VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ekuacioni i shkruar me dorë E=mc² nga Albert Einstein u shit për 1,2 milion dollarë

By | May 23, 2021
blank

Komentet

blank

Studim: Shkrirja e akullnajave zvogëlon diversitetin gjenetik të arinjve polarë

Një studim i kryer në Norvegji zbuloi se shkrirja e akullnajave për shkak të ngrohjes globale zvogëlon diversitetin gjenetik të arinjve polarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Studiuesit nga Instituti për Kërkime Bioekonomike në Svanvik të Norvegjisë, kanë studiuar ndikimin e ndryshimit të klimës tek arinjtë polarë.

Studimi, i kryer nga Snor Hagen dhe Simo Maduna, ekzaminoi mostrat e ADN-së të marra nga 622 arinj polarë në arkipelagun Svalbard pranë Polit të Veriut.

Analiza, e bazuar në kritere të ndryshme, zbuloi se diversiteti gjenetik është ulur me 3 deri në 10 për qind midis viteve 1995 dhe 2016.

Duke deklaruar se shkrirja e akullnajave ka bërë që specie të ndryshme të arinjve polarë të ndaheshin nga njëri-tjetri, studiuesit thanë se për shkak të situatës së re, është rritur çiftëzimi brenda species.

Studiuesit thonë se për sa kohë që ndikimi katastrofik i ndryshimit të klimës në akullnaja zgjat, arinjtë polarë do të jenë në rrezik të humbasin diversitetin e tyre gjenetik.

Studimi u botua në revistën “Royal Society”.

blank

Doni të jetoni 1 vit në Mars? NASA kërkon katër vullnetarë

NASA po kërkon vullnetarë për të praktikuar jetën në Mars. Katër persona do të kalojnë një vit duke jetuar në modulin 3D.

Në këtë mënyrë stimulohen kushtet e jetesës në Mars dhe përgatiten vullnetarët.  Objekti i improvizuar ndodhet në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA -s në Houston, Texas dhe është më i vogël se një fushë tenisi.

Ekuipazhi do të përballen me rrethana që ndodhin në Mars. Këtu përfshihen  vonesat e komunikimit të burimeve limite dhe dështimet e pajisjeve. Ata gjithashtu do të kryejnë shëtitje të simuluara në hapësirë dhe do të kryejnë kërkime shkencore.

NASA thotë se ky do të jetë një mision “fizikisht dhe mendërisht i kërkuar”. Dhe kërkesat e tij të aplikimit janë njësoj kërkuese.

Për të marrë pjesë, duhet të jeni 30-55 vjeç, me diplomë Master në një lëndë STEM. Aplikantët gjithashtu, duhet të kenë regjistruar një përvojë “2 vjeçare” profesionale në zonën e tyre ose  1.000 orë si pilot i avioni.

NASA thotë se hulumtimi i saj do të ndihmojë në përgatitjen e rrugës për misionin njerëzor në Mars. Ky mision mund të nisë diku në vitin 2030.

blank

A mbaron diku hapësira kozmike, apo shtrihet në pafundësi?

Mbi kokat tuaja ndodhet qielli, ose siç e quajnë shkencëtarët atmosfera. Ajo shtrihet rreth 32 kilometra) mbi Tokë. Ajo është një përzierje molekulash, me pjesë të vogla të ajrit aq të vogla saqë miliarda prej tyre i thithim sa herë që marrim frymë.

Mbi atmosferë është hapësira. Ajo quhet kështu sepse ka shumë më pak molekula, dhe me shumë hapësira ​​boshe midis tyre. A keni menduar ndonjëherë se si do të ishte të udhëtonit në hapësirën e jashtme, dhe pastaj të vazhdonit më tej? Çfarë do të gjenit vallë? Shkencëtarët si unë janë në gjendje të shpjegojnë shumë nga ato që do të shihnit. Por ka disa gjëra që nuk i dimë ende, si për shembull nëse hapësira shtrihet në pafundësi.

Planetët, yjet dhe galaktikat

Në fillim të udhëtimit tuaj në hapësirë, ju mund të njihni disa nga imazhet. Toka është pjesë e një grupi planetësh që lëvizin në orbitë përreth Diellit – me disa asteroide dhe kometa midis.Ju mund ta dini që Dielli është në fakt vetëm një yll mesatar. Ai duket më i madh dhe më i ndritshëm se sa yjet e tjerë vetëm sepse është më afër Tokës.

Por për të arritur në yllin tjetër më të afërt, do t’ju duhet të udhëtoni 1.6 miliardë km nëpër hapësirë. Edhe nëse do të mund të udhëtonit me sondën më të shpejtë hapësinore që ka prodhuar deri më tani NASA, do t’ju duheshin ende mijëra vjet për të arritur atje.

Nëse yjet janë si shtëpitë, atëherë galaktikat janë si qytete plot shtëpi. Shkencëtarët vlerësojnë se ekzistojnë 100 miliardë yje vetëm në galaktikën ku bën pjesë Toka. Nëse do të mundeshit t’i zmadhonit, përtej galaktikës së Tokës, ato 100 miliardë yje do të përziheshin së bashku, dhe do të ngjanin me dritat e ndërtesave të një qyteti të para nga një avion.

Kohët e fundit astronomët kanë mësuar se shumica e yjeve kanë planetët e tyre që orbitojnë rreth tyre. Madje disa janë si Toka, ndaj është e mundur që ata mund të jenë shtëpia e qenieve të tjera të gjalla. Por do t’ju duhej të udhëtonit nëpër 9.6 trilionë km hapësirë ​​vetëm për të arritur tek një galaktikë tjetër.

Pjesa më e madhe e asaj hapësire është pothuajse plotësisht e zbrazët, me vetëm disa molekula dhe grimca të vogla të padukshme misterioze, që shkencëtarët i quajnë “lënda e errët”. Duke përdorur teleskopë të mëdhenj, astronomët shohin miliona galaktika në çdo drejtim. Nëse do të mund t`i shihnit për një kohë shumë të gjatë, për miliona vjet, do të dukej sikur po shtohej gradualisht një hapësira e re midis të gjitha galaktikave.

A ka një fund hapësira?

Nëse do të mund të dilnit jashtë hapësirës së njohur dhe sa do të dëshironit, a do të vazhdonit të udhëtonit përgjithmonë nëpër galaktika? A ka një numër të pafundmë galaktikash në çdo drejtim? Apo Universi e ka një fund? Dhe nëse po, me çfarë përfundon?

Këto janë pyetje për të cilat shkencëtarët nuk kanë ende përgjigje të prera. Shumë prej tyre mendojnë se ka të ngjarë që ju vetëm të vazhdoni të ndeshni galaktika në çdo drejtim dhe përgjithmonë. Në këtë rast, Universi do të ishte i pafundmë.

Disa shkencëtarë mendojnë se është e mundur që Universi në fund të mbështillet në vetvete, ndaj një ditë do të riktheheshit atje ku do ta kishit filluar udhëtimin por nga drejtimi tjetër. Shkencëtarët e konsiderojnë kryesisht të pamundur që Universi të ketë një fund, pra një rajon ku galaktikat ndalen ose ku do të kishte një pengesë të një lloji të caktuar që do të shënonte fundin e hapësirës. Por askush nuk e di me siguri.

Shënim: Nga Jack Singal, profesor i asociuar i fizikës, Universiteti Riçmond, SHBA. / “The Conversation” – Bota.al

blank

Einstein e shkroi kur ishte profesor në Universitetin Politeknik të Zyrihut – Në ankand pjesë nga dorëshkrimi i ‘Relativitetit’

VOAL – Një dorëshkrim i autografuar me 54 faqe i shkruar nga fizikanti Albert Einstein dhe inxhinieri Michele Besso midis qershorit 1913 dhe fillimit të vitit 1914 do të dalë në ankand në Christie’s në Paris më 23 nëntor.

Dokumenti i dy shkencëtarëve zviceranë, njëri me origjinë gjermane, tjetri italian, dëshmon për një fazë vendimtare në zhvillimin e teorisë së relativitetit të përgjithshëm, e cila ka reformuar kuptimin modern të funksionimit të universit. Si i tillë, është padyshim dorëshkrimi i Ajnshtajnit (Çmimi Nobel në Fizikë 1921), më i vlefshmi i ofruar ndonjëherë në një shitje publike, i vlerësuar në 2-3,000,000 €.

Autografet e Ajnshtajnit para vitit 1919 janë jashtëzakonisht të rralla në treg. Si një nga dy dorëshkrimet e mbijetuara që dokumentojnë gjenezën e teorisë së përgjithshme (së bashku me të ashtuquajturin fletore të Zyrihut nga fundi i vitit 1912/fillimi i vitit 1913 – tani në Arkivin e Ajnshtajnit në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit), autografi që do të dalë në ankand jep një pasqyrë të jashtëzakonshme në punën e Ajnshtajnit. SDA-eb

blank

NASA publikon pamjet panoramike të Marsit

Pamjet zbuluan strukturën malore dhe të ashpër të planetit të kuq, i cili është rreth 392 milionë kilometra nga Toka

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, publikoi pamjet panoramike të Marsit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit në gazetën “The Hill”, pamjet e siguruara javën e kaluar nga mjeti kozmik i NASA-s “Curiosity” janë regjistruar në muajin korrik.

Pamjet zbuluan strukturën malore dhe të ashpër të planetit të kuq, i cili është rreth 392 milionë kilometra nga Toka.

blank

Fotot mahnitëse të një luani 28 000-vjeçar të ruajtur në mënyrë perfekte pasi u gjet nën akull

Shkencëtarët kanë zbuluar për herë të parë një luan të Siberisë të Epokës së Akullit të ngrirë në baltën e Arktikut për 28,000 vjet.

Këlyshi i luanit, i quajtur Sparta, ende ka të gjitha qimet nw trupin e tij të paprekur dhe duket sikur ka bërë vetëm një gjumë të gjatë për gati 30 mijë vjet.

 

Gazetari Marc Bennetts tha se dhëmbët e saj të qumështit, organet, skeleti dhe madje edhe mustaqet janë në formë perfekte.

blank

Ai shkroi në The Sunday Times: “Laboratori i vogël njëkatëshe është plot me kocka të lashta dhe ekzemplarë të tjerë të Epokës së Akullit nga ngrica e përhershme e Yakutia. Një dhomë frigoriferike përmban një mamuth dhe një rhino prehistorike midis mrekullive të tjera. Boris dhe Sparta pasi u gjendwn u emëruan të dy sipas vendasve ku u zbuluan.

Mendohet se Boris, një këlysh mashkull, jetoi rreth 43,448 vjet më parë, sipas një studimi të botuar në revistën Quaternary.

Dy këlyshët e moshës një deri në dy muaj u gjetën nga mbledhësit e tuskave mamuth. Dy këlyshë të tjerë luanë të quajtur Uyan dhe Dina janë gjetur gjithashtu në rajon vitet e fundit.

Gërmimi për dhëmbët e rinocerontëve dhe tigrave me dhëmbë saber është më i lehtë se kurrë për shkak të ndryshimit të klimës, i cili ka shkrirë akullin në akullnajat e paprekura më parë.

Bennetts raportoi se raporti mjekësor i Spartës nga shkencëtarët vendas doli i pastër. /tvklan.al

blank

blank

Japoni, fillon të shërbejë kompjuteri i parë kuantik për qëllime komerciale

Tokio

Në bashkëpunim mes Universitetit të Tokios dhe IBM Corp. ka filluar të shërbejë kompjuteri i parë kuantik i Japonisë për qëllime komerciale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë Kyodo, në fushën e kompjuterëve kuantik ku shfaqet rivaliteti mes SHBA-së dhe Kinës ka hyrë edhe Japonia.

Kompjuteri i parë kuantik i Japonisë për qëllime komerciale filloi të shërbejë në prefekturën Kanagawa në bashkëpunim mes Universitetit të Tokios dhe IBM Corp.

Në kompjuterin prodhim i IBM-së, lejohen të hyjnë dhe të hulumtojnë kompanitë që kanë anëtarësi në konsorciumin e përqendruar në industri-akademi i themeluar në vitin 2020.

Në konsorcium gjenden Toyota, Sony, Mitsubishi Chemical, Universiteti Keio, Hitachi, Mitsubishi UFJ dhe Yokogawa Electric.

Kompjuterët kuantikë përdorin “kuantë” që kanë cilësi të valës dhe të grimcave, të tilla si grimcat e dritës dhe ndryshe nga kompjuterët tradicionalë, mund të llogaritin kombinime të shumta në të njëjtën kohë.

Kompjuterët kuantikë, të cilët kanë aftësinë për të zgjidhur probleme komplekse shumë më shpejtë se superkompjuterët, synohen të përdoren në fushat e zhvillimit të barnave dhe materialeve të reja, krijimit të modeleve financiare, optimizimit të logjistikës dhe kriptografisë së monedhës dixhitale.

blank

Kompanitë japoneze dhe izraelite do të prodhojnë oksigjen nga sipërfaqja e Hënës

Tokio

Kompanitë japoneze dhe izraelite do të bashkëpunojnë në një projekt eksperimental që synon prodhimin e oksigjenit në Hënë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vende të ndryshme vazhdojnë kërkimin e tyre për teknologji të mundshme për realizimin e misioneve afatgjata në Hënë.

Sipas agjencisë Kyodo, Ispace nga Japonia dhe Helios nga Izraeli do të bashkëpunojnë në projektin që synon të prodhojë oksigjen në Hënë.

Sipas kësaj, kompanitë do të përpiqen të prodhojnë oksigjen duke shkrirë tokën e marrë nga sipërfaqja e Hënës në temperaturë të lartë dhe duke e elektrolizuar atë.

Duke folur për projektin, Shefi Ekzekutiv i Ispace (CEO) Takeshi Hakamada tha se “Projekti do të inkurajojë më shumë lojtarë për të hyrë në këtë treg”.

Drejtori i Përgjithshëm i Helios, Jonathan Geifman tha se prodhimi i oksigjenit nga sipërfaqja e Hënës është jetike për aktivitetet e ardhshme hënore.

Brenda fushës së projektit, kompania izraelite synon të marrë 250 kilogramë oksigjen nga 1 ton tokë hënore.

Ndërsa Ispace do të furnizojë pajisje teknike në dy periudha të ndryshme në periudhën 2023-2025.

blank

ETNI, KOMBËSI, PAKICË E GJUHË – Nga Agim Xh. Dëshnica

 

Një ditë vjeshte, i mbetur vetëm në shtëpi, vazhdova leximin e librave të disa profesorëve të zbardhur, botuar lirshëm larg syve të kritikës shkencore. Aty shtroheshin çështje të larmishme për politikën, për figura historike, për identitetin, etninë, toponimet, kombësinë, pakicat kombëtare, gjuhësinë, besimet fetare, ndërrimin e tyre, etj. Po aty shiheshin të rreshtuara letra miqësore të ngarkuara me lëvdata, edhe për mendime të gabuara! Disa nga autorët thirreshin filozofë, psikoanalistë të hollë, a të talentuar për poezi, tregime e mjeshtër si romancierë, paçka se veprat e idetë i kishin të grabitura nga arkivat e gjyshërve me origjinë shqiptare të dyshimtë. Mandej, ata vlerësonin edhe libra publicistikë, me një shqipe që duhet përkthyer me ndihmën e fjalorëve shumëgjuhësh. Në mes tyre shquheshin edhe bijë ish-ministrash, të cilët gjatë diktaturës komuniste jetuan të lumtur dhe pa e vrarë mendjen për fatin e të tjerëve. Të veshur sipas modës, e kalonin kohën atëherë me lexime romanesh të zgjedhur, duke i treguar njëri – tjetrit barsoleta gjithë humor, e duke gogësirë me meze e gota birre në restorant Vollga. Por, më pas, disa syresh ranë papritur pré e diktaturës, për shkak të baballarëve të dënuar sipas stilit enverist dhe vuajtën bashkë me shumë të tjerë. Nga ato kujtime, këta bijë të shkolluar shohin shpesh edhe sot ëndrra me diktatorë, ndaj zgjohen si në kllapi dhe nisin të mendojnë ndryshe, duke u shitur trima, mendjehollë e duke mbajtur qëndrim kundërshtues ndaj përparimit të sotëm në Shqipëri, se janë të sigurt që s’u hyn gjemb në këmbë. Po edhe se kritikët e kanë thyer majën e penës. Nëse iksi a ypsiloni, është mik i tyre, nuk ka se si gabon!

Profesorët dhe librat e tyre shkencorë

 

Teksa lexoja ato libra profesorësh, madje edhe politikanësh të dështuar, që mëtojnë të jenë edhe shkrimtarë, më erdhi ndër mend i madhi Vaso Pashë Shkodrani, me vargjet e pavdekshme:

“Ca thon’ kam fé, ca thon’ kam din;

 njeni asht turk, tjetri latin.

 Do quhen grek’, e shqeh disa tjerë,

 por jeni t’gjith’ vllazën, more t’mjerë…”

Mesa shihet, këta libra më së shumti botohen me ndihmën bujare të miqve të autorëve brenda e larg Shqipërisë, apo, siç quhen sot, me mbështetjen financiare të sponsorëve të ndryshëm, emërtim ky i marrë nga anglishtja, siç janë edhe fjalët: bekgraund, lidership, performancë, staf, impact, shou, etj.

Pasi mbarova së lexuari ato pjesë të çuditshme të sajuara me kujtesë të mjegulltë, u ngrita i hutuar dhe mbështeta ballin në xhamat e ftohtë të dritares. Jashtë nga retë gri qielli qe zhytur në muzg. Dëgjohej shushurima çlodhëse e shiut mbi degë e fletë dhe krisma e pikave të tij në qelq e mbi mendimim tim të lodhur. Mbërrinte edhe zhaurima e mbytur e dallgëve të oqeanit në breg, si një ankim që vinte nga larg. Ndërkaq, si për mrekulli, ndihej një melodi paksa e trishtë e një muzikanti të panjohur për natyrën në kohë shiu, me jehonën, që mandej shuhej në qiell.

Po cilat janë çështjet, që shtrojnë në librat e tyre profesorët tanë të shqetësuar?

Së pari, çështje politike të lidhura me interesa të caktuara e qëndrime të rrepta ndaj qeveritarëve demokratë, apo siç quhen prej tyre “sundimtarë”, edhe pse hapin shtigjet drejt Europës me anën e përparimit të vendit. Pra, Pashai nga Shkodra s’e dinte se do të vinin kohë më të vështira, kur këta të ditur, të cilët në Shqipëri, pasi hëngrën bukën, përmbysën kupën dhe ngecën në udhëkryqe, ose morën arratinë me bagazhe të rënda dhe fluturuan me avion përtej horizontit. Nga leximi i librave publicistikë pa të dhëna burimore, kuptohet menjëherë se ata nuk janë shkruar pas shqyrtimit të dokumenteve të botuara nga institucionet e sotme kombëtare dhe ndërkombëtare, por nga kujtime çastesh, ose muhabetesh të zjarrta kafenesh, mbështetur nëpër hamendje dhe gazeta të njëanshme. Kësisoj, të gjithë kanë të drejtë! Të gjithë thonë të vërtetën! Por, kur e vërteta përballet me faktet, ata, sipas një filozofi, bien ndesh me fjalën e shenjtë: “Mos e përziheni të vërtetën me të pavërtetën! Mos e fshihni të vërtetën në vetëdije!”

Së dyti, ka edhe kritikë letrarë apo letrarë, që shkruajnë shqip dhe humbasin kohën e të tjerëve me lavde e stërhollime për poetë a shkrimtarë të tillë dhe për librat e tyre të një shkence të harruar, që s’i lexon askush. Nga mënyra se si shprehen, vetëkuptohet se ata gjuajnë përfitime të ndërsjellta. Disa nga kritikët e artit lëvdojnë vepra piktorësh, të cilët në kohët e frikshme të diktaturës bojatisnin me yje të kuq jetën tonë të zymtë, kurse sot në ditët e lirisë, me stil impresionist, krijojnë në studio nudo e fytyra të ngërdheshura të ngjarjeve, që priteshin të vinin, siç qe eksodi apo rrëzimi i shtatores së diktatorit. Pra, e paraqisin shpërthimin rinor për liri e demokraci si tragjedi mbarëkombëtare. Ky lloj arti, si vazhdim i realizmit socialist në kushte të tjera, s’është veçse shprehje e qartë e mjerimit dhe shëmti e shpirtit dhe e mendjes së tyre të kalbur.

