VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Eglantina Frroku-Bossert, një emër suksesi në botën e art-dizajnit në Shtutgard, Gjermani Nga Elida Buçpapaj

By | October 25, 2019

Komentet

Justina Nga Edison Ypi

Many tears ago, kur gjatë një muzgu të trishtë po sorollatesha tek Sheshi Skënderbej, mua që s’kisha qënë kurrë në asnjë teatër, koncert, film, këmbët më shpunë brenda Pallatit të Kulturës plot me të rinj ku këndoheshin këngë si këngët e asaj kohe.

Ç’ësht e vërteta, jo të gjitha. Ende frynte ai flladi që më vonë u quajt “erë liberalizmi”. Duke dëgjuar të këndohej për partinë, puntorët, fitoret, furrat, uzinat, traktorët, kallot e duarve, djersën e kooperativës, befas nisi të këndojë një femër.

U ndodha fare afër saj. Që në çastin e parë, tingullin e parë, fjalën e parë, u kuptua se ishte ndryshe, krejt ndryshe. Tepër larg partisë, furrave, puntorve, fabrikave, kallove, fitoreve. Kishte tjetër energji, tjetër rrezatim, tjetër tonus, tjetër shije, tjetër vibracion. E kënduara e saj ishte një miks drithërues i talentit, ndjeshmërisë, butësisë, ëmbëlsisë njerëzore, seriozitetit. Zëri i Saj përcillte një nervozizëm të dukshëm, një shqetsim të brendshëm, një revoltë të papërmbajtur.

Ishta diçka e pa provuar kurrë më parë. Diçka jo e atyshme, e këtushme.

Diçka e përtejme, njëkohësisht e largët dhe e afërt, diçka prej Udstoku. Nuk më kujtohet kënga që këndoi. Më kujtohet diçka tjetër. Diçka që më mbeti përgjithmonë në kujtesë. Në atë kohë, mirkuptimi i këngëtarëve me publikun ishte i shtirur ose ndodhte tepër rrallë. Ajo që nisi të këndojë realizoi në çast një mirkuptim të plotë me publikun. I elektrizoi menjëherë të gjithë.

Bëri për vete atë për të cilin kisha qënë i bindur se një gjë e tillë nuk mund t’i ndodhte kurrë, mua. Kaluan çastet e para, minuta e parë, e dytë. Këngëtarja po bënte diçka të pabesueshme, diçka të papërfytyrueshme.

Po konsumonte herezinë më të rrezikshme kundër diktatorit dhe partisë, tradhëtinë më të pafalshme ndaj proletarëve, traktorave, arave, furrave, fabrikave, dhe sidomos, duke sfiduar syçelësinë e tij; pabesinë më të përbindëshme ndaj Sigurimit;

Duke kënduar po lëvizte. Po lëvizte gjymtyrët, si dhe, e pabesueshme por e vërtetë, belin ! Mes bukurisë së zërit, ritmit, lëvizjeve të saj, çfarë ndodhi më pas, lus lexusin që ka dëshirë ta dijë, nëse ka probleme me zemrën, leximin e këtij shkrimi ta ndali këtë çast.

Të tjerët, më pak të rrezikuar nga ndonjë arrest kardiak, marramendje apo damlla, mund ta vazhdojnë leximin, por patjetër të kapur pas ndonjë sendi për të mos u rrëzuar. Një gotë me ujë pranë për çdo eventualitet, është gjithashtu e rekomanduar. Kur s’kishin kaluar as tre minuta, dikush me pamje tejet të merakosur, ja behu nga turma drejt këngëtares. Pashë dhe dëgjova gjithçka. I frikshëm dhe kërcënues, njeriu i ardhur befas, duke i treguar gjymtyrët dhe belin, i tha; “Kujdes-kujdes. Jo-jo kështu. Mos lëviz !”.

Këngëtarja ngriu ! Në fytyrën e saj pashë një llahtarë që s’e kam parë në asnjë film horrori. Dola menjëherë jashtë duke mu marrë mentë. Volla mbështetur rrëzë njërës prej kolonave. Ika. Lashë koncertet e tyre.

Vajta tek qetësitë e mia; librat, leximet, RAI, Jash Gavronski, Paolo Testa, Roberto Gervaso, Vittorio Gassman, Maria Laura Giulietti.

Nuk u interesova të di çfarë ndodhi më pas me këngëtaren që ja ngrinë gjymtyrët dhe ja therën këngën. Prej atëhere nuk i lashë më kurrë këmbët të më çonin në asnjë koncert.

Shumë më vonë, pasi e kishin degdisur s’di se ku, mësova se këngëtarja e talentit të madh, e zërit kumbues, energjisë, refuzimit, përbuzjes, revoltës, gjymtyrëve lëvizëse, quhej Justina Aliaj.

Vrasja dhe mosgroposja e bënë Justinën të pavdekshme. Thuhej se Justina Aliaj ishte si Ornella Vanoni ndërsa Vaçe Zela si Mina. Por s’do ment se dy tonat që këndonin ku të vrisnin e s’të groposnin, ishin më të mira se dy italianet që mund të bënin ç’të donin.

Më mbeti në mendje njeriu që u shkëput nga turma për ta urdhëruar Justinën të mos lëvizte. Kush të kish’ qënë vallë ?!

Ndonjë sigurimist për ta bërë të vuante sa më tepër, ishte më se e besueshme. Por ishte gjithaq e besueshme të kishte qënë ndonjë dashamir, i cili, përmes një gjesti gjoja prej vigjilenti, Justinën vërtet e vrau, por e
shpëtoi nga groposja. Kur shqiptarët gdhiheshin e ngryseshin jetevdekjepërqafuar mund të ishte edhe njëri edhe tjetri.

S’ka problem se tundin portretin e diktatorit, lidhin shallin e kuq, Historinë e shkruajnë si duan. Qielli i kaltër do mbetet. Toka do vazhdojë të rrotullohet. Stinët do ndërrohen. Dielli do lindi e do ngrohi. Shiu do bjeri e do lagi.

Era do fryjë. Gjethet do rrëzohen.

Justina këndoi, këndon, e do këndojë.

Andon S. Frashëri i fundmi i dishepujve të Nolit – Nga Meri Lalaj

Kam vite të tëra që mbart në kujtesë emrin e shkrimtarit, publicistit dhe shqipëruesit Andon S. Frashëri. Në vitin 1964, vajzë e re, kur sapo pata kryer studimet e larta u emërova mësuese e gjuhës angleze në gjimnazin e Korçës, dhe unë për herë të parë e jepja këtë gjuhë të huaj në atë qytet. Që në muajin e parë pasi pata filluar punë, një ditë pas orëve të mësimit një nxënësi im (më vonë i shkëlqyer në mësime), Aleks Jani, shtatpakët me kaçurrela të verdha m`u afrua i ndrojtur i skuqur në fytyrë duke më thënë se një burrë, që dinte anglisht donte të më takonte, kështu më shpuri tek shtëpia e Andon Frashërit.

Ajo ishte një shtëpi e vjetër me portën e jashtme të rrënuar prej viteve, kishte një oborr dhe pasi ngjitje disa shkallë hyje tek një portë tjetër e cila rrinte gjithnjë e hapur, sepse aty banonin edhe disa familje të tjera e në njërën prej dyerve djathtas jetonte Andon Frashëri, në një dhomë jo shumë të madhe me mure të ciflosur me libra gjithandej dhe tavani që kish lëshuar bark. Ai pat lindur në këtë shtëpi, kjo ishte shtëpia e prindërve të tij.

Kështu filloi miqësia ime me Andon Frashërin. Mësova se ai pat qenë për shtatëmbëdhjetë vite radhazi sekretar i Imzot Fan Nolit më 1924 kur ai pat qenë kryeministër i Shqipërisë ndërsa më parë veprimtar në shoqërinë “Vatra” të Amerikës njëkohësisht gazetar dhe botues i gazetës “Dielli”, Andon Frashëri shkruan: “Në vitin 1915 emërohem ndihmësi i tij si nëndrejtor i gazetës “Dielli’. M`u duk ahere sikur kapa Perëndinë me dorë. Dhe vjetët që rodhën në bashkëpunim me të më dhanë rast ta njoh Nolin me rrënjë e degë… Me Nolin si udhëheqës puna më e rëndë bëhet më e lehtë se penda, më e ëmbël se mjalta. Pa gënjeshtër ai të inspiron, të frymëzon, të jep zemër.”

Ne bisedonim të dy për librat që unë lexoja, ai më tregonte letrat, librat, fjalorët, që i dërgonte Noli dhe hera herës ndonjë çek të vogël në raste Krishtlindjesh apo Pashkësh dhe gjithnjë prapa zarfeve shkruhej një adresë tjetër me një emër femre “Mary”, (ndoshta përdorej emri i sekretares së Nolit, Mary Johns) apo ndonjë mbiemër tjetër i sajuar që të mos kuptohej se ata të dy mbanin letërkëmbim, kushedi edhe përmbajtja e letrave do të ish e tillë që të merrej vesh vetëm prej atyre të dyve. Unë i prekja me dorë letrat, librat e më dukej sikur takoja dorën time me dorën e të madhit Fan Noli mijëra kilometra larg. Më tej ne të dy bisedonim për mrekullinë e shqipërimeve të Nolit: dramat e Shekspirit, “Rubai” të Omar Khajamit, poemën “Skënderbeu” të H. Longfellout me vargjet brilantë: “Lufton luftën dhe fiton / Mbreti Ladislav gjëmon…” e të tjera.

Miqësia ime me Andon Frashërin ishte një miqësi paksa e trembur, e përndjekur ndoshta. Më treguan të tjerët ose ai vetë se pat qenë dhjetë vjet në burg politik pas çlirimit, por për këtë gjë unë nuk e pyesja e nuk bisedonim e kështu vijoja ta vizitoja. Edhe bashkëshortja e tij rumune, Maria, (Meri) u arrestua dhe bëri dy vjet burg, duke qenë e mbyllur brenda në burg ajo bëri dhe një përpjekje për të vrarë veten. Më vonë pas lirimit, aty nga viti 1959 Zonja Frashëri u largua nga Shqipëria për në Rumani duke e lënë Andonin fill të vetëm dhe pa fëmijë. Në burg Andoni kish operuar stomakun dhe për pasojë kishte shumë probleme me të ngrënit e ushqimeve.

Pasditeve, aty në dhomën e tij të vogël u jepte mësime të gjuhës angleze disa intelektualëve të qytetit dhe disa vajzave korçare të prekura nga regjimi komunist. Mbaj mend se më mbajti një ditë për drekë, ishin Krishtlindjet e të dy trokitëm nga një kupë me verë të kuqe. Andoni ishte tepër i përkorë në sjellje dhe më trajtonte sikur të isha e barabartë me të për nga shkalla e njohurive. Unë pata qenë studente e Skënder Luarasit dhe asokohe dija aq shumë vargje përmendësh të Nolit, të shqipërimeve të tij të mrekullueshme si edhe dija diçka për burra të tjerë të shquar të kombit tonë, që u përpoqën për të bërë Shqipëri.

Atje përmbi oxhakun e dhomës së tij në vend që të mbante ndonjë ikonë (se ende nuk ishim bërë i vetmi vend ateist në botë), ai mbante një fotografi të madhe të Fan Nolit dhe i ndizte kandilen me vaj të kremteve. Fan Noli ishte idhulli i jetës së tij. Po aty mbi oxhak pashë për herë të parë librin e Nolit “Psalme”, ai më pat treguar një fjalor të madh anglisht Webster me të cilin punonte, librin “Betoveni dhe Revolucioni Frëng’ në anglisht e të tjerë libra. Nuk guxoja të kërkoja libra për të lexuar, po ashtu ai kurrë nuk më tregoi për librat që pat shkruar vetë, të cilat u zhdukën nga qarkullimi kur Andonin e futën në burg, kështu ishte autor i ndaluar.

Tek libri “Fanoliana” i Prof. Nasho Jorgaqit lexojmë një letër të Andon Frashërit dërguar Nolit më 4.3.1938 ndër të tjera: “Imzot, … ashtu siç priste Shqipëria një kohë Skënderbejnë, po me atë mall ju presim edhe ju sot… Shqipëria sot ka nevojë për patriotë si ju. Kujtoni pastaj se kini edhe detyrë kundrejt shokëve të vjetër; këta me ardhjen t`uaj do bëhen burra. Këtë nuk e thom për vehten time, po për shokët, të cilët me çdo rast pyesin me ngashërim për ardhjen t`uaj. Bashkimi juaj me Faiknë na ka prekur; ish i domosdoshmë dhe s`ka dyshim se të dy kolonat të lidhura tok janë për ne garancia më e madhe…”

Vite më parë në arkivin e qytetit të Pogradecit pata ndeshur në faqet e një reviste, të cilën e botonin intelektualët e kohës në vitet `20-të, një fotografi të Andon S. Frashërit dalë kokë më kokë me Bahri Omarin. Në librin e Enver Hoxhës “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” pikërisht në faqen 106 kam lexuar: “Fazlli Frashërin e shihje pasdreke, dimër e behar… duke biseduar me të njëjtët profesorë të Liceut të Korçës… me Andonaqkën e Frashërit, agjent i amerikanëve dhe imoral.”

Po në librin “Fanoliana” lexojmë një tjetër letër të gjatë të A. Frashërit dërguar F. Nolit:

Tiranë 28.9.945 I dashur Imzot. Prej disa muajsh më parë ju pata dërguar një letër, me anën e së cilës ju lutesha – në emër të shokëve – që të ndërmjetësonit pranë Qeverisë këtu për shpëtimin nga vdekja e të ndjerit Kol Tromara e B. Omari, të cilët u dënuan dhe u ekzekutuan së bashku me Akif Përmetin, Dhimitër Balën, Haki Tatzatin, Zejnel Gjolekën, Xheneral Mirdaçin, Fejzi Alizotin, Toçin etj. Kam dyshim në ju ra në dorë.

Gjendja e këtushme… Fuqinë në dorë e ka qint për qint Partia Komuniste me Enver Hoxhën, Koçi Xoxen, Sejfulla Malëshovën, Bedri Spahiun, Mehmet Shehun etj. këta janë në bashkëpunim të plotë me Titon… Gegët nëmërohen me gisht dhe po bëhet një propagandë katastrofale toskë-gegë dhe kaur e turq! Shkabën me dy krerë e mbuloi Hyll`i kuq. Propagandën e bëjnë haptazi, duke mos lënë rast pa ekzaltuar edhe lajmën më të vogël që vjen prej Beligradit ose Moskës dhe duke vogëluar çdo gjë që rrjedh nga Perëndimi.

Ndërsa në letrën e datës 30.1.1964 Andoni i shkruan Nolit me një ton të përmbajtur duke u ankuar për shëndetin dhe pleqërinë dhe natyrisht duke shprehur mendime për libra të ndryshëm që kanë lidhje me ata të dy.

Së fundi vajta në Bibliotekën tonë Kombëtare dhe mora për të lexuar librat e A. Frashërit, sapo hapa librin e parë romanin “Patrioti” me 160 faqe botuar në Korçë në vitin 1933, mu në faqen e parë më zuri syri një vulë ku lexohej “Mitrush Kuteli Biblioteka’ (do me thënë) se ky libër i paskërka përkitur shkrimtarit Dhimitër Pasko dhe në krye të faqes një kushtim: “Z. Mitrush Kuteli me miqësi A. Frashëri”, për një çast pata një vegim sikur po i shihja të dy shkrimtarët tek po shtrëngonin duart me njëri tjetrin. Romanin e tij “Patrioti” autori ua kushton “Dëshmorëve të kombit që dhanë me gëzim jetën e tyre për idealin kombëtar ua dedikoj këtë vepër të vogël për kujtim.” Ky roman është i bazuar në faktet e ngjarjeve të viteve të fillimshekullit të njëzetë, ato luftëra të turbullta të Shqipërisë në ato vite e sidomos në qytetin e Korçës dhe rrethinave të saj. Libri i kushtohet atdhetarit Themistokli Gërmenji, i cili u vetëflijua që të bëhej Shqipëria. Për Themistokli Gërmenjin Lasgushi më ka thënë këto vargje: “Tha të tri fjalët dhe mbaroi / Dhe shpejt jep urdhër: Zjarr! / Atje ku bie vdes heroi / Rilind Atdheu Shqiptar!”

Libri “I funtmi i Kastriotëve” botuar në Tiranë nga Botonjësi Ismail Mal`Osmani në vitin 1944 përbëhet prej 113 faqesh. Këtë roman Andon S. Frashëri ia kushton: “Fan S. Nolit Kalorësit të Letërsisë Shqipëtare si shenjë mirënjohjeje Dishepulli i Tij”. Në këtë libër autori me zjarrin e zemrës shkruan për ngjarjet që vijuan në kombin tonë pas vdekjes së Kryetrimit Gjergj Kastriotit, për birin e tij të vetëm Gjonin dhe kryengritjet që zunë fill në Krujë për ta shpëtuar Shqipërinë nga zgjedha turke e ndonëse shumë trima luftuan e ranë në shesh të betejës nuk mundën dot të fitojnë sepse u tradhtuan nga shqiptarët e shitur tek turqit për grada e ofiqe. Megjithëse libri mbaron në mënyrë tragjike vështrojmë të vërtetën drejt e në sy e jemi krenarë për birin e vetëm të Skënderbeut i cili kreu me nder detyrën ndaj Atdheut.

Andon Frashëri shquhet edhe si shqipërues i librave “Kapedani i jeniçerëve ose Skënderbeu” shkruar prej Xhejms Ludllout, fillimisht botuar si shtojcë letrare tek gazeta “Dielli”, më vonë botuar si libër më vete në Korçë nga Libraria “Drita” në vitin 1934 (dhe ribotuar në vitin 1967 në 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut), kësaj here me titullin “Konstandini dhe Morsinia”, përsëri tema e librit është për Kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin. Po kështu ai ka përkthyer edhe librin “Pavlli dhe Virgjinia” të autorit Bernardin de Sen Pierre.

Në një letër dërguar A. Frashërit prej F. Nolit më 30 maj 1964 botuar tek “Noli Vepra 6” midis të tjerash shkruhet: “Katër vjetët e fundit po mësoj hebraishten, me qëllim që të përkthej Dhjatën e Vjetër nga origjinali dhe për këtë po punoj tani. Deri më sot kam përfunduar Psallmet dhe do t`ju dërgoj një kopje të tyre. Lexojeni librin dhe më shkruani se çfarë mendoni për të.” Dhe ja se çfarë ka shkruar A. Frashëri për F. Nolin tek Revista “Shkëndija” 1942 Nr. 9-10: “Ata që kanë patur fatin ta dëgjojnë – shkruan një dëshmitar, që e ka ndjekur ecurinë triumfale të oratorisë noliane – nëpër mbledhje, në kishë, ose parlament, të huaj e shqiptarë këtu dhe jashtë kanë dalë të entuasizmuar prej forcës së oratorisë së tij. Fjalimet e Nolit të drithërojnë e të japin zemër, këtu të ngrejnë në qiell, aty të përplasin për tokë, të ndezin e të ndërsejnë gjer në frenezi, të fanatizojnë deri në marrëzi, po edhe të zbusin e të qetësojnë dhe dendur të bëjnë të qeshësh dhe të derdhësh lot gëzimi… Fjalën e tij ai e shoqëronte me një buzëqeshje të mbaruar, me një takt njerëzor, dinte të krijonte komunikim me auditorin.”

Një ditë i vajta në shtëpi, porta e së cilës mbante numrin 13 dhe e gjeta Andon Frashërin të sëmurë në shtrat. I shtrydha dy portokalla që ndodheshin mbi tryezë dhe ia dhashë lëngun për ta pirë aty ishte edhe receta për ilaçe prej mjekut. Vajta në barnatore dhe ia bleva, ai ndihej nervoz i pafuqishëm. Nuk dija çfarë të bëja më tepër. Atë pranverë pas vdekjes së Nolit më 13 mars 1965, Andon Frashëri u shtrua në spital. Vajta për ta takuar tok me një shokun tim profesor gjimnazi. Sytë e tij u përlotën nga mallëngjimi: “Shiko këtu – më tha – numri i krevatit ku jam shtruar është 13, Noli ndërroi jetë më datë 13 edhe unë do të vdes së shpejti… e si mund të jetoj kur ai nuk është më në këtë jetë!…”

Kjo ishte biseda jonë e fundit. Një ditë të vrenjtur me shi teksa ecja bulevardit të Korçës më ndali tek anësorja e rrugës një mikesha ime, Irenë Mëria, gjyshja e saj ka qenë motër e Andonit, dhe më dha lajmin: “E ke marrë vesh, xhaxhi Andoni na vdiq!” Dhe pas pak kohësh ato gjëra të pakta që patën mbetur nga librat dhe dorëshkrimet e Andon Frashërit u mbartën tek një nipi i tij në Tiranë. Në një bllok të rëndomtë nga ata që përdoren nëpër magazina për hyrje dhe dalje malli, Andoni pat shkruar nja 130 faqe por u gjetën të grisura me përjashtim të pesë a gjashtë fletëve. Kaq munda të marr vesh unë.

Dimrin pas vdekjes së tij unë tërhoqa në Bibliotekën e Korçës librin “Betoveni dhe Revolucioni Frëng” (këtë kopje Noli ia pat dërguar Dhespotit të Korçës e në faqen e parë me dorën e Tij pat shkruar disa fjalë për të), u ula dhe e përktheva me një frymë në kujtim të Fan Nolit dhe Andon Frashërit (nuk u botua asokohe ndonëse ndenji dy vite në Ndërmarrjen Botuese “Naim Frashëri”).

Duke shkruar këto radhë mendoj se po ndez një qiri për shpirtin tënd, Andon Frashëri!

Ndahet nga jeta Prof. Elmas Eltari, zbuluesi i “Etheve hemoragjike” nuk i mbijetoi Covid -19

Tërë jetën ua kushtoi zbulimit dhe kurimit të sëmundjeve infektive, por nuk mundi t’i mbijetonte virusit Sars Cov 2. Prof . Elmas Eltari, u nda nga kjo jetë, në moshën 85 vjeçare.

I lindur dhe arsimuar në Tiranë, profesor Eltari në vitin 1962 përfundoi Fakultetin e Mjekësisë. Po në këtë vit u emërua mjek në Spitalin e përgjithshëm Tiranë, në klinikën e “Sëmundjeve Infektive”. Pasi kreu specializimin pasuniversitar si Infeksionist, në vitin 1968 u emërua pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Ndërsa prej vitit 1978 ishte Shef i Klinikës Universitare të “Sëmundjeve Infektive” dhe shef i lëndës së “Sëmundjeve Infektive dhe Epidemiologjisë”.

Në vitet 1978-1980 ka dhënë ciklin e plotë të leksioneve në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Puna studimore e profesor Elmas Eltari lidhet dhe me 22 botime shkencore; tekste mësimore, monografi, manuale, atlase etj. është bashkëautor I tekstit të parë mbi “Sëmundjet infektive”, autor i tekstit

“Sëmundjet e Brendshme” për Infermieristikën. autor i manualit pasuniversitar “Antibiotikët dhe Infeksionet bakteriale”, studimit “Sëmundjet Diarreike në Spitalin Infektiv të Tiranës”. etj.

Prof. Eltari ka botuar dhe mbi 70 artikuj në shtypin mjekësor shkencor shqiptar dhe 5 artikuj shkencor në shtypin mjekësor botëror. Në vitin 1989 ka deklaruar rastin e parë me AIDS në Shqipëri, ka vërtetuar për herë të parë, praninë e borreliazës në Shqipëri

Po kështu Profesor Eltari njihet dhe si zbuluesi i “Etheve Hemorragjike virale’. Ka studiuar epideminë e Kolerës në Shqipëri dhe atë të Poliomelitit në vitin 1996. Ndërsa në vitin 2011 ka botuar “Atlasin e Sëmundjeve Infektive” me 600 fotografi.

Jetëshkrimi

profesor Elmas Eltari ka lindur në 18 maj 1935. Ka kryer shkollën fillore dhe të mesme në Tiranë dhe Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1962. Po në këtë vit është emëruar mjek ordinator në Spitalin e përgjithshëm Tiranë, në klinikën  e “Sëmundjeve Infektive”.

Pasi kreu specializimin pasuniversitar si Infeksionist, në vitin 1968 u emërua pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Tiranës.

Botimet

Në vitin 1971 u bë bashkautor i tekstit të parë mbi “Sëmundjet Infektive”, të drejtuara nga Prof. N. Dushniku.

-Gjatë viteve 1968-1975 u ngarkua me studimin e temës “Bruceloza në Shqipëri”, si temë disertacioni (mjaft aktuale në atë kohë), e cila u mbrojt në vitin 1975. Kjo temë u botua si monografi  në vitin 1977 dhe u vlerësua për gradën e parë shkencore (Kandidat i shkencave mjekësore).

-Në vitin 1978 u ngarkua Shef i Klinikës Universitare të “Sëmundjeve Infektive”, shef i lëndës së “Sëmundjeve Infektive dhe Epidemiologjisë” (duke dhënë ciklin e plotë të leksioneve universitare), si dhe drejtues i kualifikimit  pasuniversitar, në këto dy lëndë.

– Në vitet 1978-1980 ka dhënë ciklin e plotë të leksioneve në Fakultetin e Mjekësisë Prishtinë.

-Në vitin 1982 ka botuar tekstin “Sëmundjet Infektive”, si autori  kryesor.                                               -Në 1983 ka botuar manualin pasuniversitar “Antibiotikët dhe Infeksionet bakteriale”.

-Në vitin 1985 ka kryer studimin madhor “Sëmundjet Diarreike në Spitalin Infektiv të Tiranës për vitet 1970-1985”.

-Nga viti 1985-1988 ka zbuluar dhe studiuar për herë të parë në Shqipëri “Ethet Hemorragjike virale”. Për këto zbulime dhe studime ka raportuar në disa Kongrese dhe Konferenca ndërkombëtare, për të cilat është vlerësuar pozitivisht dhe është thirrur vazhdimisht në këto konferenca (të paguara nga shoqatat mjekësore ndërkombëtare, si në Kajro, Anvers të Belgjikës në 1987-n; në Selanik të Greqisë në 1988-n, në Stokholm në janar 1989, në Baden të Vjenës, në Dubrovnik  dhe në Kortina d’Ampezzo të Italisë.

-Në vitin 1989 paraqiti studimin për “Ethet Hemoragjike” në Këshillin shkencor të Fakultetit të Mjekësisë Tiranë, që u vlerësua pozitivisht.

-Në vitin 1989 ka deklaruar rastin e parë me AIDS në Shqipëri, në një konsultë në Senatoriumin e Tiranës. Rasti u dërgua në Budapest (Hungari), ku u konfirmua diagnoza.

– Në 1989 ka vërtetuar për herë të parë, praninë e borreliazës në Shqipëri, të vertetuar me ekzaminime serologjike.

-Në vitin 1989, në Suedi, mori pjesë në një përvojë pune në fushën e “Etheve Hemorragjike” për  Evropën.

-Në vitin 1993 ka bërë një trajnim në SHBA, në spitalin  e Klevlendit për “Infeksionet në organizmat e kompromentuar”.

-Në vitin 1999, gjithashtu ka bërë një kualifikim mbi “Sëmundjet Tropikale” në Amsterdam, Holandë.

-Në vitin 1994 ka studiuar epidemin e Kolerës në Shqipëri dhe të Poliomelitit në vitin 1996, në të sëmurët e Spitalit Ushtarak Tiranë. Këto  studime me kolegët e Spitalit Ushtarak Tiranë, u botuan në revistën Mjekësore Ushtarake. Gjithashtu ka ndikuar në ndjekjen dhe studimin e rasteve me leishmanozën (të cilat u shtuan shumë në këtë periudhë në Shqipëri).

Këto studime, me rastet e të shtruarve në klinikën infektive të Spitalit Ushtarak Tiranë, u botuan në revistën mjekësore ndërkombëtare.

-Në vitin 2002 botoi librin “Misteret e jetës dhe të shëndetit”. Po në vitin 2002 botoi tekstin “Sëmundjet Infektive” për Fakultetin e Infermieristikës.

-Në vitin 2005 botoi tekstin “Sëmundjet Infektive” për mjekët dhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë Tiranë dhe Prishtin.

-Në vitin 2008 ka botuar tekstin “Sëmundjet e Brendshme” për Infermieristikën.

-Në vitin 2009 ka ribotuar tekstin “Sëmundjet Infektive”me bashkautor prof. Dhimitër Krajën.

-Gjatë viteve 2005-2008 ka botuar Buletinin Mjekësor, me informacione të reja shkencore, me numrat 1-9, çdo 3-4 mujore.

-Në vitin 2011 ka botuar Atlasin e Sëmundjeve Infektive me 600 foto-kolor për mjekët dhe studentët e mjekësisë.

Gjithsej ka botuar mbi 70 artikuj në shtypin mjekësor shkencor shqiptar dhe 5 artikuj shkencor në shtypin mjekësor

-Në vitin 1999 iu miratua  titulli “Profesor i asociuar” nga Këshilli i lartë i Kualifikimit.

-Në vitin 2010 iu miratua nga këshilli i Profesoratit, në Fakultetin e Mjekësisë dhe nga Universiteti Shtetëror i Tiranës titulli i plotë “Profesor”.

Si autor dhe bashkautor ka botuar 22 libra: tekste mësimore, monografi, manuale, atlase, buletine dhe broshura.

Nga viti 2000 punon në një klinikë mjekësore jo-publike.

Nga viti 2007-2014 ka dhënë leksione në univesitetet jopublike.

Në vitin 2013 ka botuar librin “Disa njohuri për Jetën dhe Shëndetin e Njeriut”..

Në vitin 2014 ka botuar N 8 të Buletinit “Problemet e  çifteve për të lindur fëmijë”, bashkë me gjinekologun Fatmir Gjolena.

Në vitet e fundit ka vazhduar angazhimin e tij shkencor duke botuar artikuj në Buletinin Urdhri i Mjekut të Shqipërisë, me tematika si: kanceri i lëkurës, kanceri kolorektar, papilomaviruset dhe kanceri cerviks uteri, çfarë është seksualitet e fertiliteti etj.

Profesor Elmas Eltari la pas bashkëshorten Prof. Afërdita Onuzin dhe djalin e tyre Albanian.

Voal.ch shpreh ngushëllimet!

MËSUESJA LEZE MATAJ, QË SAKRIFIKOI PËR 40 VJET PËR T’U DHËNË DIJE E KULTURË BREZAVE – Nga Fran Gjoka 

HOMAZH

 

Kur kërkon të mësosh dhe hulumtosh historinë e arsimit, befasohesh përpara edhe me figura të njohura, që me përkushtim punuan dhe sakrifikuan dekada të tëra për t’u dhënë dije e kulturë brezave. Kemi sot me mijëra breza arsimtarësh, që në kushte të vështira ekonomike, përsëri u treguan krijues dhe origjinal në zgjedhjen e çështjeve që nxirrte koha e vështirë e arsimit totalitar. Dëshmi e brezave të mësuesve të moshuar janë gjurmët e pashlyera të arritjeve dhe punës së tyre, janë brezat e aftë të nxënësve që kanë përgaditur. Ata kanë ditur të punojnë me zell dhe dashuri me nxënësit, kanë ditur të futën natyrshëm në botën e brendshme të vocrrakëve dhe të adoleshentëve, kanë ditur t’i mbajnë ata për dore dhe të ecin bashkarisht në udhën e vështirë të dijes, duke i ndihmuar të kuptojnë të fshtehtat e shkencës dhe të jetës, duke zgjuar tek ata energji të brendshme dhe duke i drejtuar në fushat e begata të paqes, qytetarisë, mirësisë dhe dashurisë e humanizmit.

Këtu del dukshëm përpara figura e mësueses të shumë dekadave në mësuesi, Leze Mataj, ku krejt papritur u nda nga jeta, në moshën 66-vjeçare, nga të afërmit, miqtë, shoqet dhe ish-nxënësit e saj. U lind në fshatin Tale të Bregut të Matës, shkollën fillore dhe 8-vjeçare i mbaroi në fshatin e saj të lindjes. E rritur në një familje me prindër punëtorë, të thjeshtë, por të ndershëm dhe me tradita të shkëlqyera arsimdashëse. Prindërit e dërguan për mësuesi në shkollën pedagogjike të Fierit. Pas përfundimit të arsimit të mesëm pedagogjik emërohet mësuese në fshatin e saj të lindjes, fshat me tradita të shkëlqyera për nga historia e me kontribut të veçantë me pavarësi e në çlirim kombëtar. Mësuesja e re, me plot energji dhe forcë, idealiste në shpirt të zbriste nga qiejt e fantazisë dhe të përballej me realietin e kohës së pushtetit totalitar. Ishin vitet e para të mësuesisë dhe Lezja lumturohej kur ndiente respektin e dashurinë e nxënësve e prindërve. Kaluan pak vite dhe shumë shpejt u njoh me kolegun e saj të punës, mësuesin dhe drejtuesin e nderuar, Ndue Mataj. Pas një njohje prej disa muajsh kurorëzuan me sukses martesën e tyre. Jeta bashkëshortore e tyre po konsolidohej, duke u bërë kështu një çift dinjitoz, plot vlera dhe virtyte të larta njerëzore. Nga vendi i saj i lindjes, Tale, transferohet në një fshat tjetër, Grykë-Manati, pak kilometra nga Lezha. Edhe këtu, mësuesja e nderuar, shumë shpejt bëri emër të mirë dhe vazhdoi punën pa u trembur me këmbëngulje dhe korrektësi, duke fituar shumë shpejt mbështetjen dhe besimin e komunitetit prindëror. Pasioni rinor për punën nuk rreshti kurrë. Shumë shpejt mësuese Lezja la gjurmë në mësuesi, pasionante, humane, kërkuese për të mirën e fëmijëve. Gjithmonë duke ju kushtuar me përparësi mësimit dhe edukimit të fëmijëve. Duke parë këto cilësi të saj, pushteti lokal nuk e lë jashtë vëmendjes. Njohu dhe vlerësoi rezultatet dhe prej andej transferohet në Shkollen e Mesme të Bashkuar Ishull-Lezhë. Këtu krijojnë familjen në mënyrë dinjitoz e me plot vlera e virtyte njerëzore. Mësuesja Leze Mataj, për 40 vjet dha shëndetin e jetën e saj për arsimin dhe shkollën. Secili mund të pyesë:- Ç’pasuri la? Çfarë investimi bënë për afro gjysëm shekulli pune intensive në arsim? Vendosi një gur themeli në arsimin lezhjan dhe më gjerë. Qindra nxënës u mësuan dhe u edukuan nga duart e saj që ta duan njëri-tjetrin, familjen, shoqërinë, atdheun. Ishin pikërisht këto breza nxënësish që u bënë më të mirë, më të ditur, më të aftë për t’i shërbyer vetes dhe shoqërisë. Ishte dhe mbetet një grua amvisë, një nënë dhe gjyshe e përkushtuar, bashkëshorte ideale. Gjatë qëndrimit tim me disa ish-kolegë të sajë këto ditë homazhi përcjellës, të dukej se dëgjon zëra brezash në vite tek rrëfejnë se mësuesja e tyre kishte bërë ç’është e mundur të kryejë për 40 vjet detyrën e mësueses së vërtetë. Pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i saj i madh e bujar. Gjithçka për fëmijët, rrezatoi kulturë e komunikim dhe me plot pasion u dha dije të qëndrueshme brezave në vite. Kudo që punoi, prindërit, ish-kolegët e punës do ta kujtojnë edukatoren e brezave si njeri i paqes, që me natyrën e saj të qeshur nuk dinte kurrë të ofendonte, nuk krijoi kurrë probleme me kolegët e saj të punës. Profesionin e mësuesisë e donte dhe e kishte shumë për zemër derisa doli në pension. Në këtë mision përkushtimi, lodheje dhe sakrifice Lezja kishte gjithmonë pëkrahjen dhe mbështetjen e bashkëshortit dhe kolegut të saj, mësuesin dhe drejtuesin e nderuar Ndue Mataj, i cili përpiqej të lehtësonte sadopak barren e rëndë të angazhimeve në mësuesi. E natyrisht, nëpërmjet tyre, përveçse një kontribut të përbashkët në arsim, u konsolidua edhe një jetë bashkëshortore e admirueshme. Për më shumë se katër dekada, Lezja u fali plejadave të tërë nxënësve të saj pasionin dhe zellin për dije e kulturë si dhe përkushtimin jo vetëm si mësuese, por dhe si prind, duke u mësuar atyre alfabetin dhe udhën e dijes dhe të prosperitetit. Për familjen, Lezja rriti dhe edukoi tre fëmijë. Të gjithë të arsimuar, të ndershëm e punëtorë, qytetarë dhe atdhetarë të mirë. Tani ajo nuk jeton më. E kujton me lotë mallëngjimi vajza e saj, Enkeleda, lotë malli dhe dhimbje i shoqëron dy djemtë: Elvisin dhe Everaldon, për humbjen e parakoshme të nënës së tyre, e kujtojnë nipat dhe mbesat, motra dhe vëllezërit e saj, ish-nxënësit dhe mbarë opinion publik e dashamirës i saj. Ndërrimi i jetës së saj papritur, tek të gjithë ata që e njihnin dhe sidomos për familjen dhe të afërmit, ish-kolegët mësues, sollën këto ditë një trazim të madh shpirti e keqardhje. Por emri dhe kotributi i saj do të mbetën përjetësisht në memorien e njerëzve si një ndër emrat e nderuar dhe të respektuar të mësuesisë lezhjane e më gjerë. Përjetësisht mirënjohje misionares së arsimit!

VANGJEL KOJA – XHELA, TRAJNERI I 90 TROFEVE DHE 100 NDESHJEVE NDËRKOMBËTARE NGA Dash Frasheri

Kur bashkëbisedon me trajnerin e famshëm të volejbollit të meshkujve të Dinamos, Vangjel Koja, të duket vetja se ke hyrë në “Bibliotekën e Kombëtares të Volejbollit”. Shënime për çdo kampionat; skeda për çdo ndeshje; statistika për çdo lojtar, fotografi për çdo trofe dhe gjeneratë lojtarësh që ka stërvitur “Mjeshtri i Merituar i Sportit”. “Xhela”, trajneri i 90 trofeve në 40 vjet karrierë si profesionist, 100 ndeshje ndërkombëtare me Dinamon dhe ekipin Kombëtar.
Në kohën që ai ishte drejtues i Dinamos, ekipi ka fituar 17 kupa republike dhe 23 tituj kampionësh, nga viti 1965 deri në vitin 1990, u nderua nga televizioni “TeleSport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin prestigjioz “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”. Vangjeli, sot 81 vjeç, nuk ishte i pranishëm në ceremoninë “Gala” në Hotel “Tirana International” më 15 dhjetor 2014, pasi ishte në Itali, tek i biri, Orlandoja, edhe ky një trajner i suksesshëm volejbolli. Në vend të tij, medaljen e mori arkitekti Daljan Bio, një ish-sportisti i tij.
Por, Vangjeli në intervistën e tij për “Sport Plus”, nuk harron të falënderojë presidentin e kompanisë, Dr.Muhamet Malon, për gjithçka që ai po bën sportin: “Më shumë se çmimi dhe bonusin financiar që na dha, është ajo që ai po bën për të nderuar figurat e mëdha të së kaluarës, që për fat të keq janë lënë disi në harresë. Prandaj, një tjetër çmim merite meriton edhe zoti Muhamet Malo”. Është një rast unikal, që një trajner, me të njëjtin ekip për 29 vjet, të fitojë titullin kampion të Shqipërisë, për 20 vjet, ku shumica e titujve ishin radhazi! Dhe ky është Vangjel Koja, një ish-sportist polivalent në volejboll, basketboll, atletikë, alpinizëm, ski, por të gjithë e quajnë si “magjistarin” e volejbollit.
SPORTIST POLIVALENT
Vangjeli e kishte nisur sportin në vitin e 1947, kur në moshën 14 vjeçare ishte shpallur kampion me të rinjtë e ekipit të Tiranës në katër gara: hedhje shtize, kërcim së gjati dhe në vrapimet në distancat 800 e 400 metra.
“E kam filluar me atletikën, 400m, 800m, kërcim së gjati, trehapësh. Kam marrë pjesë pesëgarësh. Për trajnerin isha si ajo lotaria, kur i duhej fitorja në kampionatin e atletikës, apo kërcim së gjati, më fuste mua. Gara ime personale ka qenë kërcim së gjati”, – tregon Xhela për “Sport Plus”. Vangjelit i pëlqenin basketbolli dhe volejbolli.
Në vitin 1956, një direktivë e ardhur nga lart, i detyroi sportistët që të specializoheshin në një lloj sporti. Vangjeli zgjodhi volejbollin. Dhe bëri zgjedhjen e duhur. Fitoi tituj pa fund, u shndërrua në një idhull për volejbollistët e djeshëm dhe të sotëm. Koja sot është “Mjeshtër i Madh”, titull i dhënë nga Presidenti i vendit në dhjetor 2003 dhe laureuar gjithashtu me tre urdhra “Naim Frashëri” të kategorive 1,2 dhe 3, ai mban edhe titullin “Mësues i Popullit”.
“DINAMOVITI I RI”
Në vitin 1958 krijon shkollën sportive “Dinamoviti i ri”. Deri në vitin 1963 bën trajnerin dhe lojtarin në ekipin e volejbollit (meshkujt) të Dinamos, një ekip që u krijua në vitin 1958. Merr pjesë në disa turne ndërkombëtarë, por në këtë kohë forma e ekipit të ri nuk ishte më e mira.
Dinamo luan fillimisht në kategorinë e dytë, por duke dalë kampion në vitin 1959, futet në të parën. Më tej rritja e ekipit të Kojës është e papërballueshme. Në vitin 1961 zë vendin e katërt, një vit më pas të tretin, më 1963 të dytin dhe më 1964 të parin. Sipas Kojës, gjithçka i dedikohet një grupi lojtarësh shumë të aftë, siç ishin Asllan Rusi, Kreshnik Tartari, Ylli shehu, Franc Jakova, Zhani Bonata, Anastas Panteqi, Andrea Gjika, Foto Kola, Ali Lulolli, Shkëlzen Hoxha, Shaban Uka, Kiço Lena, Enis Terihati, Rajmond Gjerazi, Ilir Cirinaku, Hajrulla Beriolli, Leonard Tase, Vladimir Starja, Daljan Bio e të tjerë. Pasi ekipi meriton titullin “Kampion Kombëtar” në vitin 1964, rritja është e papërmbajtshme. Sipas trajnerit, në vitin 1966 Dinamo shpallet kampion me 14 fitore dhe asnjë humbje. “Ndërkohë, kishim humbur një lojtar shumë të mirë, Zhani Bonatën, një gjuajtës që rivalizonte Asllan Rusin. Bonatën e goditën për shkak të biografisë. I kishin pushkatuar të atin. Ishte një humbje e madhe për skuadrën”, – rrëfen Vangjeli.
Gjithsesi, Dinamo kishte bërë përpara. Turne të ndryshme, qoftë në Kinë, vend që me të cilin në atë kohë shteti shqiptar kishte marrëdhënie të mira, kishin bërë që skuadra të merrte edhe përvojën e duhur në ndeshje ndërkombëtare. Më pas 8 vite rresht Dinamo shpallet kampion kombëtar. Tetë vite më pas ekipi futet në gjysmëfinalet e Europës. Koja është në drejtim të Dinamos deri në vitin 1990. Më tej shkon trajner në Itali, ku merret për gati 10 vite më trajnimin e femrave në Kastelana Grotte (Pulia) duke pasur sërish sukses.
KUR KOJA ELIMINONTE VIRTUSIN
Sfida evropiane nis në vitin 1966, kur për herë të parë një ekip shqiptar merr pjesë në kupat e Evropës. Ndeshja e parë sipas shortit zhvillohet në Tiranë. Përballë ishte kampionia e Italisë, VIRTUS-Bolonja. Sipas statistikave të pagabueshme të trajnerit, Mjeshtrit Vangjel Koja, Dinamo fiton 3-0 (45-18). Ndërsa në Itali mundet 0-3 (45-28). Këtë radhë përballë kishin volejbollistët me eksperiencë të BLLOKER, kampiones së Holandës. Ndeshja e parë përfundon 3-0 (45-30), por në Holandë gjithçka përmbyset. Dinamo humbet 0-3 (45-28) dhe skualifikohet vetëm për dy pikë. Në vitin 1970 dhe 1971 Dinamo mund dy herë në Athinë dhe dy herë në Tiranë ekipin kampin grek Panathinaikos, ndërkohë që fitorja në Tiranë me MLLADOST-in e Zagrebit 3-1, me gjithë humbjen në transfertë 0-3, është llogaritur si nje tjetër arritje e madhe e volejbollit shqiptar, për shkak se kjo skuadër ishte në elitën e volejbollit botëror.
VENDI I KATËRT NË EUROPË
Historia shkruhet në vitin 1972, kur Dinamo kualifikohet në gjysmëfinalet e kampionëve të Evropës. Dinamo kualifikohet duke pasur në grup skuadra nga më të mirat si AMVJ-Holandë, CSKA-Sofje dhe REBELS-Belgjikë. “Kur mundim 3-2 me CSKA-në dhe 3-1 me REBELS, mundet 3-0 nga kampionët e Holandës (këtu u bënë ndeshjet kualifikuese).
“Sigurisht, që ky turne ishte shumë i fortë, për arsye se, skuadra që do të fitonte vendin e parë dhe të dytë kualifikoheshin për në finalet e Kupës e Europës. Ne siç duket patëm edhe fat të ishim finalistë të Kupës së Europës”, – janë fjalët e trajnerit Vangjel Koja, në aeroportin e Rinasit, pas mbërritjes nga Holanda.
“Në 50-60 vjet si trajner, gjatë të cilave kam stërvitur e njohur qindra volejbollistë më kanë rënë në dorë talentë të lindur: Dashamir Fagu, i cili nuk ishte i imi, dhe tjetri Adrian Doçi. Emrat e tjerë, si Asllan Rusi, Shaban Uka, Shkëlzen Hoxha e të tjerë janë bërë me punë. Kur e kishim pushim, Asllan Rusi vraponte nga kodrat e liqenit. Po, kështu është edhe historia e Ela Tases, vetëm puna ia dha këtë emër që ka sot”, – thotë trajneri që ka pasur fatin të stërvitë kampionë.
DASHURIA PËR SANIJEN DHE CITATI I GËTES
Djalosh i pashëm, sportist i shquar, natyrë enciklopedike, Vangjel Koja mund të ishte i preferuar i gjitha vajzave të Tiranës. Por, ai ia kishte vënë prej kohës syrin. E kishte bërë zgjedhjen e tij: Sanije Buthin, motrën e futbollistit të famshëm të 17 Nëntorit, Bule Vathit, i cili më pas u arratis së bashku me Bahri Kavajën duke u hedhur nga vapori në ngushticën e Dardaneleve, gjatë rrugës për në Stamboll në vitet 1950. Në fakt, Sanija ishte basketbolliste dhe atlete. Një sportiste e shkëlqyer, boll të kujtoj faktin se ajo doli pesë herë kampione e Shqipërisë në basketboll. “Njohja jonë nisi në sport. Rrinim shumë bashkë, por si shokë e shoqe, por dalëngadalë na lindi dashuria pa e kuptuar. Unë gjeta një fragment nga një poezi e Gëtes, ku thuhej se nuk ka miqësi të sinqertë midis një mashkulli e një femre, ajo shpejt apo vonë kthehet në dashuri. Gjeta rastin dhe ia dhashë, duke i treguar se ne jemi vërtet shokë e shoqe, por po kështu të kam edhe unë ty , – tregon Koja, teksa 81-vjeçarit i duhet të kthehet 50 vjet prapa në kohë, për t’i riparë filmin e jetës së tij që kulmoi me martesën e tyre në vitin 1961, pra 54 vjet më parë.
“Por, janë vite të një dashurie të madhe për njëri-tjetrin, – thekson Vangjeli, i cili shton se iku nga shtëpia e prindërve ende pa u martuar, pasi ai ishte i ortodoks dhe Sanija, muslimane. “Prindërit e mi ishin shumë fanatikë pas fesë. Babai im, Grigori, nuk e pëlqeu që unë të kisha shoqe jetë një vajzë të fesë tjetër, por unë e doja si i çmendur Sanijen time. Kjo ishte një nga dashuritë e para të sportistëve, por edhe arratisja e të vëllait në Dardanale. Bulja u kthye pas 62 vjetësh në Shqipëri, në vitin 1992 nga Shtetet e Bashkuara, pasi kishte jetuar më parë në Turqi dhe Itali, te vëllai i Zihni Gjinalit. Vdiq në Shqiëpri, i pamartuar. Por, ai nuk besonte se çfarë ka hequr familja e Bule Vathit në Shqipëri”.
PESHKIM EDHE NË SHTETET E BASHKUARA
Pasioni tjetër i madh i Vangjel Kojës mbetet peshkimi. “Së bashku, edhe me Petrit Murzakun, një kolos i volejbollit, me të cilin kam miqësi shumë të madhe, pasi nënat tona ishin shoqe të ngushta pasi shkonin në Kishën e Shën Prokopit te Liqeni. Petriti ka kapur peshq edhe peshk me 10 kg, pasi ishte gjysëmzhytës dhe gjuante me pushkë , kurse unë gjuaja me grep. Kam kapur krap që peshonte gjysmë kile. E bukura se kam shkuar, për të gjuajtur peshq edhe në Majemi. Kur në jetën time, s’kam pasur rast të kapja aq shumë peshq, 5-6 kg në ditë. Atje ku gjuaja unë peshk, vetëm unë isha apo ndonjë nga Amerika Latine. Më kujtohet, se kam gatuar peshk për një familje izraelite të ftuar nga goca”.
EMA MODELON VESHJET E VIKTORIA BEKHAMIT
Familja e Vangjel e Sanije Kojës është e lidhur gjithë jetën me sportin: Vangjeli volejbollist, Sanija basketbolliste, djali Orlando, volejbollist e trajner, ndërsa vajza, Ema, volejbolliste dhe tashmë një nga modelistet më të famshme të modës në Shtetet e Bashkuara. “Vajzën e futa në Institutin e Fizkulturës, pasi e gjithë familja jonë e ka mbaruar atë. Edhe ajo kishte shenja të mira sportin, pavarësisht se nuk ishte ndonjë talent i madh. Kur shkuam në Itali në vitin 1991, u habita kur ajo morri lapsat dhe ngjyrat dhe bëri një pikturë shumë të bukur. Unë babai i saj, nuk dija se ajo ishte e talentuar në pikturë. E kemi dhe sot në shtëpi atë pikturë. Pas Italisë, ajo shkoi në Shtetet e Bashkuara (1996), në Majemi të Floridës, ku edhe ka shtëpinë e saj të modës. Shkoj shpesh në Amerikë, për ta vizituar”, – tregon Vangjeli. Paris Hilton, Paola Abdul, Anna Kurnikova, Victoria Beckam, Brook Burk, Lil Kim, Tyra Bangs, Keli Klarkson, Sofia Vergara, Adriane Curry, Xhenifer Lopez, Foebe Price mbajnë në trup veshjet e stiluara nga Ema Koja, e njohur në SHBA me emrin e firmës së së saj, “Ema Saval”
ORLANDO, KAMPION SI TRAJNER NË ITALI
Orlando Koja ka ecur në gjurmët e të jatit: volejbollist dhe trajner volejbolli. Madje, ish-basketbollisti i njohur i Partizanit, Astrit Hutka, nxënës i Vangjel Kojës, thotë me shaka: “Orlandoja është bëtë një trajner më i mirë se Xhela”. Orlando drejton Trentino Volley Rosa, sot Delta Informatica, ekipin e volejbollit të Trentos. “Kishin dhjetë vjet që synonin kategorinë e parë, por Orlandoja në dy vitet e fundit ia doli ta çonte atë.
Në Itali e konsiderojnë sukses të jashtëzakonshëm. Orlando ka fituar Kupën e Italisë për Serinë B1 e B2, me skuadrën e tij Delta Informatika të Trentos, ndonëse me buxhet modest.Edhe dy fëmijët e Orlandos janë
në gjurmët e të atit: Stiveni, dhe Tomasi, vjeç merren me volejboll dhe po kështu djali i Emës, Keidi, vjeç.
VANGJEL KOJA
Lindur, më 19 prill 1933
“Mjeshtër i Merituar i Sportit”,
“Nderi i Sportit Shqiptar”
Dekoruar me “Naim Frashëri” I, II, III
Diplomuar në A.E.F.S “Vojo Kushi”
(Sot, Universiteti i Sporteve)
1955-1990, trajner i Dinamos, volejboll meshkuj
1965-1990, trajner i ekipi Kombëtar të volejbollit për meshkuj
23 herë kampion më Dinamon,
17 herë fitues i Kupës së Republikës
50 herë fitues i kupave të ndryshme jubilare
2 herë fitues i Spartakiadave Kombëtare
100 ndeshje ndërkombëtare me Dinamon dhe ekipin Kombëtar
Vendi i katërt midis skuadrave kampione të Europës në volejboll për meshkuj në vitin 1972

PETRIT MURZAKU, TALENTI UNIVERSAL I PARTIZANIT I DEKORUAR DHE NGA VLADIMIR PUTIN Nga Dash Frasheri

Kur qe 12 vjeç ndoshta ishte një nga partizanët më të rinj në moshë të Brigadës së XVII-të Sulmuese dhe të ushtrisë partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore; 19 vjeç u shpall volejbollisti më i mirë i Leningradit në Bashkimin Sovjetik; me 110 ndeshje ndërkombëtare në volejboll dhe kampion në të paktën shtatë lloje të ndryshme sporti, Petrit Murzaku e meriton të quhet “gjenerali i volejbollit në Shqipëri”.
Përveç shtatë dekoratave dhe urdhrave të dhënë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor para viteve 1990 dhe Presidenca e Republikës pas viteve 1990, ka edhe një dekoratë të veçantë të akorduar nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Nga 15 dhjetor 2014, “muzeut Murzaku” iu shtua edhe “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyra në sport”, të akorduar nga televizioni “Telesport” dhe “Sport Plus”. Medaljen, të shoqëruar edhe me një bonus financiar, Murzakut ia dorëzoi Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, gjatë ceremonisë “Gala”, të organizuar në Hotel “Tirana International”.
Petrit Murzaku u lind, më 14 mars të vitit 1932 në Tiranë në kohën kur lëvizja sportive në Shqipëri po njihte një hop cilësor. Asokohe zhvillohej kampionati i tretë i futbollit, me dy të parët e fituar nga Sportklub Tirana. Babai i tij, Avrami, ndërroi jetë në vitin 1941, kur Petriti ishte 8 vjeç.
Fëmijërinë e hershme e kaloi në Elbasan, i rritur me dashuri nga nëna e tij, Sotira, pjesëtare e njësitit gueril. Petriti nisi të punojë qysh në moshën 10 vjeç në Fabrikën e Tullave, ku njihet edhe me komunistët Gjok Doçi, Naun e Mihal Panxhi. Shpërndau trakte e letra sekrete, duke qenë pjesëtar i Brigadës së XVII-të sulmuese në vitin 1944 në moshën 12-vjeçare.
Një vit më pas, 1945, ai është në Shkollën “Skëndërbej”, së bashku me motrën, Veronikën, e cila është marrë edhe me alpinizëm. Trajneri i parë i tij ishte Rexhep Rama, ndërsa më të punuan edhe mjeshtrit Izet Cani, Ali Kastrati, Pjerin Muzhani, Myftar Marku panë te ai një sportist me të ardhme. Petriti ishte një sportist shumëplanësh: volejboll, futboll, basketboll, boks, skermë, por edhe me një pasion të jashtëzakonshëm për peshkimin. Shokë të tij të sportit në Elbasan ishin midis të tjerëve, Vasil Daka, Agron Starova, Enver Përnaska, Coli Papa, Sotiraq Blida, Dhimitër Lala, Hasan Dine, Servet Abazi, Vehap Xhindoli, etj.
Trajneri Ali Kastrati e mori në ekipin e tij të boksit te Partizani, kurse me Naim Pilkun u bë kampion kombëtar me basketbollin në vitin 1948, ndërkohë që luajti edhe futboll me Partizanin po në këtë vit, ku ndeshja e parë e tij ishte ajo kundër Flamurtarit të Vlorës (3-0), teksa ishte shok dhome me Refik Resmjen, një nga sulmuesit më të mëdhenj që ka nxjerrë Shqipëria, ndërsa idhull kishte Loro Boriçin, një figurë me dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, ish-trajner i Partizanit dhe i Kombëtares.
Në shtator 1949, Petriti shkon në ish-Bashkimin Sovjetik në shkollën “Politiko-Pedagogjiko-Ushtarake”. Pasioni për sportin dhe cilësitë e rralla si sportist e inkuadrojnë Petritin në ekipet sovjetike të Leningradit: volejboll, basketboll, boks dhe futboll. Në vitin 1951, 19-vjeçari Murzaku u shpall hendbollisti më im mirë i Leningradit, madje duke u shpallur “Mjeshtër Sporti”.
Në Shën-Petersburgun e sotëm ai u nderua me shumë diploma në” volejboll, basketboll, futboll. Gjithmonë e shihje me çantën në krah, nga një terren sportiv në tjetrin. Rikthehet në Shqipëri në vitin 1952, ndërsa tre vjet më pas e shohim Petrit Murzakun si kapiten të ekipit kombëtar të volejbollit në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë.
Numëron mbi 110 ndeshje ndërkombëtare volejbolli (57 fitore), duke pasur si kundërshtarë ekipet nga vendet e Lindjes në Lajpcig; Kampionati Europian në Pragë (1958); Ballkanik në Bukuresht (1958); Olimpiada “Stundenteske” në Moskë. Murzaku ka luajtur kundër ekipeve nga Rumania, Polonia, Gjermania, Austria, Bashkim Sovjetik, Kina, Hungaria, Bullgaria, Çekia, Belgjika, Holanda, Jugosllavia, Italia, Egjipti, Japonia, Mongolia, Turqia, Kore e Veriut, Anglia dhe Danimarka, etj.
Interesant është fakti se, në ndeshjet e turneut të zhvilluar në Pekin u ndoqën nga udhëheqësit më të lartë kinezë të asaj kohe, si: Çu Em Lai, Ten Hsiao Pini. Në Kinë, Petriti ka qenë dy herë: 1957 dhe 1962.Murzaku zotëronte një teknikë të përsosur, manovrim të shkëlqyer me topin, pasues i saktë, gjuajte perfekt, e për më tepër një lider i skuadrës. Ai shndërroi volejbollin në art. Gjithmonë në shërbim të skuadrës, strateg i lojërave spektakolare.
Pas përfundimit të studimeve në fushën Politiko-Pedagogjiko-Ushtarake, Murzaku u diplomua në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, duke punuar dhjetë vjet si trajner dhe inspektor në klubin sportiv Partizani si dhe 20 vjet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve , në fillim si pedagog dhe më vonë në detyrën e Shefit të Katedrës së Fiskulturë Fizike. Petrit Murzaku e ka mbyllur me lavdi karrierën e tij sportive dhe atë si kuadër ushtarak në radhët e ushtrisë. Murzaku është një kampion i lindur. Kur sheh foton e tij me dekoratat e shumta ndihesh krenar për një sportist dhe ushtarak të atillë. Një model. Pas shkëputjes nga sporti i luajtur, ai është aktivizuar si arbitër volejbolli, si dhe kryetar dhe sekretar i kolegjiumit të arbitrave të volejbollit të Tiranës.
Petrit Murzaku nuk është dalluar vetëm si volejbollist, ai ka ushtruar disa sporte njëherësh: kampion në basketboll, por edhe në shtizë e kanotazh, vaterpol, hedhje disku Sporte që i përballoi me sukses, falë fizikut të shkëlqyer. Madje ai ishte rekordmen absolut në hedhjen e shtizës (1955), teksa ai ka marrë pjesë edhe në dhjetëgarësh (vendi i tretë). Nëse dikush dëshiron të vizitojë shtëpinë e Petrit Murzakun do të shohë një “muze” në një nga dhomat e tij: medalje dhe kupa të fituara, qindra fotografi si kampion, rekordmen, protagonist në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. E këtu nuk mungojnë edhe medaljet e kupat e dy vajzave të tij, njëra volejbolliste me Dinamon dhe tjetra me Tiranën.
Petrit Murzaku doli në pension në vitin 1987, në moshën 55 vjeç, por me 43 vjet aktivitet e punë pa ndërprerje, qysh kur doli partizan në moshën 12 vjeç në vitin 1944. Murzaku ka punuar me shumë emra të njohur të sportit dhe ushtarakë si: Isa Tare, Mark Mici, Bashkim Lika, Nasi Gjergjo, Suvorov Nikolla, Bekim Mataj, Myslim Mebeli, Durim Gorishti, Vasil Nikolla, Sulejman Starova, Sabah Bizi, Ilir Lame, Tomor Shehu, etj.
Petrit Murzaku është martuar me Kleopatrën, edhe ajo një volejbolliste, bashkëkohëse e Fahrie Hotit, me të cilën pati tri vajza: Mirela, Ingriti dhe Rudina. Petriti e konsideron Kleopatrën, jo vetëm shoqen e tij të jetës, por edhe si pjesë e pandashme e sukseseve të tij në sport. Patra e quan Petrit, një bashkëshort model, që shkëlqen jo vetëm në sport, por dhe në marrëdhëniet familjare. Edhe motra më e vogël e familjes
Murzaku, Dhurata, është marrë me volejboll.
KUPA “PETRIT MURZAKU”
Në kuadër të festimeve me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut, u zhvillua në ambientet e palestrës së lojrave, pranë Ministrisë së Mbrojtjes kupa e volejbollit për vajza “Petrit Murzaku”. Në këtë aktivitet sportiv morën pjesë ekipet e volejbollit për vajza të klubit Tirana, Partizani, “Sh.Uka” dhe ekipi Dardania i Forcave të Armatosura. Kupën e fitores ia dorëzoi ekipit “Sh.Uka”, mjeshtri i Volejbollit, Petrit Murzaku.
MIRERLA, INGRITI DHE RUDINA
Mirela, Ingriti dhe Rudina janë tri vajzat e Petrit Murzakut, por vetëm dy të parat u morën me volejboll. Mirela ishte volejbolliste e Dinamos, ndërsa Ingriti e 17 Nëntorit, Tiranës së sotme. Ingriti është një nga volejbollistet më të njohura në Shqipëri. Me një karrierë të gjatë 25 vjeçare, që kulmoi me medaljet e arta në Lojërat Mesdhetare në Latakia të Sirisë në vitin 1987. Ingriti ka qenë anëtare e ekipit kombëtar të volejbollit në drejtimin e trajnerëve Kreshnik Tartari dhe Ilir Xhemalçe. Ingriti ka luajtur edhe në kampionatin grek për 14 vite rresht, nga 1991-2005, duke fituar pesë kampionate e katër kupa me Vrilisja të Athinës. Ajo është aktivizuar edhe në volejbollin e plazhit së bashku me Moza Dulen dhe Agi Babulin. Ingriti është martuar me ish-volejbollistin Alfred Koja.
***
SKEDA
PETRIT MURZAKU,
Mjeshtër i Merituar Sporti
Instituti i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”
Shkolla Ushtarake Pedagogjike “Leningrad”.
24 vjet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, si pedagog dhe shef katedre
KARRIERA SPORTIVE
Trajner i ekipit të volejbollit
Kapiten i ekipit kombëtar të volejbollit
Anëtar i ekipit kombëtar të basketbollit
Kampion dhe rekordmen në flakjen e shtizës
Ka 110 takime ndërkombëtare, 57 fitore me ekipin kombëtar
Pjesëmarrës në dy kampionate europiane dhe një botëror
Ka luajtur si futbollist, boksier, hendbollist, atlet, volejbollist, basketbollist.
Është nderuar me titullin: “Nderi i Qytetit të Tiranës”
TITUJ NDERI
Mjeshtër i Merituar i Sportit
Nder i Sportit Shqiptar
Urdhër i Artë “Naim Frashëri”
Urdhër i Punës i Klasit të Dytë
Urdhri “Skënderbeu” i Klasit të dytë
Urdhër Ushtarak i Klasit të dytë
Urdhër i “Yllit të Kuq”
Urdhri “Naim Frashëri” të Klasit Parë dhe Dytë
Dekoratë me rastin e 9 majit, fitores ndaj nazizmit, akorduar nga Presidenti rus Vladimir Putin
Medalja e Çlirimit
TITUJT KAMPION
22 Medalje kampioni në volejboll dhe basketboll
Në volejboll në vitet: 1952, 1953, 1954, 1955, 1956, 1958, 1959, 1960, 1961, 1962 dhe 1963.
Në basketboll: 1952, 1953, 1954, 1955, 1956 dhe 1957.
Në shtizë: 1955, 1956, 1957, 1958, 1959, 1960, 1961, 1962 dhe 1963.
NË SPARTAKIADËN KOMBËTARE
Volejboll Vendi i Parë,
Shtizë Vendi i Parë,
Gjyle Vendi i Dytë,
Dhjetëgarësh Vendi i Dytë,
1955. Pjesëmarrës në Festivalin Botëror të Varshavës, për volejboll.
1957. Pjesëmarrës në lojërat e Festivalit të Rinisë në Moskë
1962, 1974. Turne sportiv në Kinë, ku u luajt futboll dhe volejboll, në qytetet: Pekin, Hanxhou, Tiancin, Kanton etj.
Vendet me ekipet e të cilave është ndeshur ekipi ynë kombëtar i volejbollit, pjesë e të cilit ka qenë edhe Petriti: Rumania, Polonia, Gjermania, Austria, B.S., Kina, Hungaria, Bullgaria, Çekia, Belgjika, Holanda, Jugosllavia, Italia, Egjipti, Japonia, Mongolia, Turqia, Kore e Veriut, Anglia dhe Danimarka.

Më 15 tetor 1944 lindi politikani i shquar Sali Berisha

Sali Berisha (15 tetor 1944, Viçidol) është një kardiolog dhe politikan shqiptar që shërbeu si presidenti i dytë i Shqipërisë në vitet 1992 – 1997, dhe presidenti i parë i zgjedhur nga një parlament i dalur nga zgjedhjet të lira demokratike pas rënies së regjimit komunist. Berisha qe edhe kryeministër i Shqipërisë nga 2005 deri më 2013. Ka qenë kryetar i Partisë Demokratike dy herë, në periudhën 1991 – 1992 dhe sërish nga 1997 gjer më 2013. Disa herë u zgjodh deputet në Kuvendit të Shqipërisë.

Berisha e braktisi karrierën e tij si kardiolog dhe profesor i universitetit për t’u bërë lideri i Partisë Demokratike.

Biografia

U lind në fshatin Viçidol në prefekturën e Kosovës (çka territorialisht sot është Qarku i Kukësit) në një familje besimtarësh muslimanë, i biri i Ramës dhe Sheqeres. Saliu u lind pas vëllait të madh, Selimit dhe të motrës, Hajries. Për të lexuar e mësoi e motra, kur ai vetë ka qenë 5 vjeç. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë, kur teknikumi mjekësor ndodhej tek Medreseja. I apasionuar pas letërsisë dhe historisë, më 1963 nisi studimet për mjekësi në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua më 1967.

Në vitin 1978 fitoi një bursë nëntë mujore nga UNESCO për studime të avancuara dhe trajnime në Paris. Pasi përfundoi me sukses studimet e avancuara në Paris, drejtoi një program kërkimor për hemodinamikat.

Në vitet ’70 u emërua pedagog në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve 1980 – 1990 publikoi libra studimorë, tekste universitare dhe artikuj shkencorë në fushën e kardiologjisë brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 1986 u zgjodh anëtar i Komitetit Evropian për Kërkime Mjekësore me qendër në Kopenhagë, për kërkimin në shkencat mjekësore. Më 1989 iu dha titulli Profesor në Universitetin e Tiranës.

Mbas vdekjes së diktatorit komunist Enver Hoxha, Berisha shpresonte që pasardhësi i tij Ramiz Alia do të zbuste politikën e ashpër staliniste të paraardhësit të tij dhe do të inkurajonte ndryshimet. Por bashkë me një numër në rritje të intelektualëve, studentëve dhe të rinjve punëtorë ai mbeti i zhgënjyer kur këto shpresa nuk u realizuan. Në vitin 1989 kur vendet e Evropës Lindore filluan të përmbysnin komunizmin Sali Berisha dhe mbështetësit e tjerë të reformave dolën më hapur në thirrjet e tyre për ndryshime në Shqipëri.

Në tetor të vitit 1989 në një intervistë me Televizionin Shqiptar të kontrolluar nga shteti ai i kërkoi regjimit të fillojë një program të gjerë liberalizimi, por intervista e regjistruar nuk u transmetua në televizion. Në gusht të vitit 1990 në një takim të disa intelektualëve shqiptarë me Ramiz Alinë Berisha kërkoi lejimin e sistemit shumëpartiak dhe ekonominë e tregut. Në një artikull të botuar në gazetën “Bashkimi” më 17 shtator 1990 Berisha dënoi ato që ai i quante ”reforma kozmetike” të regjimit të Alisë. Pa pluralizëm politik, theksonte ai, nuk mund të ketë demokraci të vërtetë në Shqipëri. Në dhjetor të vitit 1990 ai iu bashkua që në ditën e parë demonstratave të studentëve të cilat e detyruan regjimin të lejonte sistemin shumëpartiak. Me krijimin e partisë së parë anti-komuniste, Partisë Demokratike, ai ishte një nga drejtuesit kryesorë të saj dhe në shkurt të vitit 1991 ai u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Sali Berisha ka qenë zgjedhur deputet i parlamentit në 1991, 1992, 1997, 2001, 2005 dhe 2009.

Jeta politike
President (1992-1997)

Pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, Berisha u zgjodh President i Republikës më 9 prill 1992. Gjatë mandatit si President i Republikës së Shqipërisë, Shqipëria u hap ndaj perëndimit; ajo u bë anëtare e Këshillit të Evropës në vitin 1995; nënshkroi Marrëshveshjen për Paqe dhe Partneritet në vitin 1993 dhe vendosi bashkëpunim të ngushtë me vendet e BE-së dhe ShBA-në. Të gjitha ligjet e diktaturës komuniste u zëvendësuan me ligje të reja të standardeve evropiane dhe u krijuan institucione të reja si Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që nuk ekzistonin më parë.

Rënia e skemave piramidale në fund të viti 1996, në të cilat shqiptarët humbën miliona dollarë, çoi në demonstrata në të cilat njerëzit akuzonin qeverinë për vjedhjen e parave. Trazirat e krijuara si rezultat i kësaj në fillim të vitit 1997 e detyruan Berishën të dekretonte zgjedhjet e parakohshme në qershor 1997. Këto zgjedhje u fituan nga opozita dhe pas kësaj Berisha dha dorëheqjen si President.

Kryetar i opozitës (1997-2005)

Më pas Berisha ri-zgjidhet Kryetar i Partisë Demokratike dhe këtë pozicion e mban nga viti 1997 deri, i rizgjedhur në prill 2005 deri në 26 qershor 2013.

Në vitin pasues Berisha e fut Partinë Demokratike në koalicion me partitë e qendrës së djathtë dhe në zgjedhjet e përgjithshme politike të mbajtura në pesë raunde në periudhën qershor-gusht 2001 zgjidhet drejtues i koalicionit. Megjithëse misioni vëzhgues ndërkombëtar OSBE / ODIHR i quajti këto zgjedhje të manipuluara, koalicioni fitoi 37 % të votave.

Kryeministër (2005-2013)

Me 3 korrik 2005, koalicioni prej pesë partive të qendrës së djathtë i drejtuar nga Sali Berisha ja arrinë që të fitojë një mazhorancë prej 74 deputetësh nga 140 gjithsej në Kuvend dhe më 8 shtator 2005 me shumicë prej 81 votash të deputetëve zgjidhet Kryeministër i Shqipërisë. Më 4 prill 2009 Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në NATO. Kjo u arrit falë reformave të kryera të qeverisë Berisha. Sipas revistës së mirënjohur amerikane Forbes Shqipëria ishte pothuajse i vetmi vend në Europë qe kishte rritje ekonomike dhe e konsideron Berishën si arkitektin e suksesit ekonomik të Shqipërisë.

Më 28 qershor 2009 u mbajtën zgjedhjet e radhës për parlamentin ku koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike fitoi 70 mandate nga 140 te tilla. Zgjedhjet u çertifikuan nga OSBE/ODIHR si zgjedhje që shënuan progres të dukshëm lidhur me regjistrimin e votuesve, procesin e identifikimit, kornizën ligjore, procesin e votimit, numërimit të votave dhe zgjidhjes së ankesave. Berisha ftoi LSI-në në koalicion, ftesë që u pranua nga z. Ilir Meta. Qeveria e re konsiderohet si qeveria e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë periudhës së qeverisjes nga qeveri e drejtuar nga Berisha, u ndërtuan, shtruan apo asfaltuan më shumë se 10.000 km rrugë, duke lidhur mbi 900 fshatra me komunat dhe 169 komuna me infrastrukturën rrugore kombëtare. Për t’u përmendur janë rruga Tiranë-Elbasan dhe në mënyrë të veçantë, rruga Durrës-Kukës, që njihet ndryshe si “Rruga e Kombit”, sepse lidh Kosovën me qytetin e Durrësit. Kjo e fundit përshkon Shqipërinë lindje-perëndim dhe është vepra më e madhe rrugore në historinë e Shqipërisë. Ndërtimi i kësaj rruge u kritikua nga Partia Socialiste si shumë e kushtueshme. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në një fjalim në Kukës gjatë ndërtimit të rrugës, theksoi se me paratë e harxhuara për ndërtimin e kësaj rruge do të ishin ndërtuar shumë rrugë të tjera në Shqipëri.

Një tjetër arritje e qeverisjes së Berishës ishte sigurimi i energjisë elektrike pa ndërprerje për qytetarët shqiptarë për herë të parë në historinë e Shqipërisë.

Gjatë qeverisjes së Berishës u krijuan kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO gjë që u realizua më 2 prill 2009. Gjithashtu u plotësuan të gjitha kushtet dhe kriteret për heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Europian. Mbas miratimit të këtij vendimi nga Parlamenti Europian, ai hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010.

Sali Berisha është i martuar me Liri Berisha, e cila është pediatre dhe kanë dy fëmijë, një vajzë, Argitën, dhe një djalë, Shkëlzenin. Berisha zotëron gjuhën angleze, frënge, italiane,ruse.
Tituj e vlerësime ndërkombëtare

Më 23 prill 1996 i jepet dekorata Cavaliere di Gran Croce decorato di Gran Cordone dell’Ordine, nga Presidenti i Republikës italiane.
Në vitin 2009 Universiteti i Prishtinës i dha Kryeministrit Berisha titullin Doctor honoris causa.

Më 12 tetor 1960 në OKB Hrushovi heq këpucën dhe e përplas disa herë në tavolinë

VOAL – Më 12 tetor 1960, u zhvillua një nga sesionet më të nxehta të Asamblesë së Përgjithshme të KB.
Një gjest në veçanti ka bërë histori. Presidenti rus Nikita Hrushov i cili heq një këpucë dhe e përplas vazhdimisht në tryezë për të protestuar kundër delegatit filipinas i cili akuzoi BRSS për “imperializëm” në Evropën Lindore.
“President, ndali ata lëpirës të imperializmit Amerikan”, tha Hrushovi.
Seanca u pezullua dhe u ndërpre, midis sharjeve të disave dhe të qeshurave të të tjerëve.
Filipinasi kishte thënë se “popujt e Evropës Lindore janë privuar nga ushtrimi i lirë i të drejtave të tyre shoqërore dhe politike, ata janë gëlltitur nga BRSS”.
Hrushovi ishte dukshëm i nervozuar nga fakti i thjeshtë që KB po diskutonte politikat sovjetike ndaj Evropës Lindore. eb

ALIDA HISKU – PLAGËT E PASHËRUARA TË NJË ARTISTEJE TË MADHE Intervistoi: ALBINA GJERGJI

Përtej pasionit, personalisht e kam konsideruar edhe fat të madh që në jetë kam ushtruar profesionin të cilin gjithmonë kam dashur, pra gazetarinë. Të zgjohesh e të shkosh në punë me dëshirë them se është pikënisja e një dite që premton të ecë mbarë dhe nga ku energjia pozitive nuk ndjehet vetëm në ty, por pasqyrohet edhe brenda stafit!

Zakonisht, pas mbledhjes së mëngjesit, ku në prani të drejtorit dhe kryeredaktorit diskutojmë mbi temat dhe personazhet e ditës, të gjithë gazetarët shpërndahen për të realizuar objektivat e tyre. Në axhendën e ditës unë kisha lënë takim me të madhen Alida Hisku, këngëtaren e mirënjohur, së cilës për vite me radhë në periudhën e soc-realizmit i ishte mohuar e drejta për të ushqyer shpirtin e saj dhe të spektatorëve me muzikë. Kishim shumë çfarë të diskutonim, kisha shumë për ta pyetur dhe kishte shumë çfarë të më thoshte. Duke u kthyer pas, shumë pas në kohë, znj. Hisku, tashmë një zonjë e fisme, me pamje elegante, ndalet e më rrëfen kujtimet e 34 viteve më parë. Kohën kur sapo kishte nisur të lulëzonte në muzikë, por që e këputën në momentin kur hapi fletët e lirisë në komunizëm. Herë-herë përlotet nga malli, herë-herë qesh me ironi me ata që u bënë pengesë për jetën e saj. Madje… ka raste që gjatë bisedës edhe rebelohet. Jo më me çfarë i bënë dikur komunistët, sepse ata i ka falur, por me atë që s’bënë dot “demokratët” për të, qoftë edhe për ta pritur në mënyrë dinjitoze një herë të vetme në tokën e saj…

Rikthimi në skenë në festivalin e 50 të RTSH-së është përjetuar fort emocionalisht nga ana juaj, por jo më pak nga publiku shqiptar, i cili ju duartrokiti me minuta të tëra në skenë. Si e ruan përjetimin e asaj mbrëmjeje Alida?
Është e vërtetë që në Festivalin e 50-të u ftova për të përshëndetur Festivalin. Ishte një emocion i papërshkrueshëm, sepse mbas 34 vitesh u ktheva edhe një herë aty ku unë u “rrëmbeva”, pra që më larguan nga skena. Ishin emocione, të cilat kombinuan bukur edhe me spektatorin dhe ky kombinim e bëri atë sukses të paparë në Festival. Me të vërtetë edhe publiku më kishte pritur, ashtu siç edhe unë e kisha pritur atë rikthim. Një harmonizim emocionesh dhe e njëjta linjë dëshire për t’u parë me njëri-tjetrin.

Një rikthim i thjeshtë deri në madhështi nga ana juaj, por duhet pranuar pak i vonuar nga ana e organizatorëve tanë. A kishit momente që pezmatoheshit me ne, që s’të kishim ftuar më herët në skenën tënde?
E kam pritur me vite, me vite e kam pritur këtë ngjitje në skenë dhe jam e sigurtë që edhe dashamirësit e mi e kanë pritur prej kohësh rikthimin tim. Sa herë vija në Shqipëri ndjehesha si e fyer, sepse asnjë nuk m’u afronte. As kompozitorët, askush!

Pse?
Nuk e di, nuk mund të gjej asnjë justifikim, apo argument në këtë pikë, veç di të them se me keqardhje e lot në sy shikoj sesi muzika shqiptare dhe që neve me bukë e groshë e kultivuam, po deformohet. Që të mos dal nga tema, patjetër që ishte e vonuar kjo ftesë për t’u rikthyer unë në skenë.

Ç’mendim keni për muzikën që bëhet sot. E keni ndjekur nga Gjermania, ku edhe jetoni prej shumë vitesh?
Mendoj se muzika në këto vite po shkon drejt biznesit, drejt show-t, jo drejt talentit, jo shpirtit, jo zemrës dhe duke qenë se producentët, apo kompozitorët u fokusuan në biznes, më harruan edhe mua. Më vjen shumë keq kur shikoj që po shkojmë drejt Europës me deformime në muzikë, me skena seksuale në klipe dhe me materiale të bastarduara. Sigurisht, këtu nuk përfshij talentet e shumta që Shqipëria prodhon dhe që këta talente krijojnë identitetin e tyre serioz në këtë profesion.

Kompozitorët veteranë, me të cilët ju keni bashkëpunuar shumë vite më parë, si e arsyetonin mungesën tënde pas ‘90-ës në skenë?
Kam takuar disa prej tyre, Enver Shëngjergjin, Aleksandër Lalon, etj. dhe më thonin që, “Alida kërkohen në skenë fytyra të reja, vajza me guxim që të zhvishen në skenë, jo vetëm që të këndojnë. Pra, jemi të detyruar të marrim këngëtare të reja gjithmonë, që edhe kompozimet tona t’ua japim këtyre”. Sinqerisht më vinte shumë keq që dëgjoja me veshët e mi, që ne të vjetrit nuk kishim më vlerë.

Mendon se në këtë reagim, deri diku edhe pajtim me frymën e show-t kanë një pjesë faji edhe vetë bashkëpunëtorët e këtyre “vajzave të reja”, që më shumë sesa këndojnë, dhurojnë spektakël e rrjedhimisht krijohet një traditë absurde anti-vlerash gjithnjë e në rritje?
Kështu duhet të jetë e vërteta në fakt dhe është e çuditshme, kur në një kohë që bota me idetë pozitive për muzikën i mbajnë si flamuj artistët e vjetër, Shqipëria po i neglizhon, po i mbulon, po i gropos. Kjo është një plagë shumë e madhe. Kështu që të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësitë e veta në këtë faj, sepse të gjithë muzikantët deri para pak kohësh po shkonin në një rrugë të mjegullt. Them se po harrove origjinën nuk ke sesi të ndriçosh përpara, por besoj se nuk do zgjasë shumë koha e anti-vlerave, pasi do të jetë vetë kjo kohë që do t’i eliminojë.

Shumë sakrifica numëron jeta jote, vullnete të ndrydhura e pasion deri në shpërthim. Për çfarë nuk pendohesh kurrë Alida?

Nuk pendohem për sakrificat që kam bërë e të qaj për këto sakrifica. Nuk më ka pëlqyer kurrë të viktimizohem, por kam ecur para edhe pse me shpirt të thyer. Nuk pendohem që u largova, sepse unë jam arratisur. Nuk kam ikur nga ambasadat prej vendit tim, por me dy fëmijët në krahë, me datën 13 dhjetor të vitit 1990 jam arratisur duke hipur në një maune domatesh. Kështu që edhe sot nuk pendohem për sakrificat që kam bërë, sepse pendimin personalisht e shikoj si një kthim mbrapa.

Duke lexuar për rifreskim mbi jetën tënde ajo çfarë hasim më së shumti është censura që të është bërë ty si artiste. Kjo censurë të goditi ty më shumë, sesa koleget e tua, pse?
Mbase, sepse krahasuar me koleget e mia unë isha më e reja në moshë, mbase më me perspektivë, më kërkuesja, jo vetëm për muzikën, por edhe në një rrugë të re të muzikës. Dëshiroja ta ngrija muzikën shqiptare në një piedestal. Them se kam qenë pionierja e parë për një muzikë të brendshme, për një muzikë pa censurë. Neve na vinte teksti nga Komiteti i Partisë çfarë duhej të këndonim dhe asaj kënge ne i jepnim shpirt, emocione, ndjenjë.

Merrje pjesë në krijimet e teksteve të këngëve që këndoje Alida, lejohej dhe në cilën prej tyre mban mend që ke hedhur edhe ti vargje?
Në të gjitha kam marrë pjesë; “Shqipërinë përshëndet”, “Vajzat e fshatit tim”, “Këngët e rinisë”, etj.. Këto janë tekste që bashkë me poetët i mendonim me perspektivë, që t’u ndiznim shkëndija e shpresa njerëzve.

Ndjesitë e tua, të hedhura në ditar u bënë shkak i pezullimit tënd nga skena e Festivalit të RTSH-së. Si e kujton sot atë ditë Alida, reagimin tënd në momentin që t’u komunikua që s’do ishe më pjesë e festivaleve, sepse sipas sistemit diktatorial nëpërmjet ditarit tënd ju bënit thirrje për agjitacion e propagandë?
Pasi ma vodhën, ditarin tim e kam parë vetëm në gjyq. Në gjyq më është faktuar, kurse akt-akuza ishte e shkëputur, pra nuk m’u fol për ditarin dhe nuk u përmend, por dëgjoja vetëm që unë bëja “agjitacion, propagandë”, ndërsa kur dola në gjyq, më nxorën përpara tre shoqet që më kishin marrë nga valixhja ditarin tim për të ma faktuar që gjoja në ditar bëja thirrje për agjitacion e propagandë.

Tri shoqe, që me këtë ngjarje të privuan të drejtën për t’u ngjitur përsëri në skenën që aq shumë e doje. Cili ishte reagimi yt në momentin që u përballe me to? I more inat, u flisje më vonë, i fale, s’i fale?
Është e vërtetë kjo që po ju them. Unë nuk di të urrej njeri dhe as të mbaj inat. Edhe pse e keqja që m’u bë ishte shumë e madhe, nuk i urreva asnjëherë, sepse edhe ato mbase ishin të detyruara të vepronin ashtu nga sistemi. Kam qenë gjithmonë natyrë që mendoja me vete dhe thoja, që me urrejtje dhe përçmim s’do fitoja asgjë, përkundrazi do plagosja vetveten, kështu që mbeta gjithmonë e njëjtë. Unë nuk di dhe nuk mund të urrej askënd. As tre shoqet e mia të atëhershme. Nuk jam e aftë ta bëj këtë.

I ke takuar vite më pas këto “tri shoqet”?

Jo dhe nuk i kam përmendur kurrë emrat e tyre

Po t’i takoje sot, si do reagoje përballë tyre?
Mbase do u jepja nga një kafe. Unë e kam pranuar fatin tim. Nga njëra anë ato më bënë keq, por nga ana tjetër më bënë shumë mirë, sepse mësova shumë gjëra. U burrërova dhe arrita këtu ku sot jam.

Në fletën e ditarit tënd të datës 13 qershor (‘78-‘79), datë e cila përkonte me 1-vjetorin e vdekjes së nënës tënde, i cili edhe u bë shkak për përjashtimin nga skena shkruhej: “Pikërisht sot, në përvjetorin e vdekjes së nënës sime të dashur jam shumë e mërzitur dhe jeta më duket skëterrë. Këtu ku jam, ha pula gurë. Fshatarët rropaten gjithë ditën në punë dhe bëjnë jetë të keqe” (në Konispolin e soc-realizmit), etj.. Cila fjali e kishte nervozuar më së shumti profesorin e shkollës së Partisë së Punës, i cili më pas ju çoi edhe në Komitetin e Partisë?
Shumë. Janë disa fjali të rrëfimit tim në ditar në fakt që i kishte acaruar. Janë marrë shumë citate, të cilat janë bashkuar dhe janë bërë material kundër meje. Data 13 ishte e fundit fare, por kanë qenë shumë momente të çuditshme që unë i hidhja në ditar. Për shembull, kur kishim shkuar në Malësi dhe unë shkruaja në ditar që “fëmija dhe lopa flenë bashkë në kullë, etj.”. E pasi shikoja gjithë këto skena të trishta thoja me vete, “si mund t’u këndoj unë këtyre fshatarëve, kur fëmija i gjorë hante bukë misri të verdhë dhe varfëria ishte e tejskajshme?”! Ishin ‘78-‘79 dhe unë e dija ç’bëhej përtej kufijve tanë nëpër botë, çfarë hanin ato dhe si ushqeheshim ne. Kështu, vetë-rrëfimin në ditar unë e kisha si shiringë për të shprehur dhimbjen që ndjeja.

Ke mbajtur më pas kësaj ngjarjeje?
Jo!

Pse?
Nuk e di! Nuk e kam pyetur më veten kurrë pse s’mbaj më ditar. Mbase s’kam pasur as kohë, mbase ritmi i jetës më ka bërë të mos mbaj më, por që prej asaj dite unë s’kam mbajtur më ditar. Ai ka qenë i pari dhe i fundit ditar i imi. Një bllok i trashë, miku im më i mirë, ku bisedoja me veten dhe shprehja gjithçka shihja e më prekte.

Si kanë qenë ditët e tua më pas, larg muzikës dhe censurës?
Për një kohë të gjatë m’u duk jeta, që pa muzikë jeta ime nuk kishte vlerë. Pas kësaj ngjarjeje e nënvlerësova vlerën e të shkruarit, e dialogut me ditar, më zuri një panik dhe më pas mendoja vetëm për dy fëmijët. Pastaj erdhi demokracia dhe ndjeva që nuk kisha më nevojë, sepse pashë dhe preka lirinë edhe pse me çmim të lartë.

Avantazhet dhe disavantazhet e asaj kohe krahasuar me sot? Cilat ishin prioritetet që një artist kishte asokohe?

Sinqerisht nuk po rrëfehem që t’i them popullit, apo artistëve sot se kush kam qenë, sepse unë sot jam një pensioniste e thjeshtë me 12 vite në skenat e Shqipërisë. Pavarësisht sistemit, unë e kam jetuar edhe atë kohë me art dhe pavarësisht se m’u hoq e drejta për të kënduar, përsëri unë e kam ndjekur artin shqiptar me shpirt. Ne, artistët e asaj kohe kishim të mirën që luftonim shumë për artin, nuk shpërbleheshim. Shpërblimi material ndonjëherë të degjeneron dhe kjo është mënyra që sot i ka bërë artistët materialistë deri në ekstrem, duke prodhuar edhe gjëra pa vlerë.

Si shpërbleheshit ju në ato vite?
Neve nuk shpërbleheshim me lekë. Unë kam fituar çmime të para, medalje në Festivalet e Shkodrës me Tish Dainë e artistët e mëdhenj dhe kam marrë vetëm gjëra simbolike, si për shembull një termus, një orë tavoline, një stilograf, një kornizë me pupla nga Artistikja “Migjeni”. Këto ishin simbolikat tona që na ushqenin shpirtërisht, sepse ne nuk mund të bënim dallim nga populli i thjeshtë, sepse konsideroheshim të gjithë njëlloj. Nuk kishim privilegje. Ndërsa sot e shikoni vetë sesi janë transformuar vlerat dhe sesi kërkojnë vetë artistët të jenë “të privilegjuar” e të vlerësuar materialisht, qoftë edhe pa i dhënë asgjë popullit. Përkundrazi, duke i marrë. Më thoni mua, cili prej artistëve ngrihet të sjellë në Shqipëri 5 avionë ndihma, 63 ton ndihma spitalesh, ndihma humanitare? Cili prej tyre? Unë i kam bërë këto pra me ndihmën e bashkëshortit tim gjerman dhe askush nuk e di. Dhe ua them pastërtisht që nuk i kam bërë kurrë që të më përmenden, por më thoni ju mua, edhe pas gjithë këtyre që kam bërë, kur populli im kishte nevojë kush është ai artist që nuk pritet kur shkel në tokën e vet? Alida Hisku! Por kjo është krenaria ime si shqiptare, kjo më mban mua të jem artiste. Them se i kam dhënë artit dhe popullit, sepse pikërisht ky popull më ka duartrokitur mua.

Dashuria asokohe, e sforcuar, apo më e bukur?
Dashuria si ndjenjë them se përjetohet njësoj, por ka ndryshuar forma, mënyra e të shprehurit dhe toleranca mes njëri-tjetrit. Kjo kuptohet në varësi të rrethanave e kohës. Është pak më shumë seç duhet hapur, në kuptimin pa frena dhe kjo “pa frena” them se të çon disi në dekadencë.

Po miqësia?
Miqësia ka qenë shumë e pastër dhe më lejo ta them që, aty ku nuk futet leku, aty është sinqeriteti. Ne kemi qenë më të varfër, por pikërisht sakrifica na ka mbajtur më të lidhur e më të vërtetë si njerëz. Zilia dhe paraja tani krijojnë ndarje, përçarje.

Nëse do ta kritikoje sot vendin tënd sot në aspektin politik, cila do të ishte kritika e parë?
Qeverisë shqiptare i mungon transparenca. Ju lutem, bëhuni të ndërgjegjshëm, në mënyrë që t’i tregojmë vendit tonë dhe botës që vlejmë. Në këtë aspekt do e kritikoja.

Çfarë të ka munguar më shumë asokohe?
Liria e fjalës, liria e veprimit, pra e të kënduarit lirshëm materialet që na pëlqenin. Kjo na ka munduar ne artistëve atëherë.

Na rrëfe një kujtim nga prapaskenat e një festivali në vitet e rinisë tënde?
Mbaj mend një herë që edhe pse na mungonin shumë gjëra ishim të lumtur. Për shembull me Ema Qazimin dhe Liljana Kondakçiun përpara se të dilnim në skenë ndërronim këpucët, sepse përdornim të trija të njëjtat. Një herë kam dalë deri afër skenës me një këpucë, sepse nuk kisha kohë dhe vajzat që më thërrisnin, “prit, prit, prit…” dhe ma hodhën këpucën nga larg. Ah, sa kujtime të bukura. Sa vlerë mbartin. Ndërsa sot për fat të keq vërej që në skenë ngjiten femra, që më shumë sesa këndojnë, ekspozojnë veshjet.

Me cilat prej këngëtarëve ke qenë më e lidhur?
Me Irma Libohovën, me Ema Qazimin, me Liljana Kondakçiun, me Luan Zhegun, Bashkim Alibalin, Lindita Theodhorin, etj.. Mblidheshim te kafe “Flora” në Tiranë, ose në Shkodër, ku takoheshim me Myfarete Lazen në klubin “Rinia”, etj..

Keqardhja jote më e madhe?
Që u injorova më shumë në vitet e demokracisë. U harrova dhe për një kohë të gjatë më shoqëroi një shije e keqe edhe pse me kalimin e kohës u zbeh. Por për një farë kohë më vrau, sepse prisja qoftë një shenjë “mirëseardhjeje”. Artistët e huaj i presin me lajle-lule, ndërsa artistët e vet vendi im i harron.

Para pak kohësh ju keni hedhur në treg albumin muzikor me titull “Kthimi”. Çfarë mbart në vetvete më shumë ky album… gëzim, dhimbje, mall, apo trishtim?
Albumi im vjen në njëfarë mënyre edhe si një shenjë proteste e asaj harrese që palët shqiptare më bënë për disa vite me radhë edhe në demokraci. Kisha akumuluar brenda vetes shumë poezi, ndjenja, thënie, mungesë shprehjeje muzikore, e kështu të gjitha këto më ishin mbledhur në shpirt e po më shpërthenin fytin. Në këtë mënyrë doja edhe të provoja veten, në formë testi që “ku jam, deri ku mund të arrij, sa mund të jap”, etj.. Për këtë album kam bashkëpunuar me Zhuljana Jorganxhiun, si dhe me një talent të ri që jeton në Francë, Leonard Sojli.

“Lolot e diktatorit”, titullohet libri juaj i parë. Në pamje të parë ky titull ngjan pak ironik, autoironik dhe shpues. Në thelb kë godisni më shumë?
Artistët. Të gjithë neve. Në atë kohë të gjithë kemi qenë lolo, përfshirë edhe emrat e mëdhenj të zhanreve të tjera artistike. Pa dashje, me frikë, me diktaturë. Edhe kur bëheshin revolucione të vogla, ata që i bënin shtypeshin menjëherë. Frika ruajti vreshtin. Kështu, duke bërë paralelizëm, kujtoj që edhe në kohën e mbretërve ka pasur lolo që bënin mbretërit për të qeshur. Edhe neve të tillë ishim përpara diktatorit. Edhe sot ekziston “loloja”, por në një formë tjetër. Artistët për fat të keq mbeten gjithmonë në shërbim të politikës zotëruese, sepse pasqyrohen ato që do politika. Ky libër është një autobiografi.

Një dëshmi jete në dy sisteme. Konkretisht, cila është kryefjala që merr më shumë hapësirë në këtë libër?
Cila kohë është më shumë fajtore, ky është thelbi. Pra ai sistem, apo edhe ky tjetri. Ky është vëllimi i parë i librit, sepse akoma nuk kam mbaruar tjetrin. Nëpërmjet rrugës sime artistike, jam përpjekur t’i tregoj gjermanit (sepse është botuar në gjermanisht), t’ia gërshetoj biografinë time në përputhje me sistemin e asaj kohe. Dhe në fund fare e mbyll me konkluzionin, “një artiste e ardhur këtu, si e përballon gjithë këtë, si e jeton këtë sparkatë në këtë shtet të zhvilluar demokratik, siç është Gjermania, sa është në gjendje ajo, në ç’nivel është ajo në skarën e numrave”?! Këtë jam munduar të sqaroj.

Si është pritur në momentin që doli libri?
Jashtëzakonisht mirë. Është shitur i gjithi edhe pse nuk bëra më shumë se 5 mijë kopje. Kam bërë disa prezantime të librit, përfshirë dhe mediatikisht. Fillimisht isha e ftuar në Radio Berlini, ku është bërë edhe një reportazh për jetën time dhe Shqipërinë.
Nga Festivali i 9-të deri ë Festivalin e 20-të karriera juaj numëron çmime të përvitshme.

Mungon festivali i 11?
Në Festivalin e 11-të më kanë përjashtuar. Më hoqën, sepse debatova me organizatorët.

A jeni e lumtur sot Alida dhe çfarë jua bën ditët e bukura?
Po. Jam shumë e lumtur, sepse gëzoj shëndet të plotë. Jam e lumtur, sepse kam fëmijët shumë mirë, të shkolluar dhe edukuar. Jam e lumtur, sepse kam dy mbesa. Jam e lumtur, sepse kam gjithçka dua dhe ia kam arritur vetë me sakrifica. Jam e lumtur, sepse jam e pavarur dhe pavarësia është lumturi.

Në Gjermani tashmë ju keni biznesin tuaj, të cilin e keni nisur dhe zhvilluar me bashkëshortin. Një restorant, ku përveç zërit tuaj dhe të shumë artistëve të famshëm gjermanë, ju gatuani e servirni edhe ushqim tradicional shqiptar. Na flisni pak për këtë iniciativë dhe sukses në biznes Alida?
Po, është e vërtetë. Në Gjermani, tashmë unë kam biznesin tim. Me forcat e mia kam blerë një shtëpi në periferi të Frankfurtit, kam pronat e mia, pjesë e të cilit është edhe një pyll. Në këtë hapësirë pylli kam krijuar në skenë të madhe prej druri me 25 tavolina me 140 vende. Çdo të shtunë e të diel në këtë skenë ngjiten artistë gjermanë, të cilët këndojnë.

Pse vetëm artistë gjermanë?
Oh, këtu dua të ndalem! Unë aty marr pikërisht gjermanë, që t’i tregoj edhe gjermanit, që kjo këtu, pra unë jam bijë shqiptare; që po të jep mundësinë të këndosh në një skenë gjermane të ngritur nga një shqiptare, që ha gjellën e një shqiptareje, që i serviret nga dy kamarierë shqiptarë, që janë fëmijët e mi dhe nga burri i im që e kam mjek dhe që bën baristin të shtunë e të diel që e ka pushim. Në fund pastaj, del ajo kuzhinierja që jam unë, në mes të skenës dhe i përshëndet të gjithë njerëzit, duke u thënë: “Unë jam ajo kuzhinierja me lugën e drurit, që ju bëra gjellën shqiptare. A ju ka pëlqyer”? Dhe pasi më duartrokasin duke pohuar, përshëndes edhe grupin e ftuar që janë emra të mëdhenj në Gjermani e në fund të mbrëmjes shpërndaj CD time. E pasi i kam përshëndetur të gjithë, gjatë mbrëmjes ju këndoj akapela me gjithë fuqinë e shpirtit. Ata mahniten nga gjithë këto punë që ne shqiptarët bëjmë e që njëkohësisht këndojmë.

Bashkëshorti juaj, sa ju mbështetur në iniciativat tuaja?
Them se ka gjetur tenxherja kapakun. Unë i jam përshtatur Tomit në artin gjerman, në korrektësinë e xhentilesë, ndërsa Tomi mua në artin shpirtëror. Ai më ka gjetur telat e shpirtit, di të vlerësojë brendësinë e njeriut dhe kjo më ka mahnitur tek karakteri i tij, gjë që më ka bërë të dashurohem pas tij që prej 20 vitesh.

Vjen shpesh në Shqipëri?
Sigurisht që vij. Më merr malli shumë për tokën time.

Një mesazh për brezin e artistëve të rinj Alida?
Brezit të ri artistik në çdo fushë të artit dua t’i them që të bëjë e gjenerojë atë që i do shpirti. Të mos e vlerësojë punën e vet me para, por ta bëjë, sepse duhet ta ndjejë me shpirt. Një ditë do t’i vlerësohet në çdo aspekt./Arkiv – 2014

(Koha jonë)

ALBINA GJERGJI

Gazeta Il Piccolo: “Lamtumirë Rozmari Jorganxhi, Mbretëresha e Bel Kantos në Trieste.” – Në vitet e fundit bota ka njohur një reklamë të kultit të imazhit bosh, ndërsa Rozmari Jorganxhi ishte Artiste e madhe

Gazeta e Triestes Il Piccolo i ka kushtuar një faqe të plotë ndarjes nga jeta të këngëtares të shquar dhe diregjentes të parë shqiptare Rozmari Jorganxhi. “Lamtumirë Rozmari Jorganxhi, Mbretëresha e Bel Kantos në Trieste.” Dhe po në krye gazeta Il Piccolo vazhdon: “Zi në botën e lirikës për largimin nga kjo botë të mexosopranos me origjinë shqiptare që kishte studjuar në konservatorin e Moskës.”

Më poshtë gazetarja Rossana Paliaga tregon historinë e këtij talenti mahnitës që shkëlqeu në skenën e Teatrit të Triestes. Vetëm Artistet e dimensioneve botërore si Rozmari Jorganxhi mund të sfidonin me artin e tyre madhërisht sikur Rozmaria jonë, e cila në moshën 56 vjeçare konkuron si artiste në Teatrin Verdi në skenën e të cilit përfundoi edhe karierën.

Bota shqiptare është lodhur nga reklamime sukesesh të rrema, mediat shqiptare janë përmbytur nga personazhë cirku që shpallen artistë, ndërsa një Mbretëreshë e skenës si Rozmari Jorganxhi me artin e saj brilant tregoi me modesti potencialin e saj si Artiste e madhe.

Më tutje gazetarja italiane tregon rrugëtimin artistik brilant të Rozmari Jorganxhi.

“Në vitet e fundit bota ka njohur një reklamë të kultit të imazhit bosh. Ndërsa Rozmari Jorganxhi, mexosopranoja e famshme e natyralizuar si triestine me origjinë shqiptare nuk i ka bërë kurrë reklamë vetes dhe karrierës.

Rozmari u largua nga kjo jetë në Trieste, në një qytet që nuk ishte zbarkimi si e huaj, por një kthim në vendin e bashkëshortit të saj. Pikërisht në Trieste, vjehrri i saj, një tregëtar nga Durrësi takoi vajzën triestine me emrin Jolanda Argentin, me të cilën u martua dhe krijoi familjen. Shpresa për zhvillim të tregëtisë i ktheu në Shqipëri, por regjimi aty nuk lejoi as realizimin e projekteve të punës dhe as kthimin në Trieste, ku u kthyen vetëm në vitin 1992 pas rrëzimit të diktaturës.

Rozmaria ishte diplomuar si këngëtare lirike drejtimi koral dhe ishte një primadonë e Teatrit të Operas Shtetërore në Shqipëri, përveç që ishte një pedagoge e shkëlqyer dhe e vlerësuar nga shumë studentë të saj sot këngëtarë të afirmuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

” I përkiste gjeneratës të artë që po fiket”, shpjegon i biri, Hektor Leka, artist në korin e Teatrit Verdi të Triestes, i cili kujton: “Në konservatorin e Moskës kishte studjuar piano duke patur pedagog Kabalevski (Dmitrij Borisovič Kabalevskij) dhe harmoni me Sostakovic (Dmítrij Dmítrievič Šostakóvič). Nikolai Ghiaurov (Nikolaj Georgiev Gjaurov) e kishte shok të klasës. Në lëndët e studimeve ishte i përfshirë edhe aktiviteti fizik dhe ajo frekuentonte kurset e notit së bashku me të madhin Nurejev”.

Rozmari Jorganxhi ka shkëlqyer si interpretuese edhe e operave të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë, ashtu edhe në repertorin italian. Në Shqipëri ka qenë e para këngëtare lirike që ka interpretuar Karmen e Bizet dhe ka lënë gjurmë në interpretimin brilant të Santuzza-s tek Kavaleria Rustikane apo si Suzuki tek Madam Butterfly.

Me kthimin e familjes në Italia, Rozmari duke e patur karierën e saj brilante si një thesar rifilloi nga e para në moshën 56 vjeçare dhe mori pjesë e konkuroi për artiste në korin e Teatrit Verdi në skenën e të cilit edhe e mbylli karierën e saj të shkëlqyer.

Rozmari Jorganxhi ka lënë gjurmë për kompetencat e saj edhe në korin e komunitetit ortodoks grek, duke afruar nxënës të muzikës lirike që e kujtojnë jo vetëm si profesioniste të nivelit më të lartë por edhe për zemërgjërësinë dhe modestinë e saj që e ka bërë të paharruar. Vinte nga një qasje tjetër ndaj artit. Mjeshtërit e mëdhenj i edukuan modestinë që e kishte pasur udhërrëfyese të jetës. Asaj i pëlqente shpesh të përsëriste: “Kalliri me kokra, i pjekur e mban kokën ulur”.-/Përgatiti Elida Buçpapaj

 

 

Rozmari me të shoqin, Profesor Kostandin Leka (Trieste, 1932 – Trieste 2013), shkencëtar dhe shkrimtar librash fantastiko-shkencorë

 

Kerubini, Martesa e Figaros, Mozart

Rozmaria e vogël, ka shkuar në Konservatorin e Moskës 15 vjeçare bashkë me mësuesen e kantos Sallaviova

Foto e postdiplomimit në Konservatorin e Moskës

 

Rozmari Jorganxhi tek Suzuki Madam Butterfly

 

Karmen për herë të parë në Shqipëri interpretuar nga Rozmari Jorganxhi

Vehbi dhe Emine Rushiti-Arbanashaj janë nga të parët që përfillën zërin e gueriles së Llapit – Nga ARIF EJUPI

Dje, në Qendrën Klinike Universitare të Republikës së Kosovës, pas një sëmundje të papritur ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare veprimtari i dalluar i çështjes sonë kombëtare Vehbi Shaban Rushiti–Arbanashaj.

Familja Arbanashaj e njohur për mikpritje dhe bujari në Vendenis (ish–Gllamnik) të Besianës u vendos më 1877-1878, e dëbuar dhunshëm nga Sanxhaku i Nishit,i njohur si Shqipëria Verilindore.

Kjo familje tradicionale u rrit shumë shpejt dhe krijoi lagje në vete në bregoren e bukur në perëndim të Vendenisit.

Sot, arbanashajt janë mbi 150 familjeje, dhe mbajnë mbiemra si:Rushiti, Abdullahu dhe Hyseni.

Ata në të gjitha fazat janë shquar për raportet e shkëlqyera me banorët e tjerë të Vendenisit, si: Çypollët, Musajt, Lahajt, Mehmetajt, Kodrollajt, Gjonajt, Lalajt, Kosumajt, Toçkajt, Obrazhdët, Dërllupët, Sekiraçët, Kërrtokët, Barainët, Shaljanët e Bajgores dhe Muçajt e Llapashticës.

Nga arbanashajt kanë dalë kuadro pothuajse të të gjitha profileve. Lavdinë dhe nderin e kësaj familje e ngritën në zenit me stoicizmin e tyre të pashembullt çifti bashkëshortor Vehbi dhe Emine Rushiti-Arbanashaj.

Kur regjimi kriminal i Millosheviqit suprimoi Autonominë e Krahinës Autonome të Kosovës, me tanke e kërbaç, dhe në fund ia vuri mu në buzë drynin Gjuhës shqipe, në Llap u krijua një grup i armatosur me në krye Ali Adem Ajetin, i njohur si Çeta e Llapit.

Këtë grup pushteti gjakatar i asaj kohe e cilësonte si“terroristë”dhe e ndiqte çdo hap. Këta djema dhe vajza sikur ishin betuar që nuk do të dorëzoheshin për të gjallë të tyre.

Për të krijuar gjendje ankthi dhe pasigurie në popull mediet e kontrolluara nga Beogradi emrat e pjesëtarëve të këtij formacioni të armatosur i kishin postuar me fotografi në dyert kryesore të institucioneve të Kosovës.

Në këtë drejtim printe paçavurja e përditshme“Jedinstvo“e Prishtinës,megafon i minoritetit serbë të Kosovës.

Mirëpo, këta të rinj idealist kishin hyrë seriozisht në beteja. Ata kishin vendosur me këmbye jetën me vdekjen,dhe në asnjë mënyrë mos me ua lënë në dorë fatin e popullit shqiptar të Kosovës, kalbësirave mesjetare të sojit të Ali Shukriut, Rrahman Morinës, Husamedin Azemit etj.

Me të kuptuar ekzistimin e këtij njësiti të armatosur Vehbi Shaban Arbanashaj, kontakton Bajram Jahir Ajetin e fshatit Miroc të Besianës. Atij për guerilasit i bënë dhuratë një automatik”Schmeisser” të prodhimit gjerman dhe 700 fishekë.

Meqë,ky automatik me pajisjen shtesë ishte destinim për këtë celulë të dalë në male,dy shokët e kësaj guerilje Bajram Ajeti dhe Gani Hoxha,pajtohen që për shkaqe sigurie dorëzim-pranimi i armës të bëhet tek tuneli në Livadhi, ish-Livadicë të Besianës, vend shumë pak i frekuentuar nga qytetarët.

Në bisedë të drejtpërdrejtë telefonike me njërin nga anëtarët më aktiv të këtij grupi z.Gani Ukë Hoxha,që jeton dhe vepron në Lugano të Zvicrës, mësojmë që edhepse kishte kaluar një orë nga koha e rregullt e takimit Bajrami, s’ishte parë në vendtakimin e caktuar.

Ganiun e kishte kapluar frika e arsyeshme që Bajrami,ka mundur të bije në kurthet e policisë serbo-sllave.

Ai me ndjenja të përziera dhe i merakosur për fatin e panjohur të bashkëveprimtarit të tij kthehet në shtëpinë e Bajram Ajetit në Besianë.

Ashtu siç ishte zakoni Ganiu bënë një trokitje të lehtë në portën kryesore të familjes Ajeti.

Duke e njohur gjendjen e nderë derën me mjaft kujdes e hap Afërdita, motër e vëllezërve Bajram , Bedri, Hilmi dhe Safet Ajeti, tre nga këta vëllezër edhe gjatë demonstratave të vitit 1981 dhe 1984, u burgosën dhe u persekutuan nga pushteti sllavo-komunist i Jugosllavisë.

Ganiu menjëherë në fytyrat e Ajetajve të pikëlluar vëren se në këtë familje ka ndodhur ndonjë e papritur.

Ndërkohë atij i jepet lajmi që Bajram Ajeti, gjatë pastrimit të revolverit personal ishte vetëplagosur aksidentalisht.

Me gjithë keqardhjen e madhe Ganiu,asokohe diku 27 vjeç e merë automatikun me 700 fishekë nga Bajrami dhe posa bije muzgu i asaj mbrëmje të pakëndshme kthehet në shtëpinë e tij në Obrançë, fshat ky dy-tri kilometra në periferi të Besianës.

Grupi prej shtatë guerilasëve i përkrahur edhe nga shokë e shoqe të tyre me të rënë në dijeni që Kosovën do ta vizitojë një Delegacion i Parlamentit Evropian,nisin përgatitjet për demonstratën e radhës.

Automatikun dhe 700 fishekë Ganiu më 30 maj 1989, do t’ia japë së bashku me një xhaketë Aliut.

Ndërkaq,ai do të veprojë me revolverin e tij dhe një bombë dore. Automatiku konsiderohej më efikas për aksione dhe më pak i diktueshëm.

Ali Adem Ajeti, udhëheqës i grupit gueril“Çeta e Llapit”në këtë ditë tragjike vritet në dy luftim me forcat ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë.

Ai me armën“Schmeisser”i del në mbrojtje rinisë studentore të Llapit, e cila po keqtrajtohej brutalisht nga policia serbe.

Aliu si udhëheqës i gueriles së Llapit,ra në altarin e lirisë në përpjekje për ta shpëtuar vendin nga gllabërimi i shovinistëve serbo-sllavë.

Vetëdija mbi kauzën kombëtare edhe një sprovë e radhës e bashkëshortëve Vehbi dhe Emine Rushiti-Arbanashaj

Pas vrasjes së Ali Ajetit, aktiviteti i këtij grupi të armatosur ishte vështirësuar tej mase.

Strehimi i këtyre veprimtarëve bëhej me mjaft hezitim. Ekzistonte frika plotësisht e justifikueshme që policia dhe ushtria jugosllave në konakun dhe bukën e mikpritësve mund t’i arrestojë dhe t’i vrasë pa kurrfarë shpjegimi këta të rinj idealist dhe atdhetarë të vërtetë.

Vehbiu së bashku më vëllezërit e tij marrin vendim që këta të rinj që ishin vënë në mbrojtje të Atdheut t’i strehojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vendenis-ish Gllamnik të Besianës(Podujevës)

Në këtë familje me traditë respektohej e merrej në konsideratë edhe fjala e zonjës së shtëpisë.

Vehbiu me rastin e gueriles e njofton bashkëshorten e tij Eminen, e cila angazhohet maksimalisht që pjesëtarëve të kësaj njësie të armatosur në të gjitha vaktet t’u ofroj ushqimet e tyre të preferuara.

Me shembullin e saj praktik Eminia na kujton rolin e gruas shqiptare për çlirim,të cilin fatkeqësisht vazhdimisht e kemi minimizuar.

Kjo shtatësheje ilegale në familjen Arbanashaj kishte detyrë edhe rojën. Gjatë 24 orëve me mjaft vigjilencë e disiplinë bëhej kujdestari e rregullt.

Së bashku me të strehuarit më tepër se një muaj roje bëjnë edhe burrat e familjes Rushiti–Arbanashaj.

Të gjithë e kishin ngulitur në mendje thënien e tribunit popullor Hasan Prishtina “Dy duar për kokën e koka për Atdheun.”

Në shtëpinë e Vehbiut gjatë kësaj periudhe kishte ardhur Fadil Vata dhe Afrim Zhitia.

Fillimisht ata kishin shkuar në dyqanin e Vehbiut,kinse për të blerë pajisje bujqësore.

Në fakt në këtë periudhë Vehbiu në Vendenis, ish-Gllamnik e mbante si aneks edhe një depo me plehra kimike dhe mjete bujqësore.

Pas njohjes me këta atdhetarë në odën e Vehbiut mbahet mbledhja e Këshillit Politik për Rrethin e Llapit.

Në këtë tubim përveç të apostrofuarve marrinë pjesë edhe Sabri Kiçmari, Gani Ukë Hoxha, Ismet Hajdar Cakiqi dhe Bedri Fetah Blakçori.

Me këtë rast merren vendime të rëndësishme. Pavarësisht fatit të mëtejmë të grupit prej shtatë vetave vendoset që me çdo kusht të vazhdohet rezistenca e armatosur.

Nga frika e daljes së situatës nga kontrolli ish-sistemi komunist i Jugosllavisë, bënë lirimin e kriminelëve ordinerë nga burgjet.

Këto grupe të shfrenuara të ndërsyera nga ushtria dhe policia serbo-sllave sillen në Kosovë, me çfarë dukshëm ngushtohet veprimtaria e gueriles së Llapit.

Andaj,kush ditë më herët e kush ditë më vonë me lot në sy e lëshojnë shtëpinë e Vehbiut dhe kalojnë në qytete të ndryshme të Zvicrës, përkatësisht të Gjermanisë.

Vehbiu që në shpirt e kishte çiltërsinë dhe humanitetin edhepse në moshë gjatë shpërthimit të Luftës në Kosovë, të viteve 1998-1999, në Bashkinë lokale të Vendenisit, kryen funksionin e udhëheqësit të Mbrojtjes Civile.

Prapë shtëpia e tij sikur në vitet e mëhershme bëhet strehë e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës-Zona Operative e Llapit.

Salih Bajram Rrahmani,bashkëluftëtarë dhe fqinjë i parë i Vehbiut,e vlerëson lart angazhimin e tij në shuarjen e ndasive.

Sipas,z.Rrahmani falë mençurisë së lindur të Vehbiut mënjanohet të vepruarit krye në vete,dhe rivaliteti partiak,krejt i panevojshëm për kohën.

Funksionimi si një trupë e vetme dhe harmonia e duhur ndër luftëtarë bëjnë që Bashkia e Vendenisit të jetë njëra nga Bashkitë me numrin më të vogël të të vrarëve në Llap.

Rrallë hasim një çift bashkëshortësh fjalëpakë si Vehbi dhe Emine Rushiti-Arbanashaj.

Ata duke vënë në rrezik edhe familjen e vet mbrojtën këta të rinj,e së bashku me ta edhe nderin e shumë llapjanëve.

Ky çift i mrekullueshëm sikur edhe vdekjen e bënë së bashku. Eminia më 21 korrik të këtij viti e ka mbushur motin e shkuarjes në amshim. E, Vehbiu vdiq papritmas dje,nga një sëmundje ende e padiagnostikuar.

Shpirti i tyre i bardhë dhe bamirës pastë si shpërblim nga Zoti parajsën!

 

ARIF  EJUPI

Presidenti i Republikës vlerëson me dekoratën “Nder i Kombit” disidentin Edip Tërshana – Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

 

 

                                                       Mirënjohje: “S’është kombiqë nderon njerëzit e shquar,

                                                           por janë ATA që ia rrisin vlerat dhe nderojnë KOMBIN!”

 

Një vlerësim i merituar, atdhetarit, mësuesit dhe luftëtarit për liri, birit të Dibrës,  Edip Tërshana  pas vdekjes.

Presidenti i Republikës vlerëson me dekoratën “Nder i Kombit” Disidentin Edip Tërshana  m motivacionin:

   “ Për cilësitë e rralla atdhetare dhe intelektuale, për kontributin në arsimin kombëtar, si dhe kurajën qytetare kundër çdo lloj padrejtësie dhe regjimi diktatorial. Për pjesëmarrjen aktive në Luftën çlirimtare kundër okupatorit  dhe vendosmërinë deri në flijimin e jetës në mbrojtje të kauzës për Shqipërinë e lirë dhe demokratike.”

Kushdo mund të bëjë pyetjen:Përse i takon kjo medalje e lartë “Nder I Kombit”

Edip Tërshana quhet me plot gojën “DISIDENT”, i cili në nëntorin e 2020 mbush 73 vjet që ia rrëmbyen jetën e tij të re! Për ta faktuar këtë, mjafton të risjell letrën e tij dërguar diktatorit Hoxha!

 

Letra e Edip Tërshanës dërguar Enver Hoxhës më 1947 nga qelia, ku priste ekzekutimin

 

Fragment nga libri im “Tradhtia e madhe Ndaj Kombit”, Nacional, Tiranë, 2018,f 164-167

Majtas Edip Tërshana, djathtas, Enver Hoxha me dy emisarët jugosllavë , Miladin Popoviç e Dushan Mugosha.

Kjo letër u botua për herë të parë në Albumin “Terrori Komunist në Shqipëri”. Në një intervistë të tij në media, studjuesi dhe bashkautori i Albumit, Enver Kushi thotë: “ Duke parë rrugën që mori pushteti pas Luftës Antifashiste, ai i dërgoi një letër Enver Hoxhës. Është një letër shumë kurajoze, që vetëm një burrë si ai mund të merrte kurajën t’i drejtohej Enver Hoxhës me‘Ti’ dhe t’i thoshte se ishte kundër pushtetit dhe se ai ishte tradhtar. Tërshana u dënua me pushkatim, por vrau veten në qeli pak minuta pasi shkroi këtë letër. Origjinali ishte shkruar me laps në një copë gazete dhe na u desh ta deshifronim për ta bërë të lexueshme.

Më poshtë letra e plotë:

      “Enver!

       Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja Nacional Çlirimtare është një tradhti e Atdheut, se jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomisht. Sot organizatorët sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtme e juaj sllave, ka shkaktuar që UNB të jetë kundër nesh, humbin shumë miq; kjo është Tradhti.

     Jam kundra për vrasjet me Gjyq dhe pa Gjyq, që i bëhen këtij populli, pse kështu don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s’janë “Komunista” slave, kjo është tradhti.      Jam kundra se e plaçkiti. Ky është pushteti, që varfënoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkohë, që ne kishim për 20 vjet rresht-mbathje, kjo është pra tradhtia.

     Jam kundra këtij Pushteti, se është spekulator tue e grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregëtarët po ja shet ma shtrejt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve, kinse spekullatorë. Kurse Pushteti është më spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15, mori duhanin 15-20 Fr, ja shiti 100-120 Fr.

      Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e te Titua. Kjo është tradhti. 

     Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion Fr.shq për të ushqyer Pecot e amshorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për Pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhti këto?

      Jam kundra thirrjeve “Jemi bij të Stalinit”, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë, sa kur përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë.

      Jam kundra, se injoranca s’don kulturën: kështu duan sllavët. Kjo bësoj është tradhti.

      Jam kundra, sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin?

     Jam kundra, se në historinë për shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekëve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy:Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepullli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotshëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe tek ne kësaj ëndrre.

      Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht. Jam kundra, se oficerë të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabit gratë e botës, me grabit karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi.

     Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?

Enver!

      Tue i çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranue, se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mbanë. Pret nënë e mjerë, pasi i jati do të vrasë të birin e të bijën e vet. Edhe kjo është tradhti e pushtetit popullor.

        Ky Pushtet futi përçarjen toskë e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhti e naltë. More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin. Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut dhe me politikën tuaj të jashtme. A s’është tradhti?

Rroftë Ideali Kombëtar!

Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ia falët Jugosllavisë!

Rroftë Populli Shqiptar!

Rroftë Flamuri Kombëtar i panjollosur!

Nga i dënuari me pushkatim Edip Tërshana-22.11.1947

      Duke marrë shkas nga letra kurajoze e martirit Edip Tërshana, po i drejtohem lexuesit në mbyllje të këtij punimi. Pasi lexova e botova këtë letër nga dora e një shqiptari të vërtetë, flas me sinqeritet se jam shumë e vonuar për ta quajtur sot tradhti kombëtare politikën e diktaturës. Kjo e vërtetë e madhe është thënë kur unë isha vetëm 2 vjeçe nga Edip Tërshana, i cili vlen të quhet “DISIDENT”

     Të nderuar lexues dhe miq!

Për sa kohë do të durojë shqiptari përbuzjen, pabarazinë, mosvlerësimin nga atdheu? Ju politikanë dhe shqiptarë që u ka buzëqeshur fati, kurrë mos harroni se:

 

“ Atdheu s’është vetëm i imi, as i yti, porse na përket të gjithëve. 

*Të kthejmë sytë nga e kaluara e mundimshme dhe padrejtësitë që i janë bërë vendit tonë.

*Pësimi për këdo, për politikën apo individët, duhet të shërbejë si mësim.

* A do të rishikohen dhe ndëshkohen ndonjëherë fajtorët për krimet makabre që u janë bërë shqiptarëve?

*Të pranosh sfidën do të thotë të jesh i bindur në vetvete se je pajisur me dije shkencore për ku do të japësh vlera.

*Po ne kur do të bëhemi si bota? A do të jemi ndonjëherë shtet i së drejtës ligjore që me politikat e tij në çdo fushë të jetës, do të pasqyrojë identitetin kombëtar?

*Po nuk u shkul gozhda e Nastradinit nga trualli ynë, ne do të vuajmë pafundësisht!”Vivra-“Pa koment-2016, fq-145”

Ju politikanë të djeshmes, të tashmes dhe të nesërmes, që u ka buzëqeshur apo do t’ju ndris fati, kurrë mos harroni një gjë: atdheu është i të gjithëve! Ndaj shikojini të gjithë me syrin e nënës dhe jo të njerkës! Hiqni dorë nga partishmëria e sëmurë, nga verbimi i militantizmit se, është ves i mesjetës së errët, që pengon dritën e vërtetë. Jo të gjithë ata që japin votën për interesa të ngushta vetjake, janë të aftë apo japin vlera kombëtare. Papunësia është armiku më i madh i jetës, që e hedh njeriun në krahët e dëshpërimit dhe të mosbesimit! Politikat partiake apo shtetërore duhet të jenë të tilla që çdo qytetar të frymojë lirisht, të ushtrojë profesionin, të gëzojë të drejtat dhe liritë që ia jep Karta e të Drejtave të Njeriut. Mos lejoni të përsëriten tragjeditë e diktaturës, se po mbushen burgjet me të pafajshëm, kurse kriminelët e vërtetë, peshkaqenët e korrupsionit, trafikantët e drogës, të armëve dhe të mafies, e blejnë lirinë me para. E kjo nuk është demokraci. Para ligjit të gjithë shtetasit duhet të jenë të barabartë. Për fat të keq ata që nuk kanë para edhe për gabime ordinere ose të paqena, i fajësojnë dhe përfundojnë nëpër burgje, sepse ata gjyqtarë që dënuan baballarët, sot trashëgimtarët e tyre po dënojnë fëmijët dhe nipat e të persekutuarve.  Botës mos i tregoni se po bëni Reformë në drejtësi duke futur nëpër burgje cironkat.

Reforma në drejtësi duhet të nisë nga kokat e korrupsionit, me shpronësimin epronave të tyre, hetimin e burimeve të pasurisë dhe shkarkimin nga detyra të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve milionerë. Pastaj bëni emërime të reja. Atëherë do të funksionojë vettingu dhe do të gjejë zbatim reforma në Drejtësi.

 Kur Demokracia ndërtohet me parametrat e vendeve të zhvilluara, çdo individ shikon tek e nesërmja dritën e shpresës. E këtë dritë që ua jep Zoti dhe e drejta e të qenit qytetar të Republikës së Shqipërisë, mos ua venitni, mos ua zbehni! I lini që kjo dritë shpresëdhënëse t’u ndriçojë rrugën e gjatë të jetës! Mos i lejoni tragjeditë që të përsëriten! Kjo varet nga niveli i ndërgjegjjes kombëtare, e cila është në vartësi të kulturës mbarëkombëtare dhe të përqindjes së lirive që gëzon shqiptari!

 Kjo është e vërteta e hidhur e politikës shqiptare  të kohës?!

 ***

 

Kjo është e vërteta e hidhur e politikës shqiptare ?!


Send this to a friend