

-Jo! Edhe sikur ta rijetoja jetën time përsëri, atë zgjedhje do bëja sërishmi pa më të voglin hezitim. Më rëndoi ndarja me vëllezërit e motrën, po unë s’mund të jetoja pa fëmijët e Avniun. Kur u ktheva në Shqipëri fillova të punoj për sezonin e ri. Më dërguan bashkë me disa artistë të tjerë në Republikën Çekosllovake. Interpretuam pjesë operistike në Pragë, Bërno, Luhashevicë, etj. Ky ishte turneu ynë i parë operistik. Lavdërime, vlerësime nga kritikë e artdashës të shumtë. Disa madje shprehnin një lloj habie. “S’e dinim se opera e Tiranës ishte kaq e mirë,” ishte një refren që dëgjohej ngado. Disa herë kënduam edhe shqip dhe suksesi qe i njëjtë.

-U kujtohet vënia në skenë e operës “Lulja e Kujtimit”?

-Pa tjetër. Provat i filluam menjëherë pas kthimit nga Çekosllovakia. Unë isha e emocionuar të interpretoja në një opera të kompozuar nga një shqiptar. Dhamë shfaqje në Tiranë e pastaj edhe në Korçë, në vendlindjen e autorit. Më mbahet mend mjaft mirë se pas kthimit nga Korça marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik u prishën përfundimisht. Në fillim mendova se kjo shkëputje do të ishte e përkohshme. U dëshpërova dhe u bëra pesimiste. S’kishte asnjë mundësi për të vizituar vendin e lindjes e për të parë e takuar vëllezërit e motrat e mia, nipërit e mbesat e shumta. Edhe letrat ishin tepër të rralla, por gjithsesi ishte një gëzim i madh sa herë arrinin në shtëpinë tonë. Unë isha shumë e lidhur me familjen, me operën, me kolektivin. Unë s’mund të shkoja ndërmend të shkatërroja familjen. Vuaja vetë shpirtërisht, por pa u ankuar tek askush.

-Pas koncertit në Çekosllovaki a patët raste të tjera të jepnit koncerte jashtë vendit?

Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik mua s’më nxorën më jashtë shtetit për koncerte.

-Kështu sukseset tuaja u kufizuan vetëm brenda vendit.

-Jo vetëm u ndërprenë vajtjet jashtë shtetit, por më 1966 u hoqën nga repertori i operas të gjitha veprat e huaja. Interpretimet e mia u kufizuan shumë. Ky ishte dëshpërimi im i dytë. Më vonë na detyruan të shkonim të jepnim koncerte në qytete e fshatra. Opera, ushqimi ynë kryesor, mori fund. Të gjitha veprat u hoqën. Tani duhet të interpretonim këngë e pjesë që shoqëroheshin me fizarmonikë, jo me orkestër. Avniu hoqi dorë nga opera dhe iu kushtua kompozimit gjithnjë e më seriozisht.

-Si e keni ndier veten gjatë këtyre pesë dekadave të qëndrimit në Shqipëri.

-Mirë, shumë mirë. Shqiptarët i respektojnë të huajt. E kam ndjerë gjithnjë në qenien time respektin e përkujdesjen e tyre. Kudo më jepnin pa radhë, më zgjidhnin perimet apo frutat më të mira. Kur jetonim me tallona, më jepnin diçka më shumë dhe më pyesnin cilën pjesë të mishit të therur preferoja.

-Ju ishit soprano e pas disa vitesh u bëtë edhe mëmë. Si mundët t’i pajtonit dy detyrat e rëndësishme të jetës suaj?

-Kur linda vajzën e parë, Adelinën, kërkova një dado, por ishte e pamundur të gjendej dikush që të punonte në orët e vona të pasdites e deri natën vonë, kur mbaronin shfaqjet tona. Kështu fëmijët tanë, Adelina në fillim e Inva më pas, u rritën skenave të operas dhe të teatrove , ku ne shkonim për turne të ndryshme.

-Çfarë kujtoni më me dhimbje nga periudha hoxhiste?

-Një merak më ka mbetur nga ajo kohë, dalja në pension në moshën 45 vjeçare, tamam atëherë kur isha në kulmin e arritjeve të mia. Po socializmi kështu e kishte. Mbushje moshën, dilje në pension…/2000

blank

D’Annunzio, Qen Bir Qeni im – Numër Një Nga George Seldes Përktheu Meri Lalaj

Gibbons, një irlandez, i cili nuk kishte qenë kurrë në Irlandë, i pëlqyen aq shumë shkrimet e mia për Irlandën sa që e ndërpreu vizitën time të shkurtër në Londër, më bëri korrespondent shëtitës, puna më e mirë e më të mirave në të gjithë Europën. Ai më telegrafoi në fund të vjeshtës 1919: SHKO FIUME INTERVISTO D’ANNUNZIO. Unë vajta.
Një nga mitet më të mëdha të kohës tonë, ndoshta i caktuar nga fati për të jetuar për breza të tërë, me nderimet (apo me çnderimet) është Musolini me fillimin e Fashizmit. Fakti është se romancieri me mendjen poetike dhe romantike, Gabriele D’Annunzio, organizoi Legjionin Dalmat, vizatoi uniformat, paraqiti këmishat e zeza, ringjalli përshëndetjen ala Romane dhe shpiku tërë Fashizmin përveç terrorizmit dhe gjakderdhjes. (Kur u formua Fashio e parë në Milano, Musolini nuk ishte njëri nga themeluesit: karta e tij e partisë mbante numrin 7.)
Me Legjionin e tij Dalmat të këmishëzinjve D’Annunzio “zaptoi” një qytet jugosllav tashmë i pushtuar prej trupave të rregullt të Ushtrisë Italiane. “Zaptimi” kish të bënte me një bashkëbisedim të tijin me një gjeneral të quajtur Pitaluga, i cili e përshëndeti dhe iku në shtëpi. Lidhja e Kombeve e kërcënoi se do ta bombardonte D’Annunzio-n, me një luftanije, të cilën nuk e kishte dhe bota europiane i lexonte gazetat dhe qeshte.
Nga viti 1919, ky njeri dikur djalosh i bukur, ky i ri me flokë të derdhur dhe veshje të përkorë, ky i vetëshpallur dashnor i madh, ky D’Annunzio, gjeniu lëvdatëmadh tani ishte veç një tullac, një plak i ndyrë lapërdhar, ndonëse i veshur me një uniformë të shkëlqyer mareshalli, duke u mburrur përqark si ndonjë kacagjel me hap të shtrirë posi Napoleon. Ai e nxirrte veten në dukje thuajse çdo ditë, duke kaluar në revistë trupat e tij. Po ky njeri i rekomandoi botës politike ballkonin prej nga duhej të fliste.
Falë një takimi të pashmangshëm në sallën e pushimit të të vetmit hotel të asaj kohe në Fiume, nuk kish turistë dhe pothuajse nuk kish fare ushqim, shumë shpejt u miqësova me një njeri, i cili e quante veten Togeri Henry Furst, banor në Samit Avenju, Njuark, Nju Xhersi, tani sekretar vullnetar i D’Annunzio-s. Ai më rrëfeu historinë e “zaptimit” dhe më rregulloi një takim për intervistë.
D’Annunzio më priti në pallatin e guvernatorit, në një dhomë të mbushur plot e përplot me perde të gjata të purpurta, statuja të dorës së dytë, piktura të dorës së tretë, tapiceri të trëndafilta, me shumë karrige, një kanape e stërmadhe dhe me shumë nënkresa.
Pyetja e parë që i bëra ishte, çfarë do të bëni në qoftë se Presidenti Wilson dhe Lidhja e Kombeve do të dërgojnë kundër jush një flotë? Unë flisja me një frëngjishte të keqe; ai u përgjigj në ato që ma rrok mendja se janë gjashtërrokëshat daktilë:

Të gjithë rebelët e të gjitha racave duhet të mblidhen nën flamujt tanë
Dhe të paarmatosurit do të armatosen,
Dhuna do t’i kundërvihet dhunës.
Do të jetë një kryqëzatë e re e të gjithë kombeve të varfër dhe të skamur, e të
gjithë njerëzve të varfër e të gjithë njerëzve të lirë.
Kundër kombeve që zotërojnë pushtet dhe grumbullojnë pasuri.
Kundër kombeve grabitqarë,
Kundër kastës të kamatarëve, të cilët dje nxirrnin përfitime nga lufta dhe sot
nxjerrin përfitime nga paqja.
Dhe ne do të rivendosim drejtësinë e vërtetë të cilën një njeri i ftohtë dhe budalla
me një çekan ia mori borxh një kancelari gjerman të dikurshëm, kryqëzuar me
Katërmbëdhjetë Gozhdë…