Së treti, profesorët, nga njëra anë botojnë në gazeta shqiptare, “studime” për figurat historike, duke mohuar gjithçka të tyren; nga ana tjetër, disa merren me trajtime çmitizuese më të skajshme se vetë autorët e librave, si Shmidi, Pukëvili etj., edhe këta të pabesueshëm, rreth heronjve të kombit shqiptar, si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, apo Ali Pashë Tepelena. Për lavdinë e të parit, siç dihet, janë botuar qindra libra e vepra arti nga autorë vendas e të huaj. Për të dytin, një prej kryengritësve udhëheqës e më trima kundër sundimit otoman, janë ngritur shumë e shumë këngë. Ai është heroi kryesor në vepra shkrimtarësh shqiptarë dhe përmendet në sa e sa enciklopedi. Kurse Bajroni për të shkruan: “Shumë trim dhe aq gjeneral i mirë është, sa e quajnë Bonaparti muhamedan!” Megjithatë, dalin disa profesorë të plakur, librat e të cilëve shtrohen për shitje edhe në mot me shi nëpër trotuare, që kënaqin qarqe të caktuara. Sipas tyre, Lufta Italo-Greke më 1940, nuk paska qenë vepër agresive e Musolinit, por e shqiptarëve, edhe pse atdheu i tyre asokohe qe i pushtuar nga trupat ushtarake fashiste. Pra, këta akademikë, dikur të mirëpritur në oborrin e diktatorit, miratojnë “shkencërisht” edhe në mbarim të vitit 2011 se Shjqipëria e jo Italia qenka në gjendje lufte me Greqinë! I shohim po këto pena, tek shkojnë edhe më larg, me përkufizime që hedhin mjegull e tym mbi poetët tanë kombëtarë, si Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Faik Konica, që e shkriu jetën për një Shqipëri të përparuar, dhe mjeshtri i rrallë i tregimit shqiptar Ernest Koliqi.

Së katërti, këta profesorë, dikur materialistë apo ateistë, tani e kanë ndryshuar kahun e hulumtimeve të tyre. Në kohë të reja kujtohen befas se nga emri i përkasin fesë krishtere – ortodokse. E, për çudi, megjithëse nuk janë priftërinj, ndryshe nga Atë Gjergj Fishta, kërkojnë me ngulm, me anë romanesh të shpifura, ndryshimin e fesë së shqiptarëve nga myslimane në katolike! Sipas tyre, kjo na qenka e vetmja rrugë drejt Europës së Bashkuar! Po Europa, që, krahas kishave katolike, ka ngritur vetë xhami në shumë qytete, si e gjykon këtë punë të mbrapsht të këtyre njerëzve të mençur, që synojnë të na kthejnë pas, në vitin e mallkuar kulturor 1967, kur u shembën në Shqipëri kultet fetare? Nga ana tjetër, profesorët, pa lexuar Kuranin, shkruajnë për Biblën, e cila nuk e kundërshton atë. Shumëkush e di se që të dy këta libra të shenjtë janë fjala e Zotit.

Dikush, me të drejtë kërkon rikthimin e toponimeve të fshatrave tona nga sllavishtja në shqip, ndërsa profesorët e gjuhësisë nga kohë që s’mbahen mend, luajnë sylla-mbyllas me toponime a gjysmëtoponime sllave me anën e prapashtesave, si pole, poj, poje, uç, kuç, nica, ica, iç, ov, etj. Një askush në faqe të tëra shkruan për fillimet e një fshati me kisha bizantine, që s’arriti të bëhej qytet, dhe harron përshkrimin e qyteteve tona të lashta me aq e aq monumente kulture! Si përfundim, ata shprehen se toponomia shërbeka për të kaluarën e vendit tonë! Është ky një arsyetim pa bukë, i vlefshëm vetëm për sllavët dhe grekët. Një tjetër, duke u orvatur të mbajë të gjallë mbi piedestal diktatorin stalinist, peshkon nëpër ujëra të turbullta, shkruan si dikur për Luftën Nacional – Çlirimtare dhe jo për Luftën Civile, që shpërtheu pas pabesisë së Mukjes.

Profesorë në mërgimin e largët

 

Meqenëse disa prej këtyre profesorëve tanë jetojnë, ta zëmë në Boston, i përafërt nga numri i popullatës me Shqipërinë, shihen nëpër kafenera me kalimtarë, të cilët në SHBA quhen amerikanë, edhe pse janë me prejardhje nga Gjermania, Irlanda dhe Anglia, nga Italia, Greqia, nga Egjypti, Maroku, Gana, nga India, Kina, Japonia etj. Dhe, pasi e kanë lënë vendlindjen përtej oqeanit, kujtohen dhe e vrasin mendjen më nge për të. Zënë vend në kafene rreth tryezës së rrumbullakët dhe rrahin mendime të thella prej dijetarësh. Më pas, kur kthehen në shtëpi, si hanë drekën e shijshme, ulen para kompjuterit dhe hartojnë shkrime për botim në gazetat shqip të Nju Jorkut, ose të Tiranës! Frymëzimin, apo shtysën, siç duket, e marrin nga Bostoni multietnik dhe nga përfundimet e bisedave me turlilloj njerëzish, që s’kanë haber nga Shqipëria. Ndaj e kanë të lehtë të rreshtojnë gjithëfarë gjërash për Shqipërinë, për fiset, kombësitë, pakicat kombëtare, etnitë etj. Dhe japin këshilla me vlerë për trajtimin e problemeve të gjuhës, kulturës, dhe se si të jepen për këto emisione të posaçme në TVSH, etj. Sipas tyre, popullata e Shqipërisë përbëhet nga shqiptarë, grekë, egjiptianë, romë, apo ciganë, arumunë, ose vllehë, boshnjakë, malazesë, maqedonas, pse jo edhe nga armenë, turq, kinezë, italianë, gjermanë, hebrej, etj., etj.! Pra, në një të ardhme atyre lipset t’u caktohet edhe trualli përkatës, me një qendër të veçantë, tek të perfshihen të gjitha institucionet zyrtare, politike, ekonomike, kulturore dhe fetare, deri sa shteti shqiptar të thuret si kosh, nga disa shtete me qendër Tiranën dhe, së fundi, me votim në Kuvend të vendoset ndryshimi i emrit nga Republika e Shqipërisë në “Shtetet e Bashkuara të Pellasgjisë së re”! “Më vonë, shohim e bëjmë!”

Gjuha dhe çështja e Himarës

 

Profesorëve të lodhur me këto studime e këshilla, ua prish gjumin çështja e gjuhës dhe e shkrimit, sepse gjuhëtarët nuk po merren vesh për shqipen e shkruar, palé pastaj për gjuhët e tjera! Kundërshtimet midis tyre janë të rrepta. Për të folmet, si zakonisht, krahinat e ndryshme vendosin vetë, si në Jug e Veri. Pra, si duhet folur, apo shkruar, shqipja? A duhet përmirësuar standardi i vjetëruar i Kongresit të Drejtshkrimit-1972, me bazë toskërishten, të cilën një hulumtues shqiptar e quan “gjuhë në bunker”? Ndoshta duhen miratuar propozimet e reja në disa konferenca për ndreqjen e pasurimin e saj nga burimet prej njerëzve të thjeshtë, sidomos nga trevat e veriut, sepse gjuha shqipe në gazeta, në televizione e radio, është krejtësisht e pakuptueshme, për shkak jo vetëm të fjalëve, por edhe të ndërtimeve gjuhësore të huaja. Kur mblidhen në mitingje ithtarët e të majtëve, brohorasin e s’u kuptohet asnjë fjalë! Pak a shumë, kjo ndodh edhe me të djathtët. Nuk po e zgjasim me të folmet në nëndialekte, që ndryshojnë në çdo 15 kilometër, sepse çështja do të ndërlikohej.

Një dukuri të veçantë në botën shqiptare e përbëjnë edhe gjuhët e himariotëve. Njëri thotë se ata janë shqiptarë, që flasin edhe greqisht e italisht! Tjetri thotë – jo! Janë grekë, edhe pse gjuhën shqipe e flasin bukur, kurse greqishten: “partu to gomari, lidhur stu huri!” Megjithëse disa himariotë të ditur, të cilët marrin shpërblime nga vendi fqinj jugor, në libra voluminoze na thonë se janë vërtet shqiptarë të kulluar, paskan qenë të njohur në histori për autonomi qysh prej kohëve otomane! Madje, edhe për zënka të zhurmshme me qeveritë shqiptare!

Pas gjithë këtyre që thuhen, si do të vihen në jetë këshillat e studiuesve në dobi të etnive të shumta për gjuhën, kulturën, flamurin, shkollat, radiot dhe institucionet e tyre studimore!? Në këtë rast hulumtuesit ndoshta mendojnë se për të folurën e egjiptianëve u dashka të ringjallet gjuha e Keopsit! Kurse për arumunët me gjuhën pothuaj të zhdukur rumëneshti, më parë duhet të gjendet atdheu i tyre i vërtetë, sepse profesorët nëpër studime, na thonë se janë katër të tillë: Greqia, Italia, Shqipëria dhe Maqedonia. Rumaninë e përjashtojnë si dako-romake. Ndërsa Moldavinë, të përzierë pak si shumë me ukrainasit rusë e bullgarë, e lënë mënjanë! Për gjuhën e romëve, apo ciganëve, duhet të merret gjuha e indianëve! Për kombësitë, apo etnitë e tjera, u dashkan ftuar profesorë nga lindja e përëndimi! Për çështjen e himariotëve duhen hapur kanunet osmane, qysh nga motet e lashta të Perandorisë, pastaj të pyetet edhe Brukseli! Apo, edhe për më saktë, duhet shtruar kjo çështje në gjyqin e Hagës! Pra, sërish na del përpara, jo një lëmsh i zakonshëm, por një nyjë e ndërlikuar gordiane, që as shpata e Aleksandrit nuk e pret dot. Historia tregon se shkaku i kësaj gjendje lirie të skajshme janë mikpritja e bujaria e shqiptarëve ndaj ardhacakëve në trojet e tyre. Në këto çaste jehon thënia e urtë e Faik Konicës: “Ati yn’ që je n’qiell, epna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur, kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin ta thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymzona me një ndienj’ të mpreht’ të drejtsis’, që të flasim jo vetëm me pa’ansi, por dhe të sillemi ashtu!”

Dritë nga dokumenti amerikan

 

Për këtë çështje shqiptare na vjen në ndihmë edhe një libër shkencor amerikan me titull “The Volume Library”, botuar më 1984 në Nashvile Tennesse, ku shkruhet: “Shqipëria, sipas vitit 1980, është me 2.734.000 banorë. Kryeqytet – Tirana; më 1978 me 169.300 banorë. Gjuha: shqipe. Pothuaj e gjithë popullsia e Shqipërisë është shqiptare, me përjashtim të një pakice greke në jug të vendit, gjatë kufirit shqitaro-grek. Rreth 1 milion shqiptarë jetojnë brenda kufirit jugosllav dhe rreth 200.000 të tjerë brenda kufirit grek. Shtimi i popullatës në Shqipëri është më i madh se në çdo vend tjetër të Europës. Ndërmjet vitit 1975 dhe vitit 1980 ajo është shtuar 2.4 përqind. Shumica e shqiptarëve i takon fesë myslimane. Rreth 20 përqind e popullsisë është krishtere – orthodokse dhe 10 përqind katolike.” Pra, bëhet fjalë për të dhëna statistikore para 37 viteve. Shtrohet pyetja: Çfarë ka ndodhur pas një kohe kaq të gjatë, kur i shohim doktorë-profesorët të shqetësuar për fatin e etnive të paqena? Mos vallë ato janë zhdukur, ose kanë marrë malet dhe janë hedhur përtej kufirit tok me profesorët? Apo me gomone, tragete e avionë kanë kapërcyer dete e oqeane, deri në Onolulu, Alaskë e Australi dhe i kanë ringjallur andej gjuhët e tyre?

Ja, çfarë mendimesh të lodhshme, më trazuan atë ditë me shi profesorët tanë me librat e tyre, kur veç melodia e madhërishme e muzikantit të panjohur për natyrën e bukur stolisur me ngjyra vjeshte gjithfarësh, më jepte si dhuratë kënaqësi.

blank

Orakulli i Apolonisë në Optikën e  Herodotit dhe Frakulla Sot – Esé nga ARISTOTEL MICI

 

Pikërisht të birin e Evensit nga Apolonia, Deifonin, kishin marrë me vete Korinthasit si parashikues për flotën helene.                                 Herodoti

 

       Aty, në Apoloni, del asfalt, një si dhe pis i zi, si currila, që shpërthejnë nga toka….dhe jo larg këtij vendi është një zjarr, që  qendron i ndezur vazhdimisht.                                                                                     Aristoteli

 

Apolonia  – Magna urbs at gravis (Qyteti i  madh dhe hijerëndë)

Ciceroni

 

Në qytetin e Apolonisë është një vend i qujtur Nympheum, ku gjendet një shkëmb që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asphalt.                  Straboni.

 

Ajo që më çuditi më shumë në Apoloni është zjarri i madh që del pranë lumit Vjosa dhe që nuk përhapet në tokën rreth e rrotull .Kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë ky vend quhet Nymfe, madje këtu ka pasur dikur edhe një Orakull.

Dio  Kassius

 

 

Duke u mbështetur në veprën e Herodotit[1], na bëhet e qartë dhe e kuptueshme se Orakulli i Apolonisë, për nga rëndësia vjen me një herë pas Orakullit të Dodonës dhe atij të Delfit. Kjo ide përftohet sidomos nga leximi i librit të Nëntë të veprës së Herodotit. Ngjarja, që na tregon autori lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, i cili, si Orakull i njohur, me siguri do t’i ketë pas dhënë dhe më shumë emër qytetit të lashtë. Subjekti i rrëfimit ka në qendër bariun Evenius, si edhe të birin e tij. Nga ky episod mund të zbresim pastaj me hamendje edhe në fshatin Frakull sot, si pjesë e hinterlandit të Apolonisë, që shtrihet pas kodrave të Pojanit dhe të Levanit.

Ishte koha kur ushtria persiane kishte pësuar disfatë me ushtrinë helene në Platea dhe po bëheshin përgatitje për shpeditë detare në Jon. Ushtria helene komandohej nga Leutikidi, kurse persianët nga komandanti i tyre, Mardoni. Me këtë rast helenët bënë flijime nën drejimin e parashkuesit Deifon, të birit të Eveniusit nga Apolonia. Veprim ky që nënkupton një dimension shenjtërie, që rriste famën e qytetit të atëhershëm. Këtë ide Herodoti na e tregon përmes ndodhisë së Eveniusit, ku gati si në një mith, na rrëfen se si i kishte ardhur Eveniusit dhuntia hyjnore e profecisë nga dëshira e perëndive.

Babait të këtij Dejfonit, Eveniusit, siç shkruan Herodoti, i ndodhi një ngjarje, të cilën po e tregoj: Në Apoloni ka një grigje delesh që i është përkushtuar Diellit. Ditën ajo, grigja, kullot përgjatë lumit,[2] që rrjedh nga mali Lakmon, dhe shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut. Natën grigjën e ruajnë burra të zgjedhur nga familjet më të pasura dhe më fisnike. Zgjidhnin nga një roje për çdo vit. Rëndësia e kësaj grigje delesh për njerëzit e Apolonisë i detyrohet profecisë së një orakulli.

.  Delet e asaj grigje e kalonin natën në një guvë që është disi larg qytetit. Këtu ky Eveniusi ishte zgjedhur të ruante delet. Po një herë atë e kaploi gjumi, tek po i ruante ato;  ndërkaq  erdhën ujqërit, që hynë në guvë dhe i shqyen rreth gjastëdhjetë dele. Kur u zgjua Eveniusi, ai pa se ç’kish ndodhur, por heshti dhe nuk i tha kurrkujt për këtë, sepse mendonte t’i zëvendësonte me dele të tjera që do t’i blinte.. Mirëpo s’ia doli dot ta fshihte ndodhinë nga banorët e Apolonisë. Ata e morën vesh dhe përnjëherësh e çuan para gjyqit dhe e dënuan me humbjen e shikimit, sepse kishte fjetur kur duhej të ruante delet.  Menjëherë, mbasi e verbuan Eveniusin, delet e grigjës nuk pillnin më qingja dhe toka u shterpëzua dhe nuk jepte më fryte. Në Dodonë dhe në Delfi, kur pyetën orakujt për shkakun e kësaj fatkeqësie, që u kishte rënë në krye, morën të njëjtën përgjigje: se ishin fajtorë që e kishin dënuar pa të drejtë Eveniusin, rojtarin e grigjës së shenjtë, sepse perënditë i kishin dërguar vetë ujqërit; dhe ato do të vazhdonin të hakmerreshin derisa populli i Apolonisë ta shpërblente për të keqen  që i bënë, me çka do t’u kërkonte dhe do ta caktonte ai vetë. Kur Apoloniatët ta bënin këtë, dhe vetë perënditë do t’i jepnin Eveniusit një dhuratë, për të cilën shumë njerëz do ta konsideronin atë të bukur.

Këto përgjigje, që ju dhanë orakujt, apoloniatët i mbajtën të fshehta dhe ua besuan disa bashkëqytetarëve të tyre ta kryenin porosinë e Zotit. Këta qytetarë e përmbushën porosinë në këtë mënyrë: shkuan tek Eveniusi, që ishte ulur mbi një bankë, u ulën pranë tij dhe filluan të flisnin me të dhe më në fund, i shprehën keqaerdhjen për fatkeqësinë e vet; pastaj e pyetën të verbërin çfarë do t’u kërkonte apoloniatëve, sikur ata të donin ta dëmshpërblenin për të keqen që i kishin bërë. Eveniusi, që s’kishte dëgjuar gjë për Orakullin, tha se do të ishte i kënaqur me disa ngastra toke (dhe përmendi emrat e qytetarëve që e dinte se i zotëronin dy ngastra më të mira në Apoloni) , po ashtu dinte se   kishin edhe shtëpi, që ishin më të bukurat e qytetit.  Nëse do t’ia jepnin këto, shtoi Eveniusi, nuk do t’u mbante më mëri dhe do të ndihej mjaftueshëm i dëmshpërblyer. Kështu tha, ndërsa miqtë që i ishin ulur prane iu përgjigjen: “Mirë, Evenius!  Populli i Apolonisë do të japë këtë dëmshpërblim për verbimin tënd, për t’iu bindur asaj që i kanë thënë orakujt”. Kur Eveniusi e dëgjoi të vërtetën dhe e kuptoi se ia kishin hedhur, u zemërua shumë. Po, sidqoftë, banorët e Apolonisë, ua blenë pronarëve tokën dhe shtëpitë që kishte zgjedhur dhe ia dhuruan atij. Pak kohë më pas ai mori dhuntinë hyjnore të profecisë dhe kësisoj ai u bë njeri i famshëm.(Herodoti, Lib.IX- Parag.94 [3]-)

Pikërisht të birin e këtij Eveniusit, Deifonin, e kishin marrë me vete korinthasit si parashikues për flotën helene.[4]Lib. IX-  Parag. 95.

Duke lexuar këtë rrëfim të Herodotit për bariun e grigjes së deleve, që i ishin përkushtuar Diellit, kuptojmë se Apolonia qe bërë një qendër e njohur edhe për arsyen, se pranë saj atëherë, në kohë antike, ndodhej ky Orakull. Për këtë anë të famës le të kemi para sysh dhe faktin se të birin e Eveniusit, Orakullit të Apolonisë, Deifonin, e marrin Korinthasit si parashikues të flotës helene në betejën e tyre kundër persianëve. Pra, Kështu na del se ky Orakull duhej të vinte për nga fama, pas atij të Delfit dhe Dodonës, gjë që i rriste edhe më shumë emrin qytetit për ato kohë.

Qëllimi ynë gjatë shoshitjes së kësaj ngjarjeje nga vepra e Herodotit nuk është të tregojmë përmasat e kultit të Orakullit të Apolonisë, po të pohojmë pa mëdyshje ekzistencën e një shenjtëroreje pranë qytetit antik, që ka qenë funksionale qysh nga Lufta Greko-Persiane, koha e Herodotit, shekulli i pestë Para Krishtit, deri në sundimin e perandorit Karakalla, shekulli i tretë Pas Krishtit, sipas shenimeve të historianit Dio Kassius.

Ndërkaq, tek arsyetojmë për vend-ndodhjen e Orakullit të Apolonisë, nisur kryesisht nga ana gjuhësore, mbështetur  në evolucionin fonetik  të tingujve të emrit “Orakull”, lokalizimin e tij  e gjejmë si më të përshtatshëm në fshatin Frakull. E kemi  këtë ide duke parë evoluimin fonetik zanores “O” në konsonantet  buzoro-dhëmbore  “V” dhe pastaj në “F”:  Orakull,    Vrakull,  Frakaull.  Shenojmë se  kjo dukuri fonetike e kthimit të  tingullit “v” në  “f” ndihet ende në disa të folme edhe sot, po edhe në gjuhën e shkruar, siç ëshë rasti tek elegjia e  Fan Nolit për Bajram Currin, ku ai shkruan: Dif dragoi  i Dragobisë. Edhe Noli, siç shihet në poezi, nuk e ka pëdorur fjalën  div si në fjalorin e gjuhës  së sotme, pra  me shkronjën  “v” në fund, por ka pëlqyer trajtën me  bshkëtingëlloren “ F “  dif, gjë që ka analogji fonetike me  rastin  evoluciot te fjalës  Orakull në Vrakull  dhe pastaj në Frakull; kështu, këtu, nuk kemi bëjmë me një rastësi, po me një “rregull” fonetik të kaherëshëm.

Kështu kemi arsye të hamendësojmë Orakullin e Apolonisë me përfytyrimin tonë diku pranë Nymfeut të përflakur, që rrinte i ndezur dhe nuk shuhej kurrë, po digjej me gazin, që dilte nga nëntoka. Aroma e gazit si eter i krijonte, një gjendje kontemplative Orakullit, që i jepte frymëzim fantazisë së tij për të rrëfyer parashikimet.

Ky mendim për Orakullin e Apolonisë na përforcohet më shumë, kur lexojmë autorët e lashtësisë. Kështu filosofi i famshëm i antikitetit, Aristoteli, kur rrëfen për Apoloninë, ai shkruan se “aty, në Apoloni, del asphalt, një si dhe pis i zi, si currila, që shpërthejnë nga toka….. dhe jo larg këtij vendi është një zjarr, që qendron i ndezur vazhdimisht”[5]. Mbase këto pamje të perflakura, tok me madhështinë e përgjithshme të qytetit, do t’i kenë pas bërë aq  përshtypje oratorit të shquar romak, Ciceronit, i cili shkroi për Aploninë fjalët lapidar:  Magna urbs et gravis(Qytet i madh dhe  hijerëndë).

Po ashtu, kohë më vonë, historiani i Perandorisë Romake Straboni[6],  në veprën e trij gjeografike, kur përshkruan viset e Ilirisë, tregon : “Në qytetin e Apolonisë  është një vend i quajtur “Nympheum”, ku gjendet një shkëmb, që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asfalt”[7]

Për më tepër, këtë konstatim na e jep në vepren e vet, rreth dy shekuj më vonë edhe historiani tjetër romak, Dio Kassius[8]. Ka rëndësi të theksojme se ky autor, tek përshkruan viset e Ilirisë bregdetare, mbetet i mahnitur me pamjet e mrekullueshme  të Vjosës, duke e cilësuar atë me fjalët “the prophetic power of the river Aoos. (fuqia profetike e lumit Vjosa – versioni anglisht)”[9].  Kurse për panoramën e Apolonisë ai do të shkruante i surprizuar, për çfarë po i shikonin sytë:  “Ajo që më çuditi në Apoloni më shumë se çdo gjë është zjarri i madh, që del pranë lumit Vjosa dhe qe nuk përhapet rreth rrotull… madje afër tij ka gjelbërim dhe pemë, që lulëzojnë. Përveç kësaj, kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë arsye ky vend quhet Nymfe, dhe, dikur aty ka qenë edhe një Orakull.”

Për analogji me këto të dhëna flet edhe një gojëdhanë se diku në një bregore të Frakullës ndodhej një vend i quajtur Shkëmbi Dragoit, thirrej ashtu ngase prej një zgavre të tij , si gojë e shqyer kishte pas dalë avull.

Kështu, nisur nga mendimi, që e lokalizon këtë Orakull në Frakull, dhe, se pranë Orakullit supozohet Nymfeu i Apolonisë, mund të bëjmë me hamendje konfigurimin e anës lindore të këtij qyteti antik. Dhe për ta plotësuar më mirë këtë imazh, le të kujtojmë një frazë të Herodotit lidhur me grigjen e deleve kushtuar Diellit: “….grigja kullot për gjatë lumit, që rrjedh nga mali Lakmon, shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut”-( Lib.IX- Parag.93)

Deduksioni i parë që nxjerim nga pohimi i mësipërm i Herodotit është se lumi (duhet kuptuar lumi Vjosa) nuk ka pas kaluar aq pranë Apolonisë, po  përmes territorit të Apolonisë, mbase rreth nëntë kilometra larg qytetit antik, siç është konkretisht distanca midis Pojanit dhe Frakullës .

 

Deduksioni i dytë është se lumi drejtimin e ka pasur nga lindja drejt jugut për t’u derdhur pastaj në detin Adriatik. Atëherë Orakulli i Apolonisë dhe Nymfeu i saj do të gjendeshin në të djathtë të lumit, në hapësirën midis Frakullës dhje Pojanit të sotëm. Nga ky kënd-vështrim, Frakullës sot, duke u mbështetur në shkrimet e autorëve antikë, mund t’i bëhej një zgjatim i hartës arkeologjike të Apolonisë. Dhe kështu, përfytyroj, sikur në një bregore, ose në një ledh, mbi një pllakë të zakonshme çimetoje, të gdhendeshin shkrimet e autorëve të lashtësisë, që cituam më sipër, atëherë, fjala “Frakull” nga një emër toponimk i zakonshëm fshati, do të merrte edhe një tingëllim historik prej antikitetit, që lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, që po e zgjojmë nga gjumi shekullor, përmes veprës së Herodotit.

Po i mbyll këto shenime rreth librit të Herodotit me idenë se  gjuithe vepra e tij madhore është një burim informacioni historik, jo vetëm për rreth botës së gjërë antike, po edhe për lashtësinë e trevave pellazgjiko- ilire, ku janë rrënjët e etnogjenezës sonë mbarë- kombëtare. Gjithësesi, kur mbaron së lexuari veprën e Herodotit, kupton dhe optikën e tij për pellazgët, të cilët ai i gjen qysh nga koha e civilizimit Kreto-Mikenas e deri tek ndeshja e tyre me Argonautët në ishullin e Lemnosit, nga Lufta e Trojës, e deri te Lufta Greko-Persiane, nga koha e Orakullit të Dodonës e deri tek Orakullli i Apolonisë.  Dhe ndërkaq, më së fundi, duhet theksuar se në shekujt që erdhën pas Herodotit, të tjerë historianë do të sillnin vlera të reja me veprat e tyre, “që do ta bënin historinë një mësuese të vërtetë të jetës, po Herodoti, që hodhi hapin e parë serioz dhe të dinjitetshëm në këtë rrugë, do të meritojë përjetësisht epitetin “babai i historisë, siç e ka cilësuar me të drejtë Ciceroni”[10]

 

 

 

 

Massachusetts

Maj 2021

[1] Historiani i  parë i antikitetit helen, 484 – 425, para Krishtit..

[2] Merret me mend se ky lumë duhet të jetë Vjosa e sotme

[3] Herodoti, Historitë, Libri  Nëntë, Parag.94.

[4] Herodoti, Historitë, Libri i  Nëntë, Parag. 95.

[5] N.Ceka, Apolonia e Ilirisë, Tiranë, 2008, f. 196

[6]Straboni, historian i Perandorisë Romake, (64 Para Krishtit-24  pas Krishtit).

[7] Strabo, Geography, translation of Horace L. Jones, Harvard University Press, Vol.. 7 – f . 265- MCMLIV

[8] Dion Cassius, autor romak, (155-235, pas Krishtit)

[9] Fergus Millar,A Study of  Casius Dio, Oxford, 1964, p.180.

[10] A.Minga, Herodoti, Historitë,  botimet IDK,  f.13

blank

PASURI E MADHE ME MANGËSI TË SHUMTA – Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika

(Mendime për revistën “ART & TRASHËGIMI”, Nr. 7, 2016)

Revista kulturore artistike dhe shkencore “ART & TRASHËGIMI” me format të madh, kryeredaktor Andi Rëmbeci, botohet prej disa vitesh shqip dhe anglisht prej shoqërisë Franko-Shqiptare ARGJIRO. Numri 7, vitit 2016, 216 faqe, i është kushtuar trashëgimisë së artit kishëtar që i përket jo një kishe a kishave të një qyteti, por gjithë trashëgimisë së Kishës Shqiptare Ortodokse. Botimi i këtij numëri është kryer nën kujdesin e Shoqatës Shqiptare të Studimeve Bizantine e mbështetur financiarisht nga disa fondacione shqiptare dhe nga fondacioni austriak IMAF – International Music & Art Foundation.

Në këtë numër janë përmbledhur artikuj shkencorë të studjuesve të njohur si Fort Lumtëria e Tij Anastas Janullatos -Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi -Mitropolit i Korçës, Prof. Dr. Skënder Muçaj, Prof. Dr. Lida Miraj, Prof. Dr. Aleksandër Meksi, Prof. Dr. Pirro Thomo, Prof. As. Dr. Kostantinos Giakoumis, Dr. Elio Obdashi, Dr. Era Xhaferaj, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. As. Dr. Dhori Q. Qiriazi (Doris K. Kyriazis) , Prof. Dr. Xhevat Lloshi, Sokol Çunga, Andi Rëmbeci, etj. Në këta artikuj shkencorë jepen fakte dhe vlerësime për historinë e besimit të krishter të popullit tonë që nga shek. I, për arkitekturën e kishave, ikonat dhe afresket murale, mbishkrimet e vjetër të kishave të krishtere ortodokse, kodikët e vjetër, arti i gdhëndies së gurëve dhe drurëve që zbukuronin muret ose ikonostaset e kishave, përkthime të hershëm të “Biblës”, muzika kishëtare bizantine, etj.

Në këtë vepër përfshihet vetëm pasuria që u përket kishave që ndodhen në territoret e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, pra që i përkasin Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Lënda e gjerë dhe ilustrimet cilësore e bëjnë këtë numër të kësaj reviste vepër shumë të rëndësishme mbi artin e trashëgiminë kishëtare shqiptare.

Lënda e artikujve shkencorë dhe ilustrimet fotografike të bindin se Shqipëria ka një pasuri të madhe në fushën e artit dhe të arkitekurës kishëtare. Kjo pasuri do të jetë akoma më e madhe, kur të botohen dhe numërat e tjerë të kësaj reviste, ku, si shkruan Z-nja Ilda Mara, drejtoreshë e kësaj reviste në shkrimin përmbyllës, kolana do të vijojë edhe me botimin e trashëgimisë së besimeve të tjera, të besimit të krishter Katolik, të besimit Islamik Synit dhe atij Islamik Bektashian.

Të shtohet mirënjohja ndaj armatës së ustallarëve, piktorëve, drugdhëndësve, gurgdhëndësve, muzikantëve, klerikëve dhe shkruesve të talentuar që punuan gjatë shekujve për ndërtimin, zbukurimin dhe funksionimin e kishave tona të vjetra që i përkasin trashëgimisë së besimit ortodoks. Po ashtu shtohet mirënjohja edhe për ata që punuan pas vitit 1991 për restaurimin e 63 kishave të dëmtuara dhe për ndërtimin e 150 kishave e manastireve të rinj dhe të disa ndërtesave të reja kishëtare si seminare, shkolla, spitale, shtypshkronja, radiostacione, etj. Njohja me këtë pasuri të çmueshme me vlera kombëtare dhe botërore e forcon ndjenjën e mirënjohjes ndaj donatorëve, mirëbërësve shqiptarë të shekujve të kaluar, por edhe ndaj donatorëve të sotëm shqiptarë e sidomos fqinjëve grekë, të cilët kanë dhuruar shuma të konsiderueshme për ringjalljen e Kishës Shqiptare Ortodokse Autoqefale, me nxitjet e Hirësisë së Tij Anastas Janullatos -Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Materialet e shumtë të botuar në këtë libër të bindin se procesi i ringjalljes së Kishës Shqiptare Ortodokse Autoqefale ka kryer gjatë këtyre 30 viteve një rrugë të vështirë, por të suksesëshme dhe tashmë ky proces është drejt përfundimit.

Studimet tona mbi artin e trashëgiminë e besimeve të krishtera dhe islamike kanë mundësi ta nxjerrin gjithnjë e më mirë identitetin shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar brenda dramës së tij që gjithnjë ka mbijetuar nën vërshimin e qytetërimeve lindore dhe perëndimore, duke dhënë ndihmesën e vet origjinale. Nisur nga fakti se kjo kolanë do të vijojë, po shënoj këtu disa mangësi e gabime që më ranë në sy gjatë leximit të këtij numëri të revistës, me qëllim që të mos përsëriten në studime dhe sidomos në numurat e tjerë të kësaj reviste dygjuhëshe me përhapje botërore.

* * *

Mangësia e parë që më ra në sy në këtë vepër ka lidhje me historinë e fillimit të besimit të krishter në trojet tona. Në studimin “Kisha e Shqipërisë nga vitet apostolike deri më sot” autori, Hirësia e Tij Anastasi, nuk përmend dy vlera të rëndësishme të Krishtërimit në trojet ilire, karakterin autokton të kësaj feje dhe faktin që Shën Pavli / Pali shkroi në Durrës letrën e tij më të rënsdësishme, letrën drejtuar besimtarëve të panjohur të Romës, e cila përbën 15 kapitujt e parë të letrës kanonike “Romakëve” (Rom. 1-15).

Peshkop Joani -Mitropolit i Korçës, në shkrimin vlerësues që hartoi si “Hyrje” për studimin tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” Tiranë 2007, theksoi se Krishtërimi në Shqipëri ka karakter autokton, sepse ai nuk u përhap prej misionarëve latinë ose grekë, por prej vetë apostujve, si në gjithë botën mesdhetare të asaj kohe dhe është zhvilluar pastaj në mënyrën e tij (f.7).

Në këtë studim monografik dhe në studimin tjetër “Shën Pali punoi dhe në bigjet e Adriatikut” Tiranë 2014, kam vërtetuar duke u mbështetur në të dhëna historike të historianit italian Daniele Farlati, historianit shqiptar Marin Barleti, në argumente të nxjerra nga teksti, nga të dhëna toponomastike, gojëdhëna, analiza logjike, etj, se Shën Pali / Pavli gjatë qershor-korrikut të vitit 56 pas K. krijoi bashkësinë e parë të krishtere (kishën) në Durrës dhe se për të vijuar mëkëmbjen e kësaj bashkësie ai la në Durrës nxënësit e tij Apollo, Cezar dhe Sosthen. Dy të parët përmenden si peshkopë (Ipeshkv) të kishës së Durrësit në vitin 58 pas K. në Menologun grek të shek. V, të përkthyer italisht prej kardinalit Sirletano.

Duke analizuar tipologjinë dhe disa të dhënave të tekstit të letrës kanonike “Romakëve” vërtetova se është i drejtë mendimi i shprehur prej disa studjuesve se kjo letër është letër e përbërë. Duke vijuar analizat, vërtetova se letra kanonike “Romakëve” është letër e përbërë nga bashkimi i dy pjesëve të shkruara prej Shën Palit / Pavlit në dy kohë të ndryshme dhe në dy vende të ndryshme. Pjesa e parë, e cila përfshin kapitujt 1-15, është letër e plotë, e cila quhet prej studjuesve “Ungjilli” i tij. Këtu apostulli trajtoi temat kryesore të predikimeve të veta dhe ua dha Prishilës dhe Akuilës (Prisca & Aquila) që ta përdornin si material ndihmës gjatë predikimeve të tyre pasi të arrinin në Romë. Duke qenë se autori nuk kishte qenë asnjëherë në Romë, në hyrje të letrës nuk i adresohet asnjë personi me emër dhe asnjë bashkësie konkrete të krishterësh. Këtë letër apostulli e shkroi në Durrës gjatë qershor-korrikut 56 dhe ua drejtoi të krishterëve të panjohur që jetonin në Romë. Kurse pjesa e dytë e letrës kanonike “Romakëve”, e cila përfshin vetëm kapitullin 16 të kësaj letre kanonike, është fragment i një lete të shkurtër, së cilës i mungon hyrja ku autori, sipas rregullit ka prezantuar veten dhe ka sqaruar se kujt po ia drejtonte letrën. Në pjesën Rom. 16:1-27 që ruhet prej letrëssë dytë, autori ka përshëndur 26 besimtarë që jetonin në Romë, gjë që tregon se ai e ka shkruar këtë letër në një kohë kur kishte marrë të dhëna për të krishterët e Romës. Ai ua rekomandon Feben (Phebe), dhjaken e kishës së portit Kenkrea (Cenchreae) të Korinthit që ta ndihmonin në çdo gjë që ajo kishte nevojë, sepse edhe ajo kishte mbrojtur shumë njerëz dhe vetë apostullin (Rom. 16:1-2). Fakti që autori sqaron se Febe ishte dhjake e kishës së portit Kenkrea të Korinthit, i ka shtyrë shumë studjues të gabojnë e të sugjerojnë se Pali / Pavli e shkroi të gjithë letrën kanonike “Romakëve” në Korinth ose Kenkrea, para se të largohej prej atje për në Jeruzalem. Mirëpo këta studjues kanë gabuar, sepse kjo letër e shkurtër me të cilën autori u rekomandonte Feben besimtarëve të njohur të Romës u shkrua pasi i ndodhi një komplot prej judenjve kur ai u bë gati të lundronte nga Kenkrea për në Siri. Këtë fakt e sqaron vetë autori, kur i porosit lexuesit (besimtarët e njohur të Romës) se Febe kishte mbrojtur shumë veta dhe vetë Palin. Kohën se kur dhe nga se e kishte mbrojtur Febe apostullin dhe njerëzit e tij, e kuptojmë nga sqarimi që ka dhënë Shën Luka në librin “Veprat e Apostujve”, kur përmend komplotin që i krijuan judenjtë apostullit kur ishte bërë gati për të lundruar drejt Sirisë dhe pasi shpëtoi u detyrua të kthehej në Jeruzalem duke kaluar nga Maqedonia (Veprat 20:3). Pra, po të mos kishte ndodhur komploti i judenjve, apostulli do të ishte larguar për në Siri dhe nuk do ta kishte shkruar letrën rekomanduese prej së cilës ruhet pjesa Rom. 16: 1-27.

Hirësia e Tij Anastasi më falenderoi me letra pasi mori dy studimet e mia, mirëpo mesa duket nuk i ka lexuar as përmbledhjet (summary) në anglisht e as vlerësimet që kanë dhënë Peshkop Joan Pelushi -Mitropolit i Korçës, Prof. R. Dean Davis -Shef i katedrës së Teologjisë në Atlantic Union College S. Lancaster MA dhe Prof. Akademik Jorgo Bulo.  Po të kishte lexuar këto shkrime do të kishte mësuar mjaft nga arritjet e mia ky studjues i historisë së Kishës Shqiptare Ortodokse Autoqefale dhe nuk do të kishte shkruar: “Apostull Pavli, duke i shkruar bashkësisë së Romës nga Korinthi (në vitet 55-57 pas Krishtit)” (f. 14), sepse apostulli i shkroi jo një bashkësie, por disa bashkësive të krishtera të Romës nga Konkrea, e jo nga Korinthi dhe jo në vitet 55-57, por në mars të vitit 57, pasi shpëtoi nga komploti i judenjve dha para se të largohej nga Kenkrea për në Maqedoni. Apostulli nuk kishte kohë ta shkruante gjithë letrën kanonike “Romakëve” në Kenkrea pasi dështoi komploti i judenjve, sepse aty ai qëndroi vetëm një, dy ose tri ditë, sa për të gjetur një anie për t’u nisur drejt Maqedonisë.

Një fakt tjetër që kam përdorur për të vërtetuar se pjesa Rom. 1-15 është shkruar jo në Kenkrea, po në qytetin e lirë të Durrësit (Dyrrachia, qyteti dhe zona për rreth tij, që varej administrativisht prej Senatit Romak dhe jo prej Provincës së Maqedonisë), është sqarimi i vetë Pavlit / Palit: “atyre nga Maqedonia dhe Akaia (Greqia) u pëlqeu që të japin një ndihmë për të varfërit e Jeruzalemit” (Rom. 15:26). Përdorimi i përemrit vetor “atyre” tregon se autori nuk ndodhej as në Maqedoni e as në Akaia (Greqi), kur po shkruante letrën deri te kapitulli 15. Edhe mbyllja e kapitullit 15 me urimin: “Edhe Perëndia e paqes qoftë me ju të gjithë. Amin!” (Rom. 15:33), tregon se letra mbaron pikërisht me këto fjalë, që autori i ka përdorur si urim në mbyllje edhe të shumë letrave të tjera të tij.

Hirësia e Tij Anastasi do të ishte ndihmuar prej studimit tim dhe nuk do të gabonte duke shkruar se Illyriku në shek. I pas Krishtit ishte “pjesë e Provincës së Maqedonisë” (po aty f. 14), sepse unë kam sqaruar se Illyriku ishte Provincë Romake më vete ashtu si Maqedonia, Achaea (Greqia), dhe se Shën Pali / Pavli shkoi e punoi në pjesën jugore të Provincës së Illyrikut që kishte si qendër administrative qytetin Lisus (Lezha e sotme në Shqipëri), më tej ai shkoi me anie dhe zbriti te gjiri i kepit të Durrësit, i cili pas kësaj vizite u quajt më vonë Kepi i Palit (sot populli e quan Bishti i Pallës). Më tej apostulli shkoi e punoi në Durrës, prej ku kaloi duke ecur në këmbë deri në Butrint e Nikopol (gërmadhat e këtij qyteti gjenden sot pranë qytetit Preveza në skajin jugor të Epirit që në atë kohë bënte pjesë në Provincën e Maqedonisë). Prej këtu ai kaloi në Provincën e Achaesë, ku kaloi tre muaj, si sqaron Luka (Veprat 20:2)

Një dobësi tjetër e numërit 7 të revistës “ART & TRASHEGIMI” lidhet me nënvlerësimin e kishës “Lindja e Shën Marisë” e Labovës së Kryqit, Gjirokastër, kishë e shek. VI dhe mbivlerësimin e kishës së manastirit “Fjetja e Shën Marisë” e vitit 1600 që ekziston mbi fshatin minoritar Goranxi të Gjirokastrës. Kisha e fshatit Goranxi u restaurua me fondet e Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale, kurse kisha e Labovës së Kryqit nuk u restaurua me këto fonde, por u la në mëshirë të fatit, derisa me ndërhyrjen e Z. Stefan Miha pranë Kryeministrit Z. Edi Rama, u restaurua me fondet e shtetit në vitin 2018. Mbivlerësimi i manastirit të fshatit Goranxi bie në sy dhe nga fakti se fotoja e tij është riprodhuar tri herë: në ballinën e revistës dhe dy herë të tjera brenda librit në faqet 19 dhe 102, sikur kjo kishë të jetë më e rëndësishmja, më artistikja, më e vjetra e pasurisë sonë kishëtare. Në vend të kësaj fotoje do të ishte mirë të ishte në ballinë një foto artistike e “Kishës Lindja e Shën Marisë” e Labovës së Kryqit, e cila është një nga 40 kishat më të vjetra të botës dhe përbën një monument të papërsëritshëm për trashëgiminë tonë kishëtare e më tej. Historinë e saj e kanë dokumentuar studjuesit Theofan Popa (1917-1985) dhe Gazmend Muka (1964-2012).

Nënvlerësimi i kishës “Lindja e Shën Marisë” e Labovës së Kryqit vijon edhe me përcaktimin që i ka bërë Prof. Dr. Aleksandër Meksi në artikullin e tij “Trashëgimia monumentale ortodokse në Shqipëri” botuar në faqet 90-93, ku ai shkruan se Kisha e Shën Marisë, Labovë e Kryqit, Gjirokastër ishte ndërtuar në shek. XIII. Ky datim vendoset në tekstin e artikullit, si dhe poshtë fotografisë së kësaj kishe në f. 92. Ky përcaktim i datës së kësaj kishe monumentale me vlera botërore, është i gabuar dhe e nënvlerëson pasurinë tonë të krishtere që trashëgojmë nga koha kur Krishtërimi ishte një dhe i pandarë në ortodoks e katolik, ndarje që ndodhi në vitin 1054.

Ky gabim tregon se Prof. Dr. Aleksandër Meksi dhe kryeredaktori i revistës, Z. Andi Rëmbeci, nuk kanë marrë parasysh rezultatet e studimeve të kolegëve të tyre Theofan Popa dhe Gazmen Muka, botuar disa vite para botimit të këtij numri të revistës.

Studiuesi Gazmend Muka në librin e tij “Kisha e lindjes së Shën Marisë e Labovës së Kryqit” ALBAS.al 2012, 160 faqe, ka shkruar se kubeja e kësaj kishë ishte përfunduar në vitin 554 dhe kryqi i saj u soll në Labovë në prill të vitit 559 prej shpatarit Kostandin Laboviti, si dhuratë e Perandorit Justinian, ilir nga Dardania.

Mësuesi Stefan Miha, i cili e kishte parë dhe mbajtur në duar shumë herë kryqin, thotë se kryqi ishte i veshur me një cipë floriri me peshë 600 gram dhe ruhej në një kamare të fshehtë sipër ikonostasit, ku hipej me një shkallë të drunjtë që mbahej e ndarë në tri pjesë, të cilat bashkoheshin kur duhej të merrej kryqi për të kryer veprime rituale.

Prëveç këtyre të dhënave ka dhe fakte të tjerë që dëshmojnë se kjo kishë i përket shek. VI. Këta fakte janë:

  1. Dy piktura murale.
  2. Dy mbishkrime në mur.
  3. Një tullë bizantine ku ishin gdhendur numurat romake DLIV (ky numër me shifra arabe shkruhet 554 tregon vitin e përfundimit të kishës).

Dy pikturat murale.

  1. Në vitet 70-të të shek. XX-të në një pjesë të murit ra suvaja ku ishte pikturuar Jezu Krishti me mantelin e kuq dhe doli një afresk i vjetër ku ishte pikturuar Jezu Krishti me mantel blu. U njoftua studjuesi Theofan Popa, i cili pasi e pa pikturën, në prani të Stefan Mihës sqaroi se ky portret i Jezu Krishtit me mantel blu u përdor vetëm në shek VI-të nga sekti i të krishterëve “Monofizë” që besonin se Jezui ishte vetëm qiellor. Ky portret që i përkiste shek. VI-të, pas eleminimit të fraksionit “Monofizë” u mbulua nga një piktor tjetër, ose nga i njëjti piktor, i cili mbuloi portretin me mantel blu dhe pikturoi Jezusin me mantel të kuq, pra të njëjtë me portretin e të gjithë kishave të krishtere.
  2. Në pikturën tjetër është pikturuar dhuruesi i kishës, Perandori Justinian, i cili sundoi Bizantin në vitet 527-565.

Nëse kjo kishë do të ishte ndërtuar në shek. XIII, si shkruan Prof. Dr. Aleksandër Meksi, këto dy piktura murale nuk do të ishin pikturuar në muret e kësaj kishe shtatë shekuj pasi ishte zhdukur fraksioni i sektit “Monofizë” dhe shtatë shekuj pas vdekjes së perandorit Justinian.

Ekzistenca e këtyre dy pikturave murale është dëshmi edhe e faktit se muret e kësaj kishe nuk janë mure të rinj të ndërtuar në shek. XIII mbi themele të një kishe të vjetër, si thonë përkrahësit e datimit të saj në shek. XIII, por janë piktura të mureve origjinalë që ishin ndërtuar në shek. VI.

Dy mbishkrimet.

Studjuesi Andi Rëmbeci në artikullin e tij “Mbishkrime kishëtare në Shqipëri” f. 50-56, ka vënë në dukje se në Kishën Lindja e Shën Marisë e Labovës së Kryqit ruhen dy mbishrime murale, njëri i vitit 525 dhe tjetri i vitit 551 (f. 53), të cilat ishte mirë të ishin riprodhuar me fotot përkatëse. Kjo e dhënë e përmendur prej studjuesit A. Rëmbeci bie ndesh me përcaktimin e Prof. Dr. A. Meksi, sepse duke pranuar se këto dy mbishkrime janë shkruar në vitet 525 dhe 551, si i kanë përcaktuar studjuesit Theofan Popa dhe Gazmend Muka, atëhere përcaktimi i studjuesit A. Meksi bie poshtë, por studjuesi A. Rëmbeci, kryeredaktor i revistës, nuk merret me shtjellimin e kësaj kundërshtie. Me sa duket ai nuk guxon të kundërshtojë një autoritet si Prof. Dr. A. Meksi.

         Tulla e kuqe bizantine.

Banorër e Labovës së Kryqit kishin mbrojtur nënën dhe motrën e Ali Pashë Tepelenës kur ato i ndiqnin banorët e fshatit Kardhiq. Ali Pasha për mirënjohje dërgoi rreth viteve 1805-1810 ustallarë për të ndërtuar hajatin hyrës të kishës “Lindja e Shën Marisë” të Labovës së Kryqit, simbolit më të rëndësishëm të këtij fshati. Mirëpo mbi portën hyrëse ustallarët hoqën tullën e kuqe bizantine ku ishte shënuar me shifra romake DLIV viti i përfundimit të ndërtimit të kishës, dhe vunë një pllakë guri ku skalitën me shifra arabe numërin 554. Pra e rishkruan datën e ndërtimit të kishës me shifra arabe. Tulla e kuqe bizantine u la mënjanë si gjë pa vlerë deri nga mesi i viteve 1970-të. Mësuesi Stefan Miha, njeri i pasionuar pas vlerave të kishës, tregon se e mori tullën dhe ia dorëzoi drejtorit të Muzeut Etnografik të Gjirokastrës, të paharrueshmit Lefter Dilo, për ta vendosur në Muze. Mirëpo L. Dilo e la me sot për nesër punën për ta pajisur tullën me një foto të madhe të kishës “Lindja e Shën Marisë” së Labovës së Kryqit dhe me një shënim ku të sqaronte se shifra romake DLIV tregonte vitin 554, vitin e ndërtimit të saj. Tullën biznatine ai e mbajti për ta ruajtur në shtëpi të vet dhe kur iu dogj shtëpia, u zhduk dhe tulla bashkë me shumë materiale të tjerë me vlera historike.

Pllaka prej guri me shifrat arabe 554 që ndodhet edhe sot mbi portën hyrëse të kishës nga ana e hajatit, quhet prej studjuesit A. Meksi si mashtrim i qëllimshëm i datës së ndërtimit të kishës, sepse në vitin 554 nuk shkruheshin datat me shifra arabe, por me shifra romake. Ai nuk pranon se në vend të kësaj pllake ka qenë tulla bizantine me shifrat romake DLIV, si dëshmon mësuesi Stefan Miha.

Ndërkohë, në artikullin “Arti që tejkalon kufijtë e kohës” të studjuesit grek Prof. As. Dr. Kostantinos Giakoumis, pedagog në Universitetin New York, Tiranë, më la shijë të hidhur përcaktimi i origjinës së piktorit të shquar shqiptar Onufri (Onouphrios). Prej studjuesve shqiptarë, piktor Onufri është supozuar se ka qenë me origjinë nga Berati, Elbasani, Shpati i Elbasanit, ose Venetiku. Kurse ky studjues grek e quan Onufrin me origjinë nga Argosi i Greqisë (f. 123) pa përmendur se ka dhe supozime të tjera, të cilat mbështeten te disa mbishkrime të lëna prej vetë piktorit.

Në studimet dhe ilustrimet e këtij numëri të revistës bie në sy dhe një gabim tjetër: Kishat dhe manastiret ortodokse të fshatrave të minoritetit grek të Shqipërisë së Jugut janë përmendur gati po aq herë sa dhe kishat dhe manastiret ortodokse të krejt Shqipërisë, kur dihet se numëri dhe vlerat e kishave dhe manastireve ortodokse të krejt Shqipërisë janë shumë herë më të mëdha se ato të fshatrave të minoritetit grek. Ndërkohë është lënë pa u vënë në dukje se kishat dhe manastiret ortodokte të vjetër të fshatrave që banohen prej fshatarëve minoritarë grekë në Shqipërinë e Jugut janë ndërtuar prej ustallarëve shqiptarë para se të silleshin këta bujq nga zonat greke prej perandorëve të Bizantit, si Perandor Pogoni, në shek XV. Të mbështetur prej pushtetit qendror dhe klerikëve grekë, këta banorë të rinj dalngadal ua mësuan gjuhën e tyre banorëve shqiptarë vendës, të cilët ishin pakësuar nga shërbimet ushtarake, ku shkonin si mercenarë.

Mendoj se do të ishte mirë që në këtë botim të ishin përmendur dhe emrat e kishave dhe manastireve ortodokse të Shqipërisë që rafshoi ose i ktheu në depo diktatura komuniste. Ky krim në një vepër të tillë nuk kishte arsye pse të lihej pa u dënuar duke sjellë shifra dhe emra konkretë.

Ndër kohë, sugjeroj se do t’i shtoheshin vlerat këtij botimi sikur të ishte pajisur me një hartë të Shqipërisë ku të shënoheshin me shenja kryqi të gjitha kishat dhe manastiret, dhe emrat dhe vendndodhja e tyre të jepeshin në një listë shoqëruese në faqet pasuese.

Në botimet e kësaj kolane kur të shkruhet për pasurinë e besimit të Krishter Katolik dhe atë Islam Synit e Bektashian, është mirë të ketë dhe studim të shoqëruar dhe me ilustrime për objekte kulti që i kishin përkitur besimit të krishter, por që gjatë sundimit turk u kthyen në objekte të besimit Isalam, si është rasti i këshës bizantine të Shën e Premtes në lagjen Peshkëpi të Korçës, të cilën Iliaz Bej Mirahori e transformoi në xhami në vitin 1495.

 

blank

 

Kisha “Lindja e Shën Marisë” Labovë e Kryqit, pas restaurimit më 2018

blank

Kisha “Lindja e Shen Marise” Labovë e Kyqit, para restaurimit te vitit 2018.

 

Kishat dhe manastiret shqiptare që kanë mbetur jashtë territorit të Shqipërisë së sotme në qytete e fshatra në Maqedoni të Veriut (Dibr, Kërçovë, Prilep, Manastir / Bitola, Ohër, Strugë) dhe në qytete e fshatra të Greqisë Veriore (Kostur, Mavrovë, Janinë, Filat, Igumenicë, etj) do të ishte mirë të paktën të përmendeshin në disa prej këtyre studimeve. E them këtë sepse mospërmendja e tyre, po u jep mundësi studjuesve grekë dhe atyre maqedonë që t’i tjetërsojnë dhe t’i quajnë këto kisha e manastire si greke e maqedone, edhe pse ato i kanë ndërtuar e frekuentuar populli shqiptar deri para myslimanizimit të tij, ose deri para vitit 1912, kur u ndanë padrejtësisht kufijtë e tij. Si shembull po sjell rastin e Manastirit të Shën Naumit në jug-lindje të liqenit të Ohrit, manastir dhe territor që iu dha Mbretërisë Serbe prej Ahmet Zogut më 1925 si shpërblim për kthimin e tij në pushtet. Historikisht dihet se Manastiri i Shën Naumit ka qenë ndërtuar dhe frekuentuar prej popullit shqiptar, por sot ciceronët maqedonë u thonë vizitorëve se ky manastir është ndërtuar dhe frekuentuar prej popullit maqedon dhe se pikturat e piktorëve korçarë Zografi, nuk kanë qenë shqiptarë, por maqedonë. Ky tjetërsim i prëkatësisë së kishave, manastireve dhe pikturave të tyre, pasuri e popullit shqiptar, po vijon kudo.

Do të ishte mirë që ky numër i revistës të ishte pasuruar me disa faqe nga studimi madhor “Illyricum Sacrum” vol. VIII hartuar prej studjuesit italian Daniele Farlati për krijimin e kishës së Durrësit, me ndonjë artikull të studjuesit Theofan Popa për mbishkrime të ndryshme kishash, me disa fragmente nga studimit “Kisha e Lindjes së Shën Marisë e Labovës së Kryqit” e studjuesit Gamend Muka, etj. Kurse për sqarimet lidhur se problemin se kur dhe ku u shkruan dy pjesët përbërëse të letrës kanonike “Romakëve”, do të ishte mirë të më ishte kërkuar mua një artikull. Ky sugjerim mbetet detyrë e grupit që do të realizojë vijimin e kolanës me numërin ku do të trajtohet arti dhe trashëgimia e Kishës Shqiptare Katolike.

Studjuesit e rinj shqiptarë nuk ka pse t’u nënshtrohen hipotezave të gabuara mbi përhapjen e Krishtërimit në trojet iliro-shqiptare, që kanë formuluar në të kaluarën studjues të ndryshëm, qofshin të huaj ose vendës. Të vërtetat na duhet t’i mbrojmë, ashtu si e tregojnë faktet dhe analizat shkencore objektive, për të zbuluar pasuritë tona të veçanta.

blank

Japonia synon prodhimin e ushqimit në Hënë

Projekti i cili do të financohet nga qeveria, do të synojë të plotësojë kërkesën për furnizime ushqimore në misionet afatgjata dhe të ndjekura mirë në Hënë

Tokio

Japonia do të bëjë kërkime për prodhimin e burimeve të qëndrueshme të ushqimit në Hënë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë Kyodo, qeveria dhe Agjencia Japoneze e Hulumtimit të Hapësirës (JAXA) do të kryejnë projekte për të zhvilluar burime ushqimore të qëndrueshme në Hënë.

Projekti i cili do të financohet nga qeveria, do të synojë të plotësojë kërkesën për furnizime ushqimore në misionet afatgjata dhe të ndjekura mirë në Hënë.

Në projektin në fjalë do të marrin pjesë grupi i kërkimit të ushqimit hapësinor Space Foodsphere, prodhuesi i erëzave Ajinomoto, integruesi i sistemit NTT Data gjithashtu do të inkurajohen edhe kompanitë e sektorit privat.

Projekti i cili do të fillojë në objektet e brendshme me bashkëpunim publik dhe privat, në fazat e ardhshme do të zhvendoset në kushte të ngjashme me natyrën e Hënës siç është Antarktida.

Projekti, i cili do të shqyrtojë rendimentin e prodhimit të brendshëm, ka për qëllim zhvillimin e teknologjisë për funksionimin e një objekti kultivimi me qark të mbyllur në Hënë.

Sipas raportit të institucionit financiar ndërkombëtar Morgan Stanley, industria globale e hapësirës aktualisht me vlerë 350 miliardë dollarë në vitin 2040 do të sjellë 1 trilion dollarë.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend