VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Edhe 11 të vdekur dhe 205 të infektuar nga koronavirusi në Kosovë

By | August 12, 2020
blank

Komentet

blank

Policia e Kosovës po heton grafitet në shtëpinë e Adelina Graincës

Policia e Kosovës ka thënë se është duke hetuar rastin që lidhet me disa grafite, të cilat besohet se janë shkruar në disa lokacione në Ferizaj.

Në to thuhet “Bijat i shesim, votat i qesim”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Mimoza Kusari ka thënë se grafitet janë shkruar në muret e shtëpisë të familjes së Adelina Graincës.

Grainca, pak pas pjesëmarrjes në seancën e Kuvendit të Kosovës më 4 prill, kur është votuar Vjosa Osmani si presidente e Kosovës, ka kaluar nga Partia Demokratike e Kosovës në Lëvizjen Vetëvendosje.

Atëbotë, Partia Demokratike e Kosovës pati kritikuar vendimin e Graincës për marrjen e këtij vendimi.

Kusari ka thënë se grafitet janë “realitet i mizogjenisë në politikën kosovare, sipas së cilës vajzat dhe gratë nuk konsiderohen të denja për vendimarrje”.

“Nëse ky akt i shëmtuar nuk denohet nga grupimi politik pjesë e të cilit ishte Adelina Grainca deri para zgjedhjes së presidentes, atëherë aty qëndron vetë përgjigja e largimit të saj nga ata, në mënyrën se si një parti e konsideron dhe trajton një vajzë të re me mendim ndryshe”, ka thënë mes tjerash ajo në një postim në Facebook.

Ndërkohë, Avni Bytyçi, zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se partia të cilës i përket ai nuk beson në këtë formë të “protestës” dhe se vetë ajo ka qenë, siç ka thënë ai, viktimë e këtij lloj sulmi.

“Vetë reagimi i LVV-së tregon qartazi se kush qëndron mbrapa këtyre grafiteve. Pyetjet me rëndësi që duhen shtruar është se pse tani pasi disa javë janë bërë këto grafite? Edhe atë në shtëpinë e gabuar?! Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka ulur vetën në këtë nivel duke e sulmuar dikë në shtëpi e në familje për motive politike. Për këtë arsye ky sulm është i papranueshëm për ne”, ka thënë ai po ashtu përmes Facebookut.

Mes tjerash ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës që intervistimet për këtë rast t’i fillojë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi sipas tij, kjo e fundit duket se pas disa ore i ka ‘identifikuar’ autorët. rel

blank

Spahiu pas letrës së Biden: Çështja e ndryshimit të kufijve tani është jashtë konsiderate

Ish-amabasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka komentuar letrën e Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Spahiu në Info Magazine tha se Biden në këtë letër rikonfirmon mbështetjen e SHBA-ve karshi Kosovës dhe thekson se do t’i qëndrojnë krah Kosovës në çdo hap të procesit të dialogut.

“Është shumë e rëndësishme që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe njëherë rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve për Kosovën. Kjo nuk është hera e parë që presidenti Biden e bën këtë pasi në disa raste ai ka theksuar partneritetin dhe miqësinë siç e thekson edhe në letrën e fundit si dhe është shumë inkurajues fakti se në letrën e tij ai po ashtu thekson se gjatë procesit të dialogut në çdo hap të këtij procesi Washingtoni do të jetë bashkë me Kosovën”.

Ish-ambasadori foli konkretisht edhe për pikat që përmban letra duke u foksuar më shumë tek dialogu, ku tha se mund të ketë kompromise nga të dyja palët.

“Në letër ka disa pika të rëndësishme duke përfshirë edhe ndihmën sa i përket sigurimit të vaksinave kundër COVID-19 – që është një lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën në këtë situatë që edhe njëherë dëshmon faktin se diplomacia jonë ka mundur të luajë një rol më të madh në sigurimin e vaksinave”.

“Çështja e dialogut përmendet sërish edhe në këtë letër dhe në të thuhet se Shtetet e Bashkuara do të jenë bashkë me Kosovën në këtë proces – por se ky proces nuk do të jetë i lehtë siç edhe sugjerohet në letër dhe duhet pritur të ketë edhe kompromise”.