Katërmbëdhjetë Gozhdët kishin kuptimin e Katërmbëdhjetë Pikave të Wilson-it.
Por ai nuk kishte kohë për të humbur. Përkufizimet paraprirëse e thuajse të gjitha ato të mëparshmet dhe vijueset u shfaqën fare shpejt paskëtaj në një vëllim të hollë poetik të D’Annunzio, botuar në Fiume.
Ndërsa po largohesha nga poeti, ai më shtiu në mendje që të intervistoja të ashtuquajturin president të Fiumes, i cili më siguroi se jugosllavët, po aq mirë sa edhe italianët e përkrahnin atë. Dr. Grosiç ishte një burrë shumë plak dhe ndoshta nuk e dinte kuptimin e asaj që po thonte. Teksa e pyeta rreth plebishitit, që e zgjodhi dhe mbështeti D’Annunzio-n, ai u përgjigj:
“Ishte i mirë dhe u zhvillua me ndershmëri. Të gjithë qytetarët e mirë u lejuan të votojnë, ne i hoqëm qafe të gjithë elementët e padëshiruar, të gjithë socialistët, punëtorët që ishin bërë shkaktarë turbullirash, ne dëbuam pesë mijë prej tyre.”
Plebishiti që miratoi komandantin italian D’Annunzio kishte shumicën e pak më shumë se njëqind personave. Të pesë mijët që u dëbuan para votimit ishin të gjithë jugosllavë.
Kur kjo histori e vogël doli në botimin e Parisit të Chicago Tribune, e pata kaluar kontrabandë tekstin e intervistave tri ditë më parë, pronari i hotelit më lajmëroi që ta lija hotelin dhe t’ia mbathja me trenin më të parë përndryshe “D’Annunzio do të të vrasë.”
Në Abacia, në gjysmë të rrugës për në Trieste, tre anëtarë të Legjionit Dalmat hynë në kabinën time dhe më urdhëruan të kthehesha prapë në Fiume. Nuk pranova. Pastaj të tre më qëlluan disa herë me grushta, më kapën nga krahët dhe nga këmbët dhe më nxorën në stacion. Unë këmbëngula që t’i telegrafoja konsullit amerikan në Trieste dhe u thashë atyre që më kishin kapur se konsulli do të dërgonte një luftanije amerikane për të më liruar. Ata nuk e dërguan telegramin tim, por besuan fjalët që thashë për luftanijen amerikane. Më lejuan që të kap trenin tjetër.
Në të vërtetë D’Annunzio ishte i mundur. Ishte i detyruar të dorëzohej. Kur pati organizuar Këmishëzinjtë e tij dhe pati pushtuar Fiumen, ai pati caktuar një botues të gazetës së Milanos Popolo d’Italia, një mik, për të mbledhur pare e për t’i dërguar atij ushqime dhe armatime. Ky mik, gazetari B. Musolini, mblodhi njëzet e pesë deri në pesëdhjetë mijë dollarë, shumicën prej italiano-amerikanëve. Ai nuk i dërgoi D’Annunzio-s asnjë kacidhe. Kur Musolini doli në gjyq para Shoqatës së Gazetarëve të Lombardisë për vjedhjen e këtyre pareve, e mohoi “vjedhjen”, por pranoi se u kishte “ndërruar drejtimin” pareve, por për të njëjtin qëllim, pajisjen e trupave ilegale të këmishëzinjve me emrin “Fashistë” për të zëvendësuar Legjionin Dalmat.
Me këtë mënyrë të dykuptimtë, italiano-amerikanët u bënë mbështetësit e parë të Fashizmit. Me pesëdhjetë mijë dollarët amerikanë që i vodhi D’Annunzio-s Musolini mundi të krijojë Fashion e Milanos me një ushtri kombëtare të Këmishëzinjve, e cila në të vërtetë mori pushtetin në vend.
D’Annunzio ndoshta ishte një shkrimtar i madh. Dy nga librat e tij janë quajtur kryevepra nga shumë njerëz gjykimit të të cilëve u besoj. Frances Winwar në punimin e saj Flatrat e Zjarrit e lavdëron D’Annunzio-n dhe po ashtu informon lexuesit e vet se Il Fuoco (Flaka) “është fëmija i tij dhe i Duse, pikërisht sikurse Trionfo della Morte (Triumfi i Vdekjes) pati qenë fryti i dashurisë së tij për Barbara Leon.”
Me sa duket këtij gjeniu i nevojitej një dashuri e re për çdo libër të shkëlqyer, pikërisht siç bënte Hemingway (kështu bënte edhe F. Scott Fitzgerald më tregoi njëherë Morley Callaghan). Por megjithëse Hemingway u martua katër herë dhe shkroi nga një libër të bukur pas çdo martese, ai as nuk i zvetënoi as nuk i tradhtoi frymëzimet e sukseseve të tij letrare, thjesht i largoi ato. D’Annunzio i përdorte dashuritë e veta për përparime letrare, e duke bërë kështu, ai i flakte tutje. Në rastin e Eleonora Duse, ai kreu një krim të pafalshëm duke e shitur “fëmijën” e dashurisë së tyre për parà.
Për më tepër, më parë se të botohej Il Fuoco, Duse-s i patën thënë se në atë libër nuk ishte vetëm historia e dashurisë së tyre, por gjithashtu një libër kushtuar tërësisht mënyrës së tyre të të bërit dashuri dhe seks, të cilat qenë shkruar në mënyrë kaq të hollësishme, kaq shkoqur sa që ky libër do të trondiste botën letrare jo vetëm të Italisë, por edhe të Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara. Eleonora Duse me ngut vajti tek D’Annunzio.
D’Annunzio e siguroi atë se heroina Foskarina, nuk ishte aktorja Duse dhe ato që kish shkruar nuk ishin poshtëruese ose tronditëse, siç i patën thënë Duse-s. Si për t’u mbrojtur ai mund t’i lexonte asaj disa faqe, të cilat ia lexoi dhe Duse e mblodhi mendjen e u largua.
Ndonëse ka qenë e pamundur për mua që të gjej prova të dokumentuara për këtë histori e cila vazhdon, po e tregoj këtu siç ma kanë rrëfyer persona nga burime të sigurta të cilëve u besoj.
Duse erdhi për herë të dytë ta takojë D’Annunzio-n. Ajo i tha atij se e kishte gënjyer. D’Annunzio u rrudh dhe i tha se ishte trokë ama fare trokë dhe se i duheshin pare.
Duse e pyeti sa pare.
D’Annunzio tha se botuesi i tij i Milanos i pati premtuar 25.000$.
Duse i kërkoi ish të dashurit që ta priste për njëfarë kohe. Me ngut ajo rregulloi një sërë shfaqjesh “lamtumire” në Amerikë, luajti nëpër salla të mëdha, shumë kritikë shkrojtën se ajo ishte më madhështore se sa pati qenë ndonjëherë Sara Bernhardt. Ajo u kthye në Itali duarplot me 25.000$ dhe ia dha paret D’Annunzio-s. Ai i dha dorëshkrimin.
Në apartamentin e saj, përpara oxhakut, Duse lexonte Il Fuoco. Ishte një libër shumë i bukur, thuajse një kryevepër. Por si një roman a clef nuk kish nevojë për çelës. Foskarina ishte plotësisht e ngjajshme me të; dhe me prozën e tij më të mrekullueshme poetike ai ia kushtonte kapitull pas kapitulli çdo hollësie të të bërit dashuri midis syresh, madje pa harruar as damarët e kaltër tek shalët e hapura të dashnores dhe as leshnajën e pubisit.
Fletë pas flete Duse e hodhi dorëshkrimin në zjarrin e oxhakut.
Rreth tre muaj më vonë libri doli në të gjitha libraritë e Milanos. Libri u çua në shtyp nga kopja e dytë me fletë karboni, që kishte bërë autori, gjë për të cilën Duse nuk ishte në dijeni – dhe D’Annunzio kësaj radhe përlau edhe një dorë tjetër me 25.000$
(Tradhtia është tradhti, si ndaj një njeriu po ashtu ndaj një shteti. Shumë tradhtarë kanë tradhtuar vendin e tyre për atë që besonin, për një çështje të lartë. Ky njeri thjesht i dyfishoi paratë e veta. Mendoj se ai ia meriton të jetë në krye të trinisë sime të pashenjtë të Qen Bir Qenve.)

Shkëputur nga libri “Dëshmitari i një shekulli” Përktheu: Meri Lalaj

blank

Ish-perandoresha e Iranit risjell kujtimet e para-revolucionit

Mohammed Reza Pahlavi, Shahu i Iranit, dhe gruaja e tij Farah Pahlavi

RFE/RL

Dy vjet para se ngjarjet e vitit 1979 në Iran të shembin botën e saj, ish-perandoresha e Iranit, Farah Pahlavi, botoi kujtimet e saj për herë të parë.

Më 1979 burri i saj, Shah Mohammad Reza Pahlavi, u rrëzua nga pushteti duke i dhënë fund monarkisë së Iranit.

Pahlavi, ishte 38 vjeç kur shkroi rrëfimet e saj për jetën e saj magjepsëse si mbretëreshë, e njohur për iranianët si Shahbanou.

blank

Ish-perandoresha iraniane Farah Pahlavi.

Atëbotë për të ideja e një revolucioni islamik dhe jetës në mërgim ishte e paimagjinueshme.

“Në kohën kur shkrova kujtimet e mia, nuk e kisha idenë se çfarë do të vinte”, tha ajo në një parathënie për ribotimin në anglisht të kujtimeve të saj “1,001 Ditët: Kujtimet e një Perandoreshe”. Libri, i cili do të publikohet më vonë këtë muaj, do t’ju shërbejë edhe gjeneratave të reja të dinë më shumë për jetën para revolucionin.

Jetë përrallore

Atëbotë jeta e saj ishte si një përrallë; një grua 21-vjeçare që u martua me një mbret dhe u bë mbretëresha e një vendi të lashtë.

Ajo u takua për herë të parë me Shahun në Ambasadën iraniane në Paris, ku ajo ishte duke studiuar për arkitekturë.

blank

Perandoresha Farah, gruaja e Shahut të Iranit, është fotografuar e veshur me kurorën e saj nëpër rrugët e Teheranit, 26 tetor 1967, pas ceremonisë së kurorëzimit si perandoreshë.

Shahu ishte kurorëzuar më 1941 dhe u kthye në pushtet më 1953 pas një grusht-shteti të mbështetur nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA).

Në vitin 1959, ata u martuan dhe ajo u bë gruaja e tretë e monarkut 40-vjeçar.

Në librin e saj Pahlavi kujton se si Shahu i tregonte asaj për përgjegjësitë që do të kishte si gruaja e tij. Megjithatë, ajo ishte e befasuar me gamën e gjerë të detyrave të saj.

Ajo rriti katër fëmijë – duke përfshirë princin e kurorës Reza, i lindur vetëm 11 muaj pas martesës së saj.

blank

Në këtë fotografi të 12 prillit 1962, zonja e parë amerikane Jacqueline Kennedy i bën një turne udhërrëfyes në ambientet e Shtëpisë së Bardhë perandoreshës Farah Pahlavi të Iranit.

Ajo i ka kushtuar shumë kohë kauzave sociale dhe çështjeve kulturore, duke përfshirë promovimin e artit iranian dhe perëndimor, që i siguroi asaj një popullaritet të gjerë.

Kurorëzimi si një perandoreshë

Në vitin 1967, ajo u kurorëzua si perandoresha e Iranit – Shahbanou – nga shahu, i cili gjithashtu e kurorëzoi veten Mbreti i Mbretërve, ose Shahanshah.

Ceremonia e kurorëzimit ishte luksoze.

Ajo thotë se ende e kujton këtë si një moment historik për gratë.

“Unë gjithmonë kam thënë se dita kur u kurorëzova [Perandoreshë e Iranit] ishte dita që përfaqësoi kurorëzimin e çdo gruaje në vendin tim”, tha Pahlavi në një intervistë për Shërbimin e Iranit të Radios Evropa e Lirë, në të cilën ajo foli për librin e kujtimeve të saj.

Një jetë me përkushtim

Angazhimi i Pahlavit ishte i gjithanshëm në çështje humanitare dhe kulturore. Ajo mbështeti shumë aktivitete humanitare dhe institucione, duke përfshirë ndihmën në themelimin e Institutit për Zhvillimin Intelektual të Fëmijëve dhe Adoleshentëve.

Ajo udhëtoi në të gjithë vendin e saj, duke vizituar rajone të largëta ndërsa takohej me vendasit dhe ata në nevojë, duke përfshirë të sëmurët nga lebroza.

Shumë shpesh gazetat dhe revistat i publikonin në ballina vizitat e saj në jetimore, spitale dhe rajone të vendit.

Historiani Robert Steele thotë se Pahlavi u bë “fytyra e vërtetë, njerëzore” e monarkisë.

“Sigurisht, kjo ishte një propagandë e kujdesshme, e cila ishte mjaft efektive, por Farah e mori shumë seriozisht këtë rol të ‘nënës’ së popullit iranian”, tha Steel, një hulumtues në Shkollën Ekonomike të Londrës.

blank

Shahu i Iranit Mohammed Reza Pahlavi dhe gruaja e tij Farah Diba më 24 qershor 1974.

Ajo, gjithashtu, u shoqërua me liderë botërorë e personalitete të famshme të asaj kohe.

Artisti i njohur si Andy Warhol, në vitin 1976 udhëtoi për në Iran dhe i bëri asaj një fotografi, e cila do të shndërrohej në një portret ikonik.

Në vitet 1970, ajo ndihmoi në blerjen e mbi 300 kryeveprave nga artistë bashkëkohorë perëndimorë, duke përfshirë Alberto Giacometti, Henry Moore, René Magritte, Pablo Picasso, Jackson Pollock, Pierre-Auguste Renoir dhe Mark Rothko.

Koleksioni mbresëlënës, i vlerësuar në 3 miliardë dollarë, mbahet në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Teheranit, i përuruar më 1977.

Gjatë atyre viteve, Pahlavi ishte plot shpresë dhe energji, duke iu përkushtuar një vendi që e dashuronte dhe të cilin donte ta shihte të përparuar.

“Nuk dëshiroja të humbisja nga vëmendja historinë e lavdishme të Iranit. Ajo ishte një histori aq e nderuar nga e gjithë bota. Por, në të njëjtën kohë doja që bashkatdhetarët e mi të përfitonin gjithashtu nga arsimi, shëndetësia, industrializmi dhe moderniteti”, shkruan ajo në parathënien e kujtimeve të saj të ribotuara.

Steel thotë se Pahlavi gjatë kohës sa ishte perandoreshë, qëndroi larg politikës dhe u fokusua në pasionin e saj për artin, letërsinë, muzikën dhe arkitekturën.

“Një nga arsyet që ajo mbeti një figurë e njohur, edhe pas revolucionit, ishte sepse ajo qëndroi e shkëputur nga bota e errët e politikës iraniane”, tha Steel.

Megjithatë, sipas tij, në fund të fundit, pavarësisht nga rëndësia e tyre kulturore, ngjarjet që organizoi Farah dhe veprat e artit që ajo mblodhi kontribuan në akumulimin e pakënaqësisë ndaj regjimit.

“Në kohën kur grupet e opozitës dënuan ‘frymën perëndimore’ të popullsisë iraniane, në fokus ishin shijet evropiane të oborrit Pahlavi dhe dashuria për kulturën perëndimore”, tha ai.

Revolucioni dhe jeta në mërgim

Kundërshtimet ndaj Shahut kishin filluar për shkak të përpjekjeve të tij pro-perëndimore dhe të laicizmit, represionit politik dhe një hendeku në rritje mes të pasurve dhe të varfërve.

Gjithashtu, festat e tij luksoze kishin krijuar pakënaqësi.

Në festimin e 2.500 vjetorit të perandorisë më 1971 ushqimi ishte sjellë nga Parisi.

Pahlavni mbron këto ceremoni.

“Nuk kishte asnjë gabim të vogël dhe ne ishim shumë të lumtur”, tha ajo në një bisedë të fundit online të organizuar nga Universiteti i Harvardit.

“Ne u kritikuam shumë nga shtypi perëndimor sepse ata nuk e kuptuan se ky ishte një vend me histori kaq të madhe, ata mbuluan vetëm detajet e ushqimit, çadrave, e kështu me radhë”, shtoi Pahlavi.

Në të kaluar ajo ka minimizuar shkeljet e të drejtave të njeriut nën sundimin e Shahut, duke pretenduar se policia sekrete e frikshme, SAVAK, angazhohej për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të vendit.

blank

Ish-Mbretëresha e Iranit Farah Diba Pahlavi mbërrin për të marrë pjesë në një shërbesë kishtare për ish-presidentin francez Zhak Shirak në kishën Saint-Sulpice në Paris më 30 shtator 2019.

Në janar të vitit 1979, pas disa muaj grevash dhe protestash të dhunshme, Pahlavi dhe burri i saj u larguan nga Irani.

Pjesën tjetër të jetës ata e kaluan në mërgim.

Vetëm disa ditë pas arratisjes së saj, Revolucioni Islamik rezultoi i suksesshëm duke e kthyer Ajatollah Ruhollah Khomeinit në pushtet. Ai krijoi një republikë islamike, e cila edhe sot përballet me kritika për politika represive dhe abuzime serioze të të drejtave të njeriut.

Humbjet tragjike

Tetëmbëdhjetë muaj pasi u largua nga atdheu i saj, burri i Pahlavit vdiq nga sëmundja e kancerit në Egjipt.

Rreth 20 vjet më vonë, më 2001, vajza e saj më e vogël, Leila 33-vjeçare, vdiq nga një mbidozë në Londër.

Njëmbëdhjetë vjet më vonë, djali i saj më i vogël, Alireza, bëri vetëvrasje në moshën 44-vjeçare, pasi luftoi me depresionin për disa vjet.

“Jeta ime ka qenë interesante, e bukur dhe e vështirë në të njëjtën kohë”, tha ajo.

Pahlavi, në muajin tetor mbushi 83 vjeç. Ajo ende i përcjellë me përkushtim ngjarjet në vendin e saj.

Edhe sot në Iran është e përhapur nostalgjia për epokën e Pahlavit madje edhe te gjeneratat që u rritën pas revolucionit të 1979-s.

Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se dëshira e saj më e madhe është “liria për Iranin”.

Sipas saj, dashuria dhe lidhja me vendin e saj kanë mbetur të fuqishme pavarësisht se për më shumë se katër dekada jeton në mërgim.

“Shpresën gjithmonë dua të mbaj gjallë, nuk dua ta lejoj hidhërimin në zemrën time dhe gjithmonë them se shpresoj se drita do ta mposhtë errësirën”, tha ajo.

blank

Më 11 nëntor 1855 u nda nga jeta filozofi danez Soren Kierkegaard, babai i ekzistencializmit

VOAL – Filozofi danez, i konsideruar babai i ekzistencializmit, Søren Aabye Kierkegaard lindi në Kopenhagë më 5 maj 1813. Babai i tij Michael Pedersen është një tregtar i pasur që nuk kishte fëmijë nga gruaja e tij e parë; gruaja e tij e dytë, Ane Lund, dha shtatë fëmijë. Soren është i fundit. I riu drejtohet në përvojën e bashkësisë fetare pietiste (një formë protestante e lindur në polemika me Luterianin institucional nga Philipp Jacob Spene): arsimi është i ashpër, i shënuar nga pesimizmi dhe ndjenja e mëkatit dhe karakterizohet nga një vlerësim negativ i krishterimit protestant zyrtar të Danimarkës në atë kohë.

Pesë nga vëllezërit e tij vdesin kur filozofi i ardhshëm është vetëm njëzet vjeç. Tragjedia e vëllezërve dhe arsimi i marrë do ta bëjë Kierkegaardin një njeri të trishtuar të përkushtuar ndaj introspektit, si dhe ndjenja e lehtë dhe e dhimbshme e fajit. Ai gjithashtu do të ketë gjithnjë gjendje të keqe shëndetësore.

Kierkegaard filloi studimet e tij universitare në teologji më 1830, duke u diplomuar pas njëmbëdhjetë vjetësh. Perspektiva, e realizuar më vonë, ishte që të bëhej pastor protestant. Gjatë periudhës së universitetit, ai mori pjesë në një lëvizje fetare reformiste, duke shprehur idetë shoqërore-krishtere: tek i riu Kierkegaard ka më shumë shqetësim për një reformë kishtare pietistike që ka një reflektim edhe në marrëdhëniet shoqërore të shoqërisë civile, e cila nuk ka të bëjë me zhvillimin e një kërkimi teologjik autonom. Në këto vite ai ka qenë në gjendje të mbushë rolin e presidentit të ligës së studentëve, duke sulmuar mbi të gjitha idetë liberale-borgjeze të rinovimit demokratik. Pozicioni i tij nuk ishte shumë i ndryshëm nga ai i Schelling-it, i cili kishte iluzionin se ishte në gjendje të kapërcejë hegelianizmin duke theksuar rëndësinë e fesë.

Në tezën e diplomimit të vitit 1841, “Për konceptin e ironisë në referencë të vazhdueshme ndaj Sokratit” (botuar më vonë), Kierkegaard merr një qëndrim kundër romantizmit estetik, evaziv dhe të hutuar të vëllezërve Schlegel, Tieck dhe Solger, duke u vënë në anën e Hegelit. Ironia romantike është burimi i izolimit të Kierkegaard. Kundër romantikëve gjermanë dhe danezë, ai kundërshton Goethe-n dhe Shekspirin, ku ironia është vetëm një “çast” dhe jo një kusht i jetës.

Në vitin 1840, pasi mori një provim në teologji që i mundësoi atij të ndiqte një karrierë kishtare, ai shkoi në Jutland për t’u shëruar nga një formë serioze e lodhjes nervore; ai papritmas vendos të fejohet me Regina Olsen, tetëmbëdhjetë vjeçare, por pas pak vitesh, ai e ndërpret fejesën. Regina ishte e gatshme të bënte gjithçka për t’u martuar, por Kierkegaard bën gjithçka të mundshme për t’iu dukur e neveritshme, kështu që faji për prishjen e fejesës bie mbi të, gjë që do t’i japë atij një keqardhje të madhe për pjesën tjetër të jetës së tij.

Menjëherë pas largimit nga Regina, ai bëri një udhëtim në Berlin për të dëgjuar mësimet e Schelling, por ishte thellësisht i zhgënjyer. Në mars 1842 ai u kthye në Kopenhagë dhe filloi atë që do të ishte një prodhim i madh letrar.

Kierkegaard posedon një temperament të ashpër dhe të paqëndrueshëm dhe udhëheq një ekzistencë të izoluar. Faktet e vetme relevante të jetës së tij janë sulmet e nxitura nga gazeta satirike “Korsari” (Kierkegaard shfaqet në mënyrë të përsëritur në karikaturat malinje) dhe polemika kundër oportunizmit dhe konformizmit fetar që Kierkegaard do të kishte kryer në vitin e fundit të tij vita, në një seri artikujsh të botuar në periodikën “Momenti”: Kierkegaard akuzoi Kishën Daneze se kishte tradhtuar mësimet origjinale të Krishtit.

Më 1843 Kierkegaard botoi “Enten-Eller”, punën e tij më të rëndësishme e cila ishte gjithashtu ai që do t’i japë atij më shumë sukses. Enten-Eller është e ndarë në dy pjesë dhe përmban sintezën e mendimit estetik, fetar dhe fenomenologjik të të rinjve Kierkegaard. Përfshirë janë “Ditari i joshësit” (shkruar për të zmbrapsur Reginën), “Diapsalmata” (një seri aforizmash autobiografike), “Reflektimi i tragjedisë së lashtë në modernin tragjik”, në të cilën Kierkegaard kundërshton vlerën e asosacionizmit të epokës, duke e vënë përpara atë të individualitetit të izoluar dhe të munduar, që sakrifikon veten për hir të idealit.

Ekziston edhe “Don Zhuani”, joshës legjendare (prototipi i kalorësve spanjollë të lirisë, i pavdekshëm në veprën me të njëjtin emër nga Mozart), dhe teksti që në italisht u përkthye si “Aut-Aut”, por që në realitet është Letra shumë e gjatë e këshilltarit William, teksti më i rëndësishëm i Enten-Eller. Kjo letër, megjithëse u shfaq në pjesën e dytë të vëllimit, është shkruar së pari dhe në refuzimin e saj të jetës estetike-romantike është ajo që më së miri lidhet me tezën e shkallës.

Kjo letër, megjithëse u shfaq në pjesën e dytë të vëllimit, është shkruar së pari dhe në refuzimin e saj të jetës estetike-romantike është ajo që më së miri lidhet me tezën e shkallës. Megjithë suksesin botues të veprës, përpjekjet për ta përfshirë atë në një bashkëpunim kulturor dhe filozofik (me theks të veçantë në estetikë) bëhen krejtësisht të kota nga qarqet, klubet dhe revistat e ndryshme në Kopenhagë. Në fakt, me publikimin e kësaj vepre, Kierkegaard braktis botën e kulturës dhe angazhimit social, duke e hedhur poshtë gjithmonë karrierën kishtare.

Ai pastaj boton “Druajtje dhe dridhje”, një ese mbi figurën e Abrahamit me të cilën ai e vendos besimin e pikëlluar në Absoluten e një njeriu (biblik) përpara dyshimit të filozofisë moderne (Karteziane) se ai nuk mund të komunikojë me askënd, duke e ditur se ai nuk mund të kuptohet nga të tjerët. Kierkegaard përdor Abrahamin për të justifikuar pozicionin e tij të ri shoqëror: individualizmin fetar. Ashtu si Abrahami, i cili nga jashtë duket se ishte një vrasës, ndërsa përbrenda ishte një njeri besimi, kështu edhe Kierkegaard e di se ai i duket qytetarit si një person ekstravagant, anormal dhe i pabesueshëm.

Në vitin 1844 doli “Koncepti i ankthit”: Kierkegaard kishte folur për trajtimin e figurave të Antigonit, Agamemnonit, Jefte dhe mbi të gjitha Abrahamit. Vepra përdoret nga Kierkegaard për të treguar se ankthi që del nga prishja me botën shoqërore është një gjendje e pashmangshme e mendjes, siç ishte në njëfarë kuptimi mëkati origjinal për Adamin.

Në të njëjtin vit ai botoi “Grimca filozofie”, në të cilën ai pasqyroi në planin filozofik reflektimet e fituara në nivelet psikologjike dhe fetare. Kierkegaard kundërshton konceptin e “bërjes së historisë”, pasi historia e ka tradhtuar Krishtin. Ky ese vazhdon kritikën, që fillon me “Druajtje dhe dridhje”, të statusit zyrtar protestant të Kishës Daneze, edhe nëse kjo polemikë për momentin kalon përmes kritikave të hegelianizmit. Kierkegaard nuk pajtohet të quhet “filozof”: madje edhe kur ai shkruan për filozofinë preferon të përkufizohet si një “shkrimtar fetar” ose “ndërtues”.

Vepra do të ndiqet në 1846 nga monumentalja “Notë shkencore përfundimtare”. Duke filluar nga ky vëllim (i cili sipas Kierkegaardit supozohej të ishte një antitezë ndaj Logos Hegel), Kierkegaard ankohet se ai nuk ka më bashkëbisedues. Ai do të jetë në gjendje të shesë vetëm 50 kopje të veprës, por Kierkegaard synonte pikërisht të përfundonte punën e tij si shkrimtar. Ai është detyruar të përfundojë aktivitetin edhe nga polemika me revistën “Korsari”, e cila e kishte ngacmuar atë për disa muaj, duke impresionuar publikun. Gazeta pastaj do të mbyllet nga qeveria dhe drejtori i dëbuar nga vendi për sjellje të “padenjë morale”. Sidoqoftë, në këtë vepër përbuzja për socializmin arrin forma të konservatorizmit pro-monarkik, nga e cila është e qartë se sa Kierkegaard ka të bëjë me idetë liberale, demokratike dhe socialiste.

Në pak fjalë, mendimi i filozofit danez identifikon tre fazat themelore në udhëtimin e jetës: faza estetike, etike dhe ajo fetare.

Pas një jete të kaluar pothuajse ekskluzivisht në qytetin e tij, Soren Kierkegaard vdiq më 11 nëntor 1855, i kapur nga një paralizë./Elida Buçpapaj

blank

Më 9 nëntor 1879 lindi Milan Shuflaj, albanolog i shquar kroat

Milan Šufflay (shqip:Milan Shuflaj) lindi në Lepoglavë, 9 nëntor 1879 , vdiq më 19 shkurt 1931 Zagreb , është historian dhe albanolog kroat.

Biografia

Milan Shuflaj ka lindur në vitin 1879, në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaron në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku laureohet si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studion shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit. Doktoron në vitin 1901. Menjëherë pas doktoratës, Shuflaj i futet punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus”.

Këtu ishin kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pahulumtuar fare, që i takonte Shqipërisë. Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Në vitet 1902-1903 specializohet në Vjenë, në “Österreichische Institut für Geschichtsforschung”, në fushat e paleografisë latine, diplomacisë, kronologjisë dhe notariatin, te profesorët O. Redlicha dhe A. Dopscha.

Në këtë vit, regjistron te prof. K. Jireçeku “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, të cilat nuk ka arritur t’i përfundojë. Në vitet 1904-1908, dr. Shuflaj punon si asistent në bibliotekën kombëtare “Szeczeny” të Budapestit. Këtu thellon njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos albanologjisë. Vendos kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzojë më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore.

Në Budapest, Shuflaj botoi në revista dhe gazeta të ndryshme një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën “Szazdok” boton dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregon se dokumentet e Rabit të shekullit XI dhe XII, për Mbretin kroat Zvonimir, ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t’i kushtojë shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t’ia bojkotojnë leksionet! Në vitin 1908 emërohet profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Talocin dhe Jireçekun, në vitin 1913 dhe 1918, boton në dy vëllime kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Në vitin 1918, me kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime, me titull: “Die kirchenzustände im vortürkischen Albanien.

Die ortodoxe Durchbruchszone im katolischen Damme”, për të vazhduar, pastaj në vitin 1920 me romanin me temë nga mesjeta shqiptare, “Konstantin Balsha”, të firmosur me pseudonimin Alba Limi. Në dhjetor të vitit 1920, burgoset. Dënohet me tre vjet e gjysmë burg, të cilat i bën në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1925 boton studimin: “Srbi i Arbanasi, njihova simbioza u srednjem vijeku”. Në vitin 1928 botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”.

Po këtë vit emërohet profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit. Për shkak se nuk kishte pasaportë, detyrohet ta refuzojë këtë emërim. Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të ”Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Dr. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë.

Pas shumë peripecish rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Vritet nga dora e kriminelëve serbë më 18 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb. Për vrasjen e dr. Shuflajt kanë reaguar shumica e intelektualëve të kohës, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari i njohur Ainshtain.[1]

Vepra

  • Hrvatska i zadnja pregnuća istočne imperije pod žezlom triju Komnena (1901)
  • Die Dalmatinische Privaturkunde (1904)
  • Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia (së bashku me Jireçekun dhe Thalloczy, Vjenë, 1913. dhe 1918. përmbledhja e dytë)
  • Kostadin Balšić (1392-1401): historijski roman u 3 dijela – roman historik (1920)
  • Srbi i Arbanasi (1925)
  • Na Pacifiku god. 2255.: metagenetički roman u četiri knjige – znanstvenofantastični roman (shtypur pë herë të parë 1998)
  • Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike : dvanaest eseja (1928, ribotim 1999)
  • Hrvati u sredovječnom svjetskom viru (1931)
  • Izabrani eseji, prikazi i članci (1999)
  • Izabrani eseji, rasprave, prikazi, članci i korespondencija (1999)
  • Izabrani politički spisi (në edicionin Stoljeća hrvatske književnosti, 2000)

Burimet

  1. ^ Jeste li čuli za prof. dr. Milana Šufflaya?

Lidhje e jashtme

  • Milan Šufflay
  • Si e vranë serbët albanologun e njohur nga Kroacia
blank

In Memoriam – Kosta Grillo sot ka ditën e lindjes!

Pas 55 ditësh luftë me Covid 19  – Kosta Grillo, që e deshi aq shumë të kthehej, sepse e prisnin  dy djemtë dhe nusja, Ani, nipi dhe mbesa, shoqnia e tij, mikrofoni sportiv, Tirona, Himara dhe gjithçka që lidhej me jetën – na la. Ishte 5 tetor. Shkoi të kurohej në gusht në Turqi, pati një përmirësim të dukshëm dhe kur pritej që të kthehej në Tiranë, erdhi lajmi i hidhur dhe pikëllimi pa fund. Është e pamundur të besosh se Kosta Grillo tani është një Ëngjëll!

E sot Kosta Grillo ka ditëlindjen. Dhe ai nuk është mes atyre që e kanë dashur fort!

Voal.ch po sjell kujtime të Ani Grillos motrës të vetme dhe shokëve e miqve in Memoriam. Botuesit e voal.ch nuk e harrojnë kurrë Kosta Grillon !

Ani Grillo e kujton kështu Kostën:

Nuk ka lamtumire per ty i shtrenjti vella ❤️! Gezuar 6 nendorin, 59 vjetorin e lindjes! Dhe pastaj shkruan në anglisht: Very few know that the lyrics to the song “My First Child” were written for you so Happy 59 Birthday my dear brother ❤️!  Shumë pak e kanë ditur se lirika për këngën “Fëmija e parë” ishte shkruar për ty: Kështu, Ditëlindjen e 59-të të lumtur Vëlla!” Dhe sjell një foto, Kosta bebe në krahë të prindërve të tij të shtrenjtë! Si dhe këngën “Fëmija i parë”, kënduar nga e madhja Vaçe Zela.

blank

 

 

 

Mbuluar me kurora lulesh
mes familjarve dhe miqve,
ne parajsen tende Himara,
pran gjysherve te tu te dashur!
Te solla ketu tha motra jote Ani,
pasi ti mes Himares dhe Vunoit doje me shum’ Himaren per lirin e pa kufishme qè ajo na jepte ne femijëninë tonë pranë gjysherve…
Teksa dhe shiu ndali, kur ne miqtë e tu ndanim çastet e fundit me ty ne Nekrotafion e vjeter te Himares , çuditerisht ne mendje me vinin vargjet e kenges Femia i parë!
Ti Kosta linde me 6 Nentor te vitit 1962 dhe yt’at shkrimtari Odise Grillo i nxitur nga kompozitori Agim Prodani thuri vargjet …dua te kendoj / gjith njerzit un’ t’i lajmeroj/ o miqt e mi me lindi nje femij….kushtuar doktoresh Vangjelos nga Himara qe sapo lindi ty Kosta.
Kjo kenge u kendua nga e madhja Vaçe Zela ne mbremjen e 21 dhjetorit 1962, ne ”Sanremon” e par shqiptare, Festivalin e parë te kenges, ku fitoi dhe çmimin e par’ ate mbremje qe sapo erdha ne jetë edhe unë, i lindur po nga nje mbes Himarjote!
Ketu ne ”shtepinë” e perjeteshme te Bollanajve te mi, Veizajve te tu e te himarjotve te tjerë kryeneç, vendosur sa karshi detit e sa karshi malit ne kete Nekrotaf… ne heshtje ndaj te njejtat ndjenja me miqtë e tu prezentë … Lekon Balen, Andrea Gjonin, Fredi Belerin, Sander Gumen, Arjan Dhimertiken , Petri e Alda Bozon qe s’ndaheshin dot nga ty, pa pirë dhe cigaren e fundit aty tek kembet e tua, mes himarjotve te gjallë e te vdekur, ”çmendurisht” liridashes si edhe ty Kostandin Grillo.

Shoku i tij Ervin Baku:

Lamtumirë “Mbret”!

blank

Ervin Baku:

7 nëntor 2019
Tutto SPORT!
Ditë e veçantë! Megjithëse shiu vazhdonte prej 48 orësh, ne e festuam datëlindjen e KOSTA GRILLOS, gazetarit, bashkëpuntorit e mikut tim të hershëm! Një amaro & një coffee pas një dreke të begatë në një restaurant origjinal me gatime tradicionale, e më tej urimi i përjetshëm:
EDHE 100 VITE TË TJERA TË LUMTURA MIK I DASHUR!
Nga e majta në të diathtë: TAM KONA, KASTRIOT AHMATI, ERVIN PETRAQ BAKU & KOSTA GRILLO …

Sotiris Dimas

LAMTUMIRË PATRIOTI
Himarë e bukura Himarë
Çu këput nga ty një degë
Humbe një shok të vërtetë
Tamam një patriot me fletë
Kosta Grillo patrioti
ZOTI me vete të mori
Edhe vetë se besojmë
Se Himara për ty kish nevojë
LEGJEND e komentatorë i rrallë
S’të trembej syri nga ca zagarë
Thoshje gjithmonë një të vërtetë
E drejtësi kërkoje në jetë
Himara të donte dhe e doje vetë
Sy patrembur KAPEDANE me fletë
Trimi kapedan si në lashtësi
Mbjellje besë dhe dashuri
Ajo ditë e martë ditë e zezë
Në Himarë erdhi haberë
Një trim i jote humbi betejë
Me të mallkuarën kolerë
U nxi deti e u tërbua
Plot me re qielli u rëndua
Ndoshta dhe moti e kuptoi
Se një trim vdekja e mori
Qau moti plasi deti
Mali me dhëmbje kokën uli
Himara vellon e zezë hodhi
Dhëmbja zemrat na i coptoi
Shoqëria e familja të përcolli
Miqësia ngushëllime të dërgoi
Të qau familja të qau shoqëria
Të mori në krah Perëndia
LAMTUMIRË o patriot i mirë
U prehsh në paqe në përjetësi
Gjithmonë ne do të kujtojmë
I paharruar do jesh në përjetësi.
ANGLI 14 TETOR 2021

 

blank

Arkiv- PËRSE DUHET TË HAPEN DOSJET? Prej 1991 e deri sot në krahun pseudo të djathtë mbi 134 deputetë kanë qenë me dosje Nga FATMIR LAMAJ, ish i burgosur politik

Arkiv –  /11.06.2013/
U bënë mbi 20 vjet që fjala “dosje” si nocion superposhtrues për të gjithë shqiptarët po sundon kërcenueshëm jetët tona si një hije e zezë e trasheguar frikshëm nga e kaluara. Dosjet ishin dhe mbeten prodhimi më monstrues i krimit komunist, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë akoma krim. Dosjet ishin mekanizmi më pervers i diktaturës ne mbajtjen e pushtetit por ato vazhdojnë të mbeten si të tilla dhe në pseudodemokraci apo neokomunizmin e derisotëm. Berisha dosjet i përdori me shumë efikasitet në superpushtetin e tij të pamerituar duke bërë zap ndonjë të rebeluar që mundohesh të ngrinte pak zërin ndaj padrejtësive të shumta që bënte ai në adresë të atyre që e sollën në pushtet sipas skenareve oruellian ku “vëllai i madh” kontrollonte gjithçka nëpërmjet tyre. Kurrë një shoqëri nuk mund të jetë e lirë pa u çliruar më parë nga e kaluara e saj e përgjakur dhe poshtëruese, e cila në çdo cast e kamzhikos pa rreshtur ndërgjegjen e rënduar nga fajet pa faje.

Përse themi fajet pa faj? Sepse në jurisprudencën e çdo vendi demokratik është e konsakruar ligjerisht se çdo pohim i marrë nën dhunë është i papranueshëm juridikisht. Dhe ato dosje janë produkti më kriminal i diktatures komuniste. Ato janë krijuar në ambiente të errëta të sigurimit të shtetit nën torturat më çnjerëzore ku jo të gjithë arrinin t’i përballonin, nën kërcenimin për burg, për bukën e fëmijëve, për internimet në skajet me të largëta apo për gabime, dobësi dhe faje të sajuara. Këto dosje në vetvete pikojnë gjak, lot dhe pendesë të mëvonshme për të gjithë ata që kanë firmosur nën dhunë ndërsa për pjesën tjetër që vullnetarisht me ndërgjegje të plot hoqen nga morali i tyre, ato u kthyen në burim mirëqenie dhe pushteti. Duke njohur mirë përberjen e Parlamentit shqiptar nga 1991 e deri më sot, në krahun e vet pseudo të djathtë e deklaroi pa frikë se mbi 134 deputetë kanë qenë me dosje (se pa dosje Berisha s’të pranonte brenda rradhëve të tij), të cilët edhe sot gëzojnë në mënyrë të pamerituar privilegjet e ish deputetllëkut. Diktatura nëpër jet sigurimit të shtetit kishte ndërtuar mekanizmin e vet shkatërrues të jetës dhe personalitetit të çdo shqiptari, të cilin ajo e konsideronte armikun e vet dhe kalimin nëpër ingranazhet vdeksor të atij mekanizmi ishte shumë i vështirë gati mbinjerëzor dhe jot ë gjithë mund ta përballonin atë provë të tmerrshme. Më kujtohen sot fjalët e një japonezi të mbijetuar nga hedhja e bombës automike të Hiroshimës, kur vëllai i tij i vogël i kërkonte ndihmë nën rënkimin e plagëve dhe ai nuk e kishte ndihmuar dot. Dhe nën peshën e pendimit tha keto fjalë: “…Dhe unë isha njeri që doja të jetoja. Të gjithë ne që mbijetuam moralisht asaj kohes që prodhjonte veç vdekje poshtërim, kurrë nuk do të kemi ndjenjën e revanshit ndaj atyre personave që jo për faj të tyre kanë hedhur ndonjë firmë në ato dosje të qelbura, te cilat kanë qenë dhe mbeten plaga e pambyllur e kohës së lamë pas”. Çdo plagë kurrë nuk mund të shërohet pa nxjerrë më parë nga shtrati i saj i qelbësuar gjithë absesin e krijuar ndër vite. Në ato dosje është dhe një pjesë e jona, janë njerëzit tanë si dhe gjithmonë duhen mëshiruar për fatkeqësitë e ndodhura. Dosjet duhen hapur që një shoqëri e tërë të mos rrijë pezull për të kaluarën e vet duke u dergjur në moçalin e ankthit për të njohur një pjesë të vetvetes. Ato duhen hapur që të njohin vetveten dhe të tjerët për të mos u endur më në errësirën e dyshimeve dhe hamëndesimeve për këdo që na rrethon e kemi pranë. Ato duhen hapur që ai që më dënoncoi mua dhe shumë të tjerë i quajtur Dalan Luzi mos të kapërdiset më në Amerikë si një hero i kohës që kaloi dhe që ta marrin vesh e të jenë në dijeni të afërmit Gaspër Çuçisë se ai që e çoi drejt vdekjes ka qenë pikërisht ky person, të cilin sigurimi i shtetit në ’90-ën e nisi nxitimthi tek i atii tij në Amerike.

Dosjet nuk janë më një sekret në Shqipëri, por ato mbeten gjithmonë një makth nga kthetrat e të cilit duhet të çlirohemi sa më parë. Zhelju Zhelev, presidenti i parë demokrat i Bullgarisë thirri shefin e shërbimeve sekrete dhe i kërkoi dosjen e vet . Ai ia solli dhe pas ndonjë muaji me nuhatjet e vet agjentutore konstatoi se Presidenti se kishte hapur fare dhe i thotë: “Zoti President, dosjen Tuaj ju se keni hapur fare”. Presidenti me qetësinë e tij i thotë: “Merre se nuk kam dëshirë ta hap atë paçavure, se kam frikë se mos gjej emrin e ndonjë miku që nuk dua ta humbas”. Mesazhi ishte i qartë, por më mirë është ta humbasësh atë mik që nuk ia vlen të jetë mik yt, por kurrë të mos e përbuzësh e urresh për një faj të detyruar. Bashkëjetesa me të keqen, sjell veçse të këqia. Hapja e dosjeve, është e vërtetë që fillimisht do të sjellë tronditjet e veta të pashmangshme por njëkohësisht do të prishi shumë ekuilibra negativë që deri më sot janë krijuar në dëm të të gjithë shoqërisë shqiptare, duke çmitizuar një herë e përgjithmonë pseudoliderët e krijuar në zyrat e sigurimit të shtetit. Hapja e dosjeve do të jetë do të jetë si heqja e vellos, mbas së cilës nuk do të shikojmë më nusen e bukur që kemi ëndërruar por atë shtrigën plagë që me magjitë e saj nxin çdo ditë jetët tona.

Dosjet janë gropa skeptike e bëmave dhe gjëmave që la pas diktatura komuniste dhe kjo gropë skeptike duhet të hapet një herë e përgjithmonë që mushkeritë tonë të mos helmohen çdo ditë nga era e saj e keqe. Ato duhet të hapen që ish spiunët e sigurimit të shtetit të mos trazoojnë më jetët dhe shpirtrat tanë të lodhur nga e kaluara e zezë, që ndonjë ish kryetar Bashkimesh profesionale të mos vetdeklarohet President i Unionit të Burgosurve Politik pa pasur asnjë ditë burg dhe internim, që ndonjë tjetër pseudo i persekutuar me partinë e tij të subvensionuar dhe të mbështetur nga Berisha, të mos flasin më në emër të shtresës të të persekutuarve politikë.

Si përfundim, dosjet duhet të hapen dhe sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht nga klithmsat e atyre që do të jenë të detyruar të paguajnë çmimin e vet moral për të kaluarën e tyre, ndonëse ky çmim do të jetë i përbashket për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Zoti Kryeministër! Me autoritetin që ju jep detyra dhe Ligji, hidhe këtë hap të guximshëm për ta shpëtuar një herë e përgjithmonë shoqërinë shqiptare nga kjo mënxyrë që la prapa diktatura komuniste duke pasur parasysh thënien e famshme të Monteskies: “Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr i pafund”.

 

FATMIR LAMAJ

blank

ORIGJINA SHQIPTARE E PRESIDENTIT GREK KAROLOS PAPULIAS Papulias ka qenë shok klase në fshatin e lindjes me aktorin fierak çam Fuat Boçin Nga ARBEN LLALLA

blank
Siç kemi shkruar në shkrimet e mëparshme shumë kryetarë që kanë udhëhequr Greqinë kanë qenë shqiptarë ose kanë pasur origjinë shqiptare. Njëri nga këta kryetarë që ka origjinë shqiptare është edhe kryetari i Greqisë, Karolos Papulias i cili që herët është një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Karolos Papulias, 84 vjeçar, është rizgjedhur dy herë Kryetar Republikës greke dhe në fund të mandatit dhe karrierës së tij të gjatë politike ka zgjedhur të vizitojë edhe njëherë Shqipërinë.

Karolos Papulias gjithnjë ka qenë çelësi i zhbllokimeve të marrëdhënieve të krizave të ngrira të politikës midis Greqisë dhe Shqipërisë. Atij i takon merita se ideoi në fillim të viteve 1980 heqjen e ligjit të gjendjes së Luftës me Shqipërinë, por ky ligj nuk u miratuar nga Kuvendi i Greqisë. Ai ka lindur më 1929 në fshatin Voshtina (sot quhet Pogoniani) pranë kufirit me Shqipërinë. Ky fshat ndodhet në krahinën e Çamërisë dhe dikur banohej nga popullsia shqiptare. (Siç dihet në vitet 1913 – 1945 qeveritë greke dëbuan me forcë popullsinë shqiptare nga trojet e tyre mijëravjeçare. Kështu, qindra bashkëfshatarë të Kryetarit të sotëm grek u përzunë me dhunë edhe nga fshati i lindjes së tij Voshtina. Në Voshtinë sipas të dhënave shqiptarët kanë banuar që në shek.XVI, pas përzënies së shqiptarëve mysliman, në këtë fshat u sollën vlleh dhe “grek” nga Azia e Vogël.)

Pas mbarimit të shkollës së mesme në Janinë Karolos Papulias studioi për drejtësi në Universitetin e Athinës dhe doktoraturën e mbrojti në universitetin e Këlnit. Që në moshë të re ishte pjesëtar i rezistencës kundra pushtuesve nazistë gjermanë. Më 1974 u bashku në partinë socialiste PASOK dhe u bë anëtar i Këshillit Qendror të Lëvizjes dhe që nga Prilli i 1975 zgjidhet Sekretar i Komisionit të marrëdhënieve me jashtë të PASOK-ut dhe në vitin 1977 zgjidhet për herë të parë deputet i PASOK-ut për Janinën. Ai ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë i themeluesit të PASOK, Andrea Papandreut, Papulias mori postin e Ministrit të Jashtëm më 1981 dhe që atëherë luajti një rol të rëndësishëm në formimin e politikës së jashtme të qeverisë së Pasok-ut. Ai ka qenë Ministër Plotësues i Jashtëm 8/2/1984-5/6/1985 dhe nga 5/6/1985- 26/7/1985 dhe Ministër i Jashtëm 26/7/1985-2/7/1989 si dhe në periudhën nga 13/10/1993-22/1/1996. Në Nëntor të 1989 mori pjesë në qeverinë ekonomike të Ksenofoda Zolotas si Ministër Plotësues i Mbrojtjes Kombëtare. Më 24 Shtator 1990 në Kongresin e dytë të socialistëve grek zgjidhet anëtar i Këshillit Qendror të partisë, post në të cilin rizgjidhte deri në Kongresin e gjashtë në Nëntor të 2001. Më 11 Tetor 1995 zgjidhet për herë të parë anëtarë i Këshillit Ekzekutiv të PASOK-ut dhe një vit më vonë u betua si anëtarë i Sekretarisë Politike. Në Tetor të vitit 1996 zgjidhet kryetar i Grupit Parlamentar për Çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes dhe në Korrik të 1999 zgjidhet Kryetar i Komisionit për çështjet e jashtme dhe të mbrojtjes të parlamentit grek, post në cilin rizgjidhet edhe më 2001, 2002 dhe 2003. Në vitin 2005 u zgjodh Kryetar i Republikës greke dhe më 2010 u rizgjodh përsëri në këtë post të lartë shtetëror. Është i martuar me Maria Panu dhe ka tri vajza.
blank

Njeriu që shkrinte akujt e politikës greko-shqiptare

Karolos Papulias kur ishte ministër i jashtëm i Greqisë bëri vizitën e parë në Shqipëri, Janar të 1985 në hapjen e pikës të kalimit kufitar të Kakavijës. Në nëntor të vitit 1987 Karolos Papulias me një grup ministrash grek vizitoi për herë të dytë Shqipërinë. Midis ministrave në atë vizitë ishte edhe ministria e kulturës greke me origjinë shqiptare Melina Mërkuri. Kur marrëdhëniet greko-shqiptare në nëntor të vitit 1993 ishin të keqësuar për arsye të dëbimit të një prifti grek nga Shqipëria i cili akuzohej për agjitacion. Atëherë policia greke dëboi me forcë mbi 80 mijë emigrantë ekonomik shqiptarë nga Greqia. Ministri i jashtëm grek i Partisë Socialiste PASOK i sapo zgjedhur Karolos Papulias do të udhëtonte drejtë Shqipërisë për të zhbllokuar marrëdhëniet dypalëshe që ishin ngrirë në qershor të vitit 1993, kur në pushtet në Greqi ishte Partia Demokracia e Re. Në prill të vitit 1994 në repartin ushtarak të Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës, një komando paramilitare greke e grupit MAVI vrau kapitenin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arben Gjini. Po në gusht të atij vitit piloti grek Kosta Vrakas hedh nga avioni i tij në Jug të Shqipërisë fletushka me shkrime kundër Kryetarit të shtetit shqiptar z.Sali Berisha. Dhe përsëri ishte ministri i jashtëm i Greqisë Karolos Papulias që do të udhëtonte në Tiranë për të zhbllokuar krizën politike midis dy vendeve. (Papulias ka patur lidhje të ngushta me studiuesin arvanitas Aristidh Kolën)

Origjina shqiptare

Sipas një shkrimi të botuar në gazetën Republika në Gusht të vitit 1995 shkruhet se: “Karolos Papulias është me origjinë të pastër shqiptare. Babagjyshi i tij quhej Sulejman dhe i përkiste fesë islame dhe ishte nga fshati Voshtina”. Këtë e deklaroi arvanitasi i shquar tashmë i nderë Aristidh Kola. Në librin e Kolës “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, në faqe 195 e lexojmë emrin e Sulejman Papulies. Nga librat e botuar në shek.XIX dalin të dhëna se njëri nga pushtetarët e Prevezës quhej Tahir Papulia. Por këto janë të dhëna për të cilat duhet të shkruajmë herë të tjera më gjerë. (Interesantë është fakti se edhe emri Karolos nuk është një emër greke, por gjerman. Me këtë emër quheshin Despoti i Epirit në shek.15, italiani Karolos Tokos i Parë dhe i Dytë).

Kryetari grek Karolos Papulias ka qenë shok klase në fshatin e lindjes me aktorin fierak çamin Fuat Boçin dhe midis tyre ruhet ende një miqësi e mirë. Gazetarja Marina Vihu përmes një shkrimit të saj botuar në vitin 2005 ndër të tjera sjell kujtimet fëmijërore nga jeta e Fuat Boçit: “Një ditë ndërsa ishim nisur për në shkollë me Karolosin, na u kthye mendja dhe shkuam për zogj. Ditën tjetër, mësuesja na nxori të dyve para klasës dhe na i shkuli veshët kaq fort, saqë më dhembin edhe sot e kësaj dite”. Fuat Boçi po ashtu kujton të atin e Karolos Papulias, kolonelin në lirim Grigoris Papulias, i cili i nxirrte thuajse lakuriq në dëborë, i mbulonte me të dhe pastaj i vinte të vraponin që të kaliteshin. Për të vërtetuar nëse Karolos Papulia e flet shumë mirë gjuhën shqipe duhet pyetur Fuat Boçi i cili di shumë gjëra për origjinën shqiptare të presidentit grek.

Voshtina-Pogoniani

Voshtina gjendet buzë kufirit greko-shqiptar, përballë fshatrave të Gjinokastrës. Nëse do të futemi thellë në historinë e Epriti ku bënë pjesë edhe Voshtina, Despotati i Artës ku ka qenë përfshirë Janina dhe Voshtina në fillim të Shek.XI e deri sa u pushtua nga Osmanët më 1449, asnjëherë nuk ka qenë i udhëhequr nga Despot grek, por nga latinët dhe shqiptarët. Kur Stefan Dushani pushtoj Ballkanin ai u ndesh me shqiptarët të cilët e rimorën përsëri Despotatin e Artës. Atëherë logjika e thjeshtë ngre pyetjet përse Epiri asnjëherë nuk është udhëhequr nga Despot grek? (Sepse popullsia nuk ishte greke, por shqiptare).

Voshtina nga mesi i shek .XVI e në vazhdim njihet se është themeluar dhe banuar nga shqiptarët mysliman. Voshtina ishte qendra e fshatrave të Pogonit dhe i përkiste administratës turke të Gjirokastrës. Voshtina mbeti si qendra administratës të zonës së Pogonit deri në vitin 1922, më tej qendra u vendos në Delvinaq. Voshtina ishte dikur një fshat me rreth 3.000 banorë dhe në vitin 1924 u hap gjimnazi në godinën ku dikur shërbente administrata osmane. Gjimnazi kishte edhe konviktin e vet ku strehoheshin nxënësit e fshatrave të tjerë që ndiqnin shkollën.

Gjatë periudhës së Perandorisë Osmane Voshtina i përkiste Peshkopatës së Vlorës. Ka pasur xhami, kishë, një shkollë për myslimanët dhe një shkollë për ortodoksit, rreth 5 dyqane. Me përzënien e shqiptarëve mysliman nga treva e Çamërisë në zonën e Pogonit dhe në Voshtinë qeveritë greke sollën popullsi vllehe si dhe “grekët” nga Azia e Vogël për të bërë sa më të lehtë asimilimin e shqiptarëve ortodoks që mbetën në Çamëri. Vllehët dhe “grekët” e ardhur nga Azia e Vogël u vendosën në shtëpitë e shqiptarëve mysliman duke marrë në përdorim dhe tokat e tyre.

Me vendim të qeverisë greke për ndërrimin e toponimeve jo-greke në Greqi edhe Voshtinës si shumë fshatra të tjerë ju ndërruar emri në Pogoniani më 1928. Nëse vërtet fshati Voshtina do të ishte banuar nga grekët, atëherë qeveria greke nuk do ta ndërronte emrin e fshatit dhe do të sillte në të banorë jo-vendas. (Është një histori e dhimbshme e shqiptarëve nga Çamëria sepse pas përzënies së shqiptarëve mysliman, shqiptarët ortodoks u deklaruan vlleh ose grek për ti shpëtuar dëbimeve dhe masakrave. Si pasojë u shtuan vllehët dhe grekët si në Greqi, por edhe në Shqipëri.)

Pas viteve 1990, shumë fëmijë të minoritetit grek, por edhe fëmijët shqiptar të fshatrave buzë kufirit vazhduan gjimnazin në Pogoniat. Sot në fshat banojnë rreth 80 njerëz./ 11.06.2013/https://voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=INTERVIST%C3%8BPRESS&article=39104&fbclid=IwAR1sryqls-Bf5LRd40JvB6jC36p-o_M2axb5NojuR_sgmPB28Hyl3RejL_o

 

ARBEN LLALLA

blank

NJË TRADITË LICEISTËSH.. Nga Klodi Stralla


Kjo foto është shkrepur në Montpellier (Francë) në tetor 1927. Janë 5 ish liceistë, 4 prej të cilëve posa kishin filluar studimet, Xhevdet Kapshtica (drejtësi), Gjergj Canco (matematikë), Niko Stralla (histori) dhe Niko Glozheni (drejtesi), ndërsa i 5-ti, Ligor Serafim, ishte student i vitit të dytë në biologji.

Ishte krijuar traditë që studentët më të vjetër i prisnin studentet e porsa ardhur që në stacionin e trenit dhe pastaj i ndihmonin në akomodimin e tyre: në mjediset universitare, në gjetjen e ambjenteve të banimit, në restorante, dhe i shetisnin në vendet kryesore të qytetit.

• Xhevdet Kapshtica (1906-1993), student i Liceut, i diplomuar në Francë për drejtësi në 1931. Për shumë vite, në kohën e Mbretërisë, punoi si gjyqtar në disa qytete të vendit. Eksponent i Ballit Kombëtar, dënohet pas lufte dhe kryen 18 vite burg në Burel. Lirohet në 1963. Pati rastin ta shohë permbysjen e sistemit (i pari majtas)

• Ligor Serafim (1904-1996), brezi i parë i Liceut (1925), student në Francë i diplomuar për biologji në 1929, profesor i Liceut dhe pas lufte mesues i biologjise ne gjimnazin Raqi Qirinxhi deri sa doli në pension (i katërti)

• Niko Glozheni (1908-1990), liceist, i diplomuar në Francë për drejtësi. Vitet e fundit të jetës punoi si avokat në Korçë (i pesti).

blank

96 vjet nga lindja e Xhon Athanasit – Brokton, Massachusetts, 4 Nëntor 1925 – Massachusetts 1 Tetor 2018 Nga Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

Χhoni Athanas
Brokton, Massachusetts, 4 Nëntor 1925 – Massachusetts 1 Tetor 2018
Këngëtar Lirik, Pedagog Kanto dhe Artist i Merituar,

Nëse në librin e muzikës shqiptare, artistët e mëdhenj përfshihen në faqe të veçanta, me siguri në një faqe të tillë do të gjejmë personalitetin e shquar të Xhoni Athanasit. Dhe gjithmonë goja, pothuajse vetë, e thotë Xhoni, në njëjës, pavarësisht rrugëtimit të rëndësishëm, kontributit të madh artistik dhe personalitetit të tij me reputacion. Ai është një nga ata artistë të mëdhenj, që populli, e njohu, e desh, e duartrokiti dhe gjithmonë i thërriti me emrin e tij. Madje kështu i tha dhe lamtumirën e fundit. Shumë faktorë kanë çuar në këtë rezultat, si emri i tij i huaj, karakteri gazmor, paraqitja e bukur që kishte si mashkull, finesa amerikane që kishte gjithmonë në stil, por edhe afrimiteti që krijonte me njerëzit e thjeshtë.

Në verë u takova me disa ish-studentët e më pas kolegët e tij në Teatrin e Operës dhe Baletit, të cilët pohuan me shumë nostalgji, që që nga dita e parë që panë siluetën e Xhonit në Akademinë e Arteve të Bukura, spontanisht, zhvilluan marrëdhënie miqësore me të, ndryshe nga ajo që ndodhte me profesoret e tjerë në “artet”.

Për biografinë e tij mund të shkruaj për një muaj të tërë dhe të zbuloj vazhdimisht gjëra të reja, megjithatë do të kufizohem që të mos ju lodh në më të rëndësishmet. Prindërit e tij, emigruan në Amerikë pothuajse menjëherë pas pavarësisë së vendit, atje ku rreth një dekadë më vonë erdhi në jetë Xhon Athanasi. Megjithatë, familja e tij u kthye në Korçë kur ai ishte ende shumë i vogël. Ylli i tij tashmë e kishte nisur rrjedhën e tij në djepin e qytetërimit kur Xhoni filloi të këndonte psalmet bizantine në kishën ku i ati ushtronte profesionin e klerikut (prift ortodoks).

Ai do të debutojë në vitin 1933 me “Këngën e Mullirit”, qysh në moshën 8-vjeçare së bashku me motrën e tij Katerina në një koncert të madh me pjesëmarrje të personaliteteve lokale. Gjithë adoleshencën e tij e kaloi me veprimtari aktive të ngjarjeve artistike të qytetit, duke interpretuar në mënyrë të jashtëzakonshme këngë popullore dhe karakteristike korçare. Artisti i Merituar Piro Sulioti, i cili ishte bashkëmoshatar dhe bashkëkohës i Xhonit, tregonte për disa shfaqje të shkëlqyera tek “Kafeneja e Shetros” dhe tek kafeneja legjendare “Panda” që këngëtari i ri imponoi emrin e tij në rrethet artistike të qytetit, pak kohë para pushtimit italian.

Më 1940 Xhoni fillon mësime profesionale muzikore me profesor Spiro Kondën dhe më pas kalon në korin miks të Shën Ilisë dhe në korin e e Mitropolisë. Në të njëjtën periudhë kohore, ai hyn si solist në korin “Lira” të qytetit të Korçës me propozimin nga dirigjenti Kristo Kono. Gjatë gjithë kësaj kohe ai tashmë është bërë një këngëtar i njohur në për koncerte dhe ballo, ndërsa nuk mungon të dielave dhe nga “Altoparlanti i Radio Korçës” të interpretojë drejtpërdrejt .

Pas luftës, e rëndësishme është përfshirja e tij në aktivitetet artistike si ato të Qendrës së Kulturës së Korçës “Αli Kelmendi” dhe ato të Radio Korçës menjëherë pas Luftës me artiste si Gaqo Jorganxhi, Tole Adhami, Pavlina Nikaj, Anida Take, Piro Sulioti, Mihallaq Zallëmi, Gaqi Konomi.etj. Në vitin 1947, me kërkesën e Gaqo Avrazit, Xhoni bëhet pjestar i korit të Ushtrisë Popullore duke shkruar prologun e artë të asaj që do të pasonte së bashku me artistë që hodhën themelet e arta të muzikës bashkëkohore shqiptare, si Avni Mula, Ibrahim Tukiçi, Mentor Xhemali, Maliq Herrin etj.
Të njohur në të gjithë vendin për shkak të koncerteve të shumta dhe sistematike, në vitin 1949 me vendim të komietit të atëhershëm të kulturës nisen për një Turne në ish BRSS ku arrijnë të vendosin për herë të parë Shqipërinë në arenën muzikore ndërkombëtare dhe jo vetëm. Vendi liliput prezanton traditën e tij muzikore përtej kufijve. Në vitin 1952, shteti shqiptar nisën për studime të larta, studentët e parë në Konservatorin “Çajkovski” të ish BRSS, të cilët më pas do të luanin rolin e themeluesve të muzikës moderne shqiptare. Gjatë viteve që studioi në Moskë, mori mësime prej solistit të parë në Teatrin Balshoi, Sergei Baturin.

Megjithatë, nuk vonoi të vinte edhe vlerësimi i parë ndërkombëtar për Shqipërinë në Festivalin Botëror të zërave të rinj (World Festival of Youth and Students) që organizohej ne vitin 1957 në Moskë, pasi atje Xhoni zuri vendin e dytë nga 110 këngëtarë (dhe ndoshta solli çmimin e parë ndërkombëtar të Shqipërisë në një festival të organizuar për artistë solo). Po atë vit dhe pas kthimit të tij në Tiranë me “gjeneratën e parë të Moskës” emërohen në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë duke bashkëpunuar me korifenjtë. Roli i parë i tij është “Almeriku” nga opera “Jollanta” në vitin 1957. Në skenën e TOB do të interpretojë nga repertori botëror si “Kavaleria Rustikana”, “Eugjen Ognegin”, “Pagliaci”, “Boheme”, “Dasma e Figaros”, “Baterflai”, “Carmen, “Jollanta”, “Princesha e Çardashit” etj si dhe nga repertori shqiptar: “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, “Zgjimi”,”Borana”, “Cuca e maleve”, “Brigada e grave”, “Komisari”, “Pranvera”, “Heroinat”, “Dhëndërri u transferua” etj.
Gjatë viteve që punoi si solist në Teatrin e Operës ai ka dhënë mbi 300 koncerte jashtë vendit duke përfaqësuar Shqipërinë si në BRSS, Rumani, Kore, Kinë, Mongoli, Vietnam, Bullgari, Hungari, etj. Mund të radhisim 1100 koncerte dhe 450 shfaqje operistike (pa numëruar këtu koncertet para studimeve). Por ai që i dha vlerat e artistit kombëtar shqiptar ishte roli i Skënderbeut në operën me të njëjtin emër të kompozitorit Prenk Jakova, e cila u dha me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Opera “Skënderbeu” e ngriti Xhonin në piedestalin e arritjeve të tij artistike.

Përsa i përket muzikës së lehtë konsiderohet si pionier çdo ngjarje muzikore të viteve të hershme socialiste, herë si kompozitor e herë si këngëtar. Ai është dalluar në festivalet e këngës në radio dhe televizion, në koncertet e majit dhe në anketat e Radio Tiranës. Në Dhjetor 1962, Florinda Gjergji & Trio Gjoni Athanas, Avni Mula dhe Ibrahim Tukiçi marrin pjesë në Festivalin e 1-Ë Në Rtsh me këngën “Jeta E Re Ne Na Pret” si dhe me këngën “Shpresë”.

Në vitin 1973, pa u shkëputur asnjëherë nga aktiviteti i tij si këngëtar në Teatrin e Operës dhe Baletit, Xhoni filloi njëkohësisht punën si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në degën e kantos. Nga duart e tij kaluan disa nga këngëtarët e mëdhenj lirikë, të cilët bënë karrierë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Në vitin 1991 e më pas provon edhe regjinë, pasi ka vënë në skenën e Teatrit të Operes disa fragmente nga veprat operistike “Norma”, “Rigoleto”, “Toska”, “Madama Batërflaj”, “Karmen”, të cilat u pritën shumë ngrohtë

Mbas vitit 1994 Xhoni bashkë me familjen e tij u rikthye në Amerikë, në vendin ku kishte lindur, në Boston ku vazhdoi veprimtarinë e tij aktive artistike dhe ku merrej intensivisht me komunitetin e shqiptarëve të Amerikës. Shumë e rëndësishmr dhe jo veçanërisht e njohur është Veprimtaria e tij për Kosovën dhe mbështetja e saj financiare përmes koncerteve speciale nga viti 1999 deri në vitin 2008. Ai vazhdoi të jepte mësime vokale dhe të organizonte kore të rëndësishme në SHBA duke nxitur interesin e mediave, por edh
e duke arritur vlerësime të rëndësishme.

Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

 

blankblank blank blank blank blank blank blank

 

 

blank

Fjalimi i Anton Çettës për Pajtimin e Gjaqeve (VIDEO)

Më 2 shkurt 1990 me Anton Çettën në ballë në Kosovë nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, efektet e të cilit ndihen edhe sot.

Viti 1990 njihet si viti i bashkimit dhe i pajtimit të popullit shqiptar.

Ndërsa sot ju sjellim fjalimin që Anton Çetta e mbajti për faljen e gjaqeve.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend