VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ekonomia e Britanisë zyrtarisht në recesion

By | August 12, 2020

Komentet

Konflikti Armeni-Azerbajxhan ka rrënjë të thella

JEYHUN ALIYEV

Përshkallëzimi i përplasjeve ndërkufitare përgjatë kufirit Armeni-Azerbajxhan është ringjallja e fundit e një konflikti të gjatë midis dy vendeve ish-sovjetike, shkruan Anadolu Agency (AA).

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit, duke përfshirë edhe Malësinë e Karabakut, ka mbetur nën okupimin e paligjshëm nga Armenia për afro tre dekada.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si dhe vendime nga shumë organizata ndërkombëtare i referohen këtij fakti dhe kërkojnë tërheqjen e forcave okupuese të Armenisë nga Malësia e Karabakut dhe shtatë rajonet fqinje të okupuara të Azerbajxhanit.

Rajoni i okupuar i Malësisë së Karabakut përfshin qytetet Shusha, Hankendi, Hoxhali, Asgaran, Hojavand, Aghdara dhe Hadrut.

Shtatë rajonet e tjera të okupuara të Azerbajxhanit janë përreth zonës së Malësisë së Karabakut, duke përfshirë Lachin, Kalbajar, Aghdam, Fuzuli, Jabrayil, Qubadli dhe Zangilan.

Gjatë konfliktit të Malësisë së Karabakut, mbi një milion azerbajxhanas u detyruan të zhvendosen brenda vendit, ndërsa 20 mijë u martirizuan në operacione ushtarake dhe 50 mijë u plagosën dhe mbetën invalidë, sipas shifrave zyrtare të Azerbajxhanit.

Të paktën 4 mijë azerbajxhanas u zhdukën gjatë konfliktit, kurse fati i tyre mbetet i panjohur. Më shumë se 2 mijë azerbajxhanas u kapën dhe u morën peng nga forcat armene.

Në vitin 1923, qeveria sovjetike themeloi “Autonom Oblast” (Rajon Autonom) të Malësisës së Karabakut (NKAO), me një sipërfaqe totale prej 4.400 kilometra katrorë në pjesën malore të Karabakut, duke hedhur themelin e tendencave separatiste në atë rajon.

Në fillimin e viteve 1980, armenët në udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik së bashku me udhëheqësit e Armenisë Sovjetike dhe diasporës së saj jashtë vendit shfrytëzuan dobësimin e qeverisë qendrore të BRSS për të filluar fushatën për aneksimin e Rajonit Autonom nën Armeni.

Konflikti Armeni-Azerbajxhan, rreth Malësisë së Karabakut shpërtheu me pretendimet e hapura territoriale të armenëve për tokat historike të Azerbajxhanit, si dhe provokimet etnike në vitin 1988.

Nga viti 1987 deri në 1989, mbi 250 mijë azerbajxhanas u dëbuan nga tokat e tyre historike në Armeni, ndërsa 216 prej tyre u vranë barbarisht dhe 1.154 të tjerë u plagosën.

Në seancën e 20 shkurtit të vitit 1988 të deputetëve popullorë sovjetik të rajonit autonom të Malësisës së Karabakut, anëtarët e komunitetit armen të rajonit miratuan një rezolutë për të apeluar tek organi legjislativ Sovjetik i Lartë të Azerbajxhanit SSR dhe Republikën Sovjetike Socialiste Sovjetike të Armenisë (SSR Armene, ose Armenia Sovjetike) për të aneksuar NKAO nën RSS të Armenisë.

Më 22 shkurt 1988, armenët hapën zjarr në një demonstratë paqësore të organizuar nga azerbajxhanasit afër qytetit Asgaran për të protestuar kundër kësaj rezolute, në të cilën mbetën të vrarë dy azerbajxhanas.

Më 1 dhjetor 1989, organi legjislativ i lartë Sovjetik SSR i Armenisë miratoi rezolutën e paprecedentë: “Për bashkimin e SSR-së Armene dhe Malësia e Karabakut”.

Më 10 janar 1990, Presidiumi i legjislativit të Lartë Sovjetik të BRSS-së miratoi rezolutën: “Për mospërputhshmëri me Kushtetutën e BRSS të akteve për Malësinë e Karabakut të miratuara nga organi legjislativ i lartë Sovjetik i RSS të Armenisë më 1 dhjetor 1989 dhe 9 janar 1990”. Rezoluta e përshkroi si të paligjshme kërkesën e RSS të Armenisë për bashkimin e SSR të Armenisë dhe Malësisë së Karabakut, duke vënë në dukje se një akt i tillë mund të vinte vetëm me pëlqimin e SSR të Azerbajxhanit.

Më 30 gusht 1991, legjislativi i Lartë Sovjetik i Azerbajxhanit shpalli rivendosjen e pavarësisë së shtetit, e cila u fitua për herë të parë në vitin 1918.

Më 18 tetor, vendi miratoi Aktin Kushtetues: “Për Pavarësinë e Shtetit të Republikës së Azerbajxhanit”.

Më 26 nëntor 1991, organi legjislativi i Lartë Sovjetik i Republikës së Azerbajxhanit miratoi Ligjin “Për heqjen e Rajonit Autonom të Malësisë së Karabakut të Republikës së Azerbajxhanit”.

Në fund të vitit 1991 deri në fillim të vitit 1992, konflikti hyri në fazën ushtarake.

Gjatë asaj kohe, duke shfrytëzuar shembjen e Bashkimit Sovjetik dhe paqëndrueshmërinë politike në Azerbajxhan të shkaktuar nga trazira të brendshme, Armenia filloi operacionet ushtarake në Malësinë e Karabakut me mbështetjen e jashtme ushtarake.

Më 26 shkurt 1992, forcat armene kryen masakrën e njohur si gjenocidi i Hoxhali mbi popullatën etnike azerbajxhanase të qytetit Hoxhali (Khojaly).

Gjatë ofensivës dy orëshe armene, 613 shtetas azerbajxhanas duke përfshirë 106 gra, 63 fëmijë dhe 70 të moshuar u vranë dhe 487 të tjerë u plagosën rëndë, sipas statistikave të Azerbajxhanit. Tetë familje u zhdukën plotësisht, ndërsa 130 fëmijë humbën një prind dhe 25 fëmijë humbën të dy prindërit.

Në maj 1992, forcat separatiste armene pushtuan qytetet Shusha dhe Lachin.

Në vitin 1993, Forcat e Armatosura armene morën edhe gjashtë qarqe të tjera azerbajxhanase përreth Malësisë së Karabakut, përfshirë Kalbajar, Aghdam, Fuzuli, Jabrayil, Qubadli dhe Zangilan.

Më 30 prill 1993, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 822, e cila kërkonte tërheqjen e menjëhershme të të gjitha forcave okupuese nga rrethi Kalbajar dhe zonat e tjera të okupuara të Azerbajxhanit.

Këshilli i Sigurimit i quajti si “alarmante përshkallëzimin e luftimeve të armatosura dhe, në veçanti, pushtimin e fundit të qarkut Kalbajar të Republikës së Azerbajxhanit nga forcat vendase armene”, thuhet në rezolutë.

Më 29 korrik 1993, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 853 e cila kërkonte “tërheqjen e menjëhershme të plotë dhe të pakushtëzuar të forcave pushtuese” nga qarku Aghdam dhe të gjitha zonat e tjera të okupuara së fundmi në Azerbajxhan.

Më 14 tetor 1993, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 874 që bën thirrje për zbatimin e menjëhershëm të hapave reciprok dhe urgjent të parashikuar në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE) të Grupit Minsk, përfshirë tërheqjen e forcave nga territoret e pushtuara kohët e fundit.

Më 11 nëntor 1993, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 884 e cila dënonte shkeljet e fundit të armëpushimit të vendosura midis palëve që rezultuan në një rifillim të armiqësive dhe “veçanërisht dënoi pushtimin e qarkut Zangilan dhe qytetit Horadiz, sulmet mbi civilët dhe bombardimet në territorin e Republikës së Azerbajxhanit”.

Rezoluta gjithashtu kërkoi “tërheqjen e njëanshme të forcave okupuese nga qarku Zangilan dhe qyteti Horadiz dhe tërheqjen e forcave okupuese nga zonat e tjera të okupuara kohët e fundit të Republikës së Azerbajxhanit”.

Në shkurt 1992, procesi i ndërmjetësimit për konfliktin Armeni-Azerbajxhan rreth Malësisë së Karabakut u nis si pjesë e KSBE-së.

Më 24 mars 1992, Komiteti i Zyrtarëve të Lartë thirri Takimin Shtesë të Këshillit të KSBE-së në Helsinki, ku Këshilli vendosi të thërriste një konferencë të veçantë në Minsk që do të vepronte si një kornizë e përhershme për negociatat për të gjetur “zgjidhje sa më të shpejtë të mundshme paqësore të konfliktit” në përputhje me parimet, angazhimet dhe dispozitat e KSBE-së.

Më 12 maj 1994, palët shpallën një armëpushim.

Më 5 dhe 6 dhjetor 1994, në Samitin e KSBE-së të Budapestit, krerët e shteteve dhe qeverive të shteteve pjesëmarrëse të KSBE-së ngritën institucionin e bashkë-kryesimit të Konferencës së Minskut në mënyrë që të koordinojnë të gjitha përpjekjet e ndërmjetësimit brenda kornizës së KSBE-së.

Samiti i Budapestit ngarkoi kryetarin e zyrës së KSBE për kryerjen e negociatave që synojnë arritjen e një marrëveshje politike mbi ndërprerjen e konfliktit të armatosur, eliminimin e pasojave të konfliktit dhe lejimin e thirrjes së Konferencës së Minskut.

Grupi i Minskut numëron 17 anëtarë duke përfshirë Turqinë. Por vetëm tre, Franca, Rusia dhe SHBA, mbajnë pozicione bashkëkryesuese. Megjithatë, bashkë-kryetarët nuk janë angazhuar shumë seriozisht për t’i dhënë fund pushtimit.

Më 23 mars 1995, kryetari i zyrës së Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) lëshoi një mandat për bashkë-kryesusesit e Procesit të Minskut.

Më 2 dhe 3 dhjetor 1996, në Samitin e Lisbonës të OSBE-së, bashkë-kryesusit e Grupit të Minskut të OSBE-së dhe kryetari i përgjithshëm i OSBE-së rekomanduan parimet që duhet të jenë baza për zgjidhjen e konfliktit të Malësisë së Karabakut.

Megjithatë, Armenia nuk i pranoi ato parime dhe ishte i vetmi vend nga 54 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së që nuk i mbështeti ato.

Më 14 mars 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë e cila mbulonte aspektet juridike, politike dhe humanitare të konfliktit dhe riafirmoi parimet e zgjidhjes.

Këto parime riafirmuan integritetin territorial të Azerbajxhanit, shprehën mbështetje për kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të vendit dhe kërkuan tërheqjen e menjëhershme të të gjitha forcave armene nga të gjitha territoret e okupuara, rikonfirmuan të drejtën e patjetërsueshme të popullsisë azerbajxhanase për t’u kthyer në shtëpitë e tyre dhe riafirmoi se asnjë shtet nuk duhet të njohë si të ligjshme situatën që rezulton nga pushtimi i territoreve të Azerbajxhanit ose të japë ndihmë në ruajtjen e asaj situate.

BE gjithashtu bëri thirrje për zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tërheqjen e ushtrisë armene nga territoret e okupuara të Azerbajxhanit, respektimin e integritetit territorial dhe kufijve të njohur ndërkombëtarisht të palëve dhe dhënien fund të situatave të ndërkombëtare të paligjshme dhe të detyruara.

Deklarata e Përbashkët e nënshkruar në Samitin e Partneritetit Lindor në Bruksel më 24 nëntor 2017, riafirmoi vendosmërinë e BE-së për të mbështetur integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e të gjithë partnerëve të saj.

Në prill të vitit 2016, Armenia edhe një herë bëri një provokim ushtarak, duke sulmuar zona të populluara të dendura të Azerbajxhanit përgjatë vijës së konfliktit, duke shkaktuar viktima.

Kush po lufton në Nagorni Karabak dhe pse është i rëndësishëm ky rajon?

Luftime të ashpra kanë nisur sërish ndërmjet Azerbajxhanit dhe enklavës së këtij shteti me etni armene, Nagorno Karabak, duke shënuar kështu shpërthim të rrezikshëm të konfliktit që po zgjat që më shumë se tri dekada.

Ku ndodhet dhe cila është rëndësia e Nagorno Karabakut?

Është vend malor, tokë kryesisht me pyje që ndodhet brenda territorit të ish-republikës sovjetike të Azerbajxhanit dhe ndërkombëtarisht është i njohur si pjesë e këtij shteti, shkruan agjencia Reuters.

Harta e rajonit të Nagorno Karabakut.

Harta e rajonit të Nagorno Karabakut.

Por armenët etnikë që përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë prej 150,000 banorësh, e kundërshtojnë sundimin e Azerbajxhanit. Më ndihmën e Armenisë, ata qeverisin vetë qysh kur trupat ushtarake azere u dëbuan nga ky territor në luftën e viteve të 90-ta. Një armëpushim ishte arritur në vitin 1994, por të paktën 200 njerëz u vranë në shpërthimin e dhunës në vitin 2016. Rajoni i Nagorno Karabakut mbijeton pothuajse plotësisht nga mbështetja buxhetore nga Armenia dhe donacionet nga diaspora armene.

Pse kanë nisur luftimet tani?

Tensionet ndërmjet dy palëve janë rritur vazhdimisht gjatë verës duke rezultuar me luftime direkte të dielën, më 27 shtator. Koha e fillimit të këtyre luftimeve është e rëndësishme sepse fuqitë e jashtme që kanë ndërmjetësuar në të kaluarën, veçanërisht Rusia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara janë të shpërqendruara nga pandemia e COVID-19, zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA dhe një listë e gjatë e krizave tjera botërore, nga Libani e deri në Bjellorusi.

Luftime të intensitetit më të ulët në korrik nxitën vetëm përgjigje të heshtur ndërkombëtare. Turqia, e cila zhvilloi ushtrime masive ushtarake në Azerbajxhan në korrik dhe gusht, ka qenë edhe më e zëshme në mbështetje, krahasuar me krizat e mëparshme. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha të hënën se Ankaraja do të qëndrojë përkrahë Azerbajxhanit “me të gjitha mjetet dhe me zemër”. Ai nuk tha direkt nëse Ankaraja po e furnizon ushtrinë azere me ekspertë, drona dhe aeroplanë ushtarakë, ashtu siç po dyshon Armenia, e gjë te cilën e mohon Azerbajxhani.

Cilat janë rreziqet?

Luftërat e mëhershme dhe shpërthimet sporadike të dhunës, kanë vrarë të paktën 30,000 njerëz që nga viti 1988. Dhjetëra të tjerë janë vrarë dhe qindra janë plagosur në shpërthimin e ri të konfliktit.

Olesya Vartanyan, analist i Grupit të Krizave tha se e hëna ka shënuar rritje të vendosjes së armatimit të rëndë, duke përfshirë raketat dhe artilerinë, gjë që paraqet rrezik më të madh për viktima civile, dhe që e bën më të vështirë që të dyja palët të tërhiqen nga përshkallëzimi në luftë të plotë.

Kjo do të mund të ndikonte në përfshirjen e fuqive të tjera si Turqisë dhe Rusisë, gjë që do të destabilizonte rajonin e Kaukazit Jugor, një korridor i rëndësishëm për tubacionet që bartin gaz dhe derivate të naftës.

Çfarë do të mund të ndalonte luftimet?

Shumë shtete, duke përfshirë Rusinë dhe Kinën kanë bërë thirrje për ndërprerje të armiqësive, por deri më tash, këto thirrje nuk kanë pasur ndikim të dukshëm. Mund të thuhet se potencialisht, Rusia e mban çelësin: Ka marrëveshje të mbrojtjes me Armeninë dhe një bazë ushtarake atje, por njëkohësisht ka raporte të mira me Azerbajxhanin dhe nuk ka interes në zgjerimin e konfliktit.

Nëse diplomacia ruse arrin të dalë e suksesshme, Moska do të përfitonte mjaft për përfundimin e luftimeve, në kohën kur është nën kritika të ashpra në frontet e tjera, duke përfshirë mbështetjen për presidentin bjellorus Alyaksandr Lukashenka pas zgjedhjeve të kontestuara. Moska po ashtu po kritikohet edhe për helmimin e politikanit opozitar rus, Alexei Navalny në Siberi, muajin e kaluar, për të cilin Gjermania thotë se u helmua me një agjent nervor.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka biseduar në telefon të dielën me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinian, por nuk është e qartë nëse ai ka tentuar që të flasë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Përgatiti: Shkumbin Ahmetxhekaj

Azerbajxhani dhe Armenia vazhdojnë luftimet, bota apelon për armëpushim

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtarë për vetëpërmbajtje, Armenia dhe Azerbajxhani kanë vazhduar për të dytën ditë me radhë luftime të ashpra, për shkak të rajonit të kontestuar të Nagorno Karabakut.

Jerevani raportohet se ka vazhduar luftimet edhe gjatë natës të së dielës, ndërkaq autoritetet në Baku kanë thënë se forcat armene kanë granatuar qytetin Tartar.

Autoritetet në Nagorno Karabak, një enklavë separatiste armene në brendi të Azerbajxhanit, thanë të hënën se 32 luftëtarë të tyre u vranë në luftimet e së dielës me forcat e Azerbajxhanit.

Ministria e Mbrojtjes së Armenisë, përmes një komunikate tha se “luftimet intensive vazhduan gjatë natës”.

Ndërkaq, përmes një njoftimi për media, Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha se “forcat armene kanë granatuar qytetin Tartar”, që ndodhet ngjitur me Nagorno Karabakun.

Konflikti shumëvjeçar në Kaukazin Jugor shpërtheu në luftimet më vdekjeprurëse në katër vjet, duke kërcënuar kështu përfshirjen në konflikt të fuqive rajonale: Rusisë dhe Turqisë.

Të dyja palët, në ditën e parë të luftimeve kanë përdorur helikopterë, dronë, tanke dhe artileri të rëndë.

Nagorno Karabaku përgjatë periudhave të ndryshme kohore ka përjetuar përleshje kufitare përgjatë të ashtuquajturës ‘Linjës së Kontaktit’ që i ndan forcat armene dhe azere nga zona e frontit, në konfliktin më të gjatë të Evropës.

Në korrik, në një ditë luftimesh, ku u përdorën edhe dronët dhe artileria e rëndë, u vranë 17 persona, kryesisht ushtarë të të dyja vendeve dhe një civil.

Harta e Nagorno Karabakut.

Harta e Nagorno Karabakut.

Por, dhuna që nisi të dielën, duket më shumë se vetëm një zemërim i çastit, pasi zyrtarët armenë dhe azerë e përshkruan atë si luftë, duke e akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e ofensivës.

“Ne jemi në prag të një lufte të plotë në Kaukazin Jugor”, paralajmëroi kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, duke akuzuar Azerbajxhanin për zbatimin e një plani të parapërgatitur për agresion.

Armenia dhe Nagorno Karabaku kanë shpallur gjendje lufte dhe mobilizimin e plotë të burrave, në përgjigjeje të, siç thonë, sulmeve të Azerbajxhanit në këtë enklavë, duke përfshirë edhe kryeqytetin rajonal, Stepanakert.

Azerbajxhani që po ashtu shpalli gjendje lufte dhe shtetrrethimin, tha se kanë nisur operacionin ushtarak në përgjigjeje të granatimeve përgjatë ‘Linjës së Kontaktit’. Zyrtarët thanë se kanë marrë kontrollin e shtatë fshatrave.

Nagorno Karabaku fillimisht e mohoi këtë lajm, por më vonë, lideri de fakto i këtij rajoni, Arayik Harutiunian, pranoi humbjen e pozicioneve afër Talish dhe në jug. Ai u zotua për rimarrjen e territoreve të humbura.

Autoritetet në Nagorno Karabak thanë se në mesin e 32 të vrarëve të dielën, dy prej tyre ishin civilë, ndërkaq më shumë se 100 të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve. Azerbajxhani ka thënë se pesë anëtarë të një familjeje u vranë nga granatimet e forcave ushtarake armene.

Pala armene thotë se i ka shkaktuar humbje të mëdha Azerbajxhanit duke përfshirë këtu shkatërrimin e dhjetëra tankeve si dhe rrëzimin e helikopterëve dhe dronëve. Por, Azerbajxhani i hedh poshtë këto pretendime.

Pamje të publikuara nga Azerbajxhani ku thotë se ka shkatërruar sisteme anti-raketore të Armenisë.

Pamje të publikuara nga Azerbajxhani ku thotë se ka shkatërruar sisteme anti-raketore të Armenisë.

Ashtu si edhe në periudhat e mëhershme të dhunës, duket se të dyja palët po i ekzagjerojnë dëmet ushtarake ndaj njëra-tjetërs dhe po përfshihen në një luftë informative, me qëllim propagandën.

Përshkallëzimi i dhunës nxiti reagim të shpejtë nga shtetet evropiane, Rusisë, Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe të tjerëve, të cilët i bënë thirrje palëve që të ndalojnë armiqësitë menjëherë dhe të nisin dialogun.

Turqia, si fuqi rajonale, në mënyrë të hapur shprehu mbështetje të plotë për Azerbajxhanin ‘vëlla’.

“Duke shtuar sulmet kundër Azerbajxhanit, Armenia edhe njëherë po dëshmon se është kërcënimi më i madh për paqen dhe qetësinë në rajon”, tha të dielën presidenti i Turqisë, tha dje Recep Tayyip Erdogan.

Kryeministri armen i bëri thirrje fuqive botërore që të parandalojnë Turqinë që të ndërhyjë në konflikt, në kohën kur pala armene dyshon se ushtria turke po e thellon përfshirjen e saj.

Në mes të muajit gusht, Turqia dhe Azerbajxhani përmbyllen dy javë të ushtrimeve të përbashkëta ushtarake, ajrore dhe tokësore, duke përfshirë edhe një në enklavën azere të Nakhchivan. Disa vrojtues kanë ngritur dyshimet nëse Turqia ka lënë prapa pajisje ushtarake apo ndoshta edhe njësi ushtarake.

Në ndërkohë, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë që monitoron luftën në Siri, raportoi më 27 shtator se rebelët sirianë që mbështeten nga Turqia, mund të dërgohen për të mbështetur Azerbajxhanin.

Lideri i Nagorno Karabakut, Harutiunian e akuzoi Turqinë për dërgimin e mercenarëve dhe aeroplanëve ushtarakë për të luftuar, duke pretenduar se tashmë “lufta ka tejkaluar kufizimin e konfliktit në vetëm ndërmjet Karabakut dhe Azerbajxhanit”.

Potenciali për përfshirjen e Turqisë në konflikt, po shikohet me kujdes nga Rusia, e cila është në anën e kundërt me vendet e NATO-s në konfliktet në Libi dhe Siri.

Rusia iu shet armë Azerbajxhanit dhe Armenisë, por ka një bazë ushtarake në Armeni dhe e favorizon këtë partneritet strategjik.

Konflikti në Nagorno Karabak nisi gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kur ky rajon dhe shtatë qarqe të tjera të Azerbajxhanit u morën nën kontroll nga separatistët e mbështetur nga Armenia. Ky rajon shpalli pavarësinë gjatë një konflikti që zgjati nga viti 1988 deri më 1994, ku u vranë të paktën 30 mijë njerëz dhe qindra mijëra të tjerë u zhvendosën.

Që nga armëpushimi i brishtë, i ndërmjetësuar nga Rusia më 1994, ky rajon ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene, që Azerbajxhani thotë se përfshijnë njësi ushtarake që janë sjell nga Armenia. Kërkesa për pavarësi e këtij rajoni, nuk është njohur nga asnjë shtet.

Përgatiti: Shkumbin Ahmetxhekaj

Shkon mbi 1 milion numri i të vdekurve nga koronavirusi në të gjithë botën

Ka shkuar mbi 1 milion numri i personave që kanë ndërruar jetë, për shkak të koronavirusit.

Saktësisht, deri tani kanë ndërruar jetë nga Covid-19, 1 000 202 njerëz.

Numri të infektuarve nga koronavirusi në glob ka shkuar në 33 177 416 individë.

Ndërsa, numri i të shëruarve nga Covid-19 në botë ka shkuar në 24 504 931 njerëz.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryeson listën, si shteti me më shumë të infektuar nga koronavirusi, me 7 294 032 njerëz.

Pas SHBA-ve vjen India, më pas Brazili, Rusia, Kolumbia, Peruja, Spanja, Meksika etj.

Fillimisht, pandemia “goditi” shtetet perëndimore, por pas marrjes së masave nga këta të fundit, koronavirusi gjeti përhapje të madhe në shtete me popullsi të madhe dhe të varfër. bw

Putini propozon marrëveshje me SHBA për të mos ndërhyrë në zgjedhjet e ndërsjellta

Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të shmangur ndërhyrjen në zgjedhje dhe çështje të tjera të brendshme të njëri-tjetrit.

 

Sipas një deklarate të Kremlinit të premten, Presidenti Putin foli për atë që ai e quajti “rrezik të një konfrontimi në shkallë të gjerë në sferën digjitale”.

 

Më herët këtë javë, Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, informoi anëtarët e Kongresit rreth atyre që tha se ishin përpjekje aktive nga Rusia, Kina, Irani dhe vendet e tjera për të sabotuar zgjedhjet amerikane të këtij viti që do të zhvillohen në nëntor.

 

Agjencitë amerikane të zbulimit kishin arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

 

Qeveritë e tjera perëndimore gjithashtu kanë akuzuar Rusinë për përdorimin e hakerëve dhe fushatave dizinformuese në mediat sociale për të minuar zgjedhjet e tyre. Rusia i ka mohuar akuzat.

 

Deklarata e Putinit, e cila u lexua nga Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov në një video të publikuar nga ministria, vjen mes akuzave të Kremlinit se vendet perëndimore po ndërmarrin një fushatë “dizinformimi” kundër Rusisë lidhur me helmimin në Siberi muajin e kaluar të udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny. zëri i amerikës

Egjipt, vazhdojnë protestat kundër regjimit të Sisit

Vazhdojnë protestat në qytetet Giza dhe Asyut të Egjiptit kundër regjimit të cilat filluan më 20 shtator si rezultat i thirrjes së bërë nga kontraktori opozitar egjiptian, Mohamed Ali që jeton në mërgim në Spanjë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas rrjeteve sociale dhe uebfaqeve të lajmeve opozitare të regjimit, thuhet se protestat kundër qeverisë së presidentit Abdel Fattah al-Sisi kanë vazhduar edhe mbrëmë në rajonin El-Iyad të qytetit Giza.

Në kuadër të protestave të emërtuara si “Kryengritja e shtatorit”, qindra persona dolën mbrëmë në rrugë në rajonin Kirdase në perëndim të kryeqytetit, Kajro. Protestuesit brohoritën me slogane “Sisi vrau fëmijët tuaj”, “Sisi ua prishi shtëpitë” dhe “Sisi ua shiti ujin”.

Protesta të ngjashme u organizuan edhe në qytetin Asyut në jug të vendit, të cilët mbajtën parulla kundër Sisit.

Në pamjet e filmuara me celularë të disa protestuesve në letër është shkruar “23 shtator 2020” ose kjo është shprehur për të theksuar datën e protestave.

Në Kajro dhe Giza, policia ka marrë masa intensive të sigurisë ndërsa në disa rajone është përdorur edhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Ndërkohë në median që përkrah regjimin egjiptian u bënë lajme se në vend mbizotëron më shumë qetësia se “njerëzit nuk iu kanë kushtuar vëmendje thirrjeve të Mohamed Ali” dhe u pretendua se pamjet në mediat sociale janë të vjetra.

Gjithashtu edhe vitin e kaluar në muajin shtator, kontraktori opozitar egjiptian, Mohamed Ali bëri thirrje për protesta kundër qeverisë Sisi dhe thirrjet e tij gjetën jehonë pjesërisht.

Në Egjipt përveç problemeve ekonomike, në kohën e fundit prishja e vendbanimeve për të cilat thuhet se janë të paligjshme, ishin ndër faktorët që rritën zemërimin e njerëzve.

Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny lirohet nga spitali

Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, është lëshuar nga spitali në Berlin, ku ai është trajtuar pasi u sëmur muajin e kaluar gjatë një fluturimi nga Siberia për në Moskë.

Ai më pas u dërgua në Berlin derisa ishte ende në koma.

“Gjendja e pacientit është përmirësuar mjaftueshëm duke mundësuar që ai të lirohet nga kujdesi spitalor”, tha spitali të mërkurën.

“Bazuar në përparimin e gjendjes së pacientit, mjekët besojnë se shërimi i plotë është i mundur. Megjithatë, mbetet shumë herët për të vlerësuar efektet e mundshme afatgjata të helmimit të tij të rëndë”, thuhet në njoftim.

Berlini thotë se testet në Gjermani, Francë dhe Suedi kanë përcaktuar që Navalny ishte helmuar me një agjent nervor Noviçok dhe Perëndimi ka kërkuar një shpjegim nga Rusia.

Moska ka thënë se është ende herët dëshmuar prova të një krimi dhe ka refuzuar të hapë një hetim deri më tani.

Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në këtë rast.

Më herët, presidenti francez, Emmanuel Macron ka kërkuar një shpjegim “të shpejtë ” nga Moska për helmimin e udhëheqësit rus të opozitës, Aleksei Navalny.

“Ne nuk do të tolerojmë përdorimin e armëve kimike në Evropë, në Rusi ose në Siri”, tha Macron ditën e parë të Asamblesë së 75-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe të tjerët tashmë kanë kërkuar që Rusia të japë përgjigje në këtë çështje.

Hapa të matur drejt marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit

Marrë nga Associated Press

Arabia Saudite, vendi më fuqishëm arab dhe strehë e vendeve të shenjta të besimit mysliman, e ka bërë të qartë qëndrimin e saj zyrtar mbi konfliktin më të gjatë në rajon: Lidhje të plota mes mbretërisë dhe Izraelit mund të ndodhin vetëm kur të arrihet paqja me palestinezët.

Megjithatë, media saudite e mbështetur nga shteti dhe klerikët po sinjalizojnë se ndryshimi tashmë po ndodh në lidhje me Izraelin – diçka që mund të ndodhë vetëm nën direktivat e trashëgimtarit të fuqishëm të vendit, Princit të Kurorës Mohammed bin Salman.

Mesazhet kundërthënëse rreth mundësisë së lidhjeve saudite me Izraelin reflektojnë atë që analistët dhe ata që kanë dijeni për dinamikën e brendshme, thonë se është ndarje mbi mënyrën se si princi 35 vjeçar dhe babai i tij 84 vjeçar, Mbreti Salman, i shohin interesat kombëtare.

“Nuk është sekret se ka një konflikt brezash”, tha rabini Marc Schneier me qendër në Nju Jork. Ai shërben si këshilltar për mbretin e Bahreinit dhe ka zhvilluar bisedime me Arabinë Saudite dhe vende të tjera të Gjirit për të nxitur lidhje më të forta me hebrenjtë dhe Izraelin.

Kryeqytetet e Gjirit gjithnjë e më shumë po e shohin Izraelin si vend aleat për t’u mbrojtur kundër rivalit të përbashkët, Iranit në mes të shqetësimeve të pashprehura publikisht në lidhje me drejtimin e politikës së jashtme amerikane dhe pasigurive rreth zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Por nuk është vetëm kundërvënia ndaj Iranit që i ka afruar Izraelin dhe shtetet arabe më pranë gjatë viteve të fundit.

Rabini tha se ish ambasadori saudit në Shtetet e Bashkuara, Princi Khalid bin Salman, i tha atij se përparësia kryesore e vëllait të tij, princit të kurorës, ishte reformimi i ekonomisë saudite.

“Ai tha pikërisht këto fjalë: ‘Ne nuk do të jemi në gjendje të kemi sukses pa Izraelin’. Prandaj, për sauditët nuk është pyetja nëse, por qëndron pyetja se kur. Nuk ka dyshim se ata do të vendosin marrëdhënie me Izraelin”, tha rabini Schneier.

Princi i shquar saudit Turki al-Faisal këmbëngul se, “çdo zë për një përçarje mes mbretit dhe princit të kurorës është thjesht spekulim”.

“Ne nuk kemi parë asgjë nga këto”,tha princi i cili ka shërbyer për vite me radhë në krye të zbulimit dhe për pak kohë ambasador në Shtetet e Bashkuara.

Analistët dhe vëzhguesit thonë se Arabia Saudite nuk ka gjasa të zyrtarizojë lidhjet me Izraelin për sa kohë që Mbreti Salman ka pushtetin. Ndërsa mbreti i ka dorëzuar djalit të tij drejtimin e përditshëm të çështjeve saudite, në disa raste ai ka ndërhyrë dhe madje ka lëshuar deklerata në mbështetje të palestinezëve.

Gjatë një telefonate me Presidentin Trump me 5 shtator, Mbreti Salman përsëriti angazhimin e tij ndaj Nismës Arabe të Paqes, sipas Agjencisë shtetërore të Shtypit Saudit. Nimsa i ofron Izraelit lidhje normale me shtetet arabe në këmbim të shtetit palestinez në territorin që Izraeli pushtoi në vitin 1967 – një marrëveshje që bie ndesh me planin e paqes së administratës së Presidentit Trump për paqen në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, princi i kurorës ka kundërshtuar traditën me një pohim të paparë. Princi Mohammed po ashtu është i etur të rivendosë lidhjet me Shtetet e Bashkuara pas vrasjes së kritikut saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018.

Kur Shtëpia e Bardhë njoftoi muajin e kaluar se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli ranë dakord që të vendosin marrëdhënie të plota dimplomatike – një lëvizje që u pasua edhe nga Bahreini disa javë më pas – Arabia Saudite u përmbajt nga kritikimi i marrëveshjes apo zhvillimi i takimeve për të dënuar vendimin, pavarësisht kërkesës palestineze për ta bërë një gjë të tillë.

Palestinezët e kanë kritikuar marrëveshjen si një “tradhëti ndaj Jeruzalemit, xhamisë Al-Aqsa dhe kauzës palestineze”, por media saudite e kontrolluar nga qeveria i përshëndeti marrëveshjet si historike dhe të mira për paqen rajonale.

Mbretëria po ashtu miratoi përdorimin e hapësirës ajrore saudite për fluturimet izraelite drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, një vendim i njoftuar ditën pasi Jared Kushner, dhëndri i zotit Trump dhe këshilltar i lartë i tij, u takua me Princin Mohammed në Riad. Zoti Kushner u ka kërkuar shteteve arabe që të normalizojnë lidhjet me Izraelin.

Princi Mohammed u citua nga revista Atlantic gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara në prill të vitit 2018 të ketë thënë se Izraeli është një ekonomi e madhe dhe “ka shumë interesa që ne ndajmë me Izraelin”. Ai tha se palestinezët dhe izraelitët kanë të drejtë në tokën e tyre, para se të shtonte se duhet të ketë një marrëveshje paqeje për të siguruar stabilitetin dhe për të pasur marrëdhënie normale.

Komentet e tij u interpretuan si mbështetje për vendosjen e lidhjeve të plota mes mbretërisë dhe Izraelit, e cila do të asgjesonte ato që kanë mbetur nga konsensusi arab, se njohja e Izraelit mund të vijë vetëm pas krijimit të një shteti palestinez.

Sinjali më tregues ishte njoftimi me 11 shtator se vendi i vogël ishullor i Bahreinit po vendoste lidhje me Izraelin. Analistët thonë se kjo nuk mund të kishte ndodhur pa miratimin saudit.

Kjo sugjeron në mënyrë të fortë se Arabia Saudite është e hapur rreth idesë për lidhje zyrtare me Izraelin, tha studiuesi Hussein Ibish me Institutin e Shteteve Arabe të Gjirit në Uashington.

“Më tregon se ata vetë janë të gatshëm që ta shikojnë këtë në të ardhmen, ndoshta”, tha ai. “Ekziston një ndjenjë se kjo mund të jetë një lëvizje shumë e mirë për Arabinë Saudite, por nuk duan që kjo të shihet si dobësi e sauditëve. Ata duan të sigurohen që kjo tregon një shprehje ose kontribues i fuqisë saudite.”

Princi Turki thotë se shtetet Arabe duhet të kërkojnë një çmim të lartë për normalizimin e lidhjeve me Izraelin Ai tha se Izraeli mbetet “pengesa në të gjitha këto përpjekje”.

“Pikëpamja ime është nëse citohet tani pozicioni saudit mbi palestinezët…do të shihje një mbështetje prej më shumë se 90% të popullsisë që mbështesin qëndrimin zyrtar të Arabisë Saudite se duhet të ketë një shtet palestinez me Jeruzalemin lindor si kryeqyter”, tha Princi Turki për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Gazetarja Raghida Dergham dhe bashkëkryetare me Princin Turki e samitit të Institutit të Bejrutit në Abu Dabi, tha se gjeneratat e reja në Lindjen e Mesme duan nomralitet dhe jo rrëmbim të ambicjeve dhe ëndërrave.

“Ata duan zgjidhje dhe jo vazhdimin e refuzimit”, tha zonja Dergham e Institutit të Bejrutit, publikimet e të cilit kanë shtruar pyetje lidhur me të ardhmen e rajonit dhe rinisë së tij.

Kur u njoftua marrëveshja mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit në muajin gusht, kryefjala kryesore në rrjetin Twitter në Arabinë Saudite ishte kundër normalizimit me Izraelin. Megjithatë, në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein, kritikat publike kanë qenë të heshtura, pjesërisht sepse këto qeveri shtypin fjalën e lirë.

“Është shumë e vështirë të marrësh të dhëna të sakta, madje edhe kur anketon njerëzit”, thazonja Yasmine Farouk, një studiuese vizitore me insitutin “Carnegie Endowment for International Peace”.

Zonja Farouk thotë se opinioni publik për Izraelin në Arabinë Saudite është i larmishëm dhe kompleks, me mendime të ndryshme ndërmjet grupeve të moshave të ndryshme dhe mes liberalëve dhe konservatorëve. Ajo tha se ka një përpjekje për të përgatitur publikun saudit për ndryshime dhe për të formësuar debatin publik rreth Izraelit.

Ndërsa Arabia Saudite përgatitet të shënojë të mërkurën 90 vjetorin e pavarësisë, klerikët në mbarë vendin u udhëzuan të mbajnë predikime lidhur me rëndësinë e bindjes ndaj sundimtarit për të ruajtur unitetin dhe paqen.

Në fillim të këtij muaji, imami i Xhamisë së Madhe në Mekë, Sheikh Abdul Rahman al-Sudais, mbajti një predikim të mbështetur nga shteti për rëndësinë e dialogut në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mirësinë ndaj jo-myslimanëve, duke përmedur veçanërisht hebrenjtë.

Ai i dha fund predikimit duke thënë se kauza e palestinezëve nuk duhet të harrohet, por fjalët e tij shkaktuan bujë në median sociale, ndërsa shumë njerëz vunë re prova të mëtejshme të hedhjes së bazave për të lidhjet mes sauditëve dhe Izraelit.

E përditshmja saudite në gjuhën angleze, Arab News, e cila ka publikuar shkrime nga rabinë, ndryshoi banderolën e medias sociale në rrjetin Twitter të premten e kaluar për të thënë “Shana Tova”, përshëndetja hebraike për Vitin e Ri. zëri i amerikës

NASA do të dëgojë gruan e parë në Hënë në vitin 2024

Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës Amerikane (NASA) shpalli planet për të dërguar gruan e parë në hënë në vitin 2024.

Administratori i NASA-s, Jim Bridenstine tha se plani prej 28 miliardë dollarësh synon të dërgojë përsëri njerëz në sipërfaqen e Hënës për herë të parë që nga viti 1972.

“Ne do të rikthehemi në Hënë për zbulime shkencore, përfitime ekonomike dhe frymëzim për një brez të ri eksploruesish,” tha zoti Bridenstine në një deklaratë. “Ndërsa ndërtojmë atje një prani të qëndrueshme, ne gjithashtu po krijojmë kushtet për të hedhur hapat e parë njerëzorë në Planetin e Kuq”, tha ai, duke iu referuar planetit Mars.

Misioni i NASA-s për dërgimin përsëri të njeriut në Hënë është pjesë e planit të saj të quajtur Artemis. Astronautët do të dërgohen me raketën e re të NASA-s, Space Launch System (SLS) dhe me anijen e hapësirës Orion.

Zoti Bridenstine u tha gazetarëve se “rreziqet politike” shpesh e kanë kërcënuar punën e NASA-s, veçanërisht para zgjedhjeve të rëndësishme siç janë këto të tanishmet. Nëse Kongresi miraton 3.2 miliardë dollarë për një financim fillestar deri në Krishtlindje “ne jemi brenda planit për një ulje në Hënë në vitin 2024”, tha ai.

Njoftimi i NASA-s për të dërguar një grua në Hënë vjen në një kohë që Presidenti Donald Trump po përpiqet të joshë votueset femra në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit. Ai ka deklaruar se do të emërojë një grua për të zëvendësuar anëtaren e Gjykatës së Lartë Ruth Bader Ginsburg, që u nda nga jeta të premten.

Astronautja e NASA-s Jessica Meir.

Astronautja e NASA-s Jessica Meir.

Sondazhet tregojnë se Presidenti Trump është prapa rivalit demokrat midis votueseve femra me një diferencë të madhe, sidomos midis grave të bardha të zonave periferike.

Tre projekte janë në garë për ndërtimin e një moduli hënor që do të transportojë dy astronautë nga anija Orion.

Njëri është projektuar nga firma Blue Origin, e kreut ekzekutiv të kompanisë Amazon, Jeff Bezos në partneritet me firmat Draper, Lockheed Martin dhe Northrup Grumman. Projektet e tjera janë në zhvillim e sipër nga firmat SpaceX dhe Dynetics të zotit Elon Musk.

Pas një fluturimi pa pilot të anijes Artemis 1 rreth Hënës në vitin 2021 dhe një udhëtimi me njerëz të anijes Artemis II rreth Hënës në vitin 2023, anija Artemis III do të ulet në sipërfaqen e saj në vitin 2024 dhe do të qëndrojë atje një javë. Astronautët do ta kalojnë kohën duke mbledhur mostra dheu dhe shkëmbinjsh, duke kërkuar ujë dhe burime të tjera si dhe duke kryer eksperimente shkencore. zëri i amerikës

Dosja FinCEN: Gjithçka që duhet të dini për rrjedhjen e këtyre dokumenteve

Rrjedhja e disa dokumenteve, ku përfshihen transaksione në vlerë të 2 trilionë dollarëve, ka bërë të ditur sesi bankat më të mëdha në botë u kanë lejuar kriminelëve që të bartin para të pista në gjithë botën.

Dokumentet kanë treguar edhe sesi oligarkët rusë kanë përdorur bankat për të shmangur sanksionet që ishte besuar se do t’i ndalnin ata nga marrja e të hollave në Perëndim.

Ky rast përbën vetëm një prej rrjedhjeve të tilla të dokumenteve në pesë vjetët e fundit, të cilat kanë shpërfaqur marrëveshje sekrete, pastrim të parave dhe krime financiare.

Dosja FinCEN, përbëhet nga më shumë se 2,500 dokumente, shumica e të cilave u janë dërguar autoriteteve amerikane në periudhën 2000-2017.

Ato ngrisin shqetësime rreth asaj se çfarë mund të kenë qenë duke bërë klientët.

Këto dokumente konsiderohen disa prej sekreteve më të ruajtura të sistemeve bankare ndërkombëtare.

Bankat i përdorin ato për të raportuar sjellje të dyshimta, mirëpo nuk janë prova për krim apo ndonjë keqbërje tjetër.

Këto dokumente fillimisht kanë rrjedhur nga faqja Buzzfeed News, dhe janë shpërndarë me një grup që përbëhet nga gazetarë hulumtues të gjithë botës, të cilët më pas kanë dërguar të njëjtat dokumente në 108 organizata mediale në 88 shtete, raporton BBC.

Qindra gazetarë janë duke analizuar këto materiale, duke vënë në pah disa aktivitete, të cilat bankat nuk kanë pasur dëshirë që të dalin në publik.

Dy akronimet që duhet t’i dimë

FinCEN është Rrjeti amerikan për Krime Financiare. Aty punojnë personat e Departamentit të Thesarit, që luftojnë krimet financiare.

Shqetësimet për transaksionet e bëra në dollarë amerikanë duhet të dërgohen në FinCEN, edhe nëse janë bërë jashtë territorit amerikan.

Raportet mbi aktivitetet e dyshimta, që njihen si SAR, janë shembuj sesi regjistrohen shqetësimet. Bankat duhet të plotësojnë këta formularë, nëse ekzistojnë dyshime për ndonjë klient. Ky raport më pas u dërgohet autoriteteve.

Pse ka rëndësi kjo çështje?

Nëse jeni duke planifikuar që të përfitoni nga një aktivitet kriminal, një prej gjërave më të rëndësishme që duhet menduar është gjetja e mënyrës së pastrimit të parave.

Pastrimi i parave është proces i marjes së parave të pista – që fitohen kryesisht nga krimet si kontrabanda me drogë apo korrupsion – dhe dërgimi i tyre në një bankë të respektuar, që nuk lidhet me krime.

Procedura e njëjtë vlen edhe nëse jeni oligark rus, ndaj të cilit shtetet perëndimore kanë shënjestruar sanksione, për të ndaluar marrjen e parave nga Perëndimi.

Bankat supozohet se sigurohen që nuk u ndihmojnë klientëve që të pastrojnë para, apo që t’i bartin ato në mënyra që shkelin rregullat.

Sipas ligjit, ato duhet të dinë kush janë klientët e tyre – nuk është e mjaftueshme vetëm mbushja e formularit (SAR), dhe marrja e parave të pista nga klientët derisa pritet që autoritetet të merren me problemin.

Nëse kanë të dhëna për aktivitet kriminal, ato duhet ta ndalin tranksionin dhe të bllokojnë paratë.

Fergus Shiel nga Konsorsiumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues, ka thënë se rrjedhja e dokumenteve ka qenë “shikim nga brenda rreth asaj se çfarë dinë bankat për para të pista në gjithë botën”.

Ai ka thënë se dokumentet kanë vënë në pah shumë jashtëzakonshme të madhe të parave të përfshira në këto aktivitete.

Dokumentet e dosjes FinCEN mbulojnë rreth 2 trilionë dollarë transaksione dhe përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të formularëve (SAR), që janë plotësuar në këtë periudhë.

Çfarë është zbuluar?

  • Banka angleze, HSBC, u ka lejuar mashtruesve që të bartin miliona dollarë të vjedhur nga e gjithë bota, edhe pasi ka mësuar nga hetuesit amerikanë se skema ka qenë mashtrim.
  • Banka amerikane, JP Morgan i ka mundësuar një kompanie që të bartë më shumë se 1 miliard dollarë nga një llogari në Londër, pa pasur njohuri kush e zotëron atë. Banka më vonë nga zbuluar se kompania mund të jetë nën udhëheqje të një prej 10 personave më të kërkuar nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI).
  • Kanë dalë të dhëna se një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, ka shfrytëzuar bankën Barclays në Londër, për të shmangur sanksionet, që ishin aplikuar për t’ia ndaluar atij shërbimet financiare në Perëndim. Disa prej parave të gatshme janë shfrytëzuar për të blerë vepra arti.
  • Burri i një gruaje që ka bërë donacion në vlerë të 1.7 milion dollarëve për Partinë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar, është financuar në mënyrë sekrete nga një oligark rus, që ka lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.
  • Mbretëria e Bashkuar është konsideruar vend i “juridiksionit me rrezik të lartë”, dhe është krahasuar me Qipron nga Departamenti për Inteligjencë i FinCEN. Kjo për shkak të numrit të kompanive britanike të regjistruara në formularët SAR. Rreth 3,000 kompani britanike janë përmendur në dosjen FinCEN – më shumë sesa në secilin shtet tjetër në botë.
  • Pronarit të klubit Chelsea, Roman Abramovich, i janë zbuluar investime në futbollistë, që nuk janë të regjistruar në klubin e tij, përmes kompanive jashtë shtetit.
  • Banka Qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe ka dështur që të veprojë edhe pas paralajmërimeve se një kompani i ka ndihmuar Iranit që t’iu ikë sanksioneve.
  • Kompania gjermane, Deutsche Bank, ka bartur paratë e pista të mashtruesve për krime të organizuar, terroristë dhe trafikatë të drogës.
  • Kompania britanike, Standard Chartered, ka bartur para të gatshme nga banka arabe për më shumë se një dekadë, pasi llogaritë e klientëve në bankat e Jordanisë janë shfrytëzuar për financim të terrorizmit.

Pse Dosja FinCEN është ndryshe prej rrjedhjeve tjera të informacionit?

Letrat ose dosja FinCEN është ndryshe sepse nuk përfshin dokumente nga një apo dy kompani, por ato vijnë nga një varg bankash.

Ato vënë në pah një varg të aktiviteteve potencialisht të dyshimta, që përfshijnë kompani dhe individë, dhe po ashtu ngrisin pikëpyetje rreth asaj se pse bankat, që kanë vërejtur këtë aktivitet, nuk kanë vepruar ndaj shqetësimeve.

Video: Si funksionojnë “Paradise Papers”?

Në momentin që një bankë paraqet kërkesë te autoritetet, është shumë e vështirë që ajo ose zyrtarët ekzekutivë të saj të ndiqen, edhe nëse kanë ndihmuar në aktivitete të dyshimta apo kanë mbledhur taksa.

Dosja FinCEN është thënë se mund të ketë ndikim të sigurinë kombëtare të SHBA-së, të komprometojë hetimet dhe të kërcënojë sigurinë e institucioneve dhe individëve që kanë hartuar raportet për aktivitetet e dyshimta.

Megjithatë javën e kaluar, Rrjeti amerikan për Krime Financiare, ka bërë të ditur propozimet për të rishikuar programet për pastrim të parave.

Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka njoftuar se planifikon të reformojë mënyrën e regjistrimit të kompanive, në mënyrë që të anashkalojë mashtrimet dhe pastrimin e parave.

Përgatiti: Krenare Cubolli

“Helmi është gjetur në trupin tim”, Navalny thirrje Moskës: Më jepni rrobat, janë prova të rëndësishme

Kreu i opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili përfundoi në spital në gjendje të rëndë, ndërsa autoritetet gjermane thanë se ai u helmua, pohoi se ky akt ishte kryer nga Moska.

Në një reagim Navalny i kërkoi Moskës që t’ia kthente rrobat që kishte veshur ditën kur u helmua pasi që aty gjenden “provat kryesore”.

“Para se të transportohesha drejt Gjermanisë, ata më hoqën rrobat dhe më dërguan krejtësisht të zhveshur. Duke qenë se në trupin tim ishte gjetur helm dhe se një infeksion kontakti ishte i mundur, rrobat janë provë materiale shumë e rëndësishme. Unë po kërkoj që rrobat të paketohen me kujdes në një qese plastike dhe të kthehen tek unë,”, pohoi Navalny nga Berlini, ku ndodhet ende i shtruar në spital.

Kujtojmë se Navalny, i cili u ndje keq gjatë një fluturim për në Rusi më 20 gusht, u shtrua si fillim në një spital në Siberi dhe më pas u transportua në Gjermani. Aty u verifikua se ishte helmuar nga një helm noviçok, një helm nervor i prodhuar nga ekspertët sovjetikë për qëllime ushtarake.

Taxh Mahall hapet për vizita turistike pas gjysmë viti

Pas gjashtë muajsh sërish është hapur monumenti historik arkitektonik Taxh Mahall, i cili ishte mbyllur në kuadër të luftës kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Shtëpia mediale BBC lajmëron se kompleksi Taxh Mahal është hapur, por vizitat do të organizohen për një numër të caktuar të turistëve dhe me respektim të detyrueshëm të masave epidemiologjike.

Taxh Mahal është një nga destinacionet më të njohura turistike në Indi i cili deri para pandemisë në ditë vizitohej mesatarisht nga rreth 70.000 turistë.

Gjatë ditëve të ardhshme do të lejohet vizita për mbi 5.000 turistë.

Një nga shtatë mrekullitë botërore dhe monument i UNESCO-s Taxh Mahal u mbyll në mars në kudër të masave kundër pandemisë COVID-19.

Kjo është periudha më e gjatë në të cilën Taxh Mahal ishte i mbyllur që nga vitet 70-të të shekullit të kaluar kur dy herë u mbyll për shkak të luftës indiano-pakistaneze dhe përmbytjeve.


Send this to a friend