“Natyrisht se çfarë mendon presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me kompromise është relative në letër dhe nuk mund të themi se ka menduar këtë apo atë. Por pjesëmarrja në një dialog të tillë politik do të thotë se duhet të ketë kompromise nga të dy palët”, u shpreh Spahiu.

Tutje Spahiu tha se pas kësaj letre çështja e ndryshimit të kufijve është jashtë konsiderate.

“Nuk dihet se për çfarë kompromise mund të bëhet fjalë, por, tani është e qartë se në këtë aspekt çështja e ndryshimit të kufijve tani është jashtë konsiderate dhe nuk mendoj se është menduar për këtë kompromis – pra ndarje të Kosovës as që vije në shprehje tani. Bile kjo as nuk ka qenë pjesë e tavolinës së bisedimeve por se për të është folur në kuluare se mund të jetë njëra nga opsionet”.

blank

E konfirmon Von der Leyen: 95 mijë doza të vaksinave do të arrijnë në Kosovë nga maji

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursulua Von Der Leyen, ka konfirmuar se 95 mijë doza të vaksinave do të ndahen për Kosovën nga BE-ja duke filluar nga muaji maj, raporton Gazeta Express.

Von der Leyen në një postim në gjuhën shqipe në Twitter ka thënë se këtë ia ka konfirmuar edhe kryeministrit, Albin Kurti.

 

“Qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe 95.000 doza të vaksinave të financuara nga BE-ja do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit. Ne jemi në këtë së bashku”, ka shkruar ajo./Express/

Qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe @albinkurti

95.000 doza të vaksinave të financuara nga BE-ja do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit 🇽🇰

Ne jemi në këtë së bashku.

— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) April 20, 2021

blank

Kosovë, fillon festivali i filmit rom

Edlira Bllaca

Rreth 30 filma zhanresh të ndryshme, të animuar, dokumentarë, të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër nga e gjithë Evropa po shfaqen këto ditë në kuadër të edicionit të gjashtë të festivalit të filmit që trajton çështje që lidhen me jetën e komunitetit rom, “Rolling Film Festival”.

Avni Mustafa, drejtor i këtij festivali, i tha Zërit të Amerikës se synimi i festivalit te sivjetmë është shfaqja dhe vlerësimi i trashëgimisë kulturore të komunitetit rom, si formë e shmangies së paragjykimeve që jo rrallë e ndjekin këtë komunitet.

“Ne besojmë se ende ka nevojë t’i tregojmë jo vetëm komunitetit rom por edhe atyre që nuk i takojnë këtij komuniteti se ne vërtetë kemi kulturën tonë unike, vlerat tona, trashëgiminë tonë kulturore që kemi dëshirë ta shfaqim te njerëzit ashtu që njerëzit të mund të na njohin më mirë dhe të paktën të kemi trajtim të barabartë me pakicat tjera në Kosovë”, thotë ai.

“Rolling Film Festival” u oragniza për herë të parë në vitin 2013, dhe mbahet çdo të dytin vit që atëherë. Zoti Mustafa thotë se gjendja e romëve në Kosovë mbetet pothuajse e pandryshuar.

“Komuniteti rom në Kosovë është më i marxhinalizuari dhe më i diskriminuari. Kur flasim për përfshirje dhe integrim në shoqëri të Kosovës është situatë shumë e rëndë, posaçërisht nëse flasim për punësimin ku 98 për qind e 38 mijë romëve që jetojnë në Kosovë janë papunë. Organizatat nga shoqëria civile mundohen dhe bëjnë punë shumë të mirë por ajo që kemi nevojë më shumë është përfshirja e institucioneve në trajtimin e këtyre çështjeve”, thotë ai.

Drejtori artistik i këtij festivali, Sami Mustafa, tha se për herë të parë i gjithë festivali për katër ditë me radhë do të mbahet online për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Të gjithë filmat do të shfaqen online në një faqe të posaçme interneti që e kemi krijuar, një platformë për shfaqje filmash. Këtë vit po ashtu për herë të parë do të kemi program për fëmijët ku do t’u rrëfehen përralla të vjetra rome si dhe po ashtu kemi punëtori për anti gjipsizmin në Kosovë”, thotë zoti Mustafa.

Ai thotë se kjo ngjarje kulturore ka një rëndësi të madhe për komunitetin rom në Kosovë, gjendja e të cilit është përkeqësuar që nga përhapja e pandemisë.

