VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Eksperimenti del me sukses – Molla “Diamant i Zi” nxjerr frutat e para në Tokën Shqiptare

By | November 2, 2019

Komentet

Vaksina e AstraZeneca për koronavirusin më e lirë se vaksinat e tjera

Kompania farmaceutike AstraZeneca tha më 23 nëntor se vaksina e saj kundër COVID-19 mund të jetë rreth 90 për qind efektive, duke i ofruar botës edhe një armë në luftën kundër pandemisë. Vaksina e kësaj kompanie pritet të ketë çmim të lirë dhe shpërndarja e saj të jetë më e shpejt se e kompanive rivale që po zhvillojnë vaksinat e tyre kundër koronavirusit të ri.

Kjo kompani britanike tha se deri në fund të vitit 2020 do të ketë në dispozicion rreth 200 milionë doza të vaksinës, aspo katër herë më shumë se kompania amerikane Pfizer, që po ashtu ka njoftuar se ka gati vaksinën kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, raporton agjencia Reuters.

Shtatëqind milionë doza mund të jenë gati për t’u shpërndarë në mbarë botën në fund të çerekut të parë të vitit 2021, tha kompania.

“Kjo do të thotë se ne kemi vaksinë për botën”, tha Andrew Pollard, drejtor në Universitetin e Oxfordit, ku dhe është zhvilluar kjo vaksinë.

Vaksina e kësaj kompanie ishte 90 për qind efektive në parandalimin e COVID-19 nëse një pacientit i jepet gjysmë doze, pasuar nga një dozë e plotë një muaj më vonë, thuhet në gjetjet e studimeve të kryera në Britani dhe Brazil. Sipas kompanisë AstraZeneca, nuk ka të dhëna se kjo vaksinë ka efekte serioze anësore.

Vaksina pritet t’iu kushtojë qeverive të botës disa dollarë, krahasuar me vaksinat e Pfizer dhe kompanisë Moderna që pritet të kushtojnë më shumë. Këto të fundit kanë përdorur teknologji jokonvencionale në zhvillimin e vaksinave të tyre.

Po ashtu, vaksina e AstraZeneca mund të ruhet në temperaturën e frigoriferëve normal dhe kjo e bën edhe më të lehtë që të transportohet, veçanërisht në vendet e varfra. Ndërkaq, Pfizer, që ka njoftuar për vaksinën e saj javën e kaluar, ka thënë se ajo duhet të ruhet në temperaturë -70 gradë celsius.

Shpërndarja më e shpejt e vaksinës rrit shpresat se ajo mund të arrijë më lehtë në vendet e varfra, që do të kishte ndikim edhe në ndaljen e ndasive sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia, që deri më tani ka vrarë 1,4 milion njerëz në mbarë botën.

“Pjesa më e madhe e programit të shpërndarjes së vaksinës do të jetë në muajin janar, shkurt dhe mars. Ne shpresojmë se pas Pashkëve të nisim që t’i kthehemi normalitetit”, tha Matt Hancock, sekretari i Shëndetësisë së Britanisë së Madhe, shtet ky që tashmë ka porositur 100 milionë doza të vaksinës të kompanisë AstraZeneca.

Në shtetet e varfra, ku logjistika për shpërndarjen e vaksinave rivale paraqet sfidë më të madhe, avantazhi i vaksinës së AstraZeneca është çmimi i saj i lirë dhe shpërndarja më e shpejt. Ministri i Shëndetësisë së Bangladeshit, Zahid Maleque, shteti i si cilit do të blejë 30 milionë doza nga AstraZeneca, tha se gjetjet e studimit janë “vërtetë një lajm i mirë”.

“Avantazhi më i madh i kësaj vaksine është se ajo mund të ruhet, transportohet dhe të administrohet në temperaturë prej 2-8 gradë celsius dhe për këtë gjë ne kemi infrastrukturën e duhur”, tha ai.

“Do të jemi më të lumtur”

Rezultatet tregojnë se efektiviteti i vaksinës së AstraZeneca varet nga doza që merr pacienti dhe studimi tregoi se efektiviteti ra në 62 për qind kur një pacientit iu dhanë dy doza të plota të vaksinës në vend se gjysmë doze fillimisht.

Ndërkaq, Pfizer – që ka zhvilluar një vaksinë së bashku me kompaninë gjermane BioNTech – si dhe kompania Moderna, kanë thënë se vaksinat e tyre janë rreth 95 për qind efektive. Këto të dhëna, këto kompani thanë se kanë dalë gjatë studimeve të fazës së tretë të vaksinës.

“Unë mendoj se është budallallëk që të zgjedhësh në mes të tri vaksinave (të kompanisë Pfizer, Moderna dhe Astra) bazuar në të dhënat që kanë publikuar këto kompania nga faza e tretë”, tha Danny Altmann, profesor i imunologjisë në Universitetin Imperial të Londrës.

“Unë mendoj se brenda një viti ne do t’i përdorim të gjitha këto tri vaksina që ofrojnë rreth 90 për qind mbrojtje – dhe që të gjithë do të jemi shumë më të lumtur”, tha ai.

Studiuesit e AstraZeneca nuk kanë treguar se pse marrja e dozave më të vogla të vaksinës jep më shumë efektivitet ndaj sëmundjes COVID-19.

“Ka disa shembuj që tregojnë se ndryshimet në sistemin tonë imunitar mund t’i kundërpërgjigjen më mirë sëmundjes”, tha Pollard.

Shefi ekzekutiv i AstraZeneca, Pascal Soriot tha se zhvillimi i vaksinës është lajm i mirë, pasi shumë njerëz mund të vaksinohen brenda një periudhe të shkurtër.

Administrata për Ushqim dhe Barna e SHBA-së (FDA) ka thënë se çdo vaksinë që shfaq të paktën 50 për qind efektivet ndaj sëmundjes, mund të merret në konsideratë për të marrë miratimin për t’u përdorur.

Vaksina e AstraZeneca ka përdorur një version të modifikuar të virusit të zakonshëm te shimpanzetë, që udhëzon qelizat që të luftojnë virusin. Kjo është një qasje më tradicionale krahasuar me qasjen që ka pasur Pfizer dhe Moderna, që për zhvillimin e vaksinave të tyre kanë përdorur një teknologji të re të quajtur RNA.

AstraZeneca ka thënë se menjëherë do të nisë punën për aplikimin për miratim në mbarë botën, duke iu dërguar autoriteteve të dhënat e studimeve të vaksinës.

Gjithashtu, kjo kompani do të kërkojë miratim emergjent edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të përshpejtuar disponueshmërinë te vendet me të ardhura të ulëta.

Administrata për Ushqim dhe Barna me shumë gjasa do ta miratojë në mesin e muajit dhjetor vaksinën e zhvilluar nga kompania Pfizer, kanë thënë zyrtarë të lartë të administratës amerikane.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

SHBA, miratohet përdorimi në raste urgjente i ilaçit me antitrupa Regen-COV2

Marrë nga Reuters

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) lëshoi të shtunën autorizimin për përdorim urgjent të terapisë me antitrupa kundër COVID-19, të kompanisë farmaceutike Regeneron, i njëjti trajtim eksperimental që iu dha Presidentit Donald Trump dhe që ai tha se e ndihmoi të shërohej nga sëmundja.

FDA-ja tha se antitrupat monoklonalë, duhet të përdoren për trajtimin e pacientëve, fëmijë apo të rritur, me simptoma të buta e të moderuara të COVID-19-s, tek të cilët sëmundja është në rrezik të lartë për të përparuar në simptoma më të rënda. Kjo përfshin dhe trajtimin e personave që janë 65 vjeç e sipër apo ata me disa sëmundje kronike të caktuara.

Trajtimi është pjesë e një lloji barnash të njohura si antitrupa monoklonalë, që janë kopje të prodhura të antitrupave që prodhon trupi i njeriut për të luftuar infeksionet.

I ashtuquajturi “kokteji i antitrupash”, Regen-COV2, që përmban një antitrup të prodhuar nga kompania dhe një të dytë të marrë nga njerëzit e shëruar nga COVID-19, është prodhuar në mënyrë të tillë që të dy antitrupat të lidhen me proteinat e koronavirusit për ta parandaluar atë të hyjë në qelizat e shëndetshme të njeriut.

Kompania Regeneron tha të shtunën se provat klinike me pacientë jo të shtruar sugjerojnë se antitrupat monoklonalë si REGEN-COV2 japin rezultate më të mëdha kur jepen menjëherë pas diagnozës dhe tek ata pacientë të cilët sistemi imunitar i tyre ende nuk ka reaguar ndaj sëmundjes apo me ngarkesë të lartë virale.

Kompania tha se pret që deri në fund të këtij muaji të ketë doza të mjaftueshme për trajtimin me REGEN-COV2 të rreth 80 mijë pacientëve, ndërsa në javën e parë të janarit do të ketë doza për rreth 200 mijë pacientë të tjerë dhe për 300 mijë deri në fund të po atij muaji (janarit).

FDA-ja thotë se antitrupat nuk janë autorizuar t’u jepen pacientëve të shtruar në spital për shkak të koronavirusit ose që kërkojnë terapi me oksigjen për shkak të COVID-19.

zëri i amerikës

Vaksina e Oksfordit nxit imunitet tek të moshuarit

Vaksina kundër koronavirusit e Universitetit të Oksfordit ka nxitur imunitet tek të moshuarit prej 60 deri 70 vjeç, duke rritur shpresat se mund të mbrojë grupmoshat më të rrezikuara nga virusi.

Studiuesit thonë se testimet e fazes së dytë, bazuar në 560 vullnetarë, janë “inkurajuese”.

Ata po testojnë gjithashtu nëse vaksina ndalon njerëzit të zhvillojnë COVID-19, një provë e fazës së tretë.

Rezultatet e hershme nga kjo fazë e rëndësishme priten në javët e ardhshme.

Tri vaksina, ajo e Pfizer-BioNTech, Sputnik dhe Moderna, kanë raportuar tashmë të dhëna të mira paraprake nga provat e fazës së tretë. Njëra prej tyre tha se vaksina e saj është efektive deri në 94% te personat mbi 65 vjeç.

Britania e Madhe tashmë ka porositur 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit, të prodhuara nga AstraZeneca, 40 milionë doza të vaksinës Pfizer-BioNTech dhe pesë milionë të vaksinës së kompanisë Moderna, transmeton BBC.

Sfida me zhvillimin e një vaksine kundër COVID-19 është që të nxisë trupin për të luftuar kundër virusit, pa marrë parasysh sa vjeç është dikush.

Për shkak se të moshuarit kanë sistem më të dobët të imunitetit, kjo nënkupton se vaksinat nuk priren të funksionojnë ashtu si funksionojnë te të rinjtë.

Këto rezultate të provave nga Universiteti i Oksfordit sugjerojnë se kjo mund të mos jetë problem.

Ato tregojnë se të moshuarit e moshës 56-69 dhe mbi 70 kishin një përgjigje të ngjashme imune sikur ata moshës 18-55.

Më herët drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se, vetëm vaksina nuk do të jetë e mjaftueshme për të mposhtur pandeminë e koronavirusit të ri.

“Vaksina do të plotësojë mjetet e tjera që kemi dhe nuk do t’i zëvendësojë ato”, tha Ghebreyesus në një takim të Këshillit Ekzekutiv të OBSH-së.

Prandaj, ai bëri thirrje që masat për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, të tilla si testimi, karantina dhe monitorimi i kontakteve, të mos shfuqizohen para kohe. rel

Mbajtja e maskës dhe problemet me shëndetin e gojës – Këshillat e stomatologut të njohur

Mbajtja e maskës për shumë kohë në gojë ka sjellë probleme me zgavrën, në dhëmbë dhe aromë të keqe.

Stomatologu Gerry Curatola thotë se derisa jeni duke mbajtur maskën në fytyrë, në gojë përqendrohet dyoksidi i karbonit, i cili krijon ambient thartire.

Për këtë shkak krijohet çekuilibrimi i mikrobiomave orale, sepse në gojët tona jetojnë me qindra e miliarda mikroorganizma të cilët ndikojnë në mënyrën në të cilën trupi ynë nxit shëndetin dhe u përgjigjet sëmundjeve.

“Pa gavër të shëndetshme të gojës rrezikohet edhe shëndeti i trupit. Jemi mësuar që imuniteti ynë është kyç në luftën kundër koronavirusit, pranaj nëse keni proces inflamator në gojë, imuniteti juaj është i ulur”, thotë Curatola dhe thekson që është me rëndësi të kuptohet lidhshmëria e shëndetit të gojës dhe trupit.

Stomatologu thotë që pesë veprime mund të ndihmojnë në krijimin e mikrobiomave të shëndetshme, në zvogëlimin e inflamacionit dhe eliminimin e helmeve, në mënyrë që sa

më me efekt të luftojmë kundër shkaktarit të sëmundjes.

Pasta e dhëmbëve

Zgjidhni pastën me vitamina dhe minerale të cilat zvogëlojnë inflamacionin dhe mund ta përdorni për larjen e dhëmbëve apo si maskë për mishin e dhëmbëve.

Probiotikët

Secili që bart maskë do të duhej të marrë probiotikë çdo ditë – këshillon Curatola.

 Antioksidantët

Curatola këshillon edhe që të marrim sa më shumë antioksidantë, qoftë nëpërmjet ushqimit apo shtesave në ushqim.

Vitamina C dhe zinku

Produktet dhe shtesat në ushqim të cilat përmbajnë vitaminën C dhe zinkun ndihmojnë në forcimin e sistemit të imunitetit.

 Higjiena e rregullt

Curatola shpjegon që mënyra më e thjeshtë për kujdesin për shëndetin vetjak është higjiena e rregullt e dhëmbëve dhe e gavrës së gojës.

Shmangni patatinat dhe sheqerin midis racioneve, sepse ndikojnë në mikrobiom.

Konsumoni rregullisht ujë dhe mos harroni të shkoni te stomatologu.

Është me rëndësi të bartni maskën, por të gjithë me atë rast do të ishim të detyrua të dinim se çfarë ndodh pas saj në mënyrë që të mbrohemi më mirë dhe të mbrojmë shëndetin./TopChanel

Pfizer përfundon testimin e vaksinës, 95% efektive kundër COVID-19

Një analizë përfundimtare e fazës së tretë të vaksinës ndaj koronavirusit nga kompania Pfizer tregon se ajo ishte 95% efektive në parandalimin e infeksionit, madje edhe tek të moshuarit.

Vaksina nuk shkaktoi efekte anësore të mëdha, tha kompania të mërkurën.

Të dhënat konfirmojnë pretendimin fillestar të Pfizer për një efikasitet më të mirë se 90% të vaksinës.

“Efikasiteti ishte i qëndrueshëm midis moshës, racës dhe etnisë demografike. Efikasiteti i vërejtur tek të moshuarit mbi 65 vjeç ishte mbi 94%”, thanë Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech në një deklaratë të përbashkët.

Kompania tha se do të aplikojë për autorizimin urgjent në SHBA brenda disa ditëve.

Analiza përfundimtare vjen vetëm një javë pasi rezultatet fillestare treguan se vaksina ishte më shumë se 90% efektive. Edhe kompania Moderna.Inc lëshoi të hënën të dhënat paraprake për vaksinën e saj, duke treguar efektivitet të ngjashëm.

Provat e suksesshme të dy vaksinave kundër koronavirusit kanë rritur shpresat për t’i dhënë fund pandemisë që ka vrarë më shumë se 1.3 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka shkaktuar kërdi në ekonomi dhe jetën e perditshme. rel

Ke të sëmurë në familje? Ja si mund të mbrohesh

Sado të fiksuar të jemi pas higjenës apo pastërtisë në këto kohë pandemie, shmangia e ekspozimit ndaj virusit apo baktereve të tjera është e pamundur nëse një apo disa anëtarë të familjes janë të sëmurë.

Sipas mjekëve, nëse një anëtar i familjes preket nga një sëmundje infektive, të tjerët do të infektohen pas tij/saj.

Përpos infektimit të banorëve, edhe shtëpia mund të mbushet me viruse e baktere duke sfiduar kështu shëndetin e të gjithëve.

Megjithatë, ekspertët listojnë disa strategji të thjeshta në zbatim për të ulur sa më shumë rrezikun ndaj një infeksioni.

Kufizoni Sa Më Shumë Kontaktet Me Të Sëmurin

Nëse është e mundur, përpiquni të kufizoni sa më shumë kontaktin fizik me të sëmurin, sidomos nëse ai/ajo tështin e kollitet gjatë gjithë kohës.

Gjithashtu, shmangni kontaktin edhe me çdo mjet apo pajisje që preket nga i sëmuri.

Anëtarët e tjerë të familjes duhet të tregojnë kujdes të shtuar ndaj përdorimit të peshqirëve, gotave, pjatave e çarçafëve.

Nëse është e mundur, përpiquni të mos ndani të njëjtin shtrat me të sëmurin.

Mbani Maskë Dhe Lani Duart

Nëse qëndroni në një shtëpi me një të sëmurë me COVID-19, sigurohuni që ai/ajo por edhe ju të mbani maskë edhe brenda shtëpisë.

Sa i përket përdorimit të banjës, përpiquni që ky ambient të jetë sa më i ajrosur dhe i disinfektuar.

Sigurohuni të lani duart para dhe pas përdorimit të banjës dhe mbani mbyllur gjithmonë kapakun e ËC-së.

Nëse i sëmuri ka shkuar në banjë, prisni dhe mos u fusni menjëherë  dhe sigurohuni që ai/ajo ka larë duart për mbi 20 sekonda.

Pastroni Rregullisht Shtëpinë

Bakteret dhe viruset përhapen shumë shpejt, sidomos nëse i sëmuri tështin dhe kollitet shpesh.

Virusi qëndron në sipërfaqe për disa orë dhe prekja e sipërfaqeve të ndotura është e paevitueshme.

Për këtë arsye shtëpia duhet pastruar dhe disinfektuar rregullisht veçanërisht:

  • Dorezat e dyerve dhe dritareve
  • Banaku i kuzhinës
  • Rubineti i ujit
  • Çelësi i dritës
  • Frigoriferi
  • Banja

Lajini këto ambiente me ujë dhe sapun dhe më pas përdorni alkol për disinfektim.

Ajrosja e Shtëpisë

Ajrosja e shtëpisë është strategjia më e lehtë për pastrimin e ajrit nga stërklat e ndotura të lëshuara gjatë kollitjes apo tështimës.

Nëse koha e mundëson hapni dyer e dritare dhe lejoni ajrin të qarkullojë në të gjithë shtëpinë.

Përpos ajrosjes, mund të përdorni edhe pajisje që mundëson më shumë lagështi në ajër.

Frymëmarrja është më e mirë kur ajri nuk është i thatë sepse ky i fundit përthan rrugët e frymëmarrjes dhe i bën ato më të brishta ndaj viruseve.

Sipas ekspertëve, viruset kanë një nivel të lartë mbijetese në ambient me nivel të ulët lagështie.

Kur ajri është i thatë, stërklat nuk avullojnë shpejt por qëndrojnë në ajër më gjatë dhe kështu rritet predispozita e infeksionit të anëtarëve të tjerë të familjes.

Hapa të tjerë të rëndësishëm janë kryerja e vaksinës anti-grip, përdorimi i matur i suplementëve të vitaminës C , zinkut dhe D-së, gjumi i mirë si dhe kujdesi për shëndetin mendor./AgroWeb.org

Vaksina e kompanisë Moderna, 94.5% e efektshme në parandalimin e COVID-19

Kompania farmaceutike Moderna tha të hënën se vaksina e saj eksperimentale ka një nivel efektiviteti prej 94.5% në parandalimin e COVID-19, bazuar në të dhënat paraprake të një prove klinike në fazën e avancuar. Moderna është kompania e dytë amerikane që raporton brenda një jave rezultate që tejkalojnë pritshmëritë për efektivitetin e vaksinës.

Së bashku me vaksinën e kompanisë Pfizer, gjithashtu me një nivel efektshmërie mbi 90% dhe në pritje të më shumë të dhënave për sigurinë, Shtetet e Bashkuara mund të kenë dy vaksina të autorizuara për përdorim emergjent në dhjetor, me deri në 60 milionë doza të disponueshme nga fundi i vitit. Vitin e ardhshëm, qeveria amerikane mund të ketë më shumë se 1 miliard doza vetëm nga dy prodhuesit e vaksinave, më shumë sesa nevojitet për 330 milionë banorët e vendit.

Vaksinat, të dyja të prodhuara duke përdorur një teknologji të re, që shfrytëzon acidin ribonukleik (ARN), janë mjete të reja të fuqishme për të luftuar një pandemi që ka infektuar 54 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka shkaktuar vdekjen e 1.3 milionë njerëzve. Lajmi vjen gjithashtu në kohën kur rastet me COVID-19 janë duke u rritur, me shifra rekord në Shtetet e Bashkuara, duke i detyruar disa vende evropiane përsëri në bllokime.

zëri i amerikës

”Dita e madhe”, vaksina e Pfizer ndaj COVID-19 ofron 90% mbrojtje, planifikohet aplikimi për miratim emergjent

Vaksina e parë e koronavirusit mund të parandalojë më shumë se 90% të njerëzve që të preken nga Covid-19, tregon një analizë paraprake sipas rrjetit britanik BBC.

Zhvilluesit e saj, kompania Pfizer me qendër në Nju jork dhe BioNTech me qendër në Gjermani e përshkruan atë si një “ditë të madhe për shkencën dhe njerëzimin”.

Vaksina e tyre është testuar në 43,500 njerëz në gjashtë vende dhe nuk janë ngritur shqetësime për sigurinë. Dy kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratim emergjent për të përdorur vaksinën deri në fund të muajit.

Një vaksinë – krahas trajtimeve më të mira – shihet si mënyra më e mirë për të dalë nga kufizimet që janë vendosur në të gjithë botën.

Janë rreth një duzinë në fazat e fundit të testimit, por ky është i pari që tregon ndonjë rezultat. Ai përdor një qasje plotësisht eksperimentale – që përfshin injektimin e një pjese të kodit gjenetik të virusit – në mënyrë që të trajnojë sistemin imunitar.

Nevojiten dy doza, me tre javë ndarje. Provat – në SH.B.A, Gjermani, Brazil, Argjentinë, Afrikë të Jugut dhe Turqi – tregojnë se mbrojtja prej 90% arrihet shtatë ditë pas dozës së dytë.

Pfizer beson se do të jetë në gjendje të furnizojë 50 milion doza deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliardë deri në fund të 2021.

Sidoqoftë, ekzistojnë sfida logjistike pasi vaksina duhet të mbahet në depo ultra të ftohtë nën minus 80C. Dr Albert Bourla, drejtor i Pfizer, tha: “Ne jemi një hap i rëndësishëm më pranë sigurimit të njerëzve në të gjithë botën me një përparim shumë të nevojshëm për të ndihmuar në dhënien fund të kësaj krize globale shëndetësore.”

Prof Ugur Sahin, një nga themeluesit e BioNTech, i përshkroi rezultatet si një “moment historik”. Britania e Madhe tashmë ka porositur 30 milion doza.

Australi, fillon prodhimi i vaksinave kundër koronavirusit

Kompania globale e bioteknologjisë CSL do të fillojë prodhimin e një vaksine kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Melbourne para përfundimit të provave të fazës së tretë, transemton Anadolu Agency (AA).

Zyrtari Kryesor Shkencor i firmës, Andrew Nash tha për ABC News se kompania “shpreson që do të paguhet basti për prodhimin e vaksinën Oxford-AstraZeneca para aprovimit”.

Rezultatet e provave të fazës së tretë të vaksinës priten deri në fund të këtij viti.

“Nëse prova klinike është pozitive me rezultatin që ne po kërkojmë, vaksina do të jetë në dispozicion në kohë të shkurtër për shpërndarje publike”, tha Nash, duke shtuar se “jemi përpara kohës”.

Australia nënshkroi një marrëveshje furnizimi dhe prodhimi prej 1,7 miliardë dollarësh me zhvilluesit e vaksinave dhe ka premtuar ta shpërndajë atë pa kosto në mesin e qytetarëve.

Qeveria e udhëhequr nga Scott Morrison njoftoi më herët se qytetarët do të marrin vaksinimin falas që nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Australia ka raportuar 27.665 raste të koronavirusit, përfshirë 970 raste të vdekjes.

Imunologu Genc Sulçebe: Shqipëria nuk e përballon dot COVID-19, izolimi rruga e vetme

Mjeku Genc Sulçebe thotë se Shqipëria duhet të rikthehet karantinës, qoftë edhe pjesërisht, pasi nuk ka kapacitete spitalore dhe kur Europa po futet në karantinë totale, ai e sheh si absurditet faktin që vazhdojmë të qëndrojmë indiferent.

Mjeku shprehu habi edhe për disa masa të fundit absurde, si maska, që në lokal hiqe, dhe në rrugë mbahet me detyrim.

Sipas imunologut të njohur Genc Sulçebe, personat me grup gjaku A janë më të rrezikuar, ndërsa grupi Zero është më i mbrojtur.

Ditët e fundit është vënë re një shtim i rasteve me Covid, por edhe i viktimave. Sipas imunologut Genc Sulçebe kjo ishte e pritshme, por ai rekomandoi se duhet të ketë një izolim të pjesshëm.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Genc Sulçebe tha se Shqipëria nuk ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar një fluks të madh të pacientëve me Covid.

Ju jeni për një izolim të pjesshëm, – u pyet mjeku.

“Po sigurisht, sepse ndryshe nuk e parandalojmë dot. Nuk kemi kapacitete spitalore. Kjo është e nevojshme dhe e gjithë Evropa po e përjeton këtë situatë dhe po merr këto masa” – tha ai.

“Më vjen keq shumë për këto biznese, por për një farë kohë duhen mbyllur të gjitha kafenetë. Mund të lejohem vetën në ambiente të hapura dhe në asnjë mënyrë pa maskë”, – u shpreh Sulçebe.

Imunolgu tha se është skandaloz fakti që maska mbahet jashtë dhe hiqet sapo hyn në lokal.

“Mbajtja e maskës është gjë shumë pozitive, por paradoksalë dhe skandaloze është kur ti e heq maskën kur futesh brenda. Brenda është rrezikuar më i madh. Të kesh maskën rrugës dhe të futësh në lokal dhe ta heqësh është paradoksale dhe e rrezikshme madje”, – tha mjeku Sulçebe.

Britania fillon një rishikim të përshpejtuar të vaksinës së AstraZenekës për COVID-19

Marrë nga Reuters

Kompania AstraZeneca tha të dielën se rregullatori shëndetësor i Britanisë kishte filluar një rishikim të përshpejtuar të vaksinës së saj të mundshme të koronavirusit.

“Ne konfirmojmë rishikimin nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) të vaksinës sonë të mundshme COVID-19”, tha një zëdhënës i kompanisë AstraZeneca.

Në këtë proces, rregullatorët janë në gjendje të shohin të dhënat klinike në kohë reale dhe të dialogojnë me prodhuesit e ilaçeve mbi proceset e prodhimit dhe provat për të përshpejtuar procesin e miratimit.

Qasja është krijuar për të shpejtuar vlerësimet e barnave ose vaksinave premtuese gjatë një emergjence të shëndetit publik.

Vaksina COVID-19 e kompanisë AstraZeneca po zhvillohet në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Agjencia e lajmeve Bloomberg raportoi të premten se MHRA kishte filluar gjithashtu një rishikim të përshpejtuar për kandidatin e vaksinës COVID-19 nga kompania Pfizer Inc.

AstraZeneca dhe Pfizer janë ndër kryesuesit në garën për të prodhuar një vaksinë për koronavirusin. Në garë gjithashtu janë të përfshirë kompanitë Johnson & Johnson dhe Moderna Inc. Kandidatët e tyre të vaksinës janë në prova të fazës së avancuar, të dhëna e pjesëshme nga të cilat priten në javët e ardhshme.

Prodhuesi britanik i ilaçeve tha të hënën se vaksina e saj eksperimentale prodhon një përgjigje pozitive të imunitetit si tek të rriturit ashtu edhe të moshuarit. Sipas kompanisë AstraZeneca, vaksina gjithashtu shkakton përgjigje më të ulëta negative tek të moshuarit.

Koronavirusi i ri u ka marrë jetën më shumë se 1.19 milionë njerëzve në të gjithë botën, ka dëmtuar ekonominë botërore dhe ka tronditur jetën normale për miliarda njerëz.

Puna për vaksinën e Oksfordit filloi në janar. E quajtur AZD1222 ose ChAdOx1 nCoV-19, vaksina vektoriale virale përdor një variant të dobësuar të një virusi të ftohjes tek shimpanzetë, i cili kodifikon udhëzimet për krijimin e proteinave nga COVID-19 për të ndërtuar imunitetin kundër koronavirusit.

zëri i amerikës

AstraZeneca, vaksina nxit reagim të fortë të imunitetit tek të moshuarit

Vaksina për Covid-19 që po krijohet nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca ka arritur të prodhojë një përgjigje të fortë imune tek njerëzit e moshuar, grupi në rrezik më të lartë nga koronavirusi, tha të hënën gazeta “Financial Times”. Gazeta citon rezultatet paraprake të provave klinike me këtë vaksinë të mundshme.

Vaksina shkakton reagimin e antitrupave mbrojtës dhe qelizave T tek më të moshuarit, tha gazeta “Financial Times”, duke cituar dy njerëz që kanë dijeni për rezultatet. Ky zhvillim ka inkurajuar studiuesit që janë në kërkim të provave të cilat tregojnë se vaksina do të ndihmonte të moshuarit nga infektimi apo vdekja me koronavirusin.

Hollësitë pritet të publikohen së shpejti në një revistë mjekësore, thuhet në njoftimin e gazetës “Financial Times”.

Zbulimet i bëjnë jehonë të dhënave të publikuara në korrik, të cilat treguan se vaksina krijoi “përgjigje të forta imune” në një grup të rriturish të shëndetshëm mes moshës 18 dhe 55 vjeçare, raportoi gazeta, duke cituar njerëz që kanë njohuri për rezultatet nga të ashtuquajturat teste imunogjeniteti të gjakut.

Por gazeta paralajmëroi se rezultatet pozitive të imunogjenitetit nuk garantojnë që vaksina do të jetë e sigurt dhe efektive për të moshuarit.

Kompania AstraZeneca, e cila po krijon vaksinën me studiuesit e Universitetit të Oxfordit, shihet si një nga udhëheqësit në garën për të prodhuar një vaksinë kundër Covid-19.

Një nga kandidatët kryesorë në botë për vaksinat e koronavirusit, i quajtur AZD1222 ose ChAdOx1 nCoV-19, u krijua nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit dhe u liçencua nga kompania AstraZeneca në prill, e cila mori përsipër detyrën e zgjerimit të provave dhe prodhimit të vaksinës.

AstraZeneca rifilloi provat klinike në Shtetet e Bashkuara për vaksinën eksperimentale pas miratimit që mori nga rregullatorët amerikanë, tha kompania të premten.

Kjo vaksinë vektoriale virale përdor një version të dobësuar të një virusi të ftohjes tek shimpanzetë i cili kodifikon udhëzimet për krijimin e proteinave nga Covid-19 për të ndërtuar imunitetin kundër koronavirusit.

zëri i amerikës


Send this to a friend