“Përfundimisht është duke u përkeqësuar, sidomos kur kemi parasysh se shumica e tyre nuk kanë as punë dhe ky është problem madhor i komunitetit rom. Po ashtu janë kushtet e jetesës, shumica jetojnë në kushte të rënda dhe nuk i kanë mundësitë të përballen me pandeminë si pjesa tjetër e njerëzve”, thotë ai.

Përfaqësues të organizatave humanitare në vazhdimësi tërheqin vërejtjen për diskriminimin që përjeton pakica rome në Kosovë. Ata thonë se pavarësisht që ky komunitet është integruar në sistemin politik të vendit, të drejtat e pjesëtarëve të këtij komuniteti janë shpesh herë të cunguara. Një pjesë e madhe e tyre jetojnë në varfëri të thellë, me mungesa të mëdha ushqimore e shëndetësore, pa shkollë, pa punë dhe pa strehim.

blank

Aksidenti tragjik në Gjakovë, 2 viktima janë nga Kosova, 1 nga Shqipëria

Një aksident i rëndë komunikacioni ka ndodhur sot në orët e mëngjesit në fshatin Raçë të Gjakovës. Në këtë aksident kanë vdekur tre persona.

Komandanti i Trafikut për rajonin e Gjakovës ndërkohë ka konfirmuar se dy prej viktimave janë kosovarë dhe një nga Shqipëria.

“Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur si pasojë e mospërshtatjes së kushteve të rrugës dhe është përplasur në urë. Mjekët kanë ardhë në vendin e ngjarjes. Dy persona janë kosovarë, derisa një person tjetër është nga Shqipëria”, ka thënë ai për Syri Vision, raporton Gazeta Express.

Lidhur me aksidentin për Express ka folur edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj.

“Ju njoftojme se sot rreth ores 07:40 policia është njoftuar per një aksident ne Fshatin Raçë .Patrullat policore kane dalur ne vendin e ngjarjes ku kane verejtur se brenda veturës e cila kishte dalur jashte rruges kane qenë 3 persona. Ne vendin e ngjarjes kane dalur ambulanta , zjarrëfiksat , njësia e trafikut  si dhe prokurori kujdestar.Nga ana e personelit mjeksorë ne vendin e ngjarjes eshte konstatuar se personat qe gjindeshin brenda veturës ishin pa shenja jete.  Ju mbajmë te informuar”, ka thënë Gjurkaj.

blank

Në aktakuzën ndaj Pjetër Shalës, Specialja përmend edhe Sabit Gecin e Xhemshit Krasniqin

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, të enjten është transferuar në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Në aktakuzën e redaktuar të publikuar nga Dhomat e Specializuara, Shala, i njohur gjatë luftës si “Ujku”, dyshohet se së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, kishin mbajtur të izoluar në fabrikën e metalit në Kukës disa persona pa proces ligjor të rregullt, duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

Në aktakuzë përmenden edhe Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, si të përfshirë në këto vepra.

“Ata u mbajtën në qeli të improvizuara të ruajtura nga roja të armatosura, u prangosën dhe u lidhën, iu morën dokumentet e udhëtimit dhe paratë dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzën e redaktuar.

Shala dyshohet se ndaj të ndaluarve kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike duke i kërcënuar me vdekje, duke i frikësuar dhe duke i marrë në pyetje. Veprat e lartpërmendura thuhet se ishin kryer mes 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999.

“Të ndaluarit në fabrikën e metalit në Kukës rriheshin thuajse përditë. Pjetёr Shala nuk mori asnjë masë për parandalimin ose kufizimin e dhunës, ose ndryshe për të ndihmuar ose për të siguruar trajtim njerëzor të të ndaluarve”, thuhet tutje.

Sabit Geci, i njohur gjatë periudhës së luftës si “Qopa”, ishte dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte ndaj popullsisë civile në Kukës dhe Cahan dhe armëmbajtje pa leje nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë. Mirëpo, Gjykata e Apelit më pas ia kishte pezulluar ekzekutimin e dënimit për një periudhë tre mujore, për shkak të shëndetit të tij. Gjatë vitit të kaluar Geci kishte thënë se Gjykata Speciale i kishte ngritur aktakuzë.

blank

Mësimi në Kosovë, nga e hëna, do të vazhdojë në shkolla

Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë, nga e hëna, do të vazhdojë pa kufizime në pjesëmarrjen fizike të nxënësve në shkolla.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha përmes një postimi në Facebook se vendimi u mor në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Nxënësit e arsimit parauniversitar, përjashtuar ciklin e ulët nga klasa e parë deri në të pestën, janë duke mbajtur mësim online qysh më 12 prill.

Kjo ka qenë një nga masat e Qeverisë së Kosovës, të ndërmarra për frenimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Kosova, javëve të fundit, është përballur me rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus dhe të viktimave.

Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka raportuar për 17 viktima dhe gati 600 raste të reja me koronavirus. rel

blank

​Era Syla fiton Medalje të Argjendtë në Olimpiadën Matematikë Evropiane për Vajza

Nxënësja kosovare Era Syla ka fituar Medalje të Argjendtë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza-EGMO 2021.

Kjo është medalja e parë e argjendtë e Kosovës në një olimpiadë prestigjioze ndërkombëtare për nxënës të arsimit parauniversitar.

 

Këtë lajm e ka bërë të ditur Shoqata e Matematikanëve të Kosovës përmes një komunikate për media.

Kjo është komunikata e plotë:

Përfundoi me sukses Olimpiada e 10-të Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2021. Ekipi i Kosovës në këtë olimpiadë prestigjioze fitoi një Medalje të Argjendtë. Kjo është medalja e parë e argjendtë e Kosovës në një olimpiadë prestigjioze ndërkombëtare për nxënës të arsimit parauniversitar.

EGMO është gara më e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e Evropës dhe shumica e vendeve jashtë Evropës marrin pjesë në cilësinë e mysafirëve, të përfaqësuara nga nxënëset më të mira të matematikës. EGMO është kampionati evropian i matematikës për nxënëset e shkollave të mesme. Prandaj, arritja e Erës është vërtet e jashtëzakonshme.

Rikujtojmë se këtë vit nxënësja Era Syla, falë edhe sukseseve në olimpiada ndërkombëtare të matematikës, është pranuar për të studiuar matematikë në njërin ndër universitetet më të mira të botës, në MIT – Massachusetts Institute of Technology, në SHBA.

Ky sukses i Erës para së gjithash është rezultat i talentit të saj për matematikë dhe i punës e përkushtimit të saj të palodhshme.

Po ashtu, ky sukses i Erës do të ishte shumë më i vështirë pa mbështetjen profesionale të kolegëve e anëtarëve të Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës. Me këtë rast, një falënderim të veçantë e meritojnë udhëheqësit e ekipit të Kosovës: Lideri i ekipit, matematikani Valmir Krasniqi dhe zëvendëslideri i ekipit, matematikani Dorlir Ahmeti, të cilët për vite me radhë kanë dhënë kontribute të rëndësishme për përgatitjen profesionale të nxënësve olimpiadistë të talentuar në matematikë.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e uron dhe e përgëzon nxënësen Era Syla për suksesin e arritur dhe për përfaqësim të denjë të shtetit të Kosovës në këtë olimpiadë prestigjioze!

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës.

blank

Kurti i kërkon Greqisë ta njohë Kosovën

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Chryssoula Aliferi të cilës i ka kërkuar që Greqia ta njohë Kosovën, raporton Gazeta Express.

“Kryeministri Kurti kërkoi që të zgjerohet dhe të thellohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral dhe që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën. Znj. Aliferi e informoi kryeministrin Kurti për ftesën që Greqia i ka bërë ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla për të vizituar Greqinë. Duke folur për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, ajo potencoi faktin se javën që vjen virtualisht do të mbahet forumi i tretë ekonomik mes Greqisë dhe Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti ka vlerësuar lart marrëdhëniet me Greqinë dhe angazhimin e saj për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Kosovë, Chryssoula Aliferi, e cila e uroi për fitoren në zgjedhje dhe për stabilitetin që kjo fitore ka sjellë në vend. Ajo i solli kryeministrit Kurti letër falënderimin e kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, për urimin që i ka bërë atij me rastin e 200- vjetorit të revolucionit grek. Ai i vlerësoi lart marrëdhëniet me Greqinë dhe angazhimin e saj për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti me anëtarësimin në BERZH”, thuhet tutje.

blank

Biznesmeni turk i kërkuar në Turqi gjeti strehim në Kosovë

Sedat Peker (në qendër) gjatë një vizite në qytetin e Prizrenit.

Shkëlqim Hysenaj

Biznesmeni kontrovers turk, Sedat Peker i cili në Turqi konsiderohet si një ndër personat më të rëndësishëm të ‘operacioneve mafioze’ që nga vitet e 90-ta, në dy vjetët e fundit ka gjetur strehim në Kosovë dhe vendet të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Peker e ka një leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë, e së fundmi, ai është pajisur edhe me një pasaportë të Maqedonisë së Veriut, me identitet të rremë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, disa herë është takuar me disa zyrtarë nga Kosova.

Kush është Sedat Peker?

Në një shkrim të publikuar në muajin shkurt të vitit 2019, organizata Nordic Monitor e përshkruan Pekerin si personin më të fuqishëm të mafias turke. Nordic Monitor është një faqe lajmesh në internet dhe faqe përcjellëse, që drejtohet nga Rrjeti Nordik i Kërkimeve dhe Monitorimit me qendër në Stokholm. Kjo media mbulon lëvizjet ekstremiste fetare, ideologjike e etnike dhe grupet radikale, me një fokus të veçantë në Turqi.

Në vitin 1997, Peker u akuza për një vrasje që bëri që ai të largohej drejt Rumanisë, por pak muaj më vonë, një gjykata në Turqi e shpalli të pafajshëm.

Siç raporton BBC në gjuhën turke, një hetim i nisur kundër krimit të organizuar në fillim të viteve 2000, çoi në arrestimin e Pekerit pesë vjet më vonë.

Në fund të procesit gjyqësor, Peker u dënua me 14 vjet burgim për veprën penale “Formimi i një grupi të armatosur terrorist”, por dënimi iu reduktua dhe ai u lirua në vitin në vitin 2014.

Raportimet mediale thonë se Peker në të kaluarën kishte raporte të afërta me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Por së fundmi situata ka ndryshuar pasi Peker dhe grupi i tij kriminal po ndiqen nga autoritetet e Turqisë për veprimtari të ndryshme kriminale.

Kjo e ka shtyrë atë që të largohet nga shteti dhe të kërkojë strehim në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Iku nga Turqia dhe u strehua në Kosovë

Pas largimit nga Turqia, në dy vjetët e fundit, Peker gjeti strehim herë në Mal të Zi, herë në Shqipëri, herë në Maqedoni të Veriut e pjesërisht edhe në Kosovë, ku ende ka një leje të përkohshme qëndrimi me të cilën u pajis në vitin 2014.

Leja e tij e qëndrimit është valide deri më 29 dhjetor, 2021.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, për herë të fundit Peker ka hyrë në territorin e Kosovës më 18 janar, 2021 dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë pas vetëm dy ditësh.

Mediat në Maqedoni të Veriut kishin raportuar se Peker ishte arrestuar të njëjtën ditë për shkak të shkeljes së lejes së qëndrimit dhe se ai ishte deportuar për në Kosovë.

Aktualisht Peker është në arrati dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

E kaluara kriminale s’i pengoi politikanët që ta takojnë

E kaluara kriminale nuk ishte pengesë për disa politikanë nga Kosova që të takojnë biznesmenin turk, Peker.

Fikrim Damka, udhëheqës i Partisë Demokratike Turke në Kosovës, tani ministër i Zhvillimit Rajonal, në të kaluarën ka pasur disa takime me Sedat Pekerin. Në internet gjenden disa fotografi në të cilat Peker shihet i shoqëruar nga ministri Damka.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur ministrin Damka se në çfarë cilësie i ka zhvilluar takimet me Pekerin. Damka po ashtu është pyetur nëse ka pasur takime të tjera në muajt apo vitet pasues. Ministri Damka nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike e as nuk është përgjigjur në mesazhet e dërguara.

Në njërin nga takimet që u zhvillua mes Pekerit dhe Damkës, i pranishëm ka qenë asokohe edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Yildiray Bayram, që po ashtu është pjesëtar i komunitetit turk në Kosovë.

Në vitin 2019, Peker ka vizituar edhe Komunën e Mamushës, komunë kjo që banohet kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit turk. Aty është pritur zyrtarisht nga kryetari i kësaj komune, Abdylhadi Krasniç.

Krasniç ka pranuar të flasë për këtë takim, duke thënë se nuk kishte njohuri se kush ishte mysafiri që e priste në zyrën e tij.

“Një herë ka qenë një takim, ka qenë përmes disa shokëve. Një shok i yni që jeton tash në Turqi ka qenë këtu dhe tha po dëshiron të ju vizitojë, thash në rregull. Një herë ka qenë në Mamushë dhe kaq”, tha Krasniç.

Krasniç insiston se Peker kishte kërkuar takim me të vetëm si biznesmen dhe mohon çdo mundësi të jenë takuar sërish.

Gjatë një vizite tjetër në Kosovë, Peker, kishte takuar edhe kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Pas reagimeve dhe interesimit të mediave, Komuna e Hanit të Elezit fshiu nga ueb-faqja dhe rrjetet sociale njoftimin e takimit.

Në një reagim të tij, Suma kishte mohuar të ketë njohur apo pasur informacione për Sedat Pekerin para se ta takonte.

Njëjtë si Komuna e Hanit të Elezit edhe Komuna e Mamushës si dhe personat e përmendur në këtë tekst, kanë fshirë njoftimet dhe fotografitë e takimeve me Sedat Pekerin.

Në Turqi iu arrestuan bashkëpunëtorët

Të premten, më 9 prill, 2021, autoritetet e Turqisë realizuan një operacion të gjerë në të cilin u bastisën më shumë se 120 lokacione.

Gjatë aksionit u arrestuan rreth 60 persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Sedat Pekeri, i cili ndodhet në arrati.

Policia turke bastisi edhe shtëpinë e Pekerit, ku jeton gruaja dhe fëmijët e tij.

Më 12 prill, 2021, REL i ka shkruar gruas së Pekerit, Özge Peker për të pyetur nëse di vendndodhje e burrit të saj dhe për faktin se a vazhdojnë të kenë biznese aktive në Kosovë, mirëpo kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Peker dyshohet se mori pasaportë të Maqedonisë së Veriut

Më datë 7 prill, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka arrestuar nëntë zyrtarë policorë, të cilët dyshohet se kanë pajisur me pasaporta false pjesëtarët e një grupi kriminal, të përfshirë në kontrabandë me drogë dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Sipas MPB-së së Maqedonisë së Veriut, këta zyrtarë policorë kishin pajisur me pasaporta false 215 persona, 214 prej të cilëve shtetas të huaj.

Në mesin e atyre që kanë marrë pasaportë maqedonase, sipas MPB-së së Maqedonisë së Veriut, është edhe Sedat Peker.

Sipas MPB-së në Maqedoni të Veriut, Peker ishte pajisur me një pasaportë me identitet të rremë të një qytetari nga Shkupi me emrin Djadin Ademovski.

Në Kosovë nuk japin informacione

Pas operacionit të zhvilluar në Maqedoni të Veriut, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione për Sedat Pekerin në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Prokurorinë e Shtetit si dhe Policinë e Kosovës.

Por marrja e përgjigjeve është e vështirë.

Radio Evropa e Lirë, më 12 prill, 2021, ka dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës disa pyetje sa i takon mënyrës së pajisjes me leje të përkohshme të qëndrimit, evidencat e hyrje-daljeve në territorin e Kosovës si dhe faktin nëse Peker po hetohet nga institucionet e Kosovës.

MPB-ja është pyetur gjithashtu nëse autoritetet e Maqedonisë së Veriut apo Turqisë kanë kërkuar bashkëpunim me Kosovën për të identifikuar vendndodhjen e Pekerit.

Ky institucion deri tani nuk është përgjigjur.

Njëjtë ka vepruar edhe Prokuroria e Shtetit.

Në një përgjigje të shkurtër ka dhënë Policia e Kosovës. Ky institucion, më 13 prill, 2021, ka thënë se nuk mund të ndajë informacione për hyrje-daljet e Sedat Pekerit, pasi kjo sipas tyre, kjo bie ndesh me Ligjin e të dhënave personale.

“Bazuar në Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe në Sistemin e Menaxhimit Kufitare i cili përmban të dhëna të klasifikuara, ne nuk mund të japim informacione të tilla që janë të mbrojtura me ligj, me përjashtim kur këto i kërkon organi kompetent, i cili udhëheq ndonjë procedurë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Por, pavarësisht se këto institucione nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje, Ministria e Punëve të Brendshme kishte folur për Sedat Pekerin në muajin janar të këtij viti.

Asokohe, Peker ishte arrestuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pasi kishte shkelur rregullat e qëndrimit.

Siç ishte raportuar, Peker kishte refuzuar që të deportohej në Turqi me arsyetimin se atje rrezikonte të përballej me torturë çnjerëzore.

Siç kanë raportuar mediat në Maqedoni të Veriut, më kërkesë të tij, Peker është deportuar në Kosovë.

Asokohe u raportua se Sedat Peker kishte shtetësi të Kosovës, gjë që u mohua nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në muajin janar të këtij viti, përmes një reagimi, MPB-ja sqaroi se Sedat Peker nuk kishte nënshtetësi të Kosovës, por konfirmoi se ai ka një leje qëndrim të përkohshëm, me të cilën ishte pajisur në vitin 2014.

“Ministria e Punëve të Brendshme mund të konfirmoj se personi në fjalë nuk posedon pasaportë kosovare, siç është raportuar, por i njëjti posedon vetëm leje qëndrimi të përkohshëm, në emër të një biznesi të regjistruar në Prizren, nga viti 2014 dhe të vlefshëm deri më 29/12/2021”, thuhej në njoftimin MPB-së të datës 20 janar, 2021.

Në mungesë të përgjigjeve zyrtare nga institucionet kosovare, Radio Evropa e Lirë ka provuar që të identifikojë biznesin e Sedat Peker të cilin MPB-ja e përmend si justifikim për marrjen e lejes së përkohshme të qëndrimit.

Përkundër shumë përpjekjeve, asnjë biznes nuk është gjetur se ekziston në Kosovë, e që është i regjistruar në emrin e biznesmenit kontrovers turk.

Pas operacionit të autoriteteve të sundimit të ligjit në Turqi kundër grupit të Sedat Peker, Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën e Turqisë në Prishtinë nëse kanë kërkuar bashkëpunim për identifikim e vendndodhjes së Sedat Pekerit.

REL i ka sqaruar Ambasadës turke se sipas MPB-së së Kosovës, Peker ka leje qëndrim dhe besohet se ka një biznes të regjistruar.

“Ambasada nuk ka informacione për pyetjen tuaj”, ka qenë përgjigja e vetme.

Pekeri i rrjeteve sociale

Ndonëse ka një të kaluar kriminale, kjo nuk i ka penguar më shumë se dy milionë përdorues të rrjeteve sociale që të ndjekin aktivitetet e Sedat Pekerit.

Që nga lirimi i tij nga burgu në vitin 2014, Peker në vazhdimësi ka rritur numrin e ndjekësve.

Në profilin e tij në rrjetin social Instagram ai ka rreth 970 mijë ndjekës. Në Facebook rreth 1.6 milion si dhe në Twitter më shumë se 200 mijë ndjekës. Peker ka prezencë të papenguar edhe në Youtube, ku ka më shumë se 61 mijë ndjekës.

Llogaria e Sedat Peker në Instagram.

Llogaria e Sedat Peker në Instagram.

Në çdo platformë sociale ku ka prezencë, Pekeri publikon materiale, reagime si dhe fotografi nga aktivitetet dhe takimet e tij me personalitete të ndryshme.

Peker u bë shumë i njohur për një kërcënim që ai ua bëri akademikëve turq në vitin 2016 ku tha se: “Ne do të derdhim gjakun tuaj dhe do të notojmë në të!”.

Ky kërcënim lidhje me Deklaratën e Akademikëve për Paqe përmes së cilës 1,200 akademikë akuzuan qeverinë turke për kryerjen e operacioneve të ashpra në rajonin juglindor të Turqisë, rajon ky i banuar kryesisht me popullatë kurde.

Kjo deklaratë, asokohe kishte acaruar edhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i cili përdori gjuhë fyese ndaj intelektualëve.

blank

Kosovë, publikohet raporti me dëshmi të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Foto: Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës/AA
Prishtinë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka publikuar raportin “E drejta për të vërtetën – viktimat pa emër”, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç u tha në një konferencë për media nga udhëheqës të kësaj organizate, raporti përmbledhë dëshmitë e 345 viktimave, përfshirë gra, burra, djem dhe vajza të dhunuara gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se ideja e krijimit të një platforme të dokumentimit gjithëpërfshirës dhe sistematik të dhunës seksuale të luftës ka qenë prioritetet nga fillimi i punës së tyre, por ka nisur si proces nga viti 2019.

Ajo tha se institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare kanë dështuar të grumbullojnë dhe të bëjnë një arkiv gjithëpërfshirëse të dokumentuar mbi krimet e dhunimit seksual gjatë luftës, arkiv e cila do t’i shërbente gjeneratave të reja dhe institucioneve relevante.

“Për këtë arsye, me tre organizata kemi arritur t’i grumbullojmë 345 dëshmi të cilat i kontribuojnë të vërtetës, narrativave të luftës, duke krijuar një ballafaqim të drejtë dhe të saktë me të kaluarën në mënyrë që zëri i të mbijetuarave të dhunës seksuale të amplifikohet. Të arrihet që përmes këtyre të dhënave që dalin nga ky raport të kemi ndryshime ligjore për qasje gjithëpërfshirëse, bërjen e politikave më të avancuara me krimet e dhunimit dhe mbi të gjitha qasjen në drejtësi e cila mungon që nga vitit 1999 deri më tani”, tha Rushiti.

Ajo tha se ky raport ndër të tjera synon edhe ndërkombëtarizimin e kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë.

Udhëheqësja e programit për dokumentimin e viktimave të dhunës seksuale, Fatmire Haliti tha se nga 345 rastet që kanë dëshmuar për dhunën ndaj tyre gjatë kohës së luftës në Kosovë, 20 nga ta janë burra dhe djem ndërsa 325 janë gra dhe vajza.

Po kështu, Haliti theksoi se 6 për qind e viktimave i përkasin komuniteteve pakicë në vend. Ndërsa, 11 për qind nga 345 rastet e dokumentuara, sipas Halitit kanë qenë të moshës nën 18 vjeçare kur kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.

“22 për qind e viktimave, dhunën seksuale gjatë luftës e kanë përjetuar në shtëpinë e tyre. Pra, derisa kanë qenë në shtëpinë e tyre, kanë hyrë forcat e armatosura dhe kanë kryer dhunimin brenda shtëpisë. Këto raste janë paraqitur si rastet më të vështira të cilat shpalosin historinë e tyre duke u përballur çdo ditë me atë ngjarje pasi që 22 vite pas luftës, shumica prej tyre jetojnë ende në ato shtëpi e për më tepër ato nuk ua kanë rrëfyer ngjarjen asnjëherë familjarëve të tyre duke e mbajtur të fshehur”, tha Haliti.

QKRMT ka parashtruar disa kërkesa ndaj institucioneve kosovare për të drejtat e viktimave të dhunës seksuale në luftë, përfshirë shërbim shëndetësor falas për këtë kategori, derisa u ka bërë thirrje atyre që kanë përjetuar dhunim në kohë lufte të paraqiten, në mënyrë që shteti t’ua njeh të drejtën e tyre duke i përkrahur viktimat financiarisht.

Sipas të dhënave nga organizatat joqeveritare në Kosovë në Kosovë, llogaritet që janë 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

blank

Rozafa Kelmendi emërohet zëdhënëse e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës nga sot do të ketë dy zëdhënës. Kryeministri, Albin Kurti, ka emëruar Rozafa Kelmendin, zëdhënëse të Qeverisë.

Kjo u bë e ditur nga një komunikatë për media e Qeverisë së Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Rozafa Kelmendi ka përvojë nëntë vjeçare si gazetare me mediat vendore e ndërkombëtare. Nga viti 2011 ka punuar në projekte të Fondit Global, UNDP-së dhe UN Women. Vitin e kaluar ka punuar si Analiste e Politikave të Drejtësisë Tranzicionale në UN Women, Nju Jork, ku mes tjerash ka koordinuar punën globale për drejtësi tranzicionale të kësaj agjencie.

Është autore e disa publikimeve për personat e pagjetur dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ka studiuar për Menaxhment dhe Informatikë si dhe Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në komunikatën e tyre.

Kujtojmë se përveç Rozafa Kelmendit, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës është edhe Përparim Kryeziu.